Në Londër vizatohen në mur 150,000 zemra në nder të viktimave të Covid-19

Aktivistët për të ndihmuar familjet e viktimave të pandemisë së koronavirusit duke vizatuar gati 150,000 zemra në mur përballë Parlamentit Britanik në kujtim të atyre që vdiqën nga Covid-19.

Muri duhet të jetë i gjatë qindra metra përgjatë bregut jugor të lumit Tamiz përpara spitalit St. Tome, ku Kryeministri Boris Johnson ishte në njësinë e kujdesit intensiv vitin e kaluar.

“Çdo zemër është pikturuar me dorë dhe unike, siç janë të dashurit që kemi humbur”, tha Matt Fuller, një nga themeluesit e grupit.

Qeveria Britanike ka premtuar të ngrejë një monument për viktimat e koronavirusit kur të mbarojë pandemia./ KultPlus.com

Kur babai e mban të birin, nuk di askush, kur i biri e mban babanë, i tërë katundi e merr vesh

Njeriu e kallëzon fytyrën e vet në tre raste: kur është i pasur, kur është i tërbuar dhe kur është i dehur.

Dëshirë pas dëshire sjell mërzi të madhe, kënaqja sjell lumturinë më të madhe.

Diçka e pambrojtur është e sigurtë po e ruajti fati, por po qe fati kundër, do të humbasë, sado që të ruhet.

Difekti i varfërisë shkatërron një grumbull vlerash.

Dijetarët përhapin dritë, edhe pse të hidhëruar, nuk duhen nëpërkëmbur.

Ditë për ditë vdekja afrohet, sikur viktima të shkonte hap pas hapi drejt sakrificës.

Dituria është thesari më i çmuar, sepse as nuk blihet, as nuk dhurohet, as nuk vidhet, as nuk harxhohet.

Duke parë tymin e një shtëpie tymin e një shtëpie, kujdes mos kujtosh se është flaka e një shtëpie tjetër.

E djeshmja është një ëndërr, kurse e nesërmja një vizion. Por e sotmja, kur jetohet mirë, e bën çdo të djeshme një ëndërr të lumturisë dhe çdo të nesërme një vizion të shpresës.

E njohin Ton budallain më shumë se Ton budalla njeh.

Është më mirë të grindesh me një njeri që flet bukur se të bisedosh me një njeri me të folur të panjerëzishëm.

Fati ndihmon guximtarin. Të dobëtit ia lënë fajin fatit.

Fëmijë, plak apo i ri qoftë, ai që vjen në shtëpinë tënde duhet pritur me respekt, sepse mes gjithë të tjerëve miku yt është më i larti.

Ikën nga frika e akrepit e bie në grykën e gjarprit.

I mençuri bën të të duket e vërtetë edhe gënjeshtra, ashtu si piktori i aftë krijon kodrat e gropat në një sipërfaqe të thjeshtë.

Kur “këndojnë” bretkosat, është përvetësuar qetësia.

Më mirë të shëtisësh shpateve të malit me kafshë, se të jetosh në pallat Zotash me një çmendur.

Mosbërja keq është besimi më mirë.

Mosveprimi nga frika se gabon, shquan frikacakun. E kush heq dorë nga ushqimi prej frikës mund t’i bëjë keq?

Nëse zemra e njeriut nuk është e pastër, të gjitha gjërat i duken armiqsore.

Një i sëmurë nuk do të shërohet kurrë vetëm me dhënien e një ilaçi.

Pak vlen të mbyllet tapa, pasi është derdhur uji.

Pasuria ndalet në shtëpi, miqtë e të afërmit te varri, veprat ndjekin të vdekurin.

Pema e krasitur rritet sërish, hëna e perënduar rishfaqet.

Po ia preve bisht e veshë, qeni mbetet qen, s’bëhet as kalë, as gomar.

Rrugët e drejtësisë janë të mistershme.

S’e ka fajin shtylla, pse nuk i sheh i verbëri.

S’mund të prekë veten maja e gishtit.

Të urtit duhen respektuar, dhe kur këshilla e tyre nuk bie për shtat.

Ai që duke lutur përkulet, tjetrit ia lehtëson refuzimin.

Ai që ka frikë edhe kur ka të drejtë, nuk fiton.

Ari është i pastër edhe kur gjendet në qesen e ndyrë.

Ashtu sikur mendimtari, që është shkalla më e lartë e njeriut, ashtu edhe nëna është shkalla më e lartë e gruas.

Bëj mirë – mos u pendo; bëj keq – shpreso.

Cila në pasqyrë shpesh shikohet, shtëpia në të ankohet.

Çanta është më e rëndë kur është e zbrazët.

Çdo gjë e keqe ka recetën e vet, puna është të gjendet ajo e sakta.

Çfarë flasin në vatër, fëmijët e nxjerrin jashtë shtëpie.

Dashuria nuk e njeh turpin.

Dikujt edhe plumbi i noton e dikujt edhe kashta i fundoset.

Edhe pse janë në të njëjtin jastëk, burri dhe gruaja shohin ëndrra të ndryshme.

Fati na shet atë që ne kujtojmë se na e ka dhuruar.

Fëmija shumë i përkëledhur, kurr i mirë edukuar.

Fjalët duhen matur e jo numëruar.

Gomari nuk e mëson notin po nuk i mbërriti uji te veshët.

Gratë e bukura vallen prijnë, të shëmtuarat mbajnë shtëpinë.

Gjithçka mund të studiohet, përveç mendimeve të njeriut.

Kali i mirë njihet edhe nën batanije të keqe.

Kur babai e mban të birin, nuk di askush, kur i biri e mban babanë, i tërë katundi e merr vesh.

Kureshtari kërkon dobësinë e të tjerëve për t’i lehtësuar të vetat.

Kur një miku i jep para hua, do t’i humbësh paratë dhe mikun.

Kurse tri monedha floriri se e katërta do të të bjerë vetë në dorë.

Kush lyp luftë në shtëpi e përjetoftë.

Kush i vete pas gjithkujt, bën gabim; kush nuk ndjek askënd, bën edhe më shumë gabim.

Më mirë të na e kenë lakmi, se t’u dhimbsemi.

Mos gjyko në bazë të vragës, nëse nuk e ke parë se çfarë ka qenë plaga.

Ndihma është nganjëherë si ai ilaçi që sa më i hidhur, aq më i mirë është.

Në dashuri syri është i pari.

Nëse armiku yt është sa maja e gishtit, ruhu siç i ruhesh luanit.

Nëse jemi grindur, dhëmbët s’i keni shkulur.

Njeriu kurioz ka 100 sy dhe asnjë shpirt.

Samari prej argjendi nuk e bën kalin e mirë.

Sa më shumë shtohen ligjet, aq më shumë pakësohet drejtësia.

Sikur të isha lindur njëqind herë, kisha për t’u bërë mësues.

Shteti mbështetet në të drejtën dhe gjyqet, adheu mbështetet në nënën dhe gruan.

Shtetin ruaje nga armiku e gruan nga miku.

Shtetit borxh mos i rri, me polic mos u shoqëro, ndërsa gruas të fshehtat mos i trego.

Të kujt janë delet, i tij është edhe livadhi.

Të kuptosh të bukurën do të thotë ta zotërosh atë./KultPlus.com

Projekti ‘Irlanda e Vjetër me Ngjyra’ ndriçon pamje nga jeta në Irlandën e vjetër

Me mijëra imazhe historike nga e gjithë Irlanda po jetësohen me ngjyra për herë të parë, falë një projekti të ri fotografik të udhëhequr nga “AI”.

Kombinuar me teknologjinë digjitale dhe me kërkime të përpikta historike, profesorët John Breslin dhe Sarah-Anne Buckley në Universitetin Kombëtar të Irlandës ”Galway”, kanë qenë në gjendje të kthejnë fotografitë, fillimisht të shkrepura vetëm në bardhë dhe zi në imazhe me ngjyra.

Një panair i qytetit në Ballybricken, County Waterford, në 1910.

Koleksioni përfshin shekuj dhe rajone të Irlandës, si dhe diasporën e vendit. 

Ai përfshin portrete të figurave kryesore si Oscar Wilde dhe poeti WB Yeats, si dhe momente përcaktuese në histori, si Titaniku që vendos vela nga kantieri detar Belfast ku u ndërtua.

Ky imazh tregon qendrën e qytetit të Dublinit në rrënoja, viti 1916

Sidoqoftë, disa nga fotot më tërheqëse përshkruajnë skena të përditshme, njerëz që endin derra, tjerrin lesh ose paketohen në pjesën e prapme të karrocave me kuaj. 

Ndërsa varfëria është e dukshme në fotografitë e fshatarëve zbathur që grumbullohen përreth një fotoje, ose të ndërtesave të banimit të klasës punëtore të Dublinit, ka gjithashtu fotografi familjare të pasura dhe përshkrime të argëtimeve të klasës së lartë si gjuetia e dhelprave.

Shtetari revolucionar Onamon de Valera i drejtohet një turme më 1917.

“Kishte shumë klasa të ndryshme shoqërore në Irlandë, si në shumë vende, kështu që unë mendoj se është e rëndësishme të tregosh gamën e plotë”, ka thënë Breslin. 

Projekti përmban gjithashtu fotografi të irlandezëve jashtë shtetit, siç është ky imazh i vitit 1911 nga një ekspeditë në Antarktidë. 

Projekti, “Irlanda e Vjetër me Ngjyra”, tani ka llogari të mediave sociale me dhjetëra mijëra ndjekës. Një libër i ri me të njëjtin titull po bashkon gjithashtu më shumë se 170 nga imazhet, duke pikturuar një pamje bindëse të jetës në ishull nga vitet 1840 deri në vitet 1960./ KultPlus.com

Dëbimi i fermerëve nga pronarët e tyre, siç përshkruhet në këtë skenë, nga fshati Woodford, ishte burimi i polemikave të mëdha në Irlandën e viteve 1880

Përmes fotove, Superhëna e ‘krimbave’, parë nga çdo cep i botës

Fotografët anembanë botës kanë arritur të fotografojnë superhënën e plotë të muajit mars, të quajtur ndryshe edhe superhëna e “krimbave”.

Ky emërtim aspak i zakontë vjen pasi në mars, me ardhjen e pranverës, dalin sërish në sipërfaqe krimbat e tokës.

Sipas ekspertëve superhëna duket thuajse 30% më e madhe nga sa është në të vërtetë, për shkak se orbita e saj është në pikën më të afërt me planetin tonë.

Shijoni fotografitë e realizuara nga Stambolli në Londër, nga Moska në Nju Jork./a2/ KultPlus.com

Ymeri: Javën e ardhshme të gjitha shkollat do të shkojnë në pushim pranveror

Javën e ardhshme të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar do të shkojnë në pushim pranveror për një javë, ku pas këtij pushimi sërish procesi mësimor do të mbahet me prezencë fizike në objektet shkollore dhe jo online.

Gjatë kësaj jave të pushimit do të bëhet dezinfektimi i të gjitha objekteve shkollore si dhe do të vlerësohet situata epidemiologjike në shkollat në nivel vendi.

Këto i ka bërë të ditura përfaqësuesi i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës Ymer Ymeri, i cili ka qenë prezent në takimin e sotëm që është mbajtur me ministren e Arsimit dhe Shkencës Arbërie Nagavci, përfaqësues të DKA-ve, SBASHK-ut, Këshillit të Prindërve, IKSHPK-së dhe drejtorë të shkollave.

Ai thotë se tashme është vendosur që java e ardhshme të jetë pushim për shkollat në të gjithë vendin, e një gjë të tillë sipas tij e ka rekomanduar edhe përfaqësuesi i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

“Pas diskutimeve që janë bërë është vendosur që gjatë javës së ardhshme edhe me rekomandimin e përfaqësuesve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik i cili ishte në takim që të mbahet një javë pushim, meqenëse pushimi pranveror sipas kalendarit ka qenë e paraparë në këtë javë”, thotë ai.

Ai potencon se të gjithë përfaqësuesit në këtë takim janë deklaruar pro mbajtjes së pushimit pranveror, e një pushim i tillë thotë se është i mirëseardhur edhe për shkak të numrit në rritje të infektimeve dhe rasteve të vdekjeve edhe brenda personelit arsimor.

“Është interesantë se për pushimin pranveror kanë qenë të pajtimit të gjithë, edhe Këshilli i Prindërve edhe ne si përfaqësues të mësimdhënësve dhe DKA-të…Duke e pasur parasysh numrin në rritje të infektimeve që janë këto ditë edhe duke e pasur parasysh që kemi raste të vdekjeve edhe të mësimdhënësve, për shembull sot e kemi një rast vdekje në komunën e Prizrenit nga COVID-19. Si dhe duke e pasur parasysh se rastet e reja të paraqitjes së COVID-it po ka edhe tek fëmijët, nxënësit mendojmë që është mjaftë e dobishme në mënyrë që ta ulim pak infeksionin këto ditë. Mendoj që është e mirëseardhur së pari për shëndetin edhe të nxënësve edhe të mësimdhënësve, po edhe mendoj që është e nevojshme një lloj pushimi për fëmijët”, thotë ai për KosovaPress.

Gjatë pushimit një javor, Ymeri deklaroi se do të punohet në dezinfektimin e objekteve shkollore, derisa thotë se edhe pas pushimit mësimi do të vazhdojë me prezencë fizike në shkolla dhe jo online.

“Gjatë kësaj kohës së pushimit do të punohet shumë, ashtu së paku u tha, që të dezinfektohen shkollat, të përgatiten sa më shumë që është e mundur dhe përsëri të fillojmë me skenarin A, B, C varësisht nga nevoja. Do të thotë të fillojmë mësimin në objektet shkollore jo në mësimin online dhe ne si përfaqësues të punëtorëve edhe ne e përkrahim idenë dhe qëndrimin që mësimi të zhvillohet deri në momentet kur është shumë i rrezikuar shëndeti i mësimdhënësve, i punëtorëve në arsim edhe i nxënësve. Deri në ato momente bëjmë çmos që ta ruajmë mësimin në klasë, jo nga distanca për shkak se nuk është as i përafërt mësimi online me atë mësimin me prezencë në klasë”, thotë ai.

Në këtë takim të përfaqësuesve të sistemit arsimor është diskutuar edhe çështja e zëvendësimit të ditëve të humbura mësimore.

Ymeri thotë se si përfaqësues të mësimdhënësve kanë propozuar që ky zëvendësim të bëhet ditëve të shtune.

“Ne si përfaqësues të sindikatës kemi thënë që më e mira është që zëvendësimi të bëhet ditëve të shtune, një të shtune po, një të shtune jo në mënyrë që mos të shkohet për shkak se e dimë që kalendari për klasën 1-8 viti shkollor përfundon me 30 qershor mos të shtyhet edhe në korrik mësimi”, thotë ai.

Sipas kalendarit mësimor, pushimi pranveror ka qenë i paraparë të mbahet nga 29 marsi deri me 4 prill, por që pushimi të mbahet nuk kishte vendosur qeveria në detyrë./gazetaexpress/KultPlus.com

Animacioni kosovar “Clara me mustaqe” edhe në Annecy, njërin ndër festivalet më të mëdha të animacionit në botë

Pas Santa Barbara International Film Festival dhe Cleveland International Film Festival, “Clara me mustaqe”/“Clara with a mustache” me regji dhe skenar nga Ilir Blakçori, është ftuar të jetë pjesë e njërit ndër festivaleve më të rëndësishme të animacionit në botë, njëherit edhe festival i kategorisë A, – Annecy International Animation Film Festival që do të mbahet nga 14 deri më 19 qershor 2021. Ky është lajm shumë i rëndësishëm për animacionin dhe filmin kosovar.

“Filmi u kushtohet 31 milionë fëmijëve në të gjithë botën të cilët sot ende vuajnë nga lufta dhe dhuna, sepse në fund të fundit, ekipi pas këtij filmi ishin vetëm fëmijë gjatë luftës së fundit në Kosovë. E mesazhi është që ëndërrat dhe shpresat për një të ardhme më të mirë asnjëherë mos të ju shuhen.” janë shprehur autorët e filmit me rastin e sukseve të vazhdueshme të animacionit.

Animacioni përcjellë personazhin e saj kryesor – një njëqind deutchmark, dhe portretin e saj të bukur të Clara Schumann me një palë mustaqe të vizatuara përmbi buzë. Kjo kartëmonedhë udhëton nga një person në tjetrin, duke zbuluar historitë e tyre dhe perspektivat. Duke udhëtuar nga dora në dorë, Clara zbulon emocione dhe situata të ndryshme njerëzore. Ajo mishëron veten në luftë, shpëtim të jetës, grabitje, krim, korrupsion, dhe shpresë për një të ardhme më të mirë. Filmi prek temën shumë reale të luftës dhe pasojave të saj, por ndërtohet dhe shpaloset me një imagjinatë të një fëmiu.

Produksioni është realizuar nga “Molos”, me mbikqyrëse të animacionit Vala Blakçori; animimi nga Ferit Youcel, ndriçimi dhe kompozitimi nga Aleksndar Petkov; riging-u nga Ogulcan Tayman; redaktimi i skenarit nga Dafina Syla. Muzika është vepër e kompozitorit francez Romain Zante e cila u orkestrua nga “Budapest Art Orchestra” në përbërje të mbi 50 instrumentistëve. Një pjesë e kolonës zanore është komponim i vet kompozitores dhe pianistes Clara Schumman, por e risjellur në mënyrë të veçantë nga kompozitori francez.
Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Trejleri:
https://vimeo.com/514204489 / KultPlus.com

Kritikë e poezisë ‘Kur vdiq baba’ nga Arbër Selmani

“Kur vdiq baba” poezi e Arbër Selmanit

(Lexim subjektiv)

Sabit B. Bajraktari

Poezia personale e Arbër Selmanit, “Kur vdiq baba” është aq prekëse, aq e arrirë dhe veçantë në llojin e saj. Lidhshmëria prind-fëmijë, këtu përshkruhet me aq dashuri e që rrallë mund ta gjesh një rrëfim kaq prekës. Poezia me melodinë e saj të rrëmben dretjëpërdrejtë në shpirtë, dhe të bënë për vete që në leximin e parë.

Thjeshtësia artistike, në këtë rast është mjeshtëri në vete. Emocionet e derdhura përmes fjalëve dhe vargjeve të kësaj poezie të kapin për shpirti dhe bëhesh pjesë e saj me aq dëshirë dhe vullnet. Poezia bëhet e jotja bëhesh Ti, i vuajturi, bëhesh fëmija, poeti, i lumturi, i bekuari, ëndërrimtari, jeta, vdekja dhe vet Baba. Me stilin e saj brilant, kjo poezi s’të lëshon nga kurthet e saja të ëmbëla artistike që ta lësh në harresë pa e lexuar sërish dhe sërish. Bota e lirikut dhe bota rreth tij, pas ikjes së Babes marrin një ngjyrë dhe formë tjetër, një jetë që pothuajse s’mund ta përshkruash me asgjë të atillë siç ishte atëherë kur endej nëpër shtëpi, rrugë e jetë në të gjallë të babes.

Kjo botë është e lidhur aq ngusht mes babes dhe fëmijës, e që shpesh ajo afri mes tyre duket e pakëputshme, e pandashme dhe vështirë është që ta pranosh një ndarje të tillë. Ku gjysma e shpirtit (Baba) ikën në përjetësi dhe gjysma tjetër (Poeti-Arbëri) mbetet rrugëve të këtij universi në kërkim të asaj gjysme e cila i jepte kuptim jetës në përgjithësi, i jepte kuptim ditës, anëtarëve të familjes, pazarit të mëngjesit, këmishave, mirësisë, një përralle, zënkave, lumturisë, të bukures, dashurisë dhe vet ekzistencës. Arbër Selmani përmes kësaj dhuntie letrare na shpie deri atje ku edhe na rrëfen:

“U zvarrita deri te rubineti për ta larë fytyrën,
Për ta parë vdekjen time
Për të harruar se trupi po vdiste po të njëjtën ditë.”

Sepse vdekja e një anëtari të familjes, në këtë rast Babes është gjysmë vdekje e vet shpirtit tonë, është ikje e grimcave që na krijuan dhe na kan bërë ata që tani jemi, ashtu si jemi, me të mirat dhe jo të mirat tona.

Thjeshtësia artistike e kësaj poezie tregon se me sa dashuri, pasion e mjeshtri është shkruar një vepër e tillë. Ritmi i poezisë gjithashtu të futë në kurthet e saja magjike dhe të ngre herë në qiell me bukurinë e saj dhe herave tjera të rrëmben brenda vetes, brenda botës që pothuajse e ke harruar. Në botën e kujtimeve të cilën s’duhet ta harrojmë, edhe pse shpesh na mbështjellë me melankoli e vërteta dhe realiteti, na bënë të mendojmë dhe ta shohim botën më ndryshe. Realiteti i ri na shtynë të jetojmë me kujtimet dhe grimcat e jetës që e shijojmë, herë ëmbëlsinë e saj që na lumturon, dhe jo rrallë edhe idhtësinë e saj e cila troket në portën e shpirtit pa e ftuar fare.

Lexojeni këtu poezinë ‘Kur vdiq baba’, nga Arbër Selmani.

(27 mars 2021, Sirmione-Itali)

Gazeta spanjolle: Kosova, fëmijët e luftës të cilët vijojnë t’i thyejnë barrierat

Gazeta spanjolle “Diario Sport” ia ka kushtuar Kosovës një shkrim të veçantë për rrugëtimin e saj të vështirë në futbollin ndërkombëtar, në prag të një ndeshjeje kualifikuese për Kupën e Botës kundër Spanjës nesër në mbrëmje.

Kosova do të përballet me Spanjën, njërin prej kundërshtarëve më të mëdhenj të pavarësisë së saj, për herë të parë të mërkurën në Sevillë në ndeshjen e xhiros së tretë të Grupit B Kualifikues për Botërorin Katari 2022, raporton Gazeta Express, përcjellë KultPlus.

Në fakt, shorti për kualifikime për Botërorin e hodhi Kosovën në një grup me tri shtete që s’e njohin pavarësinë e saj, Greqinë dhe Gjeorgjinë, përveç Spanjës. E vetmja në Grupin B që e njeh Kosovës është Suedia.

Duke e rrëfyer tregimin e vështirë të Kosovës për luftën me Serbinë më 1998, deri te pavarësimi më 2008 e deri te pranimi i Kombëtares në UEFA e FIFA më 2016, Sport iu tregoi spanjollëve sesi lojtarët e Kosovës kanë kaluar shumë barriera deri më sot.

Sport e përmendi faktin që shumë prej lojtarëve që do të paraqiten nesër kundër Spanjës ishin detyruar të iknin nga Kosova në vitet 1990, shkaku i terrorit serb, dhe tani janë kthyer për ta çuar përpara atdheun e vet.

Gazeta me bazë në Katalonjë shkroi: “Njëzet vjet  pasi përjetuan luftë të rëndë, fëmijët e Kosovës të cilët u detyruan të iknin nga Kosova për të filluar një jetë të re në Suedi, Gjermani, Norvegji, Zvicër apo shumë vende të tjera në Evropë, u kthyen në rrënjët e tyre falë ekipit kombëtar, i cili pas shumë përpjekjeve për një kohë të gjatë tani mund të garojë si njëri prej ekipeve më të mira. Një ekip që ka kohë që tejkalon pengesa dhe i cili do të tentojë t’i vështirësojë gjërat Spanjës të mërkurën në orën 20:45”.

Edhe takimi me Spanjën ishte barrierë jo e vogël, pasi që prej se shorti i hodhi këto dy ekipe në një grup, polemikat nuk janë ndalur.

Federata e Futbollit e Spanjës i ishte referuar Kosovës si territor fillimisht dhe mediat atje kishin tendencë për të mos e trajtuar Kosovën si shtet, pas pikërisht gazeta e përditshme spanjolle “AS” kishte refuzuar t’ia shkruante emrin shtetit më të ri evropian në tabelën e Grupit B në uebsajtin e vet.

Spanja s’e njeh Kosovën kryesisht për shkak të Katalonjës, rajonit të vet verilindor, e cila kishte votuar unanimisht në një referendum në vitin 2017 për t’u pavarësuar nga Spanja.

Sidoqoftë, Spanja është tërhequr nga qëndrimi e saj dhe do t’i ofrojë Kosovës pritje si çdo kombëtareje tjetër të mërkurën në Sevillë. Federata spanjolle ka këmbëngulur, megjithatë, se pritja që do t’ia bëjë Kombëtares së Kosovës me himn kombëtar dhe flamur, nuk përfaqëson qëndrimin e shtetit spanjoll.

Verdhekaltrit mbërritën në Sevillë të hënën pasdite dhe sot do ta kryejnë një seancë stërvitore në stadiumin “La Cartuja”.

Grupit B i prin Suedia me gjashtë pikë, e ndjekur nga Spanja me katër pas dy ndeshjeve. Greqia është e treta me një pikë pas një ndeshjeje.

Kosova është pa pikë pas humbjes në ndeshjen hapëse kundër Suedisë, ndërsa Gjeorgjia është e fundit pa pikë pas dy humbjeve në dy ndeshjet e para. /GazetaExpress/ KultPlus.com

Çajupi, korifeu i gjuhës shqipe në 155-vjetorin e lindjes

Poeti, publicisti dhe dramaturgu Andon Zako Çajupi, në më shumë se një shekull e gjysmë me krijimtarinë e tij letrare, ka zënë një vend të veçantë në historinë e letërsisë shqiptare e ndaj, sot në kuadër të Muajit të Poezisë, Muzeu Historik Kombëtar organizoi aktivitetin përkujtimor “Çajupi në 155-vjetorin e lindjes”.

Aktiviteti me rastin e 155-vjetorit të këtij poeti kombëtar u hap nga Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, i cili referoi kumtesën me temë: “Pse duhet të lexojmë Çajupin”. Ndër të tjera drejtori Koçi tha: “Pse duhet ta lexojmë Andon Zako Çajupin? Në këtë kohë të modernitetit kur letërsia, kultura, tradita ecin me hapa të shpejtë duket sikur poetët tanë të traditës janë të distancuar e pra është pikërisht detyra jonë të bëjmë të mundur që këto figura të rëndësishme jo vetëm të mos harrohen por të lexohen edhe nga brezi i ri.

Në kritikën shqiptare besoj se Çajupi, si një nga përfaqësuesit e një alter egoje të brendshme të lexuesve të vet (ku gjen jo vetëm motivet romantike, pastorale e lirike, por edhe frymën kritike, sarkazmën, humorin shpotitës ndaj veseve të shoqërisë), meriton një vëmendje të veçantë për t’u lexuar dhe shijuar si tekst, si autor dhe si përfaqësues i një epoke”.Kryetari i shoqatës atdhetare “Çajupi”, z. Andon Pango, referoi kumtesën me titull: “Zagoria –vatra dhe tharmi frymëzues i atdhedashurisë në krijimtarinë e Çajupit”. Z. Pango, e filloi kumtesën duke thënë: “Veprat që ka lënë Çajupi janë si një thesar floriri që vetëm shkëlqejnë me kalimin e viteve.

Thjeshtësia e vargut të Çajupit, bukuria shprehëse e gjuhës përmbajtja dhe stili i qartë janë mirëpritur nga lexuesi shqiptar i çdo kohe kjo vihet re edhe në një nga xhevahirët e poezisë shqiptare “Mëmëdheu”. Kanë kaluar 155 vjet nga lindja e tij dhe sot së bashku po flasim për freskinë dhe ndjeshmërinë që përcjell tek lexuesi jonë edhe ai i huaj krijimtaria letrare e këtij zagoriti të nderuar”. Më tej ai vijoi duke thënë se: “Në vitin 2013 në Sheper të Zagorisë iu dha titulli “Nderi i Kombit”, si një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të letërsisë Shqiptare i cili në fillim të shekullit të kaluar kontribuoi jo vetëm në edukimin e ndjenjave atdhetare por edhe në ndriçimin e shoqërisë shqiptare. Kjo dekoratë, në vitin 2016, i është dhuruar Muzeut Historik Kombëtar për tu bërë pjesë e fondit muzeor të tij”.Dr. Ermir Nika, pedagog dhe studiues letërsie referoi mbi temën: “Fryma kombëtare në krijimtarinë e Çajupit”. “Në këtë 155 vjetor të lindjes së tij përsëri Çajupi na mbledh të gjithëve bashkë, nisi në fjalën e tij z. Ermir Nika. “Na mbledh për të na kujtuar që ne pikëtakohemi në një koordinatë shumë të rëndësishme atë të Zagorisë. Ishte nje karakter i paepur, një personalitet që nuk dorëzohej kollaj dhe përfaqëson një ndër mendjet më të emancipuara të letërsisë shqipe të gjysmës së dytë të shek të XX. Çajupi nuk mbeti vetëm romanik, ai nuk mbeti vetëm klasicist ai solli realizmin në letërsinë shqipe solli natyrën, solli njeriun ai vizatoi Shqipërinë e vërtetë”, përfundoi ai.Z. Spiro Nika, specialist pranë Muzeut Historik Kombëtar, tek fjala e mbajtur prej tij e vuri theksin tek gjithë ndikimi që kishte ambienti ku lindi dhe u rrit Çajupi si shtëpia, shkollat, natyra, kultura në talentin dhe veprën e tij./KultPlus.com

Reagimi i grupit “BTS” kundër dhunës ndaj aziatikëve në SHBA

Grupi i famshëm nga Korea Jugore, “BTS”, e ka lëshuar një deklaratë publike përmes së cilës e dënuan urrejtjen dhe dhunën e fundit kundër aziatikëve në SHBA. Ata po ashtu treguan eksperiencat e tyre me racizmin.

Deklarata e shtatë anëtarëve të grupit u postua në rrjetet sociale, me ç’rast ishin munduar të mos marrin vëmendje personale nga ky reagim, por thjeshtë të bënin thirrje për paqe, respekt dhe dashuri.

“U dërgojmë ngushëllimet më të sinqerta gjithë personave që i kanë humbur të dashurit e tyre. Ndiejmë hidhërim dhe zemërim të thellë. Edhe ne i kujtojmë momentet kur jemi përballuar me diskriminim si aziatikë. Jemi detyruar të durojmë komente të ndryshme pa arsye dhe jemi tallur për mënyrën se si dukemi. Madje na pyetën pse aziatikët flisnin në gjuhën angleze. Prandaj, nuk mund ta shprehim me fjalë dhimbjen e të qenit objekt urrejtjeje dhe dhune për një arsye të tillë racore. Përvojat tona nuk janë të rëndësishme në krahasim me ngjarjet që kanë ndodhur gjatë javëve të fundit. Por këto përvoja ishin të mjaftueshme për të na bërë të ndihemi të pafuqishëm dhe për të na ulur vetëbesimin. Ajo që po ndodh tani nuk mund të ndahet nga identiteti ynë si Aziatikë. Na është dashur kohë e konsiderueshme për ta diskutuar me kujdes këtë temë dhe menduam thellë se si duhej ta shkruanim mesazhin tonë. Por ajo që duam ta përcjellë mesazhi ynë është plotësisht e qartë. Ne qëndrojmë kundër diskriminimit racor. Ne e dënojmë dhunën. Ju, ne dhe të gjithë njerëzit kemi të drejtë të respektohemi. Prandaj do të qëndrojmë së bashku kundër këtij fenomeni të keq për çdo shoqëri”.

Megjithëse nuk e përmendën ndonjë ngjarje specifike, deklarata e grupit vjen pas ngjarjes tragjike të 16 marsit e cila ndodhi jashtë Atlantës, dhe ku një person i armatosur i vizitoi tri salla masazhi aziatike ku edhe i vrau me armë zjarri tetë persona, përfshirë gjashtë gra aziatike.

Vitin e kaluar, anëtarët e grupit “BTS” e shfaqën përkrahjen publike për protestat e lëvizjes “Black Lives Matter” kundër racizmit dhe brutalitetit policor në Amerikë. Këto protesta u shpërndanë edhe në shtete tjera anembanë botës.

Në qershor të vitit 2020, grupi shumë i suksesshëm i muzikës K-pop dhe studioja e tyre incizuese “Big Hit Entertainment”, i dhuruar 1 milionë dollarë për grupet e lidhura me protestat “Black Lives Matter”, dhe ndihmuan në grumbullimin e miliona dollarëve tjerë nga fansat e tyre besnik anembanë globit. / KultPlus.com

Po, unë kam qenë i sëmurë, shumë i sëmurë, por pse më thoni se kam luajtur mendsh, se jam çmendur

Edgar Allan Poe
(Tale Heart-1843)

-Është e vërtetë. Po, unë kam qenë i sëmurë, shumë i sëmurë. Por, ju pse më thoni se kam luajtur mendsh, se jam çmendur?

A s’e shihni se unë jam plotësisht në rregull? A s’është e qartë që s’jam i çmendur? Sëmundja vërtet m’i ka bërë më të forta e më të fuqishme mendjen, shqisat e ndjenjat. Sidomos shqisën e dëgjimit, edhe më të fuqishme. Unë dëgjoj zëra që s’i kisha dëgjuar më parë. I dëgjoj zërat nga parajsa, zërat nga ferri.

-Dëgjo! Dëgjo, do të të tregoj si ndodhë. Ke për të parë e për të dëgjuar sa e kam mendjen në vend.

E pashpjegueshme si erdhi në fillim ideja në kokën time.

Nuk arsyetohet ajo çfarë bëra. S’e kam urryer plakun. Përveçse e kam dashur. Nuk më ka lënduar. S’i kam dashur paratë e tij. Mendoj se ishin sytë e tij. Dukeshin si sygrabitës, sytë e atyre shpezëve të trishtueshme që shikojnë e presin derisa kafsha ngordh dhe më pas e hedhin poshtë të bëhet copa për ta ngrënë.

Kur më shikoi plaku me ata sygrabitësi, një ndjesi e ftohtë m’u ngjit poshtë e lartë shpinës, derisa edhe gjaku u ftoh. Kështu që, përfundimisht vendosa t’i mbyllja ata sy: ta vras plakun!

Pra, ju mendoni se jam i çmendur? Një i luajtur mendsh nuk planifikon. Por, ju më keni ndjekur mua. Gjatë gjithë javës, shoqërohesha me plakun, isha i afërt, i dashur me të, pra, aq sa mund të isha.

-Çdo natë rreth orës dymbëdhjetë ngadalë e hapja derën e tij. Dera ishte e hapur aq sa mund të futja brenda dorën, pastaj, kokën. Në dorë mbaja një dritë të mbuluar me një cohë që s’e lejonte të shpërndahej më shumë. Qëndrova qetësisht. Pastaj, kujdesshëm, largova cohën pakëz, që të kalonte tek ata sy një vijëz e hollë dhe e vogël e dritës.

-Shtatë net e bëra këtë, shtatë net të gjata, cdo herë në mesnatë. Pasiqë sytë ishin gjithmonë të mbyllur, e kisha të vështirë të kryeja punë. Sepse nuk ndjeja ta vrisja plakun, ishte syri i tij. Syri i tij i Djallit.

– Dhe çdo mëngjes shkoja në dhomën e tij, e pyesja si kishte fjetur, me një të folur të ngrohtë e miqësore. Ai as që e merr me mend se çdo natë, në orën dymbëdhjetë, hyja brenda dhe e shihja si flinte. Në natën e tetë, që kur e hapa derën, isha më shumë se zakonisht i kujdesshëm. Akrepat e orës lëvizën më shpejtë se sa dora ime. Asnjëherë më parë nuk e kisha ndjerë kaq fort fuqinë time; për sukses tani isha i sigurt.

Plaku rrinte shtrirë, pa imagjinuar se jam në derë. Befas lëvizi në shtrat. Ju mendoni se u frikësova. Por, jo. Errësira ishte e madhe në dhomë. E dija që s’e shihte hapjen e derës. Unë vazhdova ngadalë e lehtë, të shtyeja derën. E futa kokën. E futa dorën me dritën e mbuluar. Papritmas plaku u drejtua në shtrat dhe qau, “Kush është aty”??!

Ende qëndrova i heshtur. Nuk lëviza për disa orë. As s’e dëgjova të shtrihej prapë në shtrat. Veç rrinte duke dëgjuar. Pastaj, dëgjova një zë nga plaku, një klithmë, një e qarë frikeje. E dija që rrinte ulur, mbushur me frikë në shtrat; e dija se ai e dinte që isha aty. S’më shihte. S’më dëgjonte. Më ndiente. E dinte se Vdekja ishte aty.

Dalëngadalë, pak nga pak, derisa një dritë e vogël të binte në ata sygrabitës, e largova cohën. Mënyra se si më shikonte drejt, me sy të shqyer, sa e shtonte zemërimin tim. Fytyrën e plakut s’e shihja. Vetëm atë sy, syrin e kaltër të errët dhe në trupin tim m’u ngri gjaku.

A s’ju pata thënë se të dëgjuarit u bë i fortë, në mënyrë të pazakontë? Si tingullin e një ore përtej murit, dëgjoj tinguj të shpejtë, të ulët, të lehtë.

Ishte e rrahura e zemrës së plakut. Provova të heshtë. Por, tingulli rritej më shumë. Frika e plakut duhet të ketë qenë më të vërtetë e madhe. Sa rritej tingulli, zemërimi im bëhej më i madh e më lëndues. Ishte më shumë se zemërim.

Zemërimi im u bë i frikshëm, në natën e qetë , në heshtjen e errët të dhomës së gjumit, për zemrën që rrahte zëshëm, e të cilën isha i sigurt se dikush duhej ta dëgjonte. Erdhi koha! Duke qarë, u vërsula në dhomë, “Vdis! Vdis!” Plaku lëshoj një klithmë frike, ndërsa unë u hodha mbi të dhe ia lidha shtrëngueshëm çarçafin sipër kokës. Zemra i rrahte ende; por buzëqesha sikur isha afër suksesit. Zemra i rrahu për disa minuta; por, më në fund e rrahura ndaloi. Plaku vdiq. Largova çarçafët dhe i mbështeta veshët mbi zemrën e tij. Nuk tingëlloi asgjë. Po! Vdiq! I vdekur si guri. Syri i tij s’ka për të më shqetësuar!

– Pra, ju thoni, jam i çmendur? Më keni parë sa i kujdesshëm isha kur e futa trupin aty ku asnjëri s’e gjen. Në radhë të parë i këputa kokën, pastaj krahët dhe këmbët. S’e lashë asnjë pikë gjaku të binte në dysheme, isha i kujdesshëm. Pjesët e trupit i futa në dyshemenë ku i hoqa tri dërrasa. Më pas, kujdesshëm, shumë kujdesshëm, i rivendosa dërrasat dhe asnjë sy njeriu s’i vëren se kanë lëvizur.

Kur përfundova punë, dëgjova se dikush ishte tek dera. Tash ishte katër e mëngjesit, por ende terr. Sido që të jetë, nuk frikësohesha, shkova poshtë të hapja derën. Në derë ishin tre njerëz, tre oficerë policie. Njëri prej fqinjëve kishte dëgjuar plakun duke klithur dhe kishte njoftuar policinë; këta të tre erdhën për të bërë pyetje dhe për të kontrolluar shtëpinë.

-I ftova policët brenda. Kam klithur në ëndërr, u thashë. Plaku ishte larg, u thashë, ka shkuar të vizitoj në fshat një shok. Kërkova nga ta të kontrollonin nëpër krejt shtëpinë, të kontrollonin mirë. Më në fund i shoqërova brenda dhomës së gjumit të plakut. Po bisedonim gjatë, u kërkova të uleshin, sikur luaja lojë me ta.

I bëra policët të besojnë tregimin tim nga sjellja ime e lehtë dhe e qetë. Kështu që, ata po rrin ulur dhe bisedonin në mënyrë shoqërore me mua. Por, u përgjigja njëjtë, gjithashtu, shpresoja të ikinin sa më shpejt. Në veshët e mi ishte një tingull i çuditshëm dhe më dhimbte koka. Flisja më shumë e më shpejt. Tingulli u bë më i theksuar. Ata ende rrinin e flisnin.

Papandehur e dija se, tingulli nuk ishte në veshët e mi, ishte veçse brenda kokës. Në atë moment duhet të jem zbehur. Flisja më shpejt dhe më fort. Gjithashtu, edhe ai u bë më i fortë. Një tingull që e njihja mirë, i shpejtë, i ulët, i lehtë, si tingulli i një ore përtej murit. U bë më i fuqishëm e më i fortë. Pse nuk shkojnë burrat? Më fuqishëm, më fort. U ngrita, rreth e rreth dhomës ecja shpejt. Që ta mbuloja tingullin e tmerrshëm, të bëja më shumë zhurmë, e shtyeja karrigën nëpër dysheme. Flisja edhe më fort. Burrat ende rrinin, flisnin, buzëqeshnin. A ishte mundur që nuk po dëgjonin??

Jo! Ata dëgjuan! Isha i sigurt. Ata e dinin. Ishin tash ata që po luanin me mua. Nga buzëqeshjet e tyre dhe nga ky tingull po vuaja më shumë se sa mund ta përballoja. Fort, më fort, edhe më fort! Papandehur, s’e përballova dot. Bëra me gisht nga dërrasat dhe qava, “Po! Po, unë e vrava atë. Ngritni dërrasat dhe do të shihni. Unë e vrava. Por, pse nuk ndalon zemra e tij së rrahuri?! Pse nuk ndalon!?”

Nga Albulenë Krasniqi / KultPlus.com

“Jeta ime ndryshoi në 6 minuta”, rrëfehet poetja e inaugurimit të presidentit Biden

“Jeta ime ka ndryshuar në gjashtë minuta, unë ende duhet të mësohem. Por nëna ime, motra ime binjake më bëjnë të mbaj këmbët në tokë, ato janë shkëmbinjtë e mi”.

Kështu u shpreh për BBC, poetja Amanda Gorman, e cila tregoi sesi ka ndryshuar jeta e saj që nga inaugurimi i presidentit Joe Biden, kur ajo recitoi poezinë “The hill we climb”, duke u bërë kështu poetja më e re në histori që ka marrë pjesë në këtë ngjarje.

 “Edhe qeni im Lulu më sjell përsëri në tokë, për të unë jam akoma i njëjti person”, bëri shaka Gorman. Poezia që recitoi në inaugurimin presidencial i ishte kushtuar dhunës brenda dhe jashtë Kapitolit disa javë më parë.

“Unë e zgjodha titullin vetëm kur e mbarova, për ditë me radhë në dokumentet në kompjuterin tim e quajta “Poezia Inauguruese””, tha poetja e veprës së saj, e cila gjithashtu flet për kurajon për të guxuar.

“I detyrohem nënës sime dhe grave të tjera me ngjyrë në jetën time, për dhuratën e të shprehurit atë që mendoj. Nëna ime gjithmonë më ka inkurajuar për zërin tim”, tha Gorman, duke kujtuar se kur ishte në shkollë ajo ishte në gjendje të mbrohej nga bulizmi dhe për të vlerësuar personalitetin e saj, nëna e saj do të organizonte një festë të vogël për të.

Poetja 23-vjeçare foli edhe për Meghan Markle. “Ajo ishte shumë e guximshme për të folur, unë e admiroj atë shumë”. / KultPlus.com

Muzeu i parë i Artit Bashkëkohor në Prizren do të hapet në Parkun e Inovacionit dhe të Trajnimeve

Autostrada Biennale është organizata e parë që ka nënshkruar kontratë me ITP për shfrytëzim të hapësirave të këtij parku, ku kanë aplikuar më shumë se 60 organizata e institucione të ndryshme, ku së shpejti do të ketë nënshkrim edhe të 11 kontratave të tjera, përcjellë KultPlus.

Në Parkun e Inovacionit dhe të Trajnimeve, Autostrada Biennale do të krijojë hapësirën për edukim dhe prodhim. Në një dimension unik të kohës, kjo hapësirë do t’i vë hapat e para drejt krijimit të Muzeut të parë të Artit Bashkëkohor në Prizren, projekt i cili mbështetet nga Ambasada Amerikane në Prishtinë dhe bashkëfinancohet nga Komuna e Prizrenit.

Në kuadër të këtij projekti, në një sipërfaqe rreth 550m2, do të krijohet hapësirë për edukim jo-formal dhe programe të krijimit të shkathtësive për fuqizimin e të rinjve të komunës së Prizrenit. Veprat e para të prodhuara në këtë hapësirë do të ekspozohen në hapjen e ekspozitës ndërkombëtare të artit bashkëkohor, me datën 17 korrik 2021, gjatë edicionit të tretë të Autostrada Biennale.

Kjo hapësirë do të shndërrohet në pikë takimi për qytetarët, duke krijuar një impakt socio-ekonomik në zhvillimin e qytetit të Prizrenit dhe vendit në përgjithësi. / KultPlus.com

‘Frymë’ për të himnizuar dhimbjen, Sata: Është kënga më personale se flet për humbjen e babait tim

Suada Qorraj

Vargje dhimbjeje, dashurie por dhe një lidhjeje që kalon përtej shpjegimeve të zakonshme. E përjetuara që nuk zhbëhet, një jetë e humbur që lë shumë pas vetes, sekondat e fundit, e gëzimin e parë, por krejt në fund një botë e shembur. Pikërisht dhe kënga ‘Frymë’ vie si përjetim personal i kantautorit Vlashent Sata, por që arrin të gjej vend tek secili që dikur jeta i përballi me të njëjtën humbje, shkruan KultPlus.

‘Me pas ditë se ish’ kènë i fundit përqafim t’kisha rrok pak ma shumë, pak ma shumë, pambarim’, janë vetëm rreshtat e parë që krahas mistikes që mbanë në vete lidhja baba dhe djalë, shprehin mall të pafund e të pashoq.

Në një intervistë për KultPlus, Vlashent Sata tregon se kënga ‘Frymë’ mbanë në vete një ndër tekstet më personale, por më të vështira për tu shkruar.

“’Frymë’ është këngë më personale se flet për dhimbjen më të madhe, që është humbja e babait tim, e që besoj që ju ka fol shumë njerëzve që kanë humbur njerëzit e vet. Teksti ka qenë mjaft i vështirë për tu shkruar sepse nuk dija se çka doja të thoja. Më ka marrë plot dy muaj si këngë që të finalizohet komplet’’, thotë kantautori.

Sipas tij kënga flet për momentet e fundit nga periudha kur ti nuk do të jesh më njësoj, ato sekondat që nuk e dijmë që është hera e fundit që përqafon një njeri të dashur, që e dëgjon për të fundit herë, para se jeta të shembet, kurse e vemja shpresë të ngelet horizonti.

‘Frymë’ krahas ndjeshmërisë së madhe që posedon brenda tekstit, ka dhe një tjetër ndjeshmëri po aq të madhe në videoklipin e këngës, ngase mesazhi i saj përcillet dhe përmes kukullave, loja e të cilave sjellë përditshmërinë, dhe lidhjen e një prindi me fëmijën e tij, në një dimension krejtësisht ndryshe.

“Është kënga e vetme që mund ta shikosh po qa intensivisht sa mund ta dëgjosh. Mund të them është projekti më i veçantë që kam bërë, si një lloj ngushëllimi i dyanshëm mes publikut dhe meje, sepse dhimbja e humbjes së një prindi është diçka që nuk zhbëhet”, rrëfen Sata kur pyetet se pse zgjodhi kukullat për të përçuar mesazhin e tij.

Krejt në fund kantautori tregon se kënga është edhe një formë ngushëllimi për të gjithë njerëzit që kanë humbur dikë, me shpresën se dikur sado pak do të kaloj dhe nuk do të jetë nevoja që të shkruhen këngë të tilla./ KultPlus.com

Propozohet pushim pranveror për të gjitha shkollat

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Arbërie Nagavci ka mbajtur takim ku kanë marrë pjesë zyrtarë të MASh, përfaqësues të Kolegjiumit të DKA-ve, SBAShK-ut, Këshillit të Prindërve, IKShPK-së, drejtorë të shkollave dhe mësimdhënës.

Në komunikatën e MASh-it thuhet se takimi i sotëm është vazhdimësi e takimit të së premtes për të shqyrtuar mundësitë e organizimit të mësimit gjatë ditëve në vijim, respektivisht mundësinë e pushimit pranveror, zëvendësimin e ditëve të humbura gjatë këtij viti shkollor dhe mësimin plotësues për nxënësit e nivelit fillor dhe atyre që kanë mbetur prapa në mësime.

Ministrja Nagavci theksoi brengën e saj për cilësinë e mësimnxënies gjatë këtij viti të vështirë dhe sfidues shkollor, por theksoi se primar mbetet shëndeti i personelit arsimor dhe i nxënësve.

Ministrja, po ashtu, kërkoi bashkëpunimin e të gjithëve, në mënyrë që të menaxhohet sa më mirë që të jetë e mundur situata dhe të arrihet cilësi në mësimnxënie për aq sa është e mundur.

Të gjithë pjesëmarrësit në takim u pajtuan se është i nevojshëm pushimi pranveror për shkak të ngarkesës së madhe të mësimdhënësve gjatë punës me grupe, dezinfektimit të shkollave, si dhe për të zbutur situatën aktuale pandemike në arsim dhe atë në përgjithësi, shkruan atv.

Ministrja Nagavci kërkoi nga Kolegjiumi i DKA-ve që të deri nesër të dalin me rekomandime rreth çështjeve që u diskutuan, në mënyrë që të merret një vendim i qartë dhe të gjithë akterët e përfshirë në arsim të informohen me kohë./ KultPlus.com

Del nga shtypi “Maqedonia” e Buxhovit në gjuhën angleze

Botuesi amerikan “Jalifat Pulishing” nga Houstoni, këto ditë nxjerr nga shtypi librin historiografik “MACEDONIA – FROM ANTIQUITY TO OUR TIME”, të përkthyer nga Avni Spahiu.

Pritet që libri që ka 677 faqe, i botuar në shqip në vitin 2019 “MAQEDONIA NGA ANTIKA DERI TE KOHA JONË”, fillimisht të promovohet në disa qytete të SHBA-ve (Çikago, Detroit, Nju Jork, Dallas e Boston) dhe pastaj të promovohet edhe në Shkup, Tetovë dhe qytetet tjera shqiptare në Maqedoni. Botuesi planifikon që krahas Kosovës dhe Shqipërisë, të promovohet edhe në Turqi dhe disa qendra të tjera evropiane.

Siç ka ndodhur edhe me “Kosovën” në tri vëllime të përkthyer në anglisht në vitin 2014, botuesi “Jalifat Publishing” , librin “Macedonia – from atiquity to our time” do ta dërgojë në Bibliotekën e Kongresit Amerikan, në të gjitha institutet hulumtuese shkencore amerikane si dhe bibliotekat e universiteteve amerikane.

Botuesi amerikan vlerëson se përkthimi i këtij libri në anglisht si dhe plasimi i tij në qarqet shkencore dhe universitare amerikane por edhe botërore në përgjithësi, është me interes të veçantë, ngaqë përhap të vërtetën rreth Maqedonisë si pjesë e botës ilire nga antikiteti, të përvetësuar nga grekët, siç përhapë edhe të vërtetën se në shtetin e sotëm të quajtur Maqedoni e Veriut, të shtrirë në pjesën më të madhe të Dardanisë antike dhe më vonë në vilajetin e Kosovës, ndërlidhet identiteti historik, etnik, shpirtëror, kulturor dhe politik i shqiptarëve nga lashtësia i mohuar nga historiografia hegjemoniste serbe, ruse, bullgare dhe ajo e sajuara “maqedone” me ç’rast ata paraqiten “ardhacakë”, “pushtues”, “zullumqarë” të ardhur në këto hapësira nga shekulli XVII e këndej me ndihmën e osmanëve!

Mbi këto platforma, nga Kriza Lindore e këtej, janë ndërtuar edhe hartat e reja të shteteve në pjesën evropiane të Perandorisë Osmane, ku hapësira etnike dhe ajo shpirtërore-kulturore e shqiptarëve është copëtuar nga shtetet fqinje (Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia). Ato u kanë sherbyer edhe programeve antishqiptare nga shpërnguljet e deri te etnocidet dhe gjenocidet, siç ka ndodhë në vitin 1878, 1912, 1944 për të vazhduar edhe me konventat me Turqinë për shpërnguljen e tyre në vitin 1938 dhe 1953.

Prandaj, i konceptuar mbi këta faktorë dhe i mbështetur mbi fakte të qëndrueshme historike, libri përhapë të vërtetën për vendin dhe rolin e shqiptarëve në këtë shtet të krijuar politikisht në vitin 1944 nga Titoja (fillimisht si pjesë e federatës jugosllave në përputhje me vendimet e AVNOJ-it të vitit 1943) dhe në vitin 1991, me ç’rast ata do të diskriminohen qoftë si pakicë kombëtare gjatë Jugosllavisë së Titos, qoftë me statusin e qytetarisë “me të drejta njerëzore” në rrethanat e shpalljes së Maqedonisë shtet-komb.

Duke elaboruar edhe zhvillimet më të reja nga shpallja e shtetit të Maqedonisë në vitin 1991, krahas kritikës që u bëhet politikave hegjemoniste veçmas asaj serbe dhe maqedonase, të cilat, në forma të ndryshme, vazhdojnë edhe në rrethanat e reja, por tash me perfiditet dhe duke shfrytëzuar faktorët gjeopolitikë rajonalë, autori, me sy kritik, vlerëson edhe rolin e faktorit politik shqiptar nga viti 1991 e këndej, ngaqë nuk kanë qenë në gjendje ta mbrojnë pozicionin e referendumit të vitit 1992 për statusin e popullit shtetformues mbi konceptin e një shteti federal-konfederal të dy popujve të barabartë (shqiptarë dhe maqedonas), dhe po ashtu, edhe luftën e UÇK-së të vitit 2001, të filluar me kërkesën për shtet federativ (shqiptar-maqedon), brenda një kohe do ta ndryshojnë për atë të “shtetit qytetarë” të të drejtave demokratike! Kjo do të pasqyrohet më së miri me Marrëveshjen e Ohrit, ku klasa politike që do të vijë në pushtet “me meritat e luftës”, nuk do të bëjë tjetër, pos do të shndërrohet në një vasale të politikës maqedonase, e cila, faktorin shqiptar do ta shfrytëzojë për qëllimet e njohura shtetmëdha, ku me anën e ngatërrimit të barazisë kushtetuese të gjuhës shqipe si parakusht i barazisë shtetërore me atë të barazisë ligjore të gjuhës, bëhet vetëmashtrimi dhe margjinalizimi i shqiptarëve në pakicë numrash! / KultPlus.com

Shfaqet premiera e filmit ‘Afër’, një përplasje mes artit filmik dhe melodive muzikore

Performancat e mahnitshme të Agona Shportës dhe Visar Kuçit mbrëmë kishin zënë vend në ekranin e madh të Kino Armatës. Ishte filmi “Afër” i regjisorit Leart Rama që po shpaloste një “koncert” po në një formë ndryshe, kësaj radhe para një dëgjuesi të vetëm përballë syve të tyre. Melodia e instrumenteve la gjurmë melankolike në shpirtin e secilit njeri, kurse fragmentet e xhiruara në dy qytete u gërshetuan mes vete në imazhe unike, shkruan KultPlus.

Filmi “Afër”, dokumentoi performancat e violinistit, Visar Kuçi dhe këngëtares, Agona Shporta. Interpretimi i tyre ishte i hapur dhe u zhvillua në mesin e një boshllëku para një publiku njëanëtarësh, ku gjithsej ishin 15 dëgjues nga moshat më të ndryshme, të cilët u xhiruan në këndvështrime të ndryshme por që secilit iu vu në pah adhurimi, dashuria dhe pasioni për performuesin dhe talentin e tij.

Nën melodinë e pianos dhe zërit pushtues të Agona Shportës, ku me punën e dalluar të regjisorit, solli një ndjenjë aq të ngrohtë të cilën kohëve të fundit shumica nga ne nuk po e përjetonim. Magjia e saj bëri që mendjen dhe zemrën e të pranishmëve, ta ringjallë përsëri me shpresë apo qoftë edhe me dëshirë për të dëgjuar muzikën klasike më tepër se zakonisht.

Ndërthurja mes muzikës, instrumenteve dhe artit filmik ishte një eksperiencë e veçantë në vetvete, e cila solli një qasje unike, me ç’rast u personifikua si një dokumentim artistik i kohës dhe përjetimeve tona në një periudhë sensitive për secilin nga ne. Pikërisht këto performanca ngjasonin me ato që kemi përjetuar në koncerte por në këtë rast, protagonistëve iu desh që të mbanin 15 koncerte për 15 dëgjues, kurse sot gjatë shfaqjes së filmit ky koncert u shndërrua në një koncert për audiencën e pranishme. 

Filmimi i fragmenteve ndërhyrëse ndaj performancave të dy protagonistëve, solli një frymë terapeutike në të cilën shumica zbuloi vetën në të, e disa nga këto fragmente përfshinin hënën e plotë me ç’rast gjysma e saj ishte e mbuluar nga retë, ndërtesat mbi të cilat lulëzonin pemët të cilat arritën që shpresën ta rikthejnë përsëri me idenë se diçka e re do të lulëzojë së shpejti, e po ashtu edhe zogjtë që fluturuan dhe njëkohësisht transmetuan lirinë e botëve të brendshme të secilit njeri dhe llojllojshmërinë e tyre.

Sekuencat e secilit objekt, e secilit qiell shumëngjyrësh, e secilës fije të flokut, dhe syve mallëngjyes të dëgjuesve, të xhiruara nga kënde të ndryshme por në të njëjtën hapësirë boshe, sollën një mbizotërim pothuajse hyjnor në aspektin e përcjelljes së emocionit përmes ekranit digjital.  

Përpos sekuencave të këtij lloji, ishin edhe ato pjesët e shkurtra në film të cilat ngjasonin me pyetjet se ‘A mundem me t ‘përqafu?’, një pyetje e drejtuar nga një dëgjuese drejt Agonës, ku u pasua me një përgjigje: ‘Pas mbylljes së kamerave”, nëpërmjet së cilës publikun e futi në një moment argëtues, një ndërhyrje kjo po e njëjtë si ajo e regjisorit në mes të performancave dhe peizazheve. Po ashtu në film u bë pjesë edhe kënga e njohur ‘Qengji i vogël’, që iu dedikua një vogëlusheje për të cilën buzëqeshja ishte e pranishme gjatë tërë kohës. Kurse fundi i filmit përfundoi me një përqafim të zjarrtë dhe të ngrohtë mes dy protagonistëve, të cilët arritën të interpretojnë talentin unik të tyre, secili në formën e tij më të mirë.

I xhiruar në kuadër të edicionit të 15-të të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës ‘DAM’, në bashkëpunim me Fondacionin Lumbardhi, regjisori Rama fitoi besimin e organizatorëve së pari me dokumentimin e periudhës së vetizolimit përmes “Corona Diary”, pastaj për të dokumentuar një periudhë me të cilën tashmë jemi akomoduar. Vizioni i tij i cili shpalosi përplasjen mes imazheve të cilat u përcollën nën tingujt e kitarës, pianos, violinës dhe jo vetëm, shpalosi një magji artistike.

Filmi nëpërmjet rrjedhës muzikore dhe peizazheve të paraqitura, formoi një ide se ishte pothuajse një përmbledhje e një viti pandemie. Prandaj në pamundësi të zhvillimit të edicionit të 16 të festivalit “DAM”, Dardan Noka për publikun tregoi që vështirësitë nuk munguan por as edhe falënderimet.

“I falënderohem Agonës dhe Visarit që kanë pranuar që të sfidojnë veten dhe të interpretojnë 15 paraqitje brenda një dite për 15 persona dhe Leartin që është dashur të dëgjojë 15 performancat rreshtazi”, u shpreh Noka.

Ndërsa, në mesin e diskutimit, pas filmit u shpreh edhe dëshira për perfomanca të tilla, ku edhe vetë këngëtarja u shpreh se do të kishe dëshirë të përsëriste lloje të performancave të tilla por shpreson për një audiencë më të madhe.

“Nëse sot do të performoja, do të kisha pasur dëshirë që secila ulëse të ishte e mbushur dhe të eksperimentoja edhe një herë po njëlloj”, thotë Shporta.

Po ashtu, për eksperiencën e tij gjatë xhirimeve, foli edhe vetë regjisori i cili tha se për herë të parë po përjetonte një gjë të tillë sepse ishte inspiruar shumë nga vetë performuesit, dhe e la veten që ata të drejtonin atë gjatë xhirimit të filmit sepse për të më shumë ishte një koncert sesa një film.

“Unë përdora natyrën e Agonës për të shprehur melankoliken në film ndërsa për editimin u inspirova nga mënyra se si Visari interpreton muzikën, prandaj edhe shikuesi ndonjëherë mund të jetë konfuz sepse Visari ka luajtur shumë instrumente në të njëjtën kohë dhe jo domosdo publiku ka dëgjuar atë se çka është xhiruar në atë moment”, shprehet Rama.

Në skenën e Kino Armata nuk munguan as edhe fjalët e vetë mjeshtrit të koncertit, Visar Kuçit i cili tregoi se dje e ka parë për herë të parë filmin dhe ishte çuditur me atë çka ka parë sepse nuk i mbante mend gjysmën e asaj se çfarë ka ndodhur.

“Ka pasur shumë momente ku nuk përshtatet ajo së çfarë dëgjohet me atë se çfarë shikohet sepse një instrument i incizuar ka qenë duke luajtur kurse në moment është shfaqur një instrument tjetër. Pra keni parë shumë skena që nuk keni mundur të dëgjoni atë se çka në të vërtetë po luhej. Prandaj mendoj se sonte është nata e Leartit”, përfundon Kuçi.

Kurse tutje për idenë e realizimit të këtij filmi, Noka tregon se burimi i inspirimit kishte rrënjë nga një eksperiment, të cilin vetëm Learti mund ta dokumentonte në formën e tij më të mirë.

“Në vitin 2009, në kohën kur krejt tentonin të mbushnin sallat, është formuar një eksperiment për të krijuar një performancë përballë një personi, kur atëherë ishte kritikuar mjaft shumë sepse ishte e pakuptimtë. Prandaj në pandemi na është kujtuar ky moment i një kompozitori”, shpalos Noka.

Premiera e filmit e xhiruar në kuadër të edicionit të 15-të të Festivalit “DAM”, ku së pari u shfaq në DokuKino në Prizren, tanimë u shfaq edhe në Prishtinë me një frymë ndryshe por për shkak të masave parandaluese të Covid-19, numri i pjesëmarrësve ishte i kufizuar. Pas shfaqjes së filmit, të pranishmit patën mundësi të ishin pjesë e diskutimit me protagonistët, regjisorin dhe producentët. / KultPlus.com

“In The Earth” filmi i frikshëm që prek temën e pandemisë

Është lansuar trileri i parë i filmit të ri horror që në njëfarë mënyrë e prek temën e pandemisë, “In The Earth”.

Me regji të Ben Wheatley, filmi është xhiruar brenda katër javësh në gusht të vitit të kaluar, dhe në të luajnë aktorët: Joel Fry, Reece Shearsmith, Haley Squires, Ellora Torchia, Mark Monero dhe John Hollingworth.

Ndërsa bota kërkon një kurë ndaj virusit katastrofal, një shkencëtar dhe një skautist udhëtojnë thellë në pyll për një kontroll rutinë të pajisjeve. Përgjatë natës, kjo aventurë shndërrohet në një udhëtim të tmerrshëm në zemër të errësirës së ​​pyllit që po merr jetë përreth tyre.

Regjisori Ben Wheatley e përshkroi këtë projekt diçka më ndryshe, të guximshëm dhe të ndyrë, si dhe e quajti një film post-COVID.

“In The Earth” do të lansohet nëpër kinema nga 18 qershori. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=2YYnSJF0fcY

Qindra nominime për çmimin e letërsisë për fëmijë “Astrid Lindgren”

Më shumë se 250 autorë nga 68 vende janë nominuar për çmimin letrar për fëmijë ”Astrid Lindgren” të këtij viti, një nga çmimet më prestigjioze në botë.

Çmimi vjetor, me vlerë 5 milionë korona (574 000 dollarë), pritet të shpallet sot.

Listat përfshijnë kandidatë që shkojnë sipas rendit alfabetik nga Sayyed Nader Musava, i cili promovon leximin në Afganistan, tek Ken Wilson-Max, një ilustrues nga Zimbabweja.

Qeveria suedeze vendosi çmimin në 2002 për të nderuar shkrimtarët dhe ilustruesit e letërsisë për fëmijë dhe të rinj, si dhe ata që promovojnë leximin në frymën e autorit suedez Astrid Lindgren.

Ajo vdiq në 2002 në moshën 94 vjeçare, pasi kishte krijuar karaktere të shumta të trilluara popullore, përfshirë Pipi Çorapegjata./ atsh / KultPlus.com

Lansohet strategjia për mbrojtjen e të drejtave të njeriut

Është lansuar sot strategjia e Institucionit të Avokatit të Popullit 2021 – 2025, qëllimi i së cilës është të kontribuojë në rritjen e ndikimit të punës së Avokatit të Popullit në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe lirive fundamentale si dhe në parandalimin e shkeljeve nga ana e institucioneve publike.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj tha se strategjia 2021 – 2025 ka rezultuar pas një vlerësimi të detajuar, teksa shtoi se me ndikimin e shtuar të këtij institucioni arrihet vetëdijesimi i publikut për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

“Me strategjinë e institucionit të Avokatit të Popullit synojmë fuqizimin e Avokatit të Popullit dhe avancimin e të drejtave të njeriut në vend. Kjo strategji është një dokument që ka për synim që të nxjerrë Avokatin e Popullit institucionin më të besueshëm, është një produkt që ka dalë si rezultat i një bashkëpunimi disa vjeçar. Mbrojtja dhe mbikëqyrja e të drejtave të njeriut do të jenë prioritet i Avokatit të Popullit gjatë viteve 2021 – 2025”, tha ai.

Ndërsa këshilltarja e Avokatit të Popullit, Rozafa Selmanaj bëri të ditur pesë qëllimet strategjike të kësaj strategjie, ku secila prej tyre përmban një numër të objektivave specifike, e që janë: mbrojta dhe mbikëqyrja e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut përmes ndikimit të Avokatit të Popullit në përmbushjen e mandatit të tij, promovimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe roli i IPA-së, promovimi i Objektivave Zhvillim të Qëndrueshëm si dhe zhvillimi i mëtejmë i kapaciteteve institucionale dhe i burimeve institucionale dhe burimeve njerëzore të IAP-së.

Kurse shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Frank Power tha se kjo strategji do të jetë instrument i rëndësishëm në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve të Kosovës. / KultPlus.com

Superjahti luksoz me të cilin mund të eksplorosh botën nënujore

Së shpejti mund të kemi superjahte luksoze, të cilat falë një dizajni të ri mund të të transportojnë në thellësitë e oqeanit brenda disa minutash.

Koncepti Hydrosphere është përshkruar nga projektuesit e saj “Gresham Yacht Design”, si një mundësi unike për të eksploruar botën nënujore, duke ofruar një përvojë të jashtëzakonshme për të apasionuarit.

Zbulimi i këtij koncepti të ri nga Gresham Yacht Design po konsiderohet si fillimi i një mënyre të re të përjetimit dhe studimit të oqeanit, dhe vjen ndërsa kërkesa për zhytjet personale po rritet.

Kompania thotë se çmimi për këtë projekt është i vështirë të përcaktohet, pasi do të përfshijë ose rindërtimin e një jahti ose ndryshimin e një ekzistuesi.

Po ashtu, projektuesit thonë se koncepti ka marrë shumë interes, kështu që ekziston një shans që ai të realizohet brenda viteve të ardhshme.

“Teknologjia dhe mënyra e dijes për ta bërë këtë ide në realitet tashmë ekziston, kështu që nuk do të ishte e vështirë të ndërtohej. Kushdo që e do detin dhe dëshiron të zhytet në të, padyshim që do të tërhiqet nga kjo ide,” shton ai. / KultPlus.com

Shefja e imunizimit në IKSHPK: 70% e popullatës pritet të vaksinohet deri në fund të vitit

Me ardhjen e 24 mijë dozave të vaksinës Anti-COVID në Kosovë ka filluar vaksinimi i punëtorëve shëndetësorë.

Shefja e imunizimit në IKSHPK, Edita Haxhiu ka thënë se sot ka filluar procesi i vaksinimit ku po vaksinohen punëtorët shëndetësorë të Klinikës Infektive kurse në sallën “1 Tetori” janë duke u vaksinuar punëtorët e kujdesit primar e vijës së parë të frontit.

Ajo ka thënë se sipas planit shtetëror, janë planifikuar 3 faza të vaksinimit, dhe deri në 70 për qind të popullatës planifikohen të vaksinohen deri në fund të vitit.

Sipas saj, janë 280 persona të cilët do të vaksinojnë në gjithë Kosovën.

“Në sallën ‘1 tetori’ është planifikuar që 760 persona të vaksinohen gjatë ditës, ndërkaq në Klinikën Infektive sot dhe nesër do të vaksinohet stafi”, ka thënë ajo.

Tutje, ajo ka shtuar se nga e enjtja do të fillojë vaksinimi edhe në komunat e tjera të vendit.

“Nga e enjtja fillon vaksinimi edhe në komunat e tjera. Në të gjitha rajonet se pari do të vaksinohen punëtorët shëndetësorë, e pastaj moshat mbi 80 vjet. Secili qytetar do të lajmërohet se kur e ka datën e vaksinimit”, ka deklaruar ajo.

Drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka thënë se sot është ditë e mbarë dhe se Kosova po i bashkohet vendeve tjerë për vaksinimin e personelit shëndetësor dhe qytetarëve.

Ai ka bërë thirrje që edhe më tutje të respektohen masat anti-COVID, duke bërë thirrje që qytetarët të mos hezitojnë të marrin vaksinën.

“Ne jemi të vetëdijshëm që ky proces do të marrë kohë dhe qytetarët duhet ta kenë durimin. Vaksina është e sigurt dhe qytetarët duhet të ndihen të sigurt ta marrin. Sot kemi mbi 900 pacientë të shtrirë, prej tyre 37 janë në gjendje kritike dhe rreth 700 pacientë me oskigjenoterapi. Do të vaksinohem edhe unë”, tha ajo. / KultPlus.com

“Më shumë parapëlqej të pikturoj sytë, sesa katedralet, sepse tek sytë ka diçka që nuk e gjen te katedralet”

“Më shumë parapëlqej të pikturoj sytë, sesa katedralet, sepse tek sytë, ka diçka që nuk e gjen te katedralet, edhe nëse ato janë madhështore dhe n’a sugjestionojnë…”
Van Gogh


30 mars 1890, dita e lindjes se Vincent van Gogh në Auvers-sur-Oise.

Një ditë me Van Gogh në Auvers-sur-Oise

Po zbrisja fushat e shkreta të kodrinës në Auvers-sur-Oise, përmbytur nga korbat e zinj që ende vinin vërdallë në qiell. Ishte korrik, por fushat me grurë që pikturonte Vincent Van Gogh nuk ishin më. Ishin fusha të shkreta. Dëgjoja krakëllimat e korbave dhe zbrisja për tu ndalur pak më tej ku mendoja se pikërisht aty duhej ta kishte qëlluar veten Van Gogh…
Ishte 27 korrik i vitit 1890 kur ai shkrehu armën pa e prekur zemrën. Sigurisht, do të donte të vdiste menjëherë në atë fushë gruri. I rrëzuar, i ngritur, me hapa të hedhura si një i dehur, ai kishte mundur të vinte deri në bujtinën e tij. Poshtë, çifti Ravoux kalonte mbrëmjen si të gjitha mbrëmjet e tjera, në bisedat e rëndomta të një jete të plogësht fshati. Hyrja e tij ishte e çuditshme, ndryshe nga herët e tjera dhe ata e vunë re ikjen e hepuar të qiraxhiut të tyre piktor që shkoi pa i përshëndetur si zakonisht, ashtu si një hije. Ai u ngjit në dhomë dhe ata prisnin që të zbriste. Atëherë, meqë ai nuk zbriti dhe ora kaloi, zoti Ravoux u ngjit vetë në shkallët e drunjta, drejt asaj dhome të mjerë, të zhveshur, veç me një krevat, një komodinë, një karrige… E pyeti se ç’kishte. Atëherë Vincent hapi xhaketën dhe i tregoi plagën në gjoks: «Doja të vrisja veten por nuk arrita dot ta bëja këtë!” – i tha ai me një të qeshur të hidhët.
Ravaux zbriti me nxitim të thërriste një mjek. Kërkoi doktorin Gachet. Ai erdhi e bashkë me të, më pas dhe një mjek tjetër. Të dy mjekët i lidhën plagën. Gjaku u pastrua por plumbi ishte brenda në trup, diku… Vincent kërkoi llullën e tij dhe e ndezi. Nuk fliste. Ishte i humbur, i vetëm në këtë botë. Menjëherë Gachet kishte njoftuar një mikun e Théo-s, piktor dhe ky që më së fundi të lajmëronte Théo-n që ishte në Paris. Kur Théo hyri në dhomën ku ai ishte shtrirë, Van Gogh i tha: “Dështova përsëri!»… Théo qante për fatin e vëllait të tij. – «Mos qa vëlla! Kështu është më mirë. Më mirë për ju, e bëra për të mirën e të gjithëve».
Orët kalonin. Meqë Vincent ndjehej gjithnjë e më keq, Théo njoftoi me një telegram gruan e tij Johana që të vinte dhe ajo. Por infeksioni i plagës po e linte atë pa frymë. Théo vinte rrotull pa mundur ta ndihmonte vëllain e mjerë e të pafat. I mori kokën në duar, i ledhatonte ballin… «Mos qa vëlla… – i thoshte përsëri Vincent, që dergjej në dhembje gjithnjë e më shumë, – doja të ikja për të mirën e të gjithëve, për mua, për ty, për Vincentin e vogël…» Pastaj, pas një kohë të gjatë me atë frymë të rënduar, Van Gogh gulçoi dhe vështroi nga vëllai: «Théo, mermë… Dua të kthehem në shtëpi!»
Erdhi mbrëmja dhe më pas ra nata. Ai nuk ndjehej më. Vallë ishte gjallë? Kishte vdekur?… Jo, ende… Më pas u dëgjua dhe një gulçimë e fundit. Me sa duket, e fundit. Ishte ora një e gjysmë e mëngjesit në një natë të errët, por me yje… si yjet që pikturonte Van Gogh. Ishte data 29 korrik. Auvers-sur-Oise flinte gjumë. Ata nuk e dinin se një piktor i madh sapo kishte vdekur në atë bujtinë të mjerë… Një artist në moshën 37 vjeçare sapo kishte vdekur. Tepër i ri, njëlloj siç do të vdiste një vit me vonë poeti Rimbaud, poeti i Zanoreve (Voyelles), që shikonte në to ngjyra, veç ngjyra… Në mëngjes, Ravoux, gruaja dhe vajza e tij, doktori Gachet, Théo, Johana e të tjerë, u mblodhën rreth të vdekurit. Gachet i vizatoi portretin. Meqë prifti nuk erdhi (ai nuk pranoi të varrosë një të vetvrarë – Zoti i madh nuk i pranonte ata!), Théo vendosi t’i bënin një varrim të thjeshtë dhe mos ta çonin atje, në atë kishë që ai e kishte pikturuar aq bukur, me ato ngjyra të rënda kobalti, pa e ditur se një ditë mund të ishte i shtrirë atje, në një arkivol të thjeshtë druri… Jo, nuk kishte ndodhur ashtu. Trupin e tij e nxorrën në heshtje dhe e përcollën drejt e në varreza, në majë të asaj kodrine që Vincent ngjiste çdo ditë, nën një diell të tmerrshëm që digjte dhe ku tutje, shquheshin ca lule dielli, lulet e dashura të tij. Kush i kishte pikturuar ato lule më bukur se ai në këtë botë? Cili vallë? Nga Parisi kishin ardhur disa miq të Théo-s, piktorë, që ju vinte keq për ikjen e atij artisti të vetmuar. Para varrit, doktor Gachet nuk arriti dot të fliste për pacientin dhe artistin e tij, pasi e mbytën lotët. Van Gogh hynte në dhé, mbulohej me dhé dhe tani një natë e errët ishte mbi kryet e tij, pa yje, një natë e zezë e pikturuar si në Saint Remy de Provence, dhe sytë e mbyllur përjetësisht. Artisti… Në shtypin periferik të qytezës Pontoise, jo larg Parisit, në L’Echo de Pontoise, një shënim i shkurtër ishte botuar të nesërmen: ”Auvers-sur-Oise. E djelë 27 korrik. Një i quajtur Van Gogh, hollandez dhe piktor, ka qenë kalimthi në Auvers dhe në fushë e qëlloi veten me revolver, por meqë u plagos, ai u kthye në dhomën e tij dhe të nesërmen vdiq.”
Vetëm 70 ditë në Auvers-sur-Oise të Van Gogh… dhe ato 70 ditë janë periudha e artë e veprës së tij, më prodhimtarja dhe koha kur u ngjizën pikturat më të jashtëzakonshme: Kisha e Auvers-sur-Oise, Fusha e Auvers-sur-Oise, Kështjella… Brenda dy muajve, 75 tablo të mëdha dhe 35 vizatime… një punë titanike! Kur ishte kthyer nga jugu i Francës në Paris, ai kishte qëndruar disa kohë në Paris, pranë vëllait të tij, por askush nuk kishte interes për pikturën tij, dhe ai e kuptonte dëshpërimin e të vëllait, edhe pse atë vetë kjo gjë nuk e dëshpëronte dhe aq shumë. Për të kishte rëndësi të jetonte me pikturën, të punonte, të zgjohej dhe të flinte pranë kavaletit të tij.
Ato ditë në Paris, Théo i kishte folur për krizën e shitjes së pikturave në përgjithësi dhe se shitja e tablove të artistëve të tjerë, por edhe të tij, nuk po ecte. Varfëria trokiste në derën e çiftit hollandez, në atë apartament të vjetër parisian ku banonte Théo me Johanën dhe Vincentin e vogël. Pra vëllai s’mund ta ndihmonte më si më parë, duke i siguruar bojrat, pëlhurat, duke e nxitur gjithnjë për artin e tij dhe se mundi nuk do t’i shkonte kot. Kjo gjë Van Gogh-un e dëshpëroi pa masë. Ndjeu një fajësi të madhe sikur ai ishte shkak i halleve të mëdha që e kishin pllakosur vëllain e tij. Edhe pse i kishte parë tablotë e tij të hedhura ashtu në atë apartament, nuk i kishte ardhur më keq, sesa kur pa fytyrën hijerëndë të të vëllait… Kur kishte shkuar në bodrumin e mikut të Théos, tregëtarit Tanguy dhe kishte parë tablotë e tij të hedhur atje, ishte tmerruar. Sikur kishin flakur fëmijët e tij. O Zot!… kishte pëshpëritur Vincent!… Dhe ashtu, me zemër të vrarë për të vëllain dhe pikturat e tij, ai ishte detyruar të nisej drejt Auvers-sur-Oise, rreth 60 kilometra larg Parisit, një vend paqeje dhe për piktorë të tjerë.
Në gjithë jetën e tij si piktor, Van Gogh kishte mundur të shiste vetëm një tablo dhe kjo ishte Hardhi e kuqe, për 400 franga. Kjo kishte ndodhur veç një muaj më parë… 400 franga, ja shpërblimi i gjithë atyre viteve punë, përpjekje, ëndrra… Kishte zbritur në stacionin e vjetër të atij vendi të gjelbëruar me katër telajo të bardha dhe një letër për doktor Gachet. Katër telajo dhe bota që i vinte vërdallë në kokën e tij me atë shpirt të trazuar. Katër telajo dhe një vend për të fjetur në katin sipër bujtinës me 3,5 franga nata përfshi dhe ushqimin. A nuk i kishte thënë Théo-s se “të pikturoj, kjo gjë do të ishte ilaçi më i mirë”? E megjithatë trishtohej dhe menjëherë i shkruante Theo-s: “Ndjehem i dështuar. Ky është fati im dhe kjo s’do të ndryshojë më… Megjithatë, duke lënë mënjanë ambicjen time, ne mund të jetojmë bashkë pa rrënuar njëri-tjetrin”. Përse vallë i shkruante kështu?…
Atje në Auvers-sur-Oise, buzë lumit Oise, Vincent kishte gjetur strehë në bujtinën e çiftit Ravaux, atje kishte gjetur dhe doktor Gachet që do të kujdesej për gjendjen e tij dhe ku ditë më vonë do të pikturonte portretin e tij. Atje do të bridhte nëpër fshat për të hedhur në telajo atë çka shikonte e pëlqente syri i tij, me ngjyrat që dote ai, me penelatat e tij ndryshe nga të tjerat, me atë shqetësim dhe dramacitet që ndihet në tablotë e tij. Théo i shkruante letra t’i ngrinte moralin, e po ashtu edhe Johana i shkruante. Atëherë Vincent i përgjigjej Teos se “letra e saj ishte evangjelike, si një çlirim nga një ankth në një kohë që të gjithë bashkë ndjejmë rrezikun për bukën tonë…”. Në një letër tjetër Vincent i shkruante të vëllait: “… U ktheva… mora fuçën, e cila pothuaj më bie nga dora… kam pikturuar tri tablo. Janë sipërfaqe të mëdha me grurë, me një qiell të shqetësuar, në një vetmi ekstreme…”
Jo shumë kohë më parë dy tablo të tij ishin paraqitur në “Sallonin e të Pavarurve” që organizohej atëherë në Paris. Vetëm dy tablo në një ekspozitë, ja jeta e një piktori të dëshpëruar… Megjithatë ato ishin tablo që do të hynin në historinë e mëvonshme: Irisët dhe Nata me yje… Dhe tani ai pikturonte fushën me grurë të kodrinës së Auvers-sur-Oise, “Fushë gruri nën një qiell me re (Champs de ble sous un ciel nouageux)… Pastaj po ajo fushë me grurë dhe korba, Fushë gruri me korba (Champs de ble aux corbeaux), qiej të shqetësuar dhe ato njolla të zeza që vinin rrotull në atë qiell të kaltër me re… Korbat!
Në letrën e tij, siç dukej bëhej fjalë për tablonë Fusha e grurit me korbat… Korbat si lajmëtarë zie. Njolla të zeza në atë të artë gruri. Qiej të thellë, blu e fortë, e errët, thellësi kuadri, dinamizëm i asaj që ishte atje tej si të ishte një qiell e tokë tjetër, ndoshta një vend tjetër për të shkuar… vallë dëshira e piktorit? Sigurisht… Tashmë edhe me doktor Gachet ishte zemëruar… Nuk e përmend më as në letrat e tij. Por doktori e donte hollandezin e gjorë. Dhe piktori i bindet. Punonte, ngjitej drejt kodrës në mëngjes dhe kthehet në bujtinë në muzg.

Adhuruesit e piktorit

Van Gogh nuk arriti t’i njohë adhuruesit e tij edhe pse e dinte se një ditë vepra e tij do të vlerësohej. Ata u shfaqën vonë. E kështu, gjithë bota do t’a adhuronte. Po kështu dhe shqiptarët… Më kujtohen gjithnjë tablotë e para që kisha parë nga veprat e piktorit. Sigurisht në revista. Në fillim, në shtëpinë e Ali Osekut, në një album të madh, ku piktori më tregonte me entusiazëm veprën e Van Gogh-ut. Atëherë në Tiranë, në fillimin e viteve 70-të, në rrethet e studentëve të artit si dhe ndër piktorët flitej ngado për këtë piktor. Vlash Droboniku, miku im i Kinostudios, fliste parreshtur për të e po kështu Gazmend Leka, Bujar Luca… Maks Velo na e tregon me një ironi therrëse sesi në hetuesi, i akuzuar për “joshjen ndaj artit dekadent borgjez” dhe “agjitacion e propaganda”, hetuesi i tij që e thoshte keq emrin e piktorit të madh e pyeste se cili na ishte ky Van Gong, pasi as që e kishte dëgjuar ndonjëherë në jetën e tij këtë emër. Ç’lidhje kishte Van Gogh me politikën e bunkerëve dhe të plumbit?… Të gjithë e adhuronin Vincent Van Gogh, piktorin me “veshin e prerë” kur ishte në jug të Francës dhe kur u grind me mikun e tij të ngushtë, piktorin Gauguin. Artur Muharremi, me të cilin punonim bashkë në Kinostudio, më kishte pikturuar një kopje të tablosë së piktorit Jeune fille au bois (Vajza në pyll) dhe Ullishtat të pikturuar nga Vincent kur ishte në Saint-Remy-de-Provence, të cilat i mbaja në dhomën time bashkë me nja dy pamje të prera revistash “Nata me yje” (Nuit etoilée) dhe “Kositësi” (Le Faucher). Ishin gjithnjë aty, të pranishme, ditën dhe natën, gjithnjë me magjepsjen pas penelit të trazuar, pas okrës dhe blusë së tij. Kur erdha në Paris që muajt e parë kërkova varrin e Van Gogh dhe aty mora vesh se Vincent nuk flinte në varrezat parisiane por 60 kilometra më larg, në Auvers-sur-Oise. Dhe unë shkova, mora rrugën për në Auvers-sur-Oise, midis një gjelbërimi të hatashëm.
Që nga ajo ditë pelegrinazhet e mia nuk kanë rreshtur, pasi sa herë vinin artistë shqiptarë në Paris unë i çoja te varri i piktorit të madh, aq sa m’u kthye në një lloj obsesioni. Kështu kam shkuar me Ali Osekun, Hasan Nallbani, Ilia Xhokaxhi, Edi Hila, Thoma Thomai, Vangjel Gjikondi… Kështu kam shkuar me miqtë e mi Artur Muharremi, Ylljet Aliçka e shumë të tjerë. Shkonim në varrin e piktorit, në atë varr ku krah tij, mbuluar të dy, përqafuar me një dredhëz jeshile të errët ishin dhe eshtrat e Teos, i cili pak kohë jetoi pas tij, pasi i sëmurë, i vrarë shpirtërisht dhe nga vdekja e vëllait, vdiq shpejt, duke lënë vetëm Johanën e tij bashkë me Vincentin e vogël, gjashtë muaj më vonë, në janar të vitit 1891… Dhe një ditë befasia ime ishte kur pikërisht në atë vend, gjeta dhe studion e një piktori shqiptar, Julian Tauland, të dashuruar pas Van Gogh… Dhe bashkë me të ne morrëm rrugën drejt fushës me grurë, atje ku piktori kishte qëlluar veten e tij… Ngritëm sytë në qiell dhe përsëri korbat… dhe Van Gogh që gjendej aty midis nesh, në imagjinatën tonë, në gjurmët e jetës së piktorit… Pikërisht ato ditë ishte rihapur legjenda sipas së cilës Van Gogh nuk kishte dashur të vriste veten, por se në kthim nga kodrina për në bujtinë, ai kishte ndeshur rrugës dy vëllezër të atij fshati që ziheshin dhe në përpjekje për t’i ndarë, dikush nga ata e kishte goditur padashje. Vallë e vërtetë? Historianët Steven Naifeh dhe Gregory White Smith thonë se kjo është e vërteta, por vështirë ta besosh, pasi Van Gogh do ia kishte thënë këtë ndodhi si zotit Ravaux ashtu dhe të vëllait Théo apo doktorit Gachet… Kisha e fshatit është po ajo që ka pikturuar Vincent në tablo që e bëri atë të njohur e ku gjithnjë vizitorët e shumtë nga e gjithë bota ndalojnë të bëjnë fotografi në oborrin e saj. Ti vështron kishën, fushat me grurë, qiellin e kaltër dhe të kujtohet paleta e këtij gjeniu të pikturës që kishte atë ndjesi të jashtëzakonshme të ngjyrës: “Në pranverë është e verdha, ngjyra e grurit të ri, me një jeshile të ngrohtë dhe mollët e kuqe rozë. Vjeshta ka konturin e gjetheve të verdha me tone ngjyrë vjollce. Dimri ka borën dhe personazhet e zeza. Pra, nëse në pranverë kemi ballafaqimin e ngjyrave blu me një element portokallie në grunajat ngjyrë bronxi të praruar, mund të bëjmë kështu një tablo që shpreh mirë atmosferën e stinëve me gjithë kontrastet e ngjyrave plotësuese (e kuqe dhe jeshile, blu dhe portokalli, e verdhë dhe vjollcë, e bardhë dhe e zezë)…”

Referenca universale

Pothuaj para një viti u hap në Paris një ekspozitë e Van Gogh duke vendosur krahë veprave të tij dhe interpretimin me tekstin e shkruar të Antonin Artaud. Dhe drejtori i Musée d’Orsay, Guy Cogeval kishte bërë një përzgjedhje të përkryer për të na treguar një tjetër “facete” apo këndvështrim në gjykimin e veprës së piktorit të famshëm. Edhe pse dukej se teksti i Artaud ishte disi i harruar, i shkruar në vitet e para pas lufte, ai tekst kishte një interpretim të jashtëzakonshëm të veprës së artistit të margjinalizuar nga shoqëria, pasi shkrimi i Artaud ishte një britmë e madhe e njeriut të dëshpëruar, Brenda saj ishte dhe britma e një poeti si Nerval apo vetë atij, pasi shoqëria i largoi këta artistë, sepse ata e shqetësonin atë.
Antonin Artaud e shkroi tekstin Van Gogh, le suicidé de la société (Van Gogh, i vetvrari i shoqërisë) në shkurt të vitit 1947, brenda tri javëve dhe për më tepër i shtyrë nga një revistë, e cila kishte botuar esenë e një psikiatri që e cilësonte Van Gogh-un si një “artist të dezikuilibruar”. Dhe kjo e tërboi atë. Atëherë, në Orangerie des Tuillerie në Paris sapo ishte hapur një ekspozitë e piktorit, pas shumë e shumë dekadash. Dhe kur Artaud kishte nxituar drejt asaj retrospektive dhe i kishte parë ato tablo, ishte magjepsur dhe tronditur njëkohësisht nga forca e gjeniut, pasi gjeti aty shëmbëllimin e vetes, në një periudhë të rëndë psikike, pas një rënie të madhe morale, edhe pse ai ishte një intelektual i rendit të parë, aktor dhe poet. Dhe ai tekst i shkruar në dhomën e tij të trishtë, ishte një klithmë e artistit kundër institucioneve, pasi siç shkruante Artaud, duke iu referuar dhe poetit Gerard de Nerval-it, «ai nuk ishte një i çmendur, por u akuzua si i tillë sepse po bëhej gati të tregonte ca të vërteta »… Vallë ishte kështu? Mundet, pasi raste të tilla artistësh e shkrimtarësh kanë ndodhur në botën e artit, ashtu siç çoheshin në çmendinë jo pak artistë në Bashkimin Sovjetik, apo Kasem Trebeshina dhe Selman Vaqarri në Shqipëri. Por sigurisht, Van Gogh s’kishte asnjë lidhje me politikën, por ishte e vërtetë që ai e ndjeu përjashtimin që i bënte shoqëria dhe së pari rrethi i artistëve zyrtarë. Pikërisht kundër kësaj ngrihej i revoltuar Artaud. «Van Gogh nuk ishte i çmendur! – shkruante ai në atë tekst të botuar si libër më vete, ku në kopertinë ishte një fushë me grurë. “Van Gogh, është poeti më i vërtetë i të gjithë piktorëve… Organist i një stuhie të ngrirë (në një telajo)!” Dhe padyshim, po të shohësh vetëm tablonë Fushë gruri me korba e kupton fare mirë thelbin e thënies së Artaud për Van Gogh si një “organist të një stuhie”… «Tani që po shkruaj këto rreshta, – vazhdonte më poshtë Artaud, – shoh fytyrën e përgjakur të poetit që vjen drejt meje, në një murale luledielli të zgaflluar… ai pikturon në konvulsion e sipër »…
Stuhia… po, një stuhi pikturale që vështirë të krijohet në kuadrin e një telajo, brenda një tabloje. Por kjo “stuhi” e Van Gogh, vinte pas një pune shumë vjeçare mbi paletën e tij, pas një pune të palodhur dhe udhë të shumta në një ethe të përhershme, siç dhe i shkruante vëllait të tij në një letër nga Borinage, më 1880: “Duhet të vazhdoj në këtë rrugë që kam nisur, pasi nëse nuk bëj asgjë, nëse nuk studjoj, nëse nuk kërkoj, atëherë jam i mbaruar. Mjerë unë atëherë! Ja si i mendoj gjërat: duhet të vazhdoj, të vazhdoj gjithnjë. Kjo është e nevojshme. Po cili është qëllimi përfundimtar, do thuash ti? Ky qëllim bëhet më i përcaktuar dhe ai skicohet ngadalë, por me siguri, ashtu si një “croquis” që kthehet në vizatim, si një vizatim që bëhet pastaj një tablo, punë që bëhet duke pikturuar seriozisht, duke kërkuar e duke u thelluar në idenë e turbullt të fillimit, disi fluturake e kalimtare gjersa ajo fiksohet mirë…” Dhe kështu nga viti në vit, nga tabloja në tablo, artisti ngjitej në rrugën drejt gjenialitetit. “Van Gogh, – shtonte Artaud, – është nga të vetmit që e ka tejkaluar pikturën, artin “inert” për të paraqitur thjesht natyrën, pasi ai bën të shfaqet me hov një forcë vibruese, një element i marrë drejtpërdrejtë nga thelbi i vet, nga zemra”… A nuk ishte kështu kur peneli i Van Gogh i jepte një tjetër “forcë vibruese” të njëjtës tablo që ai kopjonte nga Millet, duke e transformuar atë? A nuk thoshte ai se “në vend që të riprodhoj ngjyrat që kam para syve, unë i përdor ato në mënyrë arbitrare, që ta shpreh veten akoma më me forcë”?… Kjo ishte gjenia e tij.
Sigurisht, Van Gogh kishte problemet e tij, lidhur me ndjeshmërinë e jashtëzakonshme të tij, një brishtësi që sot konsiderohet si një “shqetësim bi-polar”, për çka disa herë u detyrua në Arles e gjetkë të ndiqej nga një psikiatër, dhe kjo kishte gjurmët e veta, gjurmë që vinin nga fëmijëria… Vallë një ndjesi faji, një hije që e ndiqte pas? Hija e vëllait që kishte vdekur para tij, pas lindjes dhe që i kishin quajtur me emrin Vincent? Dhe meqë ai nuk jetoi, më pas, kur ai lindi, i vunë po emrin Vincent? Vincent duhej të mbijetonte… dhe ja, piktori që endej nëpër Hollandë e Francë me emrin e një vëllai të vdekur, sikur ta mbante dhe atë në kurriz gjatë gjithë një jete, edhe pse një jetë fare e shkurtër, në erë e furtunë.
Nga ai korrik i vitit 1890 e deri sot kanë kaluar 126 vjet dhe fama e atij piktori të “mjerë” pushtoi jo vetëm botën pikturale por gjithë rruzullin. Tablotë e harruara të tij diku në një depo të Théo-s, do të ishin tablotë më të çmuara dhe më të shtrenjtat në historinë e pikturës. Dy stërnipa të Van Gogh erdhën këtë vit në Auvers-sur-Oise në jubileun e piktorit dhe përjetuan dhe njëherë ato imazhe të ditëve të fundit të Van Gogh, atë bujtinë të thjeshtë të çiftit Ravaux, atë dhomë gati bosh, me një krevat dhe një karrige të vizituar sot nga miliona njerëz, ku siç thotë Dominique-Charles Janssens, “Këtu s’ka asgjë për të parë, por gjithçka për të ndjerë”. Dhe ai që viziton atë dhomë përjeton vërtet një shpirt që endet në botën e tij të trazuar… Në vitin 1985, bujtina e çiftit Ravaux ishte në shkatërrim të plotë, një kafene e rëndomtë me mbishkrimin e vjetër “Commerce de vins-Restaurant” («Dyqan vere dhe restorant») por që mbarte një histori të madhe. Dhe ky njeri, me dashurinë për artin dhe së pari për veprën e Van Gogh, e bleu atë për ta kthyer në një vend pelegrinazhi për njerëzit e gjithë botës. Dhe turistët janë me mijra, si lumi i Oise, që rrjedh aty pranë, përjetësisht.
Duke u kthyer nga Auvers-sur-Oise, me një katalog në duar dhe një qiell të kaltër mbi sy, përpara m’u shfaq papritur pamja e asaj lule dielli të pikturuar nga artisti. Dhe menjëherë m’u kujtua ai fragment teksti ku Artaud shkruante: «Lule dielli në ngjyrë bronxi janë pikturuar nga ai. Janë pikturuar si luledielli dhe asgjë më shumë, por që të kuptosh një lule dielli të natyrës, tashmë duhet t’i rikthehesh Van Gogh-ut, ashtu si për të kuptuar stuhinë, nuk mund të mos i drejtohesh përsëri atij…» Kjo thënie mishëronte gjithçka ngjizte vërtet peneli i Van Gogh, pasi piktura e tij nuk ishte thjeshtë filozofi, poetikë, abstraksion, por që nga fillimet e veta e deri në fund, bota e tij ishte njeriu, fushat, mbledhësit e patateve, gratë e përvuajtura dhe njerëzit e vetmuar në ato dhoma të errta, pa dritë apo ato figura të përkulura mbi fushat e jetës, ishin korrësit dhe mbjellësit (Semeur au soleil couchant – Mbjellës në perëndim të diellit), pasi Van Gogh me mbjellësit e tij, mbillte kështu farën e një arti human… / Luan Rama / KultPlus.com

Sot, përkujtojmë 57-vjetorin e vdekjes së Eqrem Vlorës

Eqrem Vlora (1885-1964), i njohur gjithashtu si Ekrem Vlora, ishte politikan, diplomat, publicist, si dhe një prej delegatëve të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912.

Ai lindi në Vlorë në vitin 1885, i biri i Syrja bej Vlorës dhe Mihri Toptanit, anëtar i një prej familjeve më të pasura të jugut të Shqipërisë. Kreu liceun “Theresianum” në Vjenë dhe studioi për drejtësi në Stamboll. Shërbeu në poste me rëndësi në Perandorinë Osmane. Më vonë u bashkua me xhaxhanë e tij, Ismal Qemal Vlorën, në lëvizjen për pavarësinë e Shqipërisë. Pas shpalljes së Pavarësisë u zgjodh nënkryetar i Pleqësisë.

Ai ishte një mbështetës i njohur i Fuqive Qëndrore gjatë Luftës së Parë Botërore arsye për të cilën ai u arrestua nga italianët, por më pas u bë një promotor i marrëdhënieve të ngushta midis Italisë dhe Shqipërisë. Në vitin 1924 zgjidhet deputet i Vlorës në Asamblenë Kushtetuese dhe në 1925 u zgjodh senator. Ai ka shërbyer në misione të ndryshme diplomatike.

Në vitin 1928 u emërua ambasador i Shqipërisë në Londër e në 1930 në Athinë. Sekretar i Përgjithshëm i ministrisë së Jashtme në 1933 dhe deputet i Vlorës në 1937. Në vitin 1942, në qeverinë e Mustafa Krujës, emërohet ministër i Tokave të Lirueme (territoret etnike shqiptare të ish-Mbretërisë Jugosllave, që iu bashkuan Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore).

Në kabinetin e qeverisë së Fiqri Dines (1944) mbajti postin e ministrit të Punëve të Jashtme dhe të Drejtësisë. Eqrem Vlora dhe një seri nacionalistësh të tjerë ishin të mendimit se Shqipëria do të përfitonte më tepër politikisht duke zgjidhur problemin e vet kombëtar duke iu bashkëngjitur fuqive të Boshtit. Pas Luftës së Dytë Botërore emigroi në Itali e më pas në Austri.

Eqrem Vlora ka shkruar libra me kujtime, studime historike, kulturore e etnografike, si: “Aus Berat und vom Tomorr”, Sarajevë 1911 (“Nga Berati në Tomorr dhe kthim”, Tiranë 2003), “I dolori del popolo Albanese” (“Dhembjet e popullit shqiptar), “Lebenserinnerungen” I, II, Mynih 1968, (“Kujtime”, I, II, Tiranë 2001) etj. Ai vdiq më 30 mars 1964 në Austri.

Me rastin e 50 vjetorit të vdekjes eshtrat e Eqrem Vlorës kthehen në Shqipëri duke përmbushur kështu amanetin e tij për t’u prehur në atdhe. / KultPlus.com