Në Shqipëri hapet ekspozita “Unë jam shqiptar” (FOTO)

Hapet Ekspozita kushtuar Migracionit Shqiptar, iniciativë e Ministrit të Shtetit për Diasporën Pandeli Majko, në bashkëpunim me Muzeun Kombetar, shkruan KultPlus.

Të pranishëm në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, e cila tregonte nëpërmjet një panoramimi fotografik historikun e migrimit të diasporës shqiptare që pas largimit të Skënderbeut e deri në ditët e sotme, ishin përfaqësues të diasporës shqiptare, diplomatë, historianë, personalitete të botës së artit.
Fjalën e hapjes e mbajti drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dorian Koçi.

“Në kuadër të 18 dhjetorit, “Ditës Ndërkombëtare të Emigracionit”, Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim më Ministrin e Shtetit për Diasporën çel ekspozitën “Unë jam shqiptar”, ku përfshihen materiale fotografike dhe objekte muzeale, që kanë të bëjnë me disaporën shqiptare. 18 dhjetori është caktuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara si “Dita Ndërkombëtare e Emigracionit”.
Kurse Inva Mula, sopranoja shqiptare me famë botërore tha “Gjithçka që unë e kisha marrë nga Tirana ime, nga shkolla ime shqiptare nga muzika, nga kompozitorët dhe nga pedagogët tanë të shkëlqyer. Kjo ëndërr e cila vazhdon dhe në ditët e sotme, u bë ajo që unë krenohesha që isha shqiptare, kudo në botë. Që në fillimet e karrierës time, tek të gjithë konkurset ndërkombëtare që fitova, filluan të mos përmendnin më emrin tim, por të më thonin “shqiptarja”, sepse pata fatin të isha shqiptarja e parë, e cila dola nga një botë shqiptare, e cila ishte komplet e panjohur atje ku unë isha në botën e perëndimit. Në fillim më vinte çudi që unë isha kjo përfaqësuesja shqiptare, pastaj më vinte mirë që Shqipëria u bë e njohur nga arti, nga muzika dhe pas meje erdhën plot artistë të shkëlqyer dhe sot ne jemi krenar të gjithë që jemi shqiptarë dhe jemi në të njëjtat valë me të gjithë artistët ndërkombëtarë. Sot Shqipëria nuk njihet vetëm nga Inva, por nga plot talente, të cilët na bëjnë krenarë”, ka thënë ajo.



Në fjalën e tij Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj tha “Në fillim dua të falënderoj Ministrin e Shtetit për Diasporën Pandeli Majkon, i cili e ka kuruar me shumë kujdes projektin e Ekspozitës kushtuar diasporës shqiptare. Një pjesë e agjendës sonë aktive, për të promovuar Tiranën, kanë qenë dhe vizitat me Kryetarë të Bashkive të Kryeqyteteve të ndryshme Europiane. Ajo që kam konstatuar me kënaqësinë më të madhe, duke filluar nga Ankaraja ku ishim së fundmi, ku Kryetari i Bashkisë ishte shumë krenar për shoqatën “Sami Frashëri” dhe deri në Belgjikë, ku hapëm panairin e Krishtlindjeve, ku Tirana kishte një pavion të veçantë dhe ku Kryetari i Bashkisë së Brukselit ishte krenar për Shoqatën “Faik Konica”, me “Vatrën” në Amerikë dhe me një pafundësi organizimesh, në fakt të japin idenë që ne jemi një vend me disa dhjetra-milionë banorë, për të kuptuar që jemi shumë pak, por që prej rrethanave të ndryshme historike, jemi shpërndarë kudo në botë dhe jemi krenarë që jemi shqiptarë”, ka përfunduar Veliaj./KultPlus.com

Këngëtarët e famshëm shqiptarë, publikohen fotografitë kur ishin të vegjël (FOTO)

Ardit Gjebrea, Inva Mula, Irma Libohova, David Tukiçi , Zana Çela e shumë artistë të tjerë të cilët tashmë janë shumë të famshëm, talentin e tyre e kishin nisë qysh të vegjël, shkruan KultPlus.




Qendra Kulturore e Fëmijëve ka publikuar fotografitë e këtyre artistëve, të cilët qysh të vegjël ishin prezantuar para audiencës.


Kjo qendër tashmë feston 70-të vjetorin dhe këtë përvjetor po e shënon me këta artistë, të cilët kanë qenë pjesë e këtij institucioni qysh në fëmijëri. Për të parë se si kanë qenë atëherë, mund ti shikoni nëpërmjet fotografive/KultPlus.com



Inva Mula performon shqip në ‘Muajin e Trashëgimisë Shqiptare’ në Kanada (VIDEO)

Në një prej sallave të Parlamentit të Ontarios në Kanada, me datë 20 nëntor është mbajtur një ceremoni festive me rastin e Muajit të Trashëgimisë Shqiptare në Provincë.

Vitin e kaluar, ky parlament e ktheu në ligj propozimin e një grupi deputetësh për ta shpallur nëntorin “Albanian Heritage Month”. Nisma erdhi nga Shoqata e Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze e Torontos me lobimin e zonjës Ruki Kondaj, sot presidente nderi e shoqatës dhe me mbështetjen e veçantë të deputetëve liberalë Laura Albanese dhe Shafiq Qaadri.

Me rastin e përvjetorit të parë të hyrjes në fuqi të këtij ligji, pikërisht në këtë sallë që shihet në pamjet filmike, u mbajt kjo ceremoni e bukur ku ishte e ftuar sopranoja Inva Mula, Nderi i Kombit, njeriu që pas hapjes së Shqipërisë në vitet 90 u dha Shqipërisë dhe shqiptarëve një vend në hartën e artit skenik botëror. Pamjet janë marrë nga Pasqyra Shqiptare TV në Facebook.

Veprimtaria u moderua nga aktorja dhe këngëtarja Ana Golja. Morën pjesë gjithashtu dy artistë të tjerë të shquar shqiptaro-kanadezë: Jani Papadhimitri dhe Rudin Lengo. Fjala iu dha disa deputetëve, ndër ta edhe Qaadri që do ta shikoni në video. Veprimtaria organizohej nga grupi parlamentar liberal në bashkëpunim me Shoqatën e Torontos dhe drejtuesen e grupit të trashëgimisë, znj. Ruki Kondaj. Ishin të ftuar veprimtarë në komunitet dhe sponsorë të shoqatës dhe Shtëpisë së Shqiptarit. Me këtë rast shoqata nderoi me titullin anëtar nderi disa persona, mes tyre edhe Inva Mula. / KultPlus.com

Ngritja e Flamurit të Shqipërisë do të bëhet në Parliament Hill të Kanadasë, e pranishme edhe Inva Mula

Në Ontario të Kanadasë do të shënohet përvjetori i parë i shpalljes së Nëntorit,si muaji i Trashëgimisë Shqiptare, dhe komuniteti i atjeshëm ka organizuar një numër të madh të aktiviteteve, shkruan KultPlus.

Organizatorët kanë bër ëtë ditur se takimet dhe vizita e pëfaqësuesve të komunitetit në Parlament do të pasohen nga aktivitete të tjera te organizuara në bashkëpunim me Qeverinë e Ontarios si festimin e një vjetorit të ligjit në parlament daten 20 nëntor, ku e ftuara e nderit do të jete soprano me famë botërore Inva Mula, 105 vjetorin e pavaresisë me 25 nëntor dhe në bashkëpunim me Ambasadën e Shqipërisë aktivitetet do të kulmojnë me ngritjen e flamurit në Parliament Hill, të dielën më 26 Nentor./KultPlus.com

Inva Mula bashkë me artistë e famshëm shqiptar, mrekulluan mbrëmë publikun vjenez (FOTO)

Inva Mula ishte mbrëmë ajo që i parapriu koncertit të mbajtur në Vjenë të Austrisë, ndërsa pjesë e këtij koncerti ishin edhe artistë të rëndësishëm shqiptarë si: Genc Tukici, Eno Peci, Olen Cezari e Gëzim Myshketa, shkruan KultPlus.

Ky koncert u mbajt në shenjë të marrëdhënies diplomatike mes Shqipërisë dhe Austrisë ndërsa kjo ngjarje artistike është mbështetur nga Ambasada e Shqipërisë në Vjenë dhe Ambasada e Austrisë në Tiranë.

Koncerti u mbajt në Konzerthaus të Vjenës, në Mozart- Saal, ndërsa në të ishte i pranishëm edhe presidenti i Shqipërisë Ilir Meta dhe kryetari i Tiranës, Erion Veliaj. / KultPlus.com

Inva Mula me koncert në Vjenë, përfshihen edhe shumë artistë të famshëm shqiptarë

“Vienna Salutes To Tirana”, është koncerti që do të mbahet në Vjenë të Austrisë, shkruan KultPlus.

Artistja kryesore që do ti paraprijë këtij koncerti është Inva Mula, koncert i cili do të ngërthejë edhe shumë artistë të rëndësishëm shqiptarë si: Genc Tukici, Eno Peci, Olen Cezari e Gëzim Myshketa.

Koncerti do të mbahet në shenjë të marrdhënies diplomatike mes Shqipërisë dhe Austrisë, dhe kjo ngjarje artistike është mbështetë nga Ambasada e Shqipërisë në Vjenë dhe Ambasada e Austrisë në Tiranë.
Koncerti do të mbahet sonte, në Konzerthaus të Vjenës, në Mozart- Saal, me fillim në ora 19:30./KultPlus.com

Është regjistruar kolona zanore për filmin e madh “Delegacioni”, këndon këngëtarja e madhe shqiptare (FOTO)

Konsiderohet të jetë një ndër projektet filmike më prekëse në historinë kinematografike shqiptare, pasi që, përralla e këtij filmi ishte shkruar nga i ndjeri Artan Minarolli, dhe ky projekt, me miratimin e familjes Minarolli, ka kaluar në dorën e regjisorit shqiptar Bujar Alimani, që ky film të rrumbullakohet ashtu sikur edhe e kishte nisur Minarolli, shkruan KultPlus.

Bëhet fjalë për filmin “Delegacioni”, që tash e sa kohë ka përfunduar xhirimet, mirëpo, regjisori i këtij filmi i është përveshur punës që ky film të ketë edhe kolonën zanore.

Dhe pikërisht kjo punë i është besuar këngëtares së madhe shqiptare Inva Mula, e cila tashmë ka regjistruar kolonën zanore për këtë film, kolonë kjo që është punuar nga Ilir Bajri e Etleva Turkeshi Minarolli.

Për këtë regjistrim, për KultPlus ka konfirmuar edhe këngëtarja shqiptare Inva Mula, e cila ka treguar se ky regjistrim tashmë ka përfunduar në Prishtinë.

Me rolet kryesore në këtë film luajnë aktorët: Viktor Zhusti, Ndriçim Xhepa, Kasem Hoxha, Tristan Halilaj, Bislim Mucaj, Rovena Lule, Mirela Naska, Fatlume Bunjaku, Kristaq Skrami, Mehmet Xhelili, Armando Dauti, Ilirian Ali, Samuel Vargu, Denardo Neziri, Genc Minarolli, Avdullah Gjikokaj, Artan Selimi, Gjon Kola, Armend Smajli, Gani Morina, Lulzim Zejqa, Todi Llupi, Jorgaq Tushe, Drita Turkeshi, Ilira Turkeshi dhe Selman Lokaj. Ky film është mbështetur nga Qendra Kombwtare e Kinematografisë në Shqipëri dhe asaj të Kosovës./KultPlus.com

Inva Mula dhe Erion Veliaj në TEDxPrishtina

Sot mbahet konferenca lokale TEDxPrishtina, që ka si mision promovimin e ideve që ia vlejnë të shpërndahen në Kosovë e më gjerë. Ky është edicioni i pestë me temën “Pasqyrime”.

Duke ruajtur formatin e suksesshëm të konferencës globale TED, TEDxPrishtina do të mbledhë zëra dhe emra nga disiplina të ndryshme, dhe do të krijojë një hapësirë nxitëse për prezantimin e ideve dhe përvojave të tyre.

Disa nga folësit e këtij edicioni janë soparanoja me famë botërore Inva Mula, kryetari i Tiranës Erion Veliaj, Kreshnik Hoti, Arineta Mula, Rron Gjinovci, Visar Ramajli, Stefan Van Dijk, Zake Prelvukaj, Fatmir Zymberi, Arlinda Causholli dhe Buna Perteshoni.

Konferenca është e ndarë në 3 seanca, do të fillojë nga ora 12:00 dhe përfundojë në orën 18:00. / KultPlus.com

Sherr midis Inva Mulës me Zana Çelën

Disa ditë para se të vihej në skenë shfaqja e fundit nga Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, situata aty nuk ka qenë dhe aq e qetë. Një mosmarrëveshje e cila ka degraduar deri në tone të larta, ka ndodhur mes sopranos së mirënjohur shqiptare Inva Mula dhe drejtueses së këtij instutucioni, Zana Çela.

Të dyja kanë debatuar ashpër në zyrën e Çelës për sa i përket fondeve të cilat pretendoheshin nga ana e sopranos. Sipas saj, ishin të pakta fondet e dhëna për operan “Peshkatarët e Perlave”, e cila u vu në skenë nga TKOB për herë të parë pas 40 vitesh, gjatë fundjavës që sapo kaloi. Sipas burimeve të brendshme të këtij institucioni, tone të larta janë dëgjuar nga ana e të dyja artisteve, gjë e cila u pasqyrua në vijim edhe në konferencën për shtyp ku secila prej tyre qëndronte larg dhe ftohtë me njëra-tjetrën, siç bëjnë me dije burime për ‘Xing.al’.

Madje nga burime të afërta me artistet është bërë e ditur që Zana Çela refuzoi të merrte pjesë edhe në një emision ku ishin të ftuara të dyja për të folur për shfaqjen. / KultPlus.com

Realizimi i operës “Peshkatarët e Perlave” nëpërmjet fotografive (FOTO)

Tashmë është bërë e ditur se më 22 shtator do të prezantohet opera “Peshkatarët e Perlave, e kompozitorit Georges Bizet, me regjisore dhe protagoniste soparanon me famë botërore Inva Mula, në skenën e Pallatit të Kongreseve në Tiranë, shkruan KultPlus.

Se janë në vlugun e punëve rreth këtij projekti artistik, që ka përreth shumë emra të njohur, Enada e Gerd Vaso , që janë koreografë në këtë projekt, kanë ndarë me fansat fotografi përgjatë provave, ku shihet edhe Inva Mula.

Në këtë premierë , që do të çelë sezonin e ri artistik të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, interpretojnë emra të njohur të skenës operistike shqiptare, por dhe të huaj. Me libret të Michel Carre dhe Eugene Cormon, dirigjent Zherar Akokanë, në këtë opera interpretojnë artistë të njohur të skenës shqiptare si baritoni Armando Likaj, sopranoja Ramona Tullumani, etj, ndërsa sopranoja Mula përveç regjisë do të luaj rolin e Lejlës.

Kjo vepër është një nga më përfaqësueset e repertorit operistik botëror, i cili ruhet sot në fondin e jashtëzakonshëm të historisë së vënieve në skenën e TKOBAP. Opera ” “Peshkatarët e Perlave” do të shfaqet edhe në datat 24 dhe 25 shtator po në skenën e Pallatit të Kongreseve në Tiranë. Vepra operistike “Peshkatarët e Perlave” është me tre akte. Ajo u dha për publikun francez më 30 shtator 1863. /KultPlus.com

“Liria shpirtit” e Blerta Xhomos në “Art and the City” në Tiranë

Artistja shqiptare Blerta Xhomo do të prezantohet me ekspozitë personale në Tiranë, shkruan KultPlus.

Xhomo punën e saj artistike do ta prezantojë në Galerinë “Art and the City” ku të pranishmit do të kenë rastin që të shohin veprat e artistes më për së afërmi. Kjo ekspozitë do të hapet më 15 shtator, prej orës 20:00./KultPlus.com

Nina Mula e Inva Mula sopranot shqiptare që mrekulluan me operën ‘Peshkatarët e Perlave’

Pas afro 53 vitesh rikthehet për herë të tretë opera ‘Peshkatarët e Perlave’ nga familja Mula.

Fillimisht në vitin 1964 sopranoja, Nina Mula (e ëma e Inva Mulës) interpretonte rolin e Lejlës në operën “Peshkatarët e Perlave” në TKOB, pikërisht më 7 mars, ku u vu në skenë me regji të Luigj Gurakuqit, dirigjim të Mustafa Krantjas dhe dekore e kostume të Shadan Toptanit, shkruan KultPlus.

Në vitin 1990-të, kjo vepër e mrekullueshme u vë sërish në skenë nga e bija e Nina Mulës. Është Inva Mula, tashmë një zë i njohur botëror që operën ‘Peshkatarët e Perlave’, e shkriu përmes zërit të saj. Ishte regjisor Nikolin Gurakuqi asokohe që ia besoi rolin kryesore Invës.

E tash pas afro 53 vitesh, kjo operë kthehet me një premierë të tretë me radhë. Inva Mula është ajo që sjellë regjinë dhe rolin kryesor të ‘Peshkatarët e Perlave’ të kompozitorit Georges Bizet. Kësaj radhe kjo operë do të shfaqet në Pallatin e Kongreseve më 22 shtator e njëkohësisht edhe do të hapë sezonin e ri artistik të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë.

Kjo vepër tashmë ka një histori shqiptare e cila po bartet brez pas brezi dhe kësisoj përveç Inva Mulës do të interpretojnë edhe emra të njohur të skenës shqiptare si baritoni Armando Likaj, sopranoja Ramona Tullumani…

Ajo është një nga më përfaqësueset e repertorit operistik botëror, i cili ruhet sot në fondin e jashtëzakonshëm të historisë së vënieve në skenën e TKOBAP. Opera ” “Peshkatarët e Perlave” do të shfaqet edhe në datat 24 dhe 25 shtator po në skenën e Pallatit të Kongreseve në Tiranë./ KultPlus.com

Inva Mula, pas 27 vitesh rikthehet në operën “Peshkatarët e Perlave”

Opera “Peshkatarët e Perlave” e kompozitorit Georges Bizet, me regjisore dhe protagoniste soparanon me famë botërore Inva Mula, do të shfaqet premierë në 22 shtator në skenën e Pallatit të Kongreseve.

Në këtë premierë , që do të çelë sezonin e ri artistik të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, interpretojnë emra të njohur të skenës operistike shqiptare, por dhe të huaj. Me libret të Michel Carre dhe Eugene Cormon, dirigjent Zherar Akokanë, në këtë opera interpretojnë artistë të njohur të skenës shqiptare si baritoni Armando Likaj, sopranoja Ramona Tullumani, etj, ndërsa sopranoja Mula përveç regjisë do të luaj rolin e Lejlës.

Opera “Peshkatarët e Perlave” në vitin 1990 u vu në skenë nga regjisori Nikolin Gurakuqi, rolin e Lejlës e interpretoi Inva Mula. Më pas ky produksion u vu dhe disa herë të tjera në opera. Për herë të parë kjo opera u ngjit në skenën e TKOBAP në mars të vitit 1964. Me regji të Luigj Gurakuqit dhe nën dirigjimin nga Mustafa Krantja, kjo shfaqje u realizua me dekor dhe kostumografi nga Shaban Toptani. Mjeshtrat e skenës operistike shqiptare, që interpretuan në këtë vepër ishin Nina Mula, Ksanthipi Mullisi në rolin e Lejlës, Zihni Berati, Gaqo Çako, Maliq Herri në rolin e Nadir, Avni Mula, Ramiz Kovaçi, Hysen Kurti në rolin e Zurga, Lukë Kaçaj, Koço Timko në rolin e Nurabadi.

Kjo vepër është një nga më përfaqësueset e repertorit operistik botëror, i cili ruhet sot në fondin e jashtëzakonshëm të historisë së vënieve në skenën e TKOBAP. Opera ” “Peshkatarët e Perlave” do të shfaqet edhe në datat 24 dhe 25 shtator po në skenën e Pallatit të Kongreseve në Tiranë.

Vepra operistike “Peshkatarët e Perlave” është me tre akte. Ajo u dha për publikun francez më 30 shtator 1863. / KultPlus.com

Nexhmije Pagarusha: Kur e dëgjoj Inva Mulën nuk mund të vij në vete!

Nexhmije Pagarusha është ndoshta personazhi shqiptar për të cilën është shkruar aq shumë e vetë ajo nuk dëshiron të intervistohet në këto vitet e fundit.

Pagarusha, zëri i kristaltë i shqiptarëve, në një intervistë me Sanije Gashin për librin e saj “Ecje nëpër kujtesë – tregime jete të grave me karrierë” tregon se si u krahasua me këngëtaren e madhe Maria Kallas dhe se si gjithmonë e ka dashuruar zërin e Inva Mulës.

“Kur e dëgjoj Inva Mulën, nuk mund të vij në vete. Kam kënduar shumë evergreen dhe të gjitha në shqip…. Këta të Radio Kosovës kanë mbledhur shumë këngë të mia. Ndoshta pse tani kam kohë ti analizoj, natyrisht, gjej aty-këtu të mos më pëlqejë ndonjë takt, ose se do të mund ta këndoja ndryshe etj. I dëgjoj me kënaqësi, por nganjëherë mërzitem, thjesht, nuk mund ti dëgjoj fare” tregon Bilbili i Këngës Shqipe kur flet me Sanije Gashin, shkruan KultPlus.

Pagarusha ka një karrierë edhe në performimin e klasikëve si Verdi e Betoveni, incizime të cilat kanë humbur dhe prandaj nuk na e kanë lënë neve trashëgimi ta dëgjojmë Nexhmijen në ajkën e muzikës në përgjithësi, në muzikën klasike.
Megjithatë, opera është edhe sot e pranishme në notat e bukura të këngëve që i ka kënduar ndër vite Nexhmija. Kush mund ta mohojë se kënga “Baresha” nuk është një provë se Nexhmija ishte këngëtare madje edhe operistike, një artiste e denjë e notave dramatike muzikore?
Ajo tregon se si dirigjenti Oliver Ristiq, para rreth 40-të vitesh, e krahasonte Nexhmijen me Maria Kallasin – këngëtaren e madhe të operës.

“Ku je Kallasova (Maria Kallas), e mua më vinte turp, ulja kokën e kaloja. Dhe një ditë ishte ide e tij që ta bënim një koncert me muzikë klasike… Na angazhoi mua, soprano, Qazim Dushkun e ndjerë, bariton, Mile Jovanoviqin dhe Jordan Nikoliqin, tenorë” vazhdon tregimin Nexhmije Pagarusha, këngëtarja e madhe shqiptare.

Në këtë koncert, i cili me gjasë nuk i ka shpëtuar incizimeve ose nuk është incizuar kurrë, Nexhmija këndoi “Ah perfido” nga Betoveni, pjesë nga “Traviata” bashkë me Jordanin dhe “Madame Butterfly”. / KultPlus.com

Inva Mula me koncert në Vjenë, përfshihen edhe shumë artistë të famshëm shqiptarë

“Vienna Salutes To Tirana”, është koncerti që do të mbahet në Vjenë të Austrisë, shkruan KultPlus.

Artistja kryesore që do ti paraprijë këtij koncerti është Inva Mula, koncert i cili do të ngërthejë edhe shumë artistë të rëndësishëm shqiptarë si: Genc Tukici, Eno Peci, Olen Cezari e Gëzim Myshketa.

Koncerti do të mbahet në shenjë të marrdhënies diplomatike mes Shqipërisë dhe Austrisë, dhe kjo ngjarje artistike është mbështetë nga Ambasada e Shqipërisë në Vjenë dhe Ambasada e Austrisë në Tiranë.
Koncerti do të mbahet më 16 nëntor, në Konzerthaus të Vjenës, në Mozart- Saal, me fillim në ora 19:30./KultPlus.com