Linkin Park nderon Chester Benningtonin me koncert madhështor në Hollywood (VIDEO)

Rok grupi Linkin Park (Rob Bourdon, Brad Delson, Mike Shinoda, Dave Farrell dhe Joe Hahn) ka performuar për herë të parë që nga vetëvrasja e këngëtarit Chester Bennington, më 20 korrik.

Linkin Park, së bashku me miqtë, dhanë një koncert madhështor për nder të Benningtonit në amfiteatrin Hollywood Bowl, transmeton Koha.net.

HollywoodLife raporton se në këtë koncert performuan edhe Blink-182, Machine Gun Kelly, Gavin Rossdale, Alanis Morissette, dhe këngëtarja shqiptare Bebe Rexha, etj.

Koncerti filloi me “The Messenger” që çoi publikun në këmbë dhe emocionoi, përderisa Mike Shinoda këndoi pjesën e Chester Benningtonit.

Bendi performoi hitet si “One Step Closer”, “Somewhere I Belong”, “Shadow of the Day”, “Crawling”, “Numb”, etj.

Një nga momentet më emocionale ishte performanca e “One More Light”, pasi ishte një ndriqim i jashtëzakonshëm nga publiku.

Koncertin e plotë mund ta shikoni në videon më poshtë.

Nesër festivali i këndimit “Prishtina Kids Fest”

Festivali Ndërkombëtar i këndimit ”Prishtina Kids Fest“ këtë vit shënon 8 vjetorin e tij.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se një javë më parë u mbajt audicioni i hapur për solistët nga Kosova të cilët do ta përfaqësojnë vendin në mbrëmjen finale të Festivalit të këndimit “Prishtina Kids Fest” edicioni i 8-të. Përpos solistëve nga Kosova do të garojnë solistët nga: Republika Çeke, Shqipëria, Bullgaria dhe Maqedonia.

Festivali Ndërkombëtar i këndimit ”Prishtina Kids Fest“ është festivali i parë i këtij lloji në Kosovë, të cilin e organizon Qendra Multikulturore Ndërkombëtare për Fëmijë dhe të Rinj, me drejtoreshë Drita Rudi.

Në mbrëmjen finale (të dielën) do të paraqiten para publikut gjithsej 14 konkurrent. Do të ndahen nga 3 shpërblime në dy kategori (KATEGORIA I – 6 deri ne 11 vjeç dhe kategoria II – 12 deri ne 16 vjeç) dhe natyrisht, çmimi më i madh i Festivalit, për vokalin më të mire të të dy kategorive “GRAND PRIX”. Fituese të çmimit “Grand Prix” në PKF viteve të kaluara ishin: Greata Azizi, Antoania Dora, Klesta Qehaja etj.

Këtë vit, për herë të pare Festivali Nderkombëtar i këndimit “Prishtina Kids Fest” do të ndanë “Çmimin e Publikut” të cilin çmim do ta vlerëson publiku në sallë, përmes votimeve për të preferuarin e tyre.

Fëmijët dhe të rinjtë që do të marrin pjesë janë: (KATEGORIA I) Anea Sylejmani, Ana Kodra, Eros Hysaj, Aglea Kaneva, Erza Hasolli, Rinea Vitija, Stina Shala.

(KATEGORIA II) Arselinda Sheqeri, Jovana Belevska, Elena Halilaj, Kada Elshani, Erika Shllaku, Elit Hoti, Rinesa Nura
Anëtarët e jurisë që përcollën rrugëtimin e solistëve që nga audicioni e deri në përfundim të mbrëmjes finale të PKF 2017, përbëhet nga: Adelina Paloja, soprano dhe anëtare e Filharmonise së Kosovës; Safet Berisha, kontratenori i pare shqiptar; Kaltrina Miftari, soprano dhe anëtare e Filharmonise së Kosovës. / KultPlus.com

12 orë sfilatë, vdes modelja 14 vjeçare (FOTO)

Ka vdekur pasi ka sfiluar pa ndërprerje për 12 orë rresht. Historia tragjike është e Vlada Dzyuba, një modele ruse 14 vjeçe, që ka ndërruar jetë pas një sfilate rraskapitëse në Shangai.

Vajza, sipas mediave ruse, vuante nga meningjiti kronik, por i ishte nënshtruar një kontrate strikte dhe kishte frikë të kërkonte asistencë mjekësore.

Zyrtarisht ajo duhet të punonte vetëm 3 orë në javë, por duket se orari shkonte përtej çdo parashikimi. Para se të bënte parakalimin e radhës në pasarelë ajo pati temperaturë të lartë dhe pak minuta më vonë i ra të fikët.

Ambulanca ndërhyri menjëherë, por vajza vdiq pas dy ditësh në gjendje kome. Shkaku paraprak i vdekjes mendohet të jetë meningjiti i rënduar nga një lodhje e tejskajshme.

Modele të shumta ruse rekrutohen në Kinë, por rasti i Vlada Dzyuba ka ngritur shumë shqetësime për shkak të kushteve të punës. Moska zyrtare i ka kërkuar sqarime Kinës lidhur me këtë çështje. / KultPlus.com


Julia Roberts, 50 vjeç: Nuk jam e fiksuar me idenë e bukurisë me çdo kusht

Është opinioni i përbashkët dhe i shpërndarë në Hollywood, që pas moshës 50 vjeçare fillon rënia e çdo aktori. Pjesët më të bukura nuk të ofrohen më, regjisorët dhe producentët nuk janë më aq shumë entuziastë për idenë e të pasurit në set.

Por, Julia Roberts sot, 28 tetor, mbush 50 vjeç dhe është dëshmi e gjallë që vendet e zakonshme janë të zakonshme. Natyrisht edhe ajo e pranon që shikon kohën që kalon në fytyrën e saj.

“Kam edhe unë pasqyrë, por nuk jam e fiksuar me idenë e bukurisë me çdo kusht. Dikush ka thënë se deri në moshën 40 vjeçare, vishe jetën tënde me fytyrën tënde, më pas fillo t’i veshësh jetën tënde fytyrës, gjë që do të më çojë të kem një fytyrë të lezetshme, sepse jam e lumtur me jetën time”, është shprehur ajo.

Julia Fiona Roberts mbetet një nga aktoret me buzëqeshjen më magjepsëse të Hollywood, një nga gratë më të fuqishme të showbiz-it dhe ndoshta një nga kandidatet për çmimet e ardhshme Oscar.

Filmi i saj “Wonder”, pritet të dalë në kinema në SHBA në 17 nëntor dhe në Itali në 28 dhjetor./ KultPlus.com

Dua Lipa, stili i yllit të pop-it që po çmend botën

Emri i saj në gjuhën shqipe do të thotë “Unë dua”, kjo tregon shumë për karakterin shpërthyes dhe të apasionuar të yllit , që aktualisht ndodhet në tur me diskun e saj më të fundit “New Rules”, shkruan revista italiane “Grazia”.

Stili i Dua Lipa është jashtëzakonisht fashion dhe transformist. Këngëtarja kalon në fakt nga pamje , komplet pa grim, deri në make up skenografikë. Ndërsa i mban shpesh herë flokët e lëshuar, por nuk heq dorë nga kapja e flokëve topuz në raste të veçanta.

Zbulojmë disa nga pamjet më të bukura të Dua Lipa të fokusuara tek grimi dhe flokët e këngëtares.

Thjeshtë dhe bukur

Buzë nudë super voluminoze, qerpikë të kthyer dhe cepi i syrit me pluhura shkëlqyes.

Vajza me shkëlqim

Disa kohë më parë Dua Lipa lansoi në bashkëpunim me Mac Cosmetics – një buzëkuq transparent me efekt super voluminoz.

Flokë me vijë në mes dhe me onde

Një pamje natyrale për Dua Lipa që zgjedh buzët nudë për grimin dhe i lë flokët lëshuar me onde natyrale dhe me vijë në mes.

Kapje flokësh vintage

Me topuz dhe vijë në mes dhe me efekt të lëmuar. Fokusi i grimit janë padyshim qerpikët e gjatë me nje impakt të lartë.

Bukuri natyrale

Make up nudë, flokë të gjatë dhe të drejtë me vijë në mes. Fytyra është e ndritshme.

Blu elektrike

Grimi i syve me ngjyrën blu elektrike është rrëzëllitës për Dua Lipa. Ky grim është krijuar nga make up artistja Francesca Angelina Brazzo. /KultPlus.com

Artisti shqiptar Shuk Orani ekspozon në Leipzig

Ka tashmë rreth njëzet vite që kur artisti nga Kosova, Shuk Orani jeton dhe krijon në Hamburg të Gjermanisë. Këtu ai ka mbaruar Akademinë e dizajnit multimedial edhe Akademinë për publikime elektronike – art dhe dizajn.

Me përkushtimin dhe nivelin artistik që dëshmojnë krijimet e tij, Orani është prej vitesh pjesë e jetës artistike të Hamburgut. Përtej kësaj, ai ka bërë depërtime edhe në skenën botërore të artit pamor, shkruan albinfo.ch. Pjesëmarrja e tij në ekspozita nëpër galeri prestigjioze në Angli, Danimarkë, Kinë, Indi etj. e dëshmon këtë.

Po ashtu, punime të artistit nga Kosova mund të shihen në objekte të rëndësishme në Hamburg e më gjerë.

Sot, Shuk Orani me 7 krijime të tij merr pjesë në ekspozitën e përbashkët me katër artistë gjermanë në Galerinë “Hermeling & Schreckenberger” në Leipzig të Gjermanisë.

Ja se çfarë shkruan, veç tjerash, historiania gjermane e artit, Julia Eckhardt, (M. A. History of Art) për krijimet e Oranit: “Tekstualisht këtu kemi të bëjmë me shpërbërjen e figurës së gruas në materie dhe në formë, ku kjo e fundit është vendi i rezervuar për përshkrimin e lidhjes me të. Shembuj për diçka të tillë nga literatura dhe arti ka mjaft. Tablotë e Oranit përplotësojnë këto pozicione të shumta, të cilat i japin shprehje gjakimit drejt metamorfozës që ndihet në jetën e përditshme. Ngjyra këtu e mbulon figurën e gruas dhe kështu e bën vështruesin që të ndalojë te konturet femërore dhe e largon në të njëjtën kohë atë nga ajo që shihet mbi sipërfaqen e pikturës…

Ekspozita hapet sonte në Galerinë “Hermeling & Schreckenberger”. Adresa: Höfe am Brühl
(Außenbereich /Quergasse) 04109 Leipzig. / KultPlus.com

Albina Kelmendi and Band performojnë sonte në Rockuzinë

Albina, një këngëtare e dalluar nga Talent Show “The Voice Of Albania” performon sonte, me 24 shkurt, në Rockuzinë, lokal ky tani më i njohuri për shprehjen e talenteve dhe performancave muzikore të rrymës Rock.

Karriera e Albinës si këngëtare filloi nga Talent Show i njohur “The Voice Of Albania”, ajo nuk u ndal me kaq, pasi që në fillimet e saj u ngjit suksesëshëm edhe në skenën e finales së “Top Fest” me këngën “Nuk ka ma mirë”.
Nga ajo kohë, Albina realizoi edhe dy videoklipe duke filluar me = “Ëndrrën mos ma merr” dhe “Hera e parë”.


Ajo performon në shumë lokale të vendit tonë pasi talenti dhe zëri i saj çdo ditë e më shumë po pëlqehet nga publiku shqiptar.

Të gjithë ata që e duan rokun dhe zërin e Albinës kanë mundësinë ta shijojnë në një nga lokalet më të mira të vendit tonë ku performohet live, sonte në Rockuzinë. / KultPlus.com

Shoqata Sindikale e Teatrit të Qytetit Gjilan ngre zërin për diskriminimin që po ju bëhet teatrove të komunave

Në përkrahje te kërkesave të aktorëve të teatrove të qyteteve të Kosovës për kategorizim, sistematizim dhe sistemim në kuadër të sistemit të shërbyesve civil të Kosovës, Shoqata Sindikale e Teatrit të Qytetit të Gjilanit që funksionon si shoqatë sindikale e SBASHK-ut, ngre zërin për diskriminimin e gjithanshëm, mosrespektin dhe sidomos injorancën deri në cinizëm që po u bëhet nga institucionet obligative shtetërore të gjitha teatrove të komunave që nga paslufta e këtej.

Duke e parë gjendjen e rëndë të teatrove të Kosovës, teatrove të komunave si: Teatri i Qytetit Gjilan, Teatri i Qytetit “Hadi Shehu” Gjakovë, Teatri i Qytetit “ Bekim Fehmiu” Prizren, Teatri i Qytetit “ Istref Begolli” Pejë dhe Teatri “ Adriana Abdullahu” Ferizaj, etj.,

Duke e parë pavendosmërinë e institucioneve relevante për funksionimin e teatrove si: Komuna, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Financave, Qeveria e Republikës së Kosovës, Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, rreth përcaktimit të statusit juridiko-financiar të teatrove, sidomos statusin juridiko-financiar të aktorit, duke e parë se të gjitha institucionet tjera të kulturës, siç janë: Arkivat, bibliotekat, muzetë, zyrat e trashëgimisë kulturore etj, pra, punëtorët e tyre, e kanë të zgjidhur statusin juridik dhe financiar të tyre, qoftë në nivel të Kosovës, qoftë në nivel të komunave dhe atë si shërbyes civil, edhe pse shumica prej tyre janë shërbyes profesional,

Duke e parë se nga të gjitha këto institucione të kulturës të Kosovës, të vetmet janë teatrot që nuk e kanë të zgjidhur statusin juridiko financiar.

Duke e parë se jeta artistike, sidomos jeta teatrore në Kosovë është e varfër,

Duke e parë se nëpër teatrot e Kosovës, hiq Teatrin Kombëtar të Kosovës, punohet ad hok, pa kritere repertoreske, dhe sidomos pa politika repertoreske të mirëfillta, pa analiza paraprake profesionale, pa kritere serioze vlerësuese për to, dhe sidomos pa kritikë të mirëfilltë teatrore,

Duke e parë se të gjitha këto janë pasojë e ligjit anti teatror për teatrot e Kosovës, sidomos për teatrot e komunave,

Duke e parë se Teatri Kombëtar i Kosovës dhe institucionet tjera të kulturës të Kosovës nuk janë në gjendje ta mbulojnë tërë territorin e Kosovës me produksionet e tyre, sidomos, nuk mund t’i absorbojnë kërkesat e përditshme të qytetarëve të Kosovës,

Duke e pare pa aftësinë dhe pamundësinë e komunave për t’ju dalë përballë kërkesave të qytetarëve për jete të përhershme kulturore,

Duke e parë se Ligji për teatrin i lë teatrot e komunave në vullnetin e komunave për të përkrahur apo jo kërkesat jo vetëm të komunitetit artistik,

Duke e parë diskriminimin në ndarjen e buxhetit nga MKRS-ja për teatrot komunale, sidomos në raport me institucionet kombëtare të kulturës:

Sindikata e Teatrit të Qytetit të Gjilanit, u bënë thirrje institucioneve të sipërpërmendura përgjegjëse për funksionimin normal të teatrove, sidomos Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve, që sa më parë, në bashkëpunim me SBASHK-un, në kuadër të Kontratës Kolektive për Punonjësit e Institucioneve të Kulturës të Kosovës: Të formoj një komision të përbashkët me SBASHK-un për ndryshimin e ligjit për teatrot dhe të marrë përsipër obligimet statusore dhe juridiko financiare për funksionimin e teatrove të komunave, sidomos të komunave që i plotësojnë kriteret teknike dhe të kuadrove për themelimin e teatrove kombëtare të qyteteve.

Të nxjerrë dhe rregullojë me ligj sistematizimin dhe sistemimin e aktorëve në paga të rregullta brenda sistemit të pagave të shërbyesve civil të Kosovës, si kategori e shërbyesve profesional, përkatësisht shërbyesve (performuesve) artistik të Kosovës.

Sindikata e Teatrit të Qytetit të Gjilanit u bënë thirrje sindikatave simotra brenda SBASHK-ut, dhe jo vetëm atyre, për përkrahje të kërkesave legjitime të teatrove të komunave, përkatësisht të aktorëve të teatrove të qyteteve të Kosovës. / KultPlus.com

Faruk Begolli dhe Astrit Kabashi bashkë në një tavolinë (FOTO)

Aktori Astrit Kabashi është shumë i pëlqyer nga publiku për rolet e tij në projekte të ndryshme filmike.

Ai ka përfunduar Akademinë e Arteve në Prishtinë – dega aktrim, dhe si çdo aktor tjetër i gjeneratës së tij, edhe ai ka kaluar përmes duarve të të madhit Faruk Begolli, i cili njëherësh ishte edhe profesor në këtë Universitet.

Tash e sa vite, Begolli është ndarë nga jeta, teksa studentët e tij vazhdojnë ta kujtojnë atë me mall vetëm përmes fotografive që u kanë mbetur.

Këtë ka bërë së fundmi aktori Kabashi, i cili ka publikuar në llogarinë personale në Instagram një fotografi bardhë e zi, ku shfaqet pranë aktorit Faruk Begolli.

Ndryshe, aktorin do ta shohim në javët në vazhdim në projekte të ndryshme teatrale dhe filmike. / KultPlus.com

E ftuar speciale, Bebe Rexha krijon atmosferë fantastike në koncertin e ‘Linkin Park’ (VIDEO)

Bebe Rexha është një ndër këngëtaret më të suksesshme shqiptare në rrafshin ndërkombëtar.

Ditë më parë publikoi këngën më të re të titulluar “Meant To Be”, i cili deri më tani është shikuar mbi 9.2 milionë herë në YouTube.

Kjo, por edhe sukseset tjera kanë bërë që këngëtarja të merr edhe ftesa speciale që të performojë në koncerteve të bendeve të ndryshme.

Ajo së fundi është paraqitur në një koncert të bendit të njohur amerikan Linkin Park, të cilët i ka falënderuar për këtë nder.

“Shumë e emocionuar. Faleminderit Linkin Park dhe Steve Aoki që më ftuan t’i bashkohem në këtë moment të veçantë. Gjithmonë do ta vlerësojë dhe do ta dua Chesterin”, ka shkruar në llogarinë personale në Instagram, Rexha.

Theksojmë se koncerti u mbajt në nder të këngëtarit dhe tekstshkruesit të bendit, Chester Bennington, i cili ka ndërruar jetë 20 korrik 2017.
Ndryshe, Rexha, në bashkëpunim me Machine GunKelly dhe X Ambassadors, do të këndojnë kolonën zanore “Home” të filmit më të ri “Bright”.
Ajo ka takuar sërish në palestër yllin e kinematografisë botërore, Sylvester Stallonen. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?time_continue=144&v=9Ghn_rALwUU

‘Libri shqip dhe veprimtaria protestante, 200 vjet rrugëtim kulturor’

“Libri shqip dhe veprimtaria protestante: 200 vjet rrugëtim kulturor”, ishte libri që u botua në konferencën shkencore e organizuar të premten në ambientet e Bibliotekës Kombëtare.

Kjo konferencë erdhi në bashkëpunim me Institutin e Studimeve Shqiptare Protestante (ISSHP),ku morën pjesë akademikë, gjuhëtarë, studiues, historianë, nga vendi dhe Kosova.

Në këtë konferencë u mbajtën referimeve shkencore me tema të rëndësishme mbi historinë e librit shqip dhe veprimtarinë protestante, bashkëpërkimin e teologjisë protestante me frymën e Rilindjes Kombëtare, ndihmesën e Shoqërisë Biblike për kulturën shqiptare, ndikimin letrar të lëvizjes protestante, veprimtarinë e figurave të shquara të Rilindjes Kombëtare, nga akademikët David Hosaflook, Xhevat Lloshit, Femi Cakollit, Teuta Toska, John Quanrud, Konstantinos Giakoumis.

Veprimtaria Libri shqip dhe veprimtaria protestante: 200 vjet rrugëtim kulturor vjen në kontekstin e një përvjetori botëror siç është shpallja e 95 tezave teologjike të Martin Luterit 500-vjet më parë në Vitenberg (31 tetor, 1517) dhe i lindjes së Reformacionit Protestant në Europë, duke sjellë ndryshime të fuqishme në kulturën evropiane.

Por ajo shënon përmes titullit edhe përvjetorin simbolik të zanafillës së projektit protestant për shqiptarët, pikërisht përmes planeve për të përkthyer për herë të parë Biblën në gjuhën shqipe, në kushtet e mungesës thuajse absolute të librit shqip në përgjithësi, moment historik, siç u shpalos qartë gjatë zhvillimit të konferencës, ekspozitës dhe albumit të botuar në këtë rast.

Kjo veprimtari u shoqërua edhe me çeljen e ekspozitës me fonde të çmuara të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë dhe Institutit të Studimeve Shqiptare Protestante. / KultPlus.com

Dua si Harry Potteri në koncertin e Hamburgut (VIDEO)

Këngëtarja me prejardhje nga Kosova, Dua Lipa, ka performuar e veshur si personazhi i njohur Harry Potter në një koncert në Hamburg të Gjermanisë.

Krejt ekipi i krijueses së hitit “Hotter than Hell” është shndërruar në personazhe të filmit të famshëm për magjistarin britanik.

Dua në javën e “Halloween” ka veshur kostume të çuditshme nëpër koncertet e saj. / KultPlus.com

Filip Noga: Ndihemi të lënduar që krahina e Çamërisë, me një popullsi prej 80 mijë shqiptarësh, iu dha Greqisë

Nga Aurenc Bebja

Gazeta në gjuhën frënge “La Jeune Turquie”, ka botuar, të mërkurën e 10 shtatorit 1913, në faqen n° 2, deklaratën e delegatit shqiptar, Filip Noga, dhënë për gazetën “Neue Frei Presse” në lidhje me përcaktimin e kufijve të Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha, sidomos në zonën jugore.

Çfarë ka thënë më konkretisht patrioti shqiptar për median austriake ? Në vijim, do të gjeni rrëfimin e tij të plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania” :

Një nga delegatët e Shqipërisë, Filip Noga, që sapo ka ardhur nga Londra në Vjenë, bëri këto deklarata për Neue Frei Presse :

“Kuptohet fare lehtë se shqiptarët nuk mund të jenë të lumtur me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër. Që në 1880, Anglia propozoi të formonte një Shqipëri autonome që përbëhej nga katër vilajete, Janina, Kosova, Manastiri dhe Shkodra, pra një Shqipëri shumë më të madhe se ajo e krijuar në Konferencën e Londrës.

Shqiptarët e konsiderojnë dhënien e territoreve me popullsi të pastër shqiptare ndaj Greqisë dhe Serbisë si një padrejtësi që Evropa u bëri atyre. Ndihemi të lënduar që Krahina e Çamërisë, e cila shtrihet deri në Prevezë, me një popullsi prej 80 mijë shqiptarësh, iu dha Greqisë.

Konferenca e Londrës ka miratuar, në parim, si kufi jugor të Shqipërisë linjën e Kepit Stylos deri në Korçë dhe dhe i ka lënë komisionit ndërkombëtar detyrën për të vënë këtë vendim në ekzekutim si dhe të vendosë përfundimisht kufirin pas një vizite në këto vende.

Komisioni duhet t’i caktojë çdo fshat Shqipërisë ose Greqisë sipas popullsisë. Ky komision ndërkombëtar, ku do të përfaqësohet nga vendimarrës të Fuqive të Mëdha dhe të Shqipërisë, ende nuk është formuar. Anëtarët ende nuk janë emëruar. Por formimi i komisionit nuk mund të presë më, sepse afati i nisjes së tij është fiksuar në ditët e para të shtatorit.

Shqiptarët i janë mirënjohës Evropës për atë pak gjë që ka bërë për ta dhe shpresojnë se ajo do të riparojë dëmin që i ka shkaktuar Shqipërisë gjatë demarkacionit. Shqiptarët janë veçanërisht mirënjohës ndaj Austro–Hungarisë për mënyrën se si monarkia mbrojti Shqipërinë dhe kontribuoi në çlirimin e saj. Perandori Franz–Jozef thërritet tek ne “xhaxha” dhe “Çlirues i Shqipërisë”.

Noga shprehu gjithashtu falënderimet e tij për shtypin austro-hungarez dhe kërkoi të bëjë publike lutjen e shqiptareve që Greqia të tërheqë trupat e saj nga territoret që i përkasin Shqipërisë : Korça, Gjirokastra, Himara.”

Linku i burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/filip-noga-per-neue-freie-presse-vjene-1913-ndihemi-te-lenduar-qe-krahina-e-camerise-e-cila-shtrihet-deri-ne-preveze-me-nje-popullsi-prej-80-mije-shqiptaresh-iu-dha-greqise/.

‘Derek Haan me miq’ sjellë kryeveprat kamertale në KamerFest

Fotografitë: Neb Zeka
KamerFesti arriti në koncertin e shtatë “Derek Haan me miq” që mbrëmë solli kryeveprat kamertale përmes interpretimit në piano nga Derek Haan nga SHBA-ja, Sihana Badivukun në violinë, Rron Bakallin po ashtu në violinë, Blerim Grubi në violë dhe Frank S.Doodge në violençel, shkruan KultPlus.

Derek Han ishte ai që kishte zënë hapësirë me pianon prapa interpretuesve të tjerë. Në momentin kur ai vendos duart në piano dhuron shenjen e parë të fillimit të këtij koncerti. Herë- herë e vëreje luhatjen e kokës së tij, që e bënte edhe më të thellë praninë e tij artistike në skenë.

Veprat e përbashkëta që erdhën sonte për shkak të afërsisë me koleget Haan i përshkroi si një kthim në shtëpi.

“Është një kremtim i bukur muzikor me të gjithë koleget dhe me një audiencë të mrekullueshme në një festival kaq të mrekullueshëm. Nuk ishte e vështirë që t’i sillnim këto kryevepra bashkë për shkak se ne kemi luajtur edhe më parë së bashku, ishte sikur të kthehesh në shtëpi”, tregoi Haan për KultPlus.

Para Han, ndodhej Sihana Badivuku, e cila rrëshqiste në një melodi të pasur, në një kordinim me Blerim Grubin në violë e Frank S.Doodge në violençel. Dukej që tingulli i secilit nga të tre të shpinte drejt një botë të re muzikore duke sjellë kështu veprat e Brahms, e më pas edhe veprat e Shostakovich.

Frank S.Doodge, interpretimin e tij muzikor e mbështet në lojën e tij artistike në violinçelo ku lëvizte kokën që nga momenti kur nis të jap një melodi, drejt anës tjetër ku përpiqej që asaj melodie t’i jepte drejtim tek publiku. Derisa në interpretimet e fundit mbyllë sytë ndërsa kthen shikimin vetëm kur arrin të jap një tingull. Ai erdhi për të tretën herë në KamerFest dhe tregoj për KultPlus se Kosova është një vend që ka nevojë për shumë mbështetje të kësaj muzike.

“Kosova është një vend ku njerëzit janë shumë të etur për muzikë, për të performuar dhe për t’i përmirësuar kushtet. Është e mrekullueshme të kthehesh në Kosovë dhe të shohësh një entuziazëm kaq të madh nga publiku, andaj koncerte të tilla do duhej të mbështeteshin sa më shumë sepse është një ndër gjërat më të rëndësishme të sistemit të edukimit, e që duhet të merret shumë më seriozisht”, u shpreh Doodge.

Në pjesën e dytë të koncertit skenës së këtyre artistëve me përvojë iu bashkua edhe një violinist më i ri në moshë por që arrinte me meloditë e tij të ecte në një vijë me të tjerët në interpretimin e veprave të Shostakovich.

“U ndjeva shumë mirë të performoj krah profesoreshës time Sihana Badivuku dhe me profesorët e tjerë, duke e parë si një mundësi mjaft të mirë për zhvillimin tim. Ka qenë pak e vështirë për mua si student interpretimi i këtyre veprave, duke e pasur parasysh edhe kohën e shkurtër mirëpo bashkëpunimi me këta muzikantë e bëri këtë gjë shumë më të lehtë”, tha Rron Bakalli për KultPlus.

Koncerti me një tempo graduale arriti që në fund të tij të shpërthej në gjallëri derisa tingujt po lëviznin gjithnjë e më shpejtësi drejt hapësirës.

KamerFest sonte do të sjellë koncertin e tetë me radhë me interpretimin e violines nga Sihana Badivuku dhe Derek Han në piano. Koncerti do të mbahet në Amfiteatrin e Librarisë së Universitetit të Prishtinës duke filluar nga ora 20:00. / KultPlus.com

Dua Lipa kërkon votën tuaj për “MTV EMA” (Foto)

Dua Lipa është një ndër këngëtaret më të suksesshme shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Këngëtarja shqiptare është nominuar në tre kategori të çmimeve prestigjioze të “MTV EMA”, “Best New”, “Best Look” dhe “Best UK & IE Act”.

Kjo ka bërë që hitbërësja e këngës “New Rules” të kërkojë edhe ndihmën e fansave anembanë globit.

“Unë jam e nominuar në tre #MTVEMA ‘s!!! Ju mund të më votoni këtu: http://www.mtvema.com/artists/wysoyh/dua-lipa”, ka shkruar në llogarinë personale në Instagram, Dua. / KultPlus.com

Nderohet Kenneth Branagh

Kenneth Branagh (Keneth Brena) i vendosi gjurmët e gjymtyrëve të tij në çimenton para teatrit kinez “TCL” në Hollywood. Ngjarja u përcoll me një ceremoni për ta shënuar këtë rast.

Branagh, i cili është nominuar për çmim “Oscar” pesë herë, e pranoi këtë nder në Hollywood në të njëjtën kohë kur e ka filluar promovimin e projektit të tij të fundit, “Murder on the Orient Express”.

Branagh u bë i famshëm në Hollywood me portretizimin e protagonistit në filmin, “Henry V”, dhe që atëherë ka luajtur në një numër të madh projektesh, e gjithashtu edhe ka bërë regjinë e disa filmave me buxhet të lartë si “Cinderella” dhe “Thor”.

“Murder on the Orient Express”, në të cilin luajnë aktorët Josh Gad, Leslie Odom Jr., Johnny Depp dhe Michelle Pfeiffer, e sjellë Branagh jo vetëm në rolin e regjisorit, por edhe si aktorë, pasi e portretizon personazhin e Hercule Poirot. / KultPlus.com

Rexhep Hoti vlerësohet si zë i poezisë avangarde në hapësirat shqiptare

Prezantimi i librit më të ri “Ndëshkimi i kujtimeve” i poetit Rexhep Hoti, një personazh i njohur në jetën politike dhe kulturore në Kosovë, në Instalacionin Reja në Tiranë, u kthye në një mbrëmje kulturore mbi raportet letrare mes Tiranës dhe Prishtinës.

Për shkrimtaren Diana Culi, zgjedhja e Hotit për ta prezantuar librin mes miqsh në Tiranë është një gëzim që nuk mund të mendohej vite më parë, kur komunikimi me Prishtinën ishte gati I pamundur. Në një kohë kur flitet kaq shumë për politikë apo probleme të tjera shoqërore, duket sikur poezia nuk ka pasur vëmendjen e duhur, mirëpo ajo është zhvilluar njëkohësisht me këto zhvillime duke pasur shtratin e saj që na e tregon më së miri veten. Pandeli Koçi redaktori që ka udhëhequr gjithë përpjekjet për botimin në Tiranë të poetëve shqiptarë të Kosovës në vitet 1969-1980 e quajti Hotin një zë të poezisë avangarde që bëhet sot në hapësirat shqiptare.

I njohur fillimisht me krijimtarinë e Hotit përmes shkrimeve publicistike dhe një kritike të Rexhep Qoses vite më parë për të, për Koçin ajo që i veçon vargjet e Hotit është lirshmëria e marrëdhënies me vargun. Hoti nuk fsheh asgjë, por kërkon ta tregojë njeriun brenda tij me gjithë ngarkesën emocionale që e shtyn drejt poezisë. Ai nuk ka frikë të pohojë gjëra që dikush tjetër mund ti fshihte. Koçi bëri një shtrim ndër vite në raportet mes Tiranës dhe Prishtinës duke thënë që nga viti 1945 deri më 1971 regjimi komunist i Tiranës kishte mbajtur një distancim nga letërsia shqiptare në Kosovë, duke krijuar kështu një terr të plotë informativ, në vend.

Këta poetë të shquar të Kosovës, ndërsa botoheshin në shumë vende të botës dhe merrnin pjesë dhe ekspozoheshin në shumë panaire të librit në Evropë, për paradoks nuk qarkullonin as në periodikun letrar, as në botimet e ndërmarrjeve shtetërore dhe as në bibliotekat e Atdheut të tyre.

Janë të pashpjegueshme arsyet e vërteta të këtij qëndrimi, por qysh atëherë, jo zyrtarisht, thuhej se kjo letërsi konsiderohej si “moderniste,” “dekadente” dhe “revizioniste” dhe si e tillë e papranueshme për rregullat strikte të variantit shabllon të realizmit socialist që aplikohej në Tiranë. Megjithatë një ditë të fillim vitit 1971, kemi një ndryshim të kursit në politikën zyrtare. Komiteti Qendror vendos të lejojë botimin e seleksionuar të poetëve dhe shkrimtarëve të Kosovës.

Pandeli Koci rrëfeu se megjithëse kishte siguruar një leje zyrtare për të lexuar, kontrolluar dhe seleksionuar fondin e rezervuar dhe të ndaluar për përdorim dhe konsultim të letërsisë së Kosovës në Bibliotekën Kombëtare Tiranë, kishte aq shumë pengesa gjatë redaktimit dhe botimit, sa ngjan me një ndërmarrje ilegale të Pandeliut, si një mision patriotik që i solli lexuesit të Shqipërisë, nxënësve, studentëve dhe kritikës letrarë gjysmën e mohuar të letërsisë kombëtare.

Në vitin 1962 u botua libri i Agim Gjakovës me titullin: “Dhe thonë se paqë ka në botë” dhe i Adem Istrefit “Net kosovare”, pastaj vjen Sulejman Krasniqi me një serë romanësh me tema nga lufta e përpjekjet e kosovarëve për liri e pavarësi për të vijuar më vonë. Koci foli për hermetizmin një rrymë kjo shumë e njohur në letërsinë e Kosovës. Maks Velo i pranishëm në këtë takim e quajti hermetizmin si një rrymë e cila tregonte një nivel të lartë mendimi në hapësirën shqiptare në Kosovë, dhe pse realiteti i jetës ishte shumë larg mendimit hermetik.

Monika Stafa, studiuese dhe gazetare e quajti poezinë e Hotit një poezi që mund të lexohet me një frymë për ndjesitë që mbart. Për të dialogu mes Tiranës dhe Prishtinës duhet të zgjerohet vetëm përmes këtij komunikimi që të jep arti. Një letërsi të angazhuar e quajti poezinë e Hotit, kritiku Jozef Radi. Duke iu referuar poezisë “Barbarët” që u interpretua nga aktori Laert Vasili, Radi u shpreh se ajo poezi tregon një autor që nuk mund të rrijë indiferent ndaj vendin dhe shoqërisë ku jeton. Në takim foli mbi poezinë e Hotit dhe poeti dhe kritiku Sali Bytyci. Ajo çfarë vihet re në poezinë e Hotit është një linjë e mendimit erotik, që ka munguar në kujtesën e vargjeve shqipe. Për Diana Culin, Hoti është poeti i kohës së re, i cili i cili krijon një poezi pa gjini, por që komunikon lehtë me çdo moshë. Gjatë mbrëmjes aktorë të teatrit Kombëtar interpretuan vargje të zgjedhura nga libri. / KultPlus.com

Gani Jakupi vjen me retrospektivën e pasur artistike në Kosovë

Artisti Gani Jakupi është më i rrallë në Prishtinë, sesa në Zvicër, në Spanjë apo në Francë. Është rikthyer kësisoj në Kosovë për të sjellë retrospektivën e punëve të tij dhe ndoshta përmbledhjen më të fuqishme të punëve të tij artistike.

Jakupi ka sjellë kësisoj tablotë e ndryshme të aspekteve të ndryshme të punës së tij, në Prishtinë, sonte në hapjen e ekspozitës personale në Monet – Art and Books Gallery.
Gjithandej janë pikturat, vinjetat dhe faqet e romaneve grafike, ilustrimet e ballinave të albumeve muzikore, fotografi intervista, teknikë e ndryshme nga tushi me kallam e deri te akuareli dhe akriliku, shkruan KultPlus.

Hapjen e ekspozitës së Jakupit e bëri shkrimtari Veton Surroi, i cili pati disa fjalë për artistin që jeton tash e disa vite jashtë vendit kur gjithmonë përkujdeset që ta sjellë artin e tij edhe para publikut i cili e flet më së miri gjuhën e tij.

“Kemi këtu në ekspozitë të përfshira punime të ndryshme të Jakupit, që prej Kthimit në Kosovë – ku portretizohet lufta – gjegjësisht ditët e para të pasluftës e deri te një analizë e shumë e gjerë që ai i ka bërë muzikës xhez, por edhe projektit i cili i morri rreth katër vite përgatitje – “Havana USA” ku ai përcjellë rrëfimin e njërit prej komandantëve të revolucionit kuban i cili është amerikan dhe i bashkëngjitet këtij revolucioni” tregon mes tjerash në hapje Veton Surroi.

Krahas ekspozitës dhe punimeve, në hapjen e ekspozitës retrospektive ku vjen shpirti i artistit i përthekuar në forma të ndryshme e përgjatë një periudhe të konsiderueshme pune e shprehje artistike, erdhi edhe libri “Havana USA”, botuar nga Qendra Multimedia, që përmban edhe reportazhin e parë grafik të një autori ballkanik. Reportazhi ka qenë botuar fillimisht në revistën franceze XXI dhe pastaj në shtojcën javore të së përditshmes Koha Ditore.

Artisti Gani Jakupi tregoi se kjo është hera e parë që po përmblidhet në këtë dimension një format i gjerë i veprave të tij personale, e kësisoj madje as Franca, Zvicra e Spanja nuk e kanë parë punën e tij, kaq të përmbledhur dhe të strukturuar brenda një hapësire.

“Ky është në fakt reportazhi i parë grafik nga një autor ballkanik i botuar në gjuhën shqipe, pra është vepra e parë e këtij zhanri, projekti im i ri. Shpresoj që do të vijnë projekte tjera, por që do ta kenë një ide të pikënisjes sikur projekti im” tregoi mes tjerash në hapje Jakupi.

“Është një diapazon shumë i gjerë në këto vepra, këtu janë disa tablo të imazheve të fundit, që janë botu në shqip nga “Koha” dhe ajo është për pasluftën e fundit dhe gazetarinë. Kryesisht tema kryesore janë media dhe ku kam intervistuar shumë personazhe nga Associated Press, Reuters dhe prapavija e tyre është paslufta, pra kur flitet për pasluftën, flitet edhe për luftën. Dy- tri tablo i kam përzgjedhë nga ato këtu, këto janë strikt të lidhur me Kosovën, të tjerat janë më Spanjë, me Kubë, me Algjeri me Brazil e vende të ndryshme. Unë kam përvojë edhe si fotograf edhe pse jam grafist dhe mënyra ime e editimit është vizatimi” ka treguar për KultPlus artisti Gani Jakupi.

Jakupi është edhe muzikant, një personazh i gjithanshëm, një skenarist por edhe një shkrimtar dhe një ilustrues i librave me grafika. Disa prej punëve të tij janë “La derniere image”, “Les amants de Sylvia”, “Matador”, në vitin 2012-të është CD-ja muzikore Aldea dhe dy vite më vonë CD-ja Kismet.
Në vitin 2010-të, në Douai, tablotë nga “Le Roi invisible” të Jakupit janë ekspozuar afër me ato të Henri Matisse. GILI HOXHAJ / KultPlus.com

Po trokas në zemrën tënde

Poezi e shkruar nga Fatos Arapi.

Motiv arbëresh
Po trokas në zemrën tënde
hapma derën,zonja ime!
Kaloj pragun e hyj brenda…
Dua që të kem mbi krye
hapësirën erë yjesh;
të shikoj rrëketë qiellore
se si lozin gjithë dritëza
burimit të syrit tënd.
Dhe si luftëtar i varfër
që të mbështet kryet mbi gurë,
gjer të nisë lufta prapë,-
dua kokën ta mbështes
mu në gjoksin tënd prej dielli…

…dhe të marr, moj, një sy gjumë.

Botohet në Bjellorusi një prej veprave të Ismail Kadaresë (FOTO)

Ismail Kadare vazhdon të përkthehet e të lexohet me ëndje në vende të ndryshme të botës.

Libri “Kronikë në gur” i Kadaresë sapo është botuar edhe në Bjellorusi. Kronikë në gur është një prej romaneve të hershëm të Ismail Kadaresë dhe flet për qytetin e Gjirokastrës e traditat e saj.

Libri është botuar në vitin 1971, ndërsa vetëm këtë vit vjen në Bjellorusi dhe është përkthyer nga Maksim Mudrou.

Kjo është edhe kopertina e librit në Bjellorusi, sjellë nga Shtëpia Botuese “Janushkeviç”, shkruan KultPlus.

Kronikë në gur” afirmohet menjëherë si vepër thelbësore në kuadrin e krejt krijimtarisë së Kadaresë. Është roman i hyrjes në jetë dhe në letërsi. Tregimtari është autori, që përpiqet të rishohë me sytë e fëmijës tetë vitet e para të jetës së tij.

Po sjellim poshtë fragment nga libri, leximi i të cilit është i domosdoshëm për të njohur Kadarenë dhe një prej periudhave të arta të tij si shkrimtar. / KultPlus.com

– Ja dhe shtëpia e Suzanës. Porsa të merrte vesh që kisha ardhur, ajo do të dilte me vrap dhe do të vërtitej rreth shtëpisë së babazotit gjersa të më takonte. Në vërtitjen e saj kishte diçka prej fluture dhe prej lejleku njëkohësisht. Ajo ishte më e madhë se unë, e hollë, me flokë të gjatë, që i krihte vazhdimisht në mënyra të ndryshme dhe të gjithë thoshin se qe e bukur. Përveç asaj në lagjen e babazotit nuk kishte asnjë vajzë apo djalë tjetër të vogël. Prandaj Suzana gjithmonë priste me padurim ardhjen time. Ajo thoshte se mërzitej shumë midis të mëdhenjve. Ajo mërzitej në shtëpi duke qëndisur, mërzitej te çezma dhe mërzitej kur hante bukë. Ajo mërzitej në mesditë, mërzitej në mbrëmje, bile dhe në mëngjes. Me një fjalë mërzitej jashtëzakonisht. Këtë fjalë ajo e pëlqente shumë dhe e nxirrte nga goja me një kujdes të veçantë, sikur kishte frikë se mos e lëndonte padashur me dhëmbë apo me gjuhë… –

Rita Ora: Kam zgjedhur të jem artiste 360 shkallë

Në një intervistë për The Guardian, kosovarja Rita Ora ka zbuluar se në moshën 25 vjeçare ka qenë e shtrirë në spital pas stresit që ka përjetuar nga ngjarja me reperin Jay Z.

Ajo ka treguar se shkaku i procedurave gjyqësore me këngëtarin por edhe shkaku i një sesioni fotografish që shkoi keq, ajo është venitur dhe është hospitalizuar.

Në këtë moshë ajo thotë se ka përjetuar një “shkrirje”, – meltdown, që nënkupton se është vënë në pyetje vazhdimësia e karrierës së saj.

“Jemi në vitin 2017-të, dhe mund të bësh ç‘të duash. Unë jam artiste 360 shkallë, dhe në këtë epokë artistët e kanë të mundur të bëjnë shumë gjëra në të njëjtën kohë” ka treguar Rita në këtë intervistë.

E përshkruar si vajza nga Kosova që ka dalë në Londër për shkak edhe të rrethanave politike, Rita në intervistë ka treguar se vitet e fundit janë një fillim i ri dhe i freskët në karrierën e saj, sidomos pasi ka ndërruar kompaninë muzikore bashkëpunuese, shkruan KultPlus.

Në këtë intervistë rikthehen pak emocionet e këndimit të Rita Orës në shenjtërimin e Nënës Terezë, vitin e kaluar, dhe se di ajo nga një refugjate ka arritur të jetë emri që është sot në botën e muzikës por edhe të modelimit.
Rita Ora do të jetë moderatore e MTV EMAs, me datë 12 nëntor. / KultPlus.com

Inis Gjoni sjellë ‘Çiftin e çuditshëm’ në Teatrin Kombëtar

Komedia “Çifti i çuditshëm” në Teatrin Kombëtar. Regjisorja e sjell këtë vepër për të treguar se kompromisi dhe toleranca janë rregullatorë shoqëror. Pa këto elemente, sipas saj, shoqëria jonë do të ishte shumë më e ashpër sesa është.

Tema e veprës “Çifti i çuditshëm” e Neil Simon, që kësaj here riktheu, si regjisore Inis Gjonin në skenën e Teatrit Kombëtar, është një ndër ato tema, prej të cilave përherë ajo vetë është “ngacmuar”. Një komedi, që në qendër ka dinamikën e marrëdhënieve njerëzore, tema dhe nëntema për familjen, divorcin, bashkëjetesën, miqësinë dhe shoqërinë, por jo vetëm kaq. “Kompromisi dhe toleranca janë bërthama drejt një rregullatori shoqëror, pa të cilën shoqëria jonë do të ishte shumë më tepër e ashpër sesa është”, shprehet regjisorja Inis Gjoni, e cila së bashku me artistët protagonistë rrëfen më tepër rreth realizimit të kësaj shfaqje.

“E përzgjodha këtë vepër, sepse mendoj se tema që trajton është interesante, gati-gati është një nga temat, që mua më ka pëlqyer përherë, sepse flet për dinamikën e marrëdhënieve njerëzore, në të shtrohen një sërë nëntemash, si familja, divorci, bashkëjetesa, komunikimi, miqësia, shoqëria etj”, shkruan Shekulli.

Ndërsa, më tej Gjoni shton se ideja qendrore, është që kompromisi dhe toleranca janë bërthama drejt një rregullatori shoqëror, pa të cilën shoqëria jonë dhe dinamika e marrëdhënieve njerëzore do të ishte shumë më tepër e ashpër sesa është. “Është një vepër shumë aktuale dhe do të jetë e tillë, derisa njerëzimi të jetë mbi tokë, sepse flet për dinamikën e marrëdhënieve shoqërore. Pra kjo vepër nuk ka kohë për temën dhe idenë që trajton”.

Zakonisht në të gjitha vëniet e saj, Inis Gjoni, i qëndron strikte autorit, duke ndërhyrë atje ku mendon se është e nevojshme. Na tregon se i intereson shtylla e veprës, prandaj duhet që të bëjë gjithçka që duhet për të dhënë idenë që përmban vepra.

Protagonistët e “Çiftit të çuditshëm” janë Romir Zalla dhe Gentian Zenelaj. Zalla na tregon se gjëja më interesante e komedisë, të cilën e ka kuptuar pas provave gjenerale, është që në këtë komedi publiku mund të shikojë jetën e një burri pasi divorcohet. Çfarë ndodh me të realisht? “Nëse gratë e marrin jetën ndryshe nga burrat pasi divorcohen, duke e nisur nga fillimi, pavarësisht se vuajnë shumë, duhet të shihni se çfarë ndodh me një burrë”, thotë ai.

“Çifti i çuditshëm” është një nga komeditë më të famshme amerikane të 50 viteve të fundit. Vepra sjell një tablo humoristike, karaktere të zakonshme në plan të parë, por jashtëzakonisht të papajtueshëm mes tyre. Nën interpretimin e aktorëve Romir Zalla, Gentian Zenelaj, Mehmet Xhelili, Ervin Bejleri, Besmir Bitraku, Rozana Radi, Annais Lika. Skenograf Stivi Rrapo, ss/regjisor Alba Shtëmbari dhe Elios Ibro, stiliste Julinda Arallambi. / KultPlus.com

Dita e parë e verës ’98

E shkruar nga Teki Dervishi

Në çdo fund të vitit shkollor të fëmijërisë sime Kanë munguar nxënësit që janë mbytur në Lumin e thellë
Unë siç shihni ende jam gjallë.
E prita edhe këtë verë
Në këtë fund të vitit shkollor mungojnë disa arsimtarë
Tashmë janë tharë.
Ra zilja e mbramë.
Të gjithë pse qajnë?

Unë dal oborrit të shkollës mbuluar me barin e njomë
Jo nata që më zë në atë rrugë deri te dera kah largohem
Më zë mosha ime. Pikëllimi.
Kori me këngën për dëshmorë pse s’kanë lozur fëmijët – barin e njomë ta shkelin oborrit?

Ata s’duan më të jenë lojtarë, por ushtarë të UÇK-së Buza e tyre e njomë me shkrumbin e dhembjes i fotografon Kanë shenjë Saturni.
Nëse arrijnë të plaken, vdesin të njomë!

Si luftoj unë që mendoj se fjalët ta hanë kokën shqim?
Unë nuk kam kujdes kur flas.
Gjuha m’shtin në flakë
Kur shkruaj unë nuk flas, dikush me pëshpërit në vesh
Mos u frikëso! Futu në zjarr! Mos u sill rrotull zjarrit!
Mos e aktro dhembjen! Mos e aktro vetminë!
Mos u shtir! Por fjalët e rrezikshme ende nuk më vranë.
Jam gjallë
Kush mund të më besojë? Kush beson se ka trima të gjallë?
Një herë ndodh çdo gjë! Të tjerët ta përsërisin fatin!
Unë ia dal të mendoj: nëse vazhdojnë t’i vrasin fëmijët
Ç’t’i them moshës sime?

Të ngushëllohem me fjalë t’rrezikshme
Të hyj në flakë me fjalët trime, apo me trupin tim – me kokë?
Kush thotë e jap kokën për Atdhe, gjuha i flet n’gojë e gjallë
Heronjtë s’flasin, veç kur m’i përshpërisin në vesh këto fjalë!
Ra zilja e mbramë. Fëmijë të vdekur mungojnë. Mungojnë arsimtarë

Lumi i Thellë i fëmijërisë sime i merr, apo
Mali në Veriun e Thellë
Çdo gjë është vjetruar.
Çdo gjë që përsëritet.
Vetëm fëmijët tanë Dhe, varret e gjyshërve – habiten si nuk na ka hije mosha jonë!
Nëse keni duruar robërinë, na lini neve rrugë kah parajsa, thonë.

Anibar fillon programin më të ri, Akademinë e Animacionit Anibar

Anibar, organizata e cila lindi pas formimit të Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit, i cili në Gusht të këtij viti përfundoi edicionin e tetë si një prej edicioneve më të suksesshme të festivalit, këto ditë po e fillon programin më të ri të organizatës – Akademinë e Animacionit Anibar.

Ky program është i pari në Kosovë që do të shërbejë për aftësim e të rinjëve në fushën e filmit të animuar, dhe do të funksionojë në qytetin e Pejës, në hapësirat e Anibar në Kinemanë Jusuf Gërvalla.
Akademia e Animacionit Anibar ka për qëllim ofrimin e një programi të edukimit për ndërtimin e gjeneratës së re të animatorëve nga Kosova, duke i ekspozuar të rinjtë ndaj filmit të animuar si një formë e artit. Në animacion, krijuesit kanë liri të pakufizuar në eksplorimin e kulturave të ndryshme, të shprehjes së mendimeve dhe ideve, kombinimin e anës vizuale e kreative me tregimin. Ky program do të shërbejë si program ekstra kurikular për nxënësit e shkollave të mesme në qytetin e Pejës, e veçanërisht shkollën e mesme të arteve në Pejë.

Prej muajit Nëntor do të fillojë funksionalizimi i Akademisë së Animacionit Anibar. Programi është i dizajnuar për t’i dhënë nxënësve aftësi bazike mbi filmin e animuar gjatë një periudhe fillestare prej tre muajve sa do të zgjas programi për grupin e parë të nxënësve. Gjatë kësaj kohe nxënësit do të kenë mundësi që të marrin aftësi të avancuara në tri teknikat tradicionale të animacionit që janë Rotoscope Animation, Puppet Animation (stop motion) dhe Cutout Animation (stop motion). Si produkt i fundit pas përfundimit të programit, do të dalin filma të shkurtër të animuar. Akademia e Animacionit planifikon të vazhdojë me plan të punës përgjatë vitit me 3 programe tremujore brenda një viti. Ligjëratat do të mbahen nga tutorë vendor dhe ndërkombëtar të cilët janë profesionistë në fushën e animacionit.

Në procesin e krijimit të animacionit puna do të jetë grupore, duke kaluar në fazat e krijimit të një filmi të animuar si krijimi i storyboard (skenarit), dizajnimi i karaktereve, dizajnimi i skenave dhe prapavisë, animimi edhe fotografimi i karaktereve, editimi dhe produksioni i filmit.

Përveç tjerash nxënësit do te kenë mundësi për të mësuar edhe mbi historinë e animacionit për animatorë të ndryshëm, kamera digjitale, software të animacionit, software për montazh, dhe editim të zërit. / KultPlus.com