‘Ahmet Zogu e mori përkrenaren e Skënderbeut në duar, u përkul dhe e përqafoi me respektin më të madh’

Nga Aurenc Bebja

“Le Temps” ka botuar, të premten e 31 gushtit 1928, në faqen n°2, rrëfimin e vizitës së përkrenares së Skënderbeut nga Ahmet Zogu në Muzeun e Arteve Historike në Vjenë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Përkrenarja e Skënderbeut

Korrespondenti ynë i veçantë në Vjenë shkruan :

“Një zyrtar i Muzeut të Arteve Historike në Vjenë raporton se Ahmet Zogu dhe dy persona të tjerë shqiptarë që ishin, disa vjet më parë, në kryeqytetin austriak, shkuan të shihnin përkrenaren e Skënderbeut që ruhet në koleksionin e mrekullueshëm të armëve të vjetra nga ky muze.

Ahmet Zogu kërkoi që t’i hapnin vitrinën dhe t’i lejonin të prekë përkrenaren e heroit kombëtar të vendit të tij. Ai e mori reliken në duart e tij dhe, duke u përkulur me respekt, e afroi pranë buzëve të tij me një gjest të madh nderimi.

Muzeu i Arteve Historike ka gjithashtu shpatën e Skënderbeut. Besohet se këto objekte vijnë nga një trashëgimi, sepse gjatë shekullit të shtatëmbëdhjetë dhe tetëmbëdhjetë, Habsburgët kryen dy martesa me anëtarët e familjes së Skënderbeut.”

https://www.darsiani.com/la-gazette/zyrtari-i-muzeut-te-arteve-historike-ne-vjene-per-le-temps-1928-ahmet-zogu-e-mori-perkrenaren-e-skenderbeut-ne-duart-e-tij-u-perkul-dhe-e-perqafoi-me-respektin-me-te-madh/.

Produktet e grave nga Kosova, përmes “Sa punë” depërtojnë edhe në Angli e Amerikë

Gili Hoxhaj

“Unë besoj se gratë kosovare mund ta ndryshojnë botën dhe unë po bëj diçka në këtë drejtim”, shkruhet në njërën nga çantat e punuara pikërisht nga duart e një gruaje kosovare, e që ndodhet në zyrën e “The Ideas Partnership” në Janjevë.

Në një tavolinë brenda kësaj zyreje janë mbledhur katër gra nga ky vend dhe po diskutojnë për punimet, të cilat kanë tejkaluar edhe shifrën që pritej prej tyre. Me plot vullnet ato vijnë dhe kthehen nga ky takim ku prezantojnë produktet të cilat i kanë punuar për një javë.

Çanta bartëse, kartolina me filigran, çanta të levendes, kuleta me filigran, vath dhe varëse, tregues të librave (bookmarks) me filigran dhe qirinj me filigran janë produktet të cilat një grup i grave të Janjevës dhe një grup i grave nga Fushë Kosova i punojnë me shumë pasion e të cilat arrijnë të shiten edhe jashtë Kosovës, në Angli dhe në Amerikë.

“Sa punë” titullohet biznesi social i cili menaxhohet nga Elizabeth Gowing e që është në kuadër të “The Ideas Partnership” dhe qysh nga viti 2012 ka hapur dyert për trajnimin dhe punësimin e grave, të cilat mbajnë trajnime të vazhdueshme gjatë punës si mundësi për përfitimin e njohurive në krijimin e produkteve të reja. Ky biznes tanimë ka të punësuara tetë gra të komuniteteve të ndryshme ndërsa kushti kryesor për punësimin e tyre ka qenë që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë.

Altinë Nika, kordinatore e “Sa punë”, tregon për KultPlus se ky biznes jo vetëm që është i përqendruar në punësimin e grave dhe shkollimin e fëmijëve por njëkohësisht edhe ruan traditën e filigranit.

“Ky biznes ka 8 gra te punësuara, gra të komunitetit rom, ashkali, egjiptian dhe shqiptar. Kushti i vetëm që këto gra të punojnë me ne është t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollat e shtetit sidomos në shkollimin fillor, pasi e dimë se sa shumë fëmijë të komuniteteve i braktisin shkollat nga pamundësia financiare. Biznesi ynë jo vetëm që punëson gratë dhe ka target shkollimin e fëmijëve por edhe ruan traditën e filigranit dhe mundëson që totebags të përdoren si çanta në vend të qeseve të plastikës të cilat janë problem për ambientin”, tregoi Nika për KultPlus.

Nika pothuajse çdo javë merr rrugën për në Fushë Kosovë dhe Janjevë ku e presin gratë e këtyre vendeve të cilat pa përtesë prezantojnë punën e tyre dhe në njëfarë forme edhe bilancin e javës, sukseset dhe vështirësitë në punë. Ato tanimë janë edhe përfituese të makinave të qepjes përmes së cilave arrijnë të kryejnë edhe punë të tjera, krahas atyre të porositura.

Nafije Gashi nga Janjeva, tash e gjashtë vite është pjesë e “Sa punë” ndërsa tregon se çdo herë nga takimet që kanë ndahen shumë të kënaqura. Ajo thotë se kurrë nuk i thonë “jo” punës ndërsa ndihet e lumtur që me të ardhurat e fituara kontribuojnë edhe në mirëqenien e familjes.

“Po ja vlen vetëm që po dalim dhe po bashkohemi këtu ndërsa puna ka ecur çdo herë e më mirë përkundër që kemi nguruar në fillim, por ne jemi të lumtura që puna jonë po vlerësohet. Është shumë e rëndësishme që nuk po mbesim edhe pa para, kemi kontribuar shumë në familje, veçmas për fëmijët dhe me ato para ia dalim edhe të blejmë barna për vete. Shumë jemi falënderuese që i kemi makinat në shtëpi dhe besoj që me këto makina do të arrijmë diçka edhe nëse nuk janë koordinatoret me ne”, tregon Gashi për KultPlus.

Sadete Kongjeli e cila është po ashtu nga Janjeva e tash jeton në Prishtinë tregon se ka pasur gjithnjë prirje për rrobaqepësi, mirëpo tash që është pjesë e “Sa punë”, ajo ka përfituar edhe makinën për rrobaqepësi dhe njohuri të reja ndërsa një pjesë të madhe të ditës e shpenzon pranë makinës, shpesh duke tejkaluar edhe shifrën e produkteve që kërkohen prej saj.

“Fillimisht kur nuk e kemi kuptuar punën jemi mbledhur edhe me njëra-tjetrën dhe kemi diskutuar. Më herët kemi pasur shumë më pak të ardhura të cilat i kemi pritur vetëm nga burri, na janë dashur çdo muaj për fëmijë kurse përmes të ardhurave nga produktet që i kemi shitur i kemi ndihmuar familjes ndërsa ka ndodhur që gratë kanë blerë edhe drutë për shtëpi me këto para”, tregoi Kongjeli.

Një grup i grave nga Fushë Kosova që i përkasin komunitetit RAE (rom, ashkali dhe egjiptian), po ashtu tash e sa kohë janë pjesë e biznesit social “Sa punë”, përmes së cilit arrijnë të krijojnë produktet e kërkuara dhe të kontribojnë në shkollimin dhe mirëqenien e familjes.

Heteme Avdiu tha se përmes “Sa punë” kanë arritur që për një kohë të shkurtër ta përvetësojnë punën dhe se tanimë kanë edhe një rreth më të gjerë shoqëror edhe nga vende të tjera. Gratë punëtore tanimë janë kthyer në gra edhe të pavarura ekonomikisht.

“Fëmijët kanë dëshirë ta kryejnë shkollën dhe është shumë mirë që edhe këta po e kryejnë shkollën dhe në të ardhmen mund ta gjejnë një punë. Unë fillimisht s’kam ditur ta shkruaj as emrin tim, tani e kam mësuar. Nëse punojmë ne edhe fëmijët shkojnë në shkollë dhe kemi kushte më të mira por nëse ne nuk punojmë nuk mund t’ia dalim me të ardhurat e një sociali”, tregoi Avdiu.

Më poshtë gjeni edhe çmimet e produkteve që krijohen përmes “Sa punë”.

Çantat e pëlhurës- 2.5€
Kuletat- 4€
Qirinjtë – 4.5€
Treguesit e librave- 4€
Çantat e levendes -1.8€
Kartolinat me filigran 3.€
Vathët e versët 1.5€

Këtë vit “Sa punë” është mbështetur nga donatorë të ndryshëm përmes programit Kickstarter, përmes të cilit u mundësua edhe lansimi i dy produkteve të reja. / KultPlus.com

Pamje e re për kalanë e Beratit, atraksioni turistik i qytetit

Mirëmbajtja e monumenteve të kulturës, ashtu si në fillim të sezonit turistik, por edhe tani që është në prag të përfundimit të tij, vazhdon të jetë në vëmendjen e institucioneve përgjegjëse.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Berat bën të ditur sot se po vijojnë punimet e pastrimit, konservimit dhe restaurimit të kullave dhe mureve të kalasë së Beratit.

Sipas DRKK-së, janë bërë pastrime nga bimësitë dhe hedhurinat (mbetje të materialeve të ndryshme ndërtimore), konsolidime në krye të mureve dhe kullave.

Pjesë e punimeve janë edhe restaurimet në muraturat e gurit, si dhe plotësime të zgavrimeve në to.

Kalaja e Beratit është një nga atraksionet turistike më të vizituara ku çdo vit e më shumë tërheq vëmendjen e turistëve të huaj dhe shqiptar, ku vetëm për muajin shtator të këtij viti arriti shifrën prej 15.548 vizitore duke e çuar numrin e vizitorëve për periudhën janar – shtator 2018 në 110.481 vizitorë vendas dhe të huaj, statistikë kjo e cila shpreh më së miri interesin në rritje për turizmin dhe trashëgiminë kulturore, shkruan ata./ KultPlus.com

Rita Ora mes këngëtareve më të pasura në Britani

Rita Ora përveç artiste, njihet edhe si një biznesmene e suksesshme.

Adele vazhdon ta mbajë kurorën e saj si njeriu më i pasur britanik i moshës 30 vjeçare dhe nën të, për vitin e tretë radhazi, duke rrëzuar grupin ‘One Direction’ nga vendi i parë në vitin 2016, përcjellë KultPlus.

Këngëtarja e hitit ‘Hello’, ka rritur pasurinë e saj nga 132 milionë paund në 147.5 milionë, sipas revistës Heat të vitit 2018.

Edhe pse ka mbajtur një profil të ulët që nga mbarimi i turneut të saj botëror verën e kaluar, Adele ende arrin të jetë një magnet i parave, ku vetëm në 2017 ajo fitoi 9 milionë nga shitjet, ndërsa në turne ajo fitoi 42 milionë paund, shkruan vizore.al

Ed Sheeran ka kërcyer në vendin e dytë nga pozita e tretë në vitin 2017 me një pasuri prej 94 milionë paund, ndërsa në vendin ndodhet aktori i “Harry Poter”, Daniel Radcliffe me vlerë prej 87 milionë.

Por, në listën prej 30 yjeve më të pasur në Britani bën pjesë edhe këngëtarja shqiptare Rita Ora. Pasuria 27 vjeçares arrin një shifër prej 12 milionë paund./ KultPlus.com

Sonte në Tiranë, oxhaku i Sead Kazanxhiut vjen në Galerinë Zeta

Një ekspozitë që ia vlen të vizitohet vjen sonte në Tiranë.

Në Galerinë Zeta në Tiranë sonte vjen artisti Sead Kazanxhiu. Ekspozita hapet në ora 19:00.
Ekspozita ‘Në Oxhakun Tim’ sonte e sjellë artistin në disa mediume artistike, duke nisur me fotografitë, videon, instalacionin dhe vizatimet në letër.

Ekspozita e Kazanxhiut, siç shkruan kuratori Marko Stamenkovic, fokusohet në atë se si duhet ballafaquar me paragjykimet racore në anën e errët të demokracisë evropiane, në një periferi të kapitalizmit neo-liberal.

Rreth po këtij oxhaku vijnë kujtimet e së kaluarës, kujtimet familjare, të humbura por të kalitura përgjithmonë në kujtesë dhe tani vijnë të ekspozuara para publikut shqiptar.

Një tregim vizuel për nderimin e shpirtrave të stërgjyshërve dhe ekzistencën e tyre të vazhdueshme në një shtëpi e cila më nuk ekziston. Një oxhak që u desh të shkatërrohej para disa vitesh, bashkë me shtëpinë e vjetër 55 vjeç e cila u shkatërrua që të ndërohej një tjetër më e re.

Ekspozita hapet sonte, për ata që duan ta zbulojnë më nga afër ekspozitën e Kazanxhiut, shkruan KultPlus.
Është po ky oxhak që me anë të Kazanxhiut sfidohet, sfidohet edhe ideja e të jetuarit bashkë, e një dhome kryesore, ideja e largimit njerëzor, e shpërnguljes njerëzore.

Ekspozita ‘Next to my chimney’ do të qëndrojë e hapur deri me 12 nëntor në Zeta Gallery.
Sead Kazanxhiu ka lindur në Fier në vitin 1987 ndërsa ka realizuar tetë ekspozita, përfshirë këtu ekspozimet në Tiranë, Bruksel e Berlin. Ai vjen nga një familje rome shqiptare, një histori e së cilës do të jetë edhe pjesë e rëndësishme e ekspozitës në fjalë. / KultPlus.com

Dua Lipa do të performojë në përvjetorin e Muzeut Louvre

Dua Lipa do të performojë gjatë muajit nëntor në ditëlindjen e muzeut luksoz të Louvret në Abu Dhabi.

Festimet e ditëlindjes në Ishullin Saadiyat do të nisin më 8 nëntor dhe do të zgjasin deri në 11 nëntor, me një sërë aktivitetesh të ndryshme, duke përfshirë koncerte, ekspozita, aktivitete familjare dhe punëtori.

Dua Lipa do të jetë e pranishme në këtë ngjarje katër-ditore dhe do të performojë live të dielën më 11 nëntor, ku dyert do të hapen në orën 18:00.
https://www.instagram.com/p/BpdyGOXHklZ/?taken-by=louvreabudhabi
Ajo pritet të këndojë hitet “New Rules”, ‘Electricity’ dhe një ndër më të preferuarat ‘Kiss and Make Up’.

Lipa së fundi ka publikuar videokëngën e parë në bashkëpunim me Andera Bocellin, i cili u prit mirë nga fansat e artistëve.

Ndryshe, Lipa është duke punuar në projekte të reja muzikore që do t’i sjell gjatë muajve në vazhdim./KultPlus.com
https://www.instagram.com/p/BpjPKJnhJvs/?taken-by=dualipa

https://www.instagram.com/p/BpZp1HqhVWM/?taken-by=dualipa

MKRS-ja miraton dy rregullore në mbrojtje të krijuesve

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 73-të të saj ka miratuar Rregulloren për të Drejtat e Kompensimit të Veçantë dhe Reprografik.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit,Kujtim Gashi gjatë prezantimit të rregullores deklaroi se miratimi i saj është një vendim historik për autorët.

“Me këtë rregullore krijohet edhe një sistem për mbrojtjen e të drejtave të autorit,” tha ministri Gashi në mbledhjen e qeverisë.Ministri Gashi para kabinetit qeveritar prezantoi edhe projektrregulloren për ndryshim plotësimin e rregullores për ndërmjetësimin në Fushën e të Drejtës së Autorit dhe të Drejtave të Përafërta në MKRS, shkruan ekonomiaonline.

“Miratimi i kësaj rregullore është një nga masat që duhet plotësuar për tu integruar në BE,” tha Gashi./Kultplus.com

Në Bernë u bë promovimi i librit “Shtegëtimet e një gazetari” të Rexhep Rifatit

Më 26 tetor në Bernë të Zvicrës është bërë promovimi i librit të Rexhep Rifatit “Shtegëtimet e një gazetari”.

Përveç se u promovua libri autotrial, autori i tij, gazetari ynë i mirënjohur Rexhep Rifati, kishte edhe përvjetorin e 50-të të fillimit të punës në gazetari, kur pikërisht më 26 tetor 1968, kishte filluar të punonte për gazetën e përditshme “Rilindja” në Prishtinë.

Në këtë manifestim mori pjesë edhe ambasadorja Nazane Breca, e shoqëruar nga Mustafë Xhemaili, Ministër Këshilltar. Në këtë manifestim morën pjesë edhe ambasadori i Shqipërisë, Ilir Gjoni, ushtruesi i detyrës së Ambasadorit të Maqedonisë, Halim Hyda, redaktorja e librit Migena Arllati, autori i dokumentarit për Rexhep Rifatin, Alush Kamberi, humanistja dhe mikja e shqiptarëve, Analies Schneler dhe Don Marjan Marku, famullitar i kishës katolike shqiptare në Zvicër.

Para të pranishmëve, përveç promovimit të librit, u shfaq edhe një dokumentar i shkurtër për autorin, gazetarin dhe fotoreporterin Rexhep Rifati si dhe u hap një ekspozitë me fotografi po të këtij autori.Ndërsa artistët Trio nga Gjeneva, Mimoza Nazarko, soliste, Ermira Lefort në piano dhe Volfi Haxhiaj në violinë, interpretuan një tufë me këngë dhe melodi instrumentale.

Rexhep Rifati është gazetar që ka punuar një kohë të gjatë në gazetën Rilindja, dhe pas mbylljes së saj edhe në gazeta edhe revista tjera. Gjithë jetën është marrë me gazetari duke kontribuar në fushën e informimit. Në fillim të viteve 90-ta të shekullit të kaluar, ai u persekutua në Kosovë nga Serbia pushtuese, dhe u detyrua të kërkoj strehim politik në Zvicër, ku edhe jeton me familje.

Sipas Ambasadores së Kosovës në zvicër, Nazane Breca, angazhimi i gazetarit dhe fotoreporterit Rexhep Rifati, ishte dhe është një angazhim mbi informimin profesional të opinionit.

“Rexhep Rifati, me punën e tij ka dhënë një kontribut të madh për informim të drejtë e të paanshëm, veçanërisht tri dekadat e fundit, për mërgatën tonë të madhe në Zvicër, por edhe më gjerë. Ai, një pjesë të kontributit të tij të çmuar, e ka përmbledhur në dy librat e tij voluminoz “Shqiptarët në Zvicër-1001 pamje” dhe “Shtegëtimet e një gazetari” ku në të parën ka paraqitur realisht të arriturat e mëdha dhe integrimin e mërgatës sonë në shoqërinë zvicerane në fushën e politikës, kulturës, sporteve, shkencës, bisneseve, mjekësi, arteve si dhe në librin e dytë, një shtegëtim të tij me vokacion prej gazetari, nëpër trojet shqiptare në hapësirat ballkanike në ditët e sotme”, theksoi ambasadorja Breca.

Sipas saj Rexhep Rifati, do të vazhdoj punën e tij në të mirë të informimit të mërgatës sonë dhe do të vazhdoj të paraqes gjithanshëm pamjen reale të mërgatës, mërgatë e cila ditë e më shumë po e bëhet forcë e madhe e me ndikim në jetën e shoqërisë në Republikën e Kosovës por edhe në shoqërinë zvicerane. / KultPlus.com

Malokët e Manhatanit

Nga Ilir Seci

Kisha lanë takim te dentisti në Manhattan, aty afër ku punoj, me shkue gjatë pushimit që mos me humbë kohën — nji udhë e dy punë, si i thonë fjalës.
Mbasi kreva punë, prita ashensorin në katin e 27, ku kam dentistin. Tue u hapë dera, ndigjoj shqip, nji burrë prej mbrenda liftit i tha «mirupafshim» nji grueje që doli nga ashensori n’atë kat. Grueja ishte e veshun si infermiere, dhe hyni te nji derë ku shkruente «klinikë private».
Hypa n’ashensor, dhe ai burri shqiptari që foli me atë gruen më hodhi nji shikim matës, nga kryet e deri te kambët, në nayrën tipike zhbiri luese shqiptare. Mos me e lanë me u torturue, i fola shqip.
— Si jeni? Mirë?
— Mirëdita, — nxitoi e ma kthye. — Nga të kemi? Nga e folura ngjan sikur je nga anët tona…
Unë qesha. Sa herë nxitojnë njerëzit me ma caktue origjinën, ua la mbarë, se kam dëshirë me pa ku duen me dalë.
— E, andej jam, — i thashë.
— Më vjen mirë, — tha, — se na mbytën malokët edhe këtu në Manhattan. E pe atë gruan që doli nga ashen sori qëparë? Maloke nga Shkodra. Po që është bërë ndihmës mjeke tjera se? Punon te klinika e një mjeku të njohur.
— Po ti, këtu punon? — e ngava unë, megjithëse e kisha pa nga uniforma që punonte pastrues xhamash te ai pallat, sepse kishte logon e kompanisë në bluzë: Window Cleaning.
— Po, kam vite që punoj këtu. Ç’të bëjmë? Na duhet të punojmë.
Heshti pak dhe shfryu:
— Bëjmë punë të rënda se shkollë s’bëmë dot. Ajo gruaja nga Shkodra që të thashë fillimisht pastruese ka qenë këtu. Bëri shkollën tjetra, dhe u bë ndihmës mjeke pastaja! Ky vend paskësh qënë për malokët, ore burrë. Të tërë nga andej janë. Nga Shkodra, nga Malësitë. Kam disa nga Kelmendi që punojnë këtu. Të gjithë ashtu flasin trashë, malokçe.
— Më fal, — e pyes unë qetësisht. — Çfarë kupton me malokë ti? Kë quan malok?
— Po këta pra që flasin trashë, që flasin malokçe… Këta që nuk flasin gjuhën zyrtare.
— Nga jeni ju? — e pyeta.
— Nga Skrapari jam, — m’u gjej.
— Po ky Skrapari sikur është malësi më duket? — bana të padijtunin unë.
— Po, malësi jemi, por jemi ndryshe… — nxitoi ai. — Nuk jemi të trashë se nuk flasim trashë.
— Pra, domethënë ajo gruaja që ka bërë katër vjet shkollë në Manhattan dhe është edhe ndihmës mjeke, ngaqë flet malokçe, qenka e trashë, kurse zotrote që punon pastrues dhe flet gjuhën zyrtare, qenkërke i hollë? Dhe jo veç shkolla… e di ti se Shkodra është vetëm nëntë metra mbi nivelin e detit!?
Mbeti. Nuk e priti.
— Po mirë. Këtë tjetrën a e di zotrote, që siç na e ka lënë të shkruar Faik Konica, fjala malok për herë të parë është futur në përdorim në shqip nga qytetarët e Be ratit, të cilët quanin malokë pikërisht skraparllinjtë!?
Ai shtangu. Kishim zbritë disa kate, dhe për pak mbërrinim në katin ku ishte dalja. Prandaj nxitova me i thanë:
— E sa për ata kelmendasit që i quejte të trashë ti, a e din zotnia jote se Vermoshi asht treva e parë në Shqipni që ka pasë rrymë elektrike!? Se në fillim shekullin e kaluem, në Mal të Zi u ndërtue nji hidrocentral mbi një lum që binte ujna prej Vermoshi. E simbas së drejtës ndërkombëtare, duhet me i dhanë rrymë edhe viseve prej nga vinte ujët. Kështu që Vermoshi ka pasë tri brezni me drita kur zotnisë sate i kanë mbërri «Dritat e Partisë» më 25 tetor 1970, e që ju komunistat ende e kujtoni si festën e elektrifikimit të vendit. Sa për rastësi, sot qenka 25 tetor. Tri brezni para jush kanë pasë rrymë në Vermosh, e ju prap vazhdoni me masturbue në komplekse superioriteti.
Për fat, ngritësi i ngadaltë ma në fund u mtok në katin ku kisha me zhdrypë, e nuk m’u desh me ia pa ma bojën atij të ngrati./KultPlus.com

Malokët e Manhattanit

Ai nuk donte më shumë

Poezi nga Maram Al-Masri. Përktheu Skënder Buçpapaj.

Ai nuk donte
me shumë se kaq:
një shtëpi
fëmijë
dhe një grua
që e do atë
Por ai u zgjua një ditë
dhe pa se shpirti i tij
ishte plakur

Ajo nuk donte
më shumë se kaq:
një shtëpi
fëmijë
dhe një burrë që e do atë
ajo u zgjua
një ditë
dhe pa
se shpirti i saj
kish hapur dritaren
dhe kish fluturuar./KultPlus.com

Adele, më e pasura e artistëve anglezë nën 30 vjeç

Me gati 170 milionë euro, Adele mbanë edhe për vitin 2018, titullin e yllit më të pasur nën 30 vjeç në Mbretërinë e Bashkuar.

Këngëtarja e hitit “Hello” mban pozicionin e saj në krye të renditjes së hartuar nga revista “Heat” për të tretin vit radhazi. Ndërsa në vendin e dytë dhe te tretë renditen respektivisht Ed Sheeran dhe Daniel Radcliffe.

Përkundër profilit të ulët të mbajtur që nga fundi i turneut botëror verën e kaluar dhe asnjë album të ri të publikuar, Adele ishte po aq e aftë të mblidhte paratë: në vitin 2017 ajo mblodhi mbi 10 milionë euro nga shitjet rekord, ndërsa nga turneu fitoi 47 milionë euro.

Ed Sheeran është ngjitur në vendin e dytë nga vendi i tretë në vitin 2017. Këngëtari 27-vjeçar ka rritur pasurinë e tij nga 65 milionë euro në vitin 2017 në 105 milionë në sajë të fitimeve të larta nga albumi i tij i tretë (6 milionë kopje të shitura dhe të numëruara) dhe shitja e biletave për turneun e tij botëror, që i dhanë atij mbi dy milionë euro.

Daniel Radcliffe arrin në vendin e tretë për herë të parë, me një pasuri prej rreth 97 milion euro, shumica e të cilave janë mbledhur falë rolit të tij në sagën e “Harry Potter”.

Ndërsa këngëtarja me origjinë shqiptare, Rita Ora renditet në vendin e 17-të.

Kjo është lista e plotë e artistëve më të pasur në Mbretërinë e Bashkuar;

1. Adele, 30,
2. Ed Sheeran, 27,
3. Daniel Radcliffe, 29,
4. Harry Styles, 24,
5. Emma Watson, 28,
6. Little Mix
7. Niall Horan, 25,
8. Louis Tomlinson, 26,
9. Liam Payne, 25,
10. Zayn Malik, 25,
11. Rupert Grint, 30,
12. Sam Smith, 26,
13. Aaron Taylor-Johnson, 28,
14. Cara Delevingne, 26,
15. Winston Marshall, 30,
16. Rita Ora, 27,
17. Jessie J, 30,
18. The xx
19. Jack Whitehall, 30,
20. Nicholas Hoult, 28./ ATSH/ KultPlus.com

Qerkezi e Myshketa në duet për 70-vjetorin e konkursit operistik në Itali

Para tre vjetësh sopranoja Marigona Qerkezi mori vëmendjen e teatrove italiane kur doli fituese e konkursit ndërkombëtar operistik “AsLico”, që u dedikohet këngëtarëve të rinj lirikë të Evropës.

Triumfi në garën prestigjioze që mbahet në Como të Italisë, e ka rikthyer në skenën e teatrit të operës së këtij qyteti. Të dielën mbrëma, Qerkezi – e cila po bën karrierë ndërkombëtare dhe viteve të fundit goxha shpesh ka performuar para audiencës italiane – e ka ndarë skenën me baritonin shqiptar Gëzim Myshketa.

Dy shqiptarët kanë interpretuar duetin Lucias dhe Enricos, shkëputur nga opera e njohur “Lucia di Lammermoor” e Gaetano Donizettit, në mbrëmjen që shënoi 70-vjetorin e “As.Li.Co”. Të dy u ftuan për t’u bërë pjesë e koncertit jubilar si ish-fitues të këtij konkursi, shkruan Koha Ditore./ KultPlus.com

‘Ah, këto vajza’, tregimi humoristik në librat shkollorë që paragjykon vajzat

Tekstet shkollore kanë nevojë për përmirësime mirëpo një gjë e tillë nuk është duke ndodhur. Përmbajtja e tyre ka frustuar shumë njerëz në shoqëri të cilët vazhdojnë që të ndajnë me të tjerët shqetësimet për përmbajtjen e materialeve edukuese.

Shqetësuese është edhe teksti “Ah, këto vajza”, shkruan KultPlus. Këtu vajzat përshkruhen si frikacake, të pafuqishme, të dobëta, ato vetëm qajnë, nuk dinë të zihen, janë tërë naze, tërë lajka…Lotët s’i kanë për gjë, as që u vjen zor nga vetja…S’kanë fare fuqi, vetëm të lodhen dinë.., i ruhen rrezikut. Një dy, vec të klithin dinë…

Ky tekst gjendet në librin Gjuhë Shqipe të klasës së pestë./ KultPlus.com

Skandali i librave për klasën e parë, ‘Dy dele…’ dhe mashallah

Librat shkollorë në Kosovë janë skandali i radhës, i vazhdueshëm në këtë shoqëri.

Në vazhdën e skandaleve, njerëzit po vazhdojnë të postojnë pasazhe nga librat e ndryshëm të cilët edukojnë gabimisht gjeneratat e ndryshme në Kosovë.

Një libër për fëmijët e klasës së parë, Edukata Muzikore për shkollat fillore, e ka këtë poezi, apo këngë, shkruan KultPlus.

Versioni është më i ndryshëm nga kënga e njohur “Dy dele, treqind pare” këngë e njohur shqipe e kënduar në versione të ndryshme nga këngëtarë të ndryshëm.

Megjithatë është skandaloze formimi dhe përkthimi i këngës për moshat e reja të cilat vijojnë klasën e parë të fillores në Kosovë. / KultPlus.com

Në ish-kampin e përqendrimit në Tepelenë, ngrihet memoriali për viktimat që ua mohuan edhe gurin e varrit (VIDEO)

Më 2 nëntor vjen “Pëshpëritje ndër varret e mohuara”, në ish-kampin e përqendrimit në Tepelenë me fillim nga ora 14:00, shkruan KultPlus.

“Pëshpëritja” mbahet nga përfaqësuesit e të katër besimeve fetare në Shqipëri.

“Rreth 300 fëmijë mbetën viktima të diktaturës komuniste në kampin e internimit të Tepelenës. Atyre iu mohua edhe guri i varrit, ku në asnjë traditë nuk ndodhë kjo. Në kujtim të tyre, po ngrihet ky memorial. Le të jemi së bashku për të nderuar kujtimin e tyre”, thuhet në njoftim.

Memo and Kujto.al, e organizojnë këtë event ndërsa më poshtë në video mund të shihni programin e plotë./ KultPlus.com

Përfundojnë xhirimet e filmit “Bolero në vilën e pleqve” me regji të Spartak Pecani

Tashmë kanë përfunduar xhirimet e filmit ”Bolero në vilën e pleqve” skenari i të cilit është me motivet e veprës së Fatos Kongolit me të njëjtin titull.

Regjinë e këtij filmi e ka bërë Spartak Pecani, i cili për realizimin e skenarit ka bashkëpunuar edhe me Linda Fejzaj. Producent është Eclipss me mbështetjen financiare të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe coproducion i Qendrës Kinematografike të Kosovës.
Në këtë film luajnë aktorqët si: Robert Ndrenika Margarita Xhepa, Gentiana Ramadani, Olta Daku, Olta Gixhari, Ledjon Zoi, Afrim Muçaj. DoP është Latif Hasolli ndërsa kostumografi është realizuar nga Gerta Oparaku.

Në qendër të filmit një çift pleqsh që janë të detyruar të jetojnë të vetëm në fundjetën e tyre edhe pse kanë tre fëmijë. Biri i tyre u siguron një punëtore shtëpie, në dukje një vajzë e qetë dhe e përkushtuar ardhur nga s’dinë se ku, por vajza e pleqve që në impaktin e parë duket se nuk e pëlqen aspak mysafiren e re në shtëpinë e prindërve ,kjo do të bëj që ajo të shkoj përtej pyetjeve të drejtpërdrejta, duke bërë që të zhbiroj mbi jetën e saj nga ku mëson se me kë ka të bëjë. Punëtorja që jeton në vilë ka një të kaluar të errët për mendimin e vajzës së pleqve, për më tepër edhe prirjet e saj janë në kundërshti me parimet dhe principet që ajo ka. Dhe nuk mbaron këtu…/ KultPlus.com

Përmbytja e rrugëve në Venecia përmes fotografive

Venecia është përmbytur nga një valë e lartë e cila ka lënë tre të katërtën e qytetit nën ujë. Turistët dhe banorët kanë qarkulluar me çizme të mëdha pasi që erërat e forta kishin rritur nivelin e ujit nga 156 cm në më shumë se 5 metra përpara se të tërhiqeshin.

‘Acqua alta’ krijoi kaos në Venedik, pasi shkollat dhe spitalet u mbyllën dhe qytetarët u këshilluan që të mos largoheshin nga shtëpitë e tyre, shkruan The Guardian.

Por përmbytja nuk trazoi romancën e një qifti i cili shijoi romancën e qytetit edhe gjatë përmbytjeve. Më poshtë mund të shini disa fotografi të publikuara nga The Guardian./KultPlus.com

Lexim letrar dhe ekspozitë në Ambasadën e Kosovës në Berlin

Me rastin e 10 vjetorit të Marrëdhënieve Diplomatike mes Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë në hapësirat e Ambasadës së Kosovës në Berlin është organizuar ngjarja kulturore e radhës organizuar nga përfaqësia e shtetit të Kosovës në kryeqytetin gjerman.

Mysafirët e pranishëm me një fjalë të shkurtër u dëshiroi mirëseardhje Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj.

Së pari u organizua leximi nga romani i saj i parë i shkruar në dhe botuar në gjuhën gjermane nga Arta Ramadani „Die Reise zum ersten Kuss. Eine Kosovarin in Kreuzberg“ (Shqip: „Udhëtimi deri tek puthja e parë. Një Kosovare në Kreuzberg“). Arta Ramadani e cila punon si gazetare në televizionin gjerman „ZDF“ për herë të parë lexoi nga libri i saj në hapësirat e Ambasadës së Kosovës por edhe para publikut shqiptar. Ramadani deklaroi me këtë rast që ndjehet e nderuar sidomos për faktin që pas një serie leximesh nëpër Gjermani këtë mbrëmje paraqitet para publikut dhe prindërve të saj shqiptarë.

Të njejtën mbrëmje rreth mysafirët e shumet te pranishëm në hapësirat e Ambasadës së Kosovës patën rastin të shohin fotografitë e Autores zvicerane Corinne Holthuizen dhe Axel von Hoerschelmann të cilat ishin bërë gjatë Festivalit të Filmit në Prizren „Dokufest“ dhe të cilat në një formë autentike nga jashtë, jepnin atmosferën e festës së filmit në kryeqendrën ballkanike të filmit dokumentar.

Aktivitetet e Ambasadës së Republikës së Kosovës për shënimin e Marrëdhënieve Diplomatike mes dy vendeve do të vazhdojnë edhe në muajt nëntor dhe dhjetor./ KultPlus.com

Dibrës i shtohet një muze

Në kuadër të Viti të Skënderbeut Shqipërisë i është shtuar edhe një tjetër muze.

Ndonëse është një muze i vogël lokal, ai ka një vlerë shumë të madhe sidomos nga pikëpamja simbolike.

Është fjala për muzeun e Sinës në trojet e Kastriotëve në Peshkëpi. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, thotë se ky është një tjetër premtim i mbajtur.

“Më pak se 1 vit më parë, në Peshkopi, premtuam se muzeun e vogël por shumë domethënës të Sinës, në trojet e Kastriotëve, do e restauronim nën shenjën e Vitit të Skënderbeut, por edhe si një ftesë për të vizituar ato krahina ku stinët janë befasuese në bukurinë e natyrës. Sot premtimi është i realizuar dhe muzeu ka hapur dyert për nxësnesit, dibranët dhe turistët si një ndalesë mes historisë dhe peizazhit”, thotë Kumbaro./gazetatema.net/ KultPlus.com

Relikti i anijes u shtohet artefakteve të Kepit të Rodonit

Mbetjet e një anijeje që i përket periudhës post-mesjetare kanë dalë në dritë ditëve të fundit në bregdetin e Kepit të Rodonit, në veri të Durrësit.

Relikti me gjatësi rreth 20 metra u zbulua shumë pranë vijës së ujit dhe i është nënshtruar pastrimit, fotografimit dhe matjeve të kujdesshme, raportojnë mediat shqiptare. Krejt kjo po bëhet me qëllim që të zbërthehet mënyra e ndërtimit të anijeve në kohë të ndryshme.

Arkeologu nënujor Adrian Anastasi, ka thënë se ky relikt tashmë është pagëzuar dhe po krijohet rrëfimi shkencor për të. Anastasi drejton projektin për përpilimin e hartës arkeologjike nënujore të Shqipërisë. Për Autoritetin Portual Durrës ai ka thënë se artefakti në të cilin po punohet është emërtuar “Rodon 4” dhe është zbuluar pas tre relikteve të tjerë.

Sipas tij, këtu shekuj më parë këto anije ishin aso që tranportonin mall nga vende të ndryshme.

“Më shumë se 2300 vjet më parë këto anije, të cilat i emërtuam simbolikisht ‘Rodon 1’ dhe ‘Rodon 2’, besohet se transportonin drejt Durrësit dhe destinacioneve të tjera mesdhetare ngarkesa të përziera edhe me amfora, apo tulla, tjegulla e qeramikë fine, të prodhuara me baltë nga qyteti antik i Durrësit”, citohet të ketë thënë Anastasi. Por, sipas tij, së shpejti priten edhe zbulime të tjera ngase zona ku u gjetën reliktet e anijeve, nuk është fort e gërmuar.

“Ky është vetëm fillimi i surprizave në një nga zonat më të bukura dhe më pak të njohura të bregdetit shqiptar”, ka thënë Anastasi./KultPlus.com

Hugh Jackman në rolin e senatorit amerikan në filmin “The Front Runner”

Është publikuar paraqitja e parë e shkurtër ndërkombëtare e dramës biografike amerikane, “The Front Runner”.

Aktori Hugh Jackman luan rolin kryesor në këtë film, ndërsa e portretizon një senator, i cili bie nga gara presidenciale për shkak të një afere dashurie.

Gary Hart (Jackman) është protagonisti kryesor, një politika nga jeta reale, skandali i të cilit nxiti shkrime të shumta rreth jetës private të politikanëve.

Hart ka qenë një senator karizmatik nga Kolorado, i cili u bë kandidat i Demokratëve dhe favorit në garën presidenciale të vitit 1988.

Gjithçka shkoi sipas planit derisa nuk u zbulua për një aferë dashurie që i kushtoi me humbjen e postit të presidentit.
Regjinë e “The Front Runner” e ka bërë Jason Reitman, ndërsa skenarin e kanë shkruar Matt Bai dhe Jay Carson.

Krahas Jackmanit, në këtë film luajnë edhe Vera Farmiga, J. K. Simmons, Mark O’Brien, Molly Ephraim dhe shumë të tjerë.
Drama do të jepet premierë më 21 nëntor në kinematë amerikane dhe pastaj do të nisë shfaqjen në vendet tjera të botës. /KultPlus.com

“Kërkojmë gjithçka shpejt, ne nuk presim”

Nga Jay Shetty

“Unë nuk njoh ndonjë person që të mos e kërkojë diçka sa më shpejt të jetë e mundur. Ne kërkojmë të na përgjigjen sa më shpejt në mesazhe; kërkojmë të na e kthejnë dashurinë sa më shpejt; kërkojmë të kemi njohje të reja sa më shpejt; kërkojmë të na shërbejnë shpejt në lokale… Pra, kërkojmë gjithçka shpejt. Ne nuk presim.

Mirëpo gjithë këto kërkesa të vazhdueshme dhe të pandalshme për t’i bërë gjërat shpejt, po na bëjnë të humbasim vlerën më të madhe që ekziston dhe që duhet durim. Durimi është e kundërta e dëshirës për t’i arritur gjërat sa më shpejt.

Shumë studime tregojnë se njerëzit e humbasin shumicën e gjërave që i arrijnë brenda një viti, pra që i arrijnë në mënyrë të shpejtë, brenda vitit të parë kur i kanë siguruar ato. Është normale të ndodhë kështu, sepse kur i fitojmë gjërat pa punuar fort, pa etikë, pa vlera, nuk do të dimë kurrë ta vlerësojmë atë që fitojmë.

Pra, kjo është sfida për këdo. Nëse e do ta arrish diçka shpejt, duhet të kuptosh se do ta humbasësh atë po aq shpejt. Nëse punon për të arritur diçka, ke për ta kuptuar dhe çmuar edhe vlerën e saj”./KultPlus.com