“Netët korçare të poezisë” shpërblen shkrimtaren Blerina Rogova Gaxha me çmimin “Asdreni”

Shkrimtarja nga Kosova, Blerina Rogova Gaxha në eventin “Netët korçare të poezisë” u nderua me çmimin “Asdreni”.

“Netët korçare të poezisë”, një aktivitet kulturor i përvitshëm është zhvilluar këtë fundjavë në edicionin e tij të 27-të në qytetin e Korçës. Mbi 30 poetë dhe shkrimtarë të spikatur nga të gjitha trevat shqiptare por edhe nga vende të ndryshme të botës i janë bashkuar këtij aktiviteti të madh që realizohet pas dy vitesh ndërprerje për shkak të pandemisë.

Në natën e parë të këtij festivali janë recituar poezitë përshëndetëse nga poetët pjesëmarrës në bibliotekën e qytetit Thimi Mitko. Netët Korçare të Poezisë që kanë rrugëtuar në një periudhë të gjatë në qytetin e Korçës, e kthejnë këtë qytet në qendrën e lirikës korçare, një aktivitet që ka marrë nga viti në vit një dimension më të gjerë edhe për poetët nga diaspora, të cilët e shohin si një vendtakim për krijuesit.

Sipas ritualit, në prani të të ftuarve, në lulishten ‘Vangjush Mio’ të qytetit të Korçës, aty ku blerojnë edhe pemë të tjera që i përkasin poetëve u mboll edhe këtë vit “pema e poezisë”. / KultPlus.com

Nesër mbahet takimi i parë në kuadër të projektit “Plani i Prezantimit dhe Interpretimit për Lokalitetin Arkeologjik në Prizren”

Nesër fillojnë diskutimet publike në kuadër të projektit për hartimin dhe zbatimin e Planit të Prezantimit dhe Interpretimit për Lokalitetin Arkeologjik në Prizren.

Siç njofton Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në takimin e parë ftohen banorët e lagjes dhe komuniteti i biznesit që operon në afërsi të lokalitetit arkeologjik.

Ky takim do të mbahet të martën, me datën 31 Maj 2022 , në Kino Lumbardhi, nga ora 13:00 deri 15:30.

Në takimin e dytë ftohet komuniteti profesionit i Prizrenit dhe më gjerë. Ky takim do të mbahet të enjten, me datën 02 Qershor 2022, në Kino Lumbardhi, nga ora 13:00 deri 15:30.

Prezantimi, interpretimi dhe promovimi i Lokalitetit Arkeologjik si një lokalitet me rëndësi të madhe historike, shkencore, kulturore dhe edukative, përmes projektit të interpretimit synon që të ngre vetëdijen për rëndësinë e këtij lokaliteti si dhe të promovojë vlerat kulturore përmes zhvillimit të turizmit kulturor. / KultPlus.com


Java e “Trojeve të Arbrit” do të shënohet me tri aktivitete të mëdha shkencore

Pas një pune intenzive pesë mujore sot përmbyllen programet e dy sesioneve shkencore dhe një akademi përkujtimore. Kështu që Java e “Trojeve të Arbrit” do të filloj më, 12 qershor në Prizrenin e Besëlidhjeve Shqiptare ku sesioni shkencor për Kryeministrin e Shqipërisë Etnike Mustafa Krujën do të mbahet në Hotel “Luxori” në rrugën Prizren–Suharekë.

Pas Prizrenit në mënyrë të organizuar do të udhëtohet për në Lezhë ku me 13 qershor 2022, në Hotel “Lisë” në Lezhë do të mbahet sesioni tjetër shkencor për Monsinior dr.Zef Oroshin. Qershia mbi tortë e këtyre aktiviteteve është akademia përkujtimore me rastin e 76 vjetorit të rënies heroike të komandantit legjendar të Shqipërisë Etnike Kapidan Mark Gjon Marku, që do të mbahet më, 14 qershor 2022 në Lezhë në sallën e qerdhës së fëmijëve në Sheshin “Gjergj Kastrioti”.

Shoqata “Trojet e Arbrit” falënderon të gjithë studiuesit nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Evropa dhe Amerika për paraqitjen e temave të tyre ku i dhanë madhështinë këtyre tre aktiviteteve shkencore dhe kombëtare. / KultPlus.com

Tirana Film Office, projekte me industrinë e filmit amerikan dhe atë aziatik

Vetëm një ditë para se aktori shqiptar Alban Ukaj të parakalonte në tapetin e kuq të Festivalit të Kanës, Shqipëria u prezantua me një ngjarje speciale në qarqet e ngushta të produksioneve botërore të filmit.

Tirana Film Office organizoi një festë private buzë detit në jugun francez, ku të ftuar ishin personazhe të njohur të botës së kinemasë, e jo vetëm.

Gjatë eventit u diskutua ndër të tjera mundësia e bashkëpunimit me vendet e rajonit, Apuglia Film Commission dhe çka duket më emocionues është fakti se kanë nisur bisedimet për projektet e para me industrinë e filmit amerikan dhe atë aziatik.

Të gjitha këto, me sytë nga një destinacion i vetëm, Tiranën. Kështu, marketit të filmit të Kanës këtë vit iu shtua një tjetër risi, ashtu siç është Zyra e Filmit, pjesë e Agjencisë së Industrisë Kreative në bashkinë Tiranë. Ky bashkëpunim u realizua me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë dhe subjekte private. / atsh / KultPlus.com

“Nuk duhet t’i kushtosh vëmendje gjykimeve që njerëzit të japin, ata nuk e dinë vlerën tënde”

Vetëbesimin mund ta humbni me kalimin e kohës nga përvojat negative të jetës.

Sidoqoftë, gjithmonë duhet të përpiqeni ta rifitoni atë, të jeni në gjendje të jetoni më mirë në këtë botë dhe veçanërisht me veten tuaj.

Nëse jetoni gjithashtu në një fazë ku nuk keni siguri, jeni gjithmonë të pavendosur dhe jeni i pari që nuk besoni në aftësitë tuaja, këtu gjeni një shëmbëlltyrë që do t’ju mësojë diçka shumë të rëndësishme, që ta mbani gjithnjë në mendje në momente dobësie.

NJË DITË, NJË PLAKU TË MENÇUR I ERDHI PËR VIZITË NJË DJALOSH I RI, I CILI I THA ATIJ SE KISHTE PAK BESIM TEK VETJA DHE SE NDIHEJ VAZHDIMISHT I SHTYPUR NGA PRESIONI I TË TJERËVE.

Ata më thonë se unë jam i pavlerë, se gjithçka që bëj gabim, që unë jam i ngathët dhe madje edhe i pamend për të përmirësuar situatën time…”.

I mençuri e ndërpreu duke i kushtuar pak vëmendje fjalëve të tij:

“Më vjen keq për ty, djalë, por tani jam i zënë dhe nuk mund të të dëgjoj. Madje, nëse shkon në treg në vendin tim, unë do të mund të kryej punë më shpejt dhe do të mund të merrem me problemin tënd”.

I riu u ndie sërish i përbuzur dhe i lënë pas dore, por prapë pranoi detyrën që i ngarkoi plaku i mençur.

“Shko në treg dhe përpiqu të shesësh këtë unazë. Pranoni çfarëdo oferte, për sa kohë që nuk është më e ulët se një monedhë ari“.

I RIU SHKOI NË TREG, I SIGURT QË DO T’IA SILLTE PLAKUT TË MENÇUR FITIMIN E TIJ.

Shumë njerëz u ndalën për të parë unazën e tij, por interesi i tyre pushonte kur mësonin për çmimin: “Djalosh, mund t’ju jepja disa monedha argjendi, por një monedhë ari është e ekzagjeruar!”.

Pasi e mbytën me tallje dhe fyerje, ai u kthye tek plaku, i dekurajuar.

“Mjeshtër, më vjen keq, por në treg askush nuk e besonte vlerën e unazës, ata madje më ofruan një tenxhere prej bakri”, – tha ai.

Plaku nuk u nervozua, madje i erdhi një ide:

“Djalosh, fjalët e tua më dhanë frymëzim. Shko sërish pasi duhet ta vlerësosh unazën nga një ekspert. Drejtohu menjëherë për te argjendari dhe dëgjo mendimin e tij”.

Djali doli nga argjendari i fshatit i cili, pas shqyrtimit të kujdesshëm të unazës, i tha:

“Nuk mund t’ju jap më shumë se 58 monedha. Nëse zotëria juaj nuk do të ishte me ngut, mund ta vlerësoja më mirë dhe do të arrinte në 70 monedha, por për momentin kaq.”

Djaloshi nuk po i besonte fjalët e argjendarit, kështu që vrapoi menjëherë drejt plakut të mençur që t’i tregonte gjithçka.

Plaku i dëgjoi fjalët e djaloshit, pastaj i tha: Njerëzit paguajnë vlerën që ti i vë vetes!

“Djalosh i dashur, shpresoj të kesh mësuar diçka. Ti e ke zgjidhjen për problemin që të ka sjellë këtu.

Siç e pe, në treg askush nuk e kuptonte vlerën e unazës sepse Askush nuk ishte një ekspert, por unaza ka një vlerë dhe mundësisht një të lartë, kështu që nuk duhet t’i kushtosh vëmendje gjykimeve që njerëzit të japin.

Njerëzit nuk e dinë vlerën tënde, ashtu siç nuk dinin atë të unazës. Beso fillimisht në vlerat e tua dhe do të shohësh se do të jetë shumë e lehtë për ty të injorosh opinionet pa bazë të të tjerëve”.

Djaloshi u largua, më në fund i vetëdijshëm për vlerën e tij dhe të unazës që i dhuroi njeriu i mençur. / Shkolla e Suksesit / KultPlus.com

Rama: Hapen 2 kilometra në tunelin e Llogorasë, e përfundojmë para afatit

Në tunelin e Llogorasë, një vepër me rëndësi strategjike për turizmin në rivierën e Jonit, puna po vijon pa u ndalur për përfundimin e tij brenda afateve të parashikuara.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjete sociale foto nga tuneli i Llogorasë, në të cilin për 5 muaj nga nisja e punimeve janë hapur 2 kilometra.

Rama tha se kjo është një ecuri për t’u vlerësuar, ndërsa shtoi se “synojmë ta përfundojmë para afatit kontraktual për të qenë e aksesueshme nga të gjithë vizitorët e bregdetit të jugut”.

Tuneli i Llogorasë do të krijojë një lidhje shumë të shpejtë dhe do ta kthejë Parkun Kombëtar të Llogorasë në një destinacion më vete, jo thjesht në një rrugë kalimi të gjithë trafikut të sezonit turistik.

Me këtë vepër aksi Orikum – Palasë do të përshkohet në vetëm 10 minuta.

Tuneli hap një portë të re në jug të vendit, që synon ta kthejë jugun e Shqipërisë në një atraksion turistik jo vetëm për vendin, por për të gjithë rajonin dhe pse jo edhe për Mesdheun.

Në buxhetin e këtij viti, fondi i llogaritur për tunelin e Llogorasë është 4.67 miliardë lekë./ atsh / KultPlus.com

Presidentja Osmani në Samitin e Demokracisë të Evropës Juglindore: NATO-n e shohim si një garanci për siguri e paqe të qëndrueshme në rajon dhe përtej

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të  Samitit për Demokraci të Evropës Juglindore me temë: “Lufta në Evropë: ndikimi në Ballkan”, të organizuar nga Instituti Ndërkombëtar Republikan i ShBA-ve, që po mbahet në Mal të Zi, ka mbajtur sot një fjalim të fokusuar në ndryshimin e arkitekturës së sigurisë në Evropë si pasojë e luftës në Ukrainë dhe implikimet e këtyre zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor.

Presidentja Osmani ka theksuar se lufta barbare dhe e paprovokuar e Rusisë kundrejt Ukrainës po e ripërcakton jo vetëm të ardhmen e Evropës.

“Pavarësisht përparimit të madh që kemi arritur si shtet dhe si rajon, të gjithë ne sot duhet ta kujtojmë që kërcënimet ndaj paqes dhe sigurisë janë gjithnjë aktive”, ka theksuar Presidentja Osmani. Sipas Presidentes Osmani, kjo dëshmohet me përpjekjet e Rusisë që nëpërmjet sateliteve të saj ta destabilizojë Kosovën, Bosnje e Hercegovinën dhe Malin e Zi.

Prandaj, sipas Presidentes Osmani, BE-ja duhet të jetë e qartë, azhure dhe e guximshme.
“Rajonit tonë dhe popullit tonë i nevojitet garanci  sa i përket perspektivës së integrimit. Na duhen vepra, jo fjalë. Na duhet qartësi dhe një udhërrëfyes konkret i rrugës së mëtejme. Vendet e rajonit tonë, përveç njërit, e kanë të qartë vizionin e tyre për të ardhmen: synimi ynë është anëtarësimi në BE sepse besojmë në vlerat mbi të cilat është ndërtuar BE-ja”, ka potencuar Presidentja Osmani.

Më tej, Presidentja Osmani ka thënë se vlerat e BE-së janë të mishëruara në ADN-në e shoqërisë kosovare dhe se “rruga e integrimit evropian shërben si udhërrëfyes për zhvillimin tonë institucional dhe qeverisjen e përditshme”.
Në fjalimin e saj, Presidentja Osmani ka theksuar se zvarritja e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE, do të krijojë terren të përshtatshëm në mënyrë që aktorët malinj ta rrisin ndikimin e tyre në rajon.

“Nuk guxojmë t`i mbyllim sytë ndaj asaj që shihet: kjo nuk është vetëm një luftë e Rusisë kundër Ukrainës, ky është një kërcënim i drejtpërdrejtë kundër të gjithë arkitekturës së sigurisë së kontinentit tonë dhe përplasje midis vlerave demokratike nga njëra anë, me ambiciet hegjemoniste të agresorëve nga ana tjetër. Është gjithashtu një përpjekje e drejtpërdrejtë për ta sulmuar dhe minuar çdo gjë që ka ndërtuar përgjatë historisë aleanca transatlantike”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka shtruar domosdoshmërinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO. “Aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO nuk janë vetëm deklarim politik. Anëtarësimin në NATO, duke filluar me Partneritetin për Paqe, e shohim nga këndi i sigurisë dhe ju ftojmë të gjithë ta bëni njësoj. Anëtarësimin në NATO e shohim si garancën më të mirë për paqen afatgjate dhe të qëndrueshme në rajon”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Sipas Presidentes Osmani lufta e para dy dekadave në Kosovë i ka bërë kosovarët ta kuptojnë më së miri luftën që po zhvillohet sot në Ukrainë.

“Kosova menjëherë dhe në tërësi i ka vendosur sanksione Rusisë bashkërisht me BE-në, ShBA-të dhe vendet demokratike. Gjithashtu kemi hapur dyert për refugjatët dhe gazetarët, mu sikurse shumë nga ju bëtë për popullin tim në fund të viteve të 90-ta. Ne jemi të gatshëm të bëjmë dhe të japim edhe më shumë po që se është nevoja”, tha Presidentja Osmani.

“Republika e Kosovës është e gatshme sikurse çdo herë ta luajë rolin e saj për sigurinë, avancimin dhe ruajtjen e paqes e sigurisë në rajon e më gjerë”, ka përmbyllur fjalimin e saj, Presidentja Osmani.

Përveç Presidentes Osmani, në këtë Samit, kanë folur edhe: kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, zëvendëkryeministrja, njëherësh ministrre për çështje evropiane e Malit të Zi, Jovana Maroviq, zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Bojan Marichikj, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i dërguari i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, i ngarkuari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, si dhe ambasadorë, ministra e zëvendësministra nga rajoni dhe organizata ndërkombëtare. / KultPlus.com

E thotë studimi: Mësuesit duhet t’i lavdërojnë nxënësit e jo t’i ndëshkojnë

Sipas një studimi të ri, mësuesit duhet t’i lavdërojnë nxënësit e jo t’i ndëshkojnë ata për pengimin e procesit mësimor, nëse duan që ta përmirësojnë sjelljen e tyre.

Në bazë të hulumtimit të publikuar në revistën “Educational Psychologu” (“Psikologjia edukuese”), ekzistojnë më shumë gjasa që fëmijët të koncentrohen në mësim kur marrin komplimente, sesa kur marrin qortime.
Mësuesit i kanë kritikuar politikat e ashtuquajtura “zero tolerancë” ndaj sjelljeve jo të mira të nxënësve, duke i cilësuar ato si të dëmshme për fëmijët.

Pjesë e këtij studimi ishin më shumë se 2500 nxënës nga tri shtete të Shteteve të Bashkuara. 20 deri 30 për qind e nxënësve ishin më të përqendruar në detyrat e klasës në rastet kur ata merrnin lëvdata në vend të qortimeve.

Sidoqoftë, autorët e hulumtimit tërheqin vërejtjen që kjo teknikë të mos përdoret së tepërmi, sepse mund ta humb efektin pozitiv.

Ndryshe, përmes një studimi të vitit të kaluar u zbulua se nxënësit mund të kenë sjellje më të mira, nëse mësuesit i përshëndesin ata për dore në hyrje të klasës. / KultPlus.com

Presidentja Osmani kujton djalin e Joe Biden në përvjetorin e vdekjes: Mirënjohës për shërbimin fisnik

Në përvjetorin e ndarjes nga jeta, presidentja Vjosa Osmani i është bashkuar familjes Biden për ta kujtuar të ndjerin Beau Biden dhe kontributin e tij për një sistem gjyqësor të pavarur dhe profesional, si dhe për ta forcuar sundimin e ligjit.

“Populli i Kosovës mbetet përjetësisht mirënjohës për shërbimin fisnik, punën dhe përkushtimin e të ndjerit Beau Biden, si dhe të grave dhe burrave të tjerë të shërbimit amerikan të cilët i ndihmuan Kosovës drejt pavarësisë dhe lirisë të cilën e gëzojmë sot”, ka thënë presidentja Osmani.

Vitin e kaluar, presidentja Osmani i ka ndarë Beau Biden Medaljen Presidenciale për Sundim të Ligjit për kontributin e tij në këtë fushë gjatë shërbimit të tij në Kosovë.

Përmes një video-mesazhi presidenti amerikan Joe Biden i ishte drejtuar pjesëmarrësve të ceremonisë. / KultPlus.com

EBU-ja përjashton televizionet ruse, Kosova me strategji të re drejt anëtarësimit

Këtë javë Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) ka pezulluar zyrtarisht transmetuesit e tij anëtarë rusë nga Organizata.

RTR-ja, Channel One dhe Radio Dom Ostankino tani janë pezulluar nga Unioni Evropian i Transmetuesve, pas një vendimi unanim nga Komiteti Ekzekutiv në fillim të kësaj jave. Konfirmimi i vendimit iu dërgua të gjithë transmetuesve anëtarë të EBU-së me një deklaratë, transmeton Zeri.info.

“Në emër të Komitetit Ekzekutiv, dëshiroj t’ju informoj për vendimin e marrë nga Këshilli për tre anëtarë rusë të EBU-së (RTR, Channel One dhe Radio Dom Ostankino) në mbledhjen e tij të djeshme. Bazuar në masat e marra nga Këshilli Ekzekutiv në mbledhjen e tij të fundit më 7 prill, kur nisi procedurën e pezullimit, Këshilli vendosi njëzëri të pezullojë menjëherë tre anëtarët rusë të EBU-së për një kohë të pacaktuar, të cilat Bordi Ekzekutiv do t’i shqyrtojë rregullisht”, thuhet në deklaratë.

Tre transmetuesit rusë i bashkohen transmetuesit bjellorus BTRC, i cili vitin e kaluar u pezullua gjithashtu nga EBU-ja.

EBU-ja e ndaloi Rusinë të marrë pjesë në “Eurovision 2022”, pas thirrjeve nga transmetues të shumtë për ta bërë këtë pas pushtimit rus të Ukrainës. Në përgjigje të kësaj, Channel One, VGTRK dhe Radio “Dom Ostankino” deklaruan se do të tërhiqen nga EBU-ja.

Rusia jashtë, Kosova brenda

Radiotelevizioni i Kosovës tash e disa vjet është refuzuar nga EBU-ja, pasi sipas tyre Kosova nuk i plotëson kushtet për të qenë anëtare e plotë në këtë organizatë, duke ia mohuar kështu edhe pjesëmarrjen në Eurovision, shkruan Zeri.info.

Burime të “Zërit” brenda RTK-së kanë bërë të ditur se menaxhmenti i ri i televizionit publik është duke përgatitur një strategji për të aplikuar për anëtarësim në EBU, ndërsa të njëjtët janë ftuar edhe në Asamblenë e Përgjithshme të EBU-së, e cila më 30 qershor do të mbahet në Zagreb të Kroacisë.

Ky moment nga Kosova po shihet si një mundësi e mirë për anëtarësim në EBU në mungesë të Rusisë dhe Bjellorusisë, dy prej vendeve që kanë kundërshtuar në vazhdimësi çdo iniciativë të Kosovës.

Mësohet se një delegacion nga RTK-ja do të marrë pjesë në Asamblenë e EBU-së, ndërsa do të shihen mundësitë për anëtarësim dhe pjesëmarrje në Eurovisionin e vitit të ardhshëm.

Shumë artistë kosovarë kanë prekur skenën e Eurovisionit, duke përfaqësuar shtete tjera në pamundësi për ta përfaqësuar Kosovën, ndërsa një fushatë bashkë me një peticion i hapur kohë më parë tashmë ka marrë mbi 10 mijë nënshkrime, ku i bën thirrje EBU-së ta pranojë Kosovën në Eurovision. / KultPlus.com

Biletat 2 euro, për Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve në Cineplexx!

Cineplexx organizon event për 1 Qershor, ku ka përgatitur një program të përzgjedhur të filmave të animuar dhe çmim special të biletës prej vetëm 2€.

1 Qershori apo Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve do të festohet edhe në Cineplexx në të dy kinematë, Prishtine dhe Prizren ku eventi fillon nga ora 12:00. Përveç çmimeve speciale, gjithashtu do të ketë aktivitete për fëmijë si face painting, maskota dhe dhurata mundësuar nga Kosmonte Foods.

Sonic the Hedgehog 2

Pasi që u vendos në Green Hills, Sonic do që të tregojë se e ka atë që duhet për të qenë një hero i vërtetë. Prova e tij vjen kur Dr. Robotnik kthehet me një partner të ri, Knuckles, të cilët po kërkojnë një emerald mistik që ka fuqinë të shkatërrojë qytetërimin. Sonic bashkohet me ndihmësin e tij, Tails, dhe së bashku ata nisin një udhëtim global për të gjetur emeraldin përpara se të bjerë në duart e gabuara.

Orarin e filmit mund ta gjeni KËTU

The Bad Guys

Pas një jete grabitjesh legjendare, kriminelët famëkeq Z. Ujku, Z. Gjarpër, Z. Piranha, Z. Pershkaqen dhe Znj. Tarantula më në fund janë kapur. Për të shmangur një dënim me burg, jashtëligjorët e kafshëve duhet të largojnë mashtrimin e tyre më sfidues deri më tani, duke u bërë qytetarë model. Nën mbikëqyrjen e Profesor Marmalade, banda e dyshimtë niset të mashtrojë botën se ata po bëhen mirë.

Orarin e filmit mund ta gjeni KËTU

Turning Red

Turning Red, nga Pixar dhe Disney flet për Mei Lee një vajzë 13-vjeçare e cila është e ndarë mes të qenit vajza e bindur e nënës së saj dhe njëkohësisht duke u përballuar me kaosin e rinisë së saj. Si të mos mjaftonte kjo, kur ajo emocionohet shumë, shndërrohet në një panda të kuqe gjigande.

Orarin e filmit mund ta gjeni KËTU

Për më tepër informata rreth orareve vizitoni webfaqen e Cineplexx, ndërsa biletat mund t’i bleni përmes aplikacionit Cineplexx KS apo direkt në kinema prej orës 15:00.

Java e Kulturës së Italisë, nga 31 maj deri në 7 qershor në disa qytete

Nga 31 maj deri në 7 qershor do të zhvillohet në disa qytete të Shqipërisë Java Kulturore e Italisë.

Kjo javë zhvillohet në kuadër të “Javëve Ndërkombëtare të Kulturës”, nismë e Qeverisë shqiptare me moton “Shqipëria mikpret botën”, ku marrin pjesë 17 vende të ndryshme të botës si dhe vende të Bashkimit Evropian.

Pas javëve kulturore të Francës, SHBA, Greqisë, në Tiranë dhe disa qytete të tjera të vendit gjatë Javës Kulturore të Italisë do të zhvillohen një sërë aktivitetesh kulturore.

Java e Kulturës së Italisë do të nisë në 31 maj me një sfilatë kostumesh tradicionale të epokës në sheshin Skënderbej, ndërsa në 1 qershor do të zhvillohet ceremonia e ndezjes së dritave artistike po në Tiranë.

Në kalanë e qytetit të Gjirokastrës do të hapen ekspozita e pikturës “Nën heshtjen e dritës” e piktorit vendas Gazmend Koçollari, ekspozita “Fotografitë italiane në qarkun e Gjirokastrës” kuruar nga Prof.Harallamb Margariti, si dhe do të shfaqet filmi “Arkitektura italiane e viteve ‘900” me regji të Ëngjëll Seriani. Po në kalanë e Gjirokastrës do të jepet koncerti i kuartetit “Motel Kaiju” nën drejtimin e Niccolo Faraci.

Ndërsa po në 1 qershor në sheshin Skënderbej në Tiranë do të zhvillohet Flash-mob me trupën e baletit të Tiranës, si dhe do të shfaqet “Ballo me maska” me skenografi dhe veshje tradicionale të kohës.

Në teatrin “Migjeni” në qytetin e Shkodrës do të shfaqet filmi “Vallëzimi i gishtërinjve në instrumentin muzikor” me regji të Riccardo Giacconi, si dhe çelja e siparit të festivalit “Ekrani i artit” nga Adrian Paçi me shfaqjen e filmit me metrash të shkurtër.

Pjesë e aktiviteteve në 2 qershor janë edhe ekspozita fotografike mbi gjurmët italiane në qarkun e Beratit, që do të zhvillohet në pedonalen e qytetit të gurtë, në Qendrën Rinore do të dhurohen libra në gjuhën italiane, në Shkodër do të shfaqet dokumentari i realizuar nga Maddalena Bregani, ndërsa në sheshin Skënderbej në Tiranë do të shfaqet koncerti Verdi-Off, ku banda do të luajë pjesë nga Verdi dhe muzikë shqiptare.

Në 3 qershor në qytetin e Vlorës do të zhvillohen aktivitete të ndryshme si Maratona e Poezisë Italiane, panair Kulinaria Italiane, shfaqje e grupit të flamurtarëve, etj.

Ndërsa në 4 qershor në sheshin Italia në Tiranë do të zhvillohet “Pizza Village”, kushtuar shijimit të picës dhe artit tradicional, si dhe do të organizohen koncerte të ndryshme në Shkodër dhe Tiranë.

Gjatë ditëve të fundit të Javës Kulturore të Italisë pjesë e programit janë “Kultura arbëreshe, trashëgimi kulturore botërore”, nismë për promovimin e kulturës arbëreshe nën kujdesin e qarkut Puglia dhe të Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, “Arkitekturë e qëndrueshme mjedisore dhe humanitare”, një nismë që eksploron rolin e arkitekturës si mjet për të përmirësuar cilësinë e jetës në kushte emergjencash, si dhe koncerti i këngëtarit të njohur italian Albano Carrisi në kryeqytet.

Javët Ndërkombëtare të Kulturës, nismë e ndërmarrë nga qeveria shqiptare do të krijojë çdo vit hapësira të reja njohjeje e komunikimi me vendet e me kulturat e tjera. E parashikuar në plan njëvjeçar, ky kalendar me aktivitete do të kthehet në traditë.

Javët Ndërkombëtare të Kulturës do të na njohin me kulturat e shumë shteteve deri në qershor. Kalendari ndërpritet për dy muaj dhe rifillon sërish në shtator./ atsh /KultPlus.com

Hapet ekspozita shqiptaro-rumune me vepra nga 5 artistë figurativë

Në Qendrën Kulturore “Lasgush Poradeci”, është hapur ekspozita shqiptaro-rumune me vepra të realizuara nga artistët e arteve figurativë, Gentian Zeka, Ion Murariu, Aleksander Acasandrei, Nicolae Ionescu.

Sipas organizatorëve, kjo ekspozitë vjen si promovim i përbashkët i vlerave kulturore mes Pogradecit dhe Rumanisë nisur nga fakti se në Rumani ka një komunitet të madh shqiptarësh që jetojnë e punojnë atje.

Ekspozita ishte e veçantë sepse janë të gjitha punime të dhuruara nga autorët tek miqtë e tyre në Shqipëri dhe që tashmë i kanë nxjerrë nga shtëpitë për t’i shfaqur në këtë ekspozitë.

Prof. Doktor Luan Topçiu thotë se synohet që edhe artistët pogradecarë të ndërkombëtarizohen dhe promovohen sa më shumë, ndërsa Rumania ka një lidhje të veçantë me Pogradecin pasi edhe korifejtë si Lasgushi dhe Kuteli kanë jetuar dhe studiuar atje.

Për pedagogun Neli Naço, ekspozita është e veçantë në llojin e saj pasi piktorët e njohur rumunë por edhe ai pogradecar Gentian Zeka e sjellin imazhin jo vetëm në një formë moderne por edhe ekspresive.

Marius Chelaru, studiues, shkrimtar shprehet se aktivitete të tilla forcojnë edhe më shumë marrëdhëniet mes dy vendeve, ashtu sikurse së shpejti autorët shqiptarë do të ekspozojnë punimet e tyre në Rumani. /atsh /KultPlus.com

San Basile arbëresh, katundi që ruan traditat e vendit të origjinës

Në Shën Vasili (San Basile) jeton një komunitet arbëreshë (pakicë etno-gjuhësore shqiptare) e Italisë, i cila mban gjuhën, zakonet, ritin bizantin-grek, traditat dhe kulturën e vet. Veshja tradicionale e grave të San Basiles është dhënë për shekuj dhe përbën një nga elementët e identitetit kulturor arbëresh. Vendasit e këtushëm, krahas ruajtjes së traditave të vendit të origjinës, kanë edhe mbiemra të zakonshëm me origjinë shqiptare, siç janë: Bellizzi, Bisulco, Frascino, Marco, Parapugna, Pugliese, Quartarolo, Tamburi.

Sa i përket veshjeve të nuseve të reja ato zakonisht bartin dy lloje të veshjes: kostum gala, i quajtur llambadhor, dhe një gjysmë palësh. Ndërsa territori ofron një seri të peizazheve të larmishme: male të larta, kodra dhe rafte të gjera me bar të mbuluara nga ullishtat. Duke e kthyer shikimin tuaj në lindje drejt fushës së Sibarit, kur qielli është i qartë, ju mund të shihni detin Jon që shkëlqen midis flakëve të dritës së argjendtë “.

Ndër manifestimet vjetore tradicionale është Vallja e San Basiles,  ku çdo  vit, të martën pas Pashkës, Vallja zhvillohet në San Basile, si një ngjarje e lidhur me traditën shqiptare me të cilën kujtohet fitoren e Skënderbeut mbi turqit që u zhvillua pak para Pashkës së Krishterë, gjatë betejës së Krujës në 24 Prill 1467. Vallja fillon në orët e para të pasdites, kur vajzat, të veshura me fustan llambadhor gala, duke mbajtur mbi koka shami mëndafshit, formojnë zinxhirë të gjatë në skajet e të cilave janë 2 ose më shumë të rinj Kapurel që drejtojnë luginën për rrugët e qytetit.

Përndryshe këtu fusha e traditave popullore është mjaft e gjerë, përveç gjuhës, letërsia gojore dhe e shkruar përfshin kërcime, teatër, cikël jetësor të fshatarëve, barinj, besime, besëtytni. Traditat i përkasin folklorit, i cili, duke qenë një shprehje autentike e njerëzve, shpreh gjendje shpirtërore të hidhëruar ose të lumtur, të gjitha i bëjnë jehonë një të kaluare të largët që mbledh shprehje shpirtërore, ngjarjet më domethënëse që përfaqësojnë të gjithë ekzistencën e njeriut protagonist. Përmes këngëve, vallëzimeve të shkurtra, fjalëve të urta, përmbajtjet folklorike bëhet mjet të njohurive dhe evolucionit kulturor të njerëzve të saj. Sepse është pikërisht folklori që ruan të gjallë deri në ditët tona kulturën shpirtërore të shqiptarëve gjegjësisht arbëreshëve në këtë rast, ku shquhet me prani edhe në vet këtë vendbanim të lashtë arbëror./ Diaspora shqiptare / KultPlus.com

Vdiq në moshën 109 vjeçare shkrimtari i njohur

Ka vdekur në moshën 109-vjeçare shkrimtari dhe intelektuali i madh slloven-folës nga Trieste, Boris Pahor.

I lindur në Trieste në vitin 1913, Pahor konsiderohet si shkrimtari më i rëndësishëm slloven me nënshtetësi italiane dhe një nga zërat më domethënës të tragjedisë së dëbimit në kampet naziste të përqendrimit, të treguar në Nekropol, por edhe të diskriminimit ndaj minoritetit slloven në Trieste gjatë regjimit fashist Intelektuali, dëshmitar në personin e parë të tragjedive të shekullit XX.

Trieste ka shkruar rreth 30 libra të përkthyer në dhjetëra gjuhë, duke përfshirë këtu ” Qui è proibito parlare”, ”Il rogo nel porto”, ”La villa sul lago”, ”La città nel golfo”.

“Me Boris Pahorin humbasim një shkrimtar të madh, një gjigant të shekullit të XX, i cili ishte në gjendje të tregonte, me mjeshtëri e kthjelltësi tmerrin e kampit të përqendrimit dhe deportimit dhe të dënonte të gjitha format e totalitarizmit. Bashkëndjejë së bashku me familjarët e tij”, ka thënë ministri i kulturës Dario Franceschini.

Pahor ka qenë disa herë kandidat për çmimin Nobel.

Pavarësisht moshës së tij ai vazhdonte ta ruante kthjelltësinë si dhe të vepronte kundër Jugosllavisë, e cila persekutonte sllavët katolikë, ashtu edhe kundër Italisë, në pamundësi për të hedhin dritë dhe drejtësi për krimet fashiste në Slloveni dhe sigurisht kundër nazizmit, fashizmit dhe komunizmit.

”Nderimet ua dedikoj të gjithë të vdekurve që kam takuar në kampin e përqendrimit dhe viktimave të nazifashizmit dhe diktaturës komuniste”, thoshte Trieste./21Media / KultPlus.com

Konferenca e Paqes në Paris dhe rrëfimi i Parashqevi Qiriazit mbi mizoritë e grekëve në Korçë dhe zonën përreth

Nga Aurenc Bebja

“The Chicago Tribune” ka botuar, të premten e 19 shtatorit 1919, në faqen n°3, rrëfimin e Parashqevi Qiriazit (delegates së Partisë Nacionale të Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris) mbi mizoritë e grekëve në Korçë dhe zonën përreth, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Shqiptarët duan lirinë, jetojnë me frikën e grekëve, thotë një delegate amerikane (delegatja e shqiptarëve të Amerikës)

Nga Betty Van Benthuysen
(Shërbimi i Lajmeve të Jashtme të Chicago Tribune.)

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Një tjetër histori zemërthyese e vuajtjes dhe degradimit të grave dhe fëmijëve, në vendet e shkatërruara nga lufta, rrëfyer sot nga zonja Parashqevi D. Qiriazi, delegate që përfaqëson Partinë Nacionale të Shqipërisë, e cila ishte gjashtë muaj në Korçë (Shqipëri) dhe u largua prej aty në fillim të shtatorit.

Zonja Qiriazi është një amerikane nga Worcester, Massachusetts. Ja historia e saj për mizoritë që po kryhen në Shqipëri.

“Korça, më 27 gusht, ishte në duart e autoriteteve franceze siç ka qenë që nga viti 1916, por frika në zemrat e të gjithë Shqipërisë është se qeveria franceze synon të tërheqë mbrojtjen e saj përpara se të zgjidhet çështja shqiptare.”

Shumë largohen nga vendi

“Ka qenë rreth datës 20 gusht kur komandanti francez njoftoi popullin se Korça dhe vendi përreth do t’u dorëzoheshin grekëve. Populli e dëgjoi këtë me alarmin më të madh dhe u përhap paniku. Sapo dëgjuan këtë lajm, burrat morën armët dhe gratë u përgatitën të largoheshin.

Njerëzit me mjete të mjaftueshme për t’u larguar u larguan menjëherë. Ndër të paktët që mbërritën së fundmi në Paris ishin z. dhe zonja Olimpic Tuctulli, zoti dhe zonja Athina Turtilli dhe djali i tyre Aleko.

Mijëra shqiptarë u larguan me fëmijët e tyre, duke lënë tokat të pa korra, stoqe të pakujdesura, gjithçka pas, në përpjekje për të shpëtuar jetën e tyre. Shumë prej tyre ikën në Itali, disa në Rumani, SHBA dhe Egjipt.”

Zonja Qiriazi tregoi për përvojën e saj në vitin 1914, kur pa njerëz të grabitur, të vrarë dhe të turpëruar.

Me frikë ndaj grekëve

“Frika në zemrat e të gjithë shqiptarëve se grekët do të vijnë përsëri është e pafjalë për t’u shprehur.” – tha ajo. “Ata kujtojnë pushtimin e fundit kur gratë dhe fëmijët u dogjën, fshatrat u shkatërruan dhe zona të tëra u shkrumbuan. Ditën që u largova, gjithçka digjej.

Kur shqiptarët në Amerikë dëgjuan se kishte probleme në atdhe, u dyndën për të ndihmuar.

Në një fshat të vogël me emrin Kodra, komandanti grek ftoi të gjithë njerëzit të vinin në kishë pasi kishte një mesazh të rëndësishëm për ta. Kur u mblodhën rreth 300 veta, ai vuri automatikët kundër tyre nga të dy hyrjet e kishës dhe asnjë shpirt nuk mbeti gjallë. Duke mos u kënaqur me vrasjen e tyre, ata me dashje u rrotulluan mes kufomave dhe ua prenë kokën, duke i varur ato (kokat) rreth mureve të kishës.”

Njerëzit duan Pavarësinë

“Gjenerali Deveer i Aleatëve erdhi atje dhe pa pamjen e tmerrshme. A është çudi që njerëzit të ikin? Të lësh grekët të hyjnë në Shqipëri, është njësoj si të çosh qengja te një kasap.

Komisioni francez ka qenë aq i sjellshëm me popullin sa ne duam që ai të qëndrojë : Delegatët e Konferencës së Paqes i kanë bërë thirrje të vazhdueshme Konferencës për t’i lutur trupat franceze të qëndrojnë derisa shqiptarët të çlirohen nga kërcënimi i grekëve.”

Kur u pyet se çfarë dëshironin shqiptarët nga Konferenca e Paqes, zonjusha Qiriaz tha :

“Pavarësi të plotë të vendit.

Integritetin territorial, i cili u dëmtua nga traktati i 1878 dhe Konferenca e Londrës e 1913.

Shpresojmë që Franca, e cila luftoi me aq fisnikëri për të drejtat e popullit dhe që është aq thellësisht e bindur se Korça dhe zona përreth është thjesht shqiptare, nuk do të pranojë kurrë t’ua dorëzojë këtë vend atyre që e rrënuan një herë më parë.”

Kërkojmë ndihmën amerikane

“Shpresojmë gjithashtu që delegacioni amerikan, i cili përfaqëson 100.000.000 njerëz që kanë sakrifikuar bijtë dhe arin e tyre për çlirimin e të shtypurve dhe për realizimin e parimeve të Presidentit Ëilson, nuk do të dështojë të bëjë atë që është e drejtë.”

Anëtarët shqiptarë të Konferencës së Paqes janë : Shkëlqesia e Tij Halil Pasha (Halil pashë Alizoti), kryetar i kolonisë shqiptare në Turqi; Dr. Fuad bej Zembraku dhe Dr. Benedikt Blinishti, delegatë nga Kostandinopoja; Luigj Bumçi, Luigj Gurakuqi, Mehdi bej Frasheri, Lef Nosi, Mehmet bej Konica, Dr. Mihal Turtulli dhe At Fishta; Z. Pandeli Evangjeli përfaqësues nga kolonia shqiptare në Rumani dhe Nuredin bej Vlora dhe zonja Parashqevi D. Qiriazi përfaqësues nga organizatat e Shteteve të Bashkuara.

https://www.darsiani.com/la-gazette/the-chicago-tribune-1919-konferenca-e-paqes-ne-paris-rrefimi-i-parashqevi-qiriazit-mbi-mizorite-e-grekeve-ne-korce-dhe-zonen-perreth/ KultPlus.com

Askush nuk përmallohet më shumë se dhimbja

Sali Bashota

Lulzim Tafa më ka treguar
Se nëna i ka shkuar në parajsë
Kështu ndjesia e jetës shëmbëllen
Me një fëmijë të papërmbajtur
Që vrapon pas xixëllonjave
Deri në fund të ëndrrës
Dhe e humb lojën
Për dëshirën e paplotësuar
I mashtruar nga të mëdhenjtë
Dalëngadalë e zë gjumi
Si pëllumbin e bardhë
Lulzim Tafa më ka treguar
Se nëna i ka shkuar në parajsë
Asnjë fjalë nuk do t’ia them
Pa përfunduar ora letrare
Pastaj një nga një
Do t’i numërojmë të gjitha pikat e lotve
Si fijet e barit të Walt Whitman
Askush nuk përmallohet
Më shumë se dhimbja
Ndërsa vetëm fjala nënë
Bëhet e vërtetë absolute
Lulzim Tafa më ka treguar
A shkurtohet pagjumësia e shpirtit
Pa kapërcyer pragun e ëndrrave
Veshur me gjethe të bardha trëndafili
Posa hapen sytë
Me pa dashurinë a përgjigjet
Kjo është gjithë soditja
Deri te e padukshmja e realitetit
Sidoqoftë nuk bëhet fjalë për harrimin
Se në cilin krah të jetës
Është udha e pikëllimit
Si ngjallet fytyra e nënës
Sidomos buzëqeshja e saj e praruar
Midis qiellit dhe tokës
Është e vërtetë se më ka treguar
Në cilin çast nuk hesht lutja
Sa të jetë gjallë njeriu
Pse nuk ka zë tjetër
Më të ëmbël
Pse nuk ka të tjera duar
Më të bekuara
Pse nuk ka përqafim tjetër
Më të lumtur
Lulzim Tafa më ka treguar
Si nuk binden rrahjet e zemrës
Brenda kafazit të pikëllimit
Asnjëherë nuk mësohemi
Me fundin e mërzisë
As kur ndahet shpirti nga trupi
As kur bashkohen lumenjtë e vetmisë
Lulzim Tafa më ka treguar
Se nëna i ka shkuar në parajsë
Askush nuk përmallohet
Më shumë se dhimbja

( Prishtinë, 30 maj 2022) / KultPlus.com

Marrëdhëniet shqiptaro-austriake, aktivitet kulturor në muzeun e qytetit Horn

Ambasada shqiptare në Vjenë në bashkëpunim dhe me mbështetjen e bashkisë së qytetit Horn, me rastin e 100-vjetorit të njohjes së qeverisë shqiptare të dalë nga Kongresi i Lushnjës organizuan një pasdite kulturore në muzeun e qytetit Horn.

Në këtë aktivitet morën pjesë bashkatdhetarë shqiptarë të organizuar në shoqata patriotike kulturore, si dhe miq e dashamirës austriakë. Nderuan me pjesëmarrjen e tyre përfaqësues të autoriteteve të Landit nga Austria e Poshtme, Landesrat Franz Linsbauer, të Bashkisë së Qytetit Horn, Kryetari i Bashkisë Mag. Gerhard Lentschig, nënkryetari i Bashkisë, Dr. Heinrich Nagl, anëtarët e këshillit, Martin Seidl dhe DI Reinhard Litschauer.

Instrumentistë tradicionalë dhe studentët e shkollës së muzikës luajtën muzikë tradicionale austriake.

Pjesëmarrësit e shumtë në këtë aktivitet ndoqën me interes pjesët e luajtura në violinçel nga Marigona Komani, korin e mrekullueshëm të grave, vallen e fëmijëve dhe admiruan punimet e pikturës nga piktori Haxhi Fejzullahu.

Atmosferën festive e shtoi edhe më shumë çelja e ekspozitës me kostumet kombëtare nga të gjitha trevat shqiptare. Shiriti i përurimit të ekspozitës, kontribut i organizatës “Tradita veshje shqiptare” drejtuar nga Edlira Sulaj, u pre nga Ambasadori Roland Bimo dhe autoritetet e Landit të Austrisë së Poshtme dhe të qytetit Horn.

Në fjalën e tij, ambasadori shqiptar Bimo evokoi marrëdhëniet e shkëlqyera tradicionale e historike midis të dy vendeve e popujve që shkojnë thellë në histori, qysh nga koha e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

“Këto lidhje janë zhvilluar e fuqizuar me mbështetjen e fuqishme të monarkisë Austro-Hungareze për pavarësinë e sovranitetin e Shqipërisë, si dhe mbështetjen që i jep vendit tonë sot Austria në rrugëtimin drejt integrimit Evropian. Nga ana tjetër, shqiptarët janë pjesë e realitetit austriak, të jetës artistike, shkencore, ekonomike e kohët e fundit edhe me angazhime politike. Figura të shquara, si aktori me famë botërore Aleksandër Mosiu, inxhinieri Karl Gega kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në shoqërinë austriake. Të shumtë janë bashkëpatriotët tanë që kontribuojnë talentin e tyre në ekonominë austriake.Vitet e fundit përfaqësues të komuniteteve shqiptare po aktivizohen ndjeshëm edhe në çështje të interesave të komunitetit ku jetojnë e punojnë, përmes përfshirjes në politikat lokale, siç është shembulli i Shefqet Balës. Bala, tashmë anëtar I Këshillit të Qytetit prej disa vitesh, ishte edhe ideuesi dhe organizatori kryesor i eventit”, theksoi Bimo.

Për lidhjet e ngushta tradicionale midis shqiptarëve dhe austriakëve referoi inxhinierFatmir Osmani, ndër aktivitstët e shquar të diasporës shqiptare në Austri.

Ambasada shqiptare në Vjenë i shpreh mirënjohjen e thellë autoriteteve të qytetit Horn dhe mikut të çmuar Wolfgang Welser, për organizimin e shkëlqyer dhe drejtimin profesional të aktivitetit.

Ambasadori Roland Bimo falënderoi të gjithë ata që punuan me përkushtim e veçanërisht sponsorin kryesor të Ambasadës shqiptare “Balfin Holding” dhe Albi Caslli drejtues i projektit “Vienna Resident Progame”.

Mirënjohje “Sharri Markt” për prezantimin e kulinarisë shqiptare, si dhe Aki Nuredini, Ristorante Sole për mbështetjen e rëndësishme.

Këtë ceremoni e nderuan me pjesëmarrjen e tyre Lulzim Pllana, Ambasador i Republikës së Kosovës në Austri, si dhe Markus Posset, Konsull Nderi i Shqipërisë për Austrinë e Poshtme, të cilët mbajtën fjalë përshëndetje për të pranishmit.

Vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Austrisë dhe Shqipërisë daton më 18 shkurt 1922. /atsh / KultPlus.com

Rama: Nga 1 qershori ndalohen qeset plastike, epokë e re për Shqipërinë

Nga 1 qershori do të ndalohet prodhimi, shitja dhe importi i qeseve plastike për përdorim individual.

Duke u ndalur te kjo nismë e rëndësishme për mbrojtjen e mjedisit, Kryeministri Edi Rama ndau sot përmes rrjeteve sociale një video sensibilizuese mbi ndalimin e qeseve plastike njëpërdorimshe.

“Mirëmëngjes dhe duke ju kujtuar se prej të mërkurës nis një epokë e re për Shqipërinë patriotike, me ndalimin e qeseve plastike njëpërdorimshe në favor të mbrojtjes së atdheut të fëmijëve tanë, ju uroj një javë të mbarë”, u shpreh Rama.

Nisma ligjore i bashkohet lëvizjes globale, dhe vjen në linjë me direktivat e BE-së, ku vende të ndryshme që po marrin masa të ndryshme për ndalimin e përdorimit të qeseve plastike.

Masat e ndërmarra synojnë reduktimin e plastikës së dëmshme për një mjedis të pastër që ndihmon në zhvillimin e turizmit dhe të ekonomisë së vendit.

Qeveria është e vendosur të ndërmarrë masa që synojnë ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit, me qëllim përmirësimin e parametrave të tij, si faktor i rëndësishëm në nxitjen e turizmit në Shqipëri./atsh / KultPlus.com

Nga yll i skenës te përjashtimi nga shkolla dhe mbyllja në psikiatri, përballja e vështirë e Enea Zhegut me regjimin

Një tjetër aktor do t’i mungojë tashmë kinematografisë shqiptare dhe të gjithë shqiptarëve. Aktori i njohur, Enea Zhegu, ka mbyllur sytë përgjithmonë mëngjesin e kësaj të diele, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë. Ai ka ndërruar jetë në moshën 57-vjeçare, duke lënë pas një sërë role, për të cilët do të mbahet mend gjithmonë. Ai u bë i njohur që në fëmijërinë e tij.

Mbarësia do t’i vinte që në vitin 1978, kur regjisori Dhimitër Anagnosti e zgjodhi për filmin “Lulëkuqet mbi mur”. Një vit më pas, Viktor Gjika do ta merrte për filmin “Njeriu me top” e në këtë kohë do të zgjidhej dhe për rolin kryesor të filmit “Tomka dhe shokët e tij”, pra për rolin e Tomkës që do ta bënte të famshëm, ndërsa ai ishte ende nxënës në klasën e shtatë. Enea Zhegu ishte ndërgjegjësuar nga dy eksperiencat e para se ç’do të thoshte të bëheshe pjesë e një filmi. Ndaj në ditën kur Xhanfize Keko kishte mbledhur fëmijët, po aq të njohur sa edhe ai në botën e filmit, e dëshironte me gjithë shpirt Tomkën. Dhe kur fitoi konkursin që iu duk shumë i vështirë (sepse kishte rivalë të fortë), u ndje jo vetëm i gëzuar, por edhe disi superior ndaj të tjerëve. Ai do të ishte komandanti. Enea e kuptoi shumë mirë rolin që po i kërkohej të bënte, aq sa do të mësonte shpejt ta luante bukur edhe jashtë sheshit të xhirimit. I gjendur gjithmonë në qendër të vëmendjes (sidomos pas shfaqjes së filmit “Tomka dhe shokët e tij), i llastuar jo pak nga gjyshërit e tij dhe i preferuar nga regjisorët e njohur, Enea do të ndjehej shumë i rëndësishëm. Deri diku dhe i paprekshëm. Ndoshta prandaj, vite më pas, kur nuk do të ishte më fëmija të cilit mund t’ia falnin lehtë gabimet, jeta nuk do t’i vinte dhe aq e mbarë sa në fëmijëri.

Filli i kujtimeve të bukura për Enean u ndërpre me mbarimin e filmit “Një jetë më shumë”, të regjisorit Gjergj Erebara. Pas tij nuk do të kishte më filma të tjerë. Shpirti i lirë dhe paksa rebel që ishte krijuar pak e nga pak brenda tij, nisi të nxjerrë krye më shumë në vitet e gjimnazit. Aq sa emri Enea Zhegu do të regjistrohej pothuajse në regjistrat e të gjitha gjimnazeve të Tiranës. Sapo përjashtohej nga njëra shkollë, e dërgonin tek një tjetër, derisa do të përfundonte në shkollën e natës. Bëmat i mbeteshin atij, Tomkës. Shumëkush vazhdonte ta identifikonte si Tomkën djaloshin plangprishës. Enea ndjehej mirë prej kësaj nofke, e cila do ta ndiqte nga pas edhe në kohën kur arriti të hyjë në Akademinë e Arteve, ku do të ndjente për herë të parë dëshirën që të bëhej një aktor, ndërsa gjithçka kishte ndodhur më parë në shesh të xhirimit, nuk e kishte marrë dhe aq seriozisht. Atje në Akademi, do të ndodhte mrekullia që nuk do të zgjaste shumë. Sepse që në vitin e pare, Enea Zhegu do të përjashtohej sërish nga shkolla për “sjellje të këqija”. Dënimi i parë që mori ishte vetëm për një vit shkollor. Ndërsa në vitin e dytë, një tjetër dënim që do të merrte, po për sjellje jo të mirë, do ta përjashtonte përfundimisht. “Tomka” vazhdonte të ishte i mbrapshtë, ndaj jeta do t’i vinte gjithnjë e më e mbrapshtë.

Në vitin 1989 do të provonte për herë të parë se ç’do të thoshte të të mbyllnin në një psikiatri. Në këtë herë të parë do ta mbanin brenda vetëm 15 ditë, ndërsa në herën e dytë plot një muaj. Këtyre kohëve të mbrapshta Enea do t’u shpëtonte vetëm në 1990-ën, kur do të nisej për në Greqi, e pak vite më pas në Itali. Tashmë është kthyer sërish në Tiranë. Që në ditët e para që do të mbërrinte do të shkonte në Akademinë e Arteve, sepse donte që filli të lidhej pikërisht aty ku ishte shkëputur këtu e vite të shkuara. Gjithsesi, nuk u mbërthye shumë pas nostalgjisë. E kuptoi shpejt se jeta nuk ishte ajo filmave, se kohët nuk ishin më si atëherë kur xhirohej për Tomkën. Ndaj nisi shpejt të mendojë që të hapte një aktivitet të tijin, një bar-restorant që e quajti “Vila 31”, por që më shumë është bërë i njohur si lokali i Tomkës. Sepse edhe në kohën kur bë një menaxher i vërtetë, Enea Zhegun vazhdonin ta thërrasin Tomka, e mbase kështu do të kujtohet gjithmonë. / Voal / KultPlus.com

Trofeu i Eurovisionit shitet për të blerë dronë për Ukrainën, kjo është shuma

Orkestra Kalush, bendi ukrainas që ka fituar garën për këngën më të mirë këtë vit në Eurovision, ka shitur trofeun për 900,000 dollarë amerikanë, për të mbledhur para për luftën në Ukrainë.

Mikrofoni i kristaltë është shitur në një ankand në Facebook, me qëllim të blerjes së dronëve për ushtrinë ukrainase.

Prezantuesi ukrainas, Serhiy Prytula, ka thënë se paratë e mbledhura nga shitja e trofeut do të përdoren për blerje të tre dronëve ukrainas PD-2, ka raportuar agjencia e lajmeve, Reuters.

Trofeu është shitur në ditën kur bendi është shfaqur në një koncert bamirësie në Berlin, me qëllim të mbledhjes së parave për kujdes shëndetësor dhe furnizime tjera.

Duke folur gjatë koncertit, anëtari i grupit, Oleh Psiuk ka bërë thirrje që njerëzit të mos mësohen me luftën, e cila ka lënë 4,031 njerëz të vdekur dhe mbi 4,730 të plagosur, sipas Kombeve të Bashkuara.

Numri i luftëtarëve të vdekur nuk dihet ende.

Pushtimi rus në Ukrainë – i nisur më 24 shkurt – ka nxitur mbi 14 milionë njerëz të ikin nga shtëpitë e tyre, derisa qytezat janë shndërruar në gërmadha.

“Mendoj se lufta duhet të jetë në ballina gjithmonë, derisa të kemi paqe”, ka thënë Psiuk. /REL / KultPlus.com

Magjia e Karnavaleve të Korçës po afron

Po bëhen përgatitjet e fundit për Karnavalet e Korçës, të cilat mbahen tradicionalisht në Korçë të Shqipërisë, shkruan KultPlus.

Organizatorët njoftojnë se kjo festë do të mbahet më 4 qershor, dhe duke u bazuar në vitet paraprake, pritet të jetë një festë madhështore.

Bashkia e Korçës ka dalë me një njoftim për këtë festë, duke porositë qytetarët se nëse kanë zgjedhë maskën.

“Festivali Ndërkombëtar i Karnavaleve po afron!

Në datë 4 QERSHOR vjen festa më e bukur që çel sezonin turistik! 🥳

K❤RÇA është gati për magjinë e karnavaleve!

Po ti e zgjodhe maskën tënde? 🤗”, thuhet në njoftimin e Bashkisë së Korçës./ KultPlus.com

Një jetë përkrah yllit botëror Bekim Fehmiu, Petriq për “Zgjoi”: Yllka Gashi dhe Blerta Basholli punuan aq bukur

Era Berisha

Në ditën e tretë të festivalit “Mirëdita, dobar dan!” është mbajtur debati “Paralele problematike: Ukraina dhe Kosova” në ‘Endžio HAB’ si dhe është shfaqur filmi tejet i sukseshëm “Zgjoi” nën regjinë e Blerta Bashollit. Dje, këto dy aktivitete shënuan edhe përfundimin e edicionit të nëntë të këtij festivali i cili u mbajt në Beograd tash e disa ditë, shkruan KultPlus.

Për të diskutuar rreth debatit “Paralele problematike: Ukraina dhe Kosova”, nën moderimin e zyrtarit për komunikim në BE, Filip Lukić, pjesëmarrësit në panel si: Sonja Biserko, Idro Seferi, Boris Varga dhe Visar Ymeri, folën rreth perceptimeve dominuese të pranishme si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, lidhur me pushtimin e Ukrainës.

Tema e luftës në Ukrainë shfrytëzohet për qëllime politike për të luajtur me traumat që janë ende prezente në rajonin tonë”, kjo do të ishte ajo pjesa me të cilën u përmbyll ky debat.

Por fillimisht, diskutimin e nisi reporterja Sonja Biserka e cila theksoi se data 24 shkurt nuk është një incident por luftë e planifikuar.

“Data 24 shkurt nuk është incident, por luftë e planifikuar. Por Putini gaboi në perceptim për Perëndimin. Investoi shumë para për të korruptuar majtistët. Ai u befasua kur bota perëndimore reagoi me solidaritet ndaj Ukrainës. Ai u befasua edhe nga rezistenca e Ukrainës. Kosova është pjesë e procesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë”, thotë ajo.

Sipas saj, gjithçka filloi me grevën e studentëve e më pas për dy dekada ndodhi terror shtetëror.

“Shqiptarët u larguan nga institucionet. Pacifizmi i tyre ishte i veçantë. Por pas Daytonit, shqiptarët nisin të pyesin nëse Rugova po bënte politikë relevante. Kur u shfaq UÇK-ja, Beogradi nisi ndërhyrjen e madhe. Krahasimi i Kosovës dhe Ukrainës nuk qëndron. Putini me qëllim dhe dashakeqësi e keqpërdor rastin e Kosovës. Serbia synon ndarjen e Kosovës. E Putini e merr këtë lloj argumentimi për të akuzuar Perëndimin për shkelje të të drejtës ndërkombëtare në Kosovë”, shpalos Biserka.

Ndërsa, politikani Visar Ymeri ka thënë se një prej qëllimeve të luftës së Rusisë është ndryshimi i regjimit në Ukrainë.

“Intervenimi i NATO-s në Kosovë ka ardhur pas një numri të madh të krimeve dhe masakrave që janë kryer nga policia e ushtria serbe. Janë dhënë shenja për politika gjenocidale. Intervenimi i NATO-s ka qenë i përqendruar edhe territorialisht. Kurse invazioni rus ka tjetër qëllim: pushtimin e krejt Ukrainës. Tash rajoni ka filluar të shihet edhe më shumë si problem sa i përket sigurisë. Në këtë drejtim konsideroj se varësisht qasjes së Kurtit e Vuçiqit, Perëndimi do të ketë kërkesë më të madhe që të gjendet zgjidhje”, thotë Ymeri.

Sipas tij, në njërën anë, një prej qëllimeve të luftës së Rusisë duket se ka qenë dhe mbetet ndryshimi i regjimit në Ukrainë, gjë që nuk ka qenë rast i njëjtë me NATO-në dhe intervenimin në Kosovë.

“Unë mendoj që mund të ketë ngjashmëri në mënyrën se si i shohim zhvillimet e caktuara si bombardimet e shtëpive, përjashtimin e njerëzve nga Ukraina, natyrisht që kjo na evokon realitetin tonë gjatë luftës në Kosovë. Por në rrafshin politik, duhet të kemi parasysh se Pavarësia e Kosovës vjen si rezultat i shkrirjes së Jugosllavisë”, thotë ai.

Po ashtu, gazetari Idro Seferi përmendi bombardimet e NATO-s si dhe theksoi se nuk ekziston një ide e zgjidhjes së problemeve me marrëveshje.

“Për shumëkënd në Serbi lufta filloi me 24 mars 1999. Nuk përmendet tjetër gjë. Kur është përvjetori i bombardimit të NATO-s, njerëzit në Serbi mendojnë se shqiptarët gjithmonë kanë qenë kundër serbëve, se i vrisnin dhe gjithmonë ia dilnin. Rajoni ka humbur kontrollin në rrugën evropiane”, thotë Seferi.

Sipas tij, nuk ekziston ideja e zgjidhjes së problemeve me marrëveshje.

“Serbia nuk ka dashur që ta zgjidhje çështjen e Kosovës në mënyrë politike. Në vitet ’90 Serbia i shtyu shqiptarët e Kosovës që të bëjnë protesta pasi nuk e respektoi as marrëveshjen për t’i lejuar shqiptarët që të arsimohen. Ka narracion se shqiptarët kanë ardhur vonë në këto anë. Një politikë e tillë bën që të stagnojë i gjithë rajoni”, thotë ai.

Gjithashtu, gazetari dhe publicisti Boris Varga ka folur rreth se si lufta në Ukrainë nuk ka asnjë lidhje me Kosovën.

“Atje është kryer një krim i madh dhe Perëndimi mendon se Beogradi nuk mund ta ketë atë territor. Suksesioni si term është i manipuluar nga Putini për të realizuar objektivat e tij. Putini po shikon të shkaktojë konflikte etnike, siç bënte Serbia në Kosovë. Ka një plan serioz se si të merret një pjesë e Ukrainës dhe kjo nuk ka asnjë lidhje me Kosovën. Në disa debate të mbyllura e të hapura jam habitur se si mendojnë intelektualët e Serbisë. Kjo pasi Serbia nuk është ballafaquar me të kaluarën”, thotë Varga.

Kështu, në ditën e tretë si dhe njëkohësisht të fundit në kuadër të festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, u shfaq edhe filmi i njohur “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit në Arkivin e filmit jugosllav.

Fiona Jelići nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut (Serbi) ishte ajo që doli në skenë për të përkujtuar se festivali “Mirëdita, dobar dan!” ka nisur si inspirim nga aktori shqiptar Bekim Fehmiu dhe se shfaqja e filmit “Zgjoi” është një rast i mrekullueshëm për ta kujtuar këtë fakt.

Ajo po ashtu, nuk la pa përmendur edhe sukseset e shumta të cilat i ka arritur filmi “Zgjoi”.

Me sallën e mbushur plot, të pranishmit shikuan dhe dëgjuan të vërtetën e personazhit kryesor, Fahrije Hoti, tek e cila nën aktrimin mahnitës të aktores Yllka Gashi, qysh në minutat e parë të filmit, ambicia për tu përballuar me një realitet patriarkal ku puna e grave nuk mund të kalojë përtej dyerve të shtëpisë, vërehet në sytë e saj në të cilat po të përhumbeshe thellë, atëherë do të ndjeje dhimbjen e madhe për zhdukjen e burrit të saj në luftën në Kosovë.

Përgjatë gjithë filmit, sytë e të pranishmëve dukshëm ishin të ngulitur tek ekrani i madh, nëpërmjet së cilit u shfaq puna e mrekullueshme e regjisores Blerta Basholli e cila frikën, brengën e shpresën i ngërtheu në një fuqi të vetme. Këto emocione të paraqitura në film ngjallën edhe emocione të shumta në publik. Në përfundim e sipër, teksa filmi po shënonte dhe fundin, audienca ishte ajo që shpërtheu në lot e njëkohësisht ndjeu thellë edhe dhimbjen e atyre familjeve që ende mbajnë shpresë për personat e pagjetur.

Ishin duartrokitjet e gjata, brohoritjet dhe fishkëllimat e shumta ato të cilat u lëshuan menjëherë qysh kur filmi shënoi fundin.

Filmi “Zgjoi” është filmi i vetëm nga Ballkani Perëndimor që hyri në listën e shkurtër për nominimin për ‘Oskar’ këtë vit. “Zgjoi” ka fituar çmime të shumta, përfshirë këtu edhe tri çmimet kryesore të “Sundance Film Festival”: Filmi më i mirë, Regjisorja më e mirë, dhe Çmimi i publikut. Ndërkaq, kujtojmë se premiera e filmit në Prishtinë u shfaq më 24 gusht të vitit 2021.

Në rolin kryesor luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera luajnë: Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj.

Pas shfaqjes së filmit në Beograd, në skenë për një fjalë rasti doli edhe aktorja Adriana Matoshi, e cila tha se vetëm me art dhe kulturë është e mundur që të shprehen ato se çfarë janë përjetuar me të vërtetë.

“Jam shumë e lumtur që regjisorja më ka përzgjedhur për të prezantuar një nga shumë historitë e luftës që ekzistojnë në Kosovë. Ne me fuqinë tonë, sadopak, jemi munduar të arrinim diçka që dikush e ka përjetuar gjatë luftës. Jam me të vërtetë e lumtur që jeni sonte këtu për të parë atë se çfarë kemi përjetuar ne si popull. Vetëm me art dhe kulturë ka mundësi që t’i shprehim ato që me të vërtetë i kemi përjetuar. Me artin tonë dhe kulturën tonë, duhet të tregojmë se çfarë kemi në zemra tona”, thotë Matoshi.

Aktorja Branka Petriq

Kurse, për KultPlus foli aktorja Branka Petriq që njëkohësisht është edhe gruaja e aktorit shqiptar Bekim Fehmiu. Ajo e vlerësoi lartë punën e mrekullueshme të aktores Yllka Gashi si dhe regjisores Blerta Basholli.

“E pashë filmin dhe u gëzova shumë sepse kjo hapësirë e kinotekës jugosllave ishte e mbushur plot. Filmi ishte aq i mirë, aq i sinqertë, aq i thjeshtë por në të njëjtën kohë edhe i ndërlikuar, për shkak të gjithçkaje që solli jetë në situatat e grave në film. Qysh në momentin e parë që e pashë Yllka Gashin thashë si po e bënë atë. Është fantastike sepse në një anë kemi regjisoren Basholli dhe në anën tjetër është aktorja Gashi. Ju mund të shihni qartë se si ato punojnë së bashku aq bukur. Mendoj se të gjithë ata që panë filmin, ishin të impresionuar shumë nga ai. Jam jashtëzakonisht e lumtur sepse isha këtu sonte. Urimet e mia shkojnë për kinematografinë kosovare dhe të gjithë njerëzit që janë të përfshirë në industrinë e filmit.”

Edicioni i nëntë i “Mirëdita, dobar dan!” krejt në fund u përmbyll me një festë muzikore me DJ Genc Elezaj.

Bekim Fehmiu që ishte aktor me famë botërore u bë inspirim për krijimin e “Mirëdita, dobar dan!”. Përmes festivalit, vizitorët patën mundësinë që të mësojnë më shumë rreth kulturës dhe traditës së Kosovës e Serbisë përmes filmit, teatrit, muzikës e artit pamor.

Qëllimi i festivalit “Mirëdita, dobar dan!” është që përmes prezantimit të artistëve dhe performuesve të cilët përfaqësojnë skenën kulturore e bashkëkohore të Kosovës të bashkojnë komunitetet shoqërore e kulturore të Kosovës dhe Serbisë dhe të krijohet një traditë bashkëpunimi, që do të kontribuojë në arritjen e një normalizim të qëndrueshëm të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. / KultPlus.com

“Nëse doni të dini se çfarë mendon Zoti për paratë, mjafton të shihni njerëzit të cilëve ai ua jep”

1. “Paratë nuk janë gjëja më e rëndësishme në botë. Dashuria është. Për fat të mirë, unë dua paratë”.
Jackie Mason

2. “Tek Perëndia besojmë. Të gjithë të tjerët duhet të paguajnë para në dorë”.
Thënie amerikane

3. “Paratë janë më mirë se varfëria, por vetëm për arsye financiare”. Woody Allen

4. “Koha është më e vlefshme se paratë. Paratë mund të shumohen, por për kohën themi të kundërtën”.
John Updike

5. “Nëse i detyrohesh bankës 100 dollarë, ky është problemi yt. Nëse i detyrohesh bankës 100 milionë dollarë, atëherë është problemi i bankës”.
JP Getty

6. “Nuk ka rëndësi a je i bardhë apo me ngjyrë … ngjyra e vetme që ka rëndësi është e gjelbra”.
Family Guy

7. “E vetmja mënyrë për të mos menduar për paratë … është të kesh shumë prej tyre”.
Edith Wharton

8. “Nëse doni të dini se çfarë mendon Zoti për paratë, mjafton të shihni njerëzit të cilëve ai ua jep”.
Thënie e vjetër irlandeze

9. “Jini të pasur për veten tuaj … dhe të varfër për miqtë”
Juvenal

10. “Nëse doni ta dini vlerën e parave, provoni të merrni hua disa”.
Benjamin Franklin

11. “Me 10 mijë dollarë do të ishim milionerë! Kështu do të blinim gjithë gjërat e nevojshme si … dashuria!
Homer Simpson

12. “Mënyra më e lehtë që fëmijët të mësojnë për paratë do të ishte kur ju të mos kishit”.
Katharine Whitehorn

13. “Financa është arti i kalimit të parave nga dora në dorë derisa më në fund të zhduket”.
Robert W. Sarnoff

14. “Gjithçka që kërkoj është një mundësi për të treguar se paratë nuk më bëjnë të lumtur”.
Spike Milligan

15. “E ç’vlerë ka lumturia? Ajo nuk t’i blen dot paratë”.
Henry Youngman

16. “Shumë njerëz shpenzojnë paratë që s’i kanë fituar, për të blerë gjëra që s’i duan, për t’i lënë mbresa njerëzve që s’i pëlqejnë”.
Will Smith

17. “Sikur vetëm Perëndia të më jepte një shenjë të qartë … si për shembull të më hapte një llogari të madhe në një bankë zvicerane”.
Woody Allen

18. “Ai që martohet për dashuri pa para kalon netë të mira dhe ditë të këqija”.
Thënie amerikane

19. “Mes punës dhe familjes, vërtet që s’po kaloj shumë kohë me paratë e mia”.
Thënie amerikane

20. “Ndryshimi mes një divorci dhe një ndarjeje ligjore është se ndarja ligjore i jep burrit kohë për të fshehur paratë e tij”
Johnny Carson

21. “Një bankë është një vend që do të të japë para nëse i vërteton se s’ke nevojë për to”.
Bob Hope

22. “Kushdo që thotë se paratë nuk e blejnë lumturinë, thjesht nuk dinë se ku të bëjnë pazar”.
Bo Derek

23. “Kur isha i ri mendoja se paratë ishin gjëja më e rëndësishme në jetë; tani që jam i rritur e di se janë vërtet”.
Oscar Wilde

24. “Monedha është e pavlefshme në ditët e sotme”.
Yogi Berra

25. “Çdo ditë ngrihet dhe shikoj listën e “Forbes” për njerëzit më të pasur në Amerikë. Nëse nuk jam atje, shkoj në punë”.
Robert Orben

26. “Gjithmonë merr para hua nga një pesimist … ai nuk pret që ti t’ia kthesh”.
Thënie amerikane

27. “Nëse mendon se askujt nuk i intereson nëse je gjallë, provo të mos paguash dy muaj fatura”.
Earl Wilson

28. “Mos më thoni se ku i keni prioritetet. Më tregoni për çfarë i shpenzoni paratë dhe unë do t’ju tregoj se çfarë janë”.
James W. Frick

29. “Arsimi formal do t’ju nxjerrë bukën e gojës; mësimet nga jeta do t’ju bëjnë të pasur”.
Jim Rohn

30. “Paratë janë realitetin, një tipar permanent i jetës së përditshme. Ato i japin jetës një ritëm të veçantë, një “tërheqje” të caktuar, një perceptim të pazakontë të botës dhe vendit tonë në të”.

31. “Paratë i krijojnë problemet atëherë kur nuk i kemi; na i shtojnë ato edhe kur i kemi. Por është vetëm një iluzion se ne jemi në kontroll të parave tona. E vërteta është se ne e dimë dhe e kuptojmë sa kontroll ushtrojnë mbi ne”.
32. “Paratë na bëjnë zotërinj dhe skllevër. Pushteti ynë mbi paratë është i vërtetë, por vetëm kur kuptojmë pushtetin e tyre mbi ne”.
Thënie franceze

33. “Shumë prej nesh i konsiderojnë amerikanët si ndjekës të parave. Kjo është një shpifje mizore, edhe pse është përsëritur nga vetë amerikanët”.
Albert Einstein

34. “Ai, opinioni i të cilit është se paratë mund të bëjnë gjithçka, mund të bëjë gjithçka për para”.
Benjamin Franklin

35. “Nëse do të ishit të pasur, mendoni edhe të kurseni”.
Benjamin Franklin

36. “Kush është i pasur? Ai që është i kënaqur. Kush është ai? Askushi.
Benjamin Franklin

37. “Pasuria mund të na aftësojë të bëjmë favore; por hirin pasuria s’na e jep”.
Charles Caleb Colton

38. “Të ardhurat vjetore njëzet paund; shpenzimet vjetore nëntëmbëdhjetë; rezultati, lumturi. Të ardhurat vjetore njëzet paund; shpenzimet vjetore njëzet e gjashtë paund; rezultati, mjerim”.
Charles Dickens

39. “Nëse të gjithë njerëzit e pasur në botë do ta ndanin
pasurinë mes tyre, nuk do të kishte mjaftueshëm për të tjerët”.
Christina Stead

40. “Paratë e tepërta janë delli i luftës”
Cicero

41. “Paratë nuk kanë qenë kurrë motivim i rëndësishëm për mua, përveçse për të shënuar pikë. Nxitja e vërtetë është loja”.
Donald Trump

42. “Paratë janë delli i dashurisë, si dhe i luftës”.
Doktor Thomas Fuller

43. “Po jetoj kaq larg të ardhurave të mia, sa mund të thuhet se po jetojmë të ndarë”.
Anonim

44. “Kurseni nga pak çdo muaj dhe në fund të vitit do të habiteni se sa pak që keni”.
Ernest Haskins

45. “Të pasurit janë shkuma e tokës në çdo shtet”.
G.K. Chesterton

46. “Mungesa e parave janë rrënja e gjithë të këqijave”.
George Bernard Show

47. “Njerëzit duhet të jenë të varfër për ta kuptuar luksin e të dhënit”.
George Eliot

48. “Paratë ju çlirojnë nga të bërit e çdo gjëje që s’pëlqeni. Meqë s’më pëlqen asgjë, paratë më hyjnë në punë”.
Groucho Marx

49. “Vlera kryesore e parave është në faktin se njerëzit jetojnë në një botë e cila mbivlerësohet”.
H.L. Mencken

50. “Bëjeni paratë perëndinë tuaj, dhe do t’ju shkatërrojë si djalli”Henry Fielding

51. “Nëse mund t’i numëroni paratë, nuk keni një miliardë dollarë”.
J. Paul Getty

52. “Kam aq para sa të më mbeten deri në fund të jetës, deri në momentin që do të blej diçka”.
Jackie Mason

53. “Një rrogë e mirë është receta më e mirë për lumturinë që kam dëgjuar ndonjëherë”.
Jane Austen

54. “Një njeri i zgjuar duhet ta ketë paranë në kokë, por jo në zemër”.
Jonathan Swift

55. “Mos u gënjeni duke besuar se një njeri i pasur është domosdo i zgjuar. Ka mjaft prova që vërtetojnë të kundërtën”.
Julius Rosenwald

56. “Kurrë s’e kam përfunduar gjimnazin, megjithatë jam i pasur dhe i suksesshëm”.
Këngëtar anglez

57. “Nëse doni të ndiheni të pasur, mjafton të numëroni gjërat që keni dhe që paratë s’i blejnë”.

58. “Paratë janë si shqisa e gjashtë, s’mund t’i përdorësh pesë të parat pa to”.
William Somerset Maugham

59. “Mund të bëheni të përkryer në diçka që doni. Mos i bëni paratë synimi juaj. Por, përkoni gjërat që doni të bëni, dhe atëherë bëjini ato aq mirë, sa të tjerët s’do t’jua ndajnë sytë”.
Maya Angelou

60. “Paratë ende s’e kanë bërë një njeri të lumtur. Sa më shumë të ketë, aq më shumë do të dojë. Në vend që të mbushë një vakum, krijon një tjetër”.
Benjamin Franklin

61. “Ju kujtoni se paratë janë rrënja e të këqijave. E keni pyetur veten se cila është rrënja e gjithë parave”?
Ayn Rand

62. “Intelekti ndërtohet paralelisht me ekonominë e parave”.
G. Simmel

63. “Paratë, nëse nuk të sjellin lumturi, të paktën të ndihmojë të jesh i mjerueshëm në luks”.
Helen Gurley Brown

64. “Arti nuk është në bërjen e parave, por në ruajtjen e tyre”.
Fjalë e urtë

65. “Paratë janë vetëm një mjet. Do të të çojnë ku të duash, por nuk do të të zëvendësojnë ty si shofer”.
Ayn Rand

66. “Paratë shpesh kushtojnë shumë”.
Ralph Waldo Emerson

67. “Nuk do të jetoni një ditë të lumtur, edhe sikur të keni fituar shumë para, nëse nuk bëni diçka për dikë që s’mund t’jua rikthejë”.
Ruth Smeltzer
68. “Dilni në botë dhe punoni sikur paratë mos kenë rëndësi, këndoni sikur askush s’ju dëgjon, dashuroni sikur kurrë mos jeni lënduar dhe kërceni sikur askush s’po ju sheh”

69. “Është mirë të keni para dhe gjërat që i keni blerë me para, por është mirë që ndonjëherë të bëni një kontroll se mos keni humbur ndonjë nga gjërat që s’i keni blerë me para”.
George Lorimer

70. “Me para mund të blini një qen të mirë, por vetëm dashuria do ta bëjë të tundë bishtin”.
Richard Friedman

71. “Paratë kurrë s’e krijojnë një ide. Është ideja që krijon paratë”.
Owen Laughlin

72. “Sa ndryshim bën sa shumë ke? Ajo që s’keni është edhe më e madhe”.
Seneca

73. “Paratë janë barometri i virtytit të shoqërisë”.
Ayn Rand

74. “Shumë njerëz nuk kujdesen për paratë e tyre, derisa ato përfundojnë, ndërsa të tjerë bëjnë të njëjtën gjë me kohën e tyre”.

Johann Wolfgang von Goethe
75. “Paratë dhe gratë janë më të kërkuarat”.
Will Rogers

76. “Paratë do të vinë kur bëni gjënë e duhur”.
Mike Phillips

77. “Shkëlqimi i një mendimi të ngrohtë vlen më shumë se paratë”.
Thomas Jefferson

78. “Nuk jap rroga të mira, pasi kam shumë para; kam shumë para, pasi jap rroga të mira”.
Robert Bosch

79. “Paratë zakonisht tërhiqen, nuk kërkohen”.
Jim Rohn

80. “Paratë nuk kërkohen për të blerë një nevojë të shpirtit”.
Henry David Thoreau

81. “Nëse paratë s’mund ta blejnë lumturinë, të paktën ju lejojnë të zgjidhni një formë mjerimi”.

82. “Një burrë ka njëqind dollarë dhe ju e lini me dy dollarë. Kjo është zbritja”.
Mae West

83. “Paratë nuk rriten në pemë”.
Fjalë e urtë

84. “Paratë janë si dashuria; vret me ngadalë atë që e mban dhe gjallëron atë që e jep”.
Kahlil Gibran

85. “Nuk kemi borxh një miliardë miliardë dollarë, pasi nuk kemi taksuar mjaftueshëm; kemi borxh një miliardë miliardë dollarë, pasi kemi shpenzuar shumë”.
Ronald Reagan

86. “Nuk më interesojnë shumë paratë, se paratë s’ma blejnë dashurinë”.
Tekst nga “Beatles”.

87. “Mënyra më e mirë për ta dyfishuar paranë është ta palosësh dhe ta fusësh në xhep”.
Frank Hubbard

88. “Ekziston një mënyrë e lehtë për t’u kthyer nga kazinoja me një shumë të vogël: të shkosh atje me një shumë të madhe”.
Jack Yelton

89. “Të përzierat e makinës të vijnë kur kalon afati i pagimit të faturave”.

90. “Inflacioni ka shkatërruar gjithçka. Një monedhë përdoret vetëm si kaçavidë”.
Jackson Brown

91. “I kundërshtoj milionerët, por do të ishte e rrezikshme sikur të ma jepnin mua atë post”.
Mark Twain

92. “S’mund ta përballoj të humbas kohën duke bërë para”.
Louis Agassiz

93. “Kur ka para në poezi, por nuk ka as poezi në para”.
Robert Graves

94. “Kur has në para e heq qafe shpejt, para se të më futet në zemër”.
John Wesley

95. “Një xhepmbushur shpesh rënkon më shumë se një stomakbosh”.
Franklin Delano Roosevelt

96. “Pas një vizite në plazh, vështirë të mendosh se jetojmë në një botë materiale”.
Pam Shaw

97. “Masa e vërtetë e pasurisë është sa shumë do të vlenit sikur t’i humbisnit paratë”.

98. “Kur pema e fundit të jetë fishkur dhe lumi i fundit të jetë helmuar dhe peshku i fundit të jetë zënë, atëherë do të kuptojmë se s’mund ta hamë paranë”.
Fjalë e urtë indiane

99. “Do të më pëlqente të jetoja si një njeri i varfër me shumë para”.
Pablo Picasso

100. “Filozofia e parave kontribuon në edukimin e njerëzimit dhe i ndihmon njerëzit të kujtojnë se “matësi i të gjitha gjërave” duhet të jetë gjithmonë njeriu”./KultPlus.com