Florence Welch rikthen Great Gatsby-n në skenë

Këngëtarja e njohur amerikane Florence Welch, do të krijojë muzikën e një shfaqjeje muzikore e cila bazohet në romanin e mirënjohur ”The Great Gatsby” të Scott Fitzgerlad, përcjell KultPlus.

Tashmë është bërë e ditur see tekstet do të shkruhen në bashkëpunim me grupin e saj, ndërsa Thomas Bartlett është përgjegjës për këngët.

Welch tha se ajo ishte shumë e entuziazmuar dhe se ‘shfaqjet muzikore janë dashuria ime e parë dhe unë ndjej një ndërlidhje të thellë me romantizmin e thyer të Fitzgeralds’.

“Ky libër më ka përndjekur për një kohë të gjatë dhe përmban disa prej rreshtave të preferuar më së shumti nga unë”.

Shfaqja muzikore do të ketë premierën në Neë York mirëpo ende nuk është caktuar data. / KultPlus.com

Përkujtohet artisti Esat Oktrova në ditëlindjen e tij të 91-të

Përkujtohet ditën e 91 vjetorit të lindjes një ndër artistët më me influencë në artin dramatik shqiptar dhe një ndër njerëzit që krijoj edhe literaturën e mësimdhënies në degën e regjisë pranë “UA”

Esat Oktrova u lind në qytetin e Pogradecit më 28 prill 1930 . Mësimet e para i mori në qytetin e Pogradecit dhe në shkollën e mesme në Korçë. Më pas vazhdoi Liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Fillimet e karrierës së tij si aktor ai i nisi më trupën e “Estradën e Ushtarit” në Tiranë, ku ra në sy talenti dhe përkushtimi që ai kishte për artin.

Menjëherë pas mbarimit të ushtrisë ai vijoi studimet e larta në Institutin e Lartë Shtetëror të Artit Teatral në Moskë, në Fakultetin e Regjisë. Pas përfundimit të studimeve, emërohet fillimisht regjisor e më pas Drejtor i Teatrit “Migjeni” në Shkodër.

Gjithashtu, ai ka qenë një nga pedagogët e shquar të Fakultetit të Artit Skenik në Akademinë e Arteve, në lëndën e regjisurës së teatrit, hartues i programeve dhe teksteve mësimore. Është shpallur “Qytetar nderi” i Pogradecit dhe i Shkodrës. Ka mbajtur titullin shkencor “Profesor” dhe është dekoruar me titullin “Artist i merituar”.

Esat Oktrova ndërroi jetë në Tiranë më 21 mars 2001. /atsh/ KultPlus.com

BE-ja s’e njeh Kosovën, mungon flamuri në Bruksel

Bashkimi Evropian duket se nuk e konsideron tamam shtet Kosovën. Së paku këtë përshtypje ta lë qëndrimi që BE-ja e mban karshi saj.

Sot, në konferencën e përbashkët për shtyp që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Josep Borrell e mbajtën pas takimit në Bruksel, nuk u pa askund flamuri i Kosovës. Ishin vetëm dy flamuj të BE-së, raporton Gazeta Express.

Albin Kurti dhe Josep Borrell, sot.

Vetëm një flamur i BE-së dhe afër tij ai serb ishin vendosur mes përfaqësuesit të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kur këta dy u takuan para dy ditësh.

Aleksandar Vuçiq dhe Josep Borrell, të hënën.

Pesë vende të Bashkimit Evropian ende nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur, por BE-ja ndërmjetëson pothuajse çdo takim në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në disa prej tyre, janë nënshkruar edhe marrëveshje të cilat janë ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.

Nga 27 shtetet anëtare të BE-së, Spanja, Greqia, Rumania, Qipro dhe Sllovakia nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Me këtë veprim, besohet se ato po e pengojnë seriozisht rrugëtimin e Kosovës në proceset integruese.

Por Borrell i tha sot Kurtit se dialogu me Serbinë, në fakt, është rruga e Kosovës për në BE.

“Rruga evropiane e Kosovës kalon nëpër këtë dialog. Nuk ka rrugë tjetër. Nuk ka alternativë tjetër. Duke arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është mënyra për ta marrë perspektivën evropiane. Prandaj për këtë unë e inkurajova Z.Kurti që të përfshihet në këtë çështje”, tha Borrell.

“Një person kur e merr një mandat kaq të fortë nga qytetarët, do të thotë se ata po ta ofrojnë një mundësi për ta shtyrë Kosovën drejt Bashkimit Evropian, standardeve evropiane dhe ne shpresojmë që ju do ta shfrytëzoni këtë mundësi”, theksoi ndër tjerash kryediplomati evropian.

Por standardi evropian i Bashkimit Evropian duket se është për të mos e trajtuar Kosovën në mënyrë të barabartë me Serbinë. /Express/ KultPlus.com

Lansohet platforma “Bëhu Zëri Im“, përfaqëson interesat e të mbijetuarve të dhunës seksuale

Pas dy dekada të punës në rehabilitimin dhe fuqizimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, katër organizatat e autorizuara për të mbështetur të mbijetuarit në procesin e  aplikimit për njohjen ligjore të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës: Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës; Qendra për Promovimin e Drejtave të Grave;  Medica Gjakova dhe Medica Kosova bashkuan forcat për të avansuar tutje statusin dhe të drejtat e të mbijetuarve duke themeluar Platformën “Bëhu Zëri Im”, përcjellë KultPlus.

Platforma Bëhu Zëri Im do të shërbejë si pikë referente në përfaqësimin e interesave të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë në proceset e adresimit të çështjeve që ndërlidhen me drejtësinë tranzicionale, statusin, të drejtat dhe fuqizimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale në Kosovë dhe në nivel ndërkombëtar. / KultPlus.com

Bebe Rexha gati këngën e re “Die for a man” në bashkëpunim me Lil Uzi Vert

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, këtë muaj njoftoi për daljen e albumint të ri “Better Mistakes”.

Albumi i dytë, i cili duket të jetë i veçantë dhe në bashkëpunim me disa prej emrave më të mëdhenj të muzikës, do të lansohet i plotë më 7 maj.

Në mesin e shumë materialeve të reja muzikore, Bebe ka paralajmëruar edhe një duet me reperin amerikan, Lil Uzi Vert.

Këtë e bëri të ditur përmes një imazhi të përbashkët të tyre të ndarë në Instagram duke zbuluar se të premten sjellin këngën e re.

“Die for a man në bashkëpunim me Lil Uzi Vert publikohet këtë të premte”, ka shkruar ajo.

Në një fotografi të shkëputur nga klipi, Bebe shfaqet atraktive e veshur në një fustan të zi dhe me një pelerinë të tejdukshme në kokë.

Në album përfshihen edhe bashkëpunime të tjera me Travis Barker, Ty Dolla Sign, Trevor Danier, Rick Ross etj.

“Better Mistakes” përmban gjithsej 13 këngë dhe deri më tani janë publikuar vetëm tri. / Diaspora shqiptare / KultPlus.com

Figurat e këngëve dhe valleve u jetësuan nëpërmjet një tryeze shkencore në Institutin Albanologjik

“Dega e Folklorit e Institutit Albanologjik të Prishtinës sot i ka kujtuar personalitetet e muzikës popullore, rapsodët, valltarët, kompozitorët e instrumentistët që kanë vdekur gjatë kohës së  pandemisë.

Me këtë rast, studiues, etnomuzikologë e folkloristë nga Prishtina, Tirana e Shkupi, kanë folur për  veprën dhe personalitetet e disa prej figurave e kulturës shqiptare, të cilët me punën dhe veprën e tyre që e lanë trashëgim, u bënë të pavdekshëm.  

Artistët që i humbëm në këtë vit pandemie  (renditja kronologjike sipas muajve që kanë ndërruar jetë: Nexhmije Pagarusha, këngëtare (shkurt, 2020); Shahindere Berlajolli Stafaj, këngëtare (maj, 2020); Besim Zekthi, valltar (qershor 2020); Musë Reqani, rapsod (qershor, 2020); Isa Llapqeva, rapsod (shtator, 2020); Habib Neziraj- Bibë Kosova (shtator, 2020); Avni Mula, tenor (tetor, 2020); Milto Vako, dirigjent (nëntor, 2020); Ismet Peja, këngëtar (nëntor 2020); Shaban Berisha, rapsod (nëntor, 2020); Qamil Berisha (dhjetor 2020); Gani Hoxha, këngëtar (dhjetor, 2020); Kujtim Prodani, këngëtar (janar 2021); Rifat Kida, këngëtar (shkurt 2021); Qerim Gashi, rapsod (shkurt, 2021); Lefter Çipa (shkurt, 2021); Zef Kakoca (Giuseppe Cacozza) (shkurt, 2021); Bujar Paloja (shkurt, 2021); Shaip Mehmeti (Barileva), rapsod (shkurt, 2021); Agim Krajka, kompozitor (mars, 2021); Hamit Aliu,  valltar, (mars, 2021); Xhevdet Vejseli (mars, 2021); Shaqir Hoti, instrumentist (prill, 2021). “

Për jetën dhe veprën e këtyre figurave të rëndësishme kulturore kanë folur: Visar Munishi, Bekim Ramadani, Arian Sukniqi, Albin Sadiku, Holta Sina, Krenar Doli e Visar Munishi./ KultPlus.com  

Kur jeta tretet…

Poezi nga Nezir Kraki

Kur jeta tretet,
Terreve të zhgënjimit,
Niset drejt asgjësë,
Rrugëve që s’çojnë askund,
Rrugëve ku askush s’të pret…
Mision i pamundur duket rikthimi.
Ikja nga asgjëja,
Kthimi nga askundi,
Largimi nga askushi,
Rikthimi te vetja.

         Mos shko pra shumë larg!
…larg vetës tënde.
Zhgënjehu herët e n’afërsi!
Se vjen një moment,
Kur as ‘vetja’ më s’të pret,
E nga asgjëja në asgjë,
Nga askundi në askund,
S’është jetë më,
Është vetmi. / KultPlus.com

Ndërhyrja e forcave amerikane për të çliruar të burgosurit nga kampi në Dakau, AQSH publikon 3 dokumente

29 Prilli i vitit 1945 shënon ndërhyrjen e forcave amerikane të cilat liruan 31.601 të burgosurit nga kampi i përqendrimit nazist në Dakau, Gjermani ku kanë vuajtur internimin edhe shtetas shqiptarë.

Arkivi Qendror Shtetëror për të përkujtuar këtë ditë publikon 3 dokumente shumë interesante.

Përmes një letre të sigluar nga Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar të Dakaut që mban datën 8 Korrik 1964 dhe që i drejtohet Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Mehmet Shehu, njoftohet shteti shqiptar se do të ngrihet një monument në kujtim të të internuarve të kampit.

“Monumenti i cili do të ngrihet me rastin e 20 – vjetorit të çlirimit të tyre, nuk do të jetë një vepër urrejtjeje, por respekti dhe mishërimi.

Ai ka për qëllim që të bëjë njeriun e soçëm që të rikujtojë tmerret që është në gjendje të kryejë, po qe se ndjek gjurmët e profetëve falso, të këqijat e racizmit, të fashizmit dhe të luftës”.

Ky është një kamp ku vuajtën edhe shqiptarë ndaj edhe për ngritjen e tij, kërkohet ndihma financiare e Shqipërisë, sikurse edhe të shumë shteteve të tjera, shtetas të të cilave vuajtën në këtë kamp.

“Monumenti i ish-të internuarve do të ngrihet në bazë të një financimi ndërkombëtar i cili do të sigurohet në radhë të parë nga kuotat vullnetare të popullsive të vendeve tona të ndryshme. Por ne e pamë të udhës Z. Kryeministër për një kontribut zyrtar të Qeverisë suaj”.

Paskëtaj, Komiteti i Veteranëve të Luftës i drejton kërkesën Kryeministrit të Shqipërisë për akordimin e një shume prej 500 dollarësh nga buxheti i shtetit shqiptar për ndërtimin e këtij memoriali.

Në përgjigje të kësaj kërkese, me firmë të Zv/Kryeministrit, udhëzohet Ministria e Financave për akordimin e 500 dollarëve nga fondi i rezervave në valutë, si kontribut për ndërtimin e këtij memoriali.

I krijuar në mars të vitit 1933, kampi i përqendrimit Dakau (Dachau) ishte kampi i parë i rregullt i ngritur nga qeveria Nacional – Socialiste (naziste) gjermane për të burgosurit politikë.

Kur trupat amerikane hynë në kamp, ata gjetën më shumë se 30 vagona treni mbushur me kufoma, shumica të dekompozuara.

Numri i personave të burgosur në Dakau mes viteve 1933 dhe 1945 llogaritet të ketë qenë mbi 188,000. Numri i përgjithshëm i viktimave të cilët vdiqën në Dakau nuk dihet. / atsh / KultPlus.com

Vdes autori i të qeshurës më virale në rrjetet sociale

Komediani i njohur spanjoll Juan Joya Borja, i njohur me nofkën “El Risitas”, por edhe për qeshjen ngjitëse, ka vdekur në moshën 65-vjeçare, në një spital në Sevilla, kanë bërë të ditur të enjten mediat spanjolle.

Për shkak të një sëmundjeje, ai ishte i shtrirë në spital që nga shtatori i vitit 2020, e së fundi edhe i ishte amputuar njëra këmbë.

“El Risita”, pas përkeqësimit të gjendjes, të mërkurën u dërgua në spitalin universitar Virgen del Rocio, ku edhe vdiq.

Në platformën amerikane për videostream, skena ku ai buzëqeshte “me fundin e barkut” është emërtuar “KEKW” dhe përdoret nga shumëkush si një meme.

Videoja virale ka dal nga intervista e tij e vitit 2007, kur po e tregonte një anekdotë për ditën e parë të punës në një restorant. Ai buzëqeshte teksa tregonte se si tavat që u ishin shërbyer mysafirëve gjatë natës i kishte futur në det për t’u pastruar deri në mëngjes. Por, ku në mëngjes kishte shkuar buzë detit për t’i marrë e kishte gjetur vetëm një nga 20 sa i kishte lënë. \ klix / KultPlus.com

Nis projekti “Jepi ngjyrë Prishtinës”, trafot shndërrohen në vepra arti

Komuna e Prishtinës ka nisur projektin për të zbukuruar me vizatime të ndryshme hapësirat publike, shkruan KultPlus.

 Projekti “Jepi ngjyrë Prishtinës” kësaj radhe kishte në fokus trafot e rrymës në lagjen Pejton.

Me ngjyra e vizatime plotë jetë, trafot janë shndërruar në vepra arti dhe padyshim që kjo gjë po ju pëlqen edhe qytetarëve të cilët po ndalojnë t’i shohin e bëjnë fotografi.

Drejtori në Drejtorinë e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha është shprehur se ky projekt në bashkëpunim me KEDS Energy, ndihmon në parandalimin e mbishkrimeve si dhe në rritjen e ambientit estetik të zonave përreth.

Ai tutje ka potencuar se përdorimi i ngjyrave në hapësirë publike nuk është vetëm akt artistik, por një formë e veprimit politik se si e shohim qytetin tonë.

‘’Permes artit, trafot e rrymes ne PEJTON jane mbeshtjelle me ngjyrat me te bukura. Mbeshtjellja e kutive me vepra arti na ndihmon ne parandalimin e mbishkrimeve si dhe ne rritjen e ambientit estetik te zonave perreth. Faleminderit per bashkepunim KEDS Energy dhe te gjithe atyre qe kane kontribu per realizimin e ketij projekti. Perdorimi i ngjyrave ne hapesire publike nuk eshte vetem nje akt artistik, perkundrazi eshte nje forme e veprimit politik se si e shohim qytetin tone”, shkruan Berisha. / KultPlus.com

Dita Ndërkombëtare e Jazz-it shënohet në Prishtinë përmes një koncerti në Kino Armata

30 prilli u vendos nga UNESCO si Dita Ndërkombëtare e jazz-it dhe festohet me qëllim të rritjes së vetëdijes për vlerat e kësaj rryme si një mjet edukativ dhe forcë për paqen, unitetin, dialogun dhe bashkëpunimin e zgjeruar mes njerëzve, shkruan KultPlus.

Për të shënuar këtë datë, Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Kino Armata kanë organizuar një koncert me shumë shpirt për muzikën që nuk kufizohet e ka aftësi të depërtojë në skutat më të thella të shpirtit.

Për të përthekuar më së miri këtë festë, koncerti mbahet me Enes Beu – TRIO dhe Nesim Maxhuni – Quartet.

Eventi mbahet më 30 prill, në ora 19:30, në Kino Armata dhe hyrja është falas.

Koncerti do të mbahet në përputhshmëri të plotë me masat e qeverisë në luftën kundër pandemisë COVID-19. / KultPlus.com

“Jemeni i Amerikës Jugore”: Vetëm 9 për qind e njerëzve në Venezuelë kanë siguri ushqimore

Sipas një ankete, vetëm 9 për qind e banorëve të Venezuelës siguri ushqimore, me fjalë të tjera, burime të qëndrueshme të ushqimit dhe siguri se do të kenë çka të hanë herën e ardhshme kur të jenë të uritur.

Anketa e publikuar nga Vëzhguesi Venezuelas për Siguri të Ushqimit dhe Nutricion gjithashtu zbuloi se 55 për qind e banorëve të Venezuelës e kufizojnë konsumimin e ushqimit për t’u siguruar që të kenë për të ngrënë në të ardhmen.

Rreth dy të tretat e pjesëmarrësve në anketë thanë se janë duke i sakrifikuar të mirat tjera si veshmbathjet dhe shkollimi për të pasur mundësi që të blejnë ushqim, shkruan RT, transmeton Gazeta Express.

Organizata që e realizoi anketën paralajmëroi se pandemia e koronavirusit e ka përkeqësuar edhe më shumë gjendjen edhe ashtu të rëndë, pasi presidenti Nicolas Maduro e zbatoi taktikën e njohur si 7+7 – një javë në izolim, një javë pa asnjë masë kufizuese.

Të dhënat e anketës u grumbulluan nga 2.000 shtëpi në pjesë të ndryshme të Venezuelës. Anketa u realizua mes dhjetorit të vitit 2020 dhe shkurtit të vitit 2021. / KultPlus.com

“Mos dashuro aq shumë, sepse do të thyhesh kur do të të dojë më pak”

Nga Can Yücel

Mos u lidh pas një gjëje kaq marrëzisht
Mos thuaj kurrë “S’rroj dot pa të”!
Mos thuaj dhe pikë!
Sepse edhe mund të rrosh.
S’ka nevojë për fjalë kaq të fisme
Vetëm mos dashuro aq shumë,
Sepse do të thyhesh kur do të të dojë më pak.
E ajo gjithsesi do të të dojë më pak…
Po s’dashurove shumë, s’ do kesh as dhembshuri.
Po nuk zotërove shumë, as nuk do t’i përkasësh kujt.
As dorën e këmbën dot mos ia përvetëso
Sillu sikur s’të përkasin ty
Se kur të mos kesh gjë prej gjëje, s’do t’i kesh frikë as humbjet.
Sillu sikur mundesh edhe pa to.
Kur s’ke, për shembull, shumë gjëra në shtëpi,
Lirshëm do të mund të ecësh në të.
Po deshe patjetër të kesh dicka tënden
Vijën e horizontit zotëroje,
Qiellin e tërë,
Diellin, hënën, yjet…
Bie fjala, le të jetë yti Ylli Polar
“Imi është” thuaj!
Nëse patjetër do të duash të zotërosh dicka…
Bëje ylberin tëndin përgjithmonë
Nëse patjetër dëshiron t’i përkasësh dikujt, jepiju ngjyrave.
Portokallisë apo të trëndafiltës, për shembull.
Jeto pa zotëruar shumë dhe pa qenë i zotëruar.
Trajtoje jetën sikur çdo çast mund të të shkasë nga duart,
Po edhe sikur e jotja do të jetë gjithmonë.
Duke iu ngjitur pandashëm e duke e mbajtur për kindesh. / KultPlus.com


Teatri “Hadi Shehu” hap sezonin teatror me premierën e shfaqjes “Farsë në Wallworth”

Një super prodhim i Teatrit të Qytetit – “Hadi Shehu” në Gjakovë po hap sezonin teatror për këtë vit me premierën e tragjikomedisë “Farsë në Wallworth” nga Enda Walsh dhe regji nga Butrint Pasha, shkruan KultPlus.

Në këtë shfaqje flitet për Dinin i cili merr në arrati dy djemtë e tij, Bllejkun dhe Shonin, për të shkuar në Londër.

Kur nëna e Dinit dhe e Padit ndau trashëgiminë e saj, apartamenti i takoi Padit, por Dini xheloz, thur planin pikërisht në ditën kur nëna vdes. Ngjarja në shfaqje trajtohet njëzet vite më vonë kur Dini është më në moshë dhe dy bijtë e tij, Bllejku dhe Shoni janë rritur dhe gjatë gjithë kësaj kohe, ata kanë mbajtur prova për të ilustruar të kaluarën e Dinit nëpërmjet një shfaqjeje në apartamentin e tyre.

Në këtë shfaqje luajnë aktorët: Edmond Hafizademi, Besfort Berberi, Arbies Komoni dhe Vlora Dervishi.

Shfaqja vjen premierë më datë 30 prill, në ora 20:00 dhe repriza e parë më datë 01 maj, në ora 20:00.

Nga teatri kanë njoftuar se numri i publikut është i limituar dhe duhet respektuar masat anti-covid me distancë dhe kujdes të shtuar. / KultPlus.com

Eshtra të epokës së akullit gjenden në oborrin e një shtëpie në Las Vegas

Një çift në Las Vegas ka treguar se duhet të presë për të ndërtuar pishinën që e kishte planifikuar, pasi ka zbuluar eshtra nga epoka e fundit e akullit në Tokë.

Matt Perkins dhe bashkëshorti së fundi janë shpërngulur nga Washingtoni në Nevada për të ndërtuar shtëpi. Policia dhe hetuesit janë paraqitur të hënën në shtëpinë e tyre për të analizuar eshtrat.

“Djali që merrej me ndërtimin e pishinës tha se do të vinte pak më vonë të shikonte. Ne menduam se ishte normale, por nuk vonoi shumë dhe e pamë atë me një numër të policëve para derës”, ka treguar Perkins për “KTNV-TV”.

Ndërtuesit e pishinës zbuluan eshtrat rreth 1.5 metra nëntokë. Pas një hetimi, Policia konstatoi se eshtrat nuk i përkasin një njeriu dhe nuk pati shqetësim për forcat e rendit.

Drejtori i Qendrës së Hulumtimeve Shkencore në Nevada, Joshua Bonde, tha se eshtrat janë rreth 6000 dhe 14000 mijë vjet të vjetra dhe janë të ngjashme me ato të një kali apo të një gjitari të ngjashëm.

Bonde ka thënë se zona ku janë gjetur eshtrat ka qenë një prej burimeve natyrore që shërbente si një vend ujitje për jetën e egër në shkretëtirën Mohave rreth 14 vjet më parë.

“Nëse njerëzit gërmojnë në oborre të shtëpisë nuk do të jetë befasi të gjejnë ndonjë gjë”, ka thënë Bonde.

Ai gjithashtu ka thënë se SHBA-ja ka ligje që fosilet e zbuluara i takojnë pronarëve të pronave.

Perkins nuk ka vendos se si të ruajë më së miri fosilin e zbuluar në oborrin e shtëpisë së tij. / KultPlus.com

“Himni Akathist”, ikona e rrallë që zbukuroi ikonostasin e kishës në Manastirin e Ardenicës

Ikona “Himni Akathist” është një shfaqje ikonë e rrallë ku ikonografi Konstandin Shpatarakut si një miniaturist i madh me një talent të jashtëzakonshëm.

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar bën të ditur se Shpataraku e pikturoi këtë ikonë për të zbukuruar ikonostasin e kishës së Virgjëreshës Mari në Manastirin e Ardenicës në Lushnjë.

Ikona është pikturuar në shekullin e XVIII dhe i dedikohet një himni kushtuar Virgjëreshës Mari, pra nënës së Zotit si e përzgjedhura e tij për të mbartur Shpëtimtarin e botës.

Në qendër lart paraqitet një skenë e kurorëzimit të Virgjëreshës e cila pasohet 24 skena nga jeta e Shën Marisë të pikturuara në kuadrate të rregullta ku mbizotëron një ngjyrë blu e thellë e cila bën që të kontrastojnë bukur tonet e arta dhe të ngrohtat. Këto fillojnë me skenën e dhënies së lajmit dhe përfundojnë me ngjitjen e Virgjëreshës ne Qiell.

Figurat janë vizatuar me saktësi dhe elegancë. Çdo detaj është pikturuar me kujdes të jashtëzakonshëm./ atsh / KultPlus.com

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Vallëzimit

29 prilli festohet si ditë ndërkombëtare e vallëzimit pasi që në këtë datë në vitin 1727 lindi veprimtari i baletit bashkëkohor, Zhan-Zhorzh Nover.

Që nga viti 1982, çdo vit nëpër botë mbahen shfaqje në të cilat loja dhe vallëzimi janë gjuhë universale me mision t’i afrojë dhe miqësojë njerëzit.

Përshkrimi i mëposhtëm është pjesë e mesazhit që përcillet këtë ditë:

Vallëzimi është disiplinë, punë, mësim, komunikim. Me të kursejmë fjalë të cilat ndoshta disa njerëz nuk do t’i kuptonin, ndërsa si kthim krijojmë gjuhë universale, të kuptueshme për të gjithë.

Vallëzimi na jep kënaqësi dhe mbështetje, na bën të jemi të lirë për pamundësinë të fluturojmë si zogjtë dhe të afrohemi nga qielli, bota, pafundësia.

Deri më tani nuk ka njoftim për ndonjë aktivitet në Kosovë për shënimin e kësaj dite. /KultPlus.com

Sezoni turistik në rrezik, BE ende pa vendimmarrje për pasaportat e Covid

Parlamenti Evropian po përgatitet që të miratojë dhënien e pasaportave dixhitale të Covid, për të qenë gati në nisjen e sezonit të ri turistik.

Pasaporta do të mundësonte që cilido i vaksinuar kundër Covid, ose që ka rezultuar negativ, ose është rikuperuar kohët e fundit nga virusi, të udhëtojë nëpër të 27 vendet anëtare të BE.

Planet për një certifikatë të BE nisën pak muaj më parë si një përpjekjeve për të shpëtuar sezonin e turizmit veror. Një numër vendesh aktualisht po përdorin dokumente të ngjashëm për të lehtësuar bllokimet lokale.

Nga ana tjetër Spanja ka bërë publike planet e saj për të lejuar të udhëtarët jashtë shtetit që janë vaksinuar, testuar negativisht ose të rikuperuar kohët e fundit nga Covid, të mund të shkelin territorin e saj.

Fernando Valdés, sekretari i shtetit i Spanjës për turizmin, në një konferencë tha se “Spanja do të jetë gati në Qershor për t’u treguar të gjithë udhëtarëve në të gjithë botën se ju mund të na vizitoni“.

Por edhe pse planet për turizmin kanë nisur, sërish BE nuk ka marrë një vendim përfundimtar për sa i përket pasaportave dixhitale. / KultPlus.com

12 vjeçarja vendos rekord të ri botëror në vrapim për moshën e saj

Një vajzë 12-vjeçare nga Belfasti thotë se ajo thjesht përpiqet të “vrapojë sa më shpejt që të mundem” pasi prodhoi një kohë prej pesë kilometrash prej 16 minutash dhe 40 sekondash që është një rekord botëror për moshën e saj.

Emer McKee vendosi kohën e jashtëzakonshme ndërsa vraponte në një ngjarje në Pista Royal Racecourse gjatë fundjavës.

“Normalisht unë thjesht vrapoj sa më shpejt që të mundem dhe thjesht pres që të mbarojë”, tha ajo për Radio Ulster, raporton BBC, transmeton Klan Kosova.

Iu bashkova klubit të vrapimit kur isha nëntë vjeçare dhe të gjithë atje ishin vërtet të mirë, mbështetës dhe miqësorë.

Emer i tha Radio Ulster se kishte prodhuar një kohë edhe më të shpejtë në një vrapim të fundit në Belfast, e cila nuk ishte në kohë zyrtare – ndryshe nga ngjarja e fundjavës së kaluar.

Regjistrimet tregojnë se rekordi i mëhershëm prej 5 km për një 12 vjeçar ishte shënuar me 17 minutas dhe 16 sekonda në Florida nga Annabella Veltcheva në mars 2017./klan/ KultPlus.com

Çmenduri në sheshin qendror

Nga Arli Minga


Ndodhte çmenduri në sheshin qëndror,
Vriteshin mes veti ndërgjegjet njerëzore,
Me të ardhmen vizatuar mbi mendje të ngrirë
Dhe vragat e shpirtit që lëngonin mbi jetën e shterur.

Ndodhte çmenduri në sheshin qëndror,
A thua të kishte zbritur një tjetër Krisht,
Që ngazëllente me të vërteta të rreme,
Ekzekutimin e një besimi,
Nga kryqëzatat që na i kanë shitur si martirë.

Ndodhte çmenduri në sheshin qëndror,
I Luteshin të gjithë fanepsjes së zotit në trajtë tokësore,
Çirreshin me thonj të gjenin shpëtim,
Pa e ditur se s’ka shërim për flamën njerëzore.

Mbaroi, kaq ishte!

Një kujtim, fotografi a sekuencë e stampuar në film.

Tani ra nata në sheshin qëndror,
U zhdukën gjurmët e çmendurisë djallëzore,
Heroi i vrerosur me hënën mbi shpinë,
Sheh kryqin e thyer dhe Krishtin e Ri,
Që zvarritet me gozhdët e zinxhirët për dore./ KultPlus.com

Qyteti antik Assos në Turqi do të mbyllet për 500 ditë

Lokaliteti arkeologjik Assos në provincën veriperëndimore Çanakkala të Turqisë do të jetë i mbyllur për 500 ditë derisa zhvillohen punimet e rehabilitimit në një shpat të afërt pasi në rrugën që të çon në portin antik të Assos filluan të bien shkëmbinj dhe fragmente guri.

Po ashtu janë ndaluar dhe aktivitetet e operatorëve turistikë dhe tregtarëve në portin antik në kuadër të projektit të tenderuar muajin e kaluar nga guvernatori i qarkut Ayvacik në Çanakkala, shkruan Anadolu Agency (AA).

Të martën, rruga që të çonte në portin antik u mbyll nga ekipet e xhandarmërisë, e cila ndryshoi planet e vizitorëve.

Në kuadër të projektit, i cili është planifikuar të përfundojë për rreth 500 ditë, shpati pranë portit do të rehabilitohet për të parandaluar që gurët dhe fragmentet e gurëve të paraqesin rrezik mbi portin. Ata kishin filluar të binin për shkak të tërmeteve dhe kushteve natyrore.

Autoritetet thanë se bizneset në rajon do të vazhdojnë aktivitetet e tyre pas përfundimit të punimeve rehabilituese.

Assos, i njohur gjithashtu si Behramkale, ishte një nga qytetet më të rëndësishme portuale të epokës antike dhe posedon trashëgimi kulturore thelbësore nga periudha romake e rajonit, përfshirë teatrin antik, agora, nekropol dhe mure.

Lokaliteti antik, i cili ndodhet 17 kilometra në jug të qarkut Ayvacik, u pranua në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s më 15 prill 2017.

Sipas faqes së internetit të UNESCO-s, Assos, si një qytet-shtet i rëndësishëm në periudhën Arkaike, kishte rolin e tij të rëndësishëm në rajon deri në kohën bizantine.

Arkeologët turq filluan gërmimet në Assos në vitin 1981.

Mbrojtja, promovimi dhe restaurimi i qytetit antik po ndërmerren nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, guvernatori i Çanakkalasë dhe administrata lokale e fshatit Behramkale./ KultPlus.com

Koleksioni i pikturave nga themeluesi i Samsung do të dhurohet për të paguar taksa

Familjarët e themeluesit të Samsung dhurojnë pikturat e tij për të shlyer mbi 10.8 miliardë dollarë taksa

Familja e Lee Kun-hee themeluesit të Samsung Electronics, i cili nuk jeton më, kanë deklaruar se do të dhurojnë koleksionin privat të artit.

Ky donacion do të bëhet për të shlyer mbi 10.8 miliardë dollarë taksa të faturuara për shkak të pasurisë.

Lee, i cili e bëri kompaninën Samsung prodhuesin më të madh në botë të smartphone-ve, vdiq më 25 tetor, duke lënë një pasuri me rreth 26 trilionë fitime.

Reuters raporton se shuma e faturuar si taksë e trashëgimisë së familjes Lee është një nga më të mëdhatë në Korenë e Jugut dhe në mbarë botën. Madje kjo taksë mund të çojë në ‘hollimin’ e aksioneve kontrolluese të familjes së Lee në kompaninë Samsung.

Koleksionin e artit me një vlerë prej 1,76 miliard dollarësh, familja do ta bëjë donacion për të dëmshpërblyer dënimet e Lee për evazion fiskal.

Madje disa nga ish-ministrat e kulturës dhe grupet e artit kishin kërkuar më parë që të miratohej një ligj i ri për të lejuar familjen që të dhuronte artin në vend të pagesës së faturave të taksave.

Pjesa më e madhe e koleksionit artistik të Lee, duke përfshirë kryeveprat nga Picasso, Monet dhe Chagall, do t’u dhurohen organizatave përfshirë Muzeun Kombëtar të Koresë dhe Muzeun Kombëtar të Artit Modern dhe Bashkëkohor./ KultPlus.com

Plot 48 arka me flori, gjuetarët e thesarit zbarkojnë në vilën e Adolf Hitler

Gjuetarët e thesarit kanë zbarkuar në një pallat që përdorej nga Adolf Hitler, ku shpresojnë që të gjejnë 48 arka me ar që kapin vlerën e gati gjysmë miliardë paund.

Ekipi do të fillojë gërmimet në pallatin, që luante rolin e një bordelloje javën e ardhshme, ku mendohet se përveç arit do të gjejnë edhe bizhuteri dhe sende me vlerë, që i përkisnin elitës gjermane dhe që u fshehën në këtë godinë nga frika se do të grabiteshin nga Ushtria e Kuqe e Rusisë.

Gjuetarët e thesareve e piketuan vilën duke u bazuar tek një ditar i një oficeri dhe nga një hartë që kishin ruajtur pasardhësit e tij.  Ditari i zbuluar, që besohet se është shkruar nga një oficer i lartë, me pseudonimin Michaelis.

Pallati Minkowskie u ndërtua nga gjenerali prusian Friedrich Wilhelm von Seydlitz, për t’u kthyer më pas në një “stacion” për Ushtrinë e Kuqe të Rusisë dhe më pas për atë polake./ KultPlus.com

Harry dhe Meghan do të jenë pjesë e koncertit “Vax Live: The Concert to Reunite the World

Princi Harry dhe Meghan Markle do të jenë pjesë e koncertit “Vax Live: The Concert to Reunite the World”. Koncerti është organizuara lëvizja “Global Citizen” i cili do të mbahet më 8 maj.

Paraqitja e dukës dhe dukeshës do të jetë dalja e tyre e parë pas transmetimit të intervistës së tyre me prezantuesen, Oprah Winfrey, e cila bëri bujë në mediat anembanë botës.

Personazhet të cilët do të jenë pjesë e këtij koncerti do të shërbejnë si bartës të mesazhit që bëjnë  thirrje për barazi në shpërndarjen e vaksinave, në mënyrë që të gjithë njerëzit anembanë globit të jenë të mbrojtur nga korona virusi.

Prezantuese e këtij koncerti do të jetë Selena Gomez ndërsa do të perfomojnë ,J.Lo, H.E.R, “Foo Fighters”, Eddie Vedder dhe J Balvin./ paper/KultPlus.com