Presidentja Osmani i dërgon letër Zelenskyt në 31 vjetorin e pavarësisë: Jemi me ju derisa Ukraina të fitojë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani i ka dërguar letër presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky për nder të 31-vjetorit të pavarësisë.

Presidentja Osmani këtë e ka bërë të ditur përmes një cicërime në rrjetin social ‘Twitter’.

“Letra ime drejtuar Presidentit Zelensky dhe populli ukrainas në ditën e tyre kombëtare”.

Osmani edhe në këtë ditë ka shprehur mbështetje ndaj popullit ukrainas.

“Ne jemi me ju në shpirt, ne jemi me ju në veprim dhe do të jemi me ju derisa Ukraina të fitojë. Lavdi Ukrainës!”.

Ndryshe, në ditën e shënimit të përvjetorit të 31-të të pavarësisë, Zelensky ka thënë se planifikon të ndajë çmime për ukrainasit që kanë kontribuuar në forcimin e shtetit. / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Me presidentin Begaj do të punojmë ngushtë për ta fuqizuar zërin tonë kudo në botë

Me nderime të larta shtetërore, presidentja Vjosa Osmani e ka pritur sot presidentin e Shqipërisë Bajram Begaj, në vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë.

Presidentët pasi zhvilluan një takim, bën nderime edhe para memorialit për Personat e Zhdukur. Më pas Osmani dhe Begaj mbajtën konferencë për media.

Presidentja Osmani është shprehur se me presidentin Begaj do të punojnë ngushtë për ta avancuar rrugëtimin evropian të të dyja shteteve.

“Me Presidentin Bajram Begaj do të punojmë ngushtë për ta avancuar rrugëtimin evropian të shteteve tona, për ta fuqizuar zërin tonë kudo në botë dhe për të qëndruar bashkërisht në mbrojtjen e demokracisë, paqes dhe lirisë.

Kjo vizitë e rëndësishme vazhdon traditën e presidentëve nga Shqipëria, të cilët e nisin mandantin e tyre me vizitën në Kosovë si konfirmim i mbështetjes së parezervë për Republikën e Kosovës, si dhe përkushtimin e ndërsjellë për t’i thelluar raportet tona si shtete simotra.

Mirë se vini në shtëpinë tuaj, zoti President!”, ka shkruar Osmani. / KultPlus.com

EULEX-i donacion për Kooperativën “Krusha”, prezente do të jetë edhe presidentja Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do ta vizitojë sot Kooperativën Bujqësore “Krusha”.

Vizita e saj do të jetë në ora 10:50.

Por prezenca e Osmanit aty ka një qëllim, pasi EULEX-I do të dorëzojë donacion për këtë kooperativë.

E gjatë këtij dorëzimi prezente do të jetë edhe e para e shtetit.

Gratë e Krushës pas lufte përkundër paragjykimeve morën iniciativën që të merren me ndërmarrësi.

Për vullnetin dhe sfidat e tyre është realizuar edhe filmi “Zgjoi” i cili ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm ndërkombëtar. / KultPlus.com

Presidentja Osmani kujton masakrën e Srebrenicës: Duhet të jemi të bashkuar kundër përpjekjeve për t’i minuar ose mohuar këto mizori të tmerrshme

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar sot 11 korrikun e vitit 1995, ku forcat serbe masakruan mbi 8 mijë burra në Bosnje.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Osmani ka kujtuar 8,372 djemë e burra boshnjakë të vrarë pa mëshirë nga forcat serbe.

Osmani tutje ka thënë që duhet të jemi të gjithë të bashkuar kundër përpjekjeve për t’i minuar ose mohuar këto mizori të tmerrshme.

“27 vjet pas gjenocidit të Srebrenicës, kujtojmë 8,372 djemë e burra boshnjakë të vrarë pa mëshirë nga forcat serbe.

Sot, zemrat tona janë me familjet dhe të dashurit e tyre. Duhet të jemi të gjithë të bashkuar kundër përpjekjeve për t’i minuar ose mohuar këto mizori të tmerrshme”, ka shkruar presidentja Vjosa Osmani në 27 vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës. / KultPlus.com

Shfaqja “Zgjimi i Pranverës” nga Zana Hoxha u prezantua në Slloveni, e pranishme edhe presidentja Osmani

Shfaqja muzikore “Zgjimi i Pranverës”, me regji të Zana Hoxhës, u prezantua edhe para publikut në Slloveni.

Përveç presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, prezente në këtë ngjarje ishte edhe ministrja e Kulturës së Sllovenisë, Asta Vrečko.

Me regji të Zana Hoxhës kryevepra e autorit Frank Wedekind “Zgjimi i Pranverës” është adaptuar në Kosovën e viteve të ’90-ta.

Nevoja e të rinjve për të kuptuar dhe për t’u kuptuar ka qenë dhe vazhdon të jetë sfidë, sidomos historia që i ka përcjellë të rinjtë tanë në vitet e ’90-ta, kohë protestash e rezistence, kohë kur liria kolektive dhe personale ishte e kufizuar nga regjimi politik i Millosheviqit dhe patriarkati, përderisa solidariteti mbante gjallë frymën e rezistencës kolektive.

Rinia dhe nevojat e natyrshme të rinisë nuk kanë qenë prioritet andaj edhe informacionet për seksualitetin, ndjenjat, dashuria e përvojat e tyre kanë qenë të limituara dhe të neglizhuara nga familja, shkolla e shoqëria. Dhuna në shkollë, abuzimi fizik dhe seksual, paragjykimet, shtatzënia e paplanifikuar dhe aborti kanë qenë dhe mbesin probleme reale të shoqërisë sonë kosovare.

Kjo shfaqje, duke përfshirë të gjithë krijuesit e saj, i dedikohet të gjithë të adoleshentëve të rënë në vitin 1998-1999 në luftën e fundit në Kosovë.

 Në shfaqje luajnë aktorët: Hajat Toçilla, Valmir Krasniqi, Labinot Raci, Arta Muçaj, Shkelzen Veseli, Semira Latifi, Shpetim Kastrati, Zhaneta Xhemajli, Verona Koxha, Flamur Ahmeti, Armend Ballazhi.

Shfaqja rreth vetës ka grumbulluar një grup profesionalistësh që u kujdesën për secilin detaj. Muzikantët: Alzan Gashi, Arbër Salihu & Drin Tashi, koreografia: Robert Nuha, kostumegrafia: Yllka Brada, skenografia: Youliana Voykova – Najman, inspicient: Bajram Mehemtaj dhe asistente: Elira A Lluka. / KultPlus.com

Pas ftesës së presidentes Osmani, nga “Sunny Hill” besojnë se shefat e BE-së dhe Macron do t’i bashkohen festivalit

Sot, në takimin me liderët e shteteve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani është pyetur nga shefja e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, edhe për Dua Lipën, shkruan KultPlus.

Presidentja Osmani gjatë kësaj bisede të shkurtër që u zhvillua përpara samitit BE – Ballkani Perëndimor – gjatë realizimit të fotografisë bashkë me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel dhe presidentin francez Emmanuel Macron, ka shfrytëzuar rastin që t’i ftojë ata të marrin pjesë në festivalin Sunny Hill që do të mbahet në Kosovë dhe Shqipëri.

Këtë video e ka shpërndarë edhe Alban Kastrati, përfaqësues i festivalit “Sunny Hill” i cili është shprehur optimist që shefat e mëdhenj të BE-së DHE PRESIDENTI I Francës, mund të vijnë në Sunny Hill pas ftesës së presidentes Osmani.

“Prej mbi 10,000 festivaleve ne Evrope, Komisioni Evropian na ka njoftuar se ka zgjedhe qe nje grup te madh te gazetareve evropian ta sjell ne Sunny Hill Festival ne Prishtine e Tirane. Ne kete edicion, ka gjasa qe na vijne edhe shefat me te medhenj te BE-se edhe Presidenti i Frances, Macron, me ftese te Vjosa Osmani.

Vizat on the way”, ka shkruar Kastrati. / KultPlus.com

Osmani tregon pritjet nga Samiti, gazetarët e pyesin “pse janë vizat kaq të rëndësishme për ju?”

Presidentja Vjosa Osmani i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve para se të nisë samiti BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel.

Ajo është pyetur se pse liberalizimi i vizave është i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës dhe përgjigjja e Osmanit ishte se kjo është një padrejtësi e madhe që po iu bëhet atyre derisa njerëzit nga e gjithë Europa dhe përreth saj lëvizin lirshëm derisa një vend me më pak se 2 milionë banorë mbahet i izoluar.

“Ne shpresojmë, megjithatë nuk dua që të rris pritshmëritë në këtë pikë, sepse më ky proces nuk është në duart tona. Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet vite më parë.  Është padrejtësi e madhe ndaj qytetarëve të Kosovës”.

Osmani tha se për këtë çështje vendim pro ka dhënë Komisioni Europian dhe gjithashtu Parlamenti Europian, prandaj është koha që shtetet anëtare të dëgjojnë zërin e qytetarëve të tyre.

Cilat janë pritshmëritë e Osmanit para samiti?

“Jam këtu për të dhënë një mesazh të rëndësishëm në emër të njerëzve të Kosovës. Neve na duhet një zë i qartë nga Bashkimi Europian, na duhet një mesazh i bashkuar nga BE-ja ndaj Ballkanit Perëndimor, sepse sa më shumë hapësirë po mbetet për faktorët malinj ata do ta përdorin. Kështu që, shpresojmë për një perspektivë të qartë nga të gjithë shtetet anëtare”.

Presidentja e Kosovës foli edhe për synimet e anëtarësimit të Ukrainës dhe Moldavisë.

“I mbështesim Ukrainën, Moldavinë, sepse e meritojnë.  Njëjtë sikurse Kosova, edhe këto dy vende kanë treguar se përnjëmend qëndrojnë krah vlerave europiane dhe janë në gjendje të japin edhe jetën për t’iu bashkuar BE-së. Unë nuk shoh ndonjë të keqe për Ballkanin Perëndimor, nëse Ukraina dhe Moldavia ecin përpara, përkundrazi”, tha Osmani për gazetarët.

Në përmendjen e faktit se krijimi i hapësirës në Ballkanin Perëndimor lejon që faktorë të tjerë malinj ta përdorin atë, Osmani thotë se BE-ja duhet të jetë ofrojë një perspektivë të qartë ndaj rajonit dhe sidomos ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor që kanë treguar se janë pro vlerave europiane. / Gazeta express/ KultPlus.com

Presidentja Osmani është pritur nga Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nausėda

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani Sadriu, në fillim të vizitës së saj zyrtare në Lituani, është pritur nga Presidenti i Republikës së Lituanisë, Gitanas Nausėda me të cilin u diskutua hapja e kapitujve të ri të partneritetit në mes të dy vendeve.

Presidentja Osmani ka përmendur historinë e gjatë të popujve tanë në rezistencën e guximshme kundër okupatorëve si dhe kontributin e vendeve tona për një Evropë më paqësore dhe të sigurt.

“Sot Lituania e përkrahë Kosovën në aspiratat euro-atlantike dhe në procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, ndërkaq së bashku qëndrojmë kundër luftës gjenocidale të Rusisë në Ukrainë. ”, ka thënë Presidentja Osmani.

Ndër të tjera, të dy presidentët kanë diskutuar edhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë si dhe mundësitë e rritjes së shkëmbimit tregtar. Presidentja Osmani e ka informuar homologun e saj për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës duke kërkuar përkrahjen e Lituanisë për këtë proces si dhe për integrimin e Kosovës në BE dhe në NATO. Presidenti Nausėda ritheksoi përkrahjen e fuqishme të Lituanisë për pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës si dhe për integrimin euro-atlantik të vendit tonë.  

Gjatë qëndrimit në Lituani, Presidentja Osmani do të realizojë takime edhe me Kryeministren e vendit, Ingrida Šimonytė si dhe Kryetaren e Kuvendit Viktorija Čmilytė-Nielsen si dhe do të zhvillojë takime e aktivitete të tjera. / KultPlus.com

Presidentja Osmani takoi ministren e Jashtme të Panamasë, Erika Mouynes dhe mori pjesë në Forumin për gratë në politikë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu është takuar me ministren e Punëve të Jashtme të Republikës së Panamasë, Erika Mouynes.

Në takim me Ministren Mouynes është rikonfirmuar gatishmëria e dy vendeve tona për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror në politikën e jashtme, duke përfshirë mbështetjen e palëkundur të Panamasë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Ndër të tjera, Presidentja Osmani dhe ministrja Mouynes kanë diskutuar për situatën aktuale në rajon, Evropë dhe më gjerë, si dhe nevojën për të qëndruar të bashkuar kundër akterëve antidemokratik, të cilët kanë qëllim destabilizimin dhe kërcënimin e vlerave tona të përbashkëta liridashëse.

Pas takimit, Presidentja Osmani dhe ministrja Mouynes i janë drejtuar një audience akademikësh dhe diplomatësh në një panel të përbashkët mbi rolin e gruas në politikë. 

Presidentja deklaroi që fuqizimi i grave në politikë është thelbësor për ndërtimin e demokracive të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. “Përpjekjet tona nuk do të pushojnë deri atëherë kur vajzat e gratë do të ndihen që kontributi dhe roli i tyre në shoqëri është i njohur dhe i vlerësuar”, ka thënë ndër të tjera Presidentja Osmani.​ / KultPlus.com

Presidentja uron Ditën e Kushtetutës: Ta ruajmë dhe ta mbrojmë sovranitetin që buron nga populli

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Ditën e Kushtetutës, duke kujtuar sakrificën e popullit për ta jetësuar atë.

Ajo tha se në këtë përvjetor duhet kujtuar se sjellja konform Kushtetutës është ruajtja e sovranitetit të vendit.

“Sot në Ditën e Kushtetutës, kujtojmë sakrificën e gjatë e të dhimbshme të popullit tonë, në mënyrë që një ditë, në kushtetutën e vendit tonë, të jetësohet ëndrra për të jetuar të lirë.  Në përvjetorin e Kushtetutës, sikurse edhe çdo ditë tjetër, duhet veprojmë, të sillemi e të ecim, siç thuhet në aktin më të lartë juridik: ta ruajmë dhe mbrojmë sovranitetin, i cili buron nga populli dhe i takon popullit. Urime Dita e Kushtetutës!”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Krahas urimit, ajo ka publikuar edhe një fotografi të vajzave të saj pranë Kushtetutës.

Presidentja Osmani merr pjesë në ceremoninë hapëse të Forumit të Dohas

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po merr pjesë në ceremoninë hapëse të edicionit të 20-të të Forumit të Dohas, përcjell KultPlus.

Përmes një postimi në Tëitter, Osmani thotë se në këtë kohë sfiduese për botën, dialogu, diplomacia dhe diversiteti janë më të rëndësishme se kurrë.

Në vijim gjeni postimin e plotë të Presidentes:

Kënaqësi të marr pjesë në ceremoninë e hapjes së edicionit të 20-të të Doha Forum.

Në këtë kohë sfiduese për botën, dialogu, diplomacia dhe diversiteti janë më të rëndësishme se kurrë.

Pres me padurim të takohem me liderët e tjerë dhe të marr pjesë në diskutimet gjatë forumit./ KultPlus.com

Presidentja Osmani kujton avokatin Bajram Kelmendi dhe dy djemtë e tij në 23 vjetorin e vrasjes

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar sot avokatin Bajram Kelmendi me dy djemtë e tij, Kastriotin e Kushtrimin, të cilët u rrëmbyen nga forcat gjenocidale të Serbisë dhe u ekzekutuan mizorisht, 23 vjet më parë.

“Vrasja e aktivistit për të drejta të njeriut dhe e djemve të tij ishte një veprim i paramenduar i pushtetit serb, pikërisht në ditën kur NATO-ja filloi sulmet ajrore për t`i dhënë fund përpjekjes së këtij regjimi për shfarosjen e popullit të Kosovës”, ka thënë Presidentja Osmani.

Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes:

Të rrëmbyer nga forcat gjenocidale të Serbisë, avokati Bajram Kelmendi me dy djemtë e tij, Kastriotin e Kushtrimi, 23- vjet më parë  u ekzekutuan mizorisht.

Vrasja e aktivistit për të drejta të njeriut dhe e djemve të tij ishte një veprim i paramenduar i pushtetit serb, pikërisht në ditën kur NATO-ja filloi sulmet ajrore për t`i dhënë fund përpjekjes së këtij regjimi për shfarosjen e popullit të Kosovës.

Avokati Kelmendi do të mbahet mend për angazhimin në fushën e drejtësisë, e cila do të vendoset kur vrasësit e tij dhe dy djemve do të vihen para drejtësisë.

Qoftë i përjetshëm kujtimi për avokatin dhe bijtë e tij!./ KultPlus.com

Presidentja Osmani: Ndërhyrja historike e NATO-s e vulosi të drejtën tonë për liri e pavarësi (VIDEO)

Sot shënohet 23-vjetori i fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë, përcjell KultPlus.

Presidentja Osmani përmes një video-mesazhi në Facebook ka thënë së 23 vite më parë filloi të jetësohet shpresa e popullit tonë për një Kosovë të lirë.

23 vite më parë, filloi të jetësohet shpresa e popullit tonë paqedashës për një Kosovë të lirë. Në këtë përvjetor, shprehim në veçanti mirënjohjen e thellë për rolin e Sekretares Albright, e cila fizikisht na la dje, por do të mbetet përherë fanar ndriques për të ardhmen tonë. Ndërhyrja historike e NATO-s e vulosi të drejtën tonë për liri e pavarësi. Në emër të popullit të Kosovës, të atyre që nuk janë më në mesin tonë, dhe brezave të tërë që do të vijnë pas nesh, ju faleminderit!.“- ka shkruar presidentja Osmani/ KultPlus.com

Takimi me delegacionin nga Shtëpia e Bardhë, Osmani: Jam krenare për intensifikimin e bashkëpunimit tonë me SHBA-të

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur një delegacion nga Shtëpia e Bardhë sot në Presidencë.

Në krye te delegacionit amerikan është Elizabeth Sherwood-Randall, asistente e presidentit të SHBA’së për Siguri Kombëtare. Bashkë me të janë edhe Curtis Reid, drejtor i Lartë për Çështje Multilaterale në kuadër të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Hillary Hurd, këshilltare e Lartë në Këshillin për Siguri Kombëtare dhe Holly Holzer, koordinatore e Departamentit të Shtetit për Përpjekjet e Zhvendosjes nga Afganistani (CARE).

“Jam krenare për intensifikimin e bashkëpunimit tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Jemi të vendosur për t`i forcuar mëtej marrëdhëniet tona politike, ushtarake dhe ekonomike, prandaj sot pata nderin ta mirëpres në takim një delegacion nga Shtëpia e Bardhë, të udhëhequr nga znj. Elizabeth Sherwood-Randall, këshilltare e Presidentit Biden.
Marrëdhëniet me SHBA-të janë ekzistenciale dhe strategjike!”, ka shkruar Osmani në rrjetet sociale. / KultPlus.com

Delegacioni i Shtëpisë së Bardhë nesër në Presidencë, pritet nga Presidentja Osmani

Nesër, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu do ta pres në takim një delegacion nga Shtëpia e Bardhë.

ZPRK-ja përmes një komunikate për media tha se ky takim do të mbahet në orën 15:00.

Po ashtu, në orën 16:10, presidentja pret në takim edhe kancelarin e Austrisë, Karl Nehammer.

“Fillimisht Presidentja Osmani do ta presë Kancelarin Nehammer në hyrje të objektit të Kuvendit të Kosovës, ku do të bëhet edhe fotografia zyrtare, dhe më pas takimi do të mbahet në Kabinetin e Presidentes”, thuhet në komunikatën e tyre. / KultPlus.com

Presidentja Osmani takon komandantin e KFOR-it Gjeneral Major Ferenc Kajári, diskutohet çështja e sigurisë në vend

Presidentja Osmani takoi komandantin e KFOR-it Gjeneral Major Ferenc Kajári.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, ka pritur në takim komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Ferenc Kajári, me të cilin diskutoi çështjen e sigurisë në vend dhe zhvillimet e fundit në kontinentin evropian pas agresionit ushtarak të Federatës Ruse ndaj Ukrainës.

Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për punën e KFOR-it dhe kontributin e tyre për paqe dhe siguri. Ne anën tjetër, komandanti Kajári ritheksoi përkushtimin e trupave të KFOR-it në mbështetjen e një mjedisi të sigurt dhe paqësor në të gjithë vendin. / KultPlus.com

Osmani ndan Medaljen Presidenciale Ushtarake për ushtarët ukrainas që kanë shërbyer në Kosovë nga viti 1999

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ndarë sot Medaljen Presidenciale Ushtarake për ushtarët ukrainas që kanë shërbyer në Kosovë në kuadër të KFOR-it që nga viti 1999.

Osmani ka thënë se një mirënjohje e tillë shkon për 1 mijë e 400 ushtarët ukrainas, gra e burra, të cilët u kujdesën për sigurinë e Kosovës.

Presidentja tutje ka potencuar se “në kohën kur në Ukrainë po mbrohet në mënyrë dinjitoze e tashmja dhe e ardhmja e gjithë Evropës, populli i Kosovës qëndron me popullin dhe ushtarët e Ukrainës drejt fitores ndaj agresionit rus”.

Shkrimi i plotë i Osmanit:

Sot dekorova me Medaljen  Presidenciale Ushtarake kontigjentin ukrainas të KFOR-it për kontributin e dhënë për më shumë se dy dekada për paqen dhe sigurinë e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Medalja e sotme është mirënjohje ndaj 1400 grave e burrave të Forcave të Armatosura të Ukrainës, të cilët shërbyen në Kosovë që nga viti 1999 në kuadër të forcave të NATO-s, por edhe vlerësim ndaj profesionalizmit dhe trimërisë të cilat kjo ushtri po i manifeston në këto kohë të errëta për popullin ukrainas dhe për gjithë kontinentin tonë.

Në kohën kur në Ukrainë po mbrohet në mënyrë dinjitoze e tashmja dhe e ardhmja e gjithë Evropës, populli i Kosovës qëndron me popullin dhe ushtarët e Ukrainës drejt fitores ndaj agresionit rus. / KultPlus.com

Presidentja Osmani takon Dritan Abazoviq, diskutuan për bashkëpunimin mes dy vendeve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me mandatarin për krijimin e qeverisë së re në Mal të Zi, Dritan Abazoviqin.

Osmani e Abazoviq janë duke marrë pjesë në Ditën e dytë të Forumit për Diplomaci, i cili po mbahet në Antali të Turqisë, përcjell Klankosova.tv.

Lajmin për takimin e tyre e ka dhënë vet Osmani, përmes një postimi në rrjetin social, Twitter, ku tha se disktuan për rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve.

“Diskutuam rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve tona tashmë të shkëlqyera fqinjësore dhe potencialin e jashtëzakonshëm për të avancuar më tej bashkëpunim në dobi të popullit tonë”, ka shkruar Osmani./ KultPlus.com

Konferenca e Sigurisë në Mynih, Osmani: Përçuam mesazhin se Kosova është shembull i shkëlqyeshëm i kontributit për paqe e stabilitet në rajon

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri. Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, kanë marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë që është mbajtur në Mynih, përcjell KultPlus.

Përmes një postimi në Facebook, presidentja Osmani thotë se në këto takime tre-ditore, krerët shtetërorë të Kosovës përçuan mesazhin se Kosova është shembull i shkëlqyeshëm i kontributit për paqe e stabilitet në rajon.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të presidents Osmani:

Ishin tri ditë intensive në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku së bashku me Kryeministrin Kurti dhe Zëvendëskryeministren Gërvalla, diskutuam në një numër panelesh e tryezash dhe takuam përfaqësues të shteteve të tjera dhe të organizatave ndërkombëtare. Në të gjitha këto organizime si dhe takime e diskutime bilaterale, përçuam mesazhin se Kosova është shembull i shkëlqyeshëm i kontributit për paqe e stabilitet në rajon, duke kryer njëkohësisht një sërë reformash brenda vendit të cilat po përkrahen fuqishëm nga qytetarët por edhe nga partnerët ndërkombëtarë.

Përkushtimin tonë në procesin e integrimit në struktura euro-atlantike, përtej aspektit deklarativ, po e dëshmojmë me veprime konkrete, prandaj është imperative që e ardhmja e vendit tonë në këto struktura të garantohet duke pasur parasysh ndikimin çdo ditë e më të madh të Rusisë, nëpërmjet Serbisë që ka për qëllim destabilizimin e rajonit.

Në takime me presidentë, kryeministra, ministra të jashtëm, ministra të mbrojtjes, senatorë, udhëheqës të organizatave ndërkombëtare e përfaqësues të shoqërisë civile, gjithnjë synojmë avancimin e raporteve me shtete të tjera dhe shtyrjen përpara të interesave të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj.

Kosova ka miq të shumtë në botë, e këto miqësi vetëm sa do t’i shtojmë e do t’i thellojmë./ KultPlus.com

Osmani e lumtur për takimin me Milanovic: Jemi jashtëzakonisht mirënjohës për mbështetjen e Kroacisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur kënaqësi ta mirëpres presidentin e Republikës së Kroacisë Zoran Milanovic, shkruan KultPlus.

Osmani u shpreh shumë e lumtur për miqësinë e krijuar me popullin kroatë dhe shpreson që mbështetja e Kroacisë për Kosovën të vazhdojë vazhdimisht.

“Dy popujt tanë ishin aty për njëri-tjetrin në ditë të vështira dhe kjo traditë e bashkëpunimit dhe e komunikimit të sinqertë kultivohet sot e kësaj dite ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve në të dy shtetet. Jemi jashtëzakonisht mirënjohës për mbështetjen e Kroacisë për Kosovën në përpjekjet tona për fuqizim të subjektivitetit ndërkombëtar. Sot u konfirmua se bashkëpunimi në këtë drejtim si dhe përkrahja për rrugën euro-atlantike të Kosovës do të vazhdojë edhe mëtutje”, shkroi ajo në “Facebook”. /KultPlus.com

May be an image of 6 people and people standing
May be an image of 3 people and people standing

Presidentja Osmani fillon vizitën me nderime ushtarake nga Forcat e Armatosura të Kanadasë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në ditën e parë të vizitës në Kanada, në një ceremoni ka dekoruar Forcat e Armatosura të Kanadasë me Medaljen Presidenciale Ushtarake për kontributin e tyre në kuadër të forcave të NATO-s, gjatë intervenimit në Kosovë, më 1999 si dhe për shërbimin e tyre në Kosovë mbi dy dekada.

Ajo ka vlerësuar lart rolin e forcave paqeruajtëse kanadeze për ndërtimin e një shoqërie të sigurt në periudhën e pasluftës në Kosovë. Sipas saj, krahas ushtrive të kombeve të tjera, ushtarët kanadezë e bën të mundshme lirinë e Kosovës, ndaj populli do t`u jetë përjetë mirënjohës.

Në takim me ministren e mbrojtjes, Anita Anand, Presidentja Osmani ka theksuar nevojën për bashkëpunim më sferën e sigurisë, duke përmendur zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së, e cila sipas saj po shndërrohet me hapa të sigurt në ushtri moderne, falë koordinimit me partnerët strategjik. Në këtë kontekst, ajo ka përmendur programin e mbrojtjes: MTCP- Programi i Bashkëpunimit në Stërvitje Ushtarake, duke potencuar mundësinë e bashkëpunimit dhe përfshirjes së Kosovës.

Presidentja Osmani, marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Kanadasë  i ka vlerësuar shumë të mira dhe të rëndësishme në planin ndërkombëtar e strategjik.

Ajo ka falënderuar Kanadanë për mbështetjen ndaj Kosovës dhe ka theksuar se vendi ynë ka ende nevojë për mbështetjen kanadeze, posaçërisht në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, por edhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar.

Më tej, Presidentja Osmani ka theksuar tendencat negative të ndikimit rus në rajonin e Ballkanit, duke potencuar mundësitë për destabilizim edhe nga retorika nxitëse dhe veprimet e shtetit serb./KultPlus.com

Presidentja Osmani falënderon Bidenin për ftesën në Samitin e Demokracisë

Kosova është ftuar për herë të parë që të marrë pjesë në Samitin e Demokracisë të organizuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan KultPlus

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka falënderuar Presidentin e SHBA-ve, Joe Biden, për ftesën në Samitin e Demokracisë.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Osmani ka publikuar letrën e dërguar nga Presidenti Biden, duke falënderuar atë që ka punuar drejt fuqizimit të shoqërisë demokratike që respekton të drejtat e njeriut.

“Pas takimeve produktive të javës së shkuar në Ëashington, në të cilat jam njoftuar se Kosova do të jetë pjesë e këtij Samiti, jam e nderuar ta pranoj ftesën nga Presidenti Biden”, ka shkruar Presidentja mes tjerash.

KultPlus ua sjellë postimin e plotë të Presidentes së Kosovës:

Falënderoj Presidentin Biden për ftesën në Samitin për Demokraci të organizuar nga Shtëpia e Bardhë si dhe vlerësimin për partneritetin e ofruar nga Kosova për të punuar drejt fuqizimit të shoqërisë demokratike që respekton të drejtat e njeriut, të cilat ia mundësojnë secilit qytetarë ta përmbush potencialin e vet.

Pas takimeve produktive të javës së shkuar në Ëashington, në të cilat jam njoftuar se Kosova do të jetë pjesë e këtij Samiti, jam e nderuar ta pranoj ftesën nga Presidenti Biden.

Republika e Kosovës është shembull i ndritur i përpjekjeve të vazhdueshme për liri e demokraci. Si e tillë është model për rajonin tonë dhe më gjerë. Kosova do ta ndajë përvojën e saj të veçantë në ndërtimin e institucioneve dhe praktikave demokratike, në partneritet të jashtëzakonshëm me miqtë tanë ndërkombëtar – ku rol prijatarë kanë pasur Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Jam e lumtur që në emër të Republikës së Kosovës do t`i prezantoj të arriturat dhe sfidat që i kemi, si dhe do të angazhohemi bashkërisht që gjatë 12- muajve të ardhshëm ta zbatojmë një plan ambicioz për fuqizimin e mëtejmë të demokracisë sonë të re në mënyrë që qytetarët tanë t`i ndjejnë përfitimet e një udhëheqjeje demokratike të bazuar në sundim të ligjit, të drejta të njeriut dhe gjithëpërfshirje shoqërore./KultPlus.com

Presidentja Osmani thirrje vajzave: Aplikoni për t’u bërë pjesë e FSK-së (VIDEO)

Forca e Sigurisë së Kosovës ka hapur konkurs për rekrutë të rinj.

E presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u ka bërë thirjeve vajzave në Kosovë që të bëhen pjesë e FSK-së, për t’i shërbyer me krenari vendit.

“Të dashura vajza, aplikoni për t’u bërë pjesë e FSK-së, për t’i shërbyer me krenari vendit tuaj.”- ka shkruar presidentja Osmani./KultPlus.com

FSK-ja me 180 rekrutë të rinj, Presidentja Osmani: Prej sot shteti ynë është edhe më i fortë

Sot, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani përmes një statusi në llogarinë e saj zyrtare në rrjetin social Facebook ka bërë të ditur se FSK-së i janë shtuar edhe 180 rekrutë të rinj, prej tyre edhe 12-të vajza ushtare, përcjell KultPlus.

Presidentja Osmani ka theksuar poashtu se si komandante supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndjehet jashtëzakonisht krenare që e sheh çdo ditë e më tepër përparimin e FSK-së.

Më poshtë gjeni statusin e plotë të Presidentes Osmani.

Prej sot shteti ynë është edhe më i fortë. 180 rekrutë të rinj të FSK-së, tashmë janë ushtarë të shtetit të Kosovës, të shtetit tonë të pavarur e sovran e me territor të pacenueshëm, të përgatitur dhe të gatshëm për t`i dalë zot atdheut kurdo që të jetë nevoja.

Si komandante supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, jam jashtëzakonisht krenare që po e shoh çdo ditë e më tepër përparimin e FSK-së.

Ndihem krenare, që që në mesin e rekrutëve janë edhe 12 vajza ushtare, ngase shanset e barabarta në kuadër të ushtrisë sonë gjithnjë janë dëshmi e përparimit të Forcës. Numri i vajzave në FSK duhet të rritet edhe më tej.

Forca jonë është në funksion të mbrojtjes së sovranitetit dhe të paprekshmërisë së territorit të Republikës sonë, sikurse edhe të aleancës sonë me partnerët e në shërbim të paqes. / KultPlus.com