Shqipëria, 324 mijë vizitorë më shumë se një vit më parë

Shqipëria ka mikpritur 324 mijë vizitorë më shumë se një vit më parë vetëm gjatë muajve janar-korrik.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama i cili ka uruar një ditë të mbarë përmes një videoje ku shfaqen bukuritë kulturore dhe natyrore të Shqipërisë.

“Mirëmëngjes dhe me këto pamje mahnitëse të Shqipërisë turistike, që vetëm gjatë muajve janar-korrik ka mikpritur 324 mijë vizitorë më shumë se një vit më parë, ju uroj një ditë të bukur”, shkruan kryeministri Rama në Facebook./ KultPlus.com

“Lufta” Turqi-SHBA: TRT-ja nuk do të shfaqë më filma amerikanë me kaubojë

Stacioni televiziv shtetëror i Turqisë, TRT, nuk do të shfaqë më filma amerikanë me kaubojë.

Vendimi ka lidhje me krizën aktuale midis SHBA dhe Turqisë, thonë mediat turke.

SHBA-ja ka kërkuar lirimin e qytetarëve që mbahen të burgosur në Turqi, përfshirë pastorin ungjillor Andrew Brunson dhe kanë vendosur sanksione ndaj dy diplomatëve turq dhe tarifa për importet e metaleve nga Turqia, shkruan BW.

Turqia është kundërpërgjigjur me masa të ngjashme.

Lira turke pati një rënie të ndjeshme javët e fundit si rezultat i kësaj situate.

“Filmat me kaubojë do të zëvendësohen nga produksione vendase të mbështetura nga Ministria e Kulturës”, raportojnë mediat lokale./ KultPlus.com

Shkrimtari politikan

Shkruan Ilir Muharremi.

Fuqia e shkrimtarit të mirë është atëherë teksa ai rrëfen e ne dëgjojmë veten tonë. Madhështia e tij shfaqet atëherë kur ngre urë mes botës së lexuesit (imagjinative) dhe ngjarjes (reale) që e kemi përballë.

Kur shkruan një shkrimtar, në fillim është si punë e heshtur pastaj i qëndron përballë zënkave dhe grindjeve të shekullit tonë. Vargjet ngadalë duhet të krijojnë debat me botën.

Nëse shkrimtari mohon politikën, atëherë pështyma i kthehet teposhtë. Pas zbardhjes së mëngjesit, shkrimtari mund të takojë shumë njerëz, nëse takon politikan të pasjellshëm, të pabesë, ajo prapë është raca e tij, krijesa si ai, është gjaku, eshtrat, mishi dhe tuli i tij, janë “pjesë të hyjnisë”, sepse njeriu u lind për të bashkëpunuar me njeriun. Më lehtë ecim me dy këmbë, më lehtë i lajmë duart me dy duar, shumë lehtë i lëvizim dy sy dhe dy qepalla, po ashtu edhe dhëmbët e poshtme me ato të sipërme i lëvizin më lehtë kur janë dy.

Njeriu nuk mundet pa njeriun. Bashkëjetesa, dialogu, konflikti janë forma më të larta kozmike te njeriu. Shoqëria, politika janë akoma më të rëndësishme për bashkëpunimin ndërmjet shkrimtarit dhe politikanit. Ja disa vargje interesante të Oktavio Paz: “Dy trupa ballë për ballë/ janë shpeshherë dy dallgë/ dhe nata është oqean/ dy trupa ballë për ballë/ janë dy trupa qiellorë që bien/ në një qiell të zbrazët…” Pastaj vazhdon: “Duart e mia/ hapin perdet e qenies tënde/të veshin me një tjetër lakuriqësi/ zbulojnë trupat e trupit tënd. Duart e mia/i shpikin një trup tjetër trupit tënd…”. Arti është burrë politika është grua, por burri tenton të inkuadroj burrëri në politikë. Por, nëse bën politikë burri-arti, atëherë bëhet grua, politizohet. Nëse arti-burri tenton ta vesh gruan-politikën me një tjetër lakuriqësi, atëherë bën mirë, sepse mbjellë sinqeritet dhe forcë. Këtu fillojnë gradualisht ta zbulojnë njëri-tjetrin.

Si mund një artist të jetë politikan, ose një politikan të jetë artist i mirë? Ose te jetë i përkushtuar në letërsi. Unë besoj që mundet, por nuk mund t’i zmadhoj sukseset e tija. Do ngelet, as njëra e as tjetra. Shkrimit cilësor i duhet dhjetë orë në ditë punë intensive, ndërsa politikës njëzet orë punë intensive. Këtë askush s’mund ta bëj. Ai në fakt mund të jetë të dyja, por asnjëra në veçanti. Mund të themi se kishim politikan të fortë dhe shkrimtarë të mirë, lexues të sjellshëm dhe vlerësues të shkrimit, por jo ndërkombëtarisht shkrimtar të fortë dhe politikan të fortë.

Shkrimtari-politik nëse qëndron shumë pranë librit, ai nxitë ide kulturore, por prapë shtypet nga rrethanat politike, e rezultati ku na shpie? Dikund po: politikan mediokër, letrar i dështuar. Edhe nëse e përdorë politikën me metoda tjera, prapë jeta letrare nuk shfaqet ashtu e fuqishme. Është i dobët në të dyja dhe populli vuan pasojat.

Nëse shteti rrezikohet artisti-politikan nuk mund të rri duarkryq pranë librit, ai kyçet në aksion dhe mbrapa lë letërsinë. Njohurit politike nuk janë në nivel si ato letrare. Ky njeri jeton dikund në mes të dyjave asnjërën nuk e përkryen.

Libri i tij çfarë mund të jetë? Zbulim, udhërrëfim, diçka që e kulturon popullin? Natyrisht se jo sepse të jetë zbulim duhet dhjetë orë punë, e këtë nuk e ka artisti-politikan. Cili libër i tij arriti në përmasa botërore? Asnjëri. “Punoj dhjetë orë në ditë”, shkruan shkrimtari i madhe Orhan Pamuk.

Artisti-politikan në fushën e letërsisë nuk mund të ketë ndonjë shenjë dalluese, veçanti ose të shkruarit tërheqshim. Pastaj cilat janë ato tekste letrare që mund t’i shquajmë për ndonjë thellësi mendimi, estetikë, trajtim të veçantë, fjali me peshë si gurët? Bile një roman, një poezi, një ese që njihet ndërkombtarisht. Jo nuk ekziston kjo. Ose veprat letrare të tija të kenë frymë moderne. Ose studimet e tija të bëheshin si referenca për studiuesit vendor dhe të huaj. As kjo nuk ndodhi.

Kishte ndoshta fuqinë politike të ngjiste letërsinë tonë jashtë kufijve dhe ta zhvillonte. Por, as kjo nuk ndodhi. Kam një përshtypje se veprat letrare i lexoi vetëm në forma të fragmentuara. Nuk mundi ta ngjis fuqinë estetike të të shprehurit në një horizont të së bukurës. Letërsia shqipe u pasurua vetëm me Ismail Kadarenë.

Asnjëherë nuk arriti ta kultivonte ndonjë vepër origjinale, ose prurje të reja dhe zbulim. Kjo letërsi nuk i përket aspak avancimit cilësor e cila i ndihmon shtegut letrarë dhe atij global. Jo për fat të keq nuk ndodhi.

Sekreti të jesh shkrimtar i mirë

Duhet vetmi shumë vetmi. Të shkruash me gjak, të zbulosh një person tjetër brenda teje. “Shkrimi më sjell ndërmend në radhë të parë, jo romanet, poezinë, traditën letrare, por njeriun që, i mbyllur në dhomën e tij, mbyllet në vetvete, i vetëm me fjalët, dhe duke bërë këtë, hedh themelet e një bote të re.”, shkruan Orhan Pamuk. Gjithmonë një prurje e re, ndërsa letrari-politikan nuk ka kohë, durim të qëndroj pranë kompjuterit e të niset me makinë drejtë një rruge me mjegull nga e cila nuk mund të kthehet, por vetëm të vazhdoj para. “Duke shkruar, ai mund të tymosë, të pijë kafe ose çaj. Herë pas here mund të hedhë një sy jashtë, nga dritarja, mbi fëmijët që luajnë në rrugë – nëse e ka këtë fat, mbi pemët, mbi një peizazh – ose dhe mbi një mur qorr. Ai mund të shkruajë poezi, teatër ose siç unë, romane.”, tregon Pamuk. Sipas tij, Të gjitha këto larmi janë dytësore në lidhje me aktin thelbësor të të ulurit në një tavolinë, dhe të të zhyturit në vetvete.

Unë kam shkruar poezi, shkruaj drama, ese dhe romane dhe e ndjej në vete se shpirti nuk ka gjuhë, por ne i kemi fjalët që e përkthejnë vështrimin e brendshëm. Duhet durim të madh nëse tentojmë të hulumtojmë në brendësinë tonë, këmbëngulje, pastaj mendimi i të krijuarit i një bote të re.

Shkrimtari ulet në tavolinën tij të punës, përpara në word ka fletën e bardh, ose vazhdon fragmentet e më hershme, këtë e bën me ditë, muaj, edhe vite derisa nuk e bind veten se ka ndërtuar një godinë ose urë të re e cila na mungon, pastaj gradualisht fillon të ndjejë diçka magjike në veten e tij, një kontakt me perënditë, ose sikur dikush tjetër jeton në shpirtin e tij dhe fillon të rreshtoj vargje.

Shkrimtarët kanë fuqinë e shprehjes së fjalës, ndërsa politikanët janë prostituta të ndershme. “Vetëm duke i marrë në dorë, duke i vlerësuar njëra me tjetrën, duke i hetuar nganjëherë së largu, nganjëherë përkundrazi duke i peshuar dhe përkëdhelur me majën e gishtave dhe të stilografit, është kjo që ne e vëmë secilën në vendin e vet, për të ndërtuar përgjatë vitit, pa humbur shpresë, pa u ndalur dhe me durim.” Shpjegon Pamuk.

Shkrimtarët shpesh ankohen se nuk kanë frymëzim, dhe ky art nuk qëndron te frymëzimi, por te inati, durimi dhe këmbëngulja. Nëse i aplikojmë këto, bëhemi shkrimtar të suksesshëm dhe veprat tona nuk pluhurosen në rafte. Nëse përpjekkemi, edhe universi bashkëvepron dhe na ndihmon në sukseset tona.

Shumë herë kur isha i lumtur me disa faqe të romanit tim, e ndjeja në brendësi se fjalitë kishin ardhur nga fuqia jashtë meje. Por, kur doja ta paraqisja komplet shpirtin tim, nuk munda të gërmoja saktë në thellësitë e fshehura, sepse përkthimi nuk ishte ai siç ishte në brendësi të shpirtit.

Megjithatë, shkrimtari i mirë e respekton vetminë në dhomën e tij. Ai çdo herë është i rrethuar nga librat, përvojat e të tjerëve, batuta ekstreme, të shkreta, të dhimbshme.. Shkrimtari i mirë duhet të besoj se letërsia është vepra më e çmuar e dhënë për ta kuptuar veten.

Kombet dhe shoqëritë njerëzore ngritën vetëm kur e marrin seriozisht letërsinë e tyre,ndërsa në Kosovë ne çfarë letërsia ofrojmë lexuesve. I ngritim politikanët e dështuar duke i shpallur si letrar të shquar. Gabim!

Duhet shumë kohë për këtë: Shkrimtari të mbyllet në dhomën e tij, i rrethuar me librat, pastaj gradualisht fillon udhëtimi i tij i brendshëm drejt shpirtit. Atëherë, letërsia bëhet si art i të diturit të flasësh për popullin tënd, historitë globale, dhe kjo arrihet pasi lexojmë mirë historitë e tyre.

Të bëhesh shkrimtar i mirë duhet punë dhe vetëm punë./ KultPlus.com

Shoqëria kosovare e pambrojtur nga lajmet e rreme

Edukimi medial del të jetë një lëndë e domosdoshme në shkolla.

Në tryezën e mbajtur të martën, e titulluar “Edukimi medial”, në kuadër të edicionit të sivjetmë të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, studiuesit e kësaj fushe kanë paraqitur të dhënat e shqetësimet e tyre, shkruan sot “Koha Ditore”.

Profesoresha në Departamentin e Gazetarisë në Fakultetin e Filologjisë, Lendita Tahiri, ka thënë se duke u bazuar në Deklaratën universale të të drejtave të njeriut, secili ka të drejtën e lirisë së mendimit dhe të shprehjes. Nga ky prizëm ajo ka thënë se pikërisht edukimi medial ia plotëson këtë të drejtë individit në ditët e sotme. Sipas saj, Departamenti i Gazetarisë gjithmonë ka qenë i interesuar që kjo lëndë të hyjë nëpër shkolla, që t’ia mundësojë shoqërisë që të dallojë gënjeshtrën nga e vërteta. Ka thënë se është obligim i shoqërisë që ta përgatisë individin me këtë shkathtësi.

Abit Hoxha, që është hulumtues në Institutin për Shkencat e Komunikimit dhe Hulumtimit Mediatik, në kuadër të universitetit “Ludwig Maximilian” në Münich të Gjermanisë, ka thënë se në vendet ku ka pasur konflikte thuhet se do të ndërtohen media të forta e të pavarura. Sipas tij, shumë rrallë flitet për edukimin medial të audiencës. Ka thënë se misionet ndërkombëtare kanë ardhur në Kosovë duke prodhuar shumë lajme, të cilat gazetarët vetëm i kanë kopjuar dhe i kanë plasuar në publik.

“Fatkeqësisht në Kosovë nuk ka matje të audiencës e matje për besim në lajme”, ka thënë ai.

Muhamet Jahiri, i cili është asistent në Departamentin e Gazetarisë në Fakultetin e Filologjisë, ka thënë se shoqëria është viktima kryesore e lajmeve të rreme.

Në kuadër të edicionit të 37-të të Seminarit, të martën është mbajtur edhe ligjërata “Musine Kokalari: Vetëdija e shkrimit dhe e qëndresës”./ KultPlus.com

Ura e Nivanit afër Gjirokstrës, monument me një histori të pasur

Ura e Nivanit, monument kulture i kategorisë I, e ndodhur mbi lumin e Zagorisë, në Nivan, Gjirokastër, është një monument me histori të pasur dhe arkitekturë të veçantë.

Instituti i Monumenteve të Kulturës bën të ditur se një tjetër kantier i shtohet Ministrisë së Kulturës. “Pas miratimit të projektit në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Restaurimeve, në fshatin Nivan ka nisur puna për restaurimin e urës”, thekson IMK-ja.

Projekti i hartuar nga specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës parashikon ndërhyrje konsoliduese dhe restauruese në monument.

Ura e Nivanit përfaqëson një strukturë komplekse me 2 harqe guri dhe një hapësirë dritë rreth 20 m. Ura është e mbuluar me kalldrëm përkatësisht 28 m dhe 40 m të gjatë.

Kjo urë i dha jetë në fillim të shek.XIX komunikimit jo vetëm tregtar, por edhe shpirtëror mes Gjirokastrës dhe Përmetit. Karvanet që vinin nga Gjirokastra kalonin mbi urën e Nivanit ndaleshin më pas në Manastirin e Nivanit ndërtim i vitit 1777, vijonte në Nivan, Sheper në Qafën e Dhëmbelit e më pas në Përmet.

Sot, kjo urë përveç funksionit rajonal për kalimin e kafshëve dhe të njerëzve, është kthyer në objekt të vizitueshëm për historinë, kuriozitetin dhe arkitekturën e veçantë të saj./ KultPlus.com

Libër mbi një dramë individuale

Shkruan Ibrahim Kadriu.

Mbresa nga “Rrugëtimi i një jete të dhuruar” të dr. Ramadan Myrtajt

Është një botim interesant, i rrallë për nga përmbajtja, i jashtëzakonshëm për nga përkushtimi, shumë i veçantë për nga qasjet të cilat ngërthejnë në vete konglomerat aspektesh me dedikim te jeta e njeriut buzë vdekjes. Njeriu si qenie natyrore e ka lindjen pastaj jetën, hapësirën jetësore të ngarkuara me sfida të ndryshme dhe, natyrisht – vdekjen e cila, në një moment të caktuar, ushtron pushtetin mbi të gjallin, duke ia mbyllur të gjitha rrugët… Disi kësisoj mund të definohet historia e lindjes dhe vdekjes, por kur kjo e fundit, domethënë vdekja, afrohet përmes sëmundjeve më të rënda nga të cilat (thuhet) nuk ka shpëtim, individit të rrezikuar nuk i mbetët tjetër pos të pajtohet me fatkeqësinë dhe të kërkojë hallallëkun nga më të afërmit. Në këtë gjendje të përshëndetjes me të afërmit në prag të vdekjes, ishte edhe dr. Ramadan Myrta, meqë e kishte kancerin e mëlçisë, por e kishte edhe bindjen e ekspertëve të mjekësisë që i thoshin se do të vdiste. Fundja, edhe vetë e kishte atë bindje, por nuk deshi të dorëzohej dhe nuk u dorëzua.

Lufta e dr. Ramadan Myrtës për t’i ndihmuar jetës të shkelte mbi vdekjen pati gjatësi kohore dhe gjithë atë periudhë kohore, gjithnjë i shoqëruar me atë kancer në mëlçi, e përshkroi me aq detaje në librin e rrallë “Rrugëtimi i një jete të dhuruar”, rrugëtim ky “i gjatë, i mundimshëm dhe shpesh me tmerre, duke filluar në Kosovë dhe vazhduar në Shqipëri, Beograd, Zvicër, Turqi, Suedi… duke e pasur mbështetje të bijën, studenten e mjekësisë Arnisen, e cila ia dha pjesën e mëlçisë dhe shpëtoi babën.

Libri, edhe pse është nisur si autobiografi dhe ai rrugëtim “shpalon” ngjarjet që nga fëmijëria (dhe varfëria e skajshme) e autorit, i prirë nga vullneti për shkollim, është një dramë e shkuar dramave, i konceptuar me shumë aspekte përmbajtjesore qoftë nga ana morale e filozofike, nga aspekti psikik e sociologjik, me aq shumë premisa medicinave e historike, duke ofruar çdo gjë relevante për mëlçinë dhe mbi të dhënat për këtë organ delikat dhe përvoja që, në mënyrë teorike e praktike, është ushtruar mbi të që nga antika e deri më sot. Libri (me 650 faqe) i këtij autori me përvojë të gjatë në mjekësi, i ngritur me subspecializim nga gastroentero-hepatologjia dhe kardiologjia në Zagreb, përveç dramës psikologjike të përjetuar,shtron aspektin teorik mbi mëlçinë, por edhe mbi medikamentet që janë të përdorshëm për raste të tilla. Përgjithësisht libri e ka rolin edhe të një leksikoni që mund t’iu hyjë në shërbim personelit mjekësorë, por edhe studentëve të mjekësisë. Lidhur me këtë mendim, ia vlen të shënohet edhe qëllimi i autorit, kur thotë “jam përpjekur të pasqyroj dhe ta trajtoj në mënyrë më të gjerë të mundshme gjendjen psikologjike të të smëruëve nga kanceri që nga momenti kur atyre u kumtohet se janë të goditur nga kjo sëmundje shpesh fatale për jetën. E gjithë këtë e kam bërë duke u nisur nga përvoja ime dhe qëllimet më fisnike dhe humane, për t’iu ndihmuar të tjerëve…”

Dr. Ramadan Myrta , pas gjithë atij rrugëtimi nëpër vite, duke kaluar nga një shtet në tjetrin, nga një klinikë në tjetrën, që nga qendrat ekzaminuese fillimisht te KFOR-i gjerman në Prizren, për të vazhduar tutje, duke arritur në Izmir (ku e bëri transplantimin) dhe duke arritur edhe në Suedi e Amerikë për rishikim, e deri te kthimi në Kosovë, i shëruar tërësisht./ KultPlus.com

Grupi korean thyen rekordin e Swiftit në YouTube

Bendi i djemve nga Koreja e Jugut, BTS kanë thyer rekord në YouTube për videon më të shikuar që në ditën e parë.

Kënga e tyre “Idol” ka arritur më shumë se 45 milionë klikime në 24 orë, duke e mposhtur yllin amerikan Taylor Swift me këngën e saj “Look What You Made Me Do” që tani vendoset në pozitën e dytë.

Fiks në këtë kohë gjatë vitit të kaluar, Swift arriti 43.2 milionë klikime për një ditë kur publikoi këngën e saj.

Kënga e bendit korean deri më tani ka arritur 90 milionë klikime.

BTS ka shtatë anëtarë: V, Jimin, Jin, Suga, Jungkook, RM dhe J-Hope. Të gjithë kanë moshë nga 20 deri në 25 vjet./KultPlus.com

Nëse do të kisha paksa jetë, nuk do të lija të kalonte qoftë një ditë të vetme pa iu thënë njerëzve se i dua

Letra e fundit e Gabriel García Márquez

Nëse për një çast Zoti do të harronte se
jam një kukull lecke e
do të më dhurojë paksa jetë, ka gjasa se
nuk do të them gjithçka që mendoj,
por patjetër do ta mendoj çdo gjë që do ta them.
Do t’iu jepja vlerë gjërave, jo për vlerën që kanë,
por për kuptimin që kanë.
Do të flija pak, do të ëndërroja më shumë,
e kuptoj se për çdo minutë që i mbyllim
sytë, humbim gjashtëdhjetë sekonda dritë.
Do të ecja përpara kur të tjerët do të ndaleshin,
do të rrija zgjuar kur të tjerët do të flinin,
do të dëgjoja kur të tjerët flasin dhe
dhe sa do të shijoja një akullore të mirë çokolate!
Nëse Zoti do të më dhuronte paksa jetë,
do të vishesha thjeshtë,
do të shtrihesha në pishë të diellit duke lënë zbuluar jo vetëm
trupin tim por edhe shpirtin tim.
Zoti im, nëse do të kisha një zemër, do ta shkruaja
urrejtjen time në akull dhe
dhe do të prisja që të shkrihej në diell.
Do të pikturoja me një ëndër të Van Gogut
sipër yjeve një poemë të Benedettit
dhe një këngë e Serratit do të ishte serenata
që do t’ia kushtoja hënës.
Do t’i ujitja me lotët e mi trëndafilët,
për ta ndjerë dhimbjen e gjembave të tyre
dhe puthjen e mishtë të petaleve të tyre…

Zoti im, nëse do të kisha paksa jetë…
Nuk do të lija të kalonte qoftë një ditë të vetme
pa iu thënë njerëzve se dua,
se i dua. Do t’i bindja të gjithë burrat e gratë
se janë të parapëlqyerit e mi dhe
do të jetoja i dashuruar nga dashuria.
Njerëzve do t’ua provoja
sa gabojnë tek mendojnë
të heqin dorë së dashuruari
kur plaken, pa e ditur
se plaken kur heqin dorë së dashuruari.
Një fëmije do t’i jepja flatra,
por do ta lija ta merrte fluturimin vetë.
Të moshuarit do t’i mësoja
se vdekja nuk vjen me pleqërinë
por me harresën.
Kaq shumë gjëra kam mësuar nga ju, Njerëzit!
Ka mësuar se e gjithë bota adhuron të jetojë
mbi majën e malit,
pa e ditur se lumturia e vërtetë
është në ngjitjen e shpatit.
Kam mësuar se
kur i sapolinduri shtrëngon me grushtin e tij të vogël,
për herë të parë, gishtin e babait të tij,
e mban shtrënguar për gjithmonë.
Kam mësuar se një njeri
ka të drejtë ta vështrojë një tjetër
nga lart poshtë vetëm
kur duhet ta ndihmojë për t’u ngritur.
Janë aq shumë gjëra
që kam mundur të mësoj nga ju,
por realisht,
nuk do të më shërbejnë shumë,
sepse kur do të m’i vendosin
brenda asaj valixheje,
palumturisht do të jem duke vdekur.
Shqipëroi: Elida BUÇPAPAJ

Vdes çdo ditë

Liridon Mulaj

Unë çdo ditë vdes nga pak.
Në malle zemrash të thyera.
Në arkivole pa kapak,
i pa shpirt sa herë unë hyra.

Çdo ditë të Zotit humbas dinjitet.
Këmbët më shpien në mungesë
E siç një lumë në det humbet.
Trupi im pa lindur, vdes.

Ankthi shok, më vret çdo ditë.
Dy-tre herë brënda një ore.
Një demon që më zë pritë.
Bashkë me engjejt dorê për dore.

Siç mëngjesi më pret me gjëmë.
Sot në të gdhirë nuk ndjeva më.
E mu kujtua, unë që mbremë.
Kisha vdekur, s’dija gjë./KultPlus.com

O të dashuruar, keni kujdes nga ato ditët e para

“Secila marrdhënie romantike qëndron mbi një marrëveshje të pashkruar nga të dashuruarit në javët e para të dashurisë së tyre.

Ata disi ende janë një lloj ëndërre por në të njejtën kohë, pa e ditur, janë duke u tërhequr nga nenet e detajuara të kontratës së tyre, ashtu sikurse avokatët e pakompromis.

O të dashuruar! Keni kujdes nga ato ditët e para! Nëse njëherë e sillni mëngjesin në shtrat, këtë pastaj duhet ta bëni përgjithmonë, përveç nëse dëshironi të akuzoheni për mungesë të dashurisë dhe për tradhëti.”

– Milan Kundera, “The Book of Laughter and Forgetting”

‘RugovaNoise’ – mes muzikës, ajrit të pastër dhe natyrës së mrekullueshme

Malet e Rugovës tashmë janë shndërruar në një atraksion turistik për shumëkë në vend, rajon por edhe botë. Ju mund ta vizitoni në çdo stinë këtë krahinë të mrekullueshme, duke qenë të sigurt për argëtimin tuaj, i cili fillon me shëtitjet në natyrë, me gjelbërimin marramendës, me ekspedita të gjata zbuluese të vendeve më të bukura, me shijimin e ushqimeve natyrale dhe mikpritjes së pashoqe.

E për këtë të shtune ky vend ka rezervuar dhe diçka tjetër për juve. Kjo grykë do të kumbojë nga katër DJ të ndryshëm, ndër më të mirët që do të jenë pjesë e një organizimi të veçantë deri më tani.

E ky organizim do të bëhet nga djemtë dhe vajzat që po ashtu organizojnë festivalin Into the Park, të cilët po kthehen pak më ndryshe.

“RugovaNoise” – do t’iu japë mundësinë që ta përjetoni një përvojë të paharrueshme të muzikës elektronike mes ajrit të pastër e natyrës që është treguar vërtetë bujare me këtë vend.

Yjet do të shndërrisin pastër në hapësirat e amfiteatrit në Drelaj të Rugovës, vend ky ku edhe është rezervuar për këtë ngjarje muzikore. Tingujt e muzikës elektronike dhe tekno në një amfiteatër të hapur do ja japin një veçanti kësaj ngjarje.

“Vendin e kemi vendosur për shkak të veçantisë që e ka si amfiteatër dhe lokacionit (në mes të malit) e kemi vlerësuar si vend perfekt për të realizuar performance muzikore të zhanrit techno. Të gjithë DJ- të po ashtu do të lëshojnë muzikë tekno”, kanë thënë organizatorët.

“RugovaNoise” është projekt i organizatës jo qeveritare Into the park, organizatë kjo që për disa vite rresht ka organizuar edhe festivalin Into the Park.

“RugovaNoise” do të zë vend të shtunen duke filluar prej orës 16:00 e deri në orët e mëngjesit. Po ashtu është menduar edhe transporti për të gjithë ata që nuk kanë mundësi të udhëtojnë me veturat e tyre nga qyteti i Pejës e deri në Drelaj, aty ku dhe do të zhvillohet kjo ngjarje.

Ju mund t’i gjeni të gjitha informacionet në faqet e tyre në Facebook dhe Instagram.

‘Zani i hoxhës dhe i priftit në një kangë të degjenerueme… ‘

Poezia “Blasfemi” nga Migjeni, poezia e ndaluar dy herë nga qarkullimi, më 1936 dhe më 1944.

Notojnë xhamiat dhe kishat nëpër kujtime tona,
e lutjet pa kuptim e shije përplasen për muret e tyne
dhe nga këto lutje zemra zotit ende s’iu thye,
por vazhdoi të rrahi ndër lodra dhe kumbona.

Xhamiat dhe kishat madhshtore ndër vende të mjerueme…
Kumbonaret dhe minaret e nalta mbi shtëpia tona përdhecke…
Zani i hoxhës dhe i priftit në një kangë të degjenerueme…
0 pikturë ideale, e vjetër një mijë vjeçe!

Notojnë xhamiat dhe kishat nëpër kujtime të fetarve.
Tingujt e kumbonës ngatrrohen me zanin e kasnecit,
Shkëlqen shejtnia mbi zhguna dhe ndër mjekra të hoxhallarve
0, sa engjuj të bukur përpara derës së ferrit!

Mbi kështjellat mijvjeçare qëndrojnë sorrat e smueme,
krahët i kanë varë pa shpresë-simbojt e shpresave të humbune
me klithma të dëshprueme bajnë fjalë mbi jetë të pëmdueme,
kur kështjellat mijvjeçare si xhixha shkëlqejshin të lumtuna.

Marigona Qerkezi dhe Elbenita Kajtazi, gjysmëfinaliste të garës OPERALIA

Elbenita Kajtazi dhe Marigona Qerkezi e kanë kaluar edhe një fazë tjetër në garën operistike Operalia.

Sonte, në një natë tjetër gjysmë-finale, dy shqiptaret kanë kaluar në fazën tjetër të garës së artistëve të rinj të botës së operës. Ato tanimë janë semifinaliste të garës.

Dy artistet do të jenë pjesë e garës me datë 30 gusht. Janë gjithsejt 24 artistë në këtë garë të gjysmëfinales në fushën e operës.

OPERALIA është themeluar në vitin 1993 nga i madhi Placido Domingo për të promovuar dhe ndihmuar talentet e reja në botën e operës.

Në vitin 1993, këtë çmim e pati marrë Inva Mula ndërsa në vitin 2016-të njëri nga fituesit ishte tenori Ramë Lahaj.
/ KultPlus.com

Fillikat

Poezi nga Maya Angelou, përktheu Skënder Buçpapaj.

Shtrirë, duke menduar
Mbrëmë nëpër natë
Si t’ia gjej shpirtit tim një shtëpi
Ku uji etje nuk të jep
Dhe feta e bukës s’është gur i thatë
Unë dola me një përfundim
Dhe mendoj se nuk gaboj
Askush
Bre askush
Nuk mund t’ia dalë kurrë fillikat

Fillikat, krejt fillikat
Askush, bre askush
Nuk mund t’ia dalë kurrë fillikat.

Na janë do milionierë
Me para që nuk i përdorin dot kurrë
Gratë e tyre shtrigula vijnë vërdallë
Fëmijët e tyre këndojnë këngë bluz
Ata kanë marrë mjekë që kushtojnë
T’ua kurojnë zemrat gurë të thatë.
Por askush,
Bre askush
Nuk mund t’ia dalë kurrë fillikat.

Tash nëse më dëgjon mirë
Unë të tregoj çfarë vetë di
Retë e stuhisë po bëhen bashkë
Era tashi po fryn e fryn
Raca njerëzore po vuan pa masë
Dhe unë nuk po ndjej ankim,
Pse askush
Bre askush
Nuk mund t’ia dalë kurrë fillikat.

Fillikat, krejt fillikat
Askush, bre askush
Nuk mund t’ia dalë kurrë fillikat.

Pas 5 orësh protestë, serbët nuk erdhën në Gjakovë – u arrestuan pesë persona

Paralajmërimi se pelegrinët serbë do të vijnë në Gjakovë këtë të martë ka nxjerrë në rrugë gjakovarët që nga ora 8:00 e mëngjesit.

Ata në duar mbanin pankarta me emra të të dyshuarve për krime të kryera në këtë komunë, raporton KTV.

Janë shfaqur shumë të mllefosur me institucionet e Kosovës dhe e quanin këtë si provokim që vazhdueshëm iu bëhet gjakovarëve.

Kësaj proteste iu bashkua edhe shoqata “Thirrjet e Nënave”.

Kryetarja Nesrete Kumnova, e cila tash e gati 20 vjet nuk di për fatin e djalit të saj të zhdukur, ka adresuar kritika të ashpra në drejtim të presidentit Hashim Thaçi.

Por, gjatë fjalimit, gjendja e saj u përkeqësua, derisa pati nevojë për ndihmë mjekësore.

Që t’u bëhej e pamundur hyrja e pelegrinëve në kishë, gjakovarët vendosën që të gjitha rrugët t’i bllokonin me vetura, e ky gjest u përshëndet nga protestuesit.

Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i policisë, çka edhe e tensionoi situatën.

Merimanga, që mori urdhër nga policia për t’i hequr veturat nga rruga, nuk arriti ta kalonte turmën, por arriti të bënte zgjidhje alternative.

Megjithatë, edhe më tutje hasën në rezistencën e disa protestuesve që tentuan ta bllokonin makinën që transportonte vetura, duke hedhur edhe ngjyrë në drejtim të saj.

Kjo ka bërë që 5 protestues të përfundojnë në pranga.

Por, pavarësisht deklarimeve se serbët nuk do ta vizitonin Gjakovën, turma nuk iu bindej deklaratave të zyrtarëve policorë.

Ndërkohë, gjendja shëndetësore iu përkeqësua edhe kësaj protestueseje, por ajo nuk pranoi ndihmë mjekësore.

Megjithatë, pas gati 5 orë qëndrimi aty, protestuesit u shpërndanë të qetë, por kjo vetëm pasi u hoq kordoni i policisë.

Qytetarët kanë paralajmëruar se do të veprojnë njëjtë sa herë që ka paralajmërime se serbët e dyshuar për krime do të tentojnë të kthehen në Gjakovë.

Akademik Rexhep Ismajli: Ideja për shkëmbim territoresh është fatale për Kosovën

Anëtari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, i cili ka lindur në Luginën e Preshevës, Rexhep Ismajli, thotë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e ndalon çfarëdo copëtimi të territorit të Kosovës apo shkëmbimi të territorit të shtetit me ndonjë shtet tjetër. Në një përgjigje me shkrim për Gazetën Express, Ismajli potencon se ideja e shkëmbimit të territoreve është jashtëzakonisht e rrezikshme për Kosovën dhe për të ardhmen e vendit. Deklarimet e SHBA-ve rreth shkëmbimit të territoreve, akademik Ismajli thotë se duhet ta zgjojnë nga gjumi Kosovën.
Rexhep Ismajli konsideron se është krijuar një mjegull totale edhe sa i përket idesë për shkëmbimin e territoreve, duke e lënë në mjegull atë se kush, çfarë po shkëmben.

“Nuk e kam shumë të qartë se ç’domethënë ‘shkëmbim i territoreve’ konkretisht, sepse kjo nuk është elaboruar askund. Çka po shkëmbejmë: një diçka ‘të tyre’ me një diçka ‘tonën’? Kush po shkëmben? A janë të barabartë shkëmbyesit? A e njohin njëri tjetrin si të tillë? Nga ajo që po shohim në mjetet e informimit, sepse vetëm ato kemi në dispozicion, ka një kakofoni të përgjithshme lidhur me të gjitha çështjet që janë hedhur ‘në diskutim’. Për të pasur një qëndrim ne si opinion do të duhej të kishim qoftë edhe vetëm një mendim të formësuar nga një instancë e shtetit tonë (pra, një qendër për strategji, një instancë qeveritare, etj.). Hëpërhë kemi Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila ndalon shprehimisht çdo ndarje të territorit të Republikës së Kosovës, çdo dhënie të një pjese për bashkim me shtet tjetër dhe çdo marrje të një territori të një shteti tjetër për ta bashkuar me tonin. Si qytetarë kemi këtë bazë, që mbrohet dhe nga instancat ligjore”, ka thënë ai për Gazetën Express.

Ai ngre shqetësime rreth asaj se si do të ndodh një shkëmbim i mundshëm i territoreve, duke shtuar se nëse nuk do të shkëmbehej Lugina e Preshevës si një tërësi atëherë do të ndodhte një ndarje e mëtejme që do të paralizonte Medvegjën dhe Bujanocin.

Deklarata e SHBA-ve se ata nuk do të ndërhyjnë në rast të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për shkëmbim territoresh, shihet me mjaft shqetësim nga Islamaj dhe thotë se kjo gjë duhet ta këndell Kosovën nga gjumi.

“Për qëndrimet dhe deklaratat e zyrtarëve të ndryshëm ne po informohemi vetëm pjesërisht, aq sa po na serviret. SHBA është shteti më i rëndësishëm dhe ndër të parët fare që e ka njohur Republikën e Kosovës (për më tepër, e ka ndihmuar rritjen dhe pavarësimin e saj), dhe e ka njohur në kufijtë që ka ajo sot. Dhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë është detyrë e jona që t’u japim miqve mundësinë që të na mbështesin edhe më tej. Deklaratat që po përmendni duhet të na shpërgjumin në punën tonë. Nuk po shohim veprimtari koherente, të organizuara të subjekteve politike që sundojnë skenën tek ne, sado që ato subjekte duhet të jenë shumë më të informuara se ne si qytetarë për gjendjen, prapavijat dhe lojërat që ushqejnë ‘pazaret’, siç po thuhet në opinion”, ka përfunduar ai.

Njerëzit ikin prej këtu, sepse…

Hasim Memishi Sopi

Njerëzit ikin prej këtu, sepse institucionet nuk e kryejnë punën e vet.
Njerëzit ikin prej këtu sepse mjekët nuk i shikojnë si pacientë, por si myshteri,
Njerëzit ikin prej këtu sepse mësuesi serioz është degraduar, kurse laperat dhe servilat janë bërë drejtues shkollash,
Njerëzit ikin prej këtu sepse institucionet ia kryejnë punën vetëm atij që e njohin, kurse fukarai duhet të pret me vite apo dekada për një shërbim,
Njerëzit ikin prej këtu sepse përparësi kanë xhipat e zi, e jo mësuesit me këmisha të bardha,
Njerëzit ikin prej këtu sepse nuk mund fatin e fëmijëve të vet ta lënë në dorë të matrapazëve, militantëve dhe servilave,
Njerëzit ikin prej këtu sepse pa dhënë mendim Gjorgji nuk mund të kryhet puna,
Njerëzit ikin prej këtu sepse regjistrimin e fëmijëve duhet ta bëjnë me të njofshëm, ani pse i plotësojnë të gjitha kushtet.
Njerëzit ikin prej këtu sepse policia i dënon vetëm veturat e vjetra, ata me xhama të zi bëhet kinse nuk i sheh,
Njerëzit do vazhdojnë të ikin…ju do vazhdoni t’ua kërkoni votën edhe atje…
Ata që kanë ikur prej juve, nuk do t’ju përkrahin nga atje…

Hinin tand, duam gegë

Poezi nga Donart Rexhbogaj.

Me kenë gegë
âsht
si me notue qiellit
diellit m’i përzanë retë,
me t’shejtnue hyjet
e tani
mu kthye zbathun
lugjeve t’verdha
me u mbshtjell me myshkun e ahut
harlisun me gërmue vorrin e Omerit
n’rrasën e gurit me shkrue nji emên t’humbun…
N’dy g’juj kam me râ
tuj fshâ e gjëmue
dashunisht me t’thanë
hînin tând o gegë
do e zhdjerg’ rrafshit!
Se me kenë gegë
duhet rilind edhe nji herë
n’djepin e arit
n’zhgun t’zi me t’përkundë nana
prâjshëm me t’kêndue
nina-nana…

Dola Sheshit me një mendim

Nga Rrezearta Reka

Edhepse kanë kaluar shumë orë që nga agimi, është akoma mëngjes: midis borish të automjeteve të vozitësve të sertë që pritojnë me u zgju herët, e masnej e ngutin kohën. Ajër i ftoftë para shiu, të shton edhe më dëshirën me qenë jashtë, pas kaq shumë ditëve zapullim gushti, por që këto të fundit i pëlqej më shumë. Ma çojnë mallin e fëmijërisë, gjallërisë së palodhshme, pushimeve prej shkollës, mbrëmjeve të gjata në skutat e lagjes, ditëve me hundë midis librash, jetës së vërtetë larg ekraneve të mençura e që na matufosën krejt sot. E shkurtoj rrugën me makinë, duke e vulos “mirëupafshim” e përditshëm me një puthje të shpejtë. Ec rrugicës teposhtë që të çon në Shesh. Sa mirë, kafetë përskaj rrugës veç i kanë përcjellë myshterinjtë e parë, e po i presin të dytit. Ata që ditën e nisin me gjoja një takim jashtë zyrës. Këpucët e mija të mëdha por të rehatshme, më bëjnë me krahë që të mbërrij edhe unë në takim. Jo gjoja, por të vërtetë. Në Shesh dy të rinj ngucen me shikime ani që sytë akoma si kanë la prej gjumit të natës. Pllaka përkujtimore e Arben Xheladinit e Mon Balajt ka mbledh pluhur me ca mbetje lulesh të thata. Zhurmën e njerëzve si në kazan, e mbizotëron fontana “budallicë”, ku verës freskohen fëmijët. Njerëzit e mirë i kemi, mendoj me vete. I bëjnë ballë edhe vërshimeve të Sheshit, edhe stuhive të kombit. Edhe dorëheqjeve të prokurorëve, që i nxjerrin të palarat në shesh, edhe fjalimeve boshe që të lënë pa gojë. E para Teatrit, dy qej sikur japin shfaqje, tek kruajnë shpinën në pllakat e shumë përfolura të Sheshit. Si Kosova që kruan kusinë e zgjidhjeve, pa dit njerëzia çka po marrin e çka po humbin. A ka me mbet naj troshë e shijshme në fund me na ngop ëndërrat a jo? Si bëhet kjo punë pajtimi midis Kosovës e Serbisë, që edhe Amerika me e beku? E si të bekohet ky pajtim, atëherë kush mund të mos e bekojë një pajtim të herdokurshëm midis Kosovës e Shqipërisë?! E kruaj edhe unë tepenë e kresë, e i them vetes, me një naivitet qytetareje të rëndomtë, që ndoshta- ndoshta, ky farë shkëmbimi territoresh është përnjëmend një “ngreh e mos këput”, siç thot populli. Ngreh pak ka jugu, lësho pak ka veriu, e ndoshta masnej, mot-mot pas mot-moti, ne veri të Shqipërisë, këputet krejt ai far kufiri, për mos me na kujtu më dhimbjen më se shekullore. E masnej ky lugati i “Shqipërisë së Madhe”, që e kishin krijuar të tjerët përreth nesh, mposhtet, për me i lëshu rrugë një fundi të lumtur?!

Veç kundërmimi i rëndë i glacave të sorrave në Shesh, se fundja jemi në Kosovë, më kthjelli e më bëri të kthej drejtimin e këmbëve në vendtakimin ku isha nisur. Për pak isha duke mbërritur në Kuvend. Po Kuvendi është në pushim, në kërkim të energjive të reja. Shpresova rrugës që përnjëmend të marr Kuvendi energji të reja, se na duhet shërim kolektiv. Jemi katandis me sëmundje të rëndë të lakmisë, sa që historia më s’na bën përshtypje. As humbjet e evidentuara e as ato që akoma si kemi gjetur. Protestojmë pa bindje, po veç pse jemi lodh e çdo manifestim që na jep kanal britme, e konsiderojmë terapi mbijetese. E masnej kjo britmë humb në ajrin e tendosur politik, në të cilën frymojnë edhe goxha do analistë që në vend se më të kthjellu, të duhmojnë edhe më shumë mjegull.

Mbërrij kështu afër oazës elitare të cilën shumica zyrtare e konsideron bife për kafe pauza. Para meje kalon familja që i shoh shpesh Sheshit, rrugës për me mbërri deri te TEB Banka prapa Teatrit. Një nënë dhe një baba, nëna me sy teposhtë e baba që ngreh prapa shputën, e mbajnë për krahësh të birin me nevoja të veçanta, derisa të shkojnë në sportelin e bankës për të kërkuar ndihmat. Për këta s’ka rëndësi shkëmbimi i territoreve, e aq më pak postimet gjuhësisht non-sens që kanë zëvëndësuar përgjegjësinë institucionale. Pa hyrë në takim, edhe pak mendohem. Kosova e Dunning-Krugerit: na ha mendja që kushedi çka jemi, e në fakt kam frikë se do të na marrin me krejt çka kemi! Qe edhe një analogji që më vjen ndërmend në korzonë e dikurshme: si në sanatorium kërkojmë daljen me liberalizim, por kur të na çelin dyertë, gjithmonë kemi me u kthy në shtëpinë tonë.

Po hy në takim, po veç edhe një mendim më ri vjerë, si vathët në vesh. Njerëzit e mirë i kemi, po veç durimi ka sos. E durimi i sosur si bën njerëzit e këqinj, veç i mbush dëshpërim. Të këqinjtë, me pas gjyqësor si duhet, i pret burgu, e të dëshpëruarit, për gjynah, veç ngushtllëku i dëshpërrimit të vet. Tani s’ka liberalizim në botë që mundet me na çu përtej këtij dëshpërrimi.

Mbërriva në takim. Në prapavijë, një xhez i lehtë, sa për me kriju atmosferë e mos me ja u prish njerëzve diskutimin serioz të takimit. Porosis kafe amerikane, për me mi shkund tutje mendimet e Sheshit. Derisa pres të nis takimi, lexoj titujt e portaleve. Sot protesta në Gjakovë e nesër në Prishtinë. Me nis s’na ka munguar kurrë guximi, i’a konfirmova vetes. Por lipset guxim edhe më i madh për me çu një kauzë deri në fund. Me e nis e kemi pas nis i madh e i vogël, moti kohë. Edhe ata që refuzuan me i mbajt vendet e punës nën sund, ne vitet e 90-ta, edhe ata që vazhduan me viju mësimin në klasa pas helmimeve, dhe arsimtarët që ditën jepnin dije e në mbrëmje, shitnin marka te Bahollët. E ata që me strajcën plot kujtime, zbarkuan në Bllacë? A janë veteranë edhe ata që e kanë nis, apo veç ata që e kanë çu kauzën deri në fund? Lufta ishte e lavdishme dhe veç një bukëpërmbysët mendon ndryshe. Por, Kosova nuk është veç qe 20 vjet.

Hajde bëjmë sikur takohemi dhe kryejmë punë, nën tingujt e xhezit edhe një farë uji të pasuruar me xhenxhefil e nenxhik. Athua i kanë dal ndihmat familjes që ish rrugës për TEB-bankë?

‘U zgjova një mëngjes dhe e pashë veten në pasqyrë, e njoha nënën time’

Elena Ferrante.

Nëna ime ishte e bukur dhe e mençur, sikur të gjitha nënat, pra edhe e doja edhe e urreja. Nisja ta urreja dikur rreth moshës 10 vjeçare, ndoshta sepse më tmerronte ideja ta humbja, dhe vetë mendimi më fuste në një gjendje trishtimi. Kësisoj, u desh ta zvogëloja këtë grua në sytë e mi.
Ndonjëherë më dukej se ajo ishte e bukur dhe e mençur, në mënyrë që unë të isha një budallaqe e shëmtuar. Nuk mund të mendoja asgjë prej mendimeve të mia: i kisha veç mendimet e saja. Ndjehesha e shtypur, e torturuar nga mania e saj për rend, nga shija e saj e dalë kohe që e ngulfaste timen, nga idea e saj për të drejtën dhe padrejtësinë. Për një kohë të gjatë, e ndjeja se nëse do ndaloja së dashuri nënën time ishte e vetmja mënyrë të doja veten, ose ta kisha një vete që ta doja.

Një lidhje e fuqishme që nuk mund të prehet na mban të bashkuar për trupat e nënave tona; nuk ka mënyrë për tu larguar, ose së paku unë nuk e di atë mënyrë. Është e pamundur të kthehesh brenda trupit të saj, është e pamundur të kalosh afër saj pa e parë hijen e saj.

Dhe kështu nisa të ndërtoja trupa tjerë mes meje dhe nënës sime – trupa me të cilët do të mund të ofendohesha, të bëja dashuri, të grindesha – duke ndërtuar kështu një botë të huaj për të. Doja që ajo të ndihej keq kur ti shihte këto ndjenja: kjo ndodhi dhe ajo veç u largua në heshtje.
Përgjatë viteve, ajo u dorëzua. Ajo u bë më e vogël, e humbi bukurinë e saj, mençurinë që e karakterizonte, nuk e kishte më ndjenjën superiore ndaj gjithçkaje, fjalët e saj nuk e kishin më fuqinë.

Për një kohë, u ndjeva e lirë. E më pas njerëzit nisën me këto –“Ti po qesh si nëna jote, ti je kokëfortë si nëna jote, ti i ke duar si të nënës tënde’. Një mëngjes e shikova veten në pasqyre dhe e njoha atë: nëna ime ishte aty, në trupin tim. Dhe për befasi, nuk më pengonte: ngadalë e zbulova atë në gjestet e mia, në mënyrën si i kontrolloj ndjenjat, në zërin tim. Nëse ishte e pamundur të kthehesha në trupin e saj, dukej sikur ajo nuk e kishte lënë kurrë trupin tim, edhe kur unë luftoja ta nxirrja jashtë meje – edhe kur mendoja se isha e lirë prej saj.

Që atëherë, e kuptova se ta gjeta vetveten nënkuptonte ta gjeja atë, dhe duke e pranuar e dashuruar atë sikur kur isha fëmijë, më lehtëson shpirtin. Ndonjëherë pajtimi është e vetmja mënyrë e mirë për të harruar ato që kemi përjtuar. Dhe ndoshta është e vërtetë, por jo në marrëdhëniet tona me nënat. Unë u pajtova me nënën time kur këto përjetime i ndjeva si të miat, të nevojshme për zhvillimin tim dhe jetën time. Aq të nevojshme saqë sot ato duken si një trillim imi, një teprim me ngjyra.

Përktheu: A.Selmani

Restaurohet banesa e Mic Sokolit në Tropojë

Këshilli Kombëtar i Restaurimeve ka miratuar projektin për “Restaurimin e Banesës së Mic Sokolit”, në fshatin Bujan, Tropojë.

Projekti i hartuar nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Shkodër parashikon restaurimin e elementëve konstruktivë të objektit.

“Instituti i Monumenteve të Kulturës mirëpret çdo bashkëpunim dhe mbështetje e cila kontribuon në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com

Veton Surroi: Për të hyrë në Gjakovë duhet kaluar për bekim te tryeza e Ferdonije Qerkezit

Shumë qytetarë të Gjakovës kanë protestuar sot kundër ardhjes së paralajmëruar të pelegrinëve serbë.

Qytetarët protestuan me parullat “S’ka qetësi pa drejtësi” dhe “Gjaku i fëmijëve shqiptarë të vrarë nga Serbia nuk falet”. Edhe shoqata “Thirrjet e Nënave” në Gjakovë, ka dalë kundër ardhjes së pelegrinëve serbë.

Pas kësaj Policia e Kosovës ka ka konfirmuar se pelegrinët serbë kanë anuluar vizitën në Gjakovë.

Ndërkaq para disa minutash nëpërmjet rrjetit social Facebook, publicisti Veton Surroi, ka reaguar përmes një postimi ku e ka publikuar edhe fotografinë e Ferdonijë Qerkezit buzë tryezës, e vetme.

Po sjellim statusin e plotë të Surroit:

“Për të hyrë në Gjakovë duhet kaluar për bekim te tryeza e Ferdonije Qerkezit.
Për të bërë marrëveshje me Kosovën, njësoj”, ka shkruar ai./ KultPlus.com

Prifti katolik: Nëse në Europë nuk më pranojnë bashkë me fqinjin tim i cili shkon në xhami, refuzoj ofertën e vazhdoj jetën

Lidhur me debatet për Integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian ka reaguar edhe prifti katolik, i Arkidioqezës Metropolitane në Tiranë, Dom Gjergj Meta.

Në një postim në Facebook ai shprehet se ‘nëse është e vërtetë që Europa nuk na pranon, sepse në Shqipëri ka myslimanë, atëherë unë nuk dua të shkoj në Europë’.

Ky mesazh i tij tashmë po qarkullon mjaft shumë nëpër rrjete sociale, duke u quajtur edhe si thënia e vitit.

Ky është mesazhi i plotë:

Nëse është e vërtetë që Europa nuk na pranon, sepse në Shqipëri ka myslimanë, atëherë unë nuk dua të shkoj në Europë, sepse preferoj të kaloj jetën me miqtë e mi të zemrës me të cilët jam rritur, kam ndarë të mirën e të keqen, më janë gjendur e u jam gjendur, por të cilët shpallin një kredo të ndryshme nga e imja, se sa të jetoj me një holandez, a gjerman, a francez me të cilin shpall të njëjtën kredo.

Nëse në Europë nuk më pranojnë bashkë me fqinjin tim i cili shkon në xhami, refuzoj ofertën e vazhdoj jetën!

Dom Gjergj Meta./ KultPlus.com