“Rame Lahaj International Opera Festival” këtë vit mbahet nën patronazhin e Komunës së Prishtinës

Festivali i parë Operistik në vend dhe rajon, “Rame Lahaj International Opera Festival” këtë vit, me përkrahje unanime do të mbahet nën patronazhin e Komunës së Prishtinës, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama i cili është shprehur shumë i lumtur.

“Jam tejet i lumtur që sivjet, me përkrahjen unanime të komunës së Prishtinës, marrim nën patronazh Festivalin e parë Operistik në vend e rajon, Rame Lahaj International Opera Festival.

Për artistin tonë Rame Lahaj nuk kam pse të them shumë, pasi vlerësimin ia ka dhënë bota, e ia kam ndjekur shfaqjet edhe personalisht në Berlin e në Londër. Por ajo që për mua, Prishtinën dhe Kosovën ka rëndësi shumë, prandaj edhe do ta përkrahim gjithmonë, është investimi në platformën edukativo/arsimore, të ideuar për talentët lirikë të rinj e në karrierë, e po ashtu në mundësitë e depërtimit të tyre në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar Rama.

RLIOF sivjet do të ketë 5 mbrëmje koncertale, ku përveç yjeve operistike nga shtete të ndryshme, vend të rëndësishëm në repertorin e festivalit do të zërë edhe muzika e mirëfilltë shqipe.

“I dashur Ramë Lahaj, Prishtina dhe vendlindja të mirëpresin ty dhe kolegët e tu ndërkombëtarë”, shkruan tutje Rama. / KultPlus.com

Rikthehet edicioni i dytë i Prishtina Gastronomy Festival

Edicioni i dytë i Prishtina Gastronomy Festival ka për qëllim promovimin e gastronomisë shqiptare duke promovuar kuzhinën dhe traditat kulturore shqiptare, që do të frymëzojnë lëvizje dhe veprimin.

Ky festival vjen si nevojë e promovimit të recetave dhe produkteve mbarëkombëtare shqiptare, si një nga elementet e ruajtjes së identitetit kombëtar.

Festivali ofron një gamë të gjerë mundësish për bizneset, familjet, njerëzit e të gjitha moshave por edhe iniciativat jo-fitimprurëse që kanë të bëjnë me ushqimin që të ndajnë produktet, shërbimet dhe programet e tyre.

Festivali mbahet nga data 22 deri me 31 Korrik 2022 në sheshin “Adem Jashari”, në Prishtinë. / KultPlus.com

Chiara Ferragni do të jetë bashkë-prezantuesja e Festivalit të ardhshëm të Sanremos

Chiara Ferragni do të jetë bashkë-prezantuesja e Festivalit të ardhshëm të Sanremos. Prezantuesi i Sanremos, Amadeus e njoftoi lajmin në “Tg1” duke specifikuar se Chiara do të bashkëprezantojë me të mbrëmjen e parë dhe të fundit, përkatësisht atë të së martës më datë 7 dhe atë të së shtunës më 11 shkurt 2023.

“Zyrtarizojmë pjesëmarrjen e sipërmarrëses më të madhe dixhitale në Sanremo”, tha dirigjenti dhe drejtori artistik.

“Faleminderit Amadeusit që më donte në krahun e tij për të hapur dhe mbyllur Sanremon e 2023-it”, ka shkruar menjëherë Chiara Ferragni në Instagram, duke postuar një foto me prezantuesin.

Edicioni i 73-të i Sanremos, i planifikuar nga data 7 deri më 11 shkurt, do të ketë si protagonist të parë Ferragnin, e ndjekur nga “ushtria e saj” prej mbi 27 milionë ndjekësish, duke konkretizuar aludimet që ajo tashmë ishte një nga emrat që u përfolën për bashkëprezantues të mundshëm.

Edicioni i 73-të i Sanremos, i planifikuar nga data 7 deri më 11 shkurt, do të ketë si protagonist të parë Ferragnin, e ndjekur nga “ushtria e saj” prej mbi 27 milionë ndjekësish, duke konkretizuar aludimet që ajo tashmë ishte një nga emrat që u përfolën për bashkëprezantues të mundshëm.

Bashkëshorti i saj Fedez, i cili mori vendin e dytë në Sanremo në 2021 së bashku me Francesca Michielin nuk ka qëndruar dot pa reaguar.

“Gruaja ime do prezantojë, urime dashuria ime” tha ai duke bërtitur i lumtur për arritjen e saj. / Konica.al / KultPlus.com

Festivali “Anibar” udhëton në Beograd

Nesër nga ora 20:00-22:00, do të filloj Festivali i animacionit Anibar edhe në Beograd. Filmat që do të shfaqen: Regular (US), Shpija (Kosovo), Slouch (Germany), Goodbye Jérôme! (France), RIM (Not Specified), A Film About a Pudding (UK).

Festivali i Animacionit Anibar feston këtë vit edicionin e tij të 13-të, me temën “Besëtytnitë”. Numri 13 konsiderohet si një numër fati i keq, kështu që menduam se ishte një temë e përshtatshme për edicionin e këtij viti. Ndonëse disave besëtytnitë mund t’u duken të liga dhe të paarsyeshme, të tjerëve i konsiderojnë ato si ngushëlluese. Ato i ndihmojnë njerëzit të përballen me pasigurinë dhe duken mjaft të rëndësishme nga ana kulturore. Dikush mund të thotë se i japin kuptim jetës sonë. Ngjashmëritë e bestytnive në kultura të ndryshme jo vetëm që na afrojnë, por ato gjithashtu priren të na japin një arsye të paimagjinueshme ose një shpjegim se përse ndodhin gjërat. Ndonjëherë intuita mund të jetë e dobishme kur mbështillet me bestytni.

Me një program të pasur prej më shumë se 300 shfaqjesh dhe seminare të ndryshme, prezantime dhe panele; Anibar ju mirëpret të gjithëve të na bashkoheni këtë verë nga data 13 deri më 19 korrik në qytetin e Pejës në Kosovë.

Anibar është një organizatë me seli në Pejë, Kosovë, e cila i është përkushtuar komunitetit të saj. Është një hapësirë ​​për ata që priren të mendojnë jashtë kutisë së përbërë nga një grup aktivistësh të pasionuar. Nëpërmjet animacioneve dhe ngjarjeve të rëndësishme sociale dhe kulturore ne synojmë të lidhim idetë dhe të provokojmë mendjet si dhe të frymëzojmë të tjerët./ KultPlus.com

“Green Fest” këtë edicion vjen me temën “Tfillo”, si thirrje për kryerjen e detyrave me përgjegjshmëri

Tfillo! Kjo shprehje popullore që na ka shoqëruar që nga fëmijëria, mëton të nxisë individin për të vepruar kundrejt parregullsive në të mirë të tij, mjedisit dhe shoqërisë.

Të tfillosh në kulturën tonë ka kuptime nga më të ndryshmet, por festivali “Green Fest” në bashkëpunim me komunitetin do përqendrohet në trajtimin e tfillimit në kontekstin e sjelljes së njeriut në mjedisin që na rrethon, për trajtimin e çështjeve shoqërore e mjedisore në nivelin lokal e nacional, si dhe si thirrje për kryerjen e detyrave me përgjegjshmëri.

“Green Fest” është festival multidiciplinar që ofron një laryshmëri aktivitetesh duke fuqizuar artin dhe kulturën si medium më tërheqës që do çonte më shpejt drejt ndërgjegjësimit të shoqërisë mbi çështjet mjedisore, ndryshimet klimatike si dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Andaj, ky edicion i “Green Fest” përmes aktiviteteve përcjellëse që do të organizohet në Mitrovicë, do të inkurajojë institucionet dhe qytetarët që të tfillojnë punët e tyre përtej barrierave, përtej vetvetes e familjes, në dobi të shoqërisë e njerëzimit, duke u siguruar qëndrueshmëri gjeneratave të ardhshme.

Tema e edicionit të sivjetmë të ”Green Fest” është motivuar nga Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, “Prodhim dhe Konsumim i Përgjegjshëm (SDG12), që njëherit vije si praktikë e vazhdueshme e në sinkronizim me numrin  12-të të edicionit, të festivalit.

Festivali do të organizohet përgjatë 17-23 korrik 2022 në qytetin e Mitrovicës, ndërsa programi më i detajuar do të ndahet së shpejti për publikun e gjerë. / KultPlus.com

“Ramë Lahaj Opera Festival” vjen me edicionin e dytë, paralajmërohen shumë befasi

“Ramë Lahaj International Opera Festival”, festivali i parë Operistik në Kosovë po vjen me edicionin e dytë, shkruan KultPlus.

Tenori i famshëm shqiptar, Ramë Lahaj ka bërë të ditur sot se ky edicion po vjen më shumë befasi.

Festivali në këtë edicion po zgjerohet më tej, ku përveç muzikës së bukur shqipe, kësaj radhe i është dhënë hapësirë e veçantë edhe punëtorive.

“Të dashtun miq e adhurues të artit muzikor, me kënaqësi të madhe ju njoftoj që këtë vit festivali RLIOF vjen me edicionin e tij të dytë me shumë befasi, duke filluar nga muzika e bukur shqipe, për të vazhduar me atë që ne konsiderojmë shumë të rëndësishme për edukimin mbi këndimin e brezave të rinj e në karrierë. Toka jonë ka shumë talent ndaj edhe i kemi dhënë hapësirë të veçantë Workshop-eve ( Punëtorive)”, ka shkruar tenori Lahaj i cili tutje ka njoftuar se festivali në mbrëmjet e tij do ketë artistët më të dalluar shqiptar, të cilët do të shoqërohen nga yjet më të mirë të skenës ndërkombëtare.

Festivali do të mbahet mes datave 21-31 korrik me qëllim që rreth vetes të ketë edhe mërgimtarët.

“Qëllimisht kemi zgjedhur periudhën 21-31 Korrik 2022, atëherë kur e gjithë mërgata është në mesin tonë, sepse ne pa ata jemi gjysmak”, thotë Lahaj. / KultPlus.com

Pas Sunny Hill, anulohet edhe “Beerfest Kosova” 

Festivali “Beerfest Kosova” i paraparë të mbahet më 24 deri 26 qershor, detyrohet që të anulojë mbajtjen e festivalit, ngase festivali nuk po lejohet të mbahet në lokacionin e paraparë.

Në një takim me zyrtarët e Komunës së Prishtinës, drejtorëve të drejtorive relevante dhe Policisë së Kosovës që u mbajt pasdite të hënën, me 13 qershor, u kumtua vendimi nga Policia e Kosovës që ky festival nuk do të lejohet të mbahet në lokacionin e përcaktuar (Parkingu, prapa Pallatit të Rinisë në Prishtinë), me arsyetimin se ky lokacion nuk i plotëson kushtet për këtë organizim.

“Kërkesat tona zyrtare për leje dhe pëlqime relevante për mbajtjen e këtij festivali në lokacionin e cekur, janë bërë në fillim të muajit Mars. Deri në takimin e përbashkët që e kishim, nuk kemi pas asnjë përgjigje, përkundër insistimit tonë, duke na mbajtur kështu peng për lokacion.

Për neve si organizator ky është një vendim shumë i dëmshëm, i vonshëm dhe i pa arsyeshëm.

Në lokacionin e njëjtë ne i kemi mbajt 4 edicionet e fundit dhe mendojmë që si lokacion është i përshtatshëm për këtë festival dhe aktivitete të tilla të ngjashme.

Sido që të jetë, jemi shumë vonë për çfarëdo zgjidhje tjetër, prandaj jemi të detyruar që të anulojmë mbajtjen e festivalit në këto data, në lokacionin e paraparë.

Beerfest Kosova dhe MODUS, si organizator i festivalit tani është në kërkim të një lokacioni të ri të përshtatshëm dhe përcaktim të datave të reja.

Ne do t’ ju mbajmë të informuar për çfarëdo zhvillimi që do të kemi në këtë drejtim” thuhet në njoftimin e organizatorëve./ Insajderi / KultPlus.com

UNUM Festival mbyll dyert me të gjitha biletat e shitura

UNUM Festival ëdhtë rikthyer fuqishëm me edicionin e tretë në plazhin e bukur të Rërēs së Hedhur në Shëngjin nga datat 1 deri 6 qershor.

Ky festival madhështor arriti të grumbullojë 18 mijë pjesëmarrës nga e gjithë bota duke krijuar një atmosferë impozante ne festival.

Kapaciteti në plazhën e “Rërës së Hedhur” nuk lejon mundësi për më shumë vizitorë dhe siç shihet në njoftimet zyrtare në rrjetet e tyre sociale, bëhet e ditur se ata janë në kërkim të një lokacioni të ri.

UNUM Festival po vazhdon duke ofruar muzikë 24 orë për 6 ditë në skenat e përgatitura në plazh dhe në mes të pishave. /KultPlus.com

Sonte fillon edicioni i 33- të i festivalit “Hasi Jehon”

Në Gjonaj të Hasit sonte fillon Festivali tradicional folklorik “Hasi Jehon”.

Drejtori i festivalit, Haziz Hodaj, thotë se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për mbarëvajtje sa më të suksesshme të edicionit të 33-të të këtij festivali. Ai ndjehet i lumtur që pas periudhës dy vjeçare, si pasojë e pandemisë, “Hasi Jehon” po rikthehet në shtratin e tij në Kodrën e Pajtimit.

Sipas tij, interesimi i grupeve artistike për të marrë pjesë në festival ka qenë tejet i lartë, ndërsa njofton se nga ky edicion, është vendosur një rregullore re dhe grupeve pjesëmarrëse iu është kërkuar që programin e tyre t’ia përshtatin kritereve të reja të ruajtjes së trashëgimisë shpirtërore të festivalit, pasi Festivali është në proces të pranimit nga Ministria e Kulturës që të jetë si aset në mbrojtje të përhershme.

Në edicionin e radhës së festivalit ” Hasi jehon”, do të marrin pjesë 16 grupe artistike nga hapësirat mbarëshqiptare, ndërsa tradicionalisht festivali hapet nga nikoqiri SHKA “Malësori” nga Gjonaj.

Festivali  Folklorik  “Hasi Jehon 2022 ”

Programi:Dita e parë ( 5 maj 2022 , ora 18.00 hapja e ekspozites se bukes)

1.     SHKA  “ Malësori “ – Gjonaj

2.     SHKA  “Çeta e Profetëve” –  Krumë

3.     Kengetaret: Hamit Kastrati dhe Klevi Gaxha

4.     Emin Sallahu – Melodi me Okarinë

5.     AKV   “ Deçani ”  –  Deçan

6.     Kengetarja:  Blerina Dibra

7.     AEK   “ Katarina Josipi ” – Zym

Dita e dytë ( 6 maj 2022 ora 18 e 30 min )

1.     SHKA “ Bajram Curri ” – Prishtinë

2.     SHKA “ Kastriotët ” – Ferizaj

3.     SHKA “ Rapsha” – Tuz

4.     SHKA  “ Zëri i Kosovës ” – Fushë Kosovë

5.     SHKA  “ Minatori i Ri ” – Kizhnicë

6.     SHKA  “ Kemajl Aziz i” – Viti  

 Dita e tretë  ( 7 maj 2022 ora 18 e 30 min )

1.     SHKA  “ Bajram  Curri “ – Krushë e Madhe

2.     SHKA  “ Bresana” – Bresanë

3.     Rapsodi: Jeton Fetahu

4.     Ansmabli  “ Besa “ –  Kavajë

5.     SHKA “ Shqiponja “ – Shkup

6.     AFA  “ Rugova ” – Pejë

7.     SHKA  “ Malësori ” –  Gjonaj. / KultPlus.com

Festivali ArchiTech po sjell edicionin e tretë

OJQ-ja ‘Youth Are the Real Leaders’ (YARL) dhe Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) po sjellin edicionin e 3-të të Festivalit ArchiTech.

Festivali ArchiTech promovon përfshirjen e të rinjve në (ri)dizajnimin e hapësirave publike dhe planifikimin e nismave hapësinore përmes qasjes së ‘të mësuarit duke bërë’. Ai shërben gjithashtu edhe si medium fuqizues për të rinjtë dhe banorët në përgjithësi, për të ruajtur dhe zhvilluar zonat publike, duke promovuar kështu ndjenjën e bashkëpronësisë dhe ‘përkatësisë’.

ArchiTech nis më 28 prill në ora 17:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”. / KultPlus.com

Rikthehet në skenë festivali “Coachella” në Kaliforni

Festivali dedikuar muzikës e artit “Coachella” në Kaliforni po rikthehet. Kjo ngjarje dy javore ka dy vite që nuk u organizua për shkak të pandemisë së COVID-19.

Ajo do të fillojë më 15 prill 2022.

Festivalin “Coachella” e themeluan Paul Tollett e Rick Van Santen në vitin 1999. Gjatë tij interpretojnë artistë të zhanreve të ndryshme të muzikës, si rok, pop, hip hop, electronic dance. Atje po ashtu bëhen prezantime të krijimeve artistike, si instalacioneve të ndryshme e skulpturave.

Origjina e festivalit “Coachella” rrjedh prej vitit 1993, kur bendi Pearl Jam interpretoi në Empire Polo Club.

Kjo çoi në inaugurim të festivalit “Coachella”, që në vitin 1999 mbajt për dy ditë.

Gjatë festivalit “Coachella” interpretojnë artistë të njohur, por ka edhe nga ata që janë më pak të njohur. Ai u bë njëri prej festivaleve më të mëdhenj dhe më profitabil në SHBA e botë.

Gjatë viteve 2013 e 2017, kjo ngjarje theu rekordin për pjesëmarrje.

Vetëm në vitin 2017, atë e ndoqën 250,000 persona, ndërkaq përfitimet nga ai arritën shumën $114.6 milion.

Edhe në ngjarjen e sivjetme do të interpretojnë një radhë këngëtarësh të njohur./21Media / KultPlus.com

Sonte nis edicioni i 21-të i Festivalit ‘ReMusica’

Edicioni i 21-të i Festivalit ReMusica “THE SOUND OF CHANGE” këtë vit trajton temën e ndryshimeve klimatike dhe bën thirrje për të rritur ndërgjegjësimin tek publiku për veprim klimatik. E gjithë kjo, është reflektuar në programin e sivjetmë, duke u kujdesur që në përmbajtjen e tij të kemi një mori veprash me këtë temë dhe me fokus në katër elementet e natyrës  – Toka, Uji, Ajri dhe Zjarri, përcjellë KultPlus.

“Ndryshimi klimatik është çështja përcaktuese e kohës sonë. Nuk është një kërcënim i largët. Ai po afrohet çdo ditë e më shumë, shumë më shpejt nga sa mund të mendojmë … Të gjithë ne kemi një rol në këtë luftë dhe të gjithë ne mund të bëjmë një ndryshim. Çdo veprim ka rëndësi, i madh dhe i vogël ” –   Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon. / KultPlus.com

Edicioni i 21-të i Festivalit ReMusica ‘The Sound of Change’ trajton temën e ndryshimeve klimatike

Edicioni i 21-të i Festivalit ReMusica “The Sound of Change” trajton temën e ndryshimeve klimatike dhe bën thirrje për ndërgjegjësim tek publiku për veprim klimatik. E gjithë kjo, është reflektuar në programin e sivjemë, duke u kujdesur që përmbajtja e tij të orientohet në këtë temë, me fokus në katër elementet e natyrës – Toka, Uji, Ajri dhe Zjarri.

Edicioni i 21-të i ReMusicas do të hapet me kuartetin e sakosfonëve nga Holanda Syrene Saxophone Quartet të cilët i karakterizon energjia e tyre dhe komunikimi i tyre delikat duke i bërë ato shumë të dashura për publikun.

Në koncerti i tyre të titulluar “Water Workds” shtjellohet tema e ujit përmes veprave të kompozitorit George Frideric Handel dhe veprës The Wave nga Jacob Ter Veldhuis. Vepra dedikuar ndryshimeve klimatike “seacoloured lightbellsounds” nga kompozitori i ri austriak Philipp Manuel Gutmannm do të jetësohet në skenën e ReMusias nga kuarteti harkor nga Austria Selini String Quartet.

Këtë vit në ReMusica mirëpret yllin e muzikës klasike, kitaristin Petrit Çekun i cili vjen në bashkëpunimin me kuartetin harkor nga Maqedonia Veriore “Viva String Quartet” ku ndër tjera, do të luajnë veprën premierë të kompozitorit nga Kosova Valton Beqiri e titulluar “XX”, vepër e realizuar në vitin 2021, dedikuar 20 vjetorit të Festivalit ReMusica.

“Karkalecat e ëndërrave” instalacioni tingullor nga artisti Félix Blume, bashkon artin dhe shkencën për të reflektuar mbi pasojat e ndryshimeve klimatike në shoqëri.

Punëtoria “ReChange Air& Water” me tutor Ilir Bajri do t’sjellë në jetë (dritë) incizime dhe vepra të reja nga pjesëmarrësit e punëtorisë pesë ditore mbi temën AJRI & UJI, përderisa koncerti tradicional elektroakustik dhe akusmatik këtë vit sjellë një nga emrat më të rëndësishëm të skenës belgo -amerikane Elizabeth Anderson, me koncertin e titulluar “Toka & Ajri”.

Duke ndarë dhimbjen me situatën me situatën në Ukrainë, ReMusica këtë vit, solidarizohet me Festivalet Europiane duke iu bashkuar iniciativës Festivals for Compassion. Vepra e kompozitorit ukrainas Maxim Shalygin e quajtur “Drop after drop” e shkruar në këto muajt e fundi do të jetë pjesë e këtij Edicioni në natën përmbyllëse të ReMusicas dhe do t’a sjellë në skenë Kuarteti harkor “Viva String Quartet”.ReMusica sërish është kujdesur që në cdo natë të Festivalit të inicoj bashkëpunimin në mes të artistëve tanë dhe atyre ndërkombëtar. Artistët sikurse sopranoja e shquar kosovare Zana Abazi Ramadani, pianistja Artemida Qarri Haxhiaj, violinistja Abigelia Voshtina, baritoni Shaban Behramaj etj do t’zënë vend të rëndësishëm në skenën e ReMusicas këtë vit. Hapësirë të veçantë i është dhënë artistëve të rinj të talentuar si Lorik Pylla, Orkestrës e të rinjëve të Kosovës me dirigjent Kushtrim Gashi, Rron Gashi, Rron Bakalli, etj dhe gjithashtu traditës drejt promovimit të kompozitorëve të rinj nga Kosova.

Masterklaset, punëtoritë, ReMusica Junior do t’jenë segmentet të cilat do t’vazhdojnë sikundër vitet e kaluara. Këtë vit, ReMusica organizon konferencën me temë “Kultura dhe veprimi klimatik” ku me përfaqësuesit e institucioneve kulturore, qeveritare, të shoqërisë civile si dhe të organizatave ndërkombëtare do të diskutohet lidhur me atë se si Festivalet dhe komuniteti artistik kosovar, mund të punojnë që të rrisin qëndrueshmërinë si dhe të ulin gjurmën e vet të karbonit. Për fund, të rikujtojmë fjaltët e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-moon “Ndryshimi klimatik është çështja përcaktuese e kohës sonë. Nuk është një kërcënim i largët. Ai po afrohet çdo ditë e më shumë, shumë më shpejt nga sa mund të mendojmë. Të gjithë ne kemi një rol në këtë luftë dhe të gjihtë ne mund të bëjmë një ndryshim. Çdo veprim ka rëndësi, i madh dhe i vogël”. /KultPlus.com

Filmi Luaneshat e Kodrës fitojnë çmimin special të jurisë në Festivalin e Filmit Calgary

Viti 2021 ka qenë vit i sukseseve për filmat kosovar, ku së fundmi filmi “Luaneshat e Kodrës” është shpërblyer me njërin prej çmimeve kryesor në Festivalin e Filmit Calgary të mbajtur në Alberta, një provincë e Kanadasë, shkruan KultPlus.

Filmi me regji të Luana Bajramit ka arritur që të korr edhe një sukses të madh ndërkombëtar, duke fituar çmimin special të jurisë në Festivalin e Filmit “Calgary”.

‘Luaneshat e Kodrës’, një film i xhiruar në Kosovë shtjellon ëndrrat e tri personazheve kryesore që vijnë nën aktrimin e jashtëzakonshëm të Flaka Latifit, Era Balajt dhe Uratë Shabanit.

Këto tri shoqe të pandashme me njëra tjetrën që refuzojnë ti shpalosin vështirësitë e tyre personale mes vete, përfytyrojnë një të ardhme të ndritur e të mbushur deri në kupë me një liri tejet të dëshiruar si asnjëherë më parë.

Diku larg vendit ku ato jetojnë, në një qytet të madh, aty ku nuk ekzistojnë thashethemet dhe pengesat e gropat e vazhdueshme nëpër të cilat duhet të kalojnë çdo ditë të jetës së tyre, është pikërisht ai vegimi përrallor që mban gjallë shpresat, pritjet e parashikimet e tyre gjatë rrugëtimit të tyre të quajtur ‘jetë’. E se si ardhmja e tyre do të lulëzojë, këtë filmi e tregon qartazi. /KultPlus.com

Hapet edicioni i 42-të i festivalit “Vera e Shkupit”

Në ditën e parë të verës dhe Ditën Botërore të Muzikës, mbrëmë filloi edicioni i 42-të i festivalit “Vera e Ohrit”, që çdo vit tradicionalisht mbahet nga data 21 qershor deri më 31 korrik.

Festivali filloi me operën pa fjalë “Nga orkestri për publikun”, që u mbajt në sallonin e Operës dhe Baletit nacional, ndërsa fjalim mbajti edhe kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.

“Vera e Shkupit është sinonim i pjesëmarrjes masive dhe plotësisë me publik aktiv. Jam i bindur se edhe këtë vit do të jetë ashtu, sepse programin të cilin e ofron, dominon me cilësi dhe përmbajtje të cilat nuk kemi rast t’i shohim ndonjë tjetër herë. Më vjen mirë që këtë vit Qyteti i Shkupit është sponsori kryesor i “Verës së Shkupit”, theksoi Shilegov.

Edhe këtë vit, pjesa më e madhe e programit të “Verës së Shkupit 2021” do të përkushtohet në interpretuesit e brendshëm, por festivali i hap dyert edhe për bashkëpunim ndërkombëtar, ndërsa janë paralajmëruar mysafirë nga Austria, Gjermania, Kanadaja, Serbia, Kroacia dhe Mali i Zi.

Festivali “Vera e Shkupit”, mbahet në organizim të Drejtorisë për Kulturë dhe Art në Shkup, ndërsa nën patronazhin e përgjithshëm të Qytetit të Shkupit. / KultPlus.com

ReMusica shënon 20 vjetorin me film dokumentar, hapet me sopranon Elbenita Kajtazi

Era Berisha

Ringjallja e jetës kulturore në Prishtinë, ambicia që kultura të zhvillohet, promovimi i krijimtarisë së shekullit XX, prurja e artistëve të mëdhenj të skenave botërore, janë këto vetëm disa nga karakteristikat të cilat e mbështjellin festivalin e ReMusica në përfaqësimin e krijimtarisë së kompozitorëve shqiptar.

Festivali ReMusica rrugëtimin e ka nisur menjëherë pas luftës dhe shpesh herë është karakterizuar dhe si ‘festival kompozitorial’, ku prezantohet krijimtaria kosovare në një konkurrencë të denjë ndërkombëtare dhe kompozitorë të shumtë kanë rastin që potencialin e krijimtarisë së tyre ta ballafaqojnë në një konkurrencë prestigjioze duke hedhur hapin e parë drejt kulturës kosovare dhe zhvillimit të saj, shkruan KultPlus.

Rrugëtimi përgjatë 20 viteve të këtij festivali natyrisht që ka edhe fillet e para të cilat jo domosdoshmërisht nisin me bashkëpunime të rëndësishme e të nevojshme për nisjen e një festivali të tillë. Por, në vitet e para të festivalit, relacionet bashkëpunuese me asociacione e festivale të rëndësishme në botë dhe fondacionet e ndryshme si: Pro Helvetia, Gaudeamus, Nomura Cultural Foundation, Swedish Institute, British Council, KFOS, Goethe Institute, e të tjera, ishin ato që kanë lehtësuar bashkëpunimin e tyre me festivalin.

Veprat e John Cage, Karlheinz Stockhausen, Georg Crumb, Toru Takemitsu, Krzystof Penderecki, C. Debussy, P. Hindemith, Igor Stravinskyt, D. Schostakovich, ishin vepra kompetente që publiku pati rastin t’i dëgjoj e përjetoj për herë të parë në këtë festival. Pastaj, nga edicioni i pestë, ReMusica në vitin 2006 ka ndryshuar fizionominë duke futur kështu në program vepra të epokave të mëparshme stilistike, me të cilat muzika bashkëkohore mund të formoj paralele përmbajtësore dhe logjike. Krahas një vepre nga Bartoku është inkuadruar vepra e Bach-ut, pastaj kanë figuruar edhe sonatat e Moxartit, Beethovenit dhe Shubertit. Kurse, përkrahja konkrete ka ardhur pikërisht nga pianistja Aki Takahashi, e cila është konsideruar një burim frymëzimi që ky festival të vazhdoj tutje për të mbërritur deri tek suksesi që sot posedon.

Aktivitetet e festivalit janë shtrirë gjithmonë në Prishtinë duke u synuar qëllimi kryesor që festivali të jetë një projekt i Prishtinës por festivali është shtrirë edhe në pjesë tjera të Kosovës. Prandaj, nëse ka evoluar Prishtina si qytet, atëherë edhe festivali është zhvilluar njëkohësisht duke e bërë këtë zhvillim të përjetuar njësoj. Andaj, nëse ekziston diçka që nuk ka ndryshuar që nga fillimet e pas luftës, do të ishte Salla e Kuqe, vendi ku pothuajse gjithmonë janë mbajtur koncertet e festivalit.

Duke pasur parasysh që jeta e pasluftës në Prishtinë, është dashur të rindërtohet përsëri, po ashtu skena kulturore së bashku me Prishtinën që nga themeli është dashur  të gjallërohet përsëri për të ndërtuar kështu skenën muzikore të dikurshme për të cilën secili njeri ka pasur nevojë dhe dëshirë të madhe që të rikrijohet përsëri.

Ideja themelore e festivalit ReMusica fillimisht ishte menduar të jetë një afirmim i shprehjes së re në fushën e artit muzikor, ide kjo që ka lindur nga bindja se shprehja e re dhe përgjithësisht moderniteti, e nënkuptojnë luftën permanente për informacion të ri që sjellë koha e re. Festivali është themeluar nga kompozitori dhe dirigjenti Rafet Rudi, si ideator i ReMusica-s, së bashku me miqtë e tij, kolegët dhe kompozitorët nga Kosova si: Ilir Bajri, Zana Shuteriqi, Mendi Menxhiqi, Baki Jashari dhe Valton Beqiri.  Kështu edhe është vendosur që të organizohet një festival i muzikës bashkëkohore.

Festivali filloi edicionin e tij të parë, në pranverën e vitit 2002 dhe emri i tij ReMusica, ka lindur pikërisht nga muzika bashkëkohore ‘’Muzika e Re – ReMusica’’. Ndërsa, përveç këtyre fakteve të lartpërmendura, një fakt tjetër që është shpalosur nga vetë drejtoresha e këtij festivali, Donika Rudi, është se ky festival ka lindur si vazhdimësi e aktiviteteve që ka zhvilluar ‘Qendra për Muzikën e Re’, menjëherë pas luftës, me nxitjen e aktores Vanessa Redgrave dhe përkrahjes morale të kompozitorit Philip Glass.

Përpos shpalosjes së rrugëtimit të këtij festivali, në një intervistë për KultPlus, drejtoresha e festivalit, Donika Rudi ka folur edhe rreth vështirësive më të mëdha në zhvillimin dhe prurjen e risive të reja në këtë festival përgjatë 20 viteve.

“Që nga themelimi i tij, festivali ka qëndruar në tri shtylla kryesore si: prezantimi i krijimtarisë së shekullit XX, krijimi i një shansi që muzika bashkëkohore e krijuar në Kosovë, t’i prezantohet publikut tonë në kuadër të një festivali sa më prestigjioz dhe gërshetimi i kulturës muzikore bashkëkohore shqiptare dhe kosovare me atë botërore për të përvetësuar kështu standardet më të larta artistike dhe për t’i shmangur tendencës së mundshme të ‘provincializmit’ të saj”, thotë Rudi.

Sipas saj, koncertet e mbrëmjes, masterklaset, punëtoritë, tribunat muzikologjike, koncertet pedagogjike ku kompozitorët tanë kanë shkruar miniatura për instrumente dhe formacione të ndryshme për të pasuruar krijimtarinë, koncertet tradicionale të muzikës elektroakustike dhe akustike si të vetmet në vend, segmentet e programit edukativ si: ReMusica Junior, janë këto vetëm disa formësime dhe zhvillime që kanë ndodhur në 10 vjeteshin e fundit duke rezultuar kështu në publik të diferencuar nga moshat më të ndryshme.

Ndërsa, duke pasur parasysh që secila ngjarje që zhvillohet në Kosovë has në problemin e infrastrukturës, ky problem njëlloj mbetet njëra nga sfidat kyçe me të cilin secili institucion i pavarur kulturor ballafaqohet çdo herë. Andaj, edhe festivali ReMusica nuk i është shmangur këtij problemi, prandaj edhe Rudi ka propozuar disa mundësi që vazhdimisht janë propozuar ndaj institucioneve publike.

‘’Sallat profesionale të interpretimit dhe skenës, stabiliteti financiar, mungesa e planifikimit afatmesëm dhe afatgjatë, mungesa e politikave stimuluese për pavarësim financiar të sektorit të kulturës dhe muzikës, janë këto vetëm disa nga sfidat me të cilat ballafaqohemi e të cilat do na përcjellin edhe në të ardhmen. Ne vazhdimisht jemi në varësi nga subvencionet publike të cilat jepen në baza vjeçare gjatë vitit kalendari, prandaj propozimet tona mbeten tek kontratat afatmesme deri në pesë vite dhe stimulimi i inkuadrimit të bizneseve dhe palëve të mundshme të interesit”, thotë Rudi për KultPlus.

Andaj, është menduar se nëse ky problem do të rregullohej, pasqyra e vërtetë financiare do ta lehtësonte çështjen e planifikimit programor me kohë. Kurse, ajo se çfarë ka ndikuar më së rëndi në mbajtjen e këtij festivali që gjithmonë mbahej në muajin maj por që realisht ka kaluar në karakterin objektiv është edhe situata me pandeminë.

“Jemi krenar që i mbetemi besnik fizionomisë së festivalit të krijuar gjatë tërë këtyre viteve, duke përpiluar program që reflekton kohët në të cilën muzika sot gjendet, si dhe pa mëdyshje përfaqësimin e krijimtarisë së kompozitorëve tanë në këtë program, ku gati nga 12 vepra të kompozitorëve vendas, ishin porosi të festivalit. Bashkëpunimi me artistët si dhe përkrahësit e festivalit kanë themeluar një trekëndësh akterësh duke bërë të mundur realizmin e këtij edicioni të veçantë”, shpalos Rudi.

“Pandemia zbuloi shumëçka, por më kryesorja është se sa të brishtë jemi dhe sa e madhe është nevoja që thërret për një ndryshim të mënyrës së jetës drejtë qëndrueshmërisë. Andaj, njerëzimi sot ndodhet para një sfide e cila kërkon shpresë, si shtytës për krijimin e ideve dhe planit për punë, që do kurorëzohet me ringjallje të njerëzimit. Pra, të ngjitemi dhe ti dalim zot detyrës që na pret”, potencon ajo.

Për Rudin, disa nga bashkëpunimet më të rëndësishme të janë realizuar përgjatë 20 viteve të fundit e të cilat ajo do i veçonte, si nga artistët vendor dhe atyre ndërkombëtarë janë: Aki Takahashi, Marc Bouchkov, Ko Matsushita, Jeremy Jouve, Pierre Fouchenneret, Mondriaan Quartet, Pierrot Lunaire Ensemble Wien, Trio Fibonacci, Guo Gan-erhu & Lingling Yu-pipa, Petrit Çeku, Ophélie Gaillard, Solistët e Zagrebit, Jonian Ilia Kadesha, Kroumata Ensemble, ProModern, Merita Rexha Tërshana, Romain dhe Thomas Leleu.

ReMusica konsiderohet një festival që gjithmonë ka hapur dyert për kompozitorët e rinj, andaj edhe në të gjitha edicionet e festivalit, një kujdes i madh i është kushtuar veprimtarisë së kompozitorëve të rinj dhe shënimit të përvjetorëve të kompozitorëve tanë të gjeneratave më të vjetra ku rreth 400 vepra të autorëve shqiptarë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë ardhur premierë në këto 19 vite të këtij festivali. 

“Pothuajse, në çdo koncert të festivalit në 20 vitet e fundit, kemi pasur vepra të autorëve tanë, të cilat janë luajtur nga ansamble të ndryshme ndërkombëtare duke dërguar në një rezultat ku këto vepra janë futur në repertorët e tyre dhe kanë udhëtuar nëpër botë. Ky depërtim i autorëve përtej, është një rëndësi e madhe për autorët e veprave”, thotë Rudi për KultPlus.

Të gjitha këto vepra tashmë janë të regjistruara me standard profesional dhe sot ruhen në arkivin e festivalit duke u konsideruar një thesar i çmueshëm. Andaj, festivali ka një arkiv më të ruajtur dhe kompletuar të krijimtarisë së kompozitorëve shqiptar të tubuar në një vend që nga periudha e pasluftës. Kurse, deri më tani ekziston një numër tejet i madh i materialeve të ruajtura nga festivali ku Rudi ka shpalosur edhe faktin se do të publikohen 3 botime të CD-ve me vepra të zgjedhura të autorëve tanë dhe vepra të porositura nga Festivali ReMusica, të cilat janë realizuar këto 20 vite.

“Një mori botime me incizime nga autorë tanë dhe të ndryshëm si dhe CD me vepra të autorëve të rinj që janë shkruar enkas për ReMusica përgjatë 20 viteve, janë grumbulluar në një përmbledhje në 3 botime CD me audio incizime, ku është e pamundur vendosja e qindrave incizimeve por që seleksionimi është duke u bërë pikërisht në këtë periudhë ku përfshihen vepra korale, miniatura për instrumente, formacionet e ndryshme, vepra kamertale dhe orkestrale”, shpalos Rudi për KultPlus.

Krejt në fund, përveç 3 botimeve të CD me vepra të zgjedhura të autorëve tanë, vepra të porositura nga Festivali ReMusica të cilat janë realizuar këto 20 vite, Rudi ka treguar edhe disa nga detajet dhe risitë që ReMusica do të sjell këtë vit.

“ReMusica Festival do të vjen me rrufe aktivitetesh duke filluar nga ligjëratat, punëtoritë, bashkëpunime jashtëzakonisht të çmueshme me disa nga institucionet evropiane në fushën e muzikës të cilat do të jenë në fokus këtë vit, koncertet e mbrëmjes me emra të mëdhenj të skenës ndërkombëtarë dhe vendore, programi edukativ dhe programi ‘ReMusica Junior’. Ndërsa, si veçanti është përgatitja e një filmi dokumentar rreth punës tonë 20 vjeçare me shumë informata, storie dhe intervista të pazbuluara deri më tani”, shpalos Rudi për KultPlus.

Kurse, qershia mbi tortë është edhe hapja e edicionit të 20-të të festivalit ReMusica nga sopranoja Elbenita Kajtazi e cila shoqërohet në piano nga Camille Lemonier, që do të nis me datën 07 shtator.

ReMusica Festival është një ndër shtyllat kryesore të jetës kulturore në vend dhe është anëtare e ECPNM (European Conference of Promoters of New Music) dhe EFFE Label (Europe for Festivals, Festivals for Europe). / KultPlus.com

Donika Rudi

Festivali “Netët e Bejkës së Bardhë”, riktheu bukurinë dhe traditën e isopolifonisë

Në fshatin e Pilur, Himarë përfundoi festivali i polifonisë ”Netët e Bejkës së Bardhë”. Edicioni i dytë i këtij festivali u zhvillua gjatë fundjavës ku riktheu për qytetarët bukurinë dhe traditën e isopolifonisë.

Ky festival i veçantë i isopolifonisë është një motiv për të mbajtur gjallë traditën e kombit por edhe krijimtarinë e të ndjerit Lefter Cipa, i cili ia kushtoj jetën e tij kësaj trashëgimie të rrallë.

Jorgo Goro, kryetari i Bashkisë së Himarës u shpreh se, “kjo traditë do të vazhdoj, do të forcohet më shumë duke arritur edhe atë që duam të arrijmë ne si komunitet.  Kënga polifonike na shpreh më së miri ne si himarjot, si bregas, si lebër por edhe si shqiptar pasi është tradita jonë. Kjo është kultura tradita dhe turizmi ynë. Qëllimi është që ne ta trashëgojmë ndër breza që ata edhe ta këndojnë këtë vlerë të rrallë”.

Në këtë festival morën pjesë grupe nga qytete dhe zona si Himara, Piluri, Kuçi, Tërbaçi, Bolena, Dukati, Gramshi, Mallakastra, Belsha, Ramica, Tepelena, Zagoria dhe Gjirokastra.

Më 2019 është mbajtur edhe edicioni i parë i këtij festivali i cili pati shumë admirues por për shkak të pandemisë në 2020 nuk u zhvillua dhe u rikthye sërish këtë vit. / atsh / KultPlus.com

Anulohen dy festivale të njohura muzikore si shkak i Covid-19

Përhapja e Covid-19 bëri që edhe dy festivale tjera me nam botëror të anulohen për këtë vit, shkruan KultPlus.

Bëhen fjalë për festivalet e muzikës, “Coachella” dhe “Stagecoach”, të cilat as këtë vit nuk do të mund t’i ofrojnë publikut muzikë live.

Lajmin e ka bërë të ditur të premten, Zyrtari i Shëndetit Publik të Qarkut Riverside Dr. Cameron Kaiser.

Ai nënshkroi një urdhër për heqjen e ngjarjeve të prillit, duke përmendur Covid si fajtor.

Qindra mijëra fansa u dyndën në festivale çdo prill përpara pandemisë dhe më shumë do të kishin qenë edhe këtë vit, pas bllokimeve dhe vdekjes së muzikës live, por doktori thotë se nuk është e sigurt që njerëzit të vijnë nga të gjitha anët e botës së shkatërruar nga virusi.

Kjo është hera e dytë me radhë prej kur këto dy festivale nuk po mund të organizohen fizikisht. / KultPlus.com

SHKA “Bajram Curri” fitoi çmimin e parë në “Hasi Jehon 2020”

Festivali i cili ndër vite ka ruajtur dhe promovuar folklorin burimor shënoi edicionin e 31-të të organizimit, shkruan KultPlus.

I nisur në vitin e largët 1975, si festival i shoqërive kulturo artistike të Rajonit të Hasit dhe i quajtur dasma hasjane, sot festivali “Hasi Jehon” është shndërruar në dasmë gjithëshqiptare. Këtë e dëshmoi edhe një herë organizimi në kushte të vështira pandemike, ku fshati Gjonaj mirëpriti 12 konkurrentë.

“Hasi Jehon 2020” kësaj radhe u organizua nën mungesën e publikut, mirëpo me mesazhin e ruajtjes së vlerave dhe traditës shqiptare.

Ashtu siç e do natyra garuese e këtij Festivali, u ndanë edhe çmime përgjatë edicionit të 31-të.

Me çmimin e parë “Malësori” u vlerësua Shtëpia Kulturo-Artistike “Bajram Curri” nga Prishtina.

Drejtori i Festivalit, Haziz Hodaj, ndau çmimin “Jehonë hasjane e kulturës” dhe disa mirënjohje, në 45 vjetorin e themelimit të Shtëpia Kulturo-Artistike “Malësori”, për disa personalitete që kanë dhënë kontribut të veçantë për “Malësorin”, dhe për festivalin “Hasi Jehon”.

Përderisa u përmbyll edicioni i 31-të, u kumtua që edicioni i radhës do t’i hap dyert e Hasit për konkurentët më 2, 3 dhe 4 maj, sipas datave tradicionale të organizimit në kushte normale. / KultPlus.com

Aurela Krasniqi fiton çmimin kryesor në Festivalin e këngës popullore “Kosovarja Këndon”

Medina Pasoma

Edicioni i 48-të i Festivalit të Këngës Popullore “Kosovarja Këndon” bashkoi zëra të vajzave të talentuara. Çmimin kryesor në këtë përvjetor kur ky organizim iu dedikua të mbijetuarëve të dhunës seksuale, e rrëmbeu Aurela Krasniqi, shkruan KultPlus.

Festivali i cili i kishte rezistuar vështirësive të luftës e të paqes, arriti të organizohej në Ferizaj sonte pavarësisht pandemisë. Kësaj here, përveç përballjes me virusin e padukshim njerëzor, ky festival përqoi edhe një mesazh tjetër.

Lulja anemonë kishte marrë vendin e saj në çdo pjesë të festivalit, në skenë, te konkurrentet, ansambli dhe moderatorja. Nga çdo anë, kombinimi i ngjyrave vjollcë-verdhë përçonin shpresë. Kjo lule e cila ishte simbol i fushatës “Bëhu Zëri im” nga QKRMT, shprehu përkrahje ndaj të mbijetuarëve të dhunës seksuale në këtë organizim.

Nga ana tjetër 13 zëra të talentuar me pjesëmarrje nga Prishtina, Gjilani, Fushëkosova, Obiliqi e Artana për shkak të pandemisë u detyruan të këndojnë pa duartrokitjet e publikut, ndërkaq vajzave të Preshevës e të Shqipërisë iu privua tërësisht pjesëmarrja për shkak të gjendjes së krijuar. Secila nga to garuan për tre çmimet e para, çmimin “Nexhmije Pagarusha” dhe çmimin “Skënder Idrizi”.

Përderisa ulëset ishin të zbrazëta, ato morrën vendet e tyre në skenë me radhë, duke sjellur nëpërmjet interpretimeve të tyre këngë popullore që kanë hyrë në historinë e kulturës dhe muzikës shqiptare.

Për t’i shoqëruar me tingujt e harmonikës, klarinetit, flautës, gitarës, violinës dhe instrumenteve të tjera prezente ishte Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Kastriotët” me formacion të zgjeruar nën udhëheqjen e Fitim Bytyqit, të cilët ishin edhe organizatorët e këtij Festivali të muzikës popullore.

E para e cila performoi në skenë ishte fituesja e edicionit të kaluar, Alma Haxhiu me këngën “Kno bylbyl me ma t’madhin za”. Pas saj, nën moderimin e Vjosa Abazit këngëtaret konkurrente i falin publikut virtual emocione të paharrueshme, të buruara nga pjesë muzikore të cilat kulmojnë kulturën shqiptare.

Blerina Musa me këngën “Kur më shkon si zog n’hava”, Arjanita Zymberi nëpërmjet pjesës artistike “Doli goca në penxhere”, Shpresa Krasniqi me “Moj bardhoke”. Aurela Krasniqi duke performuar “Valsi i lumturisë”, Anesa Bunjaku me këngën “Kroi i fshtatit tonë”, Diana Mehmeti nëpërmjet “Kur bjen fylli e çiftelia”, Blerta Curri me performancën e “Të deshta me hakikat, Patrisa Piskala  me “Fërfëlloj thëllënza”,  Anduena Ramadani me këngën “Dua më shumë Shqipërinë” , Diellza Dedushi  nëpërmjet performancës me “Nënë moj”, Flandra Aliu me këngën “Rrallë kam pa këso bukurie”, Naile Halili nën interpretimin e “Një Lule” dhe Anisa Shabani me “Zambaku i Prizrenit” përmbyllën performancat garuese të këtij edicioni.

Pas këtyre interpretimeve, radha ishte që juria e përbërë prej solistes dhe veteranes së festivalit Shpresa Berishës, sopranos Arta Jashari soprano, profesoreshës dhe muzikologes Rreze Kryeziu, kritikut muzikor Sami Piraj dhe Murat Baliu të vendosnin për fitueset e çmimeve. Përgjatë kësaj kohe, skena nuk mbeti e zbrazët. Liridon Sadriu, Alma Haxhiu, Mentor Haziri dhe potpuria e udhëhequr nga Elife Podvorica i falin muzikë të mirë publikut, duke i bërë konkurrentet të jenë edhe më kureshtare për vendimet e jurisë.

 Çmimin e parë të këtij edicioni e morri Aurela Krasniqi me këngën “Vals i Lumturisë” të cilin ia dha Xhemile Murati Shabani. Çmimin e dytë do ta jepte Berisha Rexhepi për konkurrenten Naile Haliti. Çmimi i tretë shkoi në mes dy këngëtareve, për perfomancën e këngës “Zambaku i Prizrenit” nga Anisa Shabani dhe “Nënë moj” nga Diellza Dedushi, të cilave ia dorëzoi Murat Baliu. Në anën tjetër, çmimin “Nexhmije Pagarusha” nga kori i grave “Nexhmije Pagarusha” e dhuroi Nazlije Beadini për performuesen Diana Mehmeti. Anesa Binaku u bë fituese e çmimit “Skënder Idrizi” nga Klubi i gazetarëve “Haki Braha”.

Për fund, fituesja e çmimit të parë risjelli edhe një herë emocionet që i dha publikut nëpërmjet këngës “Vals i lumturisë”, duke e kënduar edhe një herë.

Ky organizim muzikor ishte përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe Drejtorisë për Kulturë në kuadër të Komunës së Ferizajit. / KultPlus.com

Festivali mbarëkombëtar i Preshevës “Ditët e Komedisë Shqiptare” bashkoi artdashësit

Dje pasdite ka ulur perden Festivali Teatror mbarëkombëtar “Ditët e Komedisë Shqiptare” i cili u mbajt në qytetin e vogël por artdashës të Preshevës. Festivali u mbajt në skenën e teatrit “Abdulla Krashnica”.

Megjithëse në kushte shumë të vështira prej Covid-19, organizatorët e kësaj ngjarje u kujdesën që të zbatoheshin në mënyrë rigoroze të gjitha rregullat e përcaktuara në protokoll, por që gjithashtu ky festival të mbante edicionin e tij të radhës.

Ky festival pati një juri mjaft prestigjioze të përbërë nga artistë shumë të njohur të skenës teatrore si Fatos Berisha, Musa Isufi dhe Kastriot Saqipi. Në fund të këtij eventi u shpërndanë çmimet vlerësuese për disa nga shfaqjet qe u vlerësuan si produksionet më të mira.

Shfaqja “Sot 8 ditë” ishte produksioni i Teatrit të Metropolit i cili arriti të merrte tre çmime të rëndësishme. Kjo shfaqje u vu në skenë nga regjisorja Elona Hyseni dhe me aktorë si Ermir Hoxhaj, Xhino Musollari, Ermir Jonka, Margent Caushi, Klea Konomi, Alba Shtëmbari, Klodjana Keco, Ergys Baki, Glen Shutina, Valdano Bajrami, dhe Joana Omeraj.

Regjia më e mirë, shfaqja më e mirë ishin dy çmimet e rëndësishme në këtë shfaqje, por edhe aktori më i mirë që iu dha aktorit të njohur Margent Caushi i cili ishte pjesë e po të njëjtit produksion. /ata/ KultPlus.com

Ndahen çmimet në festivalin “MonoAKT 2020”

Festivali Ndërkombëtar i Monodramës në Kosovë “MonoAKT” ka përfunduar mbrëmë me sukses edicionin e XII, shkruan KultPlus.

“MonoAKT” është ndër festivalet e veçanta dhe shumë të suksesshme ndërkombëtare që në përmbajtjen e vet ka tri Festivale: MonoAKT, MonoStripi dhe MonoAKT+.

Juria ndërkombëtare në natën solemne ndau edhe çmimet tradicionale të festivalit.

“MonoStripi” më i mirë u nda për Flaka Latifi dhe “MonoPerformanca” më e mirë shkoi për Donika Zeqiri.

Në konkurrencën kryesore të MonoAKT ndahen dy çmime kryesore të Festivalit MonoAKT:

– Aktorja\Aktori më i mirë i Festivalit MonoAKT: Polya Yardanova, Gabrovo, Bullgari (Ëndërra e Natashës)

– Monodrama më e mirë, Grand Pri e Festivalit MonoAKT fiton shfaqja nga Teatri Nacional i Podgoricës, Mali i Zi, “Orët e fundit të jetës së Njegoshit” interpretuar nga aktori i mirënjohur Slobo Marunoviq.

Këshilli Artistik pos mirënjohjeve për bashkëpunëtor ndau edhe dy Çmime për Vepër Jetësore për artistët eminent: Xhevat Qorraj dhe Miho Gjini dhe “Post Mortum” u nda për doajenin e teatrit Adem Mikullovci. / KultPlus.com

‘Mirëdita, dobar dan’, festivali që ndër vite trazirat nuk ja zbehin kuptimin

Suada Qorraj

Kohë më parën, në vitet e hershme të jetës së tij, kishte jetuar në një nga fshatrat e thella të komunës së Obiliqit. ‘Në luftën e fundit në Kosovë na dëbuan nga aty, mua më vranë vëllain përpara se të vija këtu’, ishin këto vetëm disa nga arsyet e njërit nga protestuesit e vetëm që qëndronte përballë Qendrës së Dekontaminimit Kulturor në Serbi, hapësirës ku tashmë pjesëmarrësit e festivalit ‘Mirëdita, dobar dan’ kishin filluar që të vinin, shkruan KultPlus.

‘Kosova, UÇK janë ISIS’ dhe ‘Shqiptarët janë terrorista’, ishin vetëm disa nga thirrjet që protestuesi i orëve të para të festivalit bënte përgjatë katër anëve të rrugëve, ku forca të shumta policore kishin krijuar kordone të gjata me qëllim mbrojtjeje. Krahas brohorimave të tij, ai përballë Qendrës së Dekontaminimit Kulturor kishte vendosur pllakata, si shenjë revolte, ku akuzonte NATON për vrasjen e fëmijëve serb, e udhëheqësit e Kosovës kriminel lufte.

Ndonëse protestën e filloi i vetëm, nuk u desh edhe shumë kohë që protestues të shumtë të zinin rrugët kryesore të Beogradit. Teksa këndonin këngë nacionaliste serbe, ata i quanin shqiptarët terrorist e bënin thirrje për vrasje të shqiptarëve.

‘Mbyte shqiptarin – mbyte shqiptarin’, Kosova është pjesë e Serbisë’, ishin vetëm disa nga thirrjet e këngët e protestuesve të shumtë, që kundërshtonin mbajtjen e festivalit ‘Mirëdita, dobar dan’. Kurse për organizatoren e kësaj proteste, Milica Đurđević Stamenkovsk, festivali ‘Mirëdita, dobar dan’ është krejtësisht politik. Madje ajo ka theksuar se në Kosovë nuk ekzistojnë mbi njëzet mijë femra të dhunuara. Sipas saj janë shqiptarët ata që kanë kryer krime ndaj serbëve.

“Mirëdita, dobar dan’ është krejtësisht politike, s’ka të bëjë fare me artin dhe kulturën sepse në Kosovë vetëm ekziston populli serb dhe bashkësia e shqiptarëve. Kosova është e Serisë, ajo nuk është e njohur ndërkombëtarisht, nuk është e nevojshme të shkelet kushtetuta e Serbisë. Kosova dhe Metohija janë pjesë e Serbisë. Kosovarët janë duke gënjyer që janë mbi njëzet mijë femra të dhunuara, ata madje kanë mbytur serbët e Kosovës”, ka thënë Stamenkovsk.

Sipas saj shqiptarët dhe serbët duhet të komunikojnë mes tyre dhe jo të mbahet një festival si ‘Mirëdita, dobar dan’, që paraqet vetë anën e shqiptarëve për luftën e fundit në Kosovë.

Por, protesta nuk ishte vetëm njëri nga incidentet e para të këtij manifestimi. Nën tingujt e brohorimave dhe thirrjeve kundër ‘Mirëdita, dobar dan’ dhe shqiptarëve, kishte filluar hapja e këtij festivali. Teksa organizatorët po mbanin fjalimet e tyre një nga të pranishmit doli në skenën e improvizuar dhe bënte thirrje që të kthehej në shtëpi, pra në Kosovë. Ai thoshte se me shpërnguljen e detyruar në Serbi atij i ishte vjedhur fëmijëria. Jo shumë gjatë pas këtij incidenti, pjesëmarrësit filluan që të hynin brenda Qendrës së Dekontaminimit Kulturor, vendit ku do të jepej shfaqja ‘Unë jam vet grua’.

Shfaqja ‘Unë jam vetë grua’ me regji të Kushtrim Koliqit, dhe nën lojën e mahnitshme të aktorit të vetëm i cili luan më shumë se 30 personazhe, Adrian Morina, sjellë historinë tejet të vështirë të spiunes transgjinore gjermane, Charlotte von Mahlsdorf, e cila i kishte mbijetuar regjimit Nazist dhe atij Stasi.

‘Unë jam vet grua’ bazohet në bisedat dhe intervistat e Doug Ëright me transgjinoren gjermane, njëherit tregtaren e antikuarëve Charlotte von Mahlsdorf, si dhe në autobiografinë e Charlotte të vitit 1992, të titulluar po ashtu “Unë jam vetë grua”.  

Historia e jetës së Charlottes tregohet nëpërmjet një shfaqje të gjatë një orë, e ku aktori i vetëm i kësaj shfaqje luan mbi 30 role. Morina në monologun e dhënë para publikut të mbrëmshëm ka luajtur rolin e babait të Charlotte, rolin e tezes e të dashnorit, miqve të Charlotte, ushtarëve nazistë dhe oficerëve të Stasit. Personazhet shfaqeshin të ngjitur shpinë për shpinë, e ndonjëherë edhe tre personazhe në të njëjtën kohë.

Për regjisorin Koliqi, gjetja e një aktori me komponentët që i duhen shfaqjes ka qenë shumë e rëndësishme për të. Ai ka thënë se ishte pikërisht Adrian Morina ai që posedonte inteligjencën dhe sensibilitetin ndaj temës që trajton shfaqja.

‘Faktikisht komuniteti i artistëve në Kosovë nuk është shumë i madh dhe ne i njohim shumë mirë kastën e aktorëve që i kemi. Kjo është një nga kastet që është shumë vështirë me e gjet një aktorë që ka 4-5 komponentë që kanë qenë shumë të rëndësishëm për mua. Duhet të ketë talentin, mënyrën për ndryshim, duhet të ketë sensibilitetin ndaj temës dhe inteligjencën. Unë mund të përmend edhe dy apo tre emra tjerë, por Adrian Morina është kallëpi i aktorit që i mbulon të gjitha këto kritere që unë kam dashtë me i gjete te aktori”, ka thënë ndër të tjera regjisori.

Koliqi ka shtuar se njerëzit që po kundërshtojnë festivalin janë pikërisht ata që kundërshtojnë edhe çështjen e personave LGBTIQ. Sipas tij kjo është pikërisht arsyeja që ka vendosur që të japin këtë shfaqje pikërisht në këtë festival.

Ndërkaq aktori i vetëm i kësaj shfaqje Ardian Morina ka thënë se nuk është hera e parë që ka luajtur në Beograd. Sipas tij ata tashmë janë mësuar me atmosferën që krijohet  në këtë festival, madje ai thotë se beson që numri i protestuesve do të rritet në çdo edicion më shumë.

“Me thënë të drejtën nuk është hera e parë, sigurisht përmbi dhjetë herë kemi luajtur në Beograd në shfaqje të ndryshme. Gjithmonë në ‘Mirëdita, dobar dan’ është kjo atmosferë, dhe turmat e njerëzve po vijnë gjithmonë duke u rritë edhe besoj se krahas rritjes së turmave do të rritet edhe programi. Të luash në Qendrën për Dekontaminim Kulturor është çdo herë kënaqësi sepse ky vend mbanë emrin e një dramaturge, një kritike të artit, një luftëtare të të drejtave të njeriut, dhe njeriu të jashtëzakonshëm” ka pohuar Morina.

Sipas aktorit nuk është e lehtë për publikun që të ketë përballë vetës një shfaqje në gjuhën shqipe e cila përkthehet, e sidomos një shfaqje që ka shumë personazhe brenda. Por, sipas tij në momentin që shikuesit fillojnë që të kapin sensin e shfaqjes atëherë do ta kenë më të lehtë sepse historia e Charlotte është e jashtëzakonshme.

Adrian Morina ka shtuar se pasi ka lexuar tekstin e shfaqjes ‘Unë jam vet grua’ është impresionuar për shkak se teksti ka shumë personazhe. Sipas tij ai nuk ka besuar që do të luaj ndonjëherë një monodramë ngase nuk e pëlqente si zhanër.

“Kur e kam lexuar tekstin fillimisht jam impresionuar për shkak së teksti ka shumë personazhe, ti nuk e lexon si dramë me shumë personazhe dhe nuk duket vetëm dramë e një aktori, andaj kjo më ka nxitur të them menjëherë po. Më pëlqen kjo shfaqje edhe pse në jetën time asnjëherë nuk kam besuar që do të punoj me monodramë sepse nuk më ka pëlqyer si zhanër. Por realisht kjo nuk është monodramë, kjo është një monospektakël”, ka deklaruar aktori.

Krejt në fund Morina ka thënë se nuk beson që pas kësaj shfaqje do të luaj ndonjëherë monodrama tjera, sepse shfaqja ‘Unë jam vet grua’ është e një niveli shumë të lartë. Ai ka deklaruar se është dashuruar me personazhin e guximshëm e të jashtëzakonshëm të Charlottes.

‘Unë jam vet grua’ mbrëmë ngriti sallën në këmbë teksa duartrokitnin për lojën e  jashtëzakonshme që bëri aktori Morina për një orë në skenën e Qendrës për Dekontaminim Kulturor.

Festivali ‘Mirëdita, dobar dan’ që ka filluar ditën e djeshme do të vazhdoj deri këtë të shtunë e ku do të zhvillohet debati, si dhe hapja  e ekspozitës ‘Kosova – trashëgimia e kujtesës’. Gjithashtu përgjatë këtyre ditëve do të shfaqet edhe filmi ‘Shpija e Agës’ e regjisores Lindita Zeqiraj. / KultPlus.com

Në Beograd nis festivali “Mirëdita, dobar dan!”, djathtistët kundërshtojnë

Në Beograd, të enjten fillon festivali „Mirëdita, dobar dan!“, i cili publikut ia prezanton skenën kulturore dhe shoqërore të Kosovës.

Festivali mbahet që nga viti 2014 dhe atë e organizon Iniciativa e të rinjve për të drejta të njeriut. Festivali do të zgjasë deri më 24 tetor.

Siç është paralajmëruar, për shkak të pandemisë së koronavirusit, ky festival do të mbahet duke respektuar masat.

Është njoftuar se në festivalin treditësh do të diskutohet për procesin negociator ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, si dhe për bashkëpunimin ndërmjet të rinjve të shoqërisë shqiptare dhe asaj serbe.

Qëllimi i festivalit, siç është paralajmëruar, është që përmes takimeve të bashkësive kulturore dhe shoqërore kosovare dhe serbe t’i nisë ndryshimet dhe të krijohet një traditë e bashkëpunimit, me të cilën do të jepet kontribut normalizimit të qëndrueshëm të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Në këtë festival, publikut të Beogradit do t’i paraqiten artistët dhe interpretuesit që përfaqësojnë skenën moderne kulturore të Kosovës.

Festivali do të hapet me shfaqjen teatrore “Unë jam vet grua” të Kushtrim Koliqit.

Në ditën e dytë, në repertorin e festivalit janë debatet “Kosova-trashëgimia e kujtesës” dhe një ekspozitë me të njëjtin emërtim, ndërkaq ditën e tretë do të ketë debat për drejtësinë tranzicionale në Kosovë, do të ketë shfaqje të Tristan Halilajt, i cili do të lexojë fragmente nga libri i tij “ Richard Gere ka qenë këtu”, përmbledhje e rrëfimeve, e cila është në origjinal është publikuar në gjuhën serbe, si dhe projeksioni i filmit “Shtëpia e Agës”.

Inspirimi për këtë ngjarje kulturore është Bekim Fehmiu, aktor i shqiptar i Kosovës, i cili ka qenë i njohur si aktor në Beograd, në ish-Jugosllavi dhe në botë dhe i cili paraqet simbolin e unitetit dhe skizmës, si dhe mundësinë e ndërlidhjes së dy hapësirave kulturore në një tërësi unike.

Festivali “Mirëdita, dobar dan!”, i cili në Beograd mbahet që nga viti 2014, gjatë viteve të kaluara ka qenë cak i grupeve të djathta dhe të tifozëve, ndërkaq që Qendra për dekontaminimin kulturore (CZKD), në të cilën mbahet një pjesë e programit, në vitin 2018 ishte nën rrethimin policor për shkak të të djathtëve.

Partia Radikale Serbe (SRS), të cilën e drejton i dënuari nga Haga, Vojislav Sheshel, ka paralajmëruar më 21 tetor në faqet vet të internetit që “asnjë shtet serioz nuk do të lejonte që të mbahej festivali ‘Mirëdita, dobar dan!’, sepse bëhet fjalë për propagandë kundër shtetit si dhe për promovim të shtetit të rrejshëm të Kosovës”.

“Aksioni armiqësor i fundit me radhë është i ashtuquajturi festival Mirëdita, dobar dan, festival i cili promovon kinse kulturën e Kosovës dhe në atë mënyrë e pranon shtetin e rrejshëm të Kosovës”, thuhet në komunikatën e Partisë Radikale Serbe, ku gjithashtu është shtuar që “Është padurueshme që njerëzit që janë të lindur si serbë, të promovojnë në mes të Beogradit kinse kulturën e Kosovës dhe në atë mënyrë e njohin shtetin e rrejshëm të Kosovës”.

Paraprakisht, kryetarja e partisë së djathtë serbe “Zavetnici”, Milica Gjurgjeviq Stamenkovski, gjatë një emisioni në televizionin serb Hepi, ku ishte mysafire, e ka quajtur këtë festival “propagandë shqiptaromadhe në zemër të Beogradit” dhe “rrëmbim të trashëgimisë kulturore”, me porosinë që “këtu nuk ka mirëdita, por është vetëm mirupafshim”./REL / KultPlus.com