Mozaiku i Tiranës, del në dritë thesari i trashëgimisë kulturore në zemër të kryeqytetit

Mozaiku i Tiranës, thesar i trashëgimisë kulturore të kryeqytetit është kthyer në identitet.

Pas një muaji pune të kujdesshme, që kërkonte shumë durim e pasion, përfundoi restaurimi i këtij monumenti kulture i kategorisë I. Ky monument është siti arkeologjik më i vizituar i kryeqytetit.

Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me pamje nga puna për restaurimin e këtij mozaiku.

“Mirëmëngjes dhe me këtë tjetër thesar të trashëgimisë kulturore të dalë në dritë në zemër të Tiranës, ju uroj një ditë të mbarë”, thekson Rama.

Punimet restauruese përfshinë konsolidimin, larjen, rivendosjen e teserave, mbushjen e fugave, pastrimin sipërfaqësor me anë të kompresave me karbonat amoni, trajtimi i lakunave.

Mozaiku i Tiranës, monumenti më i vjetër, monument kulture i kategorisë I, është siti arkeologjik më i vizituar i kryeqytetit. Mozaiku i Tiranës për nga ana e ndërtimit, materialit dhe teknikës së përdorur i përket artit paleokristian.

Siti arkeologjik “Mozaiku i Tiranës”

Gërmimet arkeologjike nxorën në dritë një ndërtesë kulti, ku narteksi dhe naosi kanë dysheme të shtruar me mozaikë. Kisha e Tiranës paraqet një ndërtesë me aks gjatësor të orientuar nga verilindja që përbëhet nga një sallë qëndrore (naos) dhe parasallës (pronaos).

Salla qendrore është e shtruar me mozaikë përfundon me absidën gjysmërrethore në një nivel më të lartë se parasalla.

Ambiente të tjera u gjetën në anën veriore dhe anët e tjera të ndërtesës. Kemi të bëjmë me një ndërtesë të kthyer në një kohë të dytë në kishë, që kuptohet nga krijimi i parasallës, në mozaikun e të cilës ka simbole të kultit si kryqe, peshq e shpendë, ndërsa mozaiku i sallës ka më tepër dekor gjeometrik.

Kështu që kisha mund të datohet si e gjysmës së parë të shekullit IV, kur akoma nuk ishte formuar qartë tipologjia arkitekturale.

Mozaiku i Tiranës për nga ana e ndërtimit, materiali dhe teknika e përdorur i përket artit paleokristian. Mozaiku shtrohej mbi një shtresë që nivelonte kalldrëmin prej zajesh lumi duke përdorur llaç, gëlqere dhe pluhur tjegullash. / atsh/ KultPlus.com

Ndryshon lista, ky është shteti më i lumtur në botë

Zvicra së fundmi është konsideruar si një ndër shtetet më të mira për të jetuar në botë.

Në mesin e 10 shteteve më të lumtra, Austria është renditur në vendin e dhjetë. Austria është një vend që ruan traditën dhe investon prej vitesh, duke sfiduar çdo epokë në mënyrë që populli austriak të ketë lehtësime në jetën e tyre qoftë ekonomike dhe sociale. Andaj sipas Happiest Countries in the World, Austria renditet në top 10.

Kanadaja u rendit në vendin e nëntë, fqinji gjigant i SHBA-së  duket se ka gjetur metrikat e lumturisë me jetëgjatësinë e lartë, popullatën e vogël dhe peizazhin e jashtëzakonshëm që ofron në çdo anë.

Vendi i tetë sipas ekspertëve i takon Zelanda e Re. Ky shtet ka disa vende që janë më të preferuarat në botë. Është një ndër vendet më të pëlqyera për vizitorët. Stili i veçantë i jetesës përkthehet në lumturi për banorët e saj.

E çuditshmja dhe risia që solli së fundi në renditje është Portugalia. Ajo ka hyrë në listën e shtatë të vendve më të lumtra të botës për të jetuar. Ekspertët vlerësojnë se ky vend përveç që zotëron vende shumë të bukura jetese, së fundi ka ndikuar edhe jeta ekonomike e mirë në raport.

Zvicra në vitin 2015 ka qenë në vendin e parë si shteti më i lumtur në botë. Ky vend është një mrekulli e vërtetë dhe secili do të donte të jetonte këtu. Prandaj, jorastësisht qytetarët e këtij vendi ndihen me fat që shijojnë bukuritë dhe të mirat që iu ofron Zvicra. Tani më është renditur në vendin e 6-të dhe se Zvicra është një vend ku votohet gjithçka, nga sa ditë pushimesh duhet të kenë punëtorët e deri te sa emigrantë duhet të lejohen në vend, dhe referendume deri në nivelin lokal ndodhin shumë herë në vit.  Ky sistem i demokracisë së drejtpërdrejtë do të thotë që qytetarët zviceranë të ndiejnë një ndjenjë të pashembullt të pjesëmarrjes në evolucionin e vendit të tyre, nga vendimet historike për të drejtat e njeriut deri te nëse duhet të instalohet një semafor i ri në lagjen e tyre.

Vendi i 5-të këtë vit i takoi Holandës, konsiderohet shtet i thjeshtë dhe e bukur. Ky vend është i njohur për qasjen liberale dhe jetën e lumtur. Ata i shijojnë edhe udhëtimet me biçikletë për në punë.

Islanda vlerësohet të jetë vendi më i barabartë, paqësor dhe i ndershëm në botë. Këto janë faktorët kryesorë që e bëjnë këtë vend ndër shtetet më të lumtura në botë dhe të renditet në vendin e katërt. Taksat e ulëta, kujdesi shëndetësor falas dhe cilësia e lartë në arsim i bëjnë këta njerëz të lumtur dhe krenarë me vendin e tyre. Tjetër e veçantë e këtij vendi është fakti se çdo i 10-i banorë boton libra.

Norvegjia zuri vendin e tretë. Njerëzit në këtë vend janë thjesht me fat. Barazia sociale, mirëqenia, dhe prosperiteti që kanë banorët e bëjnë këtë vend ideal për të jetuar.  Norvegjia po ashtu shquhet për peizazhe të mrekullueshme.

Danimarka në vitin 2016 ka qenë në krye të listës së shteteve më të lumtura në Botë, transmeton albinfo.ch. Por këtë vitë ajo u rendit në vendin e dytë. Standardi i lartë i jetesës, taksat e përshtatshme, cilësia e lartë e shërbimeve shëndetësore, arsimit dhe mirëqenies e bëjnë këtë vend favorit për të jetuar dhe ombrellë e njerëzve të lumtur në të.

Fituesi është  Finlanda. Nga vendi i pestë Finlanda ka rrëmbyet vendin e parë në listën e shteteve më të lumtura në Botë.

5.5 milionë banoret e Finlandës gëzojnë standarde tepër të mira jetese, mjedise të shëndetshme, nivel të ulët të krimit dhe barazi të madhe sociale.

Në rast se po e pyesni vetën, mbi shtetet me më së paku lumturi në botë ja disa të dhëna; Burundia është vendi më pak i lumtur në botë, e ndjekur nga Republika Qendrore Afrikane, Sudani i Jugut dhe Tanzania. / KultPlus.com

Engel: Millosheviçi nuk më la të futem në Kosovë më 95’ën, unë nuk e lashë atë të futet pas të 99’ës

Ish-anëtari i Kongresit amerikan, përgjatë kohës sa Bill Clinton ishte president, Eliot Engel, ka rikujtuar kohën kur nuk u la të futet në Kosovë nga Millosheviçi më 1995-ën për të kryer funksione diplomatike.

I ftuar për intervistë nga Instituti për Studimin e të Drejtave të Njeriut në Nju Jork, Engel ka thënë se kishte parashikuar se një ditë Kosova do të çlirohet dhe nuk do jetë më prezenca e “kasapit ballkanas”, Slobodan Millosheviç.

“Në vitin 95 gjatë zgjedhjeve u thashë përfaqësuesve të mi se Millosheviq nuk më lejoi të futem në Kosovë dhe u thashë atyre se do të vijë kohë kur nuk do ta lejoj të hyjë brenda”, deklaroi ai.

Tutje, ai tregoi edhe për kujtimet që mban nga lufta në Kosovë e 1999-ës.

“Ende mbaj fotografi të njerëzve të vdekur në Kosovë, në mënyrë që të përkujtoj se ne e parandaluam një gjenocid”, shtoi ai./ KultPlus.com

Albright: Kosova mbetet ende vend test i demokracisë

Ish-sekretarja e shtetit të SHBA-së, Madeline Albright, ka thënë se Kosova është një test për demokracinë, por se me angazhimin më të madh të miqve në Kongresin e SHBA-së dhe komunitetit shqiptaro-amerikan mund të ndihmohet në ndërtimin e paqes dhe prosperitetit për të gjithë.

Madeliene Albright ka folur në një tryezë online ku po diskutohet për të ardhmen e Kosovës, tryezë nën drejtimin e Kryesuesit të Komitetit për Punë të Jashtme të SHBA-së, Eliot Engel. Albright ka qenë kritike ndaj administratës Trump për çasjen ndaj problemit.

“Më 1998-1999 qëllimi ishte për ta bashkuar botën rreth principeve demokratike dhe në përkushtim drejt paqes. Kampanja e udhëhequr nga Clinton ishte për rezultate të suksesshme. Joe Biden mobilizoi vendet në kampanjën e NATOs-s, anëtarët e Kongresit me në krye Eilliot Engel treguan angazhim të madh. Tani është koha t’i rivendosim angazhimin tonë qysh në javën e ardhshme pas katër vitesh dështim dhe qasjes së administratës Trump ndaj Kosovës dhe Serbisë. Kosova mbetet një vend test për demokracinë, por me angazhim të madh të miqve në Kongres dhe komunitetin shqiptaro-amerikan, mund të ndihmojnë në ndërtimin e paqes dhe prosperitetit për të gjithë. Patriotët amerikanë janë miqtë e vërtetë të shqiptarëve”, ka thënë ajo në fjalimin hapës./ KultPlus.com

Gjermani: Deri në 25 mijë euro gjobë nëse del pa maskë!

Mjekja Aurora Dollenberg Meta nga Gjermania ka deklaruar se situata atje sa i përket Covid është përkeqësuar dhe se vendi rrezikon të shkojë drejt një mbylljeje.

Ajo ka deklaruar se gjoba nëse njerëzit dalin pa maska është deri në 25 mijë euro.

“Deri 25 mijë euro gjobë në Gjermani nëse del pa maskë. Kjo ndodh nëse nuk bëhen lajmërime me shkrim.

Ka qenë një mbledhje e jashtëzakonshme nga ana e ministrisë dhe të hënën do të vendoset definitivisht nëse do të ketë një mbyllje të dytë”, tha ajo.

Elina Duni interpreton “live” në BBC

Elina Duni, këngëtarja shqiptare në Zvicër, ka performuar mbrëmjen e djeshme “live” në programin “Radio 3” të medias britanike BBC. Një performancë unike në ambientet e “Royal Festive Hall”.

Ajo ka interpretuar  së bashku me partnerin e saj në muzikë, Rob Luft dhe bandën muzikore.

Elina Duni është larguar nga Shqipëria për në Gjenevë, Zvicër në moshën 10 vjeçare, ku ka jetuar sëbashku me nënën e saj.

U specializua në rrymën “Jazz” pranë Universitetit të Arteve në Bern të Zvicrës dhe që nga viti 2004 ajo luan së bashku me kuartetin nën emrin e saj.

Stili i saj inovativ në rrymën “Jazz”, me një ndikim të madh nga muzika popullore shqiptare, u vlerësua me nominimin për çmimin Seiss Music Prize në vitin 2017.

Ajo eshte e fokusuar me muzikën jazz, por është e njohur me se shumti  për rrymën etno jazz ku disa këngë të vjetra shqiptare i ka ripërpunuar dhe i ka sjellë në këtë zhanër./ KultPlus.com

Trump për marrëveshjen e 4 shtatorit: Kosovarët e serbët përqafoheshin e putheshin (VIDEO)

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka treguar prapaskena nga takimi mes Kosovës dhe Serbisë më 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë në Uashington.

Kandidati për t’u zgjedhur sërish si President ShBA-ve, në një tubim për fushatë zgjedhore tha se nuk u nevojit shumë kohë për t’u arritur marrëveshja mes shteteve.

“Marreveshja në mes Kosovës dhe Serbisë u arrit për 15 minuta. Derisa palët që ishin në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, përqafoheshin e putheshin”, u shpreh Trump në Bullhead City, Arizona.

Donald Trump tha se gjatë takimeve përfaqësuesve të Kosovës dhe atyre të Serbisë, siç thotë ai iu ka thënë se a janë budallenjë që po vriten mes vete./Front Online/ KultPlus.com

Bebe Rexha do të jetë pjesë e komedisë “Queenpins”

Këngëtarja shqiptare Bebe Rexha do të bëjë debutimin në filmi “Queenpins”, përkrah aktores amerikane, Kristen Bell.

Kompanitë që qëndrojnë prapa kësaj komedie janë Bad Moms, Hustlers dhe STX, pjesë e së cilës do jenë edhe: Kirby Hoëell-Baptiste, Vince Vaughn dhe Paul Walter Hauser.

https://www.instagram.com/p/CG5cA4_BjTl/?utm_source=ig_embed

Aron Gaudet dhe Gita Pullapilly po ashtu qëndrojnë prapa kësaj ngjarjeje, të cilët njëherësh kanë shkruar edhe skenarin.

“Ky është një film perfekt për Bebe për të bërë debutimin e saj. Ajo është një femër talente e jashtëzakonshme dhe një super yll ndërkombëtar dhe ne e duam atë për këtë rol si Tempe Tina. Ne e dimë që ajo do të shtojë kaq shumë argëtim, talent dhe personalitet në këtë kast”, tha kryetari i STX, Adam Fogelson.

Në anën tjetër, Bebe Rexha mezi po pret për këtë bazuar në një postim që ka ndarë në Instagram./ KultPlus.com

“Prishtina Brass” prezantohet me koncert në Viti

Ansambli i tunxhit Prishtina Brass do të organizoj koncert gjatë ditës së nesërme në komunën e Vitisë. Në këtë koncert, Prishtina Brass ka përzgjedhur një program atraktiv i cili përmbanë vepra shqipe dhe botërore për ansambël tunxhi, shkruan KultPlus.

Këtë e ka bërë të ditur Avni Krasniqi i ciki në një intervistë për KultPlus ka thënë se koncerti do të organizohet në bashkëpunim me Komunën e Vitisë. Gjithashtu ai ka shtuar se Prishtina Bass do të mbajë koncerte edhe në Prishtinë dhe në Klinë.

“Koncerti organizohet në bashkëpunim me komunën e Vitisë duke respektuar gjitha masat në raport me situatën që gjendemi.  Koncertet e radhës të Prishtina Brass janë: me 2 nëntor nga ora 12:00 – Sheshi Nëna Terezë, Prishtinë dhe 3 nëntor nga ora 14:00 – Pallati i Kulturës – Klinë”, ka deklaruar Krasniqi

Koncertet mundësohen me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Prishtinës.

Prishtina Brass është kuintet tunxhi i cili përbëhet nga instrumentistë profesionistë të cilët janë gjenerata e parë e tunxhit në Kosovë.

Të gjithë instrumentistët e ansamblit janë pjesë e Filharmonisë së Kosovës, ndërsa ansambli si i tillë funksionon edhe në kuadër të FSK-së (Forcës së Sigurisë së Kosovës) dhe është mjaft aktiv nëpër ceremoni të ndryshme ushtarake.

Prishtina Brass ka një repertor mjaft të gjerë. Stili muzikor i Prishtina Brass është një kombinim i periudhave te ndryshme muzikore duke mos përjashtuar edhe veprat dhe këngët e ndryshme te ditëve të sotme.

Ansambli rëndësi të veçantë i kushton sidomos muzikës shqipe, duke mos përjashtuar edhe muzikën jazz. Prishtina Brass njihet si promotor i muzikës në hapësira publike. Për disa vite ka realizuar një numër të konsiderueshëm të koncerteve nëpër sheshet e qyteteve të ndryshme të Kosovës.

Ansambli që nga themelimi është mjaft aktiv si me koncerte, ashtu edhe me prezantime të ndryshme. Që nga viti 2012 kur ka filluar së funksionari, ka realizuar një numër të konsiderueshëm koncertesh dhe prezantimesh të ndryshme në Kosovë dhe jashtë sajë. Ka realizuar për 6 vite radhazi turne koncertesh në shumicën e qyteteve të Kosovës si dhe në Tetovë, Gostivar, Ulqin, Tiranë, Bujanoc etj.

Është prezantuar në festivale të ndryshme të cilat janë bartëse të kultivimit dhe zhvillimit të muzikës serioze në Kosovë dhe Shqipëri si: Kamer Fest, International Albanian Brass Festival, Netët e Prishtinës, Festivali HAPU, Kosova Brass Festival.

Ansambli është kuintet standard, mirëpo varësisht nga programi që luan, bashkëpunon dhe me instrumentistë tjerë si të tunxhit, perkusioneve dhe  solo këngëtarë./ KultPlus.com

10 libra të frikshëm që duhet të lexoni para Hallouinit

Librat që të kallin datën, libra të shkruar nga mjeshtër të horrorit dhe tmerrit, porse në brendësi të tyre përmbajnë njëlloj bukurie. Nga Stephen King tek Oscar Wilde dhe Tana French, këta janë autorët që kanë frymëzuar romancierin australian Gabriel Bergmoser, i cili ka bërë një klasifikim të librave që duhen lexuar medoemos para Hallouinit, libra që shkaktojnë më shumë se, thjesht tronditje dhe frikë.

Për aq sa horrori është një gjini letrare, po aq është edhe një teknikë; një mënyrë për t’u përballur ose për të eksploruar diçka reale, duke e çuar audiencën në ekstremet e mundshme. Kur isha i vogël, më tmerronin filmat horror, derisa një ditë arrita ta përfundoj njërin dhe mandej nuk ngopesha së pari. Në të vërtetë, ajo që spikaste te fakti që më pëlqente kaq shumë te filmat dhe librat që unë i doja, ishte se shpeshherë aspekti i tmerrshëm ishte vetëm një pjesë e asaj që e bënte historinë të veçantë. Në mendje, tmerri më i mirë ishte krejt tjetër gjë, sesa thjesht frikësimin, si rrjedhojë zgjodha një mënyrë për ta përdorur frikën për të eksploruar çfarëdo që të ishte ajo diçka. Teksa shkruaja “Gjuetia”, kisha si qëllim ta çoja audiencën në një udhëtim të brendshëm emocionues, të mbushur me rropulli, por përtej kësaj doja të thosha edhe diçka tjetër: për Australinë, për maskilitetin, për frikën./Konica.al/ Shpresoj t’ia kem dalë mbanë, gjithsesi janë lexuesit ata që do të vendosin, por personalisht po citoj 10 prej librave që shërbyen si burim frymëzimi, histori horrori, që në një mënyrë a tjetër revolucionarizuan zhanrin, duke qenë shumë më tepër sesa thjesht luhatje frike në errësirën e natës:

  1. “Dragoi i Kuq” nga Thomas Harris.
  2. “Portreti i Dorian Greit” nga Oscar Wilde.
  3. “Brirët” nga Joe Hill.
  4. “Ekzorcisti” nga William Peter Blatty.
  5. “Unaza” nga Koji Suzuki.
  6. “Psiko” nga Robert Bloch.
  7. “Kalimi” nga Justin Cronin.
  8. “Mjerimi” nga Stephen King.
  9. “Nga Ferri” nga Alan Moore dhe Eddie Campbell.
  10. “Brenda pyjeve” nga Tana French./ KultPlus.com

Libri i shqiptarit Durim Taçi pjesë e “Bookcity Milano”

“Bookcity Milano”, një nismë letrare e komunës së  Milanos në bashkëpunim me shoqata të ndryshme letrare dhe botuesish atje, organizon online në “live streaming” bashkëbisedimin letrar “La scrittura, il dolore, la vita” (Shkrimi, dhimbja dhe jeta) me autorin shqiptar me banim në Itali Durim Taçi, me praninë e shkrimtares Susanna Fresko, kushtuar veprës më të fundit në italisht të Durim Taçit “Extra Time (la tua seconda persona)” (Extra Time, Vetja jote e dytë).

“Nëse e braktisim rrëfimin linear me të cilin jemi mësuar ta lexojmë jetën tonë, ne mund të hyjmë në vendet e shpirtit dhe të jetojmë një kohë tjetër. Si në këtë roman, në të cilin një udhëtim bëhet ecje në kujtesë, përmes shkrimit: protagonisti ndjek gjurmët e djalit të tij të zhdukur dhe zbulon veten, si baba dhe burrë. “Extra Time” ndërthur autobiografinë dhe historinë, atë të një familjeje dhe atë kolektive, duke ndërmendur vetë jetën e lexuesve. Një udhëtim në kohën e emocioneve dhe ndjenjave, midis dhimbjeve dhe gëzimeve që e bëjnë çdo ekzistencë të denjë për t’u jetuar.”

Durim Taçi lindi më 1964 në Gramsh. Autor i mjaft veprave letrare në prozë, është vlerësuar me çmimin ndërkombëtar “Montefiore” për veprën “Codice Kanun” (2016) dhe me “Città di Genova” për tregimin ‘La badante”.

Ka kontribuar në fushën e leksikografisë si hartues i fjalësit shqip në fjalorin italisht-shumëgjuhësh “Il primissimo Zanichelli dell’accoglienza”. Ka sjellë në shqip mbi pesëdhjetë tituj letrarë, të letërsisë për fëmijë dhe ka përkthyer artikuj shkencorë, enciklopedikë, fjalorë të mitologjisë dhe të artit./ KultPlus.com

Letra e Koliqit në vitin 1948 kur u themelua në Palermo qendra e studimeve shqiptare

“Kuvend letrash me miqtë”, botuar  OMSCA-1 ka pasur dy vëllime, një letërkëmbim i pasur i Mustafa Krujës dhe familjes Gjomarkaj, e prof. Zef Nekës, ku po ashtu në këtë letërkëmbim përfshihen edhe profesorë të shquar të universiteteve të ndryshme të botës, njëkohësisht ndër personalitetet më të spikatura të jetës kulturore shqiptare, përkatësisht Ernest Koliqit, Karl Gurakuqit, Martin Camajt, Namik Resulit, Atë Zef Valentinit dhe Stavro Skendit.

Gazeta “Standard” i ka publikuar fillimisht këto letra, me të drejtë ekskluzive, nga botuesi ku jepet letërkëmbimin që Kruja ka pasur me Koliqin, një epistolar që ka përfshirë datat 30 prill 1948 – 10 dhjetor 1958.

Siç thotë Eugjen Merlika, nipi i Mustafa Krujës, kjo është një nismë e familjes për t’i paraqitur lexuesit të sotëm letërkëmbime të tij me personalitete të ndryshme të jetës kulturore e politike të Shqipërisë. “Ideja, për të botuar atë pjesë të letërkëmbimeve të mbetur në arkivin e familjes, është nxitur edhe nga vlerësimi që personalitete si Ernest Koliqi apo Karl Gurakuqi kanë shprehur për to”, thotë Eugjen Merlika, duke sjellë dy citime të Koliqit e të Gurakuqit.

Koliqi në revistën Shęjzat me rastin e 70 – vjetorit të lindjes së Mustafa Krujës shkruan se “Aty ku Mustafa, mendoj, arrin në përsosje letrare âsht stili epistolar. Ata që patën fatin me pas letra prej tij, duhet t’i ruejnë me kujdes sepse në to âsht derdhun visar i paçmim i shqipes”. Nga ky letërkëmbim i Mustafa Krujës vjen atmosfera politike e migracionit, ku “nji pjesë e udhëheqësve të t’cilit qenë angazhue thjesht për me kapë dollarë prej amerikanëve e s’tregonin as ma të voglin vullnet e zell për me organizue nji aktivitet konkret kundër regjimit të Tiranës”, shkruan prof. Ardian Ndreca në hyrje të vëllimit të dytë të “Kuvend letrash me miqtë”. Sipas tij në këto letra ndihet gjithnjë e më tepër, me kalimin e viteve besimi në rritje i Mustafa Krujës ndaj figurës së sovranit, “të cilin ai e trajton si nji element që mundet me favorizue bashkimin e të gjitha forcave politike jashtë atdheut”. Nga ana tjetër prej letrave që i drejton Koliqi shihet qartë vështirësia për të bashkërenduar veprimet mes grupeve e partive, ndihet atmosfera e mosbesimit dhe e ndasive, paqartësia për të ardhmen dhe pesha e sakrificave morale dhe ekonomike që i duhet të përballojë një grushti të vogël idealistësh atdhetarë që jeta “i ka hedhë e shpërnda pa plan e pa shtëpi”.

Më poshtë vazhdon letrat e Koliqit për Krujën…

Letërkëmbim Mustafa Merlika Kruja , Ernest Koliqi

(30 Prill 1948 – 10 Dhjetor1958)

Rapallo, 7.XII.1948

I dashtuni Mustafë

Letrën t’ânde shkrue me 20 tetuer e gjeta këtu në Rapallo, ku jam tash mâ se nji muej i kapërthyem vetëm me punë familjare. Sot n’orën 4 të mëngjesit më fali Zoti nji vajzuke.

Ime – shoqe âsht krejt mirë dhe puna vojti rregullisht. Isha në kujdes e disi tashti pak u qetësova.

E kuptoj fare mirë mallin t’onë për këto vise të bekueme, ku Ti kalove me familje vjet qi atëherë na dukeshin âmtije e pritjeje dhe sot kujtoj  se përbâjshin hisen e lumnís qi na ishte dhânë në kët botë. Kur kaloj ndonji herë nëpër Nervi Të kujtoj, sikurse nuk më hiqet mëndsh mikpritja e asaj kohe të zojës Caje dhe e jotja. Unë jam pak ma fatlum se shum shokë, por edhe mue bukurín e ditve të bukra qi këtu çuditënisht janë tue vazhdue, m’a terratisë kujtimi i vllaut qi kam në burg atje n’at ferr qi u bâ Shqipnija dhe dyshimi mos të zhduket herët a vonë edhe ai si shokët!

Në dorë të Zotit!

Për Bashkimin prap kam shkrue. Plasa tue bâ relacjone n’at dreq Ministrije (m’i lypin ata vetë), por punët ecin kadalë.

Djalit të Myftís ia mora visto-n, ashtu Koços e Këlcyrës. Kur po vijnë?

Mora tash tri ditë nji kartë prej Koços, por nuk kuptova mirë se ç’më thonte.

Jam krejt në terr për sa u përket punve të pulatikës së shqyptarhânes. Ismaili nuk më ka shkrue po bâhen 20 dit. Unë, si të thaçë, kam pasun telashe e iu kushtova në kohët e fundit vetëm çâshtjeve familjare. Prej Rome askush nuk më shkruen, ndoshta pse kanë pritë të dukem atje krye moji s’paku simbas zakonit. Por unë, salvo imprevisti, deri më 15 kallnduer s’due t’los vendit. Tashti u bâna dyfish babë e shtëpija më mban mâ tepër se përpara.

Javën e fundit të tetorit e kalova në Sicili, aty, si e din pse edhe Tý t’âsht dërgue thirrja, u mblodh nji Kuvend ndërkombëtar studimesh shqiptare. Suksesi qe i shkëlqyeshëm. Veçanërisht né Shqiptarvet të Shqipnís na kanë pritë me nji përzëmërsí të thekshme. Me 24 nanduer, si fryt i parë i kuvendit, u themelue në Palermo qëndra e studimeve shqiptare. Kryetar: Dr. Petrotta; Drejtues: prof. Riberzo; sekretar i përgjithshëm: Karl Gurakuqi. Kjo qëndër mund të ket zhvillime të pamëndueme. E përkrahë qeverija e Regjonit me mjete edhe financjare. Un kam pasë bisedime të gjata me Shkëlqesën Alessi; President i Regjionit (nji farë Mëkâmbsi). Kam folë gjatë edhe për Tý. Por mbi këtë, nji herë tjetër. Në kuvend shum kush ka pyetë për Tý.

Kaq për sot. Salih Efendiut dal-kadalë të gjitha deshiret do t’ia çoj në vend?! M’i bân nderimet e mija. Tý të përqafoj me mall.

Të fala prej të gjithëve të shtëpi,   

I yti Ernesti./ KultPlus.com

Autoparodi për himnin e vet kombëtar

Gjergj Fishta

Paska pré kasapi ‘i dhí

Edhè misht vjerrka mbí krraba:

Kush âsht djalë n’Shqyptarí

Qi p’r Atdhé s’i dhimet zhaba?

Rreh tallazi per t’gjatë bregut:

Dalin kublat n’karajel;

Eni, o t’bijt e Skanderbegut,

Me derdhë gjakun sot çurrel!

Na rá breshni n’Bardhanjorë,

Rrenoi vneshtat me gjith fiq;

Trima mbrendë me dorë, me dorë!

Rnoftë Shqypnija me gjith miq!

(Nga: I ligu për mend, Komedi tri aktesh shkrue mbas Molière-it e përshtatë instituteve mashkullore të Shqypnis prej P. Gjergj Fishtës O.F.M., Shkodër 1931, Shtypshkroja Françeskane.)/ KultPlus.com

Flet kompozitori i këngës “Marshi i UÇK-së”: Kam marrë miliona euro për këtë këngë

Kompozitori i këngës, Marshi i UCK-së, Edmond Zhulali ka folur për herë të parë rreth këngës dhe debatit rreth saj.

Ai gjatë një bisede në Frontal, ka mohuar se dikush e ka porositur këtë këngë.

“Janë këngë që nuk i ka porositur njeri, janë këngë që i ka porositur populli shqiptar. Nuk i ka porositur, janë këngë të papaguara”, ka thënë Zhulali.

Në këtë lidhje direkte nga Shqipëria, kompozitori i shumë këngëve shqipe ka thënë se vlerësimi për këtë këngë është çmimi më i lartë që ai ka marrë.

“Unë, për këtë këngë, kam marrë milionë euro, qindra miliona euro, kam marrë mirënjohjen e ushtarëve të UÇK-së dhe popullit të Kosovë. Nuk ka njeri që ka fuqi që ta paguaj këtë këngë”, ka thënë Zhulali./ KultPlus.com

IKShPK apel qytetarëve: Bartja e maskës nuk është turp, është trimëri

Numri i të infektuarve me virusin Covid-19 në Kosovë po vazhdon të rritet me shifra alarmuese. Vetëm në 24 orët e fundit, janë konfirmuar 281 raste të reja, duke e ngritur edhe më shumë numrin e rasteve aktive me koronavirus.

Kjo ka vënë në lëvizje edhe institucionet shëndetësore të Kosovës dhe jo vetëm.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë së Kosovës, përmes një komunikate u ka bërër apel qytetarëve që t’i bartin maskat dhe të mos e nënvlerësojnë virusin.

“Ju lutemi përmbajuni rekomandimeve! Mos e nënvlerësoni virusin! Pakujdesi na dërgon shumë shpejt në mbingarkesën e Institucioneve shëndetësore dhe shtimin e rasteve fatale. Asnjë vend në botë nuk ka kapacitete të mjaftueshme njerëzore dhe infrastrukturë spitalore të përballojë shtimin e rasteve për shkak të pa përgjegjësisë në mos zbatimin e rekomandimeve tashmë të vetme në mbarë botën: MASKA, DISTANCA, HIGJIENA!”, thuhet në komunikatën e IKShPK-së, raporton Insajderi.org.

Sipas IKShPK-së, në javët e fundit ka pasur rritje brëngosëse si pasojë e drejtëpërdrejtë e neglizhencës së qytetarëve për t’i respektuar masat.

“Sot janë konfirmuar 281 raste të reja me COVID-19. Ky është numër rekord deri tani. Numri i rasteve javën e fundit ka pësuar rritje brengosëse si pasojë e drejtëpërdrejtë e neglizhimit te masave. Që kur ka filluar lehtësimi i masave për disa aktivitete, kemi gjurmuar raste të reja të COVID-19 duke u shtuar rreziku të shpërthejnë vatra të reja epidemike në disa komuna të Kosovës dhe në institucione e degë të ekonomisë, për shkak të mos respektimit të distancës dhe mosmbajtjes së maskave”, thuhet në komunikatë.

IKShPK me tutje e ka quajtur sjellje të rrëzikshme, lëvizjen e qytetarëve kudo nëpër Kosovë ditëve të fundit.

“Këto ditë vërehet fluks i shtuar i lëvizjes së qytetarëve kudo nëpër Kosovë. Kjo është sjellje e rrezikshme dhe lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Pakujdesia e disa qytetarëve gjatë këtyre lëvizjeve dhe aktiviteteve, shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent dhe kështu mund të mbingarkohet sistemi shëndetësor me pasoja të pa parashikuara deri në shpërthim e që mund të paraqes rrezik për jetën e qytetarëve”, thuhet në njoftim.

Zbatimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë është obligim dhe duhet ta bëjë çdo qytetar i Republikës së Kosovës, që të ruajë veten, të afërmit dhe të tjerët.

“Instituti Kombëtar po përcjell me vëmendje situatën epidemiologjike me COVID-19 tashmë qe nëntë muaj pa ndërpre 24 orë. Apelojmë te qytetarët, institucionet publike e private, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura”.

“Burimet e infeksionit janë të shpërndara në institucione publike, private, agjensi, shkolla e amvisëri të cilët kanë mund të infektohen kudo prej vendit të punës në institucione publike e private, gastronomisë, super-marketeve, ku pjesa dërmuese shihen pa maska në vende të punës”, theksohet në njoftim.

IKShPK ka bërë fajtor qytetarët për rrezikim të shëndetetit të tyre dhe të afërmve tjerë, me mos bartje të maskave.

“Si pasojë e mos bartjes së maskave nga ju, qytetarë të nderuar, po rrezikohet shëndeti i juaj dhe i qytetarëve të tjerë dhe po rëndohet situata e përgjithshme epidemiologjike që po mbahet nën kontroll me mund të madh të ekipeve të profesionistëve të Institutit Kombëtar. Pakujdesia e juaj shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent dhe kështu mund të mbingarkohet sistemi shëndetësor me pasoja të pa parashikuara deri në shpërthim e që mund të paraqes rrezik për jetën e qytetarëve”, thuhet me tutje në njoftimin e IKShPK-së.

Instituti me tutje u ka bërë thirrje qytetarëve që t’iu përmbahen rekomandimeve të tyre, sepse e kuptojnë nevojën e tyre për shërbime të përditshme.

“Përpjekja e madhe e përbashkët e derisotme mund të na shkojë huq për shkak të pakujdesisë së mos përmbajtes së tri rregullave themelore, të cilat duhet të jenë përditshmëri e jona edhe pa pandemi, e që nënkupton: mbajtjen e distancës fizike, mbajtjen e maskave dhe larjen e duarve me kujdes disa herë në ditë, për 20-30 sekonda”.

“Çdo shkelje e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve. Nuk ka të drejtë askush të rrezikojë jetën e të afërmve të tyre, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike për shkak të pakujdesit dhe mos zbatimit të rekomandimeve”, theksohet në njoftim.

IKShPK ka thënë se Inspektoratet sanitare të AUV-it dhe Inspektoratet komunale bashkë me shtabet komunale duhet patjetër të zbatojnë Ligjin Anti COVID-19, Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse, duke u mbështetur në Manualin për luftimin e COVID-19 dhe të merren masa përgjegjësie në çdo rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të Institutit Kombëtar./ KultPlus.com

Hapet konkursi për pranimin e studentëve në konvikte, këto janë kriteret

Qendra e Studentëve ka njoftuar se është hapur konkursi për pranimin e studentëve për banim në konvikte dhe për ushqim në mensë.

Konkursi do të hapet më 29 tetor dhe do të qëndrojë i hapur deri më 11 nëntor.

“Studentët të cilët do të aplikojnë për strehim dhe ushqim në Qendrën e Studentëve, aplikimin mund ta bëjnë përmes sistemit Online, në adresat zyrtare të QS, ëeb faqes qs.rks-gov.net dhe profilit zyrtar Facebook Qendra e Studenteve-Prishtinë”, thotë njoftimi.

Ndërkohë, për shkak të pandemisë, QS sivjet do të pranojë vetëm 1 mijë e 600 studentë, ku do të jetë vetëm nga një student në një dhomë.

“Qendra e Studentëve e Universitetit të Prishtinës si pasojë e zhvillimeve epidemiologjike në vend me Covid-19 dhe në bazë të rekomandimeve nga IKSHPK këtë vit do të pranojë rreth1600 studentë, pra një student në një dhomë. Edhe në këto rrethana QS ofron strehim, ushqim si dhe hapësirat për studim.

Studentët do të prnaohen në bazë të kritereve të përcaktuara në konkurs.

“Mënyra e përzgjedhjes së kandidatëve të cilët do të fitojnë të drejtën për strehim dhe ushqim do të bëhet në bazë të kritereve të përcaktuara me konkurs. Këtë vit ndarja e vendeve për strehim në konviktet e Qendrës se Studentëve, do të bëhet në bazë të kërkesës së rektoratit të Universitetit të Prishtinës dhe atë 70% e këtyre vendeve do të ndahen për fakultetet, programet e studimit të të cilave përmbajnë lëndë praktike dhe labaratorike si dhe 30% për faklutetet, programet e të cilave përmbajnë komponentet teorike. Çmimi do të jetë 35 € për muaj (20€ banimi, 15 € ushqimi)”, thuhet në njoftimin e QS’së./ KultPlus.com

“Key of Montevergine”, vepra e artistit shqiptar merr formë

Vijojnë punimet për realizimin e “Key of Montevergine” (Çelësi i Montevergine) të artistit Alfred Mirashi “Milot” shkruan e përditshmja italiane oggiquotidiano për veprën gjigande, mbi 40 metra e lartë, e cila do të vendoset në rrugën që çon në Abacinë Montevergine.

Pozicioni i përzgjedhur këtë herë për vendosjen e veprës, që do të jetë një “ginës” për dimensionet, është ai i daljes në rrugën Avellino-Ovest, ku fillon ngjitja për në Abacinë Montevergine e cila vizitohet çdo vit prej më shumë se një milion e gjysmë pelegrinë.

Prej vitesh “Çelsi” është simboli mbi të cilin Miloti punon me bindje, një çelës që merr forma si thirrje kundër mureve dhe ndarjeve.

Shqiptari Alfred Mirash Miloti, nën drejtimin artistik të Michele Stanzione dhe me ndihmën e kompanisë Metal Zurlo, për “Çelësin”, një simbol pozitiv i shpresës, një dëshirë e Presidentit të Provincës së Avellino Domenico Biancardi.

Vendi i instalimit nuk është zgjedhur rastësisht dhe as titulli i veprës mbi 40 metra, në materialin e preferuar të artistit çelik korteni, dhe do të instalohet në rrethrrotullimin Mercogliano.

Një punë, pra, që të gjithë do ta shohin si një “thirrje” universale të respektit reciprok midis njerëzve, në mënyrë që ata të jetojnë në paqe me njëri-tjetrin dhe që të mos ketë më vende të mbyllura dhe të largëta. Artisti dëshiron, në një moment kaq të vështirë për të gjithë botën, të jap një mesazh shprese që synon të zgjojë mendimin kolektiv të një shoqërie që ka humbur kohët e fundit vetëvlerësimin.

“Vepra ime është një mesazh pozitiv i shpresës, për të shmangur frikën individuale ose kolektive që na rrethon – deklaroi Milot – veçanërisht sot kur, për shkak të një pandemie, kemi frikë nga fqinji ynë më shumë se më parë. Të gjithë kemi të drejtë t’i bëjmë ëndrrat tona të vërteta dhe të gjithëve duhet t’u garantohen të njëjtat mundësi për ta bërë këtë”.

Në vitet e fundit, “çelësi” është bërë një emblemë referimi për Milotin, një simbol i të gjitha veprave të tij, si në pikturë, në skulpturë dhe në instalime të mëdha.

“Çelësat e Milotit” janë një simbol universal i lirisë dhe paqes kundër lidhjes me pushtetin e shoqërisë bashkëkohore, dhe veçanërisht kundër sistemit të ndërlikuar burokratik që përfaqëson një kufizim të madh të sistemit ndërkombëtar kapitalist.

Konceptualisht çelësi, një objekt i përdorimit të përditshëm bëhet një mjet për të rimarrë të kaluarën me gëzimin e së tashmes për të parë të ardhmen.

Ndaj Presidenti i Provincës së Avellino Domenico Biancardi ftoi artistin Milot të krijojë “Çelësin e Montevergine”, duke zgjedhur një vend simbolik për instalimin e tij. Një rrethrrotullim, një rreth pa fillim dhe fund, pothuajse simbolizon rrethin e jetës, një rilindje e një shoqërie të lirë, e hapur për gjithçka dhe për të gjithë, e hapur për dialog, konfrontim dhe në të cilën ekziston mundësia për të gjithë./ KultPlus.com

Njeriu që fitoi dy herë lotarinë brenda vitit

Shanset për të fituar, të paktën një herë në jetë, lotarinë janë të pakta, por ky njeri e ka sfiduar fatin dy herë brenda vitit.

Michael Christianen nga Norfolk, Nebraska, fitoi lotarinë për të dytën herë brenda një viti.

Ai fitoi 50 mijë dollarë në muajin mars dhe 100,000 dollarë në fillim të këtij muaji.

“Nuk mund ta besoja. Unë nuk mendoja se ishte e vërtetë,” tha Christianen në një njoftim për shtyp.

Ai i bleu të dyja biletat fituese në Norfolk, ndërsa kur u pyet se çfarë planifikon të bëjë me paratë, Christianen kishte disa ide.

Ai tha se dëshiron të ndërtojë një garazh të ri dhe të heqë ca para mënjanë për pensionin e tij. Christianen, gjithashtu, pohoi se vajza e tij është ndarë nga jeta së fundmi dhe ai do të provojë të blejë shtëpinë në të cilën ajo jetonte./ KultPlus.com

Shpallet lista e këngëve pjesëmarrëse në edicionin e 59-të të Festivalit të Këngës në RTSH

Festivali i kënëgës në RTSH ka publikuar listën e këngëve pjesëmarrëse në ediconin e 59 të këtij festivali.

Në një postim të fundit të ndarë së fundmi në Facebook, u bë e ditur se është shpallur lista e këngëve pjesëmarrëse në këtë edicion.

Edicioni i 59-të i Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, hyn në një fazë më konkrete, pasi komisioni për pranimin e këngëve, i përbërë nga Alma Bektashi, Jonida Maliqi, Agim Doçi, Klodian Qafoku, Eugent Bushpepa, pasi ka dëgjuar të gjithë produksionet e mbërritura në RTSH, ka vendosur për 26 këngët pjesëmarrëse, me intepretuesit si më poshtë:

Peng- Devis Xherahu

Valixhja e kujtimeve- Orgesa Zaimi

Kush je ti dashuri- Festina Mejzini

E morën botën- Franc Koruni

Pendesë- Inis Neziri

Kam me t’ba me kajt- Sardi Strugaj

Më jep jetë- Gjergj Kaçinari

Nëse vdes- Durim Morina (Mirudi)

Tjerr- Evi Reçi

Vashëzo- Rosela Gjylbegu

Vallja e jetës- Klevis Bega (Kastro Ziso)

Do t’ja dal- Klinti Çollaku

Karma- Anxhela Peristeri

Si ajo- Wendi Mancaku

Ty- Fatos Shabani

Vajzë- Florent Abrashi

Njësoj- Enxhi Nasufi

Ajo vajza- Kamela Islamaj

Zjarri im- Era Rusi

Jo- Erikson Lloshi

Më mbron- Xhesika Polo

Ora e jetës- Manjola Nallbani

E lirë- Giliola Haveriku

Nënë- Viktor Tahiraj

Vendi im- Agim Poshka

Meteor- Stefan Marena/ KultPlus.com

Vjosa Osmani: Qytetarët e kanë humbur besimin në Kuvendin e Kosovës

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur sot një ligjëratë në temën “Parlamentarizmi dhe sfidat aktuale”, për studentët e AAB-së ku foli për çështje të rëndësishme me të cilat ballafaqohet organi më i lartë përfaqësues dhe ligjvënës i Republikës së Kosovës.

Sipas Osmanit, në vitet e 90-ta, Kuvendi i Kosovës i cili doli nga zgjedhjet e sistemit paralel, të ndërtuar nga Presidenti Ibrahim Rugova, nuk ishte vetëm organ ku diskutoheshin vetëm idetë siç ndodh sot. Parlamenti në atë kohë më shumë ishte rezistencë ndaj pushtuesit, ishte rezistencë ndaj Serbisë, ishte rezistencë ndaj një regjimi gjenocidal, tha Osmani derisa theksoi se në ditët e sotme qytetarët e kanë humbur besimin në Kuvendin e Kosovës, për disa arsye.

“Për shkak se pikërisht që për vite të tëra Parlamenti i Kosovës është konsideruar vetëm si vulë që vulosë vendime të qeverisë, shumë prej qytetarëve e kanë humbur besimin në të. Sepse nuk e kanë parë si një vend ku bëhet kontrolli, ku bëhet mbikëqyrja, pra ku shërben si një lloj filtri si një lloj kontrolluesi në qoftë se ato vendime janë të mira apo jo. Pra kjo është një ndër sfidat që na kanë përcjellë ndër vite dhe është një prej çështjeve që përmendet në shumicën dërmuese të raporteve të Komisionit Evropian.” – shtoi mes tjerash, Osmani.

Sipas Osmanit një parlament i fuqishëm duhet ta ketë pavarësinë buxhetore, dhe se Qeveria nuk mundet t’ ia caktojë buxhetin parlamentit, e ky sipas saj është presion buxhetor.

Kryeparlamentarja tha se ka pasur tendenca që Kuvendi të mos përzihet në çështjen e pandemisë, ku për katër muaj janë bllokuar iniciativa ligjore të inicuara nga ajo dhe deputetë të tjerë. “Sfida më emergjente është pandemia. Siç e dini ka pasur tendenca të thuhet se Kuvendi nuk ka fare kompetenca të përzihet tek çështja e pandemisë, dhe për katër muaj është bllokuar një iniciativë ligjore që e patëm iniciuar, unë si kryetare me disa deputetë tjerë”- ka thënë mes tjerash kryetarja e Kuvendit të Kosovës.

Kryetarja Osmani ka folur edhe për zhvillimet aktuale politike, ku theksoi se dialogu Kosovë – Serbi është një tjetër temë që po ia harxhon energjinë institucioneve të Kosovës.

Ndërsa, krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Osmani e sheh si një vendim të rrezikshëm për vendin: “Sa i përket Asociacionit të Komunave Serbe mendoj që është një prej vendimeve më të rrezikshme që është marrë nga institucionet e Kosovës. Një autonomi për serbët në Veri, është vetëm një paralajmërim i ndarjes së mëvonshme, nuk është një ide më e mirë se ndarja. Është po aq e rrezikshme, thjesht e shtynë për më vonë.” – tha kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.

Në ligjëratën e sotme, e cila u përcoll edhe me një seancë diskutimesh me studentë, kryetarja Osmani ka bërë të ditur se Kuvendi i Kosovës ka filluar punën për një Rregullore të re të Kuvendit./ KultPlus.com

Filmi “Vdekja e Kalit” projeksion të veçantë në “Season of classic films”

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, i cili vitin e kaluar u bë anëtar i Shoqatës së Kinematekave Europiane (ACE) këtë vit do marrë pjesë në “Season of classic films” (Një sezon i filmave klasik).

Lajmit është bërë i ditur nga vetë Arkivi në faqen zyrtare në Ditën Botërore të Trashëgimisë Audiovizive 2020.

Mes 50 filmave klasikë evropian që do të shfaqen nga Dhjetor 2020 në Qershor 2021, do të jetë edhe versioni i restauruar i filmit shqiptar “Vdekja e Kalit”.

“Season of classic films” është një seri shfaqjesh falas të planifikuara nga dhjetori 2020 deri në qershor 2021 në të gjithë Evropën për të rritur ndërgjegjësimin për punën e arkivave evropiane të filmave kombëtar dhe rajonal, veçanërisht tek të rinjtë. Shumica e filmave janë restaurime të reja dixhitale dhe disa shfaqje përfshijnë elemente emocionuese të tilla si shfaqje të drejtpërdrejta ose muzikë elektronike eksperimentale. Me 22 institucione pjesëmarrëse, nisma synon gjithashtu të mbështesë rihapjen e arkivave evropianë të filmit, të gjithë të prekur nga kriza COVID-19.

Filmi “Vdekja e kalit” është prodhuar në vitin 1992 me regji të Saimir Kumbaro dhe skenar Nexhati Tafa.

Në 1975 një gjeneral i njohur i ushtrisë shqiptare, i cili kishte ngritur fermën e parë të kuajve në Shqipëri, u dënua me vdekje për grushtin e shtetit “puçist”. Pas dënimit të të gjithë të implikuarve në grushtin e shtetit, kalohet në zhdukjen e çdo lloj vepre për të cilën mund të mbajnë meritë “puçistët”. Kjo shënon fillimin e ekzekutimit të kuajve. Bëhet fjalë për kuajt e racës Arba. Agroni (protagonisti) shpëton një kalë dhe për këtë dënohet nga gjyqi ushtarak. Pas kësaj jeta e tij fillon të copëtohet.

E shoqja, nën presionin e prindërve dhe motrës, kërkon divorcin dhe aborton fëmijën që priste. Për pasojë vdes nga një hemorragji, pasi aborti ishte kryer në mënyrë klandestine. Mbas përmbysjes së sistemit, të dënuarit politikë lirohen dhe Agroni, të cilin nuk e pret askush te dera e burgut, kërkon prindërit në shtëpinë ku banonin, por mëson se i kanë internuar menjëherë pas dënimit të tij. Më në fund takon “xhelatin” e tij, që në sistemin e ri ka bërë përsëri karrierë dhe është zgjedhur deputet. Filmi mbyllet me protagonistin “në rrugë të madhe” dhe antagonistin duke ngjitur shkallët. Ky është filmi i parë shqiptar që ve në dukje anët negative të sistemit komunist për shoqërinë shqiptare. Ai përfaqëson një nga pasqyrimet më realiste të përndjekjes politike gjatë Diktaturës së Proletariatit në Shqipëri./ KultPlus.com

Mural Fest & Void Projects shfaqin dokumentarin me qëllim mbështetës ndaj punës së komunitetit Ashkali në Kosovë

Në kuadër të Festivalin “Mural Fest” është realizuar një projekt nga MURAL FEST & VOID PROJECTS, i cili ka për qëllim mbështetjen e punës që bëjnë komunitetit Ashkali në Kosovë, transmeton Gazeta Metro.

Ky dokumentar përmban filmime nga jeta e përditshme e E.Krasniqi dhe kështu bëhet thirrje për respektimin e të drejtave të çdo punëtori, qoftë edhe të reciklues. Pavarësisht që këta persona diskriminohen për punën që bëjnë, qytetarët duhet të fillojnë t’i shohin si kontribues të mëdhenj të shoqërise edhe në aspektin ambientalist.

Skulptori Michael Beitz, krijoi në mënyrë përfekte një dhomë publike nga hekrat e mbledhur nga ky komunitet, duke e ngritur në një tjetër nivel dhe duke vlerësuar punën që bëjnë, punë kjo e cila nuk përkrahet e as nuk vlerësohet nga bashkëqytetarët.

Në këtë dokumetar paraqitet qartë se si shoqëria jonë e nënvlerëson dhe nuk e përkrahë punën që bënë ky komuninet. Ndërsa përveq kësaj, ky dokumentar ka për qëllim të vetë të ndryshoj mentalitetin tonë dhe të i hudh poshtë çdo paragjykim ndaj çdo pune.

Dokumentari është pjesë e projektit “Recikulesi” në kuadër të programit Kultura për Ndryshim, i implementuar nga Qendra Multimedia dhe Goethe Institut, mbështetur nga Komisioni Europian Kosova, Komuna e Ferizajt dhe Punëtoria e Veglave Plus, ndërsa është prodhuar nga “Omiz Film”./gazetametro.net

https://youtube.com/watch?v=g7JC-QmZ3i4%3Ffeature%3Doembed

Ministria e Kulturës publikon përfituesit e dy konkurseve për librin

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka aprovuar financimin e botimit të librave si dhe blerjes së tyre për vitin 2020, shkruan KultPlus.

Konkursi i hapur për financim të librave nga autorë të ndryshëm tanimë është aprovuar nga Ministria për 78 përfitues, të cilëve do t’iu mundësohet botimi i tyre

Në anën tjetër është aprovuar edhe financimi i blerjes së librave prej një liste nga 158 tituj.

Përfituesit e financimit të librave janë:  https://mkrs-ks.org/repository/docs/Vendimi.pdf

Përfituesit e blerjes së librave: https://mkrs-ks.org/repository/docs/3686.pdf /KultPlus.com

Nuridin Ahmeti boton librin “Instituti Albanologjik 1953-1955”

Nuridin Ahmeti, punonjës shkencor në Institutin Albanologjik, këto ditë ka nxjerrë librin në lidhje me Institutin gjatë viteve 1953-55.

Në aspektin strukturor kjo monografi ndahet në dy tërësi të mëdha. Së pari e kemi të dhënë pjesën analitike dhe sintetizuese të punës së autorit, i cili ofron kronologjinë rreth për­gatitjeve, themelimit dhe zhvillimit të Institutit Albanologjik, duke nxjerrë edhe përfundimet përkatëse; ndërkaq pjesa e dytë, që në këtë rast del më vëllimore, ofron lëndën dokumentare nga të gjitha fazat e përmendura, por edhe produktin e punës së këtij in­stitu­cio­ni.

“Marrë parasysh faktin se puna studimore e Nuridin Ahmetit lidhur me historikun e Institutit të Albanologjisë dhe përgjithësisht të albanologjisë në Kosovë shënon hapjen e kësaj çështjeje në një nivel serioz studimor, botimi i kësaj monografie ka një vlerë të ve­çantë. Shpresojmë që të bëhet një motiv më shumë që studiuesit e tjerë të vijojnë kërkimet në dimensionet të cilat, hëpërhë, nuk janë të mundshme”, thotë profesori Hysen Matoshi, drejtor i Institutit Albanologjik.

Ndërsa profesori Sadri Fetiu, ish-drejtor i Institutit Albanologjik, shprehet se Nuridin Ahmeti ka punuar me shumë përkushtim për ta realizuar një vepër të veçantë historike, historikun e themelimit dhe të veprimtarisë trevjeçare të njërit nga institucionet tona më të rëndësishme shkencore – Institutit Albanologjik, që shpesh është quajtur – i Prishtinës.

“Për këtë institucion, sidomos për fazën e tij fillestare të themelimit e të veprimtarisë në vitet e pesëdhjeta është shkruar deri tash pothuajse krejt përciptazi më rastin e përvjetorëve të ndryshëm të themelimit dhe të rithemelimit. Autori ka bërë një punë të mundimshme hulumtuese në dokumente arkivore dhe në shtypin e kohës. Ai i ka hulumtuar edhe rrethanat shoqërore dhe sidomos ato kulturore që i kanë paraprirë themelimit të Institutit Albanologjik, si edhe e kanë përcjellë punën e tij deri në mbyllje”, thotë Fetiu. / KultPlus.com