Bekim Jashari e quan psikopat Nexhmedin Spahiun, thotë se do të bëjë padi kundër tij

Debati për ditëlindjen e Adem Jasharit u nis nga analisti politik Nexhmedin Spahiu, i cili shprehi bindjen e tij se heroi i kombit, Adem Jashari nuk ka lindur më 28 nëntor, por më datën 10 tetor të vitit 1955.

Spahiut i reagoi nipi i Adem Jasharit, Bekim Jashari duke e postuar certifikatën e vdekjes të Adem Jasharit, ku data e lindjes figuronte 28.11.1955.

Jashari në një prononcim për Indeksonline ka thënë se do ta ndjekë penalisht Spahiun, për tu përgjigjur për të gjitha këto trillime.

Jashari thotë se për këtë debat ai po paguhet nga ndokush.

“Çka me i thonë atij njeri të krisur, psikopat. Është duke më bërë përshtypje se kush e ka pagu për të bërë gjithë këtë debat . Unë e kam në plan të bëjë padi, do të dalë para Gjykatës për këto trillime. Do ta ndjekë penalisht”, ka thënë Jashari për Indeksonline.

Nga ana e tij, nipi i Ademit në njëfarë mënyre u detyrua të publikojë certifikatën e lindjes.

Por, kjo duket se nuk i mjaftoi Spahiut për ta bindur. Sipas tij, punonjësit e komunës thjeshtë e kanë vënë kot si datë.

Ndërkohë, Në librin amëz të ish-Jugosllavisë bëhet e ditur data e lindjes së komandantit Adem Jashari. Aty figuron se Adem Jashari ka lindur më 28 nëntor 1955, edhe pse kjo së fundmi po kontestohej, e ky kontestim hapi debat rreth datës së lindjes së komandantit./ KultPlus.com

Libri amzë i ish-Jugosllavisë dokumenton datëlindjen e Adem Jasharit

Në librin amzë të ish-Jugosllavisë bëhet e ditur data e lindjes së komandantit Adem Jashari. Aty figuron se Adem Jashari ka lindur më 28 nëntor 1955, edhe pse kjo së fundmi po kontestohej, e ky kontestim hapi debat rreth datës së lindjes së komandantit.

Numrat personalë në ish-Jugosllavi fillonin me ditën, muajin dhe tre numrat e fundit të vitit të lindjes. Numri personal i Adem Jasharit fillon me 2811955.. në udhëzuesit administrativë të asaj kohe, shkruan Gazeta Express.

Debati rreth datës së lindjes u hap dje kur analisti Nexhmedin Spahiu tha se dikush e kishte falsifikuar datën e lindjes së Adem Jasharit sepse ai ka lindur më 10 tetor, e jo me 28 nëntor.

“Kush është ai që i falsifikoi ditëlindjen Adem Jasharit. Nga 10.10.1955 e bëri 28.11.1955?!!!Duhet me u hi gazetave mbas 1998 e me gjetë kush është ai falsifikator i rrezikshëm e me e dënu. Sa më vjen inat që edhe vetë e kam hangër këtë mashtrim të paskrupullt e e kam përdorë në një shkrim timin, se nuk më shkonte mendja se dikush ka nevojë me rrejtë publikisht aq paskrupullt”, ka shkruar dje Spahiu.

Atij i reagoi menjëherë kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, i cili është nipi i komandatit Adem Jashari.

Jashari publikoi certifikatën e vdekjes së komandantit, dokument ky i administratës së UNMIK’ut ku shkruhej se Adem Jashari kishte lindur me datë 28 të muajit nëntor./ KultPlus.com

Spahiu: Ditëlindja e Adem Jasharit është falsifikuar

Analisti politik, Nexhmedin Spahiu është duke këmbëngulur që ditëlindja e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Jashari është e falsifikuar.

Spahiu në një prononcim për Gazetën Insajderi, ka thënë se posedon dokumente të cilat e vërtetojnë se Adem Jashari nuk ka lindur me datën 28.11.1955. Ai ka treguar se ditëlindja e tij e vërtet është 10.10.1955.

Sipas Spahiut, dokumentet të cilat janë duke u publikuar nuk janë relevante, ai thotë se të gjitha ato janë mashtrime të cilat janë bërë me fotoshop.

“Kam shumë dokumente të cilat tregojnë datën e saktë. Po që nga pas lufta në ato dokumentet kanë bërë ndryshime si kanë dashur. Ai dokumenti i vdekjes nuk është një dokument relevant, kurse dokumenti i Gjykatës është i falsifikuar, po shihet se është e ndryshuar me fotoshop, sepse nuk janë fontet njësoj, me makinë shkrimin nuk mundesh me shkru me fonte të ndryshme dhe numrat që janë të shënuar aty, ditëlindja e Ademit dhe numrat më poshtë në të njëjtin vendim të Gjykatës shihet se nuk janë njësoj”, ka thënë Spahiu për Insajderin.

Gjatë ditës së djeshme, Nexhmedin Spahiu kishte shkruar në llogarinë e tij në Facebook, ku kishte thënë se “kush është ai që e falsifikoi ditëlindjen e Adem Jasharit, nga 10.10.1955 e bëri 28.11.1955”.

“Duhet me u hi gazetave mbas 1998 e me gjetë kush është ai falsifikator i rrezikshëm e me e dënu. Sa më vjen inat që edhe vetë e kam hangër këtë mashtrim të paskrupullt e e kam përdorë në një shkrim timin, se nuk më shkonte mendja se dikush ka nevojë me rrejtë publikisht aq paskrupullt”, kishte shkruar Spahiu.

Pas këtij postimi, Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, nipi i ish-komandantit, Adem Jashari, kishte postuar certifikatën e vdekjes të Adem Jasharit, ku data e lindjes figuronte 28.11.1955.

Jashari kishte shkruar në llogarinë e tij në Facebook se posedon dokumente me vulë institucionale për ditëlindjen e Adem Jasharit.

“Unë po e sjell një dokument që ka emër e mbiemër, vulë të institucionit, ka shënime dhe të dhëna, që mund t’i shërbejnë “ideatorin e kombit kosovar”, për t’u bindur se “të hëngrit” e mashtrimeve të kujtdo qofshin ato, i takojnë atij që i injoron faktet, e që në vend të tyre, ushqehet me të pavërteta”, kishte shkruar Jashari. / KultPlus.com

Tallja e regjisorëve kosovarë me figurat e mëdha kombëtare

Shkruan Sarandë Selimi.

Produksionet e mëdha botërore bëjnë gara se cili nga ta do ta prodhojë një film që flet për figurat e mëdha botërore e kombëtare. Ata, bashkë me regjisorët mundohen të gjejnë një nga aktorët më adekuat për të nxjerrë, nëse jo 100%, të paktën 90% të figurës për të cilën bëhet fjalë. Kjo gjë së fundmi po diskutohet edhe në Kosovë.

Një tentativë interesante ishte kjo e fundit që prodhoi një debat kulturor, ku rëndësi iu dha edhe nga mediet e tjera që kulturën e kanë të fundit në kronikat e tyre ose hiq.

Film për Adem Jasharin, tha që do të bëjë regjisori kosovar Luan Kryeziu. Ky nuk ishte lajmi. Lajmi ishte se kinse aktori kroat Rade Serbedzija, ka pranuar ta jetësojë përmes filmit, figurën e madhe historike të Kosovës, Adem Jasharin.

Në këtë mes, regjisori Kryeziu kishte thënë se ai nuk e pranon Serbedzijan për ta luajtur rolin e Adem Jasharit, dhe se ky i fundit , sipas Luan Kryeziut ka kërkuar nëpërmjet Enver Petrovcit, që të luaj në këtë film. Por, edhe pse pat zhurmë në mediet kosovare dhe në ato serbe, vet Enver Petrovci nuk ka dalë me një deklaratë që të qartësonte, se ku ka ngelë e vërteta.

I pari, doli Rade Serbedzija me një reagim ku e quajti Kryeziun një gënjeshtar. Pas kësaj i menjëhershëm ishte reagimi i Kryeziut, duke e porositur aktorin që të bëhej njëherë njeri, sepse, sipas tij qenka mbet edhe më tutje serb, edhe përkundër karrierës së tij ndërkombëtare.

Më tha e të thash. Projektet filmike me figura të mëdha të vendit janë kthyer në debate të mëdha, duke përdorë më shumë emrat për marketingun e filmave të tyre, se sa koncentrimin në vet bërjen e filmit.

Në anën tjetër, kultura në Kosovë vazhdon të mbetet në birën e fundit të kavallit, dhe ende nuk ka një buxhet të kënaqshëm për ta bërë një film të mirë, e aq më pak, një film për Adem Jasharin – një figurë e madhe jo vetëm për kosovarët, po për gjithë kombin shqiptarë.

Nuk vonoi shumë dhe pas Adem Jasharit, nisën fjalët edhe për një film të radhës për shkrimtarin e letrave shqipe, i cili është shkrimtari i vetëm shqiptar që i lakohet emri edhe për çmimin Nobel, Ismail Kadarenë. U tha se do të bëhet film për rininë e Kadaresë, përmes një fotografie të publikuar nga regjisori Ben Apolloni. Apolloni tha se aktorin e ka tashmë. Ibër Deari është aktori që do të duhej ta luante këtë rol, por sa mjafton ta gjesh një aktor që vetëm i ngjason Ismail Kadaresë, apo do të duhet të merren parasysh se janë edhe shumë faktorë, deri në realizimin e filmave me figura të mëdha.

Është e dhimbshme që në secilin cep të Kosovës ka një rrëfim për tu treguar për botën, e kjo nuk po bëhet. Po ashtu është edhe më shumë e dhimbshme që ende nuk kemi një projekt filmik me të cilin do të mburreshim e t’i tregojmë botës për vlerat tona.

Them lirshëm që me dhjetëra projekte kanë kaluar për tu subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës, dhe ende rezultojnë në letër. Filmi nuk bëhet nëpër kafeteritë e Prishtinës, Tiranës e Shkupit. Filmi bëhet në sheshxhirim. Është e vërtetë që nuk ka mjete të mjaftueshme të ndara nga Qeveria e Kosovës, por, ato që i keni shfrytëzoni që të paktën një film i mirë në vit të del nga kjo Kosovë e cila ka shumë për të thënë.

E ju regjisorë të dashur që pretendoni filma me këto figura të mëdha, do të duhej që të kishit punuar në sigurimin e produksioneve të mëdha, në sigurimin e fondeve të mëdha, në thirrjen për një konkurs të pranimit të dhjetëra skenarëve po për temat që do të donit t’i trajtoni, e krejt në fund të fillonit të bëni promocionin, edhe atë me një modesti të thellë, në mënyrë që krejt këto projekte mos të tingëllojnë si promovim i vetvetes, por si një qëllim i juaji që njëmend po dëshironi të lëni gjurmë të kinematografisë kosovare.

Tash e shumë vite, jemi dëshmitarë të një fenomeni shumë të çuditshëm të kinematografisë kosovare, më shumë bëhet zhurmë para fillimit të bërjes së filmit, se sa kur fillon, dhe aq më pak kur përfundon filmi.

Sikur kam përshtypjen, se kur filmi fillon të qarkullojë nëpër festivale, e ndjej se mbylleni në guaskën tuaj, që nuk ngjan fare me krekosjen e fillimit.

Natyrisht, në këtë gjykim ka përjashtime, por të gjithë e dimë, se zhurma të mëdha rreth një projekti, vetëm sa e dëmtojnë projektin.

Andaj, nëse njëmend e keni për të bërë film me figura të mëdha, do të besojmë vetëm kur të na vërtetoni që keni një produksioni gjigant pas vetës, një organizim super të mirë, dhe e fundit fare, po më e rëndësishmja, kur e argumentoni se keni pas vetës dhjetëra filma të suksesshëm që i kanë qarë festivalet botërore, mirëpo festivalet e mirëfillta, e jo ato që ndajnë çmime pa asnjë kriter./ KultPlus.com

Rade Serbedzija luajti film për Azem Vllasin, këndoi për Bekim Fehmiun, tashti dëshiron të luaj rolin e Adem Jasharit (VIDEO)

Aktori serbo-kroat Rade Serbedzija është një prej aktorëve më të njohur të ish Jugosllavisë, i cili ka luajtur edhe në shumë filma të huaj të cilët janë treguar shumë të suksesshëm, shkruan KultPlus.


Ai në mesin e shumë filma ka luajtur edhe te Harry Potter and the Deathly Hallows: Part 1, X-Men: First Class, The Saint, Mission: Impossible 2 , Taken 2…

Por, përpso filmave në nivel ndërkombëtar, ai ka kushtuar vëmendje edhe për figurat shqiptare, i cili ka luajtur një film, ku paraqitet në rolin e Azem Vllasit, sikurse ka kënduar edhe një këngë, me dedikim për aktorin e madh shqiptar Bekim Fehmiu.
https://www.youtube.com/watch?v=1gG-tYKTtu8

Filmi “Majstori mraka” që është bërë për Azem Vllasin është bërë me regji të Faruk Sokolovic, i cili kishte vendosur që historinë e funksionerit kosovar ta shndërrojë në film. Për rolin e Vllasit angazhohet njëri nga aktorët më të njohur jugosllav i njohur edhe për rolet e tij në filma të Hollywood’it, Rade Serbedzija. Filmi është punuar sipas skenarit të Azem Vllasit ndërkohë që flet për periudhën e kaluar në burg, raportet me të burgosurit tjerë dhe administratën e burgut.Filmi i zhanrit dramë fillon me pamjet e një mitingu masiv në Beograd ku turma e serbëve të mbledhur i kërkon Millosheviqit: “Arrestojeni Vllasin”.

Kurse krejt së fundi, po Rade Serbedzija, sipas regjisorit Luan Kryeziu, që është duke u përgatitur për realizimin e një filmi për Adem Jasharin, është interesuar që të luaj rolin e komandantit Jashari, deklaratë kjo që është përcjellë me bujë nga mediet shqiptare./KultPlus.com

Fisnik Ismaili: Aktori me origjinë serbe duhet ta luaj Adem Jasharin

Përderisa u ngjallën shumë reagime negative prej kur aktori serb u tha se do të duhej ta luante rolin e heroit Adem Jashari, është dikush tjetër që mendon se ky rol i përshtatet atij më së miri.

Është pikërisht deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fisnik Ismaili që mendon se Rade Serbedzija është mirë ta marrë këtë rol, transmeton Indeksonline. Madje thotë se me këtë veprim do të “çarteshin” serbët e jo shqiptarët. Krejt këtë koment të gjatë ai e bëri në një faqe të Maniakëve të Filmave.

Lexojeni statusin e plotë të Fisnikut:

Prej komenteve që i lexova këtu, veç po e llogaris se serbëve ka me iu ardhë inat nëse Rade e pranon këtë rol nja 10,000 herë ma shumë.

Kur te shohin shypet sa shumë kanë me u qartë serbët, veç kur ti shihsh tuj e lutë Raden me e marrë rolin.

Personalisht, kam problem veç me ata artista që e kanë shprehë nacionalizmin e vet edhe e kanë përkrahë regjimin e gjenocidin serb në jetë të përditshme. Rade s’di që ka ba diçka të tillë.

Tuj ia dijtë cilësitë si aktor, hiç nuk dyshoj që e kish lue rolin mirë, pos akcentit që s’besoj se e kish nxjerrë tamon. Unë ma shumë e kam brengë se qysh ka me e portretizue skenaristi Ademin në film: a si hero, apo si personazh negativ.

Rade në këtë rol iu kish pengue veç serbëve edhe shqiptarëve, shkaku i prejardhjes së tij, se botës tybe n’i intereson i kahit është Rade. Prandej, për neve është shumë e vështirë me e pa kah e luen ky Ademin.

Në anën tjetër, me ba me dalë filmi shumë i mirë, e me u ba asi filmi epik, ndoshta edhe me potencial për Oscar, jam koxha i bindun se shypet e kishin harrue menjiherë prej kahi vjen Rade, e serbët ia kishin marrë inat përjetë.

Prandej, ma shumë e kam hallin se qysh del filmi, çfare e ka skenarin edhe qysh portretizohet Adem Jashari e lufta e tij. Kur qeto janë të shkrueme mirë, atëherë besoj se edhe naj aktor tjetër e kish lujtë mirë.

Rade përzgjidhet automatikisht prej Hollyëood-it sepse është i vetmi stereotip i ballkanasit për momentin atje. Kjo jo doemosdo e ban me e luejtë rolin e një shqiptari mirë, por në anën tjetër edhe i ka do përparësi.

Mendoj se ka aktorë të tjerë të atij kalibri që mujnë me e nxjerrë mirë. Kur mujtën Russel Croëe e Mel Gibson, dytë australianë, me e luejtë romakun në Gadiator e skocezin në Braveheart qaq mirë, respektivisht, çka ka Gerrard Butler, për shembull, që s’e luen Ademin perfekt, pak me dashtë?

Krejt është te produksioni, buxheti, regjisori edhe skenari për mue. Qato e bajnë filmin sukses apo dështim./KultPlus.com

Pamje të rralla nga varrimi i familjes Jashari, më shumë të vrarë se pjesëmarrës (VIDEO)

Më shumë të vrarë se sa pjesëmarrës në varrim, kishte në ditën kur u varrosen 55 anëtarët e familjes Jashari.

Pas rënjes së familjes Jashari më 5,6 dhe 7 mars 1998, një grup i banorëve të fshatit Prekaz ishin mbledhur për ta kryer ceremoninë e varrimit, shkruan Gazeta Intro

Në pamje që shihen të para 20 viteve, vërehet se në ceremoninë e varrimit kishte më shumë të vrarë se sa pjesëmarrës në varrim, kjo për shkak të gjendjes së rëndë ku forcat serbe kishin luftuar për tri ditë në Prekaz me Jasharajt.
Për më shumë ju sjellim pamjet e rralla:

Adem Jashari përmes 200 mijë plumbave (FOTO)

Për nder të 20-vjetorit të rënies së komandantit legjendar Adem Jashari dhe Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Prekaz është vendosur mozaiku i heroit i punuar me rreth 200 mijë gëzhoja plumbash.

Këtij punimi iu gëzua nipi i Ademit tash kryetar komune i Skenderajt, Bekim Jashari që thotë se kjo është nje simbolikë e mirë për sakrificën e komandanitit derisa sipas tij kjo tregon për dashurinë që kanë njerëzit për heronjtë, njofton Klan Kosova.

Mozaiku me 200 mijë gëzhoja plumbash është punuar nga Besart Gashi.

Mbahet akademia letrare-artistike “Ora e Lirisë”, Ilir Shaqiri përuron poemën “Adem Jashari”

Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës organizoi sot akademinë letrare-artistike “Ora e lirisë për veprimtari tradicionale” në kuadër të Epopesë së UÇK-së.

Në kuadër të kësaj akademie, sot është përuruar edhe poema “Adem Jashari” e Ilir Shaqirit.

Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve Shyqeri Galica ka vlerësuar lart veprën më të re të Ilir Shaqirit “Adem Jashari”.

Kjo poemë sipas tij promovohet në 20 vjetorin e rënies së komandantit Adem Jashari dhe përshkruan sakrificën dhe mundin e kësaj familje për lirinë tonë.

Gjeneral Kudusi Lame recensent i poemës “Adem Jashari” ka thënë se kjo poemë është e veçantë për shumë arsye.

Kjo vepër e madhe sipas tij përshkruan familjen Jashari dhe komandantin Adem Jashari të cilët dolën përballë makinerisë ushtarake serbe për lirinë e Kosovës.

Ai tha se autori i poemës ka përdorë një mjeshtri me fjalë të arta.

“Poema është një përmendore për komandantin gjithshqiptar Adem Jashari, për UÇK-në dhe mbarë popullin shqiptar”, tha Lame.

Arben Veselaj recensenti tjetër për poemën “Adem Jashari” ka thënë se kjo poemë bartë shenjat e një kryevepre./ KultPlus.com

‘Sot në Kosovë kanë lindur 1000 Adem Jashara’, si u kumtua lajmi për vdekjen e Adem Jasharit në Shqipëri (Video)

Lajmi për vrasjen e komandantit legjendar, Adem Jashari, ishte raportuar në pothuajse në të gjitha mediat botërore. Ky lajm kishte ngjallur mjaft pikëllim edhe në Shqipëri, shkruan KultPlus.

“Sot secili prej nesh është Adem Jashari”, ishte një nga fjalitë e moderatorit nga Shqipëria. Përmes lajmeve qendrore të Televizionit të Shqipërisë, moderatori Asllan Bajrami, ishe ai që kishte kumtuar lajmin për vdekjen e komandantit legjendar Adem Jashari duke thënë se ata që mendojnë se Adem Jashari nuk ekziston më, mashtrohet rëndë.

https://www.youtube.com/watch?time_continue=8&v=nZtdTiVPhTg

“Sot në Kosovë kanë lindur 1000 Adem Jashara. Sot secili prej nesh është Adem Jashari, çdokush që mendon që ai nuk ekziston mashtrohet rëndë. Liri dhe dritë në përjetësinë e Legjendës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. LAVDI!” , ishin fjalët e tij gjatë raportimit për vdekjen e Adem Jashari. / KultPlus.com

Sot zbulohet mozaiku Adem Jashari, nëpërmjet 200 mijë gëzhoja fishekësh

Në nderim të 20-vjetorit të rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari dhe Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot në Prekaz do të bëhet zbulimi i mozaikut të Komandantit Legjendar Adem Jashari i punuar me 200.000 gëzhoja fishekësh, ideator i të cilit është 27-vjeçari nga fshati Nekovc i komunës së Drenasit, Besart Gashi.

Besarti me këtë krijim synon që të njihet edhe jashtë Kosovës, e synimi i tij shkon deri tek libri i famshëm Guinness, në të cilin pritet që ky i fundit të thyejë rekordin me mozaikun që e ka formatin 5×5, ose 25 metra katrorë.

Fillimisht, artisti në fjalë, ka bërë punime nga druri, më të cilat është i njohur deri tani, por vitin e kaluar ka ndërtuar një mozaik mjaft të veçantë, me materialin e rrallë, gëzhojat e plumbave.

Ashtu sikur punimet e tjera, mozaiku i tij ka përmbajtje nacionale, zakonisht ka gdhendur e skalitur, fytyrat e heronjve kosovarë, për ta vazhduar traditën e tij me figurën e Adem Jasharit, komandantit legjendar, të cilin vitin e kaluar e krijoi me anë të 5 mijë gëzhojave, për ta shumëfishuar sivjet me 200 mijë gëzhoja plumbash./ KultPlus.com

Një aktor serb propozohet për rolin e Adem Jasharit

Regjisori dhe skenaristi Luan Kryeizu, i cili është duke përgatitur filmin për Komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Jashari, thotë se është në përfundim të dorës së fundit të skenarit për filmin.

E derisa teksti ende nuk është përfunduar, për rolin e Adem Jasharit kanë ardhur disa propozime.
Në mesin e tyre edhe aktori serb Rade Serbedzija është shprehur i gatshëm që të luajë rolin e komandantit të UÇK-së, ka treguar regjisori Kryeziu. Serbedzija është lidhur me regjisorin Kryeziu nëpërmjet aktorit Enver Petrovci.

“Arsyeja ka qenë e çuditshme, duke thënë se ‘unë si serb e pranoj dhe e luaj rolin e Adem Jasharit, atëherë e gjithë bota do ta pranoj Adem Jasharin”, tregon Kryeziu, teksa tregon se e ka refuzuar këtë propozim.
Për rolin e Adem Jasharit do të mbahet një audicion gjatë këtij viti.
Rade Serbedzija është aktor serb i lindur në Kroaci. Ai ka luajtur në disa filma të hollivudit, përfshirë filmin “Eyes Wide Shut” të regjisorit amerikan Stanley Kubrick. /Insajderi.com

Viti jubilar i rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari, vjen me manifestime gjithëkombëtare

Me rastin e vitit jubilar, 20-vjetorit të rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Jasharaj, dëshmorëve të kombit si dhe të gjithë të rënëve për liri, Qeveria e Republikës së Kosovës nën patronatin e kryeministrit, Ramush Haradinaj më datat 5, 6 dhe 7 mars, organizon manifestimi gjithë-popullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Këshilli Organizativ i kryesuar nga ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, ka përgatitur një agjendë 4 ditore me aktivitete politike, akademike, ushtarake, kulturore dhe sportive.

Programi i manifestimit:

Më 03 dhe 04 mars 2018 realizohet vrapimi “Shtegu i Shpresës’’, nisja nga Prekazi në ora 13: 00.

Më 5 Mars 2018
Në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës ora e parë e mësimit t’i kushtohet “Epopesë së UÇK-së’’, Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jasharaj.

Nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në ora 10:00 do të realizohet Seanca Solemne e cila do t’i kushtohet “Epopesë së UÇK-së’’, rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari, familjes Jasharaj dhe të gjithë të rënëve të tjerë për LIRI.

Kuvendet Komunale të Republikës së Kosovës do të realizojnë seanca solemne për nderë të kësaj ngjarje historike.

Në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë duke filluar nga ora 11: 00 do të mbahet ceremoni ushtarake e FSK-së e përcjellë me programin kulturor dhe artistik.

Zbulimi i Mozaikut (Mozaiku me gëzhoja) të Komandantit Legjendar Adem Jashari në Prekaz në ora 14: 00.

Në Tiranë duke filluar nga ora 18: 00 në Muzeun Kombëtar do të mbahet akademi përkujtimore kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jashari, familjes Jasharaj dhe gjithë dëshmoreve dhe të rënëve për liri.

Më 6 Mars 2018
Në ora 09: 00 fillon konferenca shkencore “Jasharajt dhe Lufta Çlirimtare’’. (Salla e Konferencave në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, Kryeministri bënë hapjen).

Nga ora 10: 00 deri në orën 12: 00 do të bëhen homazhe pranë varrit të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe varrezave të familjes Jasharaj në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz të Komunës së Skenderajt.

Nga ora 12: 00 bëhen homazhe në të gjitha komplekset memoriale të dëshmorëve të UÇK-së në Kosovë.

Në ora 17: 00 në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve do të mbahet “Akademi Përkujtimore’’ kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jashari, familjes Jasharaj dhe gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri.

Ora 19: 00, Ekspozita kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jasharaj në Muzeun e Kosovës në Prishtinë. (Hapja: MKRS)

Më 7 Mars 2018
Në Shkup duke filluar nga ora 12: 00 në Sallën e Operës mbahet akademi përkujtimore kushtuar Komandantit Legjendarë Adem Jashari, familjes Jasharaj dhe gjithë dëshmoreve dhe të rënëve për liri.

Nga ora 18:00 në Komunën e Skenderajt do të mbahet manifestimi “Nata e Zjarreve’’, ku fillimisht në kompleksin memorial “Adem Jashari” do të ndizen flakadanët dhe me pas në sheshin “Adem Jashari” do të mbahet një program kulturor-artistik.

Në kuadër të Manifestimit do të realizohen edhe aktivitete:
o Turneu në Shah
o Turneu në Volejboll
o Turneu në ,,Fut sall’’
o Turneu i Shenjëtarisë dhe Shigjetarisë

“Ftohen qytetarët që në mënyrë masovike ti bashkohen manifestimeve dhe së bashku të nderojmë veprën heroike të Komandantit Legjendarë Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë të rënëve për lirinë e popullit tonë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës./ KultPlus.com

Mozaik unik me 200 mijë gëzhoja plumbash për Adem Jasharin (VIDEO)

Një i ri nga komuna e Drenasit, në përvjetorin e 20 të Epopesë së UÇK-së, ka punuar një mozaik unik për heroin e Kosovës, Adem Jasharin.

Besart Gashi ka përfunduar mozaikun me 200 mijë gëzhoja të plumbave të cilin do ta shpalosë në Prekaz nga 5 deri më 7 mars gjatë ditëve të ‘Epopesë së UÇK-së’.

Ai thotë se pjesëtarë të familjes Jashari e kanë vizituar gjatë punës dhe thotë se ndihet i entuziazmuar nga mbështetja e tyre, shkruan rtv21.

Ai thotë se synon edhe të hyjë në librin e rekordeve të Ginisit me këtë mozaik të cilin e ka punuar për 28 ditë./ KultPlus.com

Artefakte të rëndësishme të historisë së Kosovës, u shpalosën në “Ekspozitën bazë” të Muzeut të Kosovës (FOTO)

Gili Hoxhaj

Sot dyert e Muzeut të Kosovës po mirëprisnin përplot figura të njohura të artit dhe politikës e vizitorë të ndryshëm që kishin ardhur për të parë nga afër hapjen e “Ekspozitës bazë” të këtij muzeu, shkruan KultPlus.

Në oborrin e Muzeut të Kosovës, të gjithë kishin drejtuar sytë drejt ansamblit “Shota”, që përmes muzikës e lojës së mahnitshme vetëm e hapën shtegun e një atmosfere festive.

Kjo ekspozitë, sot u kurorëzuar pas shumë përgatitjesh. Dy katet e Muzeut të Kosovës, në çdo kënd të tij përmbanin ekspononte të rëndësishme të periudhave të ndryshme historike që nga Neoliti e deri të Pavarësia e Republikës së Kosovës më 2008.

Ekspozita që paraqet një vazhdimësi të jetës në këtë vend qysh herët, tashmë është në dispozicion të vizitorëve të cilët duan të vijnë ta shohin, dhe po ashtu atyre që duan të kontribuojnë më shumë në pasurimin e kësaj ekspozite. Përmes fotografive, rrobave, flamujve, relikteve, dokumenteve e shumë gjërave të tjera kjo ekspozitë portretizoi edhe gjurmët e njerëzve më të rëndësishëm politik të këtij vendi, si Ibrahim Rugova, Enver Maloku, Fehmi Agani, e deri tek figurat historike si Adem Jashari, e Isa Boletini. Po ashtu aty ishin të vendosura edhe rrobat, paisjet, armët dhe të gjitha mjetet që kishin përdorur dëshmorët e UÇK-së. Në këtë pjesë, një vend i veçantë u ishte rezervuar edhe miqve ndërkombëtar të Kosovës, ku përfshihet xhaketa e William Walker që e ka pasur veshur gjatë luftës së Kosovës dhe gjësendet personale të ish-sekretares amerikane Madeleine Albright. Këto artefakte pjesë të trashëgimisë së luajtshme kulturore të Kosovës e pasqyrojnë identitetin kulturor dhe historik të vendit tonë.

Në hapjen e ekspozitës ka marrë pjesë Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS), Kujtim Gashi, i cili lidhur me ekspozitën tha se po organizohet në vazhdën e aktiviteteve të 10-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

“Që në fillim të marrjes së përgjegjësisë për të drejtuar Ministrinë e Kulturës, treguam qartë vullnetin dhe gatishmërinë tonë, për quar para këtë projekt të rëndësisë së veçantë për të kaluarën e çmuar të vendit, sepse kemi detyrim ndaj gjeneratave dhe brezave që t’ua mësojmë të kaluarën, që ata duhet të edukohen e të kenë së çfarë të tregojnë për të kaluarën e lavdishme të vendit në të cilin jetojnë, vendit me të cilin duhet të ndihen krenar të gjithë qytetarët tanë!”, ka thënë ministri Gashi.

Eksponatet dhe artefaktet e ndryshme që janë prezantuar sot në ekspozitë janë mbledhur, përzgjedhur dhe dokumentuar nga ekspeditat e shumta kërkimore e shkencore që janë ndërmarrë nga institucionet e MKRS-së dhe nga specialistë vendorë e ndërkombëtarë.

“Ekspozita Bazë e cila ka zënë vend në ndërtesën e Muzeut, është punuar dhe kryen funksionet sipas kritereve bashkëkohore. Kjo është arritur falë angazhimit dhe përkushtimit të madh të grupit punues, përgjegjës për hartimin dhe zbatimin e këtij koncepti dinamik, si dhe bashkëpunëtorëve tjerë. Prandaj, më lejoni që t’i falënderoj veçanërisht për detyrën komplekse, përgjegjësinë që kanë bartur dhe që do të kenë edhe më tutje. Uroj që me përgjegjësi të njëjtë dhe me angazhime të shtuara të vazhdojmë edhe më tutje, në hulumtimin, pasurimin dhe prezantimin e fondit muzeal të vendit tonë. Në këtë drejtim, mbështetja e Ministrisë së Kulturës dhe e imja si ministër në asnjë moment nuk do të mungojë”, u shpreh ndër të tjera ministri duke treguar vlerësimin për punën e madhe që është bërë në përgatitjen e ekspozitës.

Drejtori i Muzeut të Kosovës, Skënder Boshtrakaj tha se Muzeu i Kosovës me këtë ekspozitë, Muzeu i Kosovës do të jetë një institucion dinamik që do të prezantoi përmbajtje të reja.

“Muzeu i Kosovës nuk është si një gazetë që e keni lexuar një herë dhe herën tjetër nuk keni përse vini sepse i keni parë. Tani Muzeu do të jetë një institucion dinamik që do të prezantoi përmbajtje të reja dhe me interes për publikun”, u shpreh drejtori Boshtrakaj.

Në katin sipër, apo siç u quajt “Kati i Historisë”, ishte e vendosur edhe një dhomë ku ishte vendosur Deklarata e Pavarësisë dhe flamujt e shteteve mike, si simbolikë falënderuese ndaj miqve e partnerëve të Kosovës. Në anën tjetër të këtij kati, ishte e vendosur një fotogaleri që pret edhe autor të tjerë ta pasurojnë këtë galeri me fotografitë e tyre. Aty, binë në sy fotografitë e Fanny Sarri, fotografes nga Selaniku e cila kishte kapur disa momente të rëndësishme të Kosovës nga viti 89’ e tutje. Me këtë rast Boshtrakaj e ftoi atë pranë të pranishmeve të ekspozitës. Ajo pati pak fjalë dhe shtoi se e gjitha është thënë përmes fotografisë.

“Fotografitë e thonë të gjithën. Keni një kulturë të madhe dhe keni bërë shumë për këtë. Ju duhet të vazhdoni ta promovoni kulturën tuaj. Fillimisht Rugova foli për kulturën këtu tani është koha juaj që t’ua dhuroni kulturën Kosovës”, ka thënë fotografja Sarri.

Në një kat më poshtë ishin vendosur disa artefakte historia fillon me neolitin e deri në mesjetë. Përveç të dhënave arkeologjike, në këtë kat ishte i vendosur edhe një projektor i cili përfshinte pesëmbëdhjetë rrëfime të njerëzve që e kujtojnë të kaluarën dhe emocionet e ditës së Pavarësisë së Kosovës. Jo vetëm kjo pjesë, por Muzeu kishte shfrytëzuar edhe këndin e shkallëve ku ishte vendosur portreti i Nënë Terezës që ishte punuar nga Saimir Straiti. E po aty poshtë qëndronte edhe një kënd për fëmijët që të vijnë në Muzeun e Kosovës, e të mund të njihen me trashëgiminë kulturore./ KultPlus.com

Diskutohet për Kompleksin memorial “Adem Jashari”

Sot mbahet mbledhja e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor të Kuvendit të Kosovës.

Në këtë mbledhje diskutohet gjendja e kompleksit memorial “Adem Jashari” dhe nisma legjislative për Projektligjin për kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Për të diskutuar për gjendjen e kompleksit i ftuar drejtori është drejtori i AMKMK-së./KultPlus.com

Prishtina nuk ka kohë për shtatore të Adem Jasharit

Heroi kombëtar Zahir Pajaziti, Gjergj Kastrioti Skënderbeu e ish-presidenti Ibrahim Rugovës, janë figurat historike për të cilët ka shtatore në qendër të Prishtinës.

Shumë liderë institucionalë e qytetarë, sa herë shënohet 28 Nëntori, bëjnë homazhe në veçanti pranë shtatores së Zahir Pajazitit.

Por, atyre që duan ta nderojnë edhe figurën e heroit Adem Jashari, iu duhet të vizitojnë Prekazin apo Skënderajn, pasi kryeqytetit i mungon shtatorja e tij, shkruan Koha.

Prishtina ka një shesh me emrin e heroit, derisa një fotografi e tij e vendosur për një ndeshje sportive vite më parë, ka mbetur në Pallatin e Rinisë, por që nuk ka ndonjë lidhje me të.

Organizatat e dala nga lufta ka kohë që kanë kërkuar që edhe Prishtina të ketë shtatoren e Adem Jasharit.

Nënkryetari i OVL të UÇK-së, Migjen Shala, thotë se kryeqyteti është dashur qysh moti ta nderojë veprën e Jasharit. Shala tregon se një kërkesë e tillë ka kohë që u është drejtuar organeve komunale.

Sipas tij, nuk ka rëndësi lokacioni. Komuna e Prishtinës, në anën tjetër, nuk ka dhënë ndonjë afat kohor se kur kryeqytetit do t’i shtohet edhe shtatorja e Adem Jasharit. Tahiri nuk ka dhënë detaje nëse shtatorja e Jasharit do të mund të vendosej në sheshin që mban emrin e tij. Aty për momentin është përmendorja e Vllaznim-Bashkimit, për të cilën Shpend Ahmeti kishte kërkuar referendum.

E familja Jashari nuk ka dashur të flasë për këtë çështje. Bekim Jashari ka thënë se përgjegjësia dhe vendimmarrja për këtë u mbetet udhëheqësve të Komunës së Prishtinës. / KultPlus.com

Sot në Lipjan përurohet shtatorja e Adem Jasharit

Shtatorja e komandantit legjendar Adem Jashari do të përurohet sot në Lipjan.

Me këtë rast do të përurohet edhe Sheshi “Adem Jashari”.

Po ashtu do të ketë edhe një program festiv në shënimin e Ditës së Flamurit – 28 Nëntorin, daljen në skenë të UÇK-së dhe ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari./ KultPlus.com

28 nëntor, ditëlindja e Adem Jasharit

Komandanti Adem Jashari sot po të ishte gjallë do t’i bënte 62 vjet.

Ai ka lindur më 28 nëntor të vitit 1955 në Prekaz të Skenderajt. Ishte djali i tretë i Shabanit dhe Zahide Jasharit. Ka mbaruar shkollën e mesme teknike në Skenderaj.

Pas shuarjes së të gjitha institucioneve të Kosovës më 1990, ideja për t’u organizuar në aspektin ushtarak merr një dimension të ri, nga LPK-ja, e cila ende nuk vepronte krejtësisht publikisht. Me 3 nëntor të vitit 1991, në Shqipëri shkoi një grup veprimtarësh për t’i kryer ushtrimet e duhura ushtarake dhe për t’u stërvitur për luftën e armatosur.

Shërbimet sekrete serbe i bien në gjurmë formacionit të armatosur dhe policia serbe ia mësyn rrethimit dhe kapjes së tij. Më 30 dhjetor 1991 ekspedita policore – ushtarake serbe ndërmori aksion për zënien e grupit.

Pas kësaj përleshjeje me forcat e policisë serbe, tërë grupi i Adem Jasharit kalon në ilegalitet, deri në fillimet e luftës çlirimtare në Kosovë.

Intensifikimi i aksioneve të armatosura të UÇK-së fillon me sulmin e shtatorit 1997 në 12 stacionet policore.

Nga aksionet e armatosura kundër forcave policore që kryente UÇK-ja, pas shtimit të dhunës sistematike të forcave serbe nëpër Kosovë, kalohet në një fazë tjetër, të ndeshjes së drejtpërdrejtë me forcat serbe, pra në beteja, në fundin e nëntorit 1997, kur në Rezallë të Re luftohet me forcat e shumta të policisë serbe.

Në këtë betejë i ndërpritet rruga kolonës së armatosur rëndë të forcave serbe, që kishin mësyrë një sulm në fshatin Vojnik, ku një ditë më parë, patrullat e maskuara të policisë serbe ishin gjuajtur me armë zjarri nga njëri prej luftëtarëve të hershëm të UÇK-së, Abedin Rexha – Sandokani. Në këtë betejë printe Adem Jashari dhe luftëtarë të tjerë si Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi, Sylejman Selimi, Ilaz Kodra, Ilaz Dërguti etj. Kjo është beteja e parë dhe fitorja e njësitit të UÇK-së. Kjo betejë bëri jehonë të madhe në opinionin publik.

Policia serbe kishte shënjuar që moti shtëpinë e Jasharëve. Më 5 mars 1998, që në orët e hershme, forca të mëdha të policisë serbe kishin mësyrë Prekazin. Një pikë zjarri, e stacionuar që herët në lokacionin e fabrikës së municionit, që ishte në afërsi të shtëpisë së Jasharëve, ishte përforcuar me mjete të rënda artilerike.

Përforcimet e forcave serbe kishin ardhur edhe nga drejtimi i Klinës, Mitrovicës dhe Gllogovcit. Sulmi mbi Jasharët nis rreth orës gjashtë të mëngjesit. Në shtëpi ndodheshin pothuajse tërë anëtarët e familjes. Sulmi mbi Jasharët dhe qëndresa heroike e tyre zgjatë tri ditë: më 5, 6 dhe 7 mars 1998.

Kjo luftë heroike, në historinë e re të Kosovës njihet me emrin Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për figurën e Adem Jasharit kanë shfaqur mendime edhe personalitete të rëndësishme. Administratori i parë ndërkombëtar i Kosovës, Bernar Kushner ka deklaruar se po të kishte Çmim Nobel për sakrificë për liri, ai do t’i takonte Adem Jasharit dhe familjes së tij.

Me vendim të ish presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, Adem Jashari është nderuar me titullin Hero i Kosovës./ KultPlus.com

A i plotëson kriteret kjo shtatore e heroit Adem Jashari?

Ilir Muharremi

Shtatorja e komandantit legjendar Adem Jashari pritet të vendoset më 28 nëntor në Lipjan, e punuar nga artisti Durrsak Idriz Balani. Lartësia e shtatores është rreth 3m e 25 cm, do të peshojë pas derdhjes në bronz afërsisht 1 ton. Pritet që këto ditë kjo vepër monumentale në argjilë, të përgatitet për derdhje në bronz, në një nga fonderitë e specializuara për derdhjen e veprave të artit në Tiranë. Arsyeja pse u zgjodh kjo punë nga Belani është se boceti i tij u vlerësua më i mirë nga autoritetet e Lipjanit. Sa arriti skulptori të futej thellë në botën e heroit? A ngjanë realisht pamja e shtatores me pamjen reale të heroit? A i përket frymës socrealiste skulptura, apo ka diçka nga e sotmja? Nga koka e gjerë tek këpucët a i plotëson kriteret për një figurë madhështore siç qe Jashari? A ka kreativitet vepra? Ose pse gjithmonë heronjtë i paraqesim me pushkë dhe plumba? A mund të qëndroj heroi pa këto?
Skulptori Balani në të gjitha veprat e tij përdorë lëvizshmëri, dinamikë, elegancë… Por, kësaj radhe, figurën madhështore e projekton më mirë krahas atyre shtatorëve të shëmtuara që u bënë për heroin tonë. Nuk e dijë pse së paku fytyrën nga fotot që i kemi për heroin ta paraqisnin origjinal, por gjithmonë me deformime, Balani lirohet nga këto amatorizma, krijon një fytyrë të butë, engjëllore, të pastër, por paska si shumë ka lëmuar pjesën e ballit, hundës dhe mjekrës. Hundën e paraqet më të vogël krahas me hundën origjinale të heroit. Dihet që Ademi hundën e kishte më të gjerë në pjesën e poshtme. Po të ishte më e gjerë do ishte origjinal fytyra e Jasharit. Shihet që ka bërë përpunim të mirë të fytyrës, ka nxjerrë forma nga heqja e madhe e pjesëve. Nuk është vetëm ngjashmëri e fytyrës me heroin, por e veçohet ana estetike, e lëmon aq shumë, me qëllim depërtimit të dritës mbi fytyrë. Ka një ekuilibër harmonikë fytyra. Nuk përqendrohet te mjekra, gjatësia, por te ana e muskujve, lëkura, dhe artisti që nxjerr mirë muskujt me saktësi, ka arritur ta sfidoj skulpturën. Pjesën e flokëve e paraqet më të shkurtra, kur dihet në çdo fotografi Ademi i kishte më të gjata.

Nga ana vizuale, dora e djathtë duket pak më e zgjatur se e majta, ndonëse plumbat peshojnë, dhe pjesën e sipërme të krahut e jap si më të vogël, më të ngushtë. Është përthyerje e madhe e dorës dhe krahut të djathtë. Gishtërinjtë janë pak më të mëdhenj sesa ata që duhet të jenë me përmasa të sakta natyrale krahas me madhësinë trupore. Mëngët te duart duhet paksa të zmadhohen në raport me shuplakën e dorës.
Gjoksi është mirë i punuar, kurse kostumi në raport me muskulin, është më i vakët, kjo e qëllimshme sepse Balani sforcon pjesën anatomike muskulore. Është pak i ngarkuar me armë, sidomos në kohën në të cilën jetojmë.

Madhështia e skulpturës nuk qëndron te armët, kjo pak na vret syrin, por te fytyra, karakteri, veshja, lëvizja trupore, e në këtë rast, shtatorja përmes fytyrës shprehë paqe, kurse përmes qëndrimit etje për luftë. Qëndrimi dhe fytyra janë të kundërta njëra me tjetrën.

Pjesa e pantallonave i ka vetëm dy thyerje në pjesën e djathtë të këmbës nga lartë dhe te pjesa e këpucës poshtë. Pantallonat janë shumë të lëmueshme, të drejta të jep përshtypjen e materialit të kadifes ngjajnë edhe si tuta. Pantallonat është dashur të jenë më me lakime, më të vrazhda sepse është një ushtarak. Skulptura duhet ta ketë një stil të punës nga fytyra e deri te këpuca. Duhet të respektohet liria e artistit, veçanërisht tek stili i tij. Këpucët duken sikur të njëjta, por ndoshta kjo vetëm vizualisht mashtron, nëse vendoset mbi bazament, mund të peshoj më mirë. Pushka nuk është theksuar mjaftë krahas me elementët tjera nuk arrihet saktë forma e shprehjes së saj.

E bukura e skulpturës është se heroi duket shtatdrejtë, ashtu siç ishte vërtetë. Ka përmbajtje të fortë, ka ritëm, dhe nga sytë e tij del shpirti origjinal i Ademit. Trajtimi është shumë realist, i saktë në tërësi, e riprodhuar më imazh tejet të fuqishëm, dinamikë, dhe çdo aksentë është mirë i përpunuar, gjithmonë them në tërësi, përjashtuar detajet e vogla që u theksuan më sipër.

Pse gjithmonë heronjtë të ngarkuar me pushkë dhe plumba? Kjo shtatore ka imazh tipik socrealist dhe arti s’mund t’i takojë të gjitha kohërave, përcaktohet nga koha e tij, gjithmonë shprehë vlerat më të privilegjuara qofshin heronj apo ndonjë klasë dominuese. Skulptura e sotme, është konceptuale, zbukurim i hapësirës dhe shfrytëzuese në raport me hapësirën. Duhet pra ta krijojmë të bukurën absolute brenda vendit dhe kohës në të cilën jetojmë. Jo të jetë bukuri kalimtare siç e krijoji Rafaeli, kjo ndonëse qe e pakuptueshme për njeriun e ri. Ademi për njerëzit e ri duhet të jetë i kuptueshëm dhe skulptori Balani kishte dashur t’ja vë në kokë plisin. Ky veprim i tij u mohua, por do ishte më e arsyeshme vendosja e plisit kur bëhet fjalë pas njëqind vjetësh, dhe identifikimi i tij mund të keqkuptohet nga njerëzit në rajon e më gjerë. Plisi do ruante të vërtetën mbi kokën e Ademit. Nëse heronjtë do i lirojmë nga pushka dhe plumbat, mund ta deformojmë biografinë e tyre. Skulptura ndërtohet mbas biografisë së personazhit. Veçanërisht shtatoret në vendet publike, por edhe skulpturat e parkut.

A duhet të lirohemi nga shabllonet e paraqitjeve të heronjve? Në planin estetik, po, në planin historik jo. Duhet të harmonizohen të dyja këto, me kujdes dhe ruajtje të madhe ndaj patetikës. Qëllimi i çdo skulpture të sotme nuk është më të imitojë saktë njeriun, por ta stilizoj pa e deformuar, të mbajë ngushtë shprehjet e tij që janë domethënëse (ana ushtarake), të bëjë vërtitje të shumta të qëndrimeve, të ngrihet mbi frontin e krejt qyteteve, të zhurmojë me perfeksionin anatomik gjithmonë stilist.
Andaj, lirisht mund të them se kjo shtatore krahas me ato që u punuan për heroin Adem Jashari është më e kompletuara njëherësh dhe shpresoj ta meritoj vendin e duhur. / KultPlus.com