Fillon zbatimi i punimeve restauruese-konservuese në shtëpinë e familjes Koci

Pas vlerësimeve të bëra nga zyrtar të  Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, kanë filluar të zbatohen punimet për ndërhyrje restauruese – konservuese në shtëpinë e familjes Koci. Kjo ndertese gjendet brenda Qendres Historike te Prizrenit, respektivisht ne lagjen e Potokmahalles te qytetit te Prizrenit.

Bazuar në stilin arkitektonik, teknikës dhe materialit të ndërtimit, monumenti në fjalë konsiderohet të jetë ndërtuar në shekullin XIX, dhe i perket shtepive me zgjidhje të veqantë e nderuar në kat, e cila ka sherbyer dhe akoma shërben për banim. Formësimi hapësinor, proporcionet, organizimi i brendshëm, elementet e enterierit, trajtimi i fasadës me elemente dhe daljet në formë erkeri paraqesin tiparet kryesore artistike të kësaj ndërtese. Në kuadër të parcelës së familjes Koci gjendet shtëpia, oborri dhe nyja sanitare.

Kjo ndërtesë i është nështruar procesit të restaurimit dhe konservimit në kuadër të zbatimit të programit masat preventive- intervenimet emergjente, financuara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.  / KultPlus.com

“Dashuro një burrë që me mëngjes e kupton si ndihesh, e në mbrëmje s‘harron kush je”



Poezi nga Ilire Zajmi

Leksion

Dashuro një burrë që me mëngjes e kupton si ndihesh
në drekë me buzëgaz të pret e në mbrëmje s ‘harron kush je
dashuro një burrë që frymon për ty
je vegim i tij i parë e i fundit
dashuro një burrë që të puth papritur
një burrë të hareshëm që nuk e njeh trishtimin
dashuro një burrë që respekton lirinë tënde
e vlerëson zgjedhjet e tua
dashuro një burrë që të pranon
ashtu siç je, e brishtë e guximshme unike
dashuro një burrë që e ka kuptuar
që gjithçka që e rrethon je ti
e nëse nuk e gjen atëherë dashuro jetën
se vlen të dashurosh çfarëdo burri.

Koncert i munguar në Kosovë, “Zonjat e kangës” një mbrëmje mrekulli nga Edona Reshitaj



Qendrim Badalli

“Jam shumë e privilegjuar që sonte para jush do të shpalosim një repertor me këngë që janë kënduar nga zërat më të spikatur femëror”, kjo fjali përshëndetëse e thënë nga aktorja dhe këngëtarja, Edona Reshitaj, përmblodhi dedikimin e koncertit recital të saj, nderimin e “Zonjave të Kangës” ndër breza, teksa dedikimi personal shkonte për nënë e saj, shkruan KultPlus.

Salla e Teatrit Kombëtar të Kosovës si rrallë herë ishte e stërmbushur. Pasi u zunë të gjitha karriget, pjesa e mbetur e publikut vendosi të qëndronte në këmbë, për ta parë e dëgjuar performancën e Edona Reshitaj në koncertin “Zonjat e Kangës”. Edona Reshitaj si zë i njohur për publikun si dhe natyra e koncertit, ishin me gjasë dy arsyet që garantonin suksesin e natës së mbrëmshme.

Dritat u fikën dhe Edona doli në skenë.

Para çdo interpretimi të këngës, Reshitaj u përkujdes ta prezantonte shkurt “Zonjën” e këngës, pra autoren e saj, apo të tregonte ndonjë lidhje emocionale që ajo kishte me të apo këngën e saj. Emocionet e saj kulmuan kur erdhi radha për prezantimin e bilbilit të Kosovës, tashmë të ndjerën, Nexhmije Pagarushën, dhe interpretimin e këngës së saj “Zani i tij më thërret”.

Se Edona Reshitaj nuk është vetëm këngëtare por edhe aktore ishte qartazi e vërejtshme nga performanca e saj. Ajo këndonte me shumë emocione por njëkohësisht interpretimit të saj dukej se po i jepte edhe më shumë peshë vallëzimi i saj pothuajse gjatë gjithë kohës. Lëvizjet ishin të lehta, spontane, por me shumë takt dhe me shije artistike. Gjithçka ishte live, gjithçka po përjetohej. Një pjesë e madhe e publikut ose incizonte ose duartrokiste, ose thjeshtë po lëviznin në vend, një frymë energjike përcolli gjithë koncertin.


E përcjellur nga muzikantët: Visar Kuqi, Nesim Maxhuni, Fatjon Miftari, Art Lokaj, Dukagjin Muhaxheri, Ermal Rodi, Roni Gjura si dhe Rajkard Bardhi, këta dy të fundit mysafir nga Shqipëria, Edona Reshitaj, këndoi këngët emblematike shqiptare si: ‘Fëmija i Parë’ e kënduar nga Vaçe Zela, ‘Zare Trëndafile’ e kënduar nga Tefto Tashko, ‘Fërfëlloi Fëllanxa n’Ujë’ e kënduar nga Fitnete Rexha, ‘Unë ty moj të kam dashtë’ e kënduar nga Marie Kraja, ‘Zani i tij më thërret’ e kënduar nga Nexhmije Pagarusha, ‘Flokët e Gocës’ e kënduar nga Hanife Sejfulla Reçani, ‘O Zambak i Prizrenit’ e kënduar nga Lirina Cavolli, ‘Doli Goca në penxhere’ e kënduar nga Merita Haliu dhe ‘Moj Zogo/ Shega Guracake’ të kënduara nga Nazmije Hoxha.

Këto qenë nëntë këngët, teksa e dhjeta ishte një moment tjetër.

Kur u bë gati ta këndonte këngën e fundit të koncertit, Edona Reshitaj, u përkujdes që ta falënderonte, Pranvera Badivukun, e cila e kishte kompozuar këngën ” E kujtoj atë takim” si dhe një numër të madh këngësh tjera. Reshitaj, ftoi në skenën edhe koleget e saj, mysafiret speciale të koncertit: Ilire Vincën, Shengyl Ismailin, Rebeka Qenën, Semira Latifin, Qendresa Kajtazin, Edona Spoajn, Rabije Kryeziun, Kaltrine Zenelin si dhe Daniela Markajn. Këto së bashku kënduan dhe i dhanë fund koncertit recital, i cili u duartrokit me minuta të tërë në përfundim të tij.

Në një intervistë për KultPlus, protagonistja e mbrëmjes, Edona Reshitja, shprehu emocionet e saj të para pas koncertit.

“Po ndihem shumë e lumtur që e realizova këtë koncert. Kjo ka qenë një ëndërr e imja e kamotshme, kam punuar shumë gjatë për këtë projekt. Jam shumë e lumtur që muzikën që e ndjeja se e kam lënë anash e riktheva me një projekt të madh dhe me një kastë të mrekullueshëm të muzicientëve dhe me një kauzë të rëndësishme siç ishte kjo për nderimin e “Zonjave të Kangës”.

Reshitaj, ka treguar shkurt edhe për vlerësimin e të tjerëve dhënë asaj për koncertin që veç sa e kishte përfunduar.

“Komenti i të gjithëve ishte ‘na ke kënaq’, thash me vete po ndihem shume mirë, sepse ndihem njëmend shumë mirë prej Zotit që ma ka dhënë këtë mundësi që t’i kënaqi të tjerët, t’i bëjë të lumtur dhe ky profesion është human pikërisht për këtë punë”

Shengyl Ismaili, në një intervistë për KultPlus, e ka quajtur fantastike Edona Reshitajn.

“Jam ndje shumë mirë që isha pjesë e këtij koncerti, me muzicientë kaq të përzgjedhur dhe me një soliste dhe këngëtare kaq fantastike siç është Edona.”

Ajo foli edhe për performancën e saj në këngën e fundit.

“Për mua ishte hera e parë që dola në grup për të kënduar dhe kisha frikën sa mos e dëmtoja Edonën, por gjithçka shkoi me suksese”.

Pas përfundimit të koncertit, mes shumë vlerësimesh, Edona Reshitaj po e përfundonte ‘natën e saj’ me shumë fotografi e përqafime me miq e të pranishëm aty. / KultPlus.com

Teodor Drajzer: Në qetësinë shpirtërore njeriu gjen mençurinë

Në çastet e trysnive të mëdha shpirtërore, njeriu gjithmonë rritet në mënyrë më të dukshme. Ai ndjen një hov të fuqishëm forcash e aftësish. Ne ende dridhemi, ende kemi frikë të ndërmarrim hapin e parë, e megjithatë, rritemi.

Na udhëheqin shkëndijat e frymëzimit. Natyra nuk hedh poshtë asnjë. Edhe nëse mjedisi apo shoqëria na kthen shpinën, ne përsëri mbetemi në shoqërinë e gjithçkaje të gjallë. Ji veç i mirë e i ndjeshëm – dhe do ta arrish të vërtetën e madhe; mbase ajo do të vijë tek ty, jo me anë formulash të ndërlikuara, por nëpërmjet ndjeshmërisë së gëzimit dhe të qetësisë, të cilat, në fund të fundit, përbëjnë vetë thelbin e njohjes. Në qetësinë shpirtërore, njeriu gjen mënçurinë.

Citime nga romani “Një Tragjedi Amerikane”

Njerezit fillojne te te bejne ndere kur shohin se ti qendron pak me lart se ta.

Kuptova me dhimbje qe me theri ne zemer se cdo te thote te lakmosh ate qe nuk e arrin dot.

C’brenge te ngjall ne shpirt kur sheh se te gjithe flasin e qeshin, ndersa ti rron fill i vetem.

Kjo histori e jona qe nje vegim i mrekullueshem qe doli befas nga hici, nje pjelle e fantazise se ndezur qe ka marre trajten e nje te vertete te gjalle.

Ata i ndante nje mur i pakapercyeshem, qe ai e kish ngritur me duart e veta…

Ishte e para here ne jete qe realiteti i ashper e i pameshirshem po i jepte endrrave te asaj nje grusht kaq te eger.

Qofshi i kulluar si engjell apo i zi si djalli vete, gjeja me e keqe qe mund te besh eshte te qash ne sy te ndokujt.

Mos gjykoni qe te mos ju gjykojne dhe me masen qe te matni me ate do t’ju matin.

Sa ngadale vinte mbremja, sa ngadale gdhihej mengjesi! Sa e gjate ishte nata! C’psheretima dhe renkime! C’torture nate e dite pa ty…

Ai i qe nenshtruar fatit me gjithe mend e me gjithe zemer. I’u zhduk edhe shpresa e fundit e endrres se tij. Mbaroi gjithcka! Keshtu ndodh kur nata e shuan vezullimin e fundit te muzgut ne horizont.

Njerezit me ndjeshmeri te semure dhe me imagjinate te acaruar, ne rast se mendja e tyre has ne ndonje problem te koklavitur, kane nga caste te tilla: tronditen dhe ndergjegjia e tyre dehat aq sa te pakten perkohesisht marrezija ose lajthitja merr frerin ne dore. Ne te tilla raste vullneti e guximi ikin me nxitim per te ja lene vendin panikut dhe cmendurise se perkohshme. /KultPlus.com

Koncerti i Agron Shujakut e Ledian Shalës, mbrëmë solli perlat e kompozitorëve botërorë


Qendrim Badalli

Përvoja e Agron Shujakut si dhe entuziazmi dhe talenti prej të riut të Ledian Shalës, u gërshetuan mbrëmë në koncertin duo pianistik të dhënë në Sallën e Kuqe në Prishtinë, shkruan KultPlus.com

Një numër i konsideruar i të pranishmëve, disa prej të cilëve kishin marrë me vete edhe fëmijët ngase aty po luante edhe një bashkëmoshatar i tyre, dëgjuan interpretimin e Shujakut dhe Shalës të cilët luajtën veprat më të popullarizuara të Mozart, Ravel, Brahms dhe Kusuma për rreth një orë.

Agron Shujaku, në një intervistë për KultPlus, ka folur rreth përgatitjeve për koncertin si dhe për arsyen se pse ky koncert u realizua në Prishtinë.

“Për këtë koncert kemi pasur përgatitje katër-pesë muaj intensiv. Unë e kam realizuar këtë program edhe më herët por me një pianist tjetër, dhe atëherë nuk kishim mundësi ta realizonim në Prishtinë, prandaj këtë herë e kam pa të nevojshme ta kurorëzojmë në Prishtinë”.

Ai, tutje ka treguar edhe sfidat e muzikës klasike dhe përgjithësisht botës së artit në Kosovë.

“Problemi më i madh në Kosovë është te mungesa e sallave, mungesa e mbështetjes për aktivitetet të tilla, sepse ne e dimë që muzika klasike ka nevojë për përkrahje të vazhdueshme.”

Shujaku, e ka përmbyllur prononcimin duke dhënë një vlerësim për publikun aty si dhe duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së publikut profesional në këto aktivitete.

“Mbështetja e publikut është gjithmonë e nevojshme, sidomos e atij profesional sepse ai e bënë barometrin të performancës dhe është njëfarë rregullatori joformal i interpretimeve skenike”.
 
Ky koncert ka përfunduar nën duartrokitjet e forta si shenje vlerësimi për performancën e tyre./ KultPlus.com

Drama të “mbyllura”, personazhe traumatikë

Nga Josif Papagjoni

Haqif Mulliqi është nga dramaturgët më në zë të Kosovës, gjithashtu regjisor, kritik, publicist, profesor. Ka shkruar mbi 20 drama, ndër të cilat Kosowars, Katër epoletat, Një varr për majorin e mbretit, Gjakova një luftë ndryshe, Si e mposhta Mussolinin, Komedia, Komemorativisht, Trenat etj. Vëllimi: Parfumeria, Përralla klaustrofobike, Dramë për mua, Mirjam dhe Sandrin, Asgjë veç Gjuzepes, Maksi dhe Kimi apo takimi pas 21 vjetësh dhe Katër epoletat) vijon të  paraqesë forma të larmishme dramaturgjike jo thjesht si struktura dhe kompozime letrare interesante, por kryesorja si projektime ndjesish, kundërtish psikike e mendësish, të cilat identifikojnë atë çka është thelbore për njeriun, jo vetëm dhe përjashtimisht për njeriun shqiptar por i kundruar tanimë ai si qenie a një realitet ontologjik e kozmopolit. Në dukje këto drama ngjajnë se nuk kanë ndonjë konflikt të vrazhdët, bardh e zi, si të thuash të përshfaqur në “fronte” e linja shoqërisht të dizajnuara qartë dhe të “pozicionuara” përfundimisht. Ca më pak, nga pikëpamja numerike e vizuale në skenë, ato nuk marrin përsipër të sjellin përmasa politike a sociale të mëdha, ku të ndeshen grupe njerëzish, klasa a kombe armiq të përbetuar ndaj njëri-tjetrit, as të rimodelojë në paradigma letrare klasike gjente heroin dhe tradhtarin, të mirin dhe të ligun, etj. Përkundrazi, konflikti është aty, shi buzë këmbëve të personazheve, i hapur si një humnerë mbijetese, si makth apo shastisje, në të shumtën e herës i shoqëruar nga situata jermi, përmes vegimesh e halucinacionesh, ku vërtiten si në centrifugë ndoca shpirtra të dërmuar nga ndodhi dramatike a tragjike të hershme, që i risjellin në formë traumash e gjendjesh nevrotike, ashtu të lënduar nga pamundësia e rikuperimit, ashtu të turbullt, të hutuar e ambiguidë.

Parfumeria

Drama Parfumeria, nga më të arrirat e këtij vëllimi dhe të vetë autorit, vjen në formë reminishencash të mbivendosura e të gjymtuara, ku shthuret faktori i vijimësisë kohore por edhe identiteti hapësinor, ku dy pensionistë dikur miq e rivalë të njëri-tjetrit, zoti Brut dhe zoti Spajs, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të dashuruar me po të njëjtën femër, zonjushën Meri. Falë digresioneve, ata na rrëfejnë, herë tragjikisht e herë duke u qesëndisur nga autori, xhelozitë e tyre, kllapitë dhe tentativat e ndërsjella për të bërë krim ndaj njëri-tjetrit, sikurse edhe ndaj Merit dikur. Meri-dashuria është kthyer në një metaforë sunduese apo në simbolin e vetë qenies së tyre: një jetë me të dhe pa të. Veçse ajo është një dashuri qysh në kryeherë e tradhtuar, e ndotur, aspak e virtytshme. Është furia e pasionit-amok që shkatërron arsyen dhe shndërrohet në fiksacion. Dashuri që të stërmundon. Që vret. Që shkatërron. Në një moshë tanimë të shkuar, që të dy të braktisur, mbetur diku në një pension, të shpërfillur, në prag vdekjeje, kur ndjenja e dikurshme e hakmarrjes, sidoqoftë, është fashitur, ata, Bruti dhe Spajsi, s’mund ta kuptojnë të shkuarën dhe të sotmen e tyre jashtë e pavarësisht imazhit dritësues: Merit. Dashuria dhe xhelozia, mundësia dhe pamundësia, faji dhe pafajësia nuk janë të ndara, përkundrazi të pleksura dhe përtej një paragjykimi çfarëdo. Të tre janë të fajshëm, të tre janë të pafajshëm. Jeta qenka e tillë: faj në pafajësi ose pafajësi në faj.

Dramë për mua, Mirjam dhe Sandrin

Paçka se teknika e krijimit të turbullirës mendore ruhet si element parësor për krijimin e situatës emocionale, gjithsesi drama Dramë për mua, Mirjam dhe Sandrin rreket ta ringre subjektin dhe bashkë me të elementin narrativ si gjësend real, të njëmendtë, i zhvilluar në kohën dhe hapësirën e matshme, me përjashtim të epilogut kur lexuesit i jepet një informacion shtesë, në formë kundërshtie a kthimi përmbys të gjithçkaje të thënë më parë, duke e shndërruar atë që është shfaqur si reale dhe e njëmendtë në diçka tjetërfarë, pra në një kllapi a gjendje onirike halucinative, që në fakt e paska kaluar personazhi kryesor, Lon Dukagjini, pas një aksidenti a sëmundjeje vdekjeprurëse. Historia e treguar përmes një dialogu me ngarkesë emotive i fatit të trishtë e dramatik të çiftit Mirjam-Sandër, kur ky i fundit, në prag të kurorëzimit të martesës me Mirjam, aksidentohet i goditur keq prej një makine duke mbetur ulok në karrocë, është një histori që e tejkalon natyrën e vet sentimentale. Kjo sepse mesazhi zhvendoset: a) nga pikëllimi për gjendjen tragjike të Sandrit të mbërthyer në karrocë, i cili e ndjen veten të tepërt, si një hedhurinë njerëzore dhe që vuan nga meraku se e bezdis fort Mirjamin duke ia prishur asaj lumturinë dhe të ardhmen, b) te diskutimi për thelbin e dashurisë dhe të sakrificës për tjetrin, kur nga Loni mësohet se Mirjam nuk është motra e Sandrit por e dashura e tij, e cila ka vendosur t’i përkushtohet, pa e lënë të vetëm si një paraplegjik në karrocë. Pra dashuria tejkalon çdo limit “arsyetimi” dhe “logjike” me natyrën vetëmohuese të saj, ashtu sikurse, nga ana tjetër, dashuria e Lonit ndaj Mirjam, sado që një keqkuptim dhe veçse në fillesën e një raporti virtual e të mundshëm, ushqen idenë e çiltërsisë dhe fisnikërisë njerëzore. Të dyja idetë tubohen e shkrihen në një: te dashuria si vlera humane më e epërme, së cilës i blatohen jo vetëm pasionet erotike, por më së shumti qëndrimet humane në formën e një raporti etik si dhe me praninë e sakrificës për tjetrin, në situata të rënda siç është ajo e Mirjam ndaj Sandrit. Ndërkohë, projektimi i dramës si një sendërtim i makthit të Lonit pas aksidentit, me pendesën, vuajtjen shpirtërore dhe vegimet torturuese, i japin asaj natyrë introjektive, brenda një qasjeje letrare postmoderne.

Përralla klaustrofobike

Në dramën Përralla klaustrofobike ngjarja shkasore është e thjeshtë: dy personazhe mbyllen aksidentalisht disa ditë në një ashensor në pritje të shpëtimit. Kolizioni dramatik në kuptimin tradicional, nuk ekziston. Ka veçse një gjendje ankthi të Jonit i cili vuan nga klaustrofobia. Lexuesi e kupton vonë shkakun e kësaj sëmundjeje: vrasjen e nënës nga i ati si pasojë e xhelozisë. Kështu, mbyllja në ashensor, domethënë klaustrofobia, kthehet në premisë e shtysë parake për vlimin e vazhdueshëm emocional të Jonit, e cila jepet në formën e një trysnie që përshkon gjithë veprimin, derisa shfaqet e plotë dhe domethënëse. Rrethanën e mbylljes në formën e një rasti të pastër autori e shndërron në premisë dramaturgjike për të rizgjuar ndërgjegjen e agravuar nga një “ngërç” psikik, që e ka mbajtur nën trysni Jonin dhe ia ka rimodeluar kujtesën nën një tjetërsim tragjik, çka nga pikëpamja strukturore kjo epohet drejt formave psikoanalitike të shqyrtimit të personazhit, pasuar nga një mënyrë befasuese e zbulimit të mundimshëm e të nduarnduarshëm të së vërtetës.

Maksi dhe Kimi, apo takimi pas 21 vjetësh

Në teknikën e pështjellimit emocional dhe delirit të marrëzisë ndërtohet edhe diadrama Maksi dhe Kimi, apo takimi pas 21 vjetësh, e cila, me vështrimin e hedhur pas te një lidhje dashurore e trefishtë: Kimi që do Mellaninë, edhe pse ajo e tradhton thuajse çdo natë, nga njëra anë dhe Maksi që do Kimin, i cili e ka nxjerrë nga burgu dikur dhe që, në pamundësi për t’i ofruar haptazi dashurinë prej burri, ia vret të dashurën, Mellaninë. Drama e ruan suspansën deri në fund, kur lexuesi, befasisht, merr vesh se Maksi e ka dashur Kimin jo si shok por si mashkull, ka vuajtur tmerrin e refuzimit dhe xhelozisë, dhe për këtë shkak kryen edhe krimin. Erotika homoseksualiste, me sa di, është e para e sendërtuar drejtpërdrejt në një dramë shqipe në formën e një subjekti me elemente të forta thrilleri dhe sendërgjimi. Ajo ngjan paksa me tipin e dramës “Parfumeria”, veçse kahet e veprimit dramatik, krimi dhe përndjekja reciproke, ndryshojnë: nga dy burra që duan të njëjtën grua, tashmë ndodh e kundërta: një grua që vihet në mes të dy burrave si shkak xhelozie, hakmarrjeje dhe zhbërjeje morale.

Asgjë veç Gjuzepes  

Asgjë veç Gjuzepes, dramë me tre personazhe, është po e tipit të situatës së turbullirës shpirtërore dhe fiksacionit të kthyer në makth. Gjoni apo Gjoshua, Gjosho, ka pësuar një aksident. Tek po çonte gruan e vet shtatëzanë, Angjelinën, në spital, për të lindur fëmijën e tyre të parë Gjuzepen, pra frytin e dashurisë, ai i ka humbur që të dy, atë dhe fëmijën e pa lindur. Dhe 31 vjet ai heq dhe vuan gjithpo këtë fatkeqësi. Gjithnjë e më i mbyllur në vetvete, gjithnjë e më mizantrop, gjithnjë e më i rrethuar nga fantazmat dhe halucinacionet. Veç modelit të përqendrimit në shtjellën psikike të një personazhi, në këtë rast të Gjonit, – autori aplikon ritualet fjalësore si dhe ato gjestuale që përsëriten, çka të kujton dramat e Samuel Beketit. Kjo është bërë për të krijuar ciklet e mbyllura dhe te frenuara të vetëdijes me qëllim ngulitjen e mendjes, përfytyrimit dhe imazhit te po e njëjta pikë verbuese: aksidenti dhe humbja e fëmijës, rrjedhimisht e lumturisë, pasuar nga një pritje e gjatë, tejet e lodhshme e rraskapitëse, mbyllur në një pension a çmendinë (kjo s’ka rëndësi). Vdekje fizike për Gjonin s’ka, por, në fakt, vdekja ka ndodhur, është aty: vdekja e lumturisë, vdekja e vetë shpirtit. Gjoni rron me vdekjen, ushqehet prej saj, dhe kujtimet e tij të përmbysura s’janë veçse një formë e vdekjes në jetën-vdekje.

Drama që përkthehen në situata tragjike të natyrës ekzistencialiste

Duke i këqyrur të pesë dramat së toku, në funksionet e poetikës letrare estetike, më duhet të them se Haqif Mulliqi afër mendsh që ndjek tipologjinë e dramës absurde, e gërshetuar kjo me atë surrealiste dhe ekzistencialiste, ku elementi onirik, jermi, kllapitë, vegimet, halucinimet, deformimet bëhen pjesë e krijimit të trysnisë psikologjike dhe shansi, ndoshta i vetëm, për të ndërtuar impakte të forta me publikun. Falë “infektimit” të recipientit me “goditje” e shpërfaqje nebulozash psikike prej njerëzish të “sëmurë”, autori realizon qëllimin e pritshëm për të ofruar situata vërtetë dramatike, të cilat janë “gëlltitur” prej vetëdijes e janë strukur thellë në pavetëdije duke u konvertuar në cytje, trysni dhe erupsion psikik të atypëratyshëm. Në rastet më fatlume, këto drama përkthehen në situatat tragjike të natyrës ekzistencialiste, qoftë pse grotesku aty tinëz ngre kryet e nuk se përjashtohet. Herë tjetër subjekti, edhe pse është konceptuar dhe procedon me një mbyllje fatale, tragjike, megjithatë, ai jep shkas për zgjidhje të tipit të absurdit, ku e mira, humanistja dhe e virtytshmja në vend që të triumfojnë natyrshëm, përkundrazi mbyten nga e keqja, krimi dhe mosmirënjohja; ku e “pritshmja” bëhet e papritshme dhe e nënkuptuara e kuptueshme. Dramat kanë pak personazhe, dy prej tyre kanë vetëm dy të tillë, ndërsa tre të tjera kanë nga tre gjer në katër. Elementi i suspansit dhe kontrapunktit shfrytëzohet me sens dhe enkas, për të sjellë sa gjendje nevrotike, vrullime ndjenjash të papritura apo mllefe të grumbulluara e të mbajtura brenda vetes për një kohë të gjatë, aq edhe çaste shastisjeje e ngulfatjesh psikike të cilat jepen fillimisht në tone disi të qeta, për t’u rritur në kreshendo në fund, gjer në shpërthime të papërmbajtura. Diku gjetkë toni mbahet i nderur qysh në krye. Dialogu është i kahut psikologjik; edhe kur rrëfehet historia, asnjëherë shtypja psikologjike nuk mënjanohet. Duhet të jesh i vëmendshëm për të rrokur me tërësej ashtën e memories së kësaj shtypjeje psikologjike, që shpërfaqet pak nga pak dhe që ka shkaktuar ngërçin, vuajtjen, torturën… /KultPlus.com

Duke kënduar në shi

Nga: Gene Kelly

Shqipëroi: Bujar Meholli

Jam duke kënduar në shi,
thjesht ia kam marrë këngës,
ah, çfarë ndjenje e jashtëzakonshme!

Përsëri po ndihem i lumtur
me retë po qesh
që errësohen mbi kokën time,
jam i gatshëm për dashuri
nën këtë ndjekje të stuhisë.

Të gjithë në këtë vend
ejani,
ejani në këtë shi.
Një buzëqeshje ma përshkon fytyrën
teksa nëpër rrugë eci.

Vallëzoj në shi
dhe jam përsëri i lumtur,
po vallëzoj dhe këndoj
nën këta litarë shiu… /KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=D1ZYhVpdXbQ

Dhoksati, fshati i bukur piktoresk, me projekt të ri italian

Peizazh i bukur natyror, vend i pastërt dhe me shtrirje të mirë gjeografike bëjnë që Dhoksati të jetë ndër fshatrat me pamjen më të bukur në Shqipëri.

Po të hysh në rrugën në të cilën lidhet fshati i bukur, vërehet një natyrë magjepsëse me bukuritë e saj, ajër të pastër, vend karakteristik me male, pastërti dhe të gjitha këto ofrojnë një pamje të larmishme dhe të jashtëzakonshme, shkruan albinfo.ch.

Së fundmi, në Dhoksat të Lunxhërisë banorët janë mbledhur për t’u marrë vesh rreth ngritjes së një modeli të një fshati turistik sipas eksperiencës së Albergi Difussi, i realizuar me sukses më parë në Itali dhe në disa vende të rajonit.

7 apo 8 shtëpitë e para do të restaurohen sipas stilit lokal me ndihmën e Risi Albenia, në bashkëpunim me me organet kompetente.

Qëllimi i gjithë kësaj është ngritja e një fshati turistik sipas stilit dhe modelit italian, që vite më parë pati shumë suksese në Itali dhe në disa vende të rajonit.

Sipas njohësve të fushës së turizimit, kjo cilësohet një punë e mirë në shumë aspkete dimensionale, sepse në radhë të parë ky fshat i braktisur do të bëhen më tërëheqës me pamjen e tij, për t’i rikthyer banorët që kanë ikur nga ky fashat, pastaj zhvillimi i turizmit dhe përfitimet ekonomike që mund të sjellë ky projekt.

Image result for fshati dhoksat

Përveç kësaj, Instituti i Monumenteve të Kulturës ka hartuar projektin për restaurim e kroit me bendin në Çetën e Mesme, në fshatin Dhoksat, Gjirokastër.

Projekti i miratuar në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve parashikon ndërhyrje restauruese në objekt, si dhe rikonceptimin e ambientit përreth monumentit, në shërbim të vizitorëve.

Fshati Dhoksat i njësisë administrative Lunxhëri, pjesë e Bashkisë Gjirokastër, është përzgjidhur për t’u përfshirë në programin zhvillimor të 100 fshatrave të Shqipërisë për turizëm rural.

Image result for fshati dhoksat

Dhoksati konsiderohet fshat “i lavdëruar nga Zoti”, i çmuar për bukuritë, pjellorinë e tokës, frutikulturën, vreshtat, pyjet e kullotat dhe burimet e kristalta.

Dhoksati është një nga fshatrat më piktoreske të krahinës së Lunxhërisë. Fshati ka në listën e monumenteve edhe disa kulla dhe banesa. Përveç kostumit të rrallë popullor “lunxhe”, ka dhe traditën shekullore të ndërtimit të urave dhe krojeve. /KultPlus.com

Image result for fshati dhoksat

Më 27 shkurt të vitit 1807 lindi Longfellow, shkrimtar, poet, përkthyes dhe dramaturg amerikan

Henry Wadsworth Longfellow (lindi më 27 shkurt 1807 në Portland, Massachusetts, tani Maine; vdiq më 24 mars 1882 në Kembrixh, Massachusetts) ishte një shkrimtar, poet, përkthyes dhe dramaturg amerikan.

Nëna e Longfellowt vinte nga një familje e vjetër puritan në New England, gjyshi i tij Peleg Wadsworth ishte një gjeneral në Luftën e Pavarësisë dhe më vonë u bë anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA ashtu si babai i tij Stephen Longfellow. Longfellow, i cili lindi në atë që tani është Maine, u rrit i sigurt dhe studioi në Bowdoin College në Brunswick, ku ai u miqësua me Nathaniel Hawthorne. Midis 1825 dhe 1829 dhe nga 1831-1835 ai udhëtoi në Evropë, mësoi gjermanisht, holandezisht, suedisht dhe finlandisht, ndër të tjera, lexoi shumë dhe u ndikua aq thellë nga Romantizmi gjerman dhe Goethe. Pas kthimit të tij, ai dha mësim në Universitetin e Harvardit. Pasi gruaja e tij e parë Mary Storer Potter vdiq më 1835 pas vetëm katër vjet martese, Longfellow në vitin 1843 pati një martesë të dytë Frances Elizabeth “Fanny” Appleton, një vajzë e Nathan Appleton, me të cilën pati gjashtë fëmijë: Charles Appleton (1844-1893), Ernest Wadsworth (1845-1921), Fanny (1847-1848), Alice Mary (1850-1928), Edith (1853-1915) dhe Anne Allegra (1855-1934). Më 1844 Longfellow u zgjodh në Akademinë Amerikane të Arteve dhe Shkencave.

Longfellow ishte një poet popullor. Vjershet e tij ishin tërheqëse. Ai ishte një nga të parët që merrej me tema tipike amerikane: patriotizëm, dashuri për peizazhin, natyrën dhe traditat e atdheut të tij. Ai shkroi shumë dramë dhe disa romane, të gjitha këto pak a shumë janë harruar. Poezitë epike Evangeline (1847) dhe Kënga e Hiawathas (1855), të cilat ai i modeloi në epikën kombëtar finlandeze Kalevala, kanë një rëndësi të qëndrueshme. Ai përshkruan jetën e shefit të Ojibwa Hiawatha dhe përfundon me rekomandimin e tij për popullin e tij që të përkulen para ‘burrit të bardhë’. Vepra frymëzoi Antonín Dvořák në lëvizjen e 2-të të simfonisë së tij të 9-të “Nga Bota e Re”.

Për shkak se vepra e tij dukej se ishte tepër konvencionale – dhe kështu shumë evropiane – ajo u fshi nga kanuni i letërsisë amerikane pas vitit 1900, në veçanti për shkak të gjykimit të George Santayanas dhe Vernon Louis Parringtons. Sidoqoftë, deri jo shumë kohë më parë, shumë studentë amerikanë mësuan përmendësh poezinë e tij Paul Rvere’s Ride, e cila glorifikon një episod nga Lufta Revolucionare. Kënga I Heard the Bells Dita e Krishtëlindjes, e cila është e bazuar në poemën e Longfellowt “Christmas Bells” është akoma e popullarizuar në Krishtëlindjet.

Një pullë e Shërbimit Postar të Shteteve të Bashkuara e vitit 2007 tregon portretin e Longfellowt dhe në sfondin në të djathtë një përshkrim të kalorësit Paul Revere.

Busti i Longfellowt është në Këndin e Poeteve të Westminster Abbey në Londër, një monument u inagurua më 1888 në qytetin e tij të lindjes Portland. Në vitin 1959, një varg malesh në shtetin e Maine u emërua pas tij: Malet Longfellow. Ura e Longfellow në vendlindjen e tij në Kembrixh u emërua gjithashtu pas tij. Longfellow jetoi nga viti 1837 deri në vdekjen e tij në një shtëpi tradicionale që shërbeu si seli e ushtrisë kontinentale në Luftën Amerikane të Pavarësisë. Shtëpia ku Longfellow krijoi pjesën më të madhe të veprës së tij, mbeti në pronësi të familjes dhe u rendit në vitin 1966 si Shtëpia Longfellow – Sheshi Historik Kombëtar i Uashingtonit. Ajo u bë pronë e qeverisë federale më 1972 dhe tani është memoriali kombëtar për jetën dhe veprën e Longfellow tdhe për rrethimin e Bostonit në Luftën e Pavarësisë në 1775/76. Ndër të tjera, ajo përmban bibliotekën e ruajtur plotësisht të Longfellowt, por dokumentet e saj gjenden në arkivin e Universitetit të Harvardit.

Titulli i këngës Longfellow Serenade (1974) nga këngëtari Neil Diamond është një referencë për Henry Wadsworth Longfellow.

Shqiptarët  e njohin nga poema e tij kushtuar Skënderbeut të cilën e ka shqipëruar Fan Noli./Elida Buçpapaj (Wikipedia)

VEPRAT

  • Outre-Mer: A Pilgrimage Beyond the Sea (Travelogue) (1835)
  • Hyperion, a Romance (1839)
  • The Spanish Student. A Play in Three Acts (1843)
  • Evangeline: A Tale of Acadie (epic poem) (1847)
  • Kavanagh (1849)
  • The Golden Legend (poem) (1851)
  • The Song of Hiawatha (epic poem) (1855)
  • The New England Tragedies (1868)
  • The Divine Tragedy (1871)
  • Christus: A Mystery (1872)
  • Aftermath (poem) (1873)
  • The Arrow and the Song (poem) /KultPlus.com

Pasi këndoi “Shallow” në London Tube, ftohet në “The Ellen Show” (VIDEO)

Ellen mirëpriti këngëtaren britanike Charlotte Awbery, e cila kohët e fundit u bë virale me një video të këngës së saj “Shallow” në London Tube.

Ajo performoi këngën hit të Lady Gaga dhe bisedoi me Ellen se si ndodhi gjithçka.

Gjithashtu, Ellen dhe miqtë e saj në Shutterfly kishin një dhuratë të veçantë për këngëtaren.

Më poshtë po ju sjellim videon:

https://www.ellentube.com/video/viral-london-tube-singer-performs-shallow.html

‘A mund të lejojmë që numri i femrave të vrara të jenë thjesht një statistikë’

Amel Pervizi

Në vitin 2012 u vranë 28 gra.
Në vitin 2013 u vranë 24 gra.
Në vitin 2014 u vranë 10 gra.
Në vitin 2015 u vranë 18 gra.
Në vitin 2016 u vranë 12 gra.
Në vitin 2017 u vranë 15 gra.
Në vitin 2018 u vranë 16 gra.
Viti 2019 nisi përgjakshëm, duke shënuar vetëm 5 muajt e parë 9 gra të vrara, përkatësisht një grua e vrarë çdo dy javë.
Viti 2020…

A mund të lejojmë që numri i femrave të vrara të jenë thjesht një statistikë?!
A mund të mjaftohemi me një marshim, me një foto, me një hashtag njëherë në vit dedikuar viktimave…?!

A vlen për ne një JETË ?!
A vlen për ne JETA ?!

Sot nuk mjafton një shkrim, nuk mjafton një foto, nuk mjafton një sensibilizim, nuk mjafton një marshim.
A do ulemi së bashku të shohim problemet drejt në sy e të gjejmë zgjidhje reale?!
A do të çirremi për këto zgjidhje deri sa të arrijnë efektin e duhur?!
A do t’i lëmë mënjanë ndasitë dhe dukjet e të fokusohemi te JETA ?!

Ç’vlerë ka e ardhmja nesër nëse ne nuk mobilizojmë të gjitha energjitë tona për të mbrojtur JETËN sot?!/ KultPlus.com

10 libra që duhet t’i lexoni, sipas Lucija Straley

Maya Angelou do të shprehej kështu më vitin 1969-të ku shkroi librin autobiografik “Unë e di përse këndon zogu në kafaz”. Atëherë sapo i kishte kaluar të 40-tat, gruaja që diti ta shndërronte trishtimin në vargje dashurie, do të frymëzonte miliona lexues me rrëfimin e saj. Një nga figurat më të rëndësishme në historinë e letërsisë femërore, Angelou vijon të shihet dhe sot si një nga autoret më të rëndësishme jo vetëm të letërsisë amerikane. Lucija Straley, Ndihmës Shefe e Zyrës për Marrëdhëniet me Publikun në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë e veçon librin e Angelou si një ndër librat që nuk duhen humbur në jetë. Straley ka vetëm pak kohë që ka mbërritur në Shqipëri nga Uashingtoni dhe më parë ka punuar në ambasadat amerikane në Laos dhe Republikën Dominikane.

Lucija është përgjegjëse për programet kulturore dhe arsimore të ambasadës. Me një pasion të hershëm për leximin, ajo vjen më poshtë me një përzgjedhje prej 10 librash nga autorë amerikanë, që i vijnë në kujtesë si libra që mbeten gjithmonë tek ty. Nga romanet që kanë bërë epokë si “Gra të vogla” të Louisa May Alcott, klasikë apo nobelistë si John Steinbeck deri tek librat për fëmijë, Lucija na rekomandon 10 librat që duhen lexuar nga letërsia amerikane.

“Të vrasësh zogun përqeshës”, Harper Lee

Dukuri e rrallë e letërsisë… Zbavitës, gëzimndjellës dhe i shkruar në një stil befasues…Kështu do të quante romanin “të vrasësh zogun përqeshës”, revista Vogue. Tryman Capote do ta quante jashtëzakonisht prekës. Një nga rrëfimet më të dashura të të gjitha kohërave. Libri ka fituar çmimin Pulitzer dhe është përkthyer në më shumë se dyzet vende të botës duke u shitur në më shumë se 30 milionë kopje; edhe filmi i bazuar në këtë roman është ndjekur nga një numër shumë i madhe shikuesish. Sipas një ankete të zhvilluar në bibliotekat e Amerikës është cilësuar romani më i mirë i shekullit të njëzetë.

Fuqia e mitit, Joseph Cambell

Libri është bazuar në dokumentarin me të njëjtin emër nga Joseph Cambell realizuar në vitin 1988. Cambel është profesor letërsie, një figurë e njohur e studimeve amerikane mbi mitologjinë dhe religjionin krahasues.Dokumentari u trasmetua fillimisht si gjashtë biseda një orëshe midis Campbell dhe gazetarit Bill Moyers dhe mbetet si një nga trasmetimet më të ndjekura në historinë e televizionit amerikan.

Fahrenheit 451, Ray Bradbury

Është një novel në të cilën përshkruhet në mënyrë të përkryer shoqëria moderne dhe qëllimi I saj kryesor që është konsumimi. Autori na kujton se gjëja më e keqe në botë është kur njerëzit e humbin lidhjen me njëri tjetrin dhe kur distancohen nga natyra dhe nga trashëgimia intelektuale. Ray Bradbury është një nga shkrimtarët amerikanë më të njohur në botë. Krijimtaria e tij përfshin romane, tregime, publicistikë, skenare filmash. Vepra e tij është shpërblyer me çmimet më të mëdha letrare, si, Çmimi O’Henry, Çmimi Linkoln etj. Kritikët dhe lexuesit bashkohen në mendimin se 451 Farenheit (Farenheit 451 °) – përkthyer edhe në shqip në vitet ’80 – është kryevepra e këtij shkrimtari tepër aktiv deri në ditët e sotme. Megjithatë, tregimet e shkurtra, mbeten pjesa më përfaqësuese në krijimtarinë e këtij autori. Tematika e këtyre tregimeve sillet që nga realizmi kritik e deri tek futurizmi i subjekteve të së ardhmes.

Fëmijët e gjakut dhe kockave, Tomi Adeyemi

“Fëmijët e gjakut dhe kockave” është një novelë fantastike shkruar nga autori nigeriano-amerikan Tomi Adeyemi. Libri tregon rrugëtimin e Zelie Adebolas e cila kërkon të rikthejë magjinë në Orisha. I konsideruar si një version ndryshe i Harry Potter, kjo histori pritet të ketë vazhdime në seritë e tjera që pritet të dalin së shpejti në treg. Për shumë kohë libri ka kryesuar listën e librave më të shitur për të rinj në Neë York Times .

5.Rrushtë e zemërimit, John Steinbeck

I botuar në vitin 1939, “Rrushtë e zemërimit” do të mbetet një ndër romanet më të rëndësishëm të John Steinbeck, I cili do të përmëndej dhe kur shkrimtari mori çmimin Nobel më vitin 1962. Ngjarjet vendosen në kohën e Depresionit të madh, rrëfyer përmes historisë së një familjeje të varfër fermerësh, të cilët pas shumë peripecish nisen për në Kaliforni. Romani konsiderohet kryevepër e Steinbeck dhe pjesë e kanunit letrar amerikan. Në 75 vitet e para të botimit, libri ka shitur 14 milionë kopje. John Steinbeck konsiderohet si një ndër autorët më të rëndësishëm të letërsisë amerikane. Veprat e tij lexohen gjerësisht jashtë vendit dhe shumë nga veprat e tij konsiderohen klasike të letërsisë perëndimore.

Gra të vogla, Louisa May Alcott

Historia e tri motrave, që sillen si të rritura dhe i bëhen krah familjes dhe atyre që janë në nevojë, i bën fëmijët t’i admirojnë dhe t’i kenë si shëmbëlltyrë vajzat Marsh, aq të ndryshme nga njëra-tjetra, por të gjitha të ëmbla dhe me dashuri për jetën. Kjo vepër mbetet ndër më të rëndësishmet e Louisa May Alcott e cila vijon të tërheqë lexuesit, pavarësisht faktit se realiteti shoqëror dhe familjar i përshkruar në roman është shumë i ndryshëm nga jeta familjare e ditëve tona. Jo March shikohet si një nga personazhet më të kompletuar dhe më i dashuri personazh në letërsinë për fëmijë.Autorja tentoi t’i jepte personazheve të veta një dozë egoizmi, vaniteti, inati dhe turpi, cilësi që nuk qenë parë kurrë më herët në personazhe të tilla për fëmijë. Romani u bazua në eksperiencën e vetë autores, e cila e kaloi fëmijërinë në Germantoën të Pensilvanisë me tre motrat e saj, Anna, May dhe Elizabeth.

The Giving Tree, Shel Silverstein

Konsiderohet si një nga librat më të bukur për fëmijë që duhet lexuar. Libri tregon historinë e një djali dhe një peme. Çdo ditë djali ngjitej në trungun e pemës duke u lëkundur në degët e saj e duke e bërë pemën e lumtur. Vitet kaluan dhe djali u rrit. Ai nuk luante më me pemën por kërkonte më tepër prej saj. Pema nisi t’ia plotësonte dëshirat. Nëse ai donte para ajo ia siguronte duke shitur mollët e saj. Ai dëshironte shtëpi, dhe pema i kërkoi të priste degët e saj…Ai donte një varkë dhe pema i tha të merrte trungun e saj…E në fund kur djali tashmë ishte një burrë i vjetër dhe i moshuar, nuk donte gjë tjetër veçse një vend të qetë për tu ulur e pushuar…

Unë e di përse këndon zogu në kafaz, Maya Angelou

I shkruar në vitin 1969 libri është një autobiografi e shkrimtares dhe poetes së njohur amerikane Maya Angelou. Ajo është një nga personazhet më të njohur të letërsisë amerikane, e njohur veçanërisht për poemat e saj. Vargjet e saj vazhdojnë të jenë frymëzim duke transformuar shumë jetë grash. Historia e saj ka lënë gjurmë në breza të tërë njerëzish e admiruesish. Kur ishte vetëm 7 vjeç, ajo u përdhunua nga i dashuri i mamasë, gjë që i shkaktoi një traumë të madhe. Për shumë vite, ajo nuk foli me askënd dhe i kaloi ato, vetëm duke lexuar dhe dëgjuar. Më pas, në rininë e hershme, kohë përpara se ajo të bëhej poete e famshme, ishte një mama beqare, e cila punoi në bare striptizmi. “Ne dashurojmë, duke e fërkuar lakuriqësinë me dorashka në duar. Duke përjargur gojën me puthje gjuhë më gjuhë. Puthje që, as nuk prekin, as që duan të prekin, nëse dashuria është e brendshme”, shkruan ajo. Përgjatë viteve të saj si shkrimtare e njohur, Maya Angelou loboi për të drejtat e njeriut kundër racizimit dhe pro barazisë gjinore. Për këto kauza, që i ndoqi deri në fund të jetës së saj, ajo pati ndikim te figura të shquara, si disa presidentë amerikanë, te Nelson Mandela, si dhe te Martin Luther King, i riu. Ndër vite ajo fitoi dhjetra çmime dhe disa shkolla fillore mbajnë sot emrin e saj.

Vdekja e Salesman, Arthur Miller

Konsiderohet si një nga veprat madhore të shkrimtarit, eseistit, dhe dramaturgut të njohur amerikan. Emri dhe vepra e Miller  kanë plazmuar në kujtesën e gjeneratës figurën e një personazhi që me artin e tij zgjodhi t’u drejtohet të gjithëve. U nderua me shumë çmime por vlerësimin më të madh ia atribuon vënia dhe rivënia e vazhdueshme në skenat teatrore të veprave të tij dhe vlerësimi që përfton në një botë që ndryshon.

Getsbi i Madh, F. Scott Fitzgerald

Në vitin 1922, Francis Scott Fitzgerald bëri të ditur vendimin e tij për të shkruar “diçka të re, diçka të jashtëzakonshme, të bukur dhe të thjeshtë, por njëherësh të ngatërruar në formë.” Kjo gjë e jashtëzakonshme, e bukur, me formë të ndërlikuar dhe mbi të gjitha e thjeshtë u bë më pas Getsbi i Madh, ndoshta puna më e mirë e Fitzgeraldit dhe sigurisht libri me të cilin u bë i njohur.

Si një portret i Epokës Xhaz, me gjithë dekadencën dhe teprimet e saj, Getsbi bëri për vete shpirtin e brezit të autorit dhe zuri një vend të përhershëm në mitologjinë amerikane. Milioneri i sajuar dhe i vetshpikur Xhej Getsbi mishëron disa nga tiparet më karakteristike të Fitzgeraldit dhe vendit të tij: paranë, ambicien, lakminë dhe premtimin për fillimin e ri. “Getsbi besonte në dritën e gjelbër, në të ardhmen që hapet vit pas viti para syve tanë e na rrëshqet nga duart. Por nuk ka rëndësi. Nesër do të vrapojmë më shpejt, do t’i shtrijmë krahët më larg…”

Dhe një mëngjes të bukur ngjitja e Getsbit drejt lavdisë dhe rënia e tij bëhen një lloj përralle paralajmëruese rreth Ëndrrës Amerikane. Është gjithashtu një histori dashurie dhe fatesh ky rrëfim i pasionit donkishotesk të Getsbit për Dejzi Bukananin. Çifti takohet pesë vjet para se të fillojë romani, kur Dejzi ishte një bukuroshe e hijshme nga Louisville dhe Getsbi një oficer i varfër. Ata bien në dashuri, por ndërkohë që Getsbi shërben jashtë shtetit, Dejzi martohet me pasanikun brutal e zemërgur Tom Bukananin. Pas luftës, Getsbi ia kushton veten verbërisht vënies së pasurisë me çdo mjet, si dhe ndjekjes së Dejzit.

Pas bëri miliona, Getsbi blen një rezidencë në Long Island, organizon festa bujare dhe pret që ajo të rishfaqet. Kur më në fund ajo vjen, ngjarjet shpalosen me gjithë tragjedinë e pashmangshme të një drame greke, kurse fqinji cinik Nik Karrauej shërben si një lloj kori për gjithçka ndodh. Komploti, i thurur me elegancë dhe i shkruar në prozë të kristaltë, e bën librin “Getsbi i Madh” po aq të përkryer sa edhe lloji më i mirë i poemës.

To Kill a Mocking Bird nga Harper Lee

The Poëer of Myth nga Joseph Campbell

Fahrenheit 451 nga Ray Bradbury

The Children of Blood and Bone nga Tomi Adeyemi

The Grapes of Ërath nga John Steinbeck

Little Women nga Louisa May Alcott

The Giving Tree nga Shel Silverstein

I know Why the Caged Bird Sings nga Maya Angelou

The Death of a Salesman nga Arthur Miller

The Great Gatsby nga F. Scott Fitzgerald /KultPlus.com

Ylli shqiptar, Erza Muqolli prezantohet në ‘Harvard’ nga Gezim Gashi

Jeta Zymberi

Gezim Gashi, i pari shqiptar në botë që ka hapur shkollë të artit në Amerikë dhe një emër i suksesshëm në industrinë e muzikës në Los Angeles, po vazhdon të punojë fort në rrugën që ka zgjedhur, shkruan KultPlus.

Përderisa të gjithë e ëndërrojnë shkollimin në Universitetin më prestigjioz në botë “Harvard”, Gashi është i ftuar për të ligjëruar para studentëve nga gjithë bota. Kjo padyshim që është një arritje e madhe për të duke pasur parasysh se si është rritur dhe sa shumë është ushqyer me ëndrra që sot po i bëhen realitet.

“Kjo është e pabesueshme për mua. Momente të tilla më kujtojnë mënyrën se si jam rritur. Kam qenë një refugjat gjatë luftës në Kosovë me ëndrra të mëdha. Bashkë me familjen time u shpërngulëm në Alvesta të Suedisë dhe tash më duhet të ndaj historinë time në universitetin më prestigjioz në botë, në “Harvard”, ishte shprehur Gëzim Gashi për KultPlus.

Por përveç ligjëratës, Gëzim Gashi ka vendosur që përpara studentëve nga e gjithë bota të prezantoj yllin shqiptar Erza Muqollin e cila po mahnit të gjithë me zërin e saj magjikë.

Erza Muqolli gjatë kësaj ligjërate do të lidhet me skype, ku përmes një ekrani gjigant ajo do të flas për suksesin e saj para të pranishmëve.

Gashi ka ndarë lajmin edhe në rrjetet e tij sociale duke u shprehur tejet i emocionuar për këtë prezantim të Erzës.

“Kaq i emocionuar të njoftoj se Erza Muqolli po bashkohet me mua në Universitetin e Harvardit në 9 Mars! Erza është vetëm 14 vjeç dhe është me origjinë nga Kosova, por ka lindur dhe jeton në Francë. Erza ka brenda vetës elementin që të bëhet një artiste e madhe dhe unë jam shumë i entuziazmuar që ajo do të jetë me mua në Harvard!”, ka njoftuar Gashi.

Përndryshe, Muqolli e cila ka arritur një sukses të madh sidomos në Francë, pritet të shndërrohet në një yll edhe përtej Francës.

Ligjërata nga Gëzim Gashi ku do të prezantohet edhe Erza Muqolli, do të mbahet më datë 9 mars 2020, në Universitetin e Harvardit.  /KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/B9DxW1vhiAI/

123 vjet nga botimi i “Alfabetares së gjuhës shqipe”

Sot kujtojmë botimin e “Alfabetares së gjuhës shqipe”, i cili u botua më 27 shkurt 1897. Për ta kuptuar rëndësinë e këtij botimi, duhet të kthehemi pas në kohë e në histori.

Kujtojmë se shqipja, me sa dokumentohet deri tani, filloi të shkruhet që nga shekulli XV me alfabetin latin, të plotësuar me pesë shkronja të posaçme. U shkrua dhe me shkronja greke e, pas pushtimit turk, edhe me alfabetin turk-arab. Rruga tjetër që u ndoq, është ajo e krijimit të alfabeteve origjinale me përhapje të kufizuar.

Që në fillimet e Lëvizjes për çlirim nga Turqia, çështja e alfabetit doli në plan të parë: pa të nuk mund të flitej për Rilindje të popullit shqiptar. Prandaj me nismën e Sami Frashërit, Jani Vretos e Pashko Vasës, më 27 shkurt 1897 u botua në Stamboll “Alfabetarja e gjuhës shqipe”.

Ishte një nga veprimtaritë më të rëndësishme të patriotëve shqiptarë të Stambo llit, të cilët më 12 tetor 1879 themeluan “Shoqërinë e të Shtypurit të Shkronjave Shqip”, shoqëri kulturore, që kishte për synim të nxiste zhvillimin e kulturës në gjuhën shqipe dhe ta vinte atë në shërbim të çështjes së çlirimit kombëtar nga Turqia.

Me alfabetin, plotësonte një nga kërkesat bazë për përhapjen e propagandës atdhetare dhe i hapte rrugën botimeve të para serioze të Rilindjes sonë Kombëtare.

Në gjirin e saj bashkëpunuan ngushtësisht myslimanë të mëdhenj si vëllezërit Frashëri, katolikë të shquar, si Pashko Vasë Shkodrani e ortodoksë të mësuar e atdhetarë si Jani Vreto: ishte pra model i bashkëpunimit ndërmjet feve në shërbim të atdheut.

Gjithsesi çështja e alfabetit të shqipes do të zgjidhej përfundimisht vetëm me Kongresin e Manastirit, që u mblodh më 14 nëntor 1908, ku u hartua një alfabet i ri me shkronja latine. Është alfabeti që përdorin edhe sot e kësaj dite gjithë ata, të cilët shkruajnë shqip. / Koha.net/ KultPlus.com

Amaneti i Ernest Koliqit

Nga: Frank Shkreli

Ishte 15 Janari i vitit 1975 kur bota shqiptare mësoi se Profesor Ernest Koliqi kishte ndërruar jetë, ndërkohë që njoftohej gjithashtu se varrimi i të ndjerit do bëhej me 18 Janar, 1975 në Kishën e Shën Piut X në Piazza della Balduina, në Romë, ku prehen edhe prindërit e tij dhe bashkshortja.  Në ceremoninë e varrimit kishin shkuar personalitete të njohura politike dhe akademike, kolegë e miq nga të gjitha anët e Italisë, arbëreshë e shqiptarë të ardhur nga të gjitha anët e botës, miq nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga një numër vendesh të Evropës Perëndimore dhe nga Turqia.  

Unë kam pasë fatin e mirë ta njoh Profesor Koliqin gjatë qendrimit tim si refugjat në Romë, para se të vendosesha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Dhe deri sa ndërroi jetë me 15 Janar, 1975, shkëmbenim letra dy tre herë në vjet.  Në një letër që Profesor Koliqi më kishte dërguar në vitin 1972, pas një përpjekjeje amatore nga ana ime për të botuar një fletushkë kushtuar rinisë në mërgim, ai më shkruante ndër të tjera: “I dashtuni Fran, më kanë ra në dorë si letra e jote ashtu edhe Nr. 1 i periodikut, “Rinija Shqyptare në Mërgim”.  Gëzohem pikë më së pari që je mirë, që përpiqesh të ndjekish studimet, e në fund, për botimin kushtue masës së re që larg prej Atdheut ka shumë nevojë t’ushqehet me shkrime të shëndoshta shqipe.  Të lumtë!  Ashtë nji fillesë plot premtime.  Mbaj mend veç nji fjalë të moçme: ‘Trimi i mirë me shokë shumë’.  Avit moshatarë sa ma shumë që mundesh.  Në ashtë se kjo fletore do të merret edhe me letërsi, mos harro auktorët që regjimi komunist i ka përjashtue nga historia e letërsisë shqipe…”  Ishte ky amaneti i tij.

Përveç respektit të madh që kam për Ernest Koliqin, është edhe ky amanet pra që më detyron të mos e harroj dhe ta kujtoj atë, nga koha në kohë, në mënyrën teme më modeste, si njërin prej të mëdhëjve të Kombit, por të përjashtuar nga regjimi komunist shqiptar.  Unë nuk kam përgatitjen as nuk jam i denjë të vlerësoj veprën dhe kontributet e shumta të Ernest Koliqit, por amanetin për të mos e harruar atë si një autor të përjashtruar nga letërsia shqipe prej regjimit komunist dhe nga mbeturinat e atij regjimi deri në ditët e sotëme — përpiqem me modesti ta çoj në vend, nga hera në here amanetin e ti, për të mos harruar. 

Një tjetër i madh i letrave shqipe, Karl Gurakuqi, bashkpuntor i ngusht i tij, e ka vlerësuar kontributin prej shkrimtari të Ernest Koliqin kështu: “Nuk janë shumë shkrimtarët tonë, emni i të cilëve të njihet aq mirë në shtresat letrare shqipe sa ai i Koliqit.  Janë 40 vjet që papremas e shohim emnin e tij në çfaqje kulturore gjithëfarësh, në botime, në fletore e revista të ndryshme, disa prej të cilave janë themelue prej tij vet, në botime që janë të paracaktueme që të zënë nji vend të dukshëm, dashtë e padashtë, në historinë e letrave tona.”   Si Ministër i Arsimit në vitin 1939, Ernest Koliqi mbledh pothuaj të gjithë studjuesit dhe shkrimtarët më të dalluar të vendit për të filluar botimin e librave për shkollat e mesme e fillore. Mjafton të përmendet dy-vëllimshi “Shkrimtarët Shqiptarë”, vëllimet “Bota Shqiptare”, “Rreze Drite” dhe “Te Praku i Jetës”, e sidomos mbledhja e folklorit, përmbledhur në “Visaret e Kombit”, të cilat me ardhjen e Koliqit në atë detyrë, arrijtën gjithsejt 14 vëllime, një vepër kjo me shumë vlerë deri në ditët tona, sipas ekspertëve që i dinë këto punë  shumë më mirë se unë.  

Karjera e Profesor Koliqit prej më shumë se 40-vjetësh është tepër e larmishme dhe voluminoze në letërsi, publicistikë, poezi e përkthime, për t’u përmendur këtu në hollësi.  Por me këtë rast të përvjetorit të kalimit të tij në amshim më 15 Janar, 1975 — për të çuar në vend amanetin — dëshiroj të kujtoj Profesor Koliqin, për një rol tepër të rëndësishëm që ai ka luajtur në historinë e Kombit shqiptar, një rol ky që as sot nuk i njihet atij sa duhet në historiografinë neokomuniste shqiptare.  Nuk më kujtohet që gjatë bisedave të kufizuara që kam pasur me të, të fliste për këtë aktivitet aq të rëndësishëm të jetës së tij dhe të arsimit mbarëkombëtar shqiptar, por të bashkpuntorë dhe bashkohas të tij, por edeh të tjerë më vonë, pas shembjes së komunizmit, nuk kanë munguar të theksojnë këtë kontribut historik të tij – hapjen e qindra shkollave shqipe dhe dërgimin e qindra mësuesëve në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare.

Dr. Rexhep Krasniqi, një bashk-kohas i Profesorit ka shkruar në lidhje me këtë aktivitet të Profesor Koliqit gjatë viteve 1941-1944.  Dr. Krasniqi kujton se, gjatë vitit shkollor, 1941-42, si Titullar i Arsimit, Koliqi dërgon në Kosovë rreth 200 mësues e mësuese.  Me këtë rast u hapën një numër bajagi i madh bursash, sipas tij, “Ndërsa më në fund erdhi çasti historik i hapjes së shkollës së parë të plotë të mesme në gjuhën shqipe, më 12 dhjetor 1941”, në Prishtinë.  Këto shkolla, shkruante Rexhep Krasniqi, në një artikull botuar në Shëjzat, u bënë baza me rëndësi për zhvillimin dhe përparimin e gjërë dhe të shumëanshëm të arsimit dhe kulturës shqiptare në ish-Jugosllavi.

Ndërsa Tahir Zajmi,i lindur në Gjakovë dhe një tjetër bashkohas i Koliqit dhe sekretar i Bajram Currit dhe njëri prej themeluesve dhe drejtuesve të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, në një shkrim në vitin 1972, ka vlerësuar kështu rolin e Ernest Koliqit në përhapjen e arsimit në Kosovë dhe në trojet shqiptare:”Fitim i madh për Kosovë kje hapja dhe funksionimi i shkollave shqipe të cilat qyshë atëherë veprojnë e lulëzojnë të kërthensta dhe me një ritëm të shpejt dhe të pandalshëm i falin  Kombit pionerë të rijë që do të jenë garancia më e shëndosh dhe uzdaja e së ardhmes së Atdheut. E merita kryesore e kësaj veprimtarie patriotike të qeverisë shqiptare, pa dyshim i përket Ministrit të Arsimit të asaj kohe, Profesor Ernest Koliqit, i cili me vullnetin dhe me shpirtin prej idealisti, nuk kurseu energjitë e tij dhe as mjetet shtetënore që kishte në dispozicion për ta pajisur sa më mirë aparatin arsimuer në viset e çlirueme, me elementë të shëndoshë që i dhanë hov e gjallëni shkollës shqipe. E sot, për fatin e bardhë të Kombit, ashtë formue atje një rini dinamike e cila në çdo fushë aktiviteti kombëtar e shtetënor po përgatitet e po forcohet për ta lumnue fatin e vendit në të ardhmen. Pra, me shumë arsye Ernest koliqi zen një vend të naltë ndër zemrat e dashamirëve të Kosovës e njëherit edhe në historinë e përpjekjeve për lartësimin kulturor të saj”, ka shkruar Tahir Zajmi për rolin e Koliqit në përhapjen e arsimit shqip në Kosovë në vitet 1941-1944.

Me rastin e vdekjes së Profesor Koliqit, Dr. Ago Agaj nga Vlora me origjinë, edhe ky një shërbestar i Shqipërisë Etnike dhe njëri prej të pareve në Kosovë në vitin 1941, kishte kujtuar rolin e Koliqit në hapjen e shkollave shqipe: “Në hidhërimin tonë nuk duhet të harrojmë se Aji qe fatbardhë në jetë e në vdekje. Shumë njerëz janë përpjekur me zell për një qëllim të lartë e të mirë, por pak janë ata që patën fatin të shohën farën e mbjellë gjatë jetës përhera duke u rritur e përparuar. Ernest Koliqi e pati ketë fat. Dardanët në Kosovë e Maqedhoni, farën që mbolli Ky, e kultivuan me zell të madh e zotësi të pashoqe dhe arrijtën në një shkallë arsimi e cila gëzon e krenon të gjitha zemërat shqiptare kudo që janë dhe – natyrisht, atë të Ernestit, ca më shumë. Ai ishte një ndër më të mirët që kemi pasur gjer më sot, veçse ai mbillte ushqim për shpirt e mendje të Kombit”, është shprehur Ago Agaj.

Ndërsa një prej adhuruesve i ditëve tona i Ernest Koliqit, në një postim në faqën e tij të internetit këto ditë, Z. Flamur Gashi, Këshilltari për Çështjet e Rajonit i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, SH. T. Z. Ilir Meta, kujton burrërisht Ernest Koliqin, “Në mirënjohje të thellë dhe kujtim të atij që mundësoi hapjen e shkollave shqipe në Kosovë dhe trojet e tjera shqiptare”.  Z. Gashi shënon mëtej se, “Në vitin shkollor 1941-1942 u hapën 173 shkolla fillore, 3 të mesme dhe disa gjimnaze të ulëta. Ndërsa në nëntor të vitit 1941 u hap Shkolla Normale e Prishtinës”.  Këshilltari i Presidentit për Çështjet e Rajonit flet me shifra duke theksuar se, “Në fillim, në këtë mision u angazhuan 80 mësues. Ky numër më vonë arriti në 264, ndërsa në vitin 1943-44, ky numër u rrit në 400…ndërsa këtë vit shkollor e ndiqnin mbi 25 mijë nxënës”, nënvijon Z. Gashi.  Këto shkolla, shkruan ai në portalin e tij, “U bënë vatra të diturisë dhe atdhedashurisë”, ndërkohë që Ernest Koliqi, për këtë mision të jashtzakonshëm kishte ngarkuar intelektualin dhe pedagogun gjirokastrit, Ali Hashorva, kujton Flamur Gashi, duke thënë se, “Ishte ky mision arsimor, atdhetar e vizionar që mishëronte programin e madh të rilindjes Kombëtare, përhapjen e diturisë e përparimit, zgjimin dhe ngritjen e ndërgjegjës kombëtare”, përfundon Këshilltari i Presidentit Ilir Meta, në kujtimin që i kushton në faqën e tij të internetit, Ernest Koliqit, në përvjetorin e vdekjes së tij më 15 Janar, 1975.

Megjithëse, zyrtarisht i përjashtuar dhe i harruar nga historiografia dhe letërsia shqipe nga regjimi komunist e deri diku mund të thuhet deri në ditët e sotëme, Profesor Ernest Koliqi ishte i vetdijshëm për efektet pozitive afatgjata të punës së tij të palodhëshme dhe veprës së tij patriotike në dobi të Kombit të vet – por edhe i lënduar për mos njohjen e këtij kontributi nga bashk atdhetarët e vet.  Në një letër që Koliqi i ka dërguar mikut të vet, Karl Gurakuqit e datës 3 dhjetor, 1960, me rastin e Ditës së Pavarësisës së Shqipërisë: “Karl i dashtun, të falem nderit për fjalët që më drejton me rasën e 28 Nandorit dhe për urimet që më ban. Ti ma parë se unë, mandej unë pak ma vonë, jemi përpjekë, me mendje të ndritun e pa mburrje qesharake, si disa, për nji zhvillim shpirtnuer të popullit shqiptar.  Në vend të nji shpërblimi të merituem mbas djersës e mundit të derdhun, patme shpifje, të shame e përçmime. Në fund edhe mbetme pa Atdhe, për të cilin lodhem trutë e pësuem ngashrim shpirtit. Ani: puna që kryejmë e ka shpërblimin në vetvete dhe në kuptimin e disa dashamirëvet të pakët. S’pres kurrgja të mirë nga masa e shqiptarëvet të sotshëm, por shpresoj se trashëgimia letrare qi lam pas vehtes ka me u njoftë si tharm rilindje, breznive t’ardhshme”, ka shkruar Koliqi.

Unë, dhe shpresoj të gjithë ata “dashamirës të paktë” të tij, të cilëve iu referohej Koliqi në letrën dërguar mikut të tij Karl Gurakuqit, e kujtojmë sot këtë burrë të madh të Kombit, me bindje të plotë se vepra e tij patriotike dhe e bashkpuntorëve të tij në Kosovë në vitet 1941-1944, ka shërbyer — gjatë dekadave të vështira që pasuan në Kosovë dhe në trojet shqiptare pas Luftës së dytë botërore  — si “tharm rilindjeje” që çoi, më në fund, në atë që sot e njohim si Republika e Kosovës, shtet i lirë, i pavarur dhe demokratik. /KultPlus.com

Sabiha Kasimati, shkencëtarja që sfidoi diktatorin

Nga Daniela Vathi

Marrëdhënia e grave me shkencën është karakterizuar gjithmonë nga një rrugë e përpjetë qoftë në sferën kulturore, qoftë në atë profesionale. Për të zënë një vend, qoftë edhe minimal, këtyre grave u është dashur të thyejnë barriera të shumta, që u kanë kushtuar sakrifica të mëdha dhe një vendosmëri këmbëngulëse të jashtëzakonshme. Rrallë herë kujtohen sforcimet dhe vështirësitë, që në mënyrë të pashmangshme kanë shoqëruar përparimet e arritura dhe kompetencat shkencore të pashoqe të këtyre “mendjeve të bukura”.

Megjithatë kontributi i tyre për shkencën, dhe si rrjedhojë për të gjithë njerëzimin, është tepër i madh.Edhe pse u është dashur të luftojnë kundër paragjykimeve dhe mentaliteteve kryesisht mashkullore, ato kanë arritur të cajnë udhën mes kolegëve meshkuj dhe të fitojnë respektine tyre.

Emrat e shkencëtareve të shquara si Montalcini, Agnesi, Montessori,Hack, Curie, Meitner, e shumë të tjera, janë të njohur për memorien kolektive, por janë të shumta gratë e tjera të apasionuara pas shkencës, një fushë e konsideruar si tipike mashkullore, që kanë kontribuar për të përparuar njerëzimin edhe pse fatkeqësisht të neglizhuara nga historia dhe vepra e të cilave ka kaluar pa u vënë re.

Po ta mendojmë, janë të pakët ata që dinë se zbulimi që ka revolucionuar gjenetikën njerëzore dhe studimet mbi të, dmth zbulimi i spirales së dyfishtë të ADN-së, është meritë e një gruaje, Rosalind Franklin, por fatkeqësisht asaj nuk ju njoh kurrë merita, që i kaloi gabimisht dy shkencëtarëve Watson dhe Crick, të cilëve “iu dhurua” cmimi nobel për një zbulim të tillë.

Një fat i ngjashëm do i përkiste edhe një shkencëtareje shqiptare, të parës, Sabiha Kasimati.

Janë të pakët shqiptarët që e njohin emrin e saj. Shumëkush mund të kujtohet për përfundimin e trishtë që ajo pati, por pothuajse askush për veprën dhe punën e saj si shkencëtare ose më mirë si gruaja e parë shkencëtare shqiptare.

Historia e kësaj gruaje është shumë interesante nga shumë pikëpamje dhe mund ta quajmë pa asnjë ngurrim si “Një intelektuale perëndimore”, gjë jo shumë e zakonte për Shqipërinë e fillim shekullit të njëzetë. Natyrisht do ishte mirë që historia të mos lexohej në celës politik, pasi është absolutisht dytësore ndaj figurës së kësaj gruaje.

Nën peshën e traditës shumë shekullore dhe nën ndikimin e botës orientale, përfaqësuar asokohe nga perandoria osmane, shoqëria shqiptare ishte shumë pak e hapur ndaj grave, dhe aq më pak e favorshme ndaj rolit të tyre aktiv në shoqëri. Sipas mentalitetit tipik, vajzat martoheshin që në moshë të re dhe i perkushtonin jetën rritjes dhe edukimit të fëmijëve, si dhe kujdesit të shtëpisë.

Dhe është pikërisht ky ambjent i mbyllur që e bën akoma më tërheqëse figurën e Sabiha Kasimatit, si grua mbi të gjitha dhe pastaj si shkencëtare, e destinuar të sfidonte shoqërinë shqiptare dhe paragjykimet që e karakterizonin.

Kush ishte atëhere Sabiha Kasimati?

Sabiha Kasimati lindi në Edirne më 1912, ishte e bija e një mjeku, me origjinë nga Libohova, që ushtronte zanatin e tij si mjek në Turqi.
Edhe pse larg nga atdheu, familja Kasimati i rriti fëmijët me frymën e patriotizmit dhe dashurinë për kulturën, si shqiptare ashtu edhe europiane në përgjithësi.
Kur familja u kthye në Shqipëri, ajo u vendos tek i vëllai në qytetin e Korcës, i njohur edhe sot për kulturën me frymëzim francez.Një fakt shumë i rëndësishëm, që do të shënonte jetën e saj, ishte se ajo qe vajza e parë që ndoqi Liceun Francez të Korcës, duke shërbyer si shembull për shumë të tjera në vijim.Ky lice ishte shumë i vlerësuar në të gjithë Shqipërinë e asaj kohe dhe ndiqej nga fëmijët e eksponenteve kryesorë të vendit. Pra që në moshë shumë të re, fati i saj e bëri që të dallohej dhe të ishte e vetme.

Qe shoqe klase me Enver Hoxhën, diktatorin e ardhshëm, por një njohje e atillë do t’i kushtonte shtrenjtë, shumë shtrenjtë!

Edhe sot qytetarët e Korcës e kujtojnë me nostalgji si “ çupën e parë të liceut”, e bukur dhe e hedhur, spontane, rrezatuese, inteligjente dhe me një karakter pothuajse burrëror saqë shoqërohej me miqtë e liceut në mënyrë shumë spontane.

Nuk vonoi të dallohej për inteligjencën dhe zellin në studime, tashmë zotëronte shumë mirë disa gjuhë të huaja perëndimore, madje arriti të tërhiqte vëmendjen e profesorëve francez të liceut me theksin e saj perfekt në frengjisht.

Pasi mbaroi liceun, punoi për pak kohe si mësuese në lendët edukatë morale dhe frengjisht në Institutin femëror të Korcës dhe më pas dha biologji në shkollën shqiptaro-amerikane në Kavajë.

Në 1936 realizoi ëndrrën e madhe për të vijuar studimet universitare, dhe arriti të fitojë një bursë studimi nga shteti.Universiteti ishte një privilegj i pak fatlumëve. U regjistrua në Fakultetin e Shkencave biologjike në Torino, ku përvecse u diplomua me maksimumin 30/30 cum laude ( tridhjetë mbi tridhjetë me lavdërim), arriti të mbrojë edhe doktoraturën në 1941.

Edhe në Torino shfaqi inteligjencën e saj, saqë iu ofrua mundësia për të punuar si asistente në katedrën e ihtiologjisë në universitetin e Torinos. Me deshirë për t’u kthyer në atdhe dhe për të vënë në shërbim të tij dijen e saj, refuzoi ofertën dhe u kthye.

Pas kthimit në Tiranë, punoi në Insitutin e Shkencave, që ishte bërthama e parë e studimeve shkencore në vend, nën drejtimin e prof. Selahudin Toto, intelektual i njohur.
Këtu realizoi një kërkim shumë të rëndësishëm në fushën e ihtiologjisë ( disiplina që merret me studimin e peshqve) dhe për më tepër qe edhe ihtiologja e parë shqiptare, në një periudhë kur ende nuk egzistonte një përmbledhje e faunës dhe florës egzistuese në vend.

Në dhjetë vite të gjata kërkimi dhe pune plot entuziazëm dhe angazhim, Sabihaja eksploroi dhe studioi gjithë faunën ihtiologjike fluviale dhe detare në ujërat e Shqipërisë, e bindur se studimet mbi peshqit do të kishin një rëndësi të madhe dhe një vlerë ekonomike të cmuar për vendin, që është vecanërisht i pasur. Bëri klasifikimin në bazë të taksonomisë, në klasa, lloje dhe nënlloje, duke përcaktuar zonat ku përhapeshin llojet kryesore të peshqeve me vlerë ekonomike dhe studime të shumta rreth riprodhimit dhe cikleve të tyre biologjike.

Pas një pune të stërmadhe në përmbushjen e mijëra skedave, koleksione të ekspozitave të mbedhura në dhjetra ekspedita, nga liqeni i Butrintit deri në liqenjtë e Lurës, nga liqeni i Prespës deri në detin Jon dhe Adriatik, si dhe në lumenjtë më të rëndësishëm, duke regjistruar dhe përpunuar ndërkohë mijëra referenca bibliografike dhe fotografike, që do të kishin qenë një ndihmë e madhe jo vetëm për Shqipërinë por edhe për të gjitha vendet ballkanike kufitare.

Sabihaja ishte gati të publikonte veprën e saj voluminoze “Peshqit e Shqipërisë”, por ja që fati i saj ndërthuret me atë të Rosalind Franlin, sepse vepra e saj nuk u publikua kurrë në emrin e autores së vërtetë, Sabiha Kasimati, por në emrin e një shkencëtari rus Anatoli Poliakov, dhe të dy studiuesve fillestarë Ndoc Filipi e Ndoc Rakaj.

Sabiha Kasimati, krenare për idealet e saj iluministe, zgjodhi të ndiqte një shembull perëndimor edhe në jetën e saj. Ajo nuk u martua kurrë dhe jetonte vetëm në një apartament në Tiranë, pasi kishte nevojë për hapësirat e saj.Në fakt ajo kishte shpesh vajtje-ardhje me shumë nga miqtë dhe mikeshat e saj intelektuale të kohës, që përbënte një mënyrë diskutimi dhe ballafaqimi mes personazhëve kryesorë të vendit. Sigurisht nuk ishin të zakonta gratë shqiptare që jetonin të vetme (dhe nuk janë as sot), pa rënë në sy në një vend me mentalitet të mbyllur dhe të prapambetur. Pra bëhej përsëri fjalë për një sfidë ndaj zakoneve dhe traditave të shoqërisë se atëhershme.

Ndërkohë në Shqipëri po instalohej diktatura komuniste e Enver Hoxhës, ish shoku i klasës, i cili siç dihet tashmë, eliminoi çdo zë kundërshtues në vend, duke eliminuar fizikisht cilindo të guxonte të vihej kundër regjimit të tij tashmë totalitar de facto. Pjesa më e madhe e intelektualëve që kishin studjuar në perëndim, u dënua me vdekje, por ajo që shqetësoi së tepërmi biologen qe dënimi me vdekje i profesorit të saj Salahudin Toto dhe internimi i shoqes së saj Musine Kokalari, shkrimtarja e parë shqiptare.

E njohur nga të gjithë për karakterin e saj të drejpërdrejtë dhe guximtar, ajo i kërkoi një takim Enverit, ku pasi e qortoi si përgjegjësin kryesor për vrasjet e intelektualëve, miqtë e tyre, duhet ti ketë thënë: “ Ti po vret të gjithë intelektualët! Me çfarë ke ndërmend ta ndërtosh Shqipërinë me këpucarët dhe teneqexhinjtë?!”

Në vazhdim, duke mos përfillur rrezikun e sigurtë që i vërtitej tashmë, ajo vendosi të shkonte të takonte miqtë e saj të internuar në kampin e internimit në Jubë.

Disaprovimi i saj i qartë dhe disidenca, që nuk u mundua kurrë ta fshihte, ndaj regjimit të Hoxhës firmosën edhe eliminimin e saj të afërt.

Ishte viti 1951 kur një bombë ose më mirë pak dinamit shpërtheu në oborrin e ambasadës ruse në Tiranë, por nuk shkaktoi asnjë dëm, përvec thyerjes së disa xhamave. Regjimi, në bazë të planeve dhe listave të parapërgatitura më parë, urdhëroi arrestimin e rreth njëqind qytetarëve, të akuzuar për bashkëpunim në plasjen e bombës, prej të cilëve rreth njëzet duheshin pushkatuar që të shërbenin si shembull për këdo të guxonte akte të tilla revolucionare.

Në të vërtetë bëhej fjalë për një justifikim bindës për të eliminuar ata që mendohej të ishin të rrezikshëm për regjimin. Dhe ja që përfshihet edhe biologia Sabiha Kasimati, pranë emrit të saj qe vënë një kryq i kuq që nënkuptonte pushkatim, me akuzën se kishte marrë pjesë në akte terroriste dhe se ishte në shërbim të agjentaturave të huaja.

Ajo mohoi të gjitha akuzat që iu bënë gjatë hetuesisë, duke u përgjigjur: “ Jam kundër pushtetit popullor sepse nuk pajtohet me ideologjinë time. Nuk kam menduar asnjëherë se me anë të akteve revolucionare të mund të arrihej në socializëm. Unë kam studjuar biologji dhe si rrjedhim jam evolucioniste. Evolucioni është në naturën e gjërave. Dhuna nuk çon në socializëm dhe aq më pak në demokraci, por vetëm dhe direkt në shkatërrim!”

E veçanta e këtij rasti qëndron në faktin se 23 intelektualë u pushkatuan pa një proces të rregullt, i cili u mbajt në mungesë, dmth. pasi ishin eliminuar tashmë 23 persona.

Në natën e 26 shkurtit 1951, të lidhur me tela me gjemba, ata u pushkatuan një nga një diku pranë urës së Beshirit dhe trupat e tyre u hodhën të gjithë në një gropë të madhe të hapur disa ditë më parë. Sabiha Kasimati qe e vetmja grua e pushkatuar mes 22 burrave, dhe duke qenë pushkatuar e fundit, atë nuk e kapi plumbi direkt, por u mbyt me dhunë krah ulërimave të saj që tmerruan të gjithë banorët e zonave përreth, deri sa dha frymën e fundit.

Fundi i trishtuar i një gruaje që i kushtoi jetën dijes dhe shkencës, por tashmë është e braktisur në harresë… /KultPlus.com

Filozofia çlirimtare në romanin “Gjarpinjtë e gjakut” të Adem Demaçit

Nga: Rexhep Ahmeti

Se romani “Gjarpinjtë e gjakut” i Adem Demaçit, është specifik, shumë origjinal, i pjekur, roman metaforë (sipas strukturës estetike) shprehë edhe fakti se brenda tekstit të kësaj vepre madhore nuk kemi asnjë shenjë të jashtme (përmendje, emërtim) të kohës së Rankoviqit, kur u shkrua ky roman. Një kontekst jashtë tekstit romanor është fakti i botimit të këtij romani më 1958, në numrat 1 dhe 2 të Jetës së re, mu në kohën më të rëndë të pasluftës së dytë botërore për shqiptarët që jetoni në trojet e veta në ish-Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ). Por edhe pse është kështu, romani ka bërë një pasqyrim të brendshëm artistik, psikologjik e filozofik të kohës në të cilën u shkrua.

Të hyjmë paksa në atmosferën e kohës, përmes metaforës së vet këtij romani: [i]“Jo-atyre që janë trima të ngrejnë gishti e krimit, por atyre që janë burra të shtrijnë dorën e pajtimit…. ” [1][/i]
Ky mendim bosht i romanit, kjo filozofemë estetike apo ide hyrëse, udhëheqëse e romanit, që në këtë vepër më së shumti i shkon, personazhit të Mustafës, i cili i ngjan vet autorit Adem Demaçit, të shpie më tutje, të parashikosh se në roman do të flitet për një kohë kur ka pasur “trima” të krimit, që në këtë vepër mohohen e luftohen artistikisht, dhe “burra që shtrijnë dorën e pajtimit”, që, natyrisht, se në roman vlerësohen si pjesë e zgjidhjes, apo si thurje e gardhit të së mirës së përgjithshme, ose si kundërvënie ndaj “ortekut të gjakut” (figurë artistike, ndër më qendroret e romanit) të asaj kohe të çmendur, për mohimin e së cilës, në roman, instalohet ideja çlirimtare që ata që janë “trima të ngrenë gishtin e krimit”, të ndryshojnë shpirtërisht, të dalin nga “gërzholja e vet” (figurë letrare ndër qendrore e romanit); ndërsa ata që janë burra të drejtohen e të orientojnë edhe të tjerët kundër, kryekrimit, pushtuesit të vendit, që në roman shënjohet alegorikisht me Turqinë, po lexuesi e ka kuptuar dhe e kupton-Serbinë okupatore, si pjesa kryesore të zinxhirit të RSFJ-së për Kosovën.
Që në faqen e parë të romanit shprehet atmosfera e një kohe të rëndë, me vapë tharëse, edhe pse është “fillimi i korrikut”, ku shqiptarët në ish-Jugosllavi e kishin merituar të korrnin rezultatet e pasluftës së dytë botërore, edhe në shtetin e AVNOJ-it, pasi, edhe atëherë kishin qenë faktorë çlirues kundër fashizmit. Autori vazhdon të na jep përshkrimi artistik të kohës:
[i]”Fillim i korrikut. Dielli derdh nxehtësinë duke përcëlluar çdo gjë nën vete. Bucina buzë Përroit të Thatë, në Koliq, është bërë pothuajse tokëllinë, e rrjepcuar nga bari, duket si lëkura e lopës së zgjebosur….fijet e rralluara të barit kanë humbur çehren e blertë. Të verenikura, të zverdhura, i janë katrrithur tokës vetëm për një pikë ujë, e cila, edhe vetë skamnore, vetëm ua tregon buzët e veta të Shkrumbuara dhe të plasaritura. Këto fije, që përkunden kalamendshëm nën puhinë e plogët të paradites, u ngjajnë do krijesave të dobëta, të cilat, të teshura në shpirt, rrinë të zdërvajura përdhe dhe me shikim të drejtuar kah kupa e qiellit thuase thonë: Ujë, o qiell! Ujë, një pikë ujë, se edhe forcat e fundit po na rrejnë!…O, baba diell! Veç një shi na duhet që të ngihemi ujë, veç edhe një e pastaj syri yt përvëlues saç i kuq t’u bëftë. “ [2][/i]

Këtu, pra përshkruhet vapa ekzistenciale, në të cilën edhe “Bucina…është bërë tokllinë“ dhe në këtë tokë pjellore të jetës së shkelur nga hasmi hasmi “fijet e barit…u ngjajnë do krijesave të dobta… i janë katrrithur tokës vetëm për një pikë ujë….. ” Dhe jo vetëm elementet e jetës “fijet e barit të…. zverdhura”, që është alegori për një shumicë njerëzish që robëria i bënë krijesa të dobëta “të teshura në shpirt”, të cilat kërkojnë liri, artistikisht, në roman kërkojnë ujë: ”Ujë, një pikë ujë, se edhe forcat e fundit po na rrejnë!…E toka “e cila, edhe vetë skamore, vetëm ua tregon buzët e veta të Shkrumbuara dhe të plasaritura”. Pra edhe vetë jeta, vetë ekzistenca, vetë koha e robërisë, shënjohen me figurën e tokës me ”buzët e veta të Shkrumbuara dhe të plasaritura”. E në atë kohë kur u shkrua romani kishte aq shumë, vuajtje, shkrumb, etj, ngushtësi psikologjike, madje edhe egërsi (ujqëri) gjarpri, dhelpëri, tragjedi sa që edhe qielli [i]“ habitet me atë se si çdo gjë mbi tokë pret që ky të mëshirohet, lut që ky t’ia plasë vajit, që pastaj të gëzohet dhe të lahet me lotët e tij të dëshpërimit. “ [3] [/i] Kohën e robërisë e shënjon në këtë roman edhe prania e madhe e vajit, sikur “çdo gjë mbi tokë”, pra e tërë jeta, ekzistenca, dëshiron të derdh lot e të lahet në lotët e saj. E sidomos këtë e dëshirojnë personazhet e këtij romani, “të cilat, të teshura në shpirt”, kërkojnë shi, liri, butësi, dalje nga gëzhoja në të cilën, sikur i ka vënë dikush, por që nuk mund ta dinë saktë, ndaj edhe djali e bënë çështje mënyrën e të folurit, komunikimit, qoftë edhe me babai e vet (Mustafa me të atin Sejdiun):
[i]”-E, pra qitash, bablok, mue m’ hupi krejt filli!…Ti je kahë flet me mua, qysh po m’doket, veç me dorza: me do ortiqe, me do lepuj, me do buba, e u hiç nuk po muj me e marr vesh kët punë!… Po fol pak ma açik kallxomë edhe diçka tjetër! -S’di me folë ma açik se qishtu!… Çka t’vye ty me ditë ma shumë sen?… “ [4][/i]
Pra, jeta e tillë, robëria ka kushtëzuar edhe mënyrën e komunikimit, njëtrajtshmërinë e vetëdijes, disponimin kundër diturisë më të thellë, sepse, në masë të njerëzve ishte përhapur opinioni se të tjerët duhet të mendojnë për ne, se toka jonë është e Babës mbret etj. Por në roman, tregohet se nuk ka qenë vetëm kështu. Brezi i ri i luftëtarëve të lirisë kombëtare, që është i shënjuar me personazhin e Mustafës, do të shkoj më tej, t’i kapërcej këto përralla të hoxhallarëve dhe të nxitësve (shtirësve) tjerë të së keqes, prandaj do për të ditur më konkretisht për fatin dhe jetën e përbashkët sepse dija nevojitet. Ndaj edhe personazhi kryesor, çlirimtar Mustafa, jep mesazhin çlirues: “Orteku i gjakut”,- [i]“ kjo punë na prek t’ tanëve ne…Modje duhet me u kallxue edhe t’ tjerëve qysh a puna!” [5][/i]
Realiteti artistik i romanit në fjalë na jep për të kuptuar se shumica e popullatës, nuk e kanë njohur mirë strukturën e robërisë, ku ishte instaluar vëllavrasja e gjakmarrja, “orteku i gjakut”, ndaj edhe, si për këtë ashtu edhe për paragjykime tjera, më shumë i përshtateshin kohës së robërisë se sa që dilnin kundër saj. Kështu edhe Sejdiu e Abazi të cilët në roman janë njerëz të pastër shpirtërisht, shqiptarë të zakonshëm, por që nuk mund të dalin me mendime e praktikisht nga rrjeti i vëllavrasjeve dhe gjakmarrjeve, sepse ato ishin bërë normë tragjike e pashkruar, dominuese e asaj kohe. Duke qenë të përfshirë nga një normë që qe e shartuar edhe me një pjesë të kanunit (negativen e kanunit) e të ndihmuar për zbatim nga pushtuesi (dhelpër sepse si i padukshëm, gjarpër sepse mbahej me orteke gjaku) duke pasur edhe një ngushtësi psikologjike e papjekuri të personazheve të romanit (që ishin gati identike edhe me personazhet e jetës së asaj kohe) shumë vrasje bëhen nga asgjëja: vriten njerëzit për një megjë mali dhe vazhdon zinxhiri i vrasjeve (Jetullahu i Ramës dhe vëllai i Emin Malokut [6]); t’bit e Vocit… për ni lis kenë ba katër gjaqe!… [7] , t’bit e Lizit janë ba kaçavej veç për ni zog pule, të Prapashticsit qi ishin ba lakën nërmjet veti për nji hap ven [8]. Këto i tragjedi familjare (që ishin edhe pjesë e tragjedisë së shqiptarëve në ish-jugosllavi) i di dhe i tregon (me përpjekje individuale për ta hequr qafe këtë gjarpër) qoftë edhe vetëm një personazh në roman. Është ky Sejdi Goxhufi i cili edhe pse, në esencë burrë i mirë, nuk mund t’i shpëtojë ortekut të gjakut, sepse me dëshirë e jep vajzën, për djalin e një burri, po ashtu të fortë, të zakonshëm Abaz Gjukës. Por psikologjia e asgjësë e një personazhi tjetër, bartës i fijeve të ortekut të gjakut, Emin Malokut (nga inati pse Sejdiu nuk ia kishte dhënë vajzën për djalë të tij) i merr në qafë që të tri familjet, madje edhe kushërinjtë e tyre, sepse ditën që i bien teshat (tri ditë para dasmës së të fejuarve), Mehmeti, djali i Emin Malokut, hynë në odë të Sejdiut, me gisht në këmbëz të pushkës, si dhunues, prish rendin e këngës e të bisedës atdhetare. Aty ishte edhe miku i Sejdiut, Abaz Gjuka, me shumë burra tjerë. Abazi nuk lejon poshtërim nga Mehmeti, duke qenë edhe para vdekjes! Mehmeti kërkon nga Sejdiu që t’a bëjë gati vajzën, pasi që kështu po rivendoska në vend “nderi” dhe “burrëria” e shtëpisë së Emin Malokut. Nga qëndrimi i pamposhtur i Abazit, dhunuesi më pushkë në dorë, Mehemti, detyrohet ta lejojë Abazin të dal nga oda, edhe pse ai e paralajmëron se nëse nuk vritet nga Mehmeti, do të hakmerret kudër këtij poshtërimi që ishin pozicionuar t’ia bënin, jo vetëm odës, zotit të shtëpisë, po edhe atij vet, Abazit. Menjëherë pas daljes nga oda, Abazi me vrap shkon te shtëpia e dhëndrit të tij Hazirit, të cilin e thërret në ndihmë dhe ai së bashku me gjashtë burrat të armatosur (tre me martina, një me sopat, dy me stupca) mësyjnë kundër “dhunuesit ” [9] të burrërisë e odës së pushtuar shqiptare, e kur Sejdi Goxhufi nën tytën e pushkëve të ngrehura, me organizimin e Emin Malokut po “nxirrte për krahu nga qilari bijën e mbytur në vaj dhe lot [10]” për të ua “dhanë me veti” [11], kërcet martina dhe e merr për vdekje dhunues Mehmetin e ndihmësin e tij Halitin. Atëherë “burrat në odë si të xekërruar brofën në këmbë dhe sekush para tjetrit rrëmbyen të tetë martinat e varura…Pas pak do batare të shpeshta martinash shoshuan natën e shurdhët. Pastaj u dëgjuan do britma, një rrëmujë, do thirrje:…Pastaj edhe një zë plake:-grueja nërmjet, zoti u bekoftë, grueja nërmjet!…. [12] Tragjedia është shtatë-tetëfishtë: ”…Nata villte ethe. Në oborr të Sejdi Goxhufit tetë të shtrirë. Shtatë kishin mbetur në vend, kurse Abazi ndihej gjallë” [13] Në këtë situatë tragjike-dramatike kundërshtari i kësaj tragjedie, Mustafa, “ngrehi këmbzën e alltisë “ [14] Ky Hamlet shqiptar, ”si plumb i gjallë, depërtoi murin e njerëzve dhe hyri në mes, te kufomat.. t’i shoh niherë kush janë këta orëprerë? ” [15] Këtu Hamleti shqiptar, urdhëron, vajton, qan, gërthet në kulmë të revoltës, dhimbës, gjithnjë duke sfiduar të gjithë ata bashkëfshatarë të tij që nuk e dëgjuan të dilnin nga gëzhojat (në roman-gërzholet) e tyre dhe ta ndalnin ortekun e gjakut. Mustafa nuk kursen së fshikulluari mangësitë e egërsitë as të babait të vet, as të vetes dhe i thërret fëmijët (brezin e ri) që t’u shtypin kokën “gjarpnojve të gjakut që e ka xgatë kryet… e lypin veç gjak, këta pinë veç gjak!…[16] Se figura e gjarpinjve të gjakut, kryesisht, është shenjë e elementëve pushtues, rankoviqistëve çetnikë si pjesë e pushtetit pushtues, shënjon edhe kjo porosi e Mustafës për brezin e ri: ” Mëshoju edhe pak, mëshoju e naljau turrin këtyne gjarpnojve t’gjakut, qi po mundohen hala me ecë e me i përlye me marre kto malet tona, me e flliqë këtë dhe tonin!…-Ndalni!….Ndalni!…Shtypjauni kryet!… “ [17] Mustafa është i pa kompromis kundër ortekëve të gjakut. Shfrynë edhe kundër shkaktarit kryesor të këtij orteku të gjakut. “- I kthehet Eminit të mërrolur.-Po ty bre Emin Maloku, a po t’doket qi t’u ka forcue pak kaçepi sa për me e thye at gërzhole tanen, a…nashta e ke ba menen çykë me dekë me ta?…. A nashta hala s’u ngie gjak, se gërzholja t’ka qillue e trashë!… “ [18] Mustafa “krejtësisht i dal llazine”, por edhe i vendosur që të mos jetojë më mes ortekëve të gjaku t vëllazëror, ia ofron revolen Eminit që ta vras (Mustafën)! Por çuditërisht Emini kishte dalur nga gërzholja dhe jo vetëm që nuk ia kthen armën Mustafës, por nuk e lejon as Smajlin, një të afërm të vetin, ta vriste Mustafën. Mustafa, këmbëngulës që mos të jetoj me turp në robëri, përsëri ia ofron revolen të atit, së bashku me lutjen vendimtare: ” Hiqëm, o bablok,….û nuk muj me përbi vetveten, nuk muj û, bre bablok, se û nuk kam gërzhole! “ Dhe kur Sejdiu (babai) “ i përhumbur kap alltinë…dhe në çastin kur vdekja deshti ta kafshonte edhe Mustafën, Emin Maloku kërceu dhe e kapi dorën e Sejdiut….
Atëherë gjeli i parë grishi Agimin. Mustafës së gjunjëzuar padashur i shkuan sytë kah Maja e Maçekllavës dhe pa se atje tashmë po zhdavaritej terri i natës…. ” [19]

Edhe mënyra e përfundimit të romanit sugjeron gjetjen e kodit kundër ortekëve të gjakut: daljen nga gërzholja, çlirimin shpirtëror, me anën e të cilit arrihet vetëdija e veprimit kundër territ të robërisë. Çlirimin shpirtëror nga paragjykimet e kohës, autori i ka parë si parakusht të çlirimit fizik të atdheut nga pushtuesit. Ndaj autori ka treguar, atëherë, kur ka qenë e rrezikshme të tregohet, por kur ishte edhe më e nevojshmja të tregohej, se me punë, sinqeritet e bindje mund t’i hiqet gërzholja edhe një Emin Maloku, e lëre më të tjerëve që ishin më të lehtë për t’u përpunuar e bindur për në rrugën e çlirimit. Kodi çlirues në romanin “Gjapinjtë e gjakut” të Adem Demaçit, iu është dhënë, mençurisht e estetikisht, mu në kohën e duhur, shumë lexuesve shqiptarë, të cilët kanë pasur mundësi që ta përdorin atë kod edhe si projekt shpirtëror praktik për ndryshimin e realitetit. Dhe një pjesë e madhe e lexuesve, gjatë kohës së robërisë, vepruan, po sipas kodit çlirues, projektit shpirtëror të këtij romani e së bashku me autorin e romanit e të prirë nga ai, vendosmërisht, morën pjesë në betejën e vështirë praktike për çlirimin e Kosovës dhe krijimin e shtetit demokratik të Republikës së Kosovës në funksion të ribashkimit kombëtar të të gjithë shqiptarëve.
Në këtë roman modern shqiptar është gërshetuar, mjeshtërisht, realiteti estetik me realitetin jetësor, praktik. Struktura estetike është brenda dhe jashtë strukturës së rrethanave të kohës konkrete kur u shkrua romani. Prandaj në këtë roman idealja, shpirtërorja, estetikja i prin reales.
Për të thënë (eksploruar e shkruar) më shumë rreth realitetit estetik dhe thelbit të filozofisë çlirimtare të këtij romani, duhet zbërthyer edhe estetikja e kësaj vepre të veçantë, por jo të rëndomtë.

Mitrovicë,
6-16 shkurt 2012 /KultPlus.com


Sabiha Kasimati, shoqja e klasës së Enver Hoxhës që u pushkatua me urdhër të tij

Sabiha Kasimati mbaroi Liceun e Korçës (në të njëjtën klasë me diktatorin E. Hoxha). Shteti shqiptar i akordoi bursë studimi në Universitetin e Torinos, në Fakultetin e Shkencave Biologjike, të cilin e përfundoi me sukses me notat 30′/30′, me lavdërim (trenta su trenta con lode). Në verën e vitit 1941 mbrojti edhe doktoratën. Katedra i ofroi vendin e asistentes në ihtiologjinë fluviale, por ajo nuk pranoi dhe u kthye në atdhe. Mbas disa vitesh pune me pasion, u detyrua të shkonte në Itali për kura shëndetësore në një sanatorium të Torinos.

Pas shërimit, aty nga viti 1945 u kthye në atdhe. Nisi punën në Institutin e Shkencave, siç quhej atëherë bërthama e parë shkencore, që drejtohej nga prof. Selaudin Toto. Sabihaja ishte një intelektuale e kompletuar, që kishte studiuar në Perëndim, një filozofe dhe biologe që e njihte mirë thelbin dhe shfaqjen e panatyrshme e çnjerëzore të sistemit totalitar komunist, i cili po vendosej në Shqipëri. Ajo u dëshpërua thellësisht nga goditjet e rënda që po u jepeshin intelektualëve të vendit, veçanërisht atyre që kishin studiuar në Perëndim, mjaft nga të cilët ishin kolegët e saj.

Gjyqet ushtarake dënonin me pushkatime dhe burgime të rënda elitën shqiptare. Ajo u trondit veçanërisht nga pushkatimi i drejtorit të saj, shkencëtarit Selaudin Toto, si edhe i intelektualëve opozitarë Gjergj Kokoshi, Suad Asllani, Sulo Klosi, Shefqet Beja, prof. Stanislav Zuberit etj, veçanërisht nga dënimi i shkrimtares së parë shqiptare, Musine Kokalari. Kështu, Sabihaja filloi të shprehte pakënaqësinë për regjimin dhe për Enver Hoxhën, shokun e saj të klasës në Liceun e Korçës. Këto pakënaqësi të saj, si edhe prejardhja nga një familje e madhe, tërësisht intelektuale dhe demokratike, bënë që emri i Sabihasë të futej në listat e zeza të Sigurimit të Shtetit si “kundërshtare e regjimit”.

Sabihaja u arrestua më 20.02.1951. Ajo bënte pjesë në listën e Sektorit të Dytë të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, të përpiluar nga kapiten Rasim Dedja. Përbri emrit të saj ishte vënë një kryq, që do të thoshte se ajo do të pushkatohej. Përpiluesi i listave të zeza rrëfen: “Vlerësimi për personat që do të pushkatoheshin dhe që janë pushkatuar në fakt, është bërë direkt nga udhëheqja e Ministrisë, që në atë kohë ka qenë Mehmet Shehu me dy zëvendësministrat e tij – Kadri Hazbiu dhe Mihallaq Ziçishti. Them për këta të fundit, se këta mbulonin Sigurimin. Mehmet Shehu ishte ministër i Brendshëm, direkt i interesuar për ngjarjen. Ai propozoi në mbledhjen e Byrosë Politike që të pushkatoheshin pa gjyq 10-15 persona dhe Byroja ia miratoi, pra, i kishte duart e lira. Por, jo pa komandantin. Pa miratimin e diktatorit nuk bëhej asgjë. Enver Hoxha ia miratoi të gjitha veprimet dhe emrat e viktimave që kishte përzgjedhur. Por Enveri shtoi nga ana e tij emrat e Sabiha Kasimatit, Reiz Selfos, Manush Peshkëpisë, Qemal Kasoruhos, të cilët ishin nga treva e Gjirokastrës dhe ai i njihte personalisht.

Për pushkatimin e saj dhe 22 intelektualëve të tjerë kishte vendosur Byroja Politike e KQ të PPSH, me vendimin e datës 20 shkurt 1951. Nuk ka shembull në gjithë vendet e Lindjes komuniste, që të vendoste për të vrarë njerëz Byroja Politike, madje, pa gjyq dhe duke shkelur edhe ligjet e asaj kohe!

Ajo nuk e pranoi akuzën për akte terroriste, për pjesëmarrje në organizata terroriste, për vënie në shërbim të agjenturave të huaja, por pranoi me burrëri se, si intelektuale, ishte kundër pushtetit totalitar dhe ideologjisë së tij komuniste: “Kam qenë kundër pushtetit popullor, sepse nuk pajtohet me ideologjinë time. Unë nuk kam qenë kurrë e mendimit se me akte revolucionare të arrihej në socializëm. Jam lidhur me një grup shokësh, të cilët kanë qenë armiq të Partisë Komuniste…”
Sabihaja ishte një demokrate e vërtetë europiane. Në mesnatën e datës 26 shkurt 1951, të lidhur me tela me gjemba, bashkë me 21 burra nga e gjithë Shqipëria, i pushkatuan dhe i hodhën në një gropë të përbashkët, pranë Urës së Beshirit. Fshatarët kanë dëgjuar britmat e saj, derisa dha shpirt. Eshtrat e saj sot prehen në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, në një varr të përbashkët me 22 martirët e pushkatuar atë natë të përgjakshme. /KultPlus.com

Kumbaro: Sot kur vdiq Nexhmija, në të njëjtën datë Enver Hoxha pushkatoi shkencëtaren Sebiha Kasimati

Mirela Kumbaro ka reaguar përmes rrjetit të saj social Facebook, me rastin e vdekjes së Nexhmije Hoxhës, bashkëshortes së Enver Hoxhës.

Më poshtë postimi i plotë i saj:

Kronikat e lajmeve lajmëruan me bujë vdekjen e një gruaje 99 vjeçare.
Nuk më intereson fundi biologjik i gruas 99 vjeçare.

Por vazhdon më trondit fakti që jeta dhe vepra e saj publike ishin një copë thelbësore e historisë më të zezë që ka jetuar shoqëria shqiptare. Copë të cilën e mbartim në një mënyrë a në një tjetër. Copë me të cilën ende s’i kemi bërë përfundimisht hesapet, të cilës ende s’ia kemi shkruar historinë. Copë që për t’u kthjelluar do të kërkojë shumë vite të gjata komunikimi, rrëfimi, dokumentimi. Ky i fundit sapo ka filluar, – kam parasysh këtu dokumentimin sistemik, të organizuar, të institucionalizuar, dhe jo atë që del me mballoma të sajuara në kopertina gazetash me foto gazmore të diktatorit pa pikë përgjegjësie editoriale për mesazhet që përcjell te të rinjtë apo për lëndimin që u bën viktimave të komunizmit.

Gruaja 99 vjeçare i jetoi vitet e veta dhe e pa se si në shoqërinë që po ndërtojmë, nuk të vrasin për idetë e ndryshme politike. Dhe paturpësisht e plot cinizëm nuk reagoi asnjëherë për mijëra të burgosurit e të vrarët për idetë e tyre edhe thjesht estetikisht të ndryshme.

Në të njëjtën ditë si sot, 26 shkurt të vitit 1951, një grua tjetër, një libohovite e mençur dhe e bukur, një nga shkencëtaret e para shqiptare, Sabiha Kasimati u pushkatua në moshën 39 vjeçare nga regjimi që ngriti e kontribuoi deri në zemër të tij gruaja 99 vjecare.
Disa shifra këto, për të treguar se sa Historia është e padrejtë, por edhe se jeta të lë ca shenja rastësore për të na kujtuar mësimin e Historisë që ende nuk është shkruar!
Kjo gruaja vdiq. Por e shkuara nuk ka vdekur, madje ajo ende as nuk ka kaluar.
Në foto: Sabiha Kasimati, marrë nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944÷1991. /KultPlus.com

64-vjetori i lindjes së shkrimtarit kontrovers Michel Houellebecq

Michel Thomas (26 shkurt 1956), i njohur si Michel Houellebecq është një poet, romancier dhe eseist francez.

Romanet e tij Zgjerimi i fushës së betejës, Grimcat elementare dhe Platforma u bënë piketa të narracionit të ri francez për përshkrimin e mjerimit emocional dhe seksual të njeriut perëndimor të fund të shekullit XX dhe fillimit të Shekulli XXI. Këto romane i dhanë konsideratë letrare, por gjithashtu i dhanë të ashtuquajturin “Fenomeni Houellebecq”, i cili provokoi debate të shumta dhe pasionante në shtypin ndërkombëtar.

Michel Houellebecq lindi në Saint-Pierre, në ishullin e Reunion, djali i René Thomas, guidë malore dhe Lucie Ceccaldi, një mjek anestezist i diplomuar në shkollën mjekësore të Algjerit, të dy militantë komunistë. Emri i tij u zgjodh nga prindërit e tij pas një vizite të këtyre në Mont-Saint-Michel. Me sa duket nëna e tij do ta kishte falsifikuar certifikatën e lindjes me dy vjet, sepse besonte se kishte talent: ai nuk do të lindte në këtë mënyrë në 26 shkurt 1956, siç tregohet në certifikatën e tij të lindjes, por në 26 të Shkurt 1958. Sipas deklaratave të tij, prindërit e tij humbasin interesin për të shumë herët; çifti ndahet dhe ai mbetet jetim me prindërit gjallë. Në fillim, janë gjyshërit e tij të nënës, në Algjeri, ata që kujdesen për të, pastaj, pas divorcit të prindërve, babai i tij e rikuperon atë me anë të gjyqeve dhe ia beson gjyshes nga babai, Henriette Thomas, gjithashtu një komuniste e zjarrtë, emrin e të cilit ajo e adopton si një pseudonim për njohje. Pasi kishte qenë një shkollë e mesme në Meaux, ai ndoqi klasat përgatitore për shkollat ​​e shkëlqyera në Lycée Chaptal në Paris (ku do të rrihej nga shokët e tij të klasës, një fakt që pasqyrohet në Grimcat Thelbësore) qysh në vitin 1975, ai iu bashkua Institutit Agronomik Kombëtar i Paris-Grignon (INA PG). Ai mbaroi shkollën në 1978, një agronom me një specializim (me fat) në “Zhvillimin e mjedisit natyror dhe ekologjisë”. Një periudhë papunësie i lejon atij të merret me krijimtari letrare: ai bën takimin vendimtar me Michel Bulteau, drejtorin e La Nouvelle Revue në Paris, i cili propozon të bashkëpunojë në koleksionin e Infréquentables me botimet e Rocher. Ai u bashkua më pas me supérieure École natione Louis-Lumière, në seksionin e fotografisë (seksioni i xhirimit), por u largua më 1981, para se të diplomohej. Djali i tij lindi në të njëjtin vit. Pastaj ai pëson një periudhë papunësie, pas divorcit, çka i krijon një tronditje serioze nervore.

Ai filloi një karrierë në shkencën e kompjuterave në Unilog dy vjet më vonë, duke punuar më vonë si menaxher kontrate në departamentin e IT në Ministrinë e Bujqësisë, (rue de Picpus), në rrethin e 12-të të Parisit, ku mbeti për tre vjet ( kjo periudhë evokohet në një mënyrë romantike në Zgjatjen e fushës së luftës). Ai bëri kërkesë për një vend pune në Asamblenë Kombëtare dhe më 1990 u punësua si asistent administrativ në departamentin e IT-së. Këto të ardhura më pas i japin paqen që ju nevojitet. Më 1991 ai botoi biografinë e Howard P. Lovecraft “Kundër botës, kundër jetës”. Në vitin 1996, pasi fitoi vjetërsinë e nevojshme dhe duke dashur t’i përkushtohej shkrimit, ai kërkoi pushimin e tij. Më 1992, Michel Houellebecq mori çmimin Tristan-Tzara për koleksionin e tij të poezive “Ndjekja e lumturisë”, botuar më 1991. Ai u takua me Juliette dhe André Darle, të cilët më pas ftuan këtë poet të ri tridhjetë e gjashtë vjeç, një punonjës të Asamblesë Kombëtare, etj. thuajse i panjohur, në Festivalin e Poezisë Murale që zhvillohet në kështjellën e Estuaries në Aubigny-sur-Nère. Juliette Darle kujton si vijon: “Kam perceptuar një personalitet unik në të dhe menjëherë e asimilova Michelin me autorët e mëdhenj të shekullit XX …” Më 1998, përshkrimi i tij i marrëdhënieve të dashurisë në Grimcat Thelbësore lind diskutime; atëherë ai akuzohet për misogyny dhe objektivizim të trupit femëror nga feministet radikale. Në vitin 2000, ai shkoi në mërgim në Irlandë me gruan e tij të dytë, Marie-Pierre Gauthier. Më 2002, ai u transferua në Andaluzi, në Parkun Natyror të Cabo de Gata-Níjar.

Në fund të 2012, në polemikë të plotë për shkak të mërgimit fiskal të tij, ai njoftoi rikthimin e tij në Francë. I instaluar në apartamentin e tij të ri në Paris, ai komenton në një intervistë arsyet e kthimit të tij. Ai mohon çdo gjest politik të qëllimshëm në lidhje me largimin e tij nga brigjet jugperëndimore të Irlandës, por pranon, megjithatë, se kjo mund të interpretohet si e tillë “pasi kjo tregon se niveli i taksave nuk është aq i fortë sa ta dekurajojë atë” botën “. Në njoftimin e botimit të koleksionit të tij të poezive Konfigurimi i bregut të fundit në prill 2013, ai shpreh dëshirën e tij për të vazhduar shkrimin: “Jeta nuk më intereson aq sa mund ta bëj pa shkruar”.

Në vitin 2014, ai është protagonisti kryesor i filmit Near Death Experience.

Në vitin 2016, To Stay Alive: U botua një metodë, e adaptuar nga eseja e tij “Qëndro i gjallë”, me regji të regjisorit Hollandez, Erik Lieshout. Më 21 Shtator 2018, ai u martua me Qianyum Lysis Li, një grua e re me origjinë kineze. Në Janar 2019, ai publikoi Serotonin dhe u emërua Kalorës i Legjioni i Nderit.

Me botimin më 1994 të Zgjerimit të fushës së betejës, i cili u krahasua me Të huajin e Camus, ai doli plotësisht nga anonimati për t’u bërë autor i një prej librave më të shitur të vitit. Vepra u përkthye në gjuhë të shumta dhe u bë i njohur për publikun e gjerë. Disa kritikë besonin se suksesi i tyre do të zgjaste pak por ai parashikim u trondit papritmas me botimin e romanit të dytë, “Grimcat Elementale”, që konsiderohet libri më i mirë francez i vitit 1998 nga revista Lire dhe u dha Prix ​​Novembre. Romani i tij i tretë, Platforma, e bëri atë patjetër atë një yll mediatik, jo vetëm për përkthimin në më shumë se 25 gjuhë, por për faktin se ishte subjekt i një polemike të hidhur rreth islamofobisë së tij të pretenduar dhe për vizionin e tij amoral të shfrytëzimit seksual të Botës së Tretë. Në veprën e tij ndikimi i autorëve të tillë si Marquis de Sade, Aldous Huxley, H.P. Lovecraft dhe Louis-Ferdinand Céline.

Për shkak të presionit të mediave, ai u largua nga Franca dhe jetoi në Irlandë për disa vjet dhe më pas në Spanjën jugore, në Cabo de Gata (provincën e Almería), për t’u rikthyer vite më vonë në Francë.

Mungesa stilistike e Houellebecq është vënë në pah nga komentuesit dhe kritikët. Shkrimi i tij, siç e ka përmendur vetë ai, ka një “mungesë stili” shumë të vetëdijshëm, megjithëse ka nga ata që pretendojnë se ai në të vërtetë është në gjendje të përdorë burimet kur dhe si i përshtatet atij. Kritikë të ndryshëm, kryesisht francezë, e kanë quajtur mënyrën e tyre të të shkruarit “stil të bardhë” ose “stil të sheshtë” (“pjatë form”). /Voal.ch /KultPlus.com

Arta Dobroshi u dekorua me urdhrin “Kalorëse e Arteve dhe Letrave”

Ambasadorja e Francës në Kosovë Marie-Christine Butel e ka dekoruar Arta Dobroshin me urdhrin “Kalorëse e Arteve dhe Letrave”, shkruan KultPlus.

Gjatë kësaj ceremonie ishin prezentë edhe shumë figura të njohura Veton Surroi, Isa Qosja, Ilir Deda e Enver Petrovci.

Teksa iu nda çmimi, për Artën u folën fjalë të mëdha.

“Ceremonia për të cilën jemi mbledhur sot për ju është e veçantë sepse Ambasada Franceze, do t’ju akordojë mirënjohje zyrtare, ky çmim vijon në gjuhën e traditës dhe nderit në historinë e Francës.

Teksa iu nda çmimi, për Artën u folën fjalë të mëdha.

“Është çmim pararendës i atij të arteve dhe letrave, i menduar në fillim t’i jepej vetëm aristokratëve.

Prestigji i kulturës franceze kontribuojë në vitin 1957 me fillimin e kësaj dekorate të përshtatur për botën e arteve dhe letërsisë.

Ky urdhër është i destinuar të shpërblejë personat sikur juve Arta Dobroshi që janë dalluar në lëmin e artit dhe letërsisë” tha ambasadorja Marie-Christine Butel.

Republika e Francës përmes kësaj dekorate njeh kontributin e Dobroshit gjatë karrierës së saj profesionale në përhapjen e gjuhës dhe kulturës franceze.

“Është magjike t’ju shoh sonte këtu dhe ju falënderoj të gjithëve. Jam shumë e nderuar dhe e bekuar që pranoi këtë çmim kaq të rëndësishëm”, theksoi Dobroshi.

Ajo i falënderoi familjarët dhe miqtë që e ndihmuan të arrijë këtë sukses. /KultPlus.com

Nënshkruhet vazhdimi i Memorandumit në mes QKK-së dhe EAVE-së

Qendra Kinematografike e Kosovës dhe EAVE kanë nënshkruar Memorandumin e mirëkuptimit me qëllim të bashkëpunimit në ofrimin e edukimit audiovizuel, për qytetarët e Kosovës, në platformën European Audiovisual Entreprneurs (EAVE).

EAVE është trajnim profesional për zhvillimin e projekteve filmike dhe për krijmin e kontakteve në mes producentëve nga e gjithë bota. Kjo platformë është themeluar në vitin 1988 për t’i bashkuar producentët nga vendet e ndryshme të botës me synimin e lehtësimit të marrëdhënieve për bashkëprodhim. EAVE ka për qëllim kontributin në krijimin e rrjeteve të fuqishme të kontakteve të cilat do të forcojnë prodhimin e pavarur në të gjithë botën. Ky është një trajnim intenziv për një vit, i ndarë në tri punëtori.

Përmes këtij Memorandumi përfitojnë producentët kosovar të cilët pranohen në EAVE duke iu dhënë mundësia të jenë pjesë e trajnimit kryesor në Evropë.

Filmbërësit nga Kosova tash e tutje do të përfitojnë nga ekspertët ndërkombëtarë

U NËNSHKRUA MARRËVESHJA NË MES TATINO FILMS DHE KOSOVËS, SHQIPËRISË, MALIT TË ZI E MAQEDONISË SË VERIUT

Në shtandin e Kosovës dhe Shqipërisë në Berlinale u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit në mes të Tatino Films dhe Qendrës Kinematografike të Kosovës, Qendrës Kombëtare të Kinematografisë së Shqipërisë, Qendrës së Filmit të Malit të Zi, e Agjensionit të Filmit të Maqedonisë Veriore.

Kjo marrëveshje do t’ua mundësojë filmbërësve kosovarë trajnimin, këshillimin dhe mbikqyrjen nga ana 5 ekspertëve ndërkombëtarë për projektet e filmave fitues të metrazhit të gjatë të cilat janë në fazën e post-produksionit. Kjo do të realizohet përmes punëtorisë intenzive First Cut Lab Balkans 2020 që do të zhvillohet këtë vit.

Qëllimi i kësaj punëtorie është të mundësohet arritja e potencialit artistik të filmave dhe njëkohësisht rritja e vlerës së filmave në tregun ndërkombëtar dhe prezenca e tyre në festivale të rëndësishme.

Vdes Nexhmije Hoxha

Ka vdekur e veja e diktatorit Enver Hoxha, Nexhmije Hoxha.

E cilësuar si njëra nga gratë më të poshtra të njerëzimit, ajo ia doli ta lërë këtë botë në moshën 99 vjeçare.

Në janar të vitit 1992 u arrestua me akuzën e abuzimit të fondeve dhe u dënua me 9 vjet burg, të cilat u bënë 11 kur ajo apeloi në gradën e dytë të gjykimit.

Me Enver Hoxhën u martua në 1 janar të vitit 1945. Ka tre fëmijë, 2 djem dhe një vajzë.

Pas zbulimit të shumë krimeve të komunizmit dhe kërkesave të vazhdueshme të opinionit publik me dekretin nr.1018, datë 13.2.1995 të Presidentit të Republikës, Sali Berisha, iu hoqën të gjitha dekoratat dhe titujt e nderit për aktin kriminal të gjenocidit të ushtruar ndaj popullit shqiptar gjatë viteve të diktaturës komuniste Nexhmije Hoxhës dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të regjimit komunist.