Pelikani kaçurrel, specia e rrallë, një pasuri e liqenit të Prespës

Pusteci është një prej potencialeve turistike ende të pazbuluara plotësisht në Shqipëri.

Pelikani kaçurrel, specia e rrallë e klasifikuar botërisht në rrezik zhdukje gjendet në këtë zonë. Në ujërat e liqenit të Prespës, që ndahen mes vendit tonë, Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut shpendi i rrallë strehohet prej vitesh ndërsa mund të shihet me sy të lirë.

Janë mbi 1200 individë të këtij shpendi në gjithë liqenin ndërsa deri në 400 pelikanë kaçurrele që qëndronin në pjesën shqiptare të ujërave të Prespes brenda së njëjtës ditë janë evidentuar nga specialistët e së fundmi një shteg turistik buzë liqenit në Pustec ka marrë emrin e këtij shpendi.

Pusteci llogarit mijëra vizitorë çdo vit ndërsa krahas bukurive të tjera gjatë periudhës së ngrohtë të vitit mund të vëzhgohet edhe Pelikani kaçurrel/VizionPlus/ KultPlus.com

Francezja me dimija, e dashura e piktorit shqiptar që u bë motiv për artin e tij

Një pikturë në vaj që mbanë një histori më vete. Kjo është Nadége, një grua franceze që i rastisi jeta të vizitojë Kosovën e të provojë edhe dimijat, veshje kjo që gratë shqiptare e kanë përdorë për një kohë të gjatë, e ende sot i hasim në disa vende të Kosovës, shkruan KultPlus.

Piktori shqiptar i cili jeton dhe vepron në Austri, Gazmend Freitag, ka ndarë për herë të parë për lexuesit e KultPlus një histori mjaft të bukur nga jeta e tij.

Një pikturë ku shihet një grua franceze e veshur me veshje tradicionale shqiptare (dimija), në fakt prapa saj qëndron një fotografi e cila e ka inspiruar piktorin.

Me Nadége, artisti kosovar ka qenë në lidhje dashurie për 3 vite me radhë (2012 – 2014). Ajo është franceze, ndërsa ka studiuar në Francë gjuhën gjermane, ku pastaj është punësuar si mësuese e gjermanishtes në Linz, Austri ku edhe jeton aktualisht. Përveç punës, në Gjermani Nadége gjeti edhe dashurinë. E pikërisht kjo dashuri e dërgoi në një vend që deri atëherë për të ishte i panjohur, në Kosovën tonë të bukur.

Në vitin 2012, Nadége me vetë dëshirë ka ardhur në Kosovë për pushime verore e shoqëruar nga gruaja e vëllait të piktorit. Në vendlindjen e tij, në fshatin Pataçani i Poshtëm, Nadége qëndroi për disa ditë me radhë ku edhe u njoftua me doket e zakonet shqiptare.

Takimi me prindërit e piktorit dhe vizitat në Kosovë e kanë fascinuar francezen e cila nuk la po i fokusuar këto momente për t’i ruajtur përgjithmonë në fotografi.

Këto qindra fotografi, artistit i kanë shërbyer si baza për të pikturuar motive nga Kosova.

“Nadege ka qenë e fascinuar nga jeta idilike, nga natyra e peizazhet piktoreske. Ndërsa qyteti i Prizrenit i ka mbetur i ngulitur në kokë. Ka fotografuar edhe shkollën e gjimnazit në Prizren, aty ku unë kam përfunduar mësimet e këto fotografi janë bërë bazë për punën time artistike”, ka thënë Freitag për KultPlus. Ai tutje rrëfen se si ishte impresionuar nga gjesti i Nadége-s kur e kishte parë të veshur me dimija.

“Ajo e adhuronte gjuhën shqipe, Kosovën, traditat tona, kulturën por edhe kuzhinën shqiptare. Francezja e pat vizituar edhe Kalanë e Prizrenit dhe Shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit dhe ka realizuar mbi 500 fotografi.”

Nadége nuk u kthye në Austri duarbosh. Me vete mori tri dhurata për të dashurin e saj. Djepin, fyellin dhe çiftelinë, ndonëse sot i ndarë me Nadégen, piktori i ruan me shumë nostalgji.

“Nadége ma pat fresku kujtimin për vendlindjen që u pat akumuluar mbi 20 vite. Gjithë dashuria ime për atdheun shpërtheu në vepra arti që i krijova nga zemra”, thotë Gazmend Freitag.

Nadége u bë edhe modele për pikturën e titulluar „Baresha“ e që artisti e ka shumë të çmuar.

Arti i tij lidhet ngushtë me Nadége-n, andaj piktori nuk e ndau kurrë atë nga jeta e tij artistike. / KultPlus.com

Salla e Baletit kundërmon rëndë, balerinët e Kosovës bëjnë thirrje për kushte më të mira

Jeta Zymberi

Pa një sallë adekuate për prova dhe pa një Teatër të mirëfilltë të Operës dhe Baletit, balerinët kosovarë po përballen me vështirësi skenike. Mungesa e një Teatri të Operës dhe Baletit ka kohë që konsiderohet “mëkati” i Qeverive që përkundër fjalëve ende nuk kanë arritur të konkretizojnë asgjë.

Kësaj sfide të artistëve, pritet t’i dalë ballë ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, shkruan KultPlus.

Por balerinët, deri në pritje të atij momenti, kërkojnë një zgjidhje të shpejtë sepse kushtet në të cilat ata punojnë janë të mjerueshme.

Me gypa që rrjedhin ujë, pa ngrohje adekuate, me xhama të thyer e pa ajër të mjaftueshëm, salla ku balerinët e Kosovës bëjnë provat është shndërruar në një vend gati të pamundur për punë. Kujtojmë që mungesa e ngrohjes së objektit të Teatrit ku shpesh ka munguar furnizimi me naftë, ka sjell edhe deri te anulimi i shfaqjeve.

Pas një pauze të gjatë për shkak të pandemisë Covid-19, ditën e djeshme, balerinët i janë kthyer ambientit të punës, por kushtet me të cilat po përballen i kanë nxitur ata të reagojnë. Përderisa dimri është në prag, artistët janë në panik që përkundër problemeve të tjera, problemi i vjetër, ai i ngrohjes do të u hap telashe.

Kreshnik Musolli, ushtrues detyre i drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës ka thënë për KultPlus se gjendja e sallës ku ata punojnë është e mjerueshme dhe kjo ndikon direkt në punën e tyre të përditshme.

“Hapësira është shumë e vogël, ajër nuk ka mjaftueshëm pasi që janë vetëm 4 dritare që hapen tepër pak dhe një sistem ventilimi që është i nivelit shumë të dobët. Gjithashtu dyshemeja ka nevojë të rinovohet komplet sipas kritereve që nevojiten për profesionin tonë. Zhveshtoret dhe banjot janë në gjendje të tmerrshme, madje zhveshtorja e meshkujve nuk ka asnjë dritare brenda”, ka treguar kështu në detaje Musolli për problemet e theksuara të kësaj hapësire.

Sipas tij, e gjithë hapësira e tyre brenda Teatrit Kombëtar duhet të ristrukturohet që të jetë adekuate dhe funksionale.

Përkundër kërkesave të tyre të vazhdueshme për intervenim, deri më tani nuk kanë marr ndonjë përgjigje nga institucionet relevante.

“Kemi bërë kërkesë që sa kohë në ministri dhe janë të informuar shumë mirë në hollësi me të gjitha problemet që i kemi në aspektin e infrastrukturës”, ka thënë Musolli.

Balerina Behie Murtezi, është shprehur se salla ku ata ushtrojnë është baza që i mban si balerinë dhe përderisa kushtet në atë sallë janë të mjerueshme, ata nuk ndihen mirë të punojnë aty. Ajo madje theksoi edhe një tjetër problem, atë të erës së keqe që kundërmon aty.

“E kemi pritur me padurim kthimin në prova sepse kjo është baza që na mban neve balerinëve. Por kushtet që i ofron salla padyshim që na bën të mos ndjehemi mirë secili prej neve. Përveç asaj që sheh syri, aty kundërmon edhe një erë shumë e keqe. Do të doja shumë që fokusi i njerëzve kompetent të jetë të paktën në rregullimin e kushteve të sallës së baletit”, ka thënë Murtezi.

Balerinët mbesin me shpresë të një ndërhyrje sa më të shpejt të institucioneve në këtë hapësirë që për profesionin e tyre është jetike. KultPlus.com

Shahini: Pandemia ka ndikuar keq te zhvillimi i fëmijëve, institucionet nuk kanë bërë asgjë për shëndetin mental

Ka shtatë muaj që Kosova përballet me pandeminë Covid 19, dhe shumë pak reagime janë vërejtur nga institucionet kosovare për ndikimin e kësaj periudhe në shëndetin mental të fëmijëve, por edhe të angazhimit të tyre në lojëra kreative apo angazhime të tjera që të jenë aktiv, pos ballafaqimit të fëmijëve me sistemin online, që është praktikuar prej marsit e këndej, e deri te rikthimi i tyre në bankat shkollore, shkruan KultPlus.

Psikologia Mimoza Shahini, ndikimin e pandemisë në fushën emocionale të fëmiut, duke iu referuar edhe kohës kur edhe është shfaqë fillimisht pandemia në Kosovë, e ndanë në disa faktorë, si: lidhshmëria që fëmiu ka pasur me shkollën, lidhshmëria e fëmiut me edukatorët dhe arsimtarët,  gjendjen ekonomike të prindërve dhe familjes ku jetojnë fëmijët, niveli i edukimit të prindit mbi reagimet në Covid 19, mënyra se si shkolla ruajti lidhjet me fëmijët përmes mësimit online, mënyra se si fëmijët vendosin rutinat e reja në përputhje me nevojat edhe të anëtarëve të tjerë të familjes si dhe mënyrat që gjetën fëmijët për të qëndruar në lidhje me bashkëmoshatarët edhe në kushte izolimi.

“Mendimi im është që ata që ja dolën me sukses në këto pika,  janë fëmijët të cilët i kanë vuajtur më së paku emocionalisht pasojat e pandemisë, ndërsa fëmijët të cilët u ballafaquan me shumë strese për shkak të strategjive jo të shëndetshme të përballimit,  janë ata që vuajnë më shumë”, ka thënë Shahini, duke specifikuar më pas edhe dhunën në familje, që sipas saj, rritja e dhunës në familje gjatë pandemisë ka qenë e lidhur me faktorët e lartpërmendur, si dhe me kthimin e një roli të ri të babait në kushte shtëpie.

Kurse sa i përket pjesës kreative të fëmijëve, nëse iu ka munguar sistemi shkollor me atë shtëpiak, Shahini thotë se nuk e mendon se kreativiteti është i pranishëm në shkolla, dhe në këtë pikë, nuk e sheh se kanë pas një ndikim te fëmijët në aspektin emocional.

“Unë nuk mendoj që edukatorët dhe mësimdhënësit, pa dashur të përgjithësoj janë kreativ në shkollë apo institucione parashkollore, dhe këtë e vërteton edhe vlerësimet e PISA, prandaj nuk shoh ndonjë lidhje të mungesës së kreativitetit me problemet emocionale, më shumë i shoh të lidhura me probleme në procesin e nxënies”, ka thënë Shahini.

Kurse për mospërgjegjësinë institucionale, të cilët nuk kanë punuar për ti dalë në ndihmë familjeve për menaxhimin e situatës së pandemisë, në këtë rast, gjendjes emocionale të fëmijëve, Shahini ka thënë se institucionet nuk kanë bërë asgjë për shëndetin mental të fëmijëve.

“Dhe e keqja nuk qëndron në mungesën e një strategjie apo plani veprimi për të mbështetur nevojat psikologjike të fëmijëve, por edhe shpërndarja e informacionit ka qenë shumë dramatike në raport me mënyrën se si përhapej virusi dhe si po menaxhohej. Gjithashtu familja ka qenë e përgatitur për rrethana të tilla, megjithatë informacionet nga prindërit kanë qenë pozitive, edhe pse shumë prej tyre kanë pasur vështirësi të menaxhimit të fëmijëve, sidomos kur kanë pasur më shumë se një fëmijë në mësimin online”, ka thënë Shahini, e cila nuk mendon që kultura familjare në raport me mësimin është shumë e fortë për ta influencuar nxënien e fëmiut, por, sipas saj, mësimdhënësit janë përpjekur me aq sa kanë ditur të mbështesin familjet.

Duke iu referuar izolimit më të hershëm dhe ndarjes së fëmijëve nga shoqet dhe shokët e tyre të klasës, Shahini e sheh si një ndër sfidat kryesore që kanë hasur fëmijët gjatë zhvillimit të tyre.

“Dhe pikërisht kjo ndarje ka ndikuar që të zëvendësohet me qëndrimin për orë të tëra në lojëra elektronike, duke rritur edhe më shumë distancimin social. Gjithashtu kemi raportime të rritjes se obesitetit,  si pasojë e qëndrimit për një kohë të gjatë në kompjuter apo mjete të tjera teknologjike”, ka thënë Shahini.

Dhe në mungesë të këshillimit institucional, Shahini tregon përvojën e saj përgjatë periudhës së izolimit se ka pas shumë raste kur familjet kanë kërkuar ndihmën e saj për të menaxhuar situatën.

“Problemi më i madh ka qenë vendosja e rutinave të reja, duke respektuar nevojat e secilit anëtar të familjes. Prindërit kanë qenë të painformuar se si t’i informonin fëmijët e tyre në raport me virusin si dhe të menaxhonin mësimin online. Ka pasur raste të problemeve të shëndetit mendor për shkak të situatës”, ka vazhduar Shahini,  e cila potencon edhe detajin tjetër, se përgjatë kësaj periudhe, nuk iu është kushtuar ndonjë vëmendje e veçantë aspektit emocional, përveç një linje telefonike e cila është ofruar nga vullnetarë të cilët nuk kanë qenë profesionistë për të bërë mbështetjen e duhur. “Nuk ka pasur një organizim të nevojshëm për t’i mbështetur fëmijët dhe për këtë më vjen shumë keq. Në kuadër të MSH kemi përgatitur një plan veprimi por, që nuk është jetësuar akoma”, ka thënë Shahini.

Dhe tashti, kthimi i nxënësve në shkolla, sipas saj është mirëpritur mjaftë mirë si nga fëmijët por edhe nga prindërit, por me dyshimet se si mund të menaxhohet kjo situatë e cila është në mes të mësimit fizik dhe atij online.

“Gjithsesi mendoj që ka ndikim pozitiv,  fakti që fëmijët do të kenë mundësi të takohen me bashkëmoshatarët dhe të gjithë akterët e tjerë të edukimit duke u kujdesur për shëndetin por edhe për mirëqenien e tyre emocionale”, ka thënë për fund Shahini./ KultPlus.com

Reagon Mehmet Kraja për shtrembërimet e historisë së Kosovës ku është i përfshirë Frashër Demaj

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (AShAK), Mehmet Kraja, ka reaguar në lidhje me Projektin e Historisë së Përbashkët të CDRSEE-së, ku ishte i përfshirë edhe anëtari korrespodent i AShAK-ut, Frashër Demaj.

Sipas Krajës kjo është një ndërhyrje krejtësisht e çmendur në historinë e Kosovës nga e cila hiqen masakrat sërbe dhe toponimet e Kosovës bëhen sërbisht.

Ai tutje kërkon që kjo përgjegjësi duhet të tejkalojë individin dhe të marrë përgjigje institucionale.

Ky është reagimi i plotë i Krajës:

Një ndërhyrje krejtësisht e çmendur në historinë e Kosovës nga e cila hiqen masakrat sërbe dhe toponimet e Kosovës bëhen sërbisht. Përgjegjësia për shkarje të tilla nuk mund të ndalet te individët me mendje të turbullt e të korruptuar, por duhet të marrë përgjigje institucionale: MASHT-i dhe Instituti i Historisë nuk guxojnë ta bëjnë këtë, nuk mund të livadhisin në këtë mënyrë mbi historinë tonë, sepse janë institucione të Kosovës, që duhet të mbajnë përgjegjësi. Tani duket një makiavelizëm i shëmtuar nëse thua se nuk të janë marrë parasysh vërejtjet, por nuk distancohesh nga projekti, madje merr pjesë në panel kur bëhet promovimi i botimit të tij. Brengos fakti se këta njerëz sapo përballen me kritikë ose me përgjegjësi publike përmes një retorike djallëzore, por banale në substancë, i lajnë duart nga përgjegjësia si Ponc Pilati dhe na dalin patriotë të thekur. / KultPlus.com

“Kosovo Theater Showcase” këtë edicion synon të promovojë edhe bukuritë e Kosovës

Nëpër qytete të ndryshme të Kosovës do të zbarkoj edicioni i 3-të i “Kosovo Theater Showcase”, në të cilën do të shfaqen disa shfaqje teatrore, të prodhuara në vend dhe në botë, shkruan KultPlus.

 Këtë vit “Kosovo Theater Showcase” do të shfaqet përpara publikut nga 27 tetori deri më 1 nëntor, me pjesë teatrore nga Qendra MultiMedia, Teatri Kombëtar i Kosovës dhe Volksbühne Berlin, Teatri i Qytetit të Gjilanit dhe teatrot & grupet teatrore nga Kosova dhe Serbia.

Programi i këtij edicioni është i mbushur me diskutime, panele dhe mbrëmje muzikore, ndërkaq organizimi i këtij edicioni në disa qytete, e jo në Prishtinë, bëhet në mënyrë që të njihen bukuritë e Kosovës.

“Të ftuarit ndërkombëtarë do të kenë mundësinë e rrallë që jo vetëm të shohin prodhimet më të fundit teatrore të skenës teatrore të Kosovës dhe trendet e saj, por gjithashtu të shijojnë mikpritjen e shkëlqyer dhe peizazhin e bukur të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Qendrës MultiMedia.

Disa nga shfaqjet që do të shfaqen në këtë edicion janë: “The return of Karl May”, “I am my own wife”, “a.y.l.a.n”, “Arturo Ui”, “Balava”. Të pranishëm do të jenë 50 mysafirë ndërkombëtar duke përfshirë kritikë teatri, gazetarë, shkrimtarë, regjisorë dhe admirues teatri./KultPlus.com

Elena Kocaqi me një hipotezë të re: Ja dokumenti më i vjetër i shqipes së shkruar

Studiuesja Elena Kocaqi se fundmi ka njoftar daljën në treg të libit te saj më të fundit me titull Perikopi Evangjelik (Përmbledhje Ungjillore). Në këtë botim Kocaqi thotë se ka sjellë fakte që dëshmojnë dokumentin më të vjetër të gjuhës shqipe, që është zbuluar deri më sot, pa përjashtuar mundësinë e ekzistencës se dorëshkrimeve të tjera, detyra e zbulimit të të cilave u takon studiuesve sipas saj.

Në profilin e saj në facebook Kocaqi shkruan për librin:

“Kam nderin qe të publikoj sot në Shqip, Anglisht dhe Italisht,  Dokumentin me te vjetër te gjuhës Shqipe së shkruar, të njohur deri me sot, me titull Perikopi Evangjelik( Përmbledhje Ungjillore). Ky shkrim është shkruar ne gjuhën Shqipe me germat e quajtura Greke dhe i përket fillimit te shekullit te XIV, pasi është gjetur në disa dorëshkrime te shkruara ne Koine Greke të kësaj kohe, apo fillimit te viteve 1300 por mund të jetë edhe i viteve 1200. Ky është dokumenti me i vjetër i Shqipes se shkruar të njohur deri me sot, është me i vjetër se Formula e Pagëzimit e 1462 dhe me i vjetër se Meshari i Gjon Buzukut i 1555. Dokumenti ka karakter fetar, pasi është një përmbledhje Ungjillore por rëndësia e tij qëndron tek shkrimi i gjuhës Shqipe, jo te përmbajtja e tij. Ky dokument ka dy shkrime në Shqip, Ευαγγελιον αρβανειτικοv, (ungjilli në Arbërisht ose Shqip), το Χριστός ανεστη αρβανειτικοv (Krishti u Ngjall në Arbërisht ose Shqip). Ashtu si pjesa Katolike Shqiptare që shkruante me shkronja Latine pjesë nga Bibla, ashtu edhe Ortodoksit Shqiptar kane shkruar Shqipen me shkronja Greke dhe kjo pjesë ka qenë e panjohur, madje e injoruar deri me sot.
Rëndësia e dokumentit është e jashtëzakonshme, pasi e çon Shqipen e shkruar të njohur ne një epoke me te hershme, megjithëse unë mendoj se duhet te këtë shkrime Shqipe me te vjetra sesa ky shkrim, pasi Shqipja del ne këtë forme qe është sot qe në fjalorin e Homerit.
Dokumenti ka rendësi sepse hap një horizont te ri. Duke qene se pjesa me e madhe Shqipërisë ka qene lidhur me Bizantin, atëherë duhet te këtë edhe shkrime te tjetra në Shqip me germa Greke por edhe germa Latine në gjuhën Shqipe që ne nuk i njohim ende. Kështu Kodikët muzikor Bizantin ne shekujt III deri VI apo VII, kane qenë shkruar edhe ne gjuhët e popujve jo vetëm në gjuhen e fesë. Kryhej një perikop apo përmbledhje e Ungjillit dhe ajo këndohej në gjuhen e popullit ne raste festash, ashtu si dhe në gjuhën Shqipe, ndaj duhet kërkuar tek këto shkrime edhe për gjuhën Shqipe. Kjo tradite rifillon serish ne shekujt XI, XII dhe ka vazhduar deri me sot si ne Kishën Bizantine por edhe në atë te Romes. Kështu qe ne këtë drejtim mund te gjenden edhe te tjera dokumente ne gjuhen Iliro- Shqipe, te shekujve III-VI si dhe nga shekujt XI, XII e këtej.
Nuk ka rendësi fare alfabeti as përmbajtja e tekstit, rendësi ka qe ai është shkruar në gjuhën Shqipe. Shkrimet Shqipe duhen kërkuar me germa Latine, Greke por edhe Cirilike apo çdo lloj alfabeti tjetër. Edhe Iliret kane shkruar me disa alfabete, madje kane perdorur edhe keto germa tek monedhat e tyre.

Ky dokument është zbuluar nga Arbëreshet e Italisë ne vitin 1912, ne Bibliotekën Ambrozia te Milanos kur ka qenë drejtor i saj Papa Piu XI dhe mban edhe firmën e tij. Përmendja e parë e dokumentit i detyrohet Sofronio Gassis, ndërsa është rigjetur dhe botuar nga Nilo Borgia ne Itali ne 1930. Është njoftuar shkenca shqiptare nga vet Nilo Borgia, sa ishte ai gjallë por ky dokument nuk njihet deri me sot si dokumenti me i vjeter dhe arsyea nuk dihet se perse. Ka pasur perpjekje qe dokumenti te zhvendoset ne shek e XV por karaktetistikat e shkrimit dhe letres jane te shek XIV ose fundi i XIII. Falënderoj z. Mark Palnikaj qe shkon herë pas here dhe sheh dokumentet ne Itali, qe me dha informacionin për dokumentin dhe me pas e gjeta edhe një kopje tjetër qe është botuar ne gjuhen Italiane tek ky libër, krahas asaj Shqipe.

Ky libër është ne tre gjuhe në Shqip- Anglisht dhe origjinali në Italisht. Brenda ka pjesë Greqisht dhe Latinisht gjithashtu. Përkthimin nga Italishtja, Greqishtja dhe te termave Latin ne gjuhën Shqipe i kam kryer vet po ashtu edhe përkthimin nga Italishtja dhe pjesët Greqisht dhe Latinisht ne gjuhën Angleze e kam kryer po unë me besnikërinë më të madhe të mundshme, megjithatë duke pasur të botuar dhe dokumentin origjinal, çdo kush mund te shoh edhe atë. Kam shkruar hyrjen, konkluzionet si dhe kam shkruar edhe një lexim te shkrimit Shqip, bazuar tek varianti me shkronja Greke. Pjesa qe ka shkruar Nilo Borgia është lenë ashtu. Borgia ka treguar një historik te liturgjisë fetare ortodokse dhe gjuhëve qe janë përdorur si zyrtare dhe jo zyrtare dhe me pas është marr me transkriptimin dhe shpjegimin e tekstit ne shqip. Ai ka një merite te madhe për këtë shkrim pasi e rikërkoj dhe e gjeti atë dhe e botoj ne gjuhen Italiane para 90 vjetësh.
Ky dokument ndryshon historinë e Shqipes se shkruar, pasi ajo merr një pozitë me te vjetër, sesa kjo qe ne njohim deri me sot. Asnjëherë nuk kam ndier emocione me te forta, sesa botimi i këtij libri, pasi rëndësia e tij për historinë e Shqiptarëve është e jashtëzakonshme. Kam hequr nga vetja me botimin e tij një ngarkese te madhe, pasi ishte vërtet një detyrim dhe nje përgjegjësi e madhe, botimi i tij për historinë e Shqiptarëve. / Diasporashqiptare / KultPlus.com

Pa familje dhe të pashoqëruar, shumë fëmijë nga Kosova jetojnë të vetëm në Itali

Fëmijët në Itali janë kthyer në shkolla. Në mesin e nxënësve që janë kthyer në bankat e shkollës, janë edhe shumë fëmijë të mitur të pashoqëruar, të cilët kanë mbërritur të vetëm në shtetin italian.

Ministria italiane e Punës dhe Politikës Sociale e ka publikuar raportin e sivjetmë për të miturit e huaj të pashoqëruar në Itali. Nga ky raport del se më së shumti fëmijë të huaj të pashoqëruar në Itali vijnë nga Kosova dhe Shqipëria, shkruan Gazeta Express.

Në 100 të mitur të pashoqëruar, 32 vijnë nga Kosova e Shqipëria (dy vjet më parë ishin 11), 21 nga Bangladeshi, Pakistani e Afganistani (përqindja u trefishua), 19 nga Afrika Mesdhetare dhe 17 nga Afrika nën-Sahariane (ishin 36 dy vjet më parë). Në statistikë, refugjatët “politikë” shfaqen nën titullin “të tjerët”; numerikisht jo shumë të rëndësishëm, por njerëzisht dhe politikisht shumë të rëndësishëm.

Ndryshe nga të rriturit, të miturit nuk mund të refuzohen ose dëbohen nga Italia, shkruan e përditshmja italiane “Il Fatto Quotidiano”. Strukturat e shtetit italian kujdesen për ta derisa ta arrijnë moshën madhore, duke u siguruar akomodim, kujdes shëndetësor dhe edukim.

Për ta ofrohen të njëjtat forma të mbështetjes si për të miturit italianë në vështirësi ose pa mbështetje familjare. Çdo gjashtë muaj, Ministria e Punës dhe Politikave Sociale harton një raport për situatën e këtyre fëmijëve.

Raporti ministror tregon se janë 5 mijë e 16 fëmijë të huaj të pashoqëruar në Itali, nga të cilët 4 mijë e 778 janë meshkuj dhe 238 femra. 64% e tyre janë 17 vjeç, 24% janë 16 vjeç, ndërsa 12% janë 15 vjeç ose më të rinj. 13 mijë e 151 fëmijë të kësaj kategorie ishin në Itali dy vjet më parë, ndërsa 7 mijë e 272 në vitin 2019. Kështu, në dy vjet numri ka rënë për gati dy të tretat. Një shkak për këtë është se 16-17-vjeçarët e viteve të kaluara tani janë rritur.

Pasi mbërrijnë dhe regjistrohen në Itali, këta të mitur vendosen në vende të caktuara. Ndërkohë, Gjykata rajonale për të Mitur cakton një kujdestar për ta. /KultPlus.com

Alketa Xhafa Mripa në bashkëbisedim me Hou Hanru në MAXXI, do të prezantojë edhe projektin “Të mendosh për ty”

Hou Hanru, drejtori artistik i MAXXI të Romës do të jetë nikoqir i artistes shqiptare Alketa Xhafa Mripa, bashkëbisedim që do të realizohet sot, në ora 18:00, shkruan KultPlus.

Në Muzeun e Artit Kombëtar të Artit do të bisedohet rreth projekteve të fundit të Alketa Xhafa Mripës, por sipas njoftimit zyrtar të këtij institucioni, theks të veçantë do ti jepet projektit “Të mendosh për ty”, ku Alketa Xhafa Mripa pat prezantuar mbi pesë mijë fustane të grave, simbolikë mbështetëse për gratë e dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë, projekt që u pat realizuar fillimisht në Stadiumin e Prishtinës, e më pas është prezantuar si kauzë edhe në vende të tjera./ KultPlus.com

50 milionë euro investime në rindërtimin e monumenteve kulturore, Rama: Procesi i rindërtimit, fuqizim ekonomik

Restaurimi dhe rijetëzimi i monumenteve të kulturës të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit do të prekë disa pika të rëndësishme të hartës së pasurive tona, si dhe do të sjellë shumë më tepër punë, konsum dhe turistë”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama i cili nënshkroi me përfaqësues të BE Memorandumin e Mirëkuptimit për investimin prej 50 milionë eurosh miratuar nga BE-ja në kuadër të projektit të Rindërtimit të monumenteve të trashëgimisë kulturore, pas tërmetit të nëntorit të kaluar. Pjesë e fondit prej 100 milionë euro alokuar nga BE për të ndihmuar ringritjen pas tërmetit, ky investim i dedikohet shkollave, kopshteve dhe objekteve të kulturës të cilat u dëmtuan vitin e kaluar.

Në ventin e mbajtur sot në Muzeun Arkeologjik të Durrësit, e konsideron këtë projekt si vazhdimësi e procesit të rivitalizimit urban dhe rural që vijon në Shqipëri, duke ndikuar në zhvillimin e secilës zonë sipas pikave më të forta turistike dhe ekonomike të tyre.

“Është absolutisht domethënëse që këtë proces rimëkëmbje dhe rilindjeje të këtyre pikave strategjike për hartën e pasurive tona të paçmueshme ne e bëjmë dorë për dore me Bashkimin Europian. Me BE-në që u gjend pranë Shqipërisë dhe popullit shqiptar në një moment aq kritik dhe u kthye në një stacion ku u mblodhën miq nga mbarë bota për t’u solidarizuar me popullin shqiptar në Konferencën e Donatorëve prej të cilës ne morëm një mesazh emocionues e kuptimplotë solidariteti dhe një kontribut rekord”, – nënvizoi Rama.

Kreu i Ekzekutivit theksoi se “procesi i rindërtimit është një proces për fuqizimin ekonomik dhe social. Dritëshkurtësi e madhe, të mos kuptosh se këto investime janë ekonomi drejtpërdrejtë”.

Sipas tij, ky projekt do sjellë shumë më tepër punë, konsum dhe turistë që do sjellin edhe më shumë të ardhura.”

Rama e konsideroi këtë marrëveshje me BE-në xhevahirin që kurorëzon punën që është bërë gjatë viteve për rijetëzimin e monumenteve kulturore, shumë prej të cilave janë shpëtuar teksa ishin në prag të asgjësimit. /atsh/ KultPlus.com

Peizazhe unike nga Antikiteti: Parku Kombëtar Zvicra Saksone

Në juglindje të Drezdenit, por në lindje të Gjermanisë, gjendet Parku Kombëtar Zvicra Saksone, e kaluara e të cilit shtrihet deri në periudhën e lashtësisë

Në Parkun Kombëtar në Krahinën e Saksonisë gjenden viset e pazakonshme të formuara nga erozioni në periudhën e Antikitetit.

Ato si të tilla paraqesin zonë unike të Evropës së Mesme, transmeton Telegrafi.

Formacionet shkëmbore, luginat e skalitura thellë, rrafshnaltat dhe kanionet e përbëjnë relievin e kësaj pjese të veçantë.

Në kuadër të Parkut Kombëtar Zvicra Saksone, në sipërfaqe prej 36.000 hektarësh, nën mbrojtje është pjesa më e madhe e malit, e cila është krijuar nga rëra e Elbës.

Në këtë park mund të shihen edhe lloje kafshësh, të cilat janë bërë të rralla, siç janë huti, vidra dhe gjeri, si edhe zona me fier, likene dhe myshk, të krijuara nga ndryshimet në biotope në një zonë të vogël. / Ndertiminfo/ KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=4TNa9s5vay0&feature=emb_title

Njihuni me “Fustanin e Pandemisë”, i cili mund të zëvendësojë maskën

Meqenëse maskat e fytyrës u bënë të detyrueshme për shumicën e aktiviteteve të përditshme si hyrja në dyqane, përdorimi i transportit publik, frekuentimi i ambienteve të mbyllura etj, gjithmonë sigurohemi të kemi një të tillë para se të dalim jashtë.

Megjithatë, duhet ta pranojmë që të gjithëve na ka ndodhur ta harrojmë të paktën një herë maskën. Dhe vetëm kur jemi kujtuar papritur me vrap në farmacinë më të afërt.

E dini se cila mund të jetë zgjidhja e një problemi të tillë? Një veshje me maskën të bashkëngjitur. Po, stilistët kanë menduar për ju që harroni gjithçka!

Ky fustan me një maskë të bashkëngjitur në pjesën e fytyrës, duket se është e ardhmja e modës gjatë pandemisë.

Në dukje ky është një fustan i zi mjaft i thjeshtë, por ju siguron që do ta keni gjithmonë maskën tuaj me vete. Fustanin mund ta gjeni te PrettyLittleThing për 21€ dhe është një zgjidhje interesante dhe shumë ‘fashion’. / Lapsi.al/ KultPlus.com

Muzeut Etnografik i Kavajës merr statusin Monument Kulture i Kategorisë së I-rë

Me rastin e Ditëve Europiane të Trashëgimisë Kulturore dhe veçanërisht sot, në 29 Shtator që shënon “Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore” bashkia e Kavajës ka sjellë në vëmendje Muzeun Etnografik të Kavajës, i kompletuar në vitin 1971, ku u ndërtua në një ndërtesë me një hajat, të restauruar, tipi i së cilës ishte i përhapur gjerësisht nga shekulli i 18-të.

Përmbajtja e muzeut është e përqendruar në tre aspekte. Së pari stili arkitekturor i ndërtesës dhe funksionet e ndarjeve që e përbëjnë atë, së dyti struktura sistematike e oxhakut, e dhomës së gjumit dhe e dhomës së miqve dhe së treti fondi i përgjithshëm etnografik.

Bashkia e Kavajës ka informuar se pas restaurimit të plotë të ndërtesës, Muzeut të ri të formuar i jepet statusi i Monumentit të Kulturës të Kategorisë së I-rë.

“Muzeu është një vlerë e trashëguar kulturore për qytetin e Kavajës, prandaj, ne të gjithë, jo vetëm duhet ta ruajmë dhe çmojmë trashëgiminë kulturore por edhe duhet të kujdesemi për të duke përcjellë vlerat e saj në çdo brez”, bën të ditur bashkia e Kavajës. /atsh/ KultPlus.com

Festivali i Filmit në Kanë këtë herë vetëm me një mini-edicion simbolik

Festivali i Filmit në Kanë, i cili nuk mundi të zhvillohej në pranverë për shkak të krizës shëndetësore, do të mbajë një edicion të jashtëzakonshëm të vogël në fund të tetorit, me shfaqjen e katër filmave nga zgjedhja zyrtare “Cannes 2020”.

Ky mini-festival do të hapet në Pallatin e Festivaleve me “Un triomphe” nga Emmanuel Courcol me Kad Merad, në prani të ekipit të filmit dhe do të përfundojë me “Les Deux Alfred” nga Bruno Podalydès, në prani të regjisores dhe aktores kryesore, Sandrine Kiberlain.

“Juria, përbërja e së cilës do të zbulohet së shpejti, do të japë “Palmën e Artë” për filmat me metrazh të shkurtër dhe çmimet “Cinéfondation” për talentet e reja”, theksuan organizatorët në një deklaratë.

Duke mos arritur të mbahej si çdo vit në maj, Festivali i Kanës u dorëzua duke botuar vetëm një listë me 56 filma që ishin pjesë e zgjedhjes zyrtare të tij 2020.

Në Kanë, festivali më prestigjioz i filmit shpreson të rifillojë ecurinë e tij normale vitin e ardhshëm dhe të mbahet nga 11 deri më 22 maj, për edicionin e tij të 74-të./ atsh/ KultPlus.com

Avokatja kosovare u ofron mbrojtje ligjore gazetarëve pa pagesë

Oda e Avokatëve të Kosovës e cila përbehet nga më shumë se 1080 avokatë është tërhequr nga memorandumi i bashkëpunimit me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës për t’i mbështetur ligjërisht gazetarët gjatë punës që ata e bëjnë.

Por, vullnetare që t’i ndihmojë gazetarët ligjërisht është shprehur e gatshme që të ofrojë avokatja  Teuta Xhema.

Ky është njoftimi i plotë i saj:

Duke u bazuar në reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) se gazetarët punojnë në kushte jo të mira dhe me paga shumë të ulta.

E po ashtu duke vlerësuar natyrën e punës, të cilën e kanë mjaft të rëndësishme, shumë të ndjeshme dhe kushtet në të cilat punojnë, e kanë shumë të vështirë ta zhvillojnë profesionin e tyre, ta kryejnë punën e tyre pa pengesa.

 Gazetarët shpesh gjatë ushtrimit të profesionit të tyre kanë pasur kërcënime dhe sulme fizike ku janë  penguar në lirinë e shprehjes, e cila është e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

 Gjendja e tyre (gazetarëve) ekonomike,  të ardhurat e tyre jo të mira, shpesh ua pamundësojnë  që t’i mbulojnë kërkesat e tyre për mbrojtje ligjore.

Gjendja e gazetarëve dhe liria e shprehjes duhet të kenë vemendje të veçantë nga institucionet e Kosovës.

Andaj duke parë të gjitha këto jam e gatshme që të mbështes secilin gazetar që ka nevojë për mbrojtje ligjore.

Mbrojtja ligjore nga ana ime për këta gazetarë do të jetë në mënyrë vullnetare,  pa pagesë. / KultPlus.com

https://www.facebook.com/photo.php?fbid=644957443064688&set=a.112248966335541&type=3

Sot, Dita Botërore e Zemrës

Çdo vit Organizata Botërore e Shëndetësisë në bashkëpunim me Federatën Botërore të zemrës organizojnë Ditën Botërore të Zemrës.

Dita Botërore e Zemrës mbahet në nivel global çdo vit më 29 shtator, me qëllimin kryesor të saj ndërgjegjësimin informimin dhe edukimin e njerëzve lidhur me sëmundjet kardiovaskulare (SKV), të cilat janë shkaku kryesor i vdekjeve në të gjithë botën.

Dita Botërore e Zemrës gjithashtu, synon të promovojë masa parandaluese që zvogëlojnë rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare.

Ka shumë lloje sëmundjesh që mund të japin goditje në zemër ose goditje në tru, prandaj, për lehtësi, këto sëmundje i ndajmë në tre grupe të mëdha: në sëmundje që ndikojnë drejtpërdrejt në zemër, në tru dhe në sistemin periferik të qarkullimit të gjakut.

Sëmundjet kardiovaskulare (SKV) janë shkaktari kryesor i vdekshmërisë në botë. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), çdo vit vdesin më shumë njerëz nga SKV-të, sesa nga çdo sëmundje tjetër.

5 milionë njerëz vdiqën nga SKV-të në vitin 2012, dhe shifrat janë në rritje duke përfaqësuar kështu 31% të të gjitha vdekjeve në nivel global. Nga këto 7.4 milionë ishin si pasojë e sëmundjeve koronare të zemrës, dhe 6.7 milionë si pasojë e goditjes në zemër.

Deri në vitin 2030, pritet që çdo vit, 23 milionë njerëz në botë të vdesin nga SKV-të. Më shumë se tri të katërtat e vdekjeve nga SKV-të ndodhin në vendet me nivel ekonomik të ulët dhe të mesëm.

Sëmundjet kardiovaskulare shkaktohen në përgjithësi nga kombinimi i një sërë shkaqesh të përbashkëta e të shumta, duke filluar me karakteristikat social-biologjike si: presioni i lartë i gjakut, kolesteroli i lartë, mbipesha dhe obeziteti, diabeti apo faktorët e mënyrës së jetesës si dieta jo e shëndetshme, duhanpirja, mungesa e aktivitetit fizik, konsumi i shtuar i alkoolit, të cilat rrisin probabilitetin për të pasur një problem të enëve koronare apo cerebrovaskulare.

Për sa i përket barrës së vdekjeve, faktor kryesor rreziku i SKV-ve është presioni i lartë i gjakut, të cilit i atribuohet 13 % e vdekjeve globale, ndjekur nga përdorimi i duhanit 9 %, sheqeri i ngritur i gjakut 6%, pasiviteti fizik 6 % dhe mbipesha e obeziteti 5%.

Sot në botë, të gjithë ekspertët e shëndetësisë besojnë se SKV-të janë dukshëm të parandalueshme, duke evituar një numër të madh vdekjesh të parakohshme.

Sëmundjet kardiovaskulare, si të gjitha sëmundjet kronike, fillojnë që në barkun e nënës dhe shtohen me moshën; është provuar se pesha e ulët në lindje është e lidhur me një rrezik të shtuar për hipertension, sëmundje zemre, cerebrovaskulare dhe diabet në jetën adulte. / KultPlus.com

“Shqipëria është një vend i humbur, e shqiptarët një popull i humbur”

Shkruan Kasëm Trebeshina

Dhe askush nuk mund ta parashikojë dot fundin e kësaj mbretërie të terrorizmit absolut, sepse Shqipëria është një vend i humbur, sepse shqiptarët janë një popull i humbur, pa një shtresë të vërtetë udhëheqëse, të dënuar të enden përjetësisht në një rreth të mbyllur…

Tashti, para lamtumirës, dua t’ju kujtoj se e gjithë kjo që na duket se e shikojmë është sa e madhërishme, aq edhe e tmerrshme!… Ju mos e bëni më të padurueshme, gjer në shkatërrim!… Dhe mos harroni!… Diktaturat nuk i kemi lënë pas!…

Diktaturat më të tmerrshme, të ngarkuara edhe me shkencë, do t’i keni përpara!… Mendohuni mirë… Për të mirën tuaj dhe të atyre që do të vijnë!…

Lamtumirë!…/ KultPlus.com

Pesë fiset e Kosovës dhe legjendat e epiteteve të tyre

Cilat janë fiset e Kosovës që janë ndër më të njohurit e përhapurit? Një fjalë e urtë popullore thotë: “Menja e Gashit, syni i Krasniqës, inati i Berishës, trimnia e Kelmenit, gjarpnia e Thaçit.” Për çfarë bëhet fjalë ekzaktësisht? 

Në të vëretetë po flasim për fiset shqiptare. Nisur nga libri “Mbiemrat e shqiptarëve të Kosovës – prejardhja dhe shpërndarja rajonale” shkruar nga Ali Caka dhe libri “Fiset Shqiptare” shkruar nga Robert Elsie, po ju sjellim zbërthimin e kësaj fjale të urtë. Shqiptarët siç mund edhe ta dini janë organizuar gjithmonë në fise dhe në po atë mënyrë kanë ndërtuar dhe emërtuar edhe tokat e tyre. 

Fiset e mësipërme janë edhe fiset kryesore që u shtrinë nga skaji i veriut të Shqipërisë dhe më vonë u zgjeruan në të gjithë Kosovën. Ndaj, sot në këtë artikull do t’ju sjellim fiset kryesore të Kosovës, shpjegimin e epiteteve të tyre dhe në artikullin e radhës disa nga fiset shqiptare.

1. Menja e Gashit

Gashi është një mbiemër shumë i përhapur, veçanërisht në Kosovë, ku ka vendbanime të gashëve në Prishtinë dhe rreth e rrotull Prishtinës (veçanërisht në Mramor), rreth Gjilanit, Klinës dhe Ferizajt. Megjithëse, mendohet se Gashi ka qenë fisi i parë në rajonin e Tropojës, para ardhjes së fisit Krasniqë. Fisi Gashi, konsiderohet si një fis i mençur dhe i urtë. Shpesh ftoheshin në tryeza për të zgjidhur probleme e mosmarrëveshje me urtësinë e tyre.

2. Syni i Krasniqës

Ashtu si fisi i Gashit edhe fisi i Krasniqës e ka prejardhjen në qarkun e Tropojës në verilindje të Shqipërisë. Sipas referencave thuhet se fisi i Krasniqës ka prejardhjen prej Bosnjës. Stërgjyshi i fisit të Krasniqës ishte Kolë Mekshi, prej të cilit u formua edhe dega e Krasniqës. Fisi i Krasniqës është i njohur si fis malësorësh dhe shquhet për syçeltësi. Të kthjellët dhe të shkathët në tregti ata kanë zotëruar tregun kryesor në Gjakovë.

3. Inati i Berishës

Rajoni i fisit të Berishës ndodhet në jug të lumit Drin, në qarkun e sotshëm të Pukës. Në fakt mbiemri Berisha është regjistruar si Berisa më 1691, në hartën e hartografit venedikas, Francesko Maria Koronelli. Berisha është mbiemër shumë i njohur, vecanërisht në Kosovë. Në mesin e fiseve malësore, fisit Berisha i ka dalë nami për inatin dhe mërinë që mban. Sipas një legjende, Skëndërbeu mallkoi Berishën e Muhurrit kur mori vesh se po bashkëpunonte me turqit dhe ndryshoi nga feja e krishtertë në atë muslimane. 

Or Berish, Berish qeni,
Kërkund vend mos t’zanë kuvendi,
Si n’të raj, si në pleqnajë,
Kurrë mos u bëfsh tri shpajë. 

4. Gjarpnia e Thaçit

Edhe fisi i Thaçit i përket qarkut të Pukës, në anën jugore të Lumit të Drinit, në Shqipërinë e Veriut. Thaçi ka qënë fis katolik ashtu si fiset e tjera që përmënda më sipër. Me prejardhje nga fisi i Thaçit është fisi i Vokshit, i cili u vendos në Kosovë, Fisi i Thaçit njihet për veçoritë e finokërisë dhe të dredhisë. Asociacioni i Thaçit me nofkën e gjarprit u përdor edhe gjatë luftës së Kosovës në vitin 1998-9.

5. Trimnia e Kelmendit

Rajoni i fisit të Kelmendit gjendet në rrethin e sotshëm të Malësisë së Madhe, në pjesën veriore dhe më të izoluar të Shqipërisë. Kelmendi i cili është edhe emër i zakonshëm familjar, veçanërisht në Kosovë, lidhet me emrin e Shën Klementit në saj të ndikimit të kishës Katolike. Shkrimtari venedikas, Marino Bolica, raportonte se ky fis përbëhej nga burra të armatosur deri në dhëmbë, burra të paepur, të rreptë, trima dhe grabitqarë të mëdhenj./ duacom/ KultPlus.com

Me njoft

Poezi nga Sibel Halimi

Kur pleqnia
supet ka mi rëndue
ka me pas çka me kujtue
një luftë e një paqe t’andrrume

Kur pleqnia
gishtat ka me mi dridh
ka me u mundue bile zanin vetes
edhe pak me ja lëshue

Kur pleqnia
ka me në shtri për toke
ka me pas çka me numrue
ikje
dashni
mijra gabime
që botën ma kanë nxi
por njeriun mirë njoft e kam

tjerat krejt fasadë
tjerat krejt harrohen. / KultPlus.com

E urreva nënën time, por një mëngjes pashë veten në pasqyrë dhe njoha atë

Mamaja ime ishte një grua e bukur dhe e zgjuar, si të gjitha mamatë, kështu që unë e doja dhe e urreja njëkohësisht. Fillova ta urreja kur isha 1 vjeçe, ndoshta sepse e doja kaq shumë dhe ideja se një ditë mund ta humbisja më krijoi një ankth, dhe për të qetësuar veten më duhej të nënvlerësoja nënën time.

Ndonjëherë ajo më dukej e bukur dhe e zgjuar, ndërsa vetja ime e shëmuar dhe e trashë. Unë s’kisha një mendim timin; Në mendjen time kisha vetëm mendimet e mamasë. U ndjeva e shtypur dhe e torturuar nga mania e saj për të dhënë urdhra. nga shijet e saj dhe nga idetë e saj që kjo është e drejtë dhe kjo e padrejtë. Për një kohë të gjatë ndjeja se të mos e doja kaq shumë nënën time, do të ishte e vetmja mënyrë që të doja veten time.

Një fije e padukshme na lidh ne me nënat: nuk ka asnjë mënyrë për t’u shkëputur prej saj, ose të paktën unë s’ia kam dalë dot kurrë ta shkëpus. Është e pamundur që të kthehesh brenda trupit të nënës, është e vështirë të lëvizësh përtej hijes së saj.

Kështu që shumë shpejt unë vendosa “trupa” të tjerë mes timit dhe atij të nënës sime. Trupa me të cilët unë mund të komandoja, të bëja dashuri, të acarohesha, të bëhesha e mençur ose e marrë – duke ndërtuar një botë të huaj për të. Doja që ajo të shqetësohej vetëm duke e parë këtë botë të re timen: Kjo gjë ndodhi shumë shpesh, dhe ajo iku në heshtje.

Për njëfarë kohe u ndjeva e lirë. Pastaj njerëzit filluan të më thonin gjëra të tilla si: “Ti qesh si nëna jote, je kokëfortë si ajo, ti i ke duart fiks si të nënës tënde”. Dhe unë një mëngjes pashë veten në pasqyrë dhe kuptova: Ajo ishte aty, në shtëpinë time, në trupin tim. Dhe për habinë time, kjo gjë filloi të më mërziste gjithnjë e më pak: unë kam zbuluar mamanë në gjestet e mia, në zërin tim, në gjithçka timen. Ishte e pamundur që unë të kthehesha brenda trupit të nënës sime, por ishte kaq shumë e mundur që ajo ishte brenda meje qëkur linda, dhe se ajo ishte brenda meje edhe atëherë kur unë mendova se isha larguar prej saj – kur mendova se isha e lirë nga ajo.

Dhe atë atëherë e kuptova se duke kërkuar veten, gjeta mamanë time, duke e pranuar dhe duke e dashur atë si kur isha fëmijë. U ndjeva sërish e brishtë. Ndonjëherë pajtimi merret si një veprim për të harruar gabimet që kemi kaluar e vajtur. Dhe ndoshta është e vërtetë, por jo në marrëdhëniet tona me nënat tona. U pajtova me nënën time kur kuptova gabimet – ato që mua më dukeshin të tilla – si pjesë e vetes sime, thelbësore për rritjen time.

Autore: Elena Ferrante
Përktheu: Eneida Daci. / KultPlus.com

Sot ka filluar zyrtarisht Festivali i Filmit “Art Without Limit International Film Festival” 1

Sot më datë 28.09.2020 ka filluar zyrtarisht edicioni i parë i Festivalit të Filmit “Art Without Limit International Film Festival” 1, ku nga 500 filma të cilët kan aplikuar, selektorët kan zgjedhur 40 prej tyre që të jenë pjesë e Festivalit.
Festivali “Art Without Limit International Film Festival” 1 ishte planifikuar të mbahej në Kino Armata në Prishtinë mirëpo për shkak të pandemisë covid 19 ky edicion po mbahet online nga data 28 – 30 shtator 2020.
Sot jan lansuar 13 filmat e parë në web faqen zyrtare www.artwithoutlimit-filmfestival.com dhe në faqen zyrtare në facebook; https://www.facebook.com/Art-Without-Limit-International-Film-Festival-103329747916446

Nesër me datë 29 do të publikohen 14 filmat e radhës, dhe me datën 30 shtator do të publikohen filmat e ditës së tretë!
Organizatorët e Festivalit “Art Without Limit International Film Festival” 1 kan planifikuar të ndajnë 11 ҫmime për filmat fitues, e ato janë;

Filmi më i mirë i luajtur (Golden and silver)
Filmi më i mirë dokumentar (Golden and silver)
Filmi më i mirë animacion (Golden and silver)

Regjia më e mirë
Skenari më i mirë
Kamera më e mire

Fuqizimi i gruas
Projekti më i mirë i realizuar

Juria profesionale në krye me presidentin e jurisë Producentin Austriak Z. Veit Heiduschka fitues I ҫmimit OSCAR, ka filluar ti vlerësoj filmat për secilën kategori, ku të mërkurën në mbrëmje me datë 30 shtator 2020 do ta bëjmë mbylljen e Festivalit dhe ndarjen e ҫmimeve për secilën kategori!

Trailer of AWLIFF
https://www.youtube.com/watch?v=_Z24mrgbBAA&t=18s

“Të gjitha vendet ishin zënë kështu që u ulëm nga ana e fajit”

Eugen Berthold Friedrich Brecht i njohur profesionalisht si Bertolt Brecht, ishte një praktikues, dramaturg dhe poet gjerman i teatrit. Ai pati sukseset e tij të para si dramaturg në Mynih dhe u transferua në Berlin në 1924, ku shkroi Opera Threepenny me Kurt Weill dhe filloi një bashkëpunim të përjetshëm me kompozitorin Hanns Eisler. I zhytur në mendimin marksist gjatë kësaj periudhe, ai shkroi Lehrstücke didaktike dhe u bë një teoricien kryesor i teatrit epik (të cilin më vonë preferoi ta quante “teatër dialektik”) dhe të ashtuquajturin efekt V.

Gjatë periudhës naziste, Bertolt Brecht jetoi në internim, së pari në Skandinavi dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shtetet e Bashkuara, ku u mbikëqyr nga FBI dhe u thirr nga Komiteti i Dhomave të Aktiviteteve Jo-Amerikane. Duke u kthyer në Berlinin Lindor pas luftës, ai themeloi kompaninë e teatrit Berliner Ensemble me gruan dhe bashkëpunëtoren e saj për një kohë të gjatë, aktoren Helene weigel.

KultPlus më poshtë ju sjellë një na thëniet e tij të famshme.

“Të gjitha vendet ishin zënë kështu që u ulëm nga ana e fajit”./ KultPlus.com

Autori gjerman publikon romanin “Bijat e Kosovës”

Ralph Hammerthaler ka prezantuar në Neurupin të landit gjermn Brandenburg librin e tij të ri “Kosovos Töchter” (Bijat e Kosovës).

Ky roman që merret me gratë magjepsëse, anarkike-feministe që duan të pushtojnë Ballkanin, është prezantuar të premten në festivalin e letërsisë së udhëtimeve  „Neben der Spur“, përcjellë KultPlus.

Romani i ri i Hammerthaler “Kosovos Töchter” nga shtëpia botuese Quintus do të dalë në treg pak disa ditësh. Premiera zyrtare e leximit do të zhvillohet më 1 tetor në Berlin.

“Kosovos Töchter” ka të bëjë me gra nga vende të ndryshme në Evropën Juglindore që depërtojnë në një parti të quajtur “V.!”, në Kosovë në mënyrë që të përhapin idealet e tyre anarkike-feministe në të gjithë Ballkanin.

Një gjerman i cili kishte shërbyer si ushtar në Kosovë në vitin 1999 udhëton sërish në këtë vend pas gati 20 vjetësh. Ai përpiqet të gjejë një 14-vjeçare të atëhershme të cilën atëbotë e kishte vizituar shpesh dhe kishte bërë miqësi me të. Që atëherë, nuk kishte mundur ta hiqte nga koka fytyrën e asaj vajze.

Romani është pjesërisht fiksion

Një pjesë e romanit të tij është sigurisht fiksion, është shprehur Hammerthaler. Si trillim duhet kuptuar gjithashtu faktin që të gjitha gratë e lëvizjes nëntokësore në rritje brenda partisë mbajnë me vete një kamë (thikë) të stilizuar por që mund të përdoret edhe si armë. Dhe ato (gratë) mund të bëjnë magji.

Hammerthaler thotë se gjithmonë e kishin frymëzuar personazhet e trilluara magjike të Michail Bulgakovit, trasnmeton albinfo.ch. Atëherë pse jo edhe gratë në romanin e tij?

Hammerthaler ka bërë shumë hulumtime në Kosovë për librin e tij. Një herë madje ka qëndruar atje për tre muaj pa ndërprerje. Ai kishte shikuar se ku qëndronin ushtarët gjermanë në Prizren dhe kishte zbuluar se bëhej shaka me “Banjon e Prizrenit”…

Gjatë hulumtimit të tij ai gjithashtu ka takuar shumë gra, tha shkrimtari. Këto “gra feministe në një shoqëri jashtëzakonisht patriarkale” e kanë bindur atë që të mos kufizohet vetëm në të shkruarit rreth një ushtari gjerman që kthehet në Kosovë.

Kur një dëgjues pyeti gjatë seancës së pyetjeve dhe përgjigjeve në fund të leximit nëse këto kama ekzistonin me të vërtetë si një shenjë e një lëvizjeje feministe në Ballkan, Hammerthaler nuk u përgjigj, sepse realiteti i tij qëndron diku tjetër, përcjell atutje albinfo.ch. Kamat sigurisht që janë pjesë e së vërtetës letrare: “Unë uroj që ju ta pëlqeni historinë si të tillë dhe të mos bëni dallimin midis së vërtetës dhe trillimit”. /albinfo/ KultPlus.com

Mali i Zi miraton ligjin për simbolet kombëtare

Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi ka vendosur të përdorë flamurin kombëtar shqiptar si simbolin e tyre në Mal të Zi.

Qeveria malazeze dha pëlqimin e saj rreth përdorimit të flamujve, himneve dhe ditëve të festave kombëtare të komuniteteve, përcjellë KultPlus.

Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi ka vendosur të përdorë flamurin kombëtar shqiptar – shqiponjën e zezë dykrenare me sfond të kuq.

Si stemë – shqiponjën e zezë dykrenare mbi të cilën është përkrenarja e heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut si dhe himnin “Rreth flamurit të përbashkuar”.

Gjithashtu është raportuar se 28 Nëntori – Dita e Flamurit Kombëtar – është caktuar si Dita e Festës Kombëtare të Shqiptarëve në Malin e Zi.

Ndryshe, Këshilli Kombëtar Kroat në Mal të Zi do të përdorë flamurin dhe stemën e Republikës së Kroacisë gjersa Këshilli i Romëve në Mal të Zi, ka vendosur të përdorë flamurin kaltër e gjelbër të miratuar në vitin 1971. / KultPlus.com