Baleti Kombëtar i Kosovë me katër shfaqje për muajin mars

Baleti Kombëtar i Kosovës do t’i shfaq katër shfaqje gjatë muajit mars, shkruan KultPlus.com

Siç duket Baleti Kombëtar i Kosovës edhe muajin mars do të ketë një aktivitet të konsiderueshëm. Ky institucion përmes një postimi në Facebook, Baleti Kombëtar i Kosovës ka publikuar shfaqjet dhe oraret e tyre, të cilat janë si vijon:

05.03.2020 – Shfaqja “Pushimi i Kalorësve”
Koreografia: Natalia Osipova
Premiera

06.03.2020 – Shfaqja “Pushimi i Kalorësve”
Koreografia: Natalia Osipova
Repriza e parë

12.03.2020 – Shfaqja “Pushimi i Kalorësve”
Koreografia: Natalia Osipova

26.03.2020 – Shfaqja “Exil”
Koreografia: Eno Peçi

/KultPlus.com

Nën koreografinë e Osipovas do të shfaqet premiera “Pushimi i kalorësve”

Bujar Meholli

Baleti Kombëtar i Kosovës do të jep javën e ardhshme premierën e shfaqjes “Pushimi i kalorësve” nën koreografinë e ruses Natalia Osipova, shkruan KultPlus.

Provat për këtë premierë kanë filluar me datën 12 shkurt, ndërsa premiera do të shfaqet javën e ardhshme me datën 5 mars.

Koreografja Osipova për KultPlusin ka shpalosur subjektin e kësaj shfaqje. Ajo shprehet e lumtur për ftesën që është bërë teksa thekson se bashkëpunimi me balerinët kosovarë është mjaft i frytshëm.

“Është shfaqja e tretë në Kosovë, dhe më pëlqen shumë të punoj me këtë ekip për ta shfaqur baletin klasik dhe neomodern, dhe për t’u kthyer te viti 1860 me një kombinim të baletit klasik dhe neoklasik”, thotë ajo.

“Historia është komedi, personazhet janë kalorës që rrinë në një pyll të një fshati austro-hungarez dhe në atë pushim që bëjnë ka plot pasazhe komike që ndodhin gjatë shfaqjes pasi që kalorësia ndalon aty për t’u pushtuar më pas nga dashuria e vashave të atij vendi”, tregon koregrafja.

“Historia zhvillohet në një fshat të Austro-Hungarisë së asaj kohe, meqë jam në Kosovë kam dëshirë të bëjë lëvizje folklorike dhe t’i përshtatem karakterit tuaj.”

E pyetur nëse do të vinte përsëri në Kosovë ajo shprehet se “nëse më ftojnë prapë do të vijë me shumë kënaqësi, sepse ky ekip ka potencial që të bëjë krijime të tilla”, thekson ajo.

“Në secilin vend nuk janë ekipet e njëjta dhe secili balerinë dallon nga tjetri, edhe këtu janë balerinët e talentuar dhe ka secili personalitetin e vet, andaj unë përpiqem që ta shfrytëzojë secilin personalitet të secilit artist”.

Andaj, “Buzëqeshni më shumë”, përfundoi koreografja Osipova.

Kreshnik Musolli, ushtrues i detyrës së drejtorit të BKK-së për KultPlus, tregon detajet e kësaj shfaqjeje, e cila njëherit është para për vitin 2020.

“Provat kanë filluar me 12 shkurt dhe kemi pasur vetëm 3 javë kohë që është rekord sepse zakonisht ne e kemi një muaj si kohë standarde për t’u përgatitur. Premiera do të jetë të enjten si zakonisht, është një proces pune intensiv që po vazhdon”, thekson ai.

“Sot kemi dalë në provat e para për vendosjen në hapësirë, pastaj vjen dekori në mënyrë që mos të jetë diçka statike”.

Musolli tutje tregon interesimin për dy shfaqjet e kaluara derisa për shfaqjen e radhës pret interesim edhe më të madh nga publiku.

“Është premiera e tretë që e realizojmë, dy të parat që i kemi realizuar janë kërkuar shumë nga publiku. Kjo shfaqje zgjat 51 minuta dhe e sjell një frymë të re tek ne, sepse kemi pasur shfaqje më serioze, kurse kjo sjell humor dhe besoj që do të ketë sukses të madh”, shprehet Musolli.

“Premiera e radhës do të jetë më 14 maj me Blenard Azizajn që vepron në Berlin, ai do të sjellë një shfaqje moderne, kurse ne do të bashkëpunojmë për herë të parë me të, e po ashtu do të vazhdojmë në nëntor me premierën e fundit me koreografin turk Mehmet Balkan”, bën me dije ai.

Interesimi për shfaqjen “Pushimi i kalorësve” pritet të jetë mjaft i madh. /KultPlus.com

Eno Peçi një ditë para premierës, i fascinuar me profesionalizmin e balerinëve, i tmerruar me kushtet ku punojnë

Bujar Meholli

Premiera e shfaqjes së balerinit dhe koreografit të njohur Eno Peçi “Exil” do të shpaloset nesër, dhe për të folur rreth saj sot është mbajtur një konferencë për medie në ambientet e Teatrit Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Situata socio-ekonomike në vendin tonë është mjaft e rënduar dhe kohët e fundit kemi qenë dëshmitarë të braktisjeve të mëdha të vendit, kryesisht nga të rinjtë, dhe me synimin e njëjtë, një perspektivë në vendet tjera.

Dukuritë negative u kanë shërbyer artistëve për t’i përdorur në veprat e tyre artistike, në mënyrë që t’i sensibilizojnë njerëzit që të përballen me problemet deri në zgjidhjen e tyre.

Në skenën e Teatrit Kombëtar së fundmi ka zbarkuar balerini dhe koreografi i njohur nga Shqipëria Eno Peçi i cili ka kohë që jeton dhe vepron në Vjenë, ndërsa lëviz nëpër teatrot më të njohura botërore me shfaqjet e tij.

Qëndrimi në Kosovë për të është eksperiencë e veçantë, sikurse edhe për balerinët të cilët kanë pasur rastin të mësojnë dhe të bashkëpunojnë me të.

Në konferencën e sotme përveç Peçit ishin prezent edhe tre balerinë të cilët folën para audiencës për shfaqjen dhe bashkëpunimin me koreografin Peçi.

Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të BKK-së Kreshnik Musolli hapi konferencën duke dhënë disa detaje për shfaqjen, teksa falënderoi bashkëpunëtorët për realizimin e “Exilit”. Pastaj prezantoi autorin Peçi, i cili e tregoi në pika të shkurtra historinë e shfaqjes.

“Shfaqja quhet ‘Exil’, dhe historia bazohet në vitet ’97 dhe ‘98 në ngjarjet që kanë ndodhur në Shqipëri. Por kjo nuk është autobiografia ime.

Janë dy familje të ndryshme me probleme për shkak të situatës socio-politike, janë shqetësimet dhe përpjekjet për t’i dërguar fëmijët diku tjetër ku kanë një të ardhme më të mirë” shpjegoi ai.

“Bashkëpunimi me balerinët kosovarë ka qenë fantastik, për ftesën që më bëri Teatri unë zgjodha “Exilin” sepse është diçka që u përket të gjithë shqiptarëve anembanë botës, pavarësisht se unë për bazë kam marrë vitet ’97 dhe ‘98, periudha kur kam lënë Shqipërinë. Prandaj mendova se kjo pjesë do t’i përshtatet shumë Baletit të Kosovës”, tha ai.

Duke folur për kualitetin e shfaqjes, ai u shpreh se kanë punuar aq shumë, saqë s’mund të merret me mend.

“Kemi punuar nga mëngjesi në darkë duke bërë një punë të jashtëzakonshme dhe të përkushtuar. Unë lëviz nëpër shumë teatro nëpër botë, por jam mahnitur nga puna e këtyre balerinëve dhe nga ky proces ata kanë arritur një kualitet që krahasohet padiskutim me teatrot tjera të botës dhe me kënaqësi do të merrja edhe një ofertë tjetër për të bashkëpunuar me këta balerinë”, tha ai.

I pyetur për kushtet në të cilat kanë bërë prova dhe kanë punuar, ai shprehu indinjatën e tij.

“Kushtet janë të mjerueshme, dhe është vështirë të punohet kështu. Si balerinë ne duhet të ushtrohemi gjatë tërë ditës, e kemi procesin e punës sonë që është mjaft i komplikuar dhe kushtet e mira janë të domosdoshme për një balerin”, potencoi ai, duke marrë shembull një rast kur balerinët ishin veshur me xhupa për shkak të ftohtit të madh që mbretëronte në Teatër.

“Në ditën e parë të provave pashë gjithë balerinët me xhupa, ata po rrinin ashtu derisa e mora vesh që ishte akull ftohtë dhe uji që rridhte në bodrumin e Teatrit s’e lejonte të hapej sistemin e ngrohjes. Këto kushte më befasuan dhe më erdhi keq për balerinët që s’mund t’i kryenin punët që kishin ndërmend”, u shpreh ai.

Megjithatë, provat për shfaqjen kanë shkuar mirë dhe prezenca e Peçit ka ndikuar mirë tek balerinët të cilët u shprehën të ngazëllyer për rastin që të bashkëpunojnë me të.

Balerini Mehmet Bikliqi tregoi përvojat e tij duke e quajtur eksperiencën e jashtëzakonshme.

“Ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme edhe nga ana teknike edhe nga ana artistike, faktikisht ne kemi punuar me këto stile dhe mënyra e shpjegimit të Enos nuk ka qenë vetëm koreografi por edhe shkollë për neve që e kemi përfituar gjatë këtij procesi. Eno ka dhënë më shumë sesa e ka pasur për detyrë. Stili i tij ka disa specifika të cilat ai i ka shpjeguar me një gatishmëri të lartë, edhe si janë edhe si duhet t’i bëjmë këto stile.”

Ka qenë gjithçka për neve, shkollë dhe shfaqje, Eno na ka involvuar në konceptin e kësaj shfaqjeje dhe i gjithë ekipi këto ditë është duke jetuar me shfaqjen” u shpreh Bikliqi.

Edhe balerini tjetër Fatmir Smani u shpreh i kënaqur me përfshirjen në këtë shfaqje.

“Sot e kësaj dite shqiptarët shohin mundësinë për të ikë jashtë vendit, andaj e kemi pasur të lehtë të futemi në shfaqje, sepse e kemi ndjerë atë sikurse dhe ndjenjën e një të riu që i duhet të ikë jashtë. Eno ka qenë transparent dhe puna ka shkuar në përgjithësi mirë. Kemi punuar shumë që të dalim sa më mirë para publikut”, potencoi Smani.

Edhe balerini Sead Vuniçi potencoi se puna me Enon ka shkuar mirë dhe se ata kanë mësuar shumë prej tij për t’u ngritur në karrierën e tyre profesionale.

Shfaqja do të mbahet nesër dhe pritet të ketë interesim të madh nga publiku për shkak të tematikës sociale dhe aktuale për kohën tonë, megjithëse ngjarja për bazë ka vitet e shkuara. /KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës shfaq premierën e katërt për vitin 2019

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës, të enjten e 5 dhjetorit, shfaqet premiera e katërt e Baletit Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Shfaqja ”Exil” është shfaqja e katërt premierë për vitin 2019, e cila është realizuar nën koreografinë dhe konceptin e Eno Peçit.

Ndërkaq, përveç premierës, artdashësit kanë mundësi që reprizen e shfaqjes ta shohin edhe të premten me 6 dhjetor. / KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës me shfaqjen “Pristine Conditions”, kushtuar natyrës së Prishtinës

Baleti është ajo gjini artistike e cila i shpreh ndjesitë e saj përmes lëvizjeve te shoqëruara me muzikë, shfaqje skeniko-muzikore e trupës vallëzuese.

Baleti Kombëtar i Kosovës, mbrëmë në skenën e Teatrit Kombëtar, erdhi me një performancë të shkëlqyer kushtuar qytetit të Prishtinës, shkruan KultPlus.

Prishtina, sipas etimologjisë, lidhet me ”Pranverën (ujin)”, si dicka që duhet të jetë e pastër, e paprishur dhe e freskët, dukë bëtë ështu që ema kyqe e kësaj shfaqjeje të mbrëmshme të jetë ”Save the nature, save the future”.

Një performancë që për bazë kishtë ruajtjen e natyrës, ku përmes vallëzimit të jashtëzakonshëm të trupës së Balëtit, shaqej revolta e shqetësimi për natyrën e për kujdesin ndaj saj, duke bërë kështu që edhe publiku i mbrëmshëm të ndahet shumë i kënaqur dhe të emocionuar nga ajo që panë.

Kjo shfaqje u realizua në kuadër të programit të edicionit të dytë të Javës së Kosovës për Zhvillimit të Qëndrueshëm që po zhvillohet nga 16-22 shtator 2019.

KSDë’19 organizohet nga Qeveria e Kosovës, gjegjësisht Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, në bashkëpunim me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë / Përfaqësuesen Speciale të BE-së, Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH) në emër të Qeverisë Gjermane, Balkan Green Foundation (BGF) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP)./KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës sjell shfaqjen “Pristine Conditions”

Baleti Kombëtar i Kosovës po sjell shfaqjen “Pristine Conditions” me koreografi nga Arthur Kuggeleyn, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje realizohet në kuadër të programit të edicionit të dytë të Javës së Kosovës për Zhvillimit të Qëndrueshëm që po zhvillohet nga 16-22 shtator 2019.

KSDW’19 organizohet nga Qeveria e Kosovës, gjegjësisht Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, në bashkëpunim me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë / Përfaqësuesen Speciale të BE-së, Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH) në emër të Qeverisë Gjermane, Balkan Green Foundation (BGF) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP).

Premiera e shfaqjes vjen më datë 19 shtator në ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës.  /KultPlus.com

“O moj Shqipëri” shënon 20-të vjetorin e Çlirimit të Kosovës

Koreografi Pëllumb Agalliu është kthyer nga Azerbejxhani në Teatrin Kombëar për të shënuar 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës me shfaqjen e baletit “O moj Shqipëri”, shkruan  KultPlus.

Agalliu, tematikën e kësaj shfaqjeje e ka ndarë në tri faza, si simbolikë e periudhave në të cilat ka kaluar populli shqiptar, e premierës së natës së sotme i ka paraprirë një konferencë për medie, në të cilën Pëllumb Agalliu ka sqaruar për publikun motivet e kësaj shfaqjeje, me ç’rast ka thënë që titulli vjen i rimodeluar nga poema e famshme e Pashko Vasës, si dhe tematikën që trajton Sami Frashëri në veprën monumentale “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”.

Kritikët dhe miqtë e kompozitorit kanë treguar se Agalliu e ka kombinuar kulturën e pasur të letrave shqipe me simfoninë e IX të gjeniut të muzikës klasike Ludwig van Beethoven duke simbolizuar artistikisht sulmet ajrore të NATO-s, të cilat i dhanë fund luftës që kishte qëllim spastrimin etnik të kosovarëve.

Pas ndarjes tripjesëshe të kësaj shfaqjeje fshihet një mesazh tejet i fuqishëm dhe i mbushur, si me emocion ashtu edhe me filozofi.

Ashtu siç kishte bërë Sami Frashëri para tij, Agalliu e ndanë Shqipërinë në: Shqipëria e bashkuar, Shqipëria e ndarë dhe Shqipëria e çliruar nga miqtë euroatlantikë.

I pyetur nga KultPlus për finalizimin e shfaqjes ai u shpreh shumë i kënaqur, si gjatë provave gjenerale ashtu eshe gjatë performancës së belerinëve. Përmes buzëqeshjeve dhe lëvizjeve të koordinuara ata ju ftojnë në dramën e tyre për t’iu treguar përmes lëvizjeve historinë se si u çlirua Kosova. Efektet dramatike, tymi, veshjet dhe mimikat e balerinëve rrisin emocionin dhe na rikthejnë prapë në kohën e luftës. Perveç tjerash shfaqja shoqërohet nga poezia ‘O moj Shqipni’ nga Pashko Vasa Rikujtojmë gjithashtu se premiera e natës së sotme, performuar nga Trupa e Baletit të Kosovës do të shfaqet edhe me rastin e festimeve për 20-vjetorin e Çlirimit të Kosovës, si kërkesë e veçantë e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Përveç kësaj shfaqjeje, shfaqjet më të famshme të Agalliut janë: ‘Carmen’, ‘E bardha, e zeza’, ‘Diplomatët’ e shumë të tjera./Rrona Jaka/KultPlus.com

“Pristine Conditions” me koreografi të Arthur Kuggeleny do të prezantohet nesër me premierë

“Pristine Conditions” me koreografi të  Arthur Kuggeleny do të prezantohet nesër me premierë

Arthur Kuggeleny nesër do të prezantojë punën e tij koreografike që e ka realizuar tash e sa kohë brenda Baletit Kombëtar të Kosovës e për audiencën kosovare do të vjen premierë nëpërmjet shfaqjes “Pristine Conditions”.

Është hera e tretë që koreografi Arthur Kuggeleny po vjen me punën e tij në Kosovë, mirëpo shfaqja e tij e fundit po shënon premierën e dytë për këtë sezon në kuadër të këtij institucioni kulturor.

“Jam shumë i emocionuar, mezi po pres të shoh reagimet e publikut nga kjo shfaqje”, ka thënë Arthur Kuggeleny, i cili tha që ndjehet i lumtur për rikthimin e tij në Prishtinë, tash e tri herë. Ai ka thënë se nëpërmjet kësaj shfaqje ai do të sjellë një ndjenjë ndryshe dhe ka shprehur dëshirën që këtë shfaqje ta shohin sa më shumë njerëz.

Në anën tjetër, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi ka thënë se me këtë premierë do të prezantohen në mënyrën më të mirë.

“Kjo është premiera e dytë për vitin 2019, jam i bindur që nesër para publikut do të dalim në mënyrën më të mirë të mundshme” tha Kajtazi.

Ai po ashtu shtoi që Arthur është një koreograf i njohur evropian dhe se që nga 1 prilli është duke u përgatiture për këtë shfaqje.

“Arthuri është një koreograf i njohur evropian, ne jemi me fat qe kemi punuar me të, jam shumë i bindur që nesër do të prezantohemi me një shfaqje të re” u shpreh ai.

E balerini Kreshnik Musolli tha që për të ka qenë një përvojë e mirë pjesëmarrja në këtë shfaqje.

“Ka qenë përvojë e mirë sepse është stil i veçantë i tij dhe jo gjithçka është e përgatitur paraprakisht”, ka thënë Musolli, duke shpjeguar se çdo ditë kanë zbuluar diçka të re me këtë koreograf, duke nisë nga lëvizjet e vogla për ti shndërruar më pas si pjesë të rëndësishme të projektit.

Kjo premierë shfaqet të enjten, në ora 20:00, kurse reprizat e kësaj shfaqje do të jenë në kuadër të Baletit Kombëtar të Kosovës. / Gzim Mujaj/ KultPlus.com

Koha e humbur në mënyrë të gabuar, mesazhi i fuqishëm brenda shfaqjes “Andërr”

Jeta Zymberi

Koha, kjo monedhë e çmuar e jetës suaj, është e vetja që ju e keni në dorë dhe jeni ju ata të cilët mund të vendosni se si do ta shpenzoni. Pikërisht, kjo çështje e kohës që sot është problemi kryesor i secilit prej nesh, do të vijë e shtrirë në një dimension tjetër, shkruan KultPlus.

Është shfaqja “Andërr” që përmes Trupës së Baletit, do të shpalosë në mënyrë artistike rëndësinë e kohës duke dashur kështu të përcjellë një mesazh të fuqishëm, që koha e kaluar me njerëzit e dashur është më e çmuar se koha e humbur pas punës dhe materialit.

“Andërr” njëkohësisht është shfaqja e parë për këtë vit që do të ngjisë në skenë Trupën e Baletit Kombëtar të Kosovës, ndërsa do të sjellë balerinin Kreshnik Musolli në rolin e koreografit, rol ky me të cilin Kreshniku po e sfidon vetën për herë të parë.

Në një konferencë për media të mbajtur sot në Teatrin Kombëtar të Kosovës, balerini Sinan Kajtazi i cili tashmë është edhe në rolin e ushtruesit të detyrës së drejtorit, bëri hapjen e konferencës ku u shpreh i lumtur për punën që është bërë për këtë shfaqje duke uruar koreografin për angazhimin e tij dhe gjithë trupën e baletit.

Por për të folur për këtë shfaqje e cila pritet të vijë premierë nesër, fjalën e mori koreografi Kreshnik Musolli, i cili tregoi se kjo shfaqje vjen me risi sa i përket muzikës dhe lojës sepse në këtë shfaqje përfshihet muzika hip hop që për këtë institucion është diçka e re.

“Kjo shfaqje si temë kryesore ka kohën, në kuptimin që asnjë njëri nuk mund ta ndal, ta kontrollojë ose ta kthejë, e më së shumti që sot nuk po vlerësohet sa duhet koha. Ky është një realitet i hidhur, ku njeriu po duhet t’i mbajë dy apo tri puna për me arrit mi realizu kërkesat elementare jetësore dhe kjo është arsyeja që ja merr e gjithë kohën dhe nuk arrin të shpenzojë kohë me familje dhe njerëz të tjerë përreth”, është shprehur koreografi.

Në shfaqje prezantohet një komunitet që jetojnë në një lagje më të varfër dhe pjesë e asaj lagje janë Seadi dhe Aulona një çift të cilët i simbolizon dashuria magjike për njëri tjetrin, e të cilën dashuri mund ta quajmë edhe Andërr, prandaj edhe shfaqja mban këtë titull dhe në të njëjtën kohë kjo lidhet edhe me anën tjetër të shfaqjes, me lakminë që Seadi ka ndaj Sinanit, një djalë i cili ka një bandë dhe jetojnë në një botë të kundërt me këtë që e përshkruam më herët, ata kanë pasuri, autoritet, pushtet e gjithçka tjetër dhe kjo e shtynë Seadin të lakmojë që të jetë si ta. Por pikërisht kjo lakmi bënë që të rrënohet dashuria e Seadit dhe Aulonës.

Kjo shfaqje shpalosë më shumë aspektin psikologjik që ndodhë në trurin e njërit prej protagonistëve të shfaqjes, Seadit, por krejt kjo është e shprehur në mënyrë figurative dhe mbetet prej publikut që ta kuptojë.

“Një prej skenave që do ta veçojë është skena e quajtur “Karatina” që është bazuar në sallën tonë të Baletit Kombëtar të Kosovës që veç sallë nuk mund t’i themi, është një bodrum që nuk i ka as kushtet elementare për me qëndru as 5 minuta në të e le më të ushtrohet aktivitet fizik. Përmes kësaj pjesë të shfaqje, njëkohësisht paraqitet edhe gjendja e mjerueshme e këtij shteti, si ndotja e ajrit, izolimi e shumë probleme të tjera.”, është shprehut tutje koreografi Musolli.

Kjo shfaqje që zgjatë 55 minuta, në mesin e balerinëve ka edhe Aulonë Nuhiun e cila sot ishte e pranishme në konferencë. Balerina u shpreh që ishte një kënaqësi e madhe të punojë me koreografin Kreshnik Musolli.

“Gjatë këtij një muaji prova, gjithçka ka shkuar shumë mirë dhe koreografi është munduar që secilin rol ta përshtatë me balerinin. Ky rol është shumë i rëndësishëm për mua dhe kjo shfaqje ka një mesazh shumë të mirë për publikun, që secili të shfrytëzojë kohën me njerëzit që i ka afër dhe i do e jo të vrapojë pas gjërave të tjera dhe besoj që gjithë publiku në fund të shfaqjes do të kuptojë këtë mesazh”, u shpreh Nuhiu.

Ndërsa Sead Vuniqi pohoi që ngjarja e kësaj shfaqje i ka bërë të gjithë të reflektojnë.

“Kjo shfaqje po ta kujton që familjen dhe njerëzit e dashur shpesh i lëmë anash prej punëve e obligimeve të përditshme dhe shpresoj që kjo shfaqje të ndikojë te publiku që të kuptojë që nuk është gjithçka vetëm puna”, tha Vuniqi.

Gjithashtu edhe balerinët Muhamet Bikliqi dhe Jeta Musolli u shprehën të kënaqur me gjithë procesin e punës dhe të bindur që kjo shfaqje do të përcjellë tek publiku një mesazh shumë të rëndësishëm.

Premiera e shfaqjes “Andërr” vjen nesër, më 14 shkurt në ora 20:00. / KultPlus.com

Televizioni i famshëm gjerman me dokumentar për Baletin Kombëtar të Kosovës

Televizioni i famshëm gjermano-francez “ARTE” i ka bërë një dokumentar interesant Baletit Kombëtar të Kosovës.

Televizioni filloi rrëfimin duke treguar se balerinët përmes artit të tyre duan të inkurajojnë bashkatdhetarët e tyre që të qëndrojnë në Kosovës, vend ky që në dokumentar përshkruhet si vend i varfër, transmeton gazetametro.net.

Në dokumentarin shihet balerina Teuta Krasniqi, i cili rrëfen se si kolegu i saj Sinan Kajtazi, poashtu balerin në Baletin Kombëtar të Kosovës, ka bërë kompozimin dhe koreografinë e një shfaqje.

Tutje në dokumentar tregon se si Teuta dhe artistët e tjerë ushtrojnë në bodrumin e teatrit në kryeqytetin e Prishtinës, në një dhomë që është shumë e vogël për 20 kërcimtarë – dhe për ëndrrat e tyre të mëdha.

“28-vjeçarja Teuta konsiderohet balerina më e mirë në Kosovë, por ajo nuk e di se sa kohë do të jetojë atje. Edhe pse ajo është një balerinë e parë në Baletin Kombëtar, ajo nuk mund të përballojë banesën e saj dhe ende jeton me prindërit e saj. Luljeta Ademir, e cila ka qënë në ansambël për 17 vjet, u jep mësime baletit fëmijëve që të arrijnë fundin. Sinan Kajtazi dëshiron të tërheqë vëmendjen për gjendjen e valltarëve të Baletit Kombëtar me punën e tij të fundit. Megjithë kushtet e vështira, paga të dobëta dhe perspektiva mezi të disponueshme, artistët e konsiderojnë atë një nder të veçantë për të qenë pjesë e Baletit Kombëtar. Përmes artit të tyre, ata gjithashtu dëshirojnë të përhapin besim dhe t’i bëjnë bashkatdhetarët e tyre të ndjehen të vlefshëm për të qëndruar në vendin e tyre të varfër dhe për të qenë krijues”./ KultPlus.com

Haradinaj: Qeveria e vendit do t’i kushtojë vëmendjen e merituar baletit

Baleti Kombëtar i Kosovë është  duke u ballafaquar me vështirësi tash e sa kohë, por që kërkesa e tyre thelbësore mbetet krijimi i sallë së baletit, shkruan KultPlus.

Për të biseduar rreth mundësive më të mira për zhvillimin e punës, Bordi Drejtues i Baletit Kombëtar të Kosovës është pritur sot në takim nga kryeministri Ramush Haradinaj.

Gjatë  këtij takimi ata kanë biseduar rreth mundësive përmes të cilave ky art do të ngrihet në këmbë më fuqishëm dhe vlerat e tij do t’i tregojë  jo vetëm në Kosovë por edhe në rrafshin ndërkombëtar, ashtu siç kanë bërë  gjithmonë.

Kryeministri Haradinaj ka premtuar që qeveria e vendit, do t’i kushtojë vëmendjen e merituar këtij institucioni.

“Baleti Kombëtar i Kosovës është pjesë e identitetit tonë kulturor dhe në historinë e tij gjysmëshekullore ka arritur suksese impresive edhe në arenën ndërkombëtare. Me përfaqësuesit e Bordit Drejtues të Baletit Kombëtar të Kosovës, biseduam për mundësitë e ngritjes së mëtejme të këtij arti, si një nga parametrat e vlefshëm të Kosovës në botë. Qeveria e vendit, do t’i kushtojë vëmendjen e merituar këtij institucioni, që baleti ynë të vazhdojë punën e tij sipas dinamikave të parapara.”, ka shkruar Haradinaj në  Facebook. / KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës do të sjellë një version të veçantë të “Le corsaire”

Gili Hoxhaj

Baleti Kombëtar i Kosovës këtë javë do të shënojë edhe hapjen e sezonit me premierën e shfaqjes “Le corsaire”. Kjo shfaqje në tri akte, koreografinë e të cilës e kishte bërë Joseph Mazilier me muzikë të Adolphe Adam, fillimisht u prezantua nga balerinët e Théâtre Impérial de l’Opéra në Paris në janar të vitit 1856.

Kjo shfaqje e balerinëve kosovarë, shënon edhe shfaqjen e tretë për këtë vit të punuar nga kjo trupë. Koreografi Israel Rodriguez që nga fundi i muajit gusht është duk qëndruar në Prishtinë për të sjellë për publikun prishtinas një version me të veçantë të kësaj shfaqje, e cila do të shoqërohet me muzikë të Adolphe Adam dhe Ricardo Drigo.

“Jam duke bërë një adaptim me ndryshe dhe më të veçantë të kësaj vepre që zgjatë më shumë se tri akte, jam duke u përpjekur që ta sjellë një fund me ndryshe për Baletin Kombëtar të Kosovës, sipas Marius Petipa i cili e vuri në skenë në një mënyrë më modern në shekullin e 19-të”, tregoi Rodriguez për KultPlus.

Ai thotë se arsyeja përse e ka shtyrë drejt një version më të veçantë është për ta bërë këtë version më të adaptueshëm për trupën e baletit, dhe pasi që storja origjinale tashmë është dëgjuar dhe duke qenë paksa e komplikuar, ai shpreson që version i tij do t’i sjellë edhe kënaqësi publikun.

Performanca “Le corsaire” shënon bashkëpunimin e katërt me radhë të Rodriguez me Baletin Kombëtar të Kosovës. Koregrafi Rodriguez thotë se ky bashkëpunim, tashmë e ka bërë edhe më të lehtë gjithë procesin e punës. Ai thotë se është i impresionuar se përkundër problemeve financiare me të cilat po përballën balerinët kosovarë, ata janë të mbushur plot vullnet gjatë procesit të tyre të punës.

“Thjeshtësia që drejtori Ahmet Brahimaj dhe balerinët kanë në raport me mua, më bën më të vërtetë shumë të lumtur. Gjithmonë mundohem të përgatitem që t’ua jap më të mirën nga vetja ndërsa tanimë që e njohim njëri-tjetrin më mirë gjërat janë shumë më të lehta. Kësaj radhe po e shoh që po përballen me probleme financiare dhe pavarësisht kësaj secili e bën punën e vet me shumë përkushtim për të nxjerrë diçka të veçantë. Do të doja që të kenë më shumë përkrahje”, ka thënë në fund koreografi Rodriguez.

Pas një punë intensive, koreografi i shfaqjes thotë se tashmë janë gati për t’i dhënë më të mirën publikut që do të zë vend në ulëset e sallës së Teatrit Kombëtar të Kosovës, ndërsa thotë se të gjithë ata që do të vijnë nuk do të zhgënjehen.

Baleti Kombëtar i Kosovës dy javë më parë është prezantuar në qytetin Ruse, Bullgari me shfaqjen “Xhuljeta pa Romeon” me koreografi nga Darrel Toulo.

Premiera e shfaqjes ‘Le Corsaire” vjen më 4 tetor, duke filluar nga ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës./ KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës shpalosi historinë e të pagjeturve në Bullgari (VIDEO)

Baleti Kombëtar i Kosovës sonte është prezantuar në qytetin Ruse, Bullgari me shfaqjen “Xhuljeta pa Romeon” me koreografi nga Darrel Toulo, shkruan KultPlus.com

Me koreografi të Darrel Toulon, shfaqja “Xhuljeta pa Romeon” është një homazh metaforik për personat e pagjetur që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë. Koreografi Toulon për koreografinë e kësaj shfaqje ishte inspiruar nga fotografitë e personave të pagjetur që ishin të varura në rrethojën e Kuvendit të Kosovës.

Kjo nuk është shfaqja e parë që koreografi nga Austria e punon me Trupën e Baletit të Kosovës. Në fakt, kjo shfaqje vjen si vazhdimësi e punës së tij, pas asaj “Your stories, my stories”, shfaqje të cilën e kishte përgatitur pasi kishte dëgjuar rrëfimet e balerinëve kosovarë për luftën e fundit në Kosovë.

“Zhulieta pa Romeon” është shfaqur edhe në festivalin “Internationale Bühneëerkstatt Tanztheaterfestival”, në Grac të Austrisë.

Shkuarja e Baletit Kombëtar të Kosovës në Bullgari ju kujtojmë se është bërë pa buxhet. Ahmet Brahimaj, drejtoi i BKK pati konfirmuar se institucioni që ai drejtor është nisur për në Bullgari pa mjete. Ai po ashtu pati potencuar se ka pritur që MKRS dhe thesari të alokonte të paktën mëditjet për stafin që u nevojiten gjatë qëndrimit në Bullgari, por një gjë e tillë nuk është bërë./ KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës sonte ‘pushton’ Bullgarinë

Baleti Kombëtar i Kosovës, sonte do të prezantohet në Festivalin e Baletit Klasik në Sveti Vlas – Bullgari, shkruan KultPlus.

Trupa e Baletit të Kosovës, këtë vit ka realizuar disa udhëtime nëpër festivale të ndryshme evropiane, ndërsa kësaj radhe në Bullgari prezantohen me shfaqjen “Giselle”, me koreografi të Sylvia Tomova./ KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës

Trupa e parë e Baletit të Kosovës u formua në vitin 1972. Valltarët e baletit nga ky brez u arsimuan në Shkollën e Mesme të Baletit në Shkup nën udhëheqjen e drejtorit Tatjana Petkovska. Njëzetepesë kërcimtarë nga Kosova u diplomuan nga shkolla – 19 meshkuj dhe 6 femra.

Pas përfundimit me sukses të shkollimit të tyre, shumica e kërcimtarëve u kthyen në Prishtinë. Baleti i Kosovës u formua në kuadër të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Anëtarët e parë të baletit ishin: Ahmet Brahimaj, Rrustem Selca Nikçi Elez, shqip Hoxha, Asma Mulla, Selajdin Kice, Gani Loshi Jonuz Beqiraj, Hysen Podrimçaku, Rustem Bajrami, Rrustem Metaj, Isa Bajraktari, Gani Shala, Skender Domniku, Shaban Shabanaj , dhe Enver Berisha. Abdurrahman Nokshiqi u emërua drejtor. Më vonë, 5 balerinë femra nga Shkupi u bashkua me trupën (Nexhmije Meha Selca, Sabrije Spahiu Shkreli), si dhe dy balerinë të Kosovës (Enver Elshani dhe Jashar Berisha).

Për shkak të mungesës së valltarëve të baletit, Baleti i Kosovës gëzonte shumë artistë të ftuar nga e gjithë bota, si Anglia: Vanda Ibra, Suzan Lejk dhe Xhoana Xhenkins; Poloni: Joana Andziak, Lidija Tomashevska dhe Ana Stavnjak; Rumani: Lilana Benudau; Beograd: Vjollca Curri dhe nga Filipinet: Marja Bertlan.

Rr. Nene Tereza,Prishtina
Republika e Kosovës

Email: [email protected]
http://www.baletikosoves.com/index.html
https://www.facebook.com/BaletiKombetariKosoves/

Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës mrekulloi parisienët (VIDEO)

Ishte teatri ‘Le Palace’ në Paris, i cili i mirëpriti balerinët nga Kosova, për 3 ditë radhazi, në datat 1, 2, dhe 3 qershor në skenën e tij, shkruan KultPlus.

Përgjatë këtyre tri ditëve Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës, dha tri herë shfaqjen “Recomposed”, duke mbushu kështu sallën përplot publik.

Trupa e Baletit të Kosovës, në Paris, u mirëprit edhe nga Ambasadori i Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi.


Shfaqja “Recomposed” u dha për herë të parë premierë në vitin 2016 edhe në skenën tonë, shfaqja është projekt i realizuar në mes të Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Ambasadës Franceze në Kosovë dhe është punuar me koreografi të francezëve Christophe Beranger dhe Jonathan Pranlas-Descours. Recomposed i referohet gjendjes aktuale të Kosovës, të ardhmes së saj, perceptimit të traditave, diçka që të gjithë kërcimtarët bashkëndajnë me kulturën kosovare.

Si një vepër politike, baleti portretizon dëshirat e shoqërisë kosovare në marshimin drejt lirive individuale universale, një proces kompleks por i pandalshëm. Ngjarja zhvillohet në kuadër të “vitit të përbashkët mes dy ambasadave”, të Kosovës në Francë dhe të Francës në Kosovë, dizajnuar me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së shtetit./ KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës së shpejti drejt Parisit

Salla mitike e Pallatit e vendosur në rrethin e 9-të të Parisit është duke u përgatitur për të mirëpritur në qershor për tre data të jashtëzakonshme valltarët e Baletit Kombëtar të Kosovës, si pjesë e vitit ndër-kulturor Francë-Kosovë, shkruan KultPlus.

Këshilli Ndërkombëtar i Vallëzimit (CID / UNESCO) ka lajmëruar për shfaqjet e Baletit Kombëtar të Kosovës në Paris në faqen speciale “Panorama” – ku publikohen ngjarjet më të rëndësishme të vallëzimit nëpër botë

Kosova është një vend që ka një histori e dhimbshme. Për të festuar dhe treguar këtë vend, valltarët e Baletit Kombëtar të Kosovës do të performojnë në skenën e Pallatit prej 1 deri në 3 qershor.

Balerinët do të sjellin shfaqjen e quajtur “Recomposed”, një shfaqje bashkëkohor me koreografi nga Christophe Béranger dhe Jonathan Pranlas-Descours. E projektuar për 20 interpretues, ka fonogramin Katër stinët e Vivaldit të rishkruar nga kompozitori Max Richter. Si një përfaqësim i historisë kosovare, tregimi tregon historinë e njëzet viteve të fundit të rindërtimit të një vendi nga gërmadhat. Një shfaqje prekëse që lëkundet midis së kaluarës dhe së ardhmes.

Baleti Kombëtar i Kosovës, një ambasador i shquar për artin dhe kulturën e Kosovës jashtë vendit, është duke u shfaqur për herë të parë në Paris më 1, 2 dhe 3 qershor 2018 në Teatrin Le Palace të famshëm të kryeqytetit.

Baleti Kombëtar i Kosovës u krijua në vitin 1972. Në vitin 1991, valltarët e baletit të Kosovës u detyruan të dilnin nga teatri. Në atë moment, baleti ndaloi të gjitha aktivitetet e tyre. Pas luftës, me ndihmën e disa kolegëve, Ahmet Brahimaj, drejtor aktual, hapi shkollën e parë të baletit, si pjesë e shkollës së mesme muzikore “Prenk Jakova”.
Në vitin 2001, pas shumë vitesh mungese, gjenerata e parë e Baletit të Kosovës u kthye në skenë, shoqëruar nga kërcimtarë të rinj të shkollës. Baleti Kombëtar ka shfaqur sukses në disa vende të botës, përfshirë Italinë, Zvicrën, Austrinë, Gjermaninë, Bullgarinë, IRJM-në dhe shumë të tjerë.

Baleti Kombëtar i Kosovës është anëtar i CID që nga janari i vitit 2014. Këshilli Ndërkombëtar i Vallëzimit është një organizatë joqeveritare e themeluar në vitin 1973 në selinë e UNESCO-s në Paris, ku është e bazuar.

Anëtarët e saj janë federatat më të shquara, shoqatat, shkollat, kompanitë dhe individët në mbi 170 vende./ KultPlus.com

Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës, mysafire në Rezidencën e Francës

Ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert, ka pritur në Rezidencën e Francës balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës.

Kjo vizitë i paraprin premierës së baletit “Carmen” që BKK e ka punuar së bashku më koreografen franceze, Natalia Osipova. Kjo shfaqje baleti numëron bashkëpunimin e dytë të koreografes Osipova me trupën e balerinëve kosovarë pasi që vitin e kaluar ata kanë sjellë në skenë shfaqjen “Vasha e Braktisur”.

Shfaqja “Carmen”, e kompozuar nga Georges Bizet, muzikën e të cilit do ta përdorë edhe Trupa e Baletit për premierën në Prishtinë, sjellë historinë e një ushtari në Spanjë i cili joshet nga ciganja Carmen. Në Prishtinë kjo histori dashurie vjen e rrethuar edhe nga dëshira për të qenë i lirë, një dëshirë kjo të cilën koreografja e ka hasur të kosovarët gjatë qëndrimit këtu.

Shfaqja “Carmen” vjen sonte premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, duke filluar nga ora 20:00. / KultPlus.com

Teuta Krasniqi solli hapat e shtetit të izoluar në dritën e shpresës (FOTO)

Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës, mbrëmë solli premierën e parë për këtë vit. Hapat dhe lëvizjet e balerinës Teuta Krasniqi, për dymbëdhjetë vite kanë ecur brenda skenës për t’u bërë përfaqësim i mesazheve të koreografeve vendas e të huaj. Kurse nga mbrëmë, emri i saj përfaqëson koreografen e parë grua që realizon një shfaqje të plotë. Fuqinë artistike me të cilën balerina Teuta Krasniqi është prezantuar në rreth dyzet premiera, duket sikur e kishte bartur në secilin hap të trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës.

Gili Hoxhaj
Fotografitë: Valerie Plesch

Dritat e skenës së Teatrit Kombëtar ishin tejet të zbehta, por përpjekjet e hapave edhe në këtë dritë ishin tejet të shpejtë e intensiv. Tërë kjo, për të sjellë izolimin e këtij vendi, me përpjekjet e njerëzve për të gjetur veten diku. Publiku, në të shumtën e rasteve e shijoi lojën e krejt trupës brenda skenës. Interaktiviteti i tyre me muret që u qëndrojnë prapa, e bëjnë këtë lojë edhe më sfiduese. Herë të vendosur prapa, e herë para tyre ata gjejnë përsëri vendin e tyre në skenë. Përveç mureve, që nënkuptonin lëvizjen e tyre jashtë këtij vendi, mesazhi i lojës së balerinëve shkonte përtej kësaj. Ishin muret e padukshme, ata që më së shumti i torturonin lëvizjet e tyre që ishin tejet të kufizuara. Për ta sjellë këtë përmes trupit të tyre, hapat e tyre herë niseshin para, e herë tërhiqeshin prapa, duke u kufizuar në të njëjtën hapësirë.

Kjo performancë me koreografi të Teuta Krasniqit, jo vetëm që dha një mesazh të qartë por nxorri edhe mjaft emocione nga publiku, kur ajo ngjitet në skenë për t’u rreshtuar në mesin e kolegëve të saj. Duartrokitjet e fuqishme ishin aprovimi më i fortë që Teuta Krasniqi vetëm se duhet të vazhdoj t’i sjellë performanca të tilla publikut prishtinas. Vet Teuta Krasniqi thotë se finalizimin e punës së saj në skenë, sonte e ka percjellur me emocione tejet të fuqishme, ndërsa shtoi se tërë kjo punë nuk do të ishte e realizueshme pa bashkëpunimin e kolegëve të saj, me të cilët ajo ka ndarë për 12 vite skenën e njëjtë.

“Tërë kohën kam pasur rrahje të forta të zemrës, aq shumë kam pasur emocione sa që nuk kam fjalë as t’i përshkruaj. Është një përgjegjësi shumë e madhe që po filloj si koreografe e para dhe për temën që e prek kjo shfaqje, është një temë aktuale dhe shumë sfiduese”, ka thënë Teuta Krasniqi për KultPlus.
Muzika vinte e bëhej tejet depërtuese, dhe së bashku me çdo hap dukej sikur godiste në një pjesë të rrugëtimi të një dekade pavarësi. Dëshpërimi i trajtave të ndryshme manifestohej në çdo vallëzim e lojë të balerinëve. Është një personazh që në mesin e lojës shfaqet me të zeza, e Teuta Krasniqi e kishte emërtuar si “Padrejtësi”, përmes të cilit kishte identifikuar faktorin kyç që injoron përpjekjet e mllefin e të tjerëve. Madje në një moment, ai ecën pranë trupave që kanë prekur tokën, derisa ata zgjohen e të bashkuar largojnë muret.

“Përmes personit të veshur me të zeza, kam dashur ta paraqes një faktor i cili ka ndikuar dhe ndikon në këto mure, kështu deri vonë nuk dihet kush është padrejtësia në mes, sepse gjithmonë është dikush në mesin tonë dhe në vendin tonë sepse nuk mundet me qenë jashtë. Ne në fund i kemi larguar të gjitha këto padrejtësi dhe jemi munduar që këtë ta shndërrojmë në një person të mirë dhe si dikush që punon me neve dhe na ndihmon neve t’i thejmë këto mure”, tregoi Teuta për KultPlus.

Muret e larguara, bëhen pjesë e një dere prej nga vjen një dritë, drejt së cilës largohen të gjithë. “Ne vazhdojmë tutje me shpresë”, ky është mesazhi i fundit që nxjerrë tërë kjo performance. Teuta Krasniqi tha për KultPlus se kjo dritë në fund të tunelit nënkupton shpresën, jetesën tonë të vazhdueshme në përballjen me muret, që përpiqemi t’i rrezojmë. “Shpresoj që dikush do të bëjë diçka për t’i thyer ato mure”, u shpreh Teuta.

Pavarësisht asaj që derës së hapur nuk i reziston askush, ajo thotë se kjo derë është derë e shpresës për të ikur dhe për t’u kthyer për t’i dhënë shumë më shumë këtij vendit. Ajo tutje tha për KultPlsu se vet jetesa në një vend të bllokuar, mund të jetë një nxitje për njerëzit për t’u larguar nga ky vend, ndërsa tha se liberalizimi i vizave nuk do të jetë arsye për njerëzit që ta lëshojnë vendin por do të jetë arsye që njerëzit të shkojnë jashtë vendit, të punojnë dhe të kenë hapësirë që të kthehen në vendin e tyre.

“Nëse të rinjtë që tani kanë shkuar jashtë, kthehen përsëri në këtë vend, ata përsëri do të ndihen të izoluar dhe kjo është arsyeja që i bën ata të mos kthehen këtu”, tha mes të tjerash balerina Teuta Krasniqi.

Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj tha e ky është një moment sa emocional,aq edhe prekës pasi që si trupë e baletit, kanë kaluar në shumë sfida për të arritur në këtë nivel që është sot, që një balerinë shumë e mirë sonte arriti ta përgatitë një shfaqje që po përcillet me shumë lavdata nga të tjerët. Drejtori Brahimaj tha se Teuta sonte ka arritur të sjellë një shfaqje me një koncept dhe të gjitha që i duhen një shfaqje të baletit modern, duke gërshetuar edhe një temë prekëse brenda saj. Megjithatë, drejtori i BKK-së tha se Teuta edhe pse dëshmoi që është e mirë si koreografe, ajo nuk do duhet të ndalet asnjëherë edhe në rolin e balerinës, pasi që, sipas tij, ajo është e shkëlqyer.

Aulona Nuhiu, e cila kishte një rol kyç në këtë shfaqje, tha se kjo shfaqje do të mbahet mend për shumë gjatë nga trupa e baletit. Ajo tha për KultPlus se kënaqësinë e dyfishtë ja sjellë puna me Teutën dhe fakti që nga Trupa e BKK-së po del edhe një koreografe. “Këto ditë të punës më Teutën kanë qenë të mrekullueshme dhe besoj që kemi sjellë një shfaqje mjaft e mirë me një mesazh mjaft të qartë”, tha balerina Aulonë Nuhiu.

Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës, krejt në fund solli ngjyrat festive me bluzat e dhjetëvjetorit të pavarësisë #Kosova10. Të gjithë ata që duan ta shohin këtë shfaqje, repriza e parë është sonte duke filluar prej orës 20:00./KultPlus.com


Trupa e Baletit të Kosovës gati për të thyer ‘Muret’

Alberina Haxhijaj

Trupa e Baletit të Kosovës tashmë ka bërë çdo gjë gati për të dhënë premierën e shfaqjes së tyre “Pa mure”. Shfaqja koreografinë e të cilës e ka realizuar Teuta Krasniqi do të jepet nesër mbrëma, në Teatrin Kombëtar të Kosovës duke filluar nga ora 20:00, shkruan KultPlus.

Balerina Teuta Krasniqi, e cila ka rreth dyzet premiera deri tani, kësaj radhe i ka caktuar vetës një detyrë më të vështirë. Ajo së bashku me Trupën e Baletit të Kosovës pjesë e të cilëve është edhe koreografja janë bashkuar për të sjellë në skenë shfaqjen “Pa mure”, shfaqje e cila ka ardhur si një retrospektive e përjetimeve të Kosovës të cilat kanë lënë gjurmë te Krasniqi. Kështu ajo gjithë emocionet e saj i ka kthyer në lëvizje për të sjellë kështu premierën e parë të baletit për këtë vit.

“Inspirimin e kam marrë nga gjërat të cilat i kam kaluar edhe vet. Siç dihet ne gjithmonë si popull kemi pasur vështirësi që kur e mbaj mend unë. Gjithë këto sfida të cilat i kemi kaluar unë i kam quajtur mure. Ka ardhur një kohë kur ne e kemi fituar pavarësinë mirëpo prapë se prapë kemi ngecur brenda disa mureve të cilat nuk po na lejojnë që të lëvizim lirshëm, dhe këtë e shoh unë si problem”, shpjegoi ajo duke theksuar se muret kanë kuptim më të gjerë dhe i sheh si pengim edhe i zhvillimit artistik dhe kulturorë.

“Kam menduar gjatë para se të marrë një vendim të tillë mirëpo këtë ide gjithmonë e kam pasur në kokë dhe kam dashur që ta shpreh edhe në bazë të lëvizjeve. Kjo është edhe mënyra më e mirë sesi unë mund të shprehem”, vazhdoi tutje ajo duke i falënderuar të gjithë që i kanë ndihmuar në realizim e këtij projekti dhe duke e çmuar lartë besim që kanë shfaqur balerinët e tjerë ndaj saj.

Drejtori i Baletit të Kosovës, Ahmet Brahimaj theksoi se kjo shfaqje është shumë e rëndësishme pikërisht për faktin se Teuta Krasniqi është edhe koreografja e parë grua e cila ka bërë një koreografi të plotë në Kosovë.

“Gjithë shfaqja është një realizmi i joni dhe kjo ka rëndësi shumë për baletin. Teuta ka filluar e para dhe ajo edhe e meriton një gjë të tillë. Që nga ky vit kemi filluar që të u japim mundësin edhe njerëzve tonë pasi që ata e kanë edhe eksperiencën e duhur dhe kanë edhe imagjinatë që është e rëndësishme. Kurse në fund të viti e kemi një premierë tjetër ku koreografinë ja kemi besuar balerinit Sinan Kajtazi”, u shpreh ai duke theksuar se Trupa e Baletit ka mjaftë punë këtë vit edhe për shkak të shfaqjeve të shumta që do të ketë edhe jashtë vendit. Ai gjithashtu theksoi se pikërisht kjo shfaqje e meriton që të shfaqet edhe jashtë vendit për shkak të temës dhe realizimit.

Balerini, Kreshnik Musolli i cili edhe ka qenë edhe asistentë në këtë shfaqje u shpreh se vlera më e madhe e saj është se ajo mund të konsiderohet një realizim i plotë i Baletit të Kosovës.

“Ka qenë një përvojë mjaftë interesantë me asistua në një punë e cila ka ndikuar që ne të pavarsohemi si një trupë prej ndikimit të koreografëve të tjerë duke filluar që të krijojmë vetë shfaqje. Diçka që do e quaja prej Shtëpisë sonë”, u shpreh Musolli.

Pikërisht ky fakt ka ndikuar që të gjithë balerinë të japin maksimumin e tyre në realizmin e shfaqjes ka theksuar Aulonë Nuhiu. “Ka qenë një kënaqësi shumë e madhe për të punuar me Teutën. Ne e kemi kolege dhe tashmë njihemi dhe jemi munduar që të gjithë të japim maksimumin tonë dhe t’i ndihmojë edhe asaj për gjithçka. Mendoj se kemi arrit të bëjë një punë të mirë dhe gjithçka ka shkuar shume mirë”, u shpreh ajo duke shtuar se tashmë i mbetet publikut që të jap vlerësimin mbi punën e bërë.

Në shfaqjen “Pa mure” premiera e të cilës është më 8 shkurt do të paraqitën balerinët: Aulonë Nuhiu, Sead Vuniqi, Vjollca Llugiqi, Luljeta Ademi, Fatmir Smani, Fisnik Smani, Jeta Musolli, Kreshnik Musolli, Muhamet Bikliqi, Sinan Kajtazi, Abetare Hyseni, Leonora Rexhepi, Behie Murtezi, Mimoza Bytyqi, Donmir Bilalli, Drilon Podrimçaku, Mërgime Morina, Vlora Prizreni, Liridon Mziu dhe Ilir Krasniqi./ KultPlus.com

Baleti Kombëtar i Kosovës me “Lindje të re”, përmbylli një vit të suksesshëm me rekord shfaqjesh

Trupa e Baletit të Kosovës mbrëmë përmbylli një vit të suksesshëm me një numër rekord të shfaqjeve. Shfaqja “New Born”, që erdhi mbrëmë me koreografi të gjermanëve Jochen Roller dhe Friderike Lampert, shënoi premierën e gjashtë të BKK-së, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Trupat e balerinëve u shfaqen me veshje më të jashtëzakonshme, që tregonte edhe për rrjedhën e mëtutjeshme të kësaj shfaqje. Dymbëdhjetë balerinë vijnë të veshur me ngjyra të ushtrisë, e me çorapë rozë për të rikujtuar kështu edhe ngjyrat ushtarake të kamuflazhit në monumentin “New Born” të vitit 2014 atëherë kur edhe koreografi Jochen Roller kishte vizituar për herë të parë këtë monument.
Me një ndriçim sa në të zbehtë, e herë në të kuqen fokusonte lëvizjet dinamike të dymbëdhjetë balerinëve të cilët largohen, e kthehen për gati dhjetë herë nga skena dhe gati asnjëherë me një pozicionim të njëjtë. Dinamika e veçantia e kësaj shfaqje vjen në lëvizjet e tyre, të cilat vijnë në një muzikë tejet të modernizuar.

Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj tha për KultPlus se këtë vit e cilëson si shumë të suksesshëm pasi që në historinë e Baletit Kombëtar të Kosovës nuk është shfaqur asnjëherë një numër kaq i madh i premierave.

“Kjo është maksimumi që mund ta bëj një institucion, një trupë e baletit. Edhe pse kjo shfaqje ka qenë dinamike dhe shumë e lodhshme me lëvizje të baletit klasik me muzikë moderne po prapë trupa e përballoi shumë mirë”, tregoi drejtori Brahimaj, duke thënë se ai personalisht është frikësuar se si do të pritet kjo shfaqje nga publiku, dhe ndihet i kënaqur me duartrokitjet të cilat e përcollën shfaqjen e fundit për këtë vit.

Koreografja Friderike Lampert, tregoi se vjen për herë të parë në Kosovë ku kanë qëndruar për plot pesë javë. Ajo thotë se ndihet shumë e kënaqur nga bashkëpunimi me balerinët kosovarë, ndërsa për këtë shfaqje thotë se kanë kaluar në një proces interesant, që përveç punës u ka sjellë atyre dhe kënaqësi.
“Javën e parë ne u njoftuam më shumë me balerinët dhe kjo bëri që ne t’i ndryshojmë planet tona pasi që ata ishin balerinë të shkëlqyer dhe vendosëm që ta përdorim fjalorin e baletit me muzikë “deep house” . Ata e kuptuan aspektin bashkëkohor të shfaqjes që të vendosin lëvizjet e tyre në muzikë deep house”, tregoi koreografja Lemper.

Ajo tutje tregoi se koncepti i kësaj shfaqje ka qenë që lëvizjet tradicionale të baletit t’i sjellin në një version më modern dhe me kostumet të cilat tregonin një lidhje me monumentin “New Born”, dhe me zemrat ngjyrë rozë për të thyer imazhin e ushtrisë me këtë kamuflazh të zemrave ngjyrë rozë.
Ishin dymbëdhjetë balerinët që i dhan vulën e fundvitit shfaqjeve të Baletit Kombëtar për këtë vit. Shfaqja përbehej nga loja e : Muhamet Bikliqi, Donmir Bilalli, Abetare Hyseni, Aulonë Nuhiu, Sinan Kajtazi, Teuta Krasniqi, Jeta Musolli, Kreshnik Musolli, Leonora Rexhepi, Fatmir Smani, Fisnik Smani, Sead Vuniqi.

Balerini Sinan Kajtazi tha për KultPlus se ndihet i kënaqur me bashkëpunimet që kanë pasur me koreografë të ndryshëm gjatë këtij viti. Ai mbrëmë tregoi për KultPlus se për dyzetë ditë punë kjo shfaqje me koreografët gjerman ka qenë edhe një sfidë, pasi që edhe pse koreografët kanë edhe një përvojë në baletin klasik, stili i tyre është ndërtimi i shfaqjeve eksperimentale.

Kurse balerina Jeta Musolli tregoi se edhe pse është hera e parë që në një shfaqje më të jashtëzakonshme bashkëpunojnë me koreografët gjerman, ajo tha për KultPlus se puna me ta është një nder dhe privilegj për trupën e baletit. Duke e parë si një rezyme punën e baletit të Kosovës gjatë këtij viti, Musolli tha se e gjitha ka rezultuar në një eksperiencë për punën e saj, dhe ndihet e kënaqur që ajo dhe balerinët e tjerë të japin sa më shumë nga vetja në këtë moshë që edhe ua mundëson atyre të ushtrojnë këtë art jo dhe shumë të lehtë, veçmas kur flitet për kushtet në të cilat punohet.
Puna dinamike që solli Trupa e Baletit mbrëmë në shfaqjen e fundit në Prishtinë, në muajin prill të vitit tjetër do të udhëtoj për në Gjermani, ku Trupa e Baletit të Kosovës do ketë katër prezantime në Berlin dhe tri në qytetin e Hamburgut./KultPlus.com

“Një ditë” nga Trupa e Baletit të Kosovës sonte në Gjakovë

Shfaqja “Një ditë”, nga Trupa e Baletit të Kosovës, nën koreografinë e Christie Coleman do të shfaqet sonte për publikun e Gjakovës, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje e cila është bashkëpunim i UN Women dhe Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës mahniti publikun e Prishtinës gjatë prezantimit të premierës më 25 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare të Dhunës ndaj Gruas.

“Një ditë”, në skenë jetësohet përmes lojës së tetë balerinëve, në përbërje të katër çifteve ku bëjnë pjesë balerinët: Teuta Krasniqi, Sead Vuniqi, Leonora Rexhepi, Fisnik Smani, Fatmir Smani, Vjollca Llugiqi, Jeta Musolli dhe Donmir Biblali.

Kjo shfaqje është e frymëzuar nga rreth 30 tregime të vërteta të grave të Kosovës, duke vënë në pah disa çështje gjinore. Shfaqja e titulluar “Një ditë” do të sjellë në skenë një ditë të familjes tradicionale, ku përmes personazheve do të preken disa nga çështjet kryesore me të cilat përballen gratë gjatë gjithë jetës së tyre. Kjo shfaqje vjen sonte në Teatrin e Qytetit “Hadi Shehu” në Gjakovë, duke filluar nga ora 20:00./KultPlus.com

Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës sonte me shfaqje në Tetovë

Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës është nis sonte në Qendrën për Kulturë të Tetovës me shfaqjen “Një legjendë për dashurie”, shkruan KultPlus. Shfaqja vjen me koreografi të Pullumb Agalliu ndërsa sonte në hapësirat e Qendrës për Kulturë në Tetove shfaqet me fillim nga ora 19:00.

Kjo shfaqje nis me ngjarjen kur në oxhakun e Bardhëve lindi vajzë. Vendosën ta quajnë Borana (Teuta Krasniqi) me rastin e borës së parë. Borana rritet dhe bëhet vajza më e bukur në fshat. Të gjithë e duan. Djemtë e fshatit çmendeshin për bukurinë e saj. Bajrori (Fatmir Smani, Sead Vuniqi) dhe Ujkani (Sinan Kajtazi, Donmir Bilalli) janë dy djemtë që shprehin dëshirë të miqësohen më të. Borana ua vë një kusht të dyve. Ajo thotë se cili do ta rrëmbejë shaminë e kuqe do të miqësohet me të. Shaminë e rrëmben Bajrori dhe këtu nis gjithçka. Ujkani nga xhelozia e tepërt vendos të hakmerret.

“Një legjendë për dashurinë”, u dha premierë në Prishtinë pikërisht në 45 vjetorin e themelimit të Baletit Kombëtar të Kosovës./ KultPlus.com

“Një legjendë për dashurinë” dhe “Këmbë” për 45 vjetorin e Baletit

Me rastin e shënimit të 45 vjetorit të themelimit të Baletit Kombëtar të Kosovës nesër do të jepet premiera e shfaqjes “Një legjendë për dashurinë”, nga koreografi Pullumb Agalliu.

Në vigjilje të 45 vjetorit të themelimit të Baletit Kombëtar të Kosovës është bërë edhe prezantimi i i monografisë “Këmbë” me autor Naser Shatrollin, libër i cili përmbledhë aktivitetet e BKK-së, nga dita e themelimit në vitin 1972 deri sot.

Ahmet Brahimaj, drejtor i BKK-së, tha se kjo shfaqje është e treta në këtë sezon dhe se kjo shfaqje është festive për 45 vjetorin.

“Kjo shfaqje është shfaqja e tretë e kësaj sezone dhe kemi pasur goxha probleme, jo probleme në kuptimin e keq, do të thotë jemi ngarkuar më tepër se që ish dashur me qenë të ngarkuar me punë. Kjo shfaqje është festive shënjimi i përvjetorit të 45 të themelimit të Baletit, 45 vjet nuk kanë shkuar lehtë kanë pasur shumë sakrifica, shumë sfida të cilat vetëm ne që kemi jetuar dhe që jemi përballur me to mundemi me i shpjegua”, tha ai.

Kurse, Pullumb Agalliu, koreograf i shfaqjes “Një legjendë për dashurinë”, tha se kjo shfaqje për të ka një rendësi të jashtëzakonshme. Ai tha se është shumë i kënaqur me Trupën e Baletit për punën të cilën po e bëjnë dhe se kjo Trupë e Baletit në Kosovë duhet të dihet të mbahet.

“Kjo shfaqje për mua ka një rëndësi të jashtëzakonshme, jo se thjeshtë si miq por si njerëz që e duan këtë vend dhe kemi ndjenja që kjo trupë dhe për mua Kosovën ta shoh mirë e ma mirë. Tash për sa i përket kësaj shfaqje unë nuk e kam pasur shumë vështirë me thënë të drejtën se është vepra e tretë dhe këtë trupë e njoh shumë mirë”, tha Agalliu.

Ai tha se në këtë shfaqje shkojnë disa momente të popullit shqiptar të cilat i ka kaluar.
Autori i monografisë “Këmbë”, Naser Shatrolli, tha se ky libër paraqet një histori 45 vjeçare të Baletit Kombëtar të Kosovës.

“Unë jam nisur me këtë parim tek ky libër se duke e ditur se kush ka parakaluar 45 vite në këtë skenë, kush ishin ata emra kompozitorësh, koreografësh, emra të balerinëve sidomos si të thuash që e bëjnë historinë, e krijuan identitetin e Baletit Kombëtar. Vërtetë kam ndjerë përveç dashurisë që e kam për baletin e kam ndjerë thellë në shpirt dhe në obligim që të krijohet një histori”, tha ai.

Shfaqja “Një legjendë për dashurinë” vjen premierë nesër në ora 20:00, ndërsa reprizën e parë do ta ketë me datën 22 shtator./ KultPlus.com