“Ditët e albanologjisë” në Tiranë, Shkup e Prishtinë

Akademia e Studimeve Albanologjike dhe institutet e saj, kanë përgatitur një program të pasur me konferenca shkencore, ekspozita, promovime e shumë aktivitete të tjera, me rastin e “Ditëve të albanologjisë”.

Edicioni i 13-të i “Ditëve të albanologjisë”, organizohen nga 21 deri më 26 nëntor 2022, në Tiranë.

Krahas tyre, janë dy aktivitete paralele që mbahen në Shkup dhe Prishtinë, respektivisht më 22 dhe 23 nëntor, në kuadër të ngjarjes kryesore “Një komb, një gjuhë” që ka në fokus gjuhën shqipe, nga Kongresi i Manastirit deri në zhvillimet e sotme.

Janë të shumtë gjuhëtarët, studiuesit interdisiplinarë që sjellin studimet dhe analizat e tyre më të fundit mbi këtë temë.

Akademia e Studimeve Albanologjike ka planifikuar gjithashtu promovime të librit të ri albanologjik dhe ceremoni mirënjohjeje për personalitete të albanologjisë. / atsh / KultPlus.com

Manifesta 14 sjell eventin përmbyllës me një performancë speciale nga grupi Saz’iso

Në javën e fundit të Manifesta 14 Prishtina, po vjen edhe eventi përmbyllës i kësaj ngjarje të madhe, përcjellë KultPlus.

Të dielën tjetër, me 30 tetor, nga ora 18:00, në Fabrikën e Tullave, do të vijnë tingujt e jugut të Shqipërisë në Prishtinë mes një perfomancë speciale të grupit të mirënjohur Saz’iso.

“Ne do të vijojmë natën me më shumë muzikë dhe gëzime! Në event do të ketë ushqim, pije e kërcim! Merrni me vete njerëzit tuaj të dashur të festojmë së bashku këtë edicion të jashtëzakonshëm të Manifesta! Ky event është falas dhe i hapur për të gjithë”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

Fillon ndërtimi i çerdhes “Xixëllonjat” në Pejton



Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati, ka njoftuar sot se ka filluar ndërtimi i çerdhes “Xixëllonjat” në Pejton.

Sipas Musmuratit, në objektin e ri rreth 3000 metra katrorë do të akomodohen 200 fëmijë.

“Dje filloi rrënimi i objektit të vjetër të çerdhes Xixëllonjat në Pejton, për t’i hapë rrugë ndërtimit të objektit të ri. Pas problemeve disavjeçare, arritëm të zhbllokojmë kontratën dhe të fillojmë punimet. Në objektin e ri rreth 3000 metra katrorë do të akomodohen 200 fëmijë. Jemi plotësisht të përkushtuar që të sigurojmë qasje për sa më shumë familje të Prishtinës në edukim të hershëm dhe në ambiente sa më miqësore për fëmijë. Ma gjallë, ma bukur e ma shumë shërbime”, shkruan Musmurati. / KultPlus.com

Astronomët e Kosovës thirrje qytetarëve: Dilni sot në shesh, ta shohim Eklipsin e Diellit

Nga Astronomia e Kosovës kanë ftuar qytetarët e vendit që së bashku me ta të vrojtojnë Eklipsin e Diellit.

Eklipsi i Diellit paraqitet kur Hëna pozicionohet mes Diellit dhe Tokës.

“Me 25 Tetor 2022, ju ftojmë të vrojtoni me ne Eklipsin e Diellit, fenomen spektakolar që paraqitet kur Hëna pozicionohet mes Diellit dhe Tokës, me ç’rast një pjesë e sipërfaqes tokësore eklipsohet nga Hëna”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, ky fenomen do të jetë pjesërisht i dukshëm nga Kosova, dhe do të zgjasë rreth dy orë.

“Stafi ynë ju fton të vrojtoni bashkë me ne nëpërmjet pajisjeve tona optike të sigurta, të dizajnuara ekskluzivisht për vrojtimin e Diellit, të cilat do t’i vendosim tek sheshi ‘Skënderbeu’ në Prishtinë. Organizata jonë gjithashtu do të shpërndajë syze solare falas për të gjithë pjesëmarrësit”, thuhet më tej në njoftim.

Po ashtu, bëhet e ditur se aktiviteti fillon nga 11:30 – 14:00.

Çka është eklipsi i diellit?

Një eklips i Diellit ndodh kur hëna del mes diellit dhe Tokës. Eklipsi, i njohur ndryshe si zënia e diellit, ndodh në fazën e hënës së re, por mund të paraqitet vetëm kur hëna e re gjendet afër ekliptikës.

Gjatë një viti, zakonisht ndodhin dy eklipse të Diellit. Eklipsi i diellit mund të zgjasë deri në 10 minuta. / KultPlus.com

Sociologu Paul Stubbs mban sot ligjëratë publike në Prishtinë

Sociologu Paul Stubbs mban sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës ligjëratë publike me temë “Jugosllavia socialiste brenda dhe pa kolonializëm: vetëqeverisja, vetëvendosja dhe mosinkuadrimi”.  

Dr. Paul Stubbs, është kërkues shkencor në Institutin e Ekonomisë, Zagreb (EIZ). Është autor i një varg botimesh që kanë të bëjnë me tema sociale për ish-Jugosllavinë dhe shtetet postkomuniste.   

Ligjërata mbahet sot, më 24 tetor,  nga ora 16:00 në BKK. / KultPlus.com

Përurohet renovimi i soliterave në Ulpianë, kryeshefja Albright e pranishme

Vajza e ish-sekretares amerikane të Shtetit Madeline Albright, Alice Albright, ka ardhur në Kosovë në cilësinë e drejtoreshës së Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), ndërsa do të jetë pjesë e një varg aktivitetesh të organizuara nga Fondacioni i Mileniumit të Kosovës.

Sot në mëngjes, Alice Albright ishte pjesë e përurimit të tri ndërtesave të renovuara në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe kryetari i Prishtinës Përparim Rama.

Bashkëpunimi në mes të MCC-së dhe Kosovës ka nisur në vitin 2017 me nënshkrimin e marrëveshjes për investimin e 49 milionë eurove në vend.

“Që nga viti 2004 MCC në bashkëpunim me 40 shtetet e botës i kanë ndihmuar gjithandej në botë për të shtyrë përpara rritjen ekonomike dhe zvogëlimin e varfërisë… MCC me Kosovën ka bashkëpunuar që nga viti 2017 kur kemi bërë nënshkrimin e marrëveshjeve, me Kosovën kemi punuar bashkërisht në furnizim në energji elektrike, në sundim të ligjit etj”, tha Albright.

Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier, tha se ShBA-ja do ta ndihmojë Kosovën në kapërcimin e krizës energjetike.

“Siç e dini kriza e energjisë që po ndodhë në botë është duke ndodhur edhe në Kosovë. Natyrisht ShBA është duke ndihmuar Kosovën. Këtu kemi një partneritet te fuqishëm, shpresojmë që banorët do ta keni një dimër më të ngrohtë”.

Ai shtoi se MCC ka investuar me 60 për qind për renovimin e soliterave, komuna e Prishtinës 30 për qind dhe banorët 10 për qind.

Ndërkaq kryetari i Prishtinës Përparim Rama, tha se pret që investime të ngjashme të bëhen edhe në ndërtesa të tjera të kryeqytetit.

MCC ka ndarë 11 milionë euro për kursimin e energjisë në Kosovë.

Puna në soliterat e Prishtinës, pritet të përfundojë pas dy javës javësh. / KultPlus.com

Nesër nis Festivali i Kafes dhe Çajit në Prishtinë

Nesër fillon Festivali i Kafes dhe Çajit në Sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.

Edicioni i 6-të i Festivalit të Kafes dhe Çajit do të mbahet për tri ditë radhazi.

“Nga nesër, 11 tetor 2022 për tri ditë radhazi, brendet e reja që e dominojnë tregun vendor dhe të huaj do të ekspozohen në Sheshin ‘Zahir Pajaziti’, Prishtinë”, bëhet e ditur në njoftim.

Tutje thuhet se programi i pasur dhe ngjarjet tjera interesante kulturore do të krijojnë kushte ideale për një festival të paharrueshëm./ KultPlus.com

Producenti dhe skenaristi i njohur amerikan, Webster Stone, sot me ligjeratë në Prishtinë

Në Fakulteti e Arteve në Universitetin e Prishtinës, sot do të mbahet një ligjeratë për studentët e Arteve Dramatik me producentin dhe skenaristin e njohur amerikan Webster Stone, përcjell KultPlus.

Të gjithë studentët që vijojnë studimet në departamentin e Dramaturgjisë, sot do te kenë mundësin të dëgjojnë ligjëratën dhe po ashtu do të kenë rastin të bashkëbisedojnë për funksionimin e kinematografisë në Hollywood, dhe për sfidat dhe përparësitë e kineastëve.

Së bashku me producentin Webster Stone do të jetë edhe regjisori shqiptar Bujar Alimani të cilët së bashku do të ndajnë përvojat e tyre para studentëve pjesëmarrës.

 Takimi do të mbahet në Teatrin e studentëve, sot, më 10 tetor në ora 14.00. / KultPlus.com

E tmerrshme: Dy të panjohur e fusin në veturë një vajzë dhe e sulmojnë seksualisht

Një vajzë ka njoftuar policinë se në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë, me 28 gusht, dy të panjohur e kanë futur në veturë me forcë ku është sulmuar seksualisht.

Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, teksa nuk raportohet për të arrestuar.

Sipas policisë, rasti është duke u hetuar.

Njoftimi i plotë i policisë:

SULM SEKSUAL/Rr. Agim Ramadani, Prishtinë 28.08.2022 – 16:00. Viktima femër kosovare ka informuar se dy persona të pa njohur e kanë futur me forcë në veturë dhe më pas e kanë sulmuar seksualisht. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente policore. / Express / KultPlus.com

Të arrestuarit për dhunimin e 11-vjeçares janë vëllezër mes vete, publikohet dosja e rastit

Dy të dyshuarit e arrestuar për dhunimin e vajzës 11-vjeçe janë vëllezër mes vete. Dhunimi i vajzës, sipas dosjes së Prokurorisë Themelore të Prishtinës, të cilën e posedon Gazeta Express, ka nisur të shtunën në parkun në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, për të vazhduar në një lokacion tjetër të panjohur. Në dosjen e prokurorisë përshkruhen detaje tronditëse.

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka kërkuar paraburgim ndaj 26 vjeçarit E.R., dhe një të mituri, vëllezër mes vete, si të dyshuar për dhunimin e vajzës 11-vjeçare. Teksa në arrati ndodhen edhe Xh.S., dhe G.J.

Sipas prokurorisë, i pandehuri E.R, 26-vjeç, ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e të dëmtuarës, “në atë mënyrë që të pandehurin fillimisht e kishte thirrur në telefon vëllai i tij, i mitur., pastaj i pandehuri ka shkuar me “Pickup” tek parku në lagjen “Arbëria” në Prishtinë dhe e ka marrë me veturë vëllain e tij dhe të dyshuarit Xh.S., dhe G.J., të cilët ndodhen në arrati dhe të dëmtuarën. Pastaj rrugës tek varrezat kanë zbritur i mituri dhe, dhe Zh.S., ndërsa i pandehuri së bashku me G.J,.dhe të dëmtuarën janë larguar me veturë, ashtu që pas pak E.R., ka ndaluar veturën në një vend të panjohur dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me të dëmtuarën. Edhe pse e ka ditë që e dëmtuara është nën 14-vjeç”, përshkruhet në kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj tij.

Aty shkruan se nga deklarata e të miturës dhënë në polici me datën 28.08.2022 rezulton se “përderisa e mitura ka qenë në park, i janë afruar tre persona, ku kanë filluar ta ngacmojnë me fjalë, ku e dëmtuara ka vazhduar të ecë por më pas njëri ka filluar edhe ta prekte”.

“Më pas të njëjtit, sipas viktimës, kanë vazhduar që ta ndiqnin dhe njëri nga ta e ka tërhequr me një qosh dhe të dy kanë filluar t’ia heqnin rrobat. Personi me maicë të bardhë ia ka kapur duart ndërsa perosni tjetër ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj. Kur e dëmtuara ka filluar të bërtasë ata ia kanë mbyllur gojën dhe marrëdhënia ka ndodhur në këmbë. E dëmtuara ka deklaruar që pasi ka përfunduar njëri marrëdhënien e ka filluar tjetri” thuhet në përshkrimin e rastit që ka bërë prokuroria, transmeton Gazeta Express.

Më pas sipas saj, ka ardhë një automjet “pickup” ku dy persona janë ulur mbrapa dhe viktima përpara. Ajo ka deklaruar se edhe shoferi i veturës ka kryer marrëdhenie me të.

Ky rast është përfshirë edhe në raportin e sotëm të Policisë së Kosovës, ku thuhet se pas intervistimit viktima është dërguar në strehimore.

“DHUNIM /Prishtinë 27.08.2022-17:30-00:30. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se pesë persona të dyshuar kanë kryer veprën  e lartcekur  ndaj viktimës femër kosovare. Lidhur me rastin pas intervistimit viktima është dërguar në strehimore, ndërsa dy të dyshuar meshkuj kosovarë  janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit të njëjtit janë dërguar në mbajtje. Rasti në procedurë hetimore”, thuhet në raportin e PK-së.

Seanca dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 26-vjeçarit është mbajtur sot pas orës 13:00. /Gazeta Express/ KultPlus.com

Gazetari britanik pasi shoferi i autobusit ja kthen telefonin e humbur në Prishtinë: Tipike shqiptare

Gazetari britanik, Marc Perry i cili po qëndron në Kosovë ka treguar një histori që i ka ndodhur këto ditë në Prishtinë. Ai rrëfen se pasi ka harruar telefonin në një autobus në Prishtinë, shoferi i autobusit  e ka bërë një milje shtesë për të ia kthyer telefonin atij.

Në llogarinë e tij në Twitter, ai thekson se kjo nuk është hera e parë që gjësendet e humbura i kthehen nga vendasit.

“Sot e harrova telefonin në një autobus të Prishtinës. Një shofer autobusi hero i quajtur (Haki?) bëri një milje shtesë për të ma kthyer atë. Si harrestar, nuk është hera e parë që kam humbur gjëra dhe që më janë kthyer nga vendasit. #tipike #shqiptare #kosovo”, shkruan Perry. / KultPlus.com

“Hyjneshat”, eventi i parë i Manifesta Nights mbahet këtë të premte

Në kuadër të Manifesta 14 do të mbahet eventi i parë i Manifesta Nights që feston jetën e natës së Prishtinës që njihet për shpirtin eksperimentues dhe mbështetjen ndaj shprehjes së lirë.

Manifesta Nights organizohet dhe mbahet në bashkëpunim me kolektivet e Prishtinës.

Eventi mbahet ditën e premten me fillim nga ora 20:00, në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve.

“Nisim natën e parë, të premten e ardhshme në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve me Hyjneshat – një kolektiv queer nga Kosova që njihen për përpjekjet dhe punën e shkëlqyer që zhvillojnë në mbështetje të skenës LGBTQ+ në vend. Prisni muzikë live, performanca drag dhe Dj sete. Eventi është falas e të gjithë jeni të ftuar!, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

Në kuadër të Manifesta 14 do të mbahet eventi i parë i Manifesta Nights që feston jetën e natës së Prishtinës që njihet për shpirtin eksperimentues dhe mbështetjen ndaj shprehjes së lirë.

Një ditë në QKUK: Në burgje ushqimi është 100 fish më cilësor se ushqimi për lehonat

Nga Adelina Berisha

Një ditë në QKUK, Spitali gjinekologjik. Ushqimi për lehonat:

Mëngjesi: Dita 1: Bukë me marmelatë dhe 1 gote çaj ose qumësht. Dita 2: Bukë me qokokrem dhe 1 gotë çaj ose qumësht. Dita 3: 1 ve e zier, 1 copë djathë. Përsëritet në ditët në vijim.

Dreka: Supë kryesisht miell me ndonjë copë mish të bluar. Vështirë të dihet çka përmban. Qorbë me patate (kryesisht ujë, patate pak biber të kuq). Pire dhe gullash (gullash sërish miell me disa copa të vogla mishi). Përsëritet.

Darka: Shpageta, makarona të ziera që duken si qorbë, qorbë me patate (kryesisht ujë, patate pak biber të kuq)..

E pastaj nga këto lehona pritet të jenë të forta ta ushqejnë foshnjën me qumësht gjiri veçanërisht në rastet kur fëmijët janë në repartin e neonatologjisë për javë të tëra, apo fëmija është në kujdes intensiv e ka nevojë për qumësht sa më cilësor, të pajisur me proteina, vitamina, minerale etj.

Me kushtet që ky vend u ofron lehonave, është çudi si ne gratë po vazhdojmë të lindim fëmijë.

P.S. në burgje ushqimi është 100 fish me cilësor. / KultPlus.com

Pas përfundimit të Sunny Hill, organizatorët: Po bëhemi vulë e skenës kulturore të Kosovës

Sunny Hill Festival për katër ditë me radhë u bë kryefjala e kryeqytetit. Mijëra qytetarë nga e gjithë bota u bënë pjesë e festivalit për të dëgjuar artistët e tyre të preferuar.

Për të falënderuar të gjithë ata që u bënë pjesë e këtij festivali, organizatorët kanë dalë sot me një falënderim të përgjithshëm në faqen zyrtare duke thënë se ky festival po bëhet marka e skenës kulturore të Kosovës.

“Përjetimi i katër lindjeve të diellit së bashku ka qenë i jashtëzakonshëm! Në rrugëtimin tonë drejt bërjes së këtij festivali vulë të skenës kulturore të Kosovës, ne s’mund të jemi më shumë mirënjohës për dashurinë dhe emocionin tuaj që u ndie në ajër. Sunny Hill Festival është shtëpia jonë e përbashkët. Vend lirie dhe bashkimi. FALEMINDERIT që realizuat ëndrrën tonë të përbashkët!”.

Për katër ditë me radhë në skenën që u ngrit në parkun e Gërmisë performuan shumë artistë ndërkombëtarë dhe vendorë, përfshirë Dua Lipën, J Balvin, Diplo, Skepta, Ledri Vula, Elvana Gjata, Dhurata Dora e shumë të tjerë. / KultPlus.com

Prishtina së shpejti pajiset me autobusë të rinj dhe elektrikë

Komunës së Prishtinës së shpejti pritet t’i shtohen edhe disa autobusë të rinj, në mesin e tyre do të ketë edhe autobus elektrik. Po ashtu zyrtarët komunal kanë paralajmëruar edhe ngritjen e çmimeve të biletave për autobusët urban në Komunën e Prishtinës.

Kryeqytetit shumë shpejt pritet t’i shtohet  edhe 30 autobusë të rinj, që do të operojnë brenda kryeqytetit në bazë të planit të mobilitetit në linjat qendrore, ka bërë me dije për Radio Kosovën Halil Halili nga sektori i mobilitetit në Komunën e Prishtinës.

“Prej këtyre 30 autobusëve në mesin e tyre do të jenë edhe disa elektrik. Në bazë të planit të mobilitetit do të riorganizohen linjat qendrore në rrugët kryesore të lagjeve të ndryshme të qytetit. Ku do të qarkullojnë në zona të caktuara dhe do të mbulojnë rrjetin e linjave ekzistuese deri në riorganizim të transportit”, tha ai.

Halili, tutje tha se kanë bëre kalkulime në lidhje me çmimet e biletave dhe kanë dalë me rezultate që është e pamundur të operojnë me çmimin aktual të derivateve.  

“Tash jemi në një trend ku ka ngritje të çmimeve të ndryshme sidomos të derivateve, dhe  këto ngritje qe janë bërë nuk mundemi t’i mbulojmë ne për trafikun urban dhe për këtë kemi shqyrtua mundësinë për me ngrit çmimin e biletës me një kosto të përballueshme për qytetarë”, shtoi ai.

Sipas tij, me ardhjen e autobusëve të rinj, do të këtë biletë të integruar, biletë javore, mujore si dhe vjetore, ku do të jetë një kompani përgjegjëse vetëm për transportin publik./ Express / KultPlus.com

“Andrrat e thyera” në zemër të Prishtinës, u dedikohet grave të vrara nga burrat

Arti është mjeti më i mirë për të reaguar ndaj problemeve shoqërore.

Prishtinës i është shtuar një mural i ri përmes së cilit synohet të ngritet vetëdija për vrasjen e grave dhe dhunën me bazë gjinore.

“Andrrat e thyera” u dedikohet të gjitha grave dhe vajzave që janë vrarë nga burrat apo partnerët e tyre.

Veprat e tilla të artit janë një mënyrë e fuqishme për të bërë të dukshme çështjen e vrasjeve të grave, dhe për të sfiduar normat dhe stereotipet që e justifikojnë dhunën e që janë të rrënjosura thellë në sistemin patriarkal në Kosovë.

Murali është realizuar nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore së bashku me artisten/piktoren e mirënjohur Fitore Berisha Alisdottir, ndërsa projekti është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës dhe UN Women. / KultPlus.com

Dua Lipa publikon foto nga Gërmia: Ja ku jam

Këngëtarja me famë botërore Dua Lipa ka arritur në Prishtinë dhe si duket menjëherë është drejtuar drejt parkut të Gërmisë për të parë nga afër përgatitjet e fundit dhe skenën ku do të ngjitet nesër, shkruan KultPlus.

Lipa ka publikuar një foto nga Gërmia ku ka shkruar: Ja ku jam.

Kujtojmë se Dua Lipa do të performojë në natën e parë të festivalit Sunny Hill i cili do të mbahet në Parkun e Gërmisë më datat 4, 5, 6 dhe 7 gusht.

Lipa gjithashtu nesër do të mbajë një konferencë për media, duke filluar nga ora 14:00 ne hotel Emerald. / KultPlus.com

Një muaj paraburgim për 50-vjeçarin që dyshohet se sulmoi seksualisht 6-vjeçaren në Prishtinë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit H.M, i cili dyshohet për sulm seksual ndaj një 6-vjeçarje në Prishtinë.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, Gjykata ka treguar arsyet pse ia ka caktuar paraburgimin.

“Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokurores së Shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit H.M, e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, të pandehurit H.M masa e paraburgimit i caktohet në bazë të nenit 187 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 dhe 1.2 pika dhe 1.2.3 të KPPRK-së.

Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, mënyra dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale ku dyshohet se është kryer ndaj viktimës së ndjeshme – e mitur dhe me lënien në liri të të pandehurit ekziston rreziku i ikjes, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale,ndikimit në dëshmitarë andaj masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë preventive që do të parandaloj të pandehurin në përsëritjen e veprës penale të njëjtë apo të ngjashme”, thuhet në komunikatë.

Komunikata e plotë:

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti pë Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit H.M për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Sulm seksual nga neni 229 paragrafi 6 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokurores së Shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit H.M, e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, të pandehurit H.M masa e paraburgimit i caktohet në bazë të nenit 187 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 dhe 1.2 pika dhe 1.2.3 të KPPRK-së.

Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, mënyra dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale ku dyshohet se është kryer ndaj viktimës së ndjeshme – e mitur dhe me lënien në liri të të pandehurit ekziston rreziku i ikjes, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale,ndikimit në dëshmitarë andaj masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë preventive që do të parandaloj të pandehurin në përsëritjen e veprës penale të njëjtë apo të ngjashme.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit./ Express / KultPlus.com

Artisti Christian Nyampeta e rikthen për 100 ditë kinemanë e braktisur të Kino Rinisë

Prishtina është shndërruar në një fole të artit. Ngjarja më e madhe ndërkombëtare e artit bashkëkohor, “Manifesta 14 Prishtina” ka sjellë artistë nga gjithë bota të cilët kanë lënë gjurmët e tyre në pjesë të ndryshme të Prishtinës, shkruan KultPlus.

Pothuajse në çdo kënd të kryeqytetit ju mund të takoheni me një ndërhyrje artistike që vjen nga Manifesta.

103 pjesëmarrës nga e gjithë bota po presin që puna e tyre të vizitohet e të pëlqehet nga publiku.

Sot, po ju prezantojmë me artistin, regjisorin dhe shkrimtarin Christian Nyampeta.

Në kinemanë e braktisur të Kino Rinisë, Christian Nyampeta prezanton për çdo orë shfaqje të filmit të tij Sometimes It Was Beautiful, si dhe fragmente nga puna e tij e ardhshme, Lovers in a Dangerous Spacetime. Pjesë e instalacionit janë poashtu karriget e falura nga shumë njerëz të ndryshëm nga Prishtina.

Kjo ndërhyrje, së bashku me pjesën tjetër të programit është e hapur çdo ditë, përveç të hënës, nga ora 10.00-20.00. / KultPlus.com

“Pietro Marubbi, një fotograf në Shqipërinë osmane”, udhëton në Prishtinë

“Pietro Marubbi, një fotograf në Shqipërinë osmane”, kështu titullohet ekspozita e Muzeut Marubi në Manifesta 14, në Muzeun Etnologjik të Prishtinës.

Ekspozita e cila instalohet në një banesë me arkitekturë orientale, na kujton stilin e strukturës ku Marubi erdhi e ndërtoi studion e tij fotografike. Koncepti kuratorial i ekspozitës ashtë i bazuar në një përzgjedhje imazhesh që na tregojnë edhe për marrëdhëniet ndërmjet refugjatëve italiane në Shkodrën e shek. XIX.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në 30 tetor të këtij viti dhe realizohet në kuadër të bienales nomade e cila për këtë vit i takon Prishtinës.

Manifesta, Bienalja Europiane e Artit Bashkëkohor, e ndryshon vendndodhjen e saj çdo 2 vjet. Kjo bienale përpiqet të qëndrojë larg atyre që njihen gjerësisht si qendra që prodhojnë art, duke e kërkuar atë në terrene të freskëta e më të begata. Kjo është dhe njëra nga arsyet përse u përzgjodh Prishtina për edicionin e saj të 14-të. / KultPlus.com

‘Manifesta 14’ hapet në kryeqytetin më të ri në Evropë

Sot, më 21 korrik, Manifesta, edicioni i 14-të i Bienales Nomade Evropiane është hapur në Prishtinë, Kosovë.

Nga data 22 korrik deri më 30 tetor, Manifesta 14 Prishtina prezanton një program 100 ditor të përbërë nga ndërhyrje të shumta artistike dhe urbane, shfaqje, ngjarje dhe punëtori. Programi i Manifesta 14 i përgjigjet thirrjes së qytetit të Prishtinës, por edhe nevojës globale për të rikthyer dhe rimenduar hapësirat publike. Një Vizion Urban dhe ndërhyrjet urbane nga CRA-Carlo Ratti Associati, një seri konsultimesh me qytetarët dhe projekte të thelluara kërkimore nga ekipi i Edukimit i Manifesta 14, kanë frymëzuar një program artistik dhe urban shumështresor. Nën titullin, ka rëndësi se çfarë botësh bota botëron: si të rrëfejmë tregime ndryshe, programi u zhvillua bashkë me ekipin e Manifesta 14 nga Ndërmjetësuesja Kreative Catherine Nichols në bashkëpunim të ngushtë me kolektive vendase, artistë, studiues, arkitektë dhe aktivistë

Statistika kyçe

Manifesta 14 ka një program rrënjësisht vendor: nga 103 pjesëmarrësit, ku përfshihen 25 kolektive, 39% kanë origjinë nga Kosova, numri më i madh ndonjëherë i pjesëmarrësve vendas i të gjitha edicioneve të Manifesta. Një tjetër 26% të pjesëmarrësve janë nga Ballkani Perëndimor, që do të thotë se 65% e totalit të pjesëmarrësve vijnë nga rajoni. Më tej, 56% e pjesëmarrësve individualë janë gra dhe 3% janë non-binary / jo-binar.

Hapësirat e Manifesta 14 Prishtina

Nëpër 25 hapësira publike dhe gjysmë publike në Prishtinë, nga Hamami i Madh i epokës osmane deri te Pallati i Rinisë dhe Sporteve i kohës së Jugosllavisë, programi më së miri eksplorohet nga shtigjet e Manifesta 14. Përmes këtyre shtigjeve vizitorët mund të shohin zhvillimin e vazhdueshëm urban të këtij kryeqyteti të ri, social e dinamik. Nëpërmjet angazhimit të saj me një sërë vendesh të ndryshme – secila me historitë e veta unike, Manifesta 14 Prishtina tërheq vëmendjen ndaj nevojës dhe përdorimit të hapësirës publike brenda peizazheve urbane. Ndërhyrjet kryesore urbane përfshijnë Korridorin e Gjelbër, i cili lidh dy anët e qytetit me një shteg të qëndrueshëm të lëvizshmërisë dhe hap qasje në laboratorin e të mësuarit eko-urban të zhvilluar nga raumlaborberlin për Manifesta 14 Prishtina në ish-Fabrikën e Tullave.

Për herë të parë në historinë tre dekadeshe të Manifesta, Manifesta 14 ka krijuar një institucion të përhershëm ndërdisiplinor kulturor, Qendrën për Praktikë Rrëfyese, e vendosur në mjediset e ish-bibliotekës “Hivzi Sulejmani”. Ky është rezultat i një ndryshimi të rëndësishëm në qasjen institucionale të Manifesta, duke u përqendruar në krijimin e një ndikimi afatgjatë në infrastrukturën lokale dhe ekosistemin kulturor në Qytetin Mikpritës. Me këtë edicion, Bienalja Nomade Evropiane ka formuar gjithashtu një rrjet rajonal dhe program të ngjarjeve përmes Manifesta 14 Prishtina – Projekti i Ballkanit Perëndimor, duke lidhur programin e Prishtinës me ato të partnerëve kulturorë që vijnë nga i gjithë rajoni.

Katër shtyllat

Programi i Manifesta 14 është i përqendruar rreth katër shtyllave: 1) Qendra për Praktikë Rrëfyese me hapësirën e saj Edukative të quajtuar Oaza, 2) ish-Fabrika e Tullave, 3) Grand Hotel Prishtina dhe ekspozita e saj tematike në shtatë kate dhe 4) shtigjet që lidhin 25 hapësirat mes ndërhyrjeve artistike dhe urbane të shtrira në të gjithë qytetin. Të gjitha këto janë thurur në një itinerar të kompozuar mirë, që bashkon të gjitha elementët ndërdisiplinore të Manifesta 14 Prishtina në një program koheziv, duke i lejuar vizitorët të njihen me historitë e vendeve në të cilat prezantohen ndërhyrjet artistike. Rreth këtyre katër shtyllave, programi tenton të transformojë modelin e bienales në një katalizator pjesëmarrës dhe bashkëpunues për ndryshimet shoqërore. Ju lutemi, shihni aneksin dy për më shumëdetaje mbi secilën nga këto katër shtylla.

Kosova dhe marrëdhënia e saj me Evropën

Ndërhyrjet artistike dhe urbane të Manifesta 14 Prishtina, duke përfshirë ekspozitën tematike të titulluar The Grand Scheme of Things, i kërkojnë vizitorit të marrë parasysh shtysën politike të rrëfimitarisë. Në një botë në të cilën shkëmbehen idetë lirshëm, në një bienale përplot me tregime – çfarë do të thotë për të rinjtë dhe komunitetin artistik të një vendi të jetojnë me kufizime udhëtimi në zonën Shengen? Mungesa e liberalizimit të vizave do të thotë se komunitetet kulturore dhe artistike të Kosovës përballen me pengesat më themelore, të cilat kurizojnë kapacitetin e tyre për të zhvilluar dhe mbajtur dialog konstruktiv me pjesën tjetër të Evropës, e gjithashtu me pjesën tjetër të botës. Si Bienalja Nomade Evropiane, përmes ndërhyrjeve urbane dhe artistike në të gjithë Prishtinën, Manifesta trajton marrëdhëniet e Kosovës me Evropën. Nëpërmjet sinergjisë së pjesëmarrësve ndërkombëtarë dhe vendorë, Manifesta 14 shpreson jo vetëm të vendosë në qendër të vëmendjes talentet e nënpërfaqësuara të rajonit, por edhe të krijojë dhe hapë rrjete të reja për komunitetet artistike dhe kulturore të Kosovës. Stimulimi i bisedimeve ndërmjet kulturave të ndryshme ka qenë thelbësor për të gjitha edicionet e Manifesta; për Manifesta 14 Prishtina, ne përpiqemi të zhvillojmë dhe mbështesim diskutimet kulturore dhe debatet sociale – për të hapur pjesën tjetër të Evropës dhe botës ndaj Kosovës, në mënyrë që bota të ketë mundësinë të shohë gjithçka që Kosova ka për të ofruar. Manifesta 14 Prishtina është pa pagesë dhe e hapur për 100 ditë, deri më 30 tetor 2022. / KultPlus.com

Në emër të kryeqytetit, kryetari Përparim Rama i dhuron mirënjohje Merita Halilit dhe Raif Hysenit

Më 21 korrik në sheshin e Prishtinës, këngëtarët Merita Halili dhe Raif Hyseni do të mbajnë një koncert për adhuruesit e muzikës së tyre.

Kjo është edhe arsyeja kryesore që e solli çiftin në Prishtinë ku po qëndrojnë tash e disa ditë.

Ndërsa sot i ka pritur në takim kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama i cili edhe i nderoi me mirënjohje.

Rama është shprehur se është kënaqësi e veçantë të presësh ikonat e muzikës qytetarë shqiptarë, siç janë Merita Halili e Raif Hyseni.

“Kënaqësi e veçantë të prisja ikonat e muzikës qytetare shqiptare, znj. Merita Halili e Raif Hyseni.  Për të nderuar angazhimin e tyre të vazhdueshëm në promovimin e kulturës e traditës shqiptare, në emër të Kryeqytetit u dhuruam nga një Mirënjohje”, ka shkruar Rama. / KultPlus.com

RLIOF sjell në Prishtinë harpistin e njohur italian Antonio Ostuni për një mbrëmje gala

“Ramë Lahaj International Opera Festival”, festivali i parë Operistik në Kosovë po bënë përgatitjet e fundit për të sjell një edicion special që pritet të ngjallë emocione të forta te publiku. Artistët që do të jenë pjesë e këtij festivali, janë artistë të dëshmuar dhe me magjinë e tyre do ta përthekojnë secilën natë të këtij edicioni, shkruan KultPlus.

Themeluesi i këtij festivali, tenori i famshëm, Rame Lahaj është kujdesur që të sjell sa më shumë veçanti e madje edhe të mbuloj zbrastësitë që ekzistojnë në skenën tonë muzikore.

Duke pas parasysh mungesën e madhe në Kosovë dhe rajon të një instrumenti shumë specifik siç është Harpa, RLIOF këtë vit po sjell në Prishtinë harpistin e shquar italian Antonio Ostuni i cili do t’i bashkohet Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës në një mbrëmje gala “Rame Lahaj & Friends” dhe njëkohësisht do të mbajë një Masterclass 3 ditor me studentët e Harpës dhe Pianos.

Lahaj ka njoftuar se Masterclass-i do të zhvillohet në Sallën e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në datat:

25 korrik / 19:30 – 21:00

26 korrik / 16:00 – 18:00

27 korrik / 16:00 – 18:00

“Ftojmë Harpistë e Pianistë të na bashkohen përgjatë 3 ditëve në workshop rreth këtij instrumenti kaq delikat e magjepsës”, ka shkruar Rame Lahaj./ KultPlus.com

“Prishtina Gastronomy Festival” për plotë 11 ditë do të bëjë që tradita shqiptare të ndjehet në çdo kënd të festivalit

Vetëm edhe pesë ditë na ndajnë nga festivali më i madh i gastronomisë mbarë shqiptare “Prishtina Gastronomy Festival”.

Njëmbëdhjetë net ushqim, muzikë e argëtim ju presin në këtë edicion në “Prishtina Gastronomy Festival” që vjen me shumë artistë vendor e ndërkombëtar.

Motoja “Bukë e kripë e zemërbardhë” e përmbushur me program, do të bëj që tradita shqiptare të ndjehet në çdo kënd të festivalit, me ushqimet tradicionale si flijat e qebapët, me muzikën shqiptare, sa të Prishtinës, e Dukagjinit, të Tiranës, e Vlorës, e pa harruar edhe meloditë arbëreshe nga Italia.

Do ta ndjeni bashkimin kombëtar si asnjëherë më parë, me Vlorën që ngrit flamurin në Prishtinë, e Tiranën që i këndon bashkëqytetarëve në zemër të Prishtinës, e nën flladin strugian do të mund të këndoni edhe serenata korçare.

Dhjetë plus një, po fiks njëmbëdhjetë ditë e net, në sheshin “Adem Jashari” në Prishtinë, do të ketë bashkim të shqiptarëve nga gjitha trojet tona, do të ketë ndërlidhje të kulturave të pasura shqiptare mes vete, por jo vetëm. Gjatë tërë festivalit do të ketë përveç atyre tradicionale, edhe ushqime moderne, internacionale, e pjata speciale nga kuzhinierë të njohur italian, e turq. Pra secili nga ju e ne do të ketë mundësinë të provojë shumëllojshmëri të kulturave të ushqimit, e t’i shijoj ato me pije.

Pjatat e prezantuara, shumëllojshmëria e produkteve, mjeshtërit e muzikës, si dhe pjesëmarrja e njerëzve të të gjitha moshave e bëjnë këtë festival të veçantë dhe të pa harruar.

Hapja e Festivalit do të bëhet nga Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dhe Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

Prishtina Gastronomy Festival do të mbahet nga data 21 deri me 31 korrik në sheshin “Adem Jashari” në Prishtinë, duke filluar nga ora 17:00 deri në 23:00. Ndërsa biletat dalin në shitje sot nga ora 13:00.

Më poshtë të bashkëngjitur e gjeni programin e muzikës. E së shpejti do të prezantohet edhe programi i ushqimit. / KultPlus.com