Miguel de Cervantes, ai që nënshtroi kalorsiaken në letërsi përmes satirës te romani “Don Kishoti i Mançes”

Ndoshta ajo që arriti të bënte me romanin “Don Kishoti i Mançes” në letërsinë botërore do të ishte shumë më shumë se sa ai ishte gaditur në këtë sipërmarrje. Në atë kohë letërsia ndodhej në një taban të ashpër dhe tejet të ngurtë. Tematika dhe larmia e personazheve dhe ngjarjeve po vuante një lloj shterrimi. Nevoja për të vënë dorë në diçka që kishte shfaqur shenja dekompozimi ishte gjithnjë e më emergjente. Ndërsa askujt nuk i kishte rënduar në shpirt kjo situatë e shterruar e letrave dhe krijimtarisë. Një i prerë për luftë dhe aventura, më shumë se për penë, “ngre shpatën” dhe godet litarin që mban të tendosur velën e asaj anijeje të pakur që vijonte të lundonte në një detë të paanë. E përplas këtë pushtues të ujrave për shkëmbinjtë e brigjeve dhe kurajos, dhe me çfarë arrin të dalë në breg nis të ringre një anije tjetër, një anije më të shpejtë dhe më sfiduese për stuhitë dhe detet e ashpra të letërsisë që e presin kërcënueshëm.

Cili është ai që guxon kaq shumë?

Po, është Miguel de Servantes Saavedra, ai që do të hyjë në historinë e letërsisë botërore si nënshtruesi i kalorësiakes përmes satirës. “Don Kishoti i Mançes”, ishte kjo kryevepër e paarritshme fikshën që do ta ngjiste këtë spanjoll me mish e me shpirt në panteonin e famës.

Miguel de Servantes vdiq në Madrid më 22 prill si dhe u përcoll për në amshim më 23 prill duke u varrosur në një manastir triniteti si një françeskan. Është pikërisht 23 prilli i keqpërdorur si datë që në shumë hamendësime konsiderohet si datëvdekja e shkrimtarit. Shkaku i vdekjes së tij, në bazë të Antonio López Alonso, një mjek, i cili ka shqyrtuar dokumentacionin e mbijetuar deritani, ishte diabeti 2 dhe një cirozë së mëlçi. Aludime të ndryshme bëjnë fjalë që ky përkeqësim i shëndetit të Servantes erdhi si rezultat i konsumit të tepruar të alkoolit në vitet e fundit të jetës.
***
Miguel de Servantes Saavedra u lind më 29 shtator 1547 dhe vdiq më 22 prill 1616. Në historinë e letërsisë dhe tekstshkrimet për autorin, orvatet ta mbamendin atë si një novelist, poet dhe dramaturg i njohur.
Deri në vitin 1605 kur atë e kishte lënë takati dhe mbi vete mbante inatet e të pamundurave që cyt mosha e thyer, është fjala për një burrë 58-vjeçar, ai rroket prej një suksesi të paimagjinueshëm që i sjell romanin, “Don Kishoti i Mançes”. Servantes veç historive me femra, aventurave, deri tek pengmarrja nga një tufë mercenaresh algjerianë të komanduar nga një shqiptar, kishe shkruar, ose më saktë ishte ballafaquar me veten e tij të dështuar krijuese. Asaj pjese të krijimtarisë së Servantes nuk i’u kthye askush as për ta riparë, as për ta rivlerësuar, për ta lënë këtë emër të lidhur vetëm me “Don Kishotin e Mançes”, të cilin ai e bëri me dy pjesë.
Nga kritika, “Don Kishoti i Mançes” konsiderohet romani i parë modern europian dhe më i mirë i shkruar ndonjëherë. Ndikimi që pati në gjuhën spanjolle ka qenë aq themeltar sa u etiketua si “Gjuha e Servantesit”. Gjithashtu, ky roman pati një ndikesë rrapëllitëse në periudhën e bashkëkohësisë dhe përmbysjen e epokës së famës kalorësiake duke i transkriptuar këto heronj në personazhe grotesk. Kësodore arrijmë të kapim fillin e një pene inatçore, marazin e një burri me të shkuar shumëngjyrëshe dhe goditjen që pësoi nga rrufeja e famës, pod, ku ndodhet edhe sot e asaj dite. Gjithqysh ai arriti të shkruante një faqe shkëlqimtare në historinë e letërsisë dhe të sillte në jetë një emblemë filozofike dhe psikologjike, siç ishte “Don Kishoti i Mançes”.
***
Nëpër jetëshkrimet për shkrimtarit thuhet se Miguel de Servantes Saavedra, fëmija i katërt një mjeku, fillimisht regjistrohet në marinën tregtare spanjolle, por shpejt flota që e paguante përfshihet në njësitë luftarake. Servantes i ri shkëlqen si ushtarak. Ai plagoset tri herë në fushatat kundër otomanëve, më rëndë në betejën historike të Lepantos, një nocion gjeografik në Gjirin e Korintit, në Greqi.
Pas pesë vitesh shërbim, atë e lejojnë të kthehet në atdhe, në Spanjë. Për shërbimet e tij të vyera ndaj kombit, Servantes sapo ishte graduar me titullin “ushtar elitar” dhe në kthim kishte me vete edhe 2 letra për Mbretin Filip II të Spanjës. Të dyja letrat, që Servantesi i ruante me kujdes, kishin vlerën e rekomandimit, me qëllim që mbreti të çmonte atë që ai kishte bërë në luftë.
***
Pas pesë viteve të robërisë, Servantes u çlirua, falë negociatave të etërve të trinitetit. Më 27 tetor, ai mbërriti në Valencia, i dobët. I ati kishte për të shitur të gjithë pasurinë dhe shkurorëzuar nga të gjitha nderet për t’i dhënë lirinë. Përvoja ishte një pikë kthese në jetën e tij, si dhe referenca të shumta për tema të lirisë dhe robërit shfaqen në punën e tij. Servantes u kthye nga Algjeri i zhytur në borxhe për shkak të haraçit të paguar për lirimin e tij. Për të fituar të holla, ai vendosi të ishte kontingjent lufte. Ai shkoi në Portugali dhe mori pjesë në betejën e “Azores Las” në 1582. Një vit më vonë, ai u kthye në Spanjë me dorëshkrimin e një romance, “La Galatea” dhe ndoshta pjesën e parë të “Persiles y Segismunda”. Ai gjithashtu solli disa shënime për biografinë e tij. Gjatë këtij viti ai u bë babai i Isabel de Saavedra, një vajzë që kishte me një zonjë të aristokracisë së Lisbonës.
Më 12 dhjetor, 1584, 37- vjeçari Miguel de Servantes Saavedra ishte martuar me Katalina Dona de Palacios Salazara. Martesa e detyruar e Servantes për të kërkuar një punë funksionoi dhe në 1588 ai siguroi një pozitë si një zyrtar i qeverisë në jug të Spanjës, rekuizimi gruri dhe vajit të ullirit për fushatën e Armadës së pamposhtur. Posti i tij i ri i dha atij mundësinë për të mësuar zakonet dhe shprehitë e zakoneve, traditave nga Sevilje që ai përshkroi tek Don Kishoti. Ai u arrestua dy herë në Sevilje për marrje posedimin e materialeve që i përkitnin Katedrales Sevilje-së. Këto përvoja justifikojnë legjendë që pjesa e parë e Don Kishotit ishte shkruar në burg.
Qëndrimi i tij në Sevilla ishte një periudhë e fatkeqësive për Servantes. Fat i tij nuk ishte më i mirë në letërsi. Në vitin 1595, ai fitoi çmimin e parë (tre lugë argjendi) në një konkurs poeme, dhe tre vjet më vonë, kënga e tij El entierro del Rey Felipe II en Sevilla ka marrë një vëmendje, edhe pse pjesa tjetër e poemave të tij do të mbeten të pabotuar.
***
Xhaxhai i tij Alonso de Quesada Salazar thuhet se ka shërbyer si yshtje frymëzuese për të formësuar karakterin e Don Kishotit. Gjatë 20 viteve të ardhshme Servantes bënte një ekzistencë nomade, duke punuar si një agjent blerje dhe si një tagrambledhës. Ai vuajti falimentimin dhe u burgos të paktën dy herë (1597 dhe 1602) për parregullsitë në llogaritë e tij. Midis 1596 dhe 1600, ka jetuar kryesisht në Sevilje. Në vitin 1606, Servantes u vendos në Madrid, ku ka mbetur për pjesën tjetër të jetës deri në të shuar më 22 prill 1616.
***
Romani “Don Kishoti” i të madhit Miguel Serantes, gjeniut të letërsisë spanjolle, që bashkon në mënyrë krejt të natyrshme prirjen fantastike me shpirtin realist, del në dritë në periudhën kur romani kalorësiak e kishte humbur plotësisht joshjen dhe vëmendjen e lexuesit të kohës. Ai e solli këtë fikshën si një kundërvënie e fuqishme ndaj mentalitetit spanjoll mbi romanin kalorsiak, mbi këtë roman që ishte i molepsur nga figura të glorifikuara heronjsh të vendosur në situata të ekzagjeruara dhe që lëvizin në një botë eksploduese pasionesh dhe ngërthyer mes intrigash dhe aventurash të pabesueshme.
“Don Kishoti” nëtërësinë e vet rreket të ironizojë prirjeve kalorsiake, si dukuri shoqërore dhe historike të Spanjës. Servantesi zgjedh pikërisht një “hero” si Don Kishoti, një personazh sa grotesk aq dhe kompleks, për ta vendosur përballë ngjarjeve dhe situatave të fryra dhe shpesh herë absurde, për të realizuar dhe përmbushur aventura të çmendura, të cilat e pozicionojnë si romanin e pare antiroman në historinë e letërsisë, kurse Don Kishotin si të parin antihero në këtë lëm. Gjithqysh kjo kryevepër e vuri Servantesin në një radhë me përfaqësuesit e tjerë të mëdhenj të Rilindjes europiane për ta sjellë deri në ditët tona si një rast i veçar dhe emblematik i tekstshkrimit. Nëse kombi gjerman mburret me Gëten, ai angles nuk ka nguruar ta vendos në kreshtën më të lartë të krenarisë, tragjikomedianin më të madh të të gjitha kohërave, Uilliam Shekspir, edhe Spanja te Miguel de Servantes Saavedra ka të shëmbëllyer elementin më përfaqësues të kombëtares. /AlbertVataj /KultPlus.com

Shtëpia e Kadaresë bëhet muze, brenda të ekspozuara objektet dhe veprat e gjeniut të letrave

Në Gjirokastër është hapur Muzeu Kadare. Deri më tani shtëpia e shkrimtarit të madh nuk kishte investimin e duhur për Muze nga ana e autoriteteve, ndërsa  interesi i vizitorëve ka qenë i lartë.

Kjo banesë në lagjen historike të Gjirokastrës, nuk do të jetë më vetëm shtëpia e Ismail Kadaresë.

Tanimë ajo është Muzeu Kadare.

Banesa e gjeniut të letrave është rikonstruktuar së fundmi./ KultPlus.com

Ti po vjen që prej së largu

Poezi nga Lasgush Poradeci

Ti po vjen që prej së largu magji-plotë e dal-ngadalë.
Ti po vjen që prej së largu dyke shkitur mbi lendina.
Nën thëmbërzat e tua përgëzohet trendelina,
Shtrihet lulja mitare e zambakut qe t’ u fal.

E si shkon me hap te matur, më pushton një dhëmshuri:
Do të tretem të kullohem në kalim të këmbes s’ ate,
T’ i pushtoi i llaftaruar ato hapëza mëkate
Ndaj kalon mbi tufë lulesh madhërisht si yll i ri.

Dhe të qaj me mall të rëndë poshtë teje pa pushim,
Poshtë fillit të poleskës ku do shkeli kamba jote.
Të të shtroj nga dhëmbja ime një cudi prej pikash lote,
Një pluhurë të përvajshme vetëm dhëmbj’ e dëshirim.

Të m’ a shkelish hije- letë ! të m’ a shkelish mes për mes !
Të të shoh si më lekundesh me sy fjetur e fatuar,
Brënda lotëve të mija të të shoh të pasqyruar,
E pastaj le të venitem, le të hesht e le të vdes./ KultPlus.com

Përmbyllet puntoria dy-ditore ku u u prezantuan Draftet e Koncept dokumentit për sportin dhe Strategjisë shtetërore për sportin

Sot në Prishtinë u mbyll punëtoria dy ditore ku u prezantuan Draftet e Koncept dokumentit për sportin dhe Strategjisë shtetërore për sportin.

Në këtë diskutim pjesëmarrës ishin përfaqësues të komunitetit të sportit, përfaqësues të institucioneve të nivelit qendror e lokal dhe akterë tjerë njohës të kësaj fushe.

Koncept-dokumenti për sportin parasheh bazën analitike për ndryshimet e domosdoshme në legjislacionin dhe politikat përcjellëse të sportit dhe sektorëve ndërlidhës, ndërsa Strategjia shtetërore për sportin parasheh një vizion afatgjatë për zhvillimin e sportit.

Në hartimin e këtyre dokumenteve janë angazhuar zyrtarë të administratës shtetërore në dy nivelet e qeverisjes, ekspertë vendorë e të jashtëm, federatat e organizatat e sportit dhe palët e tjera relevante.

Ministri Çeku falenderoi të gjitha palët për angazhimin dhe punën e deri tanishme ndërsa u bëri thirrje që të vazhdojnë të japin kontributin e tyre deri në finalizim të këtyre dy dokumenteve me rëndësi të madhe për fushën e sportit.

Synimi është që të dyja dokumentet të finalizohen brenda këtij viti dhe të dërgohen për miratim në qeveri dhe kuvend./ KultPlus.com

Filmat e ditës së gjashtë të Tirana International Film Festival

Mëngjesi i ditës së gjashtë të TIFF-it, nisi me të tjerë filma studentorë, Short Experimental. 5 filmat që u shfaqën sot, në Millennium, nga kjo kategori, ishin prurje nga Europa; Poloni, Mbretëria e Bashkuar, Gjermani, Spanjë, e Republika Çeke.

Njëkohësisht në sallën e kinemasë, tek Liceu Artistik “Jordan Misja”, u shfaqën filmat nga programi KIDs, i Special Selection. Deri në orën 12:00, fëmijët kanë parë filma të animuar, ndërsa për më të rriturit ishin rezervuar tre filma fiksion.

Ora 12 kthehu në Kinema Millennium, filmin dokumentar. Nga kategoria Short Competition, u shfaqën gjashtë dokumentarë të metrazhit të shkurtër, prej të cilëve dy vinin nga Kina e Tajlanda.

Një tjetër kategori filmash ishte ajo e filmave fiksion, studentorë. Njëri prej tyre, prodhim gjerman i regjisorit Steve Bache, titullohet Fatjona dhe është realizuar mbi skenarin e shqiptarit Driton Sadiku. Filmi prej 28 minutash rrëfen historinë e një nëne të re, e cila kishte dhënë për adoptim vajzën e saj. Gruaja e re vihet në kërkim të fëmijës, tashmë 6-vjeçare, dhe tronditet kur sheh se vajza nuk e mban mend më. Filmi ka qenë këtë vit edhe një nga finalistët e çmimeve BAFTA për studentë dhe mund të konsiderohet si një fitues i mundshëm i kategorisë së tij, në TIFF, duke pasur kështu shansin të kualifikohet për Oscars./ atsh/ KultPlus.com

Filmi vendor “Vera andrron Detin” arriti në Cineplexx!

Filmi kosovar “Vera Andrron Detin” me regji të Kaltrina Krasniqit, fitues i shumë çmimeve të rëndësishme ndërkombëtare arriti në Cineplexx Prishtinë dhe Prizren.

 “Vera andrron Detin” ka fituar dy çmime në Festivalin e Venedikut përveç kësaj ky film ka arritu të marr shpërblime në festivale të tjera si në Festivalin e Filmit në Wiesbaden, Festivalin Ndërkombëtar të Filmit dhe Forumin për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë, në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tokio të Japonisë e shumë të tjerë.

Sa i përket ngjarjes së filmit, Vera është një përkthyese e gjuhës së shenjave në moshë të mesme, e cila bën një jetë të mirë: një grua me një gjykatës të famshëm, një nënë mbështetëse dhe një gjyshe të kujdesshme. Paqja e saj prishet nga vetëvrasja e papritur e të shoqit e ndjekur nga një paradë e padëshiruar, kërcënuese e të afërmve që pretendojnë pronësinë e shtëpisë së familjes së tyre në fshat. Kur fillesat e një skeme të botës së krimit fillojnë të dalin në sipërfaqe, bota e Verës do të përballet me rrezikun dhe do të duket e gatshme të shëmbet. Frika dhe mosbesimi do ta detyrojnë Verën të marrë në duart e saj fatin e familjes.

Filmi është me skenar nga Doruntina Basha dhe me  producent Shkumbin Istrefi. Aktorët në rolin kryesor janë Teuta Ajdini Jegeni, Astrit Kabashi dhe Alketa Sylaj.

Për më tepër informata rreth orareve vizitoni webfaqen e Cineplexx Kosovo, ndërsa biletat mund t’i bleni përmes aplikacionit Cineplexx KS apo direkt në kinema prej orës 15:00.

Artikull i sponsorizuar

“Teatri i Hapur Ballkanik” – Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Drejtoresha e Përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, Abigeila Voshtina, ka nënshkruar protokollin e bashkëpunimit në fushën e teatrit, dramës, operës dhe baletit, me homologët nga “Teatri Kombëtar” në Beograd, Svetislav Gonçic, dhe i “Operës dhe Baletit Kombëtar” nga Shkupi, Vaso Ristov, në kuadër të platformës “Teatri i Hapur Ballkanik”.

“Brenda secilit prej nesh ka shumë rrënjë, siç janë rrënjët e mia, një pjesë nga Maqedonia e Veriut e një pjesë nga Greqia. Prandaj kulturat tona janë shumë të afërta, me të përbashkëtat tona, por edhe me ngjyra të ndryshme e detaje të vogla që bëjnë diferencën”, ka deklaruar drejtoresha e përgjithshme e TKOB-it.

Voshtina gjendej prej disa ditësh në një vizitë zyrtare në Beograd, me ftesë të Drejtorit të Përgjithshëm të Teatrit Kombëtar Svetislav Goncić.

Kjo ftesë, vjen si hap i parë konkret drejt shkëmbimit kulturor dhe projekteve të bashkëpunimit, ndërmjet Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, në kuadër të iniciativës mbi Ballkanin e Hapur.

Nënshkrim i protokollit të bashkëpunimit nga të tre vendet pjesëmarrëse, do të sjellë edhe një iniciativë konkrete shkëmbimi dhe bashkëpunimi kulturor./atsh/ /KultPlus.com

Osmani me ministrin Lipavsky: Është vendimtare që procesi i liberalizimit të vizave të përfundojë gjatë Presidencës çeke

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ministrin e Jashtëm të Republikës Çeke, Jan Lipavsky, ndërkaq fokusi kryesor i takimit ishte çështja e liberalizimit të vizave.

Osmani ka falënderuar ministrin Lipavsky për angazhimin konstruktiv të Çekisë për t’i dhënë fund këtij procesi përgjatë Presidencës çeke.

Presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin se vonesa e liberalizimit të vizave për popullin e Kosovës është një padrejtësi e madhe.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që liberalizimi i vizave të jetë në agjendë, prandaj llogarisim në mbështetjen çeke në këtë aspekt si bartëse e Presidencës së Këshillit të BE-së”, ka theksuar presidentja.

Krahas temës së liberalizimit të vizave, Osmani ka folur edhe për nevojën e avancimit të rrugës evropiane për vendin tonë.

Ajo ka theksuar bashkërendimin e plotë të politikave të jashtme dhe të sigurisë së Kosovës me ato të Bashkimit Evropian si dëshmi e përkushtimit të institucioneve dhe popullit të Kosovës për integrim evropian.

Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka përmendur që Kosova do të dorëzojë këtë vit aplikimin për statusin e vendit kandidat.

Në lidhje me dialogun me Serbinë, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive dhe se zgjidhja e vetme që i kontribuon paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm është një proces i përqendruar në njohje të ndërsjellë. /KultPlus.com

Projektligji anti-doping në sport, Çeku: Shanse të barabarta për të gjithë garuesit

Sot është duke u mbajtur Seanca e Kuvendit të Kosovës, me ç’rast po diskutohet për një mori gjërash, në mesin e tyre edhe projektligji anti-doping në sport, shkruan KultPlus.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan në parim Projektligjin anti-doping në sport, ku pas miratimit një fjalim e pati edhe Hajrulla Çeku.

Ministri i Kulturës tha se ky ligj do t’iu mundësojë drejtësi dhe shanse të barabarta të gjithë garuesve.

“Projektiligji do ta rregullojë fushën e antidopingut në sportin e Kosovës dhe ka tre objektiva. Njëri është fuqizimi i integritetit të sistemit sportiv në Kosovë, dy është kujdesi ndaj shëndetit të sportistëve dhe sportisteve të vendit tonë dhe tre është sigurimi i drejtësisë dhe shanseve të barabarta në garat sportive”.

“Projektligji për antidopingun parasheh themelimin e Agjensisë Shtetërore antidoping. Ky entitet i ri që do ta ketë statusin e agjencisë ekzekutive do të jetë administrues i domenit antidoping në sport”.

“Një nga detyrat kryesore të saj do të jetë hartimi i kodit shtetëror antidoping në përputhje me kodin përkatës ndërkombëtar.”, ka thënë Çeku.

67 deputetë votuan pro miratimin të këtij projektligji, derisa nuk pat asnjë abstenim dhe askush nuk ishte kundër. /KultPlus.com

“E vërteta është se të gjithë do të të lëndojnë, thjesht me kohën duhesh të gjesh ata për të cilët ia vlen të vuash”

Bob Marley ishte këngëtar i muzikës reggae të cilën arriti ta bëj po ashtu të njohur kudo.

Shkroi qindra tekste unike, këngët e tij u kënduan e rikënduan. Sot po i sjellim disa nga shprehjet më të mitë të Bob Marleyt, kryesisht për dashurinë:

Nëse ajo është e shkëlqyeshme, ajo nuk do të jetë e lehtë. Nëse ajo është e lehtë, ajo nuk do të jetë e shkëlqyeshme. Nëse ajo nuk është e rëndësishme, ju nuk do të dorëzoheni. Nëse dorëzoheni, ju nuk do të jeni të rëndësishëm…. E vërteta është se të gjithë do të të lëndojnë; ju duhet vetëm të gjeni atë e cila është aq e rëndësishme për të sakrifikuar.”

“Era e cila do të na merr atë të cilën e duam, është ajo e njëjta e cilat do të na sjellin neve diçka për të dashuruar. Prandaj nuk duhet të qajmë për gjërat të cilat kanë ikur, sepse ajo që na përket neve me të vërtetë nuk largohet asnjëherë.”

“Ju thuani se e doni shiun, por ju e përdorni një çadër për të ecur përfundi saj. Ju thuani se e doni diellin, por ju kërkoni strehim kur shkëlqen. Ju thoni se e doni erën, por kur vjen ju i mbyllni dritaret. Prandaj frikësohem kur më thua se më do.”

“Dashuria asnjëherë nuk do të na lë vetëm”

“Frikacaku më i madh i një njeriut është që të zgjojë dashurinë e një gruaje, pa qëllim për të dashur atë.”

“Kurrë nuk do të ketë dashuri në të gjitha.”

“Ajo nuk mund të jetë njëra ndër vajzat më të njohura ose më e bukura por nëse ju e doni atë dhe ajo të bën të buzëqeshë….ç’rëndësi ka tjetër?”

“Një dashuri, një zemër”

“Paraja nuk mund të blejë dashurinë as jetën.”

“Me të vërtetë besoj se vetëm njëherë në jetë ju do të gjeni dikë e cila do të rrotullojë tërë botën përreth jush.”

“Dashuro fortë kur ka dashuri për të pasur. Sepse djem perfekt nuk ekzistojnë, por gjithmonë do të jetë një djalë i cili do të jetë perfekt për ju.”

“Bukuria e dashurisë. Dashuria e bukurisë.” / KultPlus.com

Zëri i shiut

Poezi nga Ernest Hemingway

Po ti cili je? pyeta shiun që zbriste ëmbël,
Dhe, çudi të thuhet, m’u përgjigj, e përkthej si vijon:
jam Poema e Tokës, tha zëri i shiut,
përjetë ngrihem e pakuptueshme nga vendi e deti i
padepërtueshëm,
lart drejt qiellit, nga ku, në formë fluturake
ndryshuar tërësisht, por ende e njëjta,
zbres për të lag toka të thara skeletike,
shpërfaqjet e pafundme të pluhurit të botës,
dhe atë në to, që pa mua do të ish vetëm farë, latente, e palindur;
dhe përherë, ditë e natë, i kthej jetë, vetë origjinës sime,
e bëj të pastër, e qendis;
(Sepse kënga, e dalë nga vendi i saj i lindjes,
pas plotësimit, bredharake,
i intereson asaj ose jo,
kthehet në kohë me dashuri.)

Përktheu: Faslli Haliti / KultPlus.com

Gjykata merr vendimin e fundit për 5 të dyshuarit për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë

Ekrem Rexhepi (26-vjeç), Shkëlqim Kameri (19-vjeç) dhe tre të miturit G.R.,(vëllai i Ekrem Rexhepit)., Xh.S., dhe G.J., të dyshuar për dhunimin e vajzës 11-vjeçe në Prishtinë janë lënë në paraburgim edhe për dy muaj.

Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve E.R dhe SH.K,  Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda me datë 26.09.2022 ju ka vazhduar masën e paraburgimit të njëjtëve edhe për dy (2) muaj, për secilin veç e veç”, ka konfirmuar Gashi për Gazetën Express.

Vazhdimi i masës së paraburgimit edhe për dy muaj është marrë edhe ndaj tre të miturve.

“Po ashtu lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për të Mitur me datë 23.09.2022 ju ka vazhduar masën e paraburgimit tre të miturve edhe për dy muaj, për secilin veç e veç”, tha Gashi për Express.

Vajza 11-vjeçe dyshohet se ishte dhunuar për rreth shtatë orë radhazi më 27 gusht të vitit 2022. Ngjarja që tronditi Kosovën kishte nisur në parkun në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, për të vazhduar në një lokacion tjetër të panjohur.

Gazeta Express kishte publikuar dosjen e Prokurorisë Themelore të Prishtinës për rastin e dhunimit të vajzës 11-vjeçe, në gusht të këtij viti.

Sipas prokurorisë, i pandehuri E.R, 26-vjeç, ka kryer marrëdhënie seksuale me të dëmtuarën, “në atë mënyrë që të pandehurin fillimisht e kishte thirrur në telefon vëllai i tij, i mitur., pastaj i pandehuri ka shkuar me “Pickup” tek parku në lagjen “Arbëria” në Prishtinë dhe e ka marrë me veturë vëllain e tij dhe të dyshuarit Xh.S., dhe G.J., të cilët ndodhen në arrati dhe të dëmtuarën. Pastaj rrugës tek varrezat kanë zbritur i mituri dhe, dhe Zh.S., ndërsa i pandehuri së bashku me G.J,.dhe të dëmtuarën janë larguar me veturë, ashtu që pas pak E.R., ka ndaluar veturën në një vend të panjohur dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me të dëmtuarën. Edhe pse e ka ditë që e dëmtuara është nën 14-vjeç”, përshkruhet në kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj tij.

Aty shkruan se nga deklarata e të miturës dhënë në polici me datën 28.08.2022 rezulton se “përderisa e mitura ka qenë në park, i janë afruar tre persona, ku kanë filluar ta ngacmojnë me fjalë, ku e dëmtuara ka vazhduar të ecë por më pas njëri ka filluar edhe ta prekte”.

“Më pas të njëjtit, sipas viktimës, kanë vazhduar që ta ndiqnin dhe njëri nga ta e ka tërhequr me një qosh dhe të dy kanë filluar t’ia heqnin rrobat. Personi me maicë të bardhë ia ka kapur duart ndërsa perosni tjetër ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj. Kur e dëmtuara ka filluar të bërtasë ata ia kanë mbyllur gojën dhe marrëdhënia ka ndodhur në këmbë. E dëmtuara ka deklaruar që pasi ka përfunduar njëri marrëdhënien e ka filluar tjetri” thuhet në përshkrimin e rastit që ka bërë prokuroria, transmeton Gazeta Express.

Më pas sipas saj, ka ardhë një automjet “pickup” ku dy persona janë ulur mbrapa dhe viktima përpara. Ajo ka deklaruar se edhe shoferi i veturës ka kryer marrëdhenie me të.

Për rastin ka dhënë dorëheqje Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti. Dorëheqje kishte dhënë edhe Drejtori i Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve, Ali Gashi.

Disa ditë më vonë, Prokuroria Themelore e Prishtinës kishte njoftuar për ndalimin e 6 personave tjerë nën dyshimin se 11-vjeçarja ishte trafikuar edhe në muajin qershor të këtij viti.

Gjashtë të rriturit janë të dyshuar për veprat penale, “Trafikimi me njerëz”, “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit” dhe “Dhunimi”.

Për rastin në fjalë u arrestua edhe një tjetër person, duke e çuar në 12 numrin e personave të dyshuar për dhunimin e të miturës, në dy raste të ndara. /Gazeta Express / KultPlus.com

Uragani “Ian” shkakton përmbytje të mëdha dhe ndërpret energjinë elektrike në Florida

Një nga stuhitë më të rrezikshme që ka goditur SHBA-në në vite ka lënë 2.4 milionë shtëpi dhe biznese në Florida pa energji elektrike dhe në brendësi të vendit ka pasur përmbysje të shumta, shkruan BBC.

Uragani Ian arriti në tokë rreth orës 15:10 me orën lokale të mërkurën, duke u përplasur në bregdet me shpejtësi të erës deri në 241 km/h (150 mph).

Skenat dramatike përfshinin një çati spitali të hedhur në erë, makina të zhytura në ujë dhe pemë të shkulura nga toka.

Uragani i kategorisë katër u zvogëlua më vonë në një stuhi tropikale.

Megjithatë, Floridianët u paralajmëruan se 24 orët më të rrezikshme ishin përpara dhe kryebashkiaku i Tampa u kërkoi njerëzve të strehoheshin në vend gjatë natës deri në mëngjesin e së enjtes.

Në një mesazh të postuar në Facebook, Qendra e Parashikimit të Motit u tha banorëve në Gadishullin Qendror të Floridës që të prisnin “kërcënime për jetën, katastrofike dhe përmbytje urbane” që do të vazhdojnë deri në mëngjesin e së premtes, me potencialisht deri në 76 cm shi në nivel lokal.

Banorët u urdhëruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre, por shumë prej tyre kanë vendosur të qëndrojnë dhe të kërkojnë strehim brenda. /KultPlus.com

Gjyqi Depp kundër Heard tanimë është bërë edhe film, publikohet traileri (VIDEO)

Gjyqi për shpifjen e Johnny Depp dhe Amber Heard, është kthyer në film vetëm katër muaj pas vendimit përfundimtar, shkruan DailyMail.

Një trailer për Hot Take: The Depp/Heard Trial u publikua të mërkurën (28 shtator) me aktorë Mark Hapka dhe Megan Davis.

Pamjet e para shfaqnin Davis si Heard dhe Hapka duke portretizuar Depp të ulur në sallën e gjyqit, përcjell KultPlus.

Hot Take është planifikuar të dalë të premten falas në platformën Tubi.

Depp e paditi ish-gruan e tij Heard në shkurt 2019 për shkrimin e saj të dhjetorit 2018 në The Washington Post dhe ajo e kundërshtoi atë në gusht 2020.

Gjyqi Depp kundër Heard u mbajt në Fairfax County, Virxhinia nga prilli 2022 deri në qershor 2022.

Juria doli në favor të Depp, të cilit iu dhanë 10 milionë dollarë dëmshpërblim dhe 5 milionë dollarë dëmshpërblim nga Heard. Dëmet ndëshkuese më vonë u ulën në 350,000 dollarë për shkak të një kufiri të vendosur nga ligji i shtetit të Virxhinias. /KultPlus.com

Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore, hyrja falas në këto site

Ministria e Kulturës me Urdhërin Nr. 348, dt. 28.07.2003, ka shpallur sot Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore.

Në qendër të kësaj dite, qëndron përkushtimi dhe sakrifica e të gjithë atyre që kanë kontribuar në formimin dhe studimin e kësaj trashëgimie, e po aq edhe vepra dhe jeta e atyre që janë sakrifikuar drejtpërsëdrejti për të.

Në shpalljen e kësaj Dite Kombëtare si të Trashëgimisë Kulturore ka ndikuar edhe akti sublim i ushtarakut shqiptar Kamber Bënja, i cili në vitin 1916 mbrojti pasuritë e Apollonisë nga vjedhja.

Kamber Bënja ishte një veprimtar i lëvizjes atdhetare, i cili lindi në Bënjë të Këlcyrës. Mësimet e para i mori në Përmet dhe i vijoi në Korçë, Janinë e Selanik. Me Shpalljen e Pavarësisë u vu në shërbim të Qeverisë Kombëtare të Vlorës si oficer i karrierës.

Kamber Bënja mori komandën e batalionit shqiptar duke iu kundërvënë me vendosmëri pushtuesve austro-hungarezë që kërkonin të grabisnin pasuritë kulturore të vendit dhe të dërgonin në Vjenë skulptura antike të gjetura gjatë gërmimeve.

Për këtë arsye, Kamber Bënja bashkë me dy oficerë të tjerë, Bexhet Manastirliun dhe Abaz Taushanin, iu dhanë gjyqit ushtarak që e dënoi me vdekje për “tradhti të lartë”. Major Kamber Bënja, është shpallur Dëshmor i Atdheut.

Festimi i kësaj dite parashikon edhe detyrimin e të gjitha institucioneve kulturore dhe ato të trashëgimisë, të organizojnë aktivitete të ndryshme kulturore.

Në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë, sot të gjitha DRTK-të kanë njoftuar se muzeumet, parqet arkeologjike, e objekte të tjera të trashëgimisë kulturore do të mund të vizitohen pa pagesë./ atsh / KultPlus.com

Me një klip interesant dhe zë të veçantë, ‘Sytë’ sjellin këngën e tyre të re (VIDEO)

Grupi nga Kosova “Sytë” ka publikuar këngën e tyre të re, shkruan KultPlus.

Kënga e tyre e re titullohet “Sirenë” dhe ka një videoklip të veçantë.

Grupi ‘Sytë’ debtoi në vitin 2018, ata janë të njohur për këngët ‘Pink roses’, ‘Crying in the club’, ‘Nostalgia rocket’, ‘Feel it all’, ‘Tail Light’, ‘Where did the love go’, shumë të tjera. /KultPlus.com

Nga zinxhiri i krimit e deri të gruaja që lufton pabarazinë gjinore, “Vera andrron detin” edhe në ekranin e Cineplexx

Jeta Zymberi

Një seri imazhesh të treguara njëra pas tjetrës të jepnin iluzionin e një lëvizje të pandërprerë tek syri dhe të merrte aq afër vetës, saqë kishe ndjesinë që edhe ti je pjesë e filmit, apo fotografia që shfaqej në ekranin e madh dukej që ishte pjesë e hapësirës ku t’i ishe ulur dhe krejt lehtësisht mund të zgjatje dorën e të prekësh atë.

Kjo ishte ndjesia e parë që të jepte “Vera andrron detin”, film me regji të Kaltrina Krasniqit dhe skenar të Doruntina Bashës, i cili pas premierës kombëtare në PriFilm Fest, dje u shfaq në Cineplexx për gazetarët, ndërsa nga sot do të fillojë të shfaqet edhe nëpër kinematë tjera në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri, përcjell KultPlus.

Pasi në sallë gazetarët kishin zënë vendin e tyre, pa humbur kohë, “Vera andrron detin” u shfaq në ekran. Pamja e parë që na përplaset për fytyre ishin valët e detit dhe tingulli që krijohet nga kjo lëvizje që për shumë kënd është pamja më e bukur dhe tingulli më i këndshëm. Kështu konsiderohej të ishte edhe për personazhin kryesorë, Verën (Teuta Ajdini-Jegeni) por në fakt deti kthehet në një ankth që tregohet përmes mjeshtërisë së fotografisë, nga lëvizja e trembur e shputave të këmbëve që ja nxjerrin gjumin Verës sa herë e ëndërron detin. 

E zhytur në një atmosferë të tensionuar, Vera është një portret intim por edhe universal i një gruaje e cila lufton një realitet të vrazhdë të pabarazisë gjinore thellë të rrënjosura në shoqëri edhe në ditët e sotme.

Gjuha e shenjave është pasuria e vetme që nëna e saj ja kishte lënë trashëgimi dhe Vera ndihet me fat që e trashëgoi pasi që falë saj ajo arriti të gjejë punë si përkthyese e gjuhës së shenjave të cilën në film e praktikon pa marr vëmendje por thjeshtë një punë e përditshme që është pjesë e jetës së Verës por që thellë ndërlidhet shumë edhe me karakterin e saj.

Një grua e shkolluar që jetën e bën në një banesë bashkë me burrin e saj, gjykatësin e njohur, Fatmir Gashin (Xhevat Qorraj) e ku shpesh për vizitë ju vjen vajza e vetme e tyre Sara (Alketa Sylaj) bashkë me mbesën e tyre Hanën (Arona Zyberi), vajzën e këndshme që duket sikur është lezeti i vetëm në atë shtëpi.

Biseda e fundit mes Verës dhe Fatmirit ishte rreth shtëpisë që e kishin në fshat e ku pritej të kalonte autostrada. Vera e lumtur që shtëpia kishte një kandidat, shprehet që me ato para t’i blejnë Sarës një banesë dhe me pjesën tjetër të shkojnë në det në Fatmirin, i cili pas këtyre fjalëve nuk bëri asnjë reagim të vetëm, e kjo menjëherë të jepte ndjesinë se diçka e mirë nuk pritej të ndodhte. Por kjo mbeti vetëm një ëndërr e Verës pasi vetëm pas pak çasteve, përmes gishtave të gjakosur që dalin jashtë derën se banjës në banesën e çiftit, tregohet se Fatmiri tashmë ka bërë vetëvrasje e kështu nga ai moment ka ndryshuar përgjithmonë rrjedhën e jetës së familjes.

Vetëvrasja e Fatmirit qysh në fillim vjen në rrethana të pakuptueshme bashkë me fshehjen e këtij akti që ndodhë në bashkëpunim mes Verës dhe Basriut (Refet Abazi), avokatit të familjes si dhe mikut të ngushtë të Fatmirit.

E vetme, Vera tashmë duhet të përballet me patriarkatin. Një prej familjarëve të familjes, Ahmeti (Astrit Kabashi), kërkon që shtëpia të vihet në emër të tij sepse sipas tij dhe burrave të fshatit, Fatmiri ja kishte lënë shtëpinë atij dhe tashmë duhej vetëm nënshkrimi i Verës.

Duke mos pasur një tjetër fakt, përveç fjalës së burrave të fshatit, Vera gjendet në një udhëkryq ku cigarja dhe heshtja janë shoqëruesit e saj të vetëm, deri sa nisin ta shoqërojnë edhe me makina e telefonata të çuditshme duke dashur ta frikësojnë. Këto kërcënime e shantazhe shkojnë deri në atë pikë, saqë tentojnë ta vrasin Sarën, vajzën e vetme të Verës, duke e goditur me makinë. Për fat të mirë Sara i shpëton kësaj tentative dhe këtu ndodhë kthesa tjetër, ku Vera merr rrugën për në fshat e ku pa bërë zë, nënshkruan atë copë letër që desh i mori vajzën.

Bota e krimit që ju kanos Verës, erdhi si rezultat i lojës së bixhozit që Fatmiri kishte bërë gjatë jetës. Përkundër që Vera ishte në dijeni për këtë fakt, një video ja sjell para syve disa pamje që sigurisht nuk do të donte t’i shihte asnjëherë, por që i vijnë në ndihmë për të zbuluar gjithë zinxhirin e krimit që nis nga avokati, personi që Vera i besoi qysh në fillim, e deri te ndërtuesit e autostradave.

Përkundër rezistencës së saj që pasuria t’i takojë vajzës, gjithçka shkoi huq dhe njëkohësisht na vë para faktit se kjo dukuri vazhdon edhe sot në shoqëri dhe gratë vazhdojnë të jenë të shtypura dhe të mos kenë të drejtë mbi pronën.

Vera, një grua që përkundër e shkolluar dhe një karakter i fortë që lufton në heshtje me patriarkatin, e shpalos një tjetër anë të kësaj dukurie, që fjala e burrit është më e fuqishme dhe as shkollimi e karakteri i fortë nuk arrijnë të dalin mbi një shoqëri që vazhdon ta trajtojë gruan si një qenie që nuk ka të drejta të barabarta.

Krejt ky rrëfim vjen në një harmoni unike ndërmjet formës dhe përmbajtjes. Këndi i kamerës është jetik në këtë tregim dhe të ndihmon për ta çuar historinë përpara dhe të kuptojmë marrëdhëniet midis personazheve dhe marrëdhëniet e personazhit me mjedisin e tyre.

Imazhet e filmit shpesh të merrnin aq shumë vëmendjes saqë krejt lehtësisht shmangnin shpërqendrimin e shikuesit nga linja e historisë.

Krijuesja e filmit, Kaltrina Krasniqi, ndër të tjera shpalos edhe pjesë të fuqishme të saj, prerjen dhe bashkimin e pamjeve, duke i dhënë edhe më shumë forcë historisë dhe duke i dhënë efektin e dëshiruar te shikuesit.

Me një mjeshtëri të jashtëzakonshme, filmi arrin të na formësojë kuptimin dhe emocionin e personazhit përmes imazheve dhe këndit të fotografisë.

Detajet, pamjet nga afër, gishtat e dorës, apo këmbës, pozicionin nga prapa apo fytyra krejt afër kamerës përdorën për të sjell në detaje emocionet e personazhit. Kjo ndërlidhje duket të jetë një prej elementeve më të fuqishme të filmit i cili përkundër që nuk ka shumë ngjyra, në aspektin e zhvillimeve ato nuk mungojnë.

“Vera andrron detin”, i cili premierën botërore e pati në ‘Festivalin e Venedikut’ në vitin 2021, dje në Cineplexx solli para gazetarëve regjisoren Krasniqi, skenaristen Basha, aktoren Alketa Sylaj dhe drejtoreshën e fotografisë, Sevdije Kastrati, të cilat në një konferencë iu përgjigjen pyetjeve të gazetarëve.

E para që mori fjalën ishte skenaristja, Doruntina Basha e cila foli për detajet e rafinuara të të shprehurit duke thënë se pas aspektit vizual, është gjuha një prej aspekteve më të rëndësishme të filmit, sepse e komunikon të gjithë nivelin tematik e ideor të filmit, e në këtë rast ajo përmban gjithë rrafshin fiksional të filmit.

“Skenari ka filluar të shkruhet diku rreth vitit 2014 dhe ka filluar krejt spontanisht si një ide, si një shtytje për të shkruar një film për Verën, një grua rreth moshës 65-vjeçare e cila e ka një profil profesional shumë specifik, është interpretuese e gjuhës së shenjave dhe ideja ka qenë me e pa se kush është një grua e tillë në një ambient patriarkal dhe konservativ si shoqëria kosovare dhe prej aty ka lindur tregimi”, shprehet Basha duke dhënë detaje për zanafillën e filmit, nga e cila më pas edhe janë zhvilluar edhe të gjitha idetë e tjera rreth ‘Vera andrron detin”.

Ndërkaq regjisorja Krasniqi, foli për premierën që filmi pati në ‘Festivalin e Venedikut’ ku ishte edhe fitues i dyfishtë, duke e cilësuar si një hap tejet të rëndësishëm dhe që i hapi një derë shumë të madhe nga e cila u hapën edhe shumë dyer të tjera të mëdha më pas.

“Gjatë premierave kemi pasë mundësinë me u taku edhe me audienca të ndryshme të vendeve të ndryshme dhe në princip, patriarkati nuk është specifik për Kosovë, nuk jeton patriarkati veç në Kosovë edhe në Ballkan, shoqëritë globalisht janë patriarkale mirëpo i kanë kulturat e veta dhe specifikat e veta kulturore edhe ato e bëjnë ndoshta pak më të veçantë mënyrën se si kulturat zakonisht flasin për patriarkatin”, thotë Krasniqi duke bërë thirrje që të mos limitohet patriarkati në gjeografi specifike sepse askush sipas saj nuk guxon ta ketë atë legjitimitet.

Po ashtu, ajo thotë se në shikim të parë, Vera dhe historia e saj nuk tregojnë që vijnë nga një vend specifik në Ballkan, sepse gratë sidomos ato të gjeneratave më të vjetra, historikisht janë ballafaquar me situata të ngjashme.

Ndërkaq, Krasniqi foli edhe për shfaqjen e filmit në rajon duke u shprehur e lumtur që më në fund ky projekt do të shfaqet në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni.

“Nuk e di si do të kalojë nëpër kinema për shkak se kinematografia jonë është e re dhe me secilin film ne mësojmë se çka po shikon audienca dhe çka po i intereson, kështu që do të jetë një test shumë interesant ta shohim në këtë aspekt”, u shpreh mes tjerash regjisorja.

Krasniqi nuk la pa e përmendur edhe gjuhën e shenjave, të cilën Vera e ka të trashëguar dhe e interpreton tejet natyrshëm, por që regjisorja thotë se ka qenë sfidë për të ta paraqesë këtë veti vetëm si një punë që Vera e bën dhe jo si elementi kryesor i saj si njeri.

“Është e rëndësishme se si një person që gjithë jetën e ka kaluar duke interpretuar jetën e dikujt që nuk ka zë, përfundon si dikush që ka zë dhe nuk e përdorë atë gjuhë për ta bërë një zgjidhje shumë të madhe dhe në fakt edhe për t’i kaluar pritshmëritë edhe ndaj vetes”, shtoi si përfundim regjisorja e filmit.

Përveç Verës, rol tjetër në këtë film është edhe ai i Sarës, vajzës së Verës, e cila interpretohet nga aktorja Alketa Sylaj. Ky film, sipas Sylajt ka bërë që ajo ta jetojë një prej ëndrrave që secili aktor ka, ta luajë rolin e aktores edhe në film.

E krahas kësaj ajo flet edhe për veçantitë e rolit të Sarës, rol ky i cili e bëri të reflektojë edhe në jetës e saj reale, marrëdhëniet me nënën dhe limitet që ajo i ka vënë vetes dhe njerëzit në përgjithësi.

“Sara ka nevoja të tjera, ka një lidhje me nënën e saj që e bën shumë interesant filmin edhe ajo marrëdhënie ka ndikuar edhe në jetën time, me e pa marrëdhënien me nënën time edhe raportin e Sarës me Verën, është shumë interesant me pa që shpesh harrojmë çka kanë kalu prindërit tanë edhe pse është një periudhë e shkurtër dhe është interesant me e pa atë raport nga i cili mëson shumë ma shumë për veten dhe për limitet që ti ja ke kriju vetes edhe pa vetëdije”, shprehet aktorja.

Ndërkaq, drejtoresha e fotografisë, Sevdije Kastrati, rrëfen sfidat dhe vështirësitë e realizimit të filmit dhe portretizimit të Verës dhe historisë së saj, e të cilën thotë se i përket një çështje me të cilën njerëzit në Kosovë janë rritur.

“Kemi punuar shumë me Kaltrinën për të paraqitur vizualisht këtë botë dhe kemi diskutuar shumë se si me e paraqit botën e brendshme të Verës, si e shohim ne Verën, çka është Vera, kush është Vera. Janë shumë shtresa të ndryshme që është vështirë me u shprehë me fjalë mirëpo i kemi shprehur në film”, deklaroi Krasniqi e cila më tutje tha se ky film nuk ka shumë ngjyra, ngjyrat janë të ngurta mirëpo shfaqja ka shumë ngjyra sepse ka shumë dinamikë përmes të cilës paraqitet gjendja e brendshme e Verës.

Kujtojmë që ‘Vera andrron detin’ është bashkëprodhim në mes të Kosovës (Puntoria Kreative Isstra, Vera Films), Maqedonisë së Veriut (Dream Factory) dhe Shqipërisë (Papadhimitri Productions) i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë – Shqipëri.

Në film luajnë: Teuta Ajdini-Jegeni, Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj, Ernest Malazogu, Selman Jusufi, Armend Baloku, etj. Drejtoreshë e fotografisë: Sevdije Kastrati; Producent: Shkumbin Istrefi./ KultPlus.com

“Festivali i Teatrove – Ferizaj” zbulon orarin e përgjithshëm për edicionin e 52-të

“Festivali i Teatrove – Ferizaj” do të fillojë më 1 tetor, derisa do të zgjasë deri më 7 tetor, shkruan KultPlus.

Përmes njoftimit, Festivali njofton se ky edicion do të jetë shumë i veçantë.

“Këtë edicion, festojmë teatrin me prodhimet më të suksesshme vendore me program të jashtëzakonshëm ditor”, thuhet nga FTF.

Gjeni më poshtë edhe orarin e plotë për këtë edicion.

Ndarja e shpërblimeve do të bëhet më 7 tetor nga ora 19:30. /KultPlus.com

Përkujtohet Serafin Fanko, regjisori i 125 shfaqjeve

15 vjet më parë vdiq një prej regjisorëve-autorë të paktë në Shqipëri, Serafin Fanko.

Në Akademinë e Arteve të Pragës do të kryente studimet për regji filmi dhe me t’u rikthyer në atdhe, do të konsolidonte profilin e tij duke ndjekur shkollën e posaçme “Aleksandër Moisiu”.

Fanko dha ndihmesë veçanërisht të lëvdueshme si regjisor në teatrin “Migjeni” të Shkodrës, rreth të cilës Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka publikuar online, disa foto.

Serafin Fanko ka realizuar rreth 125 shfaqje në teatrot e Shkodrës, Tiranës, Shkupit, Durrësit, Gjakovës, Strugës, Fierit etj.

Në tërësinë e veprave të vëna në skenë, Fanko ka dalluar për trajtimin regjisorial të dramave dhe për kulturën e gjerë skenike, që paraqiste të harmonizuara përbërësit teatrorë. Ky tipar që e shquante nga bashkëkohësit shfaqet më së miri në veprat “Fisheku në pajë”, “Këshilli i ndrikullave” dhe “Toka jonë”, që patën jehonë në publik.

Në kinematografi, nisi karrierën me rolin e Klarkut, në “Fije që priten” dhe e përfundoi me rolin e profesorit të fizikës, në “Pranvera s’erdhi vetëm”.

Në fund të viteve ’70 themeloi Teatrin Poetik pranë teatrit “Migjeni”. Fanko ka shkruar 12 drama dhe është fitues i disa çmimeve kombëtare. Në shenjë vlerësimi të veprës së tij, i janë akorduar titujt “Qytetar Nderi i Shkodrës” dhe “Artist i Popullit”. /atsh /KultPlus.com

Kasëm Qafëzezi, oficieri ushtarak që luftoi kundër kriminelëve grekë në Shqipëri

Më 29 shtator të vitit 1931, në Berat vdiq Kasëm Qafëzezi, një oficer i lartë ushtarak, luftëtar kundër kriminelëve andartë grekë në jug të Shqipërisë.

Lindi në Qafëzez të Kolonjës në vitin 1881. Mbaroi Akademinë Ushtarake të Stambollit dhe nga 1899. Deri më 1910 shërbeu si ushtarak i Perandorisë Osmane.

Gjatë viteve 1908-1910 shërbeu si oficer në Janinë. Pas vitit 1912 u caktua në krye të një njësie xhandarësh për të luftuar andartët grekë në jugun e Shqipërisë nën urdhrat e qeverisë shqiptare. Më 1920 bën pjesë në shtabin ushtarak të “Mbrojtjes Kombëtare” në Vlorë.

Përgjatë viteve 1920-1924 shërbeu si oficer në Shqipëri. Në vitin 1922 u emërua komandant i trupave të kufirit jugor me seli në Përmet.

Qershorin e 1924 mobilizohet me Lëvizjen e organizuar nga elementët opozitarë, duke qenë komandant i garnizonit të Përmetit me gradën nënkolonel. Kryesoi marshimin drejt Tiranës të këtij garnizoni duke mundësuar një pjesë të suksesit të Lëvizjes, prej të cilës u emërua ministër i Luftës i kabinetit të Fan Nolit.

Me dështimin e kabinetit atë dhjetor dhe ardhjen në fuqi të Zogut, Qafëzezi u largua për Itali. Falë amnistisë të dhënë më 1928 kthehet në atdhe ku jetoi deri në vdekje./Micky Haxhiislami/ /KultPlus.com

Artane Rizvanolli: Kosovën e pret një dimër i vështirë

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se do të kërkojnë që masat emergjente për situatën energjetike në Kosovë të vazhdojnë edhe më tutje.

Kjo pasi Rizvanolli ka thënë se “Kosovën e pret një dimër i vështirë”, për shkak të krizës energjetike.

Rizvanolli po ashtu bëri të ditur se kanë shfuqizuar vendimin e vitit 2018  lidhur me ndalimin e dhënies së thëngjillit në formë dhurate për punëtorët e KEK-ut.

“Jemi në një kohë kur moti po fillon të ftohet. Tani po kërkojmë që masat emergjente të zgjaten duke pasë parasysh se pritet të jetë një dimër i vështirë.

Gjatë kësaj kohe kemi marrë disa vendime. Kemi marrë vendim për ndalimin e dhënies së thëngjillit në formë të dhuratës për punëtorët e KEK.

Së shpejti do të bëhet ndalimi i importit të poçave elektrikë joefiçent”, tha ndër të tjera Rizvanolli gjatë raportimit në Komisionin  për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti. /GazetaExpress /KultPlus.com

“Kam uri për të qeshurën tënde që si lumrrjedh”

Pablo Neruda

Kam uri për gojën tënde, zërin tënd, flokët e tu,
dhe shkoj rrugëve i uritur e i heshtur,
nuk më ngop buka, agimi me ngasje më çorodit,
në kërkim të tingujve të ujshëm të hapave të tu nëpër ditë.

Kam uri për të qeshurën tënde që si lumë rrjedh,
për duart e tua në ngjyrë të grurit të pjekur,
Për të zbehtën e gurtë të thonjve të tu,
Kam uri për lëkurën tënde si bajame e paprekur.

Dua të ha rrufenë e djegur në hijeshinë tënde,
hundën kryeneçe të fytyrës tënde të bukur,
dua të ha hijen fluturake të qerpikut tënd

shkoj e vij i uritur i muzgut nuhatës,
ty duke të kërkuar, në kërkim të zemrës tënde ngrohtësi,
si një pumë që endet në të Kitrates vetmi. /KultPlus.com

Vinçens Stratigo, poeti arbëresh që evokoi historinë shqiptare me vargje

Në 137-vjetorin e vdekjes, kujtojmë poetin arbëresh Vinçenc Stratigo (1822–1885). Ai lindi në Ungër të krahinës së Kozencës; mësoi në kolegjin e Shën Adrianit, ku ishte nxënës i Jeronim De Radës.

Si garibaldian, mori pjesë gjallërisht në lëvizjen çlirimtare italiane.

Poezia e tij spikat për notat e protestës së hapur kundër pabarazisë shoqërore, por në shumë vargje trajton edhe motivin e dashurisë.

Në vijim, mund të lexoni një prej vjershave të tij më të njohura, të titulluar: “Shqiptari”, në të cilën evokon historinë e Shqipërisë dhe virtytet e shqiptarëve. /KultPlus.com

Vdes balerina e parë e Teatrit të Operas dhe Baletit, Ganimet Vendresha

Ka vdekur balerina e parë e Teatrit të Operës dhe Baletit, Mjeshtrja e Madhe, Ganimet Vendreshës, përcjellë KultPlus.

Ganimet ka realizuar kryerolet e para te baleteve shqiptare e ka qenë një nga themelueset e shkollës koreografike në Shqipëri.

Vallëzimi i saj do të jetë tashmë i pambarimtë në gjurmën që i la Teatrit të Operës por dhe vendit tonë.

Për vdekjes e balerinës kanë shprehur ngushëllime edhe nga Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor.

“Me hidhërim të thellë mësuam për ndarjen nga jeta të balerinës së parë të Teatrit të Operës dhe Baletit, Mjeshtres së Madhe Ganimet Vendreshës.

Vallëzimi i saj do të jetë tashmë i pambarimtë në gjurmën që i la Teatrit të Operës por dhe vendit tonë.

Ngushëllime familjes, miqve dhe kolegëve të botës së baletit e artit.

U prehsh në paqe dallëndyshe e baletit shqiptar!” / KultPlus.com