“Si të jetë shoqëria, atë fytyrë ka edhe media!” 

Jetona Koçibelli, autorja, moderatorja dhe gazetarja e Top Channel, në ditën e gazetarëve do të prezantojë një ekspozitë të quajtur “BACKSTAGE SHOW”, me temë ‘Liria e medias është themeli i demokracisë’.

Ekspozita, përmes artit do të trajtojë konceptin e lirisë në media në një shoqëri demokratike, ndikimi i epokës digjitale apo se si funksionon sistemi ynë, të gjitha këto duke i krahasuar me periudhën komuniste dhe ndryshimin që gazetaria ka pësuar.

“BACKSTAGES HOW”, e kuruar në Qendrën për Hapje dhe Dialog, do të jetë i hapur për publikun nga data 4 deri në 9 maj, në oraret 9:30-14:00 edhe 17:30-20:30, tek Biblioteka e Kryeministrisë.

Në përshkrimin e saj në një postim në Instagram, Koçibelli e quan lirinë e medias një postulat universal, që ka vlerë në botën demokratike, sepse sipas saj, sa më shumë demokraci të ketë një shoqëri, aq më shumë liri do ketë dhe media.

“Pra, edhe media, është produkt i shoqërisë! Si të jetë shoqëria, atë fytyrë ka dhe media! Nisur nga episodet e shumta dhe jo vetëm, dilema është kjo: a është në të vërtetë demokratike shoqëria jonë, sistemi ynë? Në kronologjinë historike lind pyetja: A ishte demokratik apo çfarë sistemi kishte Shqipëria pas shembjes së regjimit komunist, kur filloi persekutimi e lincimi i gazetarëve të opozitar?”, shkruan kuratorja.

Kjo ekspozitë çel për publikun dilemën nëse: Liria është një nocion gjeneralist! “Sot kemi liri të shfrenuar falë epokës digjitale, ku kemi zëvendësuar paradoksalisht parrullën komuniste  “Gjithë populli ushtar” me parrullën demokratike ‘Gjithë populli gazetar’”, thotë Koçibelli

Nis restaurimi i dy ikonave me prejardhje nga kishat e Beratit

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat bëri të ditur se, në laboratorin e restaurimit të veprave të artit ka filluar puna për restaurimin e dy ikonave të reja.

Njëra prej tyre është ikona “Shën Gjergji”, të cilës nuk i njihet autori. Ajo e ka prejardhjen nga kisha “Lindja e Shën Mërisë” në Vokopolë të Beratit. Ikona tjetër që po i nënshtrohet restaurimit është “Shën Gjergji dhe Shën Mitri”, me prejardhje nga kisha “Profet Ilia” në Berat, edhe kjo ikonë me autor anonim.

Ndërhyrjet konservuese dhe restaurimi do të bëjnë të mundur nxjerrjen në dritë të këtyre veprave të artit nga faza e degradimit, duke i dhënë mundësinë e ekspozimit në vijimësi të një procesi, që ka për vizion ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.

Këto ikona janë pjesë e fondit të DRTK Berat./atsh/KultPlus.com

Instalacioni madhështor i Petrit Halilajt zbulohet në MET të New York

I shumëprituri, instalacioni i komisionuar nga Muzeu Metropolitan i Artit për vitin 2024, i artistit kosovar Petrit Halilaj tashmë është i hapur për publikun, deri më 27 tetor 2024. Për instalacionin e tij të parë të rëndësishëm, në ambient të hapur, Halilaj ka transformuar terracën e Iris dhe B. Gerald Cantor të MET me një instalacion të shtrirë që eksploron ndërthurjen e realitetit dhe imagjinatës përmes botës së pasur të vizatimeve të fëmijëve. Skulpturat metalike janë frymëzuar nga shkarravinat dhe vizatimet e gjetura në bankat e shkollës, ku ai vijonte mësimet në Runik, Kosovë, si dhe në shkolla të tjera të rajonit, të cilat tani po pësojnë ndryshime të mëdha kulturore dhe socio-politike.

Instalacioni i komisionuar nga MET Abetare është i njëmbëdhjeti në serinë e krijimeve të komisionuara për ambiente të hapura.

“Me entuziazëm të lartë, Muzeu MET komisionoi dhe zbuloi instalacionin skulptural të Petrit Halilajt në terracën e Iris dhe B. Gerald Cantor, për të krijuar një bashkëbisedim të ndjerë në mes artistit, Muzeut, qiellit të Manhattan, dhe jo vetëm,” tha Max Hollein, Drejtori dhe CEO i Marina Kellen French të MET. “Puna inspiruese dhe shumëdimensionale e Petrit Halilajt, ka rrënjët në historinë dhe vendlindjen e artistit, megjithatë është vizionare dhe ndërkombëtare. Ajo shtjellon fuqishëm kompleksitetin dhe rolin e imagjinatës së fëmijërisë në tregimin e ngjarjeve historike.”

“Shkarravinat e zakonshme të nxënësve në bankat e tyre, në çaste monotonie apo shpërqendrimi, pëmbajnë fantazitë dhe ëndrrat e kokës së tyre,” tha Halilaj. “Fillova ta hulumtoj këtë si praktikë më 2015, dhe ishte e rëndësishme atëherë për mua që ëndrrat e shkollës sime në Kosovë t’i barti në Evropë, nga e cila pjesë e botës, vendi im ishte ende i izoluar. Tani në vitin 2024, shkarravina të panumërta nga bankat shkollore nga gjithë Ballkani po zbulohen në një kontekst dhe kontinent të ri. Puna ime këtu në Muzeun MET, i dedikohet të gjithë fëmijëve, në jetën e të cilëve luftërat në tërë botën lanë vragë të thella. Shpresoj që ëndrrat e tyre do t’na fluturojnë në një të ardhme më të bukur.”

Halilaj është i njohur për instalacione mbresëlenëse që mbartin vullnetin për të ndryshuar rrjedhën e historive personale dhe kolektive, duke krijuar botë artistike komplekse që kërkojnë hapësirë për liri, intimitet dhe identitet.

Komisionuar nga MET, vizatimet e fshehura në bankat e fëmijëve janë shndërruar në skulptura metalike tre-dimensionale, secila duke ruajtur origjinalitetin e tyre. Bashkë, ato sjellin në pah, kujtesën kolektive dhe fuqinë e imagjinatës së nxënësve, jeta e të cilëve u shënua me konflikte traumatizuese dhe ndarje territoriale. Kosova përjetoi një seri luftrash në rajonin e Ballkanit në vitet 1990, gjatë të cilave shumë fëmijëve iu mohua qasja në arsim për motive ideologjike. Abetare merr emrin nga libri që artisti dhe shokët e tij përdornin për të mësuar alfabetin në shkollë, ku çdo shkronjë lidhej me një mësim të ilustruar dhe me tekst.

Puna e Halilajt në MET ndanë ADN-në me korpusin e mëparshëm të punës së tij të vitit 2025 në Kolnischer Kunstverein që fokusohej në hulumtimin e Halilajt vetëm në Kosovë. Në MET, duke e hapur projektin kundrejt eksperiencave përtej kufijve gjeorgrafik, nacional dhe etnik në rajonin e Ballkanit, ai i komplikon kategoritë e kundërta dhe dualitetet që i pozicionojnë vendet kundër njëra-tjetrës, ose ideologjitë kundër njëra-tjetrës, Lindjen kundër Perëndimit që edhe ashtu kurrë nuk mund të përfaqësojnë plotësisht përvojat e një individi. Abetarja në MET, përmes simboleve dhe gjuhës, krijon një rrjetë lidhëse në mes kombeve dhe përvojave, njejtë si Merimanga, skulptura më e madhe në instalacion, që rrjetëzon këto përvoja me qytetin e Nju Jorkut, me Muzeun dhe me botën.

Abetare, referencat kulturore specifike për ideologjitë e ndryshme politike, fetare dhe heronjtë kombëtarë koekzistojnë me simbole më universale dhe afirmative ndaj kulturës pop, historisë së artit dhe sportit. 

Të përhapura rreth Terracës së Iris dhe B. Gerald Cantor në MET, “vizatimet në hapësirë” bashkohen me arkitekturën dhe peisazhin përreth, duke krijuar një skenografi multivokale me një narrativë të hapur. Një shënim i i impulsit të përbashkët për rrëfim personal dhe për të lënë gjurmë, Abetare është një mundësi për zbulim dhe një ftesë për të zgjeruar kapacitetin tonë imagjinar drejt një të ardhmeje transformuese.

Rreth Artistit
Petrit Halilaj është artist kosovar i lindur në vitin 1986, që përjetoi luftën në rajonin e Ballkanit gjatë viteve 1990. Pas një periudhe formuese në Itali, ku studioi artin në Akademine di Brera në Milan, ai u shpërngul në Berlin në vitin 2008, ku ende jeton dhe punon. Projektet e tij përfshijnë një portfolio të lloj-llojshme, skulpturë, vizatim, poezi dhe performancë. Shpesh duke inkorporuar rrëfime historish nga vendlindja e tij dhe duke i manifestuar ato si instalacione të mëdha dhe ambicioze, puna e tij shndërron marrëdhëniet personale, kujtimet dhe përvojat në skulptura. Puna e Halilajt ka fituar njohje ndërkombëtare me ekspozita të rëndësishme të mbajtura në Ocean Space të TBA21-Academy, Venedik (2023); Tate St Ives (2021); Museo Reina Sofia, Madrid (2020); Paul Klee Zentrum, Bernë (2018); Fondazione Merz, Turin (2018), Neë Museum, Neë York (2017); Hangar Bicocca, Milan (2015); Kölnischer Kunstverein, Cologne (2015); Bundeskunsthalle, Bonn (2015). Në vitin 2013, ai përfaqësoi vendin e tij në paviljonin e parë të Kosovës në Bienalen e Venedikut. Në vitin 2022, ai mori pjesë në Manifesta 14 që u mbajt në Prishtinë, Kosovë. Në nëntor 2023, një retrospektivë e punës së tij u hap në Museo Tamayo, Mexico City. Instalacioni i komisionuar në MET i Petrit Halilajt, Abetare është konceptuar nga artisti, në konsultim me Iria Candela, kuratoren e Estrellita B. Brodsky të Met-it për Artin Latin Amerikan në Departamentin e Artit Modern dhe Bashkëkohor. Ekspozita shoqërohet nga një publikim që përfshin një intervistë mes Halilajt dhe Candelas, dhe një shkrim nga David Breslin, Kuratori i Leonard A. Lauder në Departamentin e Artit Modern dhe Bashkëkohor në Met. Publikimi do të jetë në shitje në Dyqanin e Met-it. Katalogu është mundësuar nga Fondacioni i Mary dhe Louis S. Myers. Programet të tjera edukative do të postohen në faqen e internetit të Met-it sapo të jenë gati.

Seria e punëve të komisionuara në Terracën Iris dhe B. Gerald Cantor në MET, ka përfshirë punë nga Imran Qureshi (2013), Dan Graham (2014), Pierre Huyghe (2015), Cornelia Parker (2016), Adrián Villar Rojas (2017), Huma Bhabha (2018), Alicja Këade (2019), Héctor Zamora (2020), Alex Da Corte (2021), dhe Lauren Halsey (2023). ‘Abetare’ e Petrit Halilajt do të prezantohet në uebfaqen e MET, si dhe në Facebook, Instagram dhe Twitter përmes etiketave #CantorRoof dhe #MetPetritHalilaj.

Ekspozita e artistit Petrit Halilaj në MET mbështetet nga Bloomberg Philanthropies. Mbështetje shtesë i është dhënë edhe nga Fondacioni Diane W. dhe James E. Burke, Cynthia Hazen Polsky dhe Leon B. Polsky, dhe Fondacioni Edward John & Patricia Rosenwald./ KultPlus.com

“Mozaiku i Antikitetit” i ekspozuar në muzeun e Kalasë së Rozafës

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Shkodër ndau në rrjetet sociale kuriozitete mbi Mozaikun e Antikitetit.

Mozaiku ka 24 fragmente, por vetëm 8 prej tyre janë të ekspozuara në Muzeun e Kështjellës. Ai u zbulua në muajin tetor të vitit 1977 dhe njihet ndryshe edhe si Mozaiku i Bahçallëkut.

Zbulimi u bë në bregun e djathtë të lumit Drin, 100 m në lindje të urës së vjetër të Bahçallëkut, në veri me rrugën që shkon nga ura për tek Xhamia e Plumbit.
Mozaiku doli si pjesë e një godine me karakter shoqëror, i pari i këtij lloji që zbulohej në qytetin e Shkodrës.

Gërmimet e viteve 1978-1979 u shtrinë po aty në një zonë me territor më tepër se 400 m², dhe u zbulua që ndërtesa ishte pjesë e një mikrolagjeje e qytetit ilir të Shkodrës e ngritur midis shekujve IV-VI pas Krishtit, me jetë mjaft intensive sociale.

Më herët, në kuadër të iniciativës së “Javës së Mozaikëve”, DRTK Shkodër dhe bashkia e këtij qyteti organizuan një punëtori me nxënës të shkollave 9-vjeçare të cilët u njohën me historinë e kulturën e periudhës së antikitetit përmes njohjes së mozaikut, si një art tradicional i kohës./atsh/KultPlus.com

Botohet libri shkencor “Çështje sociolinguistike të terminologjisë në mediet e Kosovës dhe të Shqipërisë”

Instituti Albanologjik i Prishtinës ka botuar veprën “Çështje sociolinguistike të terminologjisë në mediat e Kosovës dhe të Shqipërisë”, të punonjësit shkencor dhe profesorit universitar, prof. ass. dr. Sejdi Gashit.

Sipas dr. Sejdi Gashit, autor i këtij studimi, “zhvillimi i shpejtë i medieve dhe i teknologjive të reja të komunikimit, gjatë viteve të fundit, ka ndikuar fuqishëm në gjuhë. Por, ndryshime në gjuhë kanë sjellë edhe mediet tradicionale, si shtypi i shkruar, radioja dhe veçanërisht televizioni”. Dr. Gashi sqaron se” studimi “Çështje sociolinguistike të terminologjisë në mediet e Kosovës dhe të Shqipërisë” synon të analizojë gjuhën e medieve, duke u fokusuar më së shumti te terminologjia, pra vështruar sipas një qasjeje sociolinguistike”.

Ndërkaq, prof. Naim Berisha-punonjës shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, që është njëri nga recensentët e këtij botimi,  shprehet se “libri i ri i autorit, prof. ass. dr. Sejdi Gashit, me titull “Çështje sociolinguistike të terminologjisë në mediet e Kosovës dhe të Shqipërisë”, sjell para nesh një kontribut të vyer nga fusha e gjuhësisë, duke trajtuar dhe hedhur dritë mbi shumë çështje aktuale dhe tematika me interes, sidomos në kontekstin e medieve”. 

Sipas prof. Berishës ”ky libër pritet të ketë një ndikim të rëndësishëm në botën tonë akademike, duke na sjell diçka të re që deri më sot nuk del e plotë në studimet tona për këtë fushë”. Edhe recensenti tjetër i këtij botimi, prof. Viktor Bakillari (studiues i gjuhës shqipe, leksikograf dhe përkthyes nga Tirana) e ka vlerësuar lart studimin e dr. Sejdi Gashit, me ç’ rast, mes tjerash ai shprehet: ”sot, në kohën e globalizmit e të trysnisë së shfrenuar të rrafshimit të kulturave dhe të anglishtëzimit të të gjitha gjuhëve e të gëlltitjes së të ashtuquajturave gjuhë të vogla (nënkupto asimilimit të tyre), krahas brezit të dekanëve të gjuhës, kemi edhe një plejadë studiuesish të rinj, të mbrujtur me vetëdije të epërme kombëtare dhe me dije të thella shkencore midis të cilëve është edhe dr. Sejdi Gashi, punonjës shkencor në Degën e Gjuhësisë të Institutit Albanologjik të Prishtinës”. Recensenti Bakillari në lidhje me librin nënvizon faktin se “autori, larg së qeni purist, mban një qëndrim koherent nga nisja deri në përfundim të këtij studimi, duke goditur shpërdorimet që i bëhen gjuhës në medie”.

Ai shton se “për autorin Gashi, gjuha shqipe është përbërësi kryesor i identitetit kombëtar shqiptar. Profesori nga Tirana vlerëson se “ky punim është i domosdoshëm për terminologët, për studentët që mbrojnë tema masteri dhe doktorate në lëmin e terminologjisë, si edhe për mediet e shkruara dhe ato pamore”.

Libri shkencor “Çështje sociolinguistike të terminologjisë në mediet e Kosovës dhe të Shqipërisë”, ka hyrjen dhe përfundimin edhe në gjuhën angleze. Ky është libri i gjashtë shkencor i dr. Sejdi Gashit dhe promovimi i tij do të bëhet më 3 maj në orën 13:00 në sallën e Kuvendit të Komunës së Istogut./epoka/KultPlus.com

Nesër ndalohet qarkullimi i veturave në Gërmi

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se nesër, me 1 maj, është ndaluar qarkullimi i veturave në Gërmi.

Në njoftim thuhet se për 1 maj ndalohet qarkullimi i mjeteve të transportit në drejtim të parkut “Gërmia”, përveç autobusëve 4 të NPL “Trafiku Urban”, automjeteve të policisë së Kosovës, të KFOR-it, të EULEX-it, të NPL “Gjelbër”, të KRM “Pastrimi”, të Drejtorisë së Inspektoratit dhe automjeteve emergjente.

“Linja 5 e transportit publik do të punojë sipas itinerarit dhe orarit të rregullt deri në Sofali”, thuhet në njoftimin e komunës.

Jusuf Buxhovi promovon librin “Maqedonia nga antika deri te koha e jonë” në Tiranë

Akademia e Studimeve Albanologjike në Tiranë, ka promovuar librin “Maqedonia nga antika deri te koha e jonë” nga historiani Jusuf Buxhovi.

Nën udhëheqjen e Romeo Gurakuqit, gjatë eventit ai u shpreh se rëndësia e aktivitetit ka të bëjë me personalitetin e autorit dhe me temën mjaft të rëndësishme që është marrë në shqyrtim.

“Autori i librit, profesor Buxhovi, është para së gjithash një intelektual, gazetar dhe aktivist politik, pjesë se strukturës më rilindase dhe më pro europiane që ka nxjerrë bota shqiptare e 40 vitet e fundit, e drejtuar nga shtetari i mirëfilltë shqiptar, Doktor Ibrahim Rugova”, është shprehur Gurakuqi.

Ai ka treguar pak nga jeta e Buxhovit, duke treguar se ka arritur të shkruajë vepra kapitale për Historinë e shqiptarëve në Ballkan, dhe ato punime janë shkruar në liri, janë të “çliruara” nga skemat e ngurta që u janë ofruar dhe vazhdojnë t’u ofrohen, për fat të keq edhe sot e kësaj dite, publikut në dy anët e kufirit, mes dy shteteve shqiptare në Ballkan, ndër institucionet universitare.

“Maqedonia nga lashtësia në ditët tona” është një shkrim i historisë maqedonase i bërë i mundur të realizohet për shkak të një studimi të përmanent, 20 vjeçarë dhe skedimi sistematik të çdo studimi të shkruar deri më sot për Maqedoninë, ose për vendet e tjera të Ballkanit, që lidhen me fokusin e studimit, ka shtuar tutje ai.

Në vazhdim, Gurakuqi ka shtuar se ky libër është shkruar me saktësi shkencore, korrektesë akademike dhe bën dallim nga përpjekjet që bëhen në Shqipëri nga institucionet e ngarkuara.

“Ajo çfarë vuan aktualisht bota shqiptare është mungesa e përkthimeve të veprave mbi historinë tonë në anglisht, ndërkohë që professor Buxhovi ia ka dalë ta plotësojë këtë hapësirë të lënë bosh nga të gjitha institucionet shqiptare në dy shtetet, për studiuesit ndërkombëtarë, të cilët deri më tash kanë si version të ofruar përgjithësisht, studimet e autorëve të vendeve fqinje, por jo të autorëve shqiptarë”, shprehet tutje ai.

Gurakuqi ka thënë se libri i promovuar i kushtohet Maqedonisë, pjesës që nga antikiteti janë takuar “pllakat” kryesore etnike të rajonit, kulturat, religjionet dhe ku çështja e identitetit, përkatesisë është më së shumti e diskutueshme në historiografi dhe në politikë, deri në ditët tona.

“Për t’u kthyer në mënyrë të fokusuar tek libri ynë: “Maqedonia nga lashtësia në ditët tona”: është përspektiva e një shkrimtari illuminist shqiptar për Maqedoninë kuptuar shumë më gjërësisht se Republika e Sotme e Maqedonisë së Veriut; është përmbledhja e dijes së tij, arritur gjatë studimit permanent, kërkimit të vazhdueshëm arkivor dhe faktit që ai ka jetuar, në një Jugosllavi, një shtet, që për hirë të së vertetës, ka qenë më i emancipuar, më i përparuar dhe më i qytetarizuar se sa ishte Shqipëria e mbyllur dhe e dhunuar e Enver Hoxhës, Ramiz Alisë dhe ministrave të tyre pashpirtë të arsimit dhe shkencës;”, ka shtuar ai.

Tutje, Gurakuqi ka thënë se Buxhovi ecën në një rrugë krejtësisht të veten të rishikimit si historian dhe si dëshmitar i proceseve në tërësi në Kosovë./KultPlus.com

Simfonia e nëntë e Bethovenit shfaqet për publikun

Biblioteka Shtetërore e Berlinit po vendos në ekspozitë partiturën origjinale të Simfonisë së nëntë të Ludwig van Bethoven për të shënuar 200 vjetorin e premierës së veprës.

“Dorëshkrimi do të shfaqet në Stabi Kulturwerk, hapësira e ekspozitës së bibliotekës, nga 7 maji deri më 25 gusht”, njoftoi sot biblioteka.

“Lëvizja e fundit, me vendosjen e “Ode to Joy” (Oda e Gëzimit) të Schiller, gjithashtu do të shfaqet”, tha bibliotika.

Kjo pjesë e simfonisë është përdorur si himni evropian që nga viti 1985.

Simfonia u shfaq në premierë në Vjenë më 7 maj 1824. Fletët e shkruara të muzikës u lidhën në formë libri rreth vitit 1850.

Sekretari i Bethovenit, Anton Schindler ia shiti pjesët e para të partiturës Bibliotekës Mbretërore në Berlin që në vitin 1846, ndërsa pjesët e munguara pasuan në 1901.

Vendndodhjet e ndryshme të ruajtjes për pjesë të veçanta të dorëshkrimit gjatë Luftës së Dytë Botërore nënkuptonin se ai nuk u ribashkua plotësisht deri pas ribashkimit gjerman.

Pjesa origjinale tani ruhet në Bibliotekën Shtetërore të Berlinit, ku mbahet nën masa të rrepta sigurie. “Si rregull, partitura autografike nuk del kurrë nga kasaforta”, tha Martina Rebmann, drejtuese e departamentit të muzikës Stabi.

Ajo u shfaq për herë të fundit për publikun e gjerë në vitin 2020, kur u shfaq si pjesë e një ekspozite për të shënuar 250 vjetorin e lindjes së Beethoven./ora/KultPlus.com

Ishte nominuar dikur për çmimin Nobel, fakte nga jeta e diktatorit të tmerrshëm Adolf Hitler

Adolf Hitler, një nga diktatorët më të këqinj ndonjëherë, mbase edhe më i keqi në tërë historinë njerëzore, ishte përgjegjës për 60 deri në 85 milion vdekje gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Emri i tij sjell konotacione të vrasjes, mjerimit, luftës, holokaustit dhe përpjekjes së shfarosjes së çifutëve dhe minoriteteve tjera. Pavarësisht se Hitleri ishte një nga njerëzit më të dokumentuar në historinë njerëzore, ende ka pak fakt të njohura për të. Sot janë bërë 133 vite që kur ai lindi, prandaj KultPlus iu sjellë këto fakte të padëgjuara rreth tij.

Hitleri duhej të jetonte në strehimore për të pastrehët për një kohë: Si shumë austriakë, edhe Hitleri filloi të tërhiqej nga idetë nacionaliste gjermane që nga mosha e re. Babai i tij vdiq kur ai ishte 14 vjeç, dhe më pas performance e Hitlerit në shkollë ra. 2 vite më vonë ai ndërroi shkollën dhe u regjistrua në një shkollë në Austrinë e Epërme.Nëna e tij vdiq nga kanceri I gjirit në moshën 47 vjeç. Ndërsa në moshën 18-19 vjeç, ai u refuzua nga Akademia e Arteve të Bukura, pasi u shpall  i papërshtatshëm për pikturë. Hitleri nisi të shiste piktura, por për shkak të mungesës së cilësisë dhe burimeve, ai dështoi. Ai vazhdonte të lëvizte nga një vend në tjetrin, pasi kursimet e tij gradualisht zvogëloheshin dhe stili i jetës u përkeqësua. Gjysëm i uritur dhe i ngrirë, i duhej të jetonte në strehimore në Vjenë, por pas 3 vitesh ai mori trashëgiminë e babait të tij dhe u transferua në Mynih.

Hitleri u verbua përkohësisht të paktën një herë nga sulmi me gaz: Gjatë sulmit në kampin e tij me 15 tetor 1918, gjaatë Luftës së Dytë Botërore u verbua përkohësisht dhe u shtrua në spital. Gjatë kohës sa ishte atje, ai mësoi për humbjen e Gjermanisë dhe armëpushimin me Britaninë e Francën. Thuhet se kur dëgjoi një lajm kaq të tmerrshëm për gjermanët, pësoi verbërim të përkohshë.

Vuante nga sëmundja e Parkinsonit: Studiuesit kanë sugjeruar që Hitleri vuante nga një numër sëmundjesh, përfshiirë edhe sëmundjen e Parkinsonit. Disa e përshkruanin atë si një psikopat neurotic. Sëmundja e Parkinsonit është një çrregullim degjenerues i sistemit nervor qendror, që ndikon në lëvizjen, kujtesë, në të menduarit dhe sjelljet e pacientit.

Hitleri nuk vizitoi kurrë një kamp përqendrimi: Shumica e 11 milion hebrenjve, dhe pakicave të tjera të vrarë gjatë Holokaustit nga forcat naziste të Hitlerit, u vranë në 1200 kampe të përqendrimit nazist. Kampi i parë u krijua në Gjermani me 1933, ato u ndërtuan për të mbajtur dhe torturuar organizatorët e sindikatave dhe kundërshtarët politikë. Hitleri nuk vizitoi kurrë një kamp të tillë, edhe pse këto kampe ishin të ndërtuara në lindje. Kjo distancë që mbajti Hitleri mes vetes dhe vendit të vrasjes, ka nxitur pretendimet e bëra nga mbështetësist neo-nazistë se Hitleri nuk ishte përgjegjës për atë që po ndodhte.

Hitleri dëshironte të bëhej prift kur ishte fëmijë: Ai lindi nga një nënë katolike dhe një baba antiklerik. Kur ishte 8 vjeç, ai këndonte në korin e kishave dhe mori mësime për të kënduar që të përmirësonte vokalin e tij. Ai madje aspironte të behej prift.

Hitleri merrte kokainë dhe koktej drogash në mënyrë të rregullt: Ai përdori një inhalator për të marrë rregullisht kokainë, për të ndihmuar problemet e fytit dhe sinusit, nga të cilat vuante. Gjithashtu përdori pikat e syve të përziera me 10% kokainë. Mjeku i Hitlerit, Dr Theodore Morel ishte përgjegjës për përshkrimin e këtyre ilaçeve dhe hetuesit amerikanë deshën ta dinin nëse  Morell, ishte një agjent i dyfishtë që përpiqej ta dëmtonte shëndetin e tij.

Hitleri u nominua për çmimin Nobel për paqe në 1939: Stalini dhe Hitleri, të dy personazhet u nominuuan për çmimin Nobel për paqe. Por nominimi i Hitlerit supozohej të ishte një ironi dhe shaka. Një anëtar i parlamentit suedez nominoi atë, me synimin që të kritikonte qeverinë suedeze. Kjo gjë nuk u prit mirë dhe ai u detyrua të tërhiqte këtë nominim.

Hitleri hoqi një pjesë të mustaqeve të tij, pasi ato gati e vranë atë: Mustaqet e Hitlerit nnuk ishin gjithmonë ashtu si duken. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai kishte mustaqe të plota. Por gjatë sulmeve me gaz, Hitleri nuk mund të hiqte maskën e tij të frymëmarrjes nga fytyra e tij për shkak të mustaqeve, kështu ai pothuajse vdiq për shkak të pranisë së gazit. Si rezultat, mbikëqyrësit e Hitlerit urdhëruan atë të hiqte mustaqet e tij, për të lehtësuar veshjen e maskave të gazit.

Si përfundim, veprat e Hitlerit ishin aq shkatërruese, saqë emri i tij mbetet padyshim i njohur dhe i përçmuar nëpër botë edhe disa vite më vonë./gazetametro.net/ KultPlus.com

Dita Ndërkombëtare e Xhazit, UNESCO: Festohet në 190 vende

Sot kremtohet Dita Ndërkombëtare e Xhazit, e cila do të festohet në më shumë se 190 vende të botës. Mikpritësi zyrtar për festimet e këtij viti është caktuar qyteti i Tangier, në Marok. Kjo shënon herën e parë që një qytet në kontinentin afrikan pret Ditën Ndërkombëtare të Xhazit.

Tangier është si një enë ku shkrihen kulturat me njëra-tjetrën, i vendosur në udhëkryqin mes Evropës dhe Afrikës. Ai krenohet me një histori të gjatë dhe të pasur të xhazit dhe është i njohur për trashëgiminë e tij të këtij zhanri muzikor. Shumë artistë të xhazit me famë botërore kanë performuar dhe kanë kaluar kohë në Tangier, duke përfshirë këngëtaren Josephine Baker, saksofonistët Ornette Coleman dhe Archie Shepp, flautistin Herbie Mann dhe pianistin mjeshtër të xhazit Randy Weston, i cili jetoi në Tangier për shumë vite.

Festimet në Tangier kanë nisur më 27 dhe kulmojnë sot, më 30 prill. Veprimtaria përfshin një sërë programesh arsimore, aktivitete për studentë të të gjitha moshave dhe biseda rreth historisë së xhazit.

UNESCO inkurajon shkollat, universitetet dhe organizatat joqeveritare në mbarë botën për të festuar Ditën Ndërkombëtare të Xhazit. Vendet ku performohet art, qendrat komunitare, sheshet e qyteteve, parqet, bibliotekat, muzetë, restorantet, klubet dhe festivalet organizojnë mijëra aktivitete, ndërsa radioja dhe televizioni publik shfaqin xhaz në Ditën Ndërkombëtare të Xhazit./atsh/KultPlus.com

Shtëpia e Kongresit në Lushnjë, Gonxhja: Do të zbatojmë vendimin e gjykatës

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha se, “për Shtëpinë e Kongresit në Lushnjë do të ndjekim zbatimin e plotë të vendimit të gjykatës dhe respektimin e së drejtës së pronarit, sa i përket qirasë dhe çdo detyrimi që buron nga ky vendim”.

Duke marrë fjalën në Kuvend, në interes të deputetit të opozitës Saimir Koreshi, për Shtëpinë e Kongresit dhe restaurimin e Kishës së Shën Mërisë, në Lushnjë, Gonxhja theksoi se, “për Shtëpinë e Kongresit në Lushnjë, do të ndiqen të gjitha procedurat e vendimit të gjykatës”.

“Sa i takon Kishës së fjetjes së Shën Mërisë, që është në Bisht Qethëm në Lushnjë, ka dështuar vjet 4 herë procedura, pasi ka qenë procedurë me një vlerë të vogël dhe nuk ka pasur interes. Do të mundohemi me hapjen e buxhetit të këtij viti, për shkak të riorganizimit dhe krijimit të MEKIT të bëjmë një procedurë më të plotë me disa objekte bashkë dhe ta realizojmë”, sqaroi Gonxhja.

“Megjithatë vuri në dukje Gonxhja, është e lejueshme dhe zbatimi i një projekti nga vetë priftërinjtë e kishës me kusht që projekti të kalohet në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë së Mbrojtjes së Kulturës”./atsh/KultPlus.com

‘Gabimet’ që kushtuan Intel shtatë miliardë dollarë

Kompania kaliforniane e teknologjisë Intel njoftoi se në vitin 2023 regjistroi një humbje operative prej shtatë miliardë dollarësh në ndarjen e prodhimit të çipave.

Rezultati u përkeqësua në krahasim me vitin 2022 kur Intel postoi një humbje operative prej 5.2 miliardë dollarësh, raporton CNBC.

Divizioni i çipave të Intel ka të ardhura prej 18.9 miliardë dollarësh vitin e kaluar, nga 27.5 miliardë dollarë në 2022.

Kjo është hera e parë që Intel raporton të ardhurat totale vetëm për divizionin e saj të çipave.

Në një video promovuese, Intel tha se humbja operative në divizionin e saj të çipave ishte për shkak të “vendimeve të marra në të kaluarën”.

CEO i Intel, Patrick Gelsinger, deklaroi në mënyrë specifike se kompania po adopton “ngadalë” teknologjinë EUV, e cila prodhon gjysmëpërçuesit më të avancuar të sotëm, dhe shtoi se humbjet pritet të mbulohen nga të ardhurat nga operacionet e ardhshme./alsatm/ KultPlus.com

Presidentja Osmani falënderon ligjvënësit e PE-së: Ishit kampionë të popullit tonë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka falënderuar ligjvënësit evropian që në këtë mandat kanë mbështetur vazhdimisht Republikën e Kosovës në rrugën e saj evropiane. Ajo ka falënderuar edhe presidenten Roberta Metsola që ngritën zërin për popullin e Kosovës.

“Kosova ishte e bekuar që kishte miq, aleatë, avokatë të panumërt eurodeputetë që na qëndruan pranë  në Parlamentin Evropian. Ata vazhdimisht mbështetën vendosmërinë tonë të qartë ndaj BE-së, përkrahën me këmbëngulje procesin e liberalizimit të vizave dhe ishin kampionë të vërtetë të popullit tonë”, ka shkruar Osmani.

Handan Hoxha, tenistja e parë shqiptare

Handani kujton se ka qënë shumë e vogël për të fiksuar moshën se kur ka luajtur për herë të parë tenis. Me një raketë të sajuar vetë dhe me një top, ajo mban mend se luante papushim vetëm në oborrin e shtëpisë së vjetër, një vilë tipike borgjeze e viteve ‘30, në zonën pas televizionit shqiptar, në kryeqytet.

Handan Hoxha ka qenë vetëm 15 vjeçe kur i ati, një burrë i shkolluar, me 4 gjuhë të huaja, nëpunës në bankën tregtare, njeri shumë modern për kohën, e regjistron pa të keq në fushën e parë të tenisit që u hap në vitin 1942. Megjithëse kohë lufte kujton Handani, Sali Nallbani, një i ri tiranas i martuar me një italiane, kthehet nga Italia dhe ndërton vetë një fushë tenisi në zonën e Shallvareve. Të gjithë ata që shkonin për të luajtur tenis ishin një grup djemsh të shkolluar në shkollat më të mira të Europës. Midis tyre ishte edhe Handani, tenistja e parë shqiptare, aktualisht 85 vjeçe. Ajo pranon të ndajë me ne historinë e jetës së saj.

Rrëfimi
Handani e ka të vështirë të sjellë në mendje sesi ishte fiksuar pas tenisit dhe sesi kishte dëgjuar për herë të parë rreth këtij sporti. Por tregon se ajo ishte e magjepsur pas sporteve në tërësi, sepse luante edhe volejboll edhe sporte të tjera. Ndoshta, kujton ajo më vështirësi, ka dëgjuar rreth tenisit në radio, në stacionet italiane. “Unë luaja gjithë ditën në oborrin e shtëpisë dhe në rrugicën e lagjes. E dëgjonim shumë radion, e mbanim gjithë kohës te stacionet italiane dhe unë s’e di sesi më është fiksuar tenisi. Por mbaj mend që luaja gjatë gjithë ditës dhe i thoja babait, që kam shumë qejf të mësoj të luaj tenis.
Në vitin 1942, kthehet në Tiranë Sali Nallbani. Me iniciativën e tij dhe me forcat e veta ai hap një fushë tenisi. Mbaj mend që babai na erdhi një ditë nga puna dhe më thotë: Handan do të çoj të luash tenis. Unë gati sa s’fluturova nga gëzimi. Babai ishte njeri shumë modern dhe s’pyeti njeri po më dërgoi. Sali Nallbani u gëzua aq shumë që ekipit të tij iu shtua një vajzë, femër saqë nuk më mori asnjëherë para dhe unë luaja të paktën dy orë në ditë pa paguar asgjë!! “Të gjithë ata që merreshin me tenis në atë kohë ishin djem dhe burra, që kishin ardhur nga jashtë shtetit. Ishin të shkolluar në shkollat më të mira të Europës. Ishin, si të thuash, pjesë e elitës së shoqërisë shqiptare!”, – tregon Handan Hoxha, emri i së cilës në arabisht do të thotë njeri i qeshur dhe optimist. Dhe me të vërtetë, Handani e reflekton më së miri këtë natyrë në karakterin e saj; rrezaton e gjitha me at buzëqeshjen e saj, veçanërisht ky rrëfim që e ka kthyer shumë vite pas, e ka mbushur të terën plot nostalgji.

E motra e saj, Suzi, na tregon se emrat ua ka vendosur gjyshi i tyre, Asaf Hoxha, një jurist i diplomuar në Turqi, një prej themeluesve të shkollës së parë shqipe në qytetin e Gjirokastrës, qytet i origjinës së tre motrave Hoxha. Suzan Hoxha është edhe hartuesja e librit të parë të solfezhit në Shqipëri. Ajo tregon se e motra e saj, Handan theu një tabu në Tiranën e viteve ‘40. Ishte e para femër që mori mësime tenisi dhe arriti madje të dalë edhe kampione në kampionatin e parë të zhvilluar në ato vite. “Pas Handanit u regjistruan edhe vajza të tjera, si Safete Beshiri, Lule Bishqemi e Vjollca Greblleshi. Kjo bëri që ndeshjet e tenisit të ndiqeshin jo vetëm nga meshkujt, por edhe nga femrat, pasi kështu u thyen shumë akuj…”, – tregon motra më e vogël, Suzi. Nerimani, motra tjetër e familjes Hoxha e diplomuar për rusisht, plotëson duke treguar se kampion për meshkujt në tenis në at kohë doli Isuf Vrioni. Ajo tregon se pas vitit 1944, kohë në të cilën Shqipëria u çlirua dhe u vendos regjimi komunist, tenis luante edhe Ministri i Arsimit i kohës, Sejfulla Malëshova. “Mbaj mend që Sali Nallbani, kur luante me Malëshovën i hidhte topa të lehtë dhe e linte që ky të fitonte. Por kur Malëshova luante me motrën tonë, kjo e fundit e rrihte gjithmonë dhe tregon se sa pak dinte ai nga tenisi”, – tregon Nerimani.

Gjyshi ynë kishte mbaruar shkollën e lartë për jurist në Turqi, vinte nga familje e pasur dhe shkolloi edhe babain në Janinë në shkollën “Zosimea”. Prej kësaj, por edhe prej librave që fshehtas siguronte gjyshi, babai ka qenë ndër mësuesit e parë në Gjirokastër. Ish-diktatori e përmend edhe në kujtimet e tij, që mësimet e para i ka marrë prej babait: “Mësues të parë kishim njëfarë Vehip Hoxha, që ishte djali i Asaf efendiut, kadi, njeri i mësuar shumë. Ata rrinin afër shtëpisë sonë, ishim edhe nga një soj. Se ku e kishte mësuar shqipen zoti Vehip, nuk e di, por sigurisht nga abetaret e Stambollit dhe vjedhurazi. Në atë kohë zoti Vehip ishte djalë i shkathët, me iniciativë dhe çapërxhi. Kishte dëshirë të madhe të na mësonte”, siç shkruan fjalë për fjalë. Mandej, babai u zhvendos në Korçë ku punoi si drejtor banke gjatë viteve ’30, më pas erdhi në Tiranë si nëpunës i lartë në Bankën Kombëtare, ku ishte përgjegjës i Thesarit.

Ne mësonim gjuhë të huaja me mësues privatë, shkonim gjithnjë për pushime, luanim sport. Handani ka qenë shumë e mirë në tenis, e para femër shqiptare që e ka ushtruar këtë sport, stërvitej më Sali Nallbanin. Vetëm atë ëndërr kishte, që të bëhej tenistja më e mirë dhe të përfaqësonte vendin e saj nëpër gara ndërkombëtare. Por, përveç kësaj, luante edhe basketboll, volejboll, ping-pong. Aq sa vëllai ynë sajoi një fushë të vogël ping-pongu që e vumë në oborrin e shtëpisë.

Tenisi ende edhe sot konsiderohet si sporti i shtresave të larta, jo të gjithë e luajnë. Kuptoni që njerëzit përreth babait ishin të gjithë aristokratë, edhe ata që luanin tenis po ashtu. Asgjë s’i pengon në këto kohëra, por fakti që nuk e bëjnë, do të thotë diçka. Të gjithë kanë luajtur qoftë edhe një herë basketboll apo volejboll, tenis jo. Duke qenë të rrethuar gjithnjë nga njerëz të tillë, nuk ndihej se bënim ndonjë të “pabërë”. Natyrisht që mund të kishte ndonjë rast që i çonte fjalë babait se ç’ishin gjithë këto lukse që po na mësonte, por ai ishte krejt indiferent. Babai ynë ishte “modernisimo” (nga italishtja, shumë modern) nxiton të shtojë Handani, meqenëse biseda ishte fokusuar te sporti, e vetmja pikë ku indiferentizmi i saj, tashmë edhe prej moshës, ngacmohej.

Tre motrat e pandara, një jetë në shoqëri të njëra-tjetrës. 30 vite e 6 muaj i përjetuan në internim. Diktatura do t’u rrëmbente gjithçka, shtëpi e çifligje. Asnjëra prej tyre nuk u martua kurrë. Jetojnë prej 23 vitesh, që kur u kthyen nga fshati Savër i Lushnjës, në apartamentin e pallatit që u ndërtua në tokën e vilës së tyre të dikurshme, që babai kishte ndërtuar.

Fuqitë i kanë të pakta, dëshirën për t’u rikthyer në kohët e liga, po ashtu. Megjithatë, pas shumë këmbënguljesh, sidoqoftë, rikthehen edhe një herë në ato vite që tashmë u shfaqen mjegullt, sepse datojnë që në kohën e Zogut, kur jeta e tyre ishte e ndritur. Pyetjeve u përgjigjet kryesisht më e madhja, Suzi. Në rast se nuk e ka dëgjuar mirë, Nermini ndërhyn t’ia përsërisë edhe një herë. Ndërsa Handani rri thuajse pa folur në kolltukun e saj të rehatshëm. Gjallërohet vetëm kur fjala shkon te sporti, kryesisht tenisi, dashuria e saj e parë dhe e vetme.

Burimi: “Koha Jonë” nga Eljona Ballhysa & “Panorama” viti 2013 / ALVA – V. D./ KultPlus.com

‘Oj Hanë’, interpretim i mrekullueshëm nga familja Qena (VIDEO)

KultPlus ju sjell këngën “Oj Hanë” të Muharrem Qenës, të interpretuar nga familja Qena. Kjo këngë është njëra nga veprat të cilat e bëjnë të paharrueshëm artistin e madh Qena.

Më poshtë gjeni tekstin dhe videon e këngës:

Oj hane duku n’kët natë
M’shoqno në vetmi se të gjithë më kan lan
O zemra me rënkon për dashuni që ma s’kam
M’shoqno në vetmi se të gjithë më kan lan
O zemra me rënkon për dashuni që ma s’kam

Duku oj hanë edhe shkëlqe, vetmitare si une je
Unë rri me kangë e ti me dritë
O ndjenjat tona i kan grabitë
Unë rri me kangë e ti me dritë
O ndjenjat tona i kan grabitë

Oj hane,oj kangë,oj nat,i vetëm un jam

Por nata mbështjellë vetëm gjithësinë
Askund nuk shkëndin ndoj yll me m’shoqnu
M`kan lan e m`kan braktis që m’kan dashunu
Askund nuk shkëndin ndoj yll mem shoqnu
M`kan lan e m`kan braktis që m`kan dashunu

Hana mshifet o lart mbi re
Vetëm kanga mu më njeh

I vetmum me brenga t’mdha
Shkoj n’harrese sot si cdo gja

Oj hanë,oj kangë,oj natë,oj nanë
I vetem unë jam./KultPlus.com

Presidentja Osmani pret në takim Peneveyren, flasin rreth anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Ndihmës Sekretaren e Shtetit dhe Shefen e Divizionit për Evropë dhe Azi në Departamentin Federal për Punë të Jashtme në Konfederatën Zvicerane, ambasadoren Muriel Peneveyre.

Kështu bën të ditur Presidenca në një postim në Facebook.

Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe organizata tjera ndërkombëtare, si dhe për marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimin Kosovë-Zvicër.

Osmani potencoi në veçanti raportet e shkëlqyera në mes të dy shteteve, ndërsa shprehu rëndësinë e thellimit të mëtejme të bashkëpunimit ndërshtetëror.

Në këtë frymë, e para e vendit tha se mërgata shqiptare vazhdon të jetë një urë e fortë lidhëse ndërmjet dy shteteve dhe se ka potencial të jashtëzakonshëm për forcimin e mëtejmë të partneritetit bilateral.

“Në takim, Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për përkrahjen e vazhdueshme të shtetit zviceran ndaj Republikës së Kosovës, përfshirë edhe përkrahjen për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes së Zvicrës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, duke vënë theksin në impaktin e drejtpërdrejt që ky anëtarësim do të kishte në fuqizimin e të drejtave të njeriut, forcimin e demokracisë, si dhe sundimin e ligjit”.

Nis mbulimi i fushave të tenisit në Prizren, ministri Çeku: Tenisi më nuk do të jetë sport sezonal

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë të ditur se në qytetin e Prizrenit ka filluar me mbulimin e fushave të tenisit, për ta shëndrruar në sport aktiv për çdo sezonë të vitit.

Ministri i MKRS, Hajrulla Çeku, po ashtu ka njoftuar se kjo nismë do të vazhdojë edhe në qytetet e tjera.

“Tenisi më nuk do të jetë sport sezonal. Nisim me mbulimin e fushave të tenisit në Prizren, për të vazhduar edhe me qytetet tjera.

Në bashkëpunim me Federatën e Tenisit të Kosovës po investojmë për konsolidimin e kushteve infrastrukturore në tenis, në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare”, thuhet në shrkimin e Çekut./ KultPlus.com

‘Andrra në tren’, festa e xhazit nga Tirana në Shkodër, tema e edicionit të gjashtë veshjet e viteve 1950

Në ditën ndërkombëtare të muzikës xhaz është mbajtur edicioni i 6 i “Suing Maratone”. Me veshje të viteve 1950 dhe muzikë xhaz, treni i linjës Vorë-Shkodër ka shënuar edhe këtë vit një festë ndryshe organizuar nga Hemingui Tirana.

Me veshje të viteve ‘50, njësoj si në filma bardhezi, me muzikë, kërcime e hare mbërriti në Shkodër treni që udhëtoi nga Tirana në ditën ndërkombëtare të muzikës Jazz….

Swing Maratonë zhvilloi edicionin e gjashtë të saj që është kthyer tashmë në një festë traditë. Të apasionuarit pas muzikës Jazz dhe stileve të veshjeve të para 80 viteve shijuan udhëtimin “Andrra N’Tren”…..

Festës ju bashkua edhe kreu i bashkisë Shkodër Benet Beci.

Në udhëtimin që zgjat rreth 5 orë me trenin e linjës Vorë-Shkodër, pjesëmarrësit nga e gjithë Shqipëria por edhe shumë të huaj festuan nën ritmet e muzikës dhe shijuan ndalesat gjatë rrugës. Përgjatë qytetit të shoqëruar nga banda muzikore mbërritën në pedonale …

Festa nën ritmet e muzikës Jazz vijoi deri në orët e vona ndërsa iu bashkuan edhe shumë qytetarë shkodran që shijuan maratonën e Jazzit organizuar për të gjashtin vit nga Hemingëay Tirana./balkanweb/KultPlus.com

Nivel i lartë i ndotjes së liqenit të Ohrit

Këto foto të realizuara nga një aeroplan tregojnë ndotjen e liqenit të Ohrit, i cili në disa pjesë është aq alarmues saqë duhet të ndërmerren masa të menjëhershme.

Në vend të ngjyrës së pastër blu, uji i liqenit këtu ka ngjyrë kafe të errët. Nga “Ohri SOS” thonë se fotot ilustrojnë ndotjen e liqenit të Ohrit nga lumi Sateska, raporton Alsat M, transmeton Klankosova.tv.

“Kjo perspektivë jep pamje të qartë të problemit prej dekadash të devijimit të rrjedhës së lumenjve në liqen. Shumica e degëve, për fat të keq, janë të ndotura dhe i gjithë ai sediment përfundon direkt në liqen. Institucionet si zakonisht nuk reagojnë, për ta ky nuk është problem”, tha Ohri SOS.

Ambientalistët dyshojnë se ndotja e liqenit vjen edhe nga ndërtimi i autostradës Kërçovë-Ohër, e cila një dekadë është në ndërtim e sipër. Ata thonë se lumi Sateska është një nga ndotësit më të mëdhenj të liqenit që nga viti 1962, që kur është futur në liqen.

“Kjo situatë është pasojë e rritjes së nivelit të ujit, degëve që sjellin sasi të mëdha sedimentesh nga masivët malorë dhe shkrirjes së borës. Por, inspektorët kompetentë të mjedisit duhet sa më parë të hetojnë nëse kjo është edhe rezultat i aktiviteteve ndërtimore që po zhvillohen në magjistralen Ohër-Kërçovë”, tha ambientalisti, Gjoko Zoroski.

Qendra për Shëndet Publik në Ohër thotë se 80 për qind e analizave të mostrave të marra nga lumi Sateska para bashkimit të tij në liqenin e Ohrit tregojnë devijime nga parametrat fiziko-kimike dhe mikrobiologjike, ndërsa uji në të shpeshtën e rasteve i përket klasës së tretë ose të katërt.

“Sigurisht, punët ndërtimore që janë duke u zhvilluar vitet e fundit në pjesën e autostradës Ohër-Kërçovë, në afërsi të shtratit të lumit Sateska, kanë ndikimin e tyre shtesë të shtuar në ndotjen e Sateskës, e kështu edhe në liqenin e Ohrit”, u shpreh Qendra për Shëndet Publik Ohër.

Ata thonë se sasia e madhe e sedimentit, rërës dhe dheut që bart me vete lumi Sateska dhe vendoset në fund të liqenit të Ohrit, respektivisht në vetë grykën e lumit në liqen, i cili më pas shpërndahet në rrethinën më të gjerë nga derdhja, që paraqet ngarkesë serioze për ekosistemin e liqenit. Ndryshe, në proces është kthimi i Sateskës në shtratin e vjetër, i cili duhet ta zgjidhë këtë problem.

13 vite nga martesa e Kate Middleton dhe Princit William (FOTO)

Princi William dhe Kate Middleton kanë këtë të hënë, më 29 prill, përvjetorin e martesës dhe kanë zgjedhur ta festojnë këtë rast me një foto të panjohur nga dita e tyre e dasmës.

Çifti u martua më 29 prill 2011 në Westminster Abbey në Londër, ku ceremonia u transmetua drejtpërdrejt në të gjithë botën, përfshirë edhe vendin tonë.

Në mbishkrimin e fotos ata shkruajnë: “Sot 13 vite më parë” dhe emrin e fotografit, teksa janë fotografuar të buzëqeshur, me Kate Middleton që qëndron përballë bashkëshortit të saj, me vello.

Fotoja ka marrë shumë pëlqime dhe komente nga përdoruesit e Instagram-it të cilët kanë nxituar t’i urojnë çiftit edhe dasmën, por edhe që Kate të shërohet pas betejës së saj me kancerin./abcnews/KultPlus.com

Në Kamenicë shfaqet dokumentari për Adem Demaçin, ‘Kampi i Ferrit’

Sonte në Kamenicë do të shfaqet filmi dokumentar “Kampi i Ferrit”.

“Ky film dokumentar paraqet jetën dhe veprën e veprimtarit dhe simbolit të rezistencës kombëtare Adem Demaçi”, thuhet në njoftimin e kësaj komune.

Filmi i cili mban autorësinë e Valon Bajramit do të shfaqet duke filluar nga ora 20:00 në sheshin “Metush Krasniqi”.

Dokumentari në fjalë vjen në Kamenicë në kuadër të Manifestimit Tradicional ‘Lulëkuqet e Prillit”.

DJ me nam ndërkombëtar Black Coffee, pjesë e Sunny Hill Festival

Këtë vit, dyfish më shumë artistë të mëdhenj ndërkombëtar e vendorë do ngjiten në skenat e Sunny Hill Festival.

Në edicionin që do të jetë më i madhi deri më tani për nga numri i skenave dhe artistëve do të performojë edhe emri më i dashur i zhanrit dhe kategorisë së tij – DJ Black Coffee, njofton Klankosova.tv.

Black Coffee momentalisht është një nga DJ me të njohur në botë. Nga turmat në Ibizia e deri te performancat me mijëra persona në festivale me nam e nëpër klube të ndryshme të botës, Black Coffe ka arritur që emri i tij të jetë përkrah artistëve të njohur si Drake, Alicia Keys, P Diddy e shumë të tjerë.

Ai u bë i pari afrikan që fitoi çmimin Grammy për albumin më të mirë Dance/Electronic me “Subconsciously”.

Artisti nga Afrika Jugore, u bë DJ i parë afrikan që performoi në  “Madison Square Garden” në New York ku shiti të gjitha biletat për koncertin e tij në atë që jo-zyrtarisht njihet edhe si vendi më i famshëm për të performouar.

Këtë vit Sunny Hill do të mbahet nga 25 deri më 28 gusht në Parkun Sunny Hill në Bërnicë të Poshtme. Artisti i pari i konfirmuar nga Festivali ishte sensacioni i stilit afro-fusion dhe fituesi i çmimit Grammy, Burna Boy.

WhatsApp-i po sjell ndryshimin e shumëpritur

Aplikacioni WhatsApp po zhvillon një funksion të ri që do t’ju lejojë të telefononi njerëzit drejtpërdrejt nga aplikacioni, pa i ruajtur në listën e kontakteve, raporton “WABetaInfo”.

Kjo risi do të jetë e disponueshme për ata që kanë aplikacionin beta për Android, versioni 2.24.9.28.

WhatsAppi nuk ka lejuar t’a telefononi dikë nga aplikacioni nëse numri nuk ka qenë i regjistruar në listën e kontakteve.

Nuk ka ende detaje se kur kjo veçori mund të jetë e disponueshme për përdoruesit në mbarë botën, por zakonisht nuk kalon shumë kohë kur veçoria fillimisht testohet në versionin Beta./KultPlus.com