Bebe Rexha kërkon përkrahje për hitin e fundit të Rita Orës

Këngëtarja Bebe Rexha ka kërkuar përkrahje nga fansat e saj që këngëtaren tjetër kosovare, Rita Ora, ta çojnë në pozitën e parë të top-listës zyrtare në Britani të Madhe.

“Anywhere” e Rita Orës, e lansuar muajin e shkuar, është në vendin e dytë të top-listës zyrtare pas Camila Cabello dhe Young Thug me “Havana”.

“Rita Ora është gati në numrin 1 në Britani të Madhe. Përkrahni Anywhere”, ka shkruar ajo në Instagram./ KultPlus.com\

My girl @Ritaora Almost #1 record in the UK. #AnyWhere Support!!! 🇦🇱

A post shared by Bebe Rexha (@beberexha) on

Dua Lipa gatuan pite në emisionin e reperit shqiptar

Këngëtarja Dua Lipa ka qenë e ftuar në emisionin “Untitled Action Bronson” të reperit shqiptar Acton Bronson.

Në këtë emision Bronson gatuan receta të ndryshme me mysafirët e ftuar dhe me Dua Lipën shfrytëzuan rastin të gatuajnë pite.

Disa prej fotografive duke gatuar i ka shpërndarë edhe Dua Lipa, e cila ka thënë ishte kënaqur në emisionin e reperit shqiptar./ KultPlus.com

“Fëmija i sjell kënaqësi vetëm gruas e cila e dëshiron lumturinë e tjetrit pa asnjë interes”

“Mallkimi që qëndron pas martesave është ai që individët shpeshherë bashkohen në dobësinë më shumë se sa në forcën e tyre, gjithmonë duke kërkuar nga njëri – tjetri, në vend se të gjejnë kënaqësi duke i dhënë njëri – tjetrit.

Madje është edhe më zhgënjyese kur ëndërrojnë të fitojnë plotëni përmes fëmijëve, të fitojnë ngrohtësi, vlerë, të cilën ata janë të paaftë ta krijojnë vetë; fëmija i sjell kënaqësi vetëm gruas e cila e dëshiron lumturinë e tjetrit pa asnjë interes, gruas e cila është e aftë ta kapërcej ekzistencën e vetë pa u mbyllur në vetëvete.”

– Simone de Beauvoir, “The Second Sex”

Filmat e Slobodan Praljak, njeriut që piu helmin në Tribunalin e Hagës (VIDEO)

I diplomuar edhe në Akademinë e Arteve, Praljak kishte qenë drejtor teatri në Zagreb, Osijek dhe Mostar. Kurse prej vitit 1972 ai kishte punuar si artist i lirë, shkruan KultPlus.

Veprimi i Slobodan Praljak në ditën e sotme, i cili përgjatë gjykimit piu helmin dhe si pasojë ka ndërruar jetë, ishte toplajm në mediet botërore, shkruan KultPlus.

Slobodan Praljak i cili sot u shpall fajtor për krimet përgjatë luftës në Mostar të Bosnjës dhe Hercegovinës kishte punuar në vitet e hershme edhe në fushën e kulturës.

I diplomuar edhe në Akademinë e Arteve, Praljak kishte qenë drejtor teatri në Zagreb, Osijek dhe Mostar. Kurse prej vitit 1972 ai kishte punuar si artist i lirë.

Ai ka qenë regjisor i serisë televizive “Blesan i Tulipan”, sikurse edhe të serialeve të tjera dhe të dokumentarëve, kurse po ai ka bërë edhe regjinë e dy filmave të metrazhit të gjatë “Povratak Katarine Kozul”, filmi i cili është realizuar në vitin 1989, sikurse edhe filmin tjetër “Jegulje putuju u Sargasko more”, i cili është realizuar në vitin 1979. Poashtu ai ka qenë i njohur edhe për shumë skenarë dhe libra./KultPlus.com

Haradinaj i ndanë çmimin “FIDES 2017” post mortum albanologut Robert Elsie

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “FIDES 2017” për Filantropinë në Kosovë, e cila organizohet nga Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ), bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Haradinaj, tha se ndihet i nderuar që gjendet në një mbrëmje ku promovohen, vlerësohen dhe falënderohen publikisht individë, biznese, organizata të shoqërisë civile, të rinj, gra, e ambientalistë për kontributin e tyre.

“Filantropia bashkëkohore shihet si strategji për të pasuruar kulturën e bamirësisë, me qëllim mobilizimin e drejtë të komuniteteve lokale, burimeve njerëzore e financiare. Të gjitha këto e krijojnë ekosistemin e vlerave të cilat i mbanë shoqëria jonë dhe të cilat ‘FIQ’ kujdeset për t’i promovuar duke sjellë me afër njerëzit, institucionet dhe sektorët e zhvillimit në vend”, tha Haradinaj.

I ftuar të ndajë çmimin “FIDES 2017” post mortum për kontributin në ndriçimin e historisë, kulturës dhe jetës së shqiptarëve nga Robert Elsie, albanologut kanadez i cili ndërroi jetë muajin e kaluar, kryeministri e ka cilësuar këtë si moment prekës për të.

“Është nder për mua si kryeministër, por edhe si shqiptar të nderoj me çmim një personalitet si Robert Elsie, i cili arriti ta njoh kombin tonë aq mirë dhe aq thellësisht. Robert Elsie, gjermano-kanadezi i cili iu përkushtua paraqitjes së tërësisë së artit, kulturës, fotografisë dhe historisë së shqiptarëve”, tha Haradinaj, duke theksuar se e admiron atë për vendin ku pushojnë eshtrat e tij, në Thethin e bukur shqiptar.

Çmimin e ndarë nga kryeministri për Robert Elsien, e pranoi Artur Metani, mik dhe bashkëpunëtor i albanologut Elsie. / KultPlus.com

Njeriu në jetën e tij…

Poezi e shkruar nga Yehuda Amichai

Njeriut s’i del koha
me ba gjithçka n’kët botë.
Atij s’i mjafton nji jetë e mot’
për çdo qëllim. Libri i Shenjt’
Ish’ gabue për kët’ gja.

Njeriu duhet me dashtë e urrye njiherit,
me qeshë e lotue me t’njajtët sy,
me hedhë e mbledhë gurët me t’njato duer,
me ba dashni n’luftë, e me ba njanën n’dashni.
Me urrye e falë, me kujtue e harrue,
me ndreqë e trazue, me hangër e blue
ç’ka historia
merr vite e vite për me e ba.

Njeriut s’i del koha.
Kur humb ai kërkon, kur gjen
ai harron, kur harron ai dëshiron, kur dashuron
fillon e harron.

Dhe shpirti i asht’ përsosun
n’do cilsina t’nalta.

Veç trupi i ka mbet’ përherë
nji fillestar. Provon dhe s’shënon,
turbullohet, e kurrgja s’mëson,
verbue n’marrina, dehun
n’brengë të vet.

Ai ka me vdek’ si fik i rrudhun n’vjeshtë,
Mbushun n’knaqësi, ambëlsi e n’vyshkje,
gjethet e thata mbulojnë tokën,
e degët e zhveshuna tregojnë kah vendi
ku ka kohë për gjithçka.

Ka filluar koncerti i Emeli Sandé në Tiranë, këtu mund ta shikoni live (LIVE)

Nata e Bardhë ka nisë në Tiranë ku do të performojnë shumë artistë, shkruan KultPlus.

Por qershija mbi tortë e kësaj mbrëmje është këngëtarja e famshme Emeli Sandé e cila së shpejti pritet të ngjitet në skenë.
Këtu mund ta ndiqni live këtë koncert që ka grumbulluar shumë artistë./KultPlus.com

Në Gostivar ndahen çmimet e ekspozitës ‘Çmimi i Nëntorit 2017’

Me rastin e 28 nëntorit, është hapur mbrëmë në Gostivar ekspozita artistike ‘Çmimi i Nëntorit’.

Ekspozita mbarëkombëtare e artit pamor e cila u organizua nga Shoqata e Artistëve Figurativ “Draudacum” me seli në Gostivar në bashkëpunim me Qendrën për Kulturë në Gostivar, me mbështetje financiare të Ministrisë së Kulturës, ekspozoi veprat e 40 artistëve shqiptarë nga Maqedonia, Shqipëria e Kosova.

Pos punimeve, në këtë natë nuk munguan edhe çmimet për më të mirët e disa kategorive.

Çmimi Draudacum për fotografi i shkoi fotografit Burim Myftiu, ndërsa ai për grafikë shkoi për Ridvan Alitin nga Kumanova. Çmimin Draudacum për pikturë e morri Zenun Sherifi ndërsa ‘Çmimin e Nëntorit’ e fitoi Hajrush Fazliu, kurse atë për skulpturë e fitoi Naim Iseni.
Ekspozita tradicionale “Çmimi i Nëntorit” organizohet me rastin e Ditës së Flamurit për të promovuar vlerat artistike të artistëve të artit pamor në përgjithësi, shkruan KultPlus.

“Interesi kaq i madh i artistëve nga të gjitha trevat kulturore shqiptare, për të marrë pjesë në këtë ekspozitë, dëshmon se kjo shoqatë është rritur dhe është formuar si epiqendër е artistëve shqiptarë, fortesë ku kultivohet dhe zhvillohet arti pamor, strehimore e vlerave të dëshmuarа, por edhe mundësi për artistët e rinj të cilët shkëndijat artistike kanë filluar t’i rrezatojnë nga kjo shoqatë, po ashtu edhe rritjen e tyre individuale” tha mes tjerash në hapje Reshat Ahmeti – kryetar i “Draudacum”.

Në këtë ekspozitë defilojnë artistë të rëndësishëm të kohës dhe me relevancë artistike, ndërsa këtë e argumenton edhe prezenca e veprave të emrave të rëndësishëm dhe të dëshmuar me cilësi vendore dhe botërore të artit figurativ shqiptar. / KultPlus.com

Elvana Gjata mahnitë me videon për festën e 28 Nëntorit (VIDEO)

Këngëtarja shqiptare Elvana Gjata ka postuar në rrjete sociale një video për festën e 28 Nëntorit, shkruan KultPlus.

Ajo shihet të jetë veshur kuq e zi, por në të njëjtën kohë shihet edhe shqiponja, elemente këto që i ka ndërlidhur mjaftë bukur. /KultPlus.com

Ti Shqiperi me jep nder..

A post shared by Elvana Gjata (@elvanagjataaaa) on

Ambasadori Greiçevci sqarohet në lidhje me intervistën e dhënë për Huffington Post

Ambasadori i Kosovës në Britaninë e Madhe, Lirim Greiçevci, ka reaguar ndaj intervistës që ka bërë për HuffingtonPost, në të cilën shkruhej se Greiçevci ka thënë se mëkati i shqiptarëve është që e kanë pranuar islamin.

Ai ka thënë se një gjë të tillë ai nuk e ka thënë asnjëherë por që HuffingtonPost e ka përdorur si nëntitull.

“Dëshiroj të sqaroj se këtë nuk e kam thënë unë, është nëntitull i përdorur nga redaksia e gazetës Huffington Post. Madje, edhe aty, fjala në anglisht për mëkat (“sin”) është i vendosur në thonjëza. Askund në tekstin e intervistës nuk mund të gjindet që këtë e kam thënë unë”, ka shkruar ai në Facebook.

Një shqiptare kurorëzohet ‘Miss Italia Lombardia’ (FOTO)

Në total kanë qenë 130 vajza që tentuan të kurorëzoheshin si femra më e bukur gjatë turit të vitit 2018 të “Miss Italia Lombardia”, por ajo që triumfoi ishte Denise Ayroldi, e lindur në Brescia.

E gjatë 1.76 cm, 18-vjeçarja nga provinca Cellatica ka fituar besimin dhe votat e jurisë për bukurinë e saj, por edhe sepse ka një lidhje me modën. I dashuri i kushërirës së saj është pikërisht pjesë e modelingut.

Ayroldi vjen nga prindër italo-shqiptarë, me babain puljez dhe nënën shqiptare, por edhe pse u vlerësua për bukurinë e saj, ajo ëndërron të bëhet avokate, duke ndjekur kështu gjurmët e të atit.

Gara është zhvilluar më 26 nëntor në “Oriocenter”, e nga aty Denise Ayroldi pa të ngjitej në shkallën më të lartë të podiumit. E reja breshane do të përfaqësojë Lombardinë në garën kombëtare të “Miss 365”, që do të zhvillohet në muajin janar, në Romë.

Ndërkohë, edhe fituesja në fuqi e këtij kompeticioni vinte gjithashtu nga Brescia, quhet Giulia Gatta dhe fitoi “Miss Italia Lombardia 2017”. / KultPlus.com

Ambasadori i Kosovës: Mëkati jonë është se jemi konvertuar në Islam

Ambasadori i Kosovës në Britaninë e Madhe, Lirim Greiçevci, ka dhënë një intervistë për Huffingtonpost, ku ka folur për prejardhjen e popullit shqiptar si dhe për religjionin e shqiptarëve.

Greiçevci ka thënë se shqiptarët para se të sundoheshin nga Osmanët të gjithë kanë qenë të krishterë.

“Kosova dikur ishte pjesë e Perandorisë Romake, atëherë Perandoria Bizantine dhe më pas pushtuan Osmanët. Kemi qëndruar nën kontrollin e tyre për 500 vjet. Para kësaj, shqiptarët e Kosovës ishin kryesisht të krishterë”, ka deklaruar ai.

Greiçevci më tej ka thënë se me sundimin nga Perandoria Osmane shumica e njerëzve u kthyen në kulturën dhe fenë e saj, ndërsa sipas tij mëkati i vetëm i shqiptarëve është që u konvertuan në Islam.

“Sapo të integrohemi në fushën osmane, shumica e njerëzve u kthyen në kulturën dhe fenë e saj. Kjo ishte mënyra e vetme, ne mund të merrnim pjesë në jetën publike të perandorisë. Është gjithashtu arsyeja pse aleanca me Perandorinë Osmane ishte aq e fortë për ne. Mëkati ynë ishte se ne u bëmë pjesë e Perandorisë Osmane dhe u konvertuam në Islam”, ka deklaruar Greiçevci. / KultPlus.com

Kopshti i kujtimeve

Poezi e shkruar nga Nermin Vlora – Falaschi.

(Nënës sime Belkis dhe të gjitha nënave që pushojnë në varrezat “Kopshti i kujtimeve” në Bogota të Kolumbisë).

Kur s’isha, ti ishe.
Kur Linda, ti më buzëqeshe.
Kur u rrita, ti më udhëhoqe.
Kur gabova, ti më qortove
Pse ti më deshe.

Dashurinë për gjithësinë Ti ma mësove.
Bukurinë e ndjenjave Ti m`këshillove
Me Universin n`harmoni t`jetoj, ti m`urdhërove
Dritën e vërtetë ti ma tregove
Pse Ti më deshe.

Ti, nënë, vëlla, motër, shoqe.
Ti, n`lundrimet e vështira t`kësaj bote,
Ti, eksperiencën e flokëve t`bardhë ma dorëzove
Ti, n`heshtje për gjithmonë u largove.
Pse ti më deshe.

N`gjirin e Universit Ti u ktheve
Por prej meje Ti kurrë s`u ndave:
Në yjet e qiellit xixëllojnë sytë e Tu,
Kudo n`ajër marr frymë shpirtin Tënd,
Sa shumë unë t`paskam dashur!

Kur aktori Bekim Fehmiu shkaktonte skandal në Abu Dabi

Në vitin 1971, Bekim Fehmiu do të shkaktonte një problem në Abu Dabi.

Fotografia e tij me aktoren Candice Bergen dhe mbishkrimin “Asgjë nuk është lënë jashtë”, pasi dyshja luan në filmin “The Adventurers” do të shkaktonte debat në Abu Dabi, pasi filmi supozohej se do të kishte skena të nxehta.

Atef Karam, pronari i kinemasë El Dorado, e para kinema e mbyllur në Abu Dabi dhe e cila madje do të mbyllet pasi ka funksionuar për 47 vite, megjithatë nuk e ndali shfaqjen e filmit, edhe përkundër debatit të madh që filmi nuk i përket një shoqërie si Abu Dabi dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Hera e parë kur e dhamë filmin, ishte gjithçka normal. Edhe shfaqja e dytë e filmit ishte në rregull. Në herën e tretë, policia erdhi bashkë me autoritetet tjera për ta parë filmin. E panë filmin dhe deshën ta mbyllnin kinemanë, u bë skandal pa nevojë” tregon Karam.

Më pas, në Abu Dabi do të vinte ligji kundër filmave me zhveshje apo dhunë. Zhveshje kishte në filmin me Fehmiun, por jo dhunë, shkruan KultPlus.

E njëjta kinema tani do të mbyllet në tërësi. Ajo u hap me 22 nëntor 1970 dhe është e para kinema e mbyllur në Abu Dabi.

Bekim Fehmiu dhe Candice Bergen patën krahas tyre edhe Charles Azvanour dhe Olivia de Havilland në filmin i cili arriti fitim rreth 7.75 milionë dollarësh në kinematë e Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. / KultPlus.com

Rezidenca letare “Prishtina nuk ka lum”, nesër sjellë leximin letrar me Elona Çuliq

Qendra Multimedia organizon lexim letrar me shkrimtaren në rezidencë letrare “Prishtina nuk ka lum”, me poeten e re Elona Culiq, shkruan KultPlus.

Elona do të lexoj disa poezi për publikun kosovar dhe do të diskutoj për letërsinë me moderatoren Ardiana Shala Prishtina.

“Poezia, fotografimi, biçikleta, hapësira, njeriu, kafshët, pema, hana, rranja, pra çdo gjë që përbën përditshmërinë e njeriut më grish emocione dhe më plotëson. Eksperiencat në punë dhe si vullnetare në fushën sociale, në vitet 2013 më qasen me praktikën e teatrit social, të cilën sot e praktikoj si trajnere së bashku me kolegun tim. Në këtë lëmi kam krijuar eksperienca performative në vitin 2013 Milano, 2014 Beograd, 2015 Sarajeve dhe 2016 Shkoder”, ka spikatë karakteristikat e veta Culiq. Leximi letrar do të mbahet në ora 19:00, në Monet Arts & Books Gallery.

Programi “Prishtina nuk ka lum” mbeshtetet nga TRADUKI dhe Goethe Institut. Qendra Multimedia mbeshtetet nga Zyra e Bashkimit Evropian ne Kosove./KultPlus.com

Gazeta zvicerane: Çfarë mund të mësojnë zviceranët nga shqiptarët

Shqiptarët në Zvicër shpesh luftojnë me paragjykime. Por, ata kanë edhe shumë të mira. ‘Blick’ me një shkrim special jep pesë gjërat që zviceranët mund të mësojnë nga një shqiptar, përcjell albinfo.ch.

Festimi: Pa ofendim, por a keni qenë ndonjëherë në një martesë shqiptare apo keni vizituar një klub shqiptar në Zvicër? Nëse hyni në valle atëherë definitivisht nuk do të dilni nga vallja. Shembulli më i mirë është Kampionati Evropian në Francë dhe atmosfera e krijuar nga tifozët.

Krenaria kombëtare: Sigurisht se zviceranët janë krenarë me vendin e tyre, por me shqiptarët kjo shkon pak më tej. Në çdo imazh të tyre paraqiten duke bërë shqiponjën me duar, dhe duke përmendur nga kanë ardhur. Nëse ka diçka shqiptare në një film ose ‘Bon Bon’ nga Era Istrefi është në radio, atëherë kjo është tipike për shpirtin shqiptar.

Mikpritja: Një tjetër arsye për të vizituar Ballkanin. Kur njerëzit dëgjojnë se keni ardhur si një i huaj nga Zvicra. Atëherë nuk jeni më një i huaj. Ju i përkisni familjes. Një darkë këtu, një pije atje dhe udhëtimi juaj ballkanik rezulton të jetë një goditje e madhe e fatit.

Lidhja familjare: Për popullin shqiptar, familja do të thotë gjithçka. Ndërsa disa zviceranë largohen nga familja në moshën 18-vjeçare dhe duan të punësohen, të rinjtë shqiptarë qëndrojnë në shtëpi deri në martesën e tyre. Jo, sepse janë dembelë, por ata ndihen të detyruar të kujdesen për prindërit e tyre, për 18 vjet ose më shumë. Marrëdhënia me familjen nuk është e humbur. Vizitat familjare janë pothuajse çdo fundjavë.

Luaj futboll: Na vjen keq, por duhet të ishte e lehtë. Yjet e Zvicrës janë me prejardhje shqiptare. Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri apo Admir Mehmedi janë të gjithë nën kontrata me klubet më të mira evropiane. Sigurisht ata kanë mësuar të luajnë futboll në Zvicër, por ata kanë talent shqiptar./KultPlus.com

Një shkop Hokej me nënshkrimet e vëllezërve Kennedy shfaqet në muze

Një shkop hokej me nënshkrimet e ish-Presidentit të SHBA-së, John F. Kennedy dhe vëllezërve të tij, Robert dhe Edward Kennedy, tani është ekspozuar në muzeun “Cape Cod”, përcjellë KultPlus.

Shkopi u dhurua javën e kaluar në “John F. Kennedy Hyannis Museum” nga banori i Barnstable John Drew. Cape Cod Times raporton se Drew kishte qenë pjesë e një loje në vitin 1962, në të cilën ishin vënë përballë banorët e qytetit kundër një ekipi tjetër ku bënin pjesë edhe disa anëtarë të familjes Kennedy.

Presidenti nuk mori pjesë në lojë, por Drew i kërkoi presidentit dhe vëllezërve të tij që të nënshkruajnë shkopin e portierit. Drew po ashtu tregoi se në atë kohë nuk kishte marker dhe nënshkrimet ishin bërë me anë të stilolapsit./ KultPlus.com

Pesë figura të njohura kosovare, kërkojnë parandalimin e dhunës ndaj grave (VIDEO)

Un Women ka lansuar një video me pesë figura të njohura publike të cilat transmetojnë një mesazh të fuqishëm për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave, shkruan KultPlus.

Në këtë video marrin pjesë alpinistja Uta Ibrahimi, gazetari Blerim Vuniqi, Kapitenja Tahire Haxholli, gazetari Adriatik Kelmendi dhe aktorja Adriana Matoshit. Ata përmes paraqitjes së tyre u bëjnë thirrje të gjithë njerëzve të mos heshtin dhe të reagojnë kundër dhunës.

Kjo video është pjesë e fushatës së 16 Ditëve të Aktivizimit Kundër Dhunës ndaj Gruas. Kjo fushatë e organizuar nga Un Women ka filluar aktivitetet e saj që nga 25 Nëntori ndërsa do të vazhdoi deri më 10 Dhjetor të këtij viti./ KultPlus.com

Qendra Historike e Prizrenit humb edhe një monument

Në Qendrën Historike të Prizrenit është rrënuar edhe një monument i trashëgimisë kulturore, i cili ka gëzuar mbrojtje ligjore. Monumenti i regjistruar si “Shtëpia e Bajram Sokolit” është rrënuar përkundër vendimit të lëshuar në muajin gusht nga autoritetet e trashëgimisë kulturore për ndërprerjen e punimeve në këtë objekt.

Sipas informatave zyrtare të marra nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore, Komisioni për vlerësim të projekteve restauruese-konservuese në kuadër të Institutit për Mbrojtje të Monumenteve të Kosovës në muajin korrik të këtij viti kishte miratuar kërkesën/projektin për renovimin/restaurimin e objektit shtëpi individuale për banim në ngastrën kadastrale 1910-0 në Prizren. Por më pastaj QRTK, pasi është informuar se në këtë shtëpi kanë nisur aktivitetet rrënuese ndonëse leja ka qenë për renovim, ka informuar IMMK-në dhe Komunën e Prizrenit për mosrespektimin e lejes së dhënë. Sipas QRTK më 22 gusht 2017 IMMK-ja ka pezulluar vendimin lidhur me projektin për renovimin/restaurimin e shtëpisë në fjalë. IMMK-ja gjithashtu ka urdhëruar ndërprerjen e punimeve në objektin në fjalë për shkak të punimeve të kryera në tejkalim të kushteve dhe kritereve të përcaktuara në projektin e aprovuar nga IMMK. Ky Institut gjithashtu ka theksuar se “çdo veprim që zhvillohet pas pranimit të këtij vendimi nga të gjitha palët, konsiderohet ‘punë e pa autorizuar në trashëgiminë kulturore’ – vepër kjo e ndëshkueshme. Në të njëjtën kohë IMMK ka autorizuar QRTK-në që të zhvillojë të gjitha procedurat përkatëse me Komunën e Prizrenit në mënyrë që të zbatohet ky vendim respektivisht të ndërpriten punimet.

Megjithëkëtë monumenti i shekullit XIX është rrënuar nga pronari i ri. Shtëpia e Bajram Sokolit është e mbrojtur dhe është e listuar në shtojcën II të Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit përkatësisht Monumentet Kulturore në Qendrën Historike të Prizrenit.

EC Ma Ndryshe deri më tani shumë herë ka reaguar në lidhje me shkatërrimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore në Prizren dhe konsideron se është çasti i fundit që organet shtetërore të veprojnë në mënyrë serioze për zbatimin e plotë të legjislacionit në raport me këtë zonë të mbrojtur. / KultPlus.com

‘Despacito’ në prag të historisë së Grammy

Kënga “Despacito” e cila ka thyer rekordin botëror këtë vit, është një ndër këngët e nominuar në tri kategori Grammy , në “Record of the Year”, “Best Pop Duo/Group Performance” dhe si kënga e vitit, përcjellë KultPlus.

“Despacito” , e kënduar nga Luis Fonsi dhe Daddy Yankee, me një remix me Justin Bieber nëse arrin të fitojë çmimin “Grammy” për këngën e vitit, do të shënoj herën e parë që një këngë në gjuhën spanjolle arrin ta marr këtë çmim.

“Unë besoj se ne tani jetojmë në një botë globale dhe është e mahnitshme që SHBA ka hapur dyert, veshët dhe zemrën e saj për një këngë në gjuhën spanjolle”, tha Erika Ender, kompozitorja panameze e cili ka shkruar këngën “Despacito”.

“Unë gjithashtu besoj se ajo ka të bëjë me gjuhën universale të muzikës. Kjo e konfirmon atë se nuk ka rëndësi gjuha, ajo që ka më shumë rëndësi është energjia, mënyra se si diçka na bën të ndiheni” ka shtuar Erika Ender./ KultPlus.com

Ministria e Kulturës së Shqipërisë dhe ajo e Kosovës me memorandum bashkëpunimi, synojnë integrimin në Evropë

“Kalendari i përbashkët kulturor 2018, duhet të mbrohet nga kalendari i politikës që mund edhe ta eklipsojë kulturën, siç na duhet të pranojmë se na ndodhi këtë vit. Politika vete e vjen, kultura e njerëzit e saj mbeten, dhe sot po ne, politikanët e marrim këtë angazhim”, është shprehur ministrja e Ministrisë së Kulturës, Mirela Kumbaro, shkruan KultPlus.

Në Shtëpinë e Flamurit, një prej ndërtesave simbol të qytetit të Korçës, Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë mbajtën një mbledhje të përbashkët, nën siglën “Një popull, një ëndërr”.
Qeveritë “Rama” dhe “Haradinaj” nisën mbledhjen e përbashkët, ku u diskutuan një sërë çështje që përfshijnë të gjitha fushat e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro dhe Ministri Kujtim Gashi nënshkruan në Korçë një memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës.

Përpos shkëmbimeve dhe zgjerimit të hartës kulturore ky memorandum bashkëpunimi nënshkruhet edhe në një tjetër fushë të rëndësishme, jo vetëm për vendet tona, por edhe për integrimin tonë në Evropë, posaçërisht në fushën e të drejtave të autorit.

Qarkullimi i vlerave dhe krijimtarisë kërkon me domosdo koordinimin e politikave dypalëshe për respektimin dhe standartizimin e copyright-it me praktikat më të mira evropiane.
Nëpërmjet këtij Memorandumi të dyja palët institucionalizojnë politikat shtetërore për të shkëmbyer praktikat më të fundit në administrimin kolektiv të të drejtave të autorit dhe promovojnë të drejtat e artistëve shqiptarë e kosovarë në një treg të përbashkët në nocionin e kulturës pa kufij.
“Hapësira jonë kulturore është e përbashkët, tregu i krijimtarive po ashtu. Na duhet të jemi bashkë në këtë llogore. Mirëpresim çdo propozim të Ministrit Gashi, dhe do të ofrojmë cdo informacion juridik dhe administrative për të ndërtuar një mjedis ku respektohet mbi të gjitha autori dhe sigurohet vazhdimësia e krijimtarisë artistike”, ka thënë ministrja Kumbaro me këtë rast.

Kurse ministri Gashi u shpreh i gatshëm të bashkëpunojë jo vetëm në fushën e të drejtës së autorit, por edhe në krijimin e një skene të përbashkët kulturore me Shqipërinë.
Kumbaro kujtoi se “Kalendari i përbashkët kulturor 2018, duhet të mbrohet nga kalendari i politikës që mund edhe ta eklipsojë kulturën, siç na duhet të pranojmë se na ndodhi këtë vit. Politika vete e vjen, kultura e njerëzit e saj mbeten, dhe sot po ne, politikanët e marrim këtë angazhim”.

Një vit më parë, Ministria e Kulturës në Shqipëri miratoi ligjin pёr tё drejtat e autorit dhe tё drejtat e tjera tё lidhura me të, një ligj pararojë dhe revolucionar që tashmë ka filluar të japë efektet e para pozitive, duke përmbushur kështu të gjitha detyrimet e fushës që burojnë nga Marrëveshja e Asocim Stabilizimit me Bashkimin Evropian./KultPlus.com

Mund të shkruaj…

Poezi nga Pablo Neruda.

Mund të shkruaj vargjet më të trishta këtë natë.
Të shkruaj, për shëmbull: “Nata është yjësuar,
Dhe drithëruesit, të kaltrit yje, atje larg”.

Era e natës sillet në qiell dhe këndon.

Mund të shkruaj vargjet më të trishta këtë natë.
E doja, dhe ajo më donte nganjëherë gjithashtu.

Në netë si kjo e kisha ndër krahët e mia.
E puthja aq shumë herë nën qiellin e pafund.

Ajo më donte, dhe unë e doja nganjëherë gjithashtu.
E si të mos doja të tillë sy të mëdhenj tërheqës.

Mund të shkruaj vargjet më të trishta këtë natë.
Duke menduar që nuk e kam. Duke ndjerë që e humba.

Të dëgjoj natën e pamasë, më e pamasë pa të.
Vargjet bien mbi shpirtin si mbi barin vesa.
Po ç’rëndësi ka kur dashuria ime nuk mund ta ruante
Nata është yjësuar dhe ajo nuk është me mua.

Kjo është e gjitha. Së largu dikush këndon. Atje larg..
Shpirti im nuk ndjehet mirë se e humbi atë.

Si të jenë duke kërkuar sytë e mi vështrojnë për të.
Zemra ime vështron, por ajo nuk është me mua.

E njëjta natë që zbardhëllon të njëjtat pemë
Ne vetë, ata të atëhershmit, nuk jemi të njëjtët.

Më nuk e dua, është e qartë, por sa shumë e doja
Zëri im vështron për erën që të takojë veshin e saj.

E tjetrit. Do jetë e tjetrit. Si para puthjeve të mia.
Zëri i saj, trupi i saj i tejdukshëm. Sytë e saj të paskaj.

Unë nuk e dua, është e qartë, por mbase e dua.
Është kaq e shkurtër dashuria, dhe kaq i madh harrimi.

Sepse në netë si kjo e mbaja atë mes krahëve,
Shpirti im ndjehet keq që e ka humbur.

Megjithëse kjo është dhimbja e fundit që ajo me shkaktoi,
Dhe këto janë vargjet e fundit që unë ja shkruaj.

“Martesa” dha premierën botërore në PÖFF | Tallinn Black Nights Film Festival

Filmi ‘Martesa’ nga Blerta Zeqiri u dha premierë botërore dje, 28 nëntor, në festivalin e mirënjohur të kategorisë ‘A’ – PÖFF | Tallinn Black Nights Film Festival. Filmi u mirëprit dhe pati komente shumë pozitive nga audienca, mediat dhe kritikët.

‘Martesa’ flet për një trekëndësh dashurie pranë dhe gjatë një martese, trekëndësh ky problematik dhe një diskutim më i thellë i tabuve të pranishme në plot shoqëri, ku rolet kryesore interpretohen nga: Alban Ukaj, Adriana Matoshi dhe Genc Salihu.

Në Tallinn, përkatësisht në festival po qëndrojnë ekipa e ngushtë e filmit, regjisorja Blerta Zeqiri, producenti Keka Kreshnik Berisha, aktorët Alban Ukaj dhe Genc Salihu si dhe drejtori i QKK-së Arben Zharku.

Rreth premierës regjisorja Blerta Zeqiri u shpreh: “Jam shumë e lumtur, pasi që filmi u prit jashtëzakonisht mirë nga publiku dhe e pati një sesion të gjatë dhe shumë të mirë të pyetje-përgjgjeve pas filmit. Gjithashtu, ‘Martesa’ ishte një prej tre filmave të rekomanduar në mediat estoneze për ditën e djeshme, kështu që presim pjesëmarrje të mirë të publikut edhe në shfaqjen e dytë.”

‘‘Martesa’ do të shfaqet edhe sot, 29 nëntor, në ora 20:30 dhe me datë 3 dhjetor në qytetin Tartu të Estonisë.

Filmi pritet të jepet premierë kosovare në fillim të muajit shkurt të vitit 2018 dhe është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Qendra Kombëtare e Kinematografisë së Shqipërisë me producent Keka Kreshnik Berisha dhe koproducent Eno Milkani./ KultPlus.com

Albina Kelmendi, fituese e festivalit “Kosovarja këndon” (FOTO)

Albina Kelmendi me këngën “Midis ballit ma ke një pikë” ka arritur të rrëmbej mbrëmë çmimin e parë të edicionit të 45 –të, të Festivalit “Kosovarja këndon”, përcjellë KultPlus.

Këngëtarja Kelmendi ka fituar edhe çmimin e Klubit të Gazetarëve “Haki Braha” , çmim ky i titulluar “Skender Idrizi”, i cili tradicionalisht dhurohet në qytetin e Ferizajit dhe për synim ka promovimin e këngëtareve të reja të muzikës popullore.

Në një konkurrencë prej 11 solisteve, juria profesionale në përbërje, Gerti Duga profesor dhe kompozitor nga Tirana, Lindita Isufi dirigjente dhe profesoreshe, si dhe Fahri Beqiri kompozitor, vendin e dytë ju nda Loreta Zeqirit me këngën “Kënga shpirtin ma rrëmben”, ndërsa vendin e tretë e fitoi Majlinda Cikaqi me këngën “Te çeshmja e kishës”. Kurse Çmimi Special “Nexhmije Pagarusha” e fitoi Arta Elezi me këngën “Poçari”.

Festivali “Kosovarja këndon” u mbajt për të 45-ën herë me radhë. Në këtë festival me një program të pasur kulturo-artistik u paraqit edhe Ansamblin shtetëror nga Shqipëria me udhëheqësin artistik Gerti Druga./ KultPlus.com