Presidentja Osmani: Do të punojmë ngusht me partnerët tanë që gjatë presidencës çeke të përmbyllet çështja e vizave

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka takuar ambasadorët dhe përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të akredituar në Kosovë.

Në takim me ambasadorë dhe përfaqësues të vendeve të BE-së, Presidentja ka diskutuar për zhvillimet e fundit në vend, në rajon dhe më gjerë, si dhe harmonizimin e plotë të politikës së jashtme të vendit tonë me atë të BE-së.

Presidentja ka thënë se Kosova do të vazhdojë të punojë me partnerët evropian për procesin integrues të vendit.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me partnerët tanë gjatë presidencës çeke të BE-së në mënyrë që të përmbyllet çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, ta avancojmë rrugëtimin tonë evropian, e të forcojmë më tej sundimin e ligjit dhe demokracinë.”, ka thënë Presidentja Osmani. / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Abe ishte një lider i shquar që luajti një rol të rëndësishëm në thellimin e lidhjeve Kosovë-Japoni

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar për vdekjen e ish-kryeministrit japonez, Shinzo Abe, duke kujtuar rolin e tij që pati në lidhjen me Kosovën.

“E pikëlluar thellë për vdekjen tragjike të ish-kryeministrit
@AbeShinzo
Ai ishte një lider i shquar që luajti një rol të rëndësishëm në thellimin e lidhjeve Kosovë-Japoni dhe do të mbahet mend si aleat i popullit të Kosovës. Mendimet tona janë me familjen Abe dhe popullin e Japonisë”, ka shkruar ajo.

Abe vdiq në spital pasi nuk u përballoi plagëve të marra. Ai u sulmua me armë zjarri derisa po mbante një fjalim në një tubim zgjedhor.

Ai u dërgua me urgjencë në spital, ndërsa i dyshuari u arrestua menjëherë në vend të ngjarjes.

Për këtë sulm reaguan shumë liderë botërorë, duke dënuar ashpër sulmin ndaj tij. / KultPlus.com

Presidentja Osmani pas suksesit të sportistëve kosovarë në ‘Oran 2022’: Ky është imazhi ynë në botë

Lojërat Mesdhetare do të marrin fund sonte përmes një ceremonie mbyllëse.

Në këtë garë mori pjesë edhe Kosova në sporte të ndryshme.

“Dardanët” përfunduan në vendin e 16-të pasi i fituan gjashtë medalje në “Oran 2022”, i cili u mbajt në Algjeri.

Pesë medalje i siguroi sporti i xhudos dhe një ai i boksit, në një total prej tri të artave dhe tri të bronztave.

Distria Krasniqi, Loriana Kuka dhe Laura Fazliu u veshën me ar në këtë garë prestigjioze, kurse Akil Gjakova, Flaka Loxha dhe Shpejtim Bajoku u ngjyrosën me bronz.

Për gjithë këtë sukses, sot ka reaguar edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e cila është shprehur se këta janë sportistët tanë fantastike, ky është imazhi ynë në botë.

“Me gjashtë medalje, tri të arta dhe tri të bronzta, sportistët tanë po kthehen triumfues në Kosovë.

Këta janë sportistët tanë fantastik, kjo është Kosova, ky është imazhi ynë në botë. Kosovën e nderojnë bashkërisht vajzat dhe djemtë tanë si: Distria, Loriana, Laura, Flaka, Akili, Shpejtimi e shumë të tjerë.

Faleminderit për emocionet që na i dhuruat këto ditë!”, ka shkruar Osmani.

Pra, edhe një herë ishte kryesisht xhudoja ajo që ia zbardhi fytyrën Kosovës, ndërsa garuesit tjerë kryesisht patën paraqitje të zbehta dhe rezultate dëshpëruese.

Kosova në Lojërat Mesdhetare u përfaqësua nga 39 garues në 13 sporte të ndryshme.

Pjesa e fundit e ekspeditës kosovar mbërrin sot në atdhe. / KultPlus.com

Osmani pritet me nderime të larta shtetërore nga presidenti Pahor: Kosova dhe Sllovenia ndajnë të njëjtin vizion për paqe

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu, e shoqëruar nga zotëriu i parë, Prindon Sadriu dhe delegacioni, është pritur me nderime të larta shtetërore nga presidenti Borut Pahor dhe zonja e parë, Tanja Pečar.

Në takimin tête-à-tête me presidentin Pahor dhe në takimet me delegacionet, presidentja Osmani ka potencuar se marrëdhëniet e afërta ndërmjet popujve të Kosovës dhe Sllovenisë, datojnë që nga vitet e para luftës dhe janë zhvilluar hovshëm në vitet që pasuan.

Sipas presidentes Osmani, raportet ndërshtetërore me Slloveninë do të thellohen dhe intensifikohen vazhdimisht në të ardhmen.

“Kosova dhe Sllovenia ndajnë të njëjtin vizion për paqe e prosperitet në rajon bazuar në vlerat euro-atlantike. Anëtarësimi në BE dhe NATO janë garanca kryesore për paqe në rajonin tonë. Mirënjohës pafund për mbështetjen e Sllovenisë për të ardhmen tonë evropiane, përfshirë për përkrahjen për liberalizimin e vizave si dhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka theksuar presidentja Osmani, në takime me homologun Pahor.

Sipas presidentes Osmani, ekziston gatishmëria e dyanshme që të punohet për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në fushën ekonomike, atë të mbrojtjes e në diplomaci, si dhe në shumë fusha të tjera.

Në takimin ndërmjet dy delegacioneve mori pjesë edhe ministrja e punëve të Jashtme, Tanja Fajon, e cila është një përkrahëse e fuqishme e Kosovës. / KultPlus.com

Me ftesë të presidentit Pahor, presidentja Osmani udhëton për vizitë zyrtare në Slloveni

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të presidentit të Sllovenisë Borut Pahor, ka udhëtuar për vizitë zyrtare në këtë shtet

Kjo vizitë do t`i rikonfimojë marrëdhëniet e shkëlqyshme me Slloveninë, teksa me homologun Pahor, në një sërë aktivitetesh të përbashkëta, Presidentja Osmani do t`i diskutoj mundësitë e thellimit të bashkëpunimit dhe raporteve ndërshtetërore.

Gjatë kësaj vizite, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime edhe me udhëheqës të Parlamentit të Sllovenisë si dhe të Këshillit Kombëtar të Sllovenisë.

Kurse Forcave të Armatosura të Sllovenisë, Presidentja Osmani gjatë qëndrimit në këtë shtet do t`ua ndajë një dekoratë për kontributin për paqe dhe siguri në kuadër të misionit të NATO-s në Republikën e Kosovës, në të cilin përgjatë viteve kanë shërbyer mijëra ushtarë slloven.

Në agjendën e vizitës zyrtare të Presidentes Osmani në Slloveni do të jetë edhe takimi me mërgatën e Kosovës në Slloveni, ligjërata e organizuar nga Qendra për Perspektivën Evropiane dhe Bled Strategic Forum si dhe pjesëmarrja në shfaqjen “Zgjimi i pranverës”, bashkëprodhim i Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Qendrës për Arte dhe Komunitet- Artpolis, e cila do të jepet në Teatrin e Nova Goricës./ KultPlus.com

Presidentja Osmani në CNN për Serbinë: Nuk mund të ecësh në rrugë të Moskës dhe të BE-së

Në një intervistë të shkurtër dhënë për “CNN International”, Presidentja Vjosa Osmani ka folur për aspiratat e Kosovës që të aplikojë për statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ajo ka thënë se Kosova asnjëherë nuk ka shikuar të gjejë rrugë tjetër, pos asaj Euroatlantike.

Osmani ka folur edhe për pikëpamjet se Serbia po ecën në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke thënë se nuk beson në diçka të tillë.

“Serbia provon të ecën edhe rrugës së Moskës edhe rrugës së së Evropës. S’mund të ecësh në të dy rrugët, të të njëjtën kohë”.

Për kërkesën që Kosova të bëhet anëtare e NATO-s, Presidentja Osmani ka thënë se pas sulmit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës, “çdokush” e ka kuptuar se të jesh në NATO, do të thotë të jesh i sigurt.

“Të jesh në NATO do të thotë të jesh i sigurt. Kështu që, praktikisht, arsyeja kryesore pse populli i Kosovës dhe vizioni ynë si krerë të institucioneve të Kosovës është që të bëhemi anëtar i NATO-s, është për shkak të sigurisë dhe mbrojtjes. Por, edhe se ne nuk e shohim NATO-n vetëm si një makineri ushtarake, por si një sistem bazë të vlerave”, ka thënë Osmani. /Express/ KultPlus.com

Presidentja Osmani takoi presidenten e Singaporit, Halimah Yacob

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të vizitës së punës në Singapor është pritur në takim nga Presidentja e Singaporit Halimah Yacob.

Pavarësisht distancës së largët gjeografike, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova është e interesuar për intensifikimin e marrëdhënieve me këtë shtet të Azisë Juglindore, sidomos duke e ditur potencialit e bashkëpunimit tregtar.

Në kontekst të thellimit të marrëdhënieve më këtë shtet, Presidentja Osmani ka potencuar se Singapori ka shënuar përparim të jashtëzakonshëm në teknologji si dhe në fushën e mbrojtjes, ndaj ka shfaqur gatishmërinë për bashkëpunim të fokusuar në këto fusha. Ky bashkëpunim sipas Presidentes Osmani duhet të shtrihet edhe në fusha të tjera, si ajo e arsimit, energjisë, e shumë fusha të tjera.

Presidentja poashtu prezentoi potencialin e Kosovës, si një mundësi për investime nga Singapori dhe në këtë kontekst përmendi, ndër të tjera popullsinë e re dhe dinamike, tregun e punës me kosto efektive dhe incentiva të shumta për investitorët e huaj. Në këtë takim mori pjesë edhe ministrja e Shtetit për Zhvillim dhe Politikë të Jashtme, znj. Sim Ann. / KultPlus.com

Presidentja Osmani në Bruksel pyetet nga shefja e BE-së edhe për Dua Lipën (VIDEO)

Sot, në takimin me liderët e shteteve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, presidentja e Republikës së Kosovës pyetet nga shefja e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, edhe për Dua Lipën, shkruan KultPlus.

Ursula: Si është Dua Lipa?

Osmani: Ajo është mjaft mirë dhe fatmirësisht ne do të ju kemi juve prezentë në kohën kur Sunny Hill Festival do të mbahet në Kosovë ku dhe ajo po krijon një “line-up” të artistëve.

Tutje, presidentja Osmani ju kthehet edhe dy burrave anash edhe i fton edhe ata ne festival.

Osmani: Ju jeni të gjithë të ftuar.

Presidentja Osmani ne videon e publikuar ne rrjete sociale ka shkruar gjithashtu se përkrahja e miqve tanë është vendimtare për ecjen tonë përpara në rrugën evropiane. / KultPlus.com

Presidentja Osmani nga Brukseli: Mbështetja nga Parlamenti Evropian garancë për rrugën evropiane të Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Bruksel ku po qëndron me ftesë të Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, e ka takuar presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.  

Në takim me znj. Metsola, Presidentja Osmani ka theksuar se Parlamenti Evropian ka shprehur qartë dhe në mënyrë të vazhdueshme vullnetin e popujve të BE-së për t’i hapur rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, si dhe nevojën e përshpejtimit të perspektivës evropiane. Për këtë si dhe për mbështetjen e vet Presidentes Metsola, Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohjen e thellë të popullit dhe të institucioneve të Kosovës. 

“Në një diskutim të hapur dhe përmbajtësor me presidenten e Parlamentit, Roberta Metsola në Bruksel, diskutuam për nevojën që liderët e vendeve anëtare të BE-së ta reflektojnë vullnetin e Parlamentit, si dhe të jepet sinjal i qartë se vendet demokratike, liridashëse dhe të përkushtuara ndaj vlerave evropiane, e kanë vendin në BE”, ka theksuar Presidentja Osmani pas takimit. 

Ndryshe, në takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Bruksel, Presidentja Osmani do ta përçojë mesazhin e qartë të popullit të Kosovës mbi nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit, duke filluar nga liberalizimi i stërvonuar i vizave, deri tek mbështetja për statusin e vendit kandidat për Republikën e Kosovës, pas aplikimit.

Liderë të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në takimin e Brukselit, ndër të tjera do të diskutojnë për procesin e zgjerimit dhe perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. / KultPlus.com

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Bruksel ku po qëndron me ftesë të Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, e ka takuar presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.  

Presidentja Osmani takoi të dërguarit e posaçëm për Ballkanin Perëndimor të ShBA-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në Forumin e Prespës në Ohër të Maqedonisë së Veriut ka takuar të dërguarit e posaçëm  për Ballkanin Perëndimor të Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar, të Mbretërisë së Bashkuar, Stuart Peach dhe të Gjermanisë, Manuel Sarrazin.

Në takim me tre të dërguarit e posaçëm, Presidentja Osmani ka përsëritur se integrimi i Kosovës dhe vendeve të tjera demokratike të rajonit në strukturat euro-atlantike është përgjigja e vetme për ta parandaluar agjendën destablizuese dhe ndikimin keqdashës të Rusisë dhe satelitëve të saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Prandaj, angazhimi i partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor është hapi i duhur drejt rienergjizimit të procesit integrues, i cili siguron paqen e qëndrueshme, sigurinë dhe demokracinë në rajonin tonë”, ka theksuar ndër të tjera, Presidentja Osmani në takim me të dërguarit e posaçëm për Ballkanin Perëndimor të ShBA-së, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë. Me ftesë të Presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, Presidentja Osmani po merr pjesë në Forumin e Prespës për Dialog me temë: Formësimi i të ardhmes së Ballkanit Perëndimor në arkitekturën bashkëkohore evropiane të sigurisë, i cili po zhvillon punimet nga data 16 deri 18 qershor në Ohër. / KultPlus.com

Presidentja Osmani në Javën e Krenarisë: Barazia asnjëherë s’guxon të jetë selektive, duhet të vlejë për të gjithë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në nisjen e Javës së Krenarisë nëpërmjet sloganit “Edhe n’shtet, edhe n’familje”, ka thënë që Qeveria e Kosovës është duke punuar në krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë pa dallime.

Tutje Osmani ka thënë që barazia asnjëherë nuk guxon të jetë selektive dhe se ajo duhet të vlejë për të gjithë.

“Stigmatizimi vazhdon të jetë prezent në shoqërinë tonë. Problemet janë pothuajse identike në vendin tonë e rajonin tonë e deri te kontinenti amerikan e aziatik. Në këto rrethana kemi shansin të bëjmë dallimin, se kuptojmë më mirë se deri tani, se duam më mirë se deri tani dhe se ne dashurojmë pa dallim. Sukseset nuk i arrijmë me kërcënime e gjuhë të pa pranueshme ndaj secilës palë. Kjo është mënyra jonë e vetme për ta luftuar stigmën”, ka thënë Osmani.

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu tha se duhet të kemi respekt reciprok ndaj njëri-tjetrit dhe të mos diskriminim pavarësisht gjinisë apo orientimit seksual.

“Ndonëse kemi shënuar progres në ndërtimin e një sistemi të mirëfilltë demokratik jam plotësisht e vetëdijshme për sfidat që kemi, andaj angazhimi për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut duhet dhe do të mbetet përkushtim i përhershëm i institucioneve tona…Ftoj të gjithë përfaqësuesit e institucioneve që të jenë në shërbim të kauzave të përbashkëta për respektimin dhe avancimin e të drejtave të njeriut”, tha Haxhiu.

Ambasadori i SHBA-së Jeff Hovenier ka thënë se pavarësisht progresit të arritur, ka ende shumë punë për të bërë për avancimin e të drejtave të komunitetit LGBTQI+.

“Ne jemi mbledhur këtu që të shënojmë dhe kremtojmë fuqizimin e diversitetit në Kosovë, si dhe të njihet kontributi i personave nga komuniteti LGBTQI+ këtu në Kosovë si dhe në gjithë botën, dhe derisa ne shënojmë progresin e arritur në SHBA, Kosovë dhe vendet e tjera në botë, ne po ashtu mbetemi në dijeni se mbetet edhe shumë për të bërë për të avancuar dhe fuqizuar të drejtat e njeriut për komunitetin LGBTQI+”, ka thënë ai.

Ndërsa, Tomas Szunyog, ambasador i Bashkimit Evropian në Kosovë, ka theksuar se komuniteti LGBTQI+ vazhdon të përballen me sfida për shkak të orientimit të tyre seksual.

“Çështja e komunitetit LGBTQI+ është një proces kompleks. Kjo është një eksperiencë nëpër të cilën kalon BE. Të drejtat e personave të komunitetit LGBTQI+ janë në mbrojtje të ligjeve të vendeve të Bashkimit Evropian, por ata ende përballen me sfida për shkak të orientimit të tyre seksual ose identitetit gjinor. Parada e krenarisë në Kosovë është mbajtur për pesë vjet deri më tash dhe nuk ka pasur asnjë incident dhe ne jemi të lumtur të shohim këtë trend”, ka thënë ai.

Arbër Nuhiu, drejtor Ekzekutiv i Qendrës për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD) ka ngritur shqetësime rreth debatit për draft kodin civil, ku ai tha se është përdorur gjuhë fyese ndaj komunitetit LGBTQI+.

“Një çështje tjetër që ka ndodhur dhe është shumë shqetësuese është gjuha e përdorur nga disa deputetë gjatë seancës së Parlamentit të Kosovës, më 16 mars kur i gjithë debati për draft kodin civil u kufizua në një paragraf që nuk rregullon asgjë. Ajo ishte gjuhë urrejtjeje dhe më së shumti gjuhë e gërditshme. Kuvendi i Kosovës lejoi që të një pjesë e qytetarëve të Kosovë të fyhen. Është dëshpëruese që askush nuk ka reaguar”, tha ai.

Ndryshe, Java e Krenarisë synon të ngritë vetëdijen kolektive dhe dukshmërinë e orientimeve të ndryshme seksuale dhe identiteteve të ndryshme gjinore në shoqërinë kosovare, të adresojë çështje të situatës aktuale të personave LGBTQI+ dhe të luftojë diskriminimin. / KultPlus.com

Presidentja Osmani në ceremoninë e certifikimit të rekrutëve të rinj të FSK-së: Ju po e jetësoni ëndrrën e brezave

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, sot mori pjesë në ceremoninë e certifikimit të rekrutëve të rinj të FSK-së në Kazermën e Komandës dhe Doktrinës në Ferizaj, përcjellë KultPlus.

Në këtë ceremoni, presidentja mbajti një fjalim ku u shpreh krenare që ushtria jonë po i shton radhët me vajza e djem të rinj, të cilët atdhedashurinë po e transformojnë në profesionalizëm.

KultPlus ju sjell fjalimin e plotë të presidentes Osmani në ceremoninë e certifikimit të 257 rekrutëve të FSK-së:

 
I nderuar ministër i Mbrojtjes, z. Mehaj,

I nderuar zëvendëskomandant i FSK-së, gjeneral Cikaqi,

E nderuar gjeneralbrigade Irfete Spahiu,

Të nderuar rekrutë, ushtarë, nënoficerë dhe oficerë të Ushtrisë sonë,

Shumë të nderuar familjarë të rekrutëve të cilët sot na bëjnë krenar të gjithëve,

Të nderuar të pranishëm,

Të nderuar përfaqësues të NALT-it dhe partnerëve tanë,


Brenda pak muajsh jam sërish në mesin tuaj për ceremoninë e certifikimit të 257 rekrutëve të rinj. Kjo më bën nder dhe më bën krenare që ushtria jonë po i shton radhët me vajza e djem të rinj, të cilët atdhedashurinë po e transfromojnë në profesionalizëm.

Ju po e jetësoni çdo ditë e më tepër ëndrrën e brezave që përpos shtetit, donin ta kenë edhe ushtrinë, e cila do të jetë në funksion të mbrojtjes së vendit e në funksion të mbrojtjes së integritetit territorial e çdo cepi Kosovës sonë.

Sikurse dikur djemtë e vajzat e UÇK-së që bartën mbi supe idealin e lirisë sonë, sot ju mbani mbi supet tuaja idenë e mbrojtjes së lirisë, integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës.

Për nëntë javë të trajnimit,  rekrutët, të cilët po certifikohen sot kanë dëshmuar shkathtësi, përgatitje dhe profesionalizëm, të udhëhequr nga instruktorë të zot të ushtrisë sonë.

Sot FSK-së po i shtohen edhe 257 rekrutë të certifikuar, vajza e djem, me të cilët Forca jonë po rritë numrin e pjesëtarëve të saj në mbi 3000.

FSK-ja ka krijuar mundësinë për shanse të barabarta, ndaj  i inkurajoj vajzat e gratë që sa më shumë të bëhen pjesë e ushtrisë sonë edhe më tutje. Suksesin e dëshmuar në shumë fusha të tjera, e kanë mundësinë ta tregojnë edhe duke e veshur uniformën e FSK-së.

Me këtë numër të rekrutëve, FSK-ja, gjithnjë e më shumë po zhvillohet konform standardeve profesionale dhe në harmoni me praktikat e ushtrive më moderne në botë.
Kjo tregon se e tashmja dhe e ardhmja e vendit tonë është në duar të sigurta, teksa FSK-ja po ecën me hapa të sigurt drejt përfundimit të fazës së tranzicionit.

Në kohën kur paqja globale po sfidohet gjithnjë e më tepër dhe kur tendencat autoritariste po ngrenë krye, forcimi i kapaciteteve tona mbrojtëse është domosdoshmëri.

Unë kam besim në profesionalizmin e ushtarëve tanë dhe jam e sigurt se këta rekrutë që kemi përpara dhe të tjerët që e kanë kaluar këtë rrugë më herët janë të gatshëm që kurdo që Republikës sonë t`i bëhen mbrojtës.

Agresioni i Rusisë këto ditë po tregon gjithmonë do të gjinden forca që duan ta shkatërrojnë paqen dhe duan ta cenojnë lirinë dhe të drejtën e kombeve për të jetuar të lirë. Ne e kemi provuar të njëjtën gjë më parë, prandaj, nuk do të ndalemi asnjëherë që ushtrinë tonë ta përgatisim sa më mirë, ta rrisim sa më shumë në mënyrë që ajo të jetë e gatshme jo vetëm për sigurinë e shtetit tonë, por edhe një partnere e ushtrive aleate në NATO, aleancë në të cilën synojmë ta anëtarësojmë Republikën e Kosovës.

Anëtarësimi në NATO është domosdoshmëri dhe i ndihmon paqes dhe stabilitetit rajonal.

FSK-ja çdo ditë e më tepër po shndërrohet në forcë ushtarake profesionale dhe ndërvepruese me forcat e NATO-s, falë këmbëngulësisë së pjesëtarëve të saj dhe mbështetjes së përhershme edhe nga institucionet e vendit por edhe nga aleatët tanë perëndimorë, e para së gjithash nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Prandaj, një falënderim i veçantë për ShBA-të dhe të gjithë aleatëve tanë të cilët po ndihmojnë në rritjen e profesionalizimin e FSK-së dhe ngritjes së kapaciteteve të saj!

Të nderuar rekrutë dhe ushtarë,


Sot karriera juaj profesionale po merr një drejtim të ri. Ju nuk jeni ata që ishit dje, por jeni bërë ata që do të duhet të jeni nesër. Të gatshëm për t`iu përgjigjur çdo situate, të motivuar dhe të përkushtuar kurdo që atdheu ka nevojë për ju.

Detyra juaj nuk është e lehtë, por është sa me peshë të madhe, po aq edhe fisnike. Nuk ka nder më të madh në jetë se sa t`i bëhesh mbrojtës atdheut. Unë kam besim të plotë në përgatitjen tuaj, sikurse besoj se angazhimi juaj në ushtri do ta ketë referencën e përhershme: atdheu mbi të gjitha!

Të nderuar rekrutë të certifikuar, me ju sot nuk e po e rrisim vetëm numrin e efektivëve të ushtrisë sonë, por edhe sigurinë dhe garancinë për një të tashme e të ardhme më të mirë.

Sytë tanë sot janë nga ju. Shpresa jonë është e varur te ju. Synimi ynë është paqja dhe nuk duhet të lejojmë që ajo të na cenohet nga askush.

Objektivi ynë është BE-ja, është NATO-ja dhe organizata të tjera ndërkombëtare, ku Kosova e meriton të jetë të cilat e forcojnë edhe më tej subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit tonë, krahas forcimit të komponentës së mbrojtjes dhe të sigurisë.

Në cilësinë e Komandantes Supreme të kësaj ushtrie, ju falënderoj rekrutë të dashur, të gjithë instruktorët tuaj, strukturën komanduese të FSK-së si dhe familjet tuaja të cilët ju kanë nderuar edhe ju e gjithë shtetin duke ju përkrahur në çdo hap dhe ju do t’i shërbeni shtetit po ashtu në çdo hap me punën që do e bëni.

Pres nga ju përkushtim dhe angazhim maksimal në përmbushjen e përgjegjësive që burojnë nga misioni fisnik i juaji në mbrojtje të atdheut!

Zoti e bekoftë Forcën e Sigurisë së Kosovës!

Zoti e bekoftë Republikën tonë!

Ju faleminderit! / KultPlus.com

Osmani e Gjukanoviç, bashkë në aktivitetin e organizuar për “Ditët e komunitetit malazez”

Presidenti i Malit të Zi, Milo Đukanović dhe Presidentja Vjosa Osmani sot ishin të pranishëm në Teatrin Kombëtar të Kosovës me rastin e shënimit të Ditëve të komunitetit malazez në Kosovë.

“Faleminderit që i jeni bashkangjitur këtij aktiviteti përmes të cilin po shënojmë përmes artit dhe muzikës që do të nderojmë ditët e komunitetit malazez në Kosovë. Si një pjesë integrale e saj dhe një vlerë e çmueshme për demokracinë dhe shtetësinë tonë. Jemi të nderuar se kemi zotin president Gjukanoviq, jemi të gëzuar se këtë vizitë po e përmbyllim me frymën e promovimit të vlerave e të artit e të kulturës”, tha ajo.

Osmani iu ka premtuar përfaqësuesëve të komunitetit malazez se do të bahskëpunojë me ta.

“Sot, kemi në mesin tonë disa prej përfaqësuesve të komunitetit malazez dhe dua t’i them faleminderit, jam e vetëdijshme se edhe ju ballafaqoheni me sfida dhe jo çdo herë janë të lehta. Ju konfirmoj se do të bashkëpunojmë e të komunikojmë me ju”.

Tutje Osmani ka falënderuar delegacionet nga Kosova dhe Mali i Zi.

“Jam e sigurt se në muajt e vitet në vijim bashkëpunimi ynë me vendet e komunitetin malazez do të shtohet. Në fund dua të faleminderit delegacionet nga Kosova e Mali i Zi, Policinë e Kosovës, kabinetin tim e të gjithë ata që kanë shërbyer në mbarëvajtjen e vizitës”.

“Është nder u madh për mua që brenda vizitës 2 ditore të suksesshme sonte bashkë me presidenten Osmani të bëhem pjesë e këtij manifestimi solemn pe shënimin e ditëve të komunitetit malazez në Kosovë. Ne, sot jemi këtu që të flasim për kontributet e shumta të komunitetit malazez në Mal të Zi. Në periudhën e intensifikimit të marrëdhënieve të vendeve tona. Nuk mund të mos ta vërejmë inercionin e Ballkanit Perëndimor. Komuniteti malazez nga viti 81 ka pas pak mbi 21 mijë malazez, ku malazezet me arsye kanë qenë anëtar konstruktiv i territorit të Kosovës”, ka thënë presidenti i Malit të Zi.

“Marrëdhëniet cilësore do të qojnë deri të zgjidhja e statusit të malazezeve në Kosovë. Kjo është edhe rasti që të kujtojmë me krenari që në stuhinë e luftës mali i zi ka treguar aftësi që të ruaj paqen. Ne kemi vendosur për një sistem vlerash evropiane dhe kemi shkuar me vendosmëri në rrugën e integrimeve evropiane”, tha ai.

“Mali i Zi është një fqinj i përgjegjshëm i Kosovë, si dhe të kontribuojnë në perspektivën evropiane dhe euroatlantike, shfrytëzoj rastin që e ardhmja e Kosovës e fëmijëve të tyre të jetë e lidhur përjetësisht me vlerat evropiane”.

Presidenti i Malit të Zi ka theksuar se dëshiron që fëmijët e Kosovës të rriten në një vend që është i lidhur me vlerat evropiane./InLajmi/ KultPlus.com

Presidentja Osmani mori pjesë në ceremoninë e Inaugurimit të Presidentit të Kosta Rikës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani bashkë me liderë të tjerë botërorë, ka marrë pjesë në ceremoninë e Inaugurimit të Presidentit të Republikës së Kosta Rikës, Rodrigo Chaves.

Presidentja Osmani e ka uruar Presidentin Chaves në marrjen e detyrës së tij të re, duke i uruar suksese në përfaqësimin e popullit të Kosta Rikës.

“Pavarësisht distancës, partneriteti ynë është unik, i themeluar në shtyllat e miqësisë, e vlerave tona të demokracisë, sundimit të ligjit, lirisë e paqes. Tani, është detyra jonë e përbashkët, si të zgjedhurit e popujve tanë, që t’i përafrojmë shtetet tona edhe më shumë”, ka thënë Osmani. / KultPlus.com

Osmani takon presidentin e një shteti në Amerikën Latine: Aleat i rëndësishëm i Kosovës

Gjatë vizitës zyrtare në Kosta Rikë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka takuar homologun e saj nga Republika Dominikane, Luis Abinader. Presidenca thotë se të dy janë pajtuar që ta avancojnë partneritetin ndërshtetëror tutje.

Në takim me Abinader, Presidenca thotë se Osmani ka theksuar se “Republika Dominikane mbetet aleat i rëndësishëm i Kosovës në Amerikën Latine”.

“Ndër të tjerash, në takim u diskutua për raportet miqësore në mes të vendeve tona dhe mundësitë më të mira për të thelluar bashkëpunimin ndërshtetëror, duke përfshirë ekonominë dhe tregtinë, turizmin si dhe fusha të tjera”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

“Forcimi i pozitës ndërkombëtare është një prej shtyllave kryesore strategjike të politikës sonë shtetërore, prandaj jam e lumtur që me Presidentin Abinader u dakorduam për ta avancuar partneritetin tonë diplomatik duke i afruar kështu edhe më shumë dy vendet tona”, citohet të ketë thënë presidentja Osmani. / KultPlus.com

Osmani në Kosta Rikë takohet me Nënsekretaren amerikane të Shtetit, diskutohet përmbushja e zotimeve të Kosovës

Presidentja Vjosa Osmani gjatë viziztës në Kosta Rikë është takuar me Uzra Zeya, Nënsekretaren amerikane të Shtetit për Siguri Civile, Demokraci dhe të Drejta të Njeriut në Administratën e Presidentit Joe Biden.

Siç njofton Presidenca, ato kanë biseduar për “progresin e Kosovës në përmbushjen e zotimeve në kuadër të Samitit për Demokraci si dhe intensifikimin e bashkëpunimit Kosovë-SHBA”.

“Në diskutim me Nënsekretaren Zeya, Presidentja Osmani ka folur për themelimin e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut si dëshmi e përkushtimit të institucioneve të Kosovës për përmbushjen e zotimeve në kuadër të Samitit për Demokraci, përfshirë forcimin e sundimit të ligjit, demokracisë, rolit të gruas në shoqërinë kosovare, avancimin e të drejtave dhe lirive të njeriut si dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe mediat”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Presidentja ka theksuar se Kosova qëndron në të njëjtën vijë me aleatët tanë në mbrojtjen e vlerave demokratike.

“Në këtë kohë kur demokracitë anë e mbanë botës janë bërë cak i drejtpërdrejt i tendencave gjithnjë e në ngritje autoritare, Samiti për Demokraci është platforma që ka bashkuar vendet nga 4 anët e globit në përpjekjet e tyre për të konsoliduar vlerat demokratike dhe për t’i promovuar e fuqizuar tutje ato”, citohet të ketë thënë Osmani.

Me ftesë të Presidentit Carlos Alvarado Quesada, Presidentja Osmani po qëndron në Republikën e Kosta Rikës, ku sipas Presidencës, do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të ri të zgjedhur të Kosta Rikës, Rodrigo Chaves. Gjatë vizitës në San José, Presidentja do t’i takojë udhëheqësit shtetëror të këtij shteti si dhe do të realizojë takime me përfaqësues të shteteve tjera. / KultPlus.com

Presidentja Osmani do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të ri të zgjedhur të Kosta Rikës

Presidentja Vjosa Osmani gjendet për vizitë zyrtare në Amerikën Latine ku ka qëndruar në shtetin e Panamasë ndërkaq sot ka udhëtuar për në Kosta Rikë.

Zyra e Presidencës në një komunikatë për media ka njoftuar se e para e shtetit do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të ri të zgjedhur të Kosta Rikës.

“Me ftesë të Presidentit Carlos Alvarado Quesada, Presidentja Osmani do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të ri të zgjedhur të Kosta Rikës, Rodrigo Chaves. Gjatë vizitës në San José, Presidentja do të takojë udhëheqësit shtetëror të Kosta Rikës, Presidentin e zgjedhur Chaves si dhe do të realizojë takime bilaterale me krerë të shteteve tjera”, thuhet në njoftim.

Tutje zyra e presidentes njofton se shefja e shtetit në Amerikën Latine po e promovon potencialin ekonomik të Kosovës.

“Gjatë vizitës zyrtare në Panama dhe vizitës aktuale në Kosta Rika, Presidentja Osmani po realizon një sërë aktivitetesh për të promovuar potencialin ekonomik të Kosovës, për të thelluar marrëdhëniet miqësore me shtetet mike në Amerikën Latine, si dhe për të rritur mbështetjen për anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë. / KultPlus.com

Presidentja Osmani përuroi shtatoren e Shën Terezës në Panama

Sot në Panama, Presidentja Osmani përuroi shtatoren e Shën Terezës, të punuar nga skulptori kosovar Bashkim Beqiri, në një ceremoni të organizuar bashkë me Ministren e Jashtme të Panamasë, Erika Mouynes dhe me Kryepeshkopin e Panamasë, José Domingo Ulloa.

Presidentja Osmani theksoi se ndihet e lumtur që Panamaja po e monumentalizon kujtesën për Shën Terezën. Kjo është edhe një mirënjohje për punën e saj, për vlerat e saj e për madhështinë e personalitetit të saj.

Ndër të tjera, Presidentja Osmani u shpreh se si bashkëkombës të saj jemi shumë krenarë me shëmbëlltyrën e Shën Terezës. Po kështu, shtoi ajo, i jemi mirënjohës popullit panamez për respektin e treguar me të gjitha nderet që mund t’i ofrohen një të shenjte. / KultPlus.com

Presidentja Osmani u prit nga presidenti i Panamasë, Laurentino Cortizo me nderime shtetërore

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur sot në takim nga Presidenti i Republikës së Panamasë, Laurentino Cortizo, për të hapur kapituj të rinj të bashkëpunimit në mes të dy vendeve tona.

Në takim me Presidentin Cortizo, Presidentja Osmani ka vlerësuar lartë marrëdhëniet miqësore në mes të dy vendeve si dhe përkushtimin për ta forcuar tutje bashkëpunimin në fushat e interesit të përbashkët.

Presidentja ka falënderuar Presidentin Cortizo për mbështetjen e Panamasë ndaj Kosovës që nga pavarësia e këndej si dhe për përkushtimin dypalësh për thellimin e partneritetit ndërshtetëror. “Si një ndër shtetet me ndikimin më të madh në rajonin e Amerikës Latine, Panamaja ka mbështetur Kosovën për më shumë se një dekadë në të gjitha përpjekjet tona për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe për fuqizim të pozitës sonë në botë” , theksoi Presidentja Osmani gjatë takimit.

Presidentja Osmani dhe Presidenti Cortizo gjithashtu kanë diskutuar për hapat që do të ndërmerren për ta forcuar bashkëpunimin ndërshtetëror në të gjitha fushat e interesit të përbashkët, përfshirë tregtinë, arsimin, kulturën e ndërmarrësinë si dhe për përkrahjen që i duhet Kosovës edhe më tutje në procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Gjithashtu, Presidentja përmendi edhe potencialin për investime të huaja në Kosovë, si mundësi e mirë e shkëmbimit ekonomik në mes të dy vendeve.

Gjatë vizitës zyrtare në Panama, Presidentja Osmani është duke realizuar takime me udhëheqës të lartë shtetëror, komunitetin e biznesit, ndërmarrës si dhe ka marrë pjesë në disa iniciativa të ndryshme kulturore. Presidentja Osmani gjithashtu do të përurojë shtatoren e Shën Terezës në një ceremoni të organizuar bashkë me Ministren e Jashtme të Panamasë, Erika Mouynes dhe me Kryepeshkopin e Panamasë, José Domingo Ulloa. / KultPlus.com

Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti nesër udhëtojnë për në ShBA

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nesër do të udhëtojnë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Atje të dy, me ftesë të familjes Albright, do të marrin pjesë në ceremoninë e varrimit të ish-sekretares amerikane, Madeleine, e cila ndërroi jetë në moshën 84-vjeçare më 23 mars.

Përveç pjesëmarrjes në këtë ceremoni, në kuadër të kësaj vizite në ShBA, Osmani dhe Kurti kanë paraparë edhe disa takime të tjera. / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Jemi me fat të kemi mbështetjen e vazhdueshme të miqve tanë amerikanë

Presidentja Vjosa Osmani së funmi ka pritur në takim senatorët amerikanë si: Jeanne Shaheen, Chris Murphy dhe Thom Tillis, ku i ka informuar ata mbi zhvillimet e fundit në Kosovë, përcjell KultPlus.

“Avancimi i Kosovës në trajektoren e lirisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit është dëshmia më e fortë se populli jonë është i përkushtuar në rrugëtimin euro-atlantik”, thotë Osmani.

Më poshtë gjeni postimin e saj të plotë:

Kënaqësi të mirëpres senatorët amerikanë Jeanne Shaheen, Chris Murphy dhe Thom Tillis në Kosovë.

Senatorët i informova mbi zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon. Përderisa Evropa po përjeton luftën në mes të demokracisë dhe tiranisë, Kosova, si gjithnjë, ka zgjedhur demokracinë. Avancimi i Kosovës në trajektoren e lirisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit është dëshmia më e fortë se populli jonë është i përkushtuar në rrugëtimin euro-atlantik.

Kosova është më e fortë me aleatët e saj dhe jemi me fat të kemi mbështetjen e vazhdueshme të miqve tanë amerikanë. / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Përmes Serbisë, Rusia ka krijuar tensione në Kosovë, Bosnje e Hercegovinë e Mal të Zi

Presidentja Vjosa Osmani ka dhënë një intervistë për mediumin britanik Times Radio, ku ka folur për agresionin rus mbi Ukrainën dhe gjendjen në Ballkan.

Osmani ka thënë se Rusia ka destabilizuar Ballkanin Perëndimor, përmes Serbisë, duke krijuar tensione në Kosovë, Bosnje e Hercegovinë e Mal të Zi. Ajo shton se vonesat në rrugën drejt BE-së të këtij rajoni, kanë lëshuar terren për Rusinë që të veprojë.

“Ka pasur një interes të vazhdueshëm rus për destabilizim të Ballkanit Perëndimor. Jo vetëm Kosovën por edhe shtetet tjera. Dhe e kanë bërë me veprime konkrete përmes Serbisë. Rusia është munduar të krijojë tensione në kufi me Kosovën dhe destabilizim të Bosnje e Hercegovinës dhe Malit të Zi. Në këto shtete Rusia ka treguar interes për destabilizim të Ballkanit Perëndimor, pasi përmes destabilizimit të këtij rajoni, destabilizon edhe BE-në. Këtu ka të vërteta, procesi ka ecur më ngadalë që kemi shpresuar për arsye se sa më ngadalë të ec procesi i anëtarësimit të Ballkanit Perendimor në BE, atëherë ka më shumë mundësi për Rusinë dhe interesat e saj që të jenë prezente në rajon”, ka thënë ajo.

Tutje ajo shton se Serbia është vendi i vetëm që nuk ka vënë sanksione ndaj Rusisë dhe në anën tjetër po e përkrah atë.

“Ajo që po ndodh në Ukrainë tregon se është një imperativ sigurie që të kemi edhe Kosovën edhe Bosnjën si dy vendet e fundit që duan të bashkohen me NATO-n në rajon, pasi Serbia nuk do anëtarësimin. Pra është e qartë se kush në rajon është kundër aksioneve të Putinit dhe kush po i mbështetë. Pavarësisht nga fakti se Serbia ka thënë se do të anëtarësohet në BE, nuk ka përshtatur politikat e saja me ato të BE-së e NATO-s”, përfundoi Osmani./ KultPlus.com

Presidentja Osmani udhëton në SHBA, ftohet të marrë pjesë në varrimin e Sekretares Albright

Madeleine Albright, gruaja e parë sekretare e shtetit të SHBA, e cila ndihmoi në drejtimin e politikës së jashtme perëndimore pas Luftës së Ftohtë, ka vdekur në moshën 84 vjeçare më 24 mars të këtij viti, shkruan KultPlus.

Vdekja e saj u konfirmua në një email drejtuar stafit të Albright Stonebridge Group, një firmë strategjike globale e themeluar nga Albright. Ndërkaq, në fillim të javës që vjen do të bëhet edhe varrimi i Sekretares Albright ku e pranishme do të jetë edhe Presidentja Vjosa Osmani.

Lajmin për KultPlus e bëri të ditur këshilltari për media, Bekim Kupina, i cili thotë se Presidentja Osmani do të marrë pjesë me ftesë të familjes Albright.

“Presidentja Osmani do të udhëtoj për SHBA në fillim të javës që vjen për të marrë pjesë në varrim të Sekretares Albright, me ftesë të familjes Albright, si dhe për disa takime të tjera”, ka thënë Kupina për KultPlus.

Madeleine Albright ishte një figurë qendrore në administratën e Presidentit Bill Clinton, së pari shërbeu si ambasadore e SHBA-se në Kombet e Bashkuara përpara se të bëhej diplomatja më e lartë e vendit në mandatin e saj të dytë.

Albright konsiderohet si një mike e madhe e Kosovës dhe kontributi i saj ishte i madh, sidomos gjatë kohës së luftës. / KultPlus.com

Presidentja Osmani niset për Mitrovicë: Po rikthehem në vendlindje, në qytetin e rock muzikës

Presidentja Vjosa Osmani po vazhdon vizitat nëpër komunat e Kosovës, ndërkaq sot do ta vizitojë vendlindjen e saj, Mitrovicën.

Përmes një video-mesazhi që ka postuar në Facebook, shefja e shtetit tha se po shkon në qytetin e rock muzikës dhe qytetin e minatorëve, raporton Gazeta Express.

“Sapo i përfunduam aktivitetet në Prishtinë në shënimin e 14 prillit që i kushtohet të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës. Një ditë e rëndësishme për mijëra gra e burra që e kanë përjetuar ferrin gjatë luftës por e kanë shndërruar fuqinë e tyre dhimbjen e tyre në një zë të fuqishëm për vendin tonë. Po rikthehem në qytetin tim të lindjes, në qytetin e minatorëve, në qytetin e rock muzikës, në mënyrë që të dëgjojmë për së afërmi kërkesat e komunës por mbi të gjitha të qytetarëve të Mitrovicës”, tha ajo.

Osmani njoftoi se së bashku me kryetarin e Mitrovicës, Bedri Hamza, do të përkujtojnë masakrën në Lagjen e Kovaçëve të kryera nga forcat serbe gjatë luftës.

“Do ta fillojmë ditën me takimin me kryetarin e Mitrovicës, do të shkojmë bashkë me kryetarin në Lagjen e Kovaçëve për të përkujtuar sot masakrën e forcave serbe ndaj civilëve shqiptarë në këtë lagje dhe pastaj do të vazhdojmë me takime dhe vizita të tjera”, tha Osmani./ KultPlus.com