Drita Ademi publikon një vëllim me poezi në gjuhën gjermane “Lich Mit Regen”

Autorja Drita Ademi ka botuar një vëllim me poezi në gjuhën gjermane, “Lich Mit Regen” të përkthyer si “Dritë me shi”, shkruan KultPlus.

Ky është libri i pestë i autores, derisa “Licht mit regen”, u botua nga Anthea Verlag në Berlin.

Libri është një vëllim poetik, derisa poezitë e autores Drita Ademi janë vlerësuar lartë nga autorë dhe lexues gjermanofolës.

Botimi i “Licht mit Regen” shënon një moment të rëndësishëm dhe pritet që të përqafohet nga adhuruesit e poezisë në mbarë botën. /KultPlus.com

Shpërtheu fuqishëm me pesë romane, Tom Kuka: Më duket se Shqipëria prodhon vetëm shkrimtarë dhe banditë

Jeta Zymberi

Pas më shumë se tri dekada punë si gazetar, vetëm para gjashtë viteve, me botimin e librit të tij të parë, më në fund ai vendosi t’i lë të tjerët të gjykojnë “shkarravitjet” e tij.

Teksa ia dorëzoi dorëshkrimin përfundimtar redaktores së tij, krejt papritur, në mënyrë magjike e gjen veten duke menduar seriozisht për librin tjetër. Kjo ndoshta e bëri të mendojë se sa shumë kishte dashur të botojë dhe njëkohësisht të ndihej keq për faktin që e kishte shtyrë kaq gjatë ëndrrën e fëmijërisë, shkruan KultPlus.

Shpesh, për të ardhur deri të procesi i shkrimit, duhet të shtrydhësh vetën deri në momentin ku shpërthen mendja, edhe për autorin tonë, ky proces nuk është aspak i lehtë.

Ka shumë mite të tilla, që procesin e të shkruarit e konsiderojnë edhe mjaft stresues. Andaj, të thuash se kushdo mund të jetë shkrimtar është njësoj si të thuash se kushdo mund të kompozojë një sonatë. Në çdo art, ekziston një dhuratë fillestare që duhej të ishte aty.

Tek shkrimtari ynë, materiali qëndronte në trupin dhe mendjen e tij për një kohë të gjatë para se të fillojë të punojë në idenë e sjelljes së librit në jetë.

Ne, kësaj radhe folëm me një prej autorëve më në zë të Shqipërisë për momentin, Enkel Demin, i njohur nën emrin e stilolapsit Tom Kuka. Krijuesin e “Flama”, “Ora e Ligё”, “Gurёt e vetmisё”, “Hide mbi kalldrёm” dhe së fundmi „Rrethimi“ dhe fituesin e shumë çmimeve brenda dhe jashtë Shqipërisë, ndër ta edhe Çmimin Kombëtar të Letërsisë për vitin 2018, Çmimin Evropian të Letërsisë për vitin 2021 për Shqipërinë, Çmimin “Libri artistik i vitit” nga akademia Kult, dhe së fundmi “Çmimi i karrierës” nga universiteti ku ai studioi.

Libri i tij është plotë me njerëz që ka takuar, vende që ka vizituar, kthim te rrënjët, rrëfime familjare, ngjarje dhe peizazhe historike, përmbysje të legjendave e histori dashurie. Qasjen që ai i bën historisë përmes gjuhës dhe vokacioni i thellë i karaktereve të tij është një rreth që fuqishëm e mbizotëron. Por, gjatë rrugës ne zbuluam pak më shumë edhe për procesin e tij krijues. Ne kuptuam se gjatë kësaj kohe, autori është gati gati në një gjendje bipolare, kaq i zhveshur nga gjithçka sa nuk mund të gënjejë dot edhe vetën.

Për shkrimtarin që qëndron nën petkun e Tom Kukës, është mjaft e rëndësishme edhe dalja jashtë kufijve shqiptarë përmes përkthimit, në veçanti atë italian të cilin e ka shijuar së pari dhe duke qenë njohës i shkëlqyer i kësaj gjuhe, komunikimi me këtë lexues ishte i veçantë, por kjo nuk e bën aspak më të parëndësishëm përkthimin në gjermanisht, bullgarisht, serbisht, greqisht e gjuhë të tjera që librat presin të marrin zë.

Lexuesit e kësaj interviste dhënë ekskluzivisht për KultPlus, do kuptojnë më shumë edhe rreth librit të tij, personazheve dhe historive, suksesit dhe letërsisë së tij të preferuar. Po ashtu, periudhës së përjetimit të ndjenjës së të qenurit shkrimtar i botuar, pëlqyer dhe përkthyer në shumë gjuhë evropiane. Mbi të gjitha për shqetësimin e tij të madh, për kufirin mes librave të dyja vendeve tona, Kosovë-Shqipëri dhe dëshirës së tij të madhe duke lejuar njohjen e letërsisë, pa vendosur asnjë kufi.

KultPlus: Këto ditë ka dal në qarkullim romani “Rrethimi”, pa dashur të shuaj kureshtjen e lexuesit që akoma nuk e kanë shfletuar, me pak fjalë më thuaj pse duhet lexuar “Rrethimi”?

Tom Kuka: Kjo është pyetja më e vështirë që mund t’i bëhet një shkrimtari. Unë e di pse shkruaj, por nuk e di pse duhet lexuar. Një shkrimtar në momentin që fillon dhe shkruan qoftë edhe një rrëfenjë të shkurtër, e shkruan në radhë të parë për veten e vetë, jo pse dikush që është përballë tij, që mund të jetë lexues, e ka të nevojshme ta lexoj patjetër këtë rrëfejë.

Mendoj që “Rrethimi” është një libër që duhet lexuar për një mijë e një arsye, përveç pjesës së historisë që ne e njohim pas ose aspak, që ka të bëjë me rrethimin e Shkodrës nga trupat malazeze gjatë Luftës së Parë Ballkanike, ka disa përmbysje të rëndësishme për sa i përket besës, fjalës së dhënë, parë në një këndvështrim tjetër, jo më në këndvështrimin patetik që e kemi pasur deri në ditët e sotme, është një histori dashurie.

Në qoftëse do të më binte “Rrethimi” në dorë dhe do të isha thjeshtë lexuesi dhe jo shkrimtari, do i kisha lexuar të paktën dy-tre paragrafët e parë, nëse do të më pëlqente do ta vazhdoja, përndryshe do ta lija rrugës, ashtu siç bëjë vetë zakonisht me librat që lexoj.

KultPlus: U takuat edhe me lexues në panaire sikurse edhe në takime të ngjashme, sa ishte i lartë interesimi dhe na thuaj pak ndjesinë e këtyre takimeve me lexuesit?

Tom Kuka: Kam marr shpesh pjesë në panairet e librave, jo vetëm në Shqipëri por edhe jashtë Shqipërisë, me të thënë të drejtën isha pak i shqetësuar për panairin e librit që do të zhvillohej në Tiranë sepse herën e fundit isha në panairin e librit që u zhvillua në Prishtinë dhe aty vura re se interesi nuk ishte i madh.

Këtë vit nuk po them që interesi ka qenë i jashtëzakonshëm, por po them që të paktën ka qenë si çdo vit tjetër në Panairin e Librit të Tiranës. Pata shumë takime, pata një interes të madh me lexues nga e gjithë shqiptaria dhe jam i lumtur që shkoi aq mirë. Panairi i librit është një shtysë që ti ta qosh lexuesin drejt librarive apo drejtë bibliotekave.

KultPlus: Veprat tuaja kanë filluar të flasin edhe në gjuhë të tjera, si: italisht, serbisht, bullgarisht, ka ndonjë përpjekje tjetër që librat tu të flasin edhe në gjuhë të tjera?

Tom Kuka: Është shumë i rëndësishëm përkthimi në gjuhë të tjera, të cilat i përkasin familjeve të gjuhëve më të mëdha sesa gjuha shqipe, flas për gjuhët latine, qoftë edhe për gjuhët sllave, për arsyen sepse kështu vendosi komunikim më të gjerë, më përtej kufijve shtetërorë. Padyshim që jam shumë i interesuar, jo vetëm për botimin në italisht apo së fundmi në gjuhën gjermane apo gjuhët e tjera që pres të dalin botimet, siç është gjuha bullgare e kështu me radhë, por jam i interesuar për çdo lloj gjuhe.

Tani jam duke punuar për botimin e “Gurëve të vetmisë” në greqisht, pra në shumë gjuhë, por për të komunikuar, jo për tu shfaqur. Për të arritur të komunikoj nëpërmjet librave të mijë me një lexues i cili nuk është shqiptarë. Eksperienca e deri më tashme, më bënë shumë të kënaqur, sidomos me lexuesin italian dhe gjerman, të shohim pastaj si do të vazhdoj rrugës.

Por problemi ynë më i madh nuk janë përkthimet, problemi ynë më i madh është komunikimi mes nesh, mua më vjen shumë keq që shpërndarja e librave, apo qasja ime në Kosovë është e vobektë, për arsyen e vetme se mes shteteve tona ka kufij dhe e tmerrshmja është se kufiri është edhe mes librave të dy vendeve tona. Në Tiranë vazhdojmë ta konceptojnë një shkrimtar Dardan si të huaj dhe në Kosovë vazhdojnë të konceptohet një shkrimtar i Shqipërisë si jo i natyrshëm. Unë nuk mund të pranojë që librat e mi të botohen dy herë, ndryshe në Tiranë, ndryshe në Prishtinë. Duhet gjetur një zgjidhje, nuk e di se si por nganjëherë kur e mendoj, kjo është shumë më tepër e rëndësishme për mua se sa përkthimi në gjuhë të huaja, sepse kryesorja është që të komunikojmë njëherë me atë gjuhë që na ka falur Zoti të gjithëve.

KultPlus: Dëshironi që çdo libër i juaji të qëndrojë më vete, apo përpiqeni të ndërtoni një pjesë të punës me lidhjet midis secilit libër?

Tom Kuka: Nuk ka qenë qëllimi im që t’i lidhë librat me njëri tjetrin. Deri tani kam botuar pesë romane ku janë krijuar dy çifte. ““Hide mbi kalldrёm”,” dhe “Flama” janë sekuel i njëra-tjetrës, ndërsa “Ora e ligë” dhe “Gurët e vetmisë” kanë një lidhje shumë të zbehtë për sa i përket subjektit. Aty ku mbaron “Ora e ligë”, fillon “Gurët e vetmisë”. Paradoksi është që “Gurët e vetmisë” është shkruar para “Orës së ligë”. Gjithsesi me librin “Rrethimi” besoj se e kam thyer edhe këtë rregull, pastaj se si do të vazhdoj, nëse do të ketë edhe një sekuel tjetër “Flama”, këtë nuk e di, por jam duke e menduar.

KultPlus: Si i zgjidhni tematikat dhe emrat e personazheve tuaj, na fol pak rreth asaj se si lind ideja dhe si vazhdoni t’i jepni formë tutje?

Tom Kuka: Të them të drejtën, edhe kjo është një pyetje shumë e vështirë. Unë e kam syrin e vëzhgimit shumë të mprehtë edhe në momentin kur bëjë një shëtitje, udhëtoj, apo jam duke lexuar, jo se bëj përpjekje, por më vjen natyrshëm të shoh dhe zbuloj subjekte, qoftë edhe nga vëzhgime fare fare të vogla.

Për shembull, personazhi im i parë te “Hide mbi kalldrёm”, më ka vajtur mendja teksa rrija në një nga sheshet kryesore të Lisbonës, Dihima. Është një moment që dukej si një goditje rrufeje. Ka raste të tjera që kanë qenë rastësi, siç është te libri “Rrethimi”, teksa po lundroja në internet, gjeta një fotografi të Luftës së Parë Ballkanike të bërë nga Kol Maca dhe aty nisi e gjithë historia e këtij libri. Prej asaj fotografie, pastaj fillova të kërkoj, të lexoj kronikat dhe të thur një subjekt.

Në rastin e “Gurëve të vetmisë” shkak janë historitë e familjes të cilat unë i kisha brenda meje, i kisha dëgjuar, mi kishin thënë po qoftë edhe lexime apo eksperienca të shqiptarëve të tjerë të asaj krahine që kanë kaluar atë mynxyrë që quhet gjenocid në Çamëri. Pra janë një mijë e një arsye pse dikush gjenë një subjekt dhe fillon e ndërton. Zakonisht nuk improvizoj me subjektet, në përgjithësi i kam të ndërtuara në kokën time dhe pastaj filloj e i zhvilloj gjatë procesit të shkrimit.

KultPlus: Çfarë lloj kërkimi bëni dhe sa kohë kaloni duke hulumtuar përpara se të filloni një libër?

Tom Kuka: Nuk mund të jem shumë preciz se sa kohë më ha puna e kërkimit, sepse fjala vjen, tek libri “Rrethimi” kërkimet e mija kanë filluar qysh para 4-5 vjetëve, por gjatë kësaj kohe që unë e kisha librin në kokë, lexoja, kërkoja, shikoja, d.m.th. që më shqetësonte brenda vetës sime, unë kam vazhduar të shkruaj libra të tjerë, gjë që do të thotë se procesi i kërkimit mund të jetë edhe shumë i gjatë, por mund të jetë edhe fare i shkurtër.

E rëndësishme është se si ti i qasesh një procesi të tillë, pastaj kërkimi është klasik, unë jam me profesion gazetarë, shfrytëzimi i burimeve nga më të ndryshme, qofshin ato elektronike, apo njerëzore është pjesë e profesionit tim, unë kam 30 vjet që bëjë këtë zanat, prandaj them që nuk është ndonjë proces magjik, përkundrazi, është një proces i lodhshëm, por në qoftëse duhet të punosh me sfonde historike, siç më ka qëlluar mua disa herë, duhet të jesh patjetër i përgatitur që të njohësh në radhë të parë se çfarë ka ndodhur, mundësisht ta shohësh nga të gjitha këndvështrimet, jo vetëm nga një shqiptar por edhe nga një i kundërt, pastaj pasi të ftohesh, të fillosh të krijosh personazhet e tua, linjat, dialogjet dhe historinë tënde deri në fund.

KultPlus: Pesë romane brenda një periudhe 6 vjeçare, si do e përshkruaje këtë periudhë të jetës suaj?

Tom Kuka: Është e vërtetë që në një periudhë të shkurtër kohore kam arritur të publikoj pesë romane dhe padyshim kjo është një nga periudhat më të lumtura të jetës sime por edhe në jetën time private jam mirë, në këtë lloj pikëpamje. Por, dua të them pse është e lumtur, jo vetëm pse po shkruaj, por mbi të gjitha pse po kanë mundësi edhe të botohen. Nuk është që e kam ndaluar ndonjëherë procesin e shkrimit, në rutinën time ka qenë gjithmonë i pranishëm, ndërsa botimi ka qenë një lloj vendimi im që të bëhej pak më vonë.

Që nga viti 1995 nuk kam botuar më në shtypin periodik letrar, pastaj vendosa para gjashtë viteve që të botoj romanin tim të parë. Mendoj se gjëja më e rëndësishme gjatë kësaj periudhe është fakti që kam arritur të komunikoj me lexuesin shqiptar dhe të huaj dhe kjo është një nga kënaqësitë më të mëdha që mund t’i japësh një njeriu që shkruan.

KultPlus: A e shihni shkrimin si një lloj praktike shpirtërore?

Tom Kuka: Procesi i shkrimit është një proces çlirimi. Është diçka e brendshme e gjithkujt. Unë kam diçka për të thënë, në radhë të parë ja them vetës sime dhe dua ta heq nga vetja ime. Pastaj, nëse ky është një proces shpirtëror, po, është një proces shpirtëror dhe e pranoj, por nëse nuk është, unë nuk mund t’i vë dot një emër. Prandaj kam thënë që është një proces çlirimi. Nuk është kaq metafizike çështja e procesit të krijimit apo arteve tjera. 

KultPlus: A mendoni se dikush mund të jetë shkrimtar nëse nuk ndjen emocione të forta?

Tom Kuka: Njeriu nuk është një qenie mekanike apo elektronike, ku varet nga fuqia e motorëve të tij apo nga diagramet që ngrihen e ulen. Shkrimtari është njeri si gjithë të tjerët. Bie në dashuri, ka uri, sëmuret, do fëmijët e vet, urren botën, do botës, është besimtar, apo ateist, kjo ka pak rëndësi. E rëndësishme është që asnjëri nuk e di pse shkruan, nuk e di nga të vjen kjo lloj dhuntie.

Unë as vetë nuk e di nëse jam njeri i emocioneve të forta apo jo, ka momente që thonë që jam njeriu më i qetë në botë, ka të tjerë që thonë se kur bëhet nervoz reagon në mënyrë tejet singuine, prandaj nuk di ta shpjegoj. Unë di vetëm një gjë, që një shkrimtar është gjithë jetën e vet, i turbulluar.

KultPlus: Procesi i të shkruarit nuk konsiderohet i lehtë, juve personalisht, a ju jep energji apo lodhje shkrimi?

Tom Kuka: Procesi i shkrimit është një nga proceset më sfilitëse sepse përveç kohës, lodhjes fizike, ka edhe një lodhje mendore të jashtëzakonshme. Ti duhet të mendosh në një orë të caktuar të ditës, në momentin që ulesh përpara makinës së shkrimit apo kompjuterit dhe duhet të shkëputesh nga gjithë realiteti që ke afër, nga përditshmëria dhe pastaj duhet të rihysh në realitetin që ke afër që të vijë dita e nesërme dhe të bësh të njëjtin proces.

Pra, është një hapje dhe mbyllje dere e përditshme në të cilën ti jeton gati gati në mënyrë bipolare. Njëherë e bën jetën e zakonshme, njëherë tjetër e bën jetën letrare. Në njëfarë mënyrë mua kjo më lodhë, më streson shumë dhe mbi të gjitha më krijon një stres të veçantë edhe psikik. Por gjithsesi nuk është një proces katarze, nuk është një gjë që ti sheh yjet ndryshe nga të tjerët, apo komunikon me një botë ndryshe nga të tjerët. Është një proces i yti, vetmitar, në të cilin ti ke vetëm një gjë të cilën nuk e manipulon dot, je kaq i zhveshur nga gjithçka sa nuk mund të gënjesh dot edhe vetën tënde.

KultPlus: A i ndihmon apo i lëndon shkrimtarët një ego e madhe?

Tom Kuka: Nuk di çfarë të them për shkrimtarët, por unë di të them se vetë mundohem të qëndrojë brenda kufijve të mijë, mundohem të mos dal përtej, të mos i mërzis njerëzit duke thënë unë, unë. Shkrimtarët janë si gjithë të tjerët, ka pasur njerëz shumë të këqij, njerëz shumë të mirë, ka pasur luftëtarë e frikacak, ka pasur njerëz që kanë bërë pakt me djallin e njerëz drejt hyjnores. Unë një shkrimtar e vlerësoj nga ëndja që më shkakton në lexim, jo se çfarë njerëz janë. Nuk e di nëse të prish punë apo të rregullon punë egoja, në jetën e përditshme në qoftëse dikush thotë unë jam më i mirë, nganjëherë ju mbush mendjen të tjerëve edhe pa bërë asgjë.

KultPlus: Cila do të ishte një kritikë që do të ja thonit vetes me zë të vogël?

Tom Kuka: Është gjithë procesi i redaktimit që është kritikë ndaj vetes, ai është momenti ku nganjëherë i marr edhe inati vetës, shembull pse lash një linjë hapur, apo pse nuk e bëra pak më mirë një personazh, prandaj ky procesi i redaktimit kalon nëpër pesë duar deri sa merr formën që libri të botohet.

KultPlus: Si ju duket suksesi letrar, na përshkruani pak ndjesinë e këtij suksesi që veç po e përjetoni?

Tom Kuka: Po e thoni ju që është një sukses letrar, unë nuk jetoj brenda një suksesi letrar. Mundohem të ulë kokën dhe të vazhdoj punën. E kam të pamundur që të lëvdohem me librat që bëj. Shumë shpesh edhe kur më thërrasin nëpër takime mundohem të mos jem unë personazhi kryesor i takimit, por të jenë lexuesit sepse çdo lexues në momentin që lexon një libër timin apo të dikujt tjetër, këtë e ka proces krijimi, ai mund të shoh edhe gjëra që shkrimtari i ka shkruar por nuk i ka vënë re.

Janë detaje që lexuesit i dallojnë vetëm nëpërmjet një procesi krijimi që është leximi. Ky suksesi letrar që thoni ju është një fjalë që mua ma përkëdhel setrën, por unë mundohem ti qëndroj larg. Unë nuk mundohem të shkruaj që të jem i suksesshëm, unë shkruaj për vetën time, qoftë edhe për një lexues që do ta kem nesër, pasnesër përballë.

KultPlus: A i lexoni komentet e librave tuaj? Si i trajtoni të këqijat apo të mirat?

Tom Kuka: Padyshim që i lexoj pothuajse gjithë ato që botohen, kritika, komente apo vërejte. Kur janë pozitive jam gjithmonë falënderues edhe publikisht, ndërsa kritikave negative të cilat nuk janë të shumta, por janë, nuk i kthej përgjigje për arsyen që një shkrimtar, sipas konceptit tim, nuk e ka për detyrë të polemizojë me një kritikë apo me një lexues. Ai e ka kryer punën e vet në momentin që e ka botuar librin, pastaj libri nuk i përket më atij, i përket të tjerëve.

Ka plot që të kritikojnë sepse mendojnë se kanë të drejtë, ka plot që të kritikojnë për profesion, ka plot që të kritikojnë nga smira, ka plot që të kritikojnë se të duan fortë. Pra, kritika është ajo që është dhe unë e pranoj ashtu siç vjen, por nuk e kam ndërmend të mbroj vetën duke shkruar edhe dy faqe të tjera për një libër që mund të ketë 300 faqe. Në momentin që nxjerr librin, duhet të jesh i përgatitur edhe të të bëjnë vërejtje, qoftë edhe të hidhura, përveç lëvdatave që nganjëherë mund të jenë edhe konjekturale. Mundohem të mbaj një largësi me kritikën për arsye që të mos humb qetësinë time personale.

KultPlus: Gazetar apo shkrimtar, nëse do të duhej të zgjidhje mes të dyjave?

Tom Kuka: Nuk është një zgjedhje e vështirë. Unë dua të bëj shkrimtarin, jo më gazetarin. Ndoshta jam në vitet e mia të fundit si gazetar dhe pastaj, shumë shpejtë do i kushtohem me kokë plot vetëm shkrimtarisë. Kjo ka qenë ëndrra ime që i vogël dhe më vjen keq që nuk e realizova pak më përpara, por ju e dini që askush nuk jeton dot vetëm me libra, të paktën në Shqipëri.

KultPlus: Cilin nga romanet tuaja mendon se do të qëndronte mirë edhe në film?

Tom Kuka: Ka shumë vërejtje dhe njerëz që më thonë, ti shkruan në mënyrë filmike, ka pasur edhe regjisorë e producentë të cilët janë entuziazmuar. Ka pasur një tentativë ta pasuksesshme për të realizuar një film me subjektet e romaneve të mija, madje unë morra pjesë edhe në shkrimin e skenarit, por Qendra e Filmit nuk e pa të arsyeshme ta financojë.

Pra ka disa tentativa, pastaj kjo është një fushë tjetër që mua nuk më përket, është një art krejt tjetër. Mund të marrin subjekt nga librat e mi, mund të marrin këshillën time, por mund edhe të mos e marrin fare, vetëm të blejnë të drejtat dhe të realizojnë filmin.

Unë nuk jetojë me kinema, librat që unë i kam lexuar dhe e di që janë bërë filma, kam gjithmonë tendencë që t’i lexoj fillimisht dhe pastaj të shoh filmin dhe jo gjithmonë jam i kënaqur me realizimin e filmit me atë që lexoj. Prandaj kjo nuk do të thotë që do të ndaloj prodhimin kinematografik në qoftëse do të ketë për librat e mi, por unë kështu jetoj.

KultPlus: Viteve të fundit, jo vetëm te ne por edhe në botë, librat komercialë janë librat më bestseller, si ndiheni karshi këtyre librave?

Tom Kuka: Nuk kam unë probleme me letërsinë e ashtuquajtur komerciale ose letërsisë rozë që e quajnë shpesh. Ky është një diskutim i vjetër sa letërsia. Për shembull, mua më ka pëlqyer gjithmonë të lexoj letërsi të verdhë e cila një periudhë, sidomos në fillim të shek. 20-të konsiderohej një letërsi komerciale, por aty ka shumë mjeshtër të mëdhenj të shkrimit.

Sot mund të jetë letërsia triler që në pikëpamjen teknike është shumë tërheqëse. Nuk jam nga këta njerëzit që bëjë beteja dhe harxhoj kohën me llojet e letërsisë, apo arteve të tjera, sepse njerëzit janë të lirë të zgjedhin çfarë të duan.

Unë do të isha i lumtur që njerëzit të lexojnë një libër, nuk ka rëndësi çfarë, ditë e trishtueshme është kur njerëzit nuk lexojnë fare. Dhe për fat të keq në shqiptari kjo gjë po ndodhë çdo ditë e më shumë dhe lexuesit tanë po bëhen tejet të pakët, qoftë edhe të letërsisë komerciale që e quajmë. Në radhë të parë njeriu duhet të lexojë, pastaj përzgjedhja është një fazë e dytë që nuk vjen me receta.

KultPlus: Kur flasim për letërsinë shqiptare, ne kemi parasysh një mori librash, që përmbajnë tekste nga më të shumëllojshmet, të shkruara në mënyra të ndryshme, ku qëndron shija jote sa i përket autorëve shqiptarë?

Tom Kuka: E kam shumë të vështirë të bëjë një listë të autorëve shqiptarë që mua mi ka ënda, unë e njoh shumë mirë letërsinë shqipe që nga fillimet e saj e deri më sot, jam nga ata që lexoj shumë edhe letërsinë e re shqiptare, letërsinë bashkëkohore.

Nuk bëjë dallime në mes të letërsisë që bëhet në Shqipëri dhe asaj në Kosovë. Shkrimtari që shkruan shqip për mua mbetet i njëjtë. Madje edhe shkrimtarët shqiptarë të cilët shkruajnë shpesh në gjuhë të huaj i konsideroj më të afërt se sa ata që mund të vijnë nga letërsia e huaj. Prandaj kam një listë të gjatë në të cilën po e bëra do të bie në kurthin që e harrova këtë emër apo atë. Por padyshim janë klasikët e letërsisë shqipe ata të cilët kanë bërë poemat, poezitë, rrëfenjat e mëdha, janë modernët e letërsisë shqipe ata që e konceptuan hermetizmin apo natyralizmin në letërsi dhe padyshim janë romancierët shumë të rëndësishëm të letërsisë shqipe dhe dramaturgët po kaq të rëndësishëm të letërsisë sonë.

Një gjë më bënë çudi, shumëllojshmëria që kemi ne të zhanreve letrare dhe shkrimtarëve, në një vend kaq të vogël. Më duket nganjëherë që ky vend prodhon vetëm shkrimtarë dhe banditë.

KultPlus: Në botën e letrave u shfaqët nën pseudonimin Tom Kuka, a mendoni se të qenurit anonim nxiti më shumë kureshtje te njerëzit dhe vlerësimi ndaj librit ishte më real?

Tom Kuka: Çështja e pseudonimit të emrit, nuk besoj që kjo ka qenë një lëvizje marketingu, kam gjetur një emër tjetër sepse nuk doja që personazhi televiziv apo radiofonik të cilin unë përfaqësoj të përzihej me letërsinë të cilën unë shkruaj sepse mendoj që puna më e rëndësishme që kam bërë ndonjëherë në jetë dhe profesioni më i rëndësishëm, është të shkruarit.

“Hide mbi kalldrёm” ka qenë ngulmimi i botueses sime dhe pasi vendosa që romanin ta botoj, atëherë duhej edhe një pseudonim dhe zgjodha emrin Tom Kuka që ishte edhe personazh i romanit, por që ishte i pranishëm edhe në shumë gjëra të mijat që nga mbas viteve ’90-ta, më pëlqente shumë si alterego, kështu që ja ku jam me emrin Tom Kuka.

KultPlus: Kur ndodhi ai momenti që vendosët të zbuloni identitetin tuaj për lexuesit dhe pse?

Tom Kuka: Në momentin që kam shkruar “Gurët e vetmisë”, një libër që i përket historisë së Çamërisë, rrënjëve të familjes sime, një libër koral ku përshkruhen 200-300 vjet histori, andaj mendoja që ishte e pakuptimtë që unë të fshihesha pas emrit të Tom Kukës edhe për faktin se në parathënien që i kam bërë librit “Hide mbi kalldrёm” e kam thënë se në qoftëse do të më pyesnin a je ti Tom Kuka, do ta pranoja, sepse nuk ka qenë një zgjedhje marketingu.

Në Tiranë veçse kishin filluar ta merrnin vesh rrethi i lexuesve dhe kritikëve, kështu që vendosa të zbulohem meqë libri “Gurët e vetmisë”, i cili më vonë fitoi edhe Çmimin Kombëtar të Letërsisë përfaqësonte identitetin tim familjar, fisnor e kombëtar dhe zgjodha të jap një intervistë për Blendi Fevziun dhe u shfaqa që jam unë, Tom Kuka. / KultPlus.com

Botohet vepra “Shtatë legjenda” e shkrimtarit zviceran Gotfrid Keler

Këto ditë Shtëpia Botuese Kosova PEN Center e botoi veprën “Shtatë legjenda”, të shkrimtarit zviceran Gottfrid Keler, përkthyer nga Naim Kryeziu dhe përkrahur financiarisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. 

Shkrimtari zviceran Gotfrid Keleri (1819 – 1890) ka shkruar një numër të madh poezish, dramash, tregimesh dhe romanesh. Gotfrid Keleri si përfaqësues i epokës së realizmit u bë i njohur në letërsinë gjermane dhe botërore, sidomos me tri novelat e tij tani të përthyera edhe në gjuhën shqipe ”Veshja të bën njeri” ,”Mashtrim me letra dashurie”, ”Romeo dhe Zhuljeta në fshat” dhe me prozën e tij të famshme ”Shtatë legjenda”.   

Gotfrid Keleri u frymëzua për të shkruar këto novela nga koleksioni me dy vëllime i legjendave nga Ludvig Gothard Kosegarten. Në veprën e Kelerit ”Shtatë legjenda” bota fetare bëhet më e qartë, më e rreptë, por edhe më e ndezur, si edhe më sensuale. Në veprën e tij Keleri u përpoq ta hiqte poezinë nga tutela e fesë. Prandaj, nuk është pa arsye që “Shtatë legjendat” përmendet si një vepër kryesore e artit të tregimtarisë së Kelerit. Interpretuesit me përvojë psikoanalitike i kuptojnë ato legjenda si shembuj të një poezie në përmbushjen e dëshirave, duke vënë në dukje faktin se poeti që ndiqej gjithmonë nga fatkeqësitë në dashuri dhe çështjet e martesës, krijon martesë pas martese në legjendat e tij.  

Lexuesit shqiptarë sigurisht që e njohin Gotfrid Kelerin prej kohësh, por ka ende shumë për të zbuluar nga ky shkrimtar realist zviceran. Novela ”Shtatë legjenda” që nga kritika letrare vlerësohet si novelë e shekullit, ngërthen në strukturën e saj poetike  kritikë të mprehtë shoqërore dhe fetare, plot satirë dhe ironi. Keleri në thelbin e këtyre legjendave përshkruan të vërteta që mbulohen dhe pastaj dalëngadalë dalin në dritë përmes rrugëve të tërthorta. 

Në këtë kuptim, legjendat janë përmbledhje e hijshme dhe ekstreme e psikologjisë keleriane. Legjendat e Kelerit plotësojnë dëshirat, pikturojnë personazhet që lëjnë të kuptohen vetëm në trillime dhe me pak naivitet, sepse kërcënohen me zbulim. 

Përkthimi i veprës “Shatë legjenda” nga Naim Kryeziu është pasurim për letërsinë shqiptare, ku lexuesi do të ketë mundësinë të njihet me kulturën, me traditën dhe me krijimtarinë poetike zvicerane. 

Disa të dhëna për përkthyesin: 

Naim Kryeziu ka botuar artikuj kritikë në gazeta e në revista të Kosovës, të Shqipërisë e të Gjermanisë për Shilerin, Hajnen, Cvajgun, Kanetin, etj. Është fitues i bursës së “Kolegjit Letrar të Berlinit”, si edhe i bursës së “Kolegjit të përkthyesve Loren” në Zvicër. I është dhënë gjithashtu Çmimi i dytë (ndër pesë çmime) nga Kancelaria Federale e Austrisë për përkthimin e 

veprës “Vetëdija e fjalëve”, përmbledhje esesh sociologjiko-letrare të nobelistit Elias Kaneti, nga i cili ka përkthyer edhe esenë e gjatë të tij për Franc Kafkën me titull “Histori e një dashurie”. Nga gjermanishtja në shqip ka përkthyer gjithashtu librin e autores zvicerane Ivon Deniz Këhli me titull “Gra, edhe sa vjet doni të prisni?”, më pas romanin “Dyshimi” të shkrimtarit dhe dramaturgut të shquar zviceran Fridrih Dyrrenmat, një vëllim me aforizma e citate gjermanisht-shqip nga autorë të njohur gjermanë, austriakë e zviceranë.  

Nga gjuha shqipe në gjuhën gjermane ka përkthyer vëllimet me poezi “Ndiz dritën magjike” të poetit Sali Bashota dhe “Zogj të plagosur” të poetit Agim Vinca, si edhe antologjinë me titullin “Atëherë poeti tha”, ku përfshihen pjesë nga krijimtaria poetike e Ali Podrimjes, Basri Çapriqit, Sali Bashotës dhe Ibrahim Berishës. /KultPlus.com

“Do të vijë koha kur do të ekzistojnë pak dijetarë, e ata që do të flasin do të jenë të shumtë”

Libri konsiderohet si një nga mjetet kryesore të transformimit të njohurive dhe ruajtjes së tyre. KultPlus ju sjell disa thënie me vlerë për librin nga disa autorë të njohur.

“Jetojmë në kohën ku ekzistojnë shumë dijetarë, por ata që flasin janë të paktë. E do të vijë koha kur do të ekzistojnë pak dijetarë, e ata që do të flasin do të jenë të shumtë”! – Abdullah ibën Mesudi

“Të larguarit nga leximi i librit dhe marrja e informatave drejtpërdrejtë nga interneti, që është medium i pa kontrolluar me informata të pa verifikuara as shkencërisht e as fetarisht, është shndërruar në një epidemi sociale në shoqërinë tonë, që ka kaluar në metastazë te të gjitha kategoritë e njerëzve në shoqërinë tonë, si te të paarsimuarit, të arsimuarit, mësuesit, profesorët, studentët, gazetarët hoxhallarët etj”. – Jusuf Zimeri

“Shumë libra nuk kërkojnë mendime nga ata që i lexojnë ato, dhe për një arsye të thjeshtë; ato nuk bënë një kërkesë të tillë nga ata që i shkruan”.  Charles Caleb Colton

“Gjithçka që kam mësuar, e kam mësuar nga librat”. – Abraham Lincoln

“Të lexuarit, pas një moshe të caktuar, largon mendjen shumë nga kreativiteti. Secili njeri i cili lexon shumë dhe shfrytëzon trurin e tij shumë pak bie nën zakonin përtac të të menduarit”. – Albert Einstein

“Mos iu bashko djegësve të librave. Mos mendo se do të zhdukësh fajet duke zhdukur dëshmitë që ndonjëherë kanë ekzistuar. Mos ke frikë të shkosh në bibliotekën tënde dhe të lexosh çdo libër”. – Dëight D- Eisenhower

“Lexo, çdo ditë, diç që askush nuk është duke lexuar. Mendo, çdo ditë, diç që askush nuk është duke menduar. Bëj, çdo ditë, diç që askush nuk do të ishte tamam budalla për ta bërë. Është keq për mendje të jetë gjithnjë në njëzëshmëri”. – Christopher Morley

“Është mirë të dish si të lexosh, por është e rrezikshme të dish si të lexosh dhe të mos dish si të interpretosh atë që lexon”. – Mike Tyson

“Të mësosh të lexosh është të ndezësh zjarr; çdo rrokje që është shqiptuar është shkëndijë”. – Victor Hugo

“Çdo libër që e merr ka mësimin ose mësimet e veta, dhe shumë shpesh librat e këqij  kanë më shumë për të të mësuar se sa të mirët”. – Stephen King. /KultPlus.com

Dhjetë bibliotekat më mbresëlënëse në botë (FOTO)

Edhe nëse nuk i përkushtoheni shumë librit dhe leximit, nuk mund ta mohoni madhështinë e këtyre 10 bibliotekave.

KultPlus ua sjell më poshtë, përzgjedhjen e bërë nga Google Art.

BIBLIOTEKA “GEORGE PEABODY”, BALTIMOR, SHBA

Biblioteka me pesë nivele konsiderohet aq e bukur sa që nganjëherë edhe martesat mbahen brenda atriumit neo-grek. Gjithçka aty është financuar nga një djalë i mirë i quajtur George Peabody.

BIBLIOTEKA E BIRMINGAMIT, ANGLI

Eksterieri u kompletua në vitin 2013, me 5,357 unaza të mbivendosura, si nderim për lagjen e bizhuterisë në qytet. Ajo u hap zyrtarisht nga aktivistja Malala Yousafzai.

BIBLIOTEKA “CLEMENTINUM”, PRAGË, ÇEKI

Ndërtesa e stilit barok u ndërtua nga jezuitët më 1622. Legjenda thotë se ndërtimi nisi me një libër, ndërsa përfundoi me 20 mijë.

“DHOMA MBRETËRORE PORTUGEZE E LEXIMIT”, RIO, BRAZIL

Me koleksionin më të madh të librave portugezë jashtë Portugalisë, biblioteka është themeluar nga 43 emigrantë politikë për të promovuar kulturën kombëtare në Brazil.

BIBLIOTEKA PUBLIKE, NJU-JORK, SHBA

Kjo është biblioteka më e njohur nga filmat, si nga “Day After Tomorrow” (2004) apo “Sex and the City” (2008).

BIBLIOTEKA E VJETËR E KOLEGJIT TË TRINISË, DUBLIN, IRLANDË

Është 61 metra e gjatë, e dekoruar me tavane të harkuar dhe buste mermeri të autorëve të famshëm. Vëllimi më i famshëm aty është “Libri i Kellsëve” – dorëshkrim në latinisht që përmban katër ungjijtë e Dhiatës së Re.

LIBRARIA E QYTETIT, SHTUTGART, GJERMANI

Gjithçka duket si piramidë e përmbysur. Panelet e kulmit emitojnë dritë të kaltër edhe natën, ndërsa një pjesë e koleksionit është e qasshme për 24 orë – në atë që quhet “Libraria e të pagjumëve”.

BIBLIOTEKA “ALEXANDRINA”, ALEKSANDRIA, EGJIPT

Dhomat e leximit priren kah deti si orë diellore. Muret e granitit janë të dekoruara me shkronjat e qindra gjuhëve.

BIBLIOTEKA “MARCIANA”, VENECIA, ITALI

Ndërtesa e kohës së Renesancës ka një nga koleksionet më të mëdha në botë të teksteve klasike. Pos 750 mijë librave, brenda mund të shihni edhe veprat e Titianit dhe Tintorettos.

BIBLIOTEKA PUBLIKE, TAIPEI, TAJVAN

Biblioteka me materiale ekologjike e pastron ujin, punon me panele diellore dhe ventilim natyral. Brenda janë mbi 20 mijë libra në gjuhën angleze dhe kineze. 

11 zakonet e çuditshme të adhuruesve të librit

Për ata që duan të lexojnë, libri është një objekt shumë i çmuar dhe si i tillë duhet të mbrohet nga çdo gjë dhe nga kushdo. Nga ana tjetër, leximi ka nevojë për momentet e tij dhe atmosferën e duhur. Kjo është arsyeja pse adhuruesit e librit kanë zakone dhe mënyra sjellje të veçanta.

Dashamirët e librit kanë obsesione të vërteta në marrëdhëniet e tyre me librin dhe leximin. Por tek e fundit, kush nuk ka obsesione? Për ata që duan të lexojnë, libri është një objekt shumë i çmuar dhe si i tillë duhet të mbrohet nga çdo gjë dhe nga kushdo. Nga ana tjetër, leximi ka nevojë për momentet e tij dhe atmosferën e duhur. Kjo është arsyeja pse adhuruesit e librit kanë zakone dhe mënyra sjellje të veçanta.

  1. Nuhasin libra që lexojnë

Adhuruesit e librave e dinë se këto kanë një aromë të mirë, gjë që nxit nuhatjen e tyre intensive. Qoftë letra apo boja, librat (sidomos të vjetrit) kanë një aromë shumë të veçantë.

  1. Shpenzojnë shumë parave për blerjen e librave

Shumë pak adhurues të librit janë në gjendje të hyjnë në një librari pa blerë më shumë sesa një libër. Të kuptohemi: blerja e librave nuk është një gjë e keqe, por mund ta lini portofolin tuaj të “marrë frymë”, duke i kujtuar vetes se ka shumë biblioteka publike.

  1. Përditësojnë vazhdimisht listën e librave që duan të blenë

Renditja dhe përditësimi i rafteve të librave të sapo blerë është një gjë shumë normale për adhuruesit e librave. Ashtu si në komodinën e tyre, renditja e tyre shndërrohet në një praktikë thuajse obsesive.

  1. Përfitojnë nga çdo moment për të lexuar

Për ta çdo vend apo kohë është ideale për të lexuar. Nga trenat tek autobusët tek leximi gjatë ecjes në rrugë. Por sapo adhuruesit e librave kthehen në shtëpi, ata nuk humbasin asnjë rast për të krijuar një situatë super relaksuese për t’u kënaqur me leximin. Si për shembull mbushja e vaskës me ujë të nxehtë dhe rrethimi i saj me qirinj aromatikë.

  1. E krahasojnë librin me serialin televiziv

Diskutimi me miqtë përqendrohet pothuajse gjithmonë tek serialet televizive të bazuara në librat tuaj të preferuar. Sigurisht, adhuruesit e librit nuk humbasin asnjëherë shansin për të mbrojtur variantin letrar, dhe pse librat nuk mund të zëvendësohen nga filmat dhe serialet televizive.

  1. Gjykojnë vazhdimisht bibliotekën e të tjerëve

Dashamirësit e librit dinë të mos e gjykojnë një libër nga kopertina e tij. Por nuk humbin asnjëherë rastin për të gjykuar njerëzit nga librat që kanë në bibliotekën e tyre private.

  1. Gjejnë justifikime për të qëndruar në shtëpi dhe për të lexuar

Adhuruesit e librit duan të kalojnë kohë me miqtë, por në të njëjtën kohë preferojnë shumë të qëndrojnë në shtëpi dhe të lexojnë një libër.

  1. Bëjnë gati disa libra për t’i marrë me vete kur udhëtojnë

Ndonjëherë, qoftë vetëm për një fundjavë, duhet të largohen për diku, por për adhuruesit e librit kjo gjë nuk e ndal dëshirën e tyre për të lexuar. Në valixhen e tyre nuk duhet të mungojnë asnjëherë librat e preferuar që do të lexohen gjatë pushimeve.

  1. Nisin të lexojnë një libër teksa janë duke lexuar një tjetër

Kush thotë se librat duhet të lexohen njëri pas tjetrit? Sigurisht, disa nga momentet e rrëfimit mund të fillojnë të ngatërrohen me njëri-tjetrin, dhe kërkohet më shumë kohë për të përfunduar të dy librat. Por pavarësisht kësaj nuk ka asnjë arsye për të mos lexuar dy ose më shumë libra në të njëjtën kohë.

  1. E përdorin çdo gjë si faqe-shënues

Faturat dhe deklaratat bankare mund të jenë faqe-shënuesit tuaj. Me siguri edhe faqe-shënuesit më të sigurt në botë, e përdorin herë pas here kartën e tyre të kreditit ose kartën e biznesit. Madje disa dashamirës të guximshëm të librit, mund ta kenë zakon që thjesht të kujtojnë numrin e faqeve të tyre.

  1. Lexojnë gjithë natën për të përfunduar një libër

Çdo adhurues i librit e di se si është të shtrihesh në shtrat duke ia ngulur sytë librit, dhe duke e lexuar deri në orën 3 të mëngjesit, në pamundësi për të fjetur pa mësuar fundin e tij. /libreriamo/ KultPlus.com

Ag Apolloni promovon nesër në BKK librin e tij “Kësulëkuqja”

Nesër duke filluar nga ora 16:30, në ambientin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, organizohet promovimi i romanit me të ri “Kësulëkuqja” të autorit Ag Apolloni, shkruan KultPlus.

Apolloni ka njoftuar se romanin “Kësulëkuqja” tashmë mund ta gjeni nëpër libraritë e Tiranës dhe Prishtinës.

“Gjithashtu, të enjten, nga ora 4:30 pasdite, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, do të jem për nënshkrime”, thuhet në postimin e tij mes tjerash.

I titulluar “Kësulëkuqja, përrallë për të rritur”, Apolloni po i sjell në dorë lexuesit një vepër që sipas tij nuk është një roman dokumentar, por as një përrallë e pastër.

Sipas Apollonit, ky roman flet për një Kësulëkuqe koketuese dhe një Ujk të sëmurë. Është një histori dashurie dhe një shëtitje nëpër pyllin magjik të tregimtarisë, ku personazhet futen shtigjeve të mitologjisë, përrallës, religjionit dhe animacionit. Ulërimat dhe psherëtimat, lehjet dhe blegërimat vijnë si një përballje alegorike që zgjon jehun e egërsisë brenda nesh.

“Romani është ndërtuar si një shëtitje filozofike nëpër një botë sa reale, aq edhe përrallore. Ky nuk është roman dokumentar, as përrallë e pastër”, thotë Apolloni. / KultPlus.com

Annie Ernaux fiton çmimin “Nobel” për letërsi

Ndarja e çmimeve Nobel  po vazhdon që disa ditë me radhë. Pas atij të mjekësisë, fizikës dhe Kimisë sot erdhi momenti i ndarjes së çmimit Nobel në Letërsi, një fushë ku edhe interesi jonë është shumë më i madh pasi shkrimtari shqiptar Ismail Kadare është një prej kandidatëve potencial tash e disa vite, shkruan KultPlus.

Çmimi Nobel për Letërsi për këtë vit shkon për shkrimtaren franceze, Annie Ernaux.

Ernaux beson në forcën çliruese të shkrimit. Puna e saj është pa kompromis dhe e shkruar në gjuhë të thjeshtë, e pastruar.

Annie Ernaux (emri i lindjes Annie Duchesne; lindur më 1 shtator 1940) është një shkrimtare dhe profesoreshë franceze e letërsisë. Vepra e saj letrare, kryesisht autobiografike, mban lidhje të ngushta me sociologjinë. Ernaux u nderua me Çmimin Nobel 2022 në Letërsi “për guximin dhe mprehtësinë klinike me të cilën ajo zbulon rrënjët, largimet dhe kufizimet kolektive të kujtesës personale”.

Çmimi është vendosur nga Akademia Suedeze, një grup prej 18 personash që përbëhet nga shkrimtarë, gjuhëtarë, studiues të letërsisë, historianë dhe një jurist të shquar.

Ky është çmimi më prestigjioz i letërsisë në botë, me fituesin merr rreth 900 mijë euro./KultPlus.com


	

Nis muaji i ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e librit

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit hapi sot “Tetorin e librit”, një muaj ndërgjegjësimi mbi rëndësinë që ka libri për një shoqëri e një kohë më të mirë. Në takimin e mbajtur me këtë rast, ishte e pranishme ministrja e Kulturës, Elva Margariti, nënkryetarja e bashkisë, Keti Luarasi, drejtoresha e QKLL, Alda Bardhyli, botues, autorë, përkthyes etj.

Motoja e këtij tetori është “Libri afron botën”. Ndërkohë QKLL, përmes aktiviteteve që do të shoqërojnë këtë “Tetor Libri”, do të përpiqet t’i japë përgjigje pyetjes  “Cili duhet të jetë roli i librit, i shkrimtarit sot?

Përgjatë gjithë vitit 2022, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka vijuar fushatën e saj të leximit në çdo hapësirë të Shqipërisë, jo vetëm përmes aktiviteteve, por dhe përmes takimeve me botues, autorë, përkthyes, librarë, ekspertë të arsimit, për të konfiguruar të gjitha problematikat dhe diskutuar mbi mënyrën sesi mund të përshfaqen ato në ndryshime ligjore, që do të bënin të mundur më shumë libra në bibliotekat tona, më shumë letërsi e autorë shqiptarë dhe një përdorim më të pastër të gjuhës shqipe.

Falë të premtes së leximeve dhe kësaj fushate, tashmë numërohen më shumë se 50 klube leximi të hapura në të gjithë Shqipërinë. Por leximi dhe politikat në shërbim të tij vijojnë të mbeten një sfidë. Librarët dhe rrjeti i librarive, një komponent shumë i rëndësishëm, që lidh botuesin, autorin dhe lexuesin, do të jetë sërish në fokus të këtij tetori, përmes një tryeze, ku do të bëhen bashkë përfaqësues të rrjetit të librarive në vend.

“Libraritë e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë duhet të jenë vende që gumëzhijnë nga lexuesit dhe kjo mbetet sfida jonë më e madhe”, thuhet në postimin në rrjetet sociale të Qendrës Kombëtare të Librit e Leximit.

Ky muaj përkon me ditëlindjen e tre poetëve të rëndësishëm të letërsisë sonë kombëtare: Migjeni, Dritëro Agollit dhe Gjergj Fishtës, të cilët përfaqësojnë tri periudha të ndryshme të historisë sonë letrare dhe lexuesve të rinj. /atsh /KultPlus.com

Romani i Tom Hanks publikohet vitin e ardhshëm

Romani i aktorit Tom Hanks “The Making of Another Motion Picture Masterpiece” do të publikohet në vitin 2023.

Librit të yllit të “Forrest Gump” i është caktuar një datë publikimi në ShBA dhe Britani të madhe dhe është 9 maji i vitit të ardhshëm.

“The Making of Another Motion Picture Masterpiece” pason krijimin e një filmi aksion, të mbushur me yje shumë milionë dollarësh e me superhero”, përshkruhet libri.

“Krijimi i filmit është punë shumë e vështirë për një periudhë shumë të gjatë kohore që përbëhet nga kaq shumë momente gëzimi të shoqëruara me një numër të barabartë ndjenjash të urrejtjes ndaj vetes. Është puna më e madhe në botë dhe njëkohësisht puna më ngatërruese që unë njoh”, ka thënë Hanks.

Por ky nuk është i pari, Hanks në vitin 2017 publikoi librin “Uncommon Type”./21Media / KultPlus.com

Vjen në shqip libri i fundit i albanologëve Fischer dhe Schmitt

Është publikuar në shqip libri i fundit i profesorëve Bernd Fischer dhe Oliver J. Schmitt,  “Një histori e përmbledhur e Shqipërisë” (A Concise History of Albania).

Instituti i Historisë në Akademinë e Studimeve Albanologjike zhvilloi një tryezë diskutimi mbi librin dhe problematikat e historisë së Shqipërisë, qasjet historike dhe sfidat profesionale. Pjesëmarrës ishin studiues nga Instituti i Historisë si dhe bashkëpunëtorët të Institutit dhe kërkues nga institucione të tjera kërkimore.

Diskutimi u zhvillua me prezencën e dy autorëve, Fischer dhe Schmitt, të cilët iu përgjigjën edhe pyetjeve, komenteve dhe vlerësimeve të kolegëve nga Shqipëria.

Drejtori i Institutit të Historisë, Afrim Krasniqi, theksoi interesin profesional të Institutit për t’u identifikuar si qendër kryesore e debatit profesional mbi historinë dhe për promovimin e botimeve cilësore historike edhe nga autorë që jetojnë jashtë Shqipërisë.

Botimi i ri paraqet disa risi, përfshirë struktura, fokusimi më shumë tek elementët dhe debatet thelbësore të historisë sesa tek kronologjia, pasurimi me qasje krahasuese me vendet e tjera, sjellja në vëmendje e disa tezave të reja, si dhe përfshirja në studim edhe e periudhës aktuale të zhvillimeve në Shqipëri dhe rreth Shqipërisë.

Botimi është realizuar nga shqip nga Teona Artini në Kosovë dhe në anglisht nga Cambridge University Press. / atsh / KultPlus.com

Libraria lundruese më e madhja në botë, mbërrin në Portin e Vlorës

Një anije shprese, mbushur me libra ka mbërritur në Portin e Vlorës.

Kjo është libraria më e madhe lundruese në botë e quajtur Logos Hope , që do të qëndrojë e ankoruar në Portin e Vlorës për dy ditë.

Një panair i gjallë, në një anije me gjatësi prej 132,5 m, që përmban 5000 tituj librash, e ku shërbejnë 300 persona vullnetarë.

“Një mesazh dijeje, që udhëton në të gjithë botën, që prej viteve ’70, që ka pritur e përcjellë rreth 46 milionë vizitorë dhe sot ka prekur edhe brigjet tona”, ka shkruar ministrja Elva Margariti. / KultPlus.com

Lasgushi në takim me poetët nga Kosova

   Në fillim të viteve 70, kur u vendosën kontaktet e para me Kosovën, erdhi në Tiranë një grup poetësh e studiuesish nga Prishtina. Një ditë, duke shëtitur me disa prej tyre, u ndalëm në kafe “Tirana”. Sapo hymë, vura re në një cep të lokalit Lasgushin dhe ua tregova miqve. Ata shtangën menjëherë dhe pastaj më pyetën nëse kish mundësi ta takonin. Pa e zgjatur, iu afrova Lasgushit dhe ia thashë dëshirën e poetëve kosovarë. Ai reagoi me mënyrën e tij, lëvizi buzët pa thënë asnjë fjalë, por sytë ndërkaq i shkëlqyen dhe ktheu kokën nga ata. Ata, pa pritur përgjigje, qenë afruar dhe i kishin zgjatur dorën. Ishin të emocionuar dhe pak të hutuar. Si zunë vend, u bë një pauzë deri sa e mori fjalën Lasgushi.
   Domethënë qenkëshit poetë!? Të gjithë, ë? Dhe nga Kosova? Nga Shqipëria e jashtme, ë? Se e brendshmja është kjo që gjendemi ne, kurse e jashtmja është ajo që e lanë jashtë kufijve të 13-s…
   Sytë plot dritë të Lasgushit lëviznin sa te njëri te tjetri. Ishte vërtetë i gëzuar, por brenda natyrës së tij të përmbajtur.
   Sepse, ta dini ju, – vazhdoi poeti duke e ngritur zërin, – një kritik më kritikoi njëherë, se kritikët këtë punë kanë. Tha se unë nuk e njohkam gjeografinë e Shqipërisë. Bobo, ç’më dëgjuan veshët! Sepse ne vjersha “Poradeci” kam shkruar vargjet: “Duke nisur udhëtimin mespërmes nër Shqipëri, Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shendaumi…” More, i paditur, t’i thuash, Lasgushi e di gjeografinë, ti nuk e di. Ti nuk e di se gjysma e Shqipërisë është përtej dhe Drini është kufiri i përrallshëm i dy pjesëve të trojeve tona stërgjyshore. Apo s’është kështu?
   Të gjithë e miratuan me gaz, ndërsa poeti mbante kokën lart. Si u bë një heshtje, Lasgushi, që në kësi rastesh fliste pak, i prekur nga takimi jo i zakontë, mori të fliste prapë i gjallëruar e i gëzuar:
   Domethënë, – pyeti rishtazi Lasgushi me një ton që s’merrej vesh mirë, qenkëshit të gjithë poetë? Shumë poet paska Kosova! Ah, Kosovë, Kosovë, ti që ke nxjerrë njëherë trima, tashti nxjerr poetë!
   Dhe me kokën ngritur lart zuri përsëri t’i vështrojë të ardhurit një nga një, me dashamirësi dhe kureshtje si prej fëmije. Askush nuk fliste. Vetëm dëgjonin. Në një çast poeti iu drejtua njërit prej tyre:
   -Po mirë, ti që je poet, ke tentuar ndonjëherë të vrasësh veten?
Plasi gazi, ndërsa Lasgushi u bë serioz dhe nuk i hiqte sytë nga poeti Latif Berisha, që papritur u ndje ngushtë. Askush nuk dinte t’i përgjigjej kësaj pyetjeje.
   – Epo, – vazhdoi thuajse qortueshëm Lasgushi, po nuk provuar këtë, ta dish se nuk je poet!
   U krijua një situatë e çuditshme, sa serioze aq dhe komike.
Qeshnim, shikonim njëri-tjetrin me sy, po s’dinim ç’të thoshim.
   – Lasgushi, – mori fjalën prapë ai, po kësaj here me një seriozitet sugjestionues, – e ka provuar. Ka zbritur me revolver në bodrum, është ulur atje në cep, ka rënë në mendime, siç bie poeti, ka vënë plumbin në gojën e revoles dhe e ka drejtuar nga koka me gishtin në këmbëz. Është çasti kur Lasgushi dhe vdekja qëndrojnë ballë për ballë. Shihen sy në sy. Poeti i thotë vdekjes: “Ja ku jam. Nuk ta kam frikën”. Të gjitha këto, kur i bën Lasgushi, i bën me të vërtetë. E mbulojnë djersët, zemra i rreh me vërtik dhe, vetëm si kalon këtë kalvar, ngjitet lart. Ngjitet i sigurt, me kokë përpjetë. Domethënë, është poet. Prandaj ju pyeta, a jeni poetë?
   Pyetja mbeti pa përgjigje. Asnjë nuk foli, vetëm buzëqeshën. Buzëqeshi edhe Lasgushi, gjithë triumf e me kokën lart.
   – Jo, jo, – ndërroi bisedën Lasgushi, – më vjen mirë që Kosova ka sot poetë. Një herë e një kohë kish vetëm trima, që mbushnin me zulmë jo vetëm Kosovën, por gjithë Shqipërinë. Hajde, hajde, gjeneral Isa Boletini, trimi me fletë Idriz Seferi… Kur suleshin ata mbi armiqtë, ndizej qielli dhe toka. Po Azem Galica? Nuk gjej fjalë ta tregoj. Ai binte si rrufe atje ku serbit s’ia priste mendja. S’ia priste mendja, sepse Azemi jo vetëm që ishte i mençur sa s’ka, po luftonte dhe në tokë të tij e për tokë të tij, luftonte tok me kaçakët dhe s’i linte naçallnikët e Beogradit t’i merrnin “Arbaninë e vogël”. Hajde, hajde, Azem Galica, kur ia donte puna, një tren të tërë ndalonte. E kam parë vetë me sytë e mi. Ka qenë behari i 1921-shit, kur shkoja për të parën herë në Rumani. Vajta me kalë deri në Ohër dhe pastajzaj me tren mespërmes Kosovës. Atij trenit kokën ia shihja, po bishtin jo, aq i gjatë ishte. Me të udhëtonte Lasgushi, kur papritur ai, fap, ndaloi dhe u dëgjuan të shtëna. Sapo dolëm në penxhere, kur ç’të shihje, nga të dy krahët plisbardhët mizëri, me pushkë në krah. Ishin trimat e Azemit. Erdhën dhe në vagonin tonë. Ca burra si të përrallave, të gjatë e të pashëm, gjallë Gjergj Elez Alia. Isha gati t’u hidhesha në qafë. Kur më pyetën se ç’je e u thashë gjithë mburrje se jam shqiptar, u ndritën sytë e mustaqet. E gjitha kjo zgjati sa një ëndërr. Erdhën e ikën si era. Kapet era? Po për Lasgushin kjo erë mbeti një ëndërr skënderbejane. Këta trima s’donin t’ia dinin se ç’kish vendosur Evropa, donin Kosovën e lirë dhe s’e kishin për gjë vdekjen. Lasgushi shkonte në bankat e Universitetit, me një mësim të madh që ia jepte Azem Galica me kaçakët e tij. Kështu jeni ju, kosovarët, trima përmi trima… Tani shoh që jeni dhe poetë e profesorë, po Azema, jeni ndopak?
  Miqtë sa u ngazëlluan nga këto fjalë, aq dhe u vunë në pozitë të vështirë. Nuk shikonin njëri-tjetrin në sy. Poeti thoshte me zë të lartë gjëra që ata i kishin për zemër, por për kushtet në të cilat gjendeshin s’i shprehnin dot qoftë dhe në një bisedë.
   Poeti u ngrit në këmbë pa marrë përgjigje dhe u zgjati dorën me një përzemërsi që s’ishte e zakontë për të. Asnjëherë s’e kisha parë të bisedonte aq gjatë me njerëz të porsanjohur. Por në këtë rast ishte në mes Kosova.
   Dhe Kosova, vite më vonë, i dha gëzime e ndere, që në Shqipëri ia jepnin me kursim dhe me një protokoll zyrtar. Atje iu botuan për herë të parë veprat e plota, u bënë studime të zgjeruara, vlerësime nga më të lartat, tepër entuziaste. Bile dhe e ftuan. Ai e priti gjithë qejf, bleu dhe një kapele të re republikë dhe ishte gati të nisej, por demonstratat e 81-shit bënë që vizita të anulohej. Megjithatë, Kosova e bëri poetin të përjetonte në pleqëri të thellë lavdinë e klasikut të gjallë përpara se kjo të ndodhte në Shqipëri.

(Pjesë nga libri “Koha e kujtimeve” e autorit Nasho Jorgaqi. OMBRA GVG, Tiranë, 2011.)
Zgjodhi për botim, profesori Agim Vinca. / KultPlus.com

Lasgush Poradeci dhe Nasho Jorgaqi

Jeta e Nolit në plotëninë e saj


(Botohet me rastin e ndarjes nga jeta të autorit, Profesor Nasho Jorgaqit (1931-2022)

Agim Vinca

Një vepër që i ka munguar kulturës shqiptare, e shkruar me dashuri e përkushtim; që hedh
dritë të plotë mbi jetën dhe veprën e njërit nga personalitetet më të mëdha të kulturës dhe të historisë
shqiptare, Fan S. Nolit (1882-1965) – kështu do të mund të cilësohej vepra më e re e profesor Nasho
Jorgaqit (1931), “Jeta e Fan S. Nolit” (botues OMBRA GVG, Tiranë 2005). Në dy vëllime dhe në
mbi një mijë faqe, ky shkrimtar dhe studiues i njohur, njohës i thellë i jetës dhe veprës së Nolit, i
ofron lexuesit jetëshkrimin e plotë – nga lindja deri në vdekje – të shkrimtarit, intelektualit, klerikut,
politikanit, shkencëtarit e diplomatit të madh, Fan S. Nolit, por edhe kënaqësinë e leximit të një
vepre, e cila, ndonëse tejet e vëllimshme, falë paraqitjes sugjestive të lëndës, gjuhës së rrjedhshme
dhe stilit të kultivuar, lexohet me ëndje. Njëzet e pesë vjet autori ka jetuar shpirtërisht e mendërisht
me këtë vepër, e cila i takon llojit të letërsisë dokumentare.
I sprovuar edhe më parë në këtë lloj letrar, autori i kësaj vepre, Nasho Jorgaqi, thekson se
ekzistojnë dy modele kryesore biografish: biografitë e tipit shkencor kritik a la Andre Morua e Emil
Ludvig dhe biografitë e mirëfillta letrare të tipit të Stefan Cvajgut. Të parët i japin përparësi
faktografisë shkencore, kurse të dytët, edhe pse mbështeten mbi fakte, i japin përparësi fantazisë. I
ndodhur përpara kësaj dileme që në fillim të punës së tij, Nasho Jorgaqi ka zgjedhur një rrugë të
ndërmjetme: vepra e tij e gjerë jetëshkrimore mbështetet mbi fakte burimore të jetës së Nolit, të
cilën e ndjek në mënyrë kronologjike, por trajtohet në formë të lirë e inventive, ashtu siç i ka hije një
shkrimtari e jo historiani. Rindërtimi i jetës së Nolit, duke u mbështetur te faktet dhe dokumentet,
por duke qëmtuar edhe hollësi nga përditshmëria jetësore dhe tipare nga karakteri i tij, duket të ketë
qenë parim bazë i punës së autorit. “T’i jepja jetë jetës së Nolit”, si thotë vetë autori, ky ka qenë
synim i studiuesit Nasho Jorgaqi. Mund të konstatojmë me kënaqësi se këtij synimi ky studiues i
rryer i ka dalë në krye me sukses.
Vepra “Jeta e Fan S. Nolit” e Nasho Jorgaqit, siç mund të shihet nga vetë titulli, i takon llojit
të literaturës dokumentare. Ajo është biografia më e plotë e shkruar deri më sot për Nolin dhe jo
vetëm për Nolin, por edhe për cilindo krijues tjetër të letërsisë dhe të kulturës shqiptare. Duke qenë
një vepër me karakter gjithëpërfshirës, vepra në fjalë sjell fakte e të dhëna të shumta, herë-herë edhe
të panjohura më parë për Nolin, por edhe interpretime të reja e origjinale, që figurës së Nolit ia japin
përmasat e saj të vërteta, me vlerat e mëdha e të paçmuara, që realisht ajo i ka, por edhe me
mistifikimet eventuale që e kanë përcjellë në rrjedhë të viteve këtë kolos të letërsisë dhe kulturës
shqiptare.
Falë punës së tij të madhe hulumtuese e krijuese dhe qasjes objektive temës së zgjedhur për
trajtim, autori i kësaj vepre ka arritur të ndriçojë shumë rrethana nga jeta e gjatë e Nolit dhe shumë
aspekte të veprimtarisë së tij të gjerë e komplekse politike, shoqërore, letrare, artistike, diplomatike,
shkencore, kulturore, kishtare etj., të cilat, deri tani, në literaturën noliane, letrare dhe shkencore,
janë trajtuar në mënyrë jo të plotë e të njëanshme, qoftë për shkak të të dhënave jo të plota e të

paverifikuara, qoftë si pasojë e pasioneve a paragjykimeve politike, ideologjike, fetare, krahinore e
të tjera.
Nasho Jorgaqi ka pasur në dispozicion shumë materiale (letra, dokumente, dëshmi, kujtime
etj.); ka bërë shumë vizita e udhëtime (nga Ibrik-Tepeja, Greqia, Egjypti, Vjena, Gjeneva, Berlini,
Nju-Jorku, Uashingtoni e deri në Boston e tutje), duke ndjekur hap pas hapi itinerarin jetësor të
Nolit; ka kontaktuar me shumë njerëz, që nga të afërmit e familjarët e gjer te miqtë e
bashkëpunëtorët e tij të ngushtë; ka konsultuar pothuajse tërë literaturën për Nolin, në gjuhën shqipe
dhe në gjuhë të tjera; është zotuar të ngrihet mbi simpatinë e dashurinë e tij për të dhe mbi bindjet e
preferencat e vetjake politike e ideologjike, pra të jetë objektiv; ka punuar një kohë të gjatë me
përkushtim të veçantë mbi këtë vepër, prandaj ka arritur ta japë në mënyrë të plotë jetën e Nolit dhe
t’u përgjigjet në mënyrë të saktë shumë çështjeve që kanë të bëjnë me veprën dhe figurën e tij, duke
e shikuar atë gjithmonë në kontektin shoqëror, politik, kulturor dhe shpirtëror të kohës dhe “duke u
mbajtur fort pas sensit të historisë dhe të dialektikës njerëzore”.
Në monografinë e N. Jorgaqit ndriçohen për herë të parë në mënyrë të plotë e të
gjithanshme marrëdhëniet e Nolit me Tiranën zyrtare; pozita e tij mes dy zjarreve – mes
emigracionit antikomunist shqiptar dhe diplomacisë intolerante të Shqipërisë, por edhe ruajtja e
“ekuilibrit të admirueshëm” nga ana e tij, duke qëndruar gjithmonë në pozita atdhetare e
demokrate. Dashuria për atdheun e të parëve dhe mbështetja e të gjitha përparimeve të bëra në
Shqipëri, në cilindo sektor të jetës, por edhe respektimi i ligjeve të atdheut të tij të dytë, SHBA-
ve dhe rregullave të jetës amerikane, si edhe respekti e dashuria për mërgatën shqiptare të
Amerikës dhe organizatën e saj emblematike, “Vatrën”, pa harruar të mirat që ata kishin bërë për
të, do ta stolisin personalitetin e Nolit deri në vdekje.
Në këtë vepër gjen përgjigje edhe një pyetje, që i ka intriguar në vazhdimësi lexuesit e
veprës së Nolit dhe adhuruesit e figurës së tij, shqiptarët në përgjithësi, kudo që janë: përse Noli
nuk e vizitoi asnjëherë Shqipërinë në të gjallë të tij, edhe pse jetoi, siç dihet, deri në vitin 1965?
Nga vepra e Nasho Jorgaqit, e cila mbështetet mbi dokumente e dëshmi autentike, del se
Noli iu shmang ofertave të lidershipit të Shqipërisë për ta vizituar atë në vitet ’40-’50 për të mos
rënë në sy të keq te autoritetet amerikane, sidomos në kohën e makartizmit, por edhe më herët e
më vonë, aq më shumë që ai akuzohej vazhdimisht nga kundërshtarët e tij të shumtë si “i kuq” e
“bolshevik”, kurse në në vitin 1962, me rastin e 50-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, kur qenë
krijuar kushtet për këtë vizitë, kur Noli, sado në moshë, ishte i gatshëm të merrte rrugën për në
mëmëdhe dhe kur me këtë udhëtim kishin rënë dakord edhe autoritetet amerikane, qeveria
shqiptare refuzoi t’i ofronte atij mikpritje, me pretekstin se nuk ishte distancuar nga qarqet
ekstreme (antikomuniste) të mërgatës shqiptare të Amerikës, që mbanin qëndrim të hapur kritik
ndaj regjimit të Tiranës. N. Jorgaqi citon telegramin e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë të dt.
28 korrik 1962 drejtuar Misionit Shqiptar në Nju-Jork (OKB), në të cilin thuhet tekstualisht:
“Mos tregoni asnjë interesim për ardhjen e Fan Nolit dhe mos e inkurajoni atë”. Pra porosia nga
Tirana ishte e qartë. Nolit i refuzohej mikpritja! Ky ishte shansi i fundit që Marathonomaku i
madh, njeriu që kishte bërë aq shumë për këtë vend; që e kishte shpëtuar atë dy herë nga
copëtimi (herën e parë, pas Luftës së Parë Botërore, më 1918, kurse herën e dytë gjatë dhe pas

Luftës së Dytë Botërore) dhe që ia kishte ngritur namin lart e më lart, të vizitonte atdheun, të
cilin nuk e kishte parë plot 38 vjet, nga dhjetori i vitit 1924, kur kishte qenë i detyruar ta braktiste
atë.
Tre vjet më vonë, më 13 mars 1965, ai do të mbyllte sytë përgjithmonë me këtë peng, pra
pa e parë edhe një herë Shqipërinë të cilën e deshi aq shumë dhe për të cilën punoi pa u lodhur
gjatë tërë jetës.
Harku kohor i jetës së Nolit është tejet i gjatë dhe i gjerë, si në kohë, ashtu edhe në
hapësirë. Noli jetoi, siç dihet, 83 vjet, prej të cilave 18 vjet i kaloi në Trakë, kryesisht në
vendlindjen e tij, Ibrik-Tepe ose Qytezë; 6 në Greqi dhe Egjypt, 2-3 nëpër Evropë, 50 në SHBA
dhe vetëm 4-5 në Shqipëri. Gjatë jetës së tij ai pati të bënte me shumë njerëz, politikanë,
diplomatë, shkrimtarë, intelektualë, klerikë, njerëz të thjeshtë, shqiptarë e të huaj. Për jetën dhe
veprën e tij kanë shkruar shumë pena të njohura të shkencës, letërsisë dhe historiografisë
shqiptare. Pati korrespondencë me shumë personalitete të shquara të kohës së tij. Njohu e takoi
në jetë shumë njerëz, në mesin e të cilëve edhe burrështetas e intelektualë nga më të mëdhenjtë.
Vetë u mor me shumë personalitete e krijues të mëdhenj si Krishti, Muhameti, Skënderbeu,
Napoleoni, Shekspiri, Servantesi, Khajami, Poja, Ibseni, Tolstoji, Stendali, Bethoveni etj.
Përktheu vepra të tyre ose shkroi artikuj, introdukta e monografi mbi ta. Për të gjitha këto flitet
gjerë e gjatë dhe me shumë kompetencë në librin “Jeta e Fan S. Nolit”.
Ajo që i mungon këtij libri është një tregues emrash të vendeve e personave të shumtë që
përmenden në të, i cili do t’i ndihmonte lexuesit që të orientohej më mirë në materialin e gjerë të
veprës dhe në morinë e fakteve që sjell ajo, si edhe një bibliografi e plotë e shkrimeve për Nolin,
një bibliografi e shteruese e jo selektive, siç është dhënë në këtë rast. Mendimi ynë është se
treguesi i emrave dhe bibliografia e shkrimeve në një libër siç është ky kanë qenë më të
nevojshme se albumi i fotografive, me të cilat është i pajisur libri (të dy vëllimet), të cilat, sado
me interes që janë, tashmë janë publikuar nga autori në një libër të veçantë (në librin “Fan S.
Noli: antologji fotografike”, Tiranë 2002).
Duke u nisur nga përvoja e Nolit si biograf i Skënderbeut dhe Bethovenit, Jorgaqi ka bërë
përpjekje të çlirohet nga mitizimi, që i kanoset çdo biografi, veçanërisht kur shkruan për njerëz që i
do dhe i çmon shumë, çfarë është për të dhe për të gjithë ne Noli i madh dhe ka bërë përpjekje që ta
paraqesë figurën e Nolit me dritat dhe hijet e saj, aq më shumë që disa nga miqtë dhe
bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, që e kanë njohur atë për së afërmi, pohojnë se si individ Noli “nuk
ishte imun ndaj dobësive njerëzore” (Qerim Panariti) dhe se shpesh ai ishte “një kombinim
paradoksesh” (At Artur Liolini). Çlirimi nga “kuçedra me shtatë krerë”, si i quante Noli mitet, është
sfidë e çdo biografi, që nga Plutarku e këndej. Falë përvojës së tij të gjatë si krijues dhe në mënyrë
të veçantë si hartues biografish, Nasho Jorgaqi ka arritur t’i shmanget me sukses kësaj sfide dhe ta
japë figurën e Nolit në mënyrë të plotë e objektive, gjithnjë në kontekst të kohës dhe rrethanave
historike.
Noli ynë, ky demiurg i fjalës shqipe, kampion i lirisë e pavarësisë kombëtare dhe pionier i
qytetërimit dhe demokracisë së vërtetë, në penën e biografit të tij të pasionuar, Nasho Jorgaqit, është
njeri i gjallë e jo figurë skematike. / KultPlus.com

Charles Bukowski, një udhërrëfyes për jetën dhe krijimtarinë

Charles Bukowski ka lindur në Andrenach në Gjermani me 16 gusht të vitit 1920. Pas dy vjetësh nga lindja e tij e gjithë familja emigron në Amerikë. Ata vendosen në Los Anxhelos, ku Bukowski qëndroi gjithë jetën.

Emri i tij i plotë është Henry Charles Bukowski Jr., por atë thjesht e thërrisnin Henk.

Është autori i 34 vëllimeve poetike dhe i tre romaneve dhe një skenar filmi. Henk njihet si një ndër themeluesit e rrymës Underground.

Charles Bukowski ishte letrar, poet, novelist dhe shkrimtar amerikan me rrënjë gjermane, përfaqësues i valës tjetër të gjeneratës beat, stili i tij i të shkruarit është në ndikim të plotë të ambientit social, kulturor dhe ekonomik të qytetit të tij Los Angeles.

Në veprat e tij e përshkruante jetën e njeriut të varfër, alkoolit, relatat me femrat, dhe të gjitha mungesat dhe vështirësitë e punëve të këtilla.

Bukowski shkruajti me mijëra këngë, qindra tregime të shkurtra dhe gjashtë romane, të gjitha deri në gjashtëdhjetë libra. Në veprat e tij e përvetësonte veten si Henry Chinaski.

Sa i përket Bukowskit në jetën personale, në rini ishte i turpshëm dhe i tërhequr, e cila ishte si rezultat i abuzimit nga ana e moshatarëve të tij dhe babait të tij që e rrihte.

Në vitet e hershme të adoleshencës për herë të parë ra në kontakt me alkoolin i cili më vone do ta përcaktoj si person dhe shkrimtar gjatë tërë jetës së tij.

Bukowski vdiq nga Leukemia më 9 mars të vitit 1994 në San Pedro.

Çka do që lexon nga Bukowski, thjeshtë të mbetet në mendje. Po ju sjellim edhe disa shprehje të tij dhe fakte nga jeta.

“Unë bëhem i rrezikshëm nëse harrohem pas makinës së shkrimit”,- ka thënë Bukowski, autor i mbi 40 librave, përfshirë “Femrat” dhe “Zyra postare”. Bukowski përdori prozën dhe poezinë për të përshkuar jetën e korruptuar urbane në Amerikë.

Në një libër të ri mbi autorin janë përfshirë edhe disa letra të papublikuara më parë, të cilat hedhin më shumë dritë mbi Bukowskin.

E pranonte që ishte i alkoolizuar

“Për 7 a 8 vjet kam shkruar shumë pak. Isha i dehur gjatë gjithë kohës. Përfundova një herë në spital me vrima në bark, ndërsa stokaku gati sa s’më dilte nga goja dhe nga b…”.

Po DH Lawrence, jo Faulkner

“DH Lawrence ishte solid, por Henry Miller ishte më modern, edhe pse më pak artistik. Pas Faulkner, publiku sikur e gëlltiti. Shumë nga krijimet e Faulkner janë plehra, por “plehra të zgjuara”.

Poezia është për të rinjtë

“Shumica e poetëve janë të rinj sepse nuk ia kanë dalë në letërsi. Më trego një poet të vjetër dhe do të të tregoj ose një të çmendur ose një mjeshtër. Kur fillon të gënjesh veten për arsyen e vetme që të shkruash një poemë është e sigurt që do të dështosh. Për këtë arsye nuk i ripunoj poezitë e mia”.

Disa shkrimtarë nuk janë të mirë

“Kur punoja për një revistë mësova se shumë shkrimtarë në të vërtetë nuk dinë të shkruajnë; ata vazhdojnë të shkruajnë prozë mbi klishe ose poezi për pranverën apo për dashurinë”

Për të mos folur pastaj për kritikët …

“Kritikët: ata nuhasin jetë dhe nuk e durojnë dot”.

… Ose personazhet e tij

“Personazhet e mia rrallë evoluojnë. Janë shumë të dëmtuar për ta bërë këtë”.

Nuk kishte keqardhje

“Nuk jam nga ata që kthej kokën pas me dëshpërim dhe keqardhje. Ka muzikë në çdo gjë, edhe në dështim”.

Nuk e donte famën

“Fama është si lojë për njerëzit e tjerë. Jemi me fat nëse nuk na njohin në rrugë. Të bëhesh i famshëm në të 20-tat është e vështirë për t’u përballuar dhe kapërcyer.

Harroji shqetësimet

“E mira dhe e keqja; e drejta dhe e gabuara vazhdojnë të ndryshojnë vendet”.

Thjesht pi një gotë dhe vë baste

“Nuk shkoj te psikologu t’i tregoj për ëndrrat e këqija. Të mërkurën mbrëma do të shkoj të shikoj garat me kuaj, do kthej një birrë të lirë dhe do vë bast mbi kalin numër 6”. / KultPlus.com

Gëzim Gashi me rrëfim inspirues në DiasporaTalks: Nëse dyert ku ju trokitni nuk hapen, krijoni një derë tuajën

I lindur më 29 qershor të vitit 1990, vetëm pak ditë para se Kosova të deklaroi pavarësinë nga parlamenti i Serbisë, Gëzim Gashin qysh në ditët e para të jetës e përcolli një dramë jetësore.

Ky vendim i Kosovës shkaktoi gjenocid, ku më pas ushtarët serbë shkuan në spital ku Gëzimi i posalindur ishte ende me nënën e tij, e kjo e fundit nga frika thirri bashkëshortin dhe vëllain e saj për ta marrë dhe e larguan nga dritarja. Është pikërisht kjo histori që Gëzimin e ka inspiruar gjatë gjithë jetës e sot ai vazhdon të inspiroj njerëz nga e gjithë bota, shkruan KultPlus.

I rritur në Suedi, Gëzim Gashi u bë i pari shqiptar që hapi një institut të shkollës së mesme në Shtetet e Bashkuara (OCS Institute of Arts and Innovation) dhe përmes kompanisë së tij të suksesshme të marketingut ka punuar me kompani legjendare si Walt Disney Company dhe Quincy Jones Productions ku ai shërben si Këshilltar menaxhimi.

Gezim Gashi, një sipërmarrës i drejtuar nga qëllimi, mentor, folës, menaxher i marketingut, autor bestseller dhe partner në Institutin OCS për Artet dhe Inovacionin në Los Angeles, Kaliforni, së fundi ka sjell librin e tij debutues “Unlocked: The Power of You”, ku e ka kanalizuar historinë e tij personale të suksesit në një libër vetë-ndihmë.

Ai ishte folës edhe në Universitetin e Harvardit, por kthimi në vendlindje për të mbetet një ndër qëllimet kryesore.

Së fundmi, Gashi u bë pjesë e #DiasporaTalks organizuar nga ICK Kosova. Në këtë prezantim, të pranishmit panë një djalë shumëdimensional, por i veshur me një modesti të paparë.

Historinë e tij frymëzuese, Gëzimi e ndau me të pranishmit në këtë event, të cilët u ndanë të ngazëllyer me gjithë fjalët inspiruese që ai i përcolli.

Nga jeta prej refugjati e deri të libri i tij debutues në Amerikë, Gashi ka ndarë sekuenca nga jeta dhe karriera duke dhënë shembull se jeta mbi të gjitha është një dramë e bukur që duhet jetuar në të gjitha mundësitë dhe shfrytëzuar përtej asaj që e mendojmë.

Rruga drejt botimit të librit

Kisha një moment që më ndryshoi jetën. Duke qenë shqiptar nga Kosova, i rritur në Suedi ku të gjithë kishin flokë bionde, sy blu, padyshim që ndonjëherë ndjehesha jo rehat sepse nuk isha si gjithë të tjerët. Por, më kujtohet kur isha 10 vjeç që i thashë mamasë sime që po mendoja të shkoj në Amerikë, mamaja ime më uli dhe më tregoi gjithë historinë time se si i shpëtova gjenocidit serb. Dhe kjo histori dukej vërtet si një film. Ajo më bëri të kuptoj se kam një qëllim dhe kjo ishte edhe pika ku më erdhi ideja për librin. Unë besoj se kam një qëllim dhe se ka një arsye që jam këtu. Kur mamaja ma tregoi atë histori, më bëri vërtet të patrembur. Që atëherë, kam qenë gjithmonë i pasionuar për të bërë shumë gjëra. Unë nuk vij nga asnjë pasuri, nga asnjë lidhje me njerëz apo asgjë, kështu që më duhej të gjeja diçka në të cilën besoj dhe t’ia tregoja botës.

Pasi ideja e librit u pëlqye dhe unë sigurova një marrëveshje botimi, libri arriti të botohet më 29 nëntor dhe më pas debutuam numër një në Amerikë. Pas kësaj, thjesht po shkon lart e më lart.

Libri flet më shumë për zhvillimin individual dhe gjërat që kam kaluar. Librin vendosa ta nxjerrë përmes “Amazon” sepse 50 për qind e librave në Amerikë po shiten atje, dhe më pas ne bëmë shumë marketing përmes mediave sociale.

Jeta në Suedi

Në shkollën ku kam shkuar, mbaj mend që një ditë, njëra nga mësueset na vendosi një e nga një të gjithëve para klasës, ku duhej të tregonim se çfarë duam të bëjmë kur të rritemi. Kur erdhi radha ime unë thash që dua të shkoj në Amerikë dhe fola për të gjitha gjërat që dua të bëj. Të gjithë heshtën dhe më shikuan çuditshëm, ata nisën të flasin me njëri-tjetrin sikur unë të isha i çmendur. Ishte një energji e keqe në klasë. Atëherë mësuesja ime e muzikës më nxori nga klasa dhe më tha ta takoja më vonë. Ajo padyshim e pa se si më trajtuan mua, kjo ndodhë edhe për faktin se vjen nga një vend tjetër, kështu që më takoi pas mësimit dhe erdhi me një portofol me revista, me CD dhe gjithçka tjetër dhe pastaj më uli dhe më tregoi për një tjetër emigrant, Rami Yacoub i cili kisha arritur shumë gjëra dhe tani sapo ka bërë një album për Beyoncen. Kështu që mora Ramin si shembull. Pastaj i kam shkruar në ‘MySpace’ dhe i tregova historinë time dhe ai më pyeti se çfarë mund të bëj për ty, kështu që ne qëndruam në kontakt dhe tani pas shumë kohësh ai fluturoi nga Amerika për të qenë me mua në Kosovë për katër ditë dhe ai sapo u largua dje, kjo ishte çmenduri për mua dhe mbaj mend se si e kaloja çdo verë në Kosovë dhe gjithmonë mendoja se çfarë kishte arritur.

E pyeta se çfarë të shtyu të besosh tek unë dhe ai më tha: Historia jote dhe mënyra se si u afrove e fole me mua, më bëri të besoja se ka diçka këtu.

Tani, unë besoj se gjëra të mëdha mund të bëhen përmes mediave sociale. Dhe unë besoj se gjëra të mëdha ndodhin kur frymëzoni njëri-tjetrin. Unë kurrë nuk kam zgjedhur rrugën drejt mundësive, por kam zgjedhur gjithmonë njerëz që besojnë në të njëjtin mision si unë.

Përfundimi në industrinë e argëtimit

Ky libër ka të bëjë më shumë me një zhvillim personal dhe të kuptuarit se ne kemi një mision, kemi një qëllim, por edhe të kontrollojmë narrativen tonë. Për shembull, në këtë libër unë tregoj se nëna ime më dha rrëfimin tim. Kaloj shumë kohë me nxënësit e mi dhe ata më thonë që prindërit e tyre u thonë “Mos e bëni këtë”, “Ne nuk besojmë në ty”, dhe unë e di sa i bekuar jam, por nga ana tjetër kjo është pse në këtë libër unë vërtet u përpoqa të punoja shumë për të gjetur mënyra se si dikush mund të fillojë të bëjë pyetje sepse në këtë libër ka shumë përgjigje. Është një libër “self-help”.

Rëndësia e ndërtimit të marrëdhënieve të shëndetshme

Është shumë e rëndësishme të ndërtoni një marrëdhënie të shëndetshme e cila mund të kthehet në diçka që mund të zhvillohet në biznes. Unë gjithmonë përpiqem të përqendrohem në takime autentike, ashtu si me ju këtu. Por nuk mund të duket si oportuniste, dhe më kujtohet Quincy Jones kur më tha “Mos harroni se gjëja më e rëndësishme në këtë industri është të jesh etik, sepse kjo është ajo që të bën vërtet të paharrueshëm.” Ai ka qenë aktiv në industrinë e muzikës për më shumë se tridhjetë vjet dhe nëse do të kishte pasur gjëra joetike, nuk mendoj se mund të qëndronte aq gjatë në këtë industri. Pra, gjithçka ka të bëjë me të qenit autentik, por edhe të dish të bësh gjënë e duhur.

Ndryshimet/ Dallimet mes Suedisë dhe Amerikës

Mendoj se ndihem shumë mirë në Amerikë, sepse kultura e tyre është shumë e ngjashme me ne. Kur vendosim diçka, është si të flasim me murin dhe ata janë gjithashtu të tillë. Kjo është arsyeja pse unë jam shumë mirë në Amerikë. Por të gjithë miqtë e mi suedezë që u shpërngulën në Amerikë, e kanë të vështirë sepse në Suedi ekziston një energji që nuk është e sinqertë. Ne jemi mësuar të jemi të mirë me të gjithë, por industria nuk funksionon kështu. Nuk mund të jesh besnik ndaj të gjithëve, duhet të zgjedhësh besnikërinë tënde dhe vetëm ti mund të vendosësh vetë, ndaj mendoj se për mua ishte vërtet një luftë në Suedi sepse ata thoshin një gjë, dhe unë e dëgjoja ndryshe në një vend tjetër.

Kontrollimi i rrëfimit tonë

Pra, ne e kemi këtë punëtori që e bëj me studentët e mi dhe është gjithashtu mbi librin. Unë po shoh një brez që është shumë i dëshpëruar dhe ata ndihen jo mjaftueshëm mirë, ndihen sikur duhet të bëjnë disa gjëra për të marrë pëlqime dhe shumë prej tyre mendojnë se duhet të bëjnë diçka për t’u pranuar në shoqëri. Kur ne u rritëm, shoqëria jonë nuk ishte në mediat sociale, por kjo është ajo që ata mendojnë që të mund të përshtaten në mediat sociale.

Për shembull, nëse hyjmë në një debat dhe ndihem sikur jam pothuajse i keq me ju, duhet t’ju them se nuk jam një person i poshtër, por ndjenjat e mia janë lënduar sepse më keni bërë diçka që nuk është e drejtë. Gjëja më e rëndësishme është se ky është identiteti im dhe unë kam zgjedhur identitetin tim. Kam zgjedhur të jem optimist, pasionant dhe besnik dhe të kem një karakter që i sjell dobi brezit të ri.

Ju duhet ta shihni jetën si një qiell blu me diell, dhe kur vijnë stuhitë dhe retë, ato janë vetëm të përkohshme.

Kur ndihem i shqetësuar mbyll sytë dhe mendoj qiellin blu me diell dhe më pas shoh retë, por gjëja më e bukur është kur shoh retë që po largohen. Kjo është një imagjinatë që bëj për veten time, por po më ndihmon shumë.

Disney Channel

Unë isha 24 vjeç dhe fillova të punoja në një shkollë muzikore në një qytet të vogël në Suedi, ku u bëra shef i marketingut dhe më pas sapo shihja studentët, shihja rastet e tyre dhe si ëndërrimtar, përpiqesha të mendoja gjithmonë sa më lartë që mundesha, ndaj u përpoqa të mendoj për një bashkëpunim të dobishëm dhe pyeta veten se ku duhet të aplikoj. E dija që nxënësit e shkollës së mesme shikonin Disney Channel dhe ata gjithmonë donin të ishin veçmas aty, kështu që kisha një ide për të gjetur gjashtë studentë dhe të bënim një shfaqje. Pastaj, kontaktova dikë dhe i tregova idenë dhe ata u interesuan dhe thanë nëse do të mund të shkonim në Londër. Ne shkuam atje dhe takuam disa njerëz dhe u desh të qëndronim para tyre për të luajtur në fushë dhe njerëzit e Mbretërisë së Bashkuar me të vërtetë nuk dhanë asnjë shprehje fytyre, kështu që unë vërtet nuk e dija se çfarë po ndodhte.

Pas një jave na thanë se duhet ta fillojmë këtë dhe na dhanë udhëzime me një aparat fotografik. Krejt papritur në natën e Vitit të Ri, ata thanë se do të fillonim xhirimet në janar. Dhe unë u befasova vërtet. Ne xhiruam një episod “pilot” në janar dhe më pas në maj e publikuan në Disney Channel dhe me të vërtetë eci shumë mirë e suksesshëm.

Kjo ishte para se të shkoja në Amerikë.

Gjithmonë e kam ditur se do të shkoj në Amerikë dhe e kam ditur që puna është ajo që do të mund ta bëjë këtë. Kështu, kur lashë punën time në Suedi në vitin 2017, unë thjesht ndoqa intuitën time.

Këshilla më e mirë

Unë mendoj se këshilla më e mirë që dikush më ka dhënë është të mos ndryshosh veten për të arritur diçka të suksesshme.

Mendoj se ajo që më mban të motivuar është se thjesht e di qëllimin tim dhe e di që dua të bëj diçka të madhe në jetë dhe këtë e ndjej çdo ditë.

“Libri im ka të bëjë me gjetjen e qëllimit”

Unë ndaj disa gjëra dhe gjithashtu ndaj disa nga historitë e miqve të mi në libër kështu që vërtet u përpoqa të bëja një libër edukativ që nuk është shumë larg të qenit thjesht opinione.

Unë gjithashtu e di se sa e rëndësishme është të përpiqesh të tregosh histori reale dhe autentike.

Mediat sociale

Përmes mediave sociale lidhem me njerëzit dhe gjithmonë përpiqem të dërgoj ‘email’ dhe të flas me njerëzit. Kjo është mënyra se si u futa në lajmet e NBC dhe thjesht vazhdoj edhe nëpër tjera mediume dhe nuk ndaloj asnjëherë.

Edhe nëse marr një “jo”, tani unë jam ai që kam ndërtuar një rrëfim për mua se meritoj një “po” kështu që edhe nëse nuk beson dikush, ndihem sikur është përgjegjësia ime që t’ju bëj të besojnë në mua.

Nuk mund të kesh ego sepse po e bën për një mision dhe është një mision më i madh se vetvetja.

I famshëm apo jo i famshëm

Nuk ndihem i famshëm dhe them se shpresoj të jem një njeri ndikues sepse janë dy gjëra të ndryshme. Ju jeni ose i famshëm ose njeri me ndikim. Unë dua të jem shembull dhe është e vërtetë që kënaqem sa herë që përmendet emri im.

Por, unë definitivisht nuk ndihem i famshëm.

Krejt në fund të kësaj bisede inspiruese për të pranishmit, Gashi dha edhe një mesazh të fuqishëm. Duke u nisur nga përvoja personale ai u shpreh se nëse dyert ku ju trokitni nuk hapen, atëherë krijo derën tënde. Mos u dorëzo asnjëherë. Lufto për ëndrrat dhe puno shumë në atë drejtim. / KultPlus.com

Video e plotë:

Nesër promovohet libri “Hije të Shtrembëruara: Libër kujtimi me rrëfimet e ish të burgosurve politikë në burgun e Goli Otokut”


Libri “Hije të Shtrembëruara: Libër kujtimi me rrëfimet e ish të burgosurve politikë në burgun e Goli Otokut” që të promovohet nesër në Muzeun e Burgut të Prishtinës në Prishtinë, më 13 korrik (e mërkurë), nga ora 19:30.

“Hije të Shtrembëruara” është një libër kujtimi me rrëfime të ish të burgosurve politikë në burgun e Goli Otokut, dy prej të cilave janë të treguara nga familjarë e të afërm të tyre.

Historitë e paraqitura në këtë libër janë rrëfime të vuajtjeve e torturave por edhe të rezistencës e solidaritetit midis aktivistëve politikë nga Kosova që kaluan netë e ditë në dhomat e izolimit të kampit të Goli Otokut, por edhe në vendpunishte si gurëthyes, pllaka-punues, zdrukthëtarë, rrobaqepës, ekonomistë e mësues.

Ky aktivitet do të hapet me fjalë rasti nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku për t’u pasuar pastaj me debatin “E kaluara para së kaluarës” me panelistë Shkëlzen Gashi, Mrika Limani Myrtaj dhe Aurela Kadriu, me moderator Eraldin Fazliu. / KultPlus.com 

Pesë libra të rinj në shqip nga letërsia bashkëkohore evropiane

1. “Kometa në luginën Mumin” e autorit Tove Jansson, përkthyer nga Virgjil Muçi

Të gjithë banorët e luginës së Muminëve janë të emocionuar ngaqë kanë marrë vesh se pranë tyre do të kalojë një kometë. Por ata alarmohen shumë kur mësojnë se ka mundësi që kometa të bjerë e të shkatërrojë gjithçka në luginën e tyre. Atëherë Mumintrolli së bashku me mikun e tij Snifin, vendosin të ngjiten te Observatori, që ndodhet tek Malet e Vetmuara, për të biseduar e marrë vesh më shumë nga profesorët që gjenden atje. Gjatë rrugës ata kalojnë aventura të shumta, të mrekullueshme, me shpella të fshehta, shtëpi të ngritura majë pemëve, e kështu me radhë. Por në fund gjithçka zgjidhet më së miri dhe dielli vazhdon të ndriçojë luginën e tyre njëlloj si më parë.

Tove Jansson, shkrimtare finlandeze, që shkruan në suedisht, duke qenë pjesë e pakicës suedeze që jeton në Finlandë. Në Finlandë ajo konsiderohet ‘monument kombëtar’. Fituese e çmimeve më të mëdha kushtuar letërsisë për fëmijë, Tove Jansson njihet në mbarë botën për librat e saj, sidomos për serinë e Muminëve, e cila konsiderohet sot pjesë e fondit të artë të letërsisë më të mirë botërore për fëmijë. Botimet IDK ka në plan botimin e gjithë serisë së Muminëve.

“Tove Jansson është padyshim një nga shkrimtaret më të mëdhaja të letërsisë për fëmijë të të gjitha kohërave. Ajo ka aftësinë e rrallë të shkruajë libra që iu pëlqejnë fëmijëve, por që ke qejf t’i lexosh me ëndje të madhe dhe kur i ke kaluar të gjashtëdhjetat, si unë.”   – Sir Terry Pratchett.

2. “Fundi i të gjitha ditëve” i autorit Jenny Erpenbeck, përkthyer nga Irena Nasi

Fitues i Çmimit “Independent Foreign Fiction” dhe “Hans Fallada”, romani “Fundi i të gjitha ditëve”, i shkrimtares së mirënjohur gjermane Jenny Erpenbeck, përbëhet në thelb nga pesë “libra”, ku secili çon në një vdekje të ndryshme të së njëjtës protagoniste femër të paidentifikuar. Por si mund të kishte shkuar gjithçka ndryshe? – pyet rrëfimtari. Kapitulli i parë fillon me vdekjen e një foshnjeje në Perandorinë Habsburge të fillimit të shekullit të njëzet. Në kapitullin tjetër, e njëjta vajzë rritet në Vjenë pas Luftës së Parë Botërore, por një pakt që ajo bën me një djalë të ri çon në një vdekje të dytë. Në skenarin tjetër, ajo i mbijeton adoleshencës dhe shkon në Rusi me burrin e saj. Të dy janë komunistë të përkushtuar, megjithatë heroina jonë përfundon në një kamp pune. Por fati i saj nuk mbaron me kaq…

“Fundi i të gjitha ditëve” ofron një pasqyrë unike të shekullit të njëzet.

“I mrekullueshëm, elegant dhe emocionues… i egër po aq sa edhe virtuoz.” -Deborah Eisenberg, The New York Review of Books

3. “Jelgava 94” i autorit Jānis Joņevs, përkthyer nga Diana Çuli

Protagonist i romanit është katërmbëdhjetëvjeçari Jānis, një djalë nga Jelgava me rezultate mjaft të mira në shkollë, i cili mundohet të jetojë pa u vënë re. Megjithatë, duke rënë në dashuri me shoqen e tij të klasës Kristine dhe duke bërë aksidentalisht miq të rinj me nofkën Vdekja dhe Zombie, ai befas i kthehet stilit alternativ të jetesës. Fillon të kujdeset për veten, të luajë në një grup muzikor, të dëgjojë muzikë metal, të veshë rrobat e duhura.

Historia e librit është vendosur në sfondin e ngjarjeve të vitit 1994, me momente kyçe si vdekja e Kurt Cobain, liderit të grupit “Nirvana”, vdekje e cila ndikoi në jetën e të rinjve të Jelgavës, të fillojnë të dëgjojnë muzikë heavy metal, lulëzimi i tregut ilegal të disqeve muzikore dhe rifitimi së fundmi i pavarësinë së Letonisë nga Bashkimi Sovjetik çka solli trazira ekonomike dhe sociale. Libri flet për adoleshentët e viteve ‘90. Në kërkimin e tyre për veten dhe të ndryshmen, ata i drejtohen të ashtuquajturës kulturë alternative. Libri ka të bëjë me rininë e asaj periudhe kur secili përpiqet t’i rezistojë botës, të mos jetë si gjithë të tjerët. Po a funksionon kjo vallë?

Jānis Joņevs (lindur më 1980 në Jelgava) është një shkrimtar letonez. Pas studimeve në gjimnazin lokal të Jelgavës, ai shkoi në Riga ku mori një diplomë master nga Akademia Letoneze e Kulturës. Romani “Jelgava ‘94” është libri i parë i autorit, roman i cili ka marrë disa çmime, më i rëndësishmi është Çmimi i Bashkimit Evropian për Letërsinë në vitin 2014. I vlerësuar nga kritika si “një biografi e zgjuar dhe e gjallë e brezit të autorit”, pas publikimit të tij, libri shpejt fitoi popullaritet në Letoni.

4. “Biseda mes miqsh”, i autores Sally Rooney, përkthyer nga Ines Ekonomi

Dublin në ditët tona. Fransis and Bobi, dikur të dashura, tashmë janë thjesht shoqe të ngushta, studente që aspirojnë të bëhen shkrimtare, të bëra të njohura për shfaqjet, në të cilat lexojnë poezitë e tyre. Në një prej këtyre shfaqjeve ato njihen me Melisën, një fotografe profesioniste më e madhe në moshë, e martuar me Nikun, një aktor. Në takimet mes tyre ato diskutojnë për botën, për jetën e tyre, kritikojnë kapitalizmin e fenë, njëlloj siç bënin dikur personazhet e Xhojsit. E kështu nis një histori miqësie, por në të njëjtën kohë, dhe një histori dashurie, që në një farë mënyre ua përshtjellon jetën të katërve, kur Fransis bie marrëzisht në dashuri me Nikun, duke rrezikuar befas të gjithë ekuilibrin e miqësisë së tyre. Por romani “Biseda mes miqsh” nuk është thjesht një histori e lehtë dashurie e tradhtie bashkëshortore: ai është para së gjithash portreti i një brezi të tërë të të rinjve në ditët tona, që nuk arrin të gjejë vendin në botën e sotme. Zëri i Fransisit, njëherësh poetik, spontan, herë-herë naiv, por gjithnjë aq i freskët, në të vërtetë është zëri i gjithë një brezi.

Sally Rooney është një autore irlandeze, e cila sot konsiderohet nga kritika si “Salingeri i ditëve tona”, “romancierja më e madhe e viteve 2000”. E lindur në vitin 1991, ajo është autore e tre romaneve, të cilët kanë patur një sukses të jashtëzakonshëm në mbarë botën, si nga kritika ashtu dhe nga lexuesit. Romani i saj “Njerëz normalë” u kthye në film prej BBC, me 12 seri, fitues i çmimit Emmy në 2020. Po ashtu romani “Biseda mes miqsh” është duke u bërë film po nga BBC, po me 12 seri, që do të dalë gjatë vitit 2022.

5. “Peshqit nuk kanë këmbë” i autorit Jón Kalman Stefánsson, përkthyer nga Agim Doksani

Jón Kalman Stefánsson, lindur më 17 dhjetor, 1963 është një shkrimtar islande. Romani i tij “Peshqit nuk kanë këmbë”në vitin 2017 u nominua për Man Booker International Prize. Ai ka qenë gjithashtu, katër herë i nominuar për Çmimin Letrar të Këshillit Nordik.

“Peshqit nuk kanë këmbë” është në të njëjtën kohë historia e një familjeje të vetme si dhe një ep i historisë dhe kulturës islandeze. Ajo paraqet një panoramë të veçantë të Islandës moderne dhe të mënyrës se si ajo është formësuar nga ndikimet e jashtme. Keflaviku është një qytet që njihet si më i errëti i Islandës, jetesa e të cilit varet tërësisht nga një bazë ushtarake e ShBA-së, analogji me idikimin e Amerikës në kulturën dhe etikën islandike nga vitet ’50, deri në mijëvjeçarin e ri. Aty Ari, shkrimtar dhe botues, i larguar qysh para dy vitesh bashkë me familjen, kthehet nga Kopenhageni pasi i ati po i vdiste. Papritur, gjendet i rrethuar nga kujtimet e rinisë së kaluar duke dëgjuar Pink Floyd dhe Beatles. Mes gjithë tyre, është një vajzë që s’mund ta harronte, fati i saj e shoqëroi përgjithnjë. I humbur në dhimbje e nostalgji, ai kapet gjithashtu edhe nga historia se si gjyshërit i ishin dashuruar në Nordfjordur. Dashuria e tyre tragjike zbërthehet përballë sfondit të natyrës së dhunshme dhe tipareve të pafalshme islandeze./ ExLibris / KultPlus.com

‘Kur vdiq baba’: Libri i Arbër Selmanit do të promovohet në Tiranë

Me 27 qershor, të hënën, prej orës 19:00, në hapësirën e BERK në Tiranë do të promovohet libri më i ri nga Arbër Selmani, titulluar ’48 piano’.

Në ngjarje do të ketë bashkëbisedim mes autorit dhe përkthyeses Aida Baro.

Arbër Selmani është poet e gazetar nga Prishtina. Libri ‘48 piano’ përmban poezi dhe prozë poetike të cilat autori i ka shkruar në një periudhë 12 vjeçare. Ky është libri i katërt i autorit. Arbër Selmani është fitues i çmimit të parë për poezi në festivalin ‘Tirana Gate 2021’, ndërsa është përkthyer në gjuhën angleze, serbokroate, turke, sllovene, frënge, gjermane dhe italiane.

Në mesin e shkrimeve në libër është edhe poezia ‘Kur vdiq baba’, një himn i dashurisë dhe vuajtjes, por edhe shkrime tjera si ‘Zoti shëron’, ‘M’i sillni 48 piano’, ‘E kam vendosur burrin në shitje’, ‘Kirillin e vranë’ dhe ‘Nanën e laj me shumë kujdes’.

Libri është botuar në Prishtinë ku edhe u promovua javën e parë të qershorit, ndërsa është financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës.

*

‘…kur vdiq baba,
krejt orenditë e shtëpisë i kam rrotullu e nuk e kam gjetë
morra avion, e as në shtetin tjetër për të nuk kishte vend
i mblodha dromcat e mërzisë dhe i kapa bashkë, i përthekova…

…kur vdiq baba,
u ula buzë lumit të lotëve të mi
dhe qava…’ /KultPlus.com

Arti, libri dhe kultura u bënë bashkë në promovimin e romanit ‘Dremit Lyhnidi në Vezullim’ të Elvi Sidherit

Arti i bashkon njerëzit, e këtë gjë e bëri si shumë herë në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, ku mbrëmë u mblodhën bashkë miq, njohës të kulturës dhe artdashës për të parë nga afër e mes tjerash edhe për të diskutuar rreth promovimit të romanit të shkrimtarit dhe përkthyesit, Elvi Sidherit me titull ‘Dremit Lyhnidi në Vezullim’, shkruan KultPlus.

Ky është një krijim që i kushtohet thelbësisht liqenit mahnitës të Ohrit, ku autori përherë ka gjetur frymëzimin e tij, në jetë e letërsi, pikërisht në Lyhnidin e lashtë të Ilirisë, por gjithashtu njëherësh edhe kulturave, popujve, gjuhëve, dashurive e historive shekullore dhe qindravjeçare që janë ngjizur në brigjet e këtij pellgu të përjetshëm me ujë vezullues.

Ndër të tjera në këtë promovim morën pjesë drejtori i Qendrës Kulturore Maqedonase në Tiranë, muzikanti, Origjanski Zlatko, gjithashtu edhe zëvendës ambasadori i Kroacisë në Kosovë, z. Nedjeljko Špilek.

Hapjen e bëri edhe njeriu për të cilën u mblodhën një numër i konsiderueshëm njerëzish, pra, Elvi Sidheri.

“Sot jam unë pikërisht arsyeja që jeni mbledhur këtu. Ky është romani im i pestë, pra, si jubilar dhe prandaj e vlerësoj edhe më shumë. Të gjithë ju të pranishmit këtu jeni njësoj për mua dhe më keni nderuar me paraqitjen e juaj. Ky roman synon pikërisht të tregojë dhe ndërtojë urat kulturore midis shqiptarëve dhe popujve e kulturave fqinje, e kjo mbrëmje është mirëfilli e tillë”, tha Sidheri duke falënderuar KultPlus për mundësinë e promovimit të librit dhe gjithashtu pati një përshëndetje të ngrohtë edhe për nënën e tij, e cila mori pjesë pikërisht në krijimin e shkrimin e këtij libri.

Çamëri Ceraja, si pjesë e moderimit, lexoi edhe një pjesë nga libri për t’i dhënë edhe hijeshinë e duhur një promovimi, me ç ‘rast të gjithë të pranishmit mund të dëgjonin edhe një copëz nga ky libër.

Sidheri pas çdo leximit shpjegoi edhe pjesët të cilat i lexoi Ceraja. Në pjesën e parë u fol për historinë mes dashurisë së një korçari dhe një gruaje nga Struga, pikërisht në luftën e dytë botërore, ku në mesin e shumë ndodhive e sfidave, e pas 43 viteve dashuria e origjinës është thelbi i gjithë librit në radhë të parë.

Përballja e parë me kufirin shqiptaro-jugosllavo-maqedonas

“Përballja e parë me kufirin shqiptaro-jugosllavo-maqedonas është pikërisht pjesa kur edhe fillon libri. Është një kufitar shqiptar gjumash që ende është në mendësinë e regjimit, një kufitar arrogant serb dhe një kufitar maqedonas që ndjehet Zot në vendin e vet, pasi është shpallur pavarësia. Edhe një shqiptar që kthehet në vendin e vet, Ohër. Ngjarjet vazhdojnë në shumë kohë, përfshihen disa histori në Ohër, përmes ngjarjeve e motiveve të ndryshme. Jam munduar që ta mbuloj në mënyrën sa më reale këtë, pasi kam qenë i pranishëm me nënën time në këtë kohë, e në mënyrën më gjakftohtë të tregojë të vërtetën”, thotë autori.

Shpërngulja e shqiptarëve drejt lindjes

Siç thotë autori, ne si komb dijmë pak për shpërnguljet e shqiptarëve, dhe si të tilla ai është munduar që në një lloj forme ti paraqes edhe në libër.

Çamëri Ceraja, u aktivizua edhe një herë tjetër për të lexuar një pjesë nga librit, të shkurtër, që të mos jetë lloji i promovimit “monoton” me lexime të shpeshta dhe pa diskutime, ku edhe lexoi për të gjithë të pranishmit një pjesë nga librit, që kishte edhe shprehje në gjuhën maqedonase.

Drejtori i Qendrës Kulturore të Maqedonisë në Tiranë, Origjanski Zlatko, përpos që ishte i pranishëm në këtë promovim, ai mori pjesë edhe si moderator, ku patjetër që edhe një herë tjetër Elvi, si përthyes që është, u shfaq në skenë për të përkthyer atë se çfarë Zlatko thonte.

“Ndjehem i nderuar që jam këtu sot. Kam mësuar shumë nga Tirana, por di vetëm të porosisë ushqim atje në gjuhën shqipe. Çfarë kuptimi ka Tirana për mua? Tirana për mua është sikurse ka qenë Parisi për Kadarenë, thënë më së miri. Përkundër që kam një punë dilomatike në Shqipëri, jam dashuruar me Tiranën dhe punën time, mbi të gjitha banorët e njerëzit”, tha ai.

Tutje, Zlatko u shpreh se shumë njerëz habiten me punën e tij, derisa mendon që ka një recet speciale për këtë aspekt.

“Fatmirësisht, puna po shkon mirë. E sot me muzikantët, sa herë që vijnë aty edhe bëjmë muzikë bashkë edhe kam filluar që të bëjë muzikë shqiptare. Lidhja ime me Tiranën është ndryshe, jo vetëm nga puna”, thotë Zlatko.

Libri, i cili është më i përqendruar në Ballkanin Perëndimor, ndryshe nga librat e tjerë të Elvitit, qëndron, pra, duke mos e parë shqiptarin si të izoluar, dhe sipas tij, ne jemi mesdhetarë dhe jo aq malësorë sa mendojmë.

Ky promovim, ngërthente në vete diçka më ndryshe se promovimet e tjera, kishte të bënte më shumë me diskutime rreth romanit dhe shqiptarëve në përgjithësi, e për këtë interaktiviteti i publikut ishte aty prezent.

Frymëzimi i autorit

Fitnete Tuda, e njohur për këngën e saj “Shi bie në Tiranë”, u shpreh e lumtur që po merr pjesë në këtë promovim, dhe tregoi se ishte lindur e rritur në Strugë, pikërisht në Ohër.

“Jam buqëliqenase dhe e dashuruar si Lasgushi në liqenin, që më frymëzon vazhdimisht. Edhe pse jam rritur në Kosovë e ndjej mungesën e ujit gjithmonë. Kur Elvi më tha titullin e romanit, u ndjeva shumë kureshtare për këtë. Dihet se ajo zonë është e pasur, e kanë jetuar në brigjet e atij liqeni disa fise ilire, është rruga e vjetër, ku kalon nga Shqipëria në Strugë e Ohër dhe vazhdon tutje. Elvi, si një njohës i mirë i historisë, besoj se në roman do të kemi shumë tekste historike”, tha Tuda, duke e pyetur autorin se pse e vendosi ngjarjen në brigjet liqenit të Ohërit?

Elvi, i cili kishte jetuar në Tiranë për një kohë, kujton edhe kohën kur kënga e Fitnetes “Shi bie në Tiranë”, është himn i pashpallur atje. “Kam qenë gjimnazist kur kishte dalë kjo këngë, e Tirana shkon me shi, dhe kur kishte dalur ajo këngë, unë e mbaj mend suksesin e saj të menjëhershëm. Kur hyra në klasë, të gjitha vajzat po e këndonin atë, dhe këtu fillon edhe historia e kësaj kënge”.

Tutje, ai thotë se arsyeja pse e ka shkruar titullin e shpjegon se frymëzimi ka qenë i drejtpërdrejt nga poezia e Lasgush Poradecit, ku sipas tij, është poezia më e bukur dhe më e prekshme e Lasgushit.

“Frymëzimi është drejtpërdrejt kjo poezi dhe për këtë arsye kam zgjedhur që të shkruaj. Ne jemi shumë të lidhur me Korçën, pasi e kemi prejardhjen atje. Gjithë fëmijëria ime lidhet me Pogradecin, ku kemi kaluar shumë pushime atje, liqeni aty është përtritës, e deri në vitet 90′ kur futeshe në liqen thuhej se edhe mund ta pish si ujë, pasi aq i pastër ishte. Pogradeci ka qenë një mrekulli si qytet, e për këtë kam vendosur që ta shkruaj këtë roman”.

“Popujt e Ballkanit njihen shumë pak mes vete”

Ndër folësit e shumtë që morën pjesë në diskutimin mbi librin ‘Dremit Lyhnidi në Vezullim’, ishte edhe zëvendës ambasadori i Kroacisë në Kosovë, Nedjeljko Špilek, sigurisht nën përkthimin e Elvit.

“Poezia, si poet që jam vetë, nuk është e lehtë për t’u përkthyer. Jam i hapur edhe unë për bashkëpunime. Shpresoj që autorët bashkëkohorë kroatë të promovohen në Kosovë. Sado që mendojmë se jemi të mirë, shqiptarët në Kosovë me shqiptarët në Kroaci, ne nuk njihemi siç duhet. Ky është problemi i popujve të Ballkanit. E pikërisht përmes kulturës mund të njihemi më mirë mes veti, letërsia është mënyra më e mirë për të arritur këtë. Njerëzit e letërsisë flasim një gjuhë të përbashkët, ndonëse kemi gjuhë të ndryshme, kjo është gjëja më thelbësore”, përfundoi ai.

Mbylljen e këtij promovimi e bëri, drejtoresha e gazetës online për kulturë, Ardianë Pajaziti, e cila ndër të tjera tha e falënderoi dhe uroi Elvin për promovimin e librit të tij.

“Është kënaqësi në fakt që në këtë promovim kemi edhe njerëz nga fusha të ndryshme, e për këtë kultura po vazhdon që të dëshmojë gjithmonë se lidh ura mes njerzish e popujsh”, u shpreh ajo.

Libri, i cili vit pas viti vazhdon të diskutohet çdo herë nëse do t’i mbijetojë kohës moderne, asaj të internetit, po vazhdon të mbetet stoik dhe si i tillë promovime të ndryshme po ndodhin në mbarë botën. /KultPlus.com

Promovohet libri kërkimor “Historia e Muzikës Shqiptare”, pas mungesës shumë vjeçare trajtohet edhe muzika e viteve 90’

Uranik Emini

Studentë dhe njohës të fushës së muzikës u bënë bashkë për të ndjekur nga afër promovimin e librit “Historia e Muzikës Shqiptare” të profesorit Nestor Kraja. Libri është i ndarë në 12 kapituj duke përfshirë muzikën e periudhave të antikitetit, mesjetës, rilindjes kombëtare, pavarësisë, mbretit Zog, Luftës së dytë botërore dhe të epokës së socializmit, shkruan KultPlus.

Ky libër vjen pas mungesës 40 vjeçare të botimeve të kësaj natyre, e për herë të parë ndonjëherë trajtohet edhe fusha e muzikës nga vitet e 90-ta, gjer në ditët e sotme.

Profesori universitar, Valton Beqiri, fillimisht bisedoi për biografinë e autorit, e më pas edhe për punën e tij ndër vite.

“Nestor Kraja u lind në Tiranë më 03/08/1959. Me artin muzikor gjegjësisht me mësimet në piano i fillon që nga mosha 6 vjeçare. Në vitin 1983 diplomon në degën e kompozimit në Akademin e Arteve të Tiranës në klansën e kompozitorit Feim Ibrahimi (me veprën koncert për piano e orkestër). Në vitin 1998 i përfundon studimet e magjistraturës në drejtimin kompozicion dhe analizë në Akademinë “AIDA” në Romë në klasën e kompozitorit Edgar Alandia. Që nga viti 1992 është i angazhuar si pedagog i jashtëm në Akademinë e Arteve, Pas magjistraturës, nga viti 2003 rikthehet në Akademi dhe vazhdon punën si pedagog për lëndët kompozim, histori muzike, muzikologji dhe solfezh. Përveç aspektit krijues dhe veprat e interpretuara në rajon si dhe Gjermani, Itali, Austri etj. Prof Nestor Kraja shquhet edhe me aktivitetin e tij shkencor, hulumtues dhe organizativ”, thotë ai.

Kraja gjithashtu në sirtarin e tij ka edhe shkrime e kritika rreth ngjarjeve e aktiviteteve të ndryshme muzikore.

“Libri Historia e Muzikës Shqiptare në esencë pasqyron zhvillimet e muzikës shqiptare që nga shkëndijat e para e gjerë në ditët e sotme. Ky përshkrim dhe evidentim realizohet përmes informacioneve dhe referencave të studiuesve muzikorë por edhe vlerësimeve dhe analizave mbi muzikën artistike shqiptare”, thotë tutje Beqiri.

Siç e thekson edhe vetë autori, faktet, nuk janë vetëm datat, autorët apo veprat e tyre, por edhe shkaqet, rrjedhojat, dhe dukuritë tjera shoqërore dhe politike të këtij rrugëtimi historik.

Një element po ashtu i rëndësishëm dhe i vlerësuar nga të gjithë është edhe prezantimi i këtij materiali përmes botimit online në faqen e Universitetit, dhe kërkesa apo ndryshe ta quaj edhe oferta e autorit që kolegët ta lexojnë e të japin sugjerimet e tyre para botimit final.

“Në fund edhe një herë ta theksoj se botimet e kësaj natyre, janë të një rëndësie të veçantë jo vetëm për studentët dhe studiuesit muzikor, po edhe për shkak të ri definimit të dijeve tona rreth historisë sonë muzikore dhe hapjes së rrugës për pasurimin e saj të mëtejshëm”, u shpreh Beqiri.

Muzikologia dhe pedagogia Rreze Kryeziu, shprehi mirënjohje në emër të departamentit të artit muzikor, për profesorin Nestor Kraja, për punën e tij të jashtëzakonshme në këtë libër.

“Një nga mangësitë e problematikat më të mëdha me të cilat jam shoqëruar në formimin tim profesional por edhe që sot vazhdojnë të shoqërojnë zhvillimin e muzikës artistike/profesionale në vend është pikërisht mungesa e dokumenteve, publikimeve, literaturës përkatëse muzikore”.

Kryeziu tutje thotë se në një mjedis ku ata punojnë, ekziston një nevojë e jashtëzakonshme për shkrime muzikore e sidomos me një përparësi të lartë në botime.

“Njëkohësisht është një mjedis i frikshëm për ata që marrin guximin të angazhohen në këtë fushë, dhe kështu hapësira për një zhvillim të shpejt të saj ka qenë edhe vazhdon të jetë e kufizuar”.

Ky botim, sipas asaj, u jetësua përmes studimeve të realizuara mbi kulturën muzikore, mbi faktorët kyç për ekzistencën e saj siç janë kompozitorët, duke analizuar historikun e jetës dhe paraqitjes së tyre profesionale por edhe aspektin formal e stilistik të opusit të tyre krijues.

Ndërkaq, Profesori Nestor Kraja në një intervistë për KultPlu deklaron se studentët e shtynë që të punojë më shumë në këtë libër dhe të sjellë diçka për të cilën ka shumë pak informacione.

“Objekti i parë në të cilin kam menduar përpara se të filloja të shkruaja librin, kanë qenë studentët. Ata janë të parët dhe të duhurit për të ditur rreth muzikës shqipe. Muzika është e lidhur ngushtë me kulturën dhe ne duhet ta ruajmë e njohim mirë atë, sepse vetëm në këtë mënyrë ne mund të projektojmë trajektoren e zhvillimeve të mëvonshme të vendit. Përmes kësaj trajektore duhet t’i shohim rrugët dhe mundësitë për të implementuar një rrugëtim sa më të suksesshëm në jetë. Për muzikantët e rinj, muzika është një pjesë thelbësore, njësoj si busulla për detarin”.

Kraja vlerëson se në vitet e fundit ka pasur evente shumë të mira, të cilat i ka ndjekur me shumë interes.

“Një nga problemet e këtij libri, është se flet vetëm për muzikën e Shqipërisë. Mendoj që në të ardhmen duhet të projektojmë idenë e muzikës kombëtare, sepse ajo do të na bëjë të vetëdijshëm që jemi vërtet një komb, ne nuk mund ta konsiderojmë dhe nuk duhet ta konsiderojmë vetëm të ndarë. Pavarësisht që historia na ka ndarë në forma e mjete të ndryshme, neve na ka mbetur një gjuhë, na ka mbetur dashuria për njëri tjetrin, e respekti për njëri tjetrin. Në këtë drejtim duhet të shohim edhe kulturën që u japim të rinjve, ta kemi të unifikuar”.

I pyetur se cilën periudhë e sheh si më të frytshmen, profesori Kraja thotë se ajo pas viteve 90’ e ka intriguar që të punojë më shumë në pjesën të cilën e ka quajtur pas viteve 90’.

“Që nga viti 1990 e deri tani nuk kishte ndonjë informacion konkret për muzikën shqiptare, çfarë u bë me muzikën, si u organizua muzika pas 90-ave, ishte një dije që lundronte vetëm në mendjen e pak njerëzve. Studentët nuk dinë për këtë pjesë, prandaj unë kam vendosur që të shkruajë për këtë periudhë kohore. Mendoj që unë vetëm kam hedhur një gurë përpara, pra, vetëm një hap, pres që të tjerët të bëjnë edhe më shumë.

Kraja vlerëson shumë pjesën e zhvillimit të muzikës në Kosovë, ku thotë se ka pasur përpjekje të vazhdueshme që të ketë përfshirje të të gjitha fushave, duke filluar nga muzika korale, opera, baleti e shumë të tjera.

“Jemi vonuar në aspektin e bashkëpunimit në fushën e muzikës mes Kosovës dhe Shqipërisë. Kemi profesionistë të shumtë dhe bashkëpunimi duhet të rritet. Pres që brezat e rinj të shpërthejnë”, përfundoi ai.

Libri po ashtu përmban edhe portretet e kompozitorëve shqiptarë, si dhe është i plotësuar me rubrika mbi etnomuzikologjinë, muzikologjinë si dhe historinë e institucioneve kryesore në Shqipëri. /KultPlus.com

Edhe andrrat shiten…

Nji shëtitje e autorit mes personazheve të tija
Tregtar flamujsh – Ernest Koliqi

E sa për Shqipni, po të siguroj un se ka me qindrue. Kështu thotë shprehimisht Hilush Vilza, por në këtë fjali gjen vend edhe zemra e trazuar e shkrimtarit shkodran, Ernest Koliqit, ajo që ende në vete bart shpresën fishtjane të Lahutës së Malcis për një Shqipëri ideale. Atë Shqipëri ku flamujt nuk shiten. Atë vend ku shqiponjat që fluturojnë lart në qiell prekin majat e maleve, bartin mbi krahët e tyre mesazhin e një vendi të lirë. Një vendi ku flamuri kuqezi gjen vend në zemrat e shqiptarëve, e jo në bodrumet e errëta e të mbuluara me një pluhur që kishin lënë pas luftërat e armiqtë shekullorë.

***

Zbritur nga malësia, duke lënë mbrapa orë, shtojzovalle e ligje kanunore, Ernest Koliqi gjen vend tashti në një cep të Shkodrës e bëhet një me qytetin e me ngjarjet që ndodhin aty. Rrugëve të qytetit sheh Hilush Vilzën e Loro Shegorin duke kuvenduar, rri e i shikon derisa hyjnë në kafenenë e qytetit, për t’i vazhduar aty bisedat e tyre. Shkon pas Shan Arvenit e Lec Gurrmollës, për t’i ndjekur aventurat e tyre rinore e për të drekuar me ushqimet e shijshme. Kështu, Tana s’kishte pse të brengosej se do të tepronin gjithë ato ushqime të lezetshme.

Ndjek rrugën drejt qytetit, i përcjellur nga freskia që vinte nga fushat e bleruara, për të arritur te vendi ku në të njëjtën kohë, si ditët e tjera, kalonte Dyta, e bija e Simon Rrukullit, me një libër të Tush Kezenës të fshehur nën krahë. Atë që do ta lexonte pa e ditur i ati i vet. Duke bredhur në kërkim të një historie, autori vëren dritën ende të ndezur në dhomën e Vidës, ku luante e dashurohej me muzikën i vëllai i saj, Viktori. E dinte autori se ai do hidhërohej për fatin e tij, për atë përrallë përtej detit të cilën nuk mund ta realizonte, e brenda do ta mbante vajin që e kishte me veten e me të gjithë të tjerët.

Sipër gjethve ma t’epër, nji qiell pa hanë, por përplot me hyj, ai bashkohet me Shanin, e duke kënduar rrugëve arrin te shtëpia e Lecit, ku gjen mikpritjen ashtu siç e kanë zakon e traditë shqiptarët. E porse ndodhë shpesh qi gjan e kushtueshme, kur e ke gjithmonë parasysh, fillon mos me e çmue. Habitesh e kërkon gjithkah pa u kujtue se rrin njaty para teje”. Flet autori me Vik Gjinaziun, e ia kujton të kërkojë edhe një herë mbas shimshirit. Se edhe lumturinë nganjëherë e gjen në gjëra të vogla, në ato që dikujt i duken edhe pa kuptim, ashtu sikur Gjizelës.

Rrugëve të Shkodrës, Koliqi gjen dashurinë e miqësinë, atdhedashurinë, por anësh rrugëve edhe ca ëndrra të thyera. Pak më tutje ballafaqohet me vdekjen, e bashkë me Cinton nuk vajtojnë, rrinë bashkë, me zemër të copëtuar para miqve që qajnë për vdekjen e Kolës. Atë që dikush e kishte vëlla nga gjaku e kush tjetër vëlla shqiptar. Ai rri e pret bylbylat e Plepishtit të këndojnë. Bylbyla të Plepishit, lajkatarë të hanës qi ngjitet mbi rrjeshtin e bukur të plepave. Hanë kumbulla të freskëta përtej murit të oborrit bashkë me Lecin, që i bëhet zemra mal nga ajo pritje e ngrohtë e zonjës së vjetër me sy ende të mbushur gjallëri. Atëherë kur të gjithë e kthenin kokën në anën tjetër me një lloj përbuzjeje kur Ndrekë Batuci hynte brenda në kafene, ai e shikonte me dhimbje, i dhimbseshin ky i fundit e Silja, e cila ndoshta nesër do ta kishte prapë babanë pranë. Po, ndoshta nesër, nesër…

Me Tregtar flamujsh kalohet nga një jetë ku kishe të drejtë të ëndërroje, siç bënte Vilza, djaloshi me shpirt të pastër prej poeti, në një jetë ku ngulfateshe në një zymtësi të cilën e jetonte Gaspër Tragaçi, i mbyllur në dyqanin e errët, i cili vend po ia vidhte dalëngadalë ditët e jetës së tij. Hilush Vilza, atë Shqipërinë ideale e kërkonte në ëndërr e i shkonte pas, e pa shikuar mbrapa e ndiqte atë si i përhumbur rrugëve të vjetra të Shkodrës, përgjatë korridoreve të shkollës, ku dëgjonte zërat gazmorë të nxënësve të tij. Vende të bukura m’u pa, por të rrezikshme m’u banue.  Edhe vetë jeta dukej ashtu e bukur kur e shihje nga afër, por pastaj gjërat e ngjarjet, e më së shumti njerëzit, dinin të të dëshpëronin.

Autori ende u qëndron besnik dokeve e zakoneve, traditave shqiptare, të cilat u përcollën ndër shekuj, por në mënyrë që një popull të përparojë, sikur na mëson Koliqi, duhet të ketë parasysh që ta dëgjojë këngën e detit pa i harruar zakonet malit.

E këto të fundit nuk mund të harroheshin aq lehtë kur ende kishte zonja të cilave sytë u vezullonin me dashuri, ata sy të mbetun të rij të grues, qi rrinte tu e shikue nësa ai ngrante, qitshin lot të heshtëshëm. Porse, nëpër lot, qeshnin.

Këngë e valle, lojëra, nostalgji fëmijërore e ëndrra rinore që përmbysen nga funerali i një të huaji, dikujt që deri para pak kohësh kishte thithur oksigjenin e atyre maleve në të cilat tani do bëhej një me dheun.

Qielli shqiptar. Ma i kalthër se ai qielli i huej.

Jo vetëm Simon Rrukulli, por edhe shumë të tjerë, në një mënyrë i frikësoheshin përparimit. Dija e edukimi ishin gjëra të largëta për ta. Është Dyta ajo që merr guximin t’i kundërvihet babait të saj, i cili nuk e lejonte të lexonte, duke e shpallur armik të rrezikshëm librin dhe dijen që buronte nga ai. Bashkë me Vik Gjinaziun, edhe ne ndiejmë dashurinë e cila shpërndahet përtej faqeve të librit, e është ai që na mëson që lumturinë ta kërkojmë afër, se ajo rri aty afër nesh. A të mashtrohemi nga një pasuri e rrejshme duke mos e parë atë pasuri të cilën veçse e posedojmë?

A shiten ëndrrat?

Po. Në Shqipëri, aty ku flamujt nuk shiten, bëhet tregti me ëndrra.

S’kanë të paguem andrrimet e bukura, me të cilat u kënaqme mbramë.

E unë këto fjalë për Koliqin sot, ua kushtoj të gjithë atyre që Bajrami i përkundi në djepin ari të fantazisë.

Nga Edlira Musliu / KultPlus.com

Në Oslo u promovua libri i Bardhyl Mahmutit “Eskadronët e vdekjes”

Romani “Eskadronët e vdekjes”, i autorit të njohur, veprimtarit të çështjes kombëtare, Bardhyl Mahmuti u promovua para mërgimtarëve në Oslo të Norvegjisë, në praninë e shumë shkrimtarëve, intelektualëve dhe gazetarëve.

Autori i këtij romani shpalosi fakte të pakontestueshme të realitetit tonë tragjik të përshkruara me mjeshtri të jashtëzakonshme.

“Eskadronët e vdekjes” është një roman që duhet ta lexojë çdo person që ka përjetuar luftën në Kosovë apo që dëshiron të mësojë se çka ka ndodhur në Kosovë gjatë zbatimit të gjenocidit ndaj shqiptarëve etnik,

Bardhyl Mahmuti pati rastin të këmbej mendime drejtpërsëdrejti me të pranishmit i cili iu përgjigj shumë pyetjeve për veprimtarinë e tij kolosale para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë si dhe situatën në Maqedoninë Veriore, nga edhe vjen autori.

Romani në fjalë tani është përkthyer edhe në disa gjuhë të tjera, dhe pritet që të përkthehet edhe në serbisht për ta kuptuar edhe ai popull realitetin e hidhur që forcat serbe ushtruan ndaj popullit tonë. Romani u bota nga Qendra, Gjenocidi ne Kosove, “Plagë e hapur”.

Në “Eskadronët e vdekjes” autori gërsheton teknikën e romanit historik dhe kronikës si vepër letrare, të cilat i mundësuan t’i ofrojë lexuesit një pjesë të tragjedisë njerëzore që përjetuan shqiptarët gjatë zbatimit të politikës së gjenocidit të shtetit serb në Kosovë.

Romani bazohet në rrëfime krejtësisht të vërteta dhe pasqyron në mënyrë të shkëlqyer një sintezë të praktikave që përdorte regjimi i Sllobodan Millosheviqit edhe ndaj kundërshtarëve politikë serbë./ KultPlus.com

‘E kam imagjinuar gjithnjë parajsën si një lloj biblioteke’

Dita Ndërkombëtare e Librit dhe të drejtave autoriale është përzgjedhur të jetë 23 prilli, si datë me kuptim simbolik për letërsinë botërore. Në këtë datë të vitit 1616, kishin vdekur autorët Uilliam Shekspir nga Anglia dhe Miguel de Cervantes nga Spanja.

I pari konsiderohet si shkrimtari më i madh i të gjitha kohërave dhe vendeve, ndërsa i dyti është autori i veprës më të përkthyer në botë “Don Kishoti”. Kjo datë lidh edhe autorë tjerë në ditën e lindjes a vdekjes së tyre: Inca Garcilaso de la Vega, Maurice Druon, Halldór Kiljan Laxness, Vladimir Nabokov, Josep Pla dhe Manuel Mejia Vallejo.

Ndërkaq sot, KultPlus ju sjell një thënie tejet të njohur të Jorge Luis Borges e cila flet për rëndësinë e madhe të librit e bibliotekës:

”E kam imagjinuar gjithnjë parajsën si një lloj biblioteke”

Kjo datë shënohet në botë që nga viti 2003, ndërsa është pazgjedhur në vitin 1995 me qëllim të kontribuojë në mbarë botë për të drejtat e autorit duke inkurajuar të gjithë, e në veçanti të rinjtë për të zbuluar kënaqësinë e leximit. Kjo datë është edhe një thirrje për të rritur respektin për kontributet e pazëvendësueshme të autorëve dhe librit në progresin social dhe kulturor të njerëzimit. / KultPlus.com