Jennifer Hudson fituesja kryesore në ‘NAACP Image Awards’

Çmimet NAACP Image 2022, të cilat nderojnë arritjet e njerëzve me ngjyrë në kulturë dhe argëtim, u prezantuan të shtunën (24 shkurt).

Jennifer Hudson ishte fituesja e madhe e natës në ndarjen e 53-të vjetore të çmimeve të cilat u mbajtën në Los Angeles.Fituesja e çmimit Oscar, 40 vjeç, u nderua fitoi çmimin “Argëtuesja e Vitit”, duke mposhtur në kategori Regina King, Lil Nas X, Megan Thee Stallion dhe Tiffany Haddish.

Hudson mori gjithashtu çmimin “Aktorja e shquar në film” për portretizimin e saj të fuqishëm të Aretha Franklin të ndjerë në “Respekt”, i cili doli në kinema në gusht 2021.

Ajo ishte e nominuar përball aktoreve Andra Day, Halle Berry, Tessa Thompson dhe Zendaya, shkruan DailyMail.

“Nuk e pashë në asnjë mënyrë që kjo po vinte, por Zoti e di që jam mirënjohës”, tha ylli teksa u ngjit në skenë për të marrë çmimin.

Për mbrëmjen e mbushur me yje, Jennifer zgjodhi një fustan të zi prej kadifeje, veterania e American Idol, bëri flokët në stil të valëzuar dhe i la në një pjesë anësore. Ajo kompletoi pamjen me një palë vathë argjendi dhe një unazë të trashë.

Çmimet NAACP Image – të cilat nderojnë shfaqjet e jashtëzakonshme në film, televizion, teatër, muzikë dhe letërsi – ishte shfaqja e fundit, pas pesë netësh ceremoni.

Jennifer ishte një nga të pranishmit e shumtë në ceremoni, duke përfshirë Kerry Washington, Meagan Good, Jocqui Smollett, Daniel Kaluuya, Jemele Hill, Corbin Reid, Erika Alexander, Amber Stevens West, Cree Summer dhe mikpritësin Anthony Anderson./ KultPlus.com

Ministri Mehaj kërkon nga ShBA dhe vendet aleate përshpejtimin e anëtarësimit të Kosovës në NATO

Ministri i mbrojtjes, Armend Mehaj, thotë se anëtarësimi i përshpejtuar i Kosovës në NATO dhe vendosja e Bazës së Përhershme të Forcave Amerikane, është nevojë imediate për garantimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë, përcjell KultPlus.

Mehaj kërkon nga SHBA dhe të gjitha vendet aleate dhe partnere të vendit, përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në NATO

KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:

Anëtarësimi i përshpejtuar i Kosovës në NATO dhe vendosja e Bazës së Përhershme të Forcave Amerikane, është nevojë imediate për garantimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.

Bazuar në realitetin e krijuar pas agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë dhe reflektimit të tij në mjedisin e përgjithshëm të sigurisë së Ballkanit Perëndimor, Evropës dhe Botës,  kërkojmë nga SHBA dhe të gjitha vendet aleate dhe partnere të vendit, përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në NATO.

Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj, kemi dëshmuar dhe konfirmojmë qëndrimin dhe vendosmërinë e fuqishme që jemi luftëtarë të denjë në mbrojtje të vlerave euroatlantike të lirisë, paqes dhe demokracisë, vlera mbi të cilat qëndron NATO dhe misioni i saj.

Aleatë tanë,

edhe ju vende, anëtare të NATO-s, që hezitoni në njohjen e realitetit shtetëror të Republikës së Kosovës,

Mos hezitoni më!

Kjo është koha që të gjitha kombet e  përgjegjshme të mos përjashtojnë askënd në vizionin e përbashkët dhe para së keqes së përbashkët.

Kosova dhe populli i saj, në këtë kohë, të sfidës së përbashkët, si gjithmonë, qëndrojmë fuqishëm së bashku me ju në anën e duhur të historisë.

Gjithashtu, është koha të ripërsëris edhe tani, kërkesën time adresuar aleatëve tanë të pazëvendësueshëm, SHBA-së, për vendosjen e Bazës së Përhershme Ushtarake të Forcave Amerikane, si garancë e plotë e paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe më gjerë.

Ne, së bashku, jemi plotësisht të vetëdijshëm për sfidat, kërcënimet dhe rreziqet potenciale, andaj të veprojmë sot që të parandalojmë kundër të keqes së paparashikueshme për rajonin , kontinentin dhe globin edhe nga kjo anë./ KultPlus.com

Bildt: Me qëndrimin e saj ndaj Rusisë, Serbia u skualifikua nga procesi i anëtarësimit në BE

Ish-kryeministri suedez, Carl Bildt, udhëheqës i Këshillit Europian për Marrëdhëniet me Jashtë, ka thënë se Serbia ‘de facto’ është skualifikuar nga procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian me qëndrimin e fundit me rastin e pushtimit rus të Ukrainës, raporton Gazeta Express.

Ish i dërguari i Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian në Ballkan tha se në BE s’duhet të ketë vend për ato shtete që nuk i ndajnë vlerat dhe interesat themelore të bllokut.

“Me këtë qëndrim Serbia de facto u skualifikua nga procesi i anëtarësimit në BE. Nuk duhet të ketë vend për anëtarët e rinj të BE-së që nuk ndajnë vlerat dhe interesat tona themelore”, shkroi Bildt.

Ai mori shkas në një ‘tweet’ të gazetarit të “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Michael Mertens, i cili tha se Serbia vazhdon të jetë strehë e sigurt për presidentin rus Vladimir Putin dhe elitën e tij kriminale.

“Agresori rus lejohet të vazhdojë të bëjë biznes përmes aleatit të tij serb”, shkroi ndër tjerash Mertens./ KultPlus.com

Letra e trishtë e ‘Kleopatrës’

Një nga femrat më të bukura dhe më të famshme kë kinematografisë, Lizi, shpesh identifikohet si Kleopatra. Në aspektin personal, Elizabeth Taylor është përfolur shpesh për historitë e saj të martesave dhe divorceve, një nga të cilat edhe ajo me Richard Burton.

Burton dhe Taylor u martuan dhe ndanë dy herë, duke krijuar kështu idenë se, dashuria e vërtetë e saj ishte pikërisht, Richard Burton.

Më poshtë, dy prej letrave të shkurtra, por plot ngarkesë emocionale që dyshja, këmbente në momente kritike:

Elizabeth Taylor për Burton:

“I dashur (ende) burri im,

Sa do doja të të tregoja dashurinë që ndiej për ty, frikën, dëshirën e brishtë e kafshërore – (me ty) – xhelozinë time, krenarinë, inatin tim ndaj teje ndonjëherë. Të gjithë dashurinë time për ty, dhe dashurinë që ti shpalos për mua – do doja të shkruaja për të gjithë këtë, por nuk mundem. Gjithë çfarë mund të bëj, është të ziej përbrenda, e të shpresoj që ta kuptosh si ndihem në të vërtetë.

(Ende) Gruaja jote.

P.S. Oh, dashuri… mos na lër më kurrë, ta marrim njëri-tjetrin për të mirëqenë!

P.P.S. 10 vjet, nuk janë pak!

Ndërkohë, Richard Burton shkruan për Lizin:

“E dashur (ende) gruaja ime,

Sytë e mi të verbër janë duke pritur dëshpërimthi për shikimin tënd. Ti, sigurisht, nuk e kupton sesa e bukur ke qenë dhe sesa vend special ke siguruar në shpirtin tim”.

Duket qartë dhimbja që ndiejnë për njëri-tjetrin edhe pse, duke u divorcuar së dyti.

Pasioni i tyre ngjan me dashuri, në dukje platonike, ku palët edhe pse duhen, nuk qëndrojnë bashkë për arsye të tjera të jashtme. Ama nuk qe e tillë, pasi ishin të dy ata që vendosnin, si për martesat e divorcet edhe pse e dukshme se… ndjenin për njëri-tjetrin, sido që rrodhi jeta e tyre./ KultPlus.com

‘Euro humor’, ekspozita ndërkombëtare e karikaturës në Tiranë

“Euro Humor” titullohet ekspozita ndërkombëtare e çelur në Galerinë e Artit në Tiranë, ku rreth 60 artistë nga vende të ndryshme të botës kanë paraqitur punimet e tyre në karikaturë.

Kjo ekspozitë  vjen e kuruar nga Gianni Martini (Itali) dhe Abaz Hado si dhe me pjesëmarrjen e artistit të famshëm Agim Sulaj dhe në të janë prezantuar rreth 100 punime.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se “ekspozita “Euro Humor” vjen si një rastësi shumë domethënëse, në Galeria e Artit Tiranë, midis artistëve nga vende të ndryshme të botës, paraqiten edhe punime të dy emrave të njohur të artit ukrainas”.

Veliaj ftoi qytetarët ta vizitojnë ekspozitën për t’i zbuluar këto emra të rëndësishëm.

Pjesë e kësaj ekspozite janë dhe disa nga veprat e artistit Agim Sulaj, në karikaturë e vizatime surreale punime që kanë fituar dhe çmime ndërkombëtare. Disa nga veprat e tij janë “Trokitja” “Thashethemet”, “E ardhmja” “Ta pasur e të varfër” etj.

Një sallë me punime në karikaturë në ekspozitën në galerinë GAT i dedikohet artistit të madh Jurij Kosobukin nga Ukraina me një retrospektivë, një homazh kujtimit dhe artit të tij.

Në këtë ekspozitë me punime të ndryshme nuk mungojnë edhe disa punë që janë pjesë e arkivit të shtetit të revistës “Hosteni” dikur, një revistë shqiptare e humorit dhe satirës.

Ekspozita “Euro Humor” u hap në Galerinë e Artit Tiranë në kuadër të Tirana Kryeqytet Evropian i Rinisë./atsh/ KultPlus.com

Times Gazette në vitin 1929: Giuseppe Falgari, beriberi personal i Zogut, ruhet nga dy roje të armatosura kur rruan mbretin

Nga Aurenc Bebja, Francë

“Times-Gazette” ka botuar, të premten e 9 gushtit 1929, në faqen n°7, një shkrim në lidhje me sigurinë ndaj mbretit Zog kur ai rruhej nga berberi i tij italian, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Rojet shikojnë berberin teksa rruan mbretin Zog

 “Tiranë, Shqipëri – Berberi i mbretit ka një punë delikate

Një i ri i pashëm është berberi i mbretit Zog, me flokë të dendur e të zinj, me mustaqe të vogla në modë dhe me “hijeshinë e shtuar të vetullave të martuara”.

Thuhet se ai jo vetëm që ishte “garantuar” si fashist i vërtetë nga Musolini, por edhe personalisht i ishte prezantuar mbretit Zog prej tij.

Pavarësisht nëse kjo është e vërtetë apo jo, Giuseppe Falgari është shërbëtori më i paguar i mbretit Zog. Ai merr, përveç bordit dhe akomodimit, një “pagë” prej 175 dollarësh në muaj, si dhe një tarifë ditore prej 4 dollarësh kur rruan mbretin.

Ndoshta kjo kompenson çdo humbje të dinjitetit që mund të ndiejë Giuseppe kur dy rojet e armatosura qëndrojnë pranë gjatë rruajtjes.

Mbreti shqiptar nuk rrezikon dhe këta kalorës mbrojtës të këtij të fundit, si të thuash, janë gjithmonë në gatishmëri për operacionin e përditshëm.”

https://www.darsiani.com/la-gazette/times-gazette-1929-giuseppe-falgari-berberi-personal-i-zogut-ruhet-nga-dy-roje-te-armatosura-kur-rruan-mbretin/

Zelensky bën thirrje që Rusisë t’i hiqet e drejta e votës në Këshillin e Sigurimit në OKB

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka bërë thirrje që Rusisë t’i hiqet e drejta e votës në Këshillin e Sigurimit në OKB.

BBC shkruan se ai u shpreh se veprimet kriminale të Rusisë në Ukrainë janë në prag të një gjenocidi.

Formula sekrete e hollimit. Humbni 12 kg në 7 ditë

Rusia (dhe para saj BRSS) është një nga pesë vendet që prej vitit 1945 ka qenë anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së duke i dhënë asaj të drejtë të fuqishme vetoje mbi çdo rezolutë që shqyrtohet nga ky organ.

Të premten në darkë Rusia përdori të drejtën e vetos për të bllokuar një rezolutë të Këshillit të Sigurimit e cila dënonte agresionin e Moskës duke kërkuar tërheqjen e saj nga Ukraina.

Këshilli, i cili u krijua pas Luftës së Dytë Botërore për të shmangur konfliktet e ardhshme dhe për të promovuar paqen, ka katër anëtarë të tjerë të përhershëm: SHBA, MB, Franca dhe Kina./ KultPlus.com

‘Mbrëmja e maturës’ nga Luan Hajra në Akordet e Kosovës të vitit 1971 (VIDEO)

Sot ka vdekur këngëtari i njohur kosovar, Luan Hajra.

Lajmin e kanë bërë të ditur familjarët e tij.

“Të dashur miq dhe shoqëri dhe ju gjithë artdashës, ju njoftoj qe sot në orët e mëngjesit ndërroj jetë këngëtari i njohur i gjitha Viseve Shqiptare, Luan Hajra”, thuhet në njoftim.

Hajra u lind më 31 korrik të vitit 1949 në qytetin e Mitrovicës.

KultPlus ua sjell një video ku Luan Hajra këndon “Mbrëmja e maturës”, në Akordet e Kosovës në vitin 1971, shoqëruar nga Orkestra./ KultPlus.com

Denacifikimi dhe putinët e miniputinët

Ibrahim Berisha

Denacifikimi dhe putinët e miniputinët

Apo, duhet ende të trembemi nga fjalët e perandorit romak, Kaligula, kur tha: Nuk është e rëndësishme nëse njerëzit më duan apo më urrejnë. Gjëja kryesore është se ata mua ma kanë frikën.

Kaq e thjeshtë.

Ka dy lloje njerëz që vijnë nga Luiziana, predikues dhe tregimtarë, shkruan Walker Percy, romancier nga New Orleans, duke iu referuar bashkëqytetarëve tij. Dhe shton: Për hir të Zotit, bëhu tregimtar. Dhe kjo është gjithçka që po përpiqem të bëj unë-të tregoj një histori.

Në shoqërinë tonë, pa ndonjë përjashtim, predikuesit janë tregimtarë të historive, predikim e tërheqje në “anën e vet”. Anët janë tregimet tiranike të historisë. Predikuesit e bëjnë historinë, një ky ngushëllim pa pasur dëshmitarë. Prandaj, tirania rrjedh nga një burim prej nga doli dhe u pjek, sikur një Putini, që po e luan rolin e Kaligulës.

 …

Sundimtarët e këqij përdorin gjithmonë “fjalë publike”, që nuk kanë lidhje me realitetin. Ata mizorinë kur e krijojnë, e arsyetojnë si një dënim të domosdoshëm, mision, grabitjen si ekonomi e zhvillim, ndërsa dënimin e paargumentuar si disiplinim mësimor. Kështu, siç provon të bëjë edhe Putini dhe gjithë shokët e tij anë e kënd botës. Por, miniputinë ka kudo, madje edhe në ambientin tonë. Jemi të rrethuar nga miniputinët. Ata i krijoi historia e sistemit për të prishur edhe më shumë këtë sistem të kësaj bote diversive.

Gjuha e tyre e prishur, ah po ta dëgjonte sot Taciti, nuk përngjan në avull, por në mjegull të dendur, akull madje, propagandë, që ia tejkalon asaj Propagande Fide në Mesjetë.

Po vret për të denacifiku një popull! Shih! Edhe propaganda qeveritare serbe thotë se ka mision edhe sot e kësaj dite denacifikimin e shqiptarëve të Kosovës! Vetëm të Kosovës, por jo edhe të Shqipërisë!

Propaganda, edhe kjo ruse, edhe kjo serbe, para do dite, edhe e miniputinëve në shoqërinë moderne, u pa edhe në rastin e Shtëpisë së Xhafer Devës. Propoganda, nuk është gjë tjetër veçse dhunë, një përbërës thelbësor për të fituar dhuna mbi paqen.

Profile diktatorësh ka plot. Edhe do të ketë. Një skalitje të detajuar të përmbytësve e bëjnë edhe shkrimtarët. Romanin e Antonio Skuratit, “M. Biri i shekullit”, shkrimtari Roberto Savijano, e vlerëson si një vepër që italianët e kishin pritur me dhjetëvjetësha. Por, vetë shkrimtari Skurati, në një intervistë, kur flet për romanin e tij, anagramon thellësisht profilin e diktatorit, në këtë rast të Musolinit. Ai thotë se Musolini, ishte shumë i mençur dhe fascionues, shumë joshës dhe manipulues. Shpesh e kanë përqeshur se i gjasonte një klouni, por në të vërtetë ishte shumë i mençur, pasi që kuptonte mirë, se cila do të ishte politika e duhur. Pra, e kuptonte se politika mund të nisë në dy krahë të ndryshëm njëherësh: njëri ishte ai prej nga rridhte vetë, socializmi, dhe pas kësaj politike qëndronte ideja e shpresës: “nesër do të jetë më mirë sesa është sot” apo edhe më emocionale: “jeta e fëmijës tim do të jetë më e mirë se imja”. E larguan nga partia socialiste dhe ngadalë e kuptoi se ekzistonte edhe një ndjenjë që ishte shumë më e fortë sesa shpresa, dhe ajo ishte frika. Shih për këtë, edhe vuri “bast” në këto: në frikë, në përbuzje, në tërbim, në tradhti, që assesi të mos mbetej viktimë.

Këto ndjenja ishin shumë të përhapura në mesin e italianëve, por edhe përgjithësisht në mesin e evropianëve pas Luftës së Parë Botërore. Borgjezia i frikësohej një revolucioni socialist dhe ajo që ishte shpresë për socialistët, për borgjezët, ishte frika. Së pari, rrethi i afërt i ndjekësve të Musolinit qenë veteranët e Luftës së Madhe, dhe jo gjithkushi, por komandantët dhe banditët profesionistë, të cilët banditë profesionistë adhuroheshin gjatë luftës, sepse propaganda i paraqiste ata si hyjni, shkruan Skurati.

Dua të them. Tiranët janë të mençur deri në pikën e marrëzisë, dhe nuk kthejnë mbrapa. Gjithashtu janë fascionues të frikshëm, por edhe manipulues e vikimizues të tmerrshëm.

Urrjetja rritet, ushqehet, Kjo konstantë nuk ka lëvizur as në shekullin XX dhe vazhdon edhe në shekullin XXI, madje duke qenë e dhjamosur edhe në shoqëritë e “civilizuara”. Urrejtja dhe dhuna i referohen dashurisë së sëmurë për të dyshuar dhe për të sunduar gjithçka. Nëse intelektualët nuk i kundërvihen urrejtjes, atëherë ky mekanizëm pavarësohet, madje bëhet qëllim i vetes, thotë filozofi Glucksman.

Urrejtja publike, që është aq e pranishme prek sensin dhe racionalen derisa njeriu ta reduktojë veten në një viktimë të pashmangshme. Kjo gjason në një rrugë pa krye, e arkivuar si paperspektivë.

Pse njerëzit bëjnë vepra heroike, pyet pastaj shkrimtarja kanadeze, Margaret Atwood. Një franceze që ishte pjesë e rezistencës në Luftën e Dytë Botërore, thotë ajo, më tregoi shumë kohë më parë: “Lutu që të mos kesh kurrë rast të bëhesh hero, sepse rastet për një gjë të tillë gjithmonë janë në situata të tmerrshme”.

Apo, duhet ende të trembemi nga fjalët e perandorit romak, Kaligula, kur tha: Nuk është e rëndësishme nëse njerëzit më duan apo më urrejnë. Gjëja kryesore është se ata mua ma kanë frikën.

Kaq e thjeshtë./ KultPlus.com

Luan Hajra: Krejt Jugosllavia e ka kënduar në shqip këngën ‘Rroka Mandolinën’

Sot, në ditën e vdekjes së këngëtarit të mirënjohur shqiptar, Luan Hajra, po risjellim intervistën e tij të dhënë në vitin 2020.

Arbër Selmani

‘Me muzikë kam fillu shumë herët, diku rreth 12-13 vjeçar, së pari nëpër dasma. Asokohe, në Mitrovicë ishte orkestra e Sali Currit, dhe kur ata e vërejtën që po këndoj mirë, më merrshin me vete kudo. Si fëmijë kam qenë i lazdruem, çpurdhak. Hajde me neve – ma bojshin, dhe kadale kështu nisa me këndu. Bakshishi ka qenë i vogël, shkojshim shpesh edhe pa pagesë. Unë jam i Mitrovicës, edhe andej, edhe këndej. Dy shpija i kemi të kallta andej, edhe nja dy hekterë tokë. Tash, aty afër urës, ka banesa, ku i kemi pasë shpijat’

Ngadalë, Luan Hajra e kupton se ky kapërcim prapa në jetën e tij ndoshta do të jetë ngushëllim e ndoshta pezmatim për mendjen e tij, por nuk përton t`ia lejojë vetes një mrekulli të tillë, kujtimin e momenteve të së kaluarës. Luan Hajrën e quanin edhe mbret të muzikës së mirëfilltë e qytetare në Kosovë, në një kohë tjetër, kur rendi i gjërave funksiononte ndryshe.

Sot Luani është një burrë simpatik e me rrudha njerëzore. E gjej në një kafene jo larg qendrës së qytetit në Prishtinë, aspak i mërzitur që një e dielë do të na shkojë duke gërmuar në thellësitë e jetës së tij për të kuptuar se kush ishte Luani dikur, kush është Luani sot. Si për shaka e kuptojmë të dytë, unë dhe ai, që prej tij prisnin gjithmonë një paraqitje luani. Kur shqiptarët donin ta takonin a përqafonin Luan Hajrën, dilte përpara një fytyrë e butë dhe lirike, jo me tipare luani. Ky është pra Luan Hajra, zëri lirik që për disa dekada mrekulloi veshin e gjithësisë shqiptare me krijimet e tij muzikore.

*

Luan Hajra u rrit pa baba, dhe besoni, atë e pa në vetëm pak raste e orë e momente të jetës së tij.

‘Baba, Arifi, iki në Shqipëri herët, në vitin 1955, si ballist. Ishte i burgosun. Babgjyshin mu ma kanë pasë pushkatu, baba nuk osht rahatu kurrë. Babës edhe vllaun ia patën pushkatu. Baba ishte patriot, ballist i Ballit Kombëtar. Unë e morra vesh këtë gjë më vonë, prej kushërinjve, diku rreth moshës 18 a 19 vjeç, sepse nana nuk donte që edhe na fëmijët me u bo të tillë. Jom rrit pa babë, prush. Me ikjen e babës, si familje kemi hjekë shumë prej UDB-së. Ata na vizitonin shpesh, ose duhej na me u paraqitë në ato vendet e tyre. Baba o kon i pa-rahatueshëm, u rrehke edhe me policët. Çdo javë ka qenë nëpër burgje, prej Prizreni e deri në Shqipëri. Baba ka hangër burgje të rënda, edhe me rrymë nëpër trup, se kanë mendu që është shpiun edhe ky, si shumë të tjerë. Më kujtohet që atë kohë një burrë që i jepke lajmet në Shqipëri i përngjajke babës tem, edhe nisi me u përhapë lajmi që baba i Luanit po jep lajme. Baba megjithatë ishte në të tjera gajle’ tregon Luan Hajra.

Këngëtarin Luan Hajra, dhe çdo njeri tjetër që ka shumë bagazh tregimesh, është mirë ta ngacmosh tek familja. Disa nuk do të flasin, të tjerët po, dhe të dyja perspektivat janë krejt të pranueshme e arsyeshme.

Luani flet me shumë pasion por edhe sytë sikur molisen e tkurren kur Luani, sot në moshën e shtyrë, flet për familjarët e tij, për nënën e tij Gjylsymin, për vëllezërit e tij, jo për motrat meqë nuk e kishte asnjë. Nga e tërë familja, veç Luani do të dilte si këngëtar, si një rreze e hareshme në mes të territ të kohërave kur Luani jetoi në Mitrovicë, e më pas edhe në Prishtinë. Me ardhjen në këtë të fundit, Luanit do t`i hapeshin horizontet e suksesit në karrierën prej këngëtari dhe ajo çka pasoi është vetëm një kapitull i shkruar bukur e mirë i librit të jetës së Luan Hajrës sonë.

*

‘Unë gradualisht filloj me u marrë me kangë. Sheka, një kojshi i imi, i binte kitarës, djemt poashtu i këndojshin, unë shkojsha mas tyne. Atëherë kangët meksikane ishin në modë, dhe unë nisa me i këndu e ata e panë që po këndoj mirë. Për një vit të ri shkuam në Novi Pazar në Serbi, edhe unë me ekipin. Më vonë e këndova një kangë nga Joselito i famshëm, ishte kolona zanore për filmin ‘Nanë dëgjo kangën time’. Filmin e donim të gjithë. Arrita sukses të madh shumë. Populli më pas në Kosovë nisi me më njoftë. Me orkestrën ‘Yjet e Zjarrta’ fillimisht, në Mitrovicë. Më pas u bëra pjesë e orkestrës ‘Qëndresa’ e cila udhëheqej prej Fahri Beqiri, një prej shoqërive më të forta në Kosovë asokohe, as Hajdar Dushi nuk iu ka afru. Ka qenë kori mprapa, violina, instrumentet frymore, një orkestër e kompletuar. Jepshim koncerte nëpër plot salla. Më vonë na shpartalluan, ndoshta prej asaj çka ushtronim e ndoshta edhe shkaku i emrit’ tregon tutje Luan Hajra.

‘Në vitin 1968, rastësisht isha me një aheng dhe aty ishte edhe këngëtarja e njohur Valbona Nimani. Ajo lehtas vjen dhe më thotë – Luan, a bon ti me ardhë në audicion në Radio? E mendoj dhe shkoj. Unë atëherë isha në shkollë të muzikës dhe e mësova një kangë që ma dhanë për detyrë. I mësova notat që mi kishin dërgu dhe erdha në audicion. Redaktor i muzikës atëherë në Radio Prishtinë ishte Kris Leka. Nexhmije Pagarusha, Liliana Çavolli, Jordan Nikoliqi – të gjithë e dëgjuan zërin tim dhe pyesnin kush isha unë. U tmerruan, prej hajgares, se unë isha ai zë, prisnin dikë tjetër ndoshta. Aty u bëra anëtar i Radio Prishtinës’ vazhon tutje Luan Hajra.

*

Prej që ka nisur të këndojë, Luan Hajra na ka servuar plot këngë të mira që i bëjnë shoqëri njëra tjetrës në rrugëtimin muzikor i cili vazhdon edhe sot, përkundër vështirësive dhe shpesh mangësive të të qenit një këngëtar i mirë në Kosovë, i lënë në harresë.

‘Dashurova unë një vajzë’, ‘Mbrëmja e maturës’, ‘Na ka çu Dudia letër’, ‘Oda me tavan’, ‘Lulëzoi fusha, lulëzoi mali’, ‘O Zambak’, ‘Kur hana del’, ‘Te dugojë e re’, ‘Po ta marrë kangën me saze’, janë disa prej shkëputjeve nga repertuari i Luan Hajrës. Diferencën e të gjitha këngëve do ta bënte ‘Arabella’, këngë të cilën Luani e hodhi në ajrin e artit shqiptar në vitin 1973 në festivalin e njohur ‘Akordet e Kosovës’.

Kënga do të merrte maksimumin, pesë shpërblime në atë edicion të festivalit, duke u bërë hit e duke e shndërruar Luan Hajrën në sensacion.

‘Atëherë e luta Gjergj Kaçinarin, autorin e kangës, që t’i bëja disa ndryshime në strofa. Kangët asokohe në festival këndoheshin në dy versione, në dy aranzhime orkestrale të ndryshme. Unë dhe Radmila Karaklajić e kënduam ‘Arabellën’. Kënga u bë e dëgjuar gjithandej, ishte sukses absolut, dhe pas saj më nuk ishte problem për mu me depërtu në muzikë’ tregon Luan Hajra.

Luan Hajra nuk ka kryer asnjë shkollë për muzikë. Nga ana e familjes së babait të tij kanë kënduar, por jo edhe nga ana e nënës së tij. Luani e kaloi jetën me tre vëllezërit e tij, prej të cilëve dy kanë vdekur, njëri kishte talent por nuk e pati kurrë mundësinë e fortë të këndonte e të dilte në pah, si Luani. Burri që e këndon ‘Arabellën’ është veçse një ish nxënës i i shkollës së mesme ekonomike në Mitrovicë, më pas edhe i shkollës së lartë ekonomike në Zveqan.  

‘Në Prishtinë e kom banesën qysh prej vitit 1974. Nja dhjetë vite në Prishtinë nuk kom mujt me u rahatu, udhëtojsha gjithmonë. Atëherë e pata njoftë edhe Haki Misinin dhe Xhelal Velën, krejt natën bojshim ahengje e lujshim letra, dhe më pas udhëtoja me ta prej Mitrovicës në Prishtinë.

*

Para ‘Arabellës’, në vitin 1971, Luan Hajra këndoi në festivalin ‘Akordet e Kosovës’ me një kompozim të Musa Piperkut, me të cilin kompozim do të shpërblehej me vendin e dytë. Ta themi konkretisht: Luani po e shtronte me kujdes rrugën e tij drejt pëlqimit në popull por edhe drejt Akordeve, dhe Akordet asokohe kanë qenë sinonimi i muzikës në Kosovë, një festival përtej një festivali të thjeshtë por një mekanizëm që vlerësonte më të mirët dhe kanalizonte muzikën e mirëfilltë duke larguar nga tregu atë muzikë të panevojshme, të pahijshme, të dobët, dele e zezë. Luani ishte antonimi, prandaj përkiste në Akorde, dhe meritonte të ishte bashkëpunëtori i më të mirëve të kohës.

‘Prej ‘Arabellës’, rrugët mu çelën. Fillova me incizu dhe më pas i pata disa muaj si provë në Radio Prishtinë. Më vonë e kuptova që, duke qenë djali i një ballisti, më kanë përcjellë Shërbimi Sekret asokohe, UDBA. Unë nuk bona kurrë gabime. Gjithmonë kam këndu kangë melankolike e nuk jam rrokë kah politika. Kur nisa me këndu kangë të lehta qytetare, u pranuan shumë mirë, se unë zanin e kom bash për atë lloj zhanri. Më vonë nisa edhe me popullore. Atë kohë, orkestrat vareshin prej kangëtarit, rrogat vareshin prej kangëtarëve, dhe kangëtarët shpesh dështojshin. E di që një herë Orkestri i Radio Prishtinës më tha se kishte mbetë keq për nja gjysmë ore dhe më kërkoi nëse kam naj kangë me e mbushë normën, me e plotësu kohën. Unë i kisha disa kangë, e mes tyre njëra më e veçantë’ më tregon tutje këngëtari Luan Hajra, të cilin unë e quaj me përkëdheli, axha Luan.

Rroka Mandolinën. Të përpunuar në shqip për herë të parë e këndon Luan Hajra, rreth viteve 1975, 1976. Në tavolinë, axha Luan ma këndon edhe në versionin serbisht, por edhe në atë turqisht.

‘Historia e kësaj kange është pak misterioze. Kjo kangë është këndu ndryshe, nuk dihet a është turqisht apo serbisht. Unë, për me e bo ma interesante e shpejtova ritmin pak në shqip dhe e përpunova në mënyrën time. Kanga shpërtheu masnej, është këndu edhe në kazermat e Jugosllavisë. Krejt Jugosllavinë e kom shti me këndu shqip me atë kangë. Asnjëherë asnjë problem nuk ka dalë prej saj. Kangën e kom këndu edhe në një koncert në sallën Pinki në Beograd, në vitin 1978. Çfarë suksesi e kom pasë atje, nuk ta merr mendja. Dul ‘Rroka Mandolinën’ dhe unë katër herë shkova si pjesë e grupit jugosllav në Amerikë, në Ditët e Jugosllavisë në Detroit. Decividivisht më ftojshin mu atje, me kangëtarë tjerë prej krejt Ballkanit. Herën e fundit në Amerikë shkova me grupin nga Kosova, me Shyhrete Behlulin, Shkurte Fejzën e Sabri Fejzullahun. Në një dasëm, bashkë me Ajshe Zukën, krejt nata më shkoi duke e këndu ‘Rroka Mandolinën’ dhe dikur më erdhi në maje të hundës se ja nisa edhe tekstin me e përzi’ më rrëfen Luan Hajra dhe sytë e mendja sikur i përcëllejnë ndryshe kur flet për këtë këngë dhe për nostalgjinë e kohëve të humbura por jo të harruara.

*

Etapa të ndryshme të jetës së Luan Hajrës përshkohen me muzikë, por shpesh edhe me vuajtje dhe njëjtë edhe me ndritje suksesesh. Duke qenë djali i një ballisti, Luani ishte halë në sy për shërbimin sekret dhe për shumë apetite tjera të lidhura me shtetin. Shteti dhe muzika asokohe ishin si maca me miun. Sa herë shkonte në Shqipëri, sa herë udhëtonte, Luan Hajra – tanimë Luan Hajra i famshëm dhe jo ai Luan Hajra i lazdruar fëmijë e adoleshent, kishte probleme me regjimin këtu e atje, me regjimet e asaj kohe.

‘Kur isha në Shqipëri, gjithmonë regjimi dojke me ditë ku isha, çka kam bo. Në vitin 1973 kom shku për herë të parë në Shqipëri, me Ansamblin Shota, atje më thirrën në degën e shërbimit sekret, dojshin me nxjerrë fjalë. Sa herë jena shku në Shqipëri, kena pasë problem’ vazhdon Hajra.

Megjithatë, Luan Hajra dhe Shqipëria kanë lidhje të veçantë. Luani tregon se gjithmonë ka gëzuar një famë të madhe në Shqipëri, madje thotë se atje ka pasur suksesin e tij më të madh.

‘Kom këndu nëpër krejt qytetet e Shqipërisë. Suksesin ma t`madh e kom pasë në Shqipëri, se në Kosovë, për këtë kom edhe fakte. Ndoshta shkaku i ngjyrës së zërit, nuk e di pse, por atje popullata janë mahnitë me muzikën time. Unë kam qenë i pari që fillova me i knu varg-kangët, deri atëherë këndojshin me ndërpreje, e unë fillova me i këndu kangët në varg, pa ndërprerje. Rreth vitit 1980, në Shkodër e pata mbajtë një koncert shumë të madh, më besoni që edhe xhamat e sallës janë thy qaq shumë ka pasë njerëz brenda e jashtë saj. Esat Bicurri, Bashkim Paçuku, Liliana Çavolli, Nexhmije Pagarusha, Bik Ndoja, Shyqri Alushi, të gjithë ishin në koncert dhe e panë se më kthyen për të këndu nja pesë herë. Kur u kry koncerti, u shtrua një darkë për të gjithë neve. Kryebashkiaku i Shkodrës asokohe nuk bindej se unë isha Luan Hajra. Shyqri Alushi – këngëtar i njohur i muzikës popullore shkodrane, më tha që u bëra mbret i këngës. Mu duk se e arrita zenitin e karrierës sime, a në fakt unë i kisha idoll të gjithë këta emrat tjerë në koncert. Bojsha hajgare e thojsha se po e braktisi muzikën tërësisht’

Luan Hajra, me grupe tjera këngëtarësh, ka koncertuar gjithandej nëpër Jugosllavi e ndërsa pas Amerikës, këmba e tij ka shkelur edhe Australina, ku njashtu ka kënduar shqip për zemrat e shqiptarëve.

‘Kur knojsha në dasma, rrijsha deri në fund, kur u kryjke, atëherë këndojshin venalitë. I ngojsha kangët dhe najnjo që ma kapke veshi që ishte e mirë, e merrsha tekstin dhe e knojsha në dasmën tjetër, merrsha kangë prej popullit dhe kësisoj i kam qitë në jetë plot kangë’ flet me ëndje Luan Hajra.

*

Gjatë luftës në Kosovë, Hajra me familje do të largohej për në Tetovë.

‘Kemi hjekë shumë, mua mu duk sikur po e përjetonim ekzodin e Holokaustit, veç nuk e kishim edhe gjashtë-yllëshin. Me daljen në zonën neutrale, jom shfry shumë, kom bërtitë në qiell. Gruaja bile më thojke çka ki, ndërsa unë i tregova që më në fund ishim të lirë sepse deri në këtë pikë nuk kishim qenë. Rrugës patëm mbetë keq, kerri u prish e nuk më bojke, kemi hypë krejt së bashku në një kamion, qysh e tek nuk e di, ka qenë e tmerrshme. Unë kom vujt shumë asaj kohe, e mos vet ata që janë vra e masakru’ shprehet Luani.

Pas luftës, Luan Hajra vazhdon të këndojë, në Maqedoni e në Kosovë e në Shqipëri, me këngë në bashkëpunim me Shpresa Gashin e Ajshe Zukën. Disa krijime i ka edhe nga Gazmend Zajmi. Nuk e ka të ruajtur fonotekën e tij, por për fat, tri lente të mëdhaja me projektet e tij muzikore ai i ka dërguar para shumë kohëve te Agron Çobani, dikur drejtues i Televizionit Shqiptar.

Shkojmë kah fundi, edhe pse vështirë të gjejmë fundin e tregimit të Luan Hajrës. Meqë ‘Arabella’ është një himn, Luani mbetet zemra e Arabellës. Luani ka tri vajza: Dafinën, Donikën dhe Delinën. Ai sot jeton në Prishtinë, ndërsa shkaku i veshkëve duhet të shkojë në dializë, tri herë brenda javës. Gjatë pandemisë, ai solli edhe një këngë të re, këngën ‘Hatixhe’.

Hajrës ka 19 vjet që i ka vdekur e shoqja, Sanija, e meqë askush nuk e zëvendëson dot këtë grua, Luani nuk është martuar prapë asnjëherë. Sanija vdiq pas disa problemeve shëndetësore dhe pas një drame me mjekët në Kosovë, për të cilën Luani flet me dhimbje e trishtim. Luani u desh të shkonte në Polici e gjetkë, për të kërkuar çka në të vërtetë ndodhi me udhëtaren e jetës së tij.

Në fund, jo pse ai e ka peng, por unë dua të flasim për mirënjohjes e shpërblimet që ai morri në jetë, sepse fundja, një artist meriton një mirënjohje paçka se nuk ka aspak nevojë për të. Shpirti, megjithatë, fle më qetë kur i yti të pranon.

‘Shtetit këtu kurrë nuk i ra ndërmend për mua, shteti asgja nuk më ka dhanë. Mirënjohje unë në jetë kam marrë veç prej Beogradit, në vitin 1976, dhe një mirënjohje e atëhershme kishte domethënie të madhe për mua e për kombin tim. Mirënjohje tjetër nuk kam, as nga Shqipëria e as nga Kosova. E sa për muzikën shqipe sot, është në gjendje të mjerueshme. Kanë faj mediat, ekziston një festival si ‘Zambaku i Prizrenit’ por asnjëherë në nivelin e Akordeve’ vazhdon Luan Hajra.

Luan Hajra, sot 72 vjeçar, megjithatë nuk ndalon. Ka pak rëndësi që aparatet kulturore të shtetit nuk e kujtojnë. E kujtojnë ndjenjat e shqiptarëve, për të cilët ai së shpejti do të sjellë edhe dy këngë të reja.

(Ky tekst është botuar me ndihmën e Komunës së Prishtinës dhe subvencioneve kulturore vjetore nga kjo Komunë)

E diela e fundit e shkurtit

Poezi nga Sali Bashota

E DIELA E FUNDIT E SHKURTIT

A ikim andej nga s’vjen më zemërimi
Ndoshta mund t’i besojmë vetvetes si dikur
Disa do të thonë pikërisht këtu fillon rrëfimi
Por papritmas shndërrohemi si dy hije në mur

A ikim këndej me shumë kujdes
Nuk ka më arsye për të dyshuar
Pse kjo nostalgji s’e ka më asnjë ves
Siç e kishte atëbotë ëndrra e vetmuar

Ikim andej e këndej si vetëtimë
Ndoshta prapë s’bëhet vonë
Ndjesia e lumturisë ngjan me pantomimë
E mahnitur qenka kjo parandjenja jonë

Kështu një ditë ikim papritur
Edhe kur sytë shohin tjetrën fshehtësi
Secili poet ka më shumë se një kujtim të ndritur
Por njësoj nuk është asnjëra dashuri

(Prishtinë, 27 shkurt 2022)./ KultPlus.com

Kur Luan Hajra këndonte ‘Nëpër telat e telefonit’ (VIDEO)

Sot ka vdekur këngëtari i njohur kosovar, Luan Hajra.

Lajmin e kanë bërë të ditur familjarët e tij.

“Të dashur miq dhe shoqëri dhe ju gjithë artdashës, ju njoftoj qe sot në orët e mëngjesit ndërroj jetë këngëtari i njohur i gjitha Viseve Shqiptare, Luan Hajra”, thuhet në njoftim.

Hajra u lind më 31 korrik të vitit 1949 në qytetin e Mitrovicës.

KultPlus ua sjell një ndër këngët më të famshme të tij ‘Nëpër telat e telefonit’:

Vdes këngëtari Luan Hajra

Ka vdekur këngëtari i njohur kosovar, Luan Hajra.

Lajmin e kanë bërë të ditur familjarët e tij.

“Të dashur miq dhe shoqëri dhe ju gjithë artdashës, ju njoftoj qe sot në orët e mëngjesit ndërroj jetë këngëtari i njohur i gjitha Viseve Shqiptare, Luan Hajra”, thuhet në njoftim.

Hajra u lind më 31 korrik të vitit 1949 në qytetin e Mitrovicës./ KultPlus.com

Princi William dhe Kate Middelton: Jemi me presidentin dhe popullin e Ukrainës

Duka britanik dhe Dukesha e Kembrixhit shprehën solidaritetin e tyre me popullin ukrainas.

Princi William dhe Kate postuan në Twitter mbështetjen e tyre për presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe “të gjithë popullin ukrainas” në një postim të nënshkruar personalisht me inicialet e tyre.

“Në tetor 2020 patëm privilegjin të takoheshim me Presidentin Zelenskyy dhe Zonjën e Parë për të mësuar për shpresën dhe optimizmin e tyre për të ardhmen e Ukrainës.

“Sot ne jemi me presidentin dhe të gjithë popullin ukrainas teksa ata luftojnë me guxim për vendin e tyre” shtuan ata.

Në tetor 2020, William dhe Kate mirëpritën Zelensky dhe gruan e tij Olena në Buckingham Palace për një audiencë në emër të mbretëreshës.

Çifti mbretëror u takua me presidentin dhe bashkëshorten e tij, të cilët ndodheshin në një vizitë dyditore, në dhomën e fronit të pallatit./ KultPlus.com

Është një qiell tjetër

Poezi nga Emily Dickinson

Është një qiell tjetër,

gjithmonë i kthjellët dhe i qartë,

Dhe është një shkëlqim tjetër dielli,

ndonëse duket të jetë errësirë;

S’kanë rëndësi pyllishtet e zbehura, Austin,

S’kanë rëndësi fushat e heshtura —

Këtu është një pyll i vogël,

Me gjethe të bleruara përherë;

Këtu është një kopsht i ndritur;

Ku kurrë një brymë s’ka rënë;

Në lulet e tij të që nuk vyshken

Dëgjoj bletën e praruar të gumëzhijë:

Prithee, vëllau im,

Eja në kopshtin tim./ KultPlus.com

AMHERST, MA – SEPTEMBER 4: A daguerrotype of Emily Dickinson at age 16, is displayed at the Emily Dickinson Museum in Amherst, Wednesday, Sept. 4, 2013. (Photo by Wendy Maeda/The Boston Globe via Getty Images)

Kalaja e Rozafës është ‘veshur’ me flamurin e Ukrainës në shenjë solidariteti

Kalaja e Shkodrës e njohur ndryshe me emrin Kalaja e Rozafës është solidarizuar me ngjarjet e fundit në Ukrainë, duke ndezur ngjyrat e flamurit të Ukrainë në kala, shkruan KultPlus.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër përmes një postimi në “Facebook” ka shkruar se sot më shumë se kurrë vlen misioni i kulturës dhe trashëgimisë historike për të përçuar tolerancën si një nga vlerat më të mira europiane.

“Sot më shumë se kurrë vlen misioni i kulturës dhe trashëgimisë historike për të përçuar tolerancën si një nga vlerat më të mira europiane. Ngjyrat e flamurit të Ukrainës shkëlqejnë këtë mbrëmje në Kalanë e Shkodrës në solidaritet dhe mbështetje të plotë me Ukrainën dhe popullin e saj”, shkruhet në njoftimin e tyre.

Vende të ndryshme nga e gjithë bota po solidarizohen me viktimat dhe gjithë atë se çfarë është duke ngjarë në Ukrainë. /KultPlus.com

Foto: Eniko Mosi

Filmat shqip që krijuan histori tani online në platformë vendore, GjirafaPrime

Kinematografia Shqiptare viteve të fundit është duke ecur në hap me botën. Shumë filma shqip janë vlerësuar lart dhe kanë triumfuar në festivalet më prestiogjioze ndërkombëtare.

Storiet e vendit tonë të veçanta dhe autentike kanë arritur të depërtojnë në çdo cep të botës e tani ka ardhur koha që të shikohen edhe nga audience shqipfolëse.

Gjirafa sapo ka lansuar shërbimin më të ri Prime ku mund të shihni filmat dhe serialet më të fundit shqip.

Nga kinematë vendore, në festivalet më të mëdha ndërkombëtare tashmë në rehatinë e shtëpisë suaj mund t’I shikoni filmat si “Zana”, “Në kërkim të Venerës”, “Bolero në vilën e pleqve”, “Shpia e Agës”, “Derë e hapur”, “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar”, “Vozitësi”, “Salloni”, “Vëthi i munguar”, “Një muaj”, “Dita zë fill” dhe serialin “Snob”, kësaj liste do I shtohen edhe shumë filma të tjerë.

Për herë të parë këto prodhime të njohura shqiptare online për ju.
Përjeto dhe përkrah Shqip, Kliko këtu
Duke u abonuar për t’i parë ju kontriboni direkt në rritjen dhe zhvillimin e Kinematografisë Shqiptare. /KultPlus.com

Osmani: Kosova është e gatshme të pranojë refugjatë nga Ukraina

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar së fundmi se Kosova është e gatshme që të pranojë refugjatë nga Ukraina pas ndodhive të fundit atje, për të ndihmuar popullin e Ukrainës të jetë në gjendje të qëndrojë në këmbë, përcjell KultPlus.

Gazetari Alexis Conran ka biseduar me Osmanin në “Times Radio”, ku kanë diskutuar për shumë gjëra, duke filluar nga deklarimet e fundit të saja dhe gjithashtu vizitën në Turqi.

39 vjeçarja deklaroi se Kosova është e gatshme të pranojnë dhe të strehojnë refugjatë nga Ukraina, derisa shpjegoi gjithashtu se vizita e saj në Turqi duhej të ndodhte më herët, por është shtyrë për shkak se Tayyip Erdogan është infektuar me COVID-19.

Rreth sulmit të Rusisë, Osmani deklaroi: “Ata nuk janë vetëm pas Ukrainës, ata janë pas mënyrës sonë demokratike të jetesës, prandaj jetët e të gjithë neve janë në rrezik”.

Intervistën e plotë mund ta dëgjoni në YouTube ose duke klikuar KËTU. /KultPlus.com

Biden thotë se pushtimi i Putinit po afron Evropën dhe NATO-n

Presidenti amerikan Joe Biden, në një intervistë të transmetuar të shtunën, tha se një nga qëllimet e tij kryesore strategjike ndërsa Rusia pushton Ukrainën është të mbajë NATO-n dhe Bashkimin Evropian të bashkuar, shkruan CNN, përcjell KultPlus.

“Qëllimi im që në fillim ishte të sigurohesha që të mbaja të gjithë NATO-n dhe Bashkimin Evropian në të njëjtën drejtim. Sepse e vetmja gjë që mendoj se Putini mund të bënte ishte të ndante NATO-n.. Dhe kjo nuk ka ndodhur”, tha Biden për komentatorin Brian Tyler Cohen.

Biden parashikoi gjithashtu se Rusia do të paguante një çmim të rëndë si në afat të gjatë ashtu edhe në atë të shkurtër për pushtimin e saj të Ukrainës, duke shtuar se konflikti po afron Evropën dhe NATO-n. /KultPlus.com

Zelenskyy: Presidenti nuk është një ikonë apo një idhull, varni fotot e fëmijëve tuaj në zyrë dhe shikoni ato sa herë që merrni një vendim

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, kishte premtuar një qeverisje të ndershme dhe transparente të drejtuar nga njerëzit për popullin, shkruan KultPlus.

Unë me të vërtetë nuk dua fotot e mia në zyrat tuaja, sepse Presidenti nuk është një ikonë, një idhull apo një portret. Varni fotot e fëmijëve tuaj dhe shikoni ato sa herë që po merrni një vendim”, tha Volodymyr Zelenskyy, në fjalimin e tij inaugurues kur u bë president.

Në fjalimin e tij inaugurues, Zelenskyy, i cili është një komedian me profesion dhe dikur bënte shaka për t’u bërë president i Ukrainës, kishte prezantuar ëndrrën e një qeverie të drejtuar nga liderë që nuk kanë për qëllim të sundojnë, por t’i shërbejnë njeriut të zakonshëm.

Presidenti ii Ukrainës, është një komedian që luajti një president imagjinar në një sitcom televiziv derisa ai u bë i tillë.

Zelenskyy fitoi famë duke luajtur rolin e një mësuesi të thjeshtë shkolle që bëhet president i Ukrainës në shfaqjen televizive “Shërbëtori i Popullit”.

Ai në fjalimin e tij të parë u bëri thirrje ukrainasve që janë të frustruar me elitën oligarkike të vendit dhe dështimin për të tharë kënetën pas revolucionit të vendit të vitit 2014. /KultPlus.com

Prodhimet më të njohura të kinemasë shqiptare tani janë online në Gjirafa ‘Prime’

Gjirafa ka njoftuar për shërbimin e tyre të ri, të quajtur “PRIME“, të cilën janë përfshirë filma shqip që kanë marrë pjesë në festivale të ndryshme ndërkobmëtare, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook”, GjirafaVideo ka bërë të ditur lansimin e shërbimit të ri “Prime”.

Filmat që na kanë bërë krenarë në festivalet më prestigjioze ndërkombëtare, tashmë në rehatinë e shtëpisë suaj.

Për herë të parë, prodhimet më të njohura të kinemasë shqiptare, online: Zana, Në kërkim të Venerës, Bolero në vilën e pleqve, Shtëpia e Agës, Derë e Hapur, Pranverë e paharruar në fshatin e harruar, Vozitësi, Dita zë fill, Një muaj, Salloni, Vëthi i munguar, Seriali “Snob”.

“Filma që krijuan histori. Përjeto dhe përkrah shqip”, shkruhet në postimin e Gjirafës. /KultPlus.com

Kryeveprat botërore që duhen lexuar nga të gjithë

Më poshtë do të gjeni një listë me autorë dhe libra të tyre që duhen lexuar të paktën një herë në jetë, për të kuptuar dhe ndjerë tamam fuqinë dhe ndikimin që një libër mund të ketë.

Nga Fjodor M. Dostojevski:

1- Krim dhe Ndëshkim

2- Vëllezërit Karamazov

3- Netë të Bardha

4- Kumarxhiu

Nga Erich Maria Remarque:

1- Harku i Triumfit

2- Një natë në Lisbonë

3- Obelisku i Zi

4- Qielli s’ka preferenca

Nga Stefan Cvajg:

1- Letra e një të panjohure

2- Dehje nga Metamorfoza

Nga Honore De Balzac:

1-Lëkura e shagrenit

2-Iluzionet e humbura

3-Shkëlqimi dhe mjerimi i Kurtizaneve

4- Kryevepra e panjohur

Nga Ernest Hemingway:

1- Plaku dhe deti 

2-Kopshti i Edenit

3-Për kë bie kambana 

4- Të kesh dhe të mos kesh

Nga Milan Kundera:

1- Identiteti

2- Lehtësia e padurueshme e qënies

3-Shakaja

Nga Teodor Drajzer:

1- Një tragjedi amerikane

2-Financieri 

3-Motra Keri

Nga Agatha Christie:

1-Vrasje Në Orient Ekspres

2-Zonja e Krimit

3- Shtëpia e shtrembër

Nga Stendal: 

1- E kuqja dhe e zeza

2- Manastiri i Parmës

Nga Omar Khajam

1- Rubairat 

Nga Leo Tolstoy

1- Ana Karenina

2- Lufta dhe Paqja

3- Ç’e mban gjallë njeriun

Nga Dino Buzzati

1- Gruaja me Flatra

2- Netët e vështira

3- Kryeveprat. /anabel/ KultPlus.com