Krasniqi, Gjakova e Kuke dekorohen nga presidentja Osmani

Sot është hapur Qendra Nacionale e Xhudos në Pejë, ku kanë marrë pjesë edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe përfaqësues të tjerë të vendit, shkruan KultPlus.

Presidentja me këtë rast ka nderuar me medalje dy kampionet olimpike, Distria Krasniqin dhe Nora Gjakovën me titullin “Nderi i Republikës”.

Ndërsa Distria është dekoruar edhe me medaljen “Medaljen Presidenciale”, pasi që Nora Gjakova më herët është dekoruar me “Medalje Presidenciale”.

Po ashtu është dekoruar edhe trajneri i xhudistëve, Driton Kuka me “Medalje Presidenciale”./ KultPlus.com

Hapet Qendra Nacionale e Xhudos në Pejë, kryeministri Kurti: Kelmendi do të shpallet “Qytetare me vlera të veçanta”

Sot është hapur Qendra Nacionale e Xhudos në Pejë, ku kanë marrë pjesë edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe përfaqësues të tjerë të vendit, shkruan KultPlus.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani i është drejtuar tri të artave se pikërisht këto vajza ia zbardhën fytyrën një kombi të tërë. “Na keni bërë krenarë, mburremi me sukseset e juaja”, ka thënë mes të tjerash presidentja Osmani.

Kurse kryeministri i Kosovës ka njoftuar me këtë rast se në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë së Kosovës, Majlinda Kelmendi do të shpallet “Qytetare me vlera të veçanta”.

Pas përurimit të këtij institucioni, tri të artat e Kosovës në xhudo: Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi janë parë së bashku me presidenten e vendit Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti duke e shijuar këtë moment./ KultPlus.com

Kampionet olimpike të Kosovës në Forcat e Armatosura Shqiptare, Kuka: Kjo është privilegj dhe nder i veçantë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se do të përfshijë në Forcat e Armatosura të Shqipërisë dy kampionet olimpike të Kosovës, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, ky vendim është përshëndetur nga Agron Kuka, president i Federatës së Xhudos së Kosovës. 

Kuka tha se vendimi i Qeverisë Shqiptare është privilegj dhe nderë i veçantë për garueset e tij dhe Federatën e Xhudos së Kosovës. 
Kuka tregon se mbështetja e shtetit shqiptar është edhe në aspektet tjera.

“Propozimi i kryeministrit shqiptarë dhe vendimi i qeverisë shqiptare që kampionet tona olimpike të përfshihen në Forcat e Armatosura Shqiptare është privilegj dhe nder i veçantë për garueset tona dhe federatën tonë.

Përveç kësaj nuk është hera e parë që institucionet e shtetit amë na kanë mbështetë nderuar e edhe dekoruar sportistët por edhe trajnerin Driton Kuka”, – thotë Agron Kuka për gazetën kombëtare “Bota sot”, transmeton KultPlus.

Më tej tregon edhe për mbështetjen tjetër të rëndësisë së veçantë, që i kanë tejkaluar pengesat që kanë hasur me disa shtete.

Mbështetja tjetër e rëndësisë së veçantë nga Shqipëria për federatën tonë ka ardhur edhe me pajisjen e sportistëve tanë me shtetësi shqiptare.

Me këtë ne kemi tejkaluar pengesat që kemi hasur në shtete të ndryshme që se njohin pasaportën kosovare.

Andaj si kryetar i federatës së xhudos e vlerësoj lartë vendimin e kryeministrit Edi Rama si dhe gjitha institucionet tjera shqiptare për mbështetjen. Veprimet e tilla eliminojnë barrierat ndërshqiptare e jo retorikat e zbrazëta”, shprehet Kuka. /botasot/ KultPlus.com

Rama: Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova do të jenë pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë

Në mbledhjen e parë të qeverisë, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë me dije se dy medalistet e Lojërave Olimpike nga Kosova Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova do të jenë pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Sipas Ramës, ato kanë shprehur dëshirën për të qenë pjesë e FA. Gjithashtu, kreu i qeverisë tha se janë duke punuar me ministrin e Mbrojtjes për të krijuar një njësi të kampionëve Të Forcave të Armatosura, transmeton KultPlus.

“Vendimi tjetër i rëndësishëm është vendimi për përfshirjen në strukturat  e FA të dy fituesve të medaljeve të arta, shqiptaret nga Kosova Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova që kanë arritur diçka që është e jashtëzakonshme. Kanë shprehur dëshirën që ti bashkohen Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Dhe me ministrin e  Mbrojtje jemi duke punuar që në FA të krijohet një njësi speciale e kampionëve që meritojnë gjithë jetën të trajtohen me një status të veçanta. Të jenë aty shembulli rrezatues por edhe mentorët e të rinjve me uniformë,” deklaroi Rama. /abcnews/ KultPlus.com

Tri kampionet olimpike të Kosovës nderohen në stadiumin Fadil Vokrri para ndeshjes me Greqinë

Tri kampionet olimpike të Kosovës, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, janë nderuar nga tifozët në stadiumin Fadil Vokrri para takimin kualifikues për Kupën e Botës 2022 mes verdhekaltërve dhe Greqisë të dielën.

Kosova është duke u përballur me Greqinë në një ndeshje të Grupit B kualifikues për Botërorin e Katarit në Prishtinë, transmeton KultPlus.

Para fillimit të ndeshjes, tifozët dardanë i shpalosën një pankartë të madhe me imazhet e tri kampioneve olimpike të Kosovës.

Krasniqi dhe Gjakova iu bashkuan Kelmendit si kampione olimpike, pasi fituan medalje të arta në Lojërat Olimpike Tokio 2020 gjatë kësaj vere në Japoni.    

Kosova i fitoi dy medalje të arta në Tokio, duke e çuar në tri numrin e përgjithshëm të medaljeve në historinë e vet në Lojëra Olimpike, pas të medaljes së parë olimpike, të artë po ashtu, të Majlinda Kelmendit në debutimin e Kosovës në Olimpiadë në Rio 2016.

Distria Krasniqi e fitoi medaljen e artë në kategorinë 48 kilogramë, e cila ishte e para për Kosovën në Tokio dhe e para për të në karrierë. Nora Gjakova e përsëriti suksesin e saj duke e fituar medaljen e artë në kategorinë 57 kilogramë.

Kosova i dërgoi 11 atletë në Lojërat Olimpike në Tokio, prej të cilëve gjashtë ishin me normë olimpike. Duke e parë numrin e atletëve pjesëmarrës, rezultati i Kosovës vlerësohet të jetë fantastik. /gazetaexpress/ KultPlus.com

Meta pret Kampionet Olimpike, i dekoron me “Nderi i Kombit”

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka pritur kampionet Olimpike Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova si dhe trajnerin Driton Kuka.

Presidenti Meta i ka dekoruar ato me Dekoratën e Lartë “Nderi i Kombit”, pas suksesit të tyre në Tokio të Japonisë.

Ky është njoftimi i Ilir Metës në rrjetet sociale:

Kampionet D’Istria Krasniqi, Nora Gjakova dhe trajneri i tyre i fantastik, Driton Kuka personifikojnë më së miri ëndrrat, suksesin dhe krenarinë e popullit dhe të shtetit të Kosovës.Me “Medaljet e Arta” të fituara me meritë në Lojrat Olimpike “Tokyo 2020”, të tre këta sportistë janë sot ambasadorët dhe promovuesit më të shkëlqyer të vlerave dhe kontributeve, që Kosova mund të japë edhe në nivel botëror, përmes sportit. D’Istria, Nora dhe Toni, ashtu si më herët edhe kampionia tjetër Majlinda Kelmendi, një meritë të jashtëzakonshme kanë edhe për lartësimin e krenarisë dhe të dinjitetit kombëtar, si shembuj të shkëlqyer frymëzimi dhe referimi për brezat e rinj në rrugën drejt suksesit.Me mirënjohje të thellë për këtë kontribut të vyer shumëdimensional, kisha sot privilegjin e veçantë të vlerësoja me Dekoratën e Lartë “Nderi i Kombit” tre kryeshqiponjat e sportit shqiptar, kampionet D’Istria Krasniqi, Nora Gjakova dhe trajnerin e tyre Driton Kuka, si një inkurajim edhe për të gjithë sportistët e tjerë, të cilët duhet t’i konsiderojnë sukeset e tyre edhe si një mundësi të madhe të promovimit të vlerave të sportit, të kulturës dhe të trashëgimisë sonë kombëtare.Faleminderit vajzave, faleminderit trajnerëve dhe gjithsecilit që mendon, punon dhe ndihmon në sukseset dhe promovimin e Kosovës dhe të vlerave të mbarë kombit shqiptar!

Presidentja Osmani do t’i dekorojë Krasniqin, Gjakovën dhe Kelmendin pas suksesit në Lojërat Olimimpike

Pas suksesit në Lojërat Olimpike, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do t’i dekorojë xhudistet kosovare Distria Krasniqin, Nora Gjakovën dhe Majlinda Kelmendin.

Njoftimin për KultPlus e ka dhënë, Bekim Kupina, këshilltar për Media i presidentes Osmani.

“Presidentja Osmani ka vendosur t’u ndajë një  dekoratë xhudisteve tona që lartësuan flamurin e Kosovës dhe  sportin kosovar”-ka thënë Kupina për KultPlus duke shtuar tutje se do të organizojnë një ceremoni për xhudistet kosovare bashkërisht me Ministrinë e Kulturës .

Kosova në Lojërat Olimpike Tokio 2020 është përfaqësuar nga 11 sportisë dhe 6 norma olimpike.

Në këtë ngjarje, xhudistet Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova ia siguruan Kosovës dy medalje të arta, ndërkaq Loriana Kuka mori medaljen e bronztë.

Kosova ka tri medalje të arta në Lojërat Olimpike përfshirë të artën që Majlinda Kelmendi fitoi në “Rio 2016”./KultPlus.com

Pritje për të artat e Kosovës në Pejë, Kuka: Pritja në qytetin e lindjes shijon ndryshe

Komuna e Pejës ka organizuar një pritje madhështore për të artat e Kosovës, Distria Krasniqin e Nora Gjakova, bashkë me trajnerin e tyre Driton Kuka, të cilët kanë shijuar këto momente, shkruan KultPlus.

Kuka ka ndarë me ndjekësit e tij momente nga kjo pritje, mbrëmje që është shënuar edhe me fishekzjarrë.

KultPlus ju sjell të plotë reagimin e Kukës.

Peja ime …

Pritja në qytetin e lindjes shijon ndryshe!

Kampionet tona Olimpike ngrohësisht u priten dhe përshendeten në vendlindje.

Kryetari Muhaxheri dhe Drejtoresha Syka u përkujdesen për pritje madhështore të ekipit tonë!

Faleminderit për pritje madheshtore Peja ime ❤️./ KultPlus.com

Distria Krasniqi: Shpresoj që Kosova do fitojë edhe më shumë medalje në “Paris 2024”

Kampionia olimpike, Distria Krasniqi, ka folur për media pas ardhjes në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë.

Krasniqi ka thënë se është mirënjohëse për pritjen që i është bërë dhe ka falënderuar të gjithë popullin shqiptar për përkrahjen që i është dhënë tërë kohën sa ajo ishte në Tokio.

“Jam mirënjohëse për këtë pritje kaq të ngrohtë. Ju kisha falënderuar të gjithëve, sidomos popullit shqiptar që na ka mbështetur vazhdimisht. Shpresojmë që s’kemi me mbet vetëm me këto tri medalje, por nga Parisi shpresojmë me u kthy me më shumë”, ka thënë ajo.

Distria Krasniqi ka fituar medaljen e artë dhe ishte e fituesja e dytë e Kosovës në histori. Pas saj fitoi edhe xhudistja, Nora Gjakova. / KultPlus.com

Ismet Krasniqi: Kosova në Tokio ka qenë temë e diskutimit nga e gjithë bota

Ekipi olimpik i xhudos tashmë ka ateruar në Aeroportin “Adem Jashari”. Dy kampionet olimpike nga Tokyo 2020, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova tashmë kanë shkelur në tokën dardane.

Në konferencën për media që po mbahet në Aeroportin Adem Jashari, ka folur edhe Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi. ai ka thënë se Kosova u njoh ndërkombëtarisht pas fitoreve të Majlinda Kelmendit në Tokio.

“Kosova me tri medalje te arta. Për mua është kënaqesi e veçantë dhe privilegj t’i prijë një ekipi të tillë që na bëri krenarë gjithë shqiptarinë. Kosova në Tokio ka qenë temë e diskutimit nga e gjithë bota. Kosovës atje iu shtua një emër: Kosova e artë. Jemi ndje krenarë. Falënderojme Majlinda Kelmendin që e ka hapur derën për sportistët e kosovës dhe i ka treguar që nëse punojnë mund të arrijnë shumë”, ka thënë ai. / KultPlus.com

Nesër në Kosovë mbërrin ekipi i xhudos

Ekipi olimpik i xhudos së Kosovës është nisur nga Tokyo për në Kosovë.

Pas përfaqësimit dinjitoz në Lojërat Olimpike të Tokyos, ekipi i xhudos ateron në Kosovë nesër rreth orës 20:00 dhe me vete do të sjellë dy medalje të arta olimpike.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka publikuar edhe agjendën e ekipit të xhudos pas arritjes në Kosovë, të cilën KultPlus e sjell më poshtë

Të nderuar/a përfaqësues/e të mediave

Nesër (02 gusht 2021), ora 19:50, bëhet pritja e Kampionëve Olimpikë.

Ceremonia shtetërore e pritjes së Kampionëve Olimpikë është e ndarë në dy pjesë:

1. Pritja ceremoniale shtetërore në Aeroportin “Adem Jashari” në orën 19:50, me ç’ rast mbahet konferencë për media.

2. Ardhja e Kampionëve Olimpikë në sheshin “Zahir Pajaziti” në orën 21:00.

Agjenda:

Pritja ceremoniale në Aeroport

Itenerari i fluturimit

Aterimi në Aeroportin “Adem Jashari: – 02.08.2021 – 19:50, dalja në terminalin VIP

Konferencë për media

Trajneri Driton Kuka

Trajneri Agron Kuka

Distria Kranisniqi

Nora Gjakova

Akil Gjakova. / KultPlus.com

‘Dardanët’ organizohen për t’i pritur xhudistët nga Lojërat Olimpike ‘Tokio 2020’

Tifo grupi “Dardanët” do të organizojnë mirëseardhjen për ekipin e xhudos që kanë fituar dy medalje të arta në Lojërat Olimpike të Tokios.

Pas këtij suksesi historik për Kosovën, “Dardanët” i kanë ftuar të gjithë që t’iu bashkohen për të bërë një pritje madhështore për xhudistët që pritet të arrijnë të hënën në mëngjes në aeroportin “Adem Jashari”.

Nga Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, Kosova do të kthehet me dy medalje të arta të fituara nga Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova. / KultPlus.com

Keqpërdoret emri i kampioneve olimpike në rrjetet sociale, KOK-u konfirmon se do t’i padisë keqpërdoruesit

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka ardhur me një njoftim zyrtar në lidhje me keqpërdorimin e emrit të kampioneve olimpike, Distria Krasniqi, Nora Gjakova dhe Majlinda Kelmendi në rrjetet sociale.

Emri i kampioneve olimpike të Kosovës ka filluar të keqpërdoret në rrjetet sociale nga njerëz të papërgjegjshëm.

Kjo ka bërë që KOK-u të vijë me një njoftim duke konfirmuar se asnjëra nga Distria, Nora dhe Majlinda nuk kanë llogari zyrtare.

KOK-u gjithashtu ua ka bërë me dije keqpërdoruesve se të gjithë do të paditen për prishje të imazhit.

Njoftimi i KOK-ut

Kampionet olimpike nga Tokyo 2020, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, kanë pranuar me shqetësim hapjen e llogarive me emër të tyre në rrjetet sociale.

Komiteti Olimpik i Kosovës ju njofton se asnjëra nga kampionet olimpike, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova nuk kanë llogari në Facebook dhe Instagram.

KOK njëkohësisht ua bënë me dije të gjithë atyre që për përfitime të ndryshme, po e keqpërdorin emrin e kampioneve olimpike, duke dhënë edhe intervista për media të ndryshme, se do të ngrejë padi për keqpërdorim të imazhit të xhudisteve tona./ KultPlus.com

Kosova e dyta me më së shumti medalje në xhudo në “Tokio 2020”, lë pas vetes Francën, Gjermaninë dhe Austrinë

Me disfatën e djeshme të Loriana Kukës në “Tokio 2020”, është mbyllur aventura e xhudistëve të Kosovës.

Ekipi i xhudos së Kosovës shënoi sukses të jashtëzakonshëm në këtë olimpiadë.

Në krye me trajnerin Driton Kuka, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova i sollën dy medalje të arta Kosovës.

Komiteti Olimpik i Kosovës tani ka publikuar renditjen e shteteve me më së shumti medalje në xhudo në këtë olimpiadë.

Kosova e zë vendin e dytë me dy medalje të arta të fituara, kurse Japonia zë vendin e parë me tetë medalje të arta, një të argjendtë dhe një të bronztë.

Kështu, Kosova lë pas vetes shtetet si Franca, Gjermania, Austria dhe Sllovenia./ KultPlus.com

Driton Kuka: Me ujë, zjarr e xhudon e Kosovës s’ka lojë

Driton Kuka, trajneri i xhudistëve kosovarë ka njoftuar se me paraqitjen e Loriana Kuka edhe e kanë përfunduar garën në Lojërat Olimpike, gara që rezultuan shumë të arta, pasi që ekipi nga Kosova po kthehet me dy medalje të arta, përcjellë KultPlus.

Më poshtë gjeni postimin e tij të plotë:

Samurajët Shqiptar …

Medaljet Olimpike për popullin Shqiptar së shpejti do zbarkojnë në trojet Shqiptare.

Xhudistët e ekipit tonë me sot i përfunduan garat në Lojëra Olimpike!

Dy Medalje të Arta!

Ende po më duket si ëndërr e mirë 5 garues e dy të arta!

Medaljet janë të krejt ekipit me protagoniste Disin e Noren!

Ashtu siç ishte e arta e Majlindes.

Ekipi jemi ne që stërvisim, gëzohem e qajmë së bashku në fitore e humbje, aty qëndron forca jonë e madhe!

Kemi në krye Agronin që çdo ditë duron tekat e mia të trenerit, por kjo krejt është shpaguar …

2 Olimpiada 3 Medalje të Arta!

Me dhjetra medalje Evropiane e Botërore!

Këta jemi ne!

I gëzofshim medaljet të gjithë ne, Shqiptarët kudo që jemi!

Jam mirënjohës miq për aq shumë mesazhe e urime prej dhjetra mijëra miqve.

Ata që kanë menduar që medalja e artë e Majlindës është e para dhe e fundit, jeni mashtruar në llogari!

Spo flas më shumë për sojin e juaj se s’dua ta prish festën e madhe!

E kam thanë edhe më heret

Me ujë, zjarr e xhudon e Kosovës s’ka lojë!

Kosova mbi të gjitha …/ KultPlus.com

Kosova vazhdon të mbetet në Top 10-të vendet e para në ‘Tokyo 2020’

Falë Nora Gjakovës dhe Distria Krasniqit, Kosova fitoi dy medalje të arta olimpike në “Tokyo 2020”.

Kur kanë kaluar katër ditë nga fillimi i këtyre Lojërave, Kosova vazhdon të mbetet lart në listën e vendeve me performancën më të mirë në Olimpiadë.

Kosova renditet e 10-ta me dy medalje të arta të fituara gjithsej.

Momentalisht prijnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës me nëntë të arta, pesë të argjendta dhe tetë të bronzta, e ndjekur nga Kina dhe Japonia që kanë gjithashtu nga nëntë medalje të arta. / KultPlus.com

Associated Press: Nora Gjakova fiton të artën në ditën e zisë për Kosovën

Agjencia e lajmeve në Amerikë, Associated Press ka shkruar një artikull për triumfin e Nora Gjakovës në Lojërat Olimpike.

“Nora Gjakova fiton të artën në ditën e zisë për Kosovën” – është titulli që i ka vendosur artikullit kjo agjenci e lajmeve.

Shkrimi i plotë:

Nora Gjakova solli pak grimca lumturie për Kosovën duke e fituar medaljen e artë të dytë në Lojërat Olimpike të Tokyos të hënën.

Teksa shteti i saj mban ditë zie për shkak të vdekjes së 10 personave në aksident rrugor të dielën, 28-vjeçarja Gjakova e mori titullin me IPPON ndaj francezes Sarah-Leonie Cysique në kategorinë deri në 57 kilogramë.

Ajo iu bashkua Distria Krasniqit, që e fitoi titullin në kategorinë deri në 48 kilogramë të shtunën, si e dyta dhe e treta medaliste e artë në histori të Kosovës. Majlinda Kelmendi fitoi të parën në Lojërat Olimpike të Rio de Janeiro në vitin 2016, gjithashtu në xhudo.

“Në këtë ditë zie për popullin tonë, Nora Gjakova solli dritë për Kosovën” shkroi presidentja Vjosa Osmani në Facebook.

Xhudistet tona po arrijnë majat që shumë shtete i kanë ëndërruar. Ato janë epiteti më i mirë i Kosovës së ditëve tona” – tha ajo.

“Mbretëresha e artë” – shkroi Komiteti Olimpik i Kosovës në postimin e tyre në Facebook.

Gjakova e arriti finalen pas një fitore shokuese ndaj xhudistes japoneze, Tsukasa Yoshida. / KultPlus.com

IJF-ja pas triumfit të Nora Gjakovës: Vazhdon trendi legjendar për ekipin e vajzave kosovare

Federata Ndërkombëtare e Xhudos e ka uruar Nora Gjakovën pas triumfit në ‘’Tokyo 2020’’, ku arriti ta fitonte medaljen e artë, të dytën për Kosovë në këto Lojëra dhe të tretën në përgjithësi, transmeton KultPlus.

IJF-ja është krenuar me medaljet e fituara nga xhudistet tona.

‘’Nora Gjakova – kampione olimpike. Trendi legjendar vazhdon për ekipin e vajzave kosovare, pasi Nora Gjakova merr medaljen e tretë të artë të Kosovës në Lojërat Olimpike – të gjitha në xhudo!’’, ka shkruar IJF-ja në faqen zyrtare. / KultPlus.com

Kosova e dyta në tabelën e medaljeve në xhudo në ‘Tokio 2020’

Pas ditës së tretë të garave në xhudo në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, Kosova zë vendin e dytë vetëm prapa nikoqires Japonisë.

Kosova i ka fituar dy medalje të arta, me Distria Krasniqin në kategorinë deri 48 kilogram dhe Nora Gjakovën në kategorinë deri 57 kilogram.

Nora Gjakova fitoi të artën sot, ndërsa Distria të shtunën.

Japonia pas tri ditëve të garave në xhudo zë vendin e parë me katër medalje të arta, një të argjendtë e një të bronztë. / KultPlus.com

Dua Lipa: Bravo Distria Kransiqi, po e bën Kosovën krenare

Gjatë ditës së djeshme, xhudistja Distria Krasniqi fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike ”Tokio 2020”, duke i sjellur kështu Kosovës për të dytën herë këtë medalje, përcjell KultPlus.

Ishin shumë figura publike të njohura të cilët uruan Krasniqin për fitoren e madhe, ndërkaq sot, edhe Dua Lipa përmes një postimi në llogarinë e saj në InstaStory, uroi Krasniqin për medaljen e artë, duke shkruar se Krasniqi po e bën Kosovën krenare.

”Bravo Distria Kransiqi, po e bën Kosovën krenare. Gold, Gold, Gold”, ka shkruar Lipa. / KultPlus.com

Prishtina feston fitoren e Distria Krasniqit, KOK-u pret medalje edhe nga sportistët e tjerë

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) në bashkëpunim me departamentin e sportit dhe kulturës së Komunës së Prishtinës, kanë organizuar festë në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë në nder të fitores së medaljes të artë të Distria Krasniqit në Lojërat Olimpike ”Tokio 2020”.

Musa Selimi anëtar i Bordit të Komitetit Olimpik të Kosovës, tha se pas Majlinda Kelmendit, tanimë po shndrisin edhe sportistë tjerë kosovarë.

Ai tha se nga Tokio 2020 presin edhe medalje tjera, ndërsa uroi të gjithë shqiptarët për triumfin e Distria Krasniqit.

“Pas Majlindës po shndrisin edhe yjet tjerë. Po shndrit një yll i cili sot i dha botës një kampione të vërtetë. Shpresojmë të kthehemi me numër më të madh të medaljeve pas disa ditëve. Vlerat olimpike po shndërrisin në Kosovë, rinia jonë e shkëlqyeshme po demonstron që Kosova jonë e dashur ka yje, ka njerëz me zemër të madhe që po na përfaqësojnë denjësisht. Urime Prishtinë, urime Kosovë. Urime të gjithë shqiptarëve kudo që janë”, tha ai.

Edhe Fitim Rexhaj nga drejtoria e departamentit të kulturës nga Komuna e Prishtinës, tha se presin nga sportistët tjerë rezultate të njëjta si të Distria Krasniqit. Edhe ky uroi të gjithë shqiptarët për këtë fitore historike.

“Ne presim rezultate të mira edhe nga sportistët tjerë. Ndërsa ne i përkrahim të gjithë sportistët kosovarë pa dallim dhe urojmë që nesër edhe Majlinda të sjell një rezultat të ngjashëm dhe të na gëzojë e të na bëjë krenar. Urojmë Distrian për këtë rezultat dhe shpresojmë që edhe sportistët e tjerë të na gëzojnë kështu. Gëzuar për të gjithë”, tha ai.

Në këtë mbrëmje ku pjesëmarrja ishte e madhe u ekspozuan video nga garat e Distria Krasniqit në ”Tokio 2020”, ndërsa u hodhën edhe fishekzjarrë të shumtë.

Më pas mbrëmja vazhdoi me interpretimin e këngëve nga disa bende të njohura muzikore. / KultPlus.com

Sot organizohet festë në Prishtinë për fitoren e Distria Krasniqit

Distria Krasniqi ka fituar medaljen e artë në Lojërat Olimpike në Tokyo 2020, andaj për fitoren e saj do të festohet sonte në Prishtinë, përcjellë KultPlus.

Komiteti Olimpik i Kosovës ka vendosur që të organizojë një festë në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë nga ora 20:00 në nder të fitores së medaljes së artë të Krasniqit.

Kjo festë do të organizohet në bashkëpunim me Departamentin e Sportit dhe të Kulturës së Komunës së Prishtinës.

“Për të shënuar këtë fitore ju ftojmë sonte nga ora 20:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku KOK-u në bashkëpunim me Departamentin e Sportit dhe Kulturës së komunës së Prishtinës, do të organizojë një festë për të shënuar medaljen e Artë e që është pjesë e aktivitetit të Festivalit Tokyo 2020”, thuhet në njoftimin e KOK-ut”, thuhet nga Komiteti Olimpik.

Xhudistja kosovare sot arriti të sigurojë medaljen e dytë olimpikë në histori të Kosovës, pas asaj që e fitoi Majlinda Kelmendi në Lojërat Olimpike “Rio de Janeiro” 2016. / KultPlus.com

Ilir Meta pas triumfit të Krasniqit: Urime Distrias, më të mirës së botës

Distria Krasniqi i ka siguruar medalje Olimpike Kosovës në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, duke e rrëmbyer të artën. Kjo është medalja e dytë Olimpike për Kosovën, pas Majlinda Kelmendit që fitoi të artën në vitin 2016, përcjellë KultPlus.

Krasniqin e ka uruar edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Meta e ka quajtur Distrian më të mirën e botës pasi fitoi medalien e artë. Ndërsa, ai ka përgëzuar edhe Driton Kukën, trajnerin e Kosovës në xhudo dhe të gjithë ekipin që sipas tij asnjëherë nuk zhgënjen.

Ai në rrjetin e tij social Facebook ka publikuar katër fotografi të Distrias dhe ekipit, duke e uruar atë teksa është shprehur i lumtur për fitoren e saj. / KultPlus.com

Edi Rama reagon pas triumfit të Krasniqit: Luaneshë, Bravo

Distria Krasniqi i ka siguruar medalje Olimpike Kosovës në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, duke e rrëmbyer të artën, përcjellë KultPlus.

Kjo është medalja e dytë Olimpike për Kosovën, pas Majlinda Kelmendit që fitoi të artën në vitin 2016.

Krasniqin e ka uruar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Rama e ka quajtur Distria Krasniqin luaneshë pasi fitoi medalien e artë.

Ai në rrjetin e tij social Facebook ka publikuar dy fotografi të Distrias, duke e uruar atë teksa është shprehur i lumtur për fitoren e saj. / KultPlus.com