Për herë të parë, Kosova pranohet në organizatën më të madhe të floklorit ‘CIOFF’

Ansambli i Këngëve dhe Valleve “ Kemajl Azizi” nga Vitia, është pranuar zyrtarisht partner i Organizatës CIOFF,  që përndryshe është partner zyrtar i UNESCO-së  (Organizata për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara), përcjellë KultPlus.

Komuna e Vitisë ka njoftuar për lajmin përmes një postimi në llogarinë e tyre zyrtare në “Facebook”, ku edhe kanë bërë të ditur se me të gjitha votat e shteteve anëtare me të drejtë vote, është votuar në kongresin 50-të në Budabest të Hungarisë që A.K.V “Kemajl Azizi” nga Kosova të jetë partner zyrtar i kësaj organizate që cilësohet si ndër më të mëdha në botë.

Arsim Abazi, Drejtor Ekzekutiv i AKV “Kemaj Azizi”,  ka potencuar rëndësinë e pranimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare duke thënë se Integrimi ne arenën ndërkombëtare për promovimin e trashëgimisë kulturore në nivel ndërkombëtar është shumë e rëndësishëm për vendin tonë. Ai shtoj se përmes tyre, Kosova po promovon vlerat e mirëfillta kulturore të etnosit shqiptar në çdo cep të botës. 

Drejtori Abazi falënderoj të gjithë ata që kanë mbështetur A.K.V “Kemaj Azizi” në këtë arritje në veçanti kryetarin e komunës së Vitisë, Sokol Haliti më pas edhe Ministrinë e Punëve të  Jashtme dhe Diasporës, Ambasadën e Kosovës ne Hungari por edhe të gjithë artistet e këtij ansambli për punën e tyre të madhe duke u zotuar se ata do të vazhdojnë të promovojnë vlerat e mëdha që ka kultura shqiptare në Kosovë.

Këshilli Ndërkombëtar i Organizatave të Festivaleve Folklorike dhe Arteve Popullore është një organizatë ndërkombëtare joqeveritare në Partneritet Zyrtar me UNESCO-n dhe është i akredituar për të ofruar shërbime këshillimore për Komitetin e Konventës së UNESCO-s për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore. /KultPlus.com

Kërkohet ribashkimi i mermerëve të Parthenonit në Londër me koleksionin e Athinës

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis ngriti çështjen e kthimit të mermerëve të Partenonit në Greqi në fjalimin e tij në një darkë për të festuar 75 vjetorin e UNESCO.

Në shtator, UNESCO miratoi një vendim që pranon se kthimi i mallrave kulturore në vendet e tyre të origjinës është një çështje për bisedime midis vendeve dhe jo muzeve.

Mermeret e Partenonit mbahen prej kohësh në Muzeun Britanik.

‘’Britania e Madhe duhet t’i bashkohet Greqisë në një dialog të vullnetit të mirë, veçanërisht pasi “ky vit shënon dyqindvjetorin e fillimit të Luftës së Pavarësisë Greke. Nuk mund të kishte një kohë më të mirë për rikthimin e seksionit. se mungon dhe ribashkimi i Mermereve të Partenonit në Greqi, vendi i origjinës së tyre”, theksoi kryeministri.

Ai i quajti antikitetet “monumente emblematike, të lidhura pazgjidhshmërisht me identitetin e një kombi” dhe tha se “Mermeret e Partenonit në Londër duhet të ribashkohen me shumicën e Mermereve të Partenonit në Athinë”, në Muzeun e Akropolit.

Mitsotakis ndodhet në Paris për të marrë pjesë në bisedimet për çështjen libiane të iniciuara nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe UNESCO po feston 75 vjetorin e saj në selinë e saj në Paris./KultPlus.com

Pllaka e Majave i rikthehet Guatemalës

UNESCO organizoi një ceremoni për dorëzimin vullnetar të një pllake guri të epokës së Majave, e zhdukur nga zona arkeologjike Piedras Negras në Guatemala në vitin 1960.

Dorëzimi iu bë Ambasadorit të Guatemalës nga një koleksionist privat.

“Kam kënaqësinë të përshëndes dhe falënderoj vullnetin e zonjës Manichak Aurance, kompanitë private, si dhe institucionet publike dhe organizatat shumëpalëshe dhe shoqërinë civile për gjestin e pranimit të dorëzimit vullnetar të fragmentit që u mor nga toka jonë, ” tha ambasadori Francisco R. Gross Hernández.

Kjo pllakë u zhduk nga zona Piedras Negras në vitin 1960. Ajo u rishfaq në Paris në vitin 2019 gjatë një ankandi.

Falë mobilizimit të përbashkët të Guatemalës, Francës dhe UNESCO-s, shitja u pezullua dhe filloi ndërmjetësimi.

“Jam sinqerisht e lumtur dhe shumë krenare që do t’ju dhuroj këtë artefakt që im shoq  dhe unë kishim shumë për zemër dhe të kontribuoj në ruajtjen e trashëgimisë së Guatemalës”, tha Znj. Manichak Aurance e cila vendosi të kthejë vullnetarisht fragmentin në Guatemalë.

Ky fragment i rëndësishëm tregon pjesën e sipërme të mbulesës luksoze të kokës së një sundimtari antik të Piedras Negras, i cili hipi në fron në vitin 729 pas Krishtit. Fragmenti përshkruan sundimtarin me një fustan nefriti të veshur nga perëndia e misrit.

Artefakti do të ekspozohet në Muzeun Kombëtar të Arkeologjisë dhe Etnologjisë në qytetin e Guatemalës./oranews/KultPlus.com

Përfundon konferenca shkencore për projektin “Moti i Madh” në UNESCO

Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi ishte qytezën arbëreshe Vakarici (Vaccarizzo Albanese) për të mbështetur kandidaturën e praktikave rituale arbëreshe të pranverës “Moti i Madh” për njohjen si një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO -s.

Akademia është pjesë e grupit të punës për dosjen e kësaj trashëgimie mbi 500-vjeçare.

Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi siguroi grupin e punës se mbështetja institucionale do të jetë e përhershme dhe në rritje.

“Jo vetëm për dosjen “Moti i Madh”, por në përgjithësi për trashëgiminë arbëreshe në tërësi, për studimin dhe botimin e saj, Akademia e Shkencave do të shtojë vëmendjen dhe investimin intelektual. Projektet që kanë realizuar anëtarët arbëreshë të Akademisë së Shkencave Francesco Altimari e Matteo Mandalà janë të mirëpritur për t’u kurorëzuar”, tha Gjinushi.

Gjinushi tha se, “trashëgiminë arbëreshe për më shumë se gjashtë shekuj e kanë ruajtur vetë bartësit e saj. Regjistrimi në UNESCO i njeh asaj një vlerë që ka merita dhe rëndësi jo vetëm për komunitetin, por edhe për kulturën njerëzore”.

Akad. Francesco Altimari bëri të njohur kronologjinë e projektit “Moti i Madh”, numrin e madh të universiteteve dhe të studiuesve që kanë kontribuuar për aspektet shkencore të dosjes (Cosenza, Palermo, Lecce, Venezia, Milano etj.), si dhe nga Shqipëria.

Akad. Matteo Mandalà u përqendrua në kushtëzimin zanafillës të riteve e ritualeve kalendarike-pranëverore arbëreshe e shqiptare me rrjedhat e ciklike të jetës agrare.

Akad. Shaban Sinani paraqiti punën që ka bërë skuadra shqiptare për plotësimin e dosjes “Moti i madh” me një fashikull nga trashëgimia e ngjashme në Shqipëri, duke theksuar ciklet kryesore, si llazoret (këngët e të ringjallurit të parë Shën Lazrit), kullanat (dikur të lidhura me fillimin e vitit, sot kryesisht këngë të Pashkëve), evangjelizmoi (edhe këto këngë të ringjalljes), rrushajet (këngë të “ditës së luleve”  – rosaliae diem), karnevalet, këngët e Shën Gjergjit etj. Ka një simetri të plotë mes këtyre cikleve dhe atyre që janë mbledhur e dëshmohen edhe sot tek arbëreshët. Sinani theksoi se pjesa më e madhe e tyre janë desakralizuar dhe madje një pjesë janë kënduar edhe në skena, duke përfshirë periudhën komuniste, si këngë lodra apo ushtrime vjershërimi e kujtese.

On. Mario Brunetti, një figurë emblematike e botës arbëreshe, nismëtar i projektligjit italian që i njeh arbërishtes, theksoi se mbështetja e Akademisë së Shkencave është një dukuri e re shumë pozitive. E përforcuar kjo me mbështetjen administrative dhe diplomatike të shtetit shqiptar e të Kosovës, rrit besimin tonë që “Moti i Madh” të fitojë statusin që i takon si trashëgimi e njerëzimit. Dhe ky është një nga rastet që kultura e pakicës rrit vlerat e asaj të shumicës.

Në konferencë ishin të pranishme dhe përshëndetën Meri Kumbe, zëvendësministre e kulturës; Anila Bitri, ambasadore e Shqipërisë në Itali; Lendita Haxhitasim, ambasadore e Kosovës. / KultPlus.com

Rikthehet Panairi i Veshjeve Arbëreshe

Prej 39 vjetësh në komunitetin arbëresh të Vakaricit (ital. Vaccarizzo) çdo vit zhvillohet Panairi i Veshjeve Arbëreshe.

Ky Panair, konsiderohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme të këtij ngulimi pasi përfaqëson një moment takimi mes komuniteteve të ndryshme arbëreshe dhe një bashkim shpirtëror përmes kulturës.

Këtë vit është konceptuar të mbahet Dita Studimore mbi temën “Moti i madh”- Kandidatura UNESCO e praktikave rituale arbëreshe të pranverës: perspektiva të kulturës arbëreshe në epokën e globalizimit.
Aktiviteti mbahet sot me 25 shtator, nga ora 10.30-12.00 në Palazo Marino të Vakaricit.

Vaccarizzo Albanese u themelua rreth vitit 1470, pas vdekjes së heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastriot Skënderbeut nga grupe refugjatësh që u vendosën në kodrat e Pre-Sila greka, duke themeluar ndër të tjera edhe fshatrat San Demetrio Corone, Macchia, San Giorgio Albanese, San Cosmo Albanese, Santa Sofia d’Epiro dhe Spezzano Albanese. / KultPlus.com

I mbrojtur nga UNESCO, mozaiku i Linit i hapur për publikun pas restaurimit

Mozaiku i Linit në Pogradec tashmë i restauruar ka tërhequr vëmendjen e publikut. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti solli në vëmendje punën e kryer, ndërsa shtatori është muaji i trashëgimisë kulturore.

“Restauruam dhe hapëm për publikun Mozaikun e Linit, Pogradec, këtë copëz trashëgimie e mbrojtur nga UNESCO”, u shpreh Margariti.

Mozaiku i Linit iu nënshtrua ndërhyrjeve pas 20 vitesh, rikonstruktim dhe pastrim, duke u rikthyer në bukurinë e saj si një nga vendet e mbrojtura nga UNESCO.

Specialistët e Sektorit të Veprave të Artit pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës, realizuan hapjen e mozaikut që ndodhet në bazilikën e Linit.

Pasi u larguan shtresat e rërës, u realizua pastrimi me kujdes i sipërfaqes. Gjendja e tij do të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe pastrimi i tij do të bëhet në mënyrë periodike.

Mozaiku shumëngjyrësh ka zbukurime kafshësh, bimore e gjeometrike, ku mbizotërojnë simbolet e kultit./atsh/KultPlus.com

Fshati spanjoll kërkon statusin e trashëgimisë botërore në UNESCO për biseda para shtëpive

Është një ritual veror i natës në pjesën më të madhe të Spanjës: ndërsa nxehtësia përvëluese e ditës zbutet, karriget nxirren në rrugë për një bisedë alfresko. Tani një fshat në Spanjën jugore po kërkon që tradita të njihet nga Kombet e Bashkuara si një thesar kulturor.

Qëllimi është që të mbrohet zakoni shekullor nga kërcënimi i dhunshëm i mediave sociale dhe televizionit, tha José Carlos Sánchez, kryebashkiaku i Algar, një qytet me rreth 1,400 njerëz. “Është e kundërta e mediave sociale,” i tha ai për Guardian, transmeton KultPlus. “Kjo ka të bëjë me bisedat ballë për ballë.”

Sánchez kohët e fundit aplikoi për të shtuar zakonin në listën e trashëgimisë kulturore jomateriale të Unesco, duke shpresuar se do të jetë në gjendje të fitojë një vend në një katalog që shkon nga arti i prodhimit të picave napolitane në kulturën e saunës në Finlandë dhe një garë të kositjes së barit në Bosnjë dhe Hercegovina.

Sánchez, i cili rregullisht kalon mbrëmje të këndshme verore në pragun e shtëpisë së nënës së tij 82-vjeçare, është i shpejtë të listojë përfitimet e shumta të asaj që njihet si charlas al fresco, nga kursimet e energjisë të marra nga fikja e ajrit të kondicionuar për disa orë deri te ndjenja e komunitetit me fqinjët që ndajnë thashethemet e ditës ose komentojnë lajmet e fundit.

Bisedat e natës gjithashtu ofrojnë një lloj lirimi psikologjik, duke e mbajtur vetminë larg, në një kohë kur shqetësimet rreth shëndetit mendor janë shtuar, argumentoi ai. “Banorët dalin në rrugë dhe në vend që të ndiejnë se janë vetëm, ajo që marrin është një seancë terapie,” tha 38-vjeçari. “Ata ndajnë historitë e tyre ose problemet që po kalojnë dhe fqinjët përpiqen të ndihmojnë.”

Banorët në fshatin e vogël kanë reaguar ngrohtësisht ndaj ofertës së tij për statusin e trashëgimisë botërore, tha ai. “Deri më tani nuk kam marrë asnjë kritikë, ka qenë shumë pozitive. / KultPlus.com

Rebelët e Etiopisë pushtojnë qytetin që është në mbrojtje të Unesco-s

Rebelët nga rajoni Tigray i Etiopisë kanë marrë kontrollin e qytetit të Lalibela, një vend nën mbrojtjen  trashëgimisë botërore të Unescos në rajonin fqinj Amhara.

Lalibela, shtëpia e kishave të shekullit të 13 -të të gdhendur nga shkëmbi, është një vend i shenjtë për miliona të krishterë ortodoksë.

Banorët kanë ikur për shkak të rebelëve, thonë zyrtarët vendas.

Mijëra njerëz janë vrarë që kur shpërtheu lufta nëntorin e kaluar. Luftimet tani po përhapen në Amhara dhe Afar, një rajon tjetër në kufi me Tigray.

Miliona njerëz janë zhvendosur gjithashtu.

Si forcat rebele Tigray ashtu edhe ushtria etiopiane dhe aleatët e saj janë akuzuar për shkelje të të drejtave të njeriut dhe krime lufte./KultPlus.com

UNESCO merr nën mbrojtje qendrat hebraike në Gjermani

Kjo lëvizje shënon hapin e parë të bërë ndonjëherë nga UNESCO në drejtim të njohjes së trashëgimisë kulturore hebraike në Gjermani. Edhe një zgjatim i kufirit ushtarak romak, Limes, është njohur me këtë rast

Trupa kulturore e Kombeve të Bashkuara, UNESCO, ka njoftuar se dy vende në Gjermani kanë marrë statusin e Trashëgimisë Botërore. Anëtarët e Komitetit kanë njohur qytetet gjermane të Mainzit, Speyerit dhe Wormsit për rolin e tyre si qendra të kulturës hebraike në Evropë gjatë mesjetës – që shënon njohjen e parë nga UNESCO të trashëgimisë kulturore hebraike në Gjermani.

Ata, po ashtu, kanë miratuar edhe aplikimet për njohje të një seksioni të Limesit – kufiri i jashtëm i Perandorisë Romake – përgjatë lumit Rhin.

Cilat janë qendrat hebraike me status në UNESCO?

Mainz, Speyer dhe Worms njihen si vendet SchUM – për germat e para të emrave të tyre hebrenj gjatë mesjetës. Të tri qytetet bëjnë pjesë në atë që dikur quhej si “Jerusalemi i Rihinit”.

Ato ishin fort ndikuese për kontributet në gjuhën hebraike, studimet fetare, si dhe stilin fetar arkitekturor.

Shteti Rihneland-Palatinate luftoi për njohje për më shumë se 15 vjet. Avokatët shënonin se problemi i tyre më i madh ishte fakti që kaq pak artefakte fizike mbetën pas shekuj plaçkitjesh e vandalizmi shkatërrimtar.

Më në fund, Komiteti i njohu varrezat, sinagogën dhe banjat rituale Mikvah në këto qytete si emra të denjë për Trashëgiminë Kulturore Botërore. Varreza e Heiligen Sandit në Worms, fjala vjen, shpesh konsiderohet si më e vjetra dhe më e madhja varrezë hebraike në Evropë, me varre që datojnë nga shekulli i nëntë.

Mungesa e vendeve të ruajtura historike, thotë Andreas Lehnardt, profesor i studimeve hebraike në universitetin e Mainzit “Johannes Gutenberg”, është shpesh një zhgënjim për mysafirët e huaj që kërkojnë të lidhen me të kaluarën e pasur hebraike të rajonit, “por”, shton ai, “kjo është thjesht një reflektim i historisë hebraike në Gjermani”.

Mbështetësit e aplikimit, si kryetari i Wormsit Alfred Kessel, thonë se shquarja nga UNESCO-ja do të ndihmojë jo vetëm në rritjen e turistëve, por edhe do t’iu dalë në krah komuniteteve për të ruajtur atë çka ka ngelur nga ajo që dikur ishte qendër e rëndësishme e kulturës hebraike dhe mësimit fetar.

Çka është seksioni i Limesit që fitoi statusin e UNESCO-s?

Limesi i poshtëm gjerman shtrihej nga Rheinbrohli në shtetin e Rhineland-Palatinate, përmes North Rhine-Westphalia në Detin e Veriut në Holandë. Njohja e tij avancon vizionin e UNESCO-s për ta vënë gjithë kufirin ushtarak – që shtrihej nga Skocia deri në Detin e Zi – nën mbrojtje si vend i trashëgimisë kulturore panevropiane.

Maria Böhmer, kryetare e Komisionit gjerman në UNESCO, ka thënë se disa prej “mbetjeve më të vjetra të skajit të Perandorisë Romake” janë gjetur në vend.

“Romakët ndërtuan fortesa dhe vendbanime përgjatë Rhinit që do të rriteshin për t’u bërë qytete të mëdha si Këlni, Boni e Nijmegeni. Ato lulëzuan për shkak se Limesi nuk ishte mbyllje, por më tepër lehtësonte shkëmbimin mes Romës dhe fqinjëve të saj”.

Pavarësisht të qenit kufi, Limesi nuk ishte thjesht një vijë statike e mbrojtjes, por më tepër një vend shkëmbimi, me dogana dhe tregje të vendosura në kalimet kufitare, ashtu sikurse edhe me kulla vrojtimi e fortesa gjatë gjithë strukturës.

Vendimi për një seksion të mëtejmë, të njohur si Limesi danubian, i është dorëzuar një grupi punues për rishqyrtim.

Hungaria rrëzoi propozimin – e ngritur nga Gjermania, Austria, Sllovakia e Hungaria – duke e tërhequr papritur pjesën e saj të aplikimit. Komiteti e quajti këtë vendim si “të paprecedent”. /dw/ KultPlus.com

Nëntë vende të reja i bashkohen listës së trashëgimisë botërore të UNESCO-s

UNESCO, krahu arsimor, shkencor dhe kulturor i Kombeve të Bashkuara, ka shtuar nëntë zona të reja në Listën e Trashëgimisë Botërore.

Ato përfshijnë një qytet port kinez të njohur si “emporiumi i botës”, një vend i Arabisë Saudite që përmban mbishkrime shkëmbore që shtrihen në 7,000 vjet dhe një rrjet ndërkombëtar të qyteteve evropiane të llixhave, transmeton KultPlus.

Quanzhou, i vendosur në bregdetin e provincës Fujian të Kinës nga lumi Jin, fitoi një vend në listë për rëndësinë e saj në tregtinë detare midis shekujve 10 dhe 14 të e.s., raporton Phoebe Zhang për South China Morning Post./KultPlus.com

 

Feneri i fundit i banuar i Francës merr statusin e UNESCO-s

Foto: Philippe Lopez

Feneri i fundit i banuar i Francës ka marrë statusin e UNESCO-s

Feneri Cordouan është i fundit i banuar në Francë dhe vetëm i dyti, pas Kullës së Herkulit në La Coruña në Spanjë, që do të shtohet në listën e Trashëgimisë Botërore të Unesco, transmeton KultPlus.

Cordouan u ndërtua në fund të shekullit të 16-të dhe mbikëqyr Oqeanin Atlantik nga gryka e grykëderdhjes Gironde në Francën jug-perëndimore./KultPlus.com

Liverpooli numëron pasojat e humbjes së statusit në UNESCO

Komiteti ka votuar për ta hequr qytetin në veriperëndim të Anglisë nga statusi i tij për shkak të shqetësimeve rreth rizhvillimit, veçmas në bregun e tij

Liverpooli ka përjetuar një moment të rrallë palavdie të mërkurën me rastin e heqjes së tij nga lista e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, pasi e kishte fituar 17 vjet më parë, për shkak të shqetësimeve mbi zhvillimet në qytet, më së shumti në bregdetin e tij të famshëm.

Vendimi është bërë në Fuzhou të Kinës, pas një votimi të fshehtë nga komiteti i UNESCO-s, duke mbështetur rekomandimin e bërë në qershor për ta zhveshur Liverpoolin nga statusi i tij i mbrojtur, një lëvizje kjo që do të jetë goditje për prestigjin e qytetit që po orvatet ta rivitalizojë veten në vitet e fundit. Richard Kemp, kryetar i partisë më të madhe opozitare në Këshillin e qytetit, e ka përshkruar humbjen e statusit si “ditë e turpit për Liverpoolin”.

Një raport i publikuar në qershor nga komiteti shprehte “keqardhje të thellë” dhe theksonte se zhvillimet në qytet dhe në bregdetin e tij kanë “përftuar një përkeqësim serioz dhe humbje të pakthyeshme të atributeve”, si dhe “humbje të ndjeshme të autenticitetit dhe integritetit të tij”.

Liverpooli e fitoi statusin e tij në trashëgiminë botërore më 2004, në përnjohje të historisë së tij tregtare e detare, të reflektuar në një arkitekturë madhështore. Si një prej qendrave më të mëdha të tregtisë botërore në shekujt 18-të dhe 19-të, Liverpooli krijoi mirëqenien e tij kryesisht prej tregtisë transatlantike me skllevër.

Lista e trashëgimisë është e krijuar për të përnjohur dhe ruajtur monumentet, ndërtesat dhe vendet e tjera, ku shtetet anëtare, në mënyrën më të madhe të mundshme, janë të obliguara t’i ruajnë.

Vetëm dy vende të tjera kanë humbur statusin e tyre të trashëgimisë: strehimorja arabe e Oryxit në Oman, më 2007, pasi një numër oriksësh (një antilopë e madhe – v.j.) nisën të pakësoheshin në mënyrë të thiktë dhe Qeveria e kufizoi madhësinë e strehës për 90 për qind; si dhe “Dresden Elbe Valley” në Gjermani, dy vjet më vonë, për shkak të ndërtimit të një ure që kalonte përmes saj.

Në rastin e Liverpoolit, shqetësimi është fokusuar pjesërisht në planin rigjenerues, në vlerë prej 7 miliardë dollarësh, për bregun historik. Projekti përfshin apartamente luksoze dhe ndërtesa të larta, duke ngritur shqetësime se ato mund të rrezikojnë vijën qiellore dhe arkitekturën e tij, duke bërë që qyteti të vendosej në listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik më 2012.

Në një deklaratë, bashkiakja e Liverpoolit, Jonne Anderson, ka thënë se ajo është “fort e zhgënjyer dhe e shqetësuar” nga vendimi i së mërkurës.

“Vendi ynë i trashëgimisë botërore nuk ka qenë kurrë në një gjendje më të mirë duke përfituar me qindra miliona funta investime gjatë dhjetëra ndërtesave të listuara dhe domenit publik”, ka thënë ajo. “Ne do të punojmë me Qeverinë për të shqyrtuar mundësinë nëse mund të apelojmë, por çfarëdo që ndodh Liverpooli do të jetë gjithmonë një qytet i trashëgimisë botërore”.

Kim Johnson, ligjvënëse kombëtare, distrikti i së cilës përfshin edhe bregdetin në fjalë, ka thënë në Twitter se vendimi ishte thellësisht zhgënjyes, por Liverpooli do të “vazhdojë të rritet e të zhvillohet si qytet që sjell rigjenerim për të gjithë”.

Ajo ka shtuar: “Vetëm shpresojmë që ne do të respektojmë bregdetin tonë mjaftueshëm sa për të mbështetur dizajnin e mirë që plotëson vijën tonë qiellore me famë botërore”.

Një zëdhënës i Qeverisë britanike ka shprehur gjithashtu zhgënjim, duke shtuar se Qeveria ende beson se Liverpooli e meriton statusin e Trashëgimisë së Mbrojtur “duke marrë parasysh rolin e ndjeshëm që limanet historike dhe pjesa tjetër e qytetit ka luajtur gjatë historisë”.

Liverpooli përftoi mirëqenie të lartë si një pikë tregtare gjatë shekujve 18-të e 19-të, përfshirë edhe atë si porti mbizotërues britanik në tregtinë transatlantike të skllevërve. Qyteti kontrollonte 40 për qind të tregtisë së skllevërve në fund të shekullit të 18-të.

“Liverpooli shpesh është quajtur si ‘kryeqytet botëror i skllavërisë’, për shkak se ishte qyteti-port më i madh në Evropë në tregtinë me skllevër në shekullin e 18-të derisa ndodhi ndalimi ligjor i kësaj tregtie më 1807”, ka thënë Sarah Moody, historiane në Universitetin e Bristolit. International Slavery Museum u hap më 2007 në Royal Albert Dock në zemër të vendit të trashëgimisë së mbrojtur.

Qyteti thotë që 40 për qind e gjithë tregtisë botërore kalonte nëpërmjet portit të tij në fillim të shekullit të 19-të dhe i ruajti pasurinë dhe statusin e tij gjer në fillim të shekullit pasues. /koha/ KultPlus.com

UNESCO i heq Liverpulit statusin e Trashëgimisë Botërore

Liverpulit në Mbretërinë e Bashkuar iu hoq statusi i Trashëgimisë Botërore, pasi një komitet i Kombeve të Bashkuara konstatoi se zhvillimet atje e kërcënojnë vlerën e qytetit.

Vendimi u mor pas një votimi të fshehtë nga komiteti i UNESCO-s në një takim në Kinë.

UNESCO – agjenci për kulturë, arsim dhe shkencë e Kombeve të Bashkuara – tha se zhvillimet e reja, përfshirë stadiumin e ri të planifikuar të klubit futbollistik Everton, kanë rezultuar me një “përkeqësim serioz” të qytetit historik.

Kryetarja e bashkisë së qytetit tha se vendimi është “i pakuptueshëm”.

“Lokacioni ynë i Trashëgimisë Botërore nuk ka qenë kurrë në gjendje më të mirë”, tha Joanne Anderson.

Ajo tha se do të bisedojë me Qeverinë britanike për të parë nëse qyteti mund ta apelojë vendimin, i cili, sipas saj, vjen “një dekadë pasi UNESCO e vizitoi për herë të fundit Liverpulin”.

Qeveria tha se është “jashtëzakonisht e zhgënjyer” dhe se beson se Liverpuli ende e meriton statusin e tij të Trashëgimisë Botërore, “marrë parasysh rolin e rëndësishëm që doket historike dhe qyteti kanë luajtur gjatë gjithë historisë”.

Liverpulit i është dhënë statusi i Trashëgimisë Botërore në vitin 2004.

Ai është vendi i tretë që e humb atë, prejse ka nisur përpilimi i listës në vitin 1978.

Shenjtërorja arabe Oryx në Oman e ka humbur në vitin 2007, ndërsa Lugina Dresden Elbe në Gjermani më 2009. / Express / KultPlus.com

UNESCO: Të ndërpriten urgjentisht punimet në Bypass-in e Gjirokastrës

Komiteti i “UNESCO”-s për Trashëgiminë Botërore kërkon ndërprerjen urgjente të punimeve në Bypass-in e Gjirokastrës. Rezoluta vë në dukje se një informacion i dërguar nga një palë e tretë, jo nga qeveria shqiptare “skicon një situatë shumë shqetësuese të projektit”.

Ata theksojnë se, sipas dëshmive, projekti do të ketë një “ndikim negativ në vlerat e zonës”. Në janar të 2021-shit, qeveria paraqiti një kërkesë për rishikimin e një propozimi të rihartuar për projektin e Bypass-it.

“UNESCO” kërkoi informacion shtesë, por qeveria shqiptare nuk arriti t’i përgjigjej. Së shpejti pritet që të vijë edhe një mision monitorimi për të vlerësuar nëse ndërhyrjet kanë dëmtuar “vlerat e trashëgimisë  kulturore”.

“UNESCO” i rekomandoi Shqipërisë që të ndalojë këtë projekt derisa një mision të vlerësojë ndikimin e tij në vlerat universale të zonës dhe të bëjë rekomandime e duhura.

Ky vendim është botuar në projekt-rezolutë para Sesionit të 44-të të takimit të Komitetit të Trashëgimisë Botërore, që zhvillohet midis 16 dhe 31 korrik në Kinë./ Abcnews.al / KultPlus.com

15 vjetori i përfshirjes së isopolifonisë shqiptare në trashëgiminë gojore nga UNESCO

Me anë të një ceremonie solemne të organizuar në Kalanë e Lëkurësit, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta dekoroi grupet polifonike dhe këngëtarë të spikatur polifonikë të trevës së Sarandës me rastin e 15 vjetorit të përfshirjes së isopolifonisë shqiptare në listën e “kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit” nga UNESCO-ja.

Kreu i shtetit i akordoi titullin “Naim Frashëri” Ansamblit “Zëri i Bilbilit”, me motivacionin: ‘’Për kontributin e spikatur dhe të pandërprerë në ruajtjen, pasurimin dhe transmetimin e këngës polifonike, si një vlerë e vyer shpirtërore e trashëgimisë kulturore, për pjesëmarrjen e suksesshme në aktivitete kulturore dhe festivale folklorike brenda vendit dhe jashtë vendit, si mbështetës aktiv i turizmit kulturor dhe si përçues tek brezat e rinj i vlerave kulturore të këngës polifonike dhe valles tradicionale”.

Me titullin “Mjeshtër i Madh” u çmua këngëtari dhe rapsodi i këngës polifonike, Xheladin Beqiri, me motivacionin: “Për kontributin e vyer disavjeçar në ruajtjen, pasurimin dhe transmetimin ndër breza të këngës polifonike. Këngëtar dhe interpretues virtuoz, rapsod dhe njohës i mirë i këngës polifonike. Pjesëmarrës i suksesshëm dhe laurës i shumë festivaleve folklorike kombëtare në Gjirokastër”; si dhe zonja Katerina Kule “Me vlerësime si një nga këngëtaret e shquara të këngës polifonike. Me talentin, zërin e rrallë dhe dashurinë për këngën e popullit të saj ka luajtur një rol të madh në ruajtjen e traditës dhe kultivimit të mëtejshëm të folklorit dhe në veçanti polifonisë së jugut të vendit”.

Presidenti Meta vlerësoi me titullin “Naim Frashëri” marrësin e shquar marrës polifonik, Petrit Metushi, me motivacionin: “Si një nga këngëtarët e shquar të këngës  polifonike, i dalluar për talentin dhe interpretimin e spikatur në rolin e marrësit, si dhe për rolin unik në mbajtjen gjallë, kultivimin dhe përsosmërinë e këngës polifonike sarandjote”; si dhe intepretuesin e spikatur Kiço Kapetani (pas vdekjes): “Në vlerësim të kontributit të spikatur në interpretimin dhe lartësimin e këngës polifonike. I dalluar në rolin e marrësit për talentin dhe interpretimin e shquar, si dhe rolin unik në mbajtjen gjallë, kultivimin dhe përsosmërinë e këngës polifonike sarandjote”.

Me titullin “Për Merita të Veçanta Civile”, kreu i shtetit dekoroi Sinan Ahmetin, me motivacionin: “Me mirënjohje artistit të shquar të kulturës popullore dhe folklorit me kontribut të spikatur në mbartjen, pasurimin dhe transmetimin e këngës polifonike ndër breza. Si pjesëmarrës, drejtues dhe organizues me nivel të lartë artistik i shumë veprimtarive folklorike, në dobi të ruajtjes së traditës të polifonisë dhe nxitjes së turizmit kulturor”.

Në përshëndetjen drejtuar artistëve, këngëtarëve, rapsodëve, muzikologëve dhe studiuesve të polifonisë, si dhe familjarëve, presidenti Meta u shpreh i lumtur për të nderuar historinë e lavdishme të luftërave për liri,  si dhe për të vlerësuar disa prej korifenjve sarandjotë të këngës sonë polifonike.

“E meritojnë korifenjtë e polifonisë këtë vlerësim  dhe kënaqësi për gjithçka, që ata  kanë bërë për Atdheun, për të forcuar shpirtin kulturor të kombit, identitetin tonë si dhe për të  lartësuar deri në UNESCO polifoninë shqiptare!”, tha Meta. / atsh / KultPlus.com

UNESCO rekomandon që “Great Barrier Reef” të futet në listën e trashëgimisë së rrezikuar

“Great Barrier Reef”, sistemi më i madh në botë i shkëmbinjve koralorë, është rekomanduar që të futet në listën e trashëgimisë së rrezikuar për shkak të dëmeve që po i shkaktohen nga ndryshimet klimatike, ka thënë organizata e Kombeve të Bashkuara për Kulturë, UNESCO.

Vendimi do të merret muajin e ardhshëm.

UNESCO ka kërkuar nga Australia që të ndërmarrë veprime të menjëhershme ndaj ngrohjes globale. Ndërsa qeveria e Australisë ka kundërshtuar fuqishëm rekomandimin.

Përplasja e fundit është vetëm vazhdimësi në konfliktin në mes të UNESCO-s dhe qeverisë australiane për statusin e sistemit ikonik viteve të fundit.

“Great Barrier Reef” është sistemi më i madh në botë i shkëmbinjve koralorë i përbërë nga mbi 2,900 shkëmbinj nënujorë individualë dhe 900 ishuj. / koha.net / KultPlus.com

Krerët e institucioneve të Kosovës i drejtohen UNESCO-s: Kosova është e gatshme për anëtarsim në UNESCO

21 maji shënon Ditën Botërore të Diversitetit Kulturor për Dialog dhe Zhvillim. Pikërisht në këtë ditë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se sipas rëndësisë që ka kjo ditë, ai, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani si dhe kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca i janë drejtuar UNESCO-S me një letër në të cilën janë sqaruar veprimet e institucioneve të Republikës së Kosovës për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe promovimin e të drejtave kulturore të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Republikën e Kosovës, përcjell KultPlus.

Më poshtë gjeni letrën e plotë, të publikuar nga Kurti.

Sot është 21 Maji, Dita Botërore e Diversitetit Kulturor për Dialog dhe Zhvillim, e shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e UNESCO-s (Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë). Duke marr shkas nga rëndësia e kësaj dite, sot i jemi drejtuar UNESCO-s përmes një letre që e kemi nënshkruar bashkë me Presidenten znj. Vjosa Osmani Sadriu dhe Kryetarin e Kuvendit z. Glauk Konjufca. Në letrën tonë kemi shpjeguar veprimet e institucioneve të Republikës së Kosovës për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe promovimin e të drejtave kulturore të të gjitha komuniteteve që jetojnë në shtetin tonë. Gjithashtu, në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës kemi artikuluar disa kërkesa konkrete.

Së pari, kemi kërkuar që katër monumentet e Kosovës që janë të listuara në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s (Manastiri i Deçanit, Patrikana e Pejës, Manastiri i Graçanicës dhe Kisha e Shën Premtes në Prizren) të largohen nga kategoria “në rrezik” pasi që rrethanat e sigurisë në Kosovë kanë ndryshuar tërësisht nga viti i largët 2006 kur këto monumente janë vlerësuar si të rrezikuara.

Së dyti, i kemi ftuar që të rishikojnë terminologjinë e vjetruar, pasi që në raportet dhe dokumentet e UNESCO-s edhe më tutje përmendet “Provinca Autonome e Kosovës” (tanimë Republika e Kosovës) dhe “Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes në Prishtinë” (tanimë Institucionet Shtetërore të Republikës së Kosovës).

Së treti, kemi kërkuar nisjen e procesit për ndryshimin e palës shtetërore përgjegjëse për këto katër monumente, duke e larguar Serbinë dhe vendosur Kosovën në këtë përgjegjësi. Ndonëse në Listën e Trashëgimisë Botërore palë shtetërore për katër monumentet në fjalë është Serbia, ajo nuk ka asnjë kontroll real apo juridik mbi to, dhe rrjedhimisht nuk mund të përmbushë detyrimet e saj karshi UNESCO-s. Zyrtarët e UNESCO-s i kemi siguruar që sikurse deri tani, edhe në të ardhmen do të jemi të përkushtuar për të mbrojtur, promovuar dhe zhvilluar të gjitha kishat dhe manastiret ortodokse në Kosovë.

Së katërti, në emër të institucioneve të cilat i përfaqësojmë, kemi garantuar që Kosova është plotësisht e gatshme për anëtarësim në UNESCO, një e drejtë e mohuar para disa vitesh. Ne bësojmë që pamundësia për t’u anëtarësuar në vitin 2015 në mungesë të një numri shumë të vogël votash nuk duhet të shndërrohet në penalizim afatgjatë për Kosovën.

Ne jemi të vullnetshëm të bëhemi pjesë e familjes së madhe të UNESCO-s për t’i sjellë vlerë të shtuar njerëzimit përmes pasurisë sonë kulturore dhe për t’u bërë pjesë e përpjekjeve të përbashkëta për paqe të qëndrueshme në botë. Ne besojmë në universalitetin e trashëgimisë kulturore, dhe si të tillë në potencialin përbashkues të saj. / KultPlus.com

Kcimi i Tropojës dhe Xhubleta, më pranë UNESCO-s, Margariti firmos formularin e kandidimit

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti firmosi sot formularin e kandidimit të dukurisë së Kcimit të Tropojës për “Representative List of Intangible Cultural Heritage of Humanity” (lista përfaqësuese e dukurive të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale te njerezit) dhe dijebërjes së Xhubletës për në listën e dukurive në rrezik (Urgent Safeguarding List).

Siç njoftoi vetë Margariti, bëhet fjalë për një moment të rëndësishëm për ruajtjen dhe transmetimin brez pas brezi, por edhe promovimin e trashëgimisë sonë kulturore përtej kufijve lokalë.

Ajo falënderoi komunitetet lokale që e propozuan dhe këmbëngulën, por edhe partnerit The_AADF që, siç u shpreh ajo, “ na mbështetën për ta çuar përpara këtë nismë, që për ne është një mision”.

Xhubleta gëzon statusin kryevepër nga Ministria e Kulturës dhe dosja ka mbaruar në një kohë rekord për UNESCO si një trashëgimi në rrezik.

Xhubleta, veshje tipike e zonavë të veriut, cilësohet si një prej kostumeve më të rralla popullore, me disa lloje e karakteristika, prerjeje e qepjeje, sipas zonave dhe moshave të grave që e vishnin./ASHT/ KultPlus.com

Dosja ‘Marubi’ drejt UNESCO -s, Margariti: Shpresojmë të zërë një vend të posaçëm

Pas një pune 2-vjeçare ka përfunduar hartimi i dosjes së kandidimit të “Marubit” në Memory of the World Register.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, tha sot se “si asnjëherë më parë po punohet për të prezantuar kulturën shqiptare përtej kufijve, madje me pretendimin për t’u bërë pjesë e pasurisë botërore.Tashmë dosja e kandidimit të “Marubit” në UNESCO është gati”.“Një pasuri e jashtëzakonshme, që nuk është vetëm krenari e Shkodrës, jo vetëm kombëtare, por që duhet t’i përkasë mbarë njerëzimit; historia dyshekullore shqiptare në celuloid. E nderuar ta prezantoja këtë nismë në Shkodër, me falënderimet më të përzemërta për grupin e punës, pranë Muzeut “Marubi” e në Ministrinë e Kulturës, që çoi përpara këtë aspiratë tonën”, – tha Margariti.Sipas saj, hartimi i kësaj dosje ngjante si një sfidë e largët e ndoshta e paprekshme.

“Ndoshta ne që përfshihemi në radhët e politikës duam të kryejmë ato hapa të cilët arrijnë më prekshëm edhe në vizualen e njerëzve, komunitetit, qyteteve, por mendoj se këto janë politika të mëdha kombëtare, për të cilat Shqipëria duhet të hedhë një vëmendje të shtuar. Jam krenare që kësaj thirrjes sime iu bashkuan profesionistë, ekspertë, njerëz qe e kanë bërë jo vetëm me dashuri e pasion por me profesionalizëm. Jemi shpresë plotë që kjo aspiratë e jona do të çelë dyer të reja . Është një sfidë që po fillon, thjesht kemi përfunduar hartimin e dosjes, por është një punë kolosale që ka marrë dy vjet”, – nënvizoi Margariti.

Ministrja tha se “ashtu si përgatitja e dosjes së xhubletës edhe kjo shpresojmë të zërë një vend të posaçëm, një vend nderi i Shqipërisë në UNESCO”.

Muzeu kombëtar i fotografisë ”Marubi” është muzeu i parë i fotografisë në Shqipëri, si dhe një nga më të pasurit në rajonin e Ballkanit, që daton në një periudhë kohore nga fundi i shekullit XIX deri në fund të shekullit XX.

Më 9 maj 2016 muzeu kombëtar i fotografisë ”Marubi” u përurua së bashku me koleksionin e Bibliotekës së Fotografive. Muzeu i ri është një prej trashëgimive më të rëndësishme të kulturës shqiptare, pasi ai dëshmon për më shumë se një shekull të historisë dhe hedh dritë mbi momente, njerëz dhe ngjarje të rëndësishme që shërbejnë si një pasaportë thelbësore për kulturën shqiptare./atsh/ KultPlus.com

Muzeu kombëtar “Marubi” drejt UNESCO-s, dosja në listën e trashëgimisë botërore

Dosja “Marubi në Unesco” është gati.

Puna dy vjeçare është finalizuar dhe muzeu kombëtar i fotografisë, synon që brenda 1 viti të marrë përgjigjen pozitive për t’u njohur si trashëgimi botërore.

“Jemi shpresë plotë që kjo aspiratë e jona do të çelë dyer të reja. Patjetër që është një sfidë  që po fillon, pra thjesht kemi përfunduar hartimin e dosjes. Ne besojmë fort që Shqipëria ka ende shumë për të treguar. Për ne kjo është mbi të gjitha një ushtrim i parë i njohjes së vetvetes,” u shpreh ministrja e kulturës Elva  Margariti.

Drejtuesit e projektit, tregojnë se puna voluminoze është shoqëruar me konsultime dhe përfshirjen e ekspertëve vendas e të huaj, me qëllim që çdo fakt i paraqitur të jetë bindës.

“Jam shumë entuziast dhe në një ditë do jemi këtu kur ta shikojmë, qytetarët do jenë këtu. Kjo është patjetër një punë që i  mbetet përjetë muzeut edhe Shkodrës në tërësi,” tha drejtori i muzeut “Marubi” Luçjan Bedeni.

‘Foto-Studio Marubi’, u themelua në vitin 1856 nga Pietro Marubi, ndërsa sot si muze kombëtar ka si pasuri rreth 500,000 negativë në teknika dhe formate të ndryshme, që dokumentojnë ngjarje, personazhe e fakte interesante të Shqipërisë./ atsh / KultPlus.com

Ministria e Kulturës në Shqipëri përgatitë dosjen për futjen e xhubletës në UNESCO

Ministria e Kulturës ka bërë gati dosjen për futjen e xhubletës në listën e siteve të trashëgimisë kulturore botërore, të ruajtura nga UNESCO.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, gjatë një takimi me temë “Gratë në Trashëgiminë Kulturore, materiale e jo materiale, që nga ninullat te dijebërja e xhubletës”, tha se “nëse do të pritej xhubleta do të humbte”.

“E kemi vënë në një dosje në rrezik se është fenomen në rrezik. Në momentin që jemi të vetëdijshëm për këtë stad në të cilin ndodhet, do të humbisnim shumë më tepër nëse këtë hap nuk do ta ndërmerrnin tani, nga rrezik do të kthehej në fenomen të humbur”, tha ministrja.

Specialistja Luljeta Dano theksoi se “xhubleta gëzon statusin kryevepër nga Ministria e Kulturës dhe ngjarja e vitit është dosja që po përgatitet dhe po mbaron në një kohë rekord për UNESCO si një trashëgimi në rrezik”.

Xhubleta, veshje tipike e zonavë të veriut, cilësohet si një prej kostumeve më të rralla popullore, me disa lloje e karakteristika, prerjeje e qepjeje, sipas zonave dhe moshave të grave që e vishnin./atsh/ KultPlus.com

Raporti shqetësues i UNESCO-s: 44 mijë shqiptarë analfabetë, nuk dinë shkrim as lexim

Është e paimagjinueshme, por në vitin 2021 në Shqipëri ka ende persona që nuk dinë të shkruajnë dhe të lexojnë shqip.

Një raport i UNESCO përcjell të dhëna të trishta sa i përket analfabetizmit.

Statistikat i përkasin vitit 2018 dhe në bazë të tyre 44 mijë persona në Shqipëri janë analfabetë. Nga këta mbi 3000 i përkasin moshës 15-23 vjeç.

Sipas këtij raporti, ky fenomen më së shumti është i përhapur në komunitetin rom dhe te personat me aftësi të kufizuara.

Edhe pse arsimi është i detyrueshëm deri në moshën 16-vjeçare, vetëm 92% e nxënësve mbarojnë arsimin bazë.https://zeri.info/inarticle.html

Në raport thuhet se varfëria, migrimi dhe largësia nga shkolla, janë ndër arsyet pse fëmijët e lënë shkollën para klasës së nëntë.

Kjo problematikë është evidentuar edhe nga Edi Rama në opozitë. Madje në zgjedhjet e vitit 2013 ai kërkonte votën për të larguar qeverinë që kishte lënë 57% të popullsisë analfabetë funksionalë por 8 vite më pas situata duket se është e njëjtë./oranews/ KultPlus.com

Qyteti me më së shumti zona të mbrojtura në botë

Për shumicën e turistëve në Spanjë, Barcelona dhe Sevilja janë destinacionet kryesore për t’u vizituar, duke mënjanuar shpesh Kordobën, një nga qytetet me më shumë zona të mbrojtura nga UNESCO.

Kordoba, pjesë e Andaluzisë, që nga viti 2018, është qyteti i parë në botë që ka katër site të vlerësuara nga UNESCO, duke kaluar Romën dhe Parisin. Të përcaktuara nga një Komitet i Trashëgimisë Botërore, që përfshin përfaqësues të qeverive nga vende të ndryshme, këto site paraqesin, një vlerë të jashtëzakonshme universale dhe përmbushin një nga 10 kriteret, siç janë përfaqësimi i një tradite apo civilizimi kulturor ekzistent ose të zhdukur.

Ndër këto site, është edhe lagjja piktoreske historike, në zemër të Kordobës, ku guidat turistike, zakonisht këshillojnë që të vizitohet edhe për restorantet me gatime mjaft të mira, me produkte të zonës, si supa e ftohtë me domate dhe vaj ulliri. Zakonisht në këto zona, vaktet e darkës konsumohen vonë dhe më pas ndiqen nga një ritual shumë i dashur për spanjollët, konsumimi i një gote vere.

Më pas, vizita vazhdon në dy vendet e tjera të Trashëgimisë Botërore UNESCO, lagjja historike dhe Xhamia-Katedrale. Xhamia-Katedrale, e mbrojtur që nga viti 1984, u ndërtua midis vitit 784 dhe 786 si një xhami, por u shndërrua si katedrale në shekullin e 13-të, kur të krishterët erdhën në qytet. Struktura e shtrirë, me përmasa rreth 250 000 metra katrorë, është një ndërthurje e mrekullueshme e arkitekturës me mbishkrime dhe motive arabe. Atraksioneve të mbrojtura nga UNESCO iu shtohet një sinagogë e shekullit të 14-të, Alcazar; një kështjellë që daton që nga kohërat e pushtimit arab, dhe një numër i madh kishash, kryesisht të shekullit XIII dhe XIV.

Pjesë e UNESCO-s, janë dhe festivalet Patios, njohur si festivali që kremton ardhjen e pranverës, e ndaj njihet për shtëpitë e mbushura me lule, gjatë kësaj periudhe. Karafilat, trëndafilat dhe barbarozat janë më të zakonshme, por çdo oborr është i zbukuruar në mënyrë unike.

Këto janë pak nga gjërat që ofron një qytet historik si ai i Kordobës, ku ndërthuret kultura orientale e trashëguar nga pushtimi arab, me atë perëndimor vendas, çka e bën padyshim një destinacion përrallor për t’u vizituar, në çdo kohë./ KultPlus.com

Një tjetër traditë arbëreshe në UNESCO

Si një prej elementëve të përfshirë në kandidaturën e Motit të Madh, riteve dhe trashëgimisë arbëreshe për në UNESCO, përshkruhet edhe kulaçi arbëresh.

Por, çfarë e karakterizon këtë gatim tipik?

Cugliaccio (në arbërisht, kulaç) është një ëmbëlsirë tipike e traditës arbëreshe të San Costantino Albanese. Që nga shekulli i 16-të, përgatitja e kësaj buke ka qenë e lidhur me dasma dhe festat e Pashkëve, ndaj karakterizohet nga një simbolikë e fortë fetare, duke ruajtur e përcjellë kulturën arbëreshe.

E pasur me vezë, ajo përgatitet me përbërës të thjeshtë (miell gruri i butë, bollgur i bluar, vaj, sallo, maja natyrore, maja birre dhe kopër e egër), për të përmirësuar jetën dhe Ringjalljen, duke kujtuar shpërndarjen tradicionale të vezëve të ziera e të ngjyrosura, gjatë së Dielës së Pashkëve.

Në mesjetë, në fakt, ndaloheshin vezët, si ushqim me origjinë shtazore, gjatë kërkesave shumë të rrepta të agjërimit të Kreshmës. Vezët e pulës squkë në ato gjashtë javë, duhej të hidheshin shpejt, kështu që ato u bekuan në kishë gjatë meshës të së Dielës së Pashkëve dhe më pas, u dhuruan, të konfirmuara, për miqtë dhe të afërmit, si një dëshirë për pjellori.


Me rastin e dasmave, kulaçi përgatitet dhe paketohet nga të afërmit e dhëndrit, të enjten para dasmës, që në San Costantino Albanese drejtohet me ritin greko-bizantin. Në këtë rast, gatimi ka një brumë në formë rrethi, me një ndërthurje që formon katër krahë, si për të simbolizuar pazgjidhshmërinë e martesës.

Sipërfaqja e kulaçit, zbukurohet me simbole të bëra me brumë: një fole, dy zogj dhe dy gjarpërinj. Foleja, në qendër të ëmbëlsirës, përfaqëson familjen e re dhe shtëpinë. Vezët në të, janë gjithmonë të çuditshme, si shenjë e fatit të mirë dhe pjellorisë. Zogjtë, fillimisht përfaqësojnë vjehrrat; nga ana tjetër, gjarpërinjtë përshkruajnë bashkëshortët, të cilët, me keqardhje shikojnë prindrit që i lënë. Më vonë, zogjtë shndërrohen në çift të ri dhe gjarpërinjtë, përfaqësojnë anën negative.

Sipas traditës, duhet të përgatiten dy “cugliaccio-kulaçë” për secilën ceremoni, një i zbukuruar dhe tjetri i thjeshtë. Ai i thjeshti vihej nën tjetrin, meqenëse gjatë meshës, kulaçi i zbukurtiar ofrohej nga prifti, pasi ishte lagur me verë dhe i jepej fillimisht nuses dhe më pas dhëndrit, si shenjë e përkatësisë së ndërsjellë.

Gërshetat e kulaçit

Në rastine gatimit të kulaçit, siç e shohim, nuk është thjesht një recetë kuzhine, por një simbolike dhe përfaqësim i botës arbëreshe, që tregon një histori dhe shënon një ndryshim. Ky rit ka të bëjë me ndryshimin që, me kremtimin e martesës, do të ndodhë brenda bashkësisë së vogël, fqinjësisë, familjeve të përfshira dhe veçanërisht, në jetën e bashkëshortëve.

Por, mbi të gjitha “cugliaccio-kulaçi” është simbolika e ndryshimit të madh, në jetën e çiftit të ri. /konica/ KultPlus.com