‘Ti je vetëm një iluzion dhe asgjë me shumë’ (VIDEO)

“Fëmijërinë ma morën ëndrrat, e ëndrrat mi more ti”, është një nga fjalitë e fuqishme brenda këngës “Ti je vetëm një iluzion”, kjo këngë që tash e tri dekada bartë emocionin e njëjtë.

“Ti je vetëm një iluzion”,  i këndon çasteve që duken shekuj, e  zërin e B.B Poqit e njohim më së miri përmes kësaj kënge.  Bajram Bylykbashi apo B.B.POQI lindi më 21 maj të vitit 1968 në Prishtinë dhe është një nga këngëtarët më të mirë të rokut shqiptar.

Në muzikën e tij ndikim të madh patën grupet e rokut si Led Zeppelin, Deep purple, Ëhitesnake, U2, The doors, Pink Floyd etj. Në vitin 1985, Bylykbashi formoi band-in Babillon me të cilin bëri disa incizime, ndër to është edhe kënga “Ti je vetëm një iluzion”, shkruan KultPlus.

“Ti je vetëm një iluzion” është komponuar në vitin 1986 nga grupi BABILON, ndërsa u incizua vetëm një vit pas,  në vitin1987. Kjo këngë është e komponuar nga kitaristi i grupit Besim Hajdini dhe tekstin e ka shkruar Uran Bajrami.

Sonte hesht qyteti
shiu do t’fillojë
kërkoj shikimin tënd n’errësirë
çiftet rrugës kalojnë
më marrin për të marrë
kjo natë më kujton gëzimin dhe dashurinë
çastet me duken shekuj
nata me është e gjatë pa ty
fëmijërinë ma morën ëndërrat
e ëndërrat m’i more ti
larg fryn era, bartin pluhurin
dhe gjurmët e tua
ti shkove por kujtimi yt
jeton thellë diku ne mua

Sonte hesht qyteti
shiu do t’fillojë
kërkoj shikimin tënd n’errësirë
çiftet rrugës kalojnë
më marrin për të marrë
kjo natë më kujton gëzimin dhe dashurinë
çastet me duken shekuj
nata me është e gjatë pa ty
fëmijërinë ma morën ëndërrat
e ëndërrat m’i more ti
larg fryn era, bartin pluhurin
dhe gjurmët e tua
ti shkove por kujtimi yt
jeton thellë diku ne mua

Ti je vetëm një iluzion
dhe asgjë me shumë
ti je një ëndërr qe më mundom
a të kujtohem unë

Ti je vetëm një iluzion
dhe asgjë me shumë
ti je një ëndërr qe me mundon
a të kujtohem unë 3X/ KultPlus.com

Presidenca publikon shpenzimet e vitit 2021, i krahason me vitet e kaluara

Presidenca e Kosoves kanë publikuar shpenzimet e tyre për vitin 2021, shkruan KultPlus.

Këshilltarja e Presidentës Vjosa Osmani, Learta Hollaj, ka bërë një postim me disa grafika, në të cilat shihen edhe shpenzimet gjatë vitit 2021.

Postimi i plotë:

Me shumë punë të kryera, më pak para të shpenzuara.

Më shumë udhëtime zyrtare të realizura, më shumë para të kursyera.

Në 8 muaj në detyrë, Presidentja Osmani ka realizuar 14 udhëtime zyrtare, ka mirëpritur dhjetëra liderë e figura të larta nga rajoni e bota, ka punuar me transparencë të plotë, dhe ka pas vetëm një udhërrëfyes – vullnetin e qytetarëve.
Në grafikat e postuara shohim:

89% reduktim të shpenzimeve për biletat për udhëtime jashtë vendit në vitin 2021 në krahasim me vitin 2019 (viti 2020 ishte vit pandemik dhe udhëtimet në mbarë botën janë pezulluar pothuajse plotësisht)
85% reduktim të shpenzimeve për akomodim në vitin 2021 në krahasim me vitin 2019.

109,346 EUR të shpenzuara më pak për karburante (96% më pak se në vitin 2019). Thënë ndryshe, 21,058 EUR të shpenzuara nga Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës në vitin 2021, nga të cilat vetëm 5,165 EUR për nevojat e kabinetit.

Vetëm 2,714 EUR të shpenzuara për dreka e darka zyrtare të shtruara për presidentë, senatorë, e figura të larta zyrtare nga vendet mike. Rikujtoj, në të kaluarën, kjo rastiste të ishte shuma e shpenzuar për një drekë/darkë ose 2-3 shishe verë.

Me publikim të shpenzimeve , po e realizojmë edhe një zotim. Sot filluam me publikimin e shpenzimeve të Zyrës së Presidentes dhe kjo praktikë do të realizohet tashmë në vazhdimësi. Nuk ka nevoë të bëhen dhjetëra kërkesa për qasje në shpenzime, sepse shpenzimet do të jenë të qasshme për çdo qytetar.

Punë të mira bëhen edhe duke shpenzuar më pak. Në fakt punët më të mira bëhen kur çdo cent i parasë publike shpenzohet me përgjegjësi. /KultPlus.com

‘Të paepur, të pafrikë’, motoja e gjeneratës 2025 të kadetëve të FSK-së

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka prezantuar moton e gjeneratës 2025 të FSK-së, përcjell KultPlus.

Mehaj përmes një postimi në Facebook njofton se motoja e kësaj gjenerate do të jetë ‘Të paepur, të pafrikë’.

“”Të paepur, të pafrikë”
Kjo është motoja që tani e tutje do të jehojë në emër të Gjeneratës 2025.
Kadetë të Gjeneratës 2025,
Ju me të vërtetë jeni të denjë për t’u thirrur në emër të motos që keni përzgjedhur.
Suksese në rrugëtimin tuaj të lavdishëm!.” – ka shkruar Mehaj/ KultPlus.com

Mural i fshehur i Teatrit zbulohet gjatë rinovimit të ndërtesës 115 vjeçare në Washington

Një çift në Washington kanë zbuluar gjatë restaurimit të një ndërtesë 115-vjeçare, një vepër arti në kanavacë. Bëhet fjalë për një mural rreth 18 metra, i cili dikur vishte muret e godinës që ka shërbyer si Teatër.

Një mural qindra-vjeçar është zbuluar në një ndërtesë historike në Uashington të SHBA-së. Gjithçka nisi gjatë procesit të restaurimit të një banese të vjetër, në Okanogan, që ndodhet rreth katër orë në lindje të Seattle. Çifti, Nick dhe Lisa Timm e blenë atë me synimin për ta shndërruar në një bar, por gjatë punimeve zbuluan një mural 18 m të pikturuar në kanavacë përgjatë mureve të saj.

“Ishim rreth 20 minuta nga mbulimi i mureve,” tha Nick për CNN. “Unë atëherë mendova ‘epo, le të shohim se çfarë fshihet pas gjithë kësaj suvaje’.”

Teksa suvaja u hoq, ata zbuluan një mural gjigant — 18 metra i gjatë dhe 6 këmbë i lartë që përshkruante një liqen, kabina dhe pemë. Lisa dhe Nick Timm blenë ndërtesën historike në fund të vitit 2021. Ajo daton rreth vitit 1907, dhe ka shërbyer si kinema, sallë pishine dhe madje edhe shesh për luftimin e gjelave.

Shoqëria Historike e Qarkut Okanogan zbuloi në një gazetë të vitit 1915 planin origjinal për muralet të pikturuara nga një artist vendas, në godinën që duikur ja shërbyer si Teatër në 1918. Tani, ai peizazh panoramik do të hiqet me kujdes, do të rinovohet dhe do të rivaret.

Plani i çiftit është që ta kthejë hapësirën prej 3000 metrash katrorë në një bar dhe vend grumbullimi për komunitetin. Murali do të jetë pjesa qendrore dhe plani është ende që të mbushet pjesa tjetër e hapësirës me objekte të tjera historike. Ai do të quhet, “Red Light Bar”, një odë për dritën e kuqe unike në qytet./ KultPlus.com

Mbulimi i muralit ‘Kamarieri’ në Ferizaj, reagon MuralFest Kosova

MuralFest Kosova ka reaguar pas mbulimit të muralit ‘Kamarieri’ në Ferizaj për shkaqe komerciale, përcjell KultPlus.

Në reagimin e tyre në Facebook thuhet se ky mural, i vendosur në Hotel Lybetenin është pjesë thelbësore e identitetit të Ferizajt!

KultPlus ua sjell reagimin e plotë:

REAGIM

Murali i parë, Kamarieri, i vendosur në Hotel Lybetenin është pjesë thelbësore e identitetit të Ferizajt!

Mural Fest Kosova shprehë shqetësim të thellë kur sheh se si përgjatë viteve është mbuluar murali vazhdimisht për shkaqe komerciale, gjë që e shëmton dhe zbehë rëndësinë e tij.

Ndonëse struktura dhe pamja e qytetit të Ferizajt ka pësuar ndryshime të mëdha vitet e fundit, pikat referencë të qytetit që lidhen me identitetin e Ferizajt duhet të mbrohen nga institucionet kompetente në mënyrë që mos të lejohet dhe parandalohet tjetërsimi, shkatërrimi apo keqpërdorimi i tyre.

Ne kërkojmë reagim të menjëhershëm nga institucionet relevante për largimin e reklamës nga Murali Kamarieri dhe të merren masa për parandalimin që kjo të mos përsëritet në të ardhmen.

Stafi i MuralFest Kosova./ KulPlus.com

“Merr një buzëqeshje”, poezia e mrekullueshme e Mahatma Gandhit

Poezi nga Mahatma Gandhi

Merr një buzëqeshje,
dhuroja atyre që nuk e kanë patur asnjëherë.
Merr një rreze dielli,
dhe bëje të fluturojë atje ku mbretëron nata.

Zbulo një burim,
bëj të lahen ata që jetojnë në baltë.
Merr një lot
vendose në syrin e atyre që nuk kanë qarë kurrë.

Merr kurajën
dhe vendose në shpirtin e kujt nuk di të luftojë
Zbulo jetën,
rrëfeja atyre që nuk dinë ta kuptojnë

Merr shpresën,
dhe jeto në dritën e saj
Merr bollëkun,
dhe dhuroja kujt nuk di të dhurojë

Zbulo dashurinë,
dhe bëja të njohur botës./ KultPlus.com

Jason Momoa pjesë e ‘Fast the Furious 10’

Ylli i “Aquaman” Jason Momoa është bërë zyrtarisht pjesë e ‘Fast and Furious’, transmeton KultPlus.

Variety ka mësuar se Momoa do të luajë përballë Dominic Toretto-s së Vin Diesel dhe ekipit të “Fast and Furious” në pjesën e 10-të.

Ekipi e mirëpriti zyrtarisht Momoa-n në ekuipazh përmes mediave sociale të premten vonë, me një postim të titulluar, “Fast Fam vazhdon të bëhet më e madhe”.

Me regji të Justin Lin, filmi titullohet”Fast and Furious 10″, me të gjithë ekuipazhin që pritet të kthehet, duke përfshirë Michelle Rodriguez, Tyrese Gibson, Ludacris, Sung Kang dhe Charlize Theron.

‘Fast and Furious 10’ do të shfaqet në kinema më 19 maj 2023./KultPlus.com

‘Eja në krahë të të mbaj, të t’admiroj e të vdes pastaj’

Poezi nga Mikai Eminesku

Shoh dallëndyshet që ikin larg,
Dhe gjethet që u zverdhën pak.
Mbi vreshta tutje bryma ra,
Përse ti s’vjen, pse nuk vjen pra?

Eja në krahë të të mbaj,
Të t’admiroj e të vdes pastaj.
Dhe ta vë kokën që më dhëmb,
Mbi gjoksin tënd, mbi gjoksin tënd!

A të kujtohet koha vallë,
Kur të dy bridhnim në livadhe.
Kur unë të ngrija pupël në erë,
Me mijëra herë, me mijëra herë!

Në botë gjenden femra plot,
Që sytë i kanë zjarr e lot.
Të arta qofshin ato gra,
Si ti nuk ka, si ti nuk ka!

Ti dritë do sjellësh e kthjellim,
Në jetën time, shpirtin tim.
Ti mbi çdo yll ke bukuri,
E dashur moj, e shtrenjtë ti!

Vjeshta tani mbi fushat zverdh,
Rrafshnaltat i shkretoi përreth.
Po bien fletët ca nga ca,
Përse ti s’vjen, pse nuk vjen pra?/ KultPlus.com

Itinerari ‘Rrugëtimi i Eneas’ certifikohet nga Këshilli i Evropës, pjesë edhe Shqipëria

Rrugëtimi i Eneas së Trojës, është përfshirë në itinerar kulturor që është certifikuar nga Këshilli i Evropës.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti u shpreh se, “nga brigjet e Trojës në portat e Romës, 21 stacione, 6 vende UNESCO dhe një mesazh i fortë për emigracionin dhe mbrojtjen e natyrës. Ky është itinerari kulturor “Rrugëtimi i Eneas”, i certifikuar edhe nga Këshilli i Evropës, ku bën pjesë edhe Shqipëria, me një nga perlat e trashëgimisë kulturore, Parku Kombëtar i Butrintit”.

Margariti tha se, kjo është një mundësi e artë për turizmin kulturor shqiptar, pasi një seri aktivitetesh, takimesh, shfaqjesh, si pjesë e festivalit “Rotta di Enea”, do të zhvillohet përgjatë këtij itinerari.

“Së pari nisin në Itali e Greqi e me qetësimin e situatës së krijuar nga COVID- 19, do të vijojë në Turqinë e Trojës, Tunizi dhe Shqipërinë e Butrintit, ku thuhet se ndaloi Enea, heroi trojan që i shpëtoi luftës shkatërruese”, u shpreh Margariti./atsh/ KultPlus.com

Gandi: Ta quash femrën gjini e dobët është shpifje

Më 30 janar të vitit 1948, vdiq Mahatma Gandhi, njeriu që u bë simbol i paqes kudo në botë, shkruan KultPlus.

KultPlus ju sjell një pjesë nga fjalimi i famshëm i Gandhi-t, ‘To the women of India’, fjalim ky që u mbajt në tetor të vitit 1930.

Ta quash femrën gjini e dobët është shpifje; është padrejtësia e mashkullit ndaj femrës. Nëse me forcë nënkuptojmë forcën brutale, atëherë po, është e vërtetë që femra është më pak brutale se mashkulli.

Por, nëse me forcë nënkuptojmë forcën morale, në këtë pikë gruaja është jashtëzakonisht më superiore se mashkulli. A nuk ka ajo intuitë më të madhe? A nuk është ajo më vet-sakrifikuese? A nuk ka ajo forcë më të madhe të rezistencës? A nuk ka ajo guxim më të madh?

Pa gruan, mashkulli nuk do të ishte. Nëse jo-dhuna do të ishte ligji i qënjes tonë, e ardhmja do të ishte me gruan. Kush mund ti bëjë më shumë thirrje zemrës se sa gruaja?’ / KultPlus.com 

96 vjet nga lindja e kompozitorit të njohur Tish Daija

Tish Daija lindi më 30 janar 1926 në Shkodër, në një familje të thjeshtë. Pa mbushur moshën shkollore, bëhet pjesëtar i “Korit Françeskan”, ku nën drejtimin e P. Martin Gjokës dhe Filip Mazrekut merr mësimet e para muzikore bashkë me Tonin Harapin, Çesk Zadejën, Lukë Kacajn, Simon Gjonin, përcjell KultPlus.

 Në moshën 10 vjeçare bëhet instrumentist i bandës muzikore “Antoniane” që drejtohej nga Prenk Jakova. 

Krijimtarinë muzikore e filloi nën tingujt e fizarmonikës. Kompozimet e para janë këngët “Çik, o mori çikë”, “Ndal, bre vash”, “Me lule të bukura”, “Bjeri Gajdes Gajdexhi” etj.Shkollën e mesme e kreu në vitin 1947 në qytetin e lindjes. Më 1956, Tish Daija kreu studimet në konservatorin “Çajkovski” të Moskës.

Gjithashtu, Tish Daija ka dhënë një kontribut themelor në krijimin dhe zhvillimin e muzikës instrumentalo-simfonike, muzikës së dhomës dhe për krijimin e një tradite të çmuar shqiptare të muzikës klasike. Së bashku me Çesk Zadejën e Tonin Harapin krijuan klasën e kompozicionit në Konservatorin Shtetëror të Tiranës, ku ka dhënë kontributin e tij si pedagog në formimin e disa brezave kompozitorësh, muzikologësh e instrumentistësh. 

Mbas studimeve emërohet në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës. Tish Daija ka qenë udhëheqësi artistik i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore për 18 vjet (1962-1980).

Autor i shumë veprave të mëdha muzikore si, opereta “Lejlaja”, opera “Pranvera”, baleti i parë shqiptar “Halili dhe Hajria”, “Bijtë e Peshkatarit” etj. Ndërroi jetë në moshën 78 vjeçare në 3 tetor 2003. / KultPlus.com

“Heroi” i Prizrenit – Nexhmedin Berisha me artikull të veçantë në Sky News

Mediumi i njohur britanik, Sky News, i ka kushtuar një artikull të veçantë një qytetari të Prizrenit, i cili është grumbullues i mbeturinave po në atë qytet, përcjell KultPlus.

Përmes një videoje të realizuar, shihet se si Nexhmedin Berisha, pesë ditë në javë, ai ngjitet e zbret rrugëve të kalldrëmuara të lagjes Nenkala me kalin e tij, duke u bërë heronj vendas.

E gjitha kjo ndodhë për arsye se rrugëve të pjerrëta, të cilat janë më kalldrëm nuk mund të ngjitet asnjë automjet.

“Puna e Berishës ndihmon në ruajtjen e pjesës antike të qytetit”, thuhet nga Sky News. /KultPlus.com

Dënimet

Nga Ibrahim Kadriu

Dënimet

Për shkak se nuk e kishte kuptuar realitetin shoqëror, Ruhon Kusha kishte pësuar duke u përballur tri herë me dënimet me burg. Pse? Shpjegimi nga një mik i tij ishte siç vijon më poshtë, siç rrëfeu A,.Gj:
…Ai ishte problematik se tregonte barsoleta. Kështu ia komunikuan, si problematik, atë ditë kur në gjykatore u gjend para drejtësisë. Në pyetjen e gjykatësit se a ishte e vërtetë se tregonte barsoleta dhe nga ato barsoleta njerëzit qeshnin? Përgjigja ishte pohuese, sepse ai vërtetë kurdo që i binte rasti të bisedonte me ndokënd, e thoshte ndonjë barsoletë. Kënaqej kur njerëzit kënaqeshin dhe nga ato barsoleta qeshnin. Ai kishte pyetur në gjykatore se a ka ndonjë qëndrim kundër qeshjes së njerëzve, a mos kishte abuzuar me qeshjet e tyre. Çka ka armiqësore?
Përgjigja ishte e shkurtër: – Ke bërë veprim kundërligjor.
– A është e kundërligjshme qeshja: kishte pyetur prapë ai.
-Kundërligjore janë përmbajtjet, i ishin përgjigjur. Ti, për shembull,- i kishin thënë- dhe atë që e thoshin kërkonin të futej në procesverbal, ke bërë humor me emrat kinezë. A është e vërtetë?
–Jo, sepse unë ashtu i kam kuptuar emrat kinezë, se kur iu duhet ndonjë emër, marrin shtyllën e gardhit dhe e fusin furishëm në tokë. Varësisht nga vendi ku e fusin ndërron edhe onomatopeja: herë çuk, herë kërr, herë fuçke, herë tank, nëse toka është gurinë. Këto efekte të futjes së shtyllës në tokë i përdorim për emra njerëzish.Ti ke bërë humor me miqtë tanë, prandaj ky kolegj i gjykatores të dënon me dy vjet heqje lirie.
Pas dy vjetësh del në liri. Kishte vërejtur shumë ndryshime, ndër ato që më së shumti u binte në sy, ishte mungesa e kinezëve rrugëve dhe shesheve të qytetit, mbase, siç i thanë, ishin larguar edhe nga uzinat. Ruhon Kusha nga gëzimi që nuk do të abuzohej më për shkak të tyre, vazhdoi të tregojë barsoleta tjera. Në një shoqëri kafeneje, ai tha:
-Më falni burra, por nuk po mundem të hesht. E kam dëgjuar një barsoletë interesante për kohën e pasluftës. Fjala është për një ushtrim të mëngjesit ku kishin dalë civilë edhe ushtarakë. Më vete i kishin edhe gomarët dhe gomaricat, që iu shërbenin për bartje, atëherë kur nuk kishte makina. Në një lëndinë, derisa bënin gjimnastikë një gomar i kërcen gomaricës. Fill pas atij akti, që u shfaq botërisht, u mor vesh se gomari kishte qenë i një ish ballisti, kurse gomarica e një anëtari të partisë komuniste. Gomarin pastaj e dënojnë me pushkatim, si të papërgjegjshëm sepse e kishte ngacmuar gomaricën e komunistit.
Të gjithë qeshin, kurse njëri prej tyre largohet më herët nga shoqëria dhe merret vesh se e kishte denoncuar dhe, pa vonesë, ia kishin lidhur duart Ruhon Kushës. E dërgojnë në gjykatore ku, me procedurë të shkurtër, e dënojnë dy vjet të tjera, pa të drejtë ankese.
Kalojnë edhe ata dy vite dhe Ruhan Kushën e lëshojnë. Kishin ndodhur ndryshime, më i madhi i kënaqësisë kishte vdekur. Ruhani hetonte një frymëmarrje tjetër fare, ndonëse prapë kishin mbetur reflekset politike të së kaluarës. Edhe pas katër vjetësh të kaluara në burg për shkak të dy barsoletave, Ruhani vazhdonte të krijonte atmosferë hareje me barsoletat e tij. Një barsoletë që e kishte dëgjuar në burg i kujtohej më së miri, prandaj gjeti rastin ta rrëfente:
-Kur arrin më i madhi i kënaqësisë sonë në atë dynja, e kishin pyetur se me kënd, nga liderët e vdekur, do të dëshironte ta ndante dhomën. Ia përmenden Stalini. Reagon ashpër. Fill pas Stalitni ia përmendin Titon. Gjithashtu reagon ashpër, bile edhe duke e sharte këtë të fundit. E shëtisin korridorit ku ishin të vendosur autoritetet politike e shtetërore dhe, në shëtitje e sipër, ndalen te dera ku shkruante se brenda ishte Indira Gandi. E pyetën:
-A dëshiron këtu, me Indirën?
-Po, po, reagon shpejt i madhi i kënaqësisë sonë.
E fusin brenda. Qëndrojnë përballë njëri tjetrit duke u marrë vesh me gjeste. I madhi i kënaqësisë sonë e shikon ëmbël Indiren. Me gjeste ia bën me dije se i pëlqente, derisa e shikonte në gjoks, duke ia bërë me dije se ia dëshironte zemrën. Indira ia kthen shpejt: – Atë ia kam dhënë popullit Domethënë e refuzon. Por Indira edhe ajo dëshiron ta provokojë. E shikon mes këmbëve, kurse i madhi i kënaqësisë sonë i thotë: – Atë ia kam dhënë popullit tim.
Menjëherë pasi e denoncuan për këtë barsoletë Ruhani u gjend me duar të lidhura në gjykatore, ku e dënuan edhe me dy vjet heqje lirie. /KultPlus.com

‘’Mbaje atë qafore sikur përmendore, për një dashuri të parë shkollore’’

Armend Rexhepagiqi është këngëtari dhe kompozitori, teksti dhe melodia e të cilit nuk del asnjëherë nga moda, shkruan KultPlus.

Shtjellimi i tematikave me vargje të thella dhe tonaliteti i mrekullueshëm muzikor e bëjnë të dëgjohet nga gjenerata dhe kohëra të ndryshme.

Dihet se melankolia përherë ka qenë shkak i vargjeve më të thella, këngëve më të bukura, pikturave më rrëqethëse. E tillë është edhe “Qaforja” e Armend Rexhepagiqit, e cila është një shprehje artistike mes pajtueshmërisë së fatit dhe lakmisë të asaj që tanimë është e humbur.

KultPlus ju sjell tekstin dhe këngën “Qaforja”:

E bukur je, floktë gështenjë

I shkurtove prej se ne u ndamë         

E bukur je

s’të lashë shenjë që prap u pamë

E bukur je dhe ende mban nën këmishën

Tënde të bardhë atë qafore

E unë të shoh aq rrallë e përmallë

Mirë jam, po jetohet

Mirë jam, po durohet

Mirë jam le të grimcohet

Krejt çka kam, por mirë jam

Kjo qafore duket madhështore

Sikur krenaria mashkullore

Njëri ta dhuroi tjetri e shijoi

Do t’çahej shkëmbi i fortë

Po të më shihte sot

Mbaje atë qafore sikur përmendore

Për një dashuri të parë shkollore

Ja do të përulem, e po të përkulem

Pas teje t’gjitha panë se kopje të zbehta janë

Mirë jam, po jetohet

Mirë jam, po durohet

Mirë jam le të grimcohet

Krejt çka kam, se mirë jam

Kjo qafore duket madhështore

Sikur krenaria mashkullore

Njëri ta dhuroi tjetri e shijoi

Do t’çahej shkëmbi i fortë

Po të më shihte sot

Mbaje atë qafore sikur përmendore

Për një dashuri të parë shkollore

Ja do të përulem, e po të përkulem

Pas teje t’gjitha panë se kopje të zbehta janë

Mbaje atë qafore, mbaje si fitore

Gjoksin tënd e pata strehimore

Ja po të rrëfehem

Pas teje t’gjitha panë

se kopje t’zbehta janë… /KultPlus.com

Poezia që Din Mehmeti ia kushtoi Nexhmije Pagarushës

Kjo është një poezi të cilën Din Mehmeti e ka shkruar për Nexhmije Pagarushën. Edhe pse ka botuar disa proza, kritika letrare dhe një dramë, Din Mehmeti njihet kryesisht për poezinë e tij figurative, e cila është botuar që nga viti 1961 deri në vitin 1999 në 16 vëllime. Poezinë e parë e botoi në vitin 1949 në revistën letrare Jeta e Re.

Këngës i dolën flatrat

Këndoi e këndoi
Derisa u shndërrua në këngë.

Dashuria për jetë
Ia mori zërin

Këndoi e këndoi
Derisa shkundi shkrumbin
E shpirtit të vet
Derisa bulëzuan pranverat
Në zemrat e njerëzve

Këngës i dolën flatrat
Ajo tash fluturon
Mbi të gjitha fatkeqësitë
E vdekja s’ka ç’ti bëjë. /KultPlus.com

Dita e fundit për t’u bërë pjesë e garës së fotografisë “Colours of Albania”

Ky është viti i parë që Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës organizojnë bashkërisht konkursin “Colours of Albanians” apo “Ngjyrat e Shqiptarëve”, shkruan KultPlus.

Konkursi funksionon fare thjeshtë: Çdokush me një aparat të telefonit të tij apo aparat fotografik, ftohet të fiksojë një moment nga jeta e përditshme, nga udhëtimet, një moment nga jeta personale si banor apo vizitor në Shqipëri dhe Kosovë dhe ta postojë këtë foto/ video në platformën sociale Instagram #ColoursofAlbanians llogaria zyrtare e këtij konkursi, duke përdorur hashtagun #ColoursofAlbanians2022 dhe tag @ColoursofAlbanians, derisa sot është dita e fundit për ta dërguar një fotografi

Colours of Albanians synon të jetë frytdhënëse në tri drejtime:

Promovimi i trashëgimisë kulturore të vendeve tona të transformuar në rrugën drejt integrimit në BE;

Forcimi i markës kombëtare dhe përmirësimit të imazhit të Shqipërisë e Kosovës nëpër botë;

Forcimi i marrëdhënieve mes diasporës me vendin e origjinës dhe promovimi i identitetit kombëtar të  komuniteteve të diasporës;

Fushata do të ketë dy evente kryesore; ceremoninë e hapjes më 26 nëntor 2021 në Shqipëri dhe atë  të mbylljes dhe dhënien e çmimeve fituese më 17 Shkurt 2022 në Kosovë.

“ColoursofAlbanians” është një iniciativë e rregullt vjetore nën kujdesin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës.

Deri më sot janë organizuar 5 edicione të #ColoursofAlbania nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, po ashtu një edicion i ngjashëm është organizuar edhe në Kosovë. / KultPlus.com

Profesori Buxhovi në vizitë te “Vatra” në Amerikë

Shkrimtari dhe historiani, Jusuf Buxhovi, ka vizituar sot Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare, Varta, ka njoftuar për vizitën e Buxhovit në ambientet e tyre.

“Sot, në ambientet e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA patëm nderin e veçantë dhe privilegjin të presim shkrimtarin, historianin, intelektualin dhe aktivistin e mirënjohur politik të Kosovës, profesorin Jusuf Buxhovi. I shoqëruar nga Milaim Abdullahu, bashkëbotues dhe donator, Prof. Buxhovi u prit nga Editori i Diellit Sokol Paja dhe Anëtari i Kryesisë Mark Mrnaçaj. Në një ditë stuhie e dëbore dhe në kushte atmosferike të jashtëzakonshme, takimi vëllazëror me Buxhovin e z.Abdullahi ishte shumë interesant dhe mbresëlënës në zbulim të historisë së Vatrës, gazetës Dielli dhe shqiptarëve të Amerikës”, thuhet në postimin e tyre.

Profesor Buxhovi dhuroi për Bibliotekën Shkencore të Vatrës disa pako të vëllimit të fundit në gjuhën angleze të librave të tij, “Kosova” i botuar në 3 volume, dhe dy romanet e tij: “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” dhe “Dosja B”.

Në mbrëmjen e 24 janarit, në Harvard Faculty Club në Library Room, u promovua zyrtarisht libri historiografik në tri volume “Kosova” nga autori dhe historiani Jusuf Buxhovi. /KultPlus.com

Fragment nga libri ‘Jeta ime’, Charlie Chaplin

Gjatë këtyre shëtitjeve nuk më kujtoheshin asnjëherë ato që më thoshte ajo. Isha krejt i ekzaltuar, i bindur se një forcë mistike na ishte afruar dhe se bashkimi ynë ishte rezultat i një afiniteti të paracaktuar. Kisha tre mëngjese që e njihja; tre mëngjese të shkurtra, përpara të cilave pjesa tjetër e ditës nuk ekzistonte deri në mëngjesin pasardhës.

Por, mëngjesin e katërt qëndrimi i saj ndryshoi. Ajo më priti ftohtë, pa entuziazëm dhe nuk pranoi të ma kapte dorën. Unë e qortova për këtë gjë dhe e akuzova me shaka se nuk më donte. Më tha – në fund të fundit, unë jam pesëmbëdhjetë vjeç dhe ju nuk jeni veçse katër vjet më i madh se unë. Unë nuk desha ta kuptoja domethënien e kësaj vërejtjeje. Por, nuk mund të mos e vija re mënyrën me të cilën papritur po më largonte. Vështronte drejt përpara, duke ecur me një hap elegant prej gjimnazisteje, me duart të futura në xhepat e bluzës marinare.

– Me fjalë të tjera, ju nuk më doni me të vërtetë – i thashë. Nuk e di – ma ktheu ajo. Unë mbeta i hutuar. – Në qoftë se nuk e dini, atëherë nuk më doni. Në vend të përgjigjes, ajo vazhdoi të ecte pa thënë asgjë. E shikoni çfarë profeti jam – zura të flisja unë me një ton të lehtë. – Ju kisha thënë se do të pendohesha që u njoha me ju. Provova ta merrja në pyetje për të zbuluar ndjenjat e saj të vërteta në lidhje me mua, por të gjitha pyetjeve ajo iu përgjigj njëlloj: – Nuk e di.

Doni të martoheni me mua? – I thashë më në fund për ta zënë ngushtë. – Unë jam tepër e re. Mirë atëherë, sikur të ishit e detyruar të martoheshit, do të më merrnit mua, apo ndonjë tjetër? Por, ajo nuk donte të angazhohej dhe përsëriste pa pushim të njëjtat fjalë: – Nuk e di… unë ju dua… por… – Por nuk më doni – i thashë unë tërë ankth. Ajo mbeti në heshtje.

Ishte një mëngjes i vrerët, rrugët kishin një pamje të përhime dhe të shëmtuar. E keqja është se kam lejuar t’i çoj gjërat shumë larg – thashë me një zë të ngjirur. Kishim arritur në hyrje të metrosë. “Mendoj se do të bënim mirë të ndaheshim dhe të mos takoheshim më kurrë” – shtova duke pritur se si do të reagonte ajo. Mbeti e ngrysur. – Lamtumirë – u përgjigj ajo. – Më vjen shumë keq.

Kjo ndjesë qe si një goditje që po më jepte në zemër. Kur ajo u zhduk në metro provova një ndjenjë zbrazësie të padurueshme. Ç’kisha bërë? Mos isha treguar tepër brutal? Nuk duhej ta kisha trembur. Isha sjellë si një hajvan i fryrë dhe kisha krijuar një situatë të tillë që tani nuk mund të takohesha më me Hetin pa u bërë qesharak. Ç’duhej të bëja? Më mbetej vetëm të vuaja.

– Charlie Chaplin“Jeta ime”

Basholli e befasuar nga publiku: Nuk kam parë njerëz që ndalin regjisoren për ta falënderuar, jam shumë e lumtur

Janarin e kaluar, regjisorja Blerta Basholli ishte e lumtur që kishte hyrë në Festivalin e Filmit Sundance me filmin e saj debutues “Hive”. Filmi në gjuhën shqipe për një grua që fillon biznesin e saj pas Luftës së Kosovës ishte një perlë frymëzuese, por Basholli as që kishte guxuar të ëndërronte se sa larg do të arrinin, shkruan mediumi amerikan Associated Press transmeton KultPlus.

Jo vetëm që u bë filmi i parë në historinë e Sundance që fitoi tre çmimet më të mira në konkursin botëror të kinemasë, por tani ai ka një shans të madh për t’u bërë pretendenti i parë i Kosovës për Oscar në kategorinë më të mirë ndërkombëtare të filmit.

“Zgjoi” bazohet në historinë e vërtetë të Fahrije Hotit, e cila gjatë Luftës së Kosovës 1998-1999 u largua nga qyteti i saj i vogël i Krushës së Madhe dhe fëmijët e saj të vegjël. Kur ajo u kthye, burri i saj ishte zhdukur dhe ka të ngjarë të ketë vdekur dhe ajo nuk kishte asnjë mënyrë për të mbajtur familjen e saj. Duke përmbysur traditën dhe pritshmëritë, Hoti u bashkua me kolegët e veja të luftës dhe filloi të shiste ajvarin e bërë vetë, një erëz të bërë me speca të kuq, në tregjet lokale.

Biznesi i saj, Kooperativa Krusha, vazhdon të funksionojë edhe sot.

Basholli e ka hasur në lajme historinë e Fahrije Hotit vite më parë, në kohën kur ajo po merrej me studimet e saj në Universitetit e Nju Jorkut. Ajo e dinte se duhej të ishte një film dhe se Yllka Gashi, një aktore e njohur në Kosovë, duhet të luante. Basholli dhe Gashi u takuan me Fahrijen rreth vitit 2011 dhe kjo e përforcoi edhe më tej misionin e tyre për të treguar historinë e saj. Por do të duheshin gati nëntë vjet për të nisur filmin dhe dy të tjera para se të shkruhej historia në Sundance.

“Para se ta takoja, unë isha klient”, tha Gashi nga shtëpia e saj në Konektikat. “Më bëri përshtypje se si i lindi kjo ide, sepse bërja e ajvarit është një gjë tradicionale për gratë shqiptare, veçanërisht për gratë e brezit të nënës sonë. Ajo ishte kaq e zgjuar për ta përdorur këtë aftësi shumë praktike dhe për ta kthyer atë në një biznes. Që nga hera e parë që u ulëm me të dhe dëgjuam historinë e saj, thjesht rashë në dashuri me të. Ajo ka këtë dinjitet dhe këtë hir që të mahnit, edhe pse ka kaluar kaq shumë dhe ka kaluar shumë dhimbje, pikëllim dhe pasiguri, ajo është ende kjo grua e hirshme, e fortë që të frymëzon.”

Basholli dhe Gashi ishin të dy adoleshente në Kosovë kur shpërtheu lufta. Ata e mbajnë mend mirë atë dhe gjithashtu vitet e vështira.

“Rritja në vitet e 90-ta në Kosovë nuk ishte një kohë e mirë për të qenë fëmijë”, tha Gashi.

Por përvoja e ndarjes së historive të tyre dhe e realizimit të filmit dhe e vendosjes së tyre në këpucët e nënave të tyre u tregua në mënyrë më të lehtë në një farë mënyre.

“Ne jetuam për shumë vite në okupim, kështu që ishte një periudhë e gjatë që vërtet ishim dëshmitarë të shumë gjërave”, tha Basholli. “Por unë kurrë nuk e kam ditur historinë e Yllkës dhe se çfarë kishte kaluar dhe si u largua nga Kosova gjatë luftës dhe ajo nuk e dinte historinë time. Kështu që ne të dyja u hapëm me njëri-tjetrin… Është gjithashtu një mënyrë shërimi dhe një mënyrë për të treguar një histori që shpresojmë se nuk do të përsëritet.”

Gashi tha se ishte diçka që ajo as nuk e dinte se kishte nevojë.

“Kjo hapi një perspektivë të re, të jem i sinqertë, sepse mendoj se kolektivisht kurrë nuk kemi pasur mundësi të shërohemi si shoqëri, si komb, si popull, sepse ishim të etur për ta ndërtuar vendin”, tha Gashi. “Ne kurrë nuk morëm pasojat e luftës dhe traumat që na shkaktoi ajo lufta dhe gjithçka para luftës”.

Suksesi i “Hive” ka bërë që i gjithë vendi t’i brohorasë për to tanimë. Madje, njerëzit e kanë ndaluar Bashollin në rrugë për ta falënderuar që i ka bërë kaq krenarë.

“Njerëzit e njohin Yllkën sepse ajo është një aktore shumë e njohur dhe njerëzit e duan atë. Por të ndalosh regjisorin në rrugë dhe ta falënderosh atë, nuk është një gjë që ka ndodhur shumë këtu”, tha Basholli duke qeshur.

Ajo është pjesë e asaj që quhet Vala e Re e filmave në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, disa regjisore të tjerakanë pasur pjesë në festivale.

Basholli siç thotë ajo, është tipi skeptik i skuadrës, pasi as nuk e mendoi suksesin e “Zgjoit” në Sundance, por është e lumtur me efektin që është filmi duke pasur.

“Me të vërtetë më prek që njerëzit janë kaq krenarë për të. Me të vërtetë i bëri njerëzit të lumtur”, tha Basholli. “Kjo i jep shpresë njerëzve ashtu si Fahrije na dha shpresë neve kur ne punonim për filmin. Ajo kurrë nuk u dorëzua.”

“Hive” është ndër 15 filmat që hynë në listën e ngushtë të Oscars për filmin më të mirë ndërkombëtar, i cili është i pari për Kosovën. Ata do të mësojnë më 8 shkurt nëse do të jetë apo jo ndër pesë filmat që konkurrojnë për çmimin në Oscar më 27 mars. /KultPlus.com

Prekja magjike e Albian Gagicës, krijuesi i posterave të filmave historikë “Pa vend” dhe “Zgjoi”

Uranik Emini

Hapja e librave të historisë nuk ndodh shpesh, mirëpo disa filma nga kinematografia e Kosovës e kanë bërë dhe po vazhdojnë ta bëjnë një gjë të tillë që prej datës kur edhe janë publikuar, shkruan KultPlus.

Të tillë janë filmat sikurse “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit dhe gjithashtu edhe ai me regji nga Samir Karahoda, “Pa Vend”.

Posteri është gjëja e parë që mund të tërheqë vëmendjen e shikuesit, prandaj edhe vlera e tij është e vështirë të mbivlerësohet.

Krijuesi i posterave të filmave “Zgjoi” dhe “Pa Vend”, Albian Gagica, në një intervistë për KultPlus deklaroi se është ndjenjë shumë e bukur që ka pasur mundësinë të jap një kontribut në këtë aspekt.

“Më gëzojnë sukseset e këtyre filmbërësve të cilët i kam miq dhe më vjen mirë që talenti e puna e tyre vlerësohet e shpërblehet ndërkombëtarisht”.

Gagica tregon se regjisorin e filmit “Pa Vend”, Samir Karahodën, e ka njohur që 20 vite dhe kanë punaur bashkë kur ai është marrë vetëm me fotografi, ndërkaq është njohur më herët edhe me Blerta Bashollin.

“Posterin e filmit “Pa vend” e kam punuar para se filmi të pranohet në festivalin e filmit në Kanë. Ndërsa, Blertën e njoh nga bashkëpunimi i saj i parë me Yllkën në filmin e shkurtë “Lena & Unë” në New York. Bashkëpunimi për “Hive/Zgjoi” ka ardhur nga ftesa që ma ka bërë producenti Yll Uka. Kam bërë disa postera për “Zgjoi-n”, natyrisht ngaqë përmes Yllkës e kam ditur edhe më mirë ngjarjen e filmit dhe punën që e ka bërë ekipi, në fund është vendosur për posterin i cili tashmë shihet në çdo platformë”.

Tutje, ai shprehet se është një kënaqësi të dizajnosh e të krijosh diçka për ato gjëra që të inspirojnë e të pëlqejnë.

“Puna ime dhe e çdo dizajneri nuk ka zë në kuptimin bukval të fjalës, por ka vizibiliet e shihet dhe kuptohet. Unë kam dizajnuar me qindra llogo e postera për shumë ngjarje kulturore në Kosovë, Evropë e Amerikë Veriore e Latine”.

Gagica është realizator i shumë posterave të DJ-ve më të njohur në botë, ka punuar edhe për kampanja të ndryshme, për DokuFest, për filmin “Martesa” të Blerta Zeqirit, edhe për dokumentarin “The rescue in Albania”.

“Pastaj kam punuar në The Nantucket Project në Amerikë për 5 vite dhe aty kam dizajnuar postera e ftesa për personalitete të njohura si presidenti George Bush, Moby, Laura Dern, Jennifer Garner etj. Dhe secili prej këtyre personaliteteve më ka inspiruar. “Zgjoi” dhe “Pa vend” janë dy filma shumë të suksesshëm e të punuar me pasion nga ekipet e tyre dhe gëzohem që kam pasur mundësi sado pak të kontriboj në to”, deklaron Gagica.

Projektet e tij të ardhshme përfshijnë punën me një kompani nga shtëpia më e madhe e teknologjisë në botë, “Silicon Valley” në Kaliforni.

“Momentalisht jam duke punuar për një kompani në Silicon Valley të Kalifornisë. Poashtu, jam bashkëpunues i jashtëm i televizionit PBS për emisionin “Tell me more” me Kelly Corrigan e cila është The New York Times best selling author. Kam edhe disa projekte të tjera duke përfshirë festivale te muzikës dhe kopertina të librave dhe albumeve”.

Filmi “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit është futur në listën e ngushtë për nominim nga Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit, ‘Oscars 2022’, në kategorinë e filmit ndërkombëtar me metrazh të gjatë, derisa filmi “Pa Vend” nga Samir Karahoda ka fituar çmimin e jurisë si filmi më i mirë i shkurtër dokumentarë në edicionin e vitit 2022 të Festivalit të Filmit Sundance. /KultPlus.com

Gjergj Kastrioti mbante një simbol të zemrës të pikturuar me mbishkrim

Nga Gjon Keka

Sipas këtij dokumenti të vitit 1691, Mbreti arbëror Gjergj Kastrioti mbante një simbol të zemrës të pikturuar me mbishkrimin „Spera et ipse faciet“, që përafërsisht duke e përshtatur do të thotë: shpresoj se ai do të më ndihmojë ta bëjë.

Ndoshta mbishkrimi lidhet me kohën kur ai donte të rikthehej në atdhe, ose pas kthimit të tij, këtë nuk mund ta dim kur ai e ka bërë atë pikturë, sidoqoftë ky simbol me mbishkrimin ka një rëndësi për faktin se aty ai shpreh atë besnikëri ndaj atdheut të tij për ta bërë atë të lirë dhe të pavarur. Mbishkrimi mund të jetë bazuar në Psalmin 37,5 , por sidoqëtëjetë, e rëndësishme është që ai e ka mbajtë një simbol të tillë dhe mbishkrimin në fjalë, gjë që tregon një vlerë të rrallë, por edhe vizionin e tij për ta bërë atdheun e tij ashtu sikur ai donte e shpresonte njëkohësisht me identitet, besim dhe shpresë për një të ardhme të sigurtë të popullit arbëror. /KultPlus.com

‘Kur të vdes, i dua duart e tua mbi sytë e mi”

Poezi nga Pablo Neruda, përktheu nga anglishtja Enkeleda Suti.

Kur të vdes, i dua duart e tua mbi sytë e mi
Dua dritën dhe ngrohtësinë e duarve të tua të dashura
Që ta përcjellin freskinë e tyre përmbi mua, edhe një herë
Dua të ndjej butësinë që më ndryshoi fatin

Dua që ti të jetosh, ndërsa pres për ty, i fjetur
Dua që veshët e tu të dëgjojnë ende erën,
Dua që ta nuhasësh aromën e detit që e deshëm bashkë
Dhe të ecësh mbi rënën që ku ecëm bashkë

Dua që ajo që dua, të vazhdojë të jetojë
Dhe ty që të dua
Dhe të këndoj mbi çdo gjë tjetër
Të vazhdosh të lulëzosh
Me boçe të plota

Që të arrish çdo gjë që dashuria ime e sjell te ty
Që hija ime të udhëtojë me flokët e tu
Që çdo gjë të mësojë përsenë e këngës sime./ KultPlus.com

Bordi merr vendim, Mentor Shala shkarkohet nga RTK

Bordi i Radio Televizonit të Kosovës, i cili është votuar nga Kuvendi i Kosovës vitin e kaluar, ka marrë vendim në mbledhjen e sotme për të shkarkuar nga pozita e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të televizionit, Mentor Shalën, shkruan KultPlus.

“Z. Shala gjatë kohës së kryerjes së detyrave në RTK, në vazhdimësi dhe në mënyrë të përsëritur ka shkelur Ligjin për RTK-në dhe Rregulloret e Brendshme të RTK-së, qoftë duke vepruar në kundërshtim me ligjin dhe aktet e brendshme apo duke mos ruajtur paanshmërinë”, thuhet ndër të tjera në arsyetimin e u.d. të Drejtorit të Përgjithshëm për shkarkimin që e ka aprovuar Bordi i RTK-së.

Shala do të zëvendësohet nga Arsim Halimi, deri sa të zgjedhet një kandidat tjetër në këtë pozitë sipas konkursit publik, por jo më shumë se 6 muaj.

Propozimin për shkarkimin e Shalës e ka bërë Shkumbin Ahmetxhekajt, ushtrues i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm në RTK. /KultPlus.com

Video e rrallë e Dua Lipës duke kënduar në shkollën e saj në Kosovë gjatë moshës 12 vjeçare (VIDEO)

Edhe pse tanimë ka një famë botërore, Dua Lipa dikur ishte vetëm një fëmijë i vogël që ëndërronte majat e suksesit, shkruan KultPlus.

Një video e publikuar në rrjetin social “YouTube”, shihet Lipa si një 12 vjeçare duke kënduar në shkollën e saj në Kosovë.

26 vjeçarja ka kapur çdo sukses të mundshëm në botë, duke e bërë atë një “ikonë” të muzikës.

Në një intervistë të fundit, ylli i zhanrit pop deklaroi se askush nuk mund t’ia mohojë identitetin e saj dhe u zotua se nuk do të ndalet duke ngritur zërin për Kosovën.

Videon mund ta shihni duke klikuar KËTU./KultPlus.com