Teatri Kombëtar anulon të gjitha shfaqjet e muajit Mars

Qeveria në mbledhjen urgjente të mbajtur mbrëmë, anuloi shumicën e aktiviteteve si pasojë e epidemisë së fundit, Coronavirusit, shkruan KultPlus.

Teatri Kombëtar ka bërë të ditur përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook, se të gjitha shfaqjet e parapara për muajin Mars, do të anulohen.

Postimi i plotë:

”Të dashur miq të teatrit!
Konform masave të Qeverisë për parandalimin e përhapjes së CoronaVirus-it (Covid-19), për të cilat u mor vendim sonte në mbledhjen e Qeverisë, me qëllim shmangien e aktiviteteve me pjesëmarrje të gjerë të publikut, NJOFTOJMË SE ANULOHEN të gjitha shfaqjet e parapara të mbahen në kuadër të programit të shfaqjeve për muajin Mars.

Njëkohësisht apelojmë tek ju, respektimin strikt të udhëzimeve të njoftuara për shmangien e përhapjes së këtij virusi.

Ju njoftojm!” / KultPlus.com

Nuk mbahet mend, Teatri Kombëtar i Kosovës nis turin e shfaqjeve nëpër qytete të Kosovës

Nëpërmjet një komunikate, udhëheqësit e TKK-së kanë njoftuar se me moton “Teatri Kombëtar ËSHTË i Kosovës”, do të nisin turin nëpër komuna të Kosovës, shkruan KultPlus.

Më poshtë KultPlus ju sjell komunikatën e plotë të këtij institucioni.

Turneu i TKK-së nëpër komuna të Kosovës

Në bazë të politikave të miratuara nga këshilli drejtues dhe menagjmenti i TKK-së, për një prezantim të shfaqjeve nëpër komuna të ndryshme të Republikës së Kosovës, ua prezantojmë turneun e shfaqjeve të TKK-së me moton “Teatri Kombëtar ËSHTË i Kosovës”

Në perspektivë, synojmë, që çdo muaj të prezantojmë nëpër komuna të ndryshme, shfaqje nga repertori i TKK-së, duke qenë të bindur se Teatri Kombëtar i Kosovës nuk është vetëm për banorëve të kryeqytetit por është i krejt Kosovës.

Datat e prezantimeve janë përzgjedhur të jenë në kuadër të shënimit të festave të marsit.

Datat e prezantimeve janë:

Ferizaj, 02 Mars 2020 “ Shfaqja e fundit e Marije Gjonit”

Prizren, 03 Mars 2020 “Sfinga e gjallë”, nga Rexhep Qosja me regji të Blerta Neziraj

Gjakovë 04 Mars 2020 “Karnavalet e Korçës”, nga Spiro Çomora me regji të Altin Basha

Gjilan 05 Mars 2020 “Sfinga e gjallë”, nga Rexhep Qosja me regji të Blerta Neziraj

Në perspektivë synojmë të krijojmë një traditë të prezantimeve në për të gjitha komunat e Kosovës, aty ku ka kushte teknike për shfaqjen e produksioneve tona, duke qenë gjithnjë e më afër shikuesit dhe duke arsyetuar kështu edhe emrin që mban Teatri Kombëtar i Kosovës./ KultPlus.com

Ansambli “Shota” shpalosi mbrëmë sakrificën e shqiptarëve për liri

Xhemile Hysenaj

Ditën që lamë pas, Kosova festoi 12 vjetorin e pavarësisë, ku u manifestua në mënyra të ndryshme, kush me muzikë, me valle, me filma e me shfaqje teatrale duke shpalosur kështu rrugëtimin e shtetit tonë qysh nga koha e luftës e deri në ditët e sotme, shkruan KultPlus.

Për të festuar këtë ditë të madhe të shtetit tonë, Ansmabli i këngëve dhe valleve ‘Shota’, interpretoi para një publiku të madh në Teatrin Kombëtar të Kosovës, një interpretim ky që entuziazmoi publikun jashtë mase.

Ansambli ‘Shota’ kishte përgatitur këngë e valle shqiptare, të cilat nuk kishte se si të mos ngjallnin ndjenja krenarie e patriotike tek të gjithë ata që ishin të pranishëm. Filloi me ‘Lulet e Marsit’, për të vazhduar më pas edhe me pika muzikore nga Mirvete Bajrami, Liridon Sadriu, Sokol Latifi, Donika Rushiti e Riza Bytyqi, të cilët i kënduan Drenicës, Vraninës, Prekazit e atdheut në përgjithësi. Këngë këto që shpalosnin sakrificën e shqiptarëve e luftën për liri ndër vite.

Ndërsa vallet ishin të ndryshme, performuan valle dibrane e valle me motive të Hasit, gratë me xhubleta shqiptare, burrat me tirq, ku përmes lëvizjeve të tyre dukej sikur i vallëzonin kombit e i flisnin publikut me një gjuhë që vetëm shqiptarët do ta ndjenin e kuptonin.

Nuk ka shumë kohë që ikona e muzikës shqiptare Nexhmije Pagarusha, ka ndërruar jetë. Ansambli i këngëve dhe i valleve ‘Shota’ ka bashkëpunuar shumë herë me Pagarushën, figurë të cilën e nderuan edhe gjatë homazheve që u mbajtën në Teatrin Kombëtar të Kosovës. E për ta nderuar figurën e saj edhe një herë, ‘Shota’ këndoi këngën ‘Nji lule qi m’ka çel” të Nexhmijës.

Pas përfundimit të koncertit i cili u pasua me duartrokitje të zgjatura, Ylber Asllanaj, udhëheqësi artistik i Ansamblit, tregoi për KultPlus se ishte mjaft i kënaqur me performancën e ‘Shotës’ për këtë 12 vjetor të pavarësisë së Kosovës edhe pse deklaroi se mungesa e një salle adekuate për Ansamblin është mesë e nevojshme pasiqë një mungesë e tillë u shkakton ngarkesa shtesë për realizimin e performancave të caktuara.

”Ishte një performancë mjaft e suksesshme, ‘Shota’ është mjaft profesionale në punën e vet. Suksesi u vërejt edhe tek reagimi i publikut”, potencoi ai për KultPlus.

Ansambli ‘Shota’ është gjithmonë i pranishëm në koncerte e manifestime të ndryshme, qofshin ato shtetërore, kombëtare apo fetare, duke lënë gjithmonë mbresa të mëdha tek publiku. Edhe mbrëmë emocionet e publikut ishin tejet të pranishme, ata me duartrokitje e brohoritje që nuk u ndalën për minuta të tërë, përcollën ‘Shotën’ pas përfundimit të performancës së tyre.

Koncerti i mbrëmshëm ishte nën organizmin e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, e cila për nder të 12 vjetorit të pavarësisë së Kosovës kishte përgatitur edhe shumë aktivitete tjera që përfshinin muzeun, galeritë e filmin. / KultPlus.com

Teatri Kombëtar i Kosovës miraton projektet për repertorin artistik të vitit 2020

Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës, pas propozimeve të projekteve nga ana e menaxhmentit të TKK-së, ka miratuar projektet për repertorin artistik të vitit 2020, shkruan KultPlus.

KultPlus ju sjell listën e plotë të projekteve për skenën e madhe dhe atë të vogël:

Skena e madhe 2020:

1. “Lear” nga Edward Bond (bartet nga viti 2019, në repertorin e skenës së madhe për vitin 2020)

2.“Trilogji” nga Beqir Musliu

3.“Shakespare in Love” nga Lee Hall

4.“La Rremë – Kaçurrelja”, nga Arian Krasniqi (dramë me porosi dedikuar jetës dhe veprës se regjisorit, këngëtarit, artistit Muharrem Qena)

Bashkëprodhime 2020

1.“Udhëtim në troje shqiptare” nga Karl May (bashkëprodhim me Volksbühne Teater, Berlin-Gjermani)

2.“ Zgjimi i Pranverës” nga Frank Wedekind (bashkëprodhim me Artpolis-Prishtinë).

Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës në mbledhjen e mbajtur më 7 Shkurt 2020 miratoi raportin e jurisë vlerësuese për përzgjedhjen e koncepteve regjisoriale për Skenën e Vogël 2020 :

Skena e vogël 2020:

1. “Pamje Revolucioni” nga Tino Caspanello – regjia : Kaltrim Balaj

2. “Stefani” nga Ag Apolloni- regjia: Ben Apolloni

3. “Not I/Pa mua” nga Samuel Beckett- regjia: Shkurte Aliu dhe Alban Beqiraj (diptih)

4. “Rinoqeronti” nga Eugene Ionesco – regjia : Gëzim Hasani

5. “Lejla dhe Ko” nga Cordelia Lynn-regjia Eki Rrahmani (e aprovuar në repertorin e vitit 2019 bartet në repertorin e skenës së vogël për vitin 2020).

Projekti vjetor është hartuar konform kërkesave të “Ligjit të teatrove”, dhe “Rregullores së skenës së vogël”. / KultPlus.com

Sonte në TKK premierë shfaqja e filmit dokumentar “Përqafimi i fatit”

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me Qendrën Kinematografike të Kosovës dhe AS Film, për nder të Ditës Përkujtimore të Holokaustit, do të organizojnë shfaqjen e filmit dokumentar “Përqafimi i fatit”, me regji të Jakov Sedlar, përcjellë KultPlus.

Premiera do të shfaqet në Teatrin Kombëtar të Kosovës, sonte në ora 19:00. / KultPlus.com

“Vrasja e Rexhep Lucit”, premierë në Teatrin Kombëtar

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës po bëhen përgatitjet për premierën e shfaqjes “Pesë stinët e armikut të popullit” e dramaturgut Jeton Neziraj, përcjellë KultPlus.

Shfaqja përshkruan Prishtinën e pasluftës e cila dita-ditës po kërcënohej e ngulfatej nga ndërtuesit e fuqishëm ilegalë të cilët, në kundërshtim me të gjitha rregullat urbanistike, po ndërtonin brutalisht në çdo cep të saj. Në anën tjetër, “Pesë stinët…” e përfshijnë edhe misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, që në emër të politikave neoliberale të tregut, po e toleronte dhe po i krijonte terren të favorshëm këtij shkatërrimi.

Në këtë proces kanë qenë të inkuadruar edhe shumë prodhues të materialeve ndërtimore nga vendet tjera të Evropës, të cilët kishin interes nga ky “rekonstruktim i shpejtë”.

Duke e parë këtë situatë alarmante, arkitekti e planifikuesi hapësinor Rexhep Luci po përpiqej të vinte kontroll urbanistik. Për kompanitë e ndërtimit e ato të prodhimit, për kastat e korruptuara politike, për mediet oportuniste, për komandantët e luftës, për zyrtarët e UN-it e për shumëkënd tjetër, ai ishte “armiku”. Rexhep Luci ishte kërcënuar me jetë disa here dhe pastaj edhe ishte vrarë në hyrje të banesës së tij në Prishtinë.

Prishtina, qyteti që ka fituar luftën por e ka humbur paqen, është sot qyteti me ajrin më të ndotur në Evropë, ku kompanitë e ndërtimit vazhdojnë të abuzojnë me dhjetëra mijëra punëtorë të angazhuar në sektorin e ndërtimtarisë, të cilët paguhen keq, punojnë në kushte ekstreme të pasigurisë fizike dhe pa sigurim shëndetësor.

Gjatë një viti në Kosovë, në vendin e tyre të punës, vdesin apo pësojnë aksident qindra punëtorë të këtij sektori. Familjet e tyre nuk kompensohen kurrë.

“Pesë stinët…” është një rrëfim për “heroin që komprometohet nga shumica” dhe për “përgjegjësinë e shumicës, si armike e të vërtetës dhe lirisë” (Ibsen, përmes Stockmann). Por kjo shfaqje na flet edhe për hipokrizinë e misioneve të paqes të UN-it, të cilat, në emër të stabilitetit politik, në emër të paqes, zhvillimit e të rikonstruktimit, mbyllin sytë përballë dr. Stokmanëve, dhe rrjedhimisht, bëhen pjesëmarrës në vrasjen e tyre.

Shfaqja është realizuar nga regjisorja Blerta Neziraj, përderisa luajnë aktorët: Armend Smajli, Shpëtim Selmani, Egzona Ademi, Kushtrim Qerimi, Afrim Muçaj, Verona Koxha.

Muzicientë: Drin Tashi, Tomor Kuçi, Arbër Salihu, skenografia dhe kostumet: M. Nurullah Tuncer, muzika: Irena Popoviq- Dragoviq dhe koreografia nga Gjergj Prevazi.

Shfaqja vjen premierë më datë 24 shtator në ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com

Me pasurimin e repertorit, teatrot synojnë rikthimin e publikut

Teatrot e Kosovës kanë nisur sezonin e vjeshtës, duke u premtuar adhuruesve vepra teatrale nga regjisorë kosovarë dhe të huaj.

Drejtori i Teatrit të Kosovës Agim Sopi tha për Radion Evropa e Lirë se në repertorin e këtij teatri do të shfaqen vepra të ndryshme dhe programi do të jetë tejet i pasur për publikun, transmeton KultPlus

“Në repertor kemi shfaqje të realizuara në sezonin pranverorë të këtij viti, pra nga vepra “Karnevalet e Korçës” e deri tek “Sfinga e gjallë” me autorë Rexhep Qosjen dhe regjisore Blerta Neziraj, një shfaqje tepër e suksesshme. Kemi edhe disa shfaqje nga fundi i vitit të kaluar siç është shfaqja, “Destur” ose edhe shfaqja “Skendërbeu ose Dashuria dhe Liria” me autorë Thomas Whincop dhe regjisorë Fadil Hysaj. Kryesisht këto janë shfaqje që do t’i kemi këta dy muaj në repertor”, tha Sopi.

Sipas Sopit, publiku ka munguar në sezonin e pranverës vitin e kaluar për shkak të problemeve të menaxhmentit të teatrit.

“Fatkeqësisht në sezonin pranveror të vitit të kaluar (2018) shikueshmëria kishte rënë në mënyrë drastike, për shkaqe të rrëmujës së krijuar me menaxhmentin në Teatrin Kombëtarë. Megjithatë në vjeshtë patëm arritur të konsolidohemi, të realizojmë shfaqje shumë të suksesshme dhe ta rikthejmë publikun në masë të madhe. Kurse sezoni pranveror i këtij viti ka pasur diku rreth 11 mijë shikues që është një numër rekord i këtyre viteve”, u shpreh Sopi.

Si shikuese e rregullt e shfaqjeve në Teatrin Kombëtar të Kosovës është Tringa Kelmendi, e cila thotë se ndjehet e kënaqur me repertorin që ofron ky teatër.

“Unë si shikuese e teatrit jam e kënaqur me repertorin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, përshtypjet e mija për shfaqjet janë tejet të mira, ka edhe disa të tjera të cilat nuk më kanë pëlqyer por në përgjithësi janë të bukura. Këtë vit pres të shikoj shfaqje nga regjisorë të ndryshëm si kosovarë ashtu edhe të huaj,” thotë Kelmendi.

Ndërsa sipas drejtorit të teatrit të Gjilanit, Erson Zymberi, ky teatër ka nisur këtë vit me risi, me teatrin mobil, i cili do të shërbejë për shfaqjen e veprave teatrale nëpër qytete të Kosovës të cilave u mungojnë teatrot.

“Fillojmë me një risi, e cila është në fakt njëra nga risitë e teatrit të qytetit të Gjilanit – është fjala për teatrin mobil. Kjo na ka ndihmuar shumë që shfaqjet tona t’i dërgojmë jashtë Gjilanit. Pra, ne do të mundohemi që i gjithë repertori jonë artistik të shkojë në kuptimin mobil, të jetë më afër sidomos vendeve rurale ose komunave më të vogla të cilat nuk kanë shumë aktivitete në kuadër të punëve të tyre dhe do të afrohemi më afër publikut dhe spektatorit pikërisht tek këta njerëz,” thotë Zymberi.

Drejtori Zymberi tha po ashtu se shikueshmëria dhe interesimi i publikut në Gjilan nuk mungon dhe se është i kënaqshëm.

“Jam shumë i kënaqur me faktin që kemi arritur ta rikthejmë vëmendjen e një publiku të ri në teatrin e qytetit të Gjilanit që për mua ka qenë një numër i jashtëzakonshëm dhe i kënaqshëm për nga shifrat dhe sidomos për nga vizitat dhe komentet e tyre që ata i bëjnë”, u shpreh Zymberi.

Edhe drejtori i teatrit të qytetit të Ferizajt, Fatmir Hyseni u shpreh i kënaqur me numrin e publikut që e viziton këtë teatër. Sipas tij, gjatë viteve të fundit ky teatër ka pasur vetëm rritje të publikut dhe interesim të madh për shfaqjet si nga regjisorët e vendit po ashtu edhe ata të huaj.

“Në vazhdimësi është duke u rritur numri i shikueshmërisë, sepse sa më shumë që u ofrojmë shfaqje publikut, numri vetëm po shtohet. Do të thotë është një lajm shumë i mirë për arsye se edhe gjenerata e cila po vjen tash në teatër është mjaft e re dhe kjo është arsye që tregon se në të ardhmen do të ketë publik edhe më shumë,” thotë Hyseni.

Ndërkohë, ekipi i aktorëve të teatrit të Ferizajt do të udhëtojë këtë javë për në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Bashkëkohorë dhe Eksperimental të Kajros në Egjipt, për tu prezantuar me shfaqjen “Koprraci” të regjisores Elmaze Nura. /radioevropaelire/ KultPlus.com

Teatrot e Kosovës bashkojnë forcat për showcase-in teatror 2019

Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri “Adriana” Ferizaj, Teatri i Gjilanit dhe Qendra Multimedia nga Prishtina, kanë nënshkruar një ‘Memorandum Bashkëpunimi’, përmes të cilit zotohen të angazhohen bashkarisht, në organizimin e edicionit të sivjetshëm të ”Kosovo Theater Showcase 2019”, që këtë vit do të mbahet nga data 31 tetor deri me 4 nëntor 2019, përcjellë KultPlus.

Në këtë edicion pritet të prezentohen së paku gjashtë shfaqje të prodhuara nga teatrot nënshkruese të këtij memorandumi. Poashtu, edicioni i sivjetshëm i showcase-it 2019, pritet të sjellë në Kosovë rreth 50 kritikë teatri, gazetarë, selektorë festivalesh e admiruesë të teatrit, nga vende të ndryshme të botës.

Përveç Prishtinës, showcase do të zhvillohet edhe në qytetet e tjera të Kosovës. Në këtë mënyrë, mysafirët ndërkombëtarë do të kenë mundësi të rrallë për të parë jo vetëm tendencat më të fundit të skenës së teatrit të Kosovës, por edhe të shijojnë mikpritjen e madhe dhe peizazhin e bukur të Kosovës. Ky edicion gjithashtu do të sjellë disa programe plotësuese; diskutime, panele dhe mbrëmje muzikore.

Memorandumin e kanë nënshkruar drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Agim Sopi, drejtori i teatrit “Adriana”, Fatmir Hyseni, drejtori i Teatrit të Gjilanit, Erson Zymberi dhe drejtori i Qendrës Multimedia, Jeton Neziraj.

Kosovo Theater Showcase 2019 është pjesë e platformës kulturore “Platforma Kulturore e Kosovës 2019 +”. /KultPlus.com

“Mosmarrëveshja” e Kamys fillon provat në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Drama “Mosmarrëveshja” e autorit të madh Albert Kamy, kësaj radhe do të jetësohet në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Nën regjinë e Fata Hysenit kjo shfaqje tashmë ka filluar provat dhe pritet që deri në muajin maj gjithçka të finalizohet.

Krahas temës së dashurisë dhe mos dashurisë, regjisorja i kushton rëndësi temës së izolimit brenda shtetit. Ngjarja ndodhë në një bujtinë që është e dy grave, nënë e bijë, të cilat pranojnë klientë në bujtinën e tyre që ti vrasin dhe të ja u marrin të hollat. Mbledhja e të hollave bëhet me qëllimin që të ikin nga vendi për një jetë më të mirë.

Ekipi i aktorëve që është angazhuar për këtë projekt përbëhet nga: Kumrije Hoxha, Shpetim Selmani, Florieta Bajraktari, Armend Ballazhi dhe Fatlume Bunjaku.

Shfaqja pritet të vij premierë në muajin maj në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com

Komedia “Karnavalet e Korçës” të enjten premierë në TKK

Një tekst klasik i dramaturgjisë shqiptare, i shkruar gjatë vitit 1936, në të cilën rrëfehet historia e një familjeje shqiptare të ndodhur në Korçë, do të shfaqet premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Komedia e shkruar nga satiristi Spiro Çomora, pritet të sjellë në skenë tregimin e ndodhur në qytetin e serenatave, ku dy prindër egoistë kanë synim ta martojnë me çdo kusht vajzën tyre, duke e vënë atë në situata komike, transmeton KTV.

Regjisori Altin Basha, deklaroi se kjo komedi shfaq peizazhin e jetës së një shekulli më parë që zhvillohej në Shqipëri.

Dymbëdhjetë aktorë do të luajnë në personazhet e kësaj shfaqjeje.

Elementet e kësaj shfaqjeje do të sinkronizohen me muzikën të realizuar nga kompozitori, Trimor Dhomi.

“Karnavalet e Korçës” ishte votuar nga Këshilli Drejtues për të qenë pjesë e repertorit të rregullt të TKK-së për vitin 2019.

Premiera e komedisë “Karnavalet e Korçës”, prezantohet më 21 shkurt në Teatrin Kombëtar. /KultPlus.com

Këshilli Drejtues i TKK-së del me një rekomandim në lidhje me grevën

Këshilli Drejtues i Teatri Kombëtar të Kosovës ju ka rekomanduar daljen nga greva punonjësve të teatrit, shkruan KultPlus.

Performuesit e Institucioneve vartëse të Ministrisë së Kulturës si: Teatri Kombëtar i Kosovës, Filharmonia e Kosovës dhe Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, ditë më parë kanë anuluar çdo aktivitet të tyre deri në ngritjen e pagës komfor rregullores.

Mirëpo Këshilli Drejtues i Teatri Kombëtar të Kosovës edhe pse e konsideron grevën demokratike, ka rekomanduar daljen nga greva duke u arsyetuar se qytetarët nuk duhet të zhgënjehen në mungesë të aktiviteteve dhe shfaqjeve të Teatrit.

Sipas tyre punonjësit e Teatrit duhet që të kenë besim në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe në Këshillin Drejtues se do të angazhohen për t’i realizuar premtimet e dhëna.

Më poshtë mund të lexoni vendimin e plotë:

Këshilli drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës ëhstë duke i parë më shqetësim gjitha kërkesat e punonjësve të teatrit. Kërkesat e aktorëve i kemi parë si të arsyeshme dhe si të tilla janë analizuar dhe shqyrtuar nga ne.

Ministri i Kulturës, z. Gashi në takimin tonë që e kishim, më 28.08.2018 është zotuar se do t’i bëjë të gjitha përpjekjet që Rregullorja për Pagat dhe Gradat e Krijuesve, Performuesëve dhe Punonjësve Profesional të Trashëgimisë Kulturore, të kalojë në Qeverinë e Kosovës dhe të realizojë premtimin e dhënë. Këshilli drejtues i TKK-së beson fuqishëm në premtimet e dhënë nga z. Gashi.

Greva është demokratike, por në këtë rast KD-ja e TKK-së rekomandon dalje nga greva dhe normalizim të punëve. Qytetarët nuk duhet të zhgënjehen në mungesë të aktiviteteve dhe shfaqjeve të Teatrit.

Në ju bëjmë thirrje për të dalë nga greva për t’i filluar punët, por edhe njëherazi të kemi besim në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, gjithashtu të kemi besim edhe në angazhimin tonë si Këshill drejtues , se do të angazhohemi për t’i realizuar premtimet e dhëna, të cilat janë meritore për ju./ KutlPlus.com

“Kopshti i Vishnjeve”, nis sezonin e ri në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Më 3 shtator Teatri Kombëtar nis sezonin e ri, shkruan KultPlus.

Kësisoj, është publikuar edhe repertori i muajit shtator ku përveç shfaqjeve të tjera që do të rikthehen në këtë sezon, TKK, shfaqë edhe premierën e shfaqjes “Kopshti i Vishnjeve”.

Teksti i autori Anton Çehov vjen me regji të Ilir Bokshit, ndërsa do të jetësohet nga kasta e aktorëve si: Shengyl Ismaili, Adrian Morina, Ernest Malazogu, Armend Smajli, Semira Latifi, Qëndresa Jashari, Shpëtim Kastrati, Ylber Bardhi, Vlera Pylla, Besfort Berberi dhe Luan Jaha.

“Kopshti i Vishnjeve”, vjen me premierë më 5 shtator me fillim nga ora 20:00, në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës./ KultPlus.com

“Ana dhe Zefi” me regji të Erson Zymberit, vjen për ata që ëndërrojnë dhe ata që vrasin ëndrrat

Gili Hoxhaj

Publikun e Prishtinës edhe pak ditë e ndajnë nga shfaqja “Ana dhe Zefi” me tekst të Ad de Bont dhe regji të Erson Zymberajt, shfaqje kjo e cila javën tjetër vjen premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovë, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje bashkëdyzon dy vdekje të cilat marrin forma të ndryshme dhe përmes kësaj përplasje edhe zhvillohet ngjarja. Copëzat e ditarit të Anna Frank vijnë me historinë e një shqiptari që quhet Zef, e i cili është pre e gjakmarrjes. Që në fillim të shfaqjes publiku do të përballët me vrasjen e tij, për të kaluar në takimin e tij me Anna Frank në botën e përtejme. Kjo shfaqje me regji të Erson Zymberit e me tekst të autorit holandez, Ad de Bont ngre paralelen mes dy njerëzve të izoluar, të cilët përmes kujtimeve bashkojnë realitetet e tyre në një botë tjetër. Përmes tregimeve të tyre në skenë do të vijnë edhe dy personazhe të tjera, që janë prindërit e Zefit, e që vijnë si përforcues të ligjeve kanunore, duke krijuar këmisha që lypin gjak.

“Jashtë duhet të përballemi me vdekjen e brenda duhet vetëm të ëndërrojmë”, është njëra nga fjalitë që zbulon konceptin rreth së cilit regjisori Zymberi edhe e ka shtjelluar shfaqjen.

Erson Zymberi në një intervistë për KultPlus tha se koncepti i tij regjisorial është përpjekur që këto dy botë paralele t’i sjellë në një rrafsh, që në një anë pozicionohen ata që ëndërrojnë dhe ata që vrasin ëndrrat. Krejt procesin e punës, ai e cilëson si një punë laboratorike dhe hulumtuese mbi konceptin e tij regjisorial dhe përshtypjet e aktorëve.

“Unë këtë shfaqje e kam quajtur një shfaqje për ata që ëndërrojnë dhe ata që vrasin ëndrrat, kjo zbulon gjuhën simbolike të cilën unë si regjisor jam përpjekur ta përdor e që së bashku me ekipin do të mundohem ta shfaqim një realitet që fatkeqësisht edhe sot është prezent, sidomos në pjesën e veriut të Shqipërisë. Ne jemi munduar ta shtjellojmë një temë që çuditërisht vjen aq bukur prej një autori që nuk është shqiptar”, tha fillimisht ai.

Regjisori Erson Zymberi, rikthehet në Teatrin Kombëtar të Kosovës, pas plotë tri vitesh. Ai në vitin 2015-të, pati sjellë tekstin e Doruntina Bashës “Gishti”, premierë në TKK, ndërsa tani thotë se “Ana dhe Zefi”-n do ta sjellë poashtu shfaqje të tipit kamertale, aty ku personazhet rrinë shumë pranë publikut.

“Pas tri vitesh po kthehem përsëri me një shfaqje të tipit kamertal, ku publiku është i vendosur në skenë dhe janë bashkëpjesëmarrës të kësaj loje, të këtij procesi ku të gjithë mbajnë një qëndrim karshi rrethanave. Është kënaqësi të kthehesh dhe të punosh përsëri këtu, është kënaqësi ta kesh një staf kaq të mirë artistik”, tregoi Zymberi për KultPlus.

Edhe pse shfaqja fillon tragjikisht, me njolla gjaku, ajo nuk ecën drejt fundi të njëjtë. Shfaqja do të përfundojë me puthje e përqafime dhe kjo si mesazh që “Vetëm dashuria mund ta shpëtojë botën”. E gjithë shfaqja zhvillohet nga loja e aktorëve Irena Cahani, Ernest Zymberi, Kushtrim Qerimi dhe Verona Koxha.

Verona Koxha, është një aktore e re që në këtë shfaqje do ta jetësojë rolin e Anne Frank, e për të cilën regjisori Zymberi tha se sjellë freski brenda ekipit, ndërsa për aktorët e tjerë thotë se tashmë kanë një bagazh artistik dhe se ky nuk është bashkëpunimi i parë. Kjo është hera e parë që Verona Koxha ngjitet në skenën e Teatrit të Kosovës, për ta jetësuar një rol, ndërsa në këtë proces thotë se i ka ndihmuar shumë edhe komunikimi i drejtpërdrejtë nga regjisori.

“Kjo është një mundësi shumë e mirë për mua që ta dëshmoj veten, e kam marr me dëshirë dhe mendoj që edhe rezultati do të jetë i mirë. Fatmirësisht kam pasur fatin të punoj me një regjisor siç është Ersoni dhe një ekip shumë të mirë”, tregoi Koxha për KultPlus, duke shtuar se po e ndjen shumë rolin dhe ka gjetur shumë gjëra të përbashkëta me këtë rol.

Ernest Zymberi i cili vjen në rolin e Zefit thotë se vet tema e ka intriguar shumë që ta zhvillojë dhe të interesohet në personazhin e tij, i cili ballafaqohet me një mentalitet tjetër por me një viktimizim po ashtu të pafajshëm. Zymberi tha se kjo shfaqje do ta begatoj shumë CV-në e tij ndërsa shpreson që do të shfaqet edhe në vende të tjera, krahas Prishtinës.

“Ky është një tekst që më ka pëlqyer dhe që shtjellon një temë shumë të rëndësishme që duhet të pranohet dhe që për të huaj është shumë interesant. Larg lidhjeve familjare, Ersonin e çmoj shumë si regjisor dhe besoj që është më rëndësi bashkëpunimi me të sepse zhvillohem edhe unë me të”, u shpreh aktori Ernest Zymbeti për KultPlus.

Muzika e kësaj shfaqje vjen nga Trimor Dhomi kurse skenografia dhe kostumografia nga Bekim Korça. Kjo premierë vjen më 26 qershor në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës, ndërsa repriza e parë vjen më 27 qershor./ KultPlus.com

Bekim Lumi emblema e teatrit modern shqiptar, mbrëmë me “Arturo Ui” përmbushi ëndrrën e tij përgjatë 20 vitesh karrierë

Sarandë Selimi

“Arturo Ui”, është gjakim i çdo regjisori dhe ëndërr e çdo aktori”, këto ishin fjalët e para që regjisori Bekim Lumi, i pati thënë në një intervistë për KultPlus, asokohe kur teksti i Bertolt Brecht, ishte vetëm në sallën e leximit në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Pas plotë 1 viti prova “Arturo Ui”, u punua nga Bekim Lumi dhe realizoi ëndrrën e aktorëve në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës, aty ku mbrëmë erdhi në jetë kjo shfaqje përpara një audience jashtëzakonisht të madhe.

Për 2 orë e disa minuta, kasta e aktorëve në përbërje të: Bujar Ahmeti, Afrim Kasapolli, Afrim Muçaj, Labinot Raci, Faris Berisha, Ylber Bardhi, Ismet Azemi, Edon Shileku, Valmir Krasniqi, Shpëtim Kastrati, Kushtrim Qerimi, Muhamed Arifi dhe Alban Rexhaj, sollën në çdo cep të skenës frymën e Bekim Lumit. Ata sollën teatrin modern, ashtu siç di vetëm Bekim Lumi ta bëjë. Sollën gegnishtën e toskërishten e pastër ashtu siç Bekim Lumi flet. Sollën lëvizjet, lojën e thellë e të fuqishme dhe shpirtin artistik e të madh, që kush më shumë se Bekim Lumi e ka.

Bekimi mbrëmë nuk ishte vetëm fizikisht në premierën e “Arturo Ui”-së, të cilën e punoi përgjatë 1 viti, duke sjellë një perlë që do mbetet gjatë në memorien e artdashësve.

“Bekimi ishte aty ne çdo sekondë, ishte ne çdo finesë dhe në çdo moment të shfaqjes. Mendoj që kjo shfaqje do të jetë shumë gjatë në repertor dhe mendoj që është një nga kryeveprat e historisë së artit shqiptarë. Është një vepër e jashtëzakonshme që korrespondon dhe e bënë një biopsi të realitetit të rëndë në të cilën kalon Kosova në realitetin e pasluftës. E trajtime me finesë, thellësi, guxim të jashtëzakonshëm dhe art të rafinum”, tha menjëherë pas shfaqje regjisori Fadil Hysaj, duke vazhduar të thotë se ndihet mirë që po e sheh këtë shfaqje pikërisht nga Bekim Lumi, të cilin ai e sheh si një zë të fuqishëm të skenës shqiptare.

“Lirisht mund të them që është një emblemë e teatrit modern shqiptar”, theksoi Hysaj, për KultPlus.

“Arturo Ui” është një dramë e shkruar në vitin 1941 nga dramaturgu i shquar gjerman dhe botëror Bertolt Brecht (1898 – 1956), gjatë kohës së ekzilit të tij trejavësh në Helsinki (Finlandë), përderisa ai, për shkak të përndjekjes nga fashizmi, po e priste vizën për emigrim në SHBA. Me formën, me përmbajtjen dhe me personazhet e saj, kjo dramë, në mënyrë simbolike, përshkruan, tematizon dhe portretizon historinë e dhunshme të uzurpimit të pushtetit politik dhe ekonomik nga gangsteri Arturo Ui (alias Adolf Hitler) dhe pasuesit e tij në vitet ‘30 të shekullit 20. Edhe pse ngjarjet janë të përqendruara në Çikago dhe në Cicero të SHBA-së, ato, në të vërtetë janë një aludim metaforik për ndodhitë dramatike të kësaj kohe në Austri dhe në Gjermani. Dhuna fizike, plaçkitjet, djegiet, grabitjet, haraçi, korruptimi dhe kërcënimet ndaj tregtarëve e politikanëve, deri edhe vrasjet e tyre e, më tutje, edhe gjyqet farsë përmes presioneve dhe shantazheve ndaj dëshmitarëve të krimit, janë vetëm disa nga tablotë e kësaj drame me 17 pamje, e cila, për shkak të temës që e trajton dhe për shkak të aktualitetit të saj të vazhdueshëm, vlerësohet si një nga satirat më të mira politike dhe historike të shekullit ’20. Për shkak të disa ngjashmërive dhe përkimeve të qëllimshme, “Arturo Ui”, me përmbajtjen, me disa nga motivet dhe me kryepersonazhin e saj, nga kritikët, krijuesit dhe njohësit e teatrit vlerësohet edhe si kipci bashkëkohor i tragjedisë “Rikardi III” të William Shakespeare-it.

Ky ishte “Arturo ui” luajtur nga aktori kosovar Bujar Ahmeti, që solli krejt këtë rrëfim mbrëmë në TKK. Për çudi, mbrëmë në këtë teatër u panë edhe shumë njerëz që jo shpesh i shohim mes artit kosovar. Padyshim që ishte një mbledhi e madhe, sepse, përveç premierës dhe 120 vjetorit të lindjes së autorit që shkroi këtë dramë, mbrëmë ishte edhe 20 vjetori i krijimtarisë së regjisorit Bekim Lumi.

Sëmundja e rëndë me të cilën po përballet tash e sa kohë, pikërisht në ditën e premierës e shtriu në spital. E duartrokitjet e audiencës dhe fjalët e kolegëve të Lumit, e dëshmonin që presin edhe shumë krijimtari të tjera nga ai. Ata thanë që mbrëmë festuan për Bekën, sepse ishte festë.

“Ajo çka është e bukur është që shfaqja e pati premierën pas një kohe të gjatë që është punuar duke i ditur edhe ne problemet shëndetësore të Bekimit. Në punën e Bekimit të gjithë e njohim, stilin e tij por unë pres ende nga Bekimi. Ai sonte nuk ishte këtu por jam i bindur që ne do të shohim edhe shfaqje të tjera nga ai. Duhet të jemi të gëzuar që e kemi”, u shpreh për KultPlus regjisori Fatos Berisha, duke vazhduar të thotë se ishte një trupë e mirë e aktorëve, të cilët sipas tij funksiononin shumë mirë si grup.

Një lojë e fuqishme erdhi nga aktori Bujar Ahmeti, aktor ky të cilit Bekim Lumi, ia ka besuar rolet e mëdha, siç janë edhe Hamleti dhe Nëna dhe Fëmija. Bujari, është aktori më i ri që luajti “Arturo Ui”-n. Ai me shumë emocione e me lot në sy, për KultPlus, u shpreh shumë i lumtur për gjithë këtë, por njëkohësisht, tha se po ndihet i zbrazët.

“Sikur të ishte këtu, padyshim që do të na kritikonte për diçka”, tha Bujari, i cili duke qeshur u shpreh se beson që gjithçka ka shkuar mirë.

“Po ndihem pak i zbrazët, pasi që, prezenca e Bekës e kish bërë edhe më të veçantë këtë natë, por nganjëherë kur nuk është kapiteni lojtarët luajnë edhe më mirë. Besoj shumë që ka shku mirë, ishte një periudhë e gjatë e provave por mendoj që ia dolëm. Ishte eksperiencë shumë e mirë, jam shumë me fat që Bekimi më ka thirrë mua dhe më ka ofruar role të mëdha, pasi që, me Bekën mund të bësh vetëm role të mëdha”, tha për KultPlus Bujar Ahmeti.

“Arturo Ui”, riktheu në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës, pas dy vitesh Bekim Lumin. Ndërsa ai njihet për shfaqjet e tij me karakter minimalist e eksperimental. Ai e ka përfaqësuar Kosovën në disa festivale teatrore ndërkombëtare, në të cilat është nderuar me çmime të ndryshme. Para dy vitesh, ai, në Teatrin Kombëtar të Kosovës ka krijuar shfaqjen “Nana dhe fëmija”, ndërkaq në Teatrin Laborator “Loja” shfaqjen “John Cage’s Hamlet”.

Rikujtojmë se shfaqja do të jetë në repertorin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, që nga muaji shtator i këtij viti./ KultPlus.com

Nesër mbrëma kurorëzohet me premierë ëndrra e mistershme, e bukur dhe e gjatë e Bekim Lumit

Alberina Haxhijaj

Aktorët Bujar Ahmeti, Afrim Kasapolli, Afrim Muçaj, Labinot Raci, Faris Berisha, Ylber Bardhi, Ismet Azemi, Edon Shileku, Valmir Krasniqi, Shpëtim Kastrati, Kushtrim Qerimi, Muhamed Arifi dhe Alban Rexhaj pas shumë muajve punë do të jetësojnë shfaqjen “Arturo Ui”, e cila vjen nën direktivat e regjisorit Bekim Lumi, shkruan KultPlus.

Shfaqja “Arturo Ui” është një shfaqje e krijuar mbi tekstin e dramaturgut të shquar gjerman dhe botëror, Bertoltt Brecht. Ajo pasqyron historinë e dhunshme të rrëmbimit të pushtetit ekonomik dhe politik nga gangsteri Arturo Ui (alias Adolf Hitler) dhe pasuesit e tij në vitet 30’ të shekullit XX.

Drejtori artistik i Teatrit Kombëtar, Agon Myftari, tha se kjo shfaqje është e veçantë pasi që shënon 120 vjetorin e lindjes së Bertolt Brecht-it dhe 20 vjetorin e artit dhe krijimtarisë së regjisorit Bekim Lumi.

“Po më vjen mirë që kjo vepër e madhe po kurorëzohet, nesër do të jetë një festë për Teatrin Kombëtar, do jetë një ngjarje edhe estetike edhe shoqërore e politike, e një rëndësie të veçantë. Më vjen shumë mirë që kjo premierë po ndodh kur unë e udhëheqë artistikisht këtë teatër”, u shpreh ai.

E inskenimi i kësaj shfaqje ka qenë një ëndërr të cilën regjisori Bekim Lumi e kishte pasur që kur kishte qenë në studime.

“Është një andërr të cilën e gjakon secili regjisor, mirëpo jo çdokush e ka guximin më e ngjitë në skenë këtë shfaqje sidomos jo në vitet kur i mungon përvoja. Këtë andërr e kam të kamotshme mirëpo ajo u bë realitet vetëm tani pas 20 viteve krijimtari artistike”, u shpreh ai.

Regjisori Bekim Lumi theksoi se ju është mirënjohës të gjithëve të cilët kanë besuar në të dhe e kanë përkrahur në ‘aventurën e çuditshme e të gjatë’ siç e quan ai.

“Jam i lumtur që ja kam mbërri kësaj dite edhe për kundër sfidave, përkundër sëmundjes dhe gjendjes shëndetësore që ka qenë e që vazhdon të jetë e rëndë, e që më ka munduar jashtëzakonisht shumë në provat e përditshme që kur i kam filluar. Shfaqja ka qenë një proces i lodhshëm një ecuri krijuese bukur e gjatë të cilën në fazat kur unë nuk kam qenë mirë e ka udhëhequr asistenti im Bashkim Ramadani, të cilit i falënderohem. Prandaj dua të falënderoj atë, teatrin por dhe aktorët të cilët kanë pasur durimin me më ndjek në këtë andërr të mistershme, të bukur, të gjatë dhe të randë por mbi të gjitha të bukur artistikisht, e cila pas shumë përpjekjeve po finalizohet me një premierë”, tha ai.

E pikërisht dramaturgu Bertolt Brecht, tekstin e të cilit e ka marrë regjisori Bekim Lumi, ka pasur ndikim në orientimin e regjisorit drejt dialektit gegë.

“E folmja skenike për mua duhet të jetë e folmja gegnishte mirëpo nuk e përjashtojë edhe mundësinë që të inskenoj tekste si përkthime të Nolit, apo tekste të ndryshme të cilat e kanë bukurinë dhe freskinë e gjuhës standarde. Por problemi nuk është të Noli e as të Konica e as të autorë jashtëzakonisht të mëdhenj të cilët e kanë njohur shumë mirë të folurën në gjuhën shqipe në të gjitha dialektet por të kultura e pamjaftueshëm ndoshta e publikut tonë për me u pamjaftu krejtësisht me të folmen skenike dhe te kultura e pamjaftueshëm e disave që e kultivojnë dhe e shkruajnë dramaturgjinë”, theksoi ai.

Rolin e gangsteri Arturo Ui do e sjellë aktori Bujar Ahmeti, e sipas regjisorit kanë qenë dy elemente të domosdoshme që kanë bërë atë që të ia besojë këtë rol: energjia krijuese dhe talenti që e posedon ky aktor i ri.

Aktori Bujar Ahmeti tregoi se në fillim ka pasur një frikë ndaj rolit pikërisht për shkak të gjatësisë që ka teksti, mirëpo i ka besuar punës së regjisorit.

“Për mua ka qenë privilegj që ta kem në CV-në time një rol të tillë dhe privilegj edhe më i madh që kjo shfaqje realizohet nën regjinë e Bekim Lumit. Besimi im të Bekim Lumi është shumë i madh, njëlloj si dashnia dhe pasioni me punu me atë e që gjithmonë ka qenë e vazhdueshme dhe e pazëvendësueshme”, u shpreh ai.

Premiera e shfaqjes është nesër duke filluar nga ora 21:00, ndërsa reprizat e kësaj shfaqje do të jenë në fillim të shtatorit./ KultPlus.com

Shfaqje nga vitet e 80-ta, cilët janë aktorët në këtë fotografi

Teatri Kombëtar i Kosovës numëron një numër të madh të shfaqjeve në të cilat kanë luajtur një numër i madh i aktorëve, shkruan KultPlus.

Në këtë fotografi të postuar në Albanian Vintage Photograpgy është shpërndarë kjo fotografi me gjashtë aktorë.
Bëhet fjalë për shfaqjen “Fundi i botës” e realizuar në vitet e 80-ta, kurse KultPlus kërkon nga ju që të identifikoni aktorët./KultPlus.com

“Kaligula” e Kamyt, me regji të Kushtrim Koliqit jetësohet në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Sot më 27 Mars, pikërisht në Ditën Botërore të Teatrit, Teatri Kombëtar i Kosovës ka filluar provën e parë për shfaqjen “Kaligula” nga Alber Kamy në regji të Kushtrim Koliqit.

Shpesh konsiderohet si drama më e fuqishme e Kamysë e cila në qendër të saj ka Perandorin romak që udhëhoqi Romën e që njihet në histori për çmenduritë dhe mizoritë e tij. Drama “Kaligula” është një kryevepër e artit teatror e cila pritet të vijë në maj të vitit 2018 si Premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Kjo dramë mbetet aktuale për teatrin dhe mendimin e sotëm botëror, kjo ndodh sepse në kohën e pabarazisë dhe të mjerimit, në kohën e shkeljes së të drejtave të njeriut dhe të lirisë, vetëm revolta dhe gjendja e njeriut në revoltë të përhershme mund ta shpëtojë një shoqëri, duke sjellë ndryshimin apo progresin e vazhdueshëm të saj. Është një temë universale, për gjithë shoqërinë njerëzore, për të gjitha sistemet, pasi nuk është fjala vetëm për revoltën ndaj diktaturave, por edhe për demokracitë e reja, ku demokracia për tu afirmuar çdo ditë, ka nevojë dhe për revoltën, ka nevojë për një revoltë qytetare kundër gjendjes absurde që na rrethon, që kërkon gjithnjë ndryshimin dhe përsosjen e sistemit demokratik. Ky mesazh i Kamysë vlen dhe për shoqërinë tonë së cilës shpesh i mungon shpirti dhe koncepti i revoltës qytetare, madje edhe kur na preken të drejtat dhe liritë themelore të jetës dhe ekzistencës sonë.

“Kaligula” është projekti i parë i skenës së madhe i propozuar nga Udhëheqësi Artistik Agon Myftari dhe i aprovuar nga Këshilli Drejtues i TKK-së për vitin 2018. Sonte gjithashtu, përveç fillimit të një procesi të ri, TKK shënon 27 Marsin, pra ditën botërore të teatrit edhe me një reprizë të shfaqjes “Të harruarit” me koncept dhe regji nga Shkurtë Aliu me ç’rast lexohet mesazhi i ditës botërore të teatrit. Trupa e shfaqjes “Kaligula” përbëhet nga: Regjisor: Kushtrim Koliqi, Dramaturge: Jazna Zmak, Skenografia: Petrit Bakalli, Kostumet: Njomza Luci, Kompozitor: Trimor Dhomi, Ass. Regjie: Rebeka Qena

Ndërsa në kastën e aktorëve bëjnë pjesë: Melihate Qena, Ard Islami, Adrian Morina, Gresa Pallaska, Shkelzen Veseli, Ylber Bardhi, Besart Sllamniku, Armend Baloku, Allmir Suhodolli./ KultPlus.com

Premiera e “Pasioni”-t të Sabri Hamitit, i dedikohet iniciativës për Bekim Lumin

Teatri Kombëtar i Kosovës ka kënaqësinë të ju njoftojë lidhur me shfaqjen “PASIONI” nga Sabri Hamiti dhe me regji nga Martin Kočovcki e cila vjen si Premierë përpara publikut me datën 19.03.2018 (E hënë) ora 20:00, dhe do të përcillet me dy reprizat e para në ditët në vijim me datë 20 dhe 21.03.2018.

Në vazhdën e aktiviteteve kulturore që po organizohen nga Komuniteti i Artistëve të Kosovës për ta ndihmuar financiarisht shërimin e njërit prej artistëve më eminent të kulturës sonë dhe të skenës teatrore në veçanti, regjisorit dhe profesorit Bekim Lumi, Këshilli Drejtues në bashkëpunim të ngushtë me Menaxhmentin e TKK-së kanë marrë vendim që të hollat e mbledhura nga shitja e biletave për Premierën “Pasioni” t’i dedikohen kësaj iniciative. Bileta për premierë do të kushtojnë 5€. Teatri Kombëtar i Kosovës i ka vënë biletat në shitje në dispozicion të publikut të gjerë andaj ju fton që të jeni pjesë e kësaj ngjarjeje kulturore duke e ndihmuar dhe duke i uruar bashkërisht Bekim Lumi rikthimin e tij të plotë në jetën normale dhe profesionale.

“Shfaqja “Pasioni” zhvillohet si një strukturë e ndërthurur dramaturgjike mes dy vëllezërve bijakë dhe një nëne, Hana, që mbledhin gjithë fuqinë jetësore duke u përpjekur për ta rikonstruktuar botën e dashurisë, botën e emocioneve të thella, raporteve të vlerave, refuzimin karshi vdekjes së paevitueshme nga njëra anë, dhe botës së dehumanizuar të shtrirë si shoqëri e uniformuar, masë amorfe në të cilën individët nuk kanë emra e as individualitet, një botë ku njerëzit janë shndërruar në numra përbrenda një jete virtuale, pa emocion, pa rrespekt, pa dashuri. Një bote në të cilën shitet gjithçka, një botë e kriminalizuar dhe e materializuar deri në çmenduri.”

Luajnë: Shkelzen Veseli, Gresa Pallaska, Ard Islami, Arta Selimi, Shpejtim Kastrati, Ismet Azemi, Lumnie Sopi, Semira Latifi, Shengyl Ismaili.


Produksion i Teatrit Kombëtar të Kosovës
Autor: Sabri Hamiti
Regjisor: Martin Kočovski
Skenografe dhe Kostumografe: Youliana Voykova – Najman
Kompozitor: Oliver Josifovski
Dizajni i ndriçimit:
Kori i SH.M.M “Prenkë Jakova” – Prishtinë

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës jehon tallavaja (VIDEO)

Mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Kosovës duket se ka pasur një festë goxha të madhe, shkruan KultPlus.

Në një video të publikuar në rrjetin social Facebook, nga regjisori Kushtrim Mehmeti, dëgjohet një muzikë tallava, ndërkohë që regjisori ka ironizuar duke shkruar “Jashaaa Teatri Kombetar jahaaaaaaa rrryp rryppp hajdeeeee”.

Videoja është realizuar në orët e vona të natës së mbrëmshme, ndërsa shihet që është në pjesën e pasmë të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Kënga që dëgjohet të jetë lëshuar në këtë ‘festë’ është “Kqyrni shoqe dimijat me pika…”./ KultPlus.com

Shfaqja e parë e luajtur në Prishtinë dhe fuqia e disa aktoreve (FOTO)

Në Prishtinë, teatri profesional (sot Teatri Kombëtar) është themeluar përfundimisht më 1948, ndërsa me 1949 ka filluar programi i rregullt, me dy-tri premiera shqip e serbisht.

Shfaqja e parë e luajtur në teatrin e Prishtinës është “Personi i dyshimtë” i Nushiqit, e përkthyer. Nushiqi nënën e ka pasur shqiptare, të grabitur prej një serbi të Maqedonisë. Serbët thonë se është serb, maqedonasit se është maqedonas, ne themi se e ka marrë mbiemrin e së ëmës – Nushës, një bareshë e bukur, e re, e rrëmbyer nga kaçakët, – rrëfen Vehap Shita, kritiku më i njohur i teatrit, që nga ditët e para të themelimit të tij, gazetar shumëvjeçar dhe përkthyes.


Lajde Sopi, Meli, Meribane Shala, Katarina Josipi

– Unë, kur kam shkruar për zhvillimin e teatrit, e kam marrë vitin 1930. Edhe atëherë janë dhënë shfaqje teatrale në gjuhën shqipe nëpër shtëpi nëpër oborre, kopshte.. Teatro amatore ka pasur edhe gjatë okupacionit. Në Prizren, për shembull, kanë qenë Tajar Hatipi, Mysafere Gjinali, Nuhi Sherifi, Xhemil Doda…

Në Prishtinë, rolin e parë kryesor e ka luajtur Shani Pallaska, amator i thjeshtë i ardhur nga Gjakova. Shaniu ka kënduar bukur dhe i ka rënë kitarës. Aktorët Abdurrahman Shala e Muharrem Qena kanë ndjekur Shkollën e Teatrit në Beograd, me profesorë shumë të zotët. Fillimisht regjisorët vinin nga Beograd. Muharrem Qena, në fakt, aktrimit ia ka nisur në Mitrovicë, mandej ka ardhur në gjimnazin e Prishtinës, shkruan KultPlus.

E para aktore e Teatrit të Prishtinës ka qenë Meriban Shala, mandej Katarina Josipi, Melihate Ajeti, Musherefe Preka. / KultPlus.com

Burimi: Sanije Gashi – “Prishtina e fëmijërisë sime”

Mungon nafta, Teatri Kombëtar i Kosovës pezullon shfaqjet

Si pasojë e mungesës së naftës në Teatrin Kombëtar të Kosovës janë pezulluar të gjitha aktivitetet, shkruan KultPlus.

Shfaqja “I ligu për mend”, me regji të Altin Bashës është dashur të prezantohej sonte para audiencës, por si pasojë e objektit të ftohtë, janë ndërprerë shfaqjet përkohësisht.

“Për shkak të mungesës së naftës me të cilën ngrohet në tërësi objekti i TKK-së, kemi ndërprerje të shfaqjeve përkohësisht, Për çdo eventualitet ju informojmë. Kërkojmë ndjesë”, është sqarimi i këtij institucioni nëpërmjet facebook.

Kurse po Teatri Kombëtar i Kosovës më 13 të po këtij muaji ka paralajmëruar premierën e shfaqjes “Të harruarit”, me regji të Shkurte Aliut. Mbetet të shihet nëse do të bëhet ndonjë zgjidhje e shpejtë, pasi që ky institucion ka pasë probleme me ngrohje edhe gjatë javës së shkuar./KultPlus.com

Aktorët paralajmërojnë grevën me kampanjë në rrjete sociale – #veçpojukqyrim #ngrevë #meaktoret #5

Kanë mbetë vetëm edhe pesë ditë nga koha kur mund të pezullohet krejt repertori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, pasi që, aktorët rezident të këtij institucioni kulturor kanë kërkuar nivelizim të pagave me ato të profesorëve të Universitetit, shkruan KultPlus.

Sot ka nisë kampanja e grevës nëpërmjet rrjeteve sociale, me sloganin #veçpojukqyrim #ngrevë #meaktoret #5, dhe aktorët rezidentë kanë bërë të ditur për KultPlus, se kjo kampanjë do të vazhdojë deri të premten, në mënyrë që ti kujtojnë MKRS-së, se ditët drejt grevës po ofrohen.

“Ne po e quajmë fushatë, ku çdo dite do ta paralajmërojmë ministrin se dita drejt grevës së përgjithshme po ofron. Kjo kampanjë do të vazhdon deri të premten, e të premten do të dalim me një konferencë”, ka thënë Gresa Pallska për KultPlus.

Kurse Albulena Kryeziu Bokshi përpos që ka konfirmuar për këto zhvillime në TKK, ajo ka thënë se me këtë kampanjë po rritin presionin drejt plotësimit të kërkesave të tyre, dhe sipas saj, vetëm të premten do të kuptohet vendimi definitive I trupës rezidente të TKK-së. Ndërkohë, pjesë e kësaj kampanje është e gjithë trupa e TKK-së./KultPlus.com

MKRS nuk garanton pagën që kërkojnë aktorët e TKK-së

Aktorët rezident të Teatrit Kombëtar të Kosovës tashmë kanë paralajmëruar grevën e tyre për ti pezulluar të gjitha shfaqjet në repertor, duke lënë një afat kohorë prej dhjetë ditësh, në mënyrë që të shohin se nëse po reagon Ministria për Kulturë Rini dhe Sporte, në kërkesat e tyre që kanë të bëjnë me rritje të pagave, shkruan KultPlus.

Aktorët e TKK-së kanë kërkuar që pagat e tyre të nivelizohen me ato të profesorëve të Universitetit të Prishtinës, dhe një kërkesë e tillë ka koston në vlerë prej një mijë eurove për një aktor.

Ditët tashmë kanë filluar të numërohen deri te këmbanat e grevës, mirëpo nga kabineti i ministrit të MKRS-së, po vlerësohet se aktorët me këtë paralajmërim kanë marë një vendim të njëanshëm.

“Ne jemi takuar me përfaqësues të Sindikatës së TKK-së, por edhe me aktorët, dhe kemi biseduar me ta në shqyrtimin e gjetjes së mundësive legale, për plotësimin e kërkesave të tyre. Por ata kanë marë një veprim të njëanshëm ku edhe kanë paralajmëruar pezullimin e shfaqjeve”, ka thënë për KultPlus, shefi i kabinetit në MKRS, Samir Hoxha.

Një periudhë prej dhjetë ditëve deri në plotësimin e kërkesave të aktorëve, për Hoxhën është shumë afatshkurtër dhe shumë e pamundur, pasi që, sipas tij, MKRS duhet të gjejë harmonizim me Ministrinë e Financave për gjetjen e një zgjidhje.

Ai vlerëson se në bazë të rregullores që përfshinë artistët, numri i performuesve është shumë më i madh, pasi që përfshihen edhe artistë të tjerë, dhe jo vetëm ata të TKK-së. “Në ditët në vijim, ministri Kujtim Gashi do ti takojë përsëri aktorët e këtij institucioni, në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje të përbashkët, por pa e garantuar atë pagë që e kanë kërkuar. Ne numërojmë mbi 400 krijues sipas rregullores për performues, dhe nëse do të rriten pagat për krejt këtë numër, atëherë është një ngarkesë shumë e madhe për buxhetin”, ka thënë Hoxha.

Hoxha ka thënë se kërkesat e aktorëve të TKK do të adresohen me kohë në Ministrinë e Financave, në fillim të vitit të ardhshëm, dhe sipas tij, vullneti i MKRS-së është që të zgjidhet ky problem./KultPlus.com

Shënohet Java Botërore e Gjuhës Italiane në Prishtinë

Në kuadër të Javës Botërore të Gjuhës Italiane, e cila shënohet nga të gjitha ambasadat italiane kudo në botë, është hapur ekspozita “Udhëtim në Itali”.

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Pierro Sardi tha se qëllimi i kësaj ekspozite është të shfaq përmes fotografive historinë kinematike të Italisë dhe të japë një pasqyrë mbi Italinë dhe evoluimin që ka pas ky shtet përgjatë 70 viteve të fundit. Ai shtoi se këto fotografi janë marr prej filmave më të vjetër italian, e deri tek ata të realizuar më së fundmi, transmeton kp.

Sardi: Datojnë prej mbarimit të Luftës së Parë Botërore

“Ky është një shembull i shkurtër i fotografive të nxjerra nga disa prej filmave më të famshëm italian dhe kjo ekspozitë ka për qëllim të japë një vështrim mbi historinë tonë kombëtare. Filmat më të vjetër prej të cilëve janë marrë fotografitë, datojnë prej mbarimit të Luftës së Parë Botërore dhe vazhdojnë me filmat më të fundit të bërë vitin e kaluar, pra vitin 2016. Këto fotografi fillojnë prej disa fotografive të vjetra bardh e zi aty, dhe qëllimi i tyre është të japin një pasqyrë mbi vendin tonë, mbi historinë tonë dhe se si ne keni evoluar për 70 vitet e fundit”, tha ai.

Kuratori i ekspozitës “Udhëtim në Itali”, Antonio Maraldi tha se e veçanta e kësaj ekspozite është që këto imazhe nuk janë të marra nga filmat, mirëpo janë të bëra nga fotografi i veçantë, i cili ka qenë gjatë xhirimeve. Maraldi tha se këto fotografi janë një shembull se çfarë peizazhi italian është përdorur gjatë xhirimeve të këtyre filmave.

“Ideja është që të shihet peizazhi italian se në çfarë mënyre është përdorur në kinemanë italiane, sepse prej vitit 1943 kur është krijuar neorealizmi në kinematografi, kinemaja italiane ka shëtitur gjithë gadishullin. Kjo kinema fillon prej vitit 1943 me filmin “Obsesione i Viskontit” dhe arrin deri në ditët e sotme. E veçanta e kësaj ekspozite është se fotografitë janë realizuar nga një fotograf që ka qenë gjatë xhirimeve, nuk janë imazhe të marra nga filmat, por janë pikërisht gjatë xhirimeve që ka qenë fotografi i veçantë aty”, u shpreh Maraldi.

Zëvendës ambasadorja zvicerane në Kosovë, Anita Schulter Roth tha se pasi që në ekspozitë janë shfaqur pamje vetëm nga kinemaja italiane, ambasada Italiane do të nderojë Zvicrën duke shfaqur një film më 2 nëntor, ku do të shihet influenca dhe kontributi kulturor zviceran në gjuhën dhe kulturën italiane.

Kjo ekspozitë do të jetë e hapur për një javë në Teatrin Kombëtar të Prishtinës. / KultPlus.com