Ministrja Dumoshi viziton zyrtarisht Tiranën, për të marrë pjesë në themelimin e Ligës Unike

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, do të qëndrojë në një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku sonte, më 10 shtator, ora 19:00, në Tiranë do të nënshkruhet marrëveshja historike ndërmjet Federatës Shqiptare të Basketbollit (FSHB) dhe Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) për themelimin e Ligës së basketbollit, mes dy shteteve, që do të quhet “Liga UNIKE”.

Kjo marrëveshje do të nënshkruhet në praninë e Ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, Vlora Dumoshi dhe Ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë të Republikës së Shqipërisë, Besa Shahini.

Ashtu siç është paralajmëruar, i pranishëm në këtë ceremoni do të jetë edhe Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, i cili njëherësh do të zbulojë edhe logon e Ligës UNIKE. Ministrja Dumoshi themelimin e Ligës Unike të Basketbollit e konsideron një sukses të jashtëzakonshëm të bashkëpunimit në sport mes Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë. Ky është një hap i madh për sportin dhe u ka hapur rrugë edhe sporteve tjera që të fuqizojnë bashkëpunimin ndërmjet federatave përkatëse.

 Në Ligën Unike do të marrin pjesë tetë skuadra, katër më të mirat nga Kosova dhe katër më të mirat nga Shqipëria si dhe organet e mekanizmat tjerë drejtues do t’i kenë me numër të barabartë të përfaqësuesve./ KultPlus.com

Ministrja Dumoshi priti në takim pjesëmarrësit e kampit të përbashkët rinor Kosovë – Shqipëri

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi, në kuadër të Muajit të Rinisë, i cili është mbushur me aktivitete të ndryshme që ishin me interes për fushën e rinisë, ka pritur sot në takim një grup të rinjsh nga Kosova e Shqipëria, pjesëmarrës të sesionit të dytë të kampit rinor i cili ka nisur në Kosovë, pas atij që është mbajtur në Shqipëri në korrik të këtij viti.

Të rinjtë do të kenë mundësinë të ndajnë eksperienca dhe të aftësohen në këto tema:

1. Mbrojtja e mjedisit jetësor në Republikën e Shqipërisë dhe Kosovës.

2. Rrjetëzimi dhe partneriteti për vitin 2020.

3. Mbështetja e të rinjve në aspektin psiko-social gjatë periudhës së pandemisë Covid-19.

Ministrja u shpreh e lumtur që po pret të rinjtë në takim dhe theksoi që konsideron që shkëmbimi i eksperiencave dhe ndarja e njohurive mes dy vendeve tona është tepër e rëndësishme aq më tepër kur të dy vendet gëzojnë potencial të jashtëzakonshëm rinor.

Të rinjtë pjesëmarrës u shprehën entuziastë e të lumtur për takimin dhe e vlerësuan kampin si një hapsirë ku përveç njohurive të reja po përfitojnë njohje të reja e eksperienca të paharrueshme.

I gjithë kampi është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Rinisë e Shqipërisë./ KultPlus.com

Ministrja Dumoshi: Synimi im është finalizimi i objektit të Teatrit të Operës dhe Baletit

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, priti në takim Këshillit e ri Drejtues të Baletit Kombëtar të Kosovës, i cili është në përbërje të Leonora Rexhepi, Luljeta Ademi, Lejla Pula, Agim Selimi dhe Zethane Bahtiri-Gimolli, përfaqësuese e MKRS-së.

Ministrja Dumoshi i informoi Këshillin për punën dhe planet që MKRS-ja po bën për kulturën, në këtë kontekst edhe për avancimin e dokumenteve ligjore e strategjike për Baletin Kombëtar të Kosovës.

Një ndër sfidat e cila ka pasur vonesa dhe nuk ka arritur të konkretizohet ende është objekti i Teatrit të Operës dhe Baletit, për të cilin ministrja tha se është e interesuar që të finalizohet si proces dhe ky projekt të marrë jetë.

Ministrja tha se “kemi shumë artistë të talentuar dhe është mëkat që mos të kenë hapësirën e duhur dhe të nevojshme ku të realizojnë aktivitetet e tyre. Si ministre dhe ministria që drejtoj jemi të interesuar që sa më shpejtë të jetësohet projekti i objektit të Teatrit të Operës dhe Baletit. Kemi mbajtur komunikim të vazhdueshëm me Komunën e Prishtinës, ashtu që hapësira që është paraparë për ndërtimin e këtij objekti të rëndësishëm të kulturës në Kosovës, afër Fakultetit Teknik në Prishtinë, të ndahet për projektin në fjalë”, theksoi ministrja, duke i bërë thirrje edhe komunitetit artistik që të japin kontributin e tyre dhe të ngrenë zërin për këtë çështje.

“Projektet garuese për objektin e teatrit do të bëhen transparente dhe qytetarët do të kenë mundësinë që të japin kontributin e tyre në përzgjedhjen e projektit më të mirë”, tha ndër të tjera ministrja.

Po ashtu, ministrja Dumoshi tha se do të bashkëpunojë me Këshillin, por asnjëherë pa ndërhyrë në punën dhe vendimit që ata marrin si Këshill. Ministrja tha se duhet që sa më shpejt të zgjidhet Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës me qëllim të funksionalizimit të plotë të këtij institucioni të rëndësishëm të kulturës së vendit tonë.

Një ndër temat që është edhe një preokupim, është edukimi i gjeneratave të reja në fushën e baletit. Për këtë ministrja tha se do të punojmë bashkërisht që të zgjidhim çështjen e shkollës së baletit dhe ajo si ministre do të lobojë dhe do të komunikojë edhe me Ministrinë e Arsimit për të zgjidhur këtë problematikë, sepse siç tha ministrja “nuk na falet si shoqëri nëse e lëmë që baleti të shuhet në vendin tonë e mos të ketë breza të rinj të edukuar në këtë fushë”.

Anëtarët e Këshillit të Baletit e falënderuan ministren Dumoshi për pritjen dhe besimin e treguar. Ata thanë se do të punojnë dhe të angazhohen për të avancuar baletin, duke u fokusuar edhe në edukimin e brezave të baletit në Kosovë, duke vazhduar traditën e profesorit të Ahmet Brahimajt.

Ndër tjera, ministrja Dumoshi i njoftoi Këshillin edhe për përkrahjen që ka dhënë MKRS-ja për organizatat e shoqërisë civile që merren me kulturë./ KultPlus.com

Emërohet këshilli i ri i QKK-së

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi priti në takim drejtorin e QKK-së Arben Zhurku dhe anëtaret e rinj të Këshillit Drejtues të Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Këshilli Drejtues i Qendrës Kinematografike të Kosovës ka këtë përbërje: Arbnesha Grabovci, Jeton Zogjani, Luan Daka, Linda Shala dhe Burim Reçica, përfaqësues i MKRS-së.

Gjatë këtij takimi ministrja Dumoshi i njoftoi anëtaret e rinj të këshillit drejtues për gjendjen aktuale të kinematografisë si dhe për sfidat nëpër të cilat po kalon aktualisht QKK.

“Dua ta falënderoi paraprakisht ish-këshillin drejtues të QKK-së për punën dhe angazhimin e deri tanishëm. Ju pret një sfidë e madhe e cila kërkon mund dhe angazhim dhe kjo patjetër që do arrihet me profesionalizëm dhe përkushtim”,  u shpreh ministrja Dumoshi.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do të përkrahë në vazhdimësi QKK-në si nga ana profesionale dhe nga ajo financiare.

MKRS do të jetë çdo here mbështetja me e madhe e industrisë së filmit pasi që filmat tanë po tregohen të suksesshëm në kinematografi evropiane duke sjellë çmime të njëpasnjëshme”, tha ministrja Dumoshi.

Gjithashtu në takim u diskutua edhe për ligjin e ri të QKK-së i cili së shpejti do të kalojë në Qeveri për aprovim.

Drejtori i QKK-së Arben Zharku i uroi anëtarët e rinj dhe i njoftoi për punën dhe sfidat nëpër te cilat do të kalojnë. Gjithashtu ai e falënderoi Ministren Dumoshi për punën dhe mbështetjen e saj të vazhdueshme për institucionin që ai përfaqëson./KultPlus.com

Ministrja Dumoshi priti në takim anëtarët e grupit punues për shndërrim në muze të ish-burgut të Prishtinës

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit priti sot në takim konstituiv anëtarët e grupit punues për shndërrim në muze të ish-burgut të Prishtinës.

Grupi punues me vendim të ministres ka këtë përbërje: Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë në rolin e kryesueses; Ndërkaq në rolin e anëtarëve: Profesor Luan Mulliqi, anëtar korrespodent i Akademisë; Bislim Zogaj, drejtor i AMKMK-së; Xhavit Loshaj, këshilltar i Ministrit të Drejtësisë; Hydajet Hyseni, Kryetar i Shoqatës së Burgosurve Politik të Kosovës; Meriman Braha, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së të Burgosurve Politik të Kosovës; Fikrije Berisha, zyrtare e Agjencisë së Arkivave të Kosovës dhe Dr. Hagji Ademi, Instituti i Historisë dhe Ajshe Kamberi, MPB.

Në takim Ministrja u shpreh e lumtur që në mandatin e saj si ministre ish-burgu i Prishtinës filloi procedurat e shndërrimit në muze.

Burgu i Prishtinës ishte vendi ku shumë figura të rëndësishme të vendit tonë janë burgosur e persekutuar politikisht, prandaj shndërrimi i tij në muze është i domosdoshëm për kujtesën tonë kolektive dhe për njohjen e kontributit të shumë njerëzve në Kosovë – tha Ministrja Dumoshi.

Ndërtesa në të ardhmen do të menaxhohet dhe administrohet nga MKRS-ja me funksionin muze.

Gjatë takimit anëtarët e grupit punues thanë se do të angazhohen maksimalisht gjithmonë duke pasur në konsideratë ndjeshmërinë e çështjes, kompleksitetin e ndërtesës, si dhe aspektin shoqëror dhe historik të saj.

Trashëgimia kulturore e shpirtërore dhe ruajtja e kujtesës kolektive janë prioritet kyç i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit./ KultPlus.com

Ministrja e Sportit pret fitore nga Kosova: Nga larg tribunave do të brohorasim

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, i ka dhënë përkrahje Kombëtarës së Kosovës në futboll  në ndeshjen kundër Greqisë që do të zhvillohet sonte në “Fadil Vokrri”.

Dumoshi u shpreh optimiste për fitore, prandaj tha se nga larg tribunave do të brohorasë për fitoren.

Postimi i plotë:

Me ty gjithmonë, Kosovë❤️
Ju na bëni krenar çdoherë dhe sot e përgjithmonë e keni mbështetjen tonë.
Nga larg tribunave do të brohorasim për fitoren tonë, prandaj uroj që sonte kombëtarja jonë të fitoj dhe të na japin lojë të bukur në fushën e gjelbër!

Dumoshi: Vargu i Podrimes do të qëndrojë piadestal i letërsisë dhe i mishërimit të tokës me shpirtin

Sot shënohet 78 vjetori i lindjes së shkrimtarit të madh Ali Podrimja.

Shumë fytyra publike përmes postimeve të ndryshme kanë thënë fjalët e lavdatat më të mëdha për figurën e shkrimtarit tonë, tashmë të ndjerë.

Ministrja e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, e ka kujtuar Podrimen përmes një postimi në Facebook, duke e quajtur veprën e tij një epitaf të pavdekshëm.

”Sot e kujtojmë në ditëlindjen e tij poetin e madh dhe atdhetarin Ali Podrimja, autorin e mbi 10 vëllimeve me poezi, përfaqësuesin e papërsëritshëm të poezisë së sotme shqiptare.

Vargu i tij do të qëndrojë piadestal i letërsisë dhe i mishërimit të tokës me shpirtin.

Unë biri yt Kosovë – epitaf i pavdekshëm!”, ka shkruar Dumoshi në Facebook. / KultPlus.com

Dumoshi i ndan mirënjohje shkrimtarit Shpëtim Selmani, laureat i çmimit të BE-së për letërsi

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi, priti sot në takim Shpëtim Selmanin, prozator e poet dhe së fundmi laureat i çmimit të Bashkimit Evropian për letërsi, për vitin 2020.

Shkrimtari Selmani ka fituar edicionin e dymbëdhjetë të ndarjes së çmimeve të BE-së për letërsi (EUPL) i cili njeh shkrimtarët nga e gjithë Evropa dhe përfshin 31 vende.

Ky çmim i është ndarë autorit nga Kosova me motivacionin një rrëfim që trajton një larmi temash nga e zakonshmja, e botshmja dhe shpirtërorja duke ndërtuar monologje të brendshme të cilat demonstrojnë transformime njerëzore në mes personazhesh.

Ministrja Dumoshi, si drejtuese e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit i ndau mirënjohje shkrimtarit Selmani për të arriturat në përmasa ndërkombëtare, në fushën e letërsisë si dhe i bëri dhuratë okarinën – instrumentin e lashtë ilir.

Ministrja u shpreh e lumtur që emrat e shkrimtarëve e artistëve shqiptarë çdo ditë e më tepër po tejkalojnë kufijtë shqipfolës e po njihen ndërkombëtarisht.

Ky është jo vetëm sukses personal por sukses dhe përforcim i imazhit të Kosovës në Evropë e botë – theksoi ministrja Dumoshi. Ajo u zotua se do të mbështesë gjithmonë shkrimtarë që kanë suksese ndërkombëtare të cilët janë ambasadorët më të mirë të vendit.

Shkrimtari Selmani e falënderoi Ministren Dumoshi për pritjen dhe për mirënjohjen e cila është një njohje e kontributit të tij dhe njëkohësisht shtysë për rrugëtimin e tij të mëtejmë letrar. / KultPlus.com

Takohen ministrat Dumoshi e Likaj: Orientimi i të rinjve në aftësim profesional për t’u përgatitur për treg të punës

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi priti sot në takim Ministrin e Arsimit dhe Shkencës Ramë Likaj.

Ministrat Dumoshi e Likaj gjatë takimit diskutuan për pikat e bashkëpunimit në mes të MKRS dhe MASH-it në projekte të interesit dhe fushave të përbashkëta që dy ministritë mbulojnë, duke veçuar mësimin në vendin e punës, kryerjen e praktikës profesionale të nxënësve si dhe për qendrat e kompetencës të cilat duhen lidhur me qendrat rinore.

Ministrja Dumoshi shprehu gatishmërinë që MKRS-ja ka për bashkëpunim me me MASH-in, sidomos për fushën e rinisë. Ministrja u shpreh përkushtuar të punojnë në çështje të cilat lidhen edhe sipas programit qeveritar që parasheh bashkëpunimin e ministrive në projekte të përbashkëta.

Ministrja theksoi që është shumë e rëndësishme që aftësimi për të rinjtë të ndërlidhet me tregun e punës dhe kështu t’i kontribuohet objektivit së përbashkët të qeverisë për punësimin sa më të madh të të rinjve.

Ministrja Dumoshi e informoi Ministrin Likaj për mbështetjen që MKRS i ka bërë organizatave rinore duke u dalë kështu në ndihmë sidomos për periudhën e pandemisë, për memorandumet e bashkëpunimit me UP-në në fushën e trashëgimisë të cilat integrojnë sferën akademike në rrafshin praktik dhe për gatishmërinë e saj dhe të ministrisë që drejton për orientimin e fondit emergjent në punësim.

Ministri Likaj e falënderoi Ministren Dumoshi për pritjen dhe për gatishmërinë e saj që të thellojnë bashkëpunimin aq më tepër kur këto dy ministri kanë shumë fusha të përbashkëta.

Ndër shumë të tjera Ministri Likaj përmendi qendrat gjithëpërfshirëse rinore ku përfshihet edhe arsimimi profesional dhe qendrat e karrierës në të cilat bashkëpunimi mes dy ministrive është shumë i rëndësishëm.

Ministrja Dumoshi e Ministri Likaj u zotuan që të bashkëpunojnë në të gjitha projektet e përbashkëta që dy ministritë kanë në mënyrë që të bashkërisht të shtyjnë papara objektivat e qeverisë dhe ti kontribuojnë zhvillimit të gjithmbarshëm rinor e arsimor në vend. / KultPlus.com

Ndërtesa e ish-burgut në Prishtinë, së shpejti shndërrohet në muze

Nga sot edhe zyrtarisht nis projekti i shndërrimit të ndërtesës së ish-burgut në Prishtinë në muze.

Si hap të parë, Ministrja Vlora Dumoshi nënshkroi vendimin për formimin e grupit punues që do të hartojë Konceptin për Projektin e Ndërtesës së ish Burgut të Prishtinës me destinim muze, të cilin koncept do t’ia paraqesë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.Grupi punues me vendim të ministres do të ketë këtë përbërje: Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë në rolin e kryesueses;Ndërkaq në rolin e anëtarëve:Profesor Luan Mulliqi, anëtar korrespodent i Akademisë; Bislim Zogaj, drejtor i AMKMK-së; Xhavit Loshaj, këshilltar i Ministrit të Drejtësisë;Hydajet Hyseni, Kryetar i Shoqatës së Burgosurve Politik të Kosovës;Meriman Braha, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së të Burgosurve Politik të Kosovës;Fikrije Berisha, zyrtare e Agjencisë së Arkivave të Kosovës dhe Dr. Hagji Ademi, Instituti i Historisë dheAjshe Kamberi, MPB.

Ky vendim shënon hapin e parë konkret drejt shndërrimit të objektit të ish Burgut të Prishtinës në muze dhe është një akt i ndërmarrë nga ministrja Dumoshi konform programit të Qeverisë Hoti. Ndërtesa në të ardhmen dotë menaxhohet dhe administrohet nga MKRS-ja me funksionin muze.

Ministrja Dumoshi tha se ky vendim është marrë duke pasur në konsideratë ndjeshmërinë e çështjes, kompleksitetin e ndërtesës, duke përfshirë edhe aspektin shoqëror dhe historik.

“Shndërrimi i ndërtesës së ish Burgut të Prishtinës me destinim Muze shënon një hap të rëndësishëm për dokumentimin e së kaluarës tonë, krijimin e një hapësire të përshtatshme dhe të nevojshme për të institucionalizuar përjetimet e të burgosurve shqiptarë të Kosovës nën regjimin jugosllav e më pas atë serb. Muzeu i cili do të jetë si rezultat final nga vendimi i sotëm, do të shërbejë si një kujtesë e sakrificës që kanë bërë shqiptarët e Kosovës në rrugëtimin drejt lirisë dhe pavarësisë së shtetit tonë”, u shpreh ministrja Dumoshi. / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi: MKRS-ja e fokusuar në përkrahjen e ndërmarrësve të rinj

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka vizituar sot Qendrën Inovative të Kosovës (Innovation Centre of Kosovo – ICK), për t’u informuar për aktivitetet dhe objektivat që ka kjo organizatë.

Ajo u prit nga drejtuesit e kësaj organizate me në krye drejtorin ekzekutiv të ICK-së, Uranik Begu.

Ndër objektivat kryesore të organizatës në fjalë janë ndërmarrësia për të rinj, përkrahja për nisjen e bizneseve (start-up) për të rinj për krijimin e vendeve të reja të punës përmes inovacionit duke ofruar mbështetje në edukim në fushat e teknologjisë dhe ndërmarrësisë.

Me këtë rast, ministrja Dumoshi, tha se ndjehet e kënaqur për arritjet e organizatës e cila u ka mundësuar shumë të rinjve të trajnohen dhe më pas ose të hapin vetë biznese ose të përfundojnë si të punësuar.

Ministrja Dumoshi foli për rëndësinë dhe rolin e MKRS-së në fushën e ndërmarrësisë dhe theksoi se partneriteti me palët që janë të përfshira në këtë fushë është e rëndësishme. “Jam e interesuar që të rris partneritetin publiko-privat në mënyrë që të rinjve t’u ofrohen mundësi më të mëdha punësimi, që si qeveri, e sidomos ne si ministri që mbulojmë dikasterin e rinisë, të ndërmarrim veprime konkrete për krijimin e vendeve të reja të punës”, tha ndër të tjera ministrja Dumoshi.

“Vendi ynë ka shumë të rinj të talentuar dhe si ministri po ndryshojmë dhe plotësojmë dokumentet ligjore dhe strategjike të cilat do të mundësojnë rritjen e punësimit të të rinjve. Aftësimi profesional i të rinjve duke përfunduar në tregun e punës është një prej objektivave me prioritet që kam si ministre dhe këta të rinj përpos që do të punojnë për tregun e brendshëm të Kosovës i cili nuk është edhe aq i madh, ata do të punojnë edhe për tregun e jashtëm, të cilët do të ndikonin në rritjen eksportit në njërën anë dhe të ardhurave për vendin tonë”, vlerësoi ministrja Dumoshi, në fjalën e saj informuese.

Nga ana e tij, drejtori Begu e informoi në hollësi ministren Dumoshi me punën që bën ICK-ja në trajnimin e shumë të rinjve, në përkrahjen e start-upeve për bizneset e reja dhe përkrahjen e shumë projekteve inovative të cilat kanë depërtuar edhe në tregun global.

Ministrja Dumoshi u shpreh se është e rëndësisë strategjike që rrëfime suksesi sikurse ICK-ja të përkrahen nga institucionet vendore për të marrë shërbimet e mira që ofron kjo organizatë ashtu që mbështetja financiare të përqendrohet përbrenda vendit dhe jo të dalë jashtë shtetit. / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi i ndan mirënjohje stilistes Lirika Matoshi

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi, bashkë me zëvendësin Halil Matoshi, pritën në takim stilisten e njohur shqiptare, Lirika Matoshi e cila jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ditëve të fundit koleksioni i ri i veshjeve nga stilistja Matoshi me motiv të luleshtrydheve është bërë pjesë e artikullit në një prej gazetave më prestigjioze amerikane, The New York Times.

Ministrja Dumoshi u shpreh shumë e lumtur për suksesin e stilistes Matoshi e cila ka arritur të bëhet pjesë e industrisë së modës në Amerikë duke sjellë me stilin unikal, dizajne që influencojnë kohët moderne.

Gjatë këtij takimi ministrja Dumoshi i ndau stilistes një mirënjohje në emër të saj si Ministre e Kulturës, për përfaqësimin e mirë që po i bën Kosovës në botë, me motivacionin “për punën e saj brilante në fushën e dizajnit dhe modës, në përmasa globale, duke e ngritur lartë emrin e Kosovës”.

Ministrja u shpreh edhe më e lumtur për suksesin e vajzave të Kosovës në Evropë e SHBA, emri i të cilave spikatet çdo ditë e më tepër në fushën e artit, muzikës e modës.

Stilistja Lirika Matoshi shpalosi detaje për veshjen e cila tha se bazohet në vetë kujtimet e saj të rinisë dhe e falënderoi Ministren Dumoshi për pritjen dhe njohjen që po i bën punës e artit të saj. / KultPlus.com

Dumoshi: Dera e ministrisë është përherë e hapur për komunitetin boshnjak

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka zhvilluar sot një takim me përfaqësues të komunitetit boshnjak të kryesuar nga Rasim Demiri, përfaqësues i koalicionit “Vakat”, njëherësh deputet në Kuvendin e Kosovës.

Qëllimi i takimit ishte mbështetja e MKRS-së për komunitetin boshnjak në Prizren e Dragash dhe për kërkesat dhe problemet që ballafaqohet ky komunitet në fushat që mbulon ministria, në anën tjetër.

Deputeti Demiri tha se shumë vendbanime të komunitetit boshnjak të këtyre dy komunave kanë mungesë të theksuar të infrastrukturës fizike kulturore e sportive. Ka fshatra ku banojnë komuniteti boshnjak që nuk kanë shtëpi të kulturës e terrene sportive dhe kërkoi nga ministrja Dumoshi që MKRS-ja të mbështesë financimin e projekteve që bëjnë të mundur këtë gjë.

Deputeti po ashtu konfirmoi se shoqëritë kulturore dhe të rinjtë e komunitetit boshnjak janë shumë aktiv dhe mbështetja që u ofrohet nga niveli lokal është i pamjaftueshëm andaj kërkojnë nga niveli qendror një mbështetje më të madhe.

Ministrja Dumoshi tha se MKRS-ja ka nënshkruar disa memorandume me Komunën e Prizrenit të cilat ua mundësojnë komunitetit boshnjak një mbështetje të MKRS-së. “Ministria e mbështet komunitetin boshnjak si një investime në projekte kapitale por edhe nëpërmjet subvencioneve. Për kërkesat që keni për fshatrat që të mbështeten më shumë, do të shikojmë bashkërisht mundësitë që për vitin e ardhshëm të planifikohet dhe të realizohet në gjë e këtillë”, sqaroi ministrja.

“Dera e ministrisë është e hapur për komunitetin boshnjak”, tha ndër të tjera ministrja Dumoshi, duke premtuar që shumë shpejtë do të vizitojë këtë komunitet në Prizren e Dragash. / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi takoi Këshillin e ri Drejtues të BKK-së, flitet edhe për themelimin e Qendrës së Librit

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka pritur sot në një takim njohës Këshillin e ri Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, në përbërje të Osman Gashi, Bejtullah Destani, Bukurije Haliti dhe Feim Hoxha, përfaqësues i MKRS-së.

Në këtë takim u diskutua rreth punës, përgjegjësive dhe bashkëpunimit mes MKRS-së dhe BKK-së. Ndër çështjet që u biseduan ishin, forcimi i rrjetit bibliotekar të Kosovës, procesi i digjitalizimit, shpërndarja e librit dhe forcimi i mëtejmë i politikave për librin, duke rritur krijimtarinë, cilësinë botuese dhe qarkullimin e librit.

Ndër temat që ministrja Dumoshi përmendi ishte dhe themelimi i Qendrës së Librit, si një institucion në nivel kombëtar, i cili do të ketë në përgjegjësitë e tij, kontrollin e botimeve, aspektin e përkthimit të librit shqip në gjuhë të huaja dhe anasjelltas, ndër shumë përgjegjësi tjera.

Ministrja Dumoshi tha se pret një bashkëpunim me Këshillin Drejtues të BKK-së me qëllim të avancimit të bibliotekarisë në Kosovë. Ajo tha se Këshilli Drejtues janë ura lidhëse mes ministrisë dhe institucionit kryesor të bibliotekarisë në Republikën e Kosovës. Ministrja i njoftoi anëtarët e Këshillit me planet dhe veprimet konkrete që MKRS-ja do të ndërmerr në avancimin e infrastrukturës ligjore e fizike të bibliotekave në vendin tonë.

Nga ana e tyre, anëtarët e Këshillit Drejtues të BKK-së e falënderuan ministren Vlora Dumoshi për pritjen. Ata shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar konform dispozitave rregulluese që institucionin e bibliotekës ta mbajnë në drejtimin e duhur dhe të rrisin kapacitetin për promovimin, kultivimin dhe ruajtjen e librit. / KultPlus.com

Nënshkruhet memorandum për Qendrën e Sportit në Zubin Potok

Në kuadër të mbështetjes së komunave të Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, sot ka nënshkruar memorandum me komunën e Zubin Potokut, për mbështetje financiare të projektit “Sigurimi i pajisjeve për Arenën në Qendrën Sportive në Zubin Potok”, në vlerë prej 100 mijë euro.

Memorandumin e nënshkruan ministrja Vlora Dumoshi dhe kryetari i komunës Stevan Vuloviç. 

“Ministria ka obligim që të investojë në të gjitha komunat e Kosovës dhe i trajton të gjitha njësoj. Për mua si ministre të gjitha komunat janë të barabarta, të gjithë janë qytetarët të Kosovës dhe do t’i mbështes të gjitha komunat pa përjashtim. Edhe ky projekt por edhe projekte tjera të cilat pritet të planifikohen për vitin e ardhshëm, si MKRS jemi të gatshëm dhe do të ndihmojë edhe Komunën e Zubin Potokut”, tha mes tjerash ministrja Dumoshi.

Ministrja e njoftoi kryetarin Vuloviç se fondi emergjent prej 5 milion për MKRS-në veçse është miratuar dhe porositi që t’i inkurajojë të rinjtë dhe organizatat që veprojnë në Zubin Potok që të aplikojnë në thirrjet që do të shpallen nga ministria, në mënyrë që të përfitojnë nga fondi.

Nga ana e tij, kryetari Vuloviç e falënderoi ministren për pritjen e ngrohtë dhe për mbështetjen. Tha se mbështetja e ministrisë dhe gatishmëria e ministres për ta ndihmuar Zubin Potokun janë befasuese dhe e mirëseardhur. Është e nevojshme një ndihmë e tillë për komunitetin në Zubin Potok, tha Vuloviç, sepse komuna ka shumë të rinj e sportistë aktivë.

Palët u pajtuan që ditëve në vijim, ministrja të vizitojë Komunën e Zubin Potokut. / KultPlus.com

Dumoshi: MKRS-ja me 15-të projekte në Deçan

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, e shoqëruar nga zëvendësi Halil Matoshi, dhe një pjesë e stafit të MKRS-së, kanë vizituar sot Komunën e Deçanit, ku fillimisht u pritën në takim nga kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj.

Në takimin e zhvilluar, Dumoshi e Ramosaj kanë biseduar për projektet e përbashkëta mes MKRS-së dhe Komunës, investimet që janë duke u zhvilluar dhe ato që janë në plan të realizohen këtë dhe vitin tjetër.

Konkretisht bëhet fjalë për 15 projekte në të cilat ministria është duke investuar në Komunën e Deçanit, në fushat e kulturës, trashëgimisë, rinisë dhe të sportit, si shtëpi të kulturës, biblioteka, 6 restaurime të kullave, qendrën rinore, sallën sportive e fushat e poligonet sportive.

Ministrja Dumoshi tha se në takim me kryetarin kanë biseduar edhe për turizmin kulturor. “Me kryetarin biseduam për turizmin kulturor. Kjo pjesë e ka një bukuri natyrore e cila gjithmonë është veçuar si atraksion dhe ku do të mund të investohet dhe ndërtohen pista skijimi me një gjatësi deri në 5 km”, tha mes tjerash ministrja, duke thënë se është një mundësi si për qeverinë por edhe investitorët e huaj të investojnë në këtë zonë me bukuri të mrekullueshme, ashtu që Kosova të bëhet pjesë e hartës së Botës për skijim për zhvillimin e garave ndërkombëtare.

Ndërsa kryetari Ramosaj e falënderoi ministren Dumoshi dhe stafin e MKRS-së për prezencën e saj në Deçan. Ai tha se projektet e përbashkëta të Komunës dhe ministrisë janë të dobishme dhe të rëndësisë së veçantë. Janë investime të cilat kanë me e bërë Deçanin me u dok ndryshe, deklaroi kryetari.  / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi dhe Ministri Zemaj shpërndanë maska përgjatë sheshit të Prishtinës

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi bashkë me Ministrin e Shëndetësisë Armend Zemaj, zv-ministrat e MKRS-së, dhe përfaqësues të “Let’s do it Kosova”, me rastin e ditës ndërkombëtare të rinisë, kanë shpërndarë maska në sheshin përgjatë sheshit në Prishtinë. Ky aktivitet u realizua me qëllim të sensibilizimit të të rinjve në lidhje me rreziqet e pandemisë Covid-19 dhe për të promovuar kujdesin që duhet të kemi në përballje me këtë virus.

Para shpërndarjes Ministrja Dumoshi dhe Ministri Zemaj patën një adresim për mediat e pranishme ku ndër të tjera Ministrja Dumoshi theksoi që i janë bashkangjitur kësaj iniciative meqenëse është shumë e rëndësishme që të rinjtë e Kosovës të jenë pjesë e fushatës sensibilizuese ndaj luftës me Covid-19, një situatë e paprecedentë për të gjithë globin.

“Si ministri jemi angazhuar vazhdimisht që të rinjtë ti mbështesim me projekte dhe mjete financiare dhe në situatën me pandeminë e kemi shumëfishuar përpjekjen dhe përkrahjen. Unë pata një takim me Kuvendin e të rinjve të Kosovës dhe aty i informova për plotësim ndryshimin e ligjit për fuqizimin e rinisë i cili përveç ndryshimit që do të ketë në grup moshën që konsiderohet i ri/e re do të njohë edhe punën vullnetare të të rinjve” – theksoi ministrja.

Në anën tjetër Ministri Zemaj e theksoi që ka qenë një periudhë me angazhime të jashtëzakonshme të punëtorëve shëndetësorë dhe këtë iniciativë e mbështet meqenëse është shumë e rëndësishme që të rinjtë të jeni zëri i vetëdijesimit shoqëror ndaj këtij virusi.

“Në rrethana të tjera do ta shënonim ndryshe këtë ditë, mirëpo situata me pandeminë na e determinoi edhe agjendën e kësaj e dita e cila edhe pse në këso rrethana nuk duhet mbetur pa u shënuar” – tha ministri Zemaj.

Pas këtij adresimi Ministrja Dumoshi dhe Ministri Zemaj shpërndanë maskat për qytetarët përgjatë sheshit të Prishtinës. / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi premton të shtyjë përpara ide sa më inovative dhe përmbushëse për të rinjtë e Kosovës

Me rastin e 12 gushtit – Ditës Ndërkombëtare të Rinisë ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi bashkë me zv-ministrat Valdete Bajrami, Arbër Grabovci, Engelbert Zefaj, Halil Matoshi dhe përfaqësues të MKRS-s priti në zyrën e saj një grup të rinjsh nga Kuvendi i të rinjve të Kosovës me të cilët diskutoi për planet e Ministrisë në fushën e rinisë dhe ndoqi shqetësimet dhe sugjerimet që ata kanë.

Ky takim ishte i veçantë për faktin se të rinjtë pjesëmarrës ishin nga komuniteti shqiptar, serb dhe RAE andaj edhe diskutimi dhe preokupimet ishin nga perspektiva të ndryshme.

Ministrja u shpreh e lumtur që ndonëse në rrethana pandemie MKRS po shënon ditën e rinisë.

“Shënimi i kësaj dite synon promovimin e aktiviteteve për të rinjtë, me qëllim që të pranojë dhe njoh përpjekjet dhe përkushtimin e të rinjve në mbarë botë për përmirësimin e shoqërisë. Andaj edhe ne si Ministri dhe si bartës të institucioneve që përkrahin fushën e rinisë ndonëse në rrethana pandemie u përpoqëm që kjo ditë mos t’i mungojë kalendarit të ditëve të shënuara”- u shpreh ministrja Dumoshi.

Kastriot Luma nga Kuvendi i të rinjve të Kosovës e falënderoi ministren për pritjen e përzemërt dhe u shpreh i lumtur që MKRS ka treguar gatishmëri që të mbështesë të rinjtë e Kosovës.

Ministrja Dumoshi i njoftoi për punën që po bëhet në plotësim ndryshimin e ligjit për fuqizimin e rinisë për të cilin ka pasur kërkesa të ndryshme nga Kuvendi i të Rinjve, KVRL-të dhe organizatat rinore.

Ajo i njoftoi edhe për projektet të cilat janë ndarë dhe do të ndahen nga MKRS, në shumë totale prej 820.000 eurosh. Kjo shumë akomodon sado pak nevojat rinore dhe reflekton rëndësinë që institucionet kanë për fushën e rinisë.

Ministrja Dumoshi falënderoi për vizitën i përgëzoi për aktivitetet e tyre të vazhdueshme dhe u premtoi që do të mundohet maksimalisht që do të shtyjë përpara ide sa më inovative dhe përmbushëse për të rinjtë e Kosovës. / KultPlus.com

Planifikohet ekspozitë me fotografi për përvjetorin e vizitës së parë të senatorit Robert Dole në Kosovë

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka zhvilluar sot një takim me përfaqësuesin e autorizuar të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i OEAK-ut.

Në takim u bisedua për bashkëpunimin mes MKRS-së dhe OEAK-ut në nisma të përbashkëta të cilat janë në interes të dyanshëm dhe në dobi të promovimit të projekteve dhe aktiviteteve të ndryshme.

Ministrja Dumoshi tha se është e gatshme të bashkëpunojë me OEAK-un në projekte që ndërlidhen ngushtë me fushat që mbulon ministria. Ajo e njoftoi drejtorin Zeka për angazhimet që po ndërmerr MKRS-ja në kohën e pandemisë, duke realizuar aktivitete në distancë në pamundësi për të konkretizuar shumë pjesë që janë paraparë në programin e sivjetmë të ministrisë.

Ndërkaq, përfaqësuesi i OEAK-ut, Arian Zeka, e njoftoi ministren për punën që realizon Oda dhe e informoi për planet që kanë për realizimin e një ekspozite me fotografi për përvjetorin e vizitës së parë senatorit Robert Dole në Kosovë, me ç’rast kërkoi edhe mbështetjen e MKRS-së.

Ministrja Dumoshi tha se senatori Dole ka bërë aq shumë për Kosovën sa që meriton çdo respekt, mirënjohje dhe falënderim. Një ekspozitë për vizitën e tij në Kosovë do të ishte e mirëpritur dhe do ta përkrahim pa hezitim, tha ministrja.

Ministrja Dumoshi e drejtori Zeka u pajtuan që do të konkretizojnë veprimet për realizimin e ekspozitës në mënyrë artistike e profesionale, e cila planifikohet të realizohet në Prishtinë. / KultPlus.com

Muzeu i Kosovës pasurohet me “Veshjen e Rrafshit të Dukagjinit”

Në kuadër të pasurimit të fondit muzeor, Muzeut të Kosovës sot i është dhuruar “Veshja e Rrafshit të Dukagjinit”, veshje kombëtare e njohur si “Vesha e katunit”, punuar nga Zejnepe Demaj-Beqiraj.

Vesha është punë dore e punuar në tërësi me kërrabëz dhe gjilpërë, e cila është punuar në vitet 1965-66 të shekullit 20, kur autorja e kësaj veshjeje ishte 21 vjeçe.

Veshën, ministres Vlora Dumoshi ia dorëzoi e bija e autores, Gjylshane Beqiraj. Me këtë rast, ministrja e vlerësoi këtë si një gjest të madh nga ana e familjes së zonjës Zejnepe, që punën e saj t’ia dorëzojë institucioneve.

“Ne si ministri në bashkëpunim me Muzeun e Kosovës do të kujdesemi për veshjen në fjalë që ajo të ketë hapësirën e përshtatshme për ekspozim ashtu që të prezantojë kulturën tonë, punën e nënave tona”, tha mes tjerash ministrja Dumoshi.

Ministrja Dumoshi u shpreh se rastet e këtilla kur qytetarët mendojnë për forcimin e institucioneve meritojnë falënderim dhe mirënjohjen më të madhe të mundshme.

Zejnepe Demaj-Beqiraj ka lindur me 25 qershor 1945, në Radavc të Pejës. Në vitin 1965-1966 ishte gati 21 vjeçe, e fejuar në fshatin Staradran të Istogut dhe bëhej gati për martese. Në këtë periudhë e ka punuar këtë veshje kombëtare, e njohur si “Veshja e Rrafshit te Dukagjinit”. / KultPlus.com

MKRS investon me 2.6 milionë për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Suharekë

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, bashkë me zëvendëskryeministrin Driton Selmanaj, zëvendësministrat Halil Matoshi e Nexhat Ramadani dhe një pjesë të stafit të MKRS-së kanë vizituar sot Komunën e Suharekës.


Gjatë kësaj vizite ministrja Dumoshi dhe stafi i MKRS-së u pritën në Komunë nga kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj. Në takim u bisedua për projektet që financon MKRS-ja dhe bashkëpunimin me Komunën. Gjatë takimit u nënshkrua memorandumi i bashkëpunimit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës “Ukë Bytyqi”, projekt ky për të cilin MKRS-ja do të investojë rreth 2.6 milionë euro.

 
Ministrja Dumoshi me këtë rast tha se nënshkrimi i këtij memorandumi ka rëndësi të madhe. Ky investim i kontribuon jetës kulturore në Suharekë dhe u ofron kështu qytetarëve mjedise ku mund të përcjellin ngjarje kulturore e artistike.

“Shtëpia e Kulturës mban emrin e Ukë Bytyqit, veprimtar i cili ka punuar shumë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. E kemi për detyrim të kujdesemi dhe këto objekte me emra të mëdhenj t’ua lëmë trashëgimi gjeneratave të reja”.


Ministrja Dumoshi vizitoi edhe stadiumin e qytetit të Suharekës ku njoftoi se MKRS-ja ka ndarë 200 mijë euro për rinovimin e këtij stadiumi. Kjo në vazhdën e investimeve që MKRS-ja po bën në komuna të ndryshme nëpër Kosovë, për ta ndihmuar e rregulluar infrastrukturën sportive. 


Ministrja po ashtu njoftoi se sot fillojnë punimet për ndërtimin e stadiumit ndihmës në fshatin Studenqan të Suharekës. Ajo theksoi se ky stadium do të jetë i kategorisë së parë sipas kushteve të UEFA-së dhe siguroi që pas finalizimit këto projekte të jenë një ndihmë e madhe për qytetarët e Suharekës. 
Ministrja Dumoshi tha se sa i përket trashëgimisë kulturore, MKRS-ja është duke punuar në projektin për Shtëpinë – Muze “Fadil Vata”, në fshatin Sallagrazhdë dhe shtoi se MKRS-ja ka projekte edhe për rininë duke i inkurajuar të rinjtë që përmes organizatave komunale të aplikojnë dhe të jenë fitues të këtyre projekteve.

“Bashkërisht me kryetarin diskutuam për projekte që janë shumë të nevojshme e të cilat do të parashihen në buxhetin e vitit 2021. Si ministre e kam për detyrë bashkëpunimin me të gjithë kryetarët e komunave të Kosovës”, tha mes tjerash ministrja Dumoshi.
Ndërkaq zëvendëskryeministri Driton Selmanaj tha se në këtë komunë do të ketë investime edhe në infrastrukturë dhe do të ketë edhe në projekte të tjera për ta përmirësuar jetën e njerëzve.
Shtëpia e Kulturës do t’ia shtojë bukurinë qytetit meqë Suhareka është vend i vogël por me vlera të mëdha.

Kryetari Bali Muharremaj u shpreh i lumtur për vizitën e krerëve institucionalë dhe për investimet e pakursyera në këtë komunë. / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi: Vitia, një prej vatrave të kulturës shqiptare

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, bashkë me zëvendësministrat Valdete Bajrami e Engelbert Zefaj dhe një pjesë të stafit të MKRS-së, kanë vizituar Komunën e Vitisë për të inspektuar investimet në këtë komunë të cilat ministria po financon.

Fillimisht, ministrja Dumoshi dhe stafi i MKRS-së u pritën në komunë nga kryetari i Vitisë, Sokol Haliti. Në takim u bisedua për projektet që financon ministria dhe bashkëpunimin me komunën. Po ashtu, u nënshkrua memorandumi për Rinovimin e Shtëpisë së Kulturës së Vitisë, në të cilin ministria do të investojë 50 mijë euro në një kohëzgjatje prej dy vitesh.

Ministrja Dumoshi me këtë rast u shpreh se Vitia ka nevojë shumë për shtëpi moderne dhe funksionale të kulturës. “Po sa e nënshkruam memorandumin për renovimin e shtëpisë së kulturës, e cila i duhet shumë Komunës së Vitisë”, tha ministrja, me ç’rast vizitoi objektin e shtëpisë së kulturës duke theksuar se është e rëndësishme që objektet e të cilat janë ndërtuar shumë vjet më parë të funksionalizohen dhe të vihen në shërbim të kulturës, artit, teatrit, galerisë e bibliotekës si hapësira që do të shfrytëzohen nga njerëzit e artit e të kulturës.

“I bëj thirrje të gjithë organizatave të pavarura të Vitisë që të aplikojnë në grantet apo subvencionet që i shpall MKRS-ja”, tha ministrja kur foli për përkrahjen e drejtpërdrejtë që jep ministria.

Ministrja tregoi gjithashtu se me kryetarin Haliti kanë folur për projektet që janë shumë të nevojshme për Komunën e Vitisë, investimet që do të shkojnë për rininë, kulturën dhe truizmin kulturor.

“Folëm për projekte që janë shumë të nevojshme të cilat do të parashihen në buxhetin e vitit 2021. Si ministre e kam për detyrë bashkëpunimin me të gjithë kryetarët e komunave të Kosovës”, tha ministrja mes tjerash.

Ndërkaq, kryetari Haliti e falënderoi ministren dhe stafin e MKRS-së për punën dhe përkrahjen që po japin në financimin e shumë projekteve që janë të dobishme dhe në interes të qytetarëve të Komunës së Vitisë.

“E falënderoj ministren dhe bashkëpunëtorët e saj për vazhdimin e kompletimit të shtëpisë së kulturës. Shtëpia e kulturës ka qenë gërmadhë në Viti por me investimet që po bëhen ajo do të revitalizohet”, tha Haliti.

MST. Vizita në Shkollën e parë shqipe në Stubëll

Gjatë vizitës së sotme në Komunën e Vitisë, ministrja qëndroi edhe në fshatin Stubëll, në të cilin ndodhet edhe shkolla e parë shqipe në Kosovë e cila sipas shumë dokumenteve daton para pesë shekujve, por që nën udhëheqjen e Dom Mikel Tarabulluzit, në vitin 1905 themelohet si shkollë e parë shqipe.

“Është një shtëpi muze, objekt i përhershëm i trashëgimisë kulturore. Është një monument i cili ka një histori pesë shekullore dhe ka kaluar faza të ndryshme, si ajo osmane, e pastaj tek rilindësit tanë”, u shpreh ministrja Dumoshi kur foli për shkollën e parë shqipe si pjesë të trashëgimisë tonë kulturore të cilën e kemi obligim që ta ruajmë e dokumentojmë.

Ndërsa kryetari Haliti falënderoi MKRS-në nëpërmjet ministres Dumoshi, si institucionin përgjegjës, për shndërrimin në shkollë-muze shkollën shqipe në Stubëll, duke e futur në kuadër listës së trashëgimisë si objekt e si histori. Kryetari tha se për nder të shkollës, çdo vit në Komunën e Vitisë organizohet ngjarja tradicionale “Ditët e Dom Mikelit” ku marrin pjesë intelektualë të shumtë nga të gjitha trojet shqiptare. Kësisoj, sipas Halitit, është dhënë kontributi në ruajtjen e identitetit dhe kulturës shqiptare, dhe Ministria e Kulturës ka dhënë një përkrahje të jashtëzakonshme në këtë drejtim. /KultPlus.com

Përurohet palestra sportive në Samadrexhë të Vushtrrisë, investim i MKRS-së prej 860 mijë euro

Samadrexha e Vushtrrisë nga sot do të ketë palestrën e saj moderne, investim i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në  vlerë prej 860 mijë euro.

Në një ceremoni të organizuar enkas për këtë ngjarje, u inaugurua palestra sportive në fshatin i cili ka traditë në sport.

Me këtë rast, Ministrja Vlora Dumoshi, e cila ishte në vizitë në Komunën e Vushtrrisë, u shpreh se Samadrexha e ka pasur të nevojshme në palestër të tillë, si një vend që ka traditë në sport.

“Investimi i kësaj palestre që nga fillimi ka qenë i ministrisë, duke filluar nga projekti dhe deri në përfundim, me një kosto prej 860 mijë euro, por përfitimi më i madh shkon tek sportistët, qoftë tek hendbolli, basketbolli dhe sporte tjera. Faleminderit shumë për përkrahjen e djemve, po posaçërisht vajzave, që i shtyni që ato të jenë më të forta dhe të marrin përgjegjësi në çdo hap të jetës”, tha ministrja duke potencuar se prioritet i MKRS-së është zhvillimi i infrastrukturës për të krijuar hapësira të duhura për të gjithë sportistët.

Ministrja Dumoshi tregoi se edhe në vitin e ardhshëm Vushtrria do ta ketë përkrahjen e ministrisë edhe për projekte të tjera që janë në interes dhe në plotësimin e kërkesave të qytetarëve të komunës së Vushtrrisë, për sportistët, për pjesën e kulturës dhe e të trashëgimisë.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri, tha se për të është nder dhe krenari, që me përkrahjen edhe të MKRS-së, Samadrexhës po i vënë në funksion një palestër moderne.

“Po i japim përfundimisht Samadrexhës atë që e ka merituar që shumë kohë. Një palestër moderne, një palestër që e bënë krenar jo vetëm Samadrexhën e Vushtrrinë, po krejt Kosovën dhe që i shkon klubit të Samadrexhës, edhe klubit të vashave edhe të djemve, sepse ju me punën e juaj, me sukseset e juaja, me trofetë e fituara për shumë vite për sport, jeni bërë padyshim emblema dhe krenaria e sportit të Vushtrrisë, të krejt Kosovës”, tha Tahiri, duke theksuar se është e rrallë që në një fshat si Samadrexha të ketë kaq shumë klube sportive dhe kaq shumë aktivitete.

Palestrën e sporteve e mirëpritën edhe banorët dhe sportistët e Samadrexhës, duke e konsideruar si një lajm të mirë përfundimin e kësaj palestre. “Një ëndërr e bërë realitet, pasi vitin e ardhshëm bëhen 50 vjet që u themelua klubi i hendbollit i këtij fshati”, u tha nga banorët.

Lëshimin e palestrës në funksion të zhvillimit të aktiviteteve sportive e vlerësuan edhe nga Federata e Hendbollit të Kosovës duke e cilësuar si një objekt modern sporti me standarde evropiane.

Samadrexha është një fshat që ka traditë në sporti që në kohën e ish-Jugosllavisë, kur në ligën e parë të federatës ka garuar klubi i hendbollit, ndërsa tani vajzat e Samadrexhës janë shpallur kampion i Kosovës. / KultPlus.com

Dumoshi: MKRS-ja ka paraparë 20 mijë euro për Kalanë e Harilaqit

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, i shoqëruar nga zëvendësministri Halil Matoshi, vizituan Komunën e Fushë Kosovës, për të inspektuar investimet që MKRS-ja po bën në këtë komunë.

Ministrja Dumoshi e zëvendësi Matoshi u pritën në Komunë nga kryetari i Fushë Kosovës, Burim Berisha, me të cilin diskutuan për projektet në të cilat merr pjesë ministria, për mbarëvajtjen e tyre dhe për shqetësimet tjera më të cilët ballafaqohen qytetarët e kësaj zone, e që ndërlidhën me resorët që mbulon MKRS-ja.

Drejtuesit e ministrisë dhe të komunës inspektuan vendin në të cilin pritet të ndërtohet palestra e sportit, afër Pishave të Sllatinës. Afër këtij vendi është duke u ndërtuar edhe objekti i Muzeut të Historisë së Natyrës, investim i MKRS-së.

“MKRS-ja investon në çdo komunë, siç është duke investuar edhe në Komunën e Fushë Kosovës. E kemi palestrën sportive, projekt në të cilin së shpejti do të fillohet me punime. Në pjesën e kulturës e kemi Muzeun e Historisë së Natyrës i cili është duke u ndërtuar në territorin e komunës së Fushë Kosovës. Në kuadër të këtyre projekteve, është ideja që ai vend ku janë duke u bërë këto investime të shndërrohet në një kompleks, ku pritet të integrohen edhe fushat me bari sintetik dhe fushat e tenisit, për të cilin e sigurova kryetarin Berisha për të bashkëpunuar në këtë drejtim”, tha mes tjerash ministrja.

Ministrja përmendi se kanë diskutuar edhe për mbështetjen e rinisë së Fushë Kosovës dhe projektet në trashëgimi, ku veçoi Kalanë e Harilaqit duke treguar se MKRS-ja ka paraparë 20 mijë euro për këtë vit.

Ndërsa kryetari Berisha e falënderoi ministren. Ai tha se ishte një takim i frytshëm ku u diskutuan projekte që janë në interes të qytetarëve të Komunës së Fushë Kosovës, gjë për të cilën investimet e MKRS-së janë të mirëseardhura.

Mst. Inspektimi i punimeve në Muzeun e Historisë së Natyrës

Ministrja Dumoshi në kuadër të vizitës në Fushë Kosovë, inspektoi edhe punimet që janë duke u zhvilluar në projektin e Muzeut të Historisë së Natyrës tek Pishat e Sllatinës, projekt i cili tërësisht është investim i MKRS-së dhe kap vlerën e mbi 2 milion eurove.

Duke folur për mbarëvajtjen e punës në ndërtimin e Muzeut të Historisë së Natyrës, ministrja foli për fazën në të cilën ndodhen punimet. Sipas ministres Dumoshi, për shkak të pandemisë, punimet në këtë projekt të ministrisë, janë zhvilluar me një dinamikë të redukutar.

“Bisedova me inxhinierin dhe presim një raport që do të vij për fazën ku ndodhen saktësisht punimet edhe sipas projektit me të gjithë specifikat e statikës e detaje tjera për të parë pengesat eventuale. E rëndësishme është që punimet janë duke vazhduar, është duke e ndërtuar etazha e dytë e objektit ngase Muzeu i Historisë së Natyrës është një objekt i cili në vete përmban tri ndërtesa por shpresoj që në tërësi objekti do të finalizohet në afatet e parapara optimale”, sqaroi ministrja.

Ministrja Dumoshi foli po ashtu edhe për ndërprerjen e investimeve kapitale nga ana e qeverisë për shkak të pandemisë dhe se kjo është një hendikep për veti, porse prioritetet qeveritare kanë bërë që shumë nga projektet që ka pasur në plan MKRS-ja të shtyhen për vitin e ardhshëm. / KultPlus.com