Letra e Oriana Fallaci-t, gruas që nuk u bë nënë, dërguar fëmijës që nuk lindi kurrë

Këtë natë kuptova që ti ishe: një grimcë jete e ardhur nga asgjëja. Po qëndroja me sy hapur në errësirë e papritmas në këtë terr, u ndez një dritë qartësie: ti ishe. Ekzistoje. Qe sikur të ndieja një plumb në gjoks. Më ndaloi zemra. Kur rinisi të rrihte me goditje të shurdhëta e të hutuara, kuptova se po rrokullisesha në një pus ku gjithçka ishte e paqartë e terrorizuese. Tani jam këtu, e mbyllur me çelës brenda një frike që më lag fytyrën, flokët, mendimet. E në të humbas. Përpiqu të kuptosh: nuk është frika nga të tjerët. Nuk pyes për të tjerët. Nuk është frika ndaj Zotit. Unë nuk besoj në Zot. Nuk është frikë ndaj dhimbjes. Nuk i trembem dhimbjes. Është frika për ty, ndaj rastësisë që të shkuli nga asgjëja për të të ngjitur në kërthizën time. Nuk kam qenë kurrë gati për të të pritur, edhe pse të kam kërkuar shumë. Kam shtruar gjithmonë pyetjen mizore: Po sikur të mos i pëlqejë të lindë? Po sikur një ditë ti të më qortoje duke britur: “Kush të tha të më sillje në botë, pse më solle, pse?”

Jeta është një mundim i tillë, mor bir. Është një luftë që përsëritet çdo ditë, e momentet e gëzueshme të saj janë aq të shkurtra e paguajnë një çmim mizor. Si mund ta di se nuk do ishte e drejtë të të hidhja tej, si mund të kuptoj se nuk do t’i rikthehesh heshtjes? Nuk mundesh të më flasësh. Grimca jote e jetës është veçse një nyje celulash të sapokrijuara. Ndoshta nuk është as jetë, veç mundësi jete. E megjithatë do jepja gjithçka që ti të më ndihmoje me një shenjë, me një sinjal. Nëna ime thotë se unë ia dhashë dikur e prandaj më solli në botë. Nëna ime, ta dish, nuk më donte. U nisa gabimisht, në një moment zbavitjeje të dikujt. E që të mos lindja çdo natë shkrinte në ujë një ilaç. Më pas e pinte duke qarë. E pi deri në natën kur unë lëviza, brenda kërthizës së saj, e godas më shkelm për t’i thënë mos më hidh tej. Ajo ishte duke vendosur gotën në buzë. E largon menjëherë duke e derdhur në tokë. Disa muaj më pas unë rrotullohesha fitimtare në diell e se qe mirë apo keq nuk e di. Kur jam e lumtur, mendoj se qe një e mirë, kur jam e palumtur, them se qe një e keqe. Edhe kur jam e palumtur, mendoj se do më vinte keq të mos lindesha, pasi asgjëja është më e keqja e asgjësë. Unë, po ta përsëris, nuk i trembem dhimbjes. Ajo lind me ne, rritet me ne e me të mësohemi si me faktin se kemi dy krahë e dy këmbë. Unë në fund të fundit nuk i trembem as vdekjes, pasi një që vdes, do të thotë se ka lindur, se ka dalë nga asgjëja. Unë i trembem asgjësë, mosqenies, detyrimit për të thënë se nuk isha, rastësisht, o gabimisht, apo thjesht për zbavitjen e tjetrit.

Shumë gra pyesin: Pse të sjell në botë një fëmijë? Për të pasur uri, për të pasur ftohtë, për t’u tradhtuar, fyer, për të vdekur i vrarë në luftë apo nga sëmundja? E mohojnë shpresën që uria e tij të ngopet, që i ftohti i tij të ngrohet, që besnikëria e respekti të jenë miq, që të jetojë gjatë duke tentuar të eliminojë sëmundjet e luftën. Ndoshta ato kanë të drejtë.

Po asgjëja duhet preferuar ndaj vuajtjes? Unë madje dhe në intervalet kur qaj për falimentimet e mia, deluzionet e mia, hallet e mia, konkludoj se të vuash është më mirë se asgjëja. E po ta shtoj këtë jetë me dilemën lind o nuk lind, përfundoj duke eksklamuar se lindja është më mirë se moslindja. Si thua, është e drejtë të shtrosh një arsyetim të tillë edhe për ty? Nuk është si të të sjellësh në botë për veten time e mjafton? Nuk më intereson të sjell në botë për vetveten e mjaft. Madje, nuk kam aspak nevojë për ty.

Do të jesh burrë o grua?

Do të doja të ishe grua. Do të doja që ti të provoje një ditë atë që po provoj unë: nuk jam aspak dakord me nënën time që thotë se të lindësh grua është një fatkeqësi. Nëna ime, kur ishte e hidhëruar, pëshpëriste: Ah sikur të kisha lindur burrë! E di: është një botë e fabrikuar për burrat e për burrat, diktatura e tyre është kaq antike që shkon deri te mënyra e shprehjes. Thuhet burrë për të thënë burrë e grua, thuhet fëmijë për të thënë djalë o vajzë, thuhet bir për të thënë bir o bijë, thuhet vrasës për të treguar një burrë o një grua. Në legjendat që meshkujt kanë krijuar për të shpjeguar jetën, krijesa e parë nuk është një grua, por një burrë i quajtur Adam. Eva vjen më pas për ta argëtuar e për të krijuar telashe. Në pikturat që zbukurojnë kishat e tyre, Zoti është një plak me mjekër: kurrë një plakushe me flokë të bardhë. E të gjithë heronjtë e tyre janë meshkuj: nga ai Prometeu që zbuloi zjarrin, tek Ikari që tentoi të fluturonte e deri tek Jezusi që e shpallin si biri i Shpirtit të Shenjtë – pothuajse sikur gruaja nga e cila lindi të ishte një inkubatriçe apo një dado. E megjithatë, pikërisht për këtë të jesh grua është kaq tërheqëse. Është një aventurë që kërkon kaq kurajo, një sfidë që nuk të mërzit kurrë. Do të kishe kaq gjëra për të bërë po të lindje grua. E për ta nisur do të të duhej të luftoje për të bindur se Zoti, po të ekzistonte, mund të ishte dhe një plakë me flokë të bardhë apo një vajzë e bukur. Më pas do të të duhej të shpjegoje se mëkati nuk lindi në ditën kur Eva këputi mollën: në këtë ditë lindi një virtyt i mrekullueshëm i quajtur mosbindja. Në fund do të të duhet të luftosh për të demonstruar se brenda trupit tënd të lëmuar e me forma, ndodhet një inteligjencë që ulëret për t’u dëgjuar. Të jesh nënë nuk është një zanat. Nuk është as një detyrë. Është vetëm një e drejtë midis shumë të drejtash. Do të lodhesh shumë duke ulëritur. E shpesh, pothuajse gjithmonë do të humbësh. Por nuk duhet të skurajohesh. Të luftosh është shumë bukur se sa të fitosh, të udhëtosh është shumë më argëtuese se sa të mbërrish: kur ke arritur o ke fituar , të kesh është një boshllëk i madh. E për të kapërcyer këtë boshllëk duhet të rifillosh udhëtimin, të krijosh zbulime të reja. Po shpresoj që ti të jesh një grua, pavarësisht se unë të quaj bir. E shpresoj që ti të mos thuash kurrë atë që thotë nëna ime. Unë nuk e kam thënë kurrë.

Po dhe po të lindje burrë, unë do të isha e kënaqur njëlloj. E ndoshta më shumë, sepse do të të kursehen kaq shumë injorime, shumë shërbime, shumë abuzime. Po të lindje burrë për shembull, nuk do kishe frikë se mos të përdhunonin në errësirën e një rruge. Nuk do të nevojitej një fytyrë e bukur për t’u pranuar me vështrimin e parë, as një trup i bukur për të fshehur inteligjencën. Nuk do t’u nënshtrohesh paragjykimeve dashakeqëse kur të flesh me kë të të pëlqejë, nuk do të dëgjosh të të thuhet se mëkati lindi kur këpute një mollë. Mund të luftosh më rehatisht për të bindur se Zoti dhe po të ekzistonte mund të ishte një plakushe me flokë të bardha ose një vajzë e bukur. Mund të mos bindesh pa u tallur, të dashurosh pa u zgjuar natën me ndjenjën se po rrokullisesh në një pus, të mbrohesh pa u insultuar. Natyrisht do të të takojnë skllavëri të tjera, padrejtësi të tjera: as dhe për një burrë jeta nuk është as e lehtë, ta dish. Derisa të kesh muskuj të fortë do të të kërkojnë të mbash sa më shumë pesha, do të imponojnë përgjegjësi arbitrare. Derisa të kesh mjekër, do të qeshin po të qash, madje dhe kur të kesh nevojë për ngrohtësi. Derisa të kesh një bisht para, do të të urdhërojnë të vrasësh ose të vritesh në luftë, do të kërkojnë pjesëmarrjen tënde për të vendosur tiraninë e krijuar në shpella. E megjithatë apo pikërisht për këtë, të jesh një burrë është gjithashtu një aventurë e mrekullueshme: një detyrë që nuk do të zhgënjejë kurrë. Të paktën shpresoj, pasi po të lindësh burrë, do të jesh një burrë siç unë e kam ëndërruar gjithmonë: i ëmbël me të dobëtit, i egër me prepotentët, zemërgjerë me këdo që të do të mirën, i pamëshirshëm me atë që të urdhëron. E në fund, armik i cilitdo që tregon se Jezusi është biri i Babait të Shpirtit të Shenjtë, e jo i gruas që e lindi. Biri im, po përpiqem të të shpjegoj se të jesh burrë nuk do të thotë të kesh një bisht para, do të thotë të jesh një person. E mbi të gjitha mua më intereson të jesh një person. Është një fjalë e mrekullueshme fjala person, pasi nuk vë limite midis burrit e gruas, nuk vë barrikada midis kush ka bisht e kush jo. Nga ana tjetër filli që ndan kush ka bisht e kush jo është një fill aq i hollë, që praktikisht shprehet me aftësinë e pjekurisë o jo të një krijese në kërthizë. Zemra e truri nuk kanë seks. As sjellja. Po të jesh një person me zemër e tru, mbaj mend se unë nuk do të jem nga ata që do të urdhërojnë të sillesh në këtë mënyrë a në tjetrën, femër a mashkull qofsh. Do të të kërkoj vetëm të shfrytëzosh mirë mrekullinë e ardhjes në jetë, të mos i dorëzohesh kurrë frikës. Është një shtazë përherë në pritë, frika. Na kafshon të gjithëve, çdo ditë e janë pak ata që nuk lejojnë të kafshohen nga ajo. Në emër të kujdesit, të komoditetit e të herë dhe të urtësisë. Frikësohen kur kërcënohen nga rreziku e sapo ai largohet, njerëzit bëhen arrogantë. Nuk duhet të shmangësh kurrë rrezikun, edhe kur frika të frenon. Të vish në jetë është vetë një rrezik i pendimit se pse ke ardhur. Në vend të frikës unë ndiej një lloj melankolie, një lloj pakënaqësie që zbeh edhe humorizmin tim. Më vjen keq të vdes, po. E nuk harroj kurrë atë çka më thënë Ana Magnani vite më parë: “Oriana ime, nuk është e drejtë të vdesësh, meqenëse kemi lindur”. /AlbertVataj /KultPlus.com

Qytetarë të nderuar, dhe ju katundarë të shumtë që rroni në qytet

Nga: Arben I. Kastrati

Nëse eventualisht gjeni ndokund një M2 gjelbërim kudo në Prishtinë, lajmërojeni urgjentisht Shpend Ahmetin, le t’i jap leje për ndërtim.

I shkruani në: nëse.nuk.më.pyesni.asgjë.nuk.ju.gënjejë@shpendahmeti.com

****

Ky qytet i shpërfytyruar nga udhëheqja e Shpend Ahmetit, ka vetëm një të përbashkët me të shkuarën – emrin.

Sophomania e tij, është për tu trajtuar seriozisht.

Arben I. Kastrati /KultPlus.com

“Lotët janë të vërtetë vetëm kur qan nëna”

Gjermanët kanë krijuar atë stereotipit e njerëzve punëtor të përpiktë, të vrazhdë, dhe tepër të disiplinuar.

Do të ishte mendjelehtësi t’i përkufizonim gjermanët vetëm me kaq, ata janë populli që kanë shkruar faqe të rëndësishme në historinë e njerëzimit, kanë luajtur një rol vendimtar dhe kanë nxjerrë personalitete emrat e të cilëve vijojnë të lakohen në shkencë, arte, kulturë, inxhinieri etj.

Për kënaqësinë e lexuesve kemi përmbledhur disa thënie që mendojmë se do të jenë gjëja më e mirë që lexojnë për sot, shkruan supershendeti.

Ai që blen te një hajdut, vlen sa hajduti.

Ai që të lutet për shkëmbim ka ndërmend të të mashtrojë.

Askush nuk është aq i madh sa të mos ketë nevojën e të vegjëlve.

Bota është e çuditshme, njëri mban kuletën, kurse tjetri mban të hollat.

Bukuria e një gruaje është më e fuqishme se guximi i një burri.

Bukuria është e vërteta dhe e vërteta është bukuria.

Burri pa gruan është koka pa trupin, gruaja pa burrin është trupi pa kokën.

Dashuria e nënës nuk plaket.

Do të qe më mirë të ishim më parë të vjetër dhe pastaj të rinj.

E ardhmja i takon atij që harron urrejtjen dhe mbjell dashuri.

Edhe gjyqtari i shurdhër dëgjon kur tingëllojnë monedhat.

E vetmja mjekësi për njeriun është vetëpërmbajtja.

Fëmijët e vegjël e tërheqin nënën nga fustani, ndërsa fëmijët e rritur e tërheqin atë nga zemra.

Fytyra e gruas është fytyra e shtëpisë.

Guximtarin e ndihmon edhe vetë Perëndia.

Ha në Poloni, pi në Hungari, fli në Gjermani dhe bëj dashuri në Itali.

I mençuri mëson nga gabimet e të tjerëve, budallenjtë nga të tyret.

Kafeja në filxhan dhe gruaja e zhveshur në divan nuk mund të presin.

Kafshët duke jetuar me ne bëhen të buta, njerëzit jo gjithmonë.

Krenaria ikën nga shtëpia në kalë e kthehet në këmbë.

Kush ka nënën e dashur, edhe këmishën e ka të bardhë.

Letrat e bixhozit janë libri i lutjeve të djallit.

Lotët janë të vërtetë vetëm kur qan nëna.

Më mirë është një fund i tmerrshëm sesa një tmerr pa fund.

Njerëzit që gjithmonë s’kanë kohë, zakonisht nuk bëjnë asgjë.

Njeriu ka dy veshë e një gojë, për të dëgjuar shumë e folur pak.

Nuk ka jastëk më të butë për të fjetur sesa ndërgjegjja e pastër.

Të jetosh i gëzuar dhe të vdesësh i kënaqur do të thotë që djallit ia ke prishur gjithë llogarinë.

Vetëm i marri e provon thellësinë e lumit me të dyja këmbët. /KultPlus.com

Pashko Vasa, kushtruesi atij zëri të mnershëm e gjëmues, “Moj Shqypni, e mjera Shqypni, kush të ka qitë me krye n’hi?”

Nga: Albert Vataj

Një zë dhe një zemër, një personalitet dhe një gurthemel, një vullnesë e hovshme atdhetarie dhe një ngulm i pashterrshëm kushtrimi që vazhdon të kumbojë atëditë e sot, vazhdon të gjëmojë në gjokse e turre zjarrmtare si një flakadan i gjakuar në të epërmin amanet shqiptarie. Ai, Pashko Vasa, ishte dhe mbeti, erdhi dhe u amëshua në zërin dhe zemrën e gjithë asaj dëshmueseje shqiptare si një emër, me të cilin na lidh historia dhe atdhetaria, pushteti dhe kushtimi krijues, pena e tij shgjetare.

Më 29 qershor 1892 në Beirut të Libanit, ndali jeta e Vaso Pashë Shkodranit një prej veprimtarëve të shquar të Rilindjes Kombëtare, poet, shkrimtar dhe guvernator deri në të mbramë të frymës. Ai lindi në qytetin e Shkodrës më 17 shtator 1825. I ati quhej Mhill Gjokë Vasa, kurse e ëma Drande Gjegja, e motra do ishte e ëma e Imzot Luigj Bumçit. Të parët e fisit të tij, nga i ati, ishin shpërngulur prej Mirdite duke u zhvendosur në djepin ku lindi dhe përkundi veç korifej, në Shkodër, n’atë shtëpí ku sot është shtëpia-muzé e Pashko Vasës.
Më 1847 vajti në Itali, ku ziente lufta kryengritëse për lirí. Ai mori pjesë gjallerisht në radhët e forcave forcave kryengritëse italiane. Në Bolonjë u caktua si oficer i Kalorsís Qytetare. I frymëzuem nga atdhetarët e shquem italian, si Mazzini, Garibaldi, Gioberti, dhe të vendeve tjera si Mickieviçi etj. Idetë që e ushqyen për kët qëllim solidar ai i shpreh në dy letra, që i dërgon në qershor dhe korrik 1848, nga Bolonja, Nikolo Tomazeut, poet dhe enciklopedist, mik i Jeronim De Radës dhe i Dora d’Istrias. Në shpalljen e Republikës Venedikase jetëshkurtë, nga Daniele Manin, mori pjesë përkrah popullsisë kryengritëse t’atij qyteti që u rrethua nga austriakët. Nderkohë që austriakët hynë me 28 gusht 1849 dhe Pashko Vasa u largua me disa shokë tjerë për n’Ankona. Atje austriakët e kapen dhe e detyruan, si shqiptar me nenshtetësi turke, t’ikte në Stamboll. Mbas disa peripecish ze vend në shoqënin e tramvajeve të qytetit, duke u ngjitur ma vonë në shkallët e administratës së saj. Që këtej u vendos me punë n’aparatin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Perandorís Osmane. Perandoria merrte nepër poste njerëz të kombësive e feve të ndryshme që me lanë përshtypjen se shteti i përkiste gjithëve. Disa nga atdhetarët diten me i përdorë postet në dobí të çeshtjes shqiptare. Nga disa të dhena që nxirren prej përmbledhjes me vjersha italisht “Rose e spine”-“Trendafila e gjemba”, botue në Stamboll më 1873, mësojmë se Pashko Vasa ka qenë i martuar me nje shqiptare (rreth 1855), që vdiq më 1872. Nga po kjo vepër mësohet se Pashko Vasa së paku që nga viti 1861, ishte me punë në Halep të Sirisë. Gjitashtu thuhet se P. Vasa ka shërbye disa vjet pranë ambasadës turke në Londër, ku dhe botoi më 1887 veprën frëngjisht “Gramatikë e shqipes”. Më 1862 e gjejmë në Shkoder. Vit në të cilin nji grup intelektualësh, përfshire Zef Jubanin e tjerë, u përpoqën për nje kryengritje antiosmane në Shqiperine të Veriut, në Mirditë. Më 1864, në Stamboll, bashkohet me Kostandin Kristoforidhin, Hasan Tahsinin dhe Ismail Qemalin, për sigurimin e fondeve financiare, lidhur me shkronjat e shkollat shqipe, si dhe me caktimin e nje alfabeti të vetëm. Më 1867 ai qëndron në krye të perpjekjeve për themelimin e nje shoqerie kulturore dhe të nje alfabeti të përbashkët mbi bazën e alfabetit latin. Më 1869 merr pjesë në grupin nismëtar për krijimin e nje shoqate shqiptare me karakter kulturor, arsimor e gjuhësor. Më 1871, gjithënje në Stamboll, bashkë me Jani Vreton dhe Sami Frashërin, nis orvatjen per krijimin e nje organizate atdhetare shqiptare. Pashko Vasa hyri që herët në lëvizjen patriotike, por veprimtari të dendur për çështjen kombëtare zhvilloi në vitet 70, kur bashkë me Kostandin Kristoforidhin, u përpoq për krijimin e një shoqërie për përhapjen e shkrimit shqip dhe ngjalljen e ndërgjegjies kombëtare. Në vitet 1878-1882 krahas Abdyl Frashërit u shqua si një nga figurat kryesore të Komitetit të Stambollit për mbrojtjen e Shqipërisë. Më 1879 ishte ndër veprimtarët më aktivë të «Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip». Pashko Vasa është autor i një vargu veprash me karakter politik e historik, në të cilat mbrojti çështjen e popullit shqiptar, të drejtën e tij për të rrojtur i lirë dhe i pavarur. Botoi «Skicë historike mbi Malin e Zi sipas traditave të Shqipërisë («Esquisse historique sur le Monténégro d’après les traditions de l’Albanie», Constantinopole, 1872), ku përshkroi pashallëkun e Shkodrës nën Bushatasit, «E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët» («La vérité sur l’Albanie et les Albanais», Paris 1879), në të cilën, krahas të dhënave historike mbi popullin shqiptar dhe qëllimet e luftës së tij, kritikoi administratën burokratike osmane dhe paraqiti kërkesat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Penës së Pashko Vasa i përket edhe vepra «Bosnja dhe Hercegovina gjatë misionit të Xhevdet Efendiut» («Bosnie et Hercegovine pendant la mission de Djevdet Effendi», Constantinopole 1865).
Pashko Vasa shkroi një varg veprash të cilat i shërbenin zgjidhjes së çështjes së shkrimit dhe mësimit të shqipes; «Alfabeti latin i zbatuar në gjuhën shqipe» («L’alphabet latin appliqué à la langue albanaise», Constantinopole 1878, «Gramatika shqipe për t’u përdorur nga ata që dëshirojnë ta nxënë këtë gjuhë pa ndihmën e një mësuesi» («Grammaire albanaise à l’usage de ceux qui désirent apprendre cette langue sans l’aide d’un maître», London 1887).
Pashko Vasa zuri një vend edhe në historinë e letërsisë shqiptare që po krijohej; ai është autor i vjershës së njohur «Moj Shqypni, e mjera Shqypni!» (1880), e cila u botua si fletë fluturuese. Me dashurinë e flaktë për atdheun që dergjej nën thundrën e të huajit, me notën e dhimbjes për të, me grishjen drejtuar bashkatdhetarëve për të kapërcyer dasitë fetare dhe për t’u bashkuar në emër të çlirimit të vendit, vjersha luajti rol për zgjimin kombëtar të shqiptarëve. E vënë në muzikë, ajo u këndua si himn patriotik. Vepër tjetër e Pashko Vasës në lëmin e letërsisë është «Bardha e Temalit» («Barda de Témal», Paris 1890), një nga romanet e para në letërsinë shqiptare. Aty përshkruhet mjedisi shqiptar në Shkodër në vitet 40 të shek.XIX me doket dhe zakonet karakteristike. Botoi edhe një përmbledhje me vjersha italisht «Rose e spine» (1873).
Që nga viti 1883 e derisa vdiq Pashko Vasa shërbeu si guvernator i përgjithshëm i Libanit, ku edhe vdiq. Eshtrat e tij u sollën në atdhe pas Luftës së Dytë Botërore.
Vaso Pasha ishte dhe mbeti një ndër figurat më komplekse në historinë e Lëvizjes sonë Kombëtare. Ai ishte intelektuali, historiani, publicisti, romansieri, diplomati dhe atdhetari i shquar i cili tërë jetën e vet e vuri në shërbim të atdheut. Kombi ynë për herë do të mburrët për fatin e mirë që në gjirin e vet mbanë me xhelozi figurat markante si Vaso Pashë Shkodranin. Jeta dhe vepra e Pashkos, janë bërë pjesë e pandashme e historisë dhe e letërsisë së popullit shqiptar.
 
O Moj Shqypni

O moj Shqypni, e mjera Shqypni,
Kush te ka qitë me krye n’hi?
Ti ke pas kenë një zojë e randë,
Burrat e dheut të thirrshin nanë.
Ke pasë shumë t’mira e begati,
Me varza t’bukura e me djelm t’ri,
Gja e vend shumë, ara e bashtina,
Me armë të bardha, me pushkë ltina,
Me burra trima, me gra të dlira;
Ti ndër gjith shoqet ke kenë ma e mira.
Kur kriste pushka si me shkrep moti,
Zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti
Ka kenë për luftë e n’luftë ka dekun
E dhunë mbrapa kurr s’i mbetun.
Kur ka lidhë besën burri i Shqypnisë,
I ka shti dridhën gjithë Rumelisë;
Ndër lufta t’rrebta gjithëkund ka ra,
Me faqe t’bardhë gjithmonë asht da.
 
 
Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je?
Po sikur lisi i rrxuem përdhe,
Shkon bota sipri, me kambë, të shklet
E nji fjalë t’ambël askush s’ta flet.
Si mal me borë, si fushë me lule
Ke pas qenë veshun, sot je me crule,
E s’të ka mbetun as em’n as besë;
Vet e ke prishun për faqe t’zezë.
Shqyptar’, me vllazën jeni tuj u vra,
Ndër nji qind ceta jeni shpërnda;
Ca thone kam fè ca thonë kam din;
Njeni:”jam turk”, tjetri:”latin”
Do thonë: “Jam grek”, “shkje”-disa tjerë,
Por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë!
Priftnit e hoxhët ju kanë hutue,
Për me ju damun me ju vorfnue!
Vjen njeri i huej e ju rri n’votër,
Me ju turpnue me grue e motër,
E për sa pare qi do t’fitoni,
Besën e t’parëve t’gjith e harroni,
Baheni robt e njerit t’huej,
Qi nuk ka gjuhën dhe gjakun tuej.
Qani ju shpata e ju dyfeqe,
Shqiptari u zu si zog ndër leqe!
Qani ju trima bashkë me ne,
Se ra Shqypnia me faqe n’dhe!
E s’i ka mbetun as bukë as mish,
As zjarm në votër, as dritë, as pishë;
As gjak në faqe, as nder ndër shokë,
Por asht rrëxue e bamun trokë!
Mblidhniu ju varza, mblidhniu ju gra,
M’ata sy t’bukur q’dini me qa,
Eni t’vajtojmë Shqypninë e mjerë,
Qi mbet’ e shkretë pa em’n, pa nder;
Ka mbet e vejë si grue pa burrë,
Ka mbet si nanë, qi s’pat djalë kurrë!
Kujt i ban zemra m’e e lan’ me dekë
Kët farë trimneshe, qi sot asht mekë?
Këtë nanë të dashtun a do ta lamë,
Qi njeri i huej ta shklasë me kambë?
Nuk, nuk! Këtë marrè askush s’e do
Këtë faqe t’zezë gjithkush e dro!
Para se t’hupet kështu Shqypnia,
Me pushkë n’dorë le t’desë trimnia!
Coniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu,
Të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu,
E mos shikoni kisha e xhamia:
Feja e shqyptarit asht shqyptaria!
Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë,
Gjithkund lshon dielli vap’edhe rrezë,
Asht tok’ e jona, prind na e kanë lanë
Kush mos na e preki, se desim t’tanë
Të desim si burrat që vdiqnë motit
Edhe mos marrohna përpara zotit. /KultPlus.com

Pse shkruaj?

Nga: George Orwell

Njihet si shkrimtari me potencial profeti i romanit distopik “1984”, apo alegorinë “Ferma e kafshëve”. Por, përveçse autor i këtyre romaneve dhe disa librave tjerë të rëndësishëm, ishte para së gjithash një eseist. Me qindra ese të tij të shkruara përgjatë dekadave prekin një larmishmëri të madhe temash, nga letërsia te politika dhe filozofia. Në njërën prej këtyre eseve, “Pse shkruaj”, jep katër arsye të mundshme

(i) Egoizëm i pastër. Një nga arsyet pse dikush fillon të shkruajë mund të jetë dëshira për t’u dukur i mençur, për të qenë temë diskutimi mes të tjerëve, për t’u kujtuar pas vdekjes, për të sfiduar ata fëmijët popullorë që të injoronin kur ti ishe fëmijë. Është mashtrim të pretendosh se ky nuk është një motivim për të shkruar, e madje është një motivim i fortë. Shkrimtarët e kanë këtë karakteristikë të përbashkët me shkencëtarët, artistët, politikanët, avokatët, ushtarët, biznesmenët e suksesshëm – me pak fjalë, me bërthamën e njerëzimit. Pjesa dërrmuese e qenieve njerëzore nuk janë shumë egoistë. Pasi arrijnë në moshën tridhjetë vjeç, shumica braktisin ndjenjën e të qenit individualë – dhe jetojnë kryesisht për të tjerët. Por, ka një pakicë të vogël me dhunti, njerëz që me paramendim janë të vendosur të jetojnë jetën e vet si qëllim në vetvete, dhe shkrimtarët janë në këtë kategori. Shkrimtarët seriozë, më duhet të them, janë në tërësi më vanitozë dhe e shohin veten si qendra e botës më shumë se sa gazetarët, megjithëse janë më pak të interesuar për para.

(ii) Entuziazëm estetik. Perceptimi i bukurisë në botën e jashtme, ose, në anën tjetër, te fjalët dhe radhitja e duhur e fjalëve. Kënaqësia në impaktin e një tingulli mbi një tjetër, në fortësinë e prozës së mirë apo në ritmin e një tregimi të mirë. Dëshira për të ndarë një eksperiencë që dikush ndjen se është e çmuar dhe nuk duhet të humbet. Motivi estetik është shumë i dobët mes shumë shkrimtarëve, por dhe një pamfletist apo shkrimtar librash shkollor do të ketë fjalë apo fraza të parapëlqyera të cilat e joshin atë për arsye jo-utilitare; ose ai mund të ndjehet më mirë mbi tipografinë, mbi gjerësinë e anëve, etj. Çdo libër përtej nivelit të një udhërrëfyesi hekurudhash nuk mund të jetë pa të menduar estetik.

(iii) Impuls historik. Dëshira për të parë gjërat siç janë, dhe për të gjetur faktet e vërteta e për t’i ruajtur ato për përdorim nga brezat pasardhës.

(iv) Qëllim politik. Përdorimi i fjalës ‘politike’ në kuptimin më të gjerë të mundshëm. Dëshira për ta shtyrë botën në një drejtim të caktuar, për të ndryshuar idetë e njërëzve të tjerë mbi llojin e shoqërisë që ata duhet të kërkojnë të kenë. Edhe këtu, nuk mund të ekzistojë një libër pastër i pandikuar apo i paanshëm politikisht. Mendimi se arti nuk duhet të ketë të bëjë fare me politikën është në vetvete një mendim politik. /KultPlus.com

Turizmi global humbi 200 miliardë dollarë gjatë karantinës

Ndërsa pandemia e koronavirusit paralizoi udhëtimin global, flukset turistike janë përgjysmuar në katër muajt e parë të këtij viti, zbuloi Organizata Botërore e Turizmit e KB (UNWTO).

Në vend që të ishte një sezon i lulëzuar i turizmit, Prilli ka rezultuar të jetë një katastrofë, me ardhjet ndërkombëtare duke rënë 97 përqind, sipas vlerësimeve të UNWTO. Kjo është mbi 40 përqind më shumë sesa rënia e Marsit.

“Midis janarit dhe prillit 2020, ardhjet e turistëve ndërkombëtarë ranë me 44%, duke u përkthyer në një humbje prej rreth 195 miliardë dollarë në faturat ndërkombëtare të turizmit,” tha agjensia.

Duke vlerësuar ndikimin e mundshëm ekonomik nga pandemia, UNWTO më parë tha se kufizimet e udhëtimit mund të zhdukin midis 910 miliardë dhe 1.2 trilion dollarë në të ardhura për sektorin e turizmit dhe të krijonin deri në 120 milion vende pune në rrezik. Ndërsa përcaktoi tre skenarë të mundshëm, edhe sipas më të mirave të tyre, turizmi ndërkombëtar pritet të bjerë 58 përqind nga viti në vit.

“Rënia e papritur dhe masive e numrit të turistëve kërcënon vendet e punës dhe ekonomitë. Prandaj është jetike që rifillimi i turizmit të bëhet përparësi dhe të menaxhohet me përgjegjësi, ”tha Sekretari i Përgjithshëm i UNWTO, ზურab Pololikashvili.

Në një raport tjetër të botuar të martën, agjensia e KB vuri në dukje se ndërsa kriza nuk ka mbaruar, sektori me probleme po fillon ngadalë, pasi vendet po heqin ose të paktën duke lehtësuar kufizimet. Sipas të dhënave të tij, numri i destinacioneve në të gjithë globin pak a shumë të disponueshëm për udhëtime arriti në 22 përqind në mes të qershorit nga vetëm tre përqind e një muaj më parë. /Konica.al /KultPlus.com

Akademia e Shkencave e Shqipërisë zgjerohet me anëtarë të rinj të botës së shkencës

Asambleja e Akademisë së Shkencave e Shqipërisë në mbledhjen e sotme kreu procedurat e parashikuara në Statutit për zgjedhjen e anëtarëve të rinj “Akademik” e “Akademik i asociuar”, për avancime në titullin “Akademik” të dy anëtarëve të saj të brendshëm, si dhe për zgjedhjen e anëtarëve të jashtëm.

Pas paraqitjes së kandidaturave nga kryetari i Akademisë Asambleja zgjodhi komisionin e votimit për administrimin statutor të procesit zgjedhor, me këtë përbërje: akad. Neki Frashëri (kryetar), akad. Floran Vila (anëtar), akad. Jorgaq Kaçani (anëtar) dhe akad. emeritus Gjovalin Shkurtaj (anëtar).

Referuar rezultatit të shpallur nga komisioni i posaçëm pas numërimit të votave Asambleja vendosi se “fitojnë titullin akademik anëtarët e Asamblesë me titull të mëparshëm akademik i asociuar: Arjan Durrësi; Ilirian Malollari”.

Po ashtu, zgjidhen anëtarë të Asamblesë duke fituar titullin akademik: Genc Sulçebe, Ilia Mikerezi, Pëllumb Xhufi.

Gjithashtu, zgjidhen anëtarë të Asamblesë duke fituar titullin akademik i asociuar: Adrian Civici, Artan Boriçi, Kristina Jorgaqi, Mimoza Hafizi dhe Rajmonda Bualoti.

Ndërsa për sa i përket anëtarëve të jashtëm të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë u zgjodhën Ardian Ndreca dhe Ardian Vehbiu. /KultPlus.com

Një libër i ri mbresëlënës i shkrimtarit Viron Kona

Recension nga Fran Gjoka

Sapo doli nga shtypi libri më i ri i shkrimtarit Viron Kona: “Populli nuk e pëson duke qenë i ditur”, një titull mbresëlënës, i bazuar në një shprehje të  Pjetër Bogdanit, figurë e ndritur e letërsisë së vjetër shqiptare. Gjithçka e shkruar në këtë libër është një këndvështrim i autorit për jetën, artin dhe letërsinë, i paraqitur në 24 intervista, të cilat përfshijnë harkun kohor 2000 – 2020 dhe ruajnë me korrektesë origjinalin e botimit dhe kohën kur janë shkruar.

Në fjalën hyrëse shkrimtari Kona shprehet me konsiderata për intervistuesit dhe shpjegon rolin dhe raportet që ekzistojnë mes intervistuesit dhe të intervistuarit. “Një intervistë, bisedim me pyetje e përgjigje, -nënvizon ai,- është vlerë dhe kontribut edhe e atij që bënë pyetjet, edhe e atij që përgjigjet.  Intervista është bashkëbisedim në të cilin kanë rëndësinë e duhur, edhe intervistuesi, edhe i intervistuari. Pyetjet dhe përgjigjet janë të lidhura ngushtësisht me njëra-tjetrën, janë si dy shina mbi të cilat vërshon “treni” i mendimit. Me këtë rast ai falenderon gazetarët dhe shkrimtarët: Muharrem Dardha, Mentor Hoxha, Artan Dragusha, Dhimitër Xhoga, Nuri Dragoj, Bujar Ferhati, Albert Zholi, Raimonda Moisiu, Sejdo Harka, Kadri Tarelli, Fran Gjoka, Bashkim Saliasi, të cilët e kanë intervistuar dhe, me pyetjet e tyre, janë bërë pjesë e rëndësishme dhe e pandashme e këtyre intervistave. Ai iu përcellë atyre mirënjohje të thellë, që i kanë dhënë mundësinë të shprehet për gjëra që kanë të bëjnë me jetën e përditëshme, me të kaluarën dhe me të ardhmen, me zhvillimet në disa fusha të jetës e, veçanërisht me fushën e letërsisë dhe të arteve. Gjithashtu ai nuk harron të falënderojë botuesit dhe redaksitë  e shtëpive botuese, gazetave dhe revistave në Shqipëri dhe jashtë vendit, që i kanë publikuar këto intervista. Në hyrje të çdo interviste shkrimtari ka shkruar vargje apo strofa të shkëputura nga librat e tij me poezi, të cilat shprehin simbolikisht disa ide dhe mesazhe të rëndësishme të intervistave. Libri është i pajisur me forografi dhe ilustrime  që i përgjigjen përmbajtjeve të  intervistave. Me këtë rast autori shpreh falenderime për piktorët: Zef Shoshi, Sabaudin Xhaferi, Eni Jakupi dhe Ymer Metaliaj, si dhe miqtë e mi që kanë bërë fotografitë: Sokol Demaku, Kadri Tarelli, Murat Gecaj, Bardhyl Xhama, Bashkim Saliasi, Bahtir Latifi, Dhimitër Xhoga. I sinqertë deri në fund, Viron Kona  shpjegon se diku ka edhe përsëritje pyetjesh dhe përgjigjesh, të cilat ai nuk ka mundur t`i shmangë, pasi ato ruajnë autorësinë e intervistuesve dhe kohën kur janë shkruar. Duke i falënderuar të gjithë  shokët, ish-kolegët dhe miqtë, ai u lutet atyre që për disa çaste t`u japin krahë përfytyrimeve dhe, si të ishim duke pirë kafenë, t`i lexonin këto intervista.

Në rubrikën “Përmbajtja e librit”, autori zgjon kureshjen e lexuesit me titujt e intervistave: “Nuk e di pse më kujtohet shpesh “Gryka e Djallit”!” dhënë gazetarit Muharrem Dardha; “Në Tiranë shkruaja libra, në Athinë ngrija thasë”, dhënë gazetarit Mentor Hoxha; “Arti i vërtetë lind në truall të shëndetshëm”, dhënë gazetarit Artan Dragusha; “Fëmijët janë mrekullia më e madhe e natyrës njerëzore”, dhënë gazetarit dhe studiuesit Nuri Dragoj; “Ai që punon me fëmijët bën punën e hyjnive”, dhënë gazetarit Bujar Ferhati; “Botën e dëshiroj një “shtëpi” të ngrohtë për të gjithë”, dhënë gazetares Raimonda Moisiu;  “Është më lehtë të lëvizësh një mal, sesa një mendim”, dhënë gazetarit Robert Zholi; “Jeta është e bukur, duke shkruar e botuar”, dhënë studiuesit dhe kritikut Sejdo Harka; “Populli nuk e pëson, duke qenë i ditur”, përgjigje pyetjeve të lexuesve gjatë takimeve letrare të shkrimtarit në Suedi; “Libri i mirë,  ashtu si lumi, e gjen vetë rrugën e tij”, dhënë gazetarit dhe publicistit Kadri Tarelli; “Mund të përkëdhelësh veten, por jeta dhe shoqëria nuk të përkëdhelin” apo “Marigoja shqiptare në Norvegji”, dhënë gazetarit Fran Gjoka; “Shkrimtari Viron Kona rrëfen fëmijërinë e tij”, dhënë publicistit Bashkim Saliasi etj.

Në këtë vit të 70 vjetorit të tij, Viron Kona, duke qenë autor i rreth 50 librave, vëllime me tregime, novela, romane, poezi, epigrame, fabula, artikuj studimorë e kritikë, shfaq nëpërmjet intervistave mendimet dhe opinionet e tij rreth krijimtarisë artistike, shpalos ide dhe mendime origjinale për  stilin e të shkruarit, gjetjen dhe gjurimimin e  subjektit, zbulon çastet frymëzuese të krijimit, metodologjinë krijuese, përkushtimin, studimin  dhe mjeshtërinë artistike, rëndësinë dhe vlerën e detajit në një krijim letrar, figuracionin artistik, freskinë, kolorin, portretizmin e tipave dhe të karaktereve, gjendjen psikologjike etj. Gjithçka e shkruar, pas pyetjeve të intervistuesve, vjen natyrshëm dhe më e spikatur sidomos kur shkrimtari shprehet për letërsinë për fëmijë, që e ka pasion të veçantë. Sikurse, po aq origjinal dhe i pëlqyer është ai kur rrëfimet i shpreh në vetën e parë dhe ku vet autori është në rolin e protagonistit.

Në letërsinë që shkruan, Viron Kona është i thjeshtë, ai nuk sajon, nuk improvizon, por rrëfen me sinqeritet dhe me një gjuhë të pastër, plotë thellësi e kolor mendime e mesazhe mbresëlënëse sesi e përfshin brenda vetes së tij subjektin, si e përpunon në imagjinatëne  tij krijuese, si e lëmon, e “krasit” dhe e përpunon pa u lodhur deri në fund, duke pritur pastaj me emocion opinionet dhe mendimet që shprehin lexuesit për atë krijim. Shkrimtari nënvizon se subjektet i merr nga jeta dhe, më së shumti ato janë vet përvoja e jetës së tij, e cila për hir të së vërtetës është mjaft e pasur, pasi, siç shprehet edhe sociologu i njohur Gëzim Tushi: “Letërsia e Viron Konës, është e ngjizur me kurbën e kalvarit të tij jetësor. Vironi i ka provuar në jetë të  gjitha punët, nga ato më të vlerësuarat në shoqëri, në të cilat ai ka spikatur si vlerë shoqërore e njohur, deri në punët që në mënyrë të pamerituar e kanë çuar në zgrip të jetës. Ai ka provuar të jetë edhe në Olimp edhe në ferr. Kurba e jetës së tij, fillon nga aulat e larta të administratës shtetërore, e deri në punëtor i thjesht krahu, madje në emigracion…”.

Është me interes në këto intervista, sidomos ku shkrimtari shpjegon se, përpara se të shkruaj një libër, ai ekspoloron, studion thellë mjedisin, gjeografinë ku do të  vendos teatrin e ngjarjeve dhe rrëfenjave të tij. Kështu, ai jo vetëm bëhet i besueshëm për lexuesin, por librat e tij, veçanërisht ato për fëmijë, janë njëherazi edhe një enciklopedi, informacion real dhe kulturë specifike për atë mjedis për të cilin ai shkruan. Ndaj them se me të drejtë studiuesi dhe kritiku i letërsisë nga Prishtina Xheladin Mjeku, ndër të tjera shkruan:“…Ngjarjet që trajtohen në të gjithë librat e Viron Konës  kanë frymën e jetës plot gjallëri, aromën e detit dhe dashurinë e njeriut për të ardhmen dhe ndryshimet në kohë. Një synim i këtillë i autorit e bën të kërkuar dhe të dëshiruar çdoherë e më shumë, meqë me penën e tij nuk ngurron të sjell risi në akcilin prej botimeve…”

Ullmar Qvick, albanolog suedez, poet dhe përkthyes, “Mik i Madh i Shqiptarëve”, shprehet disa herë me konsiderata për shkrimtarin Viron Kona, por unë do të shkëpusja mesazhin e tij entuziast më 02 dhjetor 2019, pasi ka lexuar në revistën “Dituria”, që botohet në Suedi tregimin “Radioja”: “Oh sa më ka pëlqyer tregimi i Viron Konës për Radion! Besoj se do ta përkthej për revistën DX-Aktuellt, për miqtë suedezë të radios….(Tregimi   “Radioja”, i përkthyer në suedisht nga U. Qvick, është botuar në revistën   “Dituria”, Suedi, në janar të këtij viti). Formën artistike të shkrimtarisë së Viron Konës e vlerëson edhe studiuesi i njohur shqiptar, historian i letërsisë dhe  kritik letrar  Prof. dr. Koço Bihiku, i cili kur ka lexuar librin “Kontrolli i befasishëm i një inspektori”, shkruan:  “Libri i Viron Konës  “Kontrolli i befasishëm i një inspektori”, ka rëndësi, jo vetëm për vlerën e veçantë edukative, por edhe për format artistike, për rrëfimin e natyrshëm e të thjeshtë dhe të rrjedhshëm që e shquan.” Kurse Prof.dr.Pajtim Bejtja(Studiues, autor tekstesh shkollore) i cili në artikujt e tij ka vlerësuar disa herë krijimtarinë realiste të Viron Konës, shkruan: “Kur mbarova romanin (“Drithërimat e yjeve”), i mbushur plot me emocione të këndshme nga mbresat që më kishte lënë, guxova të bëj kritikun, pa qenë i fushës së letërsisë, dhe të deklaroj: “Ky është libri më i mirë që ka shkruar Vironi deri tani! S’do ta shkruante dot, pa pasur përjetime personale!”. Dhe, papritmas, filloi të mos më vijë keq për vuajtjet e pamerituara të tij dhe të mos i gjykoj aq rreptë pronarët dhe policët grekë… E vlejnë tre muaj vuajtje, kur arrijnë të frymëzojnë për të shkruar një kryevepër…!”

Libri “Populli nuk e pëson duke qenë i ditur” është njëherazi një përvojë sa jetësore dhe realiste,  aq edhe metodologjike shkrimore, që të frymëzon dhe të ngjallë dashuri e respekt më të madh për krijuesit, madje mund të themi pa e tepruar se ai shërben edhe si një “shkollëz” për krijuesit e rinj, ku ata njihen me përvojën e një shkrimtari pasionant, që e do dhe e respekton lexuesin dhe shkruan me shumë sinqeritet dhe bukuri tronditëse. Do të dëshiroja ta mbyllja këtë artikull prezantues për librin “Populli nuk e pëson duke qenë i ditur” me fjalët e studiuesit dhe kritikut të letërsisë Sejdo Harka, i cili shkruan: “Kur shfleton krijimtarinë e shkrimtarit të mirënjohur Viron Kona, prek me sytë e mendjes dhe të shpirtit realitete dhe fantazi që projektojnë ëndrrat e njerëzve të sotshëm dhe të ardhshëm. Me vizionin dhe këndvështrimin e tij shumëplanësh, zhbiron shpirtra njerëzorë, ndërton dhe rindërton karaktere të papërsëritshme, sa realë aq dhe paradoksalë, sa të zakonshëm, aq dhe të çuditshëm, zbulon dhe projekton vlera dhe zhbën antivlera. Përmes magjisë së fjalës dhe intuitës krijuese, ai shpalos ngjarje e realitete që flasin me gjuhën e kohërave, ndërton kështjella lirie e jete, ushqen shpresa për të vrarë zhgënjimet, projekton ëndrra të bukura për të mbytur frikën, vdekjen dhe skllavërinë, rrit embrione të mirësisë për të shkatërruar larvat e së keqes. Si rezultat i akumulimit të gjatë dhe të njohjes së thellë, V. Kona është bërë, jo vetëm një nga shkrimtarët më prodhimtarë të kohës, por edhe më i lexueshmi, sidomos nga fëmijët”. /KultPlus.com

Përgatitje për rihapjen e teatrove në Los Angeles

Teatri Arena Cinelounge në Los Angeles pritet që pas shumë muajsh të hapet përsëri. Mbi 60 karriget e këtij vendi, fillimisht do të mbushen me figura artistike prej kartoni.

Ky teatër pritet të hapet duke respektuar rregullat e distancimit shoqëror të mbi 15 figurave prej kartonit, që do të lejohen në çdo shfaqje. Kjo është njëra nga zgjidhjet për të zvogëluar numrin e përhapjes së koronavirusit.

“Ne do të shkojmë lart e më tej për t’u siguruar që gjithçka është në rregull e që audienca të ndihet e qetë dhe e sigurt duke qenë me ne për dy deri në tri orë”, tha pronari Christian Meoli.

Sipas Meolit, ai dhe operatorët e tjerë të teatrit do të jenë në gjendje të mirëpresin shikuesit.

Ndërsa rreth 780 kinema janë rihapur në të gjithë vendin, zyrtarët në Los Angeles County, tregu më i madh i filmave në Shtetet e Bashkuara, nuk kanë dhënë ende një dritë jeshile, duke shprehur shqetësimin për një rritje të rasteve të koronavirusit. New York City, tregu numër dy i vendit, gjithashtu nuk ka caktuar një datë për rihapjet e kinemasë.

Biznesi i teatrit është shkatërruar nga mbylljet e koronavirusit që filluan në mesin e marsit, duke lënë dhjetëra e mijëra punonjës duke marrë fonde hua.

Industria po shpreson për hapje masive në korrik, kur zinxhirët mbarëkombëtar AMC Entertainment, Cinemark dhe Kinema Regal të Cineworld janë planifikuar të kthehen në biznes. Të gjitha masat mbrojtëse të planit përfshijnë frekuentim të kufizuar, pastrim shtesë dhe maska ​​të fytyrës për mysafirë dhe punëtorë. /KultPlus.com

Bob Dylan në shtatë dekada ka nga një album në Top 40

Albumi i ri i Bob Dylan, “Rough and Rowdy Ways”, ka debutuar në pozitën e dytë të toplistës së albumeve në Amerikë, US Billboard 200.

Ky incizim arriti të shesë 53 mijë njësi, duke u bërë albumi i ranguar më së larti i Dylan-it përgjatë më shumë se një dekade.

Debutimi i këtij albumi në Top 40 tregon që ylli i folkut dhe rokut ka pasur nga një album në top 40 në secilën dekadë nga 1960-tat e deri në 2020-tat.

“Rough and Rowdy Ways” është albumi i 23-të i Dylan-it që hyn në top dhjetëshe, dhe është e 50-ta herë që njëri prej publikimeve të tij hyn në top katërdhjetëshe. /KultPlus.com

O moj Shqypni

Poezi nga Pashko Vasa

O moj Shqypni, e mjera Shqypni,
Kush te ka qitë me krye n’hi?
Ti ke pas kenë një zojë e randë,
Burrat e dheut të thirrshin nanë.
Ke pasë shumë t’mira e begati,
Me varza t’bukura e me djelm t’ri,
Gja e vend shumë, ara e bashtina,
Me armë të bardha, me pushkë ltina,
Me burra trima, me gra të dlira;
Ti ndër gjith shoqet ke kenë ma e mira.
Kur kriste pushka si me shkrep moti,
Zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti
Ka kenë për luftë e n’luftë ka dekun
E dhunë mbrapa kurr s’i mbetun.
Kur ka lidhë besën burri i Shqypnisë,
I ka shti dridhën gjithë Rumelisë;
Ndër lufta t’rrebta gjithëkund ka ra,
Me faqe t’bardhë gjithmonë asht da. 
Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je?
Po sikur lisi i rrxuem përdhe,
Shkon bota sipri, me kambë, të shklet
E nji fjalë t’ambël askush s’ta flet.
Si mal me borë, si fushë me lule
Ke pas qenë veshun, sot je me crule,
E s’të ka mbetun as em’n as besë;
Vet e ke prishun për faqe t’zezë.
Shqyptar’, me vllazën jeni tuj u vra,
Ndër nji qind ceta jeni shpërnda;
Ca thone kam fè ca thonë kam din;
Njeni:”jam turk”, tjetri:”latin”
Do thonë: “Jam grek”, “shkje”-disa tjerë,
Por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë!
Priftnit e hoxhët ju kanë hutue,
Për me ju damun me ju vorfnue!
Vjen njeri i huej e ju rri n’votër,
Me ju turpnue me grue e motër,
E për sa pare qi do t’fitoni,
Besën e t’parëve t’gjith e harroni,
Baheni robt e njerit t’huej,
Qi nuk ka gjuhën dhe gjakun tuej.
Qani ju shpata e ju dyfeqe,
Shqiptari u zu si zog ndër leqe!
Qani ju trima bashkë me ne,
Se ra Shqypnia me faqe n’dhe!
E s’i ka mbetun as bukë as mish,
As zjarm në votër, as dritë, as pishë;
As gjak në faqe, as nder ndër shokë,
Por asht rrëxue e bamun trokë!
Mblidhniu ju varza, mblidhniu ju gra,
M’ata sy t’bukur q’dini me qa,
Eni t’vajtojmë Shqypninë e mjerë,
Qi mbet’ e shkretë pa em’n, pa nder;
Ka mbet e vejë si grue pa burrë,
Ka mbet si nanë, qi s’pat djalë kurrë!
Kujt i ban zemra m’e e lan’ me dekë
Kët farë trimneshe, qi sot asht mekë?
Këtë nanë të dashtun a do ta lamë,
Qi njeri i huej ta shklasë me kambë?
Nuk, nuk! Këtë marrè askush s’e do
Këtë faqe t’zezë gjithkush e dro!
Para se t’hupet kështu Shqypnia,
Me pushkë n’dorë le t’desë trimnia!
Coniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu,
Të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu,
E mos shikoni kisha e xhamia:
Feja e shqyptarit asht shqyptaria!
Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë,
Gjithkund lshon dielli vap’edhe rrezë,
Asht tok’ e jona, prind na e kanë lanë
Kush mos na e preki, se desim t’tanë
Të desim si burrat që vdiqnë motit
Edhe mos marrohna përpara zotit.

Organizata Botërore e Autizmit përkrahë nismën e ‘Vjosa Foundation’

Gjatë periudhës së karantinës, shumë artistë kanë shpalosur kreativitetin e tyre. Ndër ta është edhe Lulzim Behxheti i cili ndonëse me profesion arkitekt, ka realizuar portrete të ndryshme ku përfshihen figura të fushave të ndryshme si artistë, këngëtarë, arkitektë e shumë të tjerë, shkruan KultPlus.

Ndërkaq ky projekt nga Behxheti ka ardhur si nismë për të ndihmuar fëmijët me autizëm. Këtë nismë së fundi e ka përkrahur edhe Organizata Botërore e Autizmit.

Organizata Botërore e Autizmit ka shpërndarë një artikull në llogarinë e tyre zyrtare në Facebook, e cila ka ardhur si formë përkrahje për këtë nismë.

Behxheti është shprehur i kënaqur me përkahjen e kësaj organizate duke potencuar se është një ngjarje që ka ndodhur për herë të parë. / KultPlus.com

15-vjeçari britanik shpik orën që të ‘mbron’ nga infektimi i COVID-19

Një 15-vjeçar nga Mbretëria e Bashkuar ka shpikur një orë të quajtur Vybpro. Sipas adoleshentit Max Melia, ora mund të ndihmojnë njerëzit që të mos e prekin fytyrën në mënyrë të pavetëdijshme dhe të ekspozohen ndaj Covid-19.

“Duke e parë këtë pandemi ndërsa shpaloset në media, ishte i qartë dhe shkatërrues efekti që ka pasur në jetët e njerëzve në të gjithë botën. Megjithatë, vetëm kur të dy prindërit e mi u infektuan, e kuptova se me çfarë po përballeshin” shprehet adoleshenti.

Ora punon me njohjen e gjesteve që janë të lidhura me lëvizjet e duarve drejt fytyrës. Falë teknologjisë me të cilën është ndërtuar, ajo dridhet sa herë që personi e çon duart drejt fytyrës, për të evituar kështu infektimi nga koronavirus. / KultPlus.com

Gjyshërit e Rita Orës, njëri diplomat në Rusi dhe tjetri regjisor filmi në Kosovë

Mund të thuhet se gjyshërit e Rita Orës ishin personalitete me influencë në shoqërinë shqiptare. Ndonëse Ritën e njohim shumë mirë, ndoshta të paktë janë ata që njohën gjyshin e saj Besim Sahatçiu, nga ana e babait.

Besim Sahatçiu ishte drejtor i teatrit, filmit dhe televizionit.

Pasi mbaroi gjimnazin në Pejë, Sahatçiu studioi letërsi në Universitetin e Beogradit. Pas ndërprerjes së studimeve për shkak të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, ai punoi si përkthyes për disa vjet. Më pas, ai studioi teatrin në Akademinë e Artit Dramatik në Zagreb, Kroaci dhe mbrojti tezën e tij me vënien në skenë të dramës satirike të Gogol, Inspektori i Qeverisë, në Teatrin Provincial Popullor në Prishtinë. Ai ndërroi jetë në vitin 2005.

Sahatçiu drejtoi dhjetëra filma, seriale televizive dhe shfaqje gjatë gjithë karrierës së tij. Si drejtor skenik, ai punoi në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Ishte një regjisor e skenarist i njohur i filmave “Përroi vërshues”, “Nabujala reka”, “Trimi”, “Pasqyra”, “Lulepjeshkat e dashurisë” dhe projekteve tjera filmike ndër vite.

Rita Ora's mother says singer's cousing 'doesn't know what she's ...

“Era dhe lisi” ishte njëri nga super-filmat shqiptar i prodhuar nga Kosovafilmi në vitin 1979 me regji të Besim Sahatçiut. Ndërsa në rolet kryesore ishin dy nga aktorët e mirënjohur, Faruk Begolli dhe Abdurrahman Shala.

Filmi i tij “117” morri çmimin kryesor në Festivalin e Dokumentarit në Beograd në vitin 1978.

Nga ana e nënës gjyshi i saj Osman Bajraktaraj ishte një diplomat. Bajraktaraj ishte konsull shqiptar në Rusi (asokohe pjesë e Bashkimit Sovjetik). Ndonëse nuk ka shumë të dhëna për të, vetëm para dy javësh kishte ndërruar jetë gruaja e tij – gjyshja e Rita Orës – Fatmush Bajraktaraj.

Ndërsa gjyshi i saj ishte diplomat atje, nëna e Ritës, Vera studioi mjekësi në Akademinë Mjekësore të Moskës. Më vonë ajo u specializua në psikiatri. /insajderi/ KultPlus.com

Ceremonia “BET” erdhi me një edicion të veçantë dhe emocional

Fuqia e komunitetit të zezakëve, vuajtjet e tyre dhe beteja për drejtësi, ishin në qendër të vëmendjes në edicionin e fundit të ceremonisë së ndarjes së shpërblimeve “BET”, e cila u mbajt të dielën në formë virtuale.

Kjo është ngjarja e parë madhore e cila e feston këtë komunitet dhe që u mbajt në Amerikë, prej se kanë shpërthyer protestat kundër racizmit sistematik në vend, transmeton Koha.

Ceremonia e cila e nderon kontributin e afrikano-amerikanëve në industrinë e muzikës, filmit, sportit dhe fushën e bamirësisë, ishte e mbushur me fjalime të fuqishme, këngë, imazhe nga protestat e kaluara dhe të tashme, si dhe i përfshiu emrat e disa burrave dhe grave të këtij komuniteti të cilët kanë vdekur në duart e policisë, gjatë vjetëve të fundit.

Beyonce, e cila u nderua me shpërblim për filantropi nga ish zonja e parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Michelle Obama, i nxiti të gjithë personat e komunitetit të saj që ta shfrytëzojnë votën e tyre në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, në mënyrë që ta luftojnë pabarazinë dhe racizmin sistematik.

“Ne duhet të votojmë, sikur jeta jonë të varej nga secila votë. Dhe në fakt, ky është realiteti,” citohet të ketë thënë këngëtarja.

Ceremonia e cila për herë të parë në 20 vjetët e organizimit u mbajt online, u transmetua live në kanalin “CBS” si dhe përfshiu reklama nga kompani të mëdha botërore si: Coca-Cola, Ford, Nissan, P&G, L’Oreal dhe rrjeti social Facebook. Që të gjitha këto kompani kontribuuan në festimin dhe promovimin e arritjeve të zezakëve në Amerikë, si dhe sfidat me të cilat ata përballen në jetën e përditshme.

Shou u hap me versionin remix të këngës së rep grupit “Public Enemy” të lansuar në vitin 1989, “Fight the Power”, e cila u shoqërua me shfaqjen e disa fotografive nga protestat e këtij muaji nëpër rrugët e Amerikës.

Performanca e yllit DaBaby e këngës “Rockstar”, rrëmbeu vëmendje të madhe te publiku. Ajo filloi me reperin duke interpretuar i shtrirë në tokë, teksa një polic qëndron me gju mbi qafën e tij, duke e rikrijuar kështu skenën nga arrestimi dhe vrasja e George Floydit në Minneapolis, ngjarje kjo e cila shkaktoi protesta anembanë botës kundër racizmit sistematik.

Reperi i ri, Roddy Ricch, interpretoi i veshur me një bluzë ku shkruhej “Black Lives Matter”, John Legend e performoi baladën e tij shumë të pëlqyer, “We Will Never Break”, dhe Alicia Keys e solli një performancë prekëse të këngës së saj të re, “Perfect Way to Die”, e cila i dedikohet të gjithë zezakëve që e kanë humbur jetën gjatë dekadave të fundit si pasojë e racizmit.

Në mesin e yjeve të nderuar gjatë mbrëmjes ishin edhe, Roddy Ricch i cili e fitoi çmimin “Albumi më i mirë i vitit” me incizimin e tij “Please Excuse Me for Being Anti-Social”, Megan Thee Stallion e fitoi shpërblimin “Artistja më e mirë e muzikës hip-hop”, Lizzo u emërua “Artistja më e mirë R&B dhe pop”, gjimnastja Simone Biles dhe basketbollisti, LeBron James, u nderuan me çmimin “Sportistja përkatësisht sportisti më i mirë i vitit”, dhe muzikanti nga Nigeria, Burna Boy, u shpall “Artisti më i mirë ndërkombëtarë”.

Ceremonia përbëhej nga performanca të incizuara më herët dhe paraqitje virtuale të yjeve, për shkak pandemia e koronavirusit i ka mbyllur të gjitha organizimet televizive nga mesi i muajit mars. / KultPlus.com

Princesha që vriste të gjithë që e pyesnin: Kur do të martohesh?

Në Rusinë e lashtë, Princi Igor dhe Princesha Oga, ishin një shembull i një çifti të fuqishëm – Igori i quajtur “I mençuri” ishte djali i Ryuk, themeluesi i Rusisë, dhe Olga ishte e njohur në të gjithë mbretërinë si “E bukura Olga”. Ai nënshtroi fiset e Uglich, Drevlian dhe Pechen. Udhëhoqi dy fushata kundër Bizantit në 941 dhe 944, dhe rrethoi Kostandinopojën.

Lufta e pasuksesshme me Bizantin përfundoi me një marrëveshje tregtare të vitit 944. Procesi i feudalizmit u përshpejtua në kohën e tij në Kijevin e Rusisë, por pati edhe revolta të vazhdueshme për shkak të taksave të larta Rebelimi u udhëhoq nga fisi Drevlian. Në ballafaqim me ta, Igori u kap dhe u vra në vitin 945. Olga u shkatërrua. Trishtimi i saj ishte aq i madh saqë sa herë që dikush i propozonte të martohej përsëri, përfundonte i vdekur, transmeton Reporteri.net

Ajo nuk ishte e vetme, me Igorin kishte një djalë trevjeçar, Svjatoslav.

Ndërsa gjaku i Igorit ishte ende i freskët në duart e tyre, Drevlianët i dërguan një mesazh Olgës në të cilin shkruanin se Igori ishte si një ujk që shkatërronte gjithçka para tij, por se ajo konsiderohej e mirë dhe se më së miri do të ishte të martohej me princin e tyre Mala. Kështu ata u përpoqën të luanin rolin e Cupidit me qëllim të fitimit të kontrollit mbi të gjithë mbretërinë. Olga, megjithatë, kishte plane të tjera me njerëzit që i sugjeronin martesë.

Ajo u tha atyre se oferta martesore ishte pikërisht ajo që dëshironte dhe për të treguar respekt për popullin e Kievit ajo u tha atyre të hipnin të gjithë në një anije  për t’i parë dhe për t’i përshëndetur. Kur erdhi deri te kjo, njerëzit e saj e fundosën anijen në një hendek dhe i varrosën të gjallë.

Por ky nuk ishte fundi. Hakmarrja e Olgës sapo kishte filluar. Pas kësaj, ajo e dërgoi mesazh te Drevlianët duke shkruar: “Nëse dëshironi me të vërtetë praninë time, më dërgoni njerëzit tuaj më të fuqishëm në përcjellje në mënyrë që tek princi juaj të vijë në mënyrë të përshtatshme”. Pasi morën mesazhin e saj, Drevlianët bënë atë që ajo kërkoi.

Kur burrat arritën në Kiev, Olga i përshëndeti me një buzëqeshje në fytyrën e tyre dhe u një relaksim në banjat termale (siç ishte zakon në atë kohë). Ata pranuan ofertën e saj dhe kur hynë, ajo urdhëroi që dera të mbyllet dhe i gjithë objekti të digjej. Ajo u shkroi sërish Drevlianëve, duke kërkuar prej tyre një sasi të madhe të mjaltit, por gjithashtu edhe të përgatitnin për burrin e saj një varrim të madh për të kërkuar falje për vdekjen e tij. Natyrisht Drevlianët e dëgjuan përsëri, dhe Olga u soll normalisht dhe ngrohtësisht në funeral.

Në festën pas varrimit, ajo priti që të gjithë të dehen dhe pastaj shfrytëzoi pakujdesinë e tyre dhe në një moment  urdhëroi të gjithë ushtarët e saj t’i vrisnin të papërgatitur. Në aktin e saj të fundit të revoltës kundër Drevlianëve, ajo u tha atyre se ata janë të detyruar të paguajnë një taksë në formë të zogjve. Ata e dëgjuan dhe mblodhën të gjithë zogjtë dhe ia dërguan ata Olgës.

Ajo mori dhuratën dhe më pas lidhi një copë leckë të zhytur në squfur në këmbën e çdo zogu. Posa nata ra, banorët ndezën pishtarët  e tyre për të bërë dritë. Olga e dinte se zogjtë do të fluturonin përsëri te pronarët e tyre sapo t’i linin të shkonin. Leckat në këmbët e zogjve të zhytura në sulfur dhe pishtarët e ndezur nxitën një zjarr të madh në të cilin tërë qyteti u dogj./ KultPlus.com

Artistë nga e gjithë bota mbledhin rreth 6.15 miliard dollarë për të luftuar Covid19

Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen tha se BE do të vendos në dispozicion 4.9 miliardë euro me Bankën Europiane të Investimeve drejt testeve, trajtimeve dhe vaksinave të koronavirusit.

Premtimi erdhi ndërsa liderët globalë bashkuan forcat me një linjë ndërkombëtare artistësh, përfshirë Shakira, Coldplay dhe Miley Cyrus, për një ngjarje historike duke mbledhur para në luftën kundër COVID-19.

Nisma shënoi përfundimin e fushatës Global Goal: Unite For Our Future, e nisur nga BE dhe grupi aktivist Global Citizen për të financuar kërkime për një vaksinë koronavirusi dhe për të ndihmuar në rindërtimin e komuniteteve të prekura nga pandemia “në një mënyrë të drejtë”.

Koncerti u transmetua drejtpërdrejt në të gjithë botën dhe u bashkë-organizua nga von der Leyen dhe Dwayne “The Rock” Johnson.

Koncerti u parapri nga një samit i premtimeve globale të organizuar nga Ursula von der Leyen, i cili falënderoi të gjithë ata që kontribuan në mbledhjen e parave për fushatën, duke deklaruar se ishin ngritur rreth 6.15 miliardë euro.

Nisma e udhëhequr nga BE Coronavirus Global Response tashmë ka ngritur gati 10 miliardë euro.

Avokatë, ekspertë, artistë dhe aktivistë ndërkombëtarë në mesin e pëlqimeve të Angelique Kidjo, Melinda Gates, Dr. Vin Gupta, Ken Jeong dhe Kate Upton iu bashkuan nismës.

Në koncert morën pjesë edhe Usher, Jennifer Hudson, Justin Bieber dhe Quavo, J Balvin, Chloe x Halle, Yemi Alade, dhe Christine dhe Queens.

Qëllimi Global: Unite For Our Future, e cila ka mbledhur para për zhvillimin dhe vendosjen e vaksinave, testeve dhe trajtimit të koronavirusit, kishte bashkuar tashmë disa nga të famshëm në botë me 19 Prill për koncertin global drejtuar drejtpërdrejtë Një Botë: Së bashku në shtëpi. / KultPlus.com

Ishiguro sjell romanin e tij të parë prej kur fitoi Nobelin

Shkrimtari britanik, Kazui Ishiguro, ka njoftuar se do ta publikojë romanin e tij “Klara dhe dielli”, transmeton KultPlus.

Ky libër është i pari i Ishiguros që kur u bë lauerat i Çmimit Nobel për Letërsi më 2017. Ndërkq ngjarja që trajtohet në vepër, ka të bëjë me një qenie artificiale, të quajtur Klara, e cila dëshiron që ta gjejë një pronar njeri.

Autori i librave si “Të mbeturat e ditës” dhe “Kurrë mos më lë që të shkoj” ka njoftuar se ky libër do të publikohet më 21 mars të vitit të ardhshëm.

Drejtori redaktorial i botuesit të tij, Faber, ka thënë se si krejt shkrimet e Ishiguros, edhe ky shkrim arrin që të jetë ngazëllyes dhe konsistent me tërë korpusin e tij krijues. / KultPlus.com

Beyoncé paralajmëron albumin e ri vizual me titull ‘Black Is King’ (VIDEO)

Këngëtarja dhe kantautorja 38-vjeçare, Beyoncé, e ka paralajmëruar albumin e ri vizual me titull “Black Is King”, i cili është prodhuar dhe drejtuar nga ajo si dhe bazohet në muzikën e albumi më kolona zanore “The Lion King: The Gift”.

Projekti në fjalë do të lansohet në platformën digjitale “Disney +” më 31 korrik të këtij viti, transmeton KultPlus.

“Projekti ‘Black Is King’ është rezultat i punës me dashuri. Ky është një projekt i imi i krijuar me pasion, dhe për të cilin kam xhiruar, hulumtuar dhe montuar ditë e natë, për një vit të plotë. Unë e kam dhënë maksimumin në të, dhe tani ai është në dispozicionin tuaj. Fillimisht, ky projekt është xhiruar si pjesë shoqëruese e albumit me kolona zanore, “The Lion King: The Gift”, dhe ka pasur për qëllim ta festojë bukurinë e prejardhjes së komunitetit tonë. Unë asnjëherë nuk e kisha imagjinuar që një vit më vonë, e gjithë puna e madhe që është bërë në krijimin e këtij albumi vizual do të shërbente për një qëllim më të madh,” ka shkruar këngëtarja në postimin e saj në Instagram. / KultPlus.com

https://www.instagram.com/tv/CCAMxfrHjAL/?utm_source=ig_embed

9 vjet nga vdekja e Teki Dervishit, autori që sfidoi regjimin serb dhe themeloi Letërsinë e Burgut në Kosovë

Teki Dervishi ka qenë publicist, shkrimtar dhe intelektual i shquar kosovar, i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në letërsinë shqipe, shkruan KultPlus.

Deri në vdekjen e tij ishte drejtor i gazetës ditore “Bota Sot”. Pas shkollimit fillor ai i ra në sy regjimit serb të asaj kohe dhe u burgos e u dënua që në moshën 17 vjeçare, ku vuajti dënimin disavjeçar në burgjet serbe. Teki Dërvishi është ndër të burgosurit më të rinj shqiptar që vuajti në burgun famëkeq jugsollav të Goli Otokut.

Teki Dervishi gjatë gjithë jetës së tij u mor me shkrime letrare e publicistike. Është autor i rreth 90 veprave letrare artistike, romane, poezi, drama. Është autor i romaneve: Pirgu i Lartë, 1972, Padrona, 1973, Skedarët. 1974, Herezia e Dervish Mallutës, 1981, Palimpsest për Dush Kusarin, 1993. I përmbledhjes së tregimeve: Etje dhe Borë, I vëllimit të poezive Nimfa 1970, Shtëpia e Sëmurë 1978, Thashë 1981, Nimfa 1986. Ka botuar edhe këto drama: Zbutësi i njerëzve me sy prej zymrydi, 1979, Bregu i Pikëllimit, 1985, Pranvera e Librave, 1990, Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit, 1990, Kufiri me atdhe, 1996, Vojceku, 1996, Eshtrat që kthehen vonë, 2000, Nesër nisemi për Parajsë, 1999, Ku është Populli?, 2003 si dhe i veprës me ese e kritika mbi teatrin Qan e qesh Talia 1978.

Teki Dervishi- TRIM I MARRË

në trotuar si beduin si kloshar
në rrugët e botës më zë natë
ngrysem si çifteli e kërleshur
vruga qepallave hije m’i bën
lirë e shes artin tim – mjeshtërinë
se bukën s’e dua lëmoshë
mëshirë s’e dua dashurinë
asnjë bar nostalgjinë s’ma shëron
re e mllefur në ballin tim
vetëton e bubullon
më vret dru të njomë

vonesa ime pranverore
do të kthjellet në paanësi e di
në veri atje ku një Doruntinë
psherëtin
e vëlla më pret t’i vij
malli për të boll më del
me leckat e mia vjeshta
rrugëve të planetit kah m’i vjel

Më 1982, shkrimtari Teki Dërvishi, i cili kishte qenë i burgosur në burgun famëkeq të Goli Otokut, botoi romanin “Herezia e Dërvish Mallutës”, vepër kjo e cila konsiderohet të jetë ndër veprat më të rëndësishme të shkrimtarit dhe jo vetem, pasiqë kjo vepër ishe edhe nismëtare e Letërsisë së Burgut në Kosovë.

Brezi i shkrimtarëve që erdhi bashkë me Teki Dërvishin, siç ishin Beqir Musliu, Musa Ramadani, Ymer Shkreli, Xhabir Ahmeti, Resul Shabani, Nexhmedin Soba e ndonjë tjetër, ishte fryma që po thyente një traditë shkrimi, por edhe brezi i shkrimtarëve që arritën të bëjnë kalime të pahetueshme nga zhanri në zhanër duke qenë të suksesshëm në çdo njërin prej tyre./ KultPlus.com

Sportet ujore dhe rekreacioni, risia e sezonit turistik këtë vit në Pogradec

Këtë vit qyteti i bukur liqenor i Pogradecit, ka zgjedhur që të jetë më i prekshëm për vizitorët dhe turistët, jo vetëm me investimet në infrastrukturë dhe gjelbërim, por edhe plazhet publike, pastërtinë, sportet ujore apo shumë aktivitete që do të shoqërojnë sezonin turistik.

Ministri për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi  shprehet se, sportet ujore dhe të aventurës janë për vizitorët dhe turistët, që zgjedhin Pogradecin për të kaluar pushimet, një mundësi më shumë për turizëm të këndshëm dhe atraktiv.

“Këtë vit vera vjen me risi, me sporte ujore si Stand Up Paddling , Windsurfing, Kayaking  dhe Canoeing për të gjitha moshat. Mos e humbisni rastin për t’i provuar  dhe për të krijuar eksperienca të reja”- shprehet Shalsi, ndërsa ka publikuar foto të larmishme nga aktivitetet ujore që kanë nisur tashmë veprimtarinë këtë sezon veror në liqenin e Ohrit, buzë Pogradecit.

Në ujërat e liqenit të rinjtë japin alternativa për sportet ujore, duke i hapur rrugë zhvillimit të turizmit të aventurës në një destinacion të ri turistik. Aventura me kanoe, kajak apo stand up puddle është ndër mënyrat më të mira dhe më sportive për të zbuluar liqenin e Ohrit dhe bukuritë e tij. /atsh / KultPlus.com

Provoni ndjesinë e traditës mes ngjyrave shqiptare në Krujë

Kruja gjatë viteve të fundit është shndërruar në një nga destinacionet e preferuar të turistëve të huaj pasi ofron një turizëm gjithëvjetor dhe është e favorizuar nga vlerat që mbart, por edhe nga vendndodhja.

Pazari, muzeu, kalaja dhe rrugicat e ngushta të Krujës janë disa nga atraksionet që qyteti historik ofron dhe është gati të mirëpres turistët që t’i vizitojnë.

Ministrja e Kultutrës, Elva Margariti u shpreh sot se, “askund tjetër nuk mund t’i gjesh të ruajtura më mirë mjeshtëritë e endjes, të punimit të qelesheve, opingave, apo të drurit, si në Krujë”.

Pikërisht aty, thekson Margariti, “në Pazarin e vjetër të Krujës mund të provosh ndjesinë e mirë të traditës dhe trashëgimit brez pas brezi”.

Margariti ka publikuar edhe disa foto nga vizita që zhvilloi së bashku me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë, Yuri Kim në Krujë.

“Për Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë,  Yuri Kim, ishte një zbulim i bukur dhe kënaqësi të prekte punimet tradicionale, motivet dhe ngjyrat karakteristike shqiptare”, shprehet Margariti.

“Pazari, muzeu, kalaja dhe rrugicat e ngushta të Krujës ju presin t’i vizitoni”, përfundon ministrja. / atsh/ KultPlus.com

Rrëfimet për kthimin e eshtrave të Vaso Pashës në Shkodër dhe aventura shqiptare e një gazetari nga Libani



Nga Avni Dani

Ai kishte jetuar si një Pasha e qeveritar osman i fesë katolike. Kishte ndërruar jetë shumë larg vendit që e deshi aq shumë, e për të cilin pati shkruar një nga poezitë aq të bukura, saqë nuk kishte asnjë bashkëkombas që të mos e dinte. Fati i kishte rezervuar Vaso Pashës, 86 vjet pas vdekjes që të kthehej në vendlindje në një “varr pa kryq”. Në 100 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit regjimi i kohës, pas shumë përpjekjesh e peripecishë, do ta kthente “atin e shqiptarizmës” në Shkodër, aty ku kishte lindur, duke e rivarrosur sipas mënyrës së vet.

Në dy rrëfimet e mëposhtme tregohet aventuar e kthimit të eshtrave të Vaso Pashës në Atdhe, në vitin e largët 1978. Protagonistët e rrefimeve janë një diplomat shqiptar dhe një gazetar nga Libani. Dalan Buxheli e ka treguar ngjarjen në një intervistë të dhënë shumë vite më vonë për një gazetë shqiptare. Ndërsa Melhem Mubarak, e ka shkruar vetë historinë e kthimit të eshtrave në Buletini Katolik Shqiptar, që botohej në SHBA në vitet 80-90. 

1. RRËFIMI I PARË

Dalan Buxheli, ish-diplomat shqiptar në Egjipt

“Rikthimi i eshtrave të Pashko Vasës ka qenë një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit 1978 që përkonte me 100-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit. Asokohe kam qenë pjesë e misionit diplomatik të Shqipërisë në Egjipt, që mbulonte njëherazi Libanin, Arabinë Saudite, Algjerinë dhe një pjesë të vendeve të Afrikës. Operacioni për kthimin e eshtrave të Pashko Vasës, në të cilin bëja pjesë edhe unë, iu besua një grupi diplomatësh shqiptarë, që operonin në atë zonë të kontinentit të largët në pranverën e vitit 1978.

Shumë herë kishim qenë disa herë te vendvarrimi i Pashko Vasës, në varrezat osmane Hazmieh të Bejrutit. Vaso Pasha pushonte në një varr të përbashkët me të shoqen, Katerina Khanum. Vend varrimi i tyre në krye të varrezave dallohej që nga larg. Vendësit kishin ngritur mbi të një ndërtesë karakteristike dhe në çdo kohë çonin aty lule dhe qiri. Nderimet për Pashko Vasën prej tyre kishte të bënte me kontributet e tij për mëvetësinë dhe prosperitetin e Libanit. Në enciklopedinë libaneze njihet si figurë me kontribute të jashtëzakonshme për kohën. Në Bejrut, në pjesën perëndimore të tij, ishte ngritur një përmendore e lartë e Pashko Vasës.

E vërteta është se nga shteti shqiptar deri në vitin 1978 nuk ishte bërë asnjë përpjekje për riatdhesimin e eshtrave të tij, edhe pse artikulohej me të madh roli i Vasos si pjesë e Rilindjes Kombëtare. Në pranverën e vitit 1978, kam qenë zyrtari i parë shqiptar që kam trokitur te institucionet libaneze. Autoritet e Bejrutit në asnjë rrethanë nuk pranonin të na jepnin lejen e zhvarrimit. Krahas të tjerave, fakti që vendvarrimi i Vasos ishte vakëf, ishte pengesa kryesore. Na u desh disa kohë të negociojmë derisa morëm miratimin e tyre. 


Kur dështova disa herë me radhë në negociatat me zyrtarët vendës, vendosa t’i kërkoj ndihmë një mikut tim, gazetar i njohur jo vetëm në Liban, por edhe në Perëndim, që m’u përgjigj menjëherë dhe shfrytëzoi të gjitha njohjet për t’i hapur rrugë “operacionit shqiptar”, për kthimin e eshtrave të ish-guvernatorit të Libanit në Shqipëri. Ai ishte një mik i sinqertë i Shqipërisë dhe shqiptarëve, që e ndoqi operacionin për rikthimin e eshtrave të Pashko Vasës nga momenti i parë e deri te ceremonia e varrimit në Shkodër. E quanin Melhem Mobarak. Disa herë kisha vizituar shtëpinë e tij në Bejrut, ku kishte një bibliotekë të veçantë me 20 mijë libra shqip. E njihte mirë historinë e vendit tonë dhe interesohej vazhdimisht mbi të rejat nga Tirana. Mobarak me ndërhyrjen time vizitoi disa herë Shqipërinë dhe botoi një sërë shkrimesh lidhur me realitetin shqiptar. Ai u bë organizatori i ceremonisë së zhvilluar në Bejrut me rastin e riatdhesimit të eshtrave të Pashko Vasës. Aktiviteti filloi mëngjesin e 31 maj 1978. Eshtrat e Pashko Vasës dhe të familiarëve të tij, u vendosën në një podium të lartë, në krahët e të cilit bënin roje nderi ushtarët e gardës libaneze. Kishin ardhur me këtë rast një numër i madh qytetarësh dhe autoritetesh vendëse. Folën aty njerëz të ndryshëm. Fjalën kryesore e mbajti kreu i Komunitetit shqiptar në Bejrut, një emigrant i hershëm nga Gjirokastra me profesionin e bankierit, i cili i njihte zhvillimet në Shqipëri deri para luftës. Foli përfaqësuesi i qeverisë libaneze. Përshëndeti ambasadori i Turqisë në Bejrut. Në vazhdim e morën fjalën familjarët e Vasës dhe diplomatët tanë të rajonit. Tubimi vazhdoi rreth dy orë. Pashko Vasa rikthehej në vendlindje në Shkodër pas 86 vitesh. Në ditarin e tij Melhem Mobarak shkruan: “Fati qenka vërtet tekanjoz. Vaso Pashës që pati deklaruar se “feja e shqiptarit është shqiptaria”, nuk besoj t’i kishte shkuar ndër mend se ky slogan do të aplikohej te eshtrat e tij, pasi po merreshin nga një varrezë fetare për t’u varrosur në Shkodër te një varr pa kryq.”

2. RRËFIMI I DYTË

Kthimi i eshtrave të Pashko Vasës në Shkodër

Melhem M. Mobarak

Rruga nga Bejruti në Hazmieh kalon nëpër kodra të mbushura me limonë e portokalle dhe pemë të tjera që e mbushin peisazhin plot me ngjyra. Këtë 31 maj të vitit 1978, në varrezën e Hazmieh, e njohur edhe si varreza e Pashallarëve, zhvillohet një ceremoni zyrtare. Ambasadori shqiptar Sulejman Tomcini buzëqesh: pas 86 vitesh mërgim të imponuar, trupi i Pashko Vasa Shkodranit së bashku me atë të gruas së tij të dytë, Katerine dhe vajzës së tij Marie, së shpejti do të kthehen në vendin e tij të lindjes.

Më 1883, ky patriot i madh shqiptar, autori i poemës luftarake “Oh moj Shqypni”, u emërua guvernatori i katërt i Libanit, një post që mbahej për dhjetë vjet. Për të garantuar autonominë e Libanit dhe qytetarëve të tij të krishterë, shtatë Fuqitë e Mëdha (Perandoria Osmane, Franca, Anglia, Prusia, Austria, Rusia dhe Italia) kishin nënëshkruar një marrëveshje të posaçme që përcaktonte se guvernatori ose “mutesarifi” i Libanit duhej të ishte i krishterë katolik dhe me kombësi osmane.

Me njohuri të plota të gjuhës arabe, poeti i talentuar, intelektuali dhe poligloti Pashko Vasa, shërbeu në këtë post deri në vdekje të tij.

Edhe jeta e tij familjare gjithashtu qe e trishtuar. Pasi humbi gruan e tij të parë, pak para emërimit të tij në Liban, ai u martua me Katerine Bonatin, një grua e re greke. Kjo zonjë e përgjegjëshme u kujdes për vajzën e tij të vetme nga martesa e parë. Për fat të keq, tre ose katër vjet më vonë, Katerina vdiq nga kanceri. Ky pikëllim u pasua edhe nga tjetër humbje shumë e dhimbshme. Më 1887, vdes edhe vajza e tij e bukur, Marie.

Falë reputacionit politik të babait të saj, Maria ishte martuar me një manjat financiar armen me emrin Kupelian. Me lëvizjet e mençura të tij, si dhe metodave të paskrupullta financiare dhe ryshfeve, Kupeliani arriti të institucionalizojë mbretërinë e tij të vogël në Liban, gjatë gjithë kohës që vjehrri i tij ishte në pushtet.

Situata e shpjegueshme e dobësisë dhe vetmisë, pas vdekjes së gruas dhe vajzës së tij, bëri që Pashko Vasa ta gjente ngushëllimin te dhëndërri dhe dy vajzat e tij, duke ju dhënë atyre, natyrisht shumë dashuri prej babai e gjyshi. Duke shfrytëzuar këtë dobësi Kupelian, dhëndrri i Pashait, e shtriu mashtrimin dhe korrupsionin në të gjitha nivelet e administratës.

Pavarësisht këtij dështimi, gjatë qeverisjes së guvernatorit Pashko Vasa, Libani gëzoi paqe, përparim ekonomik dhe zhvillim artistik. U ndërtuan disa rrjete të mëdha rrugore dhe ura. U ndërtuan shumë ndërtesa të rëndësishme qeveritare dhe spitale. Guvernatori gjithashtu ndërtoi Shtypshkronjën Shtetërore dhe inkurajoi gërmimet arkeologjike. Një herë, siç shkruan një gazetë franceze, shkoi në ceremonitë e organizuara nga studentët e kolegjit jezuit në ditën e tyre të diplomimit.

Shumë pak i njohur është fakti se Ismail Qemali, babai i pavarësisë shqiptare, u emërua Veli i Bejrutit më 1891. Pashko Vasa i kalonte dimrat e tij në atë qytet, dhe sigurisht që ata u takuan shpesh atje. Në atë kohë, me insistimin e mikut të tij Monsignor Piavi, Pashko Vasa, për të lehtësuar vetminë, ra dakord të martohej me një grua të re franceze, e cila kishte qenë kujdestarja e dy mbesave të tij. Ajo i dha atij dy djem, më i madhi prej të cilëve u quajt Mikel.

Në qershor të vitit 1892, Pashko Vasa vdes, një vit përpara përfundimit të mandatit të tij dhjetëvjeçar si Guvernator i Libanit. Akush më mirë se Ismail Qemali, me një rrëfim disi të çuditshëm, nuk i ka përshkruar ditët e fundit të jetës së Pashko Vasës.

“Gjatë qëndrimit tim në Bejrut, bashkëatdhetari im, Pashko Vasa, Guvernatori i Libanit, vdiq. Ai vuante nga probleme të zemrës dhe gjendja e tij u përkeqësua shpejt, duke mos lënë hapësirë për shpresë. Meqë funksioni i Guvernatorit të Libanit ishte i rëndësishëm, dhe meqë mund të kishte shumë probleme lokale nëse ai post mbetej vakant, mendova se më së miri, pasi u këshillova më parë me mjekun, ti shkruaja rreth këtyre fakteve Portës së Lartë. Për habinë time, Veziri i Madh, në vend që ta trajtonte komunikimin tim si konfidencial, u lidh me Pashko Vasën, duke e pyetur se si ishte me shëndet, dhe pastaj më informoi se ai kishte marrë një përgjigje nga Guvernatori që i kishte thënë se po përmirësohej! Një ose dy ditë më vonë, ai vdiq. Porta më besoi qeverisjen e përkohshme të krahinës së Libanit, në drejtimin e Këshillit Administrativ. Por meqenëse Këshilli përbëhej nga presidenti dhe dhjetë anëtarë, në mesin e tyre u krijua një konflikt i cili i bllokoi efektivisht të gjitha vendimet administrative. Më kërkuan të ndërmjetësoja, dhe më pas arrita në një formulë të kënaqshme për të dyja palët”.


Funerali u bë në Kishën e Kapelës në Bejrut dhe trupi i tij u vendos në varrezat fetare në Hazmieh. Ky fshat i vogël, nën diellin mesdhetar dhe mes pemëve të ullirit dhe qiparisëve, që të kujtonte peizazhin shqiptar, qe një vend pushimi për të.

Kohët rrodhën…

Në vitin 1967, përpjekjet e para për kthimin e trupit të Pashko Vasës në Shqipëri, i ka bërë Dalan Buxheli (në atë kohë atasheu tregtar i Shqipërisë në Kajro). Në atë kohë, një urdhër administrativ, i lëshuar bazuar në rregulloren e varrezës “Vakëf” në Hazmieh, e bllokoi kërkesën e tij. Për më tepër, në atë kohë Libani nuk kishte marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë.


Në vitin 1978, me rastin e 100 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, qeveria shqiptare vendos t’u drejtohet autoriteteve libaneze edhe një herë, me një kërkesë për të kthyer eshtrat e Vaso Pashës në Atdheun e tij. Gjatë vizitës sime të parë në Shqipëri, në mars të vitit 1978, dy profesorët, Aleks Buda dhe Vehbi Bala, më pyetën nëse unë mund të ndihmoja në këtë çështje. Pas kthimit tim në Liban, u takova me ministrin e Punëve të Jashtme, Fouad Boutros. Ai më premtoi se sapo të arrijë kërkesa zyrtare shqiptare do të merrte hapat e nevojshëm për të shkurtuar burokracitë dhe për të dhënë përgjigje pozitive për kërkesën shqiptare.

Më pas, Sulejman Tomcini paraqiti letrat e tij kredenciale në maj të vitit 1978. Unë e ndihmoja atë në të gjitha hapat që çuan në kthimin përfundimtar të eshtrave të Vaso Pashës në Shqipëri. Dhe më 31 maj ishim në ceremoninë zyrtare që u zhvillua në varrezën në Hazmieh.

Një trupë oficerësh bëri nderimet ushtarake para tre arkivoleve të mbuluar me copë të bardhë. Autoritete të larta vendase ishin aty të pranishëm mes të cilëve : Y. Rassy, Mohafez i Libanit, Koloneli Dargham nga Komanda e Lartë e Ushtrisë, G. Kassouf nga ministria e Punëve të Jashtme, G. Feghali, Kryetari i Hazmieh dhe O. Arghit, përfaqësuesi turk për punë të jashtme. Pjesëtarë të familjes së Pashko Vasës ishin gjithashtu pjesëmarrës në ceremoni. U mbajtën disa fjalime të rastit dhe në fund u kryen të gjithë rite e ceremonisë. Tre arkivolet u nisën në rrugë ajrore për në Shqipëri po atë ditë.

Epilogu i kësaj historie ndodhi disa ditë më vonë kur mora një telegram nga Sulejman Tomcini në Tiranë. Ai më kërkonte datat e sakta të lindjes dhe vdekjes së bashkëshortes dhe vajzës së Pashko Vasës, me qëllim që ti varrosnin në varrezat kombëtare të dëshmorëve të Shkodrës. Fati është i çuditshëm. A thua ta kishte menduar Pashko Vasa, i cili shkroi vargun e famshëm: “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, se një ditë kjo do të zbatohej simbolikisht edhe me eshtrat e tij, të zhvarrosura nga një varrezë fetare në Liban dhe të vendosura në një varrezë pa kryq në Shqipëri?

3. AVENTURA SHQIPTARE E GAZETARIT NGA LIBANI

Po kush ishte gazetari që jo vetëm e kishte mundësuar kthimin e eshtrave të Pashko Vasës, por edhe e kishte ndjekur atë deri në vendlindje? Informacionin e mëposhtëm e rrëfen përsëri diplomati shqiptar Dalan Buxheli:

Melhem Mobaraku ishte djali i vetëm i dy diplomatëve libanezë nga Bejruti. Pas diplomimit në gazetari, ishte bërë i njohur jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij. La vendlindjen në pikun e luftës midis kristianëve dhe myslimanëve, dhe u vendos në Montreal, Kanada. Dinte shqip, i sjellshëm dhe dashamirës në komunikim. Në Bejrut kishte organizuar një komunitet të zgjeruar me emigrantë shqiptarë. Me shoqatat e tyre herë pas here zhvillonte veprimtari për promovimin e traditave të popullit tonë. Diku aty nga fundi i viteve ’60, Mobarak udhëtoi drejt Tiranës. Ishte interesuar të vizitonte vendlindjen e Pashko Vasës, madje ishte ngjitur deri në Kelmend. Kur u kthye, shkroi në shtypin vendës për mbresat nga Shqipëria. Duke sjellë mbresat nga Veriu i Shqipërisë, shprehej :

Në vendin e shqiponjave, Zoti nuk ekziston më. Në Bogë dhe në Theth vetëm dhitë gërziten akoma rreth kishave të vogla gërmadha, të rrethuara nga gardhe e varreza të braktisura, me kryqe të thyer rrëzuar përtokë”.

Për Mobarak, ateizmi shqiptar ishte diçka absurde dhe, si i tillë, ishte i pakonceptueshëm. Ai vizitoi edhe dy herë të tjera vendin tonë dhe eksploroi më tej në hapësirat shqiptare. Bëri të tjera shkrime, duke u përpjekur të shmangë disi temën e besimit fetar. Në vizitën e radhës që do bënte në Shqipëri, synonte të takohej me Enver Hoxhën. Kur erdhi në Tiranë, bëri kërkesë zyrtare, por nuk ia miratuan. Me sa duket, dikush shprehu dyshime për të si gazetar i vënë nga qarqe antishqiptare dhe nuk e lejuan të kontaktonte me Enverin. I mërzitur nga përgjigjia e autoriteteve, Mobarak provoi të futej fshehtas në Bllok, por aventura rezultoi e pasuksesshme. Madje, kjo përpjekje e marrë i kushtoi shtrenjtë. I prangosur fare pranë vilës së Enverit, përfundoi në birucat e policisë dhe aty iu nënshtrua për ditë me radhë pyetjeve pa fund, për të cilat thoshte se kishin qenë brutale dhe të pakuptimta. Në fillimin e viteve 90 erdhi sërish në Tiranë. Shkoi në Shkodër e vizitoi vendvarrimin e Pashko Vasës.” / KultPlus.com

https://www.darsiani.com/krahina-e-matit/avni-dani/o-moj-shqypni-e-mjera-shqypni-rrefimet-per-kthimin-e-eshtrave-te-vaso-pashes-ne-shkoder-dhe-aventura-shqiptare-e-nje-gazetari-nga-libani/

“Pse është aq e vështirë me mbajtë distancë, a patjetër duhet ti shprehni “dashni” njëri tjetrit me përqafime e puthje?”

Nga Elbenita Kajtazi

Përshëndetje,

I kam vetëm disa pyetje për disa nga ju, meqenëse gjendja e Corona virusit po shkon duke u përkeqësuar në Kosovë.
Pse është aq e vështirë me bart maskën ?
Pse është aq e vështirë me mbajtë distancë, a patjetër duhet ti shprehni “dashni” njëri tjetrit me përqafime e puthje ?
Pse atë kafen e mëngjesit nuk e pini dot në shtëpi ?
Pse nuk mendoni për më të moshuarit, ose edhe për ata që kanë sëmundje e që nuk e mbijetojnë dot këtë virus të tmerrshëm!
Nuk e kuptoj pse është kaq e vështirë ta kuptoni që gjendja nuk është aspak e mirë!
Ka katër muaj që nuk i heqim maskat këtu në Gjermani, nuk futesh dot as në market as në ndonjë dyqan pa maskë! Distanca mbahet në mënyrë perfekte, dhe imagjinojeni dallimin nga Gjermania me Kosovën për nga përgatitja, hapësira spitalore kushtet e çdo gjë tjetër, thjesht nuk e krahasoni dot!
E ju , pse një pseudo artist del e jep mendimin e tij debilesk “nuk ka virus, po ju garantoj” disa prej jush bazohen në atë deklarim dhe vazhdoni sikur asgjë nuk po ndodh! Ju me pakujdesin tuaj po e shkatërroni ekonomin e vendit! / KultPlus.com