Elvira Dones, prezanton romanin e saj të përkthyer në gjermanisht “Hana”

NZZ: “Në Zvicër jeton njëra ndër shkrimtaret më të rëndësishme shqiptare të të sotmes dhe askush nuk e vë re. Së paku, askush në Zvicrën gjermane”.

Shkrimtarja e njohur që shkruan shqip dhe italisht, Elvira Dones do të lexojë sonte në Cyrih. “Literaturhaus” e Cyrihut do të ketë mysafire “njërën ndër autoret më të shquara të kohës sonë”, citon organizatori vlerësimin e Ismail Kadaresë për autoren e përmendur.

“Shkrimtarja zviceranoamerikane, me prejardhje nga Shqipëria, e cila është edhe regjisore e filmave dokumentarë, jeton në Kantonin e Tiçinos, në Zvicër, shkruan Literaturhaus në njoftimin për aktivitetin e sotëm letrar. Ajo ka shkruar tashmë 7 romane dhe dy vëllime me tregime, për të cilat ka marrë çmime të shumta.

Së fundi, Elvira Dones mund të lexohet edhe nga publiku lexues gjermanishtfolës, transmeton albinfo.ch. Romanin e saj “Hana”, i cili ka marrë çmimin “InkPress 2017” e ka përkthyer në gjermanishte nga italishtja Adrian Giacomelli. Libri bën fjalë për traditën e stërlashtë dhe unike në botë që ende jeton në “Bjeshkët e Nemuna” të Shqipërisë së Veriut. Fjala është për dhjetëra gra që jetojnë si burra, të cilat janë betuar që të mbeten të virgjëra për gjithë jetën, për të garantuar nderin e fiseve të tyre, përcjell albinfo.ch. Dhe pikërisht këtë e bën edhe heroina e romanit të madh “Hana”, e cila na sjell para syve në mënyrë të qartë ambivalencën dhe kompleksitetin e roleve të gjinive”.

Me rastin e pranisë së Elvira Dones-it në Cyrih, gazeta prestigjioze e Zvicrës “Neue Zürcher Zeitung” ka bërë për lexuesit një portretim të shkrimtares së njohur, me titullin “Përnjëherë, liria para syve”.

“Në Zvicër jeton njëra ndër shkrimtaret më të rëndësishme shqiptare të të sotmes dhe askush nuk e vë re. Së paku, askush në Zvicrën gjermane, transmeton albinfo.ch gazetën
NZZ. Elvira Dones jeton në Meride, në jug të Kantonit të Tiçinos dhe shkruan shqip e italisht. Në secilin libër të ri, ajo përzgjedh gjuhën në të cilën do të shkruajë, tregon Elvira, e njohur edhe si regjisore filmash dokumentarë. Ndërsa rreshtat e parë të romanit “Hana” i cili sot do të prezantohet në Literaturhaus në Cyrih, thotë se i kanë ardhur në gjuhën italiane, prandaj dhe e ka shkruar atë italisht, me titullin “Vergine giurata”. Siç dihet tashmë, ky roman ka shërbyer si bazë për filmin shumë të suksesshëm me po këtë titull.

Ajo shkruan me vetëdijen se një gjuhë nuk të takon kurrë në tërësi. Ju duhet ta mbani atë vazhdimisht të gjallë. Dhe kjo vlen edhe për gjuhën e saj amtare, shqipen. Por Elvira thotë se ndihet si në shtëpi të vet si në Shqipëri, ku bën shpesh vizita, ashtu dhe në Zvicër ku jeton me familjen por edhe në SHBA ku ka jetuar 11 vjet.

Elvira Dones ka emigruar në Zvicër në vitin 1988, kur punonte për TVSH-në e atëhershme dhe po merrte pjesë në festivalin e filmit në Milano ku prezantonte filmin shqiptar. Atje ajo ka takuar gazetarin zviceran Vasco Dones, me të cilin ishte njohur dy vite më parë në një festival filmi në Danimarkë. Kështu Elvira vendosi të mbetej me të në Zvicër, ku jeton edhe sot, me ndërprerjen e përmendur që ka pasur për 11 vite në SHBA./ KultPlus.com

Ora: 19.30 Uhr
Vendi: Literaturhaus Zürich, Limmatquai 62, 8001 Zürich
çmimi normal: CHF 20.00
çmimi me zbritje: CHF 14.00
çmimi për anëtarët: CHF 12.00

Ekspozita “Heritage Space: Aty ku e kaluara takon bashkëkohoren” të premten në Muzeun e Kosovës

Të premten më 1 dhjetor, nga ora 19:00, CHwB Kosova do të hap për herë të parë ekspozitën e veçantë, në kuadër të projektit Heritage Space.

Projekti Heritage Space ka filluar që nga viti 2016, dhe përgjatë këtyre dy viteve kjo platformë ka përkrahur tetëmbëdhjetë njerëz kreativ nga fusha të ndryshme, të cilët kanë përdorur trashëgiminë kulturore si burim inspirimi, për t’i realizuar idetë e tyre.

Punët janë krijuar përmes përdorimit të mediumeve të ndryshme të teknologjisë, modës, muzikës, tregimeve, videos dhe revitalizimit. Ky gërshetim ka bërë që trashëgimia kulturore të kapërcejë kufijtë e kohës për tu ri-zbuluar, promovuar dhe ri-jetësuar. Heritage Space është krijuar me qëllim të ofrimit të një perspektive të re mbi kuptimin e trashëgimisë kulturore, si diçka e gjallë, dinamike dhe si diçka që ka ndikim dhe mund të ndikohet. Të ndikohet në atë mënyrë që të kontribuojë në zhvillimin social, kulturor dhe ekonomik të Kosovës.

Disa nga punët e krijuara përgjatë kësaj periudhe, do të ekspozohen në ekspozitën “Heritage Space: Aty ku e kaluara takon bashkëkohoren”, në të cilën do të ofrohet mundësia për të përjetuar fuqinë e trashëgimisë kulturore si element frymëzimi, dhe do të dëshmohet momenti kur e kaluara takon bashkëkohoren. Ekspozita do të mbahet në katin e parë dhe të dytë të Muzeut Kombëtar të Kosovës, më datën 01.12.2017, në ora 19:00, dhe do qëndrojë e hapur dy ditë./ KultPlus.com

Nominimet e Grammy 2018: Jay-Z kryeson në tetë kategori, pasohet nga Kendrick Lamar dhe Bruno Mars

Jay-Z, Kendrick Lamar dhe Bruno Mars do janë në listën e konkurrenteve për çmimet e mëdha Grammy që do të mbahet janar, sipas një njoftimi nga Recording Academy, përcjellë KultPlus.

JAY-Z kryeson listën me tetë nominime këtë vit, duke përfshirë nominimin për albumin e vitit, këngën e vitit dhe albumin më të mirë rap. Kendrick Lamar është i nominuar në shtatë kategori, ndërsa Bruno Mars është artisti i tretë më i nominuar në gjashtë kategori. SZA është gruaja më e nominuar në vitin 2018 për Grammy me pesë nominime kurse Khalid, Childish Gambino dhe producentja Jo I.D. gjithashtu janë të nominuar në pesë kategori.

“The Grammys 2018” do të transmetohet direkt në CBS nga Madison Square Garden në Neë York City të dielën, më 28 janar. Raundi i fundit i votimit për Grammy do të mbahet nga 7 deri më 21 dhjetor./ KultPlus.com

Dua Lipa vazhdon të mbrojë të drejtat e komunitetit LGBTI në koncertin e Marilyandit (FOTO)

Dua Lipa po dëshmohet të jetë një aktiviste e madhe e mbrojtjes së të drejtave të komunitetit LGBTI.

Bukuroshja nga Prishtina performoi në Maryland mbrëmjen e 28 nëntorit para publikut amerikan. Këngëtarja aktivitetin e njëjtë e bëri edhe në një nga koncertet e fundit ku shpalosi flamurin e komunitetit LGBTI.

Dua ndryshe nuk ka marrë asnjë nominim për çmimet Grammy, duke u konsideruar kështu kjo një befasi, shkruan telegrafi. Ajo po shkon sigurt drejt një miliard klikimeve me projektin “New Rules” të publikuar kohë më parë./ KultPlus.com

Filmi horror shqiptar “Bloodlands” do të shfaqet në Prishtinë

Filmi i parë shqiptar i zhanrit horror do të shfaqet më në fund në Prishtinë, në qytetin të cilin ia dha shtrigën këtij filmi, që është jetësuar nga aktorja Ilire Vinca. Ky projekt filmik është realizuar nga produksioni australian “Kastlefilms” e me regji të Steven Kastrissios, shkruan KultPlus.

“Bloodlands” shpalos historinë e një gruaje të thjeshtë e cila dhunohet, mbetet shtatzënë dhe stigmatizohet nga banorët e lagjes së saj.

Atë e dëbojnë në mal, duke e quajtur shtrigë. E lënduar, e urryer dhe e dëbuar kjo grua vendos që të shndërrohet në një shtrigë të vërtetë dhe të marrë hakun për krejt dhimbjen që i kanë shkaktuar.
Për këtë film që flitet shqip, ku me rolet e tyre luajnë aktorët: Suela Bako, Ilire Vinca, Gëzim Rudi, Emiljano Palali, Alesia Xhemalaj, do të flitet edhe në këtë festival, ku të pranishmit do të kenë rastin të dëgjojnë edhe rrëfimin e regjisorit, mbi realizimin e këtij projekti. Film deri më tash ka fituar katër çmime ndërkombëtare në festival të ndryshme. Filmi do të prezantohet në Kinemanë ABC, prej 7 dhjetorit, në terminin e rregullt prej orës 22:00/KultPlus.com

Filmi shqiptar me regji të Gentian Koçit “Dita zë fill” do të shfaqet në Kinemanë ABC (VIDEO)

Filmi artistik i metrazhit të gjatë “Dita zë fill”, me regji të Gentian Koçit që tashmë është i propozuar nga shteti shqiptar për çmimin Oscar, do të prezantohet edhe në Kosovë, shkruan KultPlus.

Drejtoresha e Kinemasë ABC, Miradije Vllahiu ka njoftuar për KultPlus se ky film do të shfaqet në ABC prej 7 dhjetorit, në terminin e rregullt prej orës 20:00.

Filmi “Dita zë fill”, tashmë është edhe film i çmimeve, pasi që, aktorja e këtij filmi Ornela Kapetani ka fituar çmimin “Zemra e Sarajevës”, si aktorja më e mirë e festivalit, sikurse që ky film ka fituar edhe çmimin ‘Golden Sun’, filmi më i mirë në Cinedays Fest of European Film.

Ky film flet për një nënë e cila bashkë me foshnjën e saj vendosin të jetojnë me një grua të vjetër dhe të sëmurë. Kompromiset morale që njerëzit duhet ti bëjnë kur ballafaqohen me sfida ekonomike dhe ato të mbijetesës, sipas Koçit, janë të pranishme dhe trajtohen në filmin shqiptar që nuk ka shumë kohë lansimi në treg. Në film luajnë: Ornela Kapetani: Suzana Prifti, Hermes Kasimati, Adele Gjoka…/KultPlus.com

Emeli Sande sonte në “Natën e Bardhë” në Tiranë (VIDEO)

Sonte më 29 nëntor sheshi Skënderbej në Tiranë, do të vërshohet nga artistët të cilët do të këndojnë në “Natën e Bardhë”, shkruan KultPlus.

Tashmë janë zbuluar emrat që do të performojnë në këtë koncert tradicional, ku përpos Alban Ramosja dhe Kamela Islamaj në “Natën e Bardhë” do të performojë edhe këngëtarja e njohur Emeli Sande.

Koncerti mbahet sonte në sheshin Skënderbej në Tiranë ndërsa është falas për të gjithë./ KultPlus.com

Kjo është marrëveshja e nënshkruar në Korçë nga ministrat e kulturës së shteteve shqiptare

Më 27 nëntor në Korçë, u mblodhën për herë të katërtë me radhë dy qeveritë shqiptare, shkruan KultPlus.

Si në mbledhjet e kaluara ashtu edhe në këto mbledhje, u nënshkruan shumë marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës e ndër to edhe marrëveshje në rrafshin kulturor. Në mbledhjen e mbajtur para dy dite janë nënshkruara gjithsej 12 marrëveshje, ku në këto marrëveshje bënë pjesë edhe një e kulturës.

Ministri i Ministrisë së Kulturës në Republikën e Kosovës-Kujtim Gashi dhe ministrja e Ministrisë së Kulturës në Republikën e Shqipërisë-Mirela Kumbaro, nënshkruan memorandumin që ka për qëllim avancimin e bashkëpunimit kulturor, në kuadër të forcimit të mbrojtjes ligjore të krijimtarisë kulturore, shkruan KultPlus.

KultPlus, po ju sjellë të plotë marrëveshjen të publikuar nga ministri Kujtim Gashi, në rrjetin social Facebook:

“Nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit me Ministrinë e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, në Korçë.
Ky Memorandum ka për qëllim avancimin e bashkëpunimit kulturor, në kuadër të forcimit të mbrojtjes ligjore të krijimtarisë kulturore, duke marr parasysh rëndësinë e të drejtës së autorit, për krijimtarinë kulturore, letrare, shkencore, dhe artistike, përkatësisht rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të autorit për kulturën dhe industritë kreative, me konsideratë të veçantë për mbrojtjen e krijimtarisë së krijuesve, performuesve dhe producentëve tanë.
KG”, ka shkruar Gashi. / KultPlus.com

U hap dje ekspozita “105-vjetori i shpalljes së Pavarësisë”

Pena me të cilën është nënshkruar Akti i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, aparatin telegrafik mors me të cilin qeveria e përkohshme e Vlorës ka marrë e ka dhënë telegrame gjatë periudhës 1912-1914, objekte personale të protagonistëve të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë janë pjesë e ekspozitës “105-vjetori i shpalljes së Pavarësisë”, që u çel dje në Muzeun Historik Kombëtar.

Pjesë e ekspozitës janë dhe 30 flamuj të periudhës së Pavarësisë, foto origjinale të Ismail Qemalit dhe foto të firmëtarëve. Por për herë të parë për publikun janë ekspozuar dhe 14 telegrame të përfaqësive të rretheve të ndryshme të Shqipërisë, prej nga dolën delegatët e Kuvendit të Vlorës në 1912. Presidenti i Qendrës Mbarëkombëtare të Koleksionistëve të Shqipërisë, Shpëtim Sala tha se ekspozita “105-vjetori i shpalljes së Pavarësisë” vjen në frymën e shumë bashkëpunimeve me Muzeun Historik Kombëtar. Ai shtoi se e veçantë në këtë ekspozitë është dhe paraqitja e 14 telegrameve, të cilat hedhin dritë se çfarë ka ndodhur gjatë ditëve të ngarkuara të nëntorit të vitit 1912. “Ka shumë gjëra të reja që evidentoheshin për përfaqësuesit në marrëdhëniet e qeverisë së përkohshme të Vlorës me ushtri të mbledhura turke, telegrame që i dërgohen nga Ismail Qemali ushtrive pushtuese, ushtrive greke që mos afrohen në një Shqipëri që është e pavarur”, tregon studiuesi Shpëtim Sala.

Por sipas tij shumë telegrame janë të shkruara në gjuhën osmane dhe përkthimi i tyre është shumë i vështirë. “Është e vështirë llogaritja jo e vitit, por e datave. Ne jemi mësuar me një histori që kemi lexuar dhe të censuruar. Dhe sot ne mundohemi që një pjesë e tyre t’ia paraqesim studiuesve”, tha studiuesi Sala në fjalën e tij. Telegramet që për arsye sigurie studiuesi dhe koleksionisti Shpëtim Sala thotë që sollën kopje të origjinaleve, pas përkthimit dhe studimit do të jenë pjesë e një botimi për 106- vjetorin e Pavarësisë.

Festa e flamurit më e veçanta

Sipas drejtorit të Muzeut Historik Kombëtar Dorian Koçi festa e flamurit është më e veçanta pasi është ky flamur që i bashkon të gjithë shqiptarët në rajon. “Kjo ditë dhe ky flamur na përbashkon dhe na bën krenar. Ne jemi si vëllezërit Siamezë, kur sëmuret njëri teshtin tjetri. Sipas kësaj sentence, huazuar nga një skenar filmi fort të njohur, dukej se Porta e Lartë e Azisë kërkonte vazhdimësinë e vëllazërimit me shqiptarët e Evropës. Ndërkohë, vështirë ta thuash se edhe shqiptarët, të ndikuar fort nga “dashuria” 500 vjeçare, ku herë pas here u ishte dhënë shansi të merrnin në duar frenat e vetë Perandorisë, po ndaheshin me gëzim nga pushtuesit e lodhur. Ndërsa në 28 nëntor të vitit 1912 pas shumë negociatash të vështira diplomatike në kancelaritë e Evropës, Ismail Qemali dhe 83 delegatët nga të gjithë viset arritën në shpallnin Pavarësinë e Shqipërisë”, cilësoi drejtori i MHK, Dorian Koçi në fjalën e tij, shkruan SotNews. Ai shtoi gjithashtu se në ekspozitë janë të ekspozuara flamujt që janë përdorur që nga viti 1912 deri në 1920 dhe që kanë të bëjnë me përpjekjet e mëdha të shqiptarëve në kuadër të shtetformimit. Objekti kryesor i kësaj ekspozite tematike është pena, me të cilën është nënshkruar Akti i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Në ekspozitë janë ekspozuar dhe dorëshkrime origjinale, gazeta e revista të asaj periudhe etj. Një vend të rëndësishëm në ekspozitë zënë flamujt e shoqërive atdhetare, të cilat ndezën dëshirën e patriotëve shqiptarë që Shqipëria të ishte e lirë dhe e pavarur./ KultPlus.com

Gjon Mili, gjeniu shqiptar i shoqërisë me Pablo Picasson (FOTO)

ERVISA ZAJA

Fotografia është perceptuar si ndalja e çastit, por Gjon Mili i dha jetë çastit të ndalur me artin e tij të fotografimit të lëvizjes.

Gjon Mili u lind në Korçë në vitin 1904. Në moshën pesëvjeçare, ai dhe familja e tij do të emigronte në Rumani, vend në të cilën do të kalonte adoleshencën. Rruga e ndritur e Milit do të fillonte të merrte udhë në 1923 me emigrimin e tij drejt Amerikës. Ai kreu studimet në Universitetin e Massachutes në degën e Inxhinierisë Elektrike.Gjatë studimeve të tij ai u njoh me Harold Edgerton, një prej shpikësve më të mëdhenj të flash-it elektronik. Njohja me Edgerton do ta ndihmonte Milin për të realizuar për të parën herë ne 1937 fotografimin stroboskopik.Përdorimi i flash-it elektronik dhe dritës stroboskopike e bënë Milin unik në lidhjen midis shkencës dhe artit të fotografimit.

Në një intervistë të tij në 1977 ai është shprehur se këtë profesion e kishte nisur si amator duke bërë kërkime në ndriçimin e fotografive, si një mënyrë për të fituar jetesën, por pas dhjetë vitesh ai arriti të formojë kompaninë e tij “Mili Company”.

Mili, provoi të eksperimentonte edhe me kinematografinë me filmin “Jammin The Blues” në vitin 1944. Një film vetëm dhjetë minuta në të cilin i paraqiste aktorët ndriçues në një sfond të zi. Filmi u pëlqye për mënyrën sesi u filmuan aktorët, por ky sukses nuk e bindi Milin të qëndronte në këtë fushë.

Gjon Mili kontriboi për një periudhë të gjatë në revistën“ Life”, në të cilën do të fotografonte shfaqje të vallëzimit, sportit dhe ngjarjeve teatrore, portrete artistësh, muzikantësh, atletësh, kërcimtarësh dhe aktorësh.

Dy nga punimet e tij më të mira janë:“Balerina”dhe“Nudo duke zbritur shkallët”.

Fotografi të Gjon Milit janë përmbledhur në disa libra, duke përfshirë: “Gjon Mili: Photographs and Recollections”, “Photographs of Picasso”, “The Magic of Opera” and “Picasso et la Troisi e me Dimension”.

Gjon Mili vdiq në 1984 nga pneumonia në moshën 79 vjeçare duke lënë pas një punë që kishte arritur majat e fotografisë së lëvizjes.

Sa e njohin shqiptarët Gjon Milin?

Gjatë periudhës që emigroi në Amerikë, ai pati kontakte me shoqatën e diasporës shqiptare “Vatra” dhe njihet për lidhjet e ngushta me Faik Konicën. Konica mendohet të ketë qenë dhe iniciuesi i tij më i madh për ta shtyrë në botën e artit.Por, përpjekjet e para për njohjen e figurës së Gjon Milit në Shqipëri i përkasin viteve ’90. Formimi i shoqatës së fotografëve shqiptare “Gjon Mili” në 1991 nga fotografi “Pirro Naçe” dhe profesori i fizikës Kostandin Leka ishtë një hap për njohjen e figurës së Gjon Milit.Një iniciativë tjetër për të folur për punën e Milit do ta ndërmerrte studiuesi i fotografisë shqiptare Qerim Vrioni. Dy libra të tij: “150 vjet fotografi shqiptare” të botuar në vitin 2009 dhe “Fjalor i fotografisë” në vitin 2013 gjatë rrjedhës së tyre flasin për veprën e Gjon Milit në fotografi.

Me të gjitha këto tentativa, Gjon Mili njihej pak në Shqipëri, derisa regjizorja Suela Bako dhe piktorja Yllka Gjollesha e sollën në qendër të vëmendjes me dokumentarin “ Light”- (Dritë). Një dokumentar për të cilën u punua dy vite në arkivat e Boston,Paris,New York dhe redaksinë e revistës “Life”. Dokumentari flet për jetën dhe karrierën e tij profesionale. Miq,Bashkëpuntor dhe ish-nxënës të tij thanë fjalën e tyre për Gjon Milin në dokumentarin “Light”-(Dritë).

Shqiptari Gjon Mili fotografon aktoren italiane Sophia Loren (FOTO)

Në vitin 1965, aktorja e madhe Sophia Loren do të takohej me fotografin shqiptar Gjon Mili dhe ajo çka do të pasonte ishte një shoqëri plot shkrepje aparati fotografik.

Gjon Mili kësisoj e fotografoi aktoren italiane në disa raste, gjatë xhirimeve të filmave por edhe në pamje ekstravagante të një prej aktoreve më të talentuara e të bukura në historinë e filmit.

Gjon Mili, fotografi i njohur shqiptar nga Korça, mes tjerash e fotografoi Loren edhe për TIME Magazine por edhe për LIFE Magazine, shkruan KultPlus.

Loren u fotografua nga shqiptari edhe gjatë filmit “Lady D”, bashkë me aktorin David Niven.
Gjon Mili lindi në qytetin e Korçës në vitin 1904. Mësimet e para i mori në Rumani dhe kur ishte 19 vjeç u nis drejt Amerikës. U diplomua në Institutin e Teknologjisë së Masaçusetit si inxhinier ndriçimi, por gjatë kësaj kohe ai u mor edhe me artin fotografik.

Më 1937 mori titullin “Profesor”. Ka lëvruar me sukses shumë zhanre të fotografisë, si portretin, peizazhin, reklamën, foton dokumentare, politike, atë të arteve etj. Ekspozitën e parë vetjake Mili e ka hapur me 1934, ndërsa të fundit, më të zgjedhurat e gjithë krijimtarisë me 140 foto, më 1980 në Nju-Jork me rastin e 75-vjetorit të lindjes.

Gjon Mili vdiq në vitin 1984, në moshën 79-vjeçare. / KultPlus.com

Urime datëlindja, Gjon Mili!

Sot, në ditën e festës dhe ndjenjave që e përshkojnë secilin shqiptar, duhet kujtuar edhe datëlindjen e Gjon Milit, fotografit shqiptar me famë botërore.

Mili lindi me 28 nëntor të vitit 1904 në Korçë ndërsa ndërroi jetë me 14 shkurt 1984 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kur Gjoni ishte 5 vjeç familja Mili, emigroi në Rumani. Këtu ai mbaroi shkollën e mesme. Në vitin 1923 arriti në SHBA, ku filloi të merrej me punë të ndryshme ndër to edhe me fotografim si amator. Gjatë punës Mili kuptoi se një nga faktorët më të rëndësishëm të fotografimit ishte ndriçimi i duhur i objektit.

Pra fotografia ishte arti i dritës.

Ndërkohë ai filloi edhe të shkruajë. Tri novela të tij me tituj “Larg”, “Ëndërr” dhe “Nëna”, u botuan në revistën “Studenti shqiptar” të Odise Paskalit në Torino në vitin 1929. Më vonë studioi në universitetin e famshëm MIT (Instituti Teknologjik i Massachusetts), ku u diplomua si inxhinier ndriçimi, profesion me të cilin punoi në ndërmarrjen e prodhimeve elektrike “Westinghouse”. Mili përdori për herë të parë “fleshin elektronik” dhe “dritën stroboskopike”, të shpikura nga profesori Harold Edgerton në vitin1931, me të cilin ai bashkëpunoi gjatë. Në vitin 1937 mori titullin profesor. Ndërkohë Mili, bashkë me studimet dhe eksperimentet në fushë të teknikes, vazhdoi të fotografonte, duke u dalluar përherë e më shumë edhe në lëmin artistik. Fotografitë e tij me ekspozim ultra të shkurtër përbëjnë një nga dukuritë më interesante të lidhjes së shkencës me artin.

Rëndësi të madhe në jetën e Milit pati njohja dhe miqësia me Faik Konicën, i cili e nxiti të drejtonte dhe të thellonte krijimtarinë e tij në fushë të artit. Për 15 vjet Mili ka punuar si fotoreporter për revistën e njohur amerikane “Life”. Në vitin 1946 u hap në Paris ekspozita e tij vetjake. Filozofi Jean Paul Sartre tha fjalët më të mira për këtë ekspozitë dhe veçanërisht për punët e Milit. / KultPlus.com

“Për ty Atdhe” kënduar nga Dëshira Ahmeti Kërliu në Mbrëmjen Gala në New York (VIDEO)

Mbrëmja Gala që është mbajtur mbrëmë në New York për shënimin e 105 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë ka mbledhë artistë të shquar shqiptarë, shkruan KultPlus.

Në këtë mbrëmje është prezantuar një program i pasur artistik, ku kanë kënduar dhe performuar artistë nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia. Dëshira Ahmeti Kërliu në këtë mbrëmje është prezantuar me këngën “Për ty Atdhe”, këngë që është mirëpritur nga audienca e atjeshme./KultPlus.com


Edhe Rita Ora uron për festën e 28 Nëntorit (FOTO)

Këngëtarja tjetër shqiptare Rita Ora ka uruar për festën mbarëkombëtare shqiptare 28 Nëntorin, shkruan KultPlus.

Ajo në “InstaStory”, ka incizuar një makinë që shihet të ketë vendosur flamurin kombëtar.
“Urime Ditën e Pavarësisë Shqipëri”, dëgjohet të ketë thënë në gjuhën angleze, por Rita krejt në fund thotë në shqip edhe “Respekt”./KultPlus.com

Bebe Rexha uron shqiptarët për festën e 28 Nëntorit (VIDEO)

Këngëtarja e njohur shqiptare Beba Rexha ka marë pjesë në koncertin e komunitetit shqiptar që është mbajtur në New York, pikërisht për festën e 28 nëntorit, shkruan KultPlus.

Në këtë koncert kanë marë pjesë artistë të shumë shqiptarë, por befasia e këtij koncerti ishte vetë Bebe Rexha, e cila i është bashkangjitur komunitetit.

Poashtu ajo ka uruar shqiptarët për festën e 28 Nëntorit. Urimin e saj mund ta përcillni në këtë video./KultPlus.com

Katër fotografët shqiptarë bashkohen për ekspozitën humanitare ‘Explore Kosovo’

Fotografët Fahredin Spahija, Bujar Gashi, Arben Llapashtica dhe Arben Islami me fotografitë e tyre që për publikun do të jenë në shitje, sjellin përmes artit fotografik bukuritë dhe veçantitë e Kosovës.

Ekspozita e artit fotografik “Explore Kosovo” që si ide fillestare ishte dhënë nga fotografi Bujar Gashi e pastaj u përkrah edhe nga tre fotografët tjerë ngërthen në vete dy qëllime.

Qëllimi i parë ishte që të krijohej një ngjarje kulturore që do të mundësonte mbledhjen e mjeteve financiare për ti ndihmuar fëmijët dhe të rriturit në nevojë. Mjetet e mbledhura nga shitja e fotografive do të shpërndahen përmes shoqatës angleze “The Ideas Partnership” e cila është një nga mbështetësit e kësaj ekspozite.

Qëllimi i dytë i ekspozitës “Explore Kosovo” është që të promovojë bukuritë dhe veçantitë e Kosovës përmes fotografive të shkrepura nga këta katër autorë të cilat do të ekspozohen në një nga hapësirat e hotelit “Princi i Arbërit” pronari i të cilit është mbështetësi më i madh i këtij aktiviteti kulturor humanitarë me ndihmën e të cilit janë shtypur të gjitha fotografitë e kësaj ekspozite.

Fotografitë e ekspozitës janë kryesisht peizazhe që prezantojnë bukuri nga pjesë të ndryshme të Kosovës.
Ekspozita humanitare “Explore Kosovo”do të hapet me 6 dhjetor 2017, në orën 18.30, në hotelin “Princi i Arbërit” dhe do të jetë ngjarje njëditore. / KultPlus.com

Jusuf Buxhovi: Të hiqet mjegulla, shqiptarizmi ka lindur dy shtete – më 1912 dhe 2008

Historiani Jusuf Buxhovi ka thënë se 28 nëntori – Dita e Flamurit duhet të shërbejë që të sqarohet gjithë debati mes kombit dhe shtetit.

“Të hiqet kjo mjegull sepse shqiptarizimi ka lindur dy shtete, shtetin shqiptar më 1912 dhe shtetin e Kosovës më 2008. Duhet të sqarohet sepse historia jonë ka qenë tragjike, para 105 vjetësh lindi shteti shqiptar derisa shteti i Kosovës duhet të kuptohet se është një nga të arriturat më të mëdha të shqiptarizimit”.

“Detyra e historianëve është që të sqarohen mirë këto gjëra sepse nga ato që kemi parë, diku qëllimshëm e diku jo qëllimshëm, mund të sjellin konfrontime brenda shqiptarëve”, ka thënë Buxhovi.

Buxhovi: Të hiqet mjegulla, shqiptarizmi ka lindur dy shtete – më 1912 dhe 2008
Historiani Jusuf Buxhovi ka thënë se 28 nëntori – Dita e Flamurit duhet të shërbejë që të sqarohet gjithë debati mes kombit dhe shtetit.

“Të hiqet kjo mjegull sepse shqiptarizimi ka lindur dy shtete, shtetin shqiptar më 1912 dhe shtetin e Kosovës më 2008. Duhet të sqarohet sepse historia jonë ka qenë tragjike, para 105 vjetësh lindi shteti shqiptar derisa shteti i Kosovës duhet të kuptohet se është një nga të arriturat më të mëdha të shqiptarizimit”.

“Detyra e historianëve është që të sqarohen mirë këto gjëra sepse nga ato që kemi parë, diku qëllimshëm e diku jo qëllimshëm, mund të sjellin konfrontime brenda shqiptarëve”, ka thënë Buxhofi.

Buxhovi si i ftuar në Info Magazine në Klan Kosova ka thënë se disa nga festat dhe momentet e shënuara të historisë gjatë muajit nëntor, janë me shkas e disa rastësi.

“Nëntori i dytë i vitit 1912, dalja e UÇK-së janë rastësi fatlume që kanë arsyet e veta por kujtoj se historikisht kanë rëndësinë e tyre të jashtëzakonshme”.

“Ne kemi edhe disa nëntor të tjerë që janë të rëndësishëm për shtetin e Kosovës, demonstratat e studentëve të vitit 68, kanë filluar më 5 nëntor në disa qytete dhe janë demonstratat më të rëndësishme që lidhen me shtet ndërtimin e Kosovës. Kjo e dalja e UÇK-së, nuk janë të rastësishme, sepse edhe demonstrata kanë qenë të dirigjuara që nëntori të përkujtojë çështje e Jugosllavisë”, ka thënë Buxhofi. / KultPlus.com

Zbulohet shtatorja e Adem Jasharit në Lipjan

Në qytetin e Lipjanit gjatë ditës së sotme, me rastin e shënimit të 105 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, është zbuluar shtatorja e Komandantit Legjendar, Adem Jashari.

Në këtë ceremoni morën pjesë, përveç kryetarit të Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, edhe nipi i Adem Jasharit, kreu i Komunës së Skënderajt, Bekim Jashari, Rifat Jashari e zyrtarë të LDK-së.

Më poshtë ju sjellim disa fotografi nga kjo ceremoni, të publikuara nga shefi i GP të LDK-së, Avdullah Hoti.

Luçie Miloti pati jetë me shqetësime, vuajtje, dhimbje…

Një prej këngëtareve më të mira që shqiptaria ka dëgjuar e ka parë, Luçie Miloti ka çuditur gjithmonë publikun me fuqinë e saj hyjnore të vokalit.

Luçie Miloti lindi në një familje me tradita muzikore. Për herë të parë ka dalë në skenë në moshën 12-vjeçare dhe çuditi spektatorët shkodranë duke kënduar përkrah me Bik Ndojën, File Gjeloshin, Pjetër Gjergjin etj.

Në vitin 2004, dy vite para se të vdiste, ajo flet me Sanije Gashin në librin “Ecje nëpër kujtesë”, ku tregon për jetën e saj, për pesimizmin e saj edhe pse thotë se nga jashtë duket e lumtur, por është e zbraztë. Luçia sot nuk jeton më por megjithatë, këngët e saj flasin vetë për talentin dhe trashëgiminë që ajo i la shqiptarëve.

Po e sjellim këtu një pjesë nga libri i Sanije Gashit, ku flet edhe Luçie Miloti dhe vajza e saj Nora.

Thonë se për të depërtuar në botën shpirtërore të Luçies, duhet ta njohësh për së afërmi, se ka huqet e saj, është shumë e ndjeshme… sit ë gjithë artistët.

“Është e njohur si tip me temperament të panënshtruar, por e çiltër, zor del nga natyra e vet” – do të shkruajë me një rast muzikant I I njohur Ramadan Sokoli. Luçia pati jetë të ndërthurur me shqetësime, zhgënjime, vuajtje, dhimbje, kundrejt gëzimeve të pakta, por gjeti forcë në vetvete për ti përballuar.
Luçies i pëlqen ti përmendë këngëtarët me të cilët kaloi vitet më të bukura të jetës, që shumë prej tyre tani nuk janë më në jetë.
Uh, mos ma përmend Fitnete Rexhën e ndjerë, e kam pasur shumë shoqe… me Bik Ndojën nuk kontaktojmë, por dëgjohemi ndonjëherë përmes telefonit, se ai jeton në Shkodër, flet mallëngjyeshëm, sikurse edhe për qytetin e saj të lindjes.
Shkodrën e kujtoj me mall të madh, aty jam lindur, jam rritur, aty kam filluar me File Gjeloshin, me Pjetër Gjergjin, me Bik Ndojën. Skam më shëndet, forcë të shkoj – thotë. Luçia këndoi shumë këngë, por pak kanë mbetur të incizuara. Sot, herë pas here, dëgjohen në valët e Radio Tiranës 3-4 sosh.. E bija Nora është përkujdesur që ti mblidhte disa dhe të botonte një kasetë. Kaq.

Luçia me të bijën, mbrëmjeve shpesh ia thonë këngës, “duete për qejf, kemi sa të duash” – qeshet Nora tek i kthehet së ëmës: “T`ia falim një këngë Sanijes, hë?”. – Pa fije nazesh, që të dyja formojnë një duet që u shkon bukur, nisin këngën “Syrin tënd larush, moj cikë”… Pyetjes se ka ndonjë këngë që në çastet kur ndihet e mallëngjyer, do ta këndonte me qejf, Lucia i përgjigjet pa u kujtuar: “Kam. “Në Zaman t`njasaj furie” është jare, përpunim shumë i mirë i Çesk Zadesë”, shpjegon.
Këngëtarja tani e ndien veten të mënjanuar, të harruar, të lodhur nga jeta. Është diçka e brendshme që e ngacmon të flasë: “Nuk kam shoqëri, nuk dal, jam e mbyllur, si të them, më janë prerë këmbët, ndonëse më merr malli. Jam shumë pesimiste, ani që së jashtmi dukem alegro. Rri në penxhere, shikoj lulet shoh zogjtë. Jeta kalon”
… / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=734xlCMTJoc

12 shprehjet e Mit’hat Frashërit për shqiptarët

Mid’hat Frashëri i ka renditur disa konkluzione për shqiptarët, që edhe sot janë po aq aktuale sa dukur.

Ja çfarë thotë Mid’hat Frashëri për shqiptarët:

1- Shqiptari prej natyre është kotësidashës, plot vanitet dhe egoizëm. Nuk i pëlqen kurrë të shohë dhe të njohë fajin dhe të metën e tij: i pëlqen kurdoherë të ngarkojë një tjetër.

2- Shqiptarët, megjithëse në pjesën më të madhe myslimanë, nuk e kanë konsideruar veten kurrë turq. Në të kundërtën, ata kishin një nocion të qartë për individualitetin e tyre dhe një hendek i thellë i pengonte ata të ngatërroheshin me racën e pushtuesve.

3- Kur merr një detyrë, ki disiplinë e durim. Shqiptarin e ka prishur mungesa e disiplinës dhe zjarri i padurimit

4- Shqiptarin e ka prishur mosbindja dhe jo bindja. Nis ti më parë të japësh shembullin e bindjes jo të verbër.

5- Hiqe veten si pak të mençur dhe pak të ditur. Mendjemadhësia na ka çmendur gjer më sot.

6- Duhet të kemi kurajo të themi të vërtetën, të bardhës ti themi të bardhë dhe të zezës- të zezë.

7- Mos e qorto dhe mos e shaj shqiptarin për fajin që ka bërë, se ajo është mënyra më e fortë që ta bësh të këmbëngulë në atë faj. Merre me të mirë dhe shiko ta bindësh, pa pasur as pamjen e të dhënit këshillë.

8- Shqiptari, duke mos qenë i mësuar me jetë politike, dua të them, duke mos pasur gjer më sot shtet, qeveri dhe independencë, s’ka kuptuar dot akoma barrën, detyrat dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga një jetë indipendente.

9- Patrikularizma, lokalizma dhe ekskluzivizma tek shqiptari rrëfehen me atë mani që ka secilido të marrë emrin e fshatit ose të qytetit si emër familjeje. Kur piqen dy shqiptarë, pas gëzimit të parë, pyetja esenciale është: nga të kemi zotëri?

10 – Shumë herë ideali për shqiptarin është të qenët i zoti, me çdo mënyrë që të jetë. Pa dyshim, duke pasur horizontin të ngushtë, nuk mund të kërkojë veç sukseset e lehta.

11- Vetëm një proverb të mirë di: ”Trimi i mirë me shokë shumë”. Por kur mendoj fjalën e Ali Pashës: dy shqiptarë janë shumë! Atëherë kam dëshirë ta kthej proverbin: ”Trimi i mirë me shokë…pak!”

12- Shpëtimi i Shqipërisë do të vijë me anë të vetes tonë.

Ekipi i filmit ‘Martesa’, para premierës në Estoni (FOTO)

Ekipi i filmit “Martesa” po bëhet gati për ta shpalosur tregimin në Estoni.

Regjisorja Blerta Zeqiri, producenti Keka Kreshnik Berisha, aktorët Alban Ukaj dhe Genc Salihu janë tanimë në PÖFF | Tallinn Black Nights Film Festival, aty ku filmi sonte do të ketë premierën botërore.

Filmi “Martesa” do të jepet në ora 18:00 në kuadër të festivalit prestigjioz, shkruan KultPlus.

Një intervistë rreth filmit në fjalë, mund ta lexoni në KultPlus, në këtë link.

Filmi “Martesa”, që u përkrah financiarisht nga Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK), flet për një trekëndësh dashurie pranë dhe gjatë një martese, trekëndësh ky problematik dhe një diskutim më i thellë i tabuve të pranishme në plot shoqëri. / KultPlus.com

Samanta me baladën ‘Humbur’ në Festivalin ‘Kënga Magjike’ (VIDEO)

Këngëtarja Samanta Karavella këtë vit po merr pjesë në Festivalin Kënga Magjike.

Samanta ka prezantuar vikendin e fundit këngën e saj “Humbur” në festivalin ku po garojnë emra të mëdhenj të muzikës shqiptare.

Samanta, një këngëtare që nisi karrierën nga spektaklet e talenteve të reja, ka treguar se di të krijojë emër dhe këngë të mira, shkruan KultPlus.

Samanta ka ardhur kësisoj me baladën e realizuar nga Kledi Bahiti, ndërsa e ka prezantuar këngën në TV Klan në Shqipëri. Pos Samantës, këngët e tyre në këtë festival i kanë prezantuar edhe Çiljeta, Elhaida Dani, Anxhela Peristeri e këngëtarë tjerë. / KultPlus.com

“Burrëria” ballkanase në “Jam burr’!?”, në luftë me veten dhe shoqërinë (FOTO)

Qendra Multimedia dhe Katharina Maschenka sollën mbrëmë shfaqjen “Jam burr’!?” për publikun e Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Përbërja e perforumuesve lidhet me katër nacionalitete akotrësh: Robert Nuha nga Kosova, Nemanja Mutić nga Bosne-Herzegovina, Jan Novosel nga Kroacia dhe Katharina Maschenka Horn nga Gjermania.

Teatri zhytet në errësirë deri në momentin kur në skenë vijnë duke u rrokullisur një kosovar, një bosnjë-hercegovinas dhe një kroat. I gjithë rrëfimi nis me një himnizim të heronjve, për të nxjerrë në pah trimëritë e tyre në mbrojtje të zonave prej nga ata vinin. Pikërisht kjo për të portretizuar trimërinë e burrave që vjen përmes forcës fizike, e cila edhe tregohet në kohë lufte. Robert Nuha që pasqyron rolin e burrit kosovar, e nis këtë rrëfim duke ngritur zërin në himnizim të figurës së Isa Boletinit. I përcjellë nga loja e mrekullueshme e aktorëve të tjerë, ai pasqyron me shumë origjinalitet rolin tradicional të një burri kosovar i cili asnjëherë nuk qëndron i ulur në ndonjë pozicion tjetër, përveç se në atë këmbëkryq.

Ata herë vijnë duke ecur të tre brenda skenës, e herë duke u rrokullisur pranë njëri-tjetrit. Gjendja e burrave në Ballkan nuk mund të lë pa ndikuar pozitën e gruas brenda këtij realiteti. Ky realitet nuk humbet as në lojën mjaft pasqyruese të aktorëve në një moment, i cili nxjerrë në dritë klishetë e një burri tradicional përmes komunikimit dhe kontrollit ndaj jetës dhe raporteve të gruas me të tjerët. Të tre shfaqen me një dialog në me të dashurën, ku vërshojnë një lum me pyetje se “Ku ke qenë”, “Kush ishte ai?”, “A e njoh unë”, “Çfarë keni bërë së bashku?”, e një varg akuzash në pyetje, të cilat kërkojnë përgjigje të shpejta por për të cilat nuk presin derisa përshkruajnë një dialog të izoluar në llogaridhënie.

Zëri i tyre vije gjithnjë i ngritur. Agresiviteti dhe humbja e kontrollit arrin në nivelin kulmor të këtyre personazheve ku gjenden për rreth një gruaje, e cila flet rrallë por lëviz shpesh për t’i ikur duarve që e hedhin herë në njërin skaj e herë në tjetrin. Ajo vije më shumë si një objekt, se sa si një personazh derisa tenton të preket dhe portretizohet me fjalë të ulëta.

Katharina Maschenka një gjermane e cila u paraqit në mesin e performuesve ballkanas tregoi për KultPlus se ideja e kësaj shfaqje erdhi duke qenë se ajo qe nga viti 2008 kishte kaluar shumë kohë duke lëvizur drejt shteteve të Ballkanit, ku edhe kishte pasur rastin të punoj me më shumë burra se sa gra të këtij rajoni.

“Kam pasur rastin të punoj më shumë burra të Ballkanit, madje shpesh më ka ndodhur të jem e vetmja grua në mesin tyre dhe kështu edhe kam arritur të vërej disa nga sjelljet e tyre, të cilat nuk i kam hasur në Gjermani. Pikërisht këtu ka ardhur ideja t’i sjellë këto ngjarje në skenë. Njëri personazh shfaqet në luftë me agresivitetin e tij, tjetri shfaqet më i kufizuar nga familja e tij tradicionale dhe tjetri i kufizuar nga vetvetja e tij. Unë nuk mund të them se e kam pasqyruar tërë realitetin në këtë shfaqje por disa pjesë të tij, dhe nuk e di nëse kam qenë tërësisht e saktë sepse nuk kam dashur të luaj rolin e moralistes por unë kam dashur që publiku të shoh atë se çfarë dëshiron të shoh dhe kështu ata mund të mendojnë se pse po i shoh gjërat në këtë mënyrë dhe pastaj do mund edhe të reflektojnë lidhur me këtë çështje”, tha Katharina Maschenka për KultPlus.

Njëri nga performuesit e kësaj shfaqje Nemanja Mutić nga Bosne-Herzegovina tregoi për KultPlus se përvoja në të cilën ka kaluar gjatë jetës së tij ka bërë që ky rol te jetë i lehtë, në njërën anë dhe i vështirë, në anën tjetër.

“Ne u munduam të sjellim një shfaqje të sinqertë dhe një realitet të shoqërisë tonë, në mënyrë që t’ia prezantojmë publikut dhe t’i nxisim ata që të mendojnë. Ky rol për mua në njërën anë ishte i lehtë kurse në anën tjetër ishte edhe i vështirë, ishte i lehtë për shkak se unë jam rritur gjatë viteve të 90’ta shpesh duke lëvizur nga Bosnja në Serbi ndonjëherë dhe në Kroaci, përudhë gjatë se cilës unë kam hasur në shumë probleme, disa për shkak të nacionalitetit tim, disa të tjera për shkak të emrit dhe probleme të tjera. Kështu që unë e di se si është të jetosh brenda dhomave mizore të kokës tonë, ku shpesh njeriu e humb kontrollin. Ishte e lehtë dhe e vështirë ta kujtosh këtë periudhë sepse një herë që ti e braktis një realitet, mundohesh të gjesh forma të tjera të komunikimit”, tregoi Mutić për KultPlus.

Përfundimi i shfaqjes mes duartrokitjeve lëviz nga karriget të gjithë të pranishmit që kishin mbushur pothuajse çdo karrige të teatrit. Aktorët kthehen përsëri në skenë të zhveshur nga personazhet, për të hapur një debat me të pranishmit, ku ata rrëfejnë për perceptimet e tyre duke rezultuar me një debat frytdhënës lidhur me veçoritë e burrave ballkanas dhe thyerjen e këtyre sterotipeve.

Kjo shfaqje do të udhëtoi edhe në qytete të tjera të Kosovës ku do të prezantohet për publikun e Ferizajt më 29 Nëntor në teatrin “Adriana”, më pas më 30 Nëntor në Teatrin “Istref Begolli” në Pejë dhe me 2 dhjetor në Kino Kultura në Shkup. /KultPlus.com