Drake dhe Kanye lënë anash inatet personale, performojnë bashkë në skenë

Pritja për më shumë se një orë nuk i irritoi aspak fansat të cilët ishin mbledhur të enjtën në Los Angeles për të përcjellur Drake dhe Kanye West duke performuar bashkë, transmeton KultPlus.

Kanye West dhe Drake mahnitën fansat ndërsa dyshja më në fund lanë mënjanë inatet e tyre për të performuar në një koncert “Free Larry Hoover”.

Edhe pse raportohej shumë nëpër media se kishte një “luftë” inatesh që po zhvillohej mes Drake dhe Kanye, këta të dy arritën që në fund të performojnë bashkë.

Ndoshta më fund, mbështetësit e tyre mund edhe të dëgjojnë një bashkëpunim mes dyshës që ishte raportuar vite më parë. /KultPlus.com

Rita Ora mban koncert recital në majë të Kullës Eiffel, dhuron performancë të shkëlqyer

Pas shumë përgatitjeve, këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora u kthye në skenë më fuqishëm se kurrë, duke u siguruar kështu që Java e Modës në Paris të mos kalonte edhe pa një performancë të sajën, ku këngëtarja interpretoi disa nga hitet e saj në majën e Kullës Eiffel, përcjell KultPlus.

Kjo performancë e Rita Orës, u konsiderua të ketë qenë një nga më të fuqishmet që këngëtarja ka realizuar deri më sot.

Artistja shqiptare dukej e mrekullueshme me veshjet e bëra me porosi nga markat “Fendi”, “Lanvin” dhe “Alexandre Vauthier”, të cilat ishin pjesë promovuese e Javës së Modës në Paris, shkruan DailyMail, përcjell tutje KultPlus.

Performanca e këngëtares ishte një festë e muzikës dhe modës nga ajo që njihet si një prej monumenteve më karakteristike mbarëbotërore.

Koncerti i Ritës u zhvillua në partneritet me “Melrose Media” dhe është i pari i një serie muzikore të ardhshme të titulluar “Iconic People In Iconic Places”

Përpara shfaqjes, Rita tha: Kjo do të jetë një shfaqje kaq e paharrueshme dhe një moment i vërtetë për mua.Të performosh në një vend kaq legjendar është një nder, dhe të veshësh rroba të personalizuara nga ‘Prada’, ‘Miu Miu’, ‘Fendi’ dhe ‘Lanvin’, është thjesht një ëndërr.

“Mezi pres të sjell energjinë e Parisit për të gjithë fansat e mi në të gjithë botën, me të vërtetë do të jetë një natë për t’u mbajtur mend”, theksoi ndër të tjera Ora,

Me regji të Beki Mari, koncerti i quajtur “Rita Ora Live From The Eiffel Tower” ishte një ngjarje që do të mbesë gjatë në kujtesën e fansave të saj. / KultPlus.com

Shkëlqeu në skenat e mëdha botërore, Ramë Lahaj po e sjell magjinë operistike në Kosovë

Era Berisha

Mjeshtëria dhe veçantia e një drame muzikore që zhdërvjellet nëpërmjet përbërjes vokale nën shoqërimin instrumental diversiv ku dëgjuesi futet në rrënjën e fundit të zërit interpretues që buron nga shpirti i një artisti, vokali i të cilit frymon herë në një botë romantike e herë tragjike e ndonjëherë edhe në atë humoristike duke përfunduar kështu në një rrëfim hyjnor të një zëri njerëzor, kësaj radhe shpaloset në festivalin ‘Ramë Lahaj International Opera Festival’, i cili sjell interpretimin e artistëve ekskluzivë që vijnë nga skenat më të mëdha botërore si: ‘Metropolitan Opera’, ‘Teatro alla Scala’ dhe ‘Arena di Verona Festival’ së bashku me atë të tenorit shqiptarë Ramë Lahaj, në një koncert ku përveç përhumbjes në botën e artit lirik, nuk ka vend për asgjë tjetër, shkruan KultPlus.

Festivali Operistik i titulluar ‘Ramë Lahaj International Opera Festival’, një festival i muzikës operistike, këtë vit shënon edicionin e tij të parë në Kosovë. Festivali i parë në llojin e vet erdhi si pasojë e ëndrrës së kamotshme të tenorit Lahaj, i cili si fëmijë gjeti veten në mesin e një lufte kurse tani po realizon ëndrrën për organzimin e një festivali që përfaqëson artin lirik dhe krijon një ure lidhëse mes artistëve të mrekullueshëm vendor dhe atyre ndërkombëtarë. Pikënisja kryesore e festivalit ‘RLIOF’ është bazuar në situatën e zhvillimit të artit lirik në Kosovë dhe nga dëshira e etja e madhe për të pasur një institucion i cili jo vetëm formon por edhe shfaq mundësinë e performimit të brezit të ri por që në të njëjtën kohë krijon një traditë të artit lirik në Kosovë.

Dëshira e tejskajshme e tenorit Lahaj për të qenë jo vetëm një shtyllë mbështetëse por edhe për të dhënë kontributin e tij në një mënyrë shumë konkrete në formimin dhe strukturimin e një arti dhe një festivali të vërtetë mbarëkombëtarë, përtej këtyre kufijve në Kosovë, konsiderohet qëllimi, vullneti dhe shtysa kryesore për të nisur këtë festival. Po ashtu, dëshira e pakrahasueshme për paraqitjen ndaj të rinjve të talentuar të cilët dëshirojnë të kenë mundësinë e performimit dhe në të njëjtën kohë të ecin me hapin e kohës duke pasur parasysh se arti lirik përtej kufijve të Kosovës, ndodhet në një etapë zhvillimi shumë të emancipuar, është cilësuar si një prioritet që ky festival të arrijë të vendos një nivel ndërkombëtarë nëpërmjet strukturës së tij.

‘RLIOF’ në edicionin e tij të parë do të zgjasë përplot 10 ditë duke filluar nga 29 korrik deri më 7 gusht dhe vjen në formën e punëtorive mbi teknikat e këndimit dhe interpretimit operistik të cilat shihen si pjesa bazë dhe shtylla kryesore e festivalit për shkak se strukturimi dhe formimi profesional i brezit të ri në lirikën kosovare dhe ndërthurja mes brezit të ri dhe profesionistëve është shtyllë e themelimit të këtij festivali që do të zhvillohet në një kuadër 5 ditor. Ndërsa, koncerti i parë në qendër të festivalit do të jetë koncerti i titulluar ‘New Generation’ që mbahet në Teatrin Kombëtar më 3 gusht duke filluar nga ora 19:30, një mbrëmje dhe arenë përfaqësuese e talenteve të reja, e që do të vijë si rezultat i punës përgjatë 5 ditëve ku nëpërmjet profesorit të ftuar, Vito Brunetti, i cili është lidhur ngushtë si nga ana profesionale dhe nga ajo humane për të dhënë kontributin e tij për brezat e rinj, synohet të arrihet një formim profesional që tejkalon formimin akademik të një studenti apo artisti të ri për të vënë në pah çdo vlerë e detaje profesionale të tyre e të cilat vetëm artistët që ndajnë skenën, dinë ti ndajnë dhe ti zhvillojnë më tej. Andaj, studentët që marrin pjesë në punëtori ndahen në dëgjues dhe në aktivë për të performuar në këtë koncert.

Bashkëpunimi i rëndësishëm dhe i frytshëm me ‘Mascarade Opera Studio’ vjen me një strukturë tashmë tepër të konsoliduar e të vlefshme për hapin ndërmjet përfundimit të shkollimit dhe nisjes së karrierës për sa i përket talenteve të reja. Prandaj, talentet e reja që spikaten nga edicioni i parë në punëtori dhe nga koncerti ‘New Generation’, do të kenë mundësinë e fitimit të një burse të studimit nëpërmjet mbështetjes profesionale, ekonomike dhe sociale të ‘Mascarade Opera Studio’ që konsiderohet një investim i madh përshkak se në kushte të tilla, arti kërkon pikërisht këtë mbështeje për një artist të ri që përpara vetes ka një rrugëtim të gjatë e të vështirë. Është menduar se nga kjo mundësi e mirë, studentët do të kenë një pritshmëri konkrete.

Gjithashtu, përveç punëtorive dhe koncertit ‘New Generation’, më pas mbrëmjet do të pasohen me një mbrëmje shumë speciale të titulluar ‘Opera Night’ e cila vjen me datën 4 gusht, ku do të prezantohen emra të lirikës botërore që vijnë në skenën tonë të bashkangjitur nga artistët kosovarë dhe shqiptarë, të cilët do të performojnë përkrah tyre. Një bashkëpunim i tillë dëshmon për nivelin e profesionalizmit në këtë festival duke pasur parasysh se emrat e ftuar janë profesionistë të skenës e që i përkasin një karriere të shndërritshme dhe tani këta emra do të jenë pranë publikut kosovarë.

Pastaj, një event tepër i veçantë, përveç ‘Opera Night’, është menduar të jetë edhe emërtimi i një dedikimi special të të madhes e të pakrahasueshmes, Nexhmije Pagarausha. Festivali synon që kësaj ikone e një njeriu kaq meritor të artist kosovar e cila ka lënë një ndër kontributet më të shquara dhe më të vlefshme për atë se çka ajo përfaqëson, ti dhuroj një vend të merituar brenda strukturës së festivalit që do të përmbajë numra të spikatur dhe special që i përkasin repertorit të Pagarushës, e të cilat do të ngrihen në piedestalin e duhur duke ardhur në një formë strukturore të ngritur klasike por sigurisht pa prekur dhe pa cënuar asnjëherë identitetin muzikor të tyre. Ndërsa, përtej kësaj, mendohen të bashkëngjiten edhe numra të repertorit klasik shqiptarë për krijimin e një ndërthurje ndërmjet klasicizmit shqiptarë e kosovarë dhe atij botëror.

Krejt në fund, ‘RLIOF’ do të sjell mbrëmjen e fundit për këtë edicion, një mbrëmje që pikë kryesore ka përmbledhjen e gjithçkaje të bukur të eksperiencës dhe gjithçka se çfarë tenori Lahaj synon të arrijë nëpërmjet interpretimit të tij me datën 7 gusht. Ky koncert madhështor në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë e i cili titullohet ‘Ramë Lahaj&Friends’, do të sjell të ftuar special, muzikë shumëngjyrëshe, larmi klasike, profesionalizëm të vërtetë dhe natyrisht privilegjin e tenorit Lahaj që ai e posedon ndaj prezencës në vendin e tij.

Përpos shpalosjes së programit të këtij festivali, në një intervistë për KultPlus, drejtoresha artistike e festivalit ‘Ramë Lahaj International Opera Festival’, Ulpiana Aliaj, ka folur edhe për bashkëpunimin me mjeshtrin italian Vito Brunetti dhe rëndësinë për trajnimin e artistëve të rinj.

“Bashkëpunimi me maestron Vito Brunetti erdhi në një formë shumë të natyrshme dhe organike pasi tenori Lahaj ka qenë një ndër studentët e tij dhe sigurisht duke njohur prapavijën e tij profesionale dhe duke njohur emrat e rëndësishëm që kanë kaluar përmes klasës së tij, ishte zgjedhja ideale për të qenë ai pikërisht pjesë e puntorisë së parë në edicionin e parë të festivalit. Sigurisht që edukimi i brezit të ri është gjëja më e rëndësishme dhe hallka kryesore sepse kemi tendecën që me të vërtetë të përcjellim synimin dhe ndërtimin e festivalit”, thotë Aliaj.

Sipas saj, struktura e festivalit përmban një hapësirë shumë të gjerë dhe ndërthurja që është menduar ndërmjet profesionistëve dhe të rinjve është pikërisht ajo shtyllë që nxit më tepër brezin e ri për tu kultivuar dhe mbi të gjitha për të parë në mënyrë të drejtpërdrejtë nivelin por edhe dëshirën e rrugëtimin e secilit artist.

“Duke u nisur nga shembulli i tenorit Lahaj, se si ai ka nisur formimin, strukturimin e shkollimin e tij por edhe eksperiencën e tij skenike nga një vend kaq i vogël në thelb por shumë i madh në dije e për më tepër në art dhe talent, ai mbërrin në majat e skenave ndërkombëtare. Ky është edhe synimi i festivalit sepse artisti i ri ka një rrugëtim të gjatë dhe të vështirë për tu përballur, përtej asaj se çka ne shohim në skenë dhe kështu arrihet një sukses mëse i dukshëm, siç është në këtë rast, suksesi i tenorit Lahaj por edhe shumë artistëve të tjerë që tashmë janë emra të vlefshëm të skenës botërore”, ka thënë Aliaj.

Për Aliajn, përputhja e shumë kushteve për të krijuar një strukturë të tillë dhe për të zhvilluar një festival 10 ditor, sigurisht që është e nevojshme që të ekzistojnë garanci të plota, mbështetje por nevojitet edhe një vizion shumë i qartë profesional për ta realizuar atë.

Ndërsa, për artistët që vinë nga arena ndërkombëtare e që mbajnë emra prestigjioz të skenës dhe të cilët do të inerpretojnë në skenë së bashku me tenorin Lahaj në mbrëmjen e fundit të titulluar ‘Ramë Lahaj&Friends’, Aliaj për KultPlus tha se publiku kosovarë do të ketë mundësinë të prek e të ketë pranë vetes pikërisht këta këngëtarë që ndoshta deri në këto momente do ti mund ti shihnim e preknim vetëm nëpërmjet skenave dhe arenave ndërkombëtare.

“Fakti që ata vinë në Kosovë për miqësinë, respektin dhe dashamirësinë por edhe për dëshirën e tyre, tregon për një strukturë kaq të shëndoshë artistike, për arsye se në momentin që kemi prezantuar strukturën e festivalit dhe çka synohet, të gjithë kanë shprehur dashamirësinë për t’iu bashkangjitur tenorit Lahaj”, thotë Aliaj.

Por, tani Aliaj shpreson se gjithçka do të shkojë sipas planit sepse secila mbrëmje në festival ka patjetër një specifikë të veçantë dhe kjo jo më kot sepse ata dëshirojnë të lëvrojnë në një lamë më të gjerë për sa i përket spektrit klasik por mbi të gjitha, atij profesional. Ndërkohë, sipas saj dëshira që respekti dhe mikpritja tashmë e dëshmuar nga publiku kosovarë të jetë po njëlloj edhe kësaj here, është tejet e madhe.

Krejt në fund, Aliaj për KultPlus ka shpalosur edhe pritshmëritë e saj për këtë edicion.

“Prishtmëritë tona përkrah këtij festivali janë vërtetë të larta, kjo sepse ne nisemi shumë duke parë talentin, dëshirën dhe dashurinë për artin lirik që ndodhet në Kosovë. Sigurisht që duke u nisur nga figura e spikatur e asaj se cka përfaqëson Lahaj për artin lirik por mbi të gjitha për qytetarinë kosovare, duam që nëpërmjet këtij kontributi të vyer, me të cilin ne vërtetë po e bëjmë me shumë dashuri e shumë shpirt, të sjellim një realitet i cili duhet të vijë në rritje, pse jo në strukturimin dhe ngritjen e një institucioni të artit lirik siç është Teatri i Operës, një institucion që Kosova vërtetë e meriton, kështu që prishtmëritë tona janë vërtetë të larta”, përfundon Aliaj.

Ajo tutje ka potencuar dëshirën që nëpërmjet këtij institucioni të ngrehen baza të shëndosha për të zhvilluar më tej një art lirik elitar në Kosovë.

Andaj, të gjithë studentët e interesuar për punëtorinë ftohen të dërgojnë 2 audio/video materiale jo më të vjetra se 1 vit ne email-in: [email protected]. / KultPlus.com

Tony Bennett dhe Lady Gaga ribashkohen për dy koncerte speciale

Yjet e muzikës, Lady Gaga dhe Tony Bennett, do të ribashkohen në skenë muajin e ardhshëm për dy koncerte speciale në New York City, të cilat njëkohësisht i shënojnë performancat e fundit për këngëtarin legjendarë.

Kjo dyshe bashkëpunoi në vitin 2014 në realizimin e albumit, “Cheek To Cheek”. Besohet se në fund të këtij viti do të lansohet edhe një incizim i ri i tyre.

“Ai ma shpëtoi jetën”, tha Gaga për muzikantin Bennett, teksa fliste për bashkëpunimin e tyre.

Muajin e ardhshëm, dy këngëtarët do t’i mbajnë dy shou në sallën ikonike të New Yorkut, “Radio City Music Hall”, të cilët i kanë titulluar “One Last Time: An Evening With Tony Bennett and Lady Gaga”, transmeton KultPlus.

Koncertet që e shënojnë paraqitjen e fundit të Tony Bennettit në skenë, fillojnë më 3 gusht të këtij viti, duke përkuar me ditëlindjen e 95-të të këngëtarit. Kurse koncerti i dytë mbahet më 5 gusht. Biletat tashmë kanë filluar të shiten dhe do të jenë në dispozicionin e të gjithë adhuruesve të vaksinuar.

“Jam e nderuar dhe tejet e emocionuar që bashkë me Tonyn do ta festojmë ditëlindjen e tij të 95-të, me dy koncerte speciale”, kishte shkruar Gaga në postimin e fundit në Twitter, që i paralajmëronte këto performance.

Bennett kishte vendosur ta incizojë edhe një album me Gagan, pas diagnostikimit me sëmundjen Alzheimer. Në fillim të vitit, këngëtari 94-vjeçar e bëri të ditur se është duke luftuar me këtë sëmundje progresive, pasi e kishte mbajtur të fshehtë për katër vjet.

Lajmi rreth muzikës së re të dyshes së famshme, u publikua përmes një profili të Tony Bennettit të shkruar nga revista “AARP”, e cila raportoi se albumi ishte vonuar për shkak të orarit të ngjeshur të Gagas si dhe pandemisë së koronavirusit, transmeton tutje KultPlus.

“Jeta është dhuratë, edhe me sëmundjen Alzheimer. Falënderoj Susanën dhe gjithë familjen time për përkrahjen e vazhdueshme, si dhe revistën ‘AARP’ që e ka rrëfyer dhe ndarë me publikun historinë time”, kishte shkruar Bennett në rrjetin social Twitter.

Në një intervistë të fundit, djali i këngëtarit ikonik, Danny Bennett, deklaroi se një prej arsyeve pse familja e tij kishte vendosur ta bëjë publike diagnozën e Tony Bennettit me Alzheimer, ishte ngase e dinin se ai nuk do të ishte në gjendje ta promovojë albumin e ri, me t’u lansuar në treg. / KultPlus.com

Pas suksesit në ‘Eurovision’, Gjon’s Tears rikthehet me një koncert në Shqipëri

Këngëtari me origjinë shqiptare, Gjon Muharremi përfaqësoi Zvicrën në Eurovision, ku arriti të marrë vendin e tretë.

Vetëm pak ditë pas përfundimit të festivalit eruopian ai udhëtoi drejt Tiranës.

Gjatë intervistës Gjoni tregoi se tashmë karriera e tij do të vazhdojë në Paris dhe se do të përgatisë disa albume të reja.

Ai tha se nuk e ka mohuar kurrë origjinën e tij dhe se spektaklet shqiptare janë ato që i kanë dhënë më shumë famë.

Së fundmi, artisti shqiptar ka realizuar një intervistë virtuale me ndjekësit e tij në rrjetin social “Instagram”, ku është pyetur nëse do të mbajë koncert në Shqipëri dhe përgjigjja e tij ishte pozitive ku ndau dhe disa detaje. Ai rrëfyeu se data e mbajtjes së eventit do të jetë më 31 korrik.

“Yep, the @zafestival, 31.07 2021”, i është përgjigjur ai. / KultPlus.com

Për herë të parë pas pandemisë, New York feston me koncert muzikor

Këngëtari amerikan Bruce Springsteen do të jetë një nga yjet e koncertit të madh të planifikuar për në fund të gushtit në Central Park për të festuar “rilindjen e Nju Jorkut” pas pandemisë, me Paul Simon dhe Jennifer Hudson, njoftuan sot autoritetet e qytetit në Twitter, përcjell KultPlus.

Kryebashkiaku demokrat Bill de Blasio njoftoi në fillim të qershorit mbajtjen e një koncerti gjigant, i planifikuar të mbahet më 21 gusht, megjithëse data nuk është konfirmuar ende.

Organizatori i ngjarjes, producenti Clive Davis, është shprehur se dëshironte të radhisë tetë “yje” për një koncert tre orësh, që do të zhvillohet para rreth 60 000 pjesëmarrësve në vend dhe me transmetime televizive në të gjithë botën.

Jennifer Hudson, 39 vjeçe, këngëtare R&B dhe aktore, është “më e reja” nga tre emrat e shpallur nga bashkia e qytetit. / KultPlus.com

Kori i Filharmonisë i këndoi mbrëmë çlirimit të qyteteve të Kosovës, futi publikun brenda përsosshmërisë së vokalit unik

Era Berisha

Repertori i larmishëm e i veçantë botëror dhe shqiptar, inkuadrimi i vokalit nga secili anëtarë dhe instrumentet diversive, sollën një koncert nga Kori i Filharmonisë së Kosovës, i cili dhuroi mesazhe, emocione dhe ndjesi tejet të veçanta përmes elementeve artistike ku talenti lehtësisht buronte nga brendësia shpirtërore e tyre dhe qetësisht u derdh mbi atmosferë duke tronditur atë me melodi marramendëse dhe tinguj që rrallë dëgjohen, shkruan KultPlus.

Ky koncert portretizoi literaturën muzikore korale duke filluar nga periudha bashkëkohore e deri tek periudha moderne që mbrëmë Kori i Filharmonisë interpretoi në një mënyrë tejet të veçantë që nga veprat e kompozitorëve botërorë si: Eric Whitacre, Ola Gjeilo, Ko Matsushita, Veljo Tormis, Jake Runestad, për të vazhduar me kompozitorin shqiptar, Baki Jasharin.

Të pranishmit kishin zënë vendet e tyre duke mbushur ngadalë karriget e vendosura përballë skenës, e cila kishte marrë një imazh ku perdet e zeza të lëshuara dhe pesë ngjyrat e kuqe në sfond po bëheshin gati që së bashku me publikun të përjetojnë melodi dhe tinguj që vinin në një nivel butësie dhe lartësoheshin deri në një britmë që papritmas pushtonte tërësisht atmosferën në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit.

Përsosmëria e vokalit nga Kori i Filharmonisë së Kosovës, u dallua kësaj radhe ende më shumë për shkak se programi i këtij koncerti kishte marrë një kahje tjetër ku interpretimi i gjashtë veprave të cilat zgjasnin me minuta kishin për qëllim që për nder të Çlirimit të të gjitha qyteteve në Kosovë, të performohen vepra të cilat flasin për lirinë dhe vuajtjet historike të popujve të ndryshëm.

Të vendosur në skenë në një gjysmë rrethi që ngjasonte si forma e gjysmë hënës, Kori i Filharmonisë nisi koncertin me veprën ‘’She weeps over rahoon’’, ku inkuadrimi i instrumenteve si: klarineta nën manovrimin e Shkumbin Bajraktarit dhe pianoja nën manovrimin e Andi Durakut, solli një frymë ku meloditë qetësisht luanin me intensitetin e tyre dhe së bashku me vokalin e Korit që këndonte në një frymë larg nga qetësia absolute, pëshpëritjet e tyre po krijonin një harmoni ndjeshmërie e cila brenda një sekonde thehej tërësisht nga lëvizjet e duarve të dirigjentit Hajrulla Syla.

Në ndërkohë, vepra e dytë e titulluar ‘’Dark night of the soul’’, me inkuadrimin e sopranos Selvije Marteti, Ansamblit të Harqeve të Filharmonisë së Kosovës dhe pianoja që ende vazhdonte tingëllimën e saj hyjnore, ngërtheu atmosferën egërsisht me një dridhje të papërshkrueshme që kaploi fillimisht tërë trupin e dirigjentit, kokën e tij dhe lëvizjet e tij të gishtërinjve që komandonin jo vetëm tërë Ansamblin e Harqeve, Korin e pianon por edhe vështrimin e të pranishmëve në një drejtim të vetëm, atë të skenës.

Vokalet e Korit, në një frymë të vetme po pushtonin ambientin me një shpejtësi që nuk njihte ndalesë duke rritur kështu emancipimin e rrahjeve të zemrës së njeriut por asnjëherë duke mos e lëshuar atë tërësisht dhe pikërisht sekondat para përmbylljes së çdo vepre ishin diçka jashtë kësaj bote, një ndjesi që nuk ka as nevojë për definim. Tingujt e vokalit të tyre lëviznin fshehtazi mes një emocioni përrallor që ngadalë tantalizonte ndjenjat e të pranishmëve duke i vjedhur ato me një marrëzi që pasonte nga melodi të veçanta.

Kurse, veprat si: ‘’O lux beata trinitas’’, ‘’Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgëndërr’’ me inkuadrimin e recitatorit Shaban Behramaj, ‘’Curse upon iron’’ me inkuadrimin e mezzo-sopranos Diellza Sylejmani, baritonit Endrit Rexhepi dhe perkusioneve nga Patris Berisha, si dhe vepra që përmbylli natën: ‘’We can mend the sky’’ me inkuadrimin e sopranos Adelina Paloja, dëshmuan se Kori i Filharmonisë së Kosovës posedon një talent ku teknika e tyre, harmonia moderne e ndërlidhur me atë bashkëkohore, klithmat, pëshpëritjet, britmat, luhatjet e jo vetëm të zërave të fuqishëm të tyre por edhe të kokës e trupit, së bashku me një repertor koral që erdhi si një reflektim ndaj situatës të padurueshme që ka ndodhur në vitet e 80-ta dhe 90-ta, solli një veçanti të veprave të cilat dëgjohen mjaft rrallë duke e fiksuar natën me artin magjik të shenjtë, magjepsur të pranishmit me dhuntinë e tyre mjeshtërore dhe dhuruar çaste ku të pranishmit me duartrokitje e brohoritje treguan dëshirën e tyre që koncerti të mos mbaronte fare.

Për të folur më shumë rreth këtij koncerti dhe procesin e provave, për KultPlus foli dirigjenti Hajrulla Syla.

“Programi është bazuar në një ndërlidhje me festat që jemi duke i festuar në muajin qershor ku në të gjitha qytetet i kemi ditët e Çlirimit të tyre dhe fakti që kishim në program një vepër të kompozitorit Baki Jashari për narrator dhe kor, ka folur shumë në aspektin e historisë e të kaluarës të popullit tonë në vitet e kaluara”, thotë Syla.

Sipas tij, të gjitha veprat që ai i ka dirigjuar sonte janë vepra të cilat ai i ka ëndërruar me kohë për ti pasur në program e në fakt ky është koncerti ku ai për herë të parë është djersitur.

“Procesi i provave ka qenë shumë i shkurtër dhe vetëm për një muaj e dy javë kemi arritur që të sjellim programin në një nivel mjaft të lartë sepse veprat janë shumë të vështira dhe besoj që këtë e ka përjetuar edhe publiku”, thotë Syla për KultPlus.

Ndërsa, për të folur rreth mesazhit të këtij koncerti e në veçanti rreth përmbajtjes së programit, për KultPlus ka folur drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari.

“Janë bërë 2 muaj që nga koncerti i fundit i Korit, ku kësaj radhe me dirigjentin Hajrulla Syla i cili tashmë është prezent në Filharmoninë e Kosovës si asistent/dirigjent i Korit por që kohë pas kohe i jepet mundësia të realizojë koncerte të tilla si i pavarur dhe ishte komplet ideja e tij programore sepse zakonisht ekzistojnë më shumë vepra me më pak minuta por koncepti ishte më ndryshe me gjashtë vepra të cilat kanë pasur një ndërlidhje përmbajtësore”, thotë Jashari.

Sipas tij, është dëshiruar që me vepra që flasin për lirinë dhe vuajtjet historike të popujve të huaj dhe shqiptar, të realizohet ky koncert artistik ku edhe vepra e tij ‘’Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgëndërr’’, flet për vuajtjet e kombit tonë në mënyrë poetike.

“Sonte Kori ka pasur një program mjaft të çartë në përmbajtje edhe me veprat e autorëve të tjerë që tregojnë për një angazhim në zgjidhjen e prangave të popujve të tjerë po njëlloj sikurse edhe për historinë tonë që e kemi pasur”, përfundon Jashari.

Filharmonia e Kosovës ka prezantuar këtë koncert premierë të Korit të Filharmonisë së Kosovës në kuadër të sezonit 2020/2021. / KultPlus.com

Bob Dylan paralajmëron koncertin e tij të parë online

“Shadow Kingdom” është titulli i koncertit të parë streaming i Bob Dylan, i cili do të transmetohet më 18 korrik në platformën Veeps, transmeton KultPlus.

Biletat për shfaqjen, e para e këngëtarit që nuk ka performuar LIVE që nga 8 dhjetori 2019 (data e performancës së tij të fundit para-pandemike në Anthem në Uashington), janë tashmë në shitje për 25 dollarë dhe LIVE do të mbetet në dispozicion për shikim për 48 orë.

LIVE apo i regjistruar?

Artisti, i cili më 19 qershor të vitit të kaluar publikoi albumin e tij të 39-të në studio “Rough and Rowdy ways” i paraprirë nga këngët “Murder Most Foul”, “I Contain Multunities” dhe “False Prophet”, do të propozojë këngët nga repertori i tij i gjerë – siç thuhet në një shënim për këtë ngjarje, por ende nuk është njoftuar nëse Dylan do të performojë drejtpërdrejt ose nëse një koncert i regjistruar posaçërisht do të transmetohet.

“Është një i madh për ne që të jemi në gjendje të punojmë me Bob Dylan dhe të jemi pjesë e një performance që do të hyjë në histori”, tha Joel Madden. Ne jemi entuziastë jo vetëm si profesionistë, por mbi të gjitha si fansa të mëdhenj të muzikës”. / KultPlus.com

Mbahet koncert i hapur i Filarmonisë në Austri

Me numrin e rasteve të Covid-19 që ka shkuar duke rënë, Orkestra Filarmonike e Vjenës ka luajtur koncertin e parë në ambient të hapur.

Numri i mysafirëve ishte kufizuar në 3 mijë, transmeton KultPlus.

Vizitorët është dashur të kenë me vete testin negativ për Covid-19, ose dokumentin e vaksinimit, para se të pranoheshin në hapësirën e koncertit.

Shumë prej biletave ishin të rezervuara për njerëzit që ishin në vijën e parë të frontit ndaj pandemisë – shumica punëtorë shëndetësorë dhe mësues.

Okrestra luajti kryeveprat e Guiseppe Verdit, Bethovenit, Rachmaninov, Leonard Bernstein e të tjerë. / KultPlus.com

Koncerti festiv i ‘Prishtina Brass’ solli këngë të vjetra shqipe për nder të Ditës së Çlirimit të Prishtinës

Era Berisha

Ansambli i tunxhit “Prishtina Brass” me mbështetjen e Komunës së Prishtinës, sot realizoi koncertin festiv për nder të Ditës së Çlirimit të Prishtinës, me ç’rast prezantoi një repertor të larmishëm të veprave të njohura botërore dhe shqiptare, ku tingujt dhe meloditë kapluan atmosferën në një frymë muzikore në Sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Koncerti përfshiu një kombinim të periudhave të ndryshme muzikore ku instrumentet si: trumpetë, korno, trombon dhe tubë gjallëroheshin vazhdimisht nën lojën fantastike të Avni Krasniqit, Ardit Pirës, Bledar Bujupit, Betim Krasniqit dhe Meriton Feratit, ku së bashku me mezzo-sopranon Fjolla Krasniqin, ky koncert solli momente tejet të bukura ku të pranishmit jo vetëm që luhateshin nga ritmi tundues i veprave shqiptare dhe këngëve patriotike si: ‘Por si fleta’ dhe ‘Për mëmëdhenë’, por edhe fëmijë të shumtë nga mosha të ndryshme po vallëzonin nën meloditë e krijuara e lumturia e tyre shihej në fytyrat e buzëqeshura.

Veprat e interpretuara vinin njëra pas tjetrës në një zinxhir ku herë vihej në pah madhështia e një instrumenti e herë tjetër vihej në pah zëri që buçonte ëmbëlsisht nga Krasniqi, e cila këndoi disa nga këngët më të njohura shqipe duke përmbyllur koncertin me këngën ‘O Kosovë, vendi im’, që la pas jehonën e saj ku duartrokitjet e të pranishmëve nuk pushonin së ndaluari edhe në mesin e performimit të saj.

Ndërsa, si shoqërues të këtij koncerti ishin edhe zogjtë që fluturonin në ajër e që krijonin një peizazh të bukur dhe qeni që zuri vendin afër instrumentistëve për një dëgjim rasti, u shndërruan në faktorë të veçantë që atmosferën e ngritën në një nivel më të lartë. Po ashtu, shiu i cili kishte vendosur të bëhej pjesë e këtij koncerti, nisi interpretimin e tij me piklat e vogla që binin ngadalë ku interpretimi i secilës këngë i dhuronte një ngrohtësi publikut që sa vinte e mbushej më shumë, entuziazmi i së cilëve nuk po merrte fund deri në përmbylljen e këtij koncerti festiv.

Pas përfundimit të koncertit të Prishtina Brass, të pranishmit u larguan për të respektuar kështu masat anti-covid19, duke u ndarë kështu me kujtime rastësore që shpesh dinë të ndodhin në Prishtinë.

Ndërsa, për të treguar më shumë rreth realizimit të këtij koncerti dhe procesin e provave, për KultPlus foli instrumentisti, Avni Krasniqi.

“Ne kemi pasur një ftesë nga Drejtoria e Kulturës në Komunën e Prishtinës ku Ansambli ynë ka përzgjedhur repertorin në bazë të përmbajtjes së koncertit ku kujdesi i shtuar nuk ka munguar”, thotë Krasniqi.

Sipas tij, i gjithë programi është bazuar ndaj festës për ditën e çlirimit të Prishtinës por normalisht që veprat e luajtura ishin të orkestruara me kujdes dhe ato u luajtën me shumë dëshirë.

“Provat kanë zgjatur disa ditë dhe kanë shkuar shumë mirë sepse disa pjesë veçse i kemi luajtur nga koncertet e kaluara duke ndikuar që realizmi i koncertit të jetë ende më i lehtë. Prishtina Brass tash e një dekadë ka një repertor shumë të gjerë duke filluar nga muzika shqipe e deri tek ato botërore prandaj sot performimi është më i lehtë sesa para 10 viteve”, thotë Krasniqi.

Për Krasniqin, Komuna e Prishtinës është një mbështetës i përhershëm i Ansamblit ku bashkëpunimi i jashtëzakonshëm me ta ka kulmuar më së shumti këtë vit me aktivitete të ndryshme e për çka ai është shprehur falënderues.

“Ne pamë që koncertet e tilla në ambient të hapur janë pak më ndryshe dhe shumë karakteristike sepse janë mjaft sfiduese për shkak të kohës. Po ashtu, shiu filloi të binte por ne në asnjë moment nuk jemi ndalur duke përfunduar programin tonë të paraparë”, përfundon Krasniqi për KultPlus. / KultPlus.com

‘Fëmijët e Prishtinës’, koncerti që solli një laramani të veprave shqiptare dhe botërore

Era Berisha

Me një përmbledhje të sektorit folklorik dhe atij muzikor për rastin e 1 qershorit, Komuna e Prishtinës organizoi koncertin e titulluar ‘’Fëmijët e Prishtinës’’, ku fëmijë të shumtë nga shkolla të ndryshme si: Prenk Jakova, Yllzat, Misbah & Friends, Amadeus, Beethoven, American School of Kosova dhe kori i fëmijëve ‘Okarina’, performuan në mënyrë mahnitëse para një publiku që mbushi sallën deri në hapësirën e fundit, shkruan KultPlus.

Koreografi Nazmi Gashi solli performimin e tre valleve të ndryshme si: Vallja e Bareshës, Suite Vallesh dhe Vallja e Zanave, kurse solistët si Rinea Vitija dhe Ardit Hasani performuan këngët: ‘Vetëm një fjalë’, ‘If I ain’t got you’, ‘Je e vogël’ dhe ‘Autmun leaves’. Këto performanca shënuan fillimin e koncertit me hapa, kërcime dhe këngë të cilat u interpretuan në mënyrë mjaft të bukur.

Pastaj nxënës të klasës së parë e deri tek të katërta si: Lir Hajrizi, Luna Shema, Leon Sheapi, Noel Perkola, Armela Mustafa, Miran Korca, Vesa Veseli, Vita Kastrati, Ada Gorani, Tringa Mjeku, Dora Sylejmani, Nina Fushtica, Medina Vuniqi, Erna Sahatciu, Jora Gashi, Luisa Hoxha, Malda Kastrati, Jon Amor Baftiu, Loena Mehmeti dhe Amela Elezi nga shkolla ‘Prenk Jakova’ performuan vepra të ndryshme duke filluar nga këngë, kompozime dhe kërcime nga trupa e baletit. Korpetitore të performancave ishin Njomza Kastrati dhe Arta Gerdovci, ndërsa vallja popullore erdhi nga profesori Dilaver Kryeziu.

Performancat e tyre dallonin në mënyrë tejet të bukur sepse secili fëmijë sillte botën e tij të veçantë, me ç’rast gëzimi dhe lumturia ishin prezente jo vetëm në fytyrën e tyre por edhe tek prindërit që tërë kohën përcjellnin edhe lëvizjet më të vogla të performimit të fëmijëve të tyre.

Ky koncert vazhdonte të bëhej edhe më interesant ku çdo performim kishte një magji dhe veçanti që fëmijët e sollën me një mund dhe përkushtim befasues. Ndërsa, Lisa Shahini, Hana Ahmeti, Hana Isa, Jon Ahmeti dhe Lekë Sefa ishin performuesit e radhës që pushtuan skenën e Sallës së Kuqe me vepra të ndryshme si: ‘Chopin valse op.69 no.2’, ‘La Melanconia’, ‘Kleine Romanza’ , ‘Bukur, tokata‘ dhe ‘Tango nr.3 op.50’, duke shpalosur kështu talentin e tyre përballë një publiku ku duartrokitjet e tyre bëheshin pjesë e veprave të performuara.

Pas pauzave të cilat ishin të domosdoshme pas kaq shumë performancash, radhën në skenë e mori kori i fëmijëve ‘Okarina’ që interpretuan veprat ‘Jemi vetëm fëmijë’ nga kompozitori Rinor Ukimeri  dhe ‘The sound of music’ nga kompozitori Richard Rodgers nën dirigjimin e Elikona Hysaj Shala, në një zë të vetëm që buçonte sallën me gërshetimin e dy gjuhëve, një ndërlidhje që shfaqi talentin e fëmijëve, një talent ky që pritet ti pushtoj edhe sallat më të mëdha në një të ardhme të afërt.

Kështu, radhën për të performuar e morën edhe nxënës nga shkolla e muzikës dhe artit ‘Misbah & Friends’, të cilët interpretuan në piano, flautë, violinë, këndim dhe kitare. Kurse, nuk munguan as performimet e nxënësve nga shkolla e muzikës ‘Amadeus’ dhe ‘Beethoven’ në po të njëjtat instrumente të cilat përdoreshin mbrëmë në një masë të madhe duke bërë që edhe instrumentet të flakërojnë po njëlloj si veprat që gjallëroheshin nën interpretimin e performuesve.

Për fund, vepra ‘The sleeping beauty’ u performua nga këta nxënës: Frosina Bajrami, Marson Berisha, Earta Durmishi, Riga Hoti, Rrezart Islami, Renea Xhibo, Nesa Krasniqi, Alvina Bektashi, Dior Gashi dhe Medina Mehmeti.

Ndërsa, për të folur më shumë rreth interpretimit të korit të fëmijëve ‘Okarina’, për KultPlus foli vetë dirigjentja Elikona Hysaj-Shala.

“Ky koncert erdhi si rezultat i punës së jashtëzakonshme që bëhet me fëmijët e korit ‘Okarina’, ku puna e tyre sjell ftesa të ndryshme që ky kor të paraqitet në skena së bashku me bashkëmoshatarët e tyre duke interpretuar vepra nga më të bukurat. Koncerti paraprak që zhvilluam në Atelienë e Sportit hapi dyert për këtë koncert dhe mendoj se çdo koncert i ynë sjell një sukses të radhës”, thotë Hysaj-Shala.

Sipas saj, provat për koncertin e mbrëmshëm kanë zgjatur rreth 10 ditë ku interpretimi iu dedikua fëmijëve me rastin e 1 qershorit. Prandaj, çdo paraqitje e korit është e rëndësishme për historikun e tyre, duke përfshirë këtu edhe gabimet dhe rastësitë që dërgojnë punën e tyre në një nivel ende më të lartë.

“Mbrëmë ishte një paraqitje e jashtëzakonshme dhe emocionale ngase në Sallën e Kuqe u mblodhën një numër i madh i artistëve që shikonin performimet e ndryshme të fëmijëve ku bukuria e gjithë koncertit mbetet llojllojshmëria e interpretimeve. Mua më vjen mirë që jam udhëheqëse e korit me gjithsej 70 fëmijë që dëgjonin me respekt punën e të tjerëve”, përfundon Hysaj-Shala për KultPlus.

Me këtë koncert të pranishmit patën rastin të dëgjojmë interpretime të jashtëzakonshme për moshat që ata fëmijë kishin sepse kështu dhurohet një kontribut jo vetëm ndaj vendit të tyre por edhe ndaj vetvetes duke shpërblyer kështu veten me një laramani të njohurisë artistike. Interpretimet dhe performancat e ndryshme dëshmonin se talenti i fëmijëve nuk duhet anashkaluar aspak, për arsye se çdo gjë nis kur fëmija është i pasionuar edhe  pas diçkaje më të vogël.

Ky koncert u organizua nga Drejtoria e Kulturës dhe Sportit në Komunën e Prishtinës në kuadër të aktivitetit ‘Prishtina Feston’. / KultPlus.com

Orkestra Harkore e Filharmonisë së Kosovës u rikthye me koncert, Çupi: Ne morëm frymë përsëri

Era Berisha

Interpretimi i Orkestrës Harkore së Filharmonisë së Kosovës, mbrëmë erdhi përmes veprave të ndryshme nga kompozitorë botërorë e shqiptar dhe me inkuadrimin e melodive bujare të cilat konsiderohen një mbingarkesë e veçantë, mbizotëruan pa mëshirë atmosferën në një ylber emocionesh të cilat dolën nga kontrolli qysh në piklën e parë të lëshuar butësisht nga performimi e deri tek rrokullisja izoluese e vetmisë hyjnore së tingujve që goditnin vazhdimisht atmosferën, shkruan KultPlus. 

Ky koncert portretizoi një literaturë muzikore që mbrëmë Orkestra Harkore e solli në një mënyrë tejet të veçantë, duke filluar nga veprat e kompozitorëve botërorë si: Benjamin Britten, Jean Sibelius dhe Karl Jenkins, për ta përmbyllur këtë natë magjike me kompozitorin shqiptar Drinor Zymberi që solli veprën premierë të titulluar ‘Folk Suite’, një vepër kjo që shënoi fundin e një koncerti i cili vazhdimisht frymoi në një ndezje të brishtë nga instrumentet diversive të cilat tashmë krijojnë përshtypjen se janë një ekspozitë e gjallë e melodive unike dhe tingujve përrallor. 

Pasi të pranishmit kishin zënë vendin e tyre në një numër specifik të karrigeve dhe njëkohësisht ishin bërë pjesë e pandashme e qetësisë së përkryer që përcillte çdo anë të atmosferës, pasoi edhe pëshpëritja e ëmbël e cila shprehej përmes instrumenteve harkore të cilat mbrëmë shndrisnin nga performimi i instrumentistëve të cilët dëshmuan se talenti i tyre shkrihet tërësisht në një kulminacion që merrte flakë dhe së bashku me dritat e kuqe në sfond, u krijua përshtypja se pavarësisht se sa herë dëgjojmë një koncert nga Filharmonia e Kosovës, emocioni që dhurohet pamëshirshëm nga instrumentistët, nuk është i krahasueshëm me asnjë ndjenjë, për arsye se secili koncert sjell një magjepsje që bredh e zhveshur dhe fut publikun në një përhumbje hipnotizuese. 

Kësaj here, ajo se çka dallohej nga performanca e instrumentistëve ishte manovrimi i instrumenteve të posaçme harkore, jo nën interpretimin e harkut por të duarve të tyre, që sollën një hijeshi trazovaçe e cila e gëlltit plotësisht atmosferën me një thithje të vetme dhe pushton publikun me detajet e veçanta të cilat veçse janë pjesë e domosdoshme e performimit si: mbështetja e këmbëve në një pozitë të caktuar ndaj këmbës së karriges që shërben për të mbajtur instrumentin në vend dhe lëvizja e duarve së bashku me instrumentin, duke formuar kështu një imazh ku violina kishte kapluar shpirtin e performuesit dhe në vend të tij po frymonte e vetme, në një vetmi që ngjasonte me rrëfimin e fshehtësive të futura thellë brenda njeriut, të cilat do të mund të dilnin në pah vetëm nën dritën e hënës.  

E ndonëse, hëna e as ndriçimi i saj nuk ishin të pranishme fizikisht, në vend të saj aty pari dëgjoheshin cicërimet e zogjve që u bënë pjesë e interpretimit të veprave mahnitëse, duke sjell një egërsi të melodive që po i shoqëronte tingujt e Orkestrës Harkore që dirigjoheshin nga Agona Çupi, e cila dirigjonte jo vetëm veprat por edhe frymëmarrjen e instrumenteve e që nëse do të ekzistonte një emër për këtë emocion do të ishte: qetësia e vetmuar. Ky emocion që mbështjellë shikimin, trupin dhe lëviz të rrahurat e zemrës në një fluturim qetësie, erdhi pikërisht mbrëmë nga talenti unik i këtyre performuesve. 

Harmonia hyjnore e tyre erdhi në fund, me ç’rast u dallua edhe pa përmbajtja e duartrokitjeve dhe brohoritjeve të cilat dëgjoheshin sikur një trubullimë e valëve dinake por që nuk mungonin as për një sekondë të vetëm, duke vënë një kontrast dukshëm të ëmbël nga ajo se çfarë kishim dëgjuar deri më tani. 

Kurse, për të folur më shumë rreth natës së mbrëmshme dhe performancës së saj, për KultPlus foli vetë dirigjentja Agona Çupi. 

“Pjesëmarrja në koncert erdhi si ftesë nga bordi menaxhues i Filharmonisë së Kosovës ku programin e koncertit e kemi përpiluar së bashku dhe me orkestrën kemi krijuar një raport tejet të mirë duke bërë që gjërat të ecnin mirë sepse procesi i provave ka nisur qysh të hënën dhe së bashku me orkestrën kemi kaluar shumë mirë ku gjithçka ishte brenda suazave normale dhe performancës live”, thotë Çupi. 

Sipas saj, nata ishte me shumë emocion. Për të, Filharmonia e Kosovës gjithmonë ka qenë një vend ku ajo ka dashur të performojë e të jetë pjesë e një koncerti.

“Është një ëndërr e realizuar, sigurisht pas një pauze të gjatë me pandeminë dhe pa publik, ndjenja sonte ishte shumë e bukur sepse ishte njëra nga përjetimet më të bukura dhe u ndjeva sikur u rikthyem dhe morëm frymë përsëri”, thotë Çupi për KultPlus. 

Për Çupin, kjo natë do të ngelet si njëra nga ato netët e veçanta shkaku se publiku ishte prezent dhe mjaft i ngrohtë, instrumentistët ishin mbështetës duke e përkrahur atë dhe prandaj nuk ishte e vështirë puna me ta.  

“Unë u ndjeva shumë e mirëpritur dhe realisht uroj që në të ardhmen të përsëriten netë të tilla”, potencon Çupi. 

Ndërsa, ajo në fund thotë se si dirigjente duhet të jetë neutrale sa i përket preferencave të saj, por fakti që vepra e Drinor Zymberit ishte premierë, i dha asaj një emocion të veçantë. 

“Nuk është hera  e parë që i bëj premierë atij sepse stili i tij më përshtatet dhe prandaj do e veçoja sepse më dha një emocion të veçantë dhe përgjegjësi të veçantë shkaku se u performua për herë të parë”, përfundon Çupi për KultPlus. 

Orkestra Harkore e Filharmonisë së Kosovës zhvilloi këtë koncert në kuadër të sezonit 2020/2021, në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. / KultPlus.com

Eksperimenti i suksesshëm, asnjë i infektuar në koncertin me 5 mijë persona

Ka rezultuar i suksesshëm eksperimenti i kryer në Barcelonë, ku mbi 5000 persona morën pjesë në një koncert për të testuar mënyrën për të organizuar evenimente të mëdha në kohë pandemie.

Një muaj pas ngjarjes, organizatorët bëjnë më dije se asnjë nga 5000 pjesëmarrësit nuk ka rezultuar i infektuar me koronavirus.

Të gjithë të pranishmit iu nënshtruan një testi përpara se të hynin në koncert dhe kishin detyrim të mbanin maskë. Por ata kërcyen gjithë mbrëmjen nën tingujt e muzikës rock të grupit Love of Lesbian pa mbajtur distancë./ KultPlus.com

Koncert pa maska dhe distancë në Zelandën e Re, tubimi më i madh në botë pas Covid-19

Grupi i Zelandës së ‘Re Six60’ mbajti një koncert para 50,000 njerëzve në Auckland, ngjarja më e madhe e tillë në botë që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit.

Publiku nuk kishte maska ​​mbrojtëse dhe nuk kishte asnjë distancë shoqërore, raporton The Sun.

Grupi e përfundoi turneun e tyre të fundit me një koncert në Eden Park.

Zelanda e Re ka marrë vlerësime për përgjigjen e saj ndaj pandemisë dhe ka një nga nivelet më të ulëta të vdekshmërisë nga Covid-19.

Vetëm 2.601 raste të koronavirusit u regjistruan dhe 26 njerëz vdiqën. 

Aktualisht, vetëm 33 raste të Covid-19 janë aktive.

Përdorimi i maskave është i detyrueshëm vetëm në transportin publik dhe në avion, dhe masa e ruajtjes së distancës sociale nuk është në fuqi./ KultPlus.com

Image

Filharmonia e Kosovës solli koncertin ‘Frymë’, Jashari: Pandemia na ka ndalë frymën, ne dhuruam frymë përmes instrumenteve frymore

Era Berisha

Kulminacioni i kryeveprave madhështore nga kompozitorët botërorë dhe shqiptarë u jetësuan sonte nga talenti i mahnitshëm i instrumentistëve që frymuan së bashku në një frymëmarrje të vetme nën shoqërinë e melodive dhe tingujve, të cilat u ndezën nën vrazhdësinë e ëmbël të instrumenteve duke përmbledhur kështu një gamë perfekte të zgjedhur për koncertin e titulluar ‘Frymë’, që shtëpinë e gjeti në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit, shkruan KultPlus.

Koncerti ‘Frymë’, që portretizoi literaturën muzikore të shkruar për ansamble të instrumenteve frymore të drunjta dhe të tunxhit nga periudha e klasicizmit deri tek muzika bashkëkohore, sot ka shpalosur talentin e mirënjohur të kuintetit frymor dhe kuintetit të tunxhit së Filharmonisë së Kosovës, në instrumentet e posaçme diversive qysh nga instrumentet e drunjta frymore si: flauta, obo, klarinetë, fagot dhe korno e deri tek instrumentet metalike si: trumbeta, tromboni dhe tuba që rezultuan në një ndërlidhje ku secila vepër ekzistoi në një frymë ndryshe nga tjetra.

Pasi që të pranishmit zunë vendet e tyre duke mbushur komplet karriget në një numër specifik, pasoi një qetësi ku dëgjoheshin vetëm hapat e shkundura e të lehta të kuintetit frymor të cilët nisën edhe ringjalljen e tyre e cila pasoi në një flakërim të instrumenteve të drunjtë frymore që në skenë u shndërruan në ‘trupa’ të dyta të instrumentistëve.

Atmosfera e ngrohtë në një mot të tillë që po shoqërohej me pikat e shiut të cilat binin në dritare, u gjallërua komplet me veprat e kompozitorëve më të famshëm të botës duke filluar nga: Mozart, Rossini, Donizetti, Chretien, Thuille, Rota, Kompanek dhe Ewazen, për të vazhduar me kompozitorët shqiptarë si: Esat Rizvanolli që ka përpunuar këngën ”N’mjedis t’ballit”, Valton Beqiri i cili këtë natë solli premierën e veprës ‘Hamsa’, të shkruar enkas për kuintetin e tunxhit dhe Meriton Ferizi i cili ka ripërpunuar posaçërisht veprën që sonte u performua nga kuinteti frymor me numrin më të madh të instrumenteve, e e cila është pagëzuar me titullin ‘Pak a shum ship’, që jehonën e tre këngëve shqipe folklorike , e la të tërësisht të zbathur nëpër shpirtin e çdo njërit.

Ky gërshetim mes 11 instrumentistëve që janë të ndarë në kuntetin frymor dhe kuintetin e tunxhit kanë ngërthyer temat më të popullarizuara nga muzika botërore e deri tek ajo me motive folklorike shqiptare, duke na prezantuar me një miks jo të zakonshëm për Filharmoninë e Kosovës por duke krijuar një urë artistike nëpërmjet së cilës shpaloset llojllojshmëria e tingujve të pakrahasueshëm.

Kështu, krejt në fund koncerti i Ansamblit frymor të Filharmonisë së Kosovës, përmbylli këtë natë magjike me performancën e kuintetit të tunxhit nëpërmjet veprës ‘Killer Tango’ nga Kompanek, e cila me hijeshinë e saj madhështore depërtoi deri në shtresën e fundit të njeriut, deri në atë pikën ku vërehet kocka, duke çarë kështu komplet ndjenjat e mbyllura brenda në një rrotullim emocionesh mahnitëse.

Duartrokitjet e shumta, jo vetëm pas secilës vepër të interpretuar por edhe në fund të koncertit nuk munguan për asnjë sekondë të vetme, kurse në anën tjetër buzëqeshjet të cilat dalloheshin nga sytë e më të moshuarve e deri tek të rinjtë, ishin skulptura arti të vendosura përgjatë gjithë kësaj nate artistike.

Ndërsa për të na folur më shumë rreth realizimit të koncertit në një kohë të tillë, në një prononcim për KultPlus, ka folur drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari.

“Duke u bazuar në situatën pandemike, Filharmonia e Kosovës është detyruar ta ndërrojë komplet agjendën e saj. Publiku e njeh Filharmoninë në dy segmente: 1.orkestrën e madhe simfonike dhe 2. korin, si dhe kombinimet të cilat kanë arritur deri në mbi 120 performues në skenë, por kjo tashmë nuk është e mundur ku edhe kori që është njësia e dytë e Filharmonisë, muajve të fundit është prezantuar në ansamble pra në grupe më të vogla pikërisht për shkak të situatës”, tregon Jashari.

Sipas tij, domethënia e emrit të koncertit ‘Frymë’, vjen pikërisht nga pandemia e cila na e ka ndalur frymën dhe pikërisht është ky virus i cili sulmon frymëmarrjen, prandaj ata kanë dashur që publikut ti dhurojnë frymë përmes instrumenteve frymore.

Premiera e koncertit është cilësuar si një koncert jo i zakonshëm për Filharmoninë e Kosovës, ku për Jasharin ishte një kombinim mjaft interesant i veprave që u prezantuan, ku secila nga to është premierë në zhanre të ndryshme duke përfshirë kompozitorë të ndryshëm.

“Ishte një laramani programore, një risi për publikun pra diçka që nuk është parë më herët, sepse siç dihet Filharmonia e Kosovës në plan programin e saj sezonal apo vjetor vazhdimisht me koncerte që kanë qenë një herë në muaj është prezantuar me kapacitetin e saj të plotë si orkestër simfonike dhe natyrisht kjo praktikë është tashmë prezente në të gjithë botën”, shpreh Jashari.

Tutje, ai ka folur edhe për masat e reja në këtë situatë pandemike ku gjithmonë ekziston rreziku.

“Kësaj radhe, në kemi qenë shumë strikt në zbatimin e rregullave dhe nuk kemi lejuar asnjë karrige më shumë sesa nevojitet, duke shfrytëzuar vetëm hapësirën e lejuar deri në më pak se 80 persona duke llogaritur 11 instrumentistët në skenë. Gjithashtu, ne kemi qenë nën kuotën e lejuar edhe pse kemi pas shumë kërkesa, e kemi mbyllur atëherë kur numri ka arrirë në 70”, shpalos Jashari.

Ndërsa, arsyeja se pse Filharmonia e Kosovës ka mbajtur tre koncertet e fundit në Atelienë në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, e që gradualisht po zhvendosen nga Salla e Kuqe në Atelie, por që përsëri mbetet problem madhor jo vetëm për Filharmoninë dhe publikun por edhe për mbarë kulturën muzikore kosovare në Prishtinë, e tregon edhe vetë drejtori.

“Është e sata herë që po e mbajmë në Atelie, sepse akustika për muzikën klasike është shumë më e mirë sesa në Sallën e Kuqe dhe ka qenë shokuese kur 1 muaj më parë kemi zbuluar se vendosja e binave e ka dëmtuar aspektin akustik. Por kjo nuk është një sallë koncertale dhe publiku natyrisht që ka vështirësi në shikueshmëri dhe përjetim, mirëpo ne kemi vendosur që bina të mos vendoset, sepse dukshëm ka tingëlluar më mirë”, përfundon Jashari.

Po ashtu, për të folur më shumë rreth provave dhe se si kjo periudhë ndikon tek instrumentistët, në një prononcim për KultPlus, i pranishëm ishte anëtari i kuintetit të tunxhit, Avni Krasniqi.

“Ideja për të realizuar erdhi bashkërisht me drejtorin e institucionit të Filharmonsië, e që është jo vetëm nevojë e kohës por edhe nevojë permanente për të pasur formacione të tilla që funksionojnë në kuadër të Filharmonsië së Kosovë, sepse siç e dimë jemi në një periudhë pandemie, prandaj puna normale na është pamundësuar për shkak të masave, sepse siç dihet Filharmonia ka një numër të konsiderueshëm të instrumentistëve ndërsa hapësira është shumë e vogël”, tregon Krasniqi.

Sipas tij, provat kanë shkuar shumë mirë e të cilat kanë zgjatur rreth një muaj dhe kanë pasur një program të ri është përzgjedhur për këtë koncert. Po ashtu, ata janë munduar që të zgjedhin veprat më të bukura duke bërë një përzierje të veprave të huaja dhe shqiptare.

Tutje ai ka folur rreth situatës pandemike e cila po ndikon tek secili instrumentist dhe jo vetëm.

“Si instrumentistë, për fatin e keq pandemia ka ndikuar tek secili nga ne por në këtë rast e kemi pasur një lehtësim sepse ansambli ynë është në një numër të vogël me 5 anëtarë dhe kemi pasur mundësi që të zhvillojmë provat, por që në përgjithësi ka ndikuar negativisht tek të gjithë muzicientët dhe artet tjera”, shpreh Krasniqi.

Përshtypjet e tij mbi këtë natë që u shijua jashtëzakonisht nga të pranishmit, ishin shumë të mira, jo vetëm për frymën e Filharmonisë por edhe për institucionet dhe skenën muzikore

“Ka qenë një mbrëmje shumë e rëndësishme për ne dhe tani u shndërrua në një natë të mrekullueshme edhe pse sonte kemi qenë dy ansamble por ne kemi luajtur si dy ansamble, duke u munduar që secili të përcjellë emocionin nga programi i tyre i cili ka integruar dy ansamble në një tërësi të mahnitshme”, përfundon Krasniqi.

Filharmonia e Kosovës ka prezantuar këtë koncert në kuadër të sezonit 2020/2021./ KultPlus.com

Plani i qeverisë britanike për të dalë nga pandemia: 5 mijë veta në koncert, pa maskë dhe pa distancë

Pa distancë shoqërore dhe pa maska, por me teste negative para dhe pas eventit. Kështu rreth 5 mijë njerëz do të marrin pjesë në një “koncert eksperimental” nga banda Blossoms në Sefton Park në Liverpool, më 2 maj. Kjo është një ngjarje pilot e planit të qeverisë britanike për të dalë nga pandemia.

Sipas raporteve nga Departamenti për Kulturë, Media dhe Sport, pjesëmarrësit do të duhet t’i nënshtrohen një testi të shpejtë, i cili tregon rezultatin në 30 minuta, në një qendër të vendosur në vend para hyrjes.

Pjesëmarrësve gjithashtu do t’u kërkohet të marrin një test pas koncertit dhe të japin detajet e kontaktit në Sistemin Kombëtar të Shëndetit (NHS) për të siguruar që ata mund të kontaktohen në rast të rezultateve pozitive të testit.

“Një hap më afër një vere me koncerte”, tha Ministri i Kulturës Oliver Dowden .

Ministri i Shëndetësisë, Matt Hancock, tha se rezultatet e koncertit “do të na ndihmojnë të sigurojmë që eventet e mëdha në të ardhmen të mbahen në mënyrë të sigurt”.

Kjo ngjarje rrit më tepër shpresat e organizatorëve dhe të publikut që koncertet do të kthehen për të shpëtuar sezonin turistik që po troket. / KultPlus.com

Si në kohët e vjetra, rikthehen koncertet në Barcelonë

Normaliteti po troket ose është drejt asaj rruge. Mbi 5 mijë persona morën pjesë në një koncert mbrëmjen e së shtunës për të rikthyer edhe njëherë kohët që na mungojnë prej thuajse dy vitesh.

Të testuar kundër koronavirusit dhe me maska, por mbrëmja ishte sërish magjike. Muzika e bukur dhe brohorimat pushtuan Barcelonën. Koncerti u organizua në formën e një eksperimenti dhe përpara 5000 të pranishmëve në pallatin Sant Lordi ishte grupi muzikor “Lord of Lesbian”.

Kjo ngjarje rrit më tepër shpresat e organizatorëve dhe të publikut që eventet e mëdha do të kthehen për të shpëtuar sezonin turistik që po troket. Spektakli u monitorua nga një ekip mjekësh dhe gjatë tij nuk u shënua ndonjë incident. Personave me probleme kardiake dhe atyre që kishin pasur kontakte me një të infektuar me koronavirus në javët e fundit iu kërkua të mos marrin pjesë.

Ata që kishin blerë biletat iu nënshtruan testit të shpejtë kundër koronavirusit mëngjesin e së shtunës. Kush rezultoi negativ, mori një kod në celular që bëri aktive biletat. Çmimi i biletave ishte nga 23-28 euro dhe brenda tij ishin përfshirë testi antiCovid dhe maska e cilësisë së lartë që duhej mbajtur gjatë gjithë eventit./a2/ KultPlus.com

Ansambli Vokal i Filharmonisë së Kosovës me koncert në Maqedoninë e Veriut

Ansambli Vokal i Filharmonisë së Kosovës këtë të mërkurë vjen me një koncert në Sallën Kamertale të Filharmonisë së Maqedonisë së Veriut, shkruan KultPlus.

Koncerti është pjesë e vazhdimit të sezonit 2020/2021.

Nën dirigjimin e Hajrullah Sylës, gjatë këtij koncerti në skenë do të ngjitet Ansambli Vokal i Filharmonisë së Kosovës me vepra nga: A. Scarlatti, E. Whitacre, H. Syla, J. Runestad, J. Busto, J. Douma, J. Elberdin, M. Mengjiqi, N. Cline, N. Brenner x M. Garbus, O. Gjeilo, S. Leek.

Koncerti mbahet nesër, më datë 24 shkurt duke filluar nga ora 19:00. / KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës do mbajë koncert në Maqedoninë e Veriut

Filharmonia e Kosovës sezonin për këtë viti do ta vazhdoj në Maqedoninë e Veriut, me ansamblin vokal të filharmonisë, shkruan KultPlus.

Kjo është bërë e ditur nëpërmjet një postimi në Facebook, nga faqja zyrtare e filharmonisë së Kosovës ku shkruhet se ky koncert do të mbahet me 24 shkurt të këtij viti në sallën Kamerale të Filharmonisë së Maqedonisë së Veriut.

Më poshtë mund të lexoni statusin e tyre të plotë:

*Sezoni 2020/2021 vazhdon me koncertin e Ansambli Vokal i Filharmonisë së Kosovës më 24.02.2021 në Sallën Kamerale të Filharmonisë së Maqedonisë së Veriut. Për të rezervuar ulësen tuaj shkruani e-mail në [email protected] me titull / Rezervim 24.02.2021 – Emri dhe mbiemri. Përmes një emaili ju mund të rezervoni më së shumti dy ulëse. Përshkak të parandalimit të përhapjes së virusit Covid-19 bartja e maskës është e detyrueshme./ KultPlus.com

Me këngë të vjetra shqipe, “Kosova Brass” dhe Nezafete Shala ngritën publikun në këmbë

Suada Qorraj

Salla e Kino Armatës tashmë ishte mbushur me një numër të madh të njerëzve, teksa ora shënoi shtatë, të gjithë kishin zënë vendet e tyre, përfshirë edhe instrumentistët në skenë të cilët do bënin edhe hapjen e koncertit ‘13 vjet shtet’, shkruan KultPlus.

Ishte drejtoresha e Departamentit të Kulturës në Komunën e Prishtinës, Blera Basholli ajo që para tingujve të parë të muzikës e hapi koncertin. Duke qenë edhe vetë artiste, ajo potencoi se ky vit nuk ishte i lehtë për askënd mirëpo më të prekurit kishin qenë artistët. Ajo gjithashtu uroi që vitet e ardhshme të jenë më të mira.

“Viti i kaluar s’ka qenë një vit i mirë as për Kosovës e as për të gjithë botën, e sidomos për artistët. Uroj që viti tjetër të jetë më i mirë”, tha ndër të tjera Basholli.

Prishtina Brass filloi koncertin e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës, pikërisht nën tingujt e himnit shtetëror. Të pranishmit në sallë tashmë ishin ngritur në këmbë, ndonëse të heshtur, fytyrat e tyre po reflektonin paqe e dashuri. Por nata e mbrëmshme nuk u kufizua vetëm me himnin shtetëror. Salla e Kino Armatës mirëpriti mbrëmë një numër të madh të këngëve shqipe si ‘ Për mëmëdhenë’, ‘Por si fleta’, por edhe shumë të tjera.

 Për Avni Krasniqin, instrumentistin në ‘ Kosova Brass’ pjesëmarrja në koncertin e mbajtur për 13-të vjetorin e Pavarësisë së Kosovës ishte një nder i madh.

“Për neve është çdo herë kënaqësi e veçantë, por e përcjellur edhe me emocione dhe ndjenja të përziera, që të interpretojmë për festa kombëtare, e sidomos për përvjetorin e 13-të të Pavarësisë”, tha ai për KultPlus.

Nata e mbrëmshme ndonëse filloi me ansamblin e tunxhit ‘Kosova Brass’, nuk përfundoi aty, Nezafete Shala & Melodia e Vjetër e vazhduan magjinë që sollën instrumentet për pak minuta sa u luajtën në skenë. Të pritur me duartrokitje të mëdha ata i dhanë zë Kino Armatës me ‘Marshin e UÇK-së’, ku për disa minuta i ofruan publikut emocione të shumta të cilat u shoqëruan me duartrokitje e brohorima.

Nezafete Shala & Melodia e Vjetër, natën e mbrëmshme, sollën përballë publikut një repertor të gjerë të këngëve të vjetra shqipe. Pas secilës këngë ishte publiku ai që me entuziazmin e vet e bëri edhe më të magjishëm koncertin e mbajtur nën patronazhin e Komunës së Prishtinës. / KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës e jashtëzakonshme mbrëmë, shpalosi rrugëtimin e Kosovës ndër shekuj

Xhemile Hysenaj

Mbrëmë, në nder të 13 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Salla e Kuqe në Prishtinë mirëpriti Filharmoninë e Kosovës për një koncert madhështor dedikuar historisë e rrugëtimit të popullit të Kosovës ndër vite, shkruan KultPlus.

Para një publiku modest, për herë të parë u interpretua një nga veprat më të mëdha të kompozitorit Valton Beqiri bashkë me atë të Vinçenc Gjinit, “Simfonia in K: Kosova vatra atërore’, një kompozim ky që ngërtheu brenda vetes ‘Rrugëtimin’ gjashtë shekullor të historisë së shqiptarëve.

‘Rrugëtimi’ i Valton Beqirit erdhi para publikut në gjashtë etapa: Nga Kastrioti, Rilindja, Qëndresa, Malli, Liria e deri tek Jeta. Etapa këto që në secilin instrument kishin zënë vend e shpaloseshin me brishtësi përmes tingujve duke depërtuar kështu në secilën skutë e tek secili person që ishte i pranishëm. Secila etapë pasonte me duartrokitje e brohoritje të shumta që veçse i dëshmonin emocionet e mëdha që kishin kapluar publikun.

Filharmonia e Kosovës dikur tubonte mbi 2000 artdashës në Sheshin e Prishtinës, ndërkaq mbrëmë si pasojë e gjendjes pandemike, në Sallën e Kuqe u shfrytëzua vetëm 40% e hapësirës. E gjithë trupa e Filharmonisë ishte në distancën e caktuar dhe me maska të vendosura.

Për Baki Jasharin, e gjithë kjo situatë është tejet e dhimbshme. Në një prononcim për KultPlus, ai flet me nostalgji e emocione të mëdha tek kujton koncertin e 26 qershorit, i organizuar për nder të figurës së Skënderbeut.

“Filharmonia kishte mbledhur diku rreth 2500 persona dhe ka qenë e mahnitshme qetësia absolute që ka mbretëruar gjatë atij koncerti”, ka theksuar Jashari.

Ai, ndër të tjera, ka deklaruar për KultPlus, se agjenda e Filharmonisë për këtë vit është shumë më modeste se viteve të tjera. Ndërkaq në anën tjetër ishte ndarë shumë i kënaqur me performancën e cila kishte ardhur me një presion tepër të madh pasi pandemia Covid19 kishte ndryshuar e vështirësuar pothuajse secilin proces të këtij institucioni.

“Ne kemi pasur obligim nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit sikurse edhe institucionet tjera kulturore të organizojmë koncert për përvjetorin e pavarësisë duke respektuar masat anticovid. Nuk kemi mundur t’i zhvillojmë provat e kompletuara me këtë staf pasi hapësira është shumë e vogël dhe ne duhej t’i respektonim vazhdimisht masat anticovid, kam kontaktuar gjatë gjithë kohës me IKSHPK-në për t’u koordinuar. Dhe është akoma e dhimbshme që ne nuk kemi Sallë koncertale, jemi mjerisht në këtë Sallë të Kuqe me hapësirë kaq të vogël”, ka deklaruar tutje Jashari për KultPlus.

E gjithë ky organizim kishte një domethënie të madhe për kompozitorin Valton Beqiri, për të cilin lavdatat e duartrokitjet nuk kishin të ndalur. Ai për KultPlus tha se shpreson që ky koncert të jetë prapë pjesë e repertorit dhe pse jo të shfaqet edhe në vende tjera.

“Realisht koncertet e tilla që përkojnë me një ansambël kaq të madh, është mëkat që realizohen me një numër të limituar të shikuesve, por megjithatë veprat vazhdojnë e përçojnë mesazhin e tyre”, ka potencuar Beqiri për KultPlus.

Një koncert ky që emocionoi të gjithë, përfundoi me brohoritje e duartrokitje të pafundme, për pothuajse një orë bëri që e gjithë kjo situate e tmerrshme që ka kapluar botën të harrohej e publiku të lundronte qetazi në secilën notë. / KultPlus.com

Ndjenja krenarie e patriotike në koncertin e “Shotës” për 13 vjetorin e Pavarësisë

Xhemile Hysenaj

Sot Kosova shënon 13-vjetorin e Pavarësisë, e për të nderuar këtë ditë të madhe për popullin tonë, mbrëmë në skenën e Teatrit Kombëtar, Ansambli i Këngëve dhe i Valleve ‘Shota’ erdhi me një koncert festiv, duke rikujtuar kështu edhe njëherë sakrificën e madhe të popullit të Kosovës, shkruan KultPlus.

Koncerti nuk kishte si të fillonte ndryshe përveçse me Himnin e Kosovës, ky qysh në fillim publiku u emocionua e festa u ndez në brendësi të tyre.

Vallja instrumentale për çifteli dhe orkestër nën ekzekutimin dhe autorësinë e Gent Hoxhës ishte pika tjetër që po mbante ritmin e koncertit e publiku vetëm sa entuziazmohej më shumë.

Krejt kjo, i la vend Ansamblit ‘Shota’ që erdhi me këngë e valle shqiptare, të cilat ngjallën ndjenja krenarie e patriotike tek të gjithë ata që ishin të pranishëm e të cilët nuk i kursyen duartrokitjet pas secilës performancë. Vallja e parë ishte ajo e Tiranës, për të vazhduar kështu me këngë të interpretuara nga Majlinda Cakiqi, Sokol Latifi, Myrvete Bajrami, Ismet Bugujevci, Riza Bytyqi e Violetë Kuaj, këngë këto që i këndoheshin Shqipërisë, Kosovës, vëllezërve Gërvalla, familjes së Jasharëve e mbarë historisë së popullit shqiptar.

Fyelli, tupani, defi e çiftelia kumbuan në secilën skutë të Teatrit Kombëtar, të shoqëruar nga arti skenik i jashtëzakonshëm i trupës së Ansamblit ‘Shota’, të cilët më shumë se publikut, dukej sikur i vallëzonin historisë sonë të lavdishme.

Pas një viti tejet të vështirë, ‘Shota’ kishte filluar me përgatitje për këtë koncert, pasi pandemia, si në shumë fusha tjera të artit edhe tek ansambli pati ndikimin e vet jo të mirë. Duke i vështirësuar e shpesh edhe pamundësuar përgatitjet e përbashkëta të kësaj trupe.

“Këtë vit e kemi filluar me kapacitet të plotë, por prapë kemi pasur pengesa gjatë rrugëtimi pikërisht për shkak të pandemisë. Ndërkaq, për këtë koncert që u organizua për nder të ditës së Pavarësisë së Kosovës, me gjithë vështirësitë, trupa është munduar të bëjë maksimumin”, ka theksuar drejtori i këtij Ansambli, Shefqet Gjocaj për KultPlus.

Ndër performancat më emocionuese ishte ajo e Majlinda Cakiqit, e cila para publikut erdhi me këngën ‘Mora fjalë’. Një performancë kjo për të cilën Cakiqi ka treguar se është përgatitur shumë moti.

“Jam përgatitur qysh moti, ndërkaq dy javët e fundit kemi pasur prova intensive. Kur këndon live është gjithmonë një emocion i veçantë. Kam kaluar jashtëzakonisht mirë”, është shprehur Cakiqi për KultPlus.

Koncerti përfundoi, por për të pranishmit do të mbetet gjatë në mendje. Emocionet dhe ndjenjat patriotike që u ngjallën mbrëmë nuk harrohen lehtë, kjo padyshim vërehej në fytyrat e gjithsecilit.

Krejt për fund, drejtori i Ansamblit “Shota”, Shefet Gjocaj kishte edhe një ankesë kundrejt Ministrisë së Kulturës. Sipas tij, në fund të vitit të kaluar, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, bëri të ditur se ‘Shota’ do të bëhet institucion në vete, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur akoma. Për këtë gjë, Gjocaj konsideron se si një hap i parë drejt pavarësimit të institucioneve qendrore të kulturës siç është kodi buxhetor i cili edhe pse është miratuar, ‘Shota’ vazhdon ende të jetë varur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në mënyrë ekstreme.

“Fakti që ne kemi mungesa në trupë dhe nuk mund të hapim konkurse, nuk kemi mundësi të planifikojmë asgjë pa miratimin e MKRS. Për pavarësi të institucionit as që bëhet fjalë, është punë e mirë ajo që ka nisur Dumoshi sepse kodi buxhetor është tejet i rëndësishëm, mirëpo kjo nuk do të thotë pavarësi e institucionit, pasi kjo pavarësi vie kur ‘Shota’ ka njësinë e burimeve njerëzore, zyrën e financave, kur ne e planifikojmë buxhetin etj”, ka deklaruar Gjocaj. / KultPlus.com

Komuna e Gjilanit organizon koncert për nder të bashkatdhetarëve

Drejtoria për Kulturë Rni dhe Sport në Gjilan, në shenjë falenderimi për bashkatadhetarët, organizon konceret më datë 6 janar në teatrin e qytetit në Gjilan, duke filluar nga ora 18:00, shkruan KultPlus.

Programi u dedikohet të gjithë bashkatdhetarëve, kudo që ndodhen në Kosovë. Kështu Komuna e Gjilanit ka vendosur që të shprehë mirënjohjen dhe falenderime për secilin prej tyre.

‘Shpresojmë që fillimisht, të keni fat dhe shëndet në familjet tuaja dhe urojmë që ky viti i ri, deri në kohën e muajve të mërgatës që organizohet çdo vit të na gjej të lirë, pa pandemi duke na lënë hapësirë që të ju presim me program dhe festë si gjithmonë.

Urojmë të kaloni sa më mirë pranë familjeve tuaja dhe kujdesuni për vete.

Programi do të jetë me publik, mirëpo me numër të kufizuar duke shfrytëzuar vetëm 30% të sallës dhe gjithashtu do të jepet edhe LIVE përmes mediave tona lokale ku do të mund ta përcillni secili nga shtëpitë tuaja!
Ju faleminderit e shihemi në muajt e mërgatës!
‘, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Komunës së Gjilanit. / KultPlus.com

Në kujtim të Nexhmije Pagarushës

Në sallën e Filharmonisë së Maqedonisë së Veriut, ditën e shtunë u shfaq koncerti përkujtimor dedikuar artistes së madhe mbarë shqiptare Nexhmije Pagarusha, të trajtuar me shumë kujdes nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës.

Në këtë kuadër, me shumë entuziazëm artdashësit shkupjan dhe jo vetëm, mirëpritën këtë koncert me vlerë të madhe. E theksojmë këtë që në krye, sepse Nexhmije Pagarusha ishte dhe mbetet një gur i çmuar për muzikën shqiptare dhe tashmë ky emër po trajtohet me shumë kujdes edhe nga institucionet përkatëse të vet vendit ku është lindur Nexhmije Pagarusha.

Si rrjedhojë për këtë, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës së bashku me dirigjentin Gridi Kraja kishin zgjedhur një repertor mjaft të pasur dhe mbi të gjitha të larmishëm. Duke filluar me vepra nga: Rexho Mulliqi, Çesk Zadeja, Avni Mula, Lorenc Antoni, Palok Kurti, Kristo Kono dhe Rauf Dhomi.

Ndonëse të gjithë kompozitorët që theksuam më sipër, janë personalitete që kanë vendosur shtylla të rëndësishme në muzikën e kultivuar shqiptare. Duke pasur parasysh këtë fakt të pamohueshëm, mund të theksojmë me plot bindje që veprat vokale që kanë kompozuar kjo plejadë kompozitorësh me shumë mjeshtëri u interpretuan nga ngjyra të bukura si: Adelina Paloja, Ardita Ukaj, Arta Jashari, Besë Krasniqi, Dea Hamdiu, Diellza Sulejmani, Elikon Hysaj, Ilvije Dragusha, Kaltrina Miftari, Selvije Marteti dhe Shkurtë Hykaj.

Në përgjithësi, secila nga zërat dhe personalitetet që theksova më sipër, ishin në radhë të parë të vetëdijshëm që kanë përsipër dhe ndërrojnë një personalitet të rëndësishëm siç ishte Nexhmije Pagarusha. Por, megjithatë secila i qëndroj besnike këngës së saj duke trajtuar me shumë delikatesë  të gjitha elementet që vet kënga përmban duke filluar me “Një ditë të bukur maji”, “Kroi i fshatit tonë”, “Dashnor tu bana”, “E kujtoj atë takim”. “Margjelo”, “Në Prizrenin e vjetër”, “Kenke nur i bukurisë”, “Perëndeshë e bukurisë”, “Zambaku i Prizrenit”, “Për mu paska kenë kismet”, “Agimet shqiptare”, “Në zaman t’asaj furije”, “Vals i lumturisë”. Nga gjërat e bukura që vinin në pah në secilën këngë, ishte autenticiteti individual që këngëtarët tregonin në interpretimin e këngëve, sepse nëse do të tërhiqeshim nga trajtimi që Nexhmije Pagarusha ju ka bërë këngëve atëherë do kishim më shumë mundësi edhe zbehje të këngëve. Megjithatë, me shumë mjeshtëri e përballuan gjithë trajtimin e këngëve së bashku me dirigjentin Gridi Kraja.

Përveç veprave vokale, koncerti përmbante edhe dy pjesë të rëndësishme si “Uvertura nga opera Goca e Kaçaniku” dhe “Baresha”. Në vija të përgjithshme, theksojmë që edhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, së bashku me dirigjentin Kraja trajtuan me mjaft kujdes secilën vepër të repertorit.

Në një mënyrë, apo në një tjetër, koncerti është një tregues i denjë për një punë të mirë që bëjnë institucionet e Republikës së Kosovës, por në anën tjetër edhe një ngritje e vetëdijes së shoqërisë shqiptare për t’i njohur, trajtuar dhe kujdesur për gurët e çmuar të muzikës shqiptare. / Nga Jesir Hoxha – Muzikolog / KultPlus.com