Ibrahim Biçakçiu, kryeministri që komunistët e kthyen në pastrues të banjave të Elbasanit

“Kishte përfunduar studimet në dy fakultete në Vjenë, për Akademinë Tregtare të Vjenës në Agronomi, si dhe fakultetin e Shkencave Politike. Zotëronte katër gjuhë të huaja, gjermanisht, italisht, turqisht, anglisht. Ishte biri i atdhetarit të shquar, Aqif Pashë Biçakçiut, kryetar i Kongresit të Lushnjes, një nga themeluesit e shtetit shqiptar”

Një burrë i gjatë, veshur me uniformën e komunales me çizme llastiku, shfaqej çdo ditë para markatës së Elbasanit, me një fshesë në dorë. Ishte Ibrahim Biçakçiu, pastruesi i banjave të qytetit. Ata që e jetuan atë kohë e mbajnë mend mirë Ibrahimin, sepse kishte qenë kryeministri i Shqipërisë, që komunistët e kishin kthyer në një punonjës të rëndomtë. Ishte biri i atdhetarit të shquar, Aqif Pashë Biçakçiut, kryetar i Kongresit të Lushnjes, një nga themeluesit e shtetit shqiptar. Të afërmit e Ibrahimit rrëfejnë se kur kthehej nga puna si pastrues i banjave, Ibrahimi vishej si zotëri dhe vazhdonte të lexonte literaturën që kishte mundur të shpëtonte nga bastisjet komunistëve.

Ibrahim Biçakçiu kishte përfunduar studimet në dy fakultete në Vjenë për Akademinë Tregtare të Vjenës në Agronomisë si dhe fakultetin e Shkencave Politike. Zotëronte katër gjuhë të huaja, gjermanisht, italisht, turqisht, anglisht. Ibahim Biçakçiu u kthye në Shqipëri, pas studimeve në Vjenë. Në 1926, ndërroi jetë i ati, Aqif Pashë Biçakçiu dhe Ibrahimi mori nën administrim pasuritë e të atit. Biçakçiu ishte pronar i disa fermave, fabrikës së prodhimit të cigareve “Elbasani” (Flora) në Tiranë, dhe kafe “Flora” (këtu ka punuar dhe Enver Hoxha), pronar i shoqërisë tregtare “Ibrahim Biçakçiu”, bashkëthemelues i Shoqërisë “Albiger”, që merrej me tregtinë Shqiptaro-Italo-Gjermane, së bashku me Ahmet Ndroqin dhe Renzo Brunori-n, zotëronte rreth 2500 ha tokë, disa shtëpi rezidenciale dhe disa magazina. Pas një përvoje të gjatë në administrimin e pasurive të familjes, Ibrahimi u angazhua në politikë në vitin 1937, kur u zgjodh deputet i pavarur i Elbasanit. Pas një shkëputje, Ibrahimi u kthye në vitin 1943, si Kryetar i Komitetit Ekzekutiv, kryeministër i vendit në një fazë tranzitore, kur komunistët po merrnin pushtetin.

Me të ardhur në pushtet, komunistët nisën goditjen e personaliteteve më të larta të Shqipërisë, duke vrarë e burgosur të gjithë elitën politike dhe intelektuale të asaj kohe. Në prill të vitit 1945, në Tiranë, u zhvillua gjyqi special, ku u gjykuan rreth 60 politikanë, ushtarakë, intelektualë, ndër të cilët ishte i akuzuar edheIbrahim Biçakçiu. Akuzoheshin si tradhëtarë të atdheut. Gjyqi special u zhvillua në ish-kinema “Kosova”, sot Teatri Kombëtar dhe gjyqi u drejtua nga Koçi Xoxe. Në atë gjyq, Ibrahim Biçakçiu u dënua me vdekje. Por në atë kohë, elita e kohës në Elbasan hartoi një peticion, ku kërkoi t’i falej jeta, duke argumentuar se Ibrahim Biçakçiu ishte pinjoll i një familje patriotike dhe bamirëse. Ata garantuan se Ibrahim Biçakçiu nuk kishte pasur kurrë veprimtari kundër popullit të tij. Më pas, Ibrahim Biçakçiu u dënua me 18 vite burg. Pjesën më të madhe të burgut e kaloi në burgun e Burrelit, atje ku ishte e përqëndruar e gjithë elita e intelektualëve të dënuar nga regjimi diktatorial komunist. Ibrahim Biçakçiu doli nga burgu në 5 maj të vitit 1962. U kthye në Elbasan, ku u caktua nga regjimi komunist si punonjës i varrezave të qytetit. Pas disa vitesh, Ibrahimi u caktua në ndërmarrjen komunale për pastrimin e banjave të qytetit, ku punoi deri më 4 janar 1977, ditën kur u nda nga jeta.

Zotëria që pastroi banjot e Elbasanit

Ibrahim Biçakçiun e njihnin të gjithë në Elbasan sepse ishte i biri i Aqif Pashë Biçakçiut, personalitet i shquar, kryetar i Kongresit të Lushnjes, si dhe një nga themeluesit e shtetit shqiptar. Kushërira e tij, Dudush Biçaku, rrëfen:

“Ishte e rëndë për ne kur e shikonim Ibrahimin plak që pastronte banjat e qytetit. Sapo vinte në shtëpi, pikërisht ky pastrues, bisedonte në gjermanisht me babën tim. Të dy kishin studiuar në Vjenë dhe bisedat e tyre ishin të nivelit të lartë. Ne gratë kujdeseshim sa të mundeshim për të, duke e pastruar dhe larë. E megjithëse ishte pastrues i banjave, Ibrahimi e mbante veten shik. Pasi lahej, ai shpesh vendoste kravatë”. Ajo tregon se të qenit pastrues i banjave, ishte si dënim që i bënë Ibrahimit, sepse më parë ai punonte roje i varrezave të qytetit. Por, teksa bëhej një ceremoni e varrimit të një personaliteti në një gazetë, doli një fotografi, ku në sfond dukej edhe armiku Biçaku. Kaq mjaftoi që nga roje varrezash, ta “ulnin në detyrë” si pastrues i banjave të qytetit.

(Rëfimet janë marrë nga libri i botuar nga gazetari Ronald Qafoku, ku përmenden detaje interesante lidhur me jetën e 33 kryeministrave të historisë së Shqipërisë). / KultPlus.com

Letra që Napoleon Bonaparti i dërgoi Ali Pashë Tepelenës nga Malta

Nga Aurenc Bebja

Në librin “Œuvres de Napoléon Bonaparte, Tome 2, 1821 – Vepra të Napoleon Bonapartit, Vëllimi 2, 1821”, gjejmë dy letra ekskluzive (f. 230 – 231) ku Napoleon Bonaparti, pas pushtimit të Maltës, kërkonte të komunikonte me Ali Pashë Tepelenën, përmbajtjen e të cilave Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Maltë, 17 qershor 1798.

Shtetasit Lavalette,

Shtetas, “L’Arthémise” ka urdhërin që t’ju ankorojë në bregdetin e Shqipërisë dhe t’ju vendosë në gjendje të bisedoni me Ali Pashën. Letra e bashkangjitur që do të duhet t’i jepni atij, nuk përmban asgjë tjetër veçse t’i jepni besueshmëri asaj që do t’i thoni dhe ta ftoni që t’ju japë një mënyrë të sigurt për të folur vetëm me të.Do t’ia jepni vetë letrën e përmendur, në mënyrë që të siguroheni se do ta lexojë vetë.

Pas kësaj, ju do t’i thoni atij se, pasi sapo kam pushtuar Maltën dhe duke u gjendur në këto dete (ujëra) me tridhjetë anije dhe pesëdhjetë mijë burra, do të kem marrëdhënie me të dhe se dua të di nëse mund të mbështetem tek ai; se do të doja që edhe ai të dërgonte pranë meje, duke e hipur në fregatë, një njeri fisnik dhe që do të kishte besimin e tij; se për shërbimet që u ka bërë francezëve, për trimërinë dhe guximin e tij, nëse më tregon besim dhe dëshiron të më ndihmojë, unë mund t’ia shtoj shumë lavdinë dhe fatin e tij.

Në përgjithësi do të mbani shënim gjithçka që ju thotë Ali Pasha dhe do të hipni sërish në fregatë për të ardhur tek unë dhe do të më raportoni për gjithçka që keni bërë.

Duke kaluar nëpër Korfuz, ju do t’i thoni gjeneralit Chabot të na dërgojë anije të ngarkuara me dru dhe t’u bëjë një shpallje banorëve të ishujve të ndryshëm që t’i dërgojnë skuadriljes verë, rrush të thatë dhe se do të paguhen mirë për këtë. 

BONAPARTI

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Maltë, 17 qershor 1798.

Ali Pashës,

Miku im shumë i respektuar, pasi ju kam ofruar urimet e mia më të mira për begatinë dhe ruajtjen e jetës tuaj, kam nderin t’ju informoj se e njoh prej kohësh lidhjen (simpatinë) që keni për republikën franceze, gjë që do të më bënte të dëshiroja të gjeja një mënyrë për t’ju dhënë prova të vlerësimit që kam për ju.

Meqë sot rasti mu duk i favorshëm, u nxitova t’ju shkruaj këtë letër miqësore,dhe kam udhëzuar një nga ndihmësit e mi në terren që t’jua sjellë, t’jua dorëzojë personalisht.

E kam porositur gjithashtu që t’ju bëjë disa propozime në emrin tim dhe meqë nuk e njeh gjuhën tuaj, ju lutemi të zgjidhni një përkthyes besnik dhe të besueshëm për bisedimet që do të ketë me ju.

Ju lutem t’i jepni besueshmëri gjithçkaje që ai ju thotë nga ana ime dhe ta ktheni menjëherë tek unë me një përgjigje të shkruar në turqisht nga vetë dora juaj.

Ju lutem pranoni urimet e mia të mira dhe sigurinë e përkushtimit tim të sinqertë. 

BONAPARTI

https://www.darsiani.com/la-gazette/1798-letra-qe-napoleon-bonaparti-i-dergoi-ali-pashe-tepelenes-nga-malta/ / KultPlus.com

Veçantia e “Ti je arsyeja e dikujt për të buzëqeshur” nga Kori i Grave ‘Okarina’ në muajin e kancerit të gjirit

Një program tejet i larmishëm ka zënë vendin e tij mu në ekzistencën e performancës artistike me titull “Ti je arsyeja e dikujt për të buzëqeshur”, performancë kjo që mbrëmë në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, ka dhuruar emocione të fuqishme. Kanë qenë Kori i grave “Okarina”, Kori i grave “Canta Peja”, aktorja Melihate Qena, Rina Kaçinari në violonçel, Eriona Krasniqi në trumbetë, pianistet Eleonida Elezi, Dea Bajrami e Mjellma Ibrahimi, ato që me dhuntinë e tyre kanë dëshmuar një dashuri për interpretim, shkruan KultPlus.

Organizuar nga OJQ ‘Progresiva’, nën udhëheqjen e mahnitshme të solo-këngëtares Elikonë Hysaj-Shala, performanca ka ardhur pikërisht në përmbylljen e muajit tetor. E gjitha kjo për shkak të shënimit të luftës kundër kancerit të gjirit. Kjo mbrëmje artistike i është dedikuar grave e vajzave të prekura nga kanceri i gjirit e po ashtu familjeve, të afërmeve dhe shoqërisë të cilët në mënyrë indirekte por që thellësisht janë ndikuar nga kjo sëmundje.

Performanca artistike “Ti je arsyeja e dikujt për të buzëqeshur” që nisi fiks në orën 20:10, me mysafiret speciale të kësaj mbrëmje, i ka dhënë një hijeshi tjetër performimit në skenë. Me këngë korale, poezi e vepër premierë, mbrëmja ka luhatur nëpër ndjenjës e dashurisë, solidaritetit por mbi të gjitha, mbrëmja u mbështoll e gjitha nëpër vetëdijesimin për zbulimin e hershëm dhe parandalimin e kancerit të gjirit.

“Ecjen ti vazhdo” nga Florent Boshnjaku, “Mallëngjimi” nga Rashid Krasniqi, nën aranzhimin e Elikonë Hysaj-Shala, “Lamtumirë” nga Muharrem Qena, nën aranzhimin e Blina Sheholli, kolazh nga ABBA, “25 gërshetat”, “Kur hana del”, “Fërfëlloi fëllënza” nën aranzhimin e Elikonë Hysaj-Shala, premiera e “Vajzë” nga Eriona Rushiti, “Çika” nga zëri unik i Rina Kanicarit, qenë veprat që jehuan përtej mureve në këtë natë. Kori i grave “Okarina” dhe Kori i grave “Canta Peja”, kanë arritur të përthekojnë mbrëmjen në atë mënyrë që të lë gjurmë të dukshme në kujtesën e gjithsecilit.

Ndërkaq, në anën tjetër, talentet si Eriona Krasniqi në trumbetë, Eleonida Elezi në piano, Mjellma Ibrahimi në piano dhe Dea Bajrami në piano, kanë shkrirë interpretimet e tyre deri në maksimum. Ato iu kanë bashkëngjitur koreve shumë natyrshëm, teksa asnjëherë nuk e kanë tejkaluar zërin e tyre që vinte në një harmoni të pastër. Meloditë e pianos e trumbetës, i kanë dhënë kësaj mbrëmjeje një plus shtesë.

E ftuara speciale e mbrëmjes, nga Vjena ishte Rina Kaçinari, violonçeliste, artiste virtuoze e muzikës klasike, që i ka thyer kufijtë e muzikës duke gërshetuar rryma të ndryshme me atë të klasikes, për të gjetur zërin e saj unik artistik. Ajo me veprën “Çika” ka zgjuar publikun në këmbë, teksa edhe zërat e tyre janë ndërlidhur me atë të Korit e Rinës. Lëvizshmëria e saj në skenë, lëvizja e duarve në instrumentin e violonçelit dhe zëri i saj i rrallë, ka shënuar përfundimin e kësaj performance që u shfaq në mënyrë të jashtëzakonshme.

Gjithashtu, me performimin e saj të veçantë të poezive, këtë mbrëmje e ka nderuar edhe aktorja Melihate Qena. Poezitë si: “Të uroj” nga Viktor Hugo, “Me t’dasht ty” nga Primo Shllaku dhe “Kohë frike” nga Eduardo Galeano, thyen barrierat e mundshme të mesazhit që kjo performancë pati. Nga zëri i Qenës, të tri poezitë kanë gjetur vend në secilin shpirt të pranishëm.

Për të treguar më shumë rreth këtij koncerti, foli udhëheqësja e korit ‘Okarina’, Elikona Hysaj-Shala.

Me të vërtetë që si çdo herë pas një koncerti, jemi të gjithë të emocionuar. Nuk është asnjëherë lehtë për të qëndruar gjatë në secilën vepër. Secila vepër e ka mesazhin e vetë, por me të vërtetë sonte kemi qenë çika shumë të mbara, ashtu siç dinë të jenë vajzat nga Kosova. Ne kemi punuar çdo natë me Korin, kemi ardhur këtu dhe kemi qëndruar edhe me orë të tëra. Një grua që ta mbështes një grua, është më e pakta që ajo mund ta bëjë, andaj mendoj që sot e kemi mbështetur njëra-tjetrën. Jam shumë mirënjohëse për të gjithë që na kanë qëndruar afër për këtë performancë, fryma e tyre feministe nuk ka munguar. Gjithë ky koncert është organizuar për këtë muaj që me të vërtetë është një muaj ku angazhohemi dhe sensibiliozhemi, por që gjithë vitin duhet të jemi kështu. Mendoj që disa nga pikët tona sonte kanë qenë pikërisht referencë për këto gra të cilat kanë kaluar në faza të vështira të jetës ose janë në një fazë në të cilën nuk dëshirojnë të gjenden”, ka thënë Hysaj-Shala.

Aktiviteti organizohet në kuadër të Fondi për Art Feminist i Artpolis përkrahur nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF ) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut. / KultPlus.com

Liridon Mulaj boton romanin më të ri “Provinca”, rrëfehet periudha jo e denjë e historisë tonë kolektive

Era Berisha

I lindur në Fushë-Arrëz, poeti dhe shkrimtari i njohur, Liridon Mulaj gjithnjë e më tepër po i vendos rrënjët e tij të thella mu në pykën e letërsisë shqipe. Shumë dashamirë të librit janë të njohur me krijimtarinë e Mulajt në poezi e prozë, dhe si në secilën herë, ai është mirëpritur jashtëzakonisht mirë nga lexuesit e kritikët. Është autor i tre veprave të mrekullueshme si: “I pakuptuari”, “Kërkohet një vrasës” dhe “Mos harro të më kujtosh”. Tanimë, vepra e tij e katërt sapo ka dalë në dritë. Bëhet fjalë për romanin e tij më të fundit që vjen nën titullin “Provinca”, shkruan KultPlus.

Dhe u bë qetësi ngado, një qetësi që i përngjet ngjitjes në mal, me heshtje të pezullt dhe maja tē thepisura vargmalesh që shfaqen mbi tisin pa ngjyrë të ajkës së mjegullës. Pastaj ti e gjen veten në majën më të lartë. Nën vete ke shtresat e bardha të atmosferës dhe pikla që çukisin nga poshtë si sqepa qeniesh nënujore, e shndërrohen në rrathë që hapërdahen. Ti nuk don të kthehesh më prapa, dëgjon ca si tinguj të vagullt. I thua vetes, mamaja ka vdekur. Bashkë me të, dhe ajo copëz e jetës sime që më lidhte me provincën, e shkëputur tashmë përgjithmonë. Më pas, tingujt në formë jehonash qërohen dhe ti dëgjon zërin e fqinjës që të ngushëllon për mamanë dhe shpall me zërin e saj të çjerrë fundin e dinastisë sonë. Ajo qan dhe flet për kujtimet tona, a thua se ka qenë aty tërë jetën tonë. Ajo është vajtoca e dramës sonë që mallkon padrejtësinë e jetës dhe përsërit me logore: “Jo, nuk është e drejtë!”. Po çfarë ka qenë ndonjëherë e drejtë në jetën tonë, e pyes unë. Ajo vë re përhumbjen time dhe pushon së qari. Një formë ngërdheshjeje qesharake i është stampuar në fytyrë. Unë përsëris se e tërë jeta jonë ka qenë një padrejtësi, madje krejt ekzistenca e provincës është një mallkim në të cilin thyejnë qafën ëndrrat e fëmijëve.”

Është vetëm një pjesë e shkëputur nga romani “Provinca” të cilën autori e ka publikuar në rrjetet sociale. Me këtë, ai ka thumbuar kureshtjen e shumë letrarëve. Duke filluar nga titulli, përshkrimi origjinal e tejet unik i natyrës dhe fuqia e gjuhës, autori na fut brenda jetesës në provincë, aty ku padrejtësitë e panumërta gjejnë vendin e tyre në qoshet e shpirtrave të çdo fëmije.

Në një intervistë për KultPlus, shkrimtari Mulaj ka rrëfyer detaje që nisin nga ideja për romanin “Provinca”, ka ndarë me ne preokupimet si krijues, sfidat në përditshmëri, qëndrimet e tij letrare, procesin e të krijuarit dhe anët e “errëta” të tij. Njashtu, nuk ka munguar as edhe bisedimi rreth rëndësisë së gjuhës, prurjeve të reja letrare, suksesit të tij që sa vjen e shtohet, e deri tek projektet e radhës. Pra, në çdo shkronjë dallohet një dashuri e dëlirë për letërsinë shqipe e jo vetëm.

Kur kemi të bëjmë me autorë të tillë, një intervistë e tillë mund të ju dhurojë një hap drejt veprës së një shkrimtari që nuk e keni përjetuar ende, apo thjesht, do të ua shtojë përkushtimin e juaj ndaj krijimtarisë së tij.

KultPlus: “Provinca” është libri juaj i katërt me radhë. Na tregoni se si erdhi ideja për ta krijuar dhe sa kohë mori deri në botim?

Liridon Mulaj: Vizitat e rralla në qytezën time të lindjes në këto 20 vitet e fundit, më krijonin gjithmonë një lloj pështjellimi dhe konfuzioni në lidhje me ndryshimet e pakta sociale, ekonomike dhe historike, ndryshime të cilat si efekt kishin lëvizjet e mëdha demografike.

Popullsia zhvendosej drejt qyteteve të mëdha dhe zëvendësohej me të tjerë banorë nga fshatrat përreth duke u kthyer kështu në një hinkë që rridhte thuajse gjithmonë. Në kaq vite sa herë kthehesha atje, ngjante sikur gjithçka ishte e palëvizshme, e ngrirë në një maskë që i jepte qytezës një pamje hibride deri diku të frikshme. Pra, shtohej degradimi e njëkohësisht dhe qasja dekadente ndaj të ardhurve, një efekt zinxhir që e ndjek njeriun e provincës kudo.

Provincat shqiptare në 30 vite emigracion kanë parë zhbërjen e tyre në kuptim të plotë të fjalës, kështu dhe unë vendosa të ndërtoj historinë e një djaloshi i cili e urren provincën ku ka lindur, për arsyet të cilat i përmenda më lart, varfëria, urrejtja, lufta për mbijetesë që pasojnë përbuzjen, represionin dhe përjashtimin e të dobëtit nga mjedisi ku mbijeton më i forti. Dhe jo i forti në kuptimin triumfalist të fjalës, por më i forti që në provincë nënkupton më maskarain, më të poshtrin dhe më të ligun. “Vilmonti” është personazhi kryesor, djaloshi me probleme të thella të shëndetit mendor, shkaktuar nga mjedisi shoqëror që e rrethon.

KultPlus: Titulli është gjithmonë pjesa më e bukur dhe shpeshherë edhe më e vështirë në procesin e krijimit. Pse pikërisht “Provinca”?

Liridon Mulaj: Romani është i ndërtuar në formën e një rrëfimi ku në qendër është Provinca, rrëfim i cili ndërpritet nga disa tregime në formën e intermexos ku po ashtu gjendet një personazh që vjen nga provinca por që mund të jetë episodik ose kryesor, varet nga trajtesa. Provinca si psikozë, si kompleks apo dhe qëndrim, pra ‘Provinca’ si identitet.

KultPlus: Në lajmërimin për botimin e librit ju keni ndarë një pjesë, ku mësohet për vdekjen e nënës dhe padrejtësitë e jetës. Na tregoni saktësisht mesazhin që e ngërthen në vete ky roman?

Liridon Mulaj: Një vepër letrare ndërtohet si dëshmi e një realiteti pa rënë në mediokritetin e moralizimeve. Këtë bën dhe ‘Provinca’. Tenton të rrëfejë një periudhë të historisë sonë kolektive e cila për hir të së vërtetës nuk është e denjë por që është e jona dhe duke qenë e tillë meriton të rrëfehet si e tillë.

KultPlus: Çdo krijues përballet me sfida që bëhen pjesë e përditshme e jetës. Po për ju, cilat janë sfidat më të mëdha që i hasni si shkrimtar?

Liridon Mulaj: Sfida ime e vetme është të jem në lartësinë e duhur për të merituar leximin dhe marrjen në konsideratë nga lexuesi të asaj çfarë shkruaj. Dua të jem shkrimtar që lexohet dhe kërkohet. Kjo është sfida ime dhe besoj e çdo shkrimtari.

KultPlus: Keni deklaruar se letërsia juaj ndikohet nga ngjarjet dhe karakteret, e jo nga leximet. Me çfarë ndikimi jeni duke u përballur për momentin?

Liridon Mulaj: Për momentin po mendoj të shkruaj një roman ku në qendër ka një histori dashurie. Ngjan e çuditshme paska si sipërmarrje por besoj se duhet bërë. Pa rënë në patetizma, mendoj se romanet e tilla do të kenë gjithmonë një vend të veçantë në zemrën e lexuesve. Duhet thyer me çdo kusht miti i trendëve në letërsi, të cilat e trajtojnë letërsinë si fushatë mode apo fushatë marketingu. Letërsia e mirë pavarësisht subjektit dhe stilit është gjithmonë në modë.

KultPlus: Procesi i të shkruarit është njëkohësisht sa i veçantë aq edhe i lodhshëm. Çfarë ndjeni ju personalisht në ato momente?

Liridon Mulaj: Ndjej frikë, shumë frikë. Përgjegjësi, dhe thuajse gjithmonë një ndjenjë kotësie për atë që shkruaj. Dhe në fund më vjen shumë turp. Ky fenomen njihet dhe si “terrori i fletës së bardhë”. Mandej e mbledh veten dhe ia nis e shkruaj sërish duke menduar se do të jetë koha ajo që do të vlerësojë ose jo ato që shkruaj.

KultPlus: Gjuha është fuqi. Sa është e rëndësishme që të shprehurit e juaj të ketë ndikim tek lexuesi?

Liridon Mulaj: Gjuha është instrumenti me të cilin konkretizojmë pikëvështrimet tona si shkrimtar. Kadareja ka një teori për këtë ku thotë se kemi kaq shumë ngjarje dhe ndodhi dhe kemi vetëm 36 shkronja për ti shprehur ato. Gjuha është thelbësore në një vepër letrare.

KultPlus: Si i vlerësoni ju prurjet e reja letrare që botohen vazhdimisht nëpër librari dhe sa kanë rëndësi ato tek lexuesi i sotëm?

Liridon Mulaj: Në Shqipëri dhe Kosovë po krijohet një brez i talentuar shkrimtarësh. Secili shkruan në stilin e tij dhe ka qasjen e tij të veçantë. Shkrimtarët e rinj sot po shkruajnë surrealizëm, romane historike, realizëm magjik, pra kanë rrokur lloje të shumta zhanresh për tu prezantuar. Por përtej zhanreve, po shkruhet mirë, dhe kjo ka më së shumti rëndësi. Kjo i bën mirë së tashmes dhe sigurisht së ardhmes së letërsisë shqipe.

KultPlus: Si duket nga ana juaj, suksesi i juaj letrar dhe sa përmbushës është ai për ju?

Liridon Mulaj: Nëse quhet sukses të arrish të shesësh një tirazh brenda dy viteve, të të jepet mundësia në mediat kryesore të flasësh për letërsinë, të shkosh anekënd Shqipërisë të prezantosh letërsinë tënde, të përkthehesh në disa gjuhë brenda pak viteve dhe të besohen misione për përçimin e letërsisë tek të rinjtë, atëherë po unë jam shkrimtar i suksesshëm.

Kjo nuk do të thotë se kam rënë në vetëkënaqësi, përkundrazi, ndjenja e kotësisë është gjithmonë aty. Gjithsesi në mjedisin tonë letrar plot mëri dhe inate, etalonët e suksesit janë individuale ku secili është një gjeni i radhës. Të shohim. E thashë dhe më lart, koha është gjykatësja më e rreptë.

KultPlus: Për fund, a jeni duke punuar në ndonjë libër të radhës?

Liridon Mulaj: Kam në plan ribotimin, thuajse rishkrimin e romanit tim të parë “Kërkohet një vrasës” i botuar 5 vite më parë dhe një vëllim me poezi. Nuk dua ta lë pas dore poezinë. Ka qenë porta ime hyrëse në letërsi.

Kujtojmë se me datë 31 tetor, duke filluar nga ora 17:00, në Sallën Unesco të Muzeut Kombëtar, do të promovohet romani “Provinca” i shkrimtarit Liridon Mulaj. / KultPlus.com

Si ndodhi vdekja e Maradonës?

Bota e sportit veçanërisht e futbollit nuk ka se si shkruhet pa Maradonën. Lajmi për vdekjen e legjendës Diego Armando Maradona pati prekur të gjithë.

I vogël e i madh kanë reaguar në forma të ndryshme përmes rrjeteve sociale, duke ndjer keqardhje për humbjen e ‘10-shit’ të famshëm të Argjentinës.

Maradona iu nënshtrua një operimi në tru dhe mjekët kishin raportuar se gjithçka kishte shkuar mirë.

Por gjendja e tij u përkeqësua derisa ai pësoi një sulm në zemër në shtëpinë e tij.

Gjatë 10 viteve të fundit, i ndjeri pati pasur probleme të ndryshme shëndetësore./ KultPlus.com

Bebe Rexha dhe Ava Max do të performojnë në MTV EMAs 2022

MTV EMA nuk mund të mburrej me një formacion më emocionues artistësh këtë vit përfshirë këtu edhe grupin Gorillaz.

Ata do të bashkohen me Ava Max, Bebe Rexha, David Guetta, Lewis Capaldi dhe Muse, të cilët janë planifikuar të dalin drejtpërdrejt në skenë për shfaqjen e çmimeve të këtij viti më 13 nëntor.

Capaldi gjithashtu do të japë performancën e tij të parë në këtë ceremoni.

Ndërsa Max, Rexha, Guetta, Gorillaz dhe Muse po kthehen si interpretues sërish, pasi kanë fituar pjesën e tyre të nominimeve këtë vit.

Së bashku për hitin e tyre “I’m Good (Blue)”, Rexha dhe Guetta janë kundër Max dhe DJ holandez Tiesto “The Motto” për ‘Bashkëpunimin më të Mirë’.

Ndërkohë, Gorillaz kanë fituar një nominim për ‘Alternativën më të Mirë’, dhe Muse ka siguruar një në ‘Best Rock’.

Siç u njoftua në fillim të kësaj jave, emisioni do të drejtohet nga Rita Ora dhe Taika Waititi. / KultPlus.com

muz

‘Vitet ikin por në shpirt i ri po ndjehem, dashuri si ti nuk gjeta, në vite unë prapa kur kthehem’ (VIDEO)

Grupi i njohur shqiptar ”Elita 5”, erdhën në tregun shqiptar në fillim të viteve të 90-ta, duke mbetur kështu ndër grupet më të njohura e më të dëgjuara në vendet shqipfolëse, shkruan KultPlus.

Njihen për tekstet e vecanta, ku përmes tyre i këndonin dashurisë, mallit, jetës etj.

Ndryshe, grupi Elita 5 ndër vite kanë sjellë hitet si “Al Kapone”, “Çmendem”, “Çka më ka syri”, “E urrej shiun” e shumë të tjera.

Në vijim, KultPlus ju sjell ”Vitet ikin”, një këngë që ishte dhe vazhdon të mbetet shumë e dashur për publikun shqiptarë e sidomos për adhuruesit e grupit.

Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës. / KultPlus.com

Vitet ikin
por në shpirt
i ri po ndjehem
dashuri si ti nuk gjeta
në vite unë
prapa kur kthehem

Erdhe vonë o dashuri
sikur të isha
dhjetë vjet më i ri
kjo këngë
si një roman tragjik
të don ty një mik
pa fund pa pikë

Kanë kalu vitet tani
nuk u bë atëherë
kur isha më i ri
njëzetë e pesë
në lule të rinisë
ndërsa unë
në prag të pleqërisë

Vitet janë numra
të tjerët thonë
ngushëllim për mua
në shpirtin tim
jeton qëmoti
të urrej se shumë të dua

Erdhe vonë o dashuri
sikur të isha
dhjetë vjet më i ri
kjo këngë
si një roman tragjik
të don ty një mik
pa fund pa pikë

Kanë kalu vitet tani
nuk u bë atëherë
kur isha më i ri
njëzetë e pesë
në lule të rinisë
ndërsa unë
në prag të pleqërisë

Artistë nga Kosova dhe Bujanovci bashkojnë artin e tyre në ekspozitën kolektive të organizuar nga ‘Artkos22’

Të shtunën në Prishtinë u mbajt ekspozita kolektive organizuar nga ‘Artkos22’. Pikturat e pesë artistëve nga Kosova dhe Bujanoci kishin zënë vend në hapësirat e lokalit ‘Memories Lounge Bar’ në Prishtinë, përcjell KultPlus.

Kati i dytë i këtij lokali kishte marrë pamjen e një galerie që paraqiste nivele të ndryshme dhe stile të ndryshme të artit që artistët Xhevdet Dula, Rexhep Buçinca, Shkurte Ramushi, Leoneta Abdyli, Djellza Zymberaj dhe MArigona Osmanollaj – Qenaj, kishin krijuar me talentin dhe punën e tyre, përcjell KultPlus.

Durim Asllani i cili është drejtor i platformës dhe organizues i ekspozitës tha për KultPlus se kjo ekspozitë erdhi në Prishtinë si financim nga Komuna e Prishtinës.

“Është një përmbledhje e punimeve të pesë artistëve. Ekspozita do të jetë e hapur nga ora 10:00 – 15:00 për vizitorët, ku ekziston edhe mundësia e blerjes së pikturave. Përzgjedhja e artistëve ka qenë përmes shpalljes, mirëpo prioritet kanë pasur artistët me të cilët kanë pasur bashkëpunim më herët.”, u shpreh Asllani.

Ndërkaq Yll Maloku, pronar në Pika Qëndisje, e që është edhe sponsor gjeneral i platformës ‘Artkos22’ thotë së janë marrë me këtë ekspozitë që nga fillimi dhe në të njëjtën kohë kanë kontribuar edhe në promovimin e platformës online.

Po ashtu ‘Pika Qëndisje’ ishte e pranishme edhe në këtë ekspozitë ku prezantoi produktet e tyre kryesisht të veshmbathjeve të cilat ata i bëjnë me emblema të ndryshme të qëndisura.

“ ‘Pika qëndisje’ ka bërë edhe produktet e saj, e që i kemi sjellë në këtë ekspozitë si pjesë e artit, sepse secila prej tyre është më unike prej tjerave, janë dizajne të cilat ne i kemi qëndisur.”, tha Maloku për KultPlus.

Po ashtu, në hapjen e kësaj ekspozite një-ditore foli edhe një nga artistët. Marigona Osmanollaj – Qenaj tha se u bë pjesë e kësaj ekspozite për të paraqitur për të tjerët artin e saj, punën që ajo e bën tash e tri vite.

 Në disa nga pikturat e saj vërejmë motive kombëtare siç janë veshjet tradicionale te Hasit, e për të cilat ajo thotë se ka dashur të shprehë ato që vendi i saj prezanton.

“Unë jam nga Hasi i Prizrenit, fshati Gjonaj edhe sigurisht që mbresat e mia janë që me i tregu të tjerëve prejardhjen dhe ato që më pëlqejnë më shumë nga fshati im.”, tha Osmanollaj-Qenaj.

Ju kujtojmë që platforma Artkos22 është platformë e inicuar nga Durim Asllani dhe e sponzorizuar nga Ministria e Kultures, Rinisë, dhe Sportit.

Qëllimi i platformës, është promovimi i artit tek dashamirët e artit dhe kritikët, si dhe promovimi përtej kufijëve më qëllim të tregëtimit të artit. Planifikimi 5 vjeçar përfshin arritjen e klientelës serioze, bashkëpunimin me qytetin e New York-t edhe zyrtarisht, Parisin, dhe Berlinin, hapësirën ekspozuese, dhe mbajtjen e ankandeve brenda dhe jashtë Kosovës./KultPlus.com

‘Merrja një iso’, platformë digjitale për trashëgiminë kulturore të UNESCO-s

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka sjellë për të pasionuarit pas isopolifonisë shqiptare një platformë digjitale, sa të pasur aq edhe zbavitëse, për të kuptuar historinë dhe lojën e zërave të kësaj “Trashëgime Kulturore Botërore” të UNESCO-s.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mitrela Kumbaro.

E titulluar “Merrja një iso” kjo platformë është edhe në gjuhën angleze.

Në një postim në rrjetet sociale Kumbaro u shpreh se “si e diel që është dua të ndaj me ju një nga gjërat e bukura, madje shumë të bukura, të punëve që kemi bërë. Duket sikur të gjithë e njohim isopolifoninë shqiptare, disa e ndjejmë më shumë se jemi lindur e rritur me të, si puna ime,  disa janë mësuar me këtë lloj muzike që sot është pjesë e “Trashëgimisë Kulturore Botërore” e UNESCO-s, duke e dëgjuar në të gjitha festivalet e aktivitetet kulturore, disa janë kuriozë të kuptojnë se si këndohet kjo këngë me shumë zëra, ku çdo zë është unik, i papërsëritshëm, i pazëvendësueshëm dhe me një rol e kohë të vetën”.

“Ministria e Turizmit dhe Mjedisit të sjell këtë platformë digjitale, sa të pasur aq edhe zbavitëse, për të kuptuar isopolifonine shqiptare, historinë e saj, lojën e zërave.Ti mund të luash me to, mund të mësosh të këndosh dhe ti !Ama, e preferuara ime është “Vajzë e valëve” një poezi e jashtëzakonshme midis malit dhe detit të isopolifonisë himariote. Dhe mund ta ndash me miq te huaj sepse platforma është në anglisht! Përgëzime MEDIAMIX për këtë punë të arrirë dhe të gjithë bashkëpunëtorëve që e bënë të mundur”, tha Kumbaro.

17 vjet më parë, në 25 nëntor 2005, isopolifonia popullore shqiptare u shpall “Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit”, e mbrojtur nga UNESCO. Ndaj kjo datë është një ditë historike, për mbarë trashëgiminë kulturore shqiptare, por dhe për vetë Shqipërinë./atsh/KultPlus.com

200 mijë funta për një biletë, shifra marramendëse për për të parë koncertin e Adele

200 mijë paund për një biletë koncerti? Shumë do t’i thoshin jo, megjithatë ka nga ata që nuk kursehen aspak kur bëhet fjalë për artistin e tyre të preferuar. Media britanike raporton se biletat për të parë Adele duke kënduar live në Las Vegas kanë arritur këto shifra marramendëse.

Biletat variojnë nga 650 £ por për një pozicion në rreshtin e parë, fansat duhet të paguajnë deri në 197,698 £. “Shumica e njerëzve vareshin te biletat e tyre dhe kërkesa prej 200,000 £ është e madhe, por padyshim kushdo që po përpiqet t’i rishesë ato bileta mendon se mund të jetë në gjendje të marrin para.

Ka vende me çmime më të arsyeshme në dispozicion, por pritet që çmimet të rriten më afër datës së koncertit të parë pasi njerëzit bëjnë plane të minutës së fundit për të shkuar në Vegas për ta parë atë. Nëse dikush kërkon 200,000 £ një biletë, besoj se ka dikush që është i gatshëm të paguajë për të”, tha një burim.

Kujtojmë që këngëtarja anuloi koncertet që priteshin të mbaheshin në Colosseum në Caesars Palace në janar, vetëm 24 orë para se të mbaronte shfaqja e parë. Tani, ajo pritet t’u rikthehet këtyre koncerteve të anuluara dhe madje planifikon të takohet me fansat gjatë koncerteve, të cilat fillojnë më 18 nëntor.

Pianistja hungareze Alexandra Balog në edicionin e pestë të festivalit të muzikës kamertale “Skupi Kamerfest” në Shkup

Mbrëmjen e së martës, më 25.10.2022, në sallën kamertale të Filharmonisë nacionale të Maqedonisë së Veriut, u mbajt koncerti i gjashtë me rradhë në kuadër të edicionit të pestë të  festivalit të muzikës kamertale “Skupi KamerFest”, nën organizimin e shoqatës “Muza” – Shkup.

Kësaj rradhe publiku shkupjan kishte mundësin të ndëgjoj një pianiste të re me prejardhje hungareze, Alexandra Balog – formimi  muzikor i të cilës, përveç Budapestit, ka vazhduar edhe në Akademinë mbretërore të muzikës në Londër. Që në moshë të re karriera e saj artistike është e mbushur me koncerte recitale dhe të atyre të muzikës kamertale, është fituese e shumë çmimeve në shumë gara nacionale dhe internacionale – ndër to është edhe fituese e çmimit të parë në garat internacionale për piano Béla Bartók, në Graz të Austris, si dhe çmimin special në këtë garë për interpretuesen më të mirë të muzikës së Bartókut. Mysafire e saj në këtë koncert ishte një ndër pianistet më të njohura maqedonase, mbrenda por edhe jashtë vendit – Danica Stojanova.

Në bazë të karakterit kamertal me të cilin karakterizohet festivali “Skupi Kamerfest”, koncepti i këtij koncerti ishte i till që mundësoi jo vetëm interpretime solistike, por edhe interpretime të veprave për katër duar. Pianistja hungareze, Balog, e filloi koncertin me interpretimin e pesë kohëve (I. Molto moderato, II. Molto capriccioso, VI. Allegro moderato, molto capriccioso, VII. Sostenuto, rubato, VIII. Allegro) nga Improvizations op. 20 nga kompozitori i njohur hungarez, Béla Bartók. Paraqitja e saj solistike vazhdoi me intepretimin e veprave pianiste nga dy kolosët e periudhës së romantizmit, Franc Shubert dhe Frederik Shopen. Përzgjedhja e saj nga krijimtaria pianistike e Shubertiti ishin: Impromptu op. 142, no.1 dhe no.4 f-moll, Impromptu op. 90, no. 4. Ndërsa nga ajo e Shopenit: Mazurka op. 17, no.4 dhe Mazurka op. 24, no.1. Interpretimi i saj mund të përshkruhet si i pajisur me  finesë dhe elegancë, duke poetizuar lirikën muzikore në veprat e periudhës së romantizmit, përshtatur mjaftueshëm sipas karakterit dhe nevojës së vet veprës.  Pianistja Stojanova, në rolin e mysafires në këtë koncert, interpretoi tri kohë (I. Preludio-etida, Allegro, II. Rondo, IV. Presto) nga suita për piano op.7 e kompozitorit maqedonas Goce Kolarovski. Si pika më kulminante e koncertit, njëherësh edhe përmbyllja e tij ishin interpretimi i dy veprave për piano katër duar, nga pianistet Stojanova dhe Balog: 6 Grandes Marches, D.819, op. 40, no.2 dhe Military march, D. 733, no.1, nga F. Shubert.

Energjia bashkëpunuese kreative dhe projektimi dinamik i veprave nga të dyja pianistet u përcjell në mënyrën më të mirë të mundëshme deri tek publiku – që në këtë koncert ishte i pranishëm në numër të mjaftueshëm, element ky që flet mjaft për reputacionin që festivali ka fituar gjatë rrugëtimit të tij në këto pesë vite. “Skupi KamerFest” si një ndër festivalet kryesore, gjithmonë tenton të sjell artist të rinjë por të mundësoj hapsirë edhe për ata vendas, me qëllimin për përforcimin dhe begatimin e jetës kulturore, dhe skenës muzikore të qytetit të Shkupit.

Nga Nora Bajrami, muzikologe./ KultPlus.com

‘Ti je si manushaqet me erën sipër tyre’

Poezi nga Ezra Pound
Përktheu: Redi Sheqeri

Pema më ka depërtuar në duar,
Limfa e saj më ka mbushur krahët,
Pema është rritur në gjirin tim –
Teposhtë,
Degët rriten nga unë, si krahë.

Pemë je ti,
Myshk je ti,
Ti je si manushaqet me erën sipër tyre.
Një fëmijë – kaq i madh – je ti,
Dhe e gjithë kjo për botën është një çmenduri./ KultPlus.com

Manifestimi tradicional letrar, kulturor dhe shkencor ‘Takimet e Gjeçovit’ mblodhi dhjetra pjesëmarrës në Has

Përgjatë dy ditësh në kuadër të kësaj ngjarje tradicionale janë zhvilluar aktivitete të shumta në sferën e kulturës dhe shkencës, siç janë ekspozita e veshjeve tradicionale të Zymit, ekspozita e demonstrimit të gatimve tradicionale, promovimi i veprave të ndryshme, tribuna shkencore dhe orë letrare.

Të pranishëm ishin ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, kryetari i Prizrenit Shaqir Totaj, profesorë, studiues dhe banorë të Hasit.

Ministri Çeku në fjalën e tij ndër të tjera bëri të ditur që Qeveria e Kosovës dhe MKRS-ja qëndrojnë pranë të gjithë atyre që punojnë më zell e përkushtim për ta ruajtur traditën tonë, ndërsa përgëzoi organizatorët për punën që kanë bërë në realizimin e këtij manifestimi.

“Takimet e Gjeçovit” është mbështetur nga Ministria e Kulturës.

MKRS hap aplikim për përfaqësimin e Kosovës në Bienalen e Arkitekturës në Venedik

Ministria e Kulturës shpall ftesë publike për përfaqësim të Republikës së Kosovës në edicionin e 18-të të Bienales së Arkitekturës në Venedik, përcjell KultPlus.

Klikoni KËTU për aplikim dhe detaje të tjera.

Ndërkaq Bienalja e Arkitekturës në Venedikut do të hapet për publikun më 20 maj 2023./KultPlus.com

Ezra Pound, poeti që ka jetuar më shumë me ide sesa me njerëz

Mundësia e vetme për fitoren humane, mbi aktin e shpëlarjes së trurit- është e drejta e çdo njeriu, është ajo që njeriu të ketë idetë e tij, të cilat duhet të arrijnë të gjykohen njëherë e një kohë. Ju kurrë s’mund të gjeni qartësinë e mendimit për aq kohë sa keni fjalët e grumbulluara dhe të pashprehura, dhe për aq kohë sa një fjalë përdoret nga njëzetë e pesë njerëz -në njëzetë e pesë mënyra të ndryshme. Kjo më duket se është lufta e parë e njeriut, nëse do të ketë ende ndonjë pjesë intelekti, e mbetur për tu shqyrtuar nga ne.

Teknika e poezisë është test për sinqeritetin

Kjo intervistë e Ezra Pound, e realizuar në fillim të viteve ’60, është bërë nga një prej redaktorëve më të njohur letrarë të kohës, Donald Hall. Përmes saj shfaqet poeti i njohur amerikan, një nga ikonat e historisë së poezisë. Në pjesën e parë, rrëfehet teknika e autorit; përpjekja për muzikalitetin dhe mundësitë e anglishtes në shprehjen e letrare; teknikat bashkëkohore; dhe pse i ndihmonte aq shumë të rinjtë Pound; si edhe shumë e shumë elementë të tjerë…

Nga Donald Hall*

Që kur ka ardhur për herë të fundit në Itali, Ezra Pound e ka kaluar pjesën më të madhe të kohës së tij në Tirol, duke e kaluar atë- vetëm në mjediset e Kështjellës në Brunnenburg. Si gjithmonë, i shoqëruar me gruan, vajzën Mary- dhëndrin e tij Princin Boris de Rachewiltz dhe nipin. Për fat të keq, malet në këtë vend, që është një vend pushimi afër Meranos- janë krejt të ftohta në dimër, kurse Z. Pound e do shumë diellin. Intervistuesi ishte bërë gati për t’u nisur nga Anglia drejt Meranos që në fund të shkurtit, kur një telegram e ka stopuar atë në derë:”Merano është zënë nga bora. Hajde në Romë”.

Poeti Ezra Pund

Gjon’s Tears dhe këngëtarja franceze Zazie performojnë live këngën ‘The Scientist’ të Coldplay (VIDEO)

Mbrëmë, këngëtari shqiptar Gjon Muharremaj ishte i pranishëm në televizionin francez TV FR2, shkruan KultPlus.

Muharremaj apo siç njihet me emrin e tij artistik ‘Gjon’s Tears’ performoi këngën ‘The Scientis’ të Coldplay bashkë me këngëtaren e njohur franceze Zazie.

Ndërkaq, pak ditë më parë ai publikoi këngën e tij të re ‘Pure’.

Klikoni KËTU për të parë performancën e mbrëmshme./ KultPlus.com

Pesë vjet nga vdekja e regjisorit Mihallaq Luarasi

Si sot, më 30 tetor të vitit 2017, në moshën 88 vjeçare u nda nga jeta regjisori Mihallaq Luarasi.

Luarasi lindi më 16 shtator 1929 në Korçë. Shkollën e mesme e kreu në liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë, ndërsa studimet e larta në Akademinë e Arteve të Teatrit dhe Filmit në Budapest të Hungarisë.

Për herë të parë në teatër si regjisor paraqitet me tragjedinë Shilerit “Intrigë dhe dashuri” në vitin 1957 në Teatrin Popullor, spektakël që qëndroi në repertor shtatë vjet dhe u luajt mbi 300 herë.

Mihal Luarasi është njëri nga tre regjisoret e shquar të periudhës më të ndritur e cilësore të teatrit shqiptar në vitet 1957-1973: Luarasi – Spahivogli – Mani. Për arsyet që dihen, në Teatrin Kombëtar Luarasi vuri pak pjesë, por ato u dalluan për cilësinë dhe nivelin e lartë artistik, si: “Dragoi i Dragobisë”, “Dhelpra dhe rrushtë” (fituese e të gjitha çmimeve të para në Festivalin e II-të kombëtar të teatrove), “Mosha e bardhë”, “Banorët e shkallës nr. 6”, “Rrugë të tërthorta”, “Një dashuri e tille”. Më 1996 vë për herë të parë në skenë në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës dramën “Cuca e maleve”.

Luarasi është referencë e një prej momenteve më të rëndësishme në historinë e teatrit shqiptar, që lidhet me dënimin e tij në diktaturë, për shfaqjen “Njollat e Murrme”. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikoi sot kritikën e kësaj vepre. / KultPlus.com

‘Jam i lodhur duke parë fytyra femrash të rrethuara nga botoks, dëshiroj të shikoj femra të pavarura, jo skllave të burrave’

Padyshim Bukowski është një nga shkrimtarët dhe poetët më “autobiografikë” në historinë e letërsisë. Si romanet apo tregimet, ashtu dhe poezitë e tij nuk janë gjë tjetër, veçse një transformim në formë letrare të jetës së autorit, përshkruar “me një vërtetësi prej një njeriu që s’ka asgjë për të humbur”.

E ndonëse forma autobiografike haset shpesh në prozë, në poezi, sidomos në varg të lirë, ajo është tepër e vështirë dhe kërkon virtuozitet të jashtëzakonshëm. Këtë virtuozitet e gjejmë kudo në poezitë e Bukowskit, që nuk ngurron të kthejë në varg biseda cubash në cepin e rrugës, sherre grash të lodhura nga jeta apo shkëlqimin që has në sytë e maces së tij.

Megjithatë, ekziston një veçanti në formën autobiografike të autorit. Padyshim, gjithçka frymëzohet nga ndodhi të jetës së tij, por në këtë pikë vlen të ngremë pyetjen: cili është Charles Bukowski, autor? Që në fillim të veprës së tij, Bukowski krijon personazhin e tij artistik: Henry Chinaskin, ose Henkun, siç e thërrasin miqtë. Një personazh shumë i ngjashëm dhe i frymëzuar nga vetë autori, por dhe shumë i ndryshëm për sa i përket karakterit të tij shpërthyes. Këtë ndryshim e ka spikatur fillimisht miku dhe biografi i autorit,

Neeli Cherkovski, i cili i referohet Henkut letrar si një personazh-mjet për të fshehur dobësitë e Charls-it. Histori që në të vërtetë mbylleshin me një përshëndetje të thjeshtë, në prozën apo poezinë e autorit përfundojnë me rrahje të përgjakura, që shpëlahen me birrë, verë, uiski (gjithmonë të cilësisë më të ulët), ose të vjella. Ky transformim i realitetit s’është gjë tjetër veçse një pasqyrim i vuajtjeve shumë më të thella, se ato të shkaktuara nga të rrahurat. Bukowski vuan thellë dhe pamundësia e tij për të rënë dakord me jetën e rezervuar për të dhe të ngjashmit e tij, nga shoqëria, vjen e përshfaqur përmes grushteve, shkelmave, zemërimit.

Për mendimin tim, ky është dhe këndvështrimi nga i cili duhen perceptuar skenat e dhunshme që shoqërojnë gjithmonë rrëfimin e tij. Henku ka diçka të frymëzuar nga Hemingway-dhe Bukowski bëri gjithçka që cilësitë e tij të dukej se i përkisnin vetë autorit. Ketë sforcim ai e shpreh dhe në poezinë “Zogu i kaltër” ku i kërkon kësaj brishtësie të personifikuar në zogun e kaltër, të mos dalë në sipërfaqe, pasi kështu do të rrezikonte shitjet e autorit të suksesshëm në Europë. Por “zogun e kaltër” nuk ngurroi ta sillte në dritë biografi i tij në botimin “Hank a life”.

Zbulimi i Cherkovski-t mbi këtë ndërtim fiktiv të alteregos së autorit, u bë dhe shkaku i cenimit të miqësisë së tyre, e cila për këtë arsye u ftoh gjatë viteve të fundit të jetës së autorit.

“Nuk kërkoj kurrë të përmirësohem ose të mësoj diçka, qëndroj ekzaktësisht siç jam. Nuk jam ai që mëson, jam një që shmang. Nuk kam dëshire të mësoj, ndjehem përsosmërisht normal në mënyrën time të çmendur. “
“Po çfarë shmangni?”
“Për t’u bërë si të tjerët.”

I dua vetmitarët, ata ndryshe, ata që nuk i takon kurrë.
Ata të humburit, të shkuarit, shpirtshkatërruarit.
Ata me shpirtin në flakë…

”Patëm vendosur të çonim ilaçe në Afrikë…por tek të gjitha shkruhej: Pas buke!”
”Jam i lodhur duke parë fytyra femrash të rrethuara nga botox. Gjinj të tejmbushur , të copëtuar nga konkurrenca , prapanica të ekspozuara, taka dhe truke kozmetike, gjeste të vështira për gratë e lirshme, tashmë të padallueshme edhe nga ato të zanatit …”

”Dëshiroj të shikoj femra me feminitetin e tyre, me sjellje të butë, me buzëqeshje plot hir, lëvizje joshëse , me fjalë të ëmbla dhe të sigurta në të njëjtën kohë. Me mendime origjinale dhe të reja. Dëshiroj të shikoj femra të pavarura, jo skllave të burrave që sakrifikojnë dinjitetin e tyre. Femra me zemra prej akulli të shkrirë, shoqe dhe mike të meshkujve, të lira dhe të sinqerta” / KultPlus.com

Vendi i rrethuar nga male ku askush nuk dëshiron të ngjitet

Zhytur në histori dhe legjenda, një numër i madh fshatrash shtrihen në zemër të Azerbajxhanit, në një lartësi 2000 metra mbi nivelin e detit. Për shumë kohë, ata janë konsideruar të izoluar dhe të paarritshëm për vizitorët, ndaj kjo ka ndikuar që ata të ruajnë një stil unik jetese gjysmënomade.

Megjithatë, së fundmi, me zhvillimin e infrastrukturës dhe një fluks turistësh aventurierë, këto rajone po shohin ndryshime të shpejta.

Rruga dhe shtigjet për të mbërritur në këto fshatra janë jashtëzakonisht të vështira. Terreni i thyer malor, kafshët grabitqare dhe ujërat e rrëmbyer të përrenjve, bëjnë që udhëtimi të jetë vërtetë i rrezikshëm. Gjatë gjithë rrugës, turistët ndeshen me gjurmët e një kështjelle dhe vendbanime mesjetare, një xhami të shekullit të 8-të, si dhe gure varresh të panumërta antike.

Në fund, mbërritja në destinacion në majë të një pllaje të mbështetur mbi shkëmbinjtë e lartë, dhuron një pamje magjike të luginës përpara.

Duke qenë mbi 50% malorë, shumë nga fshatrat e Azerbajxhanit arrihen vetëm duke ecur në këmbë dhe kjo po shihet si një aktivitet i ri sportiv në vend. Ekzistojnë tre vargmale kryesore që mbulojnë zona të gjera: Kaukazi i Madh dhe i Vogël në të gjithë veriun dhe jugperëndimin, si dhe malet Talysh në jug. Të gjitha ofrojnë mundësi të shumta për ecje dhe guida profesionale.

Deri para pak kohësh, eksplorimi i këtyre zonave dukej i pamundur, mirëpo kërkesat gjithnjë e më shumë në rritje, kanë bërë që të shtohet numri i kompanive të turizmit që ofrojnë ture me alpinistë profesionistë. Turistët zgjedhin të realizojnë udhëtime njëditore ose të nisen nga kryeqyteti dhe të qëndrojnë në shumë nga këto fshatra, duke u akomoduar në shtëpitë apo bujtinat vendase. / KultPlus.com

Vdes në moshën 71 vjeçare aktori, Enver Hyseni

Ka vdekur në moshën 71-vjeçare aktori i teatrit “Migjeni” në Shkodër, Enver Hyseni.

“Me hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të aktorit të mirënjohur të teatrit “Migjeni”,  Enver Hyseni! Ngushëllimet tona të sinqerta shkojnë për familjen dhe komunitetin e artistëve! U prehsh në paqe, Enver Hyseni”, thuhet në njoftimin e teatrit “Migjeni”.

“Homazhet zhvillohen nesër, më 30 tetor, nga ora 10 deri në 12, në hollin e teatrit “ Migjeni”, thuhet tutje në njoftim.

Prej vitit 1975, Hyseni numëron role të shumta në teatër, por nuk kanë munguar as rolet e tij në filma. / KultPlus.com

Katie Holmes rikthehet në teatër për herë të parë në 10 vjet

Aktorja e “Dawson’s Creek” i është bashkuar kastit të një prodhimi jashtë Broadway të “The Wanderers” – shkruar nga dramaturgu Anna Ziegler – i cili do të fillojë shfaqjet paraprake në teatrin “Laura Pels” në Nju-Jork në janar me Katie duke luajtur një yll i filmit i cili përfshihet në jetën e një romancieri hebre.

Shfaqja “Roundabout Theatre Company” do të drejtohet nga drejtori artistik i “The Old Globe Theatre”, Barry Edelstein, dhe është planifikuar të hapet më 16 shkurt për një periudhë të kufizuar deri më 26 mars.

Një deklaratë nga kompania e teatrit thotë për shfaqjen: “Hebrenjtë ortodoksë, Esther dhe Schmuli, janë martuar rishtas dhe e ardhmja e tyre është e shkruar në ligjet e Torahut. Hebreu laik Abe është një romancier i famshëm që beson se mund të shkruajë të ardhmen e tij … derisa një email i papritur nga një yll filmi e vë martesën e tij në provë dhe kërcënon ta vërtetojë se e ka gabim”.

Pjesa tjetër e kastit dhe anëtarët shtesë të ekipit krijues do të njoftohen në një datë të mëvonshme.

Katie bëri debutimin e saj në Broadway në vitin 2008 duke luajtur në një ringjallje të shfaqjes klasike të Arthur Miller “All My Sons”, duke përfshirë edhe yjet: John Lithgow, Dianne Wiest dhe Patrick Wilson. Dalja e saj e fundit në skenë erdhi 10 vjet më parë në një prodhim të vitit 2012 të “Dead Accounts” nga Theresa Rebeck./koha/ KultPlus.com

‘E kujt është kjo zemër që rreh përmbi zëra e gulçima’

Nâzım Hikmet

Çdokënd prej jush e kam mes krahësh
qytetin mbrëmjen dhe ty
rrezitja juaj, era e flokëve tuaj
ndrijnë në faqen time

E kujt është kjo zemër që rreh
përmbi zëra e gulçima
tëndja, e qytetit apo e natës,
apo mos është imja krejt?

Ku merr fund nata, ku nis qyteti?
qyteti ku merr fund e ku nis ti vetë?
ku marr fund unë,
ku është pikënisja ime?

Përktheu: Edon Qesari / KultPlus.com

Dorina Laro dhe Kristina Petrollari sjellin frymë Romantizmi dhe Tango në festivalin ‘KamerFest’

Flonja Haxhaj

Në vazhdën e koncerteve në kuadër të festivalit ‘KamerFest’, në mbrëmjen e djeshme jehoi Romantizmi dhe Tango të përshtatura për piano dhe violonçel, që u sollën në Prishtinë nga artistet Dorina Laro dhe Kristina Petrollari – Laço, shkruan KultPlus.

Koncerti i cili zuri vend në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, nisi me suitën italiane për violonçel dhe piano nga Stravinsky, që përcolli një emocion të madh në publikun artdashës përderisa artistet luanin veprat Intrpduzione, Serenata, Aria, Tarantella dhe Minuetto e Finale.

Ritmi ndryshoi me performimin e veprave të Rachmaninof, e për të përfunduar me Tangon e Madhe nga Piazzola.

Mbrëmja që solli jehonën e romantizmit dhe Tangos u përmbyll me duartrokitjet e publikut që zgjatën disa minuta, për të shprehur mirënjohjen për ato emocione që artistet dhuruan në afro një orë e gjysme performim.

Ndërkaq, pas koncertit foli Kristina Petrollari-Laço, e cila ishte edhe e pranishme në koncertin paraprak tha për Kultplus se në koncertin e një nate më përpara nderuan Çesk Zadejën, kompozitorin e njohur shqipta dhe Cesar Fank, ndërkaq në këtë natë zgjodhën një repertor më ekspresiv.

“Ndërkohë me Dorinën kemi mb 15 vjet që intrerpretojmë së bashku. Ekspresiviteti që kanë këto vepra na bënë që t’i zgjedhim për të performuar sonte që na shtynë që t’i bëjmë bashkë. Është një repertor që e duam dhe na përshtatet.”, deklaroi ajo.

Petrollari – Laço më tutje foli edhe për paraqitjen para publikut të Prishtinës duke shprehur se është shumë kënaqësi për të të kthehet para këtij publiku që gjithmonë u japin emocion të veçantë.

Kurse Dorina Laro, e cila erdhi për herë të parë në këtë edicion të ‘KamerFest Kosova’, por jo hera e parë në Prishtinë, pasi ajo u shpreh se vjen në Prishtinë që nga viti 1999, dhe nga ai moment rikthehet shpesh dhe gjithmonë ka një dashuri dhe ndjenjë të veçantë.

“Programi i sotëm është një përzgjedhje mes romantikëve të vonë me tangon, brenda një shekulli por dy llojeve të muzikave të ndryshme, një suitë nga Stravinsky ku dihet se çdo kompozitor është mahnitur nga ajo se çfarë Italia përfaqëson me kulturë dhe art e Stravinsky ka marrë temat e një opera popullore dhe i ka përshtatur në këtë suitë italiane”, u shpreh Laço duke folur për programin.

Ajo po ashtu foli edhe për bashkëpunimin me Kristinën, e i cili sipas Laros daton qysh nga viti 2008 e tani nuk mund të mendojnë të punojmë të ndara.

Ju kujtojmë që ‘KamerFest Kosova’ do të zgjasë deri më 1 dhjetor, me prezencë të artistëve si:  String Trio Kosova, Sihana Badivuku, Blerim Grubi, Aristidh Prosi, ArsKosova Competition 2022 laureats, Vesa Dume, Eda Vlaqo, Elsa Gashi, Dejon Bendaj, Kristina Laqo, Dorina Laro, Galina Koycheva, Duo Lesage, Celine Lesage, Eric Lesage, Jose Manuel Alvarez Losada, Pedro Mateo, Syzana Jakupi, Alba Muçolli, Ensemble XXI, Lygia O’Riordan dhe Pia Sirala./ KultPlus.com