Ministrja Dumoshi takoi ambasadorin e Turqisë, Çağrı Sakar

Ministra e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka pritur sot në takim delegacionin e Ambasadës së Republikës së Turqisë në Republikën e Kosovës, të kryesuar nga ambasadori i Turqisë në Kosovë, Çağrı Sagar, me të cilët ministrja bisedoi për vazhdimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Ministrja Dumoshi ka vlerësuar kontributin e shtetit të Turqisë që e ka dhënë për Kosovën, me theks në fushat që mbulon MKRS-ja, sidomos në fushën e trashëgimisë kulturore.

Ministrja përmes ambasadorit Sakar e falënderoi qeverinë dhe popullin turk për përkrahjen dhe ndihmën që kanë dhënë dhe që japin për shtetin e Kosovës.

Ministrja Dumoshi shprehu gatishmërinë për thellim të bashkëpunimit edhe mes MKRS-së dhe ambasadës turke për të realizuar projekte të përbashkëta konkrete.

Ndërkaq, ambasadori turk Sakar, e uroi ministren Dumoshi për detyrën e re dhe e premtoi se bashkëpunimi dhe përkrahja ndaj MKRS-së do të vazhdojë. Mysafirët e informuan ministren për projektet që janë realizuar deri më tani nga qeveria turke në Kosovë.

Ambasadori theksoi se Turqia e Kosova do të vazhdojnë të jenë përkrah njëra-tjetrës edhe në të ardhmen dhe rikonfirmoi se mbështetja e Ambasadës në projekte të ndryshme do të vazhdojë dhe bashkëpunimi do të thellohet edhe më tej. / KultPlus.com

“Unë jam ajo që nuk heqë dorë nga një qëllim i caktuar, deri sa të marr atë që kërkoj”



Unë jam ajo,

Ajo që shpesh i jap një të shtyrë derës edhe kur tek ajo shkruhet “Tërhiqe”.
Ajo që qesh me të madhe kur mundohem të shpjegoj se pse po qesh.
Ajo që kur hy në dhomë, ndonjëherë harroj pse hyra.
Ajo që mund të llogarisë detyra me integrale sipërfaqësore apo të shkruaj kod programimi, por që ndonjëherë 7 plus 8 i mbledh me gishta.
Ajo që në vrullin e mëngjesit, teksa fus ushqimin në mikrovalë, mundohem të bëj ndonjë pastrim para se të shkoj në punë.
Ajo që fsheh dhimbjen nga ato që do, dhe e mbush boshllëkun me të qeshura.
Ajo që shpesh nuk shpreh atë që ndjen, por që pajtohem me fatin gjithsesi.
Ajo që nuk heqë dorë nga një qëllim i caktuar, deri sa të marrë atë që kërkon.
Ajo që është kujdesur për ata që nuk ja kanë vlejtur, por që ka gjet kurajën t’i largojë nga jeta pa u dridh qerpiku.
Ajo që mund të dëgjoj dikë tek flet për ndjenjat pa e ndërprerë, por që s’mund t’i flasë askujt se si ndihet vet AJO.

Ajo nuk ishte e as s’është perfekte, por AJO tashmë e di vlerën e saj.

AJO ndoshta je dhe ti! / KultPlus.com

Teknologjia holografike e rikthen Whitney Houstonin në skenë


Adhuruesit e këngëtares së ndjerë mund ta shohin atë duke performuar live në turneun “An Evening With Whitney: The Whitney Houston Hologram Tour”, e gjithë kjo falë teknologjisë së re holografike.

I krijuar nga “BASE Hologram” në bashkëpunim udhëheqësit e pasurisë së Whitney E. Houstonit, turneu do të zërë vend në 21 qytetet të Britanisë së Madhe dhe Evropës, duke filluar me koncertin e sotëm në Sheffield, transmeton Koha.net.

Sipas një deklarate zyrtare për media, fituesja e gjashtë shpërblimeve “Grammy” e cila vdiq në vitin 2012, do të performojë aranzhime të rimodeluara digjitale të këngëve të saj në hologram, e përcjellë live nga bendi muzikor, prapa-vokalistet dhe valltarët e aranzhuar nga koreografja Fatima Robinson.

“Bota e kishte vetëm një Whitney. Askush nuk mund ta posedojë një zë si të asaj. Muzika e divës Houston i ka prekur të gjitha gjeneratat, dhe ne do ta marrim pak nga kjo magji për ta shtuar në performancat tona live,” citohet të ketë thënë Robinson.

Edhe kryeshefi ekzekutiv i kompanisë “BASE”, Brian Becker, ka deklaruar se qëllimi i këtij turneu është që ta sigurojë një eksperiencë të re teatrale dhe ta sjellë këtë magji në skenë.

Turneu “An Evening With Whitney” do t’i përfshijë të gjitha hitet ikonike të këngëtares si: “I Will Always Love You”, “I Wanna Dance with Somebody (Who Loves Me)”, “The Greatest Love of All” dhe “Higher Love”. Në koncerte po ashtu do të interpretohen këngë të cilat fansat mund të mos i kenë dëgjuar më parë.

Whitney Houston u mbyt në vaskë në dhomën e saj të hotelit në “Beverly Hills”, më 11 shkurt të vitit 2012. Ajo ishte vetëm 48-vjeçare. Autoritetet e kishin deklaruar abuzimin me kokainë dhe sëmundjen e zemrës, si shkaktarët kryesorë të vdekjes së ikonës muzikore. / KultPlus.com

Maskat e Shqipërisë që udhëtojnë nëpër botë

Në një studio të qetë në Shqipërinë Veriore, artistët në mënyrë delikate pikturojnë, prarojnë e stolisin dhjetëra mijëra maska veneciane që gazmojnë përreth botës. Ato tashmë kanë nisur të vishen për stinën e karnavalit.

Rreth 50 veta nga stafi punojnë njërën nga copëzat në fabrikën pranë Liqenit të Shkodrës, e cila eksporton çdo vit deri në 30 mijë maska gjithandej rruzullit.

“Në fillim secila (maskë) është mister, duhet të jesh e duruar për ta bërë atë, por mezi pret të shohësh prodhimin përfundimtar”, ka shpjeguar Nora Gjonaj, artiste 41 vjeçe që ka punuar në Fabrikën e Maskave Veneciane për dy dekada.

Maskat vargëzohen nga mbulesat e thjeshta për sytë deri te copëzat e gjata e me zbukurime për kokën, që kushtojnë nga 20 deri në 1500 euro.

Derisa shumica e maskave janë të përcaktuara për tregun venecian – karnavali i të cilit sivjet është anuluar papritur për shkak të shpërthimit të koronavirusit – të tjerat janë nisur në 40 vende të tjera, përfshirë Francën, Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar dhe Australinë.

Kompania merr porosi gjatë vitit edhe nga ata që marrin pjesë në ballo maskaradash, ashtu sikundër edhe prej regjisorëve dhe producentëve të teatrove që kërkojnë kostume.

Nicole Kidman dhe Tom Cruise, fjala vjen, kanë mbajtur dy maska të studios në filmin e vitit 1999 të Stanley Kubrickut “Eyes Wide Shut”.

Studioja është themeluar më 1997 nga Edmond Angoni, një shqiptar 64-vjeçar që ka punuar në Itali para se të kthehej në atdhe për të hapur dyqanin e vet.

“Secila maskë ka bukurinë, magjinë dhe misterin e vet”, ka thënë ai për AFP-në.

Artistët fillojnë të ndërtojnë një matricë argjile të cilën e mbushin me llaç sa për të krijuar bazën e maskës. Kjo copëz më pas zbutet me letra. Pasojnë një varg hapash të tjerë të përpiktë, për të cilët Angoni thotë se i ndajnë copëzat nga pjesët e tjera.

“Ne i kushtojmë rëndësi anës artistike të maskës, duke i trajtuar ato me afsh e dashuri posi vepra arti”, ka thënë ai.

Vendi i ekspozimit të maskave po bëhet një atraksion në vete për turistët që mund të lexojnë e qëmtojnë paraqitjen e fytyrave, përfshirë maskat luksoze me gjethe argjendi e ari, pendla, diamante dhe perla.

Vizitorët e interesuar mund të blejnë maska apo thjesht të veshin njërën nga to për një hyrje që kushton tri euro/ AFP / KultPlus.com

Policia konfirmon se është intervistuar 13-vjeçari që xhiroi mësuesin tek rrihte një nxënës në Drenas

Policia e Kosovës e ka konfirmuar intervistimin e 13 vjeçarit në Drenas, i cili dyshohej se e ka xhiruar mësuesin tek e rrihte një nxënës në klasë.

Megjithatë, PK-ja përmes këtij reagimi thotë se intervistimi i tij ka zgjatur më pak se 2 orë, meqenëse, në raport theksohet vetëm ora kur ai është futur në stacionin policor dhe dalja nga aty.

Policia thotë se intervistimi i tij ka ndodhur në orët e darkës, prej 17:38 deri 19:21, megjithatë familjarët të nxënësit kanë konfirmuar mbrëmë për Koha.net se ai është marrë prej shtëpisë shumë orë më herët për intervistim.

“PK-ja sqaron me sa vijon: referuar raporteve zyrtare, me 24.02.2020, policia pasi ka pranuar informatën për një rast, ku një mësimdhënës rrah një nxënës në një klasë mësimi, ka iniciuar rastin ‘sulm’. Policia ka intervistuar viktimën (nxënës) në prezencë të prindit dhe punëtorit të Qendrës për Punë Sociale dhe të dyshuarin (mësimdhënës). Vlen të ceket se as viktima, as i dyshuari nuk e kanë pranuar se ka ndodhur rasti. Policia për rastin dhe ecurinë ka njoftuar prokurorin. Prokurori ka autorizuar policinë që të vazhdojë ta hetojë rastin”, thuhet në reagimin e PK-së.

Intervistimi i nxënësit është bërë në orët e darkës, dhe vetëm një ditë pasi është publikuar videoja.

“Me 25.02.2020 policia në vazhdën e hetimit dhe kompletimit të rastit ka ftuar si dëshmitarë dy nxënës të klasës, ku dyshohet se është kryer vepra. Që të dy nxënësit kanë qenë të shoqëruar nga prindërit e tyre, ku për shkak të moshës së dëshmitarëve është ftuar edhe punëtori nga QPS-ja. Po ashtu është thirrur edhe viktima i cili ka qenë i shoqëruar nga prindi”, thuhet në reagim.

Policia thotë se nga njëri dëshmitar ka marrë deklaratë, kurse dy të mitur (njëri në cilësi të viktimës, tjetri të dëshmitarit), nën moshën 14 vjeçare, janë dëgjuar nga punëtori i QPS-së dhe ai ka përpiluar procesverbal pas dëgjimit të tyre.

“Të gjitha veprimet janë ndërmarrë komform rregulloreve të trajtimit të rasteve kur kemi të bëjmë me të mitur, duke pasur parasysh në çdo moment sjellje miqësore ndaj të miturve, të cilët në këtë rast asnjëri nuk ka qenë në cilësi të të dyshuarit. Koha e qëndrimit në stacion policor ka qenë më pak se dy orë (hyrja në stacion policor 17:38h dhe dalja në orën 19:21h, bazuar në incizimet e kamerave), për arsye të procedurave të inkuadrimit edhe të punëtorit të QPS-së, por qëndrimi nuk ka zgjatur assesi katër orë siç pretendohet në shkrim”, thotë PK-ja.

PK-ja thotë se të gjitha veprimet janë ndërmarrë në koordinim me prokurorin.

“Pas, dëgjimit të dëshmitarëve dhe ridëgjimit të viktimës, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë”, përfundon reagimi.

Gili qysh në vitet e 80-ta kishte realizuar duet me një kinez (VIDEO)

Këngëtarja Gili është këngëtarja e parë shqiptare që ka bërë një duet me një të huaj.

Gili bashkë me grupin “Trio Rona” në vitin 1988 është paraqitur në festivalin “Akordet e Kosovës” me këngën “Djali nga Kina” e për të kënduar këtë këngë ajo kishte zgjedhur një këngëtar kinez, i cili asokohe ka studiuar gjuhën shqipe në Prishtinë.  

Çdo ditë me të jam në Prishtinë, por mendja tij është larg në Kinë, është një pjesë e refrenit të kësaj kënge që ishte shndërruar në një hit të madh për ato vite.

Kënga ishte kënduar në gjuhën shqipe dhe kineze, ndërsa ishte shpallur fituese e festivalit të vitit 1988./KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=lPuyGlGNqAM

Kosova po bëhet me film të gjatë të animuar, “Zhak” në fazën e fundit të xhirimeve

Jeta Zymberi

I nisur në shkurt të vitit 2016, filmi i parë shqiptar i animuar i metrazhit të gjatë “Zhak”, pas katër viteve punë intensive ka arritur deri te xhirimet përfundimtare.

Duke pas parasysh që një film i animuar i metrazhit të gjatë po xhirohet për herë të parë në Kosovë edhe vështirësitë nuk janë të pakta, vitet 2016-2017 kanë qenë më shumë testime të teknologjisë.

I bazuar në përrallat shqiptare popullore, filmi tash ka ardhur në pikën përfundimtare dhe ka nisë xhirimet të cilat pritet të zgjasin rreth 6 muaj.

Themeluesit e neoFILMS, njëherit skenaristë dhe regjisorë të filmit “Zhak”, Ilirjana Bejta dhe Dalip Gashi pas një pune plotë përkushtim, janë të bindur që filmi do të realizohet në mënyrën më të mirë të mundshme.

Xhirimet e filmit kanë filluar para dy dite, por sipas regjisores Bejta, puna po ecën mirë dhe duke i pas parasysh rrethanat dhe problemet e mundshme teknike ajo beson se këto xhirime do zgjasin rreth 6 muaj.

“Ky tip filmi kërkon angazhim pothuajse tre herë më shumë se sa një film jo animacion dhe kërkon më shumë se tre herë teknologji dhe përsëritje të proceseve të njëjta, ku dallon vetëm fokusi, si rezultat ka qenë jashtëzakonisht e vështirë, por, sipas nesh, është i vetmi version përmes së cilit mund të konkurrojmë me kualitetin që aktualisht është prezent në botë, në veçanti në US”, ka thënë regjisorja, duke treguar tutje se problem tjetër është kualiteti i fotografisë 4K dhe mbështetja e teknologjisë Real D 3D dhe IMAX, që gjithashtu kërkohet Sound Effects me kualitet 5.1 Dolby Digital, proces i cili nuk mund të realizohet në asnjë vend të rajonit, prandaj paraqet problem dhe gjithsesi duhet të realizohet jashtë shtetit. Sa i përket muzikës dhe sound effects ajo pohon se tashmë janë në diskutime me disa kompani të ndryshme në LA.

Ky projekt është i gjerë dhe ka rreth 120 personazhe, 80 prej tyre kërkojnë aktor dhe aktore specifikisht të dedikuar për rolet në fjalë, por në përgjithësi kërkon rreth 250 pjesëmarrës, ushtarë dhe statistë të ndryshëm.

“Pjesëmarrja e aktorëve është e rregulluar në atë mënyrë që përgjatë procesit të animacionit angazhohen sipas nevojës. Momentalisht i angazhuar në rolin e Zhakut është Dukagjin Podrimaj, në rolin e ‘Babait të Verbër’ është i angazhuar Shaqir Bejta dhe në rolin e ‘Motrës së Zhakut’ është e angazhuar Vjosë Tasholli.

Duhet ta kemi parasysh që të njëjtin rol mund dhe do ta ndajnë disa aktor, roli ndahet në tri pjesë; lëvizjet e trupit, lëvizjet e fytyrës dhe zëri (Voice Over).”

Për ‘Voice Over’ (zërin) produksioni po bën përpjekje që të angazhojmë edhe aktor të njohur Hollywoodian anëtarë të Motion Pictures Association, disa prej tyre tashmë edhe i kanë kontaktuar.

Ashtu si në secilën fushë kur diçka realizohet për herë të parë në një vend, respektivisht në Kosovë, ku përkrahja për këtë tip filmi mungon. Duke pas parasysh këtë fakt, filmi i animuar në Kosovë ka vështirësi të dyfishta.

“Problemi elementar është mungesa e informacionit praktik, mungesa e përvojës, prandaj gjithçka deri më tash na ka marr kohë dy herë më shumë se që duhet, sepse secilin problem praktik, kryesisht teknologjik, është dashtë ta zgjidhim me forcat tona”, ka treguar Ilirjana rreth vështirësive.

Pjesa teknike është elementi i parë që duhet krijuar kushtet e përshtatshme për të nisur xhirimet, por neoFILMS kanë arritur të kompletojnë një ekip mjaft të mirë.

“Duke e pas parasysh që jemi kompania e vetme në Kosovë e këtij lloji (full SGI VFX) ka qenë e vështirë të krijohet ekipa adekuate, por sot kemi një ekipë prej rreth 25 vetash shumë profesionist dhe pothuajse secili nga ta është generalist, veçanti e rrallë në këtë fushë. Kemi organizuar trajnime të ndryshme, kryesisht online dhe sot dy nga ekipa jonë janë të licencuar nga Autodesk Maya; Valon Iseni dhe Diar Pepiqi, gjithashtu brenda vitit presim që së paku edhe pesë të tjerë të licencohen. Licencimi nga kjo kompani gjigande dëshmon që realisht edhe ne mund të jemi konkurrent për botën sa i përket realizimit dhe kualitetit në fushën e 3D dhe animacionit. Është shumë e rëndësishme të përmendet gatishmëria e të rinjve tanë dhe potenciali i jashtëzakonshëm që po tregojnë në këtë fushë.”

Filmi është në gjuhën angleze dhe është duke u punuar për tregun amerikan, por filmi pritet të jetë shumë i suksesshëm edhe në Kosovë.

“Filmi “Zhak” do të shpërndahet në gjithë botën dhe kemi besim se po të njëjtin sukses do ta ketë edhe në Kosovë, duke pasur parasysh që gjithçka është produkt 100% i Kosovës.”

Filmi ka një buxhet të madh prej afër 4 milionë euro, por kjo shumë sipas regjisores nuk është e mjaftueshme.

“Në fakt buxheti prej 4 milion eurosh është buxhet tepër i ulët për natyrën e filmit “Zhak”, nëse ky film me të njëjtin kualitet do të prodhohej në USA, buxheti i nevojshëm për të do të duhej të ishte së paku rreth 90 milion euro. Deri këtu i gjithë investimi ka qenë me baza vullnetare dhe të gjithë investitorët janë të publikuar në IMDb. Aktualisht jemi në diskutime me investitor vendor dhe të  jashtëm në mënyrë që investimin prej 4 milionësh ta bëjmë së paku 10 milion.”

Për kohës se kur pritet premiera, regjisorja Bejta ende nuk mund të japë një kohë të caktuar, por megjithatë dihet që premiera do të jepet në Los Angeles.

“Duke e pas parasysh natyrën e filmit dhe kërkesën e jashtëzakonshme teknologjike dhe për shkak të problemeve eventuale teknike, është herët të përcaktohet premiera. Ndërsa premiera do të bëhet në Los Angeles dhe me disa nga distribueret që kemi kontakt kanë shpreh interes që të mos kufizohemi me vetëm një premierë. Përveç në US, projekti do të dal njëkohësisht nëpër të gjitha kinematë botërore.”

Filmi “Zhak” është duke u punuar me kujdes të veçantë dhe pretendimet nuk janë vetëm komerciale, por edhe artistike.

“Vet fakti që do shpërndahet në US dhe do të ketë të angazhuar dy ose më shumë anëtarë të Motion Pictures Association e bënë kandidat potencial për pjesëmarrje në “Oscars”. Gjithashtu natyra e filmit “Zhak” është natyrë që përfshinë shikueshmëri nga grupmosha të ndryshme dhe nga shpërndarja botërore padyshim që presim edhe përfitime”.

Krejt për fund ajo nuk harroi të falënderoj ekipin e filmit pa të cilët realizimi do të ishte i pamundur: Valon Iseni, Jeton Dajakaj, Valmir Gashi, Diar Pepiqi, Dardan Ejupi, Yll Sulejmani, Bekir Avdiu, Denis Deliu, Viktor Gashi, Dardan Rexha, Elvi Krasniqi, Vissar Rexha, Gramoz Hoxha, Endrit Gjini, Flamur Gashi, Korab Cena, Endrit Vitija, Sadik Sejdiu. / KultPlus.com

Ja se ç’më tha një grua

Poezi nga Viktor Hygo

Përktheu: Sotir Caci

Ja se ç’më tha një grua: – Ia mbatha në një qoshe.
Kisha vajzën në gji. E mjera vogëloshe
Qante, dhe kisha frikë mos dëgjohej ai zë.

Dy muaj s’i kish mbushur, nuk dinte ajo asgjë.
Si mizë, shpirt’ i mamit, aq mundej të vajtojë.
Me të puthura plasa t’ia mbyllja atë gojë.
Atë natë të zezë e shkuam kësisoj.

Prapa një porte mbudhë u fsheha të pushoj.
Ajo ckinjej pa reshtur: bobo! se ç’po më vdisë!
Donte të pinte, murga, po unë s’kisha sisë,
Shihja pushkët që ndrinin dhe lotët gërr! rrëke,
Po kërkonin tim shoq që ta vrisnin atje.

Kur, sa filloi të gdhihej, nën portën e tmeruar,
Çupa s’u ndie më. E zeza! kish mbaruar!
I vura dorën: ish e ftohtë, zotëri.
Tani le të më vrisnin, aq më bënte tani.

Me çupëzën në dorë, dolla: isha marrosur;
Dikush desh të më fliste, un’ ikja e brengosur,
Po rendja si e marrë as unë s’di se ku,
Me këto duar hapa një gropë, – ububu!

Atje rrëzë një peme te një vënd i vetmuar,
Dhe ëngjëllushkën time atyth e kam mbuluar.
Sa keq ta shtiesh në dhé loçkën e zëmrës, zot!

Edhe babaj, që ndodhej aty, qante me lot.

Pluton Vasi shpallet regjisori më i mirë në “London International Film Fest”

Regjisori shqiptar fitoi me filmin “Ndërkombëtarët” që bazohet në romanin e Ylljet Aliçkaj.

Pluton Vasi: Nuk e prisja çmimin. Më befasoi! Me producente Vjollca Dedein, ky film ishte nominuar në tri kategori kryesore: “Skenari më i mirë”, “Regjia më e mirë” dhe “Filmi më i mirë në gjuhë të huaj.

T’i japësh një filmi gjuhën artistike, duke e bërë të flasë me metafora dhe simbole të prekshme nga të gjithë popujt e botës, do të ishte një nga arritjet më të mëdha të filmit shqiptar.

Dhe kjo ka ndodhur pak ditë më parë, më 15 shkurt.

Pluton Vasi u shpall si fitues i çmimit ‘Regjisori më i mirë’ me filmin artistik “Ndërkombëtarët” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Londër (London International Film Fest”)

Filmi “Ndërkombëtarët” u ngrit mbi skenarin e romanit me të njëjtin titull të shkrimtarit të njohur Ylljet Aliçka.

Me producente Vjollca Dedein, ky film ishte nominuar në tri kategori kryesore: “Skenari më i mirë”, “Regjia më e mirë” dhe “Filmi më i mirë në gjuhë të huaj”. Këtë herë fitoi regjisori Pluton Vasi, i cili ka xhiruar filmin me një kast aktorësh të zgjedhur shqiptarë si Eni Shehu, Kastriot Çaushi, Hervin Çuli, Rovena Lule, Karafil Shena, Indri Shiroka, Alert Çeloaliaj, Alfred Trebicka, Lulzim Zeqja, Erjona Kakeli, Adele Gjoka, Mehdi Malkaj, Ardian Cerga, Albana Sancolli, Sara Kolami, etj.

Ndërkombëtarët është një film që flet simbolikisht me gjuhën e një vendi të vogël si Shqipëria për historinë e vendimmarrjeve të mëdha në jetë dhe ruajtjen e integritetit.

Natyrisht në një garë të madhe, ku merrnin pjesë regjisorë, producentë e aktorë nga të gjitha vendet e botës, fakti që një regjisor shqiptar nuk i shpëton syrit të një jurie prestigjioze, është një lajm i mirë edhe për revolucionin e kinemanë shqiptare.

I vlerësuar për mjeshtërinë e transfigurimit të narrativës së romanit “Ndërkombëtarët”, Pluton Vasi shpërblehet në këtë në kulm të ri për punën e tij krijuese, edhe pse nuk i kanë munguar vlerësimet nëpër festivalet ndërkombëtare. Regjisorin e njohur, trofeja e Londrës e ka befasuar. Nuk e priste. Kështu shprehet Pluton Vasi me  modestinë e tij të ngahershme, gjatë një interviste për Report TV.

“London International Film Fest” dhe për nga pjesëmarrja kishte një standard shumë të mirë. Patëm kontakte me profesionistë të kinemasë, por çmimi ishte një bombë që nuk e prisja, por ishte një vlerësim shumë i mirë.”, tha ndër të tjera Pluton Vasi, duke theksuar se jo vetëm regjia, por edhe tematika e filmit e mbështetur mbi romanin e Ylljet Aliçkaj, “Një rrëfenjë me ndërkombëtarët” është vlerësuar në festivalin e Londrës.

“Ne jemi përballuar që në kohën e diktaturës me letërsinë më të mirë të gjithë botës, kemi pasur fat që i kishim në bibliotekat tona. Ndaj historia e ndërkombëtarëve nuk është një histori e huaj për ne. Historia e ndërkombëtarëve është histori e gjithë botës. Nuk është vetëm një histori e jona. Mua më pëlqeu novela e Ylljet Aliçkaj, dhe e përshëndes. Kjo novelë dihet është vlerësuar në disa vende. Unë mora në telefon Ylljetin dhe i thashë për bashkëpunimin.”, tha regjisori Pluton Vasi, i cili më tej rrëfen sesi e ka “përkthyer” novelën në kuadër filmi.

“Kam fatin që unë bashkëpunoj me Vjollca Dedein. Unë nuk jam vetëm me Vjollcën, por në tavolinën tonë të rrumbullakët sigurisht kemi shumë për bashkëpunëtorë të tjerë. Pra regjia është një histori bashkëpunimi. Para së gjithash duhet të zgjedh bashkëpunëtorët që shihen sy më sy me njëri-tjetrin dhe pa dalë fjala të merren vesh me njëri-tjetrin. Pastaj problemet e tjera dalin hap pas hapi, por ajo që dua të theksoj është se këtu në Shqipëri ka një indiferentizëm për artin”, tha Vasi.

Për Pluton Vasin, kjo nuk është trofeja e parë në festivale ndërkombëtare, por shqetësimi më i madh i regjisorit është fakti që:

“Arti i serviloset politikës, ndërsa kur do të bësh art të pastër, kërkohen më shumë sakrifica”. 

Regjisori Vasi shprehet më tej se: “Sikurse me ndërkombëtarët, ne me Vjollcën kemi realizuar edhe filmin “Lojë botash” ku kemi bërë asociacion me ngjarjet e Kosovës, dhe ai dokumentar i jashtëzakonshëm është lënë në hije, sepse për probleme të mëdha të botës, nuk mund të dëgjohet një zë i vogël nga Shqipëria”, tha Vasi. Me tej ai flet për pjesëmarrjen dhe organizimin e festivalit.

“Ndaj e përshëndes festivalin. Nuk mendoj se do merrja çmimin deri në momentin e fundit. Më befasoi! … Janë ca detaje, ca shenja që nuk më konvergonin se ne nuk do të ishim në qendër. Ishte një garë shumë e rregullt. I falënderojë”, tha Pluton Vasi.I.K.//Shqiptarja.com / KultPlus.com

Kurti: Adem Demaçi ishte intelektuali dhe disidenti më emblematik i Evropës Lindore

Bujar Meholli

Ekspozita “Kujtesa e Kosovës: Portrete të Adem Demaçit në pikturë dhe fotografi” u hap sot në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës në bashkëpunim me Shoqatën e të Burgosurve Politikë të Kosovës e organizuan këtë ekspozitë në nder të 84-vjetorit të lindjes së veprimtarit Adem Demaçi.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ishte i pranishëm në hapjen e kësaj ekspozite dhe duke folur para publikut të shumtë që u mbledh për t’i parë këto portrete, lartësoi figurën e Demaçit si dhe potencoi se i falet atij për rrugëtimin politik.

“Kjo ekspozitë po hapet në nder të përvjetorit të Adem Demaçit, atij më të devotshmit, atdhetarit, liridashësit, intelektualit, patriotit me të cilin jemi të rrethuar në këtë ekspozitë me fotografitë dhe pikturat e tij”, tha ai.

“Baca Adem është një prej veprimtarëve më të mëdhenj që kemi pasur, ai jetën e tij e vendosi në shërbim të shqiptarëve dhe ishte gjithmonë i njëjtë në çdo situatë”.

“Kur nuk kishim shkolla shqiptare Adem Demaçi ishte mësuesi jonë, kur nuk kishim universitet ai ishte intelektuali jonë. Kur ishim të shpërndarë ai na bëri bashkë, e kur harronim ai na rikujtonte, andaj kjo ekspozitë vjen si freskim i kujtesës për të. Baca Adem i kushtoi gjithë jetën e tij idealit të kombit shqiptar, te ai e gjente të vërtetën”, potencoi Kurti.

“Adem Demaçi dinte që populli i shtypur ekziston për aq sa reziston, filloi si gazetar dhe intelektal dhe ai ishte disidenti më emblematik i Evropës Lindore”, potencoi Kurti.

Tutje, Kurti tha se në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do ta botojnë të plotë tërë krijimtarinë e Adem Demaçit.

Edhe Drejtori i rizgjedhur i Bibliotekës Kombëtare Fazli Gajraku u shpreh i lumtur me jetësimin e kësaj ekspozite.

“Është nder i veçantë për Bibliotekën e Kosovës, kjo ekspozitë ku paraqiten portrete dhe fotografitë e intelektualit dhe veprimtarit të shquar Adem Demaçit” tha Gajraku.

Interesimi për këtë ekspozitë ishte mjaft i madh. Adem Demaçi në vitin 2010 mori titullin “Hero i Kosovës” për kontributin e tij. /KultPlus.com

Zëvendësministri Beqiri merr zyrtarisht detyrën

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka pritur në takim zëvendësministrin e MKRS-së, Ismet Beqiri, i cili zyrtarisht edhe ka pranuar këtë detyrë.

Ministrja Dumoshi gjatë takimit e njoftoi zëvendësministrin Beqiri për punën dhe programin që do të realizojë ministria për këtë vit si dhe planet e MKRS-së që synohen për t’u arrirë gjatë këtij mandati qeverisës.

Dumoshi e Beqiri diskutuan për bashkërendimin dhe ndarjen e përgjegjësive që pritet t’i kenë në këtë bashkëpunim në kuadër të udhëheqjes së ministrisë.

Ministrja Dumoshi e informoi zëvendësministrin se përkundër sfidave që ka MKRS-ja në avancimin e fushave që mbulon, bashkërisht me një koordinim efikas do të përmbushen të gjitha objektivat, u shpreh mes tjerash ministrja Dumoshi.

Miratohet harta e ndarjes së vijës bregdetare, Klosi: Fieri, potenciale turistike të pashfrytëzuara ende

“Fieri i ka të gjitha shanset për të zhvilluar një ofertë turistike të mirë pasi ka arkeologji, plazh masiv dhe festa lokale”, deklaroi sot ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.

I pranishëm në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Fierit, ku u miratua harta e vijës bregdetare sipas plazheve në përputhje me një paketë turistike për zonën ku përfshihet turizmi arkeologjik, natyror dhe detar.

Klosi tha se “është e patolerueshme që Fieri të mos ketë agroturizëm të zhvilluar”. “Ka potenciale ende te pashfrytëzuara në turizëm. Këtë pasuri të madhe kombëtare duhet ta ruajmë në mënyrë patriotike dhe ta kthejmë në ekonomi për shoqërinë”, tha Klosi.

Më herët në mbledhjen e Komitetit të Turizmit për Rajonin e Fierit, Klosi kërkoi miratimin e hartës së plazheve, duke theksuar ndarjen 20 % publik dhe 80% privat, në mënyrë që të gjithë pushuesit të kenë mundësi të pushojnë në vijën bregdetare.

“Sipas VKM-së brenda muajit mars duhet të ketë përfunduar ndarja e vijës bregdetare të hapësirës për operatorët turistik. Tre janë kushtet që duhet të plotësojnë. Krijimi i kushteve të higjienës që ka të bëjë me krijimin e sigurisë në plazhe, vendosjen e rojeve bregdetare për të siguruar jetën e pushueseve, caktimin e  zonave të lundrimit të mjeteve të shpejtësisë”, tha Klosi.

Ai tha se “vija bregdetare i takon gjithë qytetarëve dhe të ardhurat e siguruara nga mbledhja e taksave do të investohen në turizëm dhe në mbajtjen pastër të ambientit”.

“Aq më tepër që Fieri ka dhe landfilldin e vetë”, theksoi Ministri Klosi. Ministri kërkoi ndërmarrjen e një aksioni në muajt shkurt-mars, në mënyrë që të jemi gati për çeljen e sezonit turistik në prill.

Një çështje tjetër është formalizimi i bizneseve në fushën e turizmit. Klosi tha se “për këtë arsye ka nisur procesi i certifikimit të kategorizimit”. “Deri në fund të muajit mars, të gjitha subjektet turistike duhet të kenë përfunduar aplikimin. Sipas ligjit të qeverisë Rama subjektet do të përfitojnë 6 për qind ulje të TVSH-së”, tha Klosi. /atsh / KultPlus.com


Syrgjyn-vdekur

Poezi nga Fan S. Noli

Nëno moj, mbaj zi për vllanë,
Me tre plumba na i ranë,
Na e vran’ e na e shanë,
Na i thanë trathëtor.

Se të deshte dhe s’të deshnin,
Se të qante kur të qeshnin,
Se të veshte kur të çveshnin,
Nëno moj, të ra dëshmor.

Nëno moj, vajto, merr malin,
Larot t’a përmbysnë djalin
Që me Ismail Qemalin
Ngriti flamur trimëror.

Nëno moj, m’a qaj në Vlorë
Ku të dha liri, kurorë,
Shpirt i bardhë si dëborë;
Ti s’i dhe as varr për hor.

Nëno moj, ç’është përpjekur
Gojë-mjalt’ e zëmër-hekur,
Syrgjyn-gjall’ e syrgjyn-vdekur,
Ky Vigan Liberator.

Gjithçka gati për edicionin e tretë të ‘Prishtina Jazz Week’

Prej 2 deri me 6 mars, ‘Prishtina Jazz Week 2020’ do t’i hapë dyert për 5 net me xhaz artistë nga e gjithë bota, përcjellë KultPlus.

Ndonëse ky dimër ka qenë më i ngrohtë se zakonisht, duket se java e parë e marsit do të jetë më e ngrohta ndonjëherë. Tashmë në edicionin e tretë, Prishtina Jazz Week 2020 e vazhdon traditën e organizimit të super koncerteve të zhanrit xhaz në Kino Armata me artistë të njohur të xhazit nga bota dhe vendi, me punëtori muzikore në Dit’ e Nat’ ku do të kenë qasje të gjithë ata që duan të marrin mësime nga xhaz maestrot mysafirë, dhe me jam sessions deri në orët e hershme të mëngjesit në Zanzi Jazz Bar.

Organizuar nga 2-6 mars në Kino Armata në Prishtinë, Prishtina Jazz Week 2020 fillon furishëm me xhaz vokalisten Nikoletta Szőke Quartet feat. Kristóf Bacsó nga Hungaria, për ta vazhduar natën e dytë me xhaz vokalisten, kompozitoren dhe aranzhuesen e jashtëzakonshme Elif Çağlar dhe bendin e saj nga Turqia, pasuar nga Marcos Varela Trio me 4 mars dhe Broken Circles ft. Joel Ross me 5 mars, dy xhaz formacione të njohura nga SHBA, dhe për ta përmbyllur festivalin me një ndër performansat e para të Prishtina Big Band, ansambli i sapo formuar i 17 artistëve vendor udhëhequr nga Armend Xhaferi.

Krahas xhaz koncerteve të jashtëzakonshme, Prishtina Jazz Week 2020 organizon edhe punëtoritë muzikore në Dit’ e Nat’ udhëhequr nga artistët pjesëmarrës dhe ku muzikantët e interesuar të të gjitha moshave, gjinive apo etniciteteve do ta gjejnë hapësirën e sigurt për t’u rritur, për të bashkëpunuar dhe për të përparuar në instrumentin e tyre.

Ndërsa jam session do të organizohen çdo natë pas koncerteve në Zanzi Jazz Bar.

“Aty do të zgjidhen të gjithë rrypat, do të thyhen të gjitha barrierat dhe do të hapet çdo cep i skenës për t’u shndërruar në ftesë të parezistueshme për të gjithë muzikantët prezentë, vendor dhe të huaj, ta lënë momentin ta marrë rrjedhën, dhe muzikën të rrjedhë nga të gjithë së bashku”, thuhet në komunikatë.

Ky pra është shpirti i Prishtina Jazz Week: të sjell muzikantë dhe njerëz të jashtëzakonshëm nga e gjithë bota në Prishtinë për ta inspiruar njëri tjetrin, të krijojë platforma për mësim, përparim dhe rritje muzikore, dhe të ndërtojë ura bashkëpunimi në mes të të gjithë artistëve prezent.

Prishtina Jazz Week 2020 line-up:

02/03/2020: Nikoletta Szöke feat. Kristóf Bacsó Quartet (Hungary)

03/03/2020: Elif Çaglar Quartet (Turkey)

04/03/2020: Marcos Varela Trio (USA)

05/03/2020: Broken Circles ft. Joel Ross (USA)

06/03/2020: Prishtina Big Band (Kosova)

Orari i punëtorive muzikore postohet në ditët në vijim në vegëzat e mëposhtme: FB: https://www.facebook.com/prishtinajazzweek Instagram: https://www.instagram.com/prishtinajazzweek/ Event: https://www.facebook.com/events/2494480840806975

Biletat për Prishtina Jazz Week 2020 mund t’i gjeni online në: https://www.rave-travel.com/, ose offline në lokacionet e mëposhtme:

– Prishtinë: Rave Travel, Soma , Dit’ e Nat’, Zanzi Jazz Club.

– Prizren: Vector Diamond

– Peja: Soho Bar

– Tirana: Destil Hostel Prishtina Jazz Week 2020 mbështetet nga: Ambasada e Hungarisë në Prishtinë, Ambasada e Turqisë në Prishtinë. / KultPlus.com

Kelly Clarkson sërish në rolin e prezantueses së “Billboard Music Awards”

Këngëtarja e njohur dhe shumë e talentuar është angazhuar ta prezantojë ceremoninë e famshme të ndarjes së shpërblimeve muzikore, për të tretin vit me radhë, kjo pasi duket që në vitet paraprake, ylli i hitit “Since U Been Gone” e ka bërë një punë të mrekullueshme si prezantuese.

Ceremonia e “Billboard Music Awards” mbahet më 29 prill, në arenën “MGM Grand Garden” në Las Vegas, transmeton Koha.net.

“Jam tejet e emocionuar që do të ribashkohem me familjen time në ‘Billboard’. Më pëlqen shumë të jem pjesë e një ngjarjeje e cila i feston artistët tanë më të mirë, dhe në të njëjtën kohë sjellë shumë argëtim për adhuruesit. Kjo do të jetë një natë për muzikën të cilën nuk duhet ta humbisni,” ka deklaruar Clarkson përmes një mesazhi të postuar në rrjetet sociale.

Në vitin 2019, këngëtarja 37-vjeçare e filloi ceremoninë me një kolazh muzikor të hiteve më të mëdha të atij viti. Ajo e mahniti publikun në sallë dhe atë që po e ndiqte nga shtëpia, me një performancë të këngëve të huaja të cilat i përvetësoi sikur të ishin të sajat.

Ylli i hitit “Behind These Hazel Eyes”, përveç si këngëtare ka filluar të njihet edhe si prezantuese televizive, pasi kohë më parë e lansoi emisionin “The Kelly Clarkson Show” ku realizon intervista të ndryshme me të ftuar të famshëm, por edhe njerëz të zakonshëm. Po ashtu, Clarksonin mund ta shohim edhe si anëtare të suksesshme të talent shout amerikan, “The Voice”. /KultPlus.com

Leksion gazetarie: Kur vdes për të vërtetën

Në vitin 68-të, kur në Milano, Torino dhe Romë shpërthyen demonstratat dhe revoltat studentore, Walter Tobagi kishte, tashmë, ndonjë vit universitar mbi shpatulla. Ai, si shumë studentë italian të asaj periudhe, ishte një student-punëtor. Ai ishte student-punëtor, sepse nuk shkruante vetëm për pasion, por edhe për të fituar të ardhura, që do të ishin të mjaftueshme për të përballuar sadopak shpenzimet e jetës studentore. Ai, në trazirat studentore nuk u përfshi drejtpërsëdrejti, por i ndoqi me vëmendje të gjitha ngjarjet, mbajti shënime, bëri komente, si dhe shkroi. Menjëherë, pas dy vitesh, publikoi librin me titull “Historia e lëvizjes studentore dhe e marksistëve-leninistëve në Itali”.

Walter Tobagi, biri një punonjësi të hekurudhës, ishte tetë vjeç, kur familja e tij vendosi të transferohej në qytetin e Milanos. Ata vendosën të transferohen në Milano për arsyet që lidheshin me punën e të atit. Tobagi kishte të gjitha cilësitë për të vazhduar studimet dhe për të shkëlqyer. Ai i vazhdoi studimet tek gjimnazi “Parini”, i cili, në atë kohë, edhe pse konsiderohej një institucion elitar i arsimit të mesëm, ishte i hapur për shtresa të ndryshme të shoqërisë.
Tobagi, edhe pse ishte në moshën e adoleshencës, për shkak të seriozitetit të tij, të sjelljes dhe të mënyrës së të menduarit, ngjasonte sikur të ishte shumë më i madh në moshë, sikur të ishte një person i pjekur që kishte shumë vite mbi shpatulla. Ai, ishte shumë i pasionuar për dijen dhe për profesionin e gazetarit, saqë gjithmonë nën duar mbante ndonjë letër gati për të shkruar, komentuar dhe shënuar çdo që e rrethonte, për të cilën ai kishte interes. Kudo që shkonte mbante në duar revista e gazeta, kishte një agjendë të madhe pune.

Tek gjimnazi “Parini”, publikohej një gazetë, e cila, le të themi, se hyn në historinë e kronikës italiane, sepse në një periudhë shumë të vështirë si ajo e atyre vite, botoi një hetim mbi të rinjtë dhe seksin. Këto tema, në vitet gjashtëdhjetë, jo vetëm në Itali, por edhe në shumë vende të tjera të Bashkimit Evropian, ishin një tabu e vërtetë që nuk guxonte t’i komentonte njeri. Tobagi filloi të shkruaj, kur ishte vetëm 16 vjeç. Një ndër artikujt e tij të parë është ai i publikuar në vitin 1964, i cili ishte një replikë në lidhje me atë që kishte shkruar një student tjetër në një numër më parë. Gjatë viteve të gjimnazit, Tobagi mendonte, tashmë, si një intelektual i vërtet. Notat e lartë në mësime do të tregonin edhe më vonë se ai ishte një studiues i madh.

Gjatë këtyre viteve nuk reshti së shkruari artikuj që ishin të natyrës investiguese, si dhe kronikat sportive. Në moshën 20-vjeç arriti të tregonte një talent të lindur për gazetarinë, ashtu siç mund të thuhet sot për një sportist në sportin e futbollit. Metoda e tij e të shkruarit, për kohën, përbënin një risi. Ai mbante një mal me shënime, bënte disa qindra telefonata kontrolli dhe verifikimi, konsultime ligjore me specialistët e ligjeve, konsultonte enciklopeditë. Kjo ishte metoda e tij e të shkruarit për një problem që përbënte aktualitet. Vetëm pasi të kishte bërë këto hapa paraprakë, vendoste të ulej para makinës së shkrimit për të shkruar perla të vërteta profesionale gazetareske. Ai, kur shkruante diçka të rëndësishme për fenomenet që i përkasin gjithë shoqërisë, nuk takonte vetëm parlamentarët e qeveritarët, por takonte edhe “invazorët”, profesionistët që çdo të ditë kërkonin të bënin revolucion. Pra, i dëgjonte të gjitha palët, të gjitha versionet.

Karakteri i tij ishte shumë energjik. Ai bënte një jetë shumë intensifikuese dhe të palodhshme në kërkim të lajmit dhe të informacionit. Kishte një pasion të veçantë edhe për çështjet historike. Argumentet historike, të cilat i studioi, i akumuloi për t’i publikuar më vonë një e nga një në formën e urtësive. Në fundin e viteve 60 dhe 70, kur edhe ai arriti kulmin e pjekurisë së tij profesionale, shoqëria italiane po kalonte momente shumë të vështira që lidheshin me terrorizmin. Kjo periudhë, ndryshe edhe për shkak të ngjarjeve që e shoqërojnë, njihet me emrin periudha e “Plumbit”. Tobagi, pikërisht në këtë periudhë të vështirë, ishte njeriu i kalimit nga e vjetra tek e reja: ishte një reformist në kuptimin e vërtetë të fjalës. I hapur për dialog, jo agresiv dhe gjithashtu i vendosur ndaj principeve.
Në vitin 1978, kur vodhën Moro-n (Kryeministrin e Italisë), Tobagi ishte këshilltar i Shoqatës së Gazetarëve të Lombardisë. Disa të përditshme italiane në lidhje me ngjarjen Moro dhe me situatë e përgjithshme të vështirë që po kalonte shoqëria italiane, vendosin të praktikojnë atë që ndryshe njihet si “black out” informativ. Tobagi, ishte kundër praktikimit të kësaj teorie, sepse sipas tij, Italia ishte një vend demokratik dhe për rrjedhojë nuk kishte vend për asnjë lloj forme censure. Ai ishte i mendimit, se censurat janë të pranishme dhe të zbatuara vetëm në regjimet autoritare.

Në lidhje me argumentin e censurës, Tobagi përpiqet të shpjegoj se çfarë është frika. Pasi, sipas tij, ajo është një formë auto-censure. Për Tobagi-n frika është: “Të ecësh rrugës dhe të shikosh me vëmendje çdo makinë që të kalon për rreth, të ngasësh makinën dhe të kesh frikë nga çdo motor që të afrohet. Unë kisha frikë jo nga vdekja, por për faktin se do të vdisja dhe nuk do të mund të shkruaja shumë gjera që kisha në mendje”. Megjithatë, ai vdiq të mërkurën e 28 majit, i eliminuar nga «Brigadat e kuqe»”.

Ai vdiq, sepse tha atë që nuk thuhej, por që duhet të thuhej. Bëri atë që nuk bëhej, por që duhet të bëhej. Tha atë që mendonte edhe pse mendimi i tij ishte i rrezikshëm për terroristët dhe në të njëjtën kohë i dobishëm për shoqërinë e civilizuar. Ai e mësoj të vërtetën dhe këtë vërtetë e përcolli me pasion, profesionalizëm edhe tek qytetarët e tjerë. Edhe përse vdiq në moshë të re, stili i tij gazetaresk ishte një model për t’u imituar edhe sot. Njerëz të tillë mbeten një frymëzim dhe një ideal edhe për shumë breza pas epokës së tij. Gazetarët më të mirë mbijetojnë, nëse arrijnë të prodhojnë gazetarinë më të mirë, që i shërben shoqërisë. Tobagi, ishte një i tillë, i përkushtuar për profesionin, i palodhur për të kërkuar dhe për ta thënë të vërtetën. Ai ishte një intelektual i madh që lexonte shumë për mbi të kaluarën, dëgjonte shumë në lidhje me të tashmen dhe shkruante vizione për të ardhmen.

Nga: Alban Daci /KultPlus.com

“Çdo moshë ka kënaqësitë dhe dhembjet e veta, dhe ne kemi nevojë për të dyja këto në jetë”

Nga Viktor Hygo

….Uroj që kur të jesh i ri, të mos rritesh shpejt. Dhe atëherë kur të jesh rritur, mos këmbëngul të jesh sërish i vogël. Dhe kur të plakesh, mos u dëshpëro. Sepse çdo moshë ka kënaqësitë dhe dhembjet e veta, dhe ne kemi nevojë për të dyja këto në jetë.

Gjithashtu, uroj të jesh i mërzitur, të paktën një ditë. Kështu në atë ditë do kuptosh se të qeshësh çdo ditë është mirë, të qeshësh shpesh është e mërzitshme dhe të qeshësh vazhdimisht është çmenduri.

Uroj që të zbulosh me shumë shpejtësi nga ajo që thashë më sipër, se në botë ka njerëz të palumtur, të depresionuar dhe të patrajtuar mirë.

Të uroj të përkëdhelësh një qen, të ushqesh një zog e të dëgjosh cicërimën e tij, që dëgjohet në mënyrë triumfuese çdo mëngjes. Sepse në këtë mënyrë, do ndihesh mirë, pa arsye.

Dhe pastaj, uroj të ujisësh një farë, sado e vogël qoftë ajo. Dhe të jesh dëshmitar i rritjes së saj, që të shohësh se sa jetë jeton një pemë.

Uroj që asnjë nga të dashurit e tu të mos vdesë. Por nëse disa prej tyre vdesin, uroj të qash pa pendesë dhe pa u ndjerë në faj për fjalët që kurrë nuk ua the apo gjërat që kurrë nuk i bëre për ta.

E, nëse je mashkull, të uroj një femër të mirë përkrah, e nëse je femër, të uroj një mashkull të mirë. Dhe ta doni njëri – tjetrin nesër, dhe ditën pas të nesërmes. Dhe kur të dy të jeni të lodhur e të buzëqeshur, uroj të keni sërish dashuri për t’ja nisur ditës tjetër nga e para…. /KultPlus.com

Sot është datëlindja e Adem Demaçit

Simboli i rezistencës kombëtare Adem Demaçi ka ndërruar jetë më 26 korrik të vitit të kaluar, ndërsa sot është përvjetori i lindjes së tij, shkruan KultPlus.

Me prejardhje nga fshati Lupq i Podujevës Demaçi, u lind më 26 shkurt 1936 në Prishtinë.

Adem Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me republikat e tjera të Jugosllavisë.

Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi u lirua ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik. Ai quhet edhe Nelson Mandela i Evropës.

Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga 1990 deri 1995.

Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov. Gjatë periudhës 1998/1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së. Ai ishte edhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007).

Sot, njerëzit e rezistencës kombëtare identifikohen me emrin e Adem Demaçit, sepse ai me punën e tij dhe me veprën e tij, u bë simbol i unifikimit për ruajtjen e kombin shqiptarë, mbi pesë dekada.

Adem Demaçi me jetën dhe veprën e tij, është një personalitet i përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë edhe historia jonë kombëtare.

Ai ka shkruar romanin “Gjarpijt e Gjakut” i cili u ndalua nga regjimi ish-komunist. Ai e pa dritën vetëm pas viteve nëntëdhjeta./ KultPlus.com

Orët e para të mësimit i kushtohen vetëdijesimit për Koronavirus

Sot në Kosovë, ora e parë e mësimit nëpër të gjitha shkollat i është kushtuar vetëdijesimit të nxënësve me masat e parandalimit të koronavirusit.

Kështu ka njoftuar dje, ministra e Arsimit, Hykmete Bajrami.

Ndërsa, me udhëzim të MASHT-it, shkollat janë pajisur me material higjienik.

Postimi i ministres:

Në bazë të rekomandimit të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKShP), Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë (MSh), kanë shpërndarë nëpër shkolla materiale vetëdijësuese rreth Coronavirusit.

MAShTI, po ashtu, përmes Drejtorive Komunale të Arsimit, ka kërkuar që në të gjitha shkollat në Kosovë ora e parë e mësimit të ndërrimit të pasdites sot (25.02.2020) dhe ora e parë e ndërrimit të paradites nesër (26.02.2020), t’i kushtohet rritjes së vetëdijësimit të nxënësve lidhur me masat parandaluese duke u bazuar në materialet dhe udhëzimet e pranuara nga Instituti Kombëtar për Shëndet Publik, të cilat janë shpërndarë nëpër shkolla.

Po ashtu, MAShTI i ka udhëzuar DKA-të që t’i pajis shkollat me material higjienik dhe të gjitha institucionet shkollore të bëjnë dezinfektimin e shtuar të të gjitha sipërfaqeve dhe nyjave sanitare. / KultPlus.com

“U ndamë në errësirë, atë natë kur binte shi, më puthe një herë, më the lamtumirë”

Para luftës së fundit në Kosovë kanë ekzistuar plot grupe të njohura në estradën shqipe të rock&rollit dhe zhanreve tjera.

Një nga grupet më të famshme ka qenë grupi TRIX si një ndër grupet e para të rock and rollit shqiptar që u formua në vitin 1974, vit ky në të cilin u formuan edhe disa rok grupe të tjera të njohura si Grupet MAK nga Mitrovica dhe TNT nga Mitrovica, grupi LUNIAZËT nga Prizreni, shkruan KultPlus.

Grupi Trix i cili u formua në pranverë të vitit 1974 në fillim përbëhej nga tre anëtarë: Veli Sahiti, Muhamet Bislimi, si dhe Nuredin Azemi. Po në këtë vit u bënë edhe ca ndryshime, në grup inkuadrohen edhe dy anëtarë, Hil Prenk Palaj (Daullist) si dhe Gjergj Prenk Palaj (Harmonike goje).

Sonte po ju risjellim një nga hitet më të mëdha të këtij grupi muzikor, bashkangjitur gjeni edhe tekstin e këngës. /KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=hVRoIHU2iFQ&feature=emb_title

Prenk Jakova, viktimë e “Revolucionit kultural”

Nga: Fritz Radovani

Kam lexue disa artikuj gjysmakë të shkruem nga muzikantë bashkohës të ma të madhit kompozitor të gjysës së dytë të shek.XX në Shqipni, të viktimës së “Revolucionit Kultural” të vitit 1967, Prenkë Jakova, mbas një viti që Ai vuni në skenë Operen “Skenderbeu” me tekst nga Llazar Siliqi, në Teatrin Operas në Tiranë, në vitin 1968.

Populli i Shkodres dhe mbarë Shqipnia krenohej me Prenkë Jakoven, por kur Ai në 500 vjetorin e vdekjes së Heroit tonë Kombtar Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, i pat dhurue Shqiptarëve një veper aq dinjitoze sa Opera per Até Hero, Ai u ba një mit i vertetë dhe i pakrahasueshem qyshë se ishte i gjallë e vazhdonte me ecë me çanten e vet të punës të mbushun me dru në kohë dimni per me shkue në dhomen e ftohët të Tijen, në katin e dytë të Shtëpisë së Kulturës, ku drita e asaj dhomë fikej e fundit… Një Burrë modest, trim dhe besimtarë katolik i vertetë, që porsa hapte sytë në mengjez mendonte kujt me i ba sot një të mirë… që per fat të keq asnjeni nga “ata” që ka zbritë nga makinat e rekrutimit kur do të niseshin me shkue me krye sherbimin ushtarak nuk e shkruejnë një rresht per Té! Nuk janë kenë aq pak sa mos me u perfillë fare një “nder” kaq i madh që u ka ba Prenka “atyne” kur dihen mirë edhe rrethanat se çka mund të sillnin ata vite! E pra, perveç vetë Prenkës, asnjeni nuk ishte i “pazevendsueshëm” në orkestren e atij institucioni…

Shkova në Tiranë me e pa Operen e “Skenderbeut” me daten …

E takova Prenkën para se me hy, i shterngova doren dhe i mora edhe autografin!

……

Ishte ditë e hane kur porsa bleva gazeten “Drita” në librari dhe lexova pak rreshta rrugës të një artikulli që shkruente kompozitori Çesk Zadeja per Operen “Skenderbeu”, pak i “habitun” kishe mërrijtë tek hymja para Kafes Madhe, ku një dorë Burri më kapi përkrahu… dhe gati si me më marrë zharg… më tha: “Lenè, se tash e lexon në shtëpi por eja të pijmë një kafe!” Ishte dora e Prenkë Jakovës… që më duket se më shterngon edhe sot! Hymë mbrendë, më prini nga krahu i djathtë tek tavolina e fundit. Ai u ulë me shpinë nga dera ndersa unë perballë Tij. Unë fillova me i tregue knaqsinë e madhe që kishe perjetue në Opera… Ai më nderpreu dhe më tregoi se “disa” kompozitorë kishin kerkue para shfaqjes shkurtimin e saj mbasi tri orë e 15 minuta asht e gjatë… dhe do të “merziten” shikuesit … Ky u ishte pergjegjë: “Çudi si mund të merziten Shqiptarët tue ndigjue tri orë e 15 minuta muzikë për Heroin tonë Kombtar, kur spanjolët rrinë mbi 8 orë tue ndigjue muzikë per një kurvë Karmen!…” Kujtoj si tash lotët që më shkonin nga të qeshunit…

Por Prenka, vazhdoi…“Ke ç’ndienë në ketë botë, dje nade u nisa nga Tirana me ardhë me tren për Shkoder, kur tek Pallati i Kulturës, ndigjova një za – Prenkë, Prenkë, kur ktheva kokën ishte Çesk Zadeja, i tregova se po shkoj për Shkoder, por mu vue me ndejë për drekë tek ai, pa i vue rendësi çka po hamë, por ma shumë për qejfë, mandej kah mbasdrekja nisu për Shkoder, më tha dhe unë u ktheva me ia plotsue dëshirën…

Shkueme tek shtëpia e tij, vuni pak djathë e salam në tavolinë, mbushëm nga një gotë raki dhe fillueme bisedën sigurisht rreth Operës “Skenderbeu”, e cila i kishte pelqye fort… më tregoi disa momente dhe arie që i kishin lanë mbresa, sigurisht tue më përgzue për të ardhmen… Vuni në zjarr një tenxhere dhe ziu makarona, bani një pastashutë dhe hangra edhe drekën me te. Mbasdreke më çoi deri tek treni e u nisa per Shkoder. Sa mërrijta tek dera dhe trokita më doli para Deda i topitun dhe më pyeti: Prenkë a e ke pa sot gazetën Drita, as unë si ti, nuk e kishe pa. Ma solli dhe më tha: Shife çka ka shkrue Çesk Zadeja për ty!… Besoje, mbasi kam lexue pak rreshta e kam ndërpre se mu përzine shkronjat e nuk mujshe me lexue ma, i thashë Dedës me vazhdue dhe e ka lexue ai deri në fund… Shife si e mbyllë artikullin nga fundi, se me e lexue krejtë don kohë se janë dy faqe gazete që ka shkrue keq e ma keq ku nuk shkon ma, aqsa më këshillon që autori i muzikës asht mirë me e marrë edhe njëherë në dorë operën dhe me e riparue. …Beso, nuk kam fjetë asnjë minut tue pi cigare e kafe gjithë natën pa mbyllë sy një minut… Jo, nga teksti i gazetës sa nga “dreka” dhe tradhëtia e tij…” .

Asht me të vërtetë një tragjedi me mendue sesi Çesk Zadeja, asht kenë edhe student në shkollën Françeskane të Shkodres, dhe bashkohës i të gjithë kompozitorve që kanë dalë nga bankat e At Martin Gjokës e mbas Tij At Filip Mazrrekut… Artikulli i Tij asht kenë një nga “zanët e mëshefta” të suflerit të Komitetit Qendror të PPSH… që nxjerrë në pah karakterin e tij tinzar, amoral, të pabesë dhe vrasës pikërisht, si miku i tij, shegert i të cilit ka vdekë tue i shërbye deri në ditën e fundit organit kriminal të Sigurimit të Shtetit dhe Ramiz Alisë, “hijes së zezë” të Enver Hoxhës, vetëm pse Prenkë Jakova nuk kompozoi një opera për Enver Hoxhën por, sakrifikoi edhe jetën e vet për të Madhin Gjergj Kastrioti Skenderbé! Data 22 Janar 1968, data e shfaqjes së Operes “Skenderbeu” asht data ma e keqe për fatin që e priste ma vonë kompozitorin Prenkë Jakova.

Me datën 16 Shtator 1969, shkova me pa tek dhoma e tij tue punue një shabllon Çesk Jakovën. Aty nga ora 10.30 p.dr. dola nga dhoma e tij dhe u ula poshtë tek zyrja e Pergjegjsës Sebiha Halili, ku lejohej me pi cigare. Posa ndeza cigarën ra telefoni. Çova receptorin dhe mora vesht se kërkonte Spitali Civil Çeskun, i thashë se po ta thrras. – Jo, më tha, thuej të vijnë në Spital se Prenka asht shumë randë. – Kush? – I thashë, unë, Prenka? – Po, më tha, po kur mori vesht se kush jam unë, më tha: “Mos i thuej gja Çeskut, por Prenka ka vdekë!”… U shtanga në vend!…. Shkova dhe njoftova Çeskun se të kërkon Spitali Civil, paska shkue Prenka aty se, nuk e ka ndie vedin mirë. Çesku iku me vrap në Spital… Mbas pak minutash u hap lajmi i vdekjes së Prenkës se, një puntor kishte ardhë nga Spitali e kishte tregue se “Prenka ka ra nga dritaria në Shtëpinë e Kulturës!..”.

Të nesërmen mbas dreke ishte funerali. Ishte gjetë nga shteti motivi i “vetvrasjës” me të cilin shteti justifikonte “mos pjesmarrjen e tij”. Çdo gja ishte private familjare! Por, edhe pse Prenka po “ridënohej” arkivoli doli nga shtëpia i mbajtun në dorë nga populli i pafarë. Në dritarën e shtëpisë Jak Benit karrshi rrugës Prenkës, dha gjamën e përcjelljes një za i dalun me forcë i Klotilde Shantojës, që shoqnohej nga motrat Gjonej, kushrina të sajat, vajzat e Ndrekë Gjonej. Na u drejtueme nga Serreqi dhe morëm këthesën nga rruga Ballabane, tue kalue para Katedralës së mbyllun që nga viti 1967. Ishte moment shumë prekës për né që njihnim Prenkën tue kalue para Asaj Kishë për të cilën, Prenka refuzoi edhe privilegjet e qeverisë së Tiranës, për mos me u largue nga tingujt e kumbonve të saj që i ushtonin mbi kokë të Tij përditë nga Ai kompanjel qind e sa vjeçar… Ashtu n’atë heshtje vazhdoi rrugën korteu me arkivol prap në dorë…

Kur kemi mërrijtë tek rruga e “Tre Herojve” kemi pasë drejtimin e arkivolit unë dhe ingj. Mark Shkreli. Aty na ka ndalue Angjelin Kumrija dhe na ka urdhnue me e kalue arkivolin në makinën e të vdekunve. Na kundërshtuem, por ai me ton na tha: “Kalonje këtu, se kështu asht urdhni!” edhe, na zbatuem “urdhnin”, tue e kalue arkivolin në makinë … (Ky moment asht fiksue nga fotografi Angjelin Nenshati në foto). Mërritëm në Rrëmaj. Aty kam “besue” se Prenka me të vërtetë kishte “vdekë”…ndoshta, “përgjithmonë”, se ashtu ishte “urdhni”!.. Prenkë Jakova po varrosej pa tingujt e bandës muzikore të qytetit të cilën e ka drejtue vetë.

Mbas funeralit jemi këthye rrugës me ZKE, të cilin e njihshe prej kohësh në Shtëpi të Kulturës. Kemi ecë nga Serreqi dhe jemi këthye nga Gjuhadoli e tek Dugajt’e Reja, në drejtim të Pjacës së Fushës së Çelës, dhe tek Biblioteka (Bashkia sot), jemi nda mbas një bisede shumë interesante, shumë sekrete dhe në besim të madh. Ai Burrë më tregoi si ka ndodhë njëditë ma përpara vdekja tragjike e Prenkë Jakovës, për të cilin ruente mbrenda zemrës së vet respektin, dashninë dhe dhimbjën ma të madhe.

Në ora 08.00 ky dhe drejtori Angjelin Kumrija kanë hapë Shtëpinë e Kuturës.

Aty nga ora 08.30’ kanë mërrijtë Prenkë Jakova dhe Ndoc Shllaku, dhe kanë hy në dhomën e Prenkës, nalt tek dera e parë djathtas. Porsa janë ngjite Ndoci asht ulë tek poltroni ngjitë me derën, ndërsa Prenka asht ulë tek pjanoforta. Ka shkue tek ata edhe drejtori Angjelini, e biseda asht ba me derë të hapun, ku tema ishte “martesa që ka ndër mend Prenka, por që nga këta dy konsiderohej e papërshtatëshme për një njeri si Prenka.

Prenka ka tregue vendimin e Tij dhe vëndosmeninë për me e krye martesën… Ndoci gjoja i zemruem asht çue dhe ka ikë nga Shtepia e Kulturës, tue e lanë Prenkën vetëm me Angjelinin. Angjelini ka dalë nga dhoma e Prenkës dhe ka shkue në drejtori, ka marrë “dikend”… në telefon, të cilit, i ka thanë: “Po,… Prenkën e kam këtu, mos u vononi!…” Angjelini asht zbritë deri në gjysmën e shkallës vertikale me një llampë elektrike në dorë dhe, ka thirrë me emën ZKE, që ishte nën zyrën e tij poshtë, pikërisht, aty ku ndigjohej çdo bisedë që bahej në drejtori, aq ma shumë bisedat telefonike me za të naltë prej Angjelinit. ZKE ka dalë në korridor poshtë tue pritë çka urdhnon drejtori, i cili, i ka thanë: “Mbylle derën e Shtëpisë së Kulturës dhe mos e hap pa të urdhnue vetë!” dhe asht ngjitë naltë dhe ka shkue drejtë e nga dhoma e Prenkës, gja të cilën ZKE e ka dallue nga kambët në drrasat e korridorit…ZKE ka mbyllë derën dhe ka hy në zyrën e vet. Shumë shpejtë Angjelini ka dalë nga dhoma dhe ka thirrë ZKE: “Eja shpejtë se Prenka ra nga dritaria!”…Asht ngjitë dhe ka shikue nga dritaria prej ku shihëj Prenka poshtë i mbuluem me gjak…Kanë zbritë shpejtë, por gjithshka kishte mbarue…Ai kishte ra me kokë në çimento dhe pa ndjenja…Angjelini, ka dalë tek rruga me pa mos kalon ndonjë makinë, ndersa ZKE, mbante në duert e Tija kokën e përgjakun të Prenkës. Mbas 5’ ka kalue një makinë zis, kamjon i vogël dhe bashkë me shoferin kanë bajtë Prenkën, dhe janë nisë nga spitali civil. Rrugës në gjithë atë shpejtësi kanë mujtë me kuptue se “Prenka dha Shpirtë mbas pak minutash, pa mërrijtë në spital”…

Në darkë nga ora 5 (17) mbasdreke ka ardhë nga Tirana Mantho Bala, zv ministër për kulturën. Porsa ka hy tek dera e Shtëpisë së Kulturës i ka thanë të pranishëmve:

Ai me të vërtetë ra dhe vdiq por mos harroni se Prenka ka ra mbi kokat tona!”. /KultPlus.com

Vin Bejleri vjen me një vepër për korsinë e balenave

Drama “Miss Julie” vepër e autorit August Strindberg vjen premierë, me regji nga Kiço Londo në skenën teatrore për publikun. Mbrëmjet e datave 29 shkurt dhe 1 mars është premiera e radhës e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahiviogli”. Me regji nga Londo, në sallën Eksperimental te “ArTurbina” drama luhet nga aktorët Laura Nezha, Vin Bejleri dhe Adriana Tolka.

E njohur me aktivitetin e saj në teatër, aktorja Laura Nezha vjen në skenë si Miss Julie. Me role të ndryshëm në shfaqjet që janë vënë në skenë, këtë herë është protagoniste në dramën e autorit të njohur August Strindberg. Regjisori Kiço Londo shprehet se me këtë shfaqje spektatori do të shohë një Laura Nezha, në rolin e një tunduese të devotshme. “Ajo me forcë ushtron pushtetin e saj ndaj shërbëtorit të babait. Julie e Laurës ka një dëshirë mazokiste për rrënimin e saj. Rënia e saj është e pashmangshme. Në ëndrrën e saj ajo shkon “drejt e në tokë” për të gjetur paqen.

Ky mazokizëm i vërtetë dhe i thellë i Nezhës e bën Julien të vështirë dhe tërheqëse”, shprehte regjisori Kiço Londo. Skenograf në vepër është Beqo Nanaj, kostumografe Sofi Kara dhe as/regj: Olgert Mataj dhe Ana Kuqo. Në skenën teatrore shqiptare janë vënë pjesë të ndryshme teatrore të August Strindberg, që janë mirëpritur nga publiku. Me dramën “Miss Julie” regjisori Kiço Londo sjell një tjetër premierë në aktivitetin e tij artistik, këtë herë shkruar nga August Strindberg. Pas disa veprave të suksesshme, që janë vënë në skenë nga ky teatër dhe në role kanë qenë aktorë të njohur që kanë marrë duartrokitjet publikut, premiera e radhës luhet nga Laura Nezha, Vin Bejleri dhe Adriana Tolka.

August Strindberg lindi më22 janar të vitit 1849 në Stockholm. Ishte një shkrimtar suedez me shumë rëndësi në letërsinë e këtij vendi. Për gati katër dekada ai dominoi në letërsinë suedeze. Vepra e tij ndahet në dy lëvizje letrare; natyralizëm dhe ekspresionizëm. Në përgjithësi shkrimtari konsiderohet si pionier i gjuhës suedeze, pasi ishte shumë produktiv dhe nismëtar në shumë zhanre. Shumë libra të këtij autori klasifikohen si klasike në literaturën suedeze. August Strindberg vdiq më 14 maj të vitit 1912.

Drama në skenën e teatrit

“Miss Julie” e TKE është një përshtatje e regjisorit Kiço Londo midis seksit dhe vdekjes, pasurisë dhe punës, bukurisë dhe rrëmujës. Julie e vetmuar dhe demoniake (Laura Nezha), është plotësisht e vetëdijshme për bukurinë dhe pozitën e saj shoqërore. Jean (Vin Bejleri) me trup të palestruar, është karrocieri zezak i babait të Julie dhe njëkohësisht i dashuri i shërbëtores braziliane, Kristine (Adriana Tolka). Ata bëjnë një trekëndësh mahnitës të gjendjes dhe forcës që vazhdimisht zhvendoset midis tyre.

Midis Julie dhe Jean ka shumë nxehtësi, që ata t’i rezistojnë njëri-tjetrit. Të dy janë pengje të situatës sonë dhe kjo është e tmerrshme. Julie, një plaçkitëse qëllimi me anë të privilegjit, gjithmonë në kërkim të një diçkaje tëre, e hedh vështrimin mbi Jean, një i ri ambicioz. Ata komplotojnë të ikin bashkë larg dhe të hapin një hotel.

Fatkeqësisht të dy e kuptojnë, që një diçka e tillë do të ishte e pamundur. Duke u ulur në nivelin e shërbëtoreve, Miss Julie e gjen veten pa asnjë shpresë për të ardhmen e saj.Bukuria dhe vdekja ndeshen gjithmonë në betejën e saj të brendshme. Asnjë privilegj nuk e mbron dot nga vdekja. /KultPlus.com

Këngëtarja Hersi Matmuja rikthehet në Shqipëri për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar

Hersi Matmuja rikthehet në Shqipëri, pas pesë vitesh, për t’u bërë pjesë e kauzës së drejtë në mbrojtje të Teatrit Kombëtar.”

Lajmin e bëri të ditur Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit. Sipas Aleancës, “e ngjitur për herë të parë në skenën e Teatrit Kombëtar Hersi Matmuja, ambasadorja jonë e kulturës jashtë vendit, na përcolli emocionin e saj nëpërmjet muzikës folklorike shqiptare, të sjellë në një format të ri dhe të personalizuar në stil prej saj.

Ajo preferon të këndojë në shqip, duke mbajtur gjuhën, si lidhjen me veten dhe vendin.

Iu përgjigj menjeherë kërkësës tonë për t’u bërë pjesë e Festivalit për Mbrojtjen e Teatrit, duke e futur në agjendën e saj artistike, Tiranën dhe Kukësin vendlindjen e saj.

Pak e njohur për publikun shqiptar brenda kufijve, Hersi është modeli i artistit shqiptar e cila përhap nëpër Europë vlerat e kulturës dhe traditës shqiptare. Padyshim një artiste e talentuar dhe për më tepër frymëzuese që të përcjell vlera njerëzore dhe artistike”. /KultPlus.com

Policia interviston për 4 orë një 13-vjeçar me dyshimin se xhiroi mësuesin tek e rrihte një nxënës

Policia e Kosovës në Drenas ka zgjedhur që natën ta intervistojë për rreth katër orë një 13-vjeçar, nxënës i klasës së tetë i shkollës fillore “Rasim Kiçina” në Drenas, nën dyshimin se e kishte xhiruar me telefon arsimtarin Driton Qelaj tek e rrihte një nxënës të kësaj klase. Intervistimi është bërë në orët e darkës, dhe vetëm një ditë pasi është publikuar videoja.

Arsimtari i Edukatës Qytetare, të cilin kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, një muaj më parë e ka prezantuar si prurje në Partinë Demokratike – shihet në xhirim teksa godet me shpulla një nxënës. Derisa nxënësi ishte ulur, ai i bërtet të kthehet para. Së paku dy goditje të forta në fytyrë shihen dhe dëgjohen tek i jepen nxënësit.

Informata se sonte është intervistuar nxënësi që dyshohet ta ketë bërë xhirimin, është konfirmuar për Koha.net nga familjarë të këtij të mituri. Ata kanë shprehur brengën për presionin, nën të cilin ka qenë nxënësi për ta pranuar se ka xhiruar.

“Djali na është terrorizuar. Nga tash kemi frikë edhe për jetën e tij. Ne besojmë se me urdhër të kryetarit Lladrovci është bërë kjo, sepse xhirimi ka dëshmuar se çfarë njerëzish promovon ai në parti. Vetëm pak kohë më parë, nënën e nxënësit që ishte inspektore, kryetari e ka larguar nga puna”, ka thënë një familjar, që ka pranuar të flasë në kushte anonimiteti.

“Ne druajmë se djalin do ta largojnë edhe nga shkolla. Sot i kanë kontrolluar të gjithë se a kanë telefona me vete, dhe drejtori ka kërcënuar se do ta largojë këdo që e ka bërë xhirimin. Ajo që kanë treguar nxënësit është se xhirimi është bërë vetëm pasi mësuesi pothuajse në çdo orë i rrihte nxënësit”, ka shtuar familjari.

Ndaj mësimdhënësit Qelaj, Komuna e Drenasit ka aplikuar masën e largimit të përkohshëm nga puna. Vendimi është i përkohshëm dhe do të vlejë deri në përfundimin e procedurave nga Komisioni Disiplinor. /Koha.net /KultPlus.com