Jep dorëheqje drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti

Pas rastit të dhunimit të një 11-vjeçare në Prishtinë, drejtori i Policisë së Kosovë, Samedin Mehmeti ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, shkruan KultPlus.

Këtë e bëri të ditur, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ku ka thënë se pranoi këtë dorëheqje.

Siç njofton Sveçla, drejtori Mehmeti këtë dorëheqje e ka kërkuar për arsye personale dhe ndërgjegje profesionale.

Fehmi Hoti është caktuar si ushtrues detyre si drejtor i PK-së.

“Sot gjatë ditës kam pranuar kërkesën për dorëheqje nga z. Samedin Mehmeti drejtor i Policisë së Kosovës. Kjo kërkesë sipas z. Mehmeti erdhi pas rastit të fundit të dhunimit të 11 vjeçares, për arsye personale dhe ndërgjegje profesionale Tashmë kryeministri Kurti ka liruar nga detyra z. Mehmeti dhe ka caktuar si ushtrues detyre të drejtorit të përgjithshëm z. Fehmi Hoti, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës. Me këtë rast falënderoj z. Mehmeti për angazhimin e deritanishëm dhe bashkëpunimin e mirë si dhe i uroj suksese në detyrat e mëtejme në Policinë e Kosovës”, shkroi Sveçla në Facebook. /KultPlus.com

Ndryshon përkufizimi i “muzeut”

Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve (ICOM), gjatë Konferencës së tij në Pragë, vendosi një përkufizim të ri për muzetë.

“Një muze është një institucion i përhershëm, jofitimprurës, në shërbim të shoqërisë, i cili hulumton, mbledh, konservon, interpreton dhe ekspozon trashëgiminë materiale dhe atë jomateriale. Të hapur për publikun, të aksesueshëm dhe gjithëpërfshirës, ​​muzetë nxisin diversitetin dhe qëndrueshmërinë. Ata funksionojnë dhe komunikojnë në mënyrë etike, profesionale dhe me pjesëmarrjen e komuniteteve, duke ofruar përvoja të ndryshme për edukim, kënaqësi, reflektim dhe shkëmbim njohurish”, u theksua gjatë konferencës.

Gjatë punimeve të Konferencës u zgjodh presidentja e ICOM, Emma Nardi, e cila do të qëndrojë në këtë post deri në 2025-ën.

Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve, është një organizatë ndërkombëtare e muzeologëve për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore./ atsh / KultPlus.com

Veprat e arkitektit Andrea Alesi do të përkthehen në gjuhën shqipe

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për sjelljen në shqip të veprës së arkitektit më të famshëm të Dalmacisë, Andrea Alesit, me origjinë shqiptare.

Vepra kushtuar Andrea Alesit, me autor arkitektin kroat Andrija Mutnjakovic, do të vijë në shqip në muajin nëntor, nën mbështetjen e Ministrisë së Kulturës.

Marrëveshja u nënshkrua nga drejtorja e QKLL Alda Bardhyli dhe fotografi I njohur Luka Mjeda, president i Qendrës së Fotografisë Kroate.

Andrea Nikolle Aleksi, apo sic njihej në Kroaci, Adrija Alesi, ishte një arkitekt dhe skulptor I lindur në Durrës në 1425.  Pas shpërnguljes së tij në Split (Dalmaci) ai arriti të bëhej një nga artistët më të mëdhenj të Rilindjes Dalmatine.

Karakteristikë e Andrea Alesit ishte që në punimet e tij, vinte mbishkrimin ku shënohej origjina e skulptorit. Që në rini shkoi në Split të Dalmacisë dhe aty studioi pranë skulptorit Mark Troja. Është autor i statujave të lozhës së tregtareve në Ankona të Italisë, i 1454 afreskeve të një kishe të Dalmacisë. Kryevepra e tij mbahet Pagëzimorja e Trogirit.

Pagëzimorja e Trogirit ndodhet në katedralen e Shën Lorencit. Por gjurmët e punëve të tij ndihen edhe në pallatet e Trogirit përreth, në atë të peshkopit Torlon dhe veçmas në pallatin përkundruall portës kryesore të katedrales, Palazzo di Coriolano Cippico, ku si kryevepër e Andrea Alesit shihet portali disakatësh me dritaret me tri harqe (trifore), në kapelën e Shën Gjonit etj. / atsh / KultPlus.com

543-vjetori i themelimit të Horës Arbëreshe

Hora e Arbëreshëve, komuniteti arbëresh i cili ka ruajtur më me fanatizëm dashurinë për origjinën, sot feston 543-vjetorin e lindjes.

Hora ose siç njihet ndryshe “Piana degli Albanesi”, afër Palermos në Sicili është themeluar më 30 gusht të vitit 1488.

Ky vendbanim arbëresh, ruan me shumë dashuri gjuhën, traditat dhe simbolet kombëtare.

Hora Arbëreshe ka mbi 6.500 banorë dhe njihet edhe si kryeqendër e arbëreshëve, që dha figura të famshme që nga periudha e Rilindjes, siç ishin poeti Zef Skiroi, gjuhëtari Lekë Matrënga, studiuesi e filozofi Dhimitër Kamarda etj.

Banorët e Horës edhe sot e kësaj dite ruajnë pothuajse të paprekura gjuhën dhe traditat kulturore, megjithëse të parët e tyre u shpërngulën në ishull rreth 1480-ës, kur osmanët sulmuan trojet shqiptare.

Aktualisht Bashkia e Horës përdor dokumente zyrtare dygjuhësore: shqip dhe italisht, në bazë të ligjit për mbrojtjen e pakicave etnike dhe gjuhësore në Itali.

Ndërsa flamuri kombëtar valëvitet në shumë objekte private e publike, përfshirë edhe godinën e Bashkisë së Horës. Në këtë lokalitet të madh arbëresh, krahas bustit të Skënderbeut, gjendet edhe shtatorja e Shën Terezës, që paraqesin pikat më të frekuentuara të vizitorëve. / KultPlus.com

Hora e Arbëreshëve, komuniteti arbëresh i cili ka ruajtur më me fanatizëm dashurinë për origjinën, sot feston 543-vjetorin e lindjes.

Dhunimi i 11-vjeçares në Prishtinë, nesër protestë edhe në Tiranë

Nesër nga ora 18:30, në sheshin “Nëna Terezë” në Tiranë, do të mbahet protestë lidhur me rastin e 11-vjeçares që u dhunua të shtunën në Prishtinë.

Këtë e ka bërë të ditur këngëtarja kosovare, Filloreta Raçi, e njohur si Fifi.

Ajo në një postim në Instagram ka shkruar: “Nesër ora 18:30 te SHESHI NENA TEREZE. VAJZA/ FEMRA/ GRUAJA është nderi jonë/ jo lodër e juaja”.

Deri tash për dhunimin e 11-vjeçares janë arrestuar katër persona, tre prej tyre të mitur, ndaj të cilëve tashmë është caktuar masa e paraburgimit, ndërsa i pesti është duke u intervistuar në stacionin policor.

Sot në Prishtinë është mbajtur një protestë, ndërsa pritet të mbahet edhe një nesër.

Çka dihet deri më tani për rastin?

Dhunimi i vajzës, sipas dosjes së Prokurorisë Themelore të Prishtinës, të cilën e posedon Gazeta Express, ka nisur të shtunën në parkun në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, për të vazhduar në një lokacion tjetër të panjohur. Në dosjen e prokurorisë përshkruhen detaje tronditëse.

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka dje kërkuar paraburgim ndaj 26 vjeçarit dhe një të mituri, vëllezër mes vete, si të dyshuar për dhunimin e vajzës 11-vjeçare. Dje, Gjykata Themelore e Prishtinës, ua ka caktuar atyre masën e paraburgimit.

Dy të dyshuar tjerë për dhunimin e të miturës janë arrestuar mbrëmë, ka njoftuar Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Më vonë, Policia ka dalë me komunikatë, përmes së cilës ka njoftuar se është identifikuar edhe i dyshuari i pestë për rastin, i cili është ende në arrati.

Sipas prokurorisë, i pandehuri E.R, 26-vjeç, ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e të dëmtuarës, “në atë mënyrë që të pandehurin fillimisht e kishte thirrur në telefon vëllai i tij, i mitur., pastaj i pandehuri ka shkuar me “Pickup” tek parku në lagjen “Arbëria” në Prishtinë dhe e ka marrë me veturë vëllain e tij dhe të dyshuarit Xh.S., dhe G.J., të cilët ndodhen në arrati dhe të dëmtuarën. Pastaj rrugës tek varrezat kanë zbritur i mituri dhe, dhe Zh.S., ndërsa i pandehuri së bashku me G.J,.dhe të dëmtuarën janë larguar me veturë, ashtu që pas pak E.R., ka ndaluar veturën në një vend të panjohur dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me të dëmtuarën. Edhe pse e ka ditë që e dëmtuara është nën 14-vjeç”, përshkruhet në kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj tij.

Aty shkruan se nga deklarata e të miturës dhënë në polici me datën 28.08.2022 rezulton se “përderisa e mitura ka qenë në park, i janë afruar tre persona, ku kanë filluar ta ngacmojnë me fjalë, ku e dëmtuara ka vazhduar të ecë por më pas njëri ka filluar edhe ta prekte”.

“Më pas të njëjtit, sipas viktimës, kanë vazhduar që ta ndiqnin dhe njëri nga ta e ka tërhequr me një qosh dhe të dy kanë filluar t’ia heqnin rrobat. Personi me maicë të bardhë ia ka kapur duart ndërsa perosni tjetër ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj. Kur e dëmtuara ka filluar të bërtasë ata ia kanë mbyllur gojën dhe marrëdhënia ka ndodhur në këmbë. E dëmtuara ka deklaruar që pasi ka përfunduar njëri marrëdhënien e ka filluar tjetri” thuhet në përshkrimin e rastit që ka bërë prokuroria, transmeton Gazeta Express.

Më pas sipas saj, ka ardhë një automjet “pickup” ku dy persona janë ulur mbrapa dhe viktima përpara. Ajo ka deklaruar se edhe shoferi i veturës ka kryer marrëdhenie me të. / KultPlus.com

Arrestohet edhe personi i pestë, i dyshuar për dhunimin e së miturës në Prishtinë

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar edhe personin e pestë të dyshuar për dhunimin e 11 vjeçares në Prishtinë.

Në një njoftim për media ata kanë njoftuar se personi i pestë tani është duke u intervistuar në stacion policorë.

Ky është njoftimi i plotë:

Personi i pestë i cili ishte identifikuar nga Policia tani është duke u intervistuar në stacion policorë

Prishtinë, më 30 gusht 2022

Si rezultat i punës, angazhimeve dhe hetimeve intensive nga Policia e Kosovës, tani edhe personi i pestë i dyshuar i cili ka qenë në kërkim policorë është duke intervistuar nga hetimet rajonale të DRP Prishtinë.

Të gjitha veprimet e mëtejme policore lidhur me të dyshuarin i cili dyshohet se është i përfshirë në rastin “dhunim” të ndodhur në Prishtinë, do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

KOMUNIKATË PËR MEDIA

Arrestohen katër (4) persona të dyshuar për rastin “dhunim”,

identifikohet edhe i dyshuari i (5) pestë, policia në kërkim të tij

Prishtinë, më 29 gusht 2022

Lidhur me rastin e “dhunimit” të raportuar dje në Prishtinë, hetues nga drejtoria rajonale e Policisë në Prishtinë gjatë reagimit të shpejt dhe arrestimit të dy (2) personave të dyshuar, në vazhdimësi ka punuar me intensitet të lartë në identifikimin edhe të personave tjerë, hetimin dhe sqarimin e rrethanave të plota të këtij rasti.

Pas hetimeve intensive të kryera nga hetuesit rajonal kompetentë, sot më 29.08.2022 janë arrestuar edhe dy (2) persona të tjerë të dyshuar, përderisa është identifikuar edhe personi i pestë (5) i dyshuar për përfshirje në rastin “dhunim”.

Pra, lidhur me rastin e “ dhunimit” policia deri në këtë fazë ka arrestuar gjithsej katër (4) persona, personi i pestë (5) është identifikuar, është kërkuar në shtëpinë e tij, nuk është gjet në shtëpi dhe i njëjti ndodhet në kërkim policor.

Policia e Kosovës është e përkushtuar në trajtimin e rastit të lartcekur në mënyrë sa më profesionale dhe kryerësit e këtij akti të sillen para organeve të drejtësisë. / KultPlus.com

Kur dhunuesit gjejnë mbështetje, komentuesit në rrjetet sociale dhunues potencial

Pasi u raportua se një vajzë 11 vjeçare është dhunuar në Prishtinë nga 5 persona për 7 orë me radhë, opinioni publik është shokuar dhe reagimet kanë qenë të shumta, shkruan KultPlus.

Duke filluar nga presidentja, kryeministri, artistë e njerëz që shoqërisë civile, kanë dënuar rëndë ngjarjen e tmerrshme dhe kanë kërkuar dënim maksimal për dhunuesit.

Por përveç faktit që një fëmijë është dhunuar nga pesë persona, ne si shoqëri po përballemi edhe me një shqetësim tejet të madh.

Janë disa komentues nëpër rrjetet sociale që po mbështesin dhunuesit dhe po fajësojnë viktimën e që është një fëmijë vetëm 11 vjeçar.

Këta komentues, i mbështesin haptazi dhunuesit në rrjete sociale e njëkohësisht na bëjnë më dije që janë dhunues potencial.

“Veshje provokative”, “ka dasht vet ajo”, “kërkush nuk të merr me zor”, janë vetëm disa nga komentet e neveritshme që mund t’i hasni nëpër rrjete sociale.

Pas këtyre komenteve ka reaguar edhe pala tjetër duke kërkuar nga organet kompetente që të ndërmarrin diçka ndaj këtyre personave që potencialisht janë të rrezikshëm për shoqërinë përderisa mbështesin dhunuesit haptazi dhe e gjuajnë fajin të viktima. / KultPlus.com

Kurti: Dënojmë gjenocidin serb në Kosovë, duhet bërë presion që Beogradi të hapë arkivat

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti dhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani kanë bërë sot homazhe dhe kanë vendosur lule tek përmendorja e dedikuar personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se Kosova dënon gjenocidin e Serbisë në Kosovë.

Në homazhet e përbashkëta me familjarët e të zhdukurve, Këshillin Kordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, përfaqësuesit e misioneve diplomatike në Kosovë, dhe organizatat tjera vendore e ndërkombëtare, kryeministri Kurti theksoi përgjegjësinë institucionale.

“Si institucione kemi përgjegjësi të bëjmë gjithçka që mundemi dhe dimë, që sa më parë të zbardhet fati i atyre 1617 të pagjeturve, dhe njëkohësisht me faktorët ndërkombëtarë të bëjmë trysni, që në Beograd të hapen arkivat dhe asisoj të merret vesh e vërteta për më të dashurit tanë”, ka deklaruar Kurti.

Përveçse duhet te hapen arkivat, kryeministri tha se “në të njëjtën kohë edhe prokuroria tek ne duhet të jetë shumë më aktive, gjyqësori shumë më efikas, sepse deri tek e vërteta arrihet edhe nëpërmjet drejtësisë, nëpërmjet kërkimit të përgjegjësisë prej atyre, të cilët i vranë, i varrosën, i zhvarrosën, i dërguan në Serbi, i varrosën atje dhe më pas u zhvarrosën nëpër ato pesë varreza masive, që mbase ka edhe më shumë se aq. 950 shqiptarë janë zhvarrosur prej varrezave masive të Batajnicës, Kizhevakut, Rudnicës, Bajnabashtës dhe Petrovosellos e Peruçacit”

Kryeministri theksoi angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për zbardhjen e së vërtetës për 1617 persona, për fatin e të cilëve nuk dihet.

“Në mesin e këtyre 1617 të zhdukurve me dhunë, shumica dërrmuese janë shqiptarë, por ka edhe që nuk janë shqiptarë, dhe ne angazhohemi për zbardhjen e fatit të të gjithëve pa dallim etnie”, ka shtuar kryeministri, njofton ZKM.

Me këtë rast, kryeministri Kurti ftoi qytetarët, të cilët dinë, kanë informacione, që ato t’i bëjnë publike, duke theksuar se përveç hapjes së arkivave në Beograd, edhe qytetarët në Serbi, dhe jo vetëm atje, duhet të ndihmojnë duke folur se çka dinë.

Prononcimi i plotë i Kryeministrit Kurti:

Bashkë me Presidenten e Republikës, znj.Vjosa Osmani Sadriu dhe me familjarët e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë nga lufta në Kosovë, me kolegë, zyrtarë institucionalë dhe me partnerë e miq ndërkombëtarë nga përfaqësitë diplomatike këtu në Kosovë, bëmë homazhe për të gjithë të pagjeturit, të zhdukurit me dhunë, sot, në Ditën Ndërkombëtare të tyre.

Si institucione kemi përgjegjësi të bëjmë gjithçka që mundemi dhe dimë, që sa më parë të zbardhet fati i atyre 1617 të pagjeturve, dhe njëkohësisht me faktorët ndërkombëtarë të bëjmë trysni, që në Beograd të hapen arkivat dhe asisoj të merret vesh e vërteta për më të dashurit tanë.

Përveçse duhet te hapen arkivat, në të njëjtën kohë edhe prokuroria tek ne duhet të jetë shumë më aktive, gjyqësori shumë më efikas, sepse deri tek e vërteta arrihet edhe nëpërmjet drejtësisë, nëpërmjet kërkimit të përgjegjësisë prej atyre, të cilët i vranë, i varrosën, i zhvarrosën, i dërguan në Serbi, i varrosën atje dhe më pas u zhvarrosën nëpër ato pesë varreza masive, që mbase ka edhe më shumë se aq.

950 shqiptarë janë zhvarrosur prej Batajnicës, Kizhevakut, Rudnicës, Bajnabashtës dhe Petrovosellos, Peruçacit, domethënë këto janë ato pesë varrezat të mëdha masive, prej ku u zhvarrosën njerëzit e me siguri që ka edhe të tjerë.

Në mesin e këtyre 1617 të zhdukurve me dhunë ka edhe që nuk janë shqiptarë. Shumica dërrmuese janë shqiptarë, por ka edhe që nuk janë shqiptarë dhe ne angazhohemi për zbardhjen e fatit të të gjithëve pa dallim etnie.

Me këtë rast i ftoj qytetarët, të cilët dinë, kanë informacione, që ato t’i bëjnë publike.

Besoj që përveçse hapja e arkivave në Beograd, edhe qytetarët në Serbi duhet të ndihmojnë duke folur se çka dinë. Por, jo vetëm në Serbi. Është e nevojshme, që gjithë qytetarët të flasin për informacionet, që mund t’i kenë.

Ne e dënojmë për çdo ditë me veprimtarinë tonë institucionale, me qëndrimet tona shtetërore, gjenocidin e Serbisë në Kosovë. E një ndër shprehjet më të egra, më të dhimbshme, që na ka shkaktuar shumë vuajtje, humbje e ankth të gjenocidit të Serbisë në Kosovë, janë edhe të pagjeturit, të zhdukurit me dhunë, që vazhdojnë të ngelen një plagë e hapur për shtetin tonë dhe shoqërinë tonë. / KultPlus.com

Pas dhunimit të 11 vjeçares, mbahet takimi i Grupit të Përgjigjes Emergjente

Me ftesë të zëvendësministres së Drejtësisë, Nita Shala, sot u mblodh Grupi i Përgjigjes Emergjente.

Përfaqësues nga Policia e Kosovës, Prokuroria, Mbrojtësit e viktimave, Punëtorët social, Gjykata dhe Ministria e Punëve të Brendshme ishin prezentë në këtë takim, ku më pas, zëvendësministrja Shala, njëherit Koorinatore Nacionale Kundër Dhunës në Familje, iu adresua mediave përmes një prononcimi lidhur me qëllimin e këtij takimi.

“Ndajmë shqetësimin lidhur me rastin e dhunimit të vajzës në Prishtinë.

Konfirmojmë ndërmarrjen e veprimeve institucionale sipas parashikimeve ligjore. Sa i takon të dyshuarve, informojmë se janë arrestuar katër prej tyre dhe i dyshuari i pestë, tashmë i identifikuar, është në kërkim. Me kërkesë të Prokurorit të rastit, dy të arrestuarve të parë iu është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë. Seanca për paraburgim lidhur me dy të dysharit tjerë të arrestuar pritet të zhvillohet brenda afateve të parashikuara ligjore. Është ofruar mbrojtja e të dëmtuarës dhe shërbimet adekuate mbështetëse”, u shpreh Shala.

Nisur nga ndjeshmëria e rastit, duke qenë se kemi të bëjmë me të mitur, Shala ka kërkuar mirëkuptimin e gjithësecilit sa i takon detajeve mbi rastin. E një rëndësie të posaçme është mbrojtja e integritetit të të miturve në procedurë.

“Konfirmojmë gatishmërinë e secilit institucion përgjegjës për ndërmarrjen e të gjithë veprimeve, konform legjislacionit në fuqi.

Qeveria do të krijojë një Komision Profesional, i cili do të analizojë dhe rekomandojë veprime konkrete në vijim.

Komisioni do të bëjë:

Një hulumtim kriminologjik të faktorëve që çojnë në kryerjen e veprimeve tilla;

Përgjigjet institucionale ndaj rasteve të abuzimit me të mitur;

Zhvillimi i procedurës dhe epilogu i rasteve të kësaj natyre si rezultat i veprimeve të prokurorisë dhe gjykatave në Republikën e Kosovës, për një periudhë 5 vjeçare.

Fëmijët e vajzat tona kanë të drejtë të jetojnë të lira prej dhunës. Jemi të vetëdijshëm për obligimin institucional për të garantuar që të njejtat të shkojnë pa frikë të dhunimit në shkollë, punë a kudo nëpër hapësirat publike”.

Zëvendësministrja Shala theksoi se Grupi do të rimblidhet sërish brenda kësaj jave. / KultPlus.com

23 vite në pritje përmes fotografive

Fotografitë: Artan Korenica

Sot është Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur. Kur janë bërë 23 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, zyrtarisht edhe mbi 1600 persona figurojnë si të zhdukur.

Këto fotografi paraqesin shumë familjarë të cilët ende janë në pritje të më të dashurve të tyre, që nga dita kur forcat paramilitare serbe i morën ata për të mos i kthyer kurrë më në familjet e tyre.

1639 persona raportohet të jenë zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë. / KultPlus.com

Dy nga të miturit e dyshuar për përdhunimin e 11-vjeçares dërgohen në 30 ditë paraburgim

Së fundmi është shpallur masa e paraburgimit prej 30 ditësh edhe për dy të mitur në rastin e përdhunimit të 11-vjeçares, në rastin e djeshëm në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Sipas Policisë, është bërë e ditur se deri më tani janë arrestuar katër persona të dyshuar, ndërsa dihet identiteti i personit të pestë.

Tre të mitur dhe një 26 vjeçar janë në paraburgim.

Nesër pritet të mbahet një protestë masive në Prishtinë lidhur me këtë ngjarje. /KultPlus.com

Presidentja Osmani udhëton zyrtarisht për në Çeki

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar zyrtarisht për në Çeki ku do të zhvillojë një sërë takimesh me zyrtarë të lartë shtetëror të Çekisë si dhe do të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare të Forumit 2000, së bashku me liderë të tjerë botëror. 

Çekia aktualisht udhëheqë me presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian, prandaj në këto takime, Presidentja do ta adresojë në veçanti çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe avancimin e agjendës evropiane të vendit tonë.

Presidentja Osmani, ndër të tjera, do të takohet me kryeministrin çek z. Petr Fiala, me presidentin e Senatit Çek, z. Miloš Vystrčil si dhe me zv.kryeministrin, njëherësh ministër për punë të jashtme të Holandës, z. Wopke Hoekstra.

Në kuadër të kësaj vizite, Presidentja Osmani do të marrë pjesë dhe do të flasë në konferencën ndërkombëtare të Forumit 2000 me temë: Rreziku i qartë dhe i tashëm i demokracisë: si të përgjigjemi.

Fondacioni Forum 2000, vazhdon trashëgiminë e ish-presidentit çek, Vaclav Havel në mbështetje të vlerave demokratike, respektimit të të drejtave të njeriut, si dhe duke ndihmuar në zhvillimin e shoqërisë civile dhe inkurajuar tolerancën kulturore dhe etnike.

Presidentja Osmani në këtë Konferencë do të mbajë dy fjalime si dhe do të marrë pjesë edhe në disa aktivitete të tjera. /KultPlus.com

Poeti me kone

Nga Agim Vinca

(Për Lasgushin dhe qenin e tij)

Mesditë gushti. Verë. Vapë e zagushi…
Te café-bar Relax me veten time rri.
Rrufis kafenë ekspres e cigaren thith
Në ajrin e vakët një pulëbardhë klith.

Bën vapë, Lasgush, vapë e zagushi
Te café-bar Relax kuvendoj me ty…

Dhe ti si unë dikur andej matanë,
Veç kones sate – askënd pranë.
Më të flisje, me të qeshje e qaje…
Thonë se dhe shtratin me të e ndaje.

Përballë kam Eseninin, kaçurrelin bjond,
Që qenin e Kaçallovit e qau me lot…

Janë të marrë poetët dëgjon të thonë shpesh
E ndodh dhe t’i gërgasin ca laro e syleshë…
Po mua sakaq ndër mend një mendim më vjen:
«Më mirë një qen mik sesa një mik qen!»

Mesditë gushti. Verë. Zhurmë e vetmi.
Te café-bar Relax me veten time rri …

(Strugë, gusht 2015) / KultPlus.com

Filmi ‘Thurje’ triumfon në Lagos të Nigerisë

Filmi i shkurtër “Thurje # Hashtag” me skenar të Brikena Sopit dhe me regji të Lorena Sopit, ka fituar Çmimin për filmin më të mirë të shkurtër të bërë nga një regjisore ndërkombëtare /(Best movie by a non african female director) në Realtime International Film Festival, i cili ka përfunduar të dielën në Lagos të Nigerisë. Është ky çmimi i dhjetë ndërkombëtar për filmin e realizuar nga AS Film Production nga Prishtina. 

Filmi “Thurje # Hashtag” trajton jetën e dyfishtë virtuale që tashmë mund të konsiderohet si një lloj pandemie globale. Zana dhe Tina, dy vajza të reja, janë studente universiteti dhe ndajnë bashkë një dhomë banimi. Ato janë të dhëna shumë pas rrjeteve sociale dhe kohën më të madhe e kalojnë të lidhura me telefon mobil. Zana, bënë edhe foto sesione speciale për të krijuar një jetë virtuale të cilën e gjakon. Edhe personat me të cilët ajo është e lidhur e për të cilët beson se janë të rëndësishëm, të pasur e të suksesshëm, në realitet janë po ashtu persona fiktiv dhe te paqenë. Zana, madje organizon edhe seanca mësimi se si duhet krijuar imazhi virtual i një personi. Ajo e subordinon Tinën dhe e tërheq në botën e saj. Tina ka dilema. Megjithatë përpiqet ta përcjell Zanën, por përpiqet edhe të mësoj dhe të zë dije në lëmine e shkencës që ajo e studion. Kur pasioni i Zanës për jetën virtuale dhe mediat sociale kapërcen kufijtë e normales, Tina e kundërshton atë duke ia bërë me dije se ajo ka ardhur në kryeqytet për të mësuar dhe për tu bërë ‘dikushi’ me dije. Ajo, paralajmëron Zanën se me këtë logjikë, nuk do te mund te vazhdojnë tutje bashkë.

Hendekun mes dy shoqeve e thellon edhe më shumë momenti kur Tina bie prej provimi dhe kërcënon Zanën se udhët e tyre do të ndahen përfundimisht. Zana vazhdon të krijoj personalitetin e rrejshëm dhe të ëndërroj se jeta saj virtuale një ditë do të bëhet realitet. Ajo madje krijon një lidhje serioze me një person te tillë fiktiv. Por kur del në takim me ‘personin e ëndrrave’, zhgënjehet meqenëse kupton se ai person është një i moshuar të cilin ajo e ka angazhuar si fotograf për t’ia sajuar jetën virtuale. Zana, e dëshpëruar, kthehet në banesë dhe merr vendim te ndryshoj jetën. Ajo, i kthehet pikturës. Autoportretit të lënë përgjysmë.

Ne rolet kryesore luajnë aktorët: Vjollca Tasholli, Blerta Gubetini dhe Bislim Muçaj.

Producent ekzekutiv: Uran Duli, Grimi: Miranda Hetemaj, Kostumografe: Jeta Bajrami, Skenografe: Alba Bytyqi, Zëri: Beslidhje Bytyçi, Muzika: Memli Kelmendi, Asistent i regjisores: Ermal Duli, Drejtor i fotografisë: Lorenc Pelushaj, Skenariste: Brikena Sopi, Regjisore dhe Producente: Lorena Sopi . Prodhoi AS Film Production nga Prishtina. / KultPlus.com

Protesta në Prishtinë pas dhunimit të 11-vjeçares, aktivistja: Kemi dështu krejt

Dhjetëra qytetarë janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu” për të protestuar kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave pas dhunimit të një 11-vjeçareje nga 5 persona në Prishtinë.

Aktivistja Xheraldina Rexhepi tha se dështuan të gjithë. Ajo pati kritika edhe për prindërit e 11-vjeçares.

“Nuk ka dështu shteti, nuk ka dështua asnjë institucion. Kemi dështu krejt. Hallka e parë, institucioni i parë është familja: familja ka dështu. Ka dështu nëna e asaj vajze që s’e ka ditë ku e ka vajzën shtatë orë, kanë dështu prindët e atyre djemve që i kanë eduku në mënyrën që me e bë krim makabër dhe mos me u ndi fajtorë”, tha ajo.

Rexhepi tha se duhet “ta nisim ndryshimin prej vetvetes”. / KultPlus.com

Presidentja Osmani në Ditën e Personave të Zhdukur: Ata janë dëshmia e përpjekjes së regjimit gjenocidal serb për shfarosjen tonë

Sot është Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur. Kur janë bërë 23 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, zyrtarisht edhe mbi 1600 persona figurojnë si të zhdukur.

Në këtë ditë ka reaguar edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e cila është shprehur se të zhdukurit janë dhimbja dhe kujtesa jonë kolektive. Ata janë dëshmia e përpjekjes së regjimit gjenocidal serb për shfarosjen tonë.

“Në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, familjarët, sikurse edhe e gjithë Kosova ende është në pritje të zbardhjes së fatit të mbi 1600 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ata janë dhimbja dhe kujtesa jonë kolektive. Ata janë dëshmia e përpjekjes së regjimit gjenocidal serb për shfarosjen tonë. Mbi të gjitha, ata janë pengu i lirisë sonë, ndaj zbardhja e fatit të tyre është përkushtim i çdoditshëm.

Paqe të qëndrueshme nuk mund të ketë pa zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë në luftën e fundit në Kosovë. Jemi të përkushtuar e të vendosur që fati i tyre të zbardhet, e vërteta të ngadhënjejë dhe drejtësia të triumfojë”, shkruan Osmani. / KultPlus.com

Sterjo Spasse për vdekjen e Nonda Bulkës

“Me ilaçe dhe me humor do të luftoj demonin”

Pardje, më 14 nëntor 1972, në orën 20:10’ vdiq në spitalin e Onkologjisë në Tiranë i shumëdashuri i ynë NONDA BULKA, një nga figurat e mëdha të kulturës dhe letërsisë sonë, prijësi i shquar, krahë përkrah me Migjenin, i letërsisë përparimtare të viteve ‘30. Në minutat e fundit të jetës, pranë tij u ndodhën Qefserja, e shoqja, Sterjovica ime, Qiroja dhe e shoqja e të vëllait të Nondës, Gabrielit, vdekur edhe ai dy vjet më parë.

Unë me Zisën dhe Shelin arritëm në spital pas gjysmë ore. Që atë natë, të veshur nga Sterjovica e nga dy infermiere, kufomën e shpumë në shtëpinë e tij. (Sterjovica e qau si të qante vëllain e saj, e ligjëroi si dinte të ligjëronte ajo si një amanet që kishte prej tij. Ilinden Spasse).

Në këto momente të vështira të jetës së tij, bashkë me Zisën, i kemi qëndruar shumë afër Nondës: dy vjet më parë jemi interesuar me Zisën, që të nisej për kura jashtë shtetit. Vajti në Bukuresht e pas dy-tri muajve u kthye i përmirësuar. Mirëpo, nuk vajti gjatë. Pas shtatë muajve u keqësua. Përsëri u nis për në Bukuresht, më 21 prill të këtij viti e ndejti gjer më 4 korrik. Në aeroport, kur zbriti na u duk i përmirësuar e optimist. U gëzua se hyri në apartamentin e ri, që nuk i gëzohej dot. Dhe dy muajt e parë dilte nga shtëpia dhe pothuajse përditë vinte tek ne; bënim muhabet, pinim nga një kafe e nuk i gëzohej dot nipit tim, Arian e mbesave. Kemi bërë për kujtim disa fotografi në oborrin e shtëpisë sime bashkë edhe me Zisa Cikulin e këto janë fotografitë e tij të fundit. Në një fotografi ka dalë vetëm me nipin e Arian në krahë. Në një tjetër me Ilon… Fotografi të dhimbshme janë edhe ato që kemi dalë më 2 janar 1972 në shtëpinë e tij me të e Qefseren, me Zisën e Shelin, me Fatmirin e Besën, me Llazarin e Erietën dhe me mua e Sterjovicën. Një kujtim këto nga poeti dhe fotografi Vasil Koçi.

Dy muajt e fundit i rralloi vizitat në shtëpinë tonë: vinte dy-tri herë në javë. Por, një muaj e gjysmë para vdekjes, nuk luajti nga shtrati. Një ditë, me kurajë të madhe, u ngrit nga krevati dhe bëmë një shëtitje deri në Krujë me iniciativën e Behar Shtyllës. Ishte dhe Zisa. E kaluam shumë mirë. Pastaj, të nesërmen, i kënaqur shumë nga shëtitja, përsëri ra në shtrat. Pas disa ditësh u bë një ceremoni e vogël në zyrat e revistës “Hosteni”, ku iu dorëzua Urdhri “Naim Frashëri” i Klasit të parë për aktivitetin e tij gazetaresk. Ishim disa shokë. Gjithsej 10 veta: Dashnor Mamaqi, Dhimitër Shuteriqi, Zisa Cikuli, Fatmir Gjata, Petro Marko, Niko Nikolla, Dhionis Bubani, Aleksandër Banushi, Zef Bumçi etj.

Pasi iu dorëzua Urdhri i Presidiumit të Kuvendit Popullor tha: “Me ilaçe dhe me humor do të luftoj demonin, që më ka kapur për grykë”. Dhe demoni ishte kanceri, që e kish kapur nën gjuhë e prej të cilit vdiq në spital, ku u dergj gati një muaj e ca.

Me Zisën i kemi vajtur çdo ditë, herë paradreke, herë pasdreke. E ngrinim pakëz, e mbështetnim në jastëkët dhe ia bënim: “A pimë nga një cigare?”. Dhe kjo “A pimë një cigare?” na ishte bërë zakon, si të thonim: “A pimë një kafe?”. Se kafen e duhanin që i pinte aq shumë, tani i kishte rralluar fort. Kafe nuk piu fare në spital. Kurse nga 60 cigare që pinte në ditë, dy javët e fundit arriti në dy. Njërën nga këto e pinte kur i shkonim me Zisën. I pëlqente t’i flisnim ne e ai vetëm të dëgjonte. I flisnim për politikën e jashtme, për luftën në Vietnam e për piratët e ajrit., veç gjërave të brendshme. Javën e fundit ra shumë dhe rregullën “A pimë nga një cigare?” tre ditët e fundit e lamë. Në këto ditë na zgjaste dorën, deshte të thoshte diçka, por nuk tha asgjë.

Një ditë para vdekjes, qëllova disa çaste vetëm për vetëm. Më foli greqisht t’i afrohem. Iu afrova, por në atë moment hyri kunata e tij, e po greqisht më tha: “Ajo kupton!” – dhe kështu i mbeti fjala përgjysmë. Nuk di çfarë deshte të thoshte. (Përpara disa kohe, ai i kish lënë amanet Sterjos, që Qefserja të martohej patjetër. Mund të ishte kjo edhe një përsëritje e këtij amaneti. Ilinden Spasse)

Varrimi u bë në orën 14:30’ të datës 15. XI. 1972 në varreza e Sharrës. Pjesëmarrja në varrim ishte shumë e madhe. Katër autobusë e më shumë se 20 vetura, përveç shumë njerëzve që nuk erdhën dot nga mungesa e mjeteve të komunikacionit.

Kjo pjesëmarrje e gjerë ishte mirënjohja më e madhe, që i shprehën Nondës si Qytetar i shquar, si Arsimtar i shquar e më fort si Shkrimtar i shquar.

Tiranë, 14 nëntor 1972/Hejza/ KultPlus.com

Kolë Idromeno, artisti poliedrik i shekullit XIX

“Një foto të ndërtuar mes fiksionit e realitetit”, ka përzgjedhur sot ministrja e Kulturës, Elva Margariti në kuadër të “Muajit të fotografisë”.

Fotografia e rrallë, në llojin e saj, nuk mban titull, vitin apo emrin e personazhit të fotografuar. Ajo duket se është ndërtuar e tillë nga vetë Kolë Idromeno, njëkohësisht edhe piktor, i cili edhe në fotografi nuk i ndahej dimensionit krijues.

Kolë Idromeno rridhte prej një familjeje çame të ardhur nga Parga e Greqisë e të vendosur në Shkodër.

Mësimet e para të artit i mori në studion e Pietro Marubbi-t, gjë që e vuri në kontakt me mediumin më të ri të kohës, fotografinë. Në moshën 16 vjeçare më 1875, ai shkon në Venecia ku kalon një periudhë të shkurtër studimi në Akademinë e Arteve të Bukura e më pas pranë studios së një artisti venecian. Pas kësaj përvoje, më 1878 ai kthehet në Shkodër ku shfaq interesat e dhuntitë e tij në disa fusha. U bë i njohur për projektet arkitektonike të një sërë ndërtesash publike e private në Shkodër si Kafja e Madhe, Banka Kombëtare, disa shtëpi në dy rrugët kryesore të qytetit.

Arkitektura që propozon ai sjell disa tipare perëndimore kundrejt arkitekturës orientale që kishte depërtuar ndër shekuj. Kolë Idromeno njihet edhe si pionier i pikturës shqiptare duke krijuar një sërë veprash të rëndësishme për historinë e saj. Më 1884 është i dyti që hap studion e tij fotografike të quajtur “Dritëshkroja e Kolës”. Më 01.09.1912 shfaq për herë të parë në Shkodër e Shqipëri një film pas një kontrate të nënshkruar me agjencinë austriake të filmit “Stauber”.

Fondi i tij fotografik numëron 1300 negativë në xham në Qendrën e Studimeve Albanologjike në Tiranë dhe rreth 100 në Muzeun “Marubi”. / atsh / KultPlus.com

“Bijat e mija, bëhuni aq egoiste të ndyra sa që të shpëtoni”

Bijat e mija, jini egoiste të ndyra!
Merrni atë çfarë është e juaja!
Mëmësia nuk është mision.
As martesa, jo.
Ekzistenca juaj, po.
Jini egoiste kur ju kërkojnë të hiqni dorë në emër të familjes.
Mos u ngrini nga tavolina nëse një burrë nuk e ka bërë përpara jush.
Ndani hapësirat e nevojshme për ato që ju pëlqejnë: kinema, teatër, pasionet tuaja.
Jini egoiste kur ju kërkojnë të jeni “gjithçkaja” e tyre. Qofshin ata fëmijët, partnerët apo miqtë.
Mbani diçka për vete. Diçka sekrete. Të mbrojtur e të paarritshëm.
Jini egoiste. Mos ndani çdo gjë. Ka vende që duhet tju përkasin vetëm juve në mënyrë ekskluzive, që mund tu riktheheni kur gjërat nuk shkojnë mirë.
Jini aq egoiste sa të jeni të pavarura ekonomikisht.
Një llogari bankare vetëm tuajën, sepse të përziesh paratë me dashurinë bëhet lëmsh puna. Dhe nuk i dihet kurrë.
Jini egoiste kur tjetri ju ofendon sepse nuk jeni kthyer ende në ship apo pse darka nuk është gati. Durim. Mos e lini pa bërë atë që po bënit. Nëse jeni aty, do të thotë që ajo hapësirë meriton kohën tuaj.
Jini egoiste kur puna, karriera janë të rëndësishme dhe vijnë përpara gjithçkaje. Për burrat kështu është, e dhënë e njohur dhe e pranuar kjo. E pse nuk duhet të jetë edhe për ju?
Jini egoiste. Mos bëni dashuri nëse nuk doni. Mos u shtirni. Jini të sinqerta.
Kini etje për kënaqësinë, jini egoiste siç është një burrë.
Mendoni për vete. Përpara se gjithash, për vete. Bijat e mija.
Për trupin tuaj. Për dëshirat tuaja. Për shpirtin tuaj.
Mbrojtja e të drejtave tuaja është një nevojë deri sa të kemi të njëjtën peshë që kanë dhe burrat që keni përkrah.
Të drejta që shkojnë përtej familjes, një fëmijë apo një dashurie.
Ato janë kaq personale dhe ju përkasin vetëm juve dhe askujt tjetër.
E pamundur ti dhunoni, rreziku është mungesa e lumturisë e kamufluar nga lumturia. Sakrifica e kamufluar në dashuri.
Jini aq egoiste të ndyra sa që të shpëtoni.
Dhe s’ka rëndësi se sa do t’ju kritikojnë, do t’ju bëjnë të ndiheni në faj, do t’ju thërrasin tek hapësira e rolit. Mbase tek ai i gruas. Mbase tek ai i nënës.
Por ju, mos dyshoni tek vetja.
Zgjidhni gjithnjë të jeni gruaja që ju dëshironi.
Jini egoiste të ndyra.
Kjo është trashëgimia ime si nënë, për ju!
Penny/sosdonne.com / KultPlus.com

OKB paralajmëron se 6 milionë afganë janë në rrezik nga uria

Shefi i Kombeve të Bashkuara për ndihmë humanitare u bëri thirrje donatorëve që të rinisin financimin e Afganistanit, duke paralajmëruar se 6 milionë afganë janë në rrezik nga uria.

Sipas Martin Griffiths, mbi gjysma e popullsisë afgane prej 39 milionë banorësh ka nevojë për ndihmë humanitare.

“Varfëria po thellohet, popullsia ende po rritet dhe autoritetet de fakto nuk kanë buxhet për të investuar për të ardhmen e tyre. Për ne është e qartë se nevojitet që të rikthehet njëfarë mbështetje e zhvillimit”, tha Griffiths gjatë Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 29 gusht.

Talibanët u rikthyen në pushtet në gusht të vitit 2021 pasi koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara u tërhoq nga vendi dhe Qeveria paraprake afgane kolapsoi shumë shpejt pas kësaj. Komuniteti ndërkombëtar nuk ka njohur qeverinë e talibanëve, e cila po shtyp të drejtat e grave.

Qëkur talibanët morën pushtetin, ndihma ndërkombëtare – që përbënte 80 për qind të buxhetit të Afganistanit – është ndalur.

Talibanët janë subjekt të sanksioneve ndërkombëtare, që sipas OKB-së dhe grupeve të ndihmës tani po pengojnë operacionet humanitare në Afganistan.

“Autoritetet de fakto të Afganistanit duhet të bëjnë pjesën e tyre. Ndërhyrjet burokratike dhe procedurat ngadalësojnë ndihmën humanitare, e cila është e nevojshme. Punëtoret e ndihmës humanitare… duhet të lejohen të punojnë të papenguara. Dhe vajzat duhet të lejohen të vazhdojnë edukimin e tyre”, tha Griffiths.

Pavarësisht sfidave, ai tha se agjencitë e OKB-së dhe organizatat partnere kanë pasur “një përgjigje të paprecedent” gjatë vitit të fundit, duke ndihmuar pothuajse 23 milionë banorë.

Zyrtari i OKB-së tha se duhen urgjentisht 614 milionë dollarë për t’u përgatitur për dimër, përfshirë edhe për riparimin e strehimoreve dhe ofrimin e rrobave dhe batanijeve të ngrohta. Sipas Griffiths, edhe 154 milionë dollarë shtesë nevojiten për furnizim me ushqim dhe gjëra të tjera, para se moti i keq të pamundësojnë qasjen në disa zona të caktuara./rel / KultPlus.com

Vdes piktori i njohur Pjerin Sheldija, i njohur edhe si “Mikelanxheloja i Shkodrës”

Ka vdekur në moshën 85-vjeçare, një nga piktorët më të mirë shqiptar, Pjerin Sheldija, i njohur edhe si “Mikelanxheloja i Shkodrës”.

Ai është edhe autori i mbi 200 afreskëve në mbi 35 kisha në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Itali dhe në Angli.

Çdo punim, që kur ishte fëmijë e deri në momentin që mbylli sytë, Sheldija vetëm i ka dhuruar duke mos pranuar t’i shesë për para.

Pikturat e tij, janë kaq të rralla sa 3 prej tyre, ndodhen sot në Vatikan dhe për kontributin e dhënë, Papa Benedikti i 16 e ka nderuar Sheldinë, “ Distinktivin e Kryqit të Shenjtë për Kishën dhe për Papën”. / Gazeta shqip / KultPlus.com

dav

Sevasti Qiriazi, nismëtarja e organizimit të arsimit kombëtar për vajzat dhe gratë shqiptare

Sevasti Qiriazi-Dako, arsimuesja e atdhetarja e njohur shqiptare lindi më 24 shkurt të vitit 1871 në Manastir dhe vdiq më 30 gusht të vitit 1949. Ishte njëra prej grave atdhetare shqiptare dhe nismëtare e organizimit të arsimit kombëtar për vajza dhe gra.

Gjatë qëndrimit në Stamboll, Naim Frashëri ai që i dha mundësi Sevasti Qiriazi-Dakos të studionte në kolegjin me emër Robert College në Konstandinopojë e të luante një rol aktiv në arsimimin e grave. Shkollën e lartë e kreu në Stamboll, pas kthimit në atdhe nisi të punojë për shkollën shqipe të vashave. Ajo qe e para grua shqiptare që studioi në këtë institucion amerikan, të cilin e kreu në qershor të vitit 1891.

Me t’u kthyer në Shqipëri ajo mori pjesë në ngritjen e shkollës së vashave në Korçë më 1891. Kjo shkollë është edhe fillimi i një shkolle mbi bazën laike. Pas Luftës së Parë Botërore kjo shkollë njihej ende me emrin e familjes Qiriazi. Ajo mori pjesë edhe në Kongresin e Manastirit, ku u mor kryesisht me përgatitjen e teksteve shkollore. Është thënë se Sevasti Qiriazi-Dako ka botuar një gramatikë për shkollat fillore (Manastir 1912) dhe ka redaktuar një radhë tekstesh historie. Me të shoqin, gazetarin dhe shkrimtarin Kristo Anastas Dako (1878-1941) e me të motrën Parashqevi Qiriazi ajo vajti në Rumani e prej andej emigroi në Shtetet e Bashkuara, ku bashkëpunoi me të përdyjavshmen “Yll’ i mëngjesit”.Motrat Qiriazi ishin mësueset dhe edukatoret e para të shkollës së vashave që u hap më 1891 në Korçë. Nga kjo shkollë dolën shumë emra të njohur të femrave të cilat kontribuan , jo vetëm në fushën e arsimit , por u bënë edhe luftëtare të njohura të çështjes kombëtare.

Sevasti Qiriazi mori pjesë në Kongresin e Elbasanit si dhe punoi në komisionin për shqyrtimin e teksteve shkollore të ngritur nga shoqëria “Përparimi”. Shkroi “Gramatika elementare për shkollat fillore”. Bashkëpunoi me atdhetarë dhe me Ismail Qemalin për çështjen kombëtare. Kur ishte kryetare e partisë “Partia Kombëtare Shqiptare” në SHBA, mbrojti të drejtat e shqiptarëve në shumë forume ndërkombëtare. Duke iu përkushtuar përparimit kombëtar dha ndihmesë në fushën e arsimit dhe emancipimit shoqëror të femrës shqiptare. / KultPlus.com

Rama: Shqipëria turistike, jehonë në mediet e huaja

Kryeministri Edi Rama ndau sot shkrimin promovues të medies së njohur zvicerane “20 Minutes”, ndërsa u shpreh se “Shqipëria turistike vijon të bëjë jehonë në mediet e huaja”.

“’20 Minutes’, një medie shumë e njohur zvicerane, në një artikull të fundit të saj iu sugjeron lexuesve që të vijnë për pushimet e shtatorit në Shqipëri. Shqipëria renditet në artikull si destinacioni i parë i preferuar, krahas Stambollit, Hieres në Francë, Algraves në Portugali dhe Kalabrisë në Itali”, shkruan Rama.

“20 Minutes” e rendit Shqipërinë mes 5 vendeve më të bukura që nuk duhen humbur gjatë muajit shtator, kur temperaturat janë të favorshme, kuzhina është e shijshme, vala e madhe turistike ka kaluar dhe çmimet ulen.

Me dy foto ilustruese të peizazhit piktoresk dhe të ujërave të kristalta të Ksamilit, prestigjiozja zvicerane ka veçuar Sarandën dhe rrethinat e saj.

“Saranda është afër kufirit me Greqinë. Duke marrë rrugën që të çon në Ksamil, një fshat simpatik, mund të shihni Korfuzin nga larg. Vendi është pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit. Më në jug, mund të vizitoni me varkë dy ishuj të vegjël: Ishullin e Tongos dhe atë të Stillos”, shkruan mes të tjerash “20 Minutes”. / atsh / KultPlus.com

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve

Sot është Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur. Kur janë bërë 23 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, zyrtarisht edhe mbi 1600 persona figurojnë si të zhdukur.

Kjo ditë do të shënohet me disa aktivitete në Kosovë.

Kryqi i Kuq i Kosovës do të ekspozojë 35 fotografitë e realizuara me familjarët e të zhdukurve në sheshin “Skënderbeu” Prishtinë, duke filluar nga ora 09:00, pastaj në orën 10:30, bëhen homazhe te Obelisku, para Kuvendit të Kosovës, ku do të marrë pjesë edhe kryeministri Kurti.

Kurse, YIHR KS nëpërmjet aksionit rrugor “Dera e Pritjes”, solidarizohet me dhimbjen dhe revoltën e familjarëve dhe shoqërisë më gjerë për zbardhjen e së vërtetës dhe gjetjen e drejtësisë, në sheshin “Skënderbeu”, duke filluar nga ora 12:00.

E kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka siguruar një hapësirë e cila do të shërbejë për nevojat e Shoqatës së të pagjeturve të Kosovës dhe zyrtarisht ia dhuron çelësin e zyrës kryetarit të kësaj shoqate në orë 13:00.

Gjithashtu, do të bëhet promovimi i librit ‘Fëmijëri të rrëmbyera’, realizuar nga forumZFD – Programi në Kosovë dhe Qendra Burimore për Persona të Zhdukur. Ndërsa, Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) prezanton publikimin “Memorializimi, roli dhe rëndësia e tij në ballafaqimin me të kaluarën”. Pas prezantimit do të pasojë një debat rreth kulturës së memorializimit në Kosovë dhe rajon.

Në Krushë të Madhe përkujtohen familjarët e zhdukur në luftë, 25-26-27 mars 1999, ku në shenjë respekti për ta do të ndezën 64 flakadanë, në orën 19:00.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, të zhdukur kanë qenë rreth 6.500 persona. Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve. / KultPlus.com