E tmerrshme: Dy të panjohur e fusin në veturë një vajzë dhe e sulmojnë seksualisht

Një vajzë ka njoftuar policinë se në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë, me 28 gusht, dy të panjohur e kanë futur në veturë me forcë ku është sulmuar seksualisht.

Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, teksa nuk raportohet për të arrestuar.

Sipas policisë, rasti është duke u hetuar.

Njoftimi i plotë i policisë:

SULM SEKSUAL/Rr. Agim Ramadani, Prishtinë 28.08.2022 – 16:00. Viktima femër kosovare ka informuar se dy persona të pa njohur e kanë futur me forcë në veturë dhe më pas e kanë sulmuar seksualisht. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente policore. / Express / KultPlus.com

Prokuroria jep detaje për dy të arrestuarit e tjerë si të dyshuar për dhunimin e 11-vjeçares

Dy personat e tjerë të arrestuar të hënën, si të dyshuar për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë, janë të mitur. I dyshuari i pestë është identifikuar dhe ndodhet në kërkim policor.

Me urdhër të prokurorit të shtetit, dy të dyshuarit e mitur janë dërguar në mbajtje për 24-orë.

Këto informacione i ka konfirmuar për Gazetën Express, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.

“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar edhe dy persona të tjerë të përfshirë në këtë rast (të mitur). Të njëjtit janë dërguar në mbajtje për 24 orë, për të vazhduar tutje me veprimet të tjera procedurale ligjore”, tha Ulaj për Gazetën Express.

I moshës madhore, si i dyshuar për dhunimin e 11-vjeçares është Ekrem Rexhepi (26-vjeç), ndërsa vëllai i tij dhe dy të tjerët janë të mitur. Teksa personi i pestë është kërkuar në shtëpinë e tij por nuk është hasur, ka njoftuar policia.

Ekrem Rexhepi (26-vjeç), në databazën e Policisë së Kosovës figuron si i dyshuar edhe për vepra penale të ngjashme dhe për vepra penale tjera, thuhet në dosjen e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Gazeta Express merr vesh se 26-vjeçari kishte zgjedhur të mbrohej në heshtje, në seancën dëgjimore për caktimin e paraburgimit ndaj tij.

Vëllezërve ua ka caktuar gjykata nga një muaj paraburgim, të hënën.

Prokuroria në kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj 26-vjeçarit, përshkruan sesi ka ndodhur dhunimi i së miturës.

“Përderisa e mitura ka qenë në park, i janë afruar tre persona, ku kanë filluar ta ngacmojnë me fjalë, ku e dëmtuara ka vazhduar të ecë por më pas njëri ka filluar edhe ta prekte”.

“Më pas të njëjtit, sipas viktimës, kanë vazhduar që ta ndiqnin dhe njëri nga ta e ka tërhequr me një qosh dhe të dy kanë filluar t’ia heqnin rrobat. Personi me maicë të bardhë ia ka kapur duart ndërsa perosni tjetër ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj. Kur e dëmtuara ka filluar të bërtasë ata ia kanë mbyllur gojën dhe marrëdhënia ka ndodhur në këmbë. E dëmtuara ka deklaruar që pasi ka përfunduar njëri marrëdhënien e ka filluar tjetri” thuhet në përshkrimin e rastit që ka bërë prokuroria, transmeton Gazeta Express.

Më pas sipas saj, ka ardhë një automjet “pickup” ku dy persona janë ulur mbrapa dhe viktima përpara. Ajo ka deklaruar se edhe shoferi i veturës ka kryer marrëdhenie me të./KultPlus.com

“Le t’i veshim vajzat me vetëbesim”

Nga Anisa Ruseti

Nuk jam mjaftueshëm e guximshme, me eksperiencë, e re, e zgjuar, e shkathët, mjaftueshëm, mjaftueshëm…!

Sot lë pas 39 vite e po njësoj mundohem të hedh pas shpine dhe gjithë “jo mjaftueshëm…” në jetën time.

Për veten, e mbi të gjitha për vajzën time dhe çdo vajzë që duhet ta pajisim me vetësigurinë se çdo difekt i saji është njëkohësisht perfekt, unik e i domosdoshëm për progresin e shoqërisë.

Le t’i veshim vajzat me vetëbesim! / KultPlus.com

*Shënim: Ky tekst është botuar më 17 nëntor 2020.

Policia e Kosovës identifikon edhe të dyshuarin e pestë për rastin e dhunimit të 11 vjeçares

Policia ka njoftuar se është identifikuar edhe i dyshuari i pestë për rastin e dhunimit të 11-vjeçares.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se policia është në kërkim të tij.

“Lidhur me rastin e “dhunimit” të raportuar dje në Prishtinë, hetues nga drejtoria rajonale e Policisë në Prishtinë gjatë reagimit të shpejt dhe arrestimit të dy (2) personave të dyshuar, në vazhdimësi ka punuar me intensitet të lartë në identifikimin edhe të personave tjerë, hetimin dhe sqarimin e rrethanave të plota të këtij rasti.Pas hetimeve intensive të kryera nga hetuesit rajonal kompetentë, sot më 29.08.2022 janë arrestuar edhe dy (2) persona të tjerë të dyshuar, përderisa është identifikuar edhe personi i pestë (5) i dyshuar për përfshirje në rastin “dhunim””, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, në lidhje me rastin janë arrestuar gjithsej katër persona.

“Pra, lidhur me rastin e “ dhunimit” policia deri në këtë fazë ka arrestuar gjithsej katër (4) persona, personi i pestë (5) është identifikuar, është kërkuar në shtëpinë e tij, nuk është gjet në shtëpi dhe i njëjti ndodhet në kërkim policor.Polica e Kosovës është e përkushtuar në trajtimin e rastit të lartcekur në mënyrë sa më profesionale dhe kryerësit e këtij akti të sillen para organeve të drejtësisë”, thuhet tutje në komunikatë. /KultPlus.com

“Hollyshit” me regji të Ilir Bokshit do të fillojë turne në Austri

Shfaqja teatrore ‘Hollyshit’ me regji të Ilir Bokshit do të nisë në shtator një turne shfaqesh në Austri, si pjesë e projektit ‘Kultura në turne’.

Qëllimi i këtij projekti është të krijojë një itinerar udhëtimi dhe prezantimit të kulturës shqiptare, me fokus në krijimtarinë artistike bashkëkohore (skenike dhe pamore), në të gjitha shtetet federale të Austrisë.

Qëllimi është që në Austri, si publikut shqiptar po ashtu edhe atij austriak dhe të huaj, t’i sillen shembujt më interesant të krijimtarisë nga Kosova, për të ngritur një komunikim dhe shkëmbim kulturor sa më të fuqishëm.

Dhe për këtë udhëtim të parë kulturor është përzgjedhur komedia ‘Hollyshit’, me regji të Ilir Bokshit, ku luajnë Ylber Bardhi dhe Adrian Morina e cila do të shfaqet në:

– Salzburg – 21/09/2022,

– Graz – 22/09/2022,

– Linz – 23/09/2022, dhe

– Wien – 24/09/2022.

Ky projekt realizohet përmes bashkëpunimit të organizatës KÂ me Këshilli Koordinues per Steiermark, Unioni i Femrave Shqipëtare në Diasporë dhe Österreichisch-Albanische Gesellschaft “Alexander Moissi” dhe përkrahet kryesisht nga Ministry of Foreign Affairs and Diaspora – Republic of Kosovo, MA7, BMEIA, Europahaus Wien, Physio in Motion, RR Electro, Needle Vinyl Bar, Surprice… /KultPlus.com

Haha

Hyjnizimi për nënën

Poezi nga Sabile Keçmezi-Basha

Në flokun e nënës sime 
Kaherë ka rënë borë 
Buzëqeshja në fytyrë si relikt i ka mbetur 
Në pasqyrë rrallë  

Shumë rrallë shikohet 
Thotë se pasqyra e përqesh 
Shoqet i numëron në gishta 
Fjalëpakë është me fëmijët 

Qudi 
Edhe përrallat i kanë sosur  
Fustanet e shumta i ka falur 
Disa po i zvogëlohen gjatë natës 
Thotë, Të dal jashtë mode janë 

Nënës sime 
Për çdo ditë të lume 
Këmbët po i shkurtohen 
Këpucët të mëdha po i bien 
Gishtat po i zgjaten 
Dioptria e syve të zinj 
Iu ka shtua çmendurisht 
Nganjëherë 
As mua nuk më thirre në të njëjtin emër 
Flet qetësisht pa iu trembur qerpiku 
 
Nëna ime 
Me shumë naze e bënë hapin 
Nipërit me engjëj i krahason 
Zhig më mbetet 

Të dijë 
Se cilën këngë e këndon në heshtje  

Nëna ime 
Sokëllimat i ka të rralla 
Lëkura e duarve në harta iu ka shndërruar 
Më as lot nuk ka 
Edhe buza gazi rrallë i duket në fytyrë 
Më tha mbrëmë 
Ku ishe ti 
Kur desha të dali nga ëndrra  

Nëna ime 
E dashura nëna ime 
Edhe në këto vite të vona 
Si gjithmonë 
Qëndron vertikalisht 
                               26 gusht 2022 /KultPlus.com

Çeku përfaqësoi Kosovën në Samitin Ndërkombëtar të Kulturës në Edinburg të Skocisë

Samiti i Kulturës që këtë vit shënoi edicionin e gjashtë, është ngjarje dy-vjetore që i bën bashkë ministrat e kulturës, institucionet e artit dhe artistët nga e gjithë bota. Delegacioni i Kosovës mori pjesë në këtë samit me ftesë të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, Qeverisë së Skocisë, Këshillit Britanik (British Council) dhe Parlamentit të Skocisë, bashkë-organizatorë të ngjarjes.

Gjatë samitit, panelistët dhe delegatët pjesëmarrës, nga kryeministri britanik Boris Johnson, tek ministrat e kulturës nga shumë shtete e deri te artistët, aktivistët e zyrtarët e tjerë, diskutuan për rolin që kanë arti e kultura në edukim, liri, paqe dhe zhvillim të qëndrueshëm. Ky organizim vjen edhe si thirrje globale për të rimenduar politikën kulturore, si përpjekje për ta nxjerrë trajtimin e kulturës nga qasja sektorale dhe vendosur atë në thelb të tërë spektrit qeverisës, politikave publike dhe planifikimit zhvillimor.

Përgjatë tri ditësh, ministri Çeku bashkë me ekipin e tij ishin pjesë e sesioneve dhe paneleve si folës, patën takime bilaterale me delegacione të ndryshme shtetërore dhe ndoqën disa aktivitete kulturore në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Edinburgut.

Në fjalimin e mbajtur para të pranishmëve, ministri Çeku ofroi hollësi mbi reformën ligjore dhe institucionale në art dhe kulturë në Republikën e Kosovës. Duke folur për vizionin e qeverisë për zhvillimin kulturor, ai sqaroi se ripërcaktimi i politikës kulturore synon institucione efikase dhe të pavarura, rritje të audiencave, shpërndarje më efektive të fondeve dhe prezantim ndërkombëtar të shtetit. Ministri në veçanti potencoi ndikimin që kultura ka në sistemin arsimor, duke paralajmëruar nisjen e programit shtetëror për edukim artistik. Ai gjithashtu tregoi për përpjekjet e qeverisë së Kosovës për të ndërlidhur artin, kulturën e trashëgiminë kulturore me sferat e tjera të politikave publike, si planifikimin hapësinor e mjedisin, zhvillimin ekonomik, shëndetësinë, arsimin e diplomacinë.

Delegacioni i Kosovës pati disa takime dhe shkëmbime me ministrat, zëvendës ministrat, sekretarët shtetërorë të kulturës nga Mbretëria e Bashkuar, Katari, Letonia, Uellsi, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara (National Endowment for the Arts). Këto takime shërbyen për të nisur dialogun për bashkëpunimin e ardhshëm bilateral kulturor ose për konsolidimin e marrëdhënieve ekzistuese në kulturë. /KultPlus.com

“Kur dikush ta fyen njerëzillëkun bija ime, prishi krejt urat, digji tërë anijet”

Poezi nga Shqiptar Oseku

kur dikush të kërkon bukë
ndaje koren e fundit me të bija ime
më mirë të jeni bashkë pak të uritur
se të ngopesh vetëm

kur dikush ta lyp një pikë ujë në orë zori
shpije te pusi i oborrit nën man
ka vite që është prerë ajo pemë e vjetër
por hija i bën ende fllad

kur dikush ta fyen njerëzillëkun bija ime
prishi krejt urat digji tërë anijet
mos ji kurrë as grua as nënë as bijë e askujt
po s’qe së pari njeri. /KultPlus.com

Rama: Nuk u abuzua vetëm një fëmijë, u turpëruam të gjithë ne si shoqëri

Edhe Kryetari i Prishtinës, Përparim, ka reaguar për rastin e 5 personave, të cilët dyshohet se morën pjesë në dhunimin e një 11 vjeçareje në Prishtinë, ngjarje e cila ndodhi sot, shkruan KultPlus.

Rama thotë se ky rast i ka tronditur të gjithë, duke ftuar organet e rendit që të jenë sa më prezent në hapësirat publike dhe më vigjilent ndaj rasteve të tilla.

Postimi i plotë:

“Rasti i dhunimit të 11 vjeçares në Prishtinë, na ka tronditur të gjithëve.

Jam thellësisht i prekur nga kjo ngjarje dhe ftoj organet e rendit që të jenë sa më prezent në hapësirat publike dhe më vigjilent ndaj rasteve të tilla.

Ne duhet të bëjmë shumë më tepër për t’i dhënë fund këtyre abuzimeve të tmerrshme dhe mosndëshkimit që lejon që këto akte makabre të vazhdojnë të ndodhin.

Është koha që ne të gjithë: gra, burra, vajza, djem, dhe sidomos ne si përfaqësues kryesorë të institucioneve publike, të bashkëpunojmë që raste të tilla të mos ndodhin më.

Nuk u abuzua vetëm një fëmijë, u turpëruam të gjithë ne si shoqëri!

Prandaj, si Kryetar i Kryeqytetit, zotohem se do të punojmë për ndërtimin e mekanizmave që rrisin bashkëpunimin mes komunitetit dhe organeve të rendit, në mënyrë që bashkë t’i parandalojmë rastet e tilla dhe të ofrojmë mbështetje për të gjithë viktimat”, shkruan ai në “Facebook”. /KultPlus.com

Nga 14 – 18 shtator, ekranet e kinemasë në Bernë do të mbushen me tregime nga Kosova

Kino Kosova po kalon në raundin e tretë. Nga data 14 – 18 shtator, ekranet e kinemasë në Bernë do të mbushen me tregime nga Kosova. Programi magjeps me histori personale, filma me karakter transformues. Formatet pasuese të diskutimit do të mundësojnë një shkëmbim me regjisirorët e filmit dhe do të mundësojnë diskutime të ndërsjella.

Filmi kosovar

Shteti më i ri i Evropës shikon prapa në një histori të trazuar. Pyetje të tilla si vizat, atdheu, lufta dhe shpresa vazhdojnë të jenë tema që formojnë jetën shoqërore. Nga këto çështje krijohet edhe puna kinematografike e artistëve kosovarë. Ndoshta pikërisht për këtë, për shkak të historive personale, autentike, filma kosovar ka disa vite që shënojnë suksese të mëdha. Me një buxhet jashtëzakonisht modest, vepra politikisht dhe historikisht të vlefshme me joshje ndërkombëtare prodhohen. Pjesëmarrjet dhe çmimet e shumta nga festivalet e filmit të klasit të lartë, si Festivali i Filmit në Toronto, Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Tokio, Festivali i Filmit Sundance apo Berlinale e dëshmojnë këtë.

Fokusi te kineastet femra

Edicioni i sivjetshëm i festivalit ka në fokus kineastet femra. Si shikues, do të kemi një vështrim të shkurtër të temave relevante që për dekada janë treguar dhe trajtuar vetëm nga këndvështrimi mashkullor – në Kosovë dhe gjetiu.

Filmi i hapjes do të jetë VERA ANDRRON DETIN nga Kaltrina Krasniqi, një film që është në programin e festivaleve të shumta ndërkombëtarë dhe vazhdon të shënon sukses të madh. Ndër të tjera, filmi i Krasniqit u nderua me Çmimin Grand Prix të Festivalit të 34-të të Filmit Ndërkombëtar në Tokio. Kosova u përfaqësua në këtë festival për herë të parë me VERA ANDRRON DETIN dhe Kaltrina Krasniqi ishte gruaja e parë që u nderua me Çmimin Grand Prix në historinë 34-vjeçare të festivalit.

Përveç Kaltrina Krasniqit, Aulona Selmani (PARIAH STATE), More Raça (ANROMDEDA GALAXY), Urtina Hoxha (KUSH MYTET KAPET PER SHKUME), Samir Karahoda (PA VEND), etj, do t’i prezantojnë filmat e tyre në festival dhe do ta ndajnë përvojen mbi punën e tyre në sesionet Pyetje dhe Përgjigje.

Programi

Gjatë 5 ditëve do t’i përkushtohemi filmave kosovarë me filma artistikë dhe me metrazh të shkurtër. Krahas shfaqjeve në kinema të ndryshme në Bernë (Kino REX, Kino in der Reitschule, Cine Camera, Cinematte), Kino Kosova do të fokusohet në formatet e diskutimit me regjisorë në vazhdim të filmave. Të shikosh një film është vetëm gjysma e përvojës. Të flasësh për filma të mrekullueshëm është gjysma tjetër. Kinemaja nuk është vetëm ekrani dhe filmi, janë njerëzit dhe bisedat që ata bëjnë rreth tij. Kjo është diçka që ne e vlerësojmë në Kino Kosova. Pyetje dhe Përgjigje do të moderohen nga Aleksandra Hiltman (gazetare Tages Anzeiger) dhe Ilir Hasanaj (regjisor Kosova/Zvicër).

Programi mbështetës e plotëson festivalin. Përveç leximit nga Meral Kureyshi dhe Shpëtim Selmani në PROGR, do të ketë një bllok filmik në bashkëpunim me Dokufest-in kushtuar regjisorëve të rinj nga Kosova. Për mbylljen e festivalit, Kino Kosova dhe bee-flat ju ftojnë në koncertin e Trios VISAR KUÇI TRIO dhe DJ set nga Pika Pika, motrat Rozë Berisha dhe Blertë Berisha.

Kjo është Kino Kosova

Kino Kosova u lansua para tre vitesh nga organizata Kulturalink. Është një festival i filmit që i jep kinematografisë kosovare një platformë ndërkombëtare. Iniciator është Sabahet Meta (Kulturalink), i cili është rritur në Kosovë dhe prej 8 vitesh jeton në Zvicër. Qëllimi i Kino Kosovës është të ndërtojë ura kulturore dhe të promovojë shkëmbimin e artit dhe kulturës.

Përveç 2 edicioneve në Bernë (2020 dhe 2021), Kino Kosova tashmë është mbajtur dy herë në kinemanë Riffraff në Cyrih (2021 dhe 2022) dhe një herë në Cinélux në Gjenevë (2021). /KultPlus.com

Albin Kurti kërkon dënim meritor për dhunuesit: Nuk duhet lejuar që vajzës t’i vidhet fëmijëria e t’i rrënohet jeta

Në mesin e shumë reagimeve, edhe kryeministri Albin Kurti, ka reaguar për rastin e 5 personave, të cilët dyshohet se morën pjesë në dhunimin e një 11 vjeçareje në Prishtinë, ngjarje e cila ndodhi sot, shkruan KultPlus.

Kryeministri ka ftuar organet e rendit dhe të hetuesisë që të vënë personat e dyshuar sa më shpejtë para drejtësisë.

Postimi i plotë:

“Dënim meritor për dhunuesit e vajzës 11 vjeçare

Kërkoj nga organet e rendit dhe të hetuesisë që të vënë personat e dyshuar sa më shpejtë para drejtësisë, e që kryrësit të marrin dënimin meritor për këtë vepër kaq të rëndë e tronditëse, të dënueshme e të papranueshme.

Akte të këtilla brutale të dhunës ndaj fëmijëve, duhet të trajtohen me seriozitet të lartë, në nivel institucional por dhe në atë shoqëror e kulturor.

Dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk është çështje private, por çështje e sigurisë dhe mirëqenies, publike e sociale.

Vajza e mitur duhet të marrë përkrahje institucionale dhe shoqërore, përkujdesje maksimale dhe adekuate, shëndetësore e psikologjike. Nuk duhet lejuar që asaj t’i vidhet fëmijëria e t’i rrënohet jeta. As asaj, e asnjë vajze tjetër.

Na duhet angazhim maksimal i të gjitha institucioneve, si dhe çdo njërit nga ne, për të çuar përpara përpjekjet tona për ta çrrënjosur dhunën në bazë gjinore. Eliminimi i dhunës është detyrim i secilit veç e veç dhe i të gjithëve së bashku”, shkruan Kurti. /KultPlus.com

Protestë më 31 gusht, kërkohet mbrojtje dhe siguri nga shteti për vajzat dhe gratë

Disa organizata joqeveritare kanë bërë të ditur se më 31 gusht do të mbahet një protestë në Prishtinë me fillim nga ora 12:00 dhe vendtakimi do të jetë në sheshin “Zahir Pajaziti”, shkruan KultPlus.

Sot u lajmëruam se 5 djem e burra e kanë dhunuar një të mitur 11 vjeçare në Prishtinë. Përdhunimi i shumëfishtë ndaj të miturës raportohet të jetë bërë për shtatë orë.

Ky rast i përdhunimit është edhe një alarm që tregon për pasigurinë dhe tmerrin të cilin e jetojnë vajzat dhe gratë në Kosovë, në çdo hapësirë ku ato gjenden. Në Kosovë, rrugët, parqet, sheshet, dhomat e shtëpisë, hapësirat e shkollës a punës janë shpesh edhe vende krimi. Aty vajzat e gratë ngacmohen, dhunohen e vriten. E shteti e shoqëria, përtej sensacionit, heshtin. E kjo heshtje po ua merr sigurinë dhe jetën vajzave e grave.

Përkundër dhunës së dukshme e të përditshme, shteti është duke dështuar që ta trajtojë sigurinë e grave si çështje të sigurisë publike. Raporte të ndryshme tregojnë që rastet e dhunës ndaj grave hasin në neglizhencë institucionale, me dënime të cilat shpesh janë nën ndëshkimet e parapara me ligj. Kjo qasje patriarkale është duke i lënë vajzat dhe gratë pa mbrojtje dhe lehtësisht të dhunueshme.

Kësaj gjendjeje terrori duhet t’i vije fundi. Vajzat dhe gratë në Kosovë nuk mund të jetojnë asnjë ditë tjetër me frikë. Djemtë e burrat nuk mund të amnistohen nga shteti dhe shoqëria për dhunën që ushtrojnë ndaj vajzave dhe grave. Përdhunimi i vajzës së mitur dhe i dhjetra grave tjera veç gjatë këtij viti përveç që na indinjon, na revolton dhe na fton në radikalizim të mjeteve tona të protestës e vetëmbrojtjes.

Të mërkurën, ne mblidhemi në protestë dhe kërkojmë:

1. Mbrojtje dhe siguri nga shteti për vajzat dhe gratë;
2. Trajtim të drejtë të rasteve të dhunës ndaj grave dhe dënime meritore për dhunuesit;
3. Legalizimin e përdorimit dhe shpërndarjen e gazit irritues për vetëmbrojtje (pepper spray).

Përderisa dhuna ndaj nesh veç sa është duke u përshkallëzuar, përgjigjet tona në vetëmbrojtje do të radikalizohen. Aty ku shteti dështon të na mbrojë neve, ne do e mbrojmë vetën me çdo mjet në dispozicion. Deri secila nga ne të jetojë e lirë nga frika dhe dhuna! /KultPlus.com

Osmani dekoroi zëvendësambasadorin e SHBA-ve, Nicholas Giacobe me Urdhrin “Dr. Ibrahim Rugova”

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, duke u mbështetur në kompetencat kushtetuese e ligjore, me rastin e përfundimit të shërbimit të tij në Kosovë ka dekoruar sot zëvendësambasadorin amerikan, Nicholas J. Giacobbe me Urdhrin “Dr. Ibrahim Rugova”, i cili u jepet personave për kontribut në ndërtimin e paqes apo në zhvillimin e demokracisë.

Në ceremoninë e dekorimit, Presidentja Osmani ka  vlerësuar lart punën dhe angazhimin e z. Giacobbe gjatë shërbimit të tij në Kosovë.

“Z. Giacobbe me përkushtimin e tij të pashoq ka dhënë kontribut të çmueshëm në avancimin e demokracisë dhe paqes në Kosovë. Ai, gjithashtu ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për forcimin e marrëdhënieve miqësore në mes të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka theksuar Presidentja Osmani në ceremoninë e dekorimit.

Presidentja Osmani ka shfaqur bindjen se miqësia e përhershme me SHBA-të do të vazhdojë të kultivohet e mirëmbahet edhe nga pasuesja e z. Giacobbe. Ndërkaq zv. ambasadori Giacobbe falënderoi Presidenten Osmani për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm, pavarësisht kohës sfiduese nga pandemia Covid-19. /KultPlus.com

Haxhiu reagon për rastin e dhunimit, premton ndryshime në infrastrukturën ligjore

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar për rastin e 5 personave, të cilët dyshohet se morën pjesë në dhunimin e një 11 vjeçareje në Prishtinë, ngjarje e cila ndodhi sot, shkruan KultPlus.

Haxhiu thotë se është tronditës fakti që fëmijët, vajzat dhe gratë ende nuk janë të sigurtë, sepse dhunuesit qëndrojnë në liri, sepse nuk shqiptohen dënimet meritore, sepse ende krime të tilla të rënda nuk trajtohen seriozisht dhe ende tentohet të normalizohen, heshten e harrohen.

Postimi i plotë:

“Edhe një krim tjetër. Edhe një viktimë. Edhe shumë dhunues të lirë.

Është tronditës fakti që fëmijët, vajzat dhe gratë ende nuk janë të sigurtë, sepse dhunuesit qëndrojnë në liri, sepse nuk shqiptohen dënimet meritore, sepse ende krime të tilla të rënda nuk trajtohen seriozisht dhe ende tentohet të normalizohen, heshten e harrohen.

Fatkeqësisht, ky është ende realiteti ynë i cili duhet të ndryshojë orë e çast, dhe për këtë duhet angazhim serioz i institucioneve bashkërisht por edhe i gjithë shoqërisë.

Ftoj institucionet relevante që të trajtojnë këtë krim të rëndë, duke dëshmuar sa më parë përkushtim dhe rezultat në përndjekje dhe ndëshkim ndaj dhunuesve të të gjitha formave.

Si Ministri e Drejtësisë, jemi të përkushtuar që të ndërtojmë infrastrukturën më të duhur ligjore, që për aq sa na jep kompetencë ligji, të kryejmë të gjitha detyrat që i kontribuojnë drejtësisë.

Policia duhet të sigurojë lirinë e qytetarëve dhe gjykatat duhet të veprojnë, ato nuk duhet ta vështirësojnë tutje jetën qytetare me lirim të kriminelëve”, shkruan ajo. /KultPlus.com

Arrestohen edhe dy persona të tjerë të dyshuar për dhunimin e 11 vjeçares

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se janë arrestuar edhe dy persona të tjerë, të cilët dyshohet se morën pjesë në dhunimin e një 11 vjeçareje në Prishtinë, ngjarje e cila ndodhi sot, shkruan KultPlus.

Postimi i plotë:

“Me shqetësim kam pranuar lajmin për dhunimin e një vajze të mitur, 11 vjeçare, nga 5 persona për disa orë me radhë. Jam i vetëdijshëm për shqetësimin e drejtë të secilit prind e secilës vajzë në vendin tonë.

Nga Policia e Kosovës kam kërkuar angazhim maksimal për arrestimin sa më të shpejtë të të gjithë kryesve të këtij akti makabër dhe sapo u njoftova se janë arrestuar edhe 2 të tjerë. Koordinimi i të gjitha organeve kompetente është i domosdoshëm sepse nuk ka asnjë dilemë që dënimi ndaj këtyre kriminelëve duhet të jetë maksimal.

Nuk duhet dhe nuk do të tolerohet asnjë veprim që cënon jetën, integritetin dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve tanë. Vendi ynë duhet dhe do të jetë vend i sigurtë për të gjithë, sidomos për vajzat dhe gratë, dhe nuk ka asnjë alternativë tjetër”, thuhet në postimin e tij. /KultPlus.com

“Të rinjtë që dashurohen s´janë aty për askënd”

Poezi nga Zhak Prever

Të rinjtë që duhen puthen në këmbë
Përballë portës së natës
Dhe kalimtarët që kalojnë i tregojnë me gisht
Por të rinjtë që dashurohen
S´ndodhen aty për askënd
Është vetëm hija e tyre
Që dridhet në errësirë
Duke shkaktuar tërbimin e kalimtarëve
Tërbimin e tyre përbuzjen e tyre nënqeshjet e tyre
Zilinë e tyre
Të rinjtë që dashurohen s´janë aty për askënd
Ata janë gjetiu shumë më larg se nata
Shumë më lart se dielli
Janë në shkëlqimin verbues të dashurisë së tyre të parë./KultPlus.com

“Është më mirë të dështosh duke qenë vetvetja, se sa të korrësh sukses duke imituar të tjerët” 

Ai vazhdon të mbetet “Mbreti i muzikës pop” për shumë arsye. Hitet mjaft të shitura, audienca maksimale në spektaklet ku ishte i ftuar, fansa të shumtë nëpër koncertet e tij, e bëjnë Michael Jackson një këngëtar model për gjithë këngëtarët e tjerë të muzikës pop. Madje, shumë artistë të rinj e kopjojnë Jackson për kërcimet e tij. Përmendim këtu Jason Derulo, Chris Brown, Justin Bieber etj. Ndër të tjera, Michael Jackson la në këtë botë edhe shumë thënie të bukura që na frymëzojnë të gjithëve në jetën tonë të përditshme. Më poshtë do të lexoni disa nga thëniet më të veçanta të tij.

“Përpara se të më gjykosh, përpiqu fort të më duash”.

“Të lutem, ndiqi ëndrrat! Pavarësisht idealeve të tua, ti mund të bëhesh ai që dëshiron të bëhesh”.

“Unë mund ta pranoj dështimin. Secili nga ne dështon në diçka përgjatë jetës së vet, por unë nuk mund ta pranoj dot të mos e provoj sërish”.

“Gjithmonë beso tek vetja. Pavarësisht nëse të tjerët rreth teje po tregohen negativë, apo po të përçojnë energji negative, mos i merr parasysh mendimet e tyre, sepse ti do të bëhesh, ashtu siç ti beson se do të bëhesh”.

“T’i japësh dikujt një pjesë të zemrës tënde, është shumë herë më me vlerë se t’i japësh gjithë pasurinë e botës”.

“Nëse ti nuk beson tek vetja jote, asgjë e mirë nuk do të të ndodhë në jetë. Nëse ti nuk beson tek vetja, kush tjetër do të të besojë ty?”

“Le të ëndërrojmë për një të nesërme ku do të dashurojmë me shpirt, dhe do ta njohim dashurinë si të vërtetën e vetme që buron nga zemra për çdo krijesë”.

“Është më mirë të dështosh duke qenë vetvetja, se sa të korrësh sukses duke imituar të tjerët”.

“Dikush dikur tha “Shpirti është ai që ka rëndësi””.

“Jini modestë, besoni tek vetja juaj dhe mbusheni zemrën tuaj me dashurinë e gjithë botës”. / Bota.al

Arianit Koci për rastin e dhunimit të të miturës: Dënimi minimal 15 vjet

Avokati Arianit Koci ka reaguar për rastin e dhunimit të 11 vjeçares sot në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Postimi i plotë:

“Monstrumëve në trajtë njerëzore iu del hakësh Kodi Penal i Kosovës.

Pa e paragjykuar fajësinë, po ju tregoj që për personat mbi moshën 18 vjeçare, me rrethanat që po paraqiten në media se si është kryer vepra penale e dhunimit ndaj vajzës 11 vjeçare – dënimi minimal është 15 vjet.

Dënimi maksimal është burgimi i përjetshëm.

Thellë besoj që burgimi i përjetshëm do t’i parandalojë personat e tjerë nga kryerja e veprave të tilla penale dhe do të shprehet fuqishëm gjykimi shoqëror për vepra të tilla penale.

Këto edhe janë dy prej katër qëllimeve të dënimit.

E sa për rehabilitimin e kryerësve – poashtu njëri prej qëllimeve të dënimit, të njëjtët le të rehabilitohen në burg.

Përjetësisht!

P.s
Nëse vajza 11 vjeçare ka prindër, prokuroria dhe institucionet tjera duhet patjetër të merren me ta”, thuhet në postimin e tij. /KultPlus.com

Tinka Kurti për rastin e dhunimit të 11 vjeçares: Nesër në mëngjes mblidhet Grupi i Përgjigjes Emergjent 

Deputetja Tinka Kurti ka reaguar për rastin e përdhunimit të një vajze 11 vjeçare në Prishtinë gjatë ditës së sotme, shkruan KultPlus.

Postimi i plotë:

“Nesër në mëngjes mblidhet Grupi i Përgjigjes Emergjent për rastin e rëndë të dhunimit. Gjithçka duhet të jetë me urgjencë. Nuk ka asgjë më të rëndësishme për institucionet dhe shoqërinë tonë se siguria e vajzave.

Mllefin duhet ta kthejmë në drejtësi.

Asnjë vajzë më. Asnjë. Bash asnjë”, thuhet në postimin e saj. /KultPlus.com

64 vjet nga lindja e ‘Mbretit të popit’, Michael Jackson

Michael Joseph Jackson, lindi më 29 gusht 1958 në Gary, Indiana.

Ai ishte muzikant, këngëtar, autor, producent, kompozitor, koreograf, prodhues, valltar amerikan.

I pagëzuar si Mbreti i Popit, apo siç kanë dëshirë ta quajnë adhuruesit e kësaj muzike, King of Pop, ai njihet si një nga artistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave.

Kontributet e Jackson në muzikë, kërcim, modë, e kanë bërë atë një figurë globale në kulturën botërore për më shumë se katër dekada.

Michael Joseph Jackson vdiq më 25 qershor 2009 në Los Anxhelos, Kaliforni./ KultPlus.com

Lëshimi i raketës gjigante të NASA-s në hënë do të vonohet

Shpresat e NASA-s për një lëshim të hënën të raketës masive të Sistemit të Nisjes Hapësinore nga Qendra Hapësinore Kennedy në një fluturim provë drejt Hënës janë pezull për të paktën disa ditë pasi inxhinierët nuk ishin në gjendje të zgjidhnin një problem me motorin, përcjell KultPlus.

Një nga katër motorët e fazës bazë SLS dështoi të arrijë temperaturën e duhur për nisje, duke bërë që drejtori i nisjes së misionit Artemis I të shtynte ngritjen e planifikuar të së hënës në mëngjes.

Me vetëm 40 minuta të mbetura nga numërimi mbrapsht, i planifikuar që në orën 8:33 të mëngjesit ET, kontrollorët e fluturimit kishin thirrur ndalimin ndërsa inxhinierët vlerësuan problemin.

Inxhinierët po merreshin me një sërë çështjesh në prag të nisjes së planifikuar. Së pari, goditjet e rrufesë në jastëk të shtunën fillimisht shkaktuan disa shqetësime, por zyrtarët më vonë thanë se nuk kishte dëmtime në automjet, kapsulë apo pajisje tokësore. Më pas erdhi një vonesë 45-minutëshe e motit të hënën herët në mëngjes që ngadalësoi procedurën për mbushjen e fazës bazë me karburantin e saj me hidrogjen. U zbulua gjithashtu një rrjedhje, por u zgjidh.

“Ne nuk nisemi derisa të jetë e drejtë,” tha administratori i NASA-s Bill Nelson pas vendimit të së hënës për pastrim. /KultPlus.com

Një muaj paraburgim për dy nga të dyshuarit për dhunimin e 11-vjeçares

2 nga 5 të dyshuarit për përdhunimin e një vajze 11-vjeçare në Prishtinë do të mbahen në paraburgim për një muaj, siç ka njoftuar Gjykata Themelore në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Rasti i përdhunimit ka ndodhur të shtunën mbrëma në Prishtinë dhe sipas dyshimeve bëhet fjalë për pesë persona, në mesin e tyre edhe një të mitur.

“Gjyqtarët e procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.R dhe të miturit G.R e kanë aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve iu kanë caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për secilin veç e veç”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Gjykata.

Nga dy të arrestuarit njëri prej tyre është i mitur. /KultPlus.com

Vjosa Osmani kërkon hetim rigoroz për dhunimin e 11 vjeçares

Gjatë ditës së sotme është raportuar për një vajzë që dyshohet se është dhunuar nga pesë burra në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Për rastin ka reaguar edhe presidentja Vjosa Osmani, duke thënë se ky është një akt çnjerëzor, e duke kërkuar hetim rigoroz dhe përgjegjësi para ligjit për kryesit e veprës.

Postimi i plotë:

“Tronditës akti çnjerëzor i dhunimit seksual të të miturës 11 vjeçe. Kërkoj një hetim rigoroz dhe përgjegjësi para ligjit për kryesit e veprës.

Me ashpërsinë dhe vendosmërinë më të madhe duhet ta përsërisim njëzëri se askush s’është mbi ligjin. Ligji duhet të jetë i ashpër me secilin keqbërës të tillë, e posaçërisht në rastet sikur ky kur cak i dhunimit janë fëmijët.

Dhunimi seksual sikurse edhe të gjitha format e dhunës ndaj vajzave e grave përbëjnë kërcënim për të gjithë dhe shpërfaqin një plagë serioze në shoqërinë tonë. Prandaj kryesit e këtyre veprave duhet të marrin përgjigjen e duhur dhe të menjëhershme nga organet e drejtësisë. Ne nuk duhet të lejojmë që vendi ynë të jetë i pasigurt për vajza e gra.

Për fat të keq, për vite me radhë, në raste të caktuara kemi parë mostrajtimin e barabartë të jetës së grave dhe të burrave, fajësimin e viktimës e jo të dhunuesit e deri të rastet me dënime edhe më të ulëta se sa ato që parashihen me ligj. E kjo, vetëm sa i ka inkurajuar keqbërësit e dhunuesit. Prandaj, kërkoj nga organet e drejtësisë që ta eliminojnë në tërësi seksizmin dhe pabarazinë në vendimet gjyqësore si dhe nga institucionet e sigurisë që të rrisin nivelin e mbrojtjes për vajzat e gratë që janë viktima të dhunës. Është koha poashtu, që të procedojmë me ndryshime legjislative që ashpërsojnë edhe më tej dënimet ndaj dhunuesve.

Është përgjegjësi e jona kolektive të kujdesemi që të gjithë fëmijëve t’u garantojmë fëmijëri të dinjitetshme dhe të eliminojmë dhunën mbi baza gjinore”, thuhet në postimin e Vjosa Osmanit. /KultPlus.com

“CNN Travel”: Evropianët po zbulojnë bregdetin shqiptar

“Bregdeti i Shqipërisë është shumë më pak i zhurmshëm nga turistët sesa ai i Greqisë apo Italisë aty pranë. Shumë më pak i zhurmshëm nga turistët sesa Greqia fqinje në jug ose Italia përtej Adriatikut, Shqipëria, vendi në Gadishullin Ballkanik është ende disi një sekret i ruajtur mes udhëtarëve mendjemprehtë, por nuk ka gjasa të qëndrojë kështu për një kohë të gjatë”.

Kështu shkruan “CNN Travel” për Shqipërinë në një shkrim ku u sugjeron amerikanëve të vërshojnë në pikat e nxehta të Evropës, të cilin e shoqëron me një fotografi nga Ksamili në Sarandë.

“Kroatët dhe evropianët në përgjithësi po zbulojnë bregdetin shqiptar”, thekson Alan Mandiç i agjencisë kroate të udhëtimeve “Secret Dalmatia”.

“Është përrallore, me çmime tepër të lirë. Ushqimi, historia, mikpritja, natyra, plazhet-këtu gjen gjithçka.” Ndër plazhet për t’u eksploruar përgjatë asaj që quhet Riviera Shqiptare janë Ksamili, pranë kufirit me Greqinë, si dhe Himara dhe Dhërmiu më në veri, ku mund të ushqeheni me pjatanca jo të shtrenjta me karkaleca deti, oktapod të pjekur në skarë dhe peshq të freskët të kapur në detin Jon duke vështruar hapësirën e saj vezulluese”, shkruan “CNN Travel”.

Gjatë këtij sezoni turistik është shënuar rritje e ndjeshme të numrit turistëve të huaj që kanë zgjedhur Shqipërinë për pushimet verore. Bie në sy rritja e numrit të vizitorëve nga Amerika Veriore, SHBA-ja dhe Kanadaja.

76 mijë vizitorë amerikanë kanë ardhur në Shqipëri në këto shtatë muaj, 50% më shumë se një vit më parë.

Në Shqipëri në janar-korrik kanë ardhur 76 mijë vizitorë, 50% më shumë se një vit më parë.  Ndërsa në muajin korrik kanë hyrë 1.4 milionë shtetas të huaj, duke shënuar numrin më të lartë të regjistruar ndonjëherë./ atsh / KultPlus.com