Skenari ‘Exil’ i Visar Morinës merr 600 mijë euro nga Gjermania

Skenari “Exil” nga regjisori Visar Morina ka marrë gjithsej 600 mijë euro nga Ministria e Kulturës Federale në Gjermani.

Gjithsej tetë projekte filmike janë mbështetur me rreth 3.6 milionë euro nga Staatsministerin für Kultur und Medien.

Skenari “Exil” nga Morina ka marrë maksimumin e parave të alokuara.

“Skenari bën fjalë për një burrë 45 vjeçar i cili punon në një firmë farmaceutike dhe në një moment e krijon ndjenjën që kolegët e tij po tentojnë ta largojnë nga puna” tregon më shumë Visar Morina për KultPlus.

Lexoni në këtë link më shumë rreth këtij skenari, që tanimë ka marrë paratë e duhura për tu shndërruar në një film dhe projekt filmik që premton. Financimi ende nuk ka përfunduar por regjisori ka treguar se xhirimet e filmit do të nisin në gusht.

Visar Morina është i njohur sidomos për filmin “Babai”, film ky që trajton një raport të çuditshëm të një babai dhe djalit të tij, një dramë kjo që bëri bujë në disa festivale ndërkombëtare të filmit. Në këtë film luajnë Val Maloku, Adriana Matoshi, Astrit Kabashi e aktorë tjerë. / KultPlus.com

E mahnitshme, Helmeta e Skënderbeut realizohet nga ‘Gheg-Tosk’ (VIDEO)

Brendi i aksesorëve “Gheg & Tosk” në New York, pas më shumë së tri viteve punë ka sjellë për klientët e tyre Helmetën e Skënderbeut.

Sipas njoftimit që ka bërë brendi, helmeta e Gjergj Kastriot Skënderbeut është një përfaqësim artistik i përkrenares origjinale të Skënderbeut të ruajtur në Vjenë, në muzeun Kunsthistorisches.

“Përkrenarja jonë është rindërtuar dhe përshtatur për t’u mbajtur nga të rriturit gjatë festimeve të ndryshme si dhe nëpër ngjarje festive, tubime familjare apo nëpër ngjarje sportive, kur brohorasim për ekipin tonë kombëtar ose thjesht si zbukurim arti”, kanë njoftuar nga brendi.

Fabrikuar me plastikë të ngjyrosur me ngjyra prej ari, çeliku dhe bakri, përkrenarja ka shenja të ngjashme me një përkrenare mesjetare, shkruan KultPlus.

Orges Kokoshari, themelues i brendit të aksesorëve “Gheg & Tosk” në New York ka lansuar shumë aksesorë me motive nga kultura dhe trashëgimia shqiptare, duke përfshirë edhe unazë me përkrenaren e Skënderbeut, helmetën ilire, unazën me shqiponjë dhe shumë aksesorë të tjerë që shiten online.

Online në internet do të shitet tashmë edhe Helmeta e Skënderbeut e cila ka një çmim prej 300 dollarësh dhe sasia e saj është e limituar. Për më shumë mund të shihni në faqen zyrtare të brendit “Gheg & Tosk”.

“Qëllimi kryesor është që helmeta të jetë aty për të gjithë shqiptarët kudo nëpër botë, duke dashur kësisoj edhe ta sjellim kulturën dhe vlerat shqiptare më afër Evropës” tregojnë nga brendi. / KulPlus.com

Shfaqja “55 shades of gay”, në Teatrin Kombëtar të Maqedonisë

“55 shades of gay” në Festivalin Ndërkombëtar të teatrit në Shkup “Faces without masks” 2018

Shfaqja “55 shades of gay” me datën 14 prill në Teatrin Kombëtar të Maqedonisë në Shkup, nga ora 20:00.

Autor: Jeton Neziraj / Regjia: Blerta Neziraj / Aktorë: Tristan Halilaj, Bujar Ahmeti, Shengyl Ismaili, Semira Latifi, Alketa Sylaj / Luan Durmishi (vokal) / Skenografia dhe kostumet: Sebastian Ellrich / Muzika: Irena Popovic / Koreografia: Florian Bilbao.

Qendra Multimedia nga Prishtina, e konsideruar si ‘njëra nga kompanitë teatrore më interesante nga Evropa Juglindore’ [kazaliste.hr], sjell sërish në skenë, në një trajtim krejtësisht politikisht jo-korrekt, një performancë argëtuese politike dhe provokative, kësaj here mbi çështje që kanë të bëjnë me komunitetin LGBTI.

55 shades of gay është një rrëfim burleskë për politikat rreth LGBTI në Ballkan dhe Evropë. Politikanët lokalë të Ballkanit përpiqen të manipulojnë e mashtrojnë zyrtarët e BE-së, mercenarët humanitarë të NGO-ve ndërkombëtare, e që bukur shpesh shfrytëzojnë terrenin homofob për të vjelur fonde e për të realizuar projektet e tyre sociale e edukative [të tipit të punëtorive e seminareve për mënyrën e përdorimit të kondomëve], ndërsa që zyrtarë të BE–së, duke shfrytëzuar pozitën e tyre superiore financiare e politike, përpiqen t’i nënshtrojnë të gjithë. / KultPlus.com

Nisin votimet e fansave në Eurovizion, asnjë pikë deri tash për Eugent Bushpepën

Ka vetëm disa ditë që është publikuar videoklipi i këngës ‘Mall’ nga Eugent Bushpepa, por tashmë kjo këngë ka marrë mbi 84 mijë klikime në Youtube, shkruan KultPlus.

Në kanalin zyrtar të Eurovizionit në Youtube është publikuar kënga ‘Mall’, këngë kjo e cila do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion 2018, gara e fuqishme e muzikës moderne evropiane.

Komentet të cilat kanë ardhur nga dëgjuesit e këngës janë pozitive. Disave prej tyre iu kanë lënë përshtypje edhe kostumet të cilat shfaqen në videoklip, me elemente kombëtare. Mirëpo ka edhe të tillë të cilët mendojnë se Shqipëria nënvlerësohet nga votuesit e kësaj gare.

“Njerëzit çdo herë janë ankuar se Shqipëria po dërgon vajza të cilat brohorasin pasi që ato kapin nota të larta në garë. Kësaj radhë Shqipëria ka ardhur me diçka krejtësisht tjetër por përsëri njerëzit nuk po e vlerësojnë këtë”, është komenti i i cili ka ardhur nga një ndjekës i garës nga Kroacia.

Dje ka filluar edhe votimi i OGAE – grupeve të fansave të organizuar të Eurovizionit nëpër Evropë. Secili shtet kësisoj deri në ditët kur mbahet Eurovizioni dërgon votat zyrtare dhe në fund shihet lista e OGAE.

Deri sot, dy shtete kanë dërguar votat e tyre, dhe asnjë votë nuk shkon për Shqipërinë.

Votimi OGAE deri sot:

Israeli / 24 pikë
Republika Çeke / 12 pikë
Suedia / 12 pikë

Megjithatë, kënga italiane me këngëtarin shqiptar Ermal Meta ka marrë gjashtë pikë, ndërsa kënga e Qipros kënduar nga tjetra shqiptare, Eleni Foureira, ka vetëm një pikë.

Data 8 maj do të jetë dita kur Eugent Bushpepa do të performojë në natën e parë të festivalit EUROVIZION, për të provuar kualifikimin në finale. / KultPlus.com

Roli politik dhe ushtarak, i shtetit të Arbërit – Qeverisja e urtë e Gjergj Kastriotit

Shkruan Gjon Keka.

Historia e populli arbëror dhe e shtetit të Arbërit kurdoherë ka ngjallur interesin e Europës, sidomos që prej shekullit XV. Kjo, për faktin se, pikërisht në këtë shekull, për nga veprat e ndërmarra e të kryera me mençuri e trimëri, ndriçoi strategu i saj i madh, vizionari dhe shpëtimtari i Europës. Ky burrë i mençur shteti, te mbarë Europa dhe te të gjitha kombet e mbretëritë, deri te Papati, tërhoqi vëmendjen dhe interesin diplomatik për ta pasur aleat, pasi ishte fitues i admirueshëm, i denjë për ta udhëhequr tërë Europën, ishte shpëtimtari dhe mbrojtësi i civilizimit europian. Pulsi i heronjve të vjetër të kombeve rrihte fort tek ai; nën shembullin e tyre ai u dha mësim princërve, mbretërve dhe gjithë pushtetarëve, duke u treguar me shembullin e vet se si duhet të luftohet, si mund të fitohet liria, si të ndërtohet shteti, të bëhet kuvendi, si të qeveriset shteti, si mbrohen vlerat, si të edukohet dashuria për atdheun, që ai të jetë gjithmonë në rend të parë, se si prej një ushtrie të vogël të mundet një pushtues me ushtri të madhe… Pra, nën shembullin e madh të ndeshjes së Davidit dhe Goliatit. Prandaj edhe te studimet e shumta mbi princat dhe mbretërit është nënvizuar vepra dhe heroizmi i pashoq i Gjergj Kastriot Skënderbeut kundër perandorisë barbare osmane. Ky gjeni është meteori i historisë së kombit arbëror, i cili e ndriçoi këtë komb të lashtë, por, njëkohësisht edhe gjithë kontinentin europian. Me forcën e tij të mendjes e të krahut ai i dha shtetit të Arbërit formën që kërkonte koha, e bëri atë referencë në politikën dhe diplomacinë vendimmarrëse ndërkombëtare, i dha begatinë dhe kushtetutën e kohës. Shkëlqimi i lavdisë që arbërorët e vërtetë edhe sot ia rikthejnë Gjergj Kastriotit qëndron te pastërtia e tij morale heroike, si dhe te shpirti i tij patriotik kombëtar, një lidership vizionar dhe i urtë. Madje, siç thotë Pouqueville, “shqiptarët ende mbajnë në ballin e tyre gjurmët e lavdisë së Skënderbeut”.

Shteti i Arbërit me në krye Gjergj Kastriotin kishte një ndikim të madh edhe në fatin e Europës, pasi me mburojën dhe pritën e trimave arbërorë nën komandën e Skënderbeut nuk u lejua të shkatërrohej civilizimi europian, të zhdukeshin vlerat dhe identiteti i kësaj familjeje të madhe të përbashkët. Për 25 vjet me radhë me në krye Heroin Kombëtar Gjergj Kastrioti shqiptarët sfiduan hordhitë barbare të sulltanëve dhe e injoruan perandorinë turke. Mbi supet arbërore dhe të prijësit të tyre Skënderbe rëndonte pesha e madhe e përgjegjësisë të shërbimit ndaj atdheut, por jo vetëm, edhe të shërbimit ndaj tërë familjes europiane. Ky është fakt real që e dëshmon historia: Skënderbeu u bë mburojë e familjes së madhe europiane!

Vetëm një strateg i sprovuar si biri i Kastriotëve dinte si t’ia këpuste zinxhirët e skllavërisë vendit të tij dhe ta bënte atë të lirë, të admiruar dhe zot të vetvetes. Me forcën e tij prej udhëheqësi të ushqyer me patriotizëm ai i dha vendit dritën e lirisë, e zhvilloi atë dhe e bëri të njohur anembanë botës; në shekullin XV shteti i Arbërit rrezatonte me plot fuqinë e tij në kontinentin europian, aty ku u prek edhe shpëtimi i madh i Europës dhe i civilizimit të saj.

Gjeniu i Arbërisë dhe i Europës e kurorëzoi vendin e tij me shumë suksese, duke e rritur entuziazmin e arbërorëve për të ecur përpara e për të korrur fitore të njëpasnjëshme. Edhe sulltanët u detyruan ta njohin lavdinë e këtij strategu në Arbëri, ndaj dhe u larguan të turpëruar pas betejave të shumta e të përgjakshme; madje, edhe iu lutën Skënderbeut për paqe, kur e panë se ishte e pamundur rezistenca e mëtejshme në ato troje arbërore dhe kur trupat e sulltanit ndodheshin tashmë të dërmuara. Emri i këtij trimi fisnik të Kastriotëve ia kishte kallur frikën jo vetëm sulltanit, por edhe gjithë perandorisë turke. Kudo nëpër fshatra, sapo përmendej emri i tij ushtria turke çmobilizohej dhe demoralizohej, pasi vetë Heroi ynë Kombëtar ishte kthyer në terror të turqve.

Skënderbeu iu përkushtua edukimit dhe ndërgjegjësimit të popullit, pasi te figura e tij shihej çliruesi. Me këtë besim ai e pastroi ndërgjegjen e këtij popullit nga ideologjia e osmanlinjve barbarë, të cilët e kishin infektuar keqas atë. Heroi ynë i pajtoi kështu arbërorët me Perëndinë. Me të hyrë në Krujë, shpalli mesazhin e lirisë dhe të paqes, si dhe rikthimin e vlerave të etërve. Kështu veproi dhe qeverisi ai përgjatë gjithë jetës së tij, për të përmbushur detyrimet ndaj shtetit të Arbërit. Nëpërmjet vullnetit politik dhe fuqisë së vet shpirtërore, Skënderbeu arriti të realizonte bashkimin e prijësve të përçarë, duke u prirë atyre si kryeprijës i madh, burrë i urtë dhe vizionar i Arbërisë europiane. Me dijet dhe përgatitjen e tij ai solli në drejtim kulturën e duhur mendore, disiplinën dhe edukatën shpirtërore, kombëtare e morale arbërore, duke e institucionalizuar brenda shtetit të Arbërit në mënyrë të shëndetshëm. Ndaj dhe, jo rastësisht, marrëdhëniet e shtetit të Arbërit ishin shumë të fuqishme me shtetin e Vatikanit dhe Papët e kohës. Papa Piu II i dha atij pozitën e meritueshme të kryekomandantit suprem të ushtrisë europiane, sepse ai e njihte mjaft mirë Gjergjin, si dhe e çmonte talentin dhe vizionin e tij. Porse projekti i përbashkët i Papa Piu II nuk u realizua, për shkak të vdekjes së tij, edhe pse Gjergj Kastrioti e vazhdoi pa u ndalur luftën kundër pushtuesit osman deri në vdekje. Por, për fat të keq, pas vdekjes së tij Shqipëria u shpërbë dhe u kthye në arenë gjakderdhjeje (Albanien ward ein Schauplatz von Blutvergiessen). Shqipëria jo vetëm që u pushtua nga barbarët osmanë, por edhe u largua nga familja europiane, duke u fshirë kështu nga harta e natyrshme e Ilirikut dhe Europës.

Megjithëkëtë, për sa i përket Gjergj Kastriotit, ai tashmë gëzon respektin e mbarë botës; emri i tij ka mbetur në histori, si një nga strategët më të mëdhenj të kohës kur jetoi e veproi, e bashkë me nderin e tij është njohur edhe Shqipëria e shekullit të tij. Fatkeqësisht, pas ikjes së tij askush nuk mundi ta ndjekë vizionin e këtij burri, si dhe rrugën që ai përçoi. Nisur nga bëmat e Heroit tonë Kombëtar, me të drejtë Giuseppe Shiro shkruante në vitin 1901: “Madje, unë do të them edhe më tepër, se kombi shqiptar dhe lavdia e padiskutueshme e Skënderbeut do të fitojnë simpatinë e Europës më tepër sesa kujtimet e historisë së lashtë”. Për të mbajtur gjallë kohën e lavdishme të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, lipset një studim i thellë dhe i vërtetë i historisë arbërore dhe asaj europiane, për ta pasqyruar sa më të plotë epokën e tij.

Gjon KEKA – Roli politik dhe ushtarak ,i shtetit të Arbërit – Qeverisja e urtë e Gjergj Kastriotit ,Botart,Tiranë 2015

Krasniqi, libër për Demarkacionin dhe Specialen

Kosova ka pasur shumë bisedime edhe në kohën e luftës dhe më pas, e të gjitha këto në një libër i ka përmbledhur ish-kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi.

Në librin e tij “Arti i bisedimeve” Krasniqi ka paraqitur qëndrimet e tij lidhur me marrëveshjet e Brukselit, demarkacionit dhe Gjykatën Speciale.

Për këtë të fundit ai thotë se e ka reaguar për dëmet politike që më shumë po i bëhen të ardhmes së Kosovës sesa të shkuarës, madje ai thotë se ky lloj i drejtësisë nuk i duhej askujt. Këtë Krasniqi e ka thënë me rastin e promovimit të librit të tij “Arti i bisedimeve”.

“Është keq pas atyre bisedimeve të vështira që Kosova ka fituar shumë, në bisedimet e mëvonshme që kanë qenë shumë më të lehta realisht Kosova ka humbjet e veta. E kam fjalën për bisedimet që janë zhvilluar para se të miratohej Gjykata Speciale dhe e kam thënë dhe po e përsëris këtu me qëllim nuk kam reaguar për fatet e njerëzve personale se edhe ato janë të dhimbshme, reagimet kanë qenë për dëmet politike që më shumë po i bëhen të ardhmes sesa të shkuarës. Ky ka qenë reagimi pse kam reaguar e jo pse dikush padrejtësisht do të nëpërkëmbej siç zakonisht bëhet nga sistemi i drejtësisë tek ne gjatë gjithë këtyre viteve. Më shumë ka pasur linçime publike sesa dënime të arsyeshme. Ky lloj i drejtësisë nuk i duhej askujt”, tha ai.

Krasniqi tha se nuk është problem nëse vërtetë qëllimi i drejtësisë është me dal në shesh, por sipas tij kur ajo bëhet krejt politike për eliminime politike atëherë është padrejtësi e madhe.

Një shpjegim të asaj që përmban libri e ka bërë Hydajet Hyseni, i cili tha se siç e thotë edhe titulli libri është një ndërtim i llojit të veçantë të librit edhe historik edhe politik.

“Jakup Krasniqi është një nga të paktët që edhe e bënë historinë edhe e dëshmon të kaluarën, por edhe e lëvron, e analizon, e vlerëson, e shkruan dhe e afirmon të përpunuar e të kthjelluar gjithnjë në funksion të sfidave aktuale dhe kërkesave të kohës, të së ardhmes dhe kjo nuk është pa shkas. Historia është mësuese e jetës, por është mësuese vetëm për ata që i qasen si nxënës të saj të mirë. Në rininë e tij Jakupi, veprimtari kryengritës i Lëvizjes çlirimtare, student i historisë dhe më vonë arsimtar historie kishte në fokus historinë kombëtare, veçanërisht periudhën e rilindjes sonë frymëzuese. Andaj më shumë dhe jo rastësisht i përkushtohet historisë sonë më të re, e kaluara jonë historike është plot shembuj që dëshmojnë fenomenin e dhimbshëm e të përsëritshëm, në luftë fitimtar e faqebardhë dhe pastaj dështim e humbje pas saj”, tha Hyseni.

Ndërkaq, aktorja Safete Rugova ka lexuar parathënien e shkruar nga Bardhyl Mahmuti, i cili kishte shkruar se libri është një interpretim ndryshme dhe mjaft kritik i zhvillimeve që rezultuan nga bisedimet e Kosovës me Serbinë në Bruksel.

Po ashtu, ai kishte shkruar se kritikat që bëhen ndaj mënyrës se si i janë qasur këtyre bisedimeve bartësit e institucioneve të Kosovës, nuk janë kritika të ndonjërit që i sheh proceset nga një distancë kohore dhe jashtë kontekstit real.

“Jemi në kohë paqeje dhe zgjidhja e problemeve duhet të bëhet përmes dialogut dhe negociatave. Në këtë kontekst Dr. Jakup Krasniqi këmbëngul që për to duhet të përgatitemi mirë dhe çdo çështje të shqyrtohet paraprakisht me seriozitetin më të madh. Në fazën e analizave të tilla një rol të veçantë kanë intelektualët e Kosovës. Për këtë arsye ai shtron si domosdoshmëri mobilizimin e tyre dhe sidomos të anëtarëve të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve që të japin kontributin në përpilimin e strategjisë diplomatike aktive. Në të kundërtën, do të ballafaqohemi me paaftësi për të negociuar dhe do tu kthehemi vazhdimisht temave që ishin në tavolinë bisedimesh. Fatkeqësisht, shembujt që sjell autori dëshmojnë për dëmet e mëdha që na ka shkaktuar diplomacia retroaktive dhe arti i keq bisedimeve”, thuhet në parathënie.

Ndërkaq, autori i recensionit për librin, Elvi Sidheri, tha se libri është ‘sui generis’ ashtu siç është edhe atdheu i autorit.

“Është një libër ‘sui generis’ ashtu siç atdheu i autorit Kosova që përbën rastin më të veçantë të pavarësimit të një shteti në botë. Libri i një autori në vetvete ‘sui generis’ me një përmbajtje po të tillë e që këtu nis kërshëria për ta lexuar këtë libër me një frymë. Një libër i ndarë në tre tematika kryeneçe, marrëveshjet e Brukselit, Demarkacioni dhe liberalizimi i vizave dhe i Gjykatës Speciale. Në ndërkohë brenda për brenda këtyre krye temave akoma kaq aktuale në Kosovën e vitit 2018 autori ka ditur si përherë që të shpërfaq një larmi të pakufishme nëntemash, thellimesh, shtjellimesh lidhur me realitetin shqiptar të sotëm dhe të kaluar”, tha ai.

Libri “Arti i Bisedimeve” i autorit Jakup Krasniqi përbëhet nga tre kapituj, ku i pari është marrëveshjet e Brukselit, i dyti demarkacioni, liberalizimi i vizave dhe i fundit për Gjykatën Speciale. Libri që është i 13 për autorin Krasniqi përmban gjithsej 215 faqe./ KultPlus.com

“Pikë së pari, të uroj dashuri dhe duke dashur, uroj të të duan”

Victor Hugo

Pikë së pari, të uroj dashuri. Dhe duke dashur, uroj të të duan. Por nëse kjo nuk ndodh, atëherë tregohu i shkathët për të harruar. Dhe pasi të kesh harruar, uroj të mos pendohesh.
Uroj vërtetë që kjo mos të të ndodhë, por nëse ndodh dhe ti harron, shpresoj të mos zhytesh në dëshpërim.
Të uroj të kesh shumë miq. Edhe nëse ata janë të këqij ose të parëndësishëm. Uroj të kesh miq të guximshëm dhe të vërtetë. Dhe uroj që një prej tyre të jetë më i besueshmi.
Por sepse jeta është në këtë mënyrë që është, të uroj armiq. As shumë, por as pak. Një numër i ndërmjetëm, që të të bëjë të pyesësh veten për të vërtetat dhe siguritë e tua. Dhe le të jetë mes tyre njëri që do jetë i drejtë, që të mos ndihesh kurrë i sigurte në idetë e tua.
Uroj të jesh i dobishëm, por jo i pazëvendësueshëm. Dhe në momentet e tua më të këqija, kur të mos kesh asgjë, ajo dobishmëri të të mbajë në këmbë.
Në proporcion me të, të uroj të jesh tolerant. Jo me ata që bëjnë gabime të vogla, sepse kjo është shumë e thjeshtë, por me ata që bëjnë gabime të mëdha, të cilat nuk mund të zhbëhen. Përdore mirë tolerancën tënde që të bëhesh shembull për të tjerët.

Uroj që kur të jesh i vogël, të mos rritesh shpejt. Dhe atëherë kur të jesh rritur, mos këmbëngul të jesh sërish i vogël. Dhe kur të plakesh, mos u dëshpëro. Sepse çdo moshë ka kënaqësitë dhe dhembjet e veta, dhe ne kemi nevojë për të dyja këto në jetë.
Gjithashtu, uroj të jesh i mërzitur, të paktën një ditë. Kështu në atë ditë do kuptosh se të qeshësh çdo ditë është mirë, të qeshësh shpesh është e mërzitshme dhe të qeshësh vazhdimisht është çmenduri.
Uroj që të zbulosh me shumë shpejtësi nga ajo që thashë më sipër, se në botë ka njerëz të palumtur, të depresionuar dhe të patrajtuar mirë.
Të uroj të përkëdhelësh një qen, të ushqesh një zog e të dëgjosh cicërimën e tij, që dëgjohet në mënyrë triumfuese çdo mëngjes. Sepse në këtë mënyrë, do ndihesh mirë, pa arsye.
Dhe pastaj, uroj të ujisësh një farë, sado e vogël qoftë ajo. Dhe të jesh dëshmitar i rritjes së saj, që të shohësh se sa jetë jeton një pemë.
Të uroj gjithashtu, të kesh para, sepse duhet të jemi praktikë. Dhe të paktën, një herë në vit, t’i vendosësh përpara teje e të thuash “Këto janë të miat.”. Kështu, do kuptohet se kush zotëron kë.
Uroj që asnjë nga të dashurit e tu të mos vdesë. Por nëse disa prej tyre vdesin, uroj të qash pa pendesë dhe pa u ndjerë në faj për fjalët që kurrë nuk ua the apo gjërat që kurrë nuk i bëre për ta.
Së fundmi, nëse je mashkull, të uroj një femër të mirë përkrah, e nëse je femër, të uroj një mashkull të mirë. Dhe ta doni njëri – tjetrin nesër, dhe ditën pas të nesërmes. Dhe kur të dy të jeni të lodhur e të buzëqeshur, uroj të keni sërish dashuri për t’ja nisur ditës tjetër nga e para.
Nëse të ndodhin të gjitha këto, atëherë nuk të uroj asgjë më tepër se kaq./ KultPlus.com

Vepra e Van Gogh shitet miliona euro në Paris

Një peisazh i impresionistit holandez Vincent Van Gogh i shfaqur në Paris të mërkurën pritet të shitet nga 3 deri në 5 milionë euro kur të dalë në ankand në muajin qershor.

Kjo do të jetë hera e parë që një vepër e Van Gogh shitet në Francë në më shumë se dy dekada. E realizuar në 1988-shin, në vitet e para të karrierës së artistit, piktura u frymëzua nga jeta në fshatrat rreth Hagës, ku Van Gogh kaloi një kohë të shkurtër, por shumë të rëndësishme për krijimin e stilit të tij artistik.
Organizatorët e ankandit thonë se rëndësia e pikturës theksohej nga fakti se ajo kishte qëndruar e varur për 25 vjet, në muzetë me prestigjoze të botës, shkruan Top Channel.

Si peisazhi i vetëm i realizuar nga artisti holandez gjatë kësaj periudhe në karrierën e tij, ajo përmban shumë elementë që më vonë do të bëheshin simbole të punës së tij, përfshirë qiejt e veshur nga retë.

Në një letër për vëllanë e tij Theo, Van Gogh tregonte se sa shumë ishte impresionuar nga gratë fshatare, të cilat pasqyrohen teksa lëvizin nëpër arat me kokat e mbuluara me shami. Ankandi do të zhvillohet në 4 qershor në kryeqytetin francez./ KultPlus.com

Fotografi e rrallë e Muharrem Qenës dhe Melihate Ajetit (FOTO)

Muharrem Qena dhe Melihate Ajeti janë çifti i njohur shqiptar që i kanë kushtuar pothuajse tëre jetën e tyre skenës artistike, shkruan KultPlus.

Muharrem Qena ka shkrirë talentin e tij prej regjisori, aktori, shkrimtari dhe këngëtari. Karriera e tij regjisoriale numëron deri në 200 shfaqje teatrale. Bashkëshortja e tij, Melihate Ajeti- Qena ka qenë një figurë e shquar për bukurinë e talentin e saj të rrallë në aktrim, të cilin e demonstroi në teatër e film për 60 vite.

Ata të dy i kanë dhënë aq shumë artit shqiptar sa që edhe sot kujtohen për veçantitë e tyre artistike. KultPlus ju sjellë një fotografi të rrallë të këtij çifti./ KultPlus.com

Balada e dashurisë së vonë

Poezi e shkruar nga Dulce Maria Loynaz.

Dashuri që vjen aq vonë,
më sill të paktën prehje :
ti dashuri e vonuar, nga ç’udhë
endacake vjen tek vetmia ime ?
Dashuri që më ke kërkuar pa të kërkuar,
nuk di kush vlen më shumë :
fjala që do të më thuash
apo ajo që unë s’e them dot…
Dashuri… Nuk ke ftohtë ti ? Jam Hëna :
Kam vdekjen e bardhë dhe të vërtetën
e largët… Mos m’i jep trëndafilat e tu të freskët ;
jam shumë e ngrysur për trëndafila. Më jep detin…
Dashuri që vjen aq vonë, ti s’më ke parë
dje kur këndoja në fushën me grurë…
Dashuri e heshtjes dhe lodhjes sime
Të paktën sot, mos më bëj të qaj.

Një monument për Françesk Radin tek Liqeni

“Një vit lamtumire Franko!”. Miq dhe pasionantë të muzikës së Françesk Radit do të bëhen bashkë në 1 vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, për ta kujtuar në vendin që ai deshi më shumë në këtë qytet, amfiteatrin tek Liqeni Artificial.

Më 3 prill ora 9 e mëngjesit pranë amfiteatrit tek Liqeni Artificial, atje ku me kitarën e pandashme krijoi meloditë e para, këngëtari do të kujtohet përmes muzikës dhe një monumenti kushtuar figurës së tij. “Ju presim ta vendosim sërish Frankon mes nesh ashtu si dikur. Më pas në orën 17.00 ne ambientet e kinema Millenium do të transmetohet dokumentari “ Jetë e trazuar “ për të ndjekur rrugëtimin e një ëndrre që edhe pse e prerë tingëllojë gjatë. Kush e njohu Frankon e deshi, kush e deshi qau, e kush qau nuk I tha dot lamtumire, por thjesht mirupafshim Mik. Askush nuk vdes në këtë jetë kur jeton në zemër e melodi”, shkruan bashkëshortja e tij, Tefta Radi.

Në historinë e muzikës shqiptare Françesk Radi do të kujtohet gjithmonë si artisti që foli jo vetëm përmes tingujve por dhe përmes tekstit. Muzika e tij nuk ishte vetëm një muzikë e ndjerë, por kishte brenda dhe intelektualin e angazhuar, duke I folur problemeve të ndjeshme të shoqërisë. Françesk Radi me jetën e tij duket se simbolizon më së miri artistin që iu desh të shtrinte artin e tij në dy pjesët e një sistemi, ku më i ashpri e trishtues ishte diktatura komuniste. Françesk Radi ka kryer Liceun Artistik dhe më pas Akademinë e Arteve Tiranë, shkruan GSH.

Për një periudhë të gjatë kohe ka punuar në Estradën e Shtetit me instrumentin e kitarës, por njëkohësisht dhe si kantautor. Në vitin 1992 ai ka filluar punë në Radio Tirana si solist, instrumentist, gjatë kësaj kohe ka kompozuar dhe kënduar shumë këngë në festivalet e ndryshme në RTV. Pjesë më të bukur të jetës ai konsideronte fëmijërinë në qytetin e Shkodrës. ”Me të vërtet femërinë time e kam kaluar në Shkodër, dhe ajo është pjesa më e bukur e jetës time, pasi aty u edukova, isha koherent me muzikën, me jaret, me këngëtarët shkodranë të atyre viteve, pra çdo gjë e asaj kohe ka lënë gjurmë te unë thjesht si fëmijë, dhe më vonë gjithë këto ndikime, gjithë këto emocione, kanë ndikuar dhe në formimin tim muzikor”, do të shprehej ai në një intervistë kohë më parë.

Idhujt e tij të parë ishin Tonin Tërshana dhe Vaçe Zela apo Anita Take. I konsideruar si Çelentano shqiptar vetë kantautori e ka pranuar ndikimin që muzika italiane ka pasur në muzikën e tij. ”Them se kemi qenë me fat që morëm dhe u ndikuam nga muzika italiane, sepse ajo ka qenë gjithmonë një muzikë profesionale që ia vlente të merrej si model i muzikave botërore, pra jo vetëm unë, por dhe brezi im ka qenë me fat që u ndikua nga kjo lloj muzike dhe sidomos në vitet ‘70 që mbahet si periudha e artë e muzikës, jo vetëm e muzikës italiane, por dhe asaj botërore, dëgjonim Çelentanon, Morandin, Luço Batistin e shumë të tjerë të cilët ishin modele të arta për ne kantautorët e rinj”, do të shprehej ai. Kitara do të bëhej një element i rëndësishëm i këngëve të tij, që do ta indentifikonte lehtë . Periudha e komunizmit nuk do të ishte e lehtë dhe për artistin.

“Realizmi socialist kishte atë kornizën e vet dhe ishte e vështirë të dilje nga kjo kornizë, megjithatë gjërat bëhen më të bukura kur janë të ndalura. Ne e dëgjonim dhe përfitonim nga ajo lloj muzike, mënyra e konceptimit, mënyra e akordeve i zbërthenim tonalitetet, domethënë ka qenë një ndihmë e madhe. Kishte probleme shkolle, fletërrufesh, etj”, shprehej Radi. Kitara në dorë do ta bënte atë të shihej gjithnjë si modern. ”Ka pasur shumë raste, unë në atë kohë shikohesha si pak modern, pasi bija në sy me kitarë. Bujar Kapexhiu më ftoi që të marr pjesë në një premierë, por më parë duhet të më dëgjonte komisioni. Unë shkova dhe mu duk vetja si në gjyq. Këndova një këngë/ “Në aksion ishim bashkë ne të dy”, më vjen njëri dhe më thotë duhet të jesh më i qeshur se po i këndon “Aksionit”, e këndova dhe njëherë, komisioni e aprovoi, po u bë nami se dola me golf në skenë. Më erdhën drejtuesit dhe me thanë se kush ju ka dhënë urdhër të dilni me golf në skenë dhe unë ju thosha se më ka thënë drejtori, më thoshin ik vish diçka tjetër. Ishte një situatë aq komike, por dhe e rrezikshme”, tregonte ai. Dy nga këngët e tij më të dashura mbeten “Adresa”dhe pengje. “Peng i kam pasur të dyja, sepse ato në atë kohë nuk janë kënduar siç kam dashur unë, por siç donin ata që kontrollonin.

Mbaj mend se kur kam regjistruar “Adresën” dhe me thoshin “Franko regjistroje një çik më thjeshtë” arriti deri aty sa që më thoshte tekniku (kuptohet për mirë) “A ka mundësi ta interpretosh keq se për ndryshe kënga nuk mund të kalojë”. “Biçikleta” , megjithëse dhe to për vetë kohën nuk kanë kaluar pa peng”, shprehej artisti. Vitet 90-të do të hapnin një tjetër botë para tij.” Për mua ishte një kohë relativisht e gjatë kur unë isha i shkëputur nga profesioni pasi më ishin mbyllur të gjitha dyert. Pas viteve ‘90 filloi një erë e re për mua, ato që kisha ndrydhur në memorien time tani më në fund arrita t’i shpreh. Habitem si pas 20 vjetësh shkëputje nga muzika, them si kam arritur t’i realizoj këto këngë”, shprehej Radi. Muzika e tij nuk ndryshoi në këto vite, duke ruajtur të njëjtën ndjesi muzikore e zgjedhur të njëjtat tekste të fuqishme duke vazhduar të ishte I dashur për miliona njerëz./ KultPlus.com

NA sonte në Rockuzinë

Performanca e këtij bendi në Rockuzinë do të fillojë prej orës 21:00.

Grupi Na është një grup artistësh i njohur. Emri “NA” dmth (NE). Edhe pse është emër i shkurtër, historia e suksesit të këtij rok bendi është shumë e gjatë. NA lindi në tetorin e pasluftës të vitit 1999. Duke perfomuar bashkë, treshja së shpejti zë vend si bend i shkëlqyeshëm i klubeve dhe ndejave, e që në ditën e sotme ata kane një orar të ngjeshur javor të ftesave nëpër Kosovë dhe jashtë saj. Anëtarët e grupit janë: Kreshnik Koshi, Bekim Këpuska, Blerat Këpuska dhe Klodian Rexhepaj./ KultPlus.com

“Kosova është kudo” hapi festivalin e letërsisë në St.Gallen

Pas turneut me prezantime të përbashkëta në disa qytete të Kosovës, grupi i poetëve “Bern ist überall” i plotësuar me krijues nga Kosova, po e zhvillon një turne të ngjashëm në disa qytete zvicerane. Festivali i letërsisë “Wortlaut” i St. Gallenit ka qenë stacioni i parë i këtij turneu.

Edicioni jubilar, i dhjeti me radhë i festivalit të letërsisë “Wortlaut” në St. Gallen të Zvicrës ka filluar me prezantimin e programit “Kosovo is everywhere” (Kosova është kudo). Kjo moto është një referim për sloganin “Bern ist überall”, që është emërtim i një grupi poetësh nga Berna të cilët promovojnë prezantimet skenike të poezisë para publikut, një “Spoken Word” siç e quajnë këtë prezantim.

Ajo që pamë në St.Gallen ishte një program mikst, poezi e folur dhe e shoqëruar me muzikë, përgatitur dhe performuar nga tre poetë kosovarë e tre zviceranë dhe me “kolonën muzikore” të realizuar drejtpërdrejt në skenë, nga një harmonikist zviceran dhe një baterist kosovar. Laurence Boissier, Guy Krneta, Gerhard Meister, Sibel Halimi, Jeton Neziraj dhe Shpëtim Selmani ishin poetët ndërsa Adi Blum dhe Drin Tashi, instrumentistët.

Profesoresha e letërsisë në Universitetin e St. Gallenit, Ulrike Landfester ka bërë një hyrje në programin e festivalit duke vënë theksin në emërtimin e tij “Wortlaut” që në përkthim të lirë në shqipe do të thotë formulim me zë i një përmbajtjeje. Në rastin konkret bëhet fjalë për komunikimin e letërsisë me lexuesit, dëgjuesit e saj, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe jo vetëm përmes leximit të librit.

Ajo që u pa e dëgjua në vijim ishte vërtetim i efektit të ndryshëm që ka leximi “i gjallë” para publikut, në krahasim me leximin e një libri në shtëpi.

Gjashtë poetët, me mënyrën e prezantimit të krijimtarisë së tyre elektrizuan atmosferën në sallën ku zakonisht mbahen mbledhjet e Asamblesë së Komunës së St. Gallenit. Një vërshim vargjesh të deklamuara zëshëm, të cilat, të shoqëruara nga ritmi që impononte muzika, shndërroheshin pothuaj në këngë. Ato ironizonin paragjykimet dhe perceptimet reciproke: të zviceranëve për kosovarët/shqiptarët dhe ansjelltas. Të shumtën kishte vetironizim ku nuk mungonin as referimet ndaj zhvillimeve ende aktuale që lidhen me Kosovën dhe Zvicrën ose me fenomenet të cilat në kokat e zviceranëve të zakonshëm asociojnë me Kosovën dhe me shqiptarët. Në këtë listë paragjykimesh dhe stereotipesh hynë veç tjerash me këtë rast edhe: dasmat e mëdha shqiptare, gjakmarrja, “tregtia me organe”, etj.

Që një performancë e tillë, jo e zakonshme të funksionojë, nuk është një gjë aspak e lehtë. Kjo sidomos për faktin se aty flitet (dhe këndohet) në së paku tri gjuhë: gjermanisht, shqip dhe anglisht e herë herë edhe italisht e frengjisht. Prandaj, të koordinohen e të dalin me kuptim ligjërimet në disa gjuhë, kërkon mjeshtëri, talent, mirëkuptim dhe mbi të gjitha pasion për poezinë.

Siç e thotë për albinfo.ch Guy Krneta, që është drejtues i “Bern ist überall”, grupi nga Berna, në përbërje të ndryshme ka qëndruar në Kosovë për rreth gjashtë muaj gjatë vitit të kaluar. Atje janë dhënë një numër paraqitjesh të tilla mikste, me krijues letrarë dhe muzikorë shqiptarë dhe të tjerë, të Kosovës. Për të, një punë si kjo është një sfidë e madhe por që ja vlen. Grupi “Bern ist überall” ka si preokupim artistik eksplorimin e mundësive që jep gjuha e folur, për të krijuar mbi të vlera poetike. Dhe grupi, për të thelluar aventurën e tij me gjuhën, ka zgjedhur gjuhën shqipe, gjegjësisht Kosovën si gjuhë e parë, përveç gjuhëve të Zvicrës, thotë Krneta. U vendos kështu pasi që sipas tij, në mes të Zvicrës dhe Kosovës prej dekadash ekzistojnë marrëdhënie të ngushta, nisur nga ekzistimi i një komuniteti të madh shqiptar në Zvicër.

“Jemi entuziazmuar nga pritja që na është bërë nga publiku po dhe nga gatishmëria për bashkëpunim e grupit rreth qendrës “Multimedia” të Prishtinës”, shprehet Krneta për albinfo.ch. Sa i përket përpilimit të programit me kaq shumë tekst dhe në disa gjuhë të ndryshme, ai thotë se vetëm pak para shfaqjes së fundit, tekstet që do të deklamoheshin ishin përkthyer në gjuhët respektive. Kjo pastaj, siç është parë në skenën e St.Gallenit, ka funksionuar ashtu që tekstet e deklamuara në gjuhën shqipe janë projektuar në gjuhën gjermane përmes titrimit, në një ekran në skenë.

Sipas Krneta-s, në Kosovë është më pak i njohur zhanri shumë i përhapur në Zvicër i poezisë së deklamuar drejtpërdrejt në skenë para publikut. Por siç pajtohet edhe ai, nga kjo që u pa në skenë vihen re elemente të kësaj poezie te poetët nga Kosova. Një prirje të tillë e tregoi me këtë rast në veçanti Shpëtim Selmani, i cili, përveç si poet, është i njohur edhe si aktor profesionist.

Selmani, për albinfo.ch thotë se ka kaluar nëpër përvoja të ndryshme sa i takon rrymave poetike, letrare dhe kjo ia bën më të natyrshme përshtatjen brenda kornizave të “Spoken Word”, që e kultivon grupi nga Berna. Ndryshe, poezia e tij, e deklamuar në këtë mbrëmje, karakterizohet nga fryma rebeluese që vjen si pasojë e zhgënjimit me realitetin në Kosovë, nga kundërshtimi i konformizmit dhe dogmave që “regullojnë” jetën atje.

Ngjashëm, kundër normave të ngurta dhe frymënxënëse paraqiten edhe krijuesit tjerë nga Kosova, Sibel Halimi dhe Jeton Neziraj.

I gjithë projekti “kosovar” i grupit “Bern ist überall” mbështetet mbi një çmim të kulturës që grupi ka marrë në vitin 2015 nga qyteti i Bernës. Çmimi prej 100 mijë frangash parashihej të shpenzohej duke e afirmuar kulturën e Bernës jashtë qytetit dhe kantonit. Ndërsa “Bern ist überall” një pjesë të vlerës së këtij çmimi ka vendosur ta shpenzojë jashtë shtetit, gjegjësisht në Kosovë. Pas turneut me prezantime të përbashkëta në disa qytete të Kosovës, grupi, i plotësuar me krijuesit e përmendur nga Kosova po e zhvillon një turne të ngjashëm në disa qytete zvicerane. Dhe festivali i letërsisë “Wortlaut” i St. Gallenit ka qenë stacioni i parë i këtij turneu./ kULTpLUS.COM

Kufoma e gjetur konfirmohet se është e Adea Shabanit

Policia në Kaliforni ditë më parë ka gjetur kufomën e një vajze të re, ndërsa shumë shpejt është konfirmuar se bëhet fjalë për trupin e aktores shqiptare 25-vjeçe, Adea Shabani.

Aktorja e lindur në Maqedoni, ishte zhdukur para një muaji nga shtëpia e saj në Los Anxhelos, ndërsa trupi i saj është gjetur 645 kilometra larg shtëpisë së saj. Policia ka konfirmuar se identifikimi i saj është bërë i mundur përmes tatuazheve në trup, ndërsa policia për vrasjen e saj ka dyshuar të dashurin e saj Christopher Spotz.

Adea ishte zhdukur më 23 shkurt dhe policia deri javën e kaluar nuk kishte kurrfarë gjurmësh të saj. Por javën që shkoi, policia gjatë ndjekjes së një veture të vjedhur, ka plagosur shoferin e saj.

Dhe ishte pikërisht Christopher Spotz, i cili gjatë ndjekjes në fund e kishte vrarë veten me revolen e tij. Aktorja e re shqiptare, dy vite më parë ishte zhvendosur në Amerikë, për të zhvilluar karrierë në Hollivud./ KultPlus.com

1972, pamje të rralla nga vizita e Bekim Fehmiut në Shqipëri (FOTO/VIDEO)

Aktori i madh shqiptar Bekim Fehmiu, në disa pamje të rralla në vitin 1972 në Shqipëri.

Përmes një dokumentari të krijuar nga Kinostudio “Shqipëria e re” në vitin 1972, në këtë vizitë, Bekim Fehmiu, shprehu gëzimet e tij për arritjet e kinematografisë shqiptare dhe uroi për suksese më të mëdha në të gjitha fushat e kulturës dhe të artit, përcjell KultPlus.

Përpos artistëve Bekim Fehmiu shkoi edhe në Lidhjen e Shkrimtarëve, ku u takua me kryetarin e saj dhe disa shkrimtarë të tjetër shqiptarë, ndër ta në këto incizime duket të jetë edhe shkrimtari i madh Ismail Kadare.

Ky dokumentar përfshin shumë vende që vizitori Bekim Fehmiu. Ai në Krujë vizitoi Kalanë dhe Muzeun Historik. Ndërsa kur e pyetën Bekim Fehmiun se a do të kishte dëshirë të luante një film shqiptar, ai u përgjigj në mënyrë shumë kuptimplote: “Do të isha i lumtur”.

Po sjellim në vijim dokumentarin e plotë të kësaj vizite të gjatë të Bekim Fehmiut në Shqipërinë e vitit 1972./ KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=t2j-osGzk78

Mbijetesa e një poeti me poezi ngushëllimi gërshetohet në filmin e Ylljet Aliçka dhe Atina Laço

Filmi artistik “Poeti” me skenar nga Ylljet Aliçka dhe regji Atina Laço u shfaq premierë në ekranin e kinemasë. Një projekt filmik, i cili këtë herë sjell bashkëpunimin mes skenaristit të njohur Yllet Aliçka dhe regjisores Laço, në role me aktorë të njohur të filmit shqiptar.

Filmi “Poeti”, i cili është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë ka për subjekt fatin e një poeti të talentuar, i cili përballë vështirësive ekonomike në kushtet e reja të ekonomisë së tregut ka gjetur si mënyrë mbijetese, duke bërë poezi ngushëllimi dhe lajmërime poetike vdekjesh.
Skenaristi Ylljet Aliçka në një prononcim të tij tregon se filmi merret me peripecitë dhe aventurat e një poeti. Por në këtë realiteti poeti sipas tij provon histori dështimesh dhe suksesi, e megjithatë i duhet të shkojë edhe në varreza për të parë mbishkrimet në varre të ndryshme.

“Më konkretisht filmi merret me peripecitë dhe aventurat e poetit në gjetjen e klientelës, pra rasteve të vdekjes. Në ballafaqimin me sfidat, që i ofron ky realitet i ri poeti provon histori suksesi dhe histori dështimesh. Për të qenë më i suksesshëm me punën e re atij i duhet të përftojë nga përvoja popullore e këngëve të vdekjes, si dhe herë pas here konsultohet me poezitë e shkruara në pllakat e apo gurët e varreve”, pohon skenaristi Aliçka këtë herë për filmin më të fundit në kinema një premierë që është më skenar të shkruar prej tij.
Filmi u shfaq mbrëmë premierë në kinema Imperial, dhe në role ishin aktorët si Alfred Trebicka, Romir Zalla, etj. Por skenaristi Ylljet Aliçka shton se në vendin tonë ka aktorë që janë dhe të niveleve ndërkombëtare. “Unë kam qenë dhe jam gjithnjë i mendimit se ne kemi aktorë të niveleve ndërkombëtare. Si pata fat me Robert Ndrenikën, të njëjtën gjë them dhe për Alfred Trebickën, vërtet i ka dhënë vlerë të re skenarit. Po ashtu dhe Zana Prifti, Romir Zalla, Egla Ceno dhe “talenti i ri” Xhemal Sojli”, pohon mes të tjerave skenaristi. Puna me filmin Filmi artistik “Poeti” me financim nga QKK këtë herë sjell për publikun një tjetër histori, një realitet që e përball poetin me dështime dhe suksese.
Film mbrëmë pati premierën e tij, por disa orë para skenaristi Ylljet Aliçka u shpreh se puna për skenarin ka nisur një vit më parë mbështetur mbi një tregim të botuar disa vite më herët.
“Skenarin e kam shkruar vitin e kaluar mbështetur mbi një tregim timin, botuar disa vite më parë. Lidhja me regjisoren, thjesht ngaqë ka një përvojë e formim gjerman në këto fusha. Filmi u mbështet nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë në zërin film i shkurtër independent dhe shpresohet një mbështetje po modeste nga një strukturë ballkanike me qendër në Selanik”, pohon Aliçka në fjalën e tij.

Më herët Ylljet Aliçka si skenarist dhe regjisor u prezantua në festivale filmi dhe u vlerësua me “Lulet plastike”. Një film për të rigjetur ngrohtësinë njerëzore të humbur mes njerëzve, me aktorët Robert Ndrenika, Zana Prifti e të tjerë. Filmi “Lulet plastike” ka pasur një qarkullim të mirë në festivale ndërkombëtare, nisur nga HIMPFF (Hollyëood International Moving Pictures Film Festival) ku ka marrë dhe çmim të parë; New York Film Festival, Dokufest, International Film d’Aubagne etj.
Ky vit në fushën e kinemasë po vijon si me filma premierë por Ylljet Aliçka tregon se ka skenarë të shkruar që presin mbështetje financiare për realizim filmi. “Shkrimi i skenarit është një punë, që e kam me pasion, kam shkruar disa dhe natyrisht pres të gjej mbështetje financiare, ashtu si dhe kolegë të mi”, tregon skenaristi i njohur Ylljet Aliçka. Pak kohë më parë në ekranin e kinemasë u shfaq dhe premiera e filmit “Ndërkombëtarët” me skenar nga Ylljet Aliçka dhe regji nga Pluton Vasi./ Julia VRAPI/ KultPlus.com

93 vite nga vdekja e Bajram Currit

Më 29 mars 1925, në shpellën e Dragobisë vdiq heroikisht luftëtari Bajram Curri, Heroi i Kombit.

Për këtë humbje të madhe Faik Konica shkruante në gazetën “Dielli”, që u botua në Boston “me vdekjen e konfirmuar të Bajram Currit, u zhduk një fytyrë plaku fisnik nga sheshi i Shqiptarisë”.

Dhe më poshtë ai shtonte: “Ai ishte liberal në mesin e despotismës, patriot në mes të injorancës ndaj Atdheut”./ KultPlus.com

Dua Lipa dhe Bruno Mars në skenën e Perth Arena (FOTO)

Këngëtarja shqiptare, Dua Lipa po përkrah Bruno Marsin në turneun e tij botëror “24K Magic World Tour”, shkruan KultPlus

Derisa këngëtari Bruno Mars ka kënduar disa nga hitet e tij, mes brohoritjeve dhe fishekzjarrëve. Ngjitja e Dua Lipes në skenë ka bërë që zbrazëtirat në ambientin e audiencës të plotësohen me shpejtësi, shkruan Perthnow, përcjellë KultPlus.

Atje këngëtarja shqiptare ka interpretuar disa nga hitet e saj më të mëdha si “Lost in Your Light”, “Blow Your Mind” , këngën e saj më të suksesshme “New Rules” dhe këngën me të re “IDGAF”, duke i dhënë kështu publikut një natë të paharruar.


Dua Lipa dhe Bruno do të performojnë përsëri në Perth Arena sonte, më 29 mars. / KultPlus.com

Mirela Kumbaro: Nuk e jap dorëheqjen, do të ndërtojmë teatër të ri

Projekti për Teatrin Kombëtar solli debate të ashpra në komisionin e Medias. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro u përplas me kryetaren e komisionit Albana Vokshi, e cila herë pas here iu drejtua se po gënjente.

Deputetët e opozitës kërkuan dhe dorëheqjen e ministres së Kulturës, duke e akuzuar dhe për shkatërrimin e qendrës historike të Tiranës. Seanca dëgjimore e zhvilluar në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik për projektin e Teatrit Kombëtar nisi me debate dhe pyetje të shumta nga deputetët. Pas një sërë pyetjesh nëse do të shembet Teatri Kombëtar, Vokshi i kërkoi Kumbaros të japë dorëheqjen, duke e quajtur atë të paaftë.

“Je e paditur, jep dorëheqjen”, iu drejtua Vokshi Kumbaros.

Por ministrja e Kulturës refuzoi të dorëhiqet, duke pohuar se godina e Teatrit Kombëtar ka shfaqur shumë herë probleme dhe shembje të pjesë të ndryshme.

“Nuk e jap dorëheqjen. Unë flas për dokumente zyrtare. Kryeministri shpreh vullnetin politik për një godinë të denjë teatri. Mënyra si do të ndërtohet, do të jetë rezultat i procedurës ligjore. Do të ndërtojmë teatër të ri, sepse teatri për të cilin flasim është në kushte skandaloze”, tha ministrja Kumbaro.

Po ashtu ajo iu referua dhe një studimi të Institutit të Ndërtimit ku thuhej se godina e teatrit nuk plotëson asnjë kusht bashkëkohor. Ndërkohë, dorëheqjen e ministres Kumbaro e kërkoi dhe deputeti i PD Luçiano Boçi, i cili i tha se teatri po prishet për një arsye qesharake, për faktin se nuk është “monument kulture”.

“Ministria e Kulturës është institucioni që ndjek procedurat. Duhet patjetër iniciativa juaj për të ndërhyrë. Unë kërkoj dorëheqjen tuaj. Një qeverisje duhet të realizojë objektivat e saj duke respektuar ligjin. Ose jepni urdhër të ndalohen menjëherë punimet, ose largohuni. Ju po prishni teatrin për të rregulluar termin, meqë thoni se nuk përkon termi ‘monument kulture’. Si u falsifikua planimetria? A do e dërgoni çështjen në Prokurori?Ju gënjeni”, tha Boçi.

Në përplasjen me ministren e Kulturës kryetarja e Komisionit i përmendi Kumbaros dhe reagimet e specialistëve të ndryshëm në mbrojtje të teatrit, qëndrimin e Shoqatës së Arkitektëve të Shqipërisë apo dhe Forumin për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore. Por për këtë të fundit ministrja tha se nuk e njihte, nuk i dinte ekspertët. “Kush Forumi? Nuk i njoh ekspertët”, tha Kumbaro.

Por në vitin 2015 ishte po vetë Kumbaro që falenderonte Forumin për Mbrojtjen e Trashëgimisë në hapje të Konferencës “50 vjet studim dhe restaurim i trashëgimisë kulturore shqiptare”.

“Dua të veçoj Cultural Heritage Without Border, për punën, pasionin dhe bashkëpunimin që kemi pasur dhe për të cilin angazhohem se do e vijojmë po aq të suksesshëm sa deri tani. Forumin për mbrojtjen e trashëgimisë, Shoqatën e arkitektëve , etj”, pohonte Kumbaro në tetor të 2015. Akuzat e deputetëve Në vijim të debateve në komision, kryetarja e komisionit e akuzoi Kumbaron se po shkatërron vlerat e trashëgimisë.

“Si mundet ju të mbroni ligjin e trashëgimisë kulturore kur ju po shkatërroni vlerat e trashëgimisë qëllimshëm. Raportoni këtu për atë që po bëni apo doni të bëni për shkatërrimin e teatrit”, tha Vokshi.

E pyetur disa herë nga kryetarja e Komisionit, nëse godina e Teatrit Kombëtar do të shembet për t’i lënë vendin projektit të ri me kullë të prezantuar nga kryeministri, Kumbaro tha se bëhet fjalë për një projekt-koncept, i cili është ende në fazën e shqyrtimit.

“Kompania private ka propozuar një projekt, një koncept dhe këtë koncept jemi duke e shqyrtuar. Jemi pikërisht në këtë fazë”, tha Kumbaro. Ndërkohë që kryetarja Vokshi iu drejtua ministres Kumbaro me fjalët se Studimi i Universitetit të Barit që ishte prezantuar më herët nuk thoshte në asnjë fjalë që teatri të shembej, përkundrazi duhej ndërhyrë. Qëndrimi i ministres ishte i ndryshëm nga ai i kryeministrit. “Teatri do shembet, sepse është jashtë çdo lloj standardi”, u shpreh kryeministri Rama më 12 mars.

“Kë të besoj unë, Kryeministri tha do shembet, ti thuaj jo. O ai është i çmendur, o ti je e çmendur”, tha Vokshi, shkruan SotNews.

E ndjerë e fyer, Kumbaro braktisi komisionin pas 5 orë debate. “Unë e ndërpres këtu!” pohoi ministrja. Pas ikjes së Kumbaros, Komisioni vendosi që çështja e Teatrit Kombëtar të mos mbyllet këtu, por që ministrja e Kulturës të thirret në një tjetër seancë dëgjimore./ KultPlus.com

Dua Lipa flet për ngacmimet seksuale, seksizmin dhe fushatën #MeToo

Këngëtarja me prejardhe nga Kosova, Dua Lipa është përzgjedhur të jetë personazhi kryesor në edicionin më të ri të revistës së njohur ndërkombëtare “GQ”, për të cilën ka dhënë një intervistë, ku ka folur rreth ngacmimieve seksuale, seksizmit dhe fushatën #MeToo.

Fituesja e çmimit “Best Female” në Brit Awards 2018, Dua Lipa ka folur edhe rreth persionit të të qenit grua në muzikë, dhe poashtu ka realizuar një fotosesion për “GQ”, ku është paraqitur mjaft e veçantë, shkruan Radio Plus.

“Për një artiste femër, duhet punë shumë më tepër për t’u marrë seriozisht. Për një artist mashkull, njerëzit menjëherë supozojnë se ata vet e shkruajnë tekstin dhe e bëjnë muzikën e tyre, por për gratë, të gjithë supozojnë se e gjithë muzika e tyre është e prodhuar nga dikush tjetër”, ka thënë kështu Dua Lipa, duke folur për seksizmin.

Dua, gjithashtu foli për rëndësinë e lëvizjes #MeToo, një hashtag i përdorur në mediat sociale, për të inkurajuar paraqitjen e ngacmimeve dhe seksuale, veçanërisht në vendin e punës.

“Unë jam me fat që edhe nuk kam pasur ndonjë ngacmim seksual në asnjë mënyrë. Por unë mendoj fushata #Me Too është është shumë e rëndësishme.

Shumica e artisteve femra qoftë aktore, këngëtare apo modele, nuk mund të vishen si të duan dhe të merren seriozisht, për shkak se paragjykohen prej fustanit me të cilin janë paraqitur.

Këngëtarja vetëm 22 vjeçare, Dua Lipa në këtë intervistë për revistën “GQ” ka folur edhe rreth albumit të saj të ardhshëm që do të jetë i dyti në karrierën e saj.

“Do të jetë një pop album, me të cilin ju mund të vallëzoni, por edhe mund të qani, pasi shumë këngë të albumit flasin për pikëllimin”, ka thënë Dua.

Edicioni i ri i revistës “GQ” në kopertinën e së cilës është Dua, del në shitje më 5 prill./ KultPlus.com

“Mbreti gjumash” i dramaturgut Jeton Neziraj, premierë në Kumanovë

Teksti i dramaturgut të njohur kosovar Jeton Neziraj “Mbreti gjumash”, shfaqet në Teatrin e Kumanovës, me regji të Ibër Dearit.

Kjo shfaqje për fëmijë, që premierën do ta ketë më 4 prill, sjellë në skenë aktorët: Sefedin Shabani, Mirsad Abazi, Ardian Kadriu, Bjondina Sherifi dhe Arta Xhemaili.

“Mbreti gjumash” shfaqet më 4 prill, e mërkurë, në Teatrin e Kumanovës në ora 18:00 (mund ta shohin të gjithë) kurse repriza do të jetë të nesërmen, më 5 prill në dy orare: ora 10:30 dhe ora 12:00 (vetëm për nxënësit e shkollave të Kumanovës)./ KultPlus.com

Bebe Rexha thyen rekord, arrin vendin e dytë në Billboard

Këngëtarja me origjinë shqiptare Bebe Rexha po arrin suksese të jashtëzakonshme në tregun muzikor ndërkombëtar.

Ylli i muzikës sapo ka thyer rekord, duke u renditur në vendin e dytë të “Billboard Charts” për herë të parë.

Ajo është këngëtarja e parë shqiptare që ka arritur këtë sukses. Me këngën “Meant to be”, në bashkëpunim me Florida Georgia Line, Bebe ka lënë pas shumë emra të njohur të muzikës ndërkombëtare si Bruno Mars, Ed Sheeran, ndërsa vendin e parë e kryeson prej disa javësh Drake me “God’s plan”./ KultPlus.com

Dua Lipa në ballinën e British GQ: S’mund të gabojnë 1 miliard njerëz

Numri i ardhshëm i revistës britanike British GQ do ta ketë në ballinë këngëtaren shqiptare Dua Lipa.

Ylli i hitit “New Rules” që ka marrë mbi 1 miliard klikime në YouTube ka bërë edhe një intervistë ekskluzive për këtë revistë, për të cilën thotë se, “1 miliard njerëz nuk mund të gabojnë”, transmeton Koha.net.

Ky numër me Dua Lipën në ballinën e GQ do të publikohet më 5 prill. Në një postim në Facebook këngëtarja me famë botërore ka falënderuar ekipin e kësaj reviste për mbështetjen që i ka dhënë që nga dita e parë./KultPlus.com

Shfaqja ‘Bordel Balkan’ nga Kosova, pjesë e Festivalit MESS në Sarajevë

Shfaqja “Bordel Balkan” nga Kosova do të jetë pjesë e Festivalit të njohur në Sarajevë – MESS.

Shfaqja me regji nga Andras Urban do të jetë pjesë e edicionit të MESS që mbahet nga 29 shtatori deri me 6 tetor të këtij viti.

“Bordel Balkan” prekë temën e luftës dhe pasluftës në Kosovë, ndërsa në natën e premierës në Prishtinë, në prillin e vitit të kaluar, edhe pse u lajmëruan kërcënime të ndryshme, shfaqja erdhi fuqishëm dhe pa ndonjë incident.

Autor i shfaqjes është Jeton Neziraj, ndërsa në të luajnë Astrit Kabashi, Adrian Morina, May-Linda Kosumovic, Shengyl Ismajli, Ylber Bardhi, Arta Selimi e aktorë tjerë.

Shfaqja do të jetë një prej 16 projekteve teatrore që do të shfaqen në Sarajevë në kuadër të MESS – Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Sarajevë.

Shfaqjet tjera të festivalit vijnë nga Italia, Holanda, Belgjika, Irani, Serbia, Polonia, Kameruni, Sllovenia e shtete tjera. / KultPlus.com