Edhe dy shtatore të shëmtuara në Kosovë

Kritikë për shtatoren e Skënderbeut dhe Adem Jasharit që u ngritën dje në Prizren nga kritiku i artit, Ilir Muharremi

Skulptura është art tredimensional, art që i sfidon kohës, që varet nga koha, përkufizohet nga koha, vlersohet nga koha. Është art publik, veçanërisht kur bëhet fjalë për shtatoret të cilat monumentojnë një figurë të shquar, ngjarje historike, hero të kombit, për të cilën opinioni i sotëm, dhe ai në ardhje duhet të jap konkluzion estetik përfaqësues të biografisë dhe meritave të dhëna nga ajo figurë, pra duhet ta rikoujtoj sakt mbas anatomisë, gjestit, karakterit origjinal, pavarësisht se është art, por është art publik shtatorja. Pastaj, shtatorja kur punohet mendohet qëndrueshmëria e saj ndaj mëngjesit, përplasja e rrezeve të diellit, shfaqja e hijeve që shpesh herë mjegullon gjymtyrët dhe vijat e krijuara nga skulptorit, pastaj pasditja, kohët me shi, muzgu dhe mbrëmja.

Vëzhgimi optik, me të cilin lidhet ngushtë hapësira se ku vendoset shtatorja, distanca e të vëzhguarit, bazamenti, lartësia, arkitektura përreth e të gjitha këto ndikojnë në origjinalitetin estetik dhe te shfaqjes së karakterit mbas udhëzimeve të fotografive ose gojëdhanave. Duke e modeluar dhe strukturuar me kujdes dhe saktësi formën, dukë i dhënë jetë, frymë skulpturës. Pra, skulptorët të cilët krijuan dy shtatore atë të legjendarit Adem Jasharit dhe heroit tonë më të madh Gjergj Kastriotit- Skënderbeut që u zbuluan dje në qytetin e Prizrenit nuk ofruan as minimumin e artit të saktë të skulpturës, por dhanë paqartësi, deformime anatomike, i fyen figurat tona të shquara sepse pamja e jashtme e skulpturës jep shumë rëndësi, janë të turpshme vizualisht dhe të shëmtuara artistikisht.

Shtatorja e Skënderbeut, tregon një pasaktësi propocionale anatomike me deformime serioze. Koka është shumë e gjatë, gjatësia e qafes e tejkalon çdo matje proporcionale të trupit dhe hollësia e saj. Pastaj, skulptori fokusohet te mjekra e cila aspak nuk është e natyrshme dhe nuk i ngjanë mjekrës së Skënderbeut. Trupi i tij hollak më shumë nxjer atë anën komike se sa luftarake dhe nuk e di se ku qe qëllimi i skulptorit. Në portale del emri i autorit të kësaj skupture që është Sinan Alija.

Ndërsa, shtatorja e komandatit legjendar Adem Jashari që po ashtu u zbulua në Prizren, emri i skulptorit nuk dihet, është krijuar nga një fotografi e Jasharit. Përmasat devijojnë, sidomos krahërori shumë i gjërë, duart e shkurtërat të holla me shuplaka të vogla. Si duket skulptori mendon qe veç mjekra dhe një pal dylbi e identifikojnë imazhin real të Jasharit. Ndonëse, dhe karakteri devijonë plotësisht, prapa syve nuk mund të vërejme shpirtin e Ademit. As një gjest, as një lëvizje nuk është e Ademit. Figura ngjanë më shumë me ato lodra të Llegos.

Deri kur më të fyhen heronjtë shqiptar me shtatore të dobëta. Nuk e dijë a është e qëllimshme kjo fyerje apo përse duhet të bëhet? Duhet sa më parë të rrënohen këto shtatore, të ngritën ato siç i ka hije heronjve shqiptar. Njëherë e masakruan serbët, tash po e masakrojmë vet ne me anë të artit. / KultPlus.com

Reagon Istrefi për shtatoret në Prizren: Përmendoret e shëmtuara të dërgohen në muze, do të kenë vlerë historike në të ardhmen

Shtatorja e Skënderbeut dhe ajo e Adem Jasharit të vendosura gjatë ditës së sotme në qytetin Prizrenit kanë ngjallur reagime të shumta tek qytetarët e vendit dhe shumë nga figurat publike. Në rrjetet sociale ka shpërthyer një diskutim mbi faktin se sa tallëse janë këto dy shtatore me dy nga figurat qendrore të historisë tonë, shkruan KultPlus.

Një nga personat që ka reaguar është edhe aktori Shkumbin Istrefi. Ai nëpërmjet një postimi në Facebook ka thënë se përmendoret e shëmtuara duhet të ruhen në muze sepse do të kenë vlerë historike në të ardhmen. Sipas tij këto përmendore do të reflektojnë nivelin që shoqëria jonë e ka konsideruar vlerë artistike.

“Permendoret e shemtuara duhet te hiqen prej shesheve dhe te dergohen ne muze. Te ruhen. Nuk kane vlere artistike, por do te kene vlere historike ne te ardhmen. Do te reflektojne nivelin qe shoqeria jone e ka konsideruar si vlere artistike. Ndoshta dikur do te konsiderohet edhe si stil, kurre s’i dihet”, ka shkruar Istrefi./ KultPlus.com

Rifat Jashari dekorohet nga presidenca me “Urdhrin e Lirisë”

Rifat Jashari, vëllau i komandantit legjendar, Adem Jashari është dekoruar sot nga presidenca me Urdhrin e Lirisë, shkruan KultPlus.

Në një postim në Facebook ushtruesja e detyrës së presidentes, Vojsa Osmani ka njoftuar se ndarja e këtij urdhri është nderim jo vetëm për Rifat Jasharin si një trashëgimtar i shpirtit të komandantit dhe familjarëve të tjerë të rënë, por edhe mirënjohje për atdhetarin që nuk pushon kurrë sa herë që i jepet rasti ta ngrisë zërin për unitet e bashkim rreth vlerave të lirisë.

Ndarja e Urdhrit të Lirisë, Rifat Jasharit i është bërë në ditën e flamurit dhe ditëlindjen e komandantit Adem Jashari.

Osmani ka shtuar se Rifat Jashari është shenja më tipike e gjallë e Shaban Jasharit, komandant Adem Jasharit dhe Hamzës. Ajo ka thënë se ai është vazhdimësia e përpjekjes për liri dhe për një Kosovë siç e deshën të gjithë të rënët e familjes Jashari e më gjerë.

Krejt në fund Vjosa Osmani ka treguar se ceremonia e ndarjes së Urdhrit do të organizohet në Presidencë pas kthimit të Rifat Jasharit në Kosovë.

Më poshtë mund të lexoni statusin e saj të plotë:

Liria e një populli merr kuptimin kur secili në mënyrën e vetë kontribuon në arritjen e të drejtave elementare.

Rifat Jashari është vetëm njëri nga anëtarët e familjes Jashari, i cili ishte krah rezistencës së kësaj familje që vuri themelet e lirisë së Kosovës. Ai ishte aty më 30 dhjetor të vitit 1991, kur bashkë me Ademin e Hamzën, rezistuan ndaj sulmit të forcave serbe, të bindur se liria nuk ka kusht.

Në të njëjtën vazhdë, më 22 janar, 1998, në sulmin e forcave serbe është plagosur vajza e Rifatit, Iliriana.

Teksa në mars të vitit 1998, në mesin e anëtarëve të familjes Jashari vritet gruaja e Rifatit bashkë me tri vajzat e tij.

Por, kjo nuk është e tëra që bëri Rifati për lirinë e vendit. Ai është shenja më tipike e gjallë e Shaban Jasharit, komandant Adem Jasharit dhe Hamzës. Ai është vazhdimësia e përpjekjes për liri dhe për një Kosovë siç e deshën të gjithë të rënët e familjes Jashari e më gjerë.

Me mesazhet e tij, Rifati prej kohësh është shndërruar në një zë të familjes Jashari që thërret për unitet për ta bërë Kosovën siç duam.

Prandaj sot, më 28 nëntor, në këtë festë të të gjithë shqiptarëve dhe në ditëlindjen e komandantit legjendar të UÇK-së, kam vendosur t’i ndajë Urdhrin e Lirisë, bacës Rifat Jashari. Akordimi i Urdhrit të Lirisë për Rifat Jasharin është nderim ndaj jo vetëm atij si një trashëgimtar i shpirtit të komandantit dhe familjarëve të tjerë të rënë, por mirënjohje për atdhetarin që nuk pushon kurrë sa herë që i jepet rasti ta ngrisë zërin për unitet e bashkim rreth vlerave të lirisë.

Ceremonia e ndarjes së Urdhrit do të organizohet në Presidencë sapo të kthehet baca Rifat në Kosovë./ KultPlus.com

Edi Rama për Adem Jasharin: Legjenda e gjallë e flamurit më të bukur në botë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nëpërmjet një postimi në facebook ka kujtuar komandatin legjendar, Adem Jashari, shkruan KultPlus.

Rama ka shkruar për Jasharin që nga lindja e tij, e që përkon pikërisht me Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, jetës së tij për hir të atdheut si dhe vrasjes së gjithë familjes Jashari, duke lënë pak pasardhës prapa.

KultPlus ua sjell të plotë shkrimin e Edi Ramës:

ADEM JASHARI erdhi në këtë botë mu në Ditën e Flamurit Kombëtar dhe iku nga kjo botë pasi e la trupin pa jetë si një monument të shtrirë në mesin e shtëpisë ku mbante flamurin kombëtar.

Historia e vdekjes që i dha përjetësinë atij e trungut të prerë të familjes së tij, i tejkalon kufijtë e të besueshmes dhe i ngjan më shumë një versioni të legjendës së Gjergj Elez Alisë, ku plagët në trup janë më shumë se nëntë e janë vetë trupat e njerëzve të gjakut të heroit, copëtuar nga plumbat e një bajlozi të stërmadh sa një ushtri e tërë armike që mësyu mizorisht mbi shtëpinë ku zhvillohet rrëfimi mitologjik.

Sikur ajo shtëpi e sharruar nga zjarri armik të mos ishte ende aty, sikur familjarët e vrarë të Adem Jasharit të mos ishin banorë të asaj shtëpie, që figurojnë një më një, në gjendjen civile të komunës Prekaz dhe sikur vetë Adem Jashari të mos ishte një njeri i gjallë deri në 7 marsin e vitit 1998, i cili figuron edhe si klient në regjistrin e hotelit “Arbëria” në Tiranë, do të ishte realisht e pamundur t’i besohej vërtetësisë së historisë mitike të komandantit legjendar të luftës së Kosovës.

Madje edhe vetë Besarta, shtojzovallja e mbijetuar e asaj masakre të pabesueshme, do të dukej si rrëfimtarja e përhumbur e një përralle, nëse familja Jashari nuk do të kishte qenë aty, mes një komuniteti të tërë shqiptarësh të zakonshëm prej të cilit u nda, e gjitha, menjëherë, në terrin mes dy ditëve të zakonshme mbi pllajën baritore të Prekazit.

Madje madje edhe ajo pllajë, e kthyer sot në një varrezë unikale dëshmorësh me një trung të vetëm familjar, nëse nuk do ishte aty, pjesë reale e gjeografisë së Kosovës, do të dukej si pejsazhi i krijuar nga peneli i imagjinatës për të qenë skena magjike e zhvillimit të gojëdhanës së lashtë, për një kreshnik me emrin Adem Jashari e familjen e tij.

Mirëpo jo, e gjitha është thjesht e vërtetë, e vërteta e pabesueshme e kulmimit epik të Luftës së fundit Çlirimtare në mes të Europës, bash në fund të shekullit XX, ku një popull i mohuar në të drejtën e tij për liri nga një diktaturë e urrejtjes etnike dhe i poshtëruar prej harresës së gjatë të botës demokratike, ngriti krye kundër urrejtjes e harresës dhe triumfoi kundër të gjitha paragjykimeve e parashikimeve.

Adem Jashari lindi në 28 nëntor dhe vdiq për të jetuar përgjithmonë, si legjenda e gjallë e flamurit më të bukur në botë . / KultPlus.com

“Mora fjalë” kumboi në Prekaz

Për hir të 28 Nëntorit, zëri i njohur shqiptar, Shkurte Fejza ka qenë e pranishme pranë memorialit të kompleksit Adem Jashari në Prekaz, shkruan KultPlus.

Nga vendi i heroizmave të një familje të madhe që dha jetën për lirinë, Shkurte Fejza interpretoi këngën e madhe që na rrëqeth ndër vite “Mora fjalë”.

Ajo ndodhej pranë varreve të Jasharajve dhe pranë shtëpisë së dikurshme të tyre, teksa i jepte zë fjalëve “Çohu Adem”.

Ashtu sikurse dedikimi i kësaj kënge, edhe tingujt e saj do të mbeten përherë një thesar kombëtar që na sjellin emocione të shumta. / KultPlus.com

28 Nëntori, shënuesi i ngjarjeve të mëdha përgjatë epokave të ndryshme

Nëntori ka hyrë në historinë e popullit shqiptar, duke u bërë një muaj i tërë me përplotë ngjarje që na fisnikrojnë e krenojnë ndër vite, shkruan KultPlus.

Figura të shquara kombëtare përgjatë datave të nëntorit kanë arritur të shënojnë të arritura të mëdha për vendit, të lindin dhe të na bëjnë neve këtë muaj si të veçantë.

Patjetër që e tillë është edhe data 28 Nëntor.

KultPlus ka përmbledhur ngjarjet më të veçanta të historisë përgjatë kësaj date:

1443 – Gjergj Kastriot Skënderbeu, e ngriti flamurin kombëtar mbi kalanë e Krujës.

1793 – Në Shkodër, Lezhë dhe në rrethinat e tyre nisi kryengritja kundër ushtrive osmane. Me humbje të mëdha pashai turk mundi të çante rrethimin, por në Lezhë pësoi goditje dhe humbje të reja, që e detyruan te tërhiqet për në Manastir.

1912 – Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë.

1955 – Ditëlindja e Adem Shaban Jasharit.

1997 – Paraqitja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

1998 – përmes referendumit mbarëpopullor u adoptua Kushtetuta e Shqipërisë. / KultPlus.com

Kampioni botëror i boksit, Robin Krasniqi përulet para fotografisë së Adem Jasharit dhe dorëzon medalet e tij në Prekaz

Boksieri i cili ngriti emrin e Kosovës në kampionatin botëror, Robin Krasniqi ka lënë titujt e fitores së fundit të tij në Prekazin heroik, duke thënë se ky është një borxh ndaj familjes Jashari, shkruan KultPlus.

Krasniqi e ka bërë të ditur në konferencën për media se do t’i dërgoj titujt aty për nder të sakrificës së familjes Jashari.

“Është obligim për mua që këta tituj ti dërgoj edhe në Prekaz, sepse ndihem shumë borxhli për ta. Ndihem shumë i vogël para atyre që kanë flijuar jetën për këtë vend. I përkulem gjithmonë atij vendi”, ka thënë Krasniqi.

Kampionin botëror e ka pritur kryetari i Komunës së Skenderajit, Bekim Jashari i cili e ka falenderuar Krasniqin për respektin e dhënë ndaj familjes së tyre.

“Si Kryetar i Komunës në seancën e radhës do t’i propozoj Kuvendit të Komunës që kampionin e botës Haxhi Krasniqi të shpallim qytetar nderi të qytetit tonë historik, në shenjë mirënjohje e falënderimi për suksesin e arritur në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar Bekim Jashari në profilin e tij në facebook.

Robin Krasniqi është shqiptari i parë që ka arritur të fitojë dy titujt e mëdhenj, për t’u shpallur kështu kampion bote në peshat gjysmë të rënda në kategoritë IBO dhe WBA.

Haxhi Krasniqi ka arritur ta mposht me nokaut pas vetëm tre raundesh Dominic Boesel në meçin e zhvilluar në GETEC Arena në Magdeburg të Gjermanisë./ KultPlus.com

Pamje të papara deri më tani: Adem Jashari, nga koha e kryerjes së shërbimit ushtarak

Ndonëse është thënë e treguar për jetën e komandantit legjendar Adem Jashari, i cili me tërë familjen e tij u flijua për lirinë e vendit, një fotografi e tillë nuk është parë deri më tani.

Në këtë fotografi shihet komandanti legjendar gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak në kohën e ish-Jugosllavisë.

Komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari shihet i shoqëruar edhe nga Jetullah Geci dhe dy persona tjetër, në këtë fotografi.

Kullajt e Jasharëve  në Prekaz të Skenderajt, të cilat janë bërë tashmë simbol i lirisë që gëzojmë sot, vizitohen nga mijëra njerëz gjatë tërë vitit.

Familja Jashari mbetet dëshmia më e fuqishme e luftës dhe rezistencës të popullit shqiptarë, i cili donte vetëm një gjë, të ishte i lirë në vendin e vet. /indeksonline/ KultPlus.com

Gruaja e Adem Jasharit e cila në kohë lufte barte municione dhe luftonte

Për figurën e Adem Jasharit kemi dëgjuar shumë, ai ka qenë dhe vazhdon të mbetet heroi i luftës së fundit në Kosovë, mirëpo pak kanë dëgjuar për gruan e tij, Adilen, shkruan KultPlus.

“Të gjithë e njohin Adem Jasharin, por askush nuk e njeh gruan e tij, Adilen, e cila në kohën kur po luftonte Ademi, ajo barte municion dhe luftonte gjithashtu. – Ana Di Lellio(sociologe italiane)

Adile Jashari lindi më 10 maj të vitit 1957, në fshatin Akrashticë të Vushtrrisë. Shkollën tetëvejeçare, Adilja e kreu në fshatin e lindjes, në Akrashticë. Rreth moshës 20-vjeçare martohet me Adem Shaban Jasharin e Prekazit.

Më 22 janar të vitit 1998, sapo kishte ngrënë syfyr me familjarët, kur papritmas breshëria e armëve të forcave serbe kishte goditur kullën. Në ditët më vendimtare të historisë sonë më të re, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, Adilja, së bashku me anëtarët e tjerë të familjes ndodhet në Kullën e Qendresës.

Përveç burrave, të cilët kishin zënë pozicione dhe luftonin, ajo, së bashku me anëtarët e tjerë të familjes, ndodhej në bodrumin e fortifikuar, ku ndihmonte dhe i furnizonte me municion luftëtarët e familjes. / KultPlus.com

Ekskluzive: Adem Jashari, tonelata peshë gurë e dashuri, në një projekt të Destan Gashit (FOTO)

Realizimi i figurës së heroit, të cilin autori nga ana figurative do ta paraqesë mbi flakët dhe tymin e luftës me armikun, është një risi e ide revolucionare në artin e skulpturës, që autorit Destan Gashi i vjen në fantazi si rezultat i dashurisë që ai ka për heroin dhe sakrificën e tij për atdheun.

Nga Pjeter Logoreci

Nji vizitë në atelienë e skulptorit Destan Gashi në Himberg të Austrisë, ka kurdoherë të paprituna të kandëshme. Shkoj shpesh, sidomos kur ai vendosë me fillue nji projekt të ri, nji vepër të re. Mbas shumë ditësh larg mikut tim të artit, për arsyet e pandemisë që përfshiu botën, sot ishte nji ditë e veçantë mbushun me emocione e bukuri arti.

Nga telefonatat me Destanin, isha informue që, ai gjatë kohës në izolim  mendonte për të realizue një dëshirë që i sillej në kokë me vite: me gdhendë në gurë figurën e heroit të kombit Adem Jashari…. , por disi ndryshe, në një formë tjetër nga sa jemi msue me e pa ndër plot vepra të tjera që ka për te. Kur ma tregoj projektin, u befasova nga ideja e konceptimit, nga mëndyra se si artisti Destan Gashi do ta paraqiste heroin e tij, heroin tonë. Po ashtu të veçanta do të ishin edhe përmasat e veprës si dhe mendimi “me e pasë” këtë personazh / gurë, krejt për vehte.

Ideja, për me e vendosë, jo ndër salla pompoze e akademi të mbyllura por, në oborrin e shtëpisë së tij në fshat/Kosovë, me preku thellë, mbasi mu duk një akt i përveçëm e pasionant.  Nuk ka si të jetë ndryshe kur zemra rreh fort për atdheun, për historinë e dhimbshme të tij.

Në atelie, u gjenda përballë një modeli si dhe një guri gjigand prej shtufi (Sandstein), nga i cili do të dilte vepra. Tonelatat e përmasat e gurit sikur më tregonin peshën që heroi Adem Jashari ka në zemrën e skultptorit Gashi.

Vepra, proçesi i të cilës sapo ka fillue, ka përmasat 1m x 1.20m, do të qëndrojë dhe ekspozohet në atelienë e tij në Himberg, ndërsa projekti i dytë dhe më i veçantë do të jetë: një punim i dytë i kësaj figure, por me mermerë të kuq Kosove, në përmasat 2.40m x 1.80m  dhe do të jetë pjesë e ambienteve të shtëpisë së skulptorit në Kosovë.

Realizimi i figurës së heroit, të cilin autori nga ana figurative do ta paraqesë mbi flakët dhe tymin e luftës me armikun, është një risi e ide revolucionare në artin e skulpturës, që autorit Destan Gashi i vjen në fantazi si rezultat i dashurisë që ai ka për heroin dhe sakrificën e tij për atdheun.

Më poshtë po paraqes disa foto që realizova sot në atelienë e Destanit në Himberg, për të informue lexuesit për këtë vepër me vlerë që do të kemi së shpejti.

Nuk është hera e parë që shkruej për punën dhe artin e mrekullueshëm e të vlerësuem të Destanit, por me këtë vepër ai ka zgjuar ndjenjat e  zjarrta të shpirtit tim për këtë hero të shqiptarisë./KultPlus.com

Foto e papublikuar deri më tani, Adem Jashari në shkollë të mesme

Sot ka nisur Epopeja e UÇK-së, e cila i kushtohet rënjës heroike të familjës Jashari më 5-6 dhe 7 mars 1998.

Magazina.al, ka siguruar një fotografi të rrallë të heroit Adem Jashari në kohën kur ai ishte në shkollën e mesme.

Në këtë fotografi, Adem Jashari shihet në shoqërinë e shokëve të tij të gjeneratës, Jetullah Gecin, Enver Gecin dhe Ragip Xanin. / KultPlus.com

Busti i Adem Jasharit vendoset në Elbasan

Në Elbasan po vijon puna për ngritjen e bustit të heroit kombëtar, Adem Jashari.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u shpreh sot se “kjo vepër do të jetë gati në 14 mars, përkrah bustit të Gjergj Kastriot Skënderbeut”.

“Vijon puna për bustin madhështor të heroit kombëtar Adem Jashari. Ditën e Verës, më 14 mars, do të jetë gati përkrah bustit të Gjergj Kastriot Skënderbeut”, tha Balla.

Busti i heroit kombëtar Adem Jashari i gdhendur në shkëmb është tashmë drejt përfundimit, ndërsa më herët Balla ftoi popullin e Kosovës që Ditën e Verës me 14 Mars, t’i bashkohen inaugurimit të bustit të Adem Jasharit në Elbasan. /atsh/ KultPlus.com

Adem Jashari: Nuk do të dorëzohemi për së gjalli, vrasësit nuk do të kalojnë veçse mbi trupin tim të vdekur

Adem Jashari, simboli i lirisë dhe i çlirimit të Kosovës, sot do të festonte ditëlindjen e tij të 64-t, po të mos ishte për sakrificën dhe flijim që ai dhe e gjithë familja e tij e bën për vendin tonë, shkruan KultPlus.

Adem Jashari lindi në Prekaz të Drenicës më 28 nëntor të vitit 1955. Ai ishte ndër themeluesit kryesor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke qenë kështu edhe kryekomandanti i kësaj ushtrie.

Adem Jashari së bashkë me vëllain e tij Hamzë, kanë marrë pjesë në shumë sulme kundër forcave policore-ushtarake serbe.

Në vitin 1991, Adem Jashari u zhvendos në Shqipëri për t’u trajnuar me vullnetarët e parë, që më vonë u bashkuan në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Më 28 shkurt 1998, një grup kryengritës të udhëhequr nga Adem Jashari, sulmuan patrullat e policisë serbe duke vrarë katër policë dhe plagosur dy. Familjen Jashari e luftuan forcat serbosllave në Kosovë në vitet e 90-ta, por ky fakt u mbajt i fshehur nga opinioni i gjerë, nga ana e politikanëve të moderuar shqiptarë dhe nga qeveria e Beogradit, si mënyrë për të ruajtur status-quonë. Beteja e parë mes Ademit dhe shokëve e tij kundër Forcave Federale ushtarako-policore Jugosllave u bë në mëngjesin e 30 dhjetorit të vitit 1991.

Shtëpia e Jasharajve ishte rrethuar nga një numër i madh i forcave të sigurimit serbosllav duke kërkuar dorëzimin e tij. Jasharajt me shokët, thyen rrethimin dhe më vonë morën pjesë në disa aksione kundër ushtrisë jugosllave dhe të policisë. Adem Jashari në Prekaz u sulmua përsëri nga forcat e policisë federale më 22 janar të vitit 1998, por me trimërinë e tij e përballoi sulmin me sukses.

Në orët e hershme të mëngjesit të 5 mars 1998, në Prekaz u sulmua sërish familja Jashari nga Ushtria Jugosllave dhe forcat policore. Forcat sulmuese përbëheshin nga transportues të blinduar dhe pjesëtarë të policisë, të mbështetura nga artileria nga një fabrikë municioni në afërsi. Lagjen Jashari e kishin rrethuar diku me rreth 7-8 mije trupa. Sulmi zgjati tre ditë dhe dy netë.

Forcat policore filluan sulmin pa asnje paralajmërim. Pas kësaj kanë filluar të shtënat. Nga një shtëpi, policia qëllonte me mortaja, pasuar nga gazi lotësjellës. Shumica e familjes së gjërë e Jasharajve u mblodhën në një dhomë të vetme, e cila ishte e murosur me tulla. Një predhë pastaj ra përmes çatisë, duke vrarë një numër të anëtarëve të familjes. Granatimet e vazhdueshme për nja tridhjetë e gjashtë orë ia mundësuan policisë më në fund të hyjë në shtëpi.

Organizata “Amnesty International”, në një raport të bërë për rastin, tha se sulmi kishte për qëllim eliminimin e të gjithë dëshmitarëve. Adem Jashari së bashku me pesëdhjetë e gjashtë anëtarët e familjes së tij u vranë. Gjithsejt pesëdhjetë e tetë persona janë vrarë, në mesin e tyre tetëmbëdhjetë ishin gra dhe dhjetë fëmijë nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare. Nga ana tjetër televizioni serb “B-92” lajmëronte për 69 pjesëtarë të vrarë të policisë dhe ushtrisë. Dhe disa anëtarë të familjes Jashari ende jetojnë.

Adem Jashari dhe sakrifica e tij heroike u bë simboli i pavarësisë për shqiptarët e Kosovës dhe për shqiptarët kudo që janë. Kështu shumë prej tyre veshën bluza me fotografinë e tij pasi Kosova shpalli pavarësinë e saj të dielën, më 17 shkurt të vitit 2008. Mbishkrimi në bluzat ishte ″Bac u kry”, duke iu referuar shprehjes së përdorur gjatë homazheve në varrin e tij me rastin e shpalljes së pavarësisë, si realizim i qëllimit sublim të të gjithë jetës dhe veprimtarisë së Adem Jasharit. / KultPlus.com

Shtatorja e Adem Jasharit sot vendoset në Fushë Kosovë

Sot në një ceremoni rasti do të bëhet zbulimi i shtatores së komandantit legjendar Adem Jashari, në Fushë Kosovë.

Ceremonia e zbulimit të shtatores të komandantit legjendar do të mbahet në parkun e qytetit të Fushë Kosovës, saktësisht në rrugën ” Nëna Terezë”, duke filluar nga ora 14.00.

Kjo ngjarje organizohet duke kujtuar rëndësinë e datës 28 Nëntor për kombin shqiptar. / KultPlus.com

Bëhet publike shtatorja e Adem Jasharit që do të vendoset në Fushë Kosovë

Një shtatore për Heroin Kombëtar Adem Jashari do të zbulohet të enjten e 28 nëntorit në qytetin e Fushë Kosovës, shkruan KultPlus.com.

Pamjen e shtatores e ka bërë publike në Facebook, Xhevdet Qeriqi, ku njëkohësisht ka bërë edhe një ftesë për këtë organizim.

“Kam nderin t’ju njoftoj se më datë: 28.11.2019, duke filluar nga ora 14.00, në Fushë Kosovë do të zbulohet shtatorja e komandantit legjendar “ADEM JASHARI”. Prezenca e juaj do të na nderoj në këtë ditë të rëndesishme të kombit tonë. Kjo ngjarje organizohet duke kujtuar rëndësinë e datës 28 Nëntor për kombin shqiptar”, ka shkruar Qeriqi në llogarinë e tij në Facebook.

Shtatoret e Shaban, Hamëz dhe Adem Jasharit më 28 Nëntor vendosen në Drenas

Komuna e Drenasit në bashkëpunim me Komunën e Skenderajt, nën patronatin e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, të enjten, me 28 Nëntor, do bëjnë zbulimin e shtatoreve të heronjve Shaban, Hamëz dhe Adem Jashari.

Vendosja e shtatoreve të heronjve Jashari do të bëhet në sheshin “Fehmi Lladrovci” në Drenas, duke filluar nga ora 12:00, me ç’rast do të ketë edhe program artistik.

Po ashtu, për nder të festës së 28 Nëntorit dhe zbulimit të shtatoreve, do të mbahet seancë e përbashkët solmne e Komunës së Drenasit dhe Skënderajt. / KultPlus.com

Fotografia e Adem Jasharit te Pallati i Rinisë mbetet pa përkujdesje

Në gjendje të mjerueshme ka mbetur fotografia e heroit Adem Jashari tek Pallati i Rinisë. Federata e Boksit e cila edhe e ka vendosur fotografinë, thotë se për pak ditë do ta ndërrojë.

U vendos në nderim të heroit Adem Jashari, por për fotografinë e tij nuk ka ndonjë përkujdesje.

Zv. Drejtori i këtij Pallati Ilir Dugolli  ka thënë se kjo fotografi është vendosur nga Federata e Boksit, andaj është detyrë e tyre që ta mirëmbajnë atë.

“Fotografia e Adem Jasharit në hyrje të Pallatit të Rinisë është materie e Federatës së Boksit të Kosovës dhe si e tillë ata kanë përgjegjësi ta mirëmbajnë dhe jo ta lenë në këtë gjendje”, tha për RTV Dukagjinin, Ilir Dugolli.

Ndërsa Mehmet Bugujevci, Sekretar Gjeneral i Federatës së Boksit thotë se edhe pse ajo fotografi është vendosur nga ta, Adem Jashari nuk është vetëm i tyre.

“Atë fotografi e ka vendos Federata e Boksit të Kosovës, por Adem Jashari nuk është vetëm i Kosovës. Për fotografinë duhet të kujdesen institucionet e Kosovës”, tha Mehmet Bogujevci, përcjell Telegrafi.

Sipas tij, me mirëmbajtjen e kësaj fotografie duhet të merren institucionet shtetërore përkatëse, ngase Federata nuk ka fonde të mjaftueshme.

“Institucionet e Kosovës që kujdesen për përmendore do të ishte dashur të kujdesen edhe për këtë fotografi, pasi ne si federatë nuk kemi fonde për mirëmbajtje”, shtoi me tej Mehmet Bugujevci.

Haradinaj: Në marsin e ’98-s u shua një familje, pas kësaj bota ndaloi shuarjen e një populli

Në fjalimin e tij në kazermën “Adem Jashari”, kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se në marsin e ‘98-s u shua një familje e tërë.

Sipas tij pas kësaj ngjarjeje, bota reagoi dhe ndaloi shuarjen e një populli, raporton KTV.

Ai ka folur edhe për transformimin e FSK-së në ushtri, që sipas tij është projekt që i shërben paqes.

“Deputetët me 107 vota i thanë po një projekti nacional që ka synim paqen, e që është transformimi i UÇK-së. Ushtria është për paqe dhe nuk do të përdoret kundër popullit, as në jug e as në veri”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj me këtë rast ka përmendur edhe ruajtjen e marrëdhënieve me SHBA-në. 11:52

Thaçi: Kujtojmë sakrificën e familjes Jashari, nga e cila bota filloi ta kuptojë drejt Kosovën

Presidenti Hashim Thaçi në ceremoninë ushtarake të FSK-së ka thënë se sot kujtohet 21-vjetori i epopesë së lavdishme të UÇK-së

Ai ka thënë se sot kujtojmë sakrificën sublime të familjes Jashari, nga e cila bota ka filluar të kuptojë drejt Kosovën.

“Kjo epope dëshmoi se nuk kishte kthim mbrapa në luftën tonë për liri”, tha Thaçi, transmeton KTV.

Thaçi përmendi të gjithë ata që kontribuuan në lirinë e vendit.

Presidenti ka përmendur mbi 13 të vrarë, mbi 400 masakra dhe mijëra të dhunuara nga regjimi serb

“Për herë të parë po e shënojmë me ushtrinë e Kosovës të njohur ndërkombëtarisht”, tha ai.

Thaçi më tutje ka shtuar se Kosova po konsolidohet edhe më shumë në rrafshin kombëtar e ndërkombëtar, derisa ka theksuar se “të bashkuar miqtë do të na përkrahin edhe më shumë”.

“Do t’i forcojmë edhe më tepër raportet me SHBA-në”, deklaroi presidenti. 11:04

Limaj: Më 5 mars në Prekaz nisi epoka e lirisë së Kosovës

Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, ka përkujtuar Epopenë e UÇK-së, duke thënë se edhe pse po bëhen 21 vjet nga rënia e komandantit legjendar, Adem Jashari, kujtimi për të dhe familjen e tij vazhdon të mbetet në mendjen dhe zemrat e të gjithëve.

Limaj në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar se 21 vjet me parë në Prekaz, u vendosen themelet e shtetit të Kosovës.

Postimi i plotë i Limajt:

Në përkujtim të Epopesë së UÇK-së dhe sakrificës së Familjes Jashari në krye me komandantin legjendar, Adem Jashari, ndonëse po bëhen 21 vjet nga rënia e komandantit legjendar, Adem Jashari, kujtimi për të dhe familjen e tij vazhdon të mbetet në mendjen dhe zemrat tona. 21 vjet me parë në Prekaz, u vendosen themelet e shtetit të Kosovës. Në kohën kur popullit shqiptar të Kosovës i kishte humbur shpresa dhe i ishte thyer morali, në skenë doli komandanti legjendar Adem Jashari, i cili bashkë me familjen e tij sakrifikuan gjithçka dhe bënë të mundur një rinisje të madhe, e cila, kulmoi me lirinë e Kosovës. Pikërisht, sakrifica e familjes Jashari në krye me kryekomandantin Adem Jasharin mobilizoi gjithë kombin shqiptar dhe bëri të mundur nisjen e një kthese historike për popullin shqiptar. Më 5 mars në Prekaz nisi Epoka e Lirisë së Kosovës. Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së komandantit legjendar, Adem Jashari, fa miljes së tij dhe gjithë dëshmorëve të Kombit! Lavdi! FL 10:55

Mustafa: Vepra e familjes Jashari shënoi ndryshim në historinë e kombit shqiptar

Image

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka kujtuar 21 vjetorin e rënies së komandantit legjendar, Adem Jashari dhe familjes së tij.

Përmes një komunikate për media, Mustafa thotë se marsi është muaj i sakrificës që kulmoi me veprën më sublime të familjes Jashari, dhe shënoi ndryshim në historinë e kombit shqiptar.

Rënia e familjes Jashari, sipas tij, ktheu vëmendjen e botës demokratike drejt Kosovës, ku lufta tashmë kishte filluar në një kahe tjetër.

“Komandanti Legjendar Adem Jashari dhe vepra sublime e tij janë rast unik në gjithë historinë e luftërave, prandaj si të tillë edhe do ta mbajmë gjithmonë në mend. Adem Jashari dhe sakrifica e tij heroike u bënë të pavdekshme dhe gur themel i pavarësisë të Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Në muajin e lavdishëm Mars, Mustafa ka kujtuar edhe, siç thotë, fillet e rezistencës të armatosur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ku shumë burra e gra po niseshin në një rrugë të pakthim, drejt lirisë.

“Marsi padyshim është muaj dhimbjeje por edhe krenarie për çdo gjeneratë të cilët do ta mësojnë në çdo libër ku do të përmendet historia drejt lirisë deri të shtetndërtimi i Kosovës. Lavdi për gjithë Familjen Jashari dhe të gjithë ata që kanë rënë për Kosovën shtet të lirë”, ka përfunduar Mustafa. 09:45

Veseli: Adem Jashari ngriti në këmbë gjithë kombin dhe aty nisi rruga e pakthim drejt lirisë

Image

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka kujtuar 5 marsin, ditën e rënies heroike të komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari dhe familjes së tij.

Kryeparlamentari, nëpërmjet një statusi në faqen e tij në Facebook, ka thënë se më 5 mars 1998, në Prekaz ka nisur të ndryshojë historia e kombit shqiptar dhe Kosova nga aty nisi rrugën e pakthim drejt lirisë.

“Adem Jashari dhe familja e tij ranë, që kombi ynë të ngrihej në këmbë. Dhe ne u ngritëm. I madh e i vogël, burra e gra, nga të gjitha katër anët e kombit, nga të katër anët e diasporës. U bashkuam nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bëmë realitet ëndrrën për të cilën ra Adem Jashari dhe mijëra dëshmorë të lirisë”, ka shkruar Veseli në faqen e tij në Facebook.

Statusi i plotë i Kadri Veselit:

Janë disa ngjarje që bartin peshën e ndërrimit të epokave. Ato shënojnë ndarjen e të tashmes prej të shkuarës, duke hapur shtigje të reja nëpër të cilat ecin popujt dhe shtetet. Një peshë të tillë padyshim e ka 5 marsi i vitit 1998. Atë ditë në Prekaz po ndryshonte historia e kombit tonë. Kosova po niste rrugën e pakthim drejt lirisë dhe padyshim simboli më unik i kësaj rruge ishte Adem Jashari dhe familja e tij martire. Lufta dhe rënia e tyre, sakrifica e tyre e pashembullt në historinë njerëzore, e vulosën përcaktimin e popullit tonë për liri. Adem Jashari dhe familja e tij ranë, që kombi ynë të ngritej në këmbë. Dhe ne u ngritëm. I madh e i vogël, burra e gra, nga të gjitha katër anët e kombit, nga të katër anët e diasporës. U bashkuam nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bëmë realitet ëndrrën për të cilën ra Adem Jashari dhe mijëra dëshmorë të lirisë. LAVDI! / KultPlus.com

21 vjet nga rënia heroike e familjes Jashari

Sulmin e gjerë që e kishte ndërmarrë Serbia në Drenicë për të zhdukur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e koncentroi në Prekaz, në zemrën e UÇK-së, duke e rrethuar me forca të mëdha ushtarake e policore.

Ajo që do të ndodhë në fillimet e marsit të vitit 1998 në Prekaz, vije vetëm pak ditë pas luftimeve që kishin ndodh në Likoshan dhe Çirez, mes luftëtarëve të UÇK-së dhe forcave të armikut.

Synimi i forcave armike, ishte vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar dhe shtypur rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën po ia bënin regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Më 30 dhjetor të vitit 1991 kryhet sulmi i parë ndaj familjes Jashari. Ndërsa sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kryen në muajin janar, 1998. Më 22 janar forcat serbe sulmuan familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i rezistuan. Në këto luftime të plagosura mbeten Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit.

Ata i kërkuan kryefamiljarit Jashari që t’i tërheqin gratë dhe fëmijët nga aty. Por, edhe gratë dhe fëmijët kishin marr vendimin që të qëndrojnë, duke thënë se “po të vriten djemtë, nuk na vyen jeta të jetojmë”. Dhe vendosen të qëndrojnë, qëndruan për t’i treguar botës se shqiptarët nuk shkojnë askund përtej truallit dhe shtëpive të tyre. Sulmi i tretë, që ndodhi më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, mori jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit.

Këtij sulmi i mbijetoi vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia del që mes datës 5-6 mars të largohet nga rrethina dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila pa dhe përjetoi tmerrin derisa vriteshin anëtarët e familjes së saj.

Në 21-vjetorin e rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, dëshmorëve të kombit si dhe të gjithë të rënëve për liri, Qeveria e Kosovës më 5, 6 dhe 7 mars organizon manifestimet tradicionale të “Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Këto aktivitete fillojnë sot me ceremoninë ushtarake që mbahet në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë. /KultPlus.com

Portreti me fishekë i Adem Jasharit, në restaurim

Kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz të Skenderajt mbetet një nga vendet më të vizituara në festat kombëtare, e veçmas edhe më 28 Nëntor kur shënohet edhe ditëlindja e komandantit legjendar.

Por vizitorët e së mërkurës aty nuk e kanë pasur mundësinë ta shohin portretin e Jasharit prej 25 merash katrorë të punuar me fishekë nga Besart Gashi. Vepra që ishte inauguruar në mars të këtij viti, është dëmtuar. Të martën është larguar krejtësisht nga Kompleksi.

Drejtori i Agjencisë për menaxhimin e komplekseve memoriale, Bislim Zogaj, ka thënë se me kërkesën e autorit është dërguar në shtëpinë e tij për t’u rregulluar.

“Ka qenë i vendosur në një vend jo fort të përshtatshëm. Pasi është dëmtuar pa qëllim, portreti është zhvendosur te autori për t’u rregulluar. Do të kthehet prapë dhe do të vendoset në një tjetër vend”, ka thënë ai. Sipas Zogajt, deri pas një viti, vizitorët do ta gjejnë Kompleksin të konservuar e puna për ta rregulluar tërësisht do të vazhdojë ende./ KultPlus.com

‘Sot në Kosovë kanë lindur 1000 Adem Jashara’, si u kumtua lajmi për vdekjen e Adem Jasharit në Shqipëri (Video)

Lajmi për vrasjen e komandantit legjendar, Adem Jashari, ishte raportuar në pothuajse në të gjitha mediat botërore. Ky lajm kishte ngjallur mjaft pikëllim edhe në Shqipëri, shkruan KultPlus.

“Sot secili prej nesh është Adem Jashari”, ishte një nga fjalitë e moderatorit nga Shqipëria. Përmes lajmeve qendrore të Televizionit të Shqipërisë, moderatori Asllan Bajrami, ishe ai që kishte kumtuar lajmin për vdekjen e komandantit legjendar Adem Jashari duke thënë se ata që mendojnë se Adem Jashari nuk ekziston më, mashtrohet rëndë.

“Sot në Kosovë kanë lindur 1000 Adem Jashara. Sot secili prej nesh është Adem Jashari, çdokush që mendon që ai nuk ekziston mashtrohet rëndë. Liri dhe dritë në përjetësinë e Legjendës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. LAVDI!” , ishin fjalët e tij gjatë raportimit për vdekjen e Adem Jashari. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=nZtdTiVPhTg

28 nëntori, datëlindja e komandantit Adem Jashari

Sot është dita e lindjes së Adem Jasharit, një nga luftëtarët më të shquar që ka nxjerrë kombi shqiptar.

Themelues i UÇK-së, komandant dhe hero i Luftës Çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës, Jashari lindi në Prekaz të Drenicës më 28 nëntor 1955.

Adem Jashari mori pjesë në Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, ku kërkesë kryesore e shqiptarëve ishte “Kosova Republikë”. Deri në vitin 1989, qëndroi në ilegalitet për shkak të përndjekjes nga ana e forcave serbe. Në vitin 1990, A. Jashari organizoi grupet e para të armatosura në Kosovë. Në vitin 1991, ai së bashku me vëllezërit Rifatin e Hamzën, arritën të çanin rrethimin e forcave serbe.

Më 25 nëntor 1997 forcat e Adem Jasharit sulmuan trupat e policisë serbe në Vojnik, duke i detyruar ato që të tërhiqen. Ndërsa më 28 nëntor 1998, gjatë ceremonisë së varrimit të mësuesit Halil Geci, i vrarë nga forcat serbe, përfaqësuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dolën në tribunë me simbolet e UÇK-së.

Forcat serbe nuk mundën të hynin më në Drenicë deri më 22 janar 1998, por më 2 mars 1998, forca të shumta serbe të shoqëruara me tanke, autoblinda dhe artileri rrethuan shtëpinë e familjes Jashari, shkruan ata.

22 pjesëtarët e familjes që ndodheshin në shtëpi luftuan me forcat serbe për tri ditë e netë, duke mbetur të vrarë nga kjo familje 21 vetë nga mosha 9 deri në 74 vjeç. Mes të vrarëve ishte edhe Adem Jashari, i cili u kthye në simbol frymëzimi dhe rezistence për shqiptarët./ KultPlus.com

Projektligji s’miratohet, kompleksi “Adem Jashari” në gjendje alarmante

Kuvendi i Kosovës nuk ka qenë në gjendje që të miratojë Projektligjin për kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Mungesa e deputetëve në seancën plenare të ditës së hënë e ka bërë të pamundur kalimin e këtij Projektligji që u hap rrugë investimeve në Kompleksin që gjendet në Prekaz të Skenderajt.

Pavarësisht se ka kohë që jepet alarm që gjendja e objekteve të Kompleksit është tejet e rëndë, Projektligji ka mbetur që të votohet në ndonjë tjetër seancë. Mungesa e deputetëve të LDK-së dhe VV-së në seancë ka ndikuar që dokumenti të marrë 56 vota pro, e një abstenim. Për këtë kanë reaguar dy deputetë./ KultPlus.com

Bekim Jashari e quan psikopat Nexhmedin Spahiun, thotë se do të bëjë padi kundër tij

Debati për ditëlindjen e Adem Jasharit u nis nga analisti politik Nexhmedin Spahiu, i cili shprehi bindjen e tij se heroi i kombit, Adem Jashari nuk ka lindur më 28 nëntor, por më datën 10 tetor të vitit 1955.

Spahiut i reagoi nipi i Adem Jasharit, Bekim Jashari duke e postuar certifikatën e vdekjes të Adem Jasharit, ku data e lindjes figuronte 28.11.1955.

Jashari në një prononcim për Indeksonline ka thënë se do ta ndjekë penalisht Spahiun, për tu përgjigjur për të gjitha këto trillime.

Jashari thotë se për këtë debat ai po paguhet nga ndokush.

“Çka me i thonë atij njeri të krisur, psikopat. Është duke më bërë përshtypje se kush e ka pagu për të bërë gjithë këtë debat . Unë e kam në plan të bëjë padi, do të dalë para Gjykatës për këto trillime. Do ta ndjekë penalisht”, ka thënë Jashari për Indeksonline.

Nga ana e tij, nipi i Ademit në njëfarë mënyre u detyrua të publikojë certifikatën e lindjes.

Por, kjo duket se nuk i mjaftoi Spahiut për ta bindur. Sipas tij, punonjësit e komunës thjeshtë e kanë vënë kot si datë.

Ndërkohë, Në librin amëz të ish-Jugosllavisë bëhet e ditur data e lindjes së komandantit Adem Jashari. Aty figuron se Adem Jashari ka lindur më 28 nëntor 1955, edhe pse kjo së fundmi po kontestohej, e ky kontestim hapi debat rreth datës së lindjes së komandantit./ KultPlus.com