Rita Ora, magjike në fotografitë e fundit (FOTO)

Ylli botëror, Rita Ora vetëm gjatë ditës së sotme ka publikuar një numër të madh fotografish në të cilat ajo rrezaton bukuri e plot stil, shkruan KultPlus.

Rita Ora së fundmi është shumë aktive në mbrëmje të njohura muzikore dhe ato të modës që po mbahen anë e mbarë botës. Ora që po vlerësohet për stilin e veçantë, muaj më parë ka lansuar edhe linjën e saj të modës.

🦋

A post shared by RITA ORA (@ritaora) on

Së fundmi ajo ka publikuar këngën e saj më të re “Girls” ndërsa ka mbajtur një serë koncertesh në vende të ndryshme të botës./ KultPlus.com

Room 511 come tru 🔮

A post shared by RITA ORA (@ritaora) on

‘Kosovo Next 10’ shpalosi vizionin e të rinjve për të ardhmen e Kosovës (FOTO)

Gili Hoxhaj

Përkundër ekspozitave që thirren në të kaluarën, ekspozita Kosovo Next 10 sheh nga e ardhmja dhe sheh botën nga syri i atyre që do ta përbëjnë të ardhmen e shoqërisë.

Shoqata e Shkëmbimeve Kulturore të Tajvanit dhe Kosovës sonte prezantoi ekspozitën e cila vjen dhee vizualizon botën vizionare të më shumë se 50-të të rinjve se si e shohin ata të ardhmen e Kosovës në dhjetë vitet e ardhshme.

Për ta finalizuar tërë këtë ekspozitë, rreth pesëdhjetë të rinj kanë kaluar nëpër 5 punëtori ku i kanë ndarë pikëpamjet e tyre me 4 dizajnerë tajvanez. Në këtë ekspozitë që u hap sonte në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës shtrihen veprat e artit interaktiv dhe ajo vjen si një udhëzues për vizitorët që të eksplorojnë aspektet e ndryshme të Kosovës dhe si një mundësi që edhe ata të kontribuojnë me idetë e tyre lidhur me të ardhmen në krijimin kolektiv për ta ndarë atë me të tjerët. Dizajnerët tajvanezë kanë sjellë këto dizajne në mënyrë mjaft kreative e interaktive, e momentin që atyre u vihet një tabletë përballë aktivitetet nuk rrijnë më të ngurtësuara.

Ngjyra e verdhë, kaltër dhe e bardhë dominonin në tërë ekspozitën. Si e tillë ekspozita pasqyronte tri fusha që shtrihen në gjendjen aktuale, në vizionin për të ardhmen dhe në ndërmarrjen e veprimeve. Në njërën anë të murit gjendja aktuale e Kosovës përfaqësohet me arritjet e Kosovës gjatë 10 viteve të fundit. Muri i Kosovës vjen plot ngjyra e gjallëri të ngjarjeve që e kanë karakterizuar një dekadë.

Në mesin e tyre bëjnë pjesë toleranca ndërfetare, pasuritë nëntokësore, dashuria e kosovarëve për Amerikën, Parada e parë e LGBTI-së, DokuFesti, përqindja e lartë e përdoruesve të internetit, makiato më e mirë në botë, presidentja e parë femër në Ballkan e përqindja e lartë e njerëzve nën moshën 35 vjeçare, futollistët e talentuar, e shoqëria civile shumë aktive. Të gjitha këto fakte si përgjigje ndaj pyetjes “Sa e njihni Kosovën”. Përmes dizajnit të Zombie Soup erdhi “Udhëtimet VR”, ku përmes “VR Travel Game”, nëpërmjet lojës VR publiku mund të udhëtonte në qoshe të ndryshme të botës. Për shkak të ruajtjes së pajisjes, ajo është në dispozicion të vizitorëve vetëm fundjavave. Në vazhdimësi publiku has “Makinën e Misioneve” që përfaqëson 36 misione të ndryshme për barazinë shëndetësosre, ushqimore dhe vetë eksplorimin.

Përmes fotografive të shpërndara në Instagram me hashtag # kosovonext10, fotografitë do të shërbejnë për vizitorët e tjerë si inkurajim për të ndërmarrë veprimeve. Në këtë ekspozitë nuk mungon as testi në internet për të nxjerrë rezultatet se “Çfarë lloj kosovari jeni”.

Në ekspozitë një pjesë të madhe kanë zënë edhe kutitë e votimit, në të cilat kalohet pasi të keni parë dhjetë faktet pse duhet të ndiheni krenar me Kosovën.

Me fije të kaltra dhe të verdha të lëshuara poshtë është portretizuar pema e dëshirave e cila me ngjyrë të kaltër prezanton hartën e Kosovës kurse me të verdhën atë të Tajvanit dhe prezantohet si një simbol i miqësisë mes Kosovës e Tajvanit. Kjo pemë kërkon përgjigjet e vizitorëve për të ardhmen e shoqërisë kosovare në dhjetë vitet e ardhshme, ndërsa kjo pemë do të përkthehet e do të shfaqet në Tajvan.

Kuratorja e ekspozitës, Chiayo Kuo, tha se ndihet e nderuar që përmes kësaj ekspozite të paraqesë bashkë me kolegët e saj vizionin e Kosovës për të ardhmen. Ajo kujtoi kohën kur ishte shpallur Pavarësia e Kosovës, ndërsa kishte qenë në shkollë të mesme dhe ky lajm kishte qenë shumë relevant atje, më pas ajo kishte kërkuar e lexuar shumë për Kosovën dhe pas 9 vitesh, ajo tha se nuk donte të mbetej vetëm vizitore në këtë vend kështu që bëri këtë ekspozitë për t’i lidhur më shumë vizionet e njerëzve të rinj, pasi ata janë e ardhmja e Kosovës.

“Ne besojmë se në dhjetëvjetorin e Kosovës, kjo ekspozitë ka një kuptim të veçantë. Kjo ekspozitë përmban punën e disa trajnimeve që kemi pasur me Termokiss dhe bazohet edhe në disa intervista që kemi marrë në rrugë. Ekspozita është online dhe offline. Ne kemi krijuar edhe një website për këtë ekspozitë kosovonext10.com, çfarëdo që ndodhë në ekspozitë, do të shfaqet edhe në website. Në këtë mënyrë çdokush mund të marr pjesë në këtë ekspozitë, pavarësisht vendndodhjes, pa marrë parasysh se sa larg jeni nga Kosova, ju mund të merrni pjesë dhe të festoni dhjetëvjetorin e Kosovës përmes kësaj ekspozite”, u shpreh Kuo.

Skënder Boshtrakaj tha se ndihet i lumtur që Muzeu e ka arritur atë nivel që të jetë i mbushur me vizitorë dhe me aktivitete të të rinjve që i prodhojnë për të rinjtë dhe vendin.

“Kur kam filluar punën në Muze i kam vendosur vetes dhe kolegëve prioritetet në tri shtylla të veprimit, për t’i vendosur në rend të parë të rinjtë dhe fëmijët, pastaj akademia dhe universitetet, studiuesit e rinj dhe grupi i tretë vizitori që është jo më pak i rëndësishëm. Jam i lumtur që Muzeu i Kosovës e ka arritur këtë nivel. Unë do doja t’i falendërohem të gjithë të rinjve që kanë marrë pjesë në këtë projekt dhe atyre që e kanë mbështetur projektin”, u shpre Boshtrakaj në fjalën e tij.
“Duke u bazuar në dhjetëvjetorin e shtetit të pavarur dhe duke aluduar në atë se si do ta shohim Kosovën në të ardhmen, do të isha shumë e nderuar që çdo ide e juaja se si e shihni Kosovën të jetë edhe me frytdhenëse për neve”, u shpreh Burbuqe Bakija nga MKRS e cila falënderoi ata që kanë marrë pjesë në këtë projekt.

Në emër të Zombie Soup, fjalën e mori Agnesa Belegu e cila u shpreh se ndihen shumë të lumtur për kontributin e tyre në këtë ekspozitë përmes projektit Travel Vr që mundëson një kapërcim përtej izolimit në të cilin ndodhen njerëzit e Kosovës.

“Do të ju ftoja të gjithëve t’i provoni këto eksperienca, ky nuk është një organizim shumë i zakonshëm në Kosovë. Realisht ky organizim na ka sjellë një perspektivë të re për t’i parë arritjet tona të cilat ne shpesh i harrojmë për shkak të problemeve tona. Shijojeni këtë ekspozitë për të parë më larg se këtu”, u shpreh Belegu.

Kjo ekspozitë e cila do të qëndrojë e hapur për një muaj në Muzeun e Kosovës erdhi si bashkëpunim i Shoqatës së Shkëmbimeve Kulturore të Tajvanit dhe Kosovës, Muzeut të Kosovës, Termokissit dhe Zombi Soup./ KultPlus.com

‘Kultura për ndryshim’, programi që mbështetë ndryshimet në Kosovë përmes kulturës

Alberina Haxhijaj

Tashmë ka përfunduar raundi i parë i granteve të dhëna në kuadër të projektit “Kultura për ndryshim“ që financohet nga BE-ja dhe menaxhohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ndërsa zbatohet nga Qendra Multimedia dhe Goethe-Institut.

Drejtori i Muzeut të Kosovës, Skender Boshtrakaj, me të marrë fjalën sot në një ngjarje të organizuar nga programi në fjalë, zgjodhi një paralele me thënien e Robert Schumanit se nëse Bashkimi Evropian do të krijohej nga fillimi, pikënisje do ta kishte kulturën.

E rëndësinë e kulturës e theksoi edhe Genoveva Ruiz-Calavera, drejtoresha e Western Balkans në DG NEAR (Directorate-General for Neighbourhood and Enlargement Negotiations).

Ajo u shpreh se Kosova duhet të jetë e lumtur për potencialin të cilin e kanë të rinjtë këtu, për të sjellë ndryshime, ndryshime të cilat vijnë si rrjedhojë e angazhimit në kulturë.

“Unë kur kam ardhur për herë të parë në Kosovë pata filluar punën pikërisht në muze. Tani jam e lumtur që po rikthehem përsëri. Më kujtohet kur erdhëm dhe u vendosëm këtu në hapësirat e muzeut i cili nuk kishte aspak i tillë, tani më vjen shumë mirë që ky Muze (i Kosovës) është më të vërtetë muze i denjë dhe jam e lumtur që e shoh të mbushur me eksponate”, u shpreh ajo.

Ruiz Calavera theksoi rëndësinë që kanë programet e shkëmbimit në mes të të rinjve nga Kosova dhe atyre nga vendet tjera të Evropës.
“Rinia e Kosovës duhet që të vazhdojë të mendojë jashtë kutisë dhe asaj që i servohet dhe sidomos të rinjtë duhet që të jenë më shumë me mendje kritike pasi vetëm kështu do të bëjnë më shumë presion ndaj politikanëve për ndryshime”, u shpreh Genoveva Ruiz-Calavera e cila po ashtu pranoi një kopje të “Hyjneshës në Fron” si dhuratë nga drejtori i Muzeut të Kosovës.

“Ajo çka po bën sot Bashkimi Evropian është hapja e mundësive dhe ofrimi i tyre prandaj ne duhet të jemi ata që do t’i shfrytëzojmë këto mundësi në mënyrë që të rinjtë tanë të kenë mundësi dhe perspektivë evropiane. Të rinjtë tanë janë evropian, të rinjtë tanë dinë të bëjnë vepër evropiane, krijimtari evropiane dhe nga programet si ‘Evropa Kreative’ jam i sigurt që shumë të rinj do të përfitojnë”, tha Shyqyri Bytyqi – Ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Jeton Neziraj nga Qendra Multimedia e cila së bashku me Institutin Goethe po implementojnë programin “Kultura për Ndryshim”, tha se ky programi deri tani ka përfunduar kohortin e parë të granteve ku përfitues direkt janë 42 artistë individualë dhe organizata të ndryshme kulturore.

“Shumica e granteve janë orientuar jashtë kryeqytetit, te organizatat dhe grupet artistike më të vogla por të cilat kanë potencial zhvillimi dhe qëndrueshmërie. Nga 200 aplikacione sa kemi pranuar mbi 30% e tyre kanë ardhur nga artistë dhe organizata kulturore nga komunitetet pakicë në Kosovë, që do ta konsideroja një lajm të mirë dhe një fakt optimist”, tha Neziraj.

Projekti “Kultura për Ndryshim” synon të rritë kapacitetet dhe të forcojë operatorët kulturorë në Kosovë përmes grant-dhënies dhe ngritjes së kapaciteteve të organizatave kulturore në Kosovë, duke mbështetur zhvillimin e kulturës në zonat jashtë kryeqytetit të Kosovës, dhe veçanërisht në mesin e operatorëve kulturorë që vijnë nga komunitetet e margjinalizuara. Projekti po ashtu do të mbështesë operatorët kulturorë nëpërmjet rrjetëzimit dhe promovimit që synojnë lidhjen e iniciativave kosovare me bashkëpunuesit potencial brenda dhe jashtë Kosovës.

Në dokumentin më poshtë mund të gjeni listën e plotë të fituesve të Thirrjes së parë për grante të projektit Kultura për Ndryshim për vitin 2018. / KultPus.com

Intelektualët pejanë në disa fotografi të kohës

Në këto fotografi të realizuara gjatë viteve 1977, 1995 dhe 1998 shihen shoqëria e njohur si elita intelektuale e Pejës së atyre viteve.

Profesorët Ymer Muhaxheri, Feti Ibishaga, Qemajl Beqiri, Mahir Morina, Gëzim Basha, Muharem Pasha, Viktor Gashi, Aziz Zeka, Burhan Gjikolli dhe Jusuf Haxhiu janë në mesin e personazheve që i shohim në këto fotografi.

Ymer Muhaxheri, i lindur në vitin 1929, ishte kryetar i LDK në Pejë. Mahir Morina është një ndër mjekët e parë në Kosovë, ndërsa në fotografi shihet edhe historian e profesori Gëzim Basha dhe profesori i gjuhës frënge në Gjimnazin e Pejës – Feti Ibishaga.

Intelektualët pejanë grumbulloheshin në Berberhanen e njohur të qytetit. Ajka ishte identifikuar si kundërshtare e politikës ditore e zhvillimeve politike në Pejë. Shumë prej këtyre intelektualëve dhanë kontribuut të çmuar dhe u dalluan për punën e tyre.

Burimi: Kosovar Basha

Tifozët e Zvicrës i kundërpërgjigjen FIFA-së, për çdo gol do të bëjmë shqiponjën

Zvicra sonte do të zhvilloj ndeshjen e fundit të grupit kundër Kosta Rikës dhe fitorja është e domosdoshme.

Në këtë ndeshje, zviceranet do të paraqiten pas dënimit që FIFA shqiptoi për futbollistët Kosovar, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri për festën që bënë në ndeshjen kundër Serbisë.

Megjithatë, tifozët e Kombëtares Zvicerane kanë dalë në mbështetje të futbollistëve shqiptar, shkruan indeksonline.

Ata kanë paralajmëruar se për çdo gol që do ta shënojnë futbollistët e Zvicrës, të gjithë tifozët do të bëjnë shqiponjën me duar.

Kujtojmë se Shaqiri, Xhaka dhe Lichtsteiner u dënuan së bashku me 25000 franga pas festimit me shqiponjë në fitoren 2-1 kundër Serbisë.

Vdes babai i Michael Jackson

Joe Jackson, patriarku i familjes Jackson, ka vdekur në moshën 89 vjeçare.

Sipas TMZ, Jow ka vdekur në mëngjesin e sotshëm në 3:30 në Los Angelos.

Joe ishte hospitalizuar në qershor për shkak se kishte kancer, e që atëherë gruaja e tij së bashku me fëmijët e nipat kanë qenë me të në spital.

Jow ishte prindi më i suksesshëm që menaxhon fëmijët e tij në historinë e muzikës. Ai me ndihmën e Diana Ross, kanë projektuar karrierën e “The Jackson 5”, prej ku pastaj Michael e Janet Jackson kanë dalë si artistë solo.

Më 24 qershor kishte shkruar në profilin e tij në Tëittër “ Kam më pak perëndime dielli për të parë se sa që kam parë”.

Këngëtarja Ayo elektrizon nesër Tiranën

Ayo, artistja e njohur e fillimviteve 2000, vjen për herë të parë në Tiranë mbrëmjen e 28 qershorit në Amfiteatrin e Liqenit Artificial të Tiranës, duke dhënë një frymëmarrje më shumë në jetën artistike të kryeqytetit të shqiptarëve.

Ayo ka spikatur për talentin e saj në muzikë si instrumentiste që në moshë të vogël, madje ka shkruar këngën e saj të parë në moshën 15-vjeçare, kushtuar nënës së saj, ndërsa përsa i përket shijeve muzikore është ndikuar nga Pink Floyd, Felw Kuti, Donny Hathaway, Jimmy Cliff, Bob Marley.

Albumi i saj i parë “Joyful” u regjistrua në vitin 2006 dhe prej vitit 2007 turnetë e saj anembanë botës nuk kanë ndalur. Albumi i dytë “Gravity At Last” erdhi suksesshëm në vitin 2008 duke qenë për një kohë të gjatë në top listat franceze dhe në ato gjermane.

Albumi i tretë Billie Eve ishte sërish një sukses për Ayo-n kjo falë edhe bashkëpunimeve me emrat si Craig Ross (kitarist i Lenny Kravitz), reperi Saul Williams, Matthieu Chedid dhe Gail Ann Dorsey.

E njohur dhe e pëlqyer për stilin reggae dhe soul, Ayo do të performojë përpara publikut shqiptar hitet e saj të sukseshme si: “Life Is Real” (2006), “Down on My Knees” (2006), “And It’s Supposed to Be Love” (2007) (2008, US), “Help is Coming” (2007), “Slow Slow (Run Run)” (2008), “On aime, on aide” (2009), “Lonely” (2009), “I’m Gonna Dance” (2011), “I Want You Back” (2011), “Fire” (2013), “Fire” featuring Youssoupha(2013), “Who” (2014), “I’m a Fool” (2017), “Paname” (2017). /ata

‘Të jetosh i dëshpëruar’

ALBERTO MORAVIA

“E kështu, për herë të parë, dëshpërimi përzihej me shpresën, si dy lumenj me ujëra të ndryshme nga dy burime të ndryshme, e para e bënte më të gëzueshme të dytën, e dyta e bënte më të thellë të parën. Unë ndihesha i dehur nga gëzimi, por në të njëjtën kohë, më i dëshpëruar se kurrë.
Problemi që më mundonte prej kohësh – domethënë nëse do të ishte e mundur që dëshpërimi, si të thuash , të “stabilizohej” ose të shndërrohej në një kusht normal të jetës në mënyrë që të mos arrihej kurrë në zgjidhjen logjike dhe të padhmangshme, në vetëvrasje – tashmë papritur ishte përmbysur. Përsëri, si në ditët e mia më të këqija, ndihesha i gatshëm të vrisja veten; kësaj radhe jo se më mungonte shpresa, por për shkak të një shprese tepër të madhe, së cilës nuk i hynte aspak në punë urtësia e hidhur e një dëshpërimi, siç thashë, të “stabilizuar”.”

‘Dielli’ nga Mjellma Istrefi, njëri prej filmave studentorë në PriFest

Festivali PriFest ka prezantuar sot edhe programin garues të filmave studentorë.

Po e veçojmë këtu filmin “Dielli” me regji nga Mjellma Istrefi.

Filmi 12 minutësh tregon për një profesor i cili u tregon studentëve të tij për mitin – dielli djegë gjithçka që prekë, megjithatë qyteti jonë është i mbuluar nga retë, pra qytetarët ende jetojnë.

Një studente është mjaft e guximshme. Ajo shpjegon se kjo teori nuk është e vërtetë, pasi që ajo ka parë diellin dhe është prekur nga rrezet e saj. Profesori vendosë t’i bashkohet për të dëshmuar se bota e ka gabim.

Lista e plotë e Programit të filmave Studentorë:
1. This must be the ritual (Poloni), Premierë Evropiane
2. Reenactment (Bosnje dhe Hercegovinë), Premierë Ndërkombëtare

3. Big sister (Izrael), Premierë Kosovare
4. Pulse (Izrael), Premierë Kosovare
5. Mustacheland (Turqi), Premierë Regjionale
6. The wheel (Kosovë), Premierë Kosovare
7. Dielli (Itali, Kosovë), Premierë Botërore.

Përveç filmave garues, në seksionin e filmave studentorë do të shfaqet edhe një program prezantues.

“Retrospektiva e regjisoreve femra nga Jerusalem Sam Spiegel Film School” do të prezentojnë një listë filmash të studentëve të kësaj shkolle me tematikën ‘Femra e fortë’. / KultPlus.com

Piktura ‘Salvator Mundi’ e Da Vinci, nga shtatori në Abu Dabi

‘Salvator Mundi’ do të ekspozohet në Abu Dabi duke filluar nga muaji shtator.

Puna magjepsëse nga Leonardo Da Vinci nga data 18 shtator do të ekspozohet në Muzeun e Luvrit në Abu Dabi.

Në pikturë është Jezusi duke dhënë uratën ndërsa njihen rreth 20 versione të pikturës së njohur botërisht.

“Një pikturë që ka kaluar nëpër shumë duar, e humbur dhe e gjetur, më në fund vjen në vendin tonë dhe është dhurata që do ti japim botës. Piktura na takon të gjithëve” thotë He Mohamed Khalifa Al Mubarak nga Departamenti i Kulturës dhe Turizmit në Abu Dabi, shkruan KultPlus.

Vitin e kaluar piktura u shit në ankand për 450.3 milionë dollar duke u bërë kësisoj piktura më e shitur ndonjëherë në botë. Da Vinci shpesh konsiderohet nga studiuesit si “Gjeniu Universal” dhe “Njeriu i Rilindjes”.

Punët tjera të njohura të tij janë “Mona Lisa”, “The Last Supper”, “Lady with an Ermine”, “The Vitruvian Man” dhe piktura të tjera. / KultPlus.com

“Politiko” i Brukselit e quan budallallëk sjelljen e Serbisë ndaj shqiponjës me gishta

Portali “Politiko” i Brukseli ka bërë një shkrim rreth zhurmës që Serbia bëri pas manifestimit të futbollistëve shqiptarë të përfaqësueses zvicerane të fitores ndaj Serbisë me formimin e shqiponjës me gishta, duke e konsideruar budallallëk atë që bënë serbët, transmeton Koha.net.

Teksti nis: “Merrini me mend 11 serbë që futen në fushën e futbollit për t’u ballafaquar me Zvicrën. Po, serbët që tashmë i njohim, djem shtatgjatë me zemra hipërnacionaliste dhe tifozë të rryer në beteja, nga të cilët disa bartin shenja gjenocidale të Ratko Mlladiqit, kriminelit serb të luftës të dënuar. Ekipi është jashtëzakonisht homogjen, ortodoks… Stojkoviq, Toshiq, Tadiq, Milenkoviq, Saviq, Matiq, Mitroviq… E kuptoni poentën”.

Zvicra, nga ana tjetër, nuk është më ai vendi i orëve dhe i djathit, por toka e futbollistëve imigrantë. Nëse përjashtohen ata pak futbollistë zviceranë, ai ekip ka mjaft futbollistë nga vende të bukura. Tre janë nga ish krahina serbe e Kosovës, që tash është e pavarur, por që Serbia nuk e pranon dhe ku Liria u desht të fitohej me forcë, shkruan portali belg.

Serbia vazhdon ta konsiderojë Kosovën vazale të saj,kurse shqiptarët e atjeshëm i konsideron “terrtarë urrjetës në narracionin shekullor të tragjedisë fisnore”

Ndeshja ndërmjet Serbisë e Zvicrës përshkruhet si luftë për ta mbajtur Kosovën. “Serbët fillimisht “çuan peshë gjithë Zvicrën”, duke pretenduar fitoren. Fillimisht shënuan gol në minutën e pestë, përmes Mitroviqit. Por zviceranët u këndellën dhe fituan – ashtu siç bënë kosovarët në luftën guerile gjatë të cilës nuk kishte engjëj, në të cilën njerëzit e Kosovës patën ndihmën e pakursyer të NATO-s”, transmeton Koha.net.

Në vazhdim … dy kosovarë zviceranë shënuan gola. Shaqiri ka stemën e Kosovës në atlete , ndërsa ky, sikundër edhe Xhaka pas shënimit të golit formoi me gishta simbolin e shqiponjës dykrenore, përkatësisht të Shqipërisë së madhe, që tërboi aq shum ë serbët sa iu ankuan FIFA-s.

Serbia është aleate shumë e afërt e Rusisë në Europë dhe FIFA do të duhej të kishte këtë parasysh me rastin marrjes së vendimit për dënimin e Shaqirit dhe Xhakës. Po ashtu nuk do të guxonte të harronte se tifozët rusë e serbë gjatë ndeshjes kënduan këngë me gjyra politike. Rusia nuk njeh pavarësinë e Kosovës dhe ajo është organizatore e Kampionatit Botëror, pjesërisht edhe në saje të udhëheqjes së korruptuar të FIFA-s me Sepp Blatterit.

“Pra, thelbi i akuzës kundër Shaqirit dhe Xhakës moralisht ishte ofensive meqë vinte nga vendi që kishte bërë luftë për shkak të mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës. Mbi 10 mijë shqiptarë të Kosovës (më së paku) janë vrarë gjatë asaj lufte. Që të dy futbollistët zviceranë që dhanë gola janë fëmijë refugjatësh që kishin ikur nga Kosova prej represionit serb, kështu që simbolizimi i shqiponjës shqiptare prej tyre duhet të shqyrtohet nga këndi i manifestimit të emocioneve dhe të këndelljes historike “ shkruante “Politiko” e Belgjikës, dhe shton “thelbi i futbolli në fakt është manifestim i emocioneve kombëtare”, transmeton Koha.net.

“Dy njerëz krenarë e kanë vendin në fushë (të futbollit), por aty nuk ka vend për budallallëqet serbe”, shkruan “Politiko”.

Kongresmeni Engel rikthehet në Kongres, feston me simbolin e shqiponjës

Kongresmeni amerikan Eliot Engel, mbështetës i hapur i shqiptarëve, ka treguar me një gjest të thjeshte se anën e kujt mban edhe në rastin e gjobitjes së futbollistëve Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka nga FIFA për mënyrën sesi e festuan fitoren, duke bërë shenjën e shqiponjës.

Pas marrjes se mandatit në Kongres, Engel pozoi duke bashkuar duart mbi gjoks në të njëjtën mënyrë. Veprimi i tij tejet domethënës është përshëndetur gjerësisht nga komuniteti shqiptar.

Por Engel nuk ishte i vetmi qe rreshtohet në anën e Xhakës e Shaqirit. Të njëjtin gjest bëri edhe ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiq, çka ngjalli reagimin e fortë të presidentit serb Aleksandër Vuçiq.

“Kroatët dhe shqiptarët na urrejnë,- tha ai, duke shtuar- Veprimet e tyre flasin për ta e jo për ne, ne duhet të shohim se si të shkojmë përpara, të zhvillohemi. Urrejtja vret atë që urren, jo atë që është objekt i urrejtjes.

Foton, që duket u ka dhembur shumë, e kanë shpërndarë edhe një pjesë e mirë e mediave serbe. FIFA për çdo rast nuk i ndëshkoi ashpër futbollistët shqiptarë, duke u mjaftuar vetëm me gjobë e duke mos i ndaluar të marrin pjesë në lojërat e ardhshme. / KultPlus.com

‘Shqiponjat’ e Xhakës e Shaqirit nuk janë aspak politike

Mania për festimet e Granit Xhakës e Xherdan Shaqirit pas golave ndaj Serbisë po vazhdon edhe më tej.

Mediumi zviceran “20minutes” ka biseduar me profesorë e njohës të rrethanave të Kosovës e Serbisë.

Sipas specialistit për Ballkanin, Loic Tregoures, veprimi i lojtarëve të Zvicrës nuk paraqet asnjë kuptim politik.

“Veprimi i tyre kuptohet nga i gjithë populli shqiptar dhe paraqet shqiponjën e flamurit shqiptar. Nuk ka asnjë kuptim politik. Është një shenjë identiteti siç e kanë edhe vendet tjera. Nëse do ta bënin atë kundër Portugalisë apo Anglisë, për shembull, askush nuk do të prekej”, thotë ligjëruesi i Institutit Katolik të Parisit, transmeton Koha.net.

Mediumi më tej thotë se pas fishkëllimave nga fansat e Serbisë, disa nga të cilët bartnin fanella me imazhin e kriminelit të luftës Ratko Mladiq, lojtarët e Zvicrës kanë dashur t’u përgjigjen atyre provokimeve.

Për Xherdan Shaqirin e Granit Xhakën është e vështirë të jenë neutralë kur dihet se babai i Xhakës ka qenë i burgosur politik nga Serbia.

“Është një veprim i bërë nën ndikimin e emocionit dhe historisë personale. Mund të jetë fatkeqe për shkak të tensioneve mes Kosovës e Serbisë, por për mua nuk është veprim politik. Meqenëse Kampionati Botëror është shumë i përhapur, veprimet e tyre ngjallën reagime. Por është një epifenomen në nivel diplomatik. Kjo nuk do ta ndryshojë situatën”, ka thënë Odile Perrot, drejtoreshë e Shkencave Politike dhe specialiste për Kosovën.

Tutje, mediumi zviceran në gjuhën franceze, përmend edhe përkrahjen që djemtë morën në Kosovë, nga i madh e i vogël – madje edhe duke mbledhur fonde për t’ua paguar gjobat.

Por, Tregoures thotë se ndonëse në Zvicër ka nga ata që janë hezitues ndaj shqiptarëve të Kosovës, në këtë rast i përkrahën.

“Edhe në Zvicër pari përkrahje për këta lojtarë. Është paksa qesharake sepse në Zvicër, është një pjesë e shoqërisë që janë shumë hezitues në raport me shqiptarët e Kosovës dhe emigrantëve në përgjithësi. Por në këtë rast, i përkrahim ata”, thotë ai.

Por, reagimet janë krejtësisht të kundërta në Serbi, ku u nxit një skandal diplomatik. Ndonëse Federata Serbe e Futbollit u gjobit me 46,780 euro nga FIFA për mesazhet diskriminuese nga fansat e tyre gjatë ndeshjes kundër Zvicrës, shqiponja vështirë të kapërdihet nga ta.

“Serbët pretendojnë se kjo shqiponjë i referohet ‘Shqipërisë së Madhe’ (bashkimi i të gjithë shqiptarëve të Ballkanit në një shtet). Por, kjo nuk është e vërtetë pasi këtë projekt nuk e përkrahin qeveritë aktuale”, vazhdon Odile Perrot.

Ekspertët e intervistuar nga “20minutes” kanë deklaruar se tashmë gjithçka ka kaluar.

A.P.Kernës

Poezi nga Aleksander Pushkini, përktheu Ismail Kadare.

Kujtoj me mall një çast gëzimi
Përpara sysh m’u çfaqe ti,
Si vezullim i një vegimi
Si ëngjëll plot me bukuri.
N’andralla jete zhurmëkote
Në dhembje brengash e mërzi,
Më grishte larg fytyra jote
Dhe zëri yt plot ëmbëlsi.
Nga shoqt’ e kohrave që shkaun
Kështell’ e ëndrrave m’u shemb
Me mjegull vitet më mbuluan
Fytyrën tënde, zërin tënd.
Ç’i ngrysa ditët gjithë me brengë,
I zymtë dhe në shkretëti,
Pa perëndi, pa shpres’ e këngë,
Pa lotë, jet’ e dashuri.
Në shpirt më shkrepi prapë agimi,
Dhe ja, sërish m’u shfaqe ti,
Si vezullim i një vegimi,
Si ëngjëll plot me bukuri.
Dhe rreh me gaz kjo zemra ime,
Sepse iu kthyen përsëri,
Dhe perëndi dhe frymëzime,
Dhe lotë, dhe jet’ dhe dashuri.

Shqiponja dykrerëshe zbret edhe në birrën zvicerane

Shqiponja dykrerëshe ka marrë dhenë, duke u kthyer në simbol dhe mënyrë shprehje për individë në krejt botën.

Pasi atë e shfaqën në fushën e lojës Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, duke festuar golat ndaj Serbisë, shqiponja ka zbritur edhe tek të tjerët.

Rasti më i fundit është ai i birrës Luzerner, e cila simbolin e shqiponjës të bërë me kryqëzimin e duarve e ka vendosur në paketimet e veta.

Poshtë një fotografie ku shihet paketimi i ri i kësaj birre është shkruar: “Jashtëzakonisht freskuese, si edhe përfaqësuesja jonë në futboll”.

Simbolin e shqiponjës dykrerëshe që prej ndeshjes Zvicër-Serbi e kanë bërë personalitete të ndryshme, për t’u dhënë mbështetje dy futbollistëve që përmes atij gjesti treguan dashurinë për vendin e tyre.

Michael Buble, këngëtari i radhës që do të ketë yll në Hollywood Walk of Fame

Këngëtari kanadez Michael Buble do të ketë në vitin 2019, yllin e tij në mesin e shumë artistëve të njohur në Hollywood Walk of Fame, përcjellë KultPlus.

Në mesin e yjeve, që do të kenë një yll në Hollywood Walk of Fame, në vitin 2019, të tillë si Robert De Niro, Anne Hathaway e Daniel Craig, do të jetë edhe këngëtari nga Burnaby Michael Buble, shkruan e gazeta kandeze, Vancouver Sun.



Ai është fitues i dy Grammy Awards, Canadian Screen Award dhe Governor General’s Performing Arts Award.

Këngëtari është rikthyer në skenë pas pushimit që kishte marrë për shkak të gjendjes shëndetësore të djalit të tij Noah. / KultPlus.com

The Points Guy: Ishujt e Ksamilit, destinacioni magjepsës për vitin 2018

Me një vijë të pafundme bregdetare dhe të larmishme mund të jetë e vështirë të zgjedhësh se cili plazh në Europë është i denjë për t’u vizituar në vitin 2018.

Në këtë dilemë, turistëve iu ka ardhur në ndihmë “The Points Guy” një website udhëtimesh amerikane që depërtoi në brigjet e Europës për të gjetur disa nga pikat më të mira për çdo plazh për vitin 2018.

The Points Guy ka renditur 15 plazhet më të bukura në Europë për vitin 2018 ku surpriza është Ksamili i cili renditet në vendin e dhjetë mes plazheve mahnitëse të Spanjës, Kroacisë, Francës.

Në këto destinacione, arrihet falë linjave të reja ajrore, ku ju zgjidhni të kaloni pushimet mes ngjarjeve kulturore, të luani në rërë, të notoni në det ose thjesht të shijoni diellin në këto destinacione europiane këtë verë.

TPG shkruan në artikullin e tij për ishujt e Ksamilit se Riviera shqiptare është po aq e mrekullueshme sa Rivierat italiane apo franceze.

“Ju nuk mund të keni dëgjuar për Rivierën Shqiptare, por është po aq e mrekullueshme sa Rivierat italiane apo franceze, me përjashtim të buxhetit shumë më të mirë. Ishujt e Ksamilit janë një koleksion simpatik i ishujve të pabanuar, të cilët mund të eksplorohen vetëm me një udhëtim të shkurtër me varkë larg gadishullit të Ksamilit. Ju madje mund të notoni mes disa ishujve në ujërat e cekëta”, shkruan “The Points Guy”.

“Gjithashtu duke iu treguar miqve tuaj se jeni duke pushuar në Rivierën shqiptare, tingëllon shumë magjepsëse dhe aventureske, gjithashtu! Për të arritur këtu, linja ajrore e re Air Albania mund të fillojë të fluturojë në rrugët evropiane këtë verë.

Qëndrim Rijani sjellë premierën “Në Det” në Teatrin e Kumanovës

Me tekst të Sllavomir Mrozhek e regji të Qëndrim Rijanit, në skenën e Teatrit të Kumanovës-Drama Shqipe, vjen premiera e shfaqjes “Në Det”, shkruan KultPlus.

Shfaqja sjellë tre burra që gjejnë veten në një ‘varkë’ në mes të oqeanit. E rëndësishme është të kesh diçka për të ngrënë në det, nuk vjen në pyetje se çka… por kë?. Dikush duhet të sakrifikohet dhe që të tre luftojnë për të gjetur një mënyrë “humane” përmes të cilës do të vendosin për personin e duhur.

Vepra e Sllavomir Mrozhek-ut “Në det” që është një komedi absurde, shqyrton veçoritë e shoqërisë në të cilën jetojmë dhe zbulon absurditetin e njerëzimit brenda sistemeve politiko-juridike me të cilat çdo sekondë ne përballemi.

“Në Det”, vjen përmes lojës së aktorëve: Qazmedin Nuredini, Mirsad Abazi, Sefedin Shabani, Taulant Destani dhe Faton Ibrahimi.

Ndërsa në ekipin e shfaqjes bëjnë pjesë edhe: ass.regjie Ibër Deari, skenografia dhe kostume Ardian Kadriu, kompozitor Fatos Lumani, shqipëroi Doruntina Basha dhe organizator Jakup Jakupi.

“Në Det”, vjen premierë më 1 korrik ndërsa repriza e parë më 2 korrik me fillim nga ora 20:00./ KultPlus.com

“Ana dhe Zefi”, përplasi historinë e Anne Frank me një viktimë shqiptare të gjakmarrjes në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Gili Hoxhaj

Këmishat e varura mbi skenë e dërgojnë publikun në një realitet jo dhe shumë të lehtë. Përmes njollave të gjakut kuptohet lehtë se nga do të ecën loja e aktorëve, përmes yllit të Davidit që qëndron nën këmishat kaltër e bardhë, historia e Anne Frank vjen më afër se kurrë për publikun e Prishtinës.

Publiku është i vendosur në të tri anët e shfaqjes, shpesh nuk e ndan as edhe një hap me personazhet që jo rrallë herë do t’i shohin në sy. Derisa publiku zë vend, aktorët i gjenë në skenë, nën avullin e këmishëve që zihen në kazanët pranë tyre. Këmishat e varura, herë ngrihen e herë zbresin poshtë. Ato përfaqësojnë simbolikën e krejt asaj çfarë do të zhvillohet mes lojës së aktorëve.

“Ana dhe Zefi” është vepër e shkruar nga dramaturgu holandez Ad de Bont, dramat e të cilit janë mjaft të njohura në Gjermani. “Ana dhe Zefi”, e cila është shkruar në vitin 2009 nga dramaturgu holandez, mbrëmë erdhi premierë për publikun e Prishtinës, duke ngre paralelet mes një viktime të Holokaustit që donte fort të shkruante dhe një viktime të gjakmarrjes që donte fort të bëhej aktor. Vdekja u zbulon të përbashkëtën e tyre. Anne Frank e cila njoftohet me historinë e një shqiptari të vrarë, e ka të vështirë ta kuptoj këtë përcaktim të kanunit. Të dy dëshmojnë vetëm për 15 vite jetë, të cilave u paraprijnë dy vite izolim. Në vdekje duket se gjejnë lirinë ndërsa zbrazin para publikut të kaluarën me kujtime. Përqafojnë njëri-tjetrin ashtu siç përqafojnë historitë e ngjashme të tyre, të cilat ua kanë përcaktuar të tjerët.

“Para se m’e gjujtë, bani za. Kujdesu mos m’e lanë të plagosun. Vraje me nji plumb. Ktheje trupin n’shpinë. Vendose pushkën te kryet e tij”, vjen përmes zërit të secilit personazh, derisa të gjithë zërat bashkohen e veçse e fuqizojnë këtë thirrje që e përfaqëson Kanunin e që është përfaqësuar shpesh në veprime të ndryshme, një vrasje e përcaktuar në rregulla që fton për vrasje të tjera me ceremoni para dhe pas saj.

Ernest Zymberi në rolin e Zef Bungës është rritur në një shtëpi që mes shumë rrobave, mbante një këmishë të gjakosur që priste që ngjyra e gjakut të nxihej, atëherë dhe tensionet në shtëpi do të rriteshin nga nëna e tij e cila beson që Kanuni është më i rëndësishëm se secili që është në atë familje. Përmes lojës së Irena Cahanit, ajo nuk njeh rregull tjetër pos Kanunit, i cili ka ekzistuar para tyre e do të vazhdojë të jetoj edhe pas tyre. Ajo lëviz nga një kënd në tjetrin bën punët e shtëpisë pa zhurmë veçse e ngrit fort zërin kur flitet për gjakmarrjen, ajo ia rikujton shpesh të shoqit se e kundërta e gjakmarrjes është veçori themelore e një frikacaku. Burrin e saj, babai i Zefit që vjen përmes lojës së Kushtrim Qerimit qëndron me ngulm në atë se Kanuni është shpikje e njerëzve të një kohe tjetër dhe si i tillë duhet të mos zbatohet. Nuk gjen përkrahjen e gruas as kur me valigje tregohet i bindshëm se do të largohet.

Regjisori Erson Zymberi, tha se shfaqja ka arritur konceptin e tij regjisorial pasi që shfaqja arriti fuzionin e lidhjes mes aktorëve dhe spekatatorit, kjo veçmas bazuar në përkushtimin e disiplinën e aktorëve. Ai tha se shfaqja vjen si shpëtim për ata që ëndërrojnë dhe si dënim për ata që vrasin ëndrrat.

“Shfaqja ngre dy paralale mes vajzës së famshme hebreje dhe shqiptarit Zef Bunga. Shkrimi i ndërlidh aq bukur këto histori sa që nganjëherë harrojmë se cili është shqiptari dhe cili është çifut pasi që vuajtja është e njëjtë në secilin vend. Përshtypjet e mija për këtë tekst kanë qenë që ta bëj të komunikueshëm me publikun ku jepet shfaqja dhe në anën tjetër duke mos u humb gjuhën me të cilën komunikon teksti, ky ka qenë pikësynimi im i parë, duke marrë parasysh që gjakmarrja është evidente akoma në veri të Shqipërisë, shfaqja thërret për dashuri dhe jo për vrasje”, tregoi regjisori Zymberi.

Ai tutje u shpreh se shkrirja mes zërave të kanunit të Lekë Dukagjinit për vrasje deri në një psherëtime të lehtë për dashuri, ka ardhur e tillë për t’iu shmangur vendndodhjes gjeografike të personazheve por që të arrijë ta prek një mesazh universal.

Vet shfaqja e cila fillon me thirrjen e fuqishme për gjakmarrjen ecën drejt një psherëtime të lehtë “Të dua”, në kërkim të dashurisë. Anne Frank e cila vjen përmes aktores Verona Koxha, shpreh copëzat e ditarit të cilat prekin fëmijërinë e saj deri sa më nuk kujton asgjë. Duke u rrokullisur në tokë, e herë duke lëvizur nga njëri skaj tek tjetri skaj i skenës, ajo kujton një natë të tmerrshme të verës së vitit 1944.

Për aktoren e re Verona Koxha, kjo ishte hera e parë që dëshmohet në një rol në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Ajo e veshur me një fustan klasik të zi, mbi bluzën e bardhë e me dy gërsheta në kokë, shpreh brendinë e Anne Frankut përmes naivitetit e ndjenjave të brendshme, duke nxjerrë edhe anën më të pjekur të saj me shpresën që një ditë do ta shihte përsëri babain, ajo ecën në kujtimet e saj derisa më nuk kujton asgjë, kur sëmundja e pashërueshme përhapet me shpejtësi në kampin e përqendrimit në Bergen-Belsen.

Ngjashëm Ernest Zymberi e sjellë fëmijërinë e Zef Bungës, i cili dikur rivalitetin e vetëm që njihte në jetë, ishte ai në një lojë futbolli, ku luante me Edi Markaj që më pas do bëhej vrasësi i tij. Që nga zërat komentues të asaj loje, që ende i mungon, ai arrin deri tek lajmi për një vrasje që është vazhdimësi e një zingjiri vrasjesh për shkak të gjakmarrjes.

Ernest Zymberi tregoi për KultPlus se e cilëson si një shfaqje mjaft të ngarkuar psikologjike e fizike dhe se ka qenë mjaft impenjative për ta sjellë tekstin briliant të autorit, bazuar edhe në kërkesat e regjisorit me të cilin punon tash e një kohë të gjatë.

“Ideja dhe koncepti të bën të ndihesh në siklet gjatë gjithë kohës dhe për shkak të temës dhe mesazhit që trajton që është shumë e ndjeshme jo vetëm për aktorët por edhe për publikun. Si ekip nuk jemi të panjohur për Ersonin, kemi punuar edhe më herët me të, falë tij dhe punës së ekipit kemi arritur ta krijojmë këtë, përndryshe individualisht nuk do të mund të funksiononim siç nuk funksionon asgjë individualisht në një ekip”, është shprehur Zymberi për KultPlus.

Pothuajse të gjithë e dinë përfundimin e historisë së Anne Frankut dhe historinë se si ndodhë një vrasje për shkak të gjakmarrjes, ndërsa kjo shfaqje ecën në botën e përtejme, në ndërdijen e personazheve.

Regjisorja Marigona Bekteshi- Ferati thotë se përmes kësaj shfaqje vijnë pikërisht reagimet e personazheve pas vdekjes, gjë që vjen falë punës së aktorëve e veçmas imagjinatës së regjisorit.

“Ne pamë se çfarë mendojnë ata realisht, po të ishin gjallë si do të kishin reaguar, gjë që vetëm një imagjinatë e pasur e regjisorit mund ta sjellë. Se po të ishin ata gjallë, do të na fyenin e shumë gjëra që ata nuk mund t’i bëjnë pasi që të vdesin. Shfaqja mu duk shumë e mirë. Më rrëmbeu ajo ngjarje, për një kanun të cilin regjisori e sjellë afër për neve që nuk e kemi përjetuar. Për aq minuta sa zgjati shfaqja, regjisori na bëri të hyjmë në trupin dhe gjakun e aktorëve, të cilët e përjetonin”, u shpreh Bekteshi- Ferati për fund për KultPlus.

Shfaqja “Ana dhe Zefi”, sonte sjellë reprizën e parë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, duke filluar nga ora 20:00./ KultPlus.com

Është gati projekti për restaurimin e pikturës murale në Kishën e Shën Venerandës

Instituti i Monumenteve të Kulturës ka hartuar projektin për restaurimin e pikturës murale në Kishën e Shën Venerandës, në Pllanë Lezhë.

Projekti i miratuar në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve konsiston në kryerjen e ndërhyrjeve konservuese dhe restauruese në pikturën murale të kishës.

Kisha e Shën Venerandës ndodhet në lindje të fshatit Pllanë (Lezhë), dhe ngrihet në lartësinë e kodrës mes një gjelbërimi. Ajo është një kishë e madhe dhe përbëhet prej naosit dhe narteksit.

Monumenti është një ndërtim i shek XIV-të i stilit Benediktin dhe falë marrëdhënieve të pallatit të Romës me Monolin si perandor i Kostandinopojës, vendimet merreshin direkt nga Papati. Në anën e jashtme kisha është trajtuar thjeshtë, ndërtuar me gurë të papunuar gëlqerorë dhe shtufi. Narteksi është i hapur e i rrethuar me arkada mbi pilastër me prerje katrore, me muraturë, me tulla të kuqe.

Dera kryesore e kishës ndodhet në faqen perëndimore, një tjetër derë ndodhet në pjesën qendrore të faqes veriore të Naosit. Në faqen lindore ka një apsidë rrethore të madhe e të lartë, si dhe dy nike të vogla anash. Kisha ndriçohet prej 7 dritaresh, të cilat janë me hark dhe një është rrethore. Naosi mbulohet me tavan druri, i cili vazhdon pa ndërprerje edhe në pjesën e Mafilit.

Kisha përmendet në dokumente historike të shek të XVII-të, ku kalon në vartësinë e peshkopatës së Lezhës, Krujës apo Durrësit, shkruan ATSH./ KultPlus.com

Lansohet videoklipi i kampanjës “We Play Strong”, mbështetur nga Rita Ora dhe UEFA (VIDEO)

Është publikuar kampanja reklamuese që i përkrah gratë që merren me futboll, “We Play Strong”, e cila mbështetet nga këngëtarja dhe aktorja me prejardhje kosovare Rita Ora, përcjellë KultPlus.

Rita Ora për këtë kampanjë ka bashkëpunuar së bashku me UEFA, me qëllim që sa më shumë gra të jenë të përfshira në futboll.

Rita Ora pati thënë se kampanja #WePlayStrong nuk ka të bëjë vetëm me futbollin por edhe me fuqizimin e grave dhe barazinë gjithashtu. Ajo e pati konsideruar privilegj faktin që është pjesë e kësaj fushate.

“Mesazhi im për të gjitha vajzat e reja është që nëse ato mendojnë që të marrin një top dhe të luajnë futboll, ta bëjnë këtë pa hezituar”, pati thënë ajo.

Rita dhe UEFA së bashku kanë për qëllim që përmes kësaj kampanjë të bëjnë që futbolli të jetë sporti numër një për vajzat dhe gratë në shtetet e Evropës në pesë vitet e ardhshme./KultPlus.com

Arrihet marrëveshja paraprake për Teatrin Kombëtar

Pas protestave dhe rezistencës së pandalur artistët duket se kanë arritur një fitore paraprake në lidhje me çështjen e Teatrit Kombëtar.

Bashkia e Tiranës duket se ka bërë disa hapa pas duke lëshuar në bisedime, dhe sot bën me dije se është arritur një marrëveshje me përfaqësuesit e aktorëve.

Kreu i bashkisë Erion Veliaj u takua sot me disa përfaqësues të komunitetit të aktorëve, si regjisorin Altin Basha, aktorët Alfred Trebicka dhe Arben Derhemi, ku u ra dakord për ndërtimin e një teatri të ri, në tokën ekzistuese dhe pa kullë.

Në deklaratën për media të bashkisë thuhet se është rënë dakord që në ligj të jepen garancitë e duhura për artistët që Teatri i Kombëtar do të jetë në sipërfaqen ku ajo ekziston edhe sot, me një godinë të vetme dhe që mbi të gjitha, që do të bëhet pa shpenzime të fondeve publike.

“Projekti që kemi sot është më i mirë. Nuk është ndoshta projekti perfekt, por tashmë e kemi të sanksionuar në ligjin që do të negociojë teatrin e ri, se prona e teatrit nuk preket, që e negocion teatrin e ri si një ndërtesë monovolum, pa kulla sipër, dhe që e negocion këtë teatër të ri me çelësa në dorë, me para të privatit, që edhe kushdo shqetësohet pse po harxhojmë për artin kur s’kemi bukë për të ngrënë, që edhe kjo s’është e vërtetë, të mos e ketë këtë shqetësim sepse nuk do të taksohet njeri për këtë propozim”, shprehet Erion Veliaj.

Megjithatë marrëveshja e plotë ende nuk është finalizuar, kësisoj regjisori Altin Basha shtoi se bisedimet do të vijojnë.
“Kemi rënë dakord për një fazë të parë. Mbeten akoma disa çështje për t’i diskutuar, kemi marrë garanci që ato do të sqarohen në proces e sipër. Shumë shpejt do të kemi një dëgjesë tjetër në formën e një debati për disa çështje të cilat akoma na kanë mbetur të papërfunduara. Mendojmë se në këtë proces kemi gjetur disa pika të cilat kanë qenë të rëndësishme për ne, për të qenë prezent në ligj. Po themi edhe një herë, është një fazë e parë, procesi sapo ka nisur dhe sigurisht që mbetemi ende në komunikim për detajet të mëtejshme”- tha Altin Basha, shkruan Shekulli./ KultPlus.com

Filigrani i Kosovës promovohet në Londër

Ambasadori i Kosovës në Londër, Lirim Greiçevci ka mirëpritur humanisten Elizabeth Gowing, e cila i ka kushtuar një libër të tërë filigranit për ta promovuar pikërisht këtë zeje të vjetër dhe shumë të veçantë, shkruan KultPlus.

“Kënaqësi ta kemi mysafire në ambasadë, humanisten Elizabeth Gowing, për ta promovuar filigranin e Kosovës, një zeje e vjetër dhe shumë e veçantë në Kosovë. Elizabeth i ka kushtuar një libër të tërë kësaj zeje të rrallë”, ka shkruar ai.

Tutje ai ka treguar se është krenar që po mbështet plasimin e produkteve kosovare në këtë rast filigranit në Britani të Madhe.

“Jam krenar që ndihmuam në nisjen e fushatës humanitare për mbledhjen e fondeve për ta mbështetur plasimin e produkteve të bukura të filigranit të Kosovës në Britani të Madhe dhe në vende të tjera, përmes shoqatave të grave shqiptare në Janjevë si dhe atyre rome, ashkali, egjiptiane në Fushë Kosovë”, ka shkruar ai.

Ambasadori Lirim Greiçevci ka njoftuar se të gjitha të hyrat do t’iu shkojnë këtyre grave duke theksuar se ky është një projekt që ai e përkrah pa rezervë sepse përmes tij promovohet Kosova dhe produktet e saj jashtë vendit.

Të gjithë ata që duan të kontribuojnë online, këtë mund ta bëjnë në linkun më poshtë. / KultPlus.com

https://www.kickstarter.com/projects/465131942/silver-threads-in-kosovo/

“Agimi” e “Rugova” me status të merituar ligjor

Shoqëria Kulturore-Artistike “Agimi” nga Prizreni dhe Ansambli Folklorik Autokton “Rugova” nga Peja, do të kenë status të merituar ligjor. ShKA “Agimi” dhe AFA “Rugova” do të kenë status të veçantë në kuadër të Ligjit Nr. 04/L-164 për Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” dhe ansamblet tjera.

“Kjo iniciativë është në kuadër të prioriteteve të mia si ministër për avancimin e kornizës ligjore. Në MKRS veçse kemi filluar të angazhojmë një grup punues për Koncept Dokumentin që si procedurë do të jetë hapi i parë për plotësim-ndryshimin e Ligjit. Në këtë grup do të jenë anëtarë edhe nga një përfaqësues i këtyre dy shoqërive kulturore”, ka thënë ministri Gashi.

E tëra kjo vjen duke pasur parasysh kohën e gjatë të veprimit që nga themelimi i tyre e deri më tani, e si njëra edhe tjetra kanë mbi 7 dekada veprimtari e aktivitet artistik, i cili ka ruajtur, kultivuar e promovuar vlerat, traditën, veshjet e karakteristikat tona kulturore duke e pasuruar në vijimësi kulturën tonë në përgjithësi dhe duke përcjellë vlerat nga njëri brez tek tjetri./ KultPlus.com