Gaqo Çako, tenori i niveleve botërore

“I paharruar tenori i niveleve botërore, një nga zërat më të bukur operistikë e të muzikës së lehtë, Gaqo Çako!” Me këto fjalë vlerësimi për Artistin e Popullit, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka zgjedhur ta nisë edhe këtë ditë të muajit dedikuar muzikës.

Tenori Gaqo Çako, Artist i Popullit, radhitet ndër emrat e mëdhenj të panteonit të muzikës shqiptare. Studimet i kreu në konservatorin “Çajkovski” të Moskës nën drejtimin e pedagoges Anna Soloviova. Pas kthimit në Shqipëri më 1961 ai u emërua tenor i përhershëm i Teatrit të Operës dhe Baletit të Tiranës, ku këndoi shumë nga rolet e para të repertorit operistik, dhe qëndroi tenori kryesor për tri dekada me radhë.

Përvoja dhe karriera e tij ka qenë shumë e pasur. Mjafton të kujtojmë se ka qenë tenor në opera me peshë si “Traviata”, “Bohema”, “Rigoleto”, “Norma”, etj, si dhe ne operat shqiptare “Mrika” e Prenk Jakovës, “Lulja e kujtimit” e Kristo Konos, “Pranvera” e Tish Daisë, “Heroina” e Vangjo Novës, “Skënderbeu” i Prenk Jakovës e “Skënderbeu” i Abdulla Grimcit, “Komisari” i Nikolla Zoraqit, “Zgjimi” i Tonin Harapit, “Toka e jonë” e Pjetër Gacit.

Gaqo Çako u vlerësua edhe në skenat italiane, ku ai ka mbaruar konservatorin e Santa Cecillias. Zëri i tij i fuqishëm jepte kënaqësi edhe për publikun e thjeshtë, kudo dëgjohej, pasi Çako u përfshi në të gjithë zhanret e muzikës vokale edhe pse vlerën më të madhe e pati në interpretimet e roleve operistike.

Në kujtesën e publikut të gjerë, Gaqo Çako do të kujtohet me këngët “Udhët e atdheut më thërrasin”, “Këputa një gjethe dafinë”, “Rrjedh në këngë e ligjërime”, e sidomos interpretimi aq mbresëlënës i “Fjalëve të qiririt”, në filmin “Mësonjëtorja”. / KultPlus.com

Stilistja shqiptare, Nensi Dojaka përzgjedhet nga Megan Fox për premierën e filmit ‘Machine Gun Kelly’s Life In Pink’

Nensi Dojaka është stilistja më e famshme shqiptare në botë. Krijimet e Nensit janë gjithnjë e më shumë në faqet e revistave të modës si: “Harper’s Bazaar”, “Elle”, “Vogue”, “British Vogue”, “Hello Magazine” etj.

Nensi, një vajzë nga Tirana, por e shkolluar në Londër, për design, pasi arriti të shpallej stilistja e vitit nga një konkurs i Fondacionit “Louis Vuitton”, vazhdon të tërheqë vëmendjen e botës së artit dhe luksit.

Së fundi ka bërë bujë veshja që ajo ka stiluar për aktoren amerikane Megan Fox. E veshur e gjitha në rozë, me një fustan minimalist, karakteristikë e krijimeve të Nensit, Megan Fox është parë në premierën e filmit “Machine Gun Kelly’s Life In Pink”. Ajo madje kishte përshtatur dhe flokët me fustanin, duke i lyer rozë.

Të gjitha mediet të cilat kanë pasqyruar premierën e filmit “Machine Gun Kelly’s Life In Pink”, kanë përmendur edhe markën e fustanit që kishte veshur Megan Fox.

Një vit më parë, stilistja shqiptare Dojaka, arriti të mundë 1900 stilistë të tjerë në konkursin LVMH, duke fituar një çmim prej 300 mijë eurosh si dhe një vit trajnim nga ajka e stilistëve botërorë. Kryetari i jurisë tha atëherë, se vota për Nensin kishte qenë në unanimitet të plotë, gjë që nuk ndodhte që nga themelimi i kësaj gare.

Karakteristike e veshjeve të Nensi Dojakës janë format gjeometrike, prerjet asimetrike dhe përdorimi minimalist i pëlhurës, ndërsa një nga adhurueset e saj më të mëdha vazhdon të mbeten Bella Hadid dhe Rihanna. / KultPlus.com

Ministrja Margariti: Gërmimet arkeologjike në Durrës nxjerrin në dritë figurën e një perëndeshe

Ministrja e Kulturës Elva Margariti njoftoi mbrëmë se në nëntokën e Durrësit është zbuluar një perëndeshë.

“Nëntoka e Durrësit vazhdon të nxjerrë në dritë historinë e saj. Mes të tjerash zbulime doli në dritë edhe një perëndeshë”, theksoi Margariti në një postim në rrjetet sociale.

“Projekti shqiptaro-francez “Topografia e Epidamne-Dyrrachion, Durrës”, bashkëdrejtuar nga Prof. As. Dr. Eduard Shehi nga Instituti i Arkeologjisë dhe Prof. Catherine Abadie-Reynal nga Universiteti Lyon 2 janë drejt përfundit të gërmimeve arkeologjike në Forumin Bizantin dhe pranë kishës katolike të Shën Luçisë”, u shpreh Margariti.

“Nga gërmimet në Forumin Bizantin janë arritur nivele të periudhës perandorake romake, ku u gërmua një banesë e shek. II e.s., e cila ishte shkatërruar tërësisht nga një zjarr i fuqishëm. Sipas arkeologëve shtresa e djegies së banesës përmban shumë objekte të jetës së përditshme. Mes objekteve të ndryshme, zbuluar këtë vit, bie në sy një figurinë bronzi e një personazhi femëror në lëvizje. Teksa pritet të pastrohet e konservohet, arkeogu Shehi thotë se mund të kemi të bëjmë me figurën e një perëndeshe (ndoshta Artemis ose Lar/Lares), pjesë e faltores së banesës”, nënvizoi Margariti./ KultPlus.com

Shqipëria fiton medalje ari në Lojërat Mesdhetare

Shqipëria ka fituar medaljen e parë në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022” që po mbahen në Algjeri. Mundësi Zelimkhan Abakarov është shpallur kampion në peshat 65 kg në stilin e lirë.

Abakarov bëri një ndeshje fantastike në finale, teksa e dominoi tërësisht sfidën kundër egjiptianit Yehia Hafez dhe triumfoi me rezultatin 11-0, duke marrë medaljen e arit.

Kështu suksesi i parë kuqezi në Oran mban firmën e sportit të mundjes. Zelimkhan Abakarov siç dihet është një sportist nga Çeçenia, i afruar nga Federata Shqiptare e Mundjes dhe i pajisur me pasaportë shqiptare disa muaj më parë./ KultPlus.com

Ministri Çeku: Krenari dhe emocion i madh, një paraqitje fantastike e Distrisë në Lojërat Mesdhetare

Distria Krasniqi ka vazhduar formën e jashtëzakonshme dhe arriti që t’i sigurojë Kosovës medaljen e parë dhe atë të artë në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”, shkruan KultPlus.

Me këtë rast, ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka përgëzuar Krasniqin për medaljen e artë.

KultPlus më poshtë ua sjell reagimin e tij të plotë:

Xhudistja jonë Distria Krasniqi përsëri e artë🥇

Krenari dhe emocion i madh, një paraqitje fantastike e saj në Lojërat Mesdhetare në Oran të Algjerisë.

Faleminderit Distrias por dhe të gjithë sportistëve tanë për përfaqësimin dinjitoz të shtetit tonë në këto gara.

Me punën dhe përkushtimin tuaj jeni shëndrruar në frymëzim për të rinjtë e për të gjithë ne. / KultPlus.com

“Të dashuroj deri në thellësinë, në gjerësinë dhe në lartësinë që shpirti im mund të arrijë”

Poezi nga Elizabeth Barrett Browning

Në sa mënyra të dashuroj? Lermë t’i numëroj.
Të dashuroj deri në thellësinë, në gjerësinë dhe në lartësinë
Që shpirti im mund të arrijë,
kur merr pjesë i padukshëm
Në qëllimet e Ekzistencës e të Faljes
ideale.

Të dashuroj po aq sa nevoja më modeste
E çdo dite, në diell dhe në dritën e qiririt.
Të dashuroj bujarisht, si dikush që lufton
për drejtësi.
Të dashuroj me pastërti, si dikush që
nga lutja kthehet.

Të dashuroj me pasionin që hidhja
Në dhimbjet e mia të shkuara, e me besimin
e fëmijërisë sime.
Të dashuroj me një dashuri që e besoja të humbur,
Së bashku me engjëjt e mi të humbur- të dashuroj me frymëmarrjen,
Buzëqeshjet, lotët, e gjithë jetës sime! –
e nëse Zoti do dojë,
Do të të dashuroj akoma më shumë pas vdekjes. / KultPlus.com

Distria Krasniqi e artë në Lojërat Mesdhetare

Distria Krasniqi vazhdon formën e jashtëzakonshme dhe arrin që t’i sigurojë Kosovës medaljen e parë dhe atë të artë në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”, shkruan KultPlus.

Ajo arriti që të fitojë me lehtësi në finale ndaj kroates Ana Puljiz.

Xhudistët nga Kosova po udhëhiqen nga Majlinda Kelmendi së bashku me Driton Kukën.

Ndërkaq, ditëve në vazhdim Kosova do të përfaqësohet edhe nga sportistë të tjerë. / KultPlus.com

MAShTI publikon rezultatet e Testit të Maturës – mesatarja 78.4 për qind

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), ka publikuar sot rezultatet e Testit të Maturës, sipas të cilave arritshmëria mesatare është 78.43 për qind.

Sipas njoftimit, këtë vit testit i janë nënshtruar rreth 22 mijë nxënës në gjithë vendin.

Prej këtij rezultati, kalueshmëria në mësimin në gjuhën shqipe është 78.23 për qind, në gjuhën boshnjake 82.26 për qind dhe në gjuhën turke 93.94 për qind.

Ndërkaq, sipas lëndëve, arritshmëria në përqindje është:

-Gjuhë Shqipe – 63.8

-Gjuhë Angleze – 59.3

-Matematikë – 42.6

-Fizikë – 52.1

-Kimi – 52.3

-Biologji – 55.1

-Informatikë – 56.3

-Gjeografi – 47.4

-Histori – 42.2

-Sociologji – 39.8

-Psikologji – 39.6

-Ekonomi me ndërmarrësi – 36.8

-Edukatë qytetarë – 42.4

-Histori e artit – 37.4

-Teori e muzikës dhe harmoni – 58.2

-Gjuhë Boshnjake – 59.8

-Gjuhë turke – 48.2

Në ditën e testit ministria njofton se janë larguar 132 nxënës, prej të cilëve 115 nxënësve iu është anuluar testi për shkak të përdorimit të telefonave, kurse për 17 nxënës, të cilët nuk kanë pasur dokument identifikimi në ditën e testit, iu është përsëritur testi.

“Për rreth 4700 nxënësit, të cilët nuk e kanë arritur pragun e kalueshmërisë në këtë afat, si dhe për ata që nuk kanë hyrë fare në provim për arsye të ndryshme, do të kenë mundësi t’i nënshtrohen Provimit të Maturës në afatin e gushtit, i cili është planifikuar të organizohet më 27 gusht 2022”, përfundon njoftimi. / KultPlus.com

Qeveria me vendim të ri për targat dhe për ata që ia mësyjnë Kosovës me dokumente serbe

Në mbledhjen e 85 të Qeverisë së Kosovës, është marrë vendim për çështjen e makinave me targa të Serbisë që dëshirojnë të hyjnë në territorin e Kosovës.

Sipas njoftimit të Zyrës për media të kryeministrisë, veturat me regjistrim të Serbisë që paraqiten për kalim në kufirin shtetëror të Kosovës dhe kanë për qëllim lëvizjen brenda territorit të Kosovës duhet të kenë të vendosur ngjitësin tek pjesa e simboleve.

Ky vendim hyn në fuqi nga 1 gusht 2022 dhe vlen deri më 31 tetor 2022.

Gjithashtu Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që t’ua mundësojë regjistrim me tabela të Republikës së Kosovës të gjithë atyre pronarëve të cilët makinat e tyre i kanë me tabelat e vjetra “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”,.

Ky vendim i Qeverisë së Kosovës ka ardhur si rezultat i dështimit të arritjes së një marrëveshjeje me Serbinë në Bruksel për çështjen e targave.

Dhe një vendim tjetër që është marrë në këtë mbledhje, është që çdo person që paraqitet në kufirin shtetëror të Kosovës me dokument personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë do të pajiset me një dokument (fletë-deklarim) që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e një dokumenti të tillë.

Njoftimi i plotë:

Mbledhja e 85-të e Qeverisë Prishtinë, 29 qershor 2022 Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike në të cilë​n ka miratuar vendimin për të mundësuar regjistrimin e automjeteve me targa RKS për të gjitha automjetet e pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, si dhe vendimin për kalimin e kufirit shtetëror nga qytetarët me dokumente personale të lëshuara nga autoritetet e Serbisë.

Me vendimin e parë të miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme, është mundësuar që pronarëve të automjeteve të pajisura me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori 1999 deri më datë 21 prill 2022, t’u mundësohet regjistrimi i mjeteve me targa RKS. Sipas këtij vendimi, regjistrimi do të fillojë me datë 01.08.2022 dhe do të zgjasë deri më 31.09.2022. Vendimi ka karakter të papërsëritshëm pas përfundimit të periudhës së vlefshmërisë. Vendimi obligon Ministrinë e Punëve të Brendshme që të ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme me qëllim të realizimit të këtij procesi.

Miratimin e kabinetit qeveritar e mori edhe vendimi sipas të cilit çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, të pajiset në pikë-kalimet kufitare me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë. Fletë-deklarimi do të krijojë bazë për qarkullim në territorin e Republikës së Kosovës dhe për shfrytëzim brenda institucioneve shtetërore.

Gjithashtu, sipas vendimit, automjetet me targa të regjistrimit të Serbisë që paraqiten për kalim të kufirit shtetëror dhe kanë për qëllim të lëvizin në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të kenë të vendosur ngjitësin në pjesën e simboleve dhe emërtimit shtetëror, nga data 01.08.2022. Mekanizmi i tillë do të vlejë deri me 31.10.2022. Ky mekanizëm është pa paragjykim ndaj afatit maksimal të qëndrimit të automjeteve të tilla në territorin e Republikës së Kosovës. / KultPlus.com

Poetes shqiptare i dorëzohet çmimi “Universum del patrimonio femminile”

Ditën e djeshme në ambientet e Teatrit social të Comos poetes shqiptare Denata Ndreca i është dorëzuar çmimi “Universum del patrimonio femminile” (Universi i Trashëgimisë së Gruas). I pranishëm në ceremoni ishte edhe kryetari i bashkisë Mario Landriscina.

Edizioni 2022 i është dedikuar grave që kanë dhënë kontributin e tyre në fushën e mjeksisë, letërsisë dhe muzikës. Për Ndrecën, objekt analize nga kritika letrare, vlersohet dhe  angazhimi i saj në rolin e promovimit social dhe kulturor të gruas.

“Një çmim që më bën të mendoj, që më bën të vazhdoj rrugën time dhe t’u jap zë atyre që nuk kanë… (edhe pse shpesh herë  e vetme dhe me shkopinjë nën rrota, sepse ato si unë – nuk janë gra komode).

Në motivacionin e jurisë, përveç kritikës letrare dhe asaj që ka të bëjë me angazhimin tim në fusha të tjera, ka një fjali që më ka mbetur:

“Një forcë misterioze e mban atë.”

Mes meje dhe meje, i them vetes, ndoshta ajo e Arkimedit,

ajo është dashuri …

Faleminderit gjithashtu akademisë letrare La Pergola Arte në Firence, Peter Michael Musone dhe Lilly Brogi – që kanë qenë pranë meje” shkruan Ndreca në facebook pas marrjes së vlerësimit. /KultPlus.com

Jehona Gjurgjeala dhe Egzon Gashi, pjesë e komisionit për përzgjedhjen e drejtorëve të çerdheve dhe shkollave të Prishtinës

Jehona dhe Egzoni, dy ekspertët e pavarur të arsimit që nga sot zyrtarisht do të jenë pjesë e komisionit për përzgjedhjen e drejtorëve dhe zëvendës-drejtorëve të çerdheve dhe shkollave të Prishtinës.

Jehona Gjurgjeala është themeluese dhe Drejtoreshë Ekzekutive e “Organizatës Kosovare për Talent dhe Arsim – TOKA”. Ajo ka përfunduar studimet bachelor dhe master në London School of Economics and Political Science. Jehona po ashtu ka përfunduar programin profesional ne Politika te Edukimit, nga Georgetown University. Ajo ka përvojë mbi dhjetë vjeçare në pozita menaxheriale në ndërmarrje ndërkombëtare – me zyra në Oksford, Londër dhe Kopenhage.

Ndërsa Egzon Gashi është është themelues dhe Drejtor Ekzekutiv i “Teach For Kosova”, një organizatë joqeveritare e cila synon të përmirësojë cilësinë e sistemit arsimor në Kosovë. Egzoni ka studiuar marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin e Oxfordit, ka Master në Edukim në Johns Hopkins University, ku edhe aktualisht është duke ndjekur studimet e doktoraturës në Lidership dhe Sipërmarrje në Arsim.

Jehona dhe Egzoni janë ndër profesionistët më të mirë të fushës. / KultPlus.com

Flaka Loxha një hap larg medaljes, derisa Erza Muminoviq eliminohet

Flaka Loxha është një fitore larg medaljes së bronztë në Lojërat Mesdhetare Oran 2022, shkruan KultPlus.

Xhudistja jonë mundi me ippon spanjollen, Maria Ruiz, në raundin e parë të repasazhit, kategoria -57 kg.

Loxha do të luftojë për medaljen e bronztë ndaj turkes, Hasret Bozkurt.

Në anën tjetër, xhudistja Erza Muminoviq nuk ka arritur të vazhdojë garimin për medaljen e bronztë përmes repesazhit. /KultPlus.com

Gjetjet e Prokurorisë: Dardan Krivaqa e dhunoi Marigona Osmanin, Arbër Sejdiu e ndihmoi

Prokuroria Themelore e Ferizajt posedon prova se Dardan Krivaqa e kishte dhunuar Marigona Osmanin, duke e dërguar me forcë në banjon e banesës, sado që në pamjet kamerave e ndjera shihet duke rezistuar. Sipas prokurorisë, Arbër Sejdiu, ishte kujdesur që dhuna që po zhvillohej ndaj 18-vjeçares të mbahej fshehur, pa e marrë vesh fqinjtë apo dikush përreth.

Në aktakuzën e ngritur për vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani, të cilën e posedon të plotë Gazeta Express, Prokuroria Themelore e Ferizajt arrinë në përfundim se nga Dardan Krivaqa është kryer vepra penale “dhunimi”, ndërsa Arbër Sejdiu, e ka ndihmuar Krivaqen në kryerjen e veprës penale “dhunimi”.

Prokuroria konstaton se Krivaqa ka kryer marrëdhënie seksuale me të ndjerën pa pëlqimin e saj, ndërsa gjatë dhunimit është përdorë edhe një kabllo e telefonit dhe ujë për ta këndellur 18-vjeçaren, që sipas prokurorisë kjo është bërë me qëllim që ajo t’i ndjente dhimbjet më shumë.

“Nga provat e konstatuara, prokuroria ka ardhë në përfundim se në mes të pandehurit Dardan Krivaqa dhe të ndjerës Marigona Osmani ka pasur marrëdhënie seksuale pa pëlqimin e kësaj të fundit, fakt ky që vërtetohet nga video-incizimet e marra në vendin e ngjarjes, e ku shihet se e ndjera në fillim edhe pse nuk është plotësisht e orientuar reziston dhe e shpreh qartë dhe në mënyrë serioze se nuk është e pëlqimit për të kryer akt seksual ose për ta vazhduar atë, mirëpo i pandehuri me forcë e dërgon në banjë derisa e njëjta është lakuriq e po ashtu me forcë e kthen në dhomë, gjithashtu e ndjera nuk është e aftë për të dhënë pëlqimin për aktivitete seksuale për shkak të aftësisë së zvogëluar mendore dhe fizike, zvogëlim që ka ardhë si pasojë e dhunës fizike dhe psikike që është përdorë nga i pandehuri, fakt ky që vërtetohet nga video-incizimet ku i pandehuri shihet në dy raste duke e bartur për shkak se nuk është në gjendje të lëvizë vet e dërgon të ndjerën në banjo e cila është lakuriq. Se gjatë marrëdhënies seksuale është përdorur forca, vërtetohet nga video-incizimet. Po ashtu gjatë dhunimit është përdorë edhe një kabllo e zezë për mbushje të telefonit, e cila e kishte të dëmtuar kokën hyrëse…E po ashtu në shtratin ku ka qenë e ndjera është gjetur ujë, po ashtru tregon se i pandehuri me qëllim që e njëjta t’i ndjenjë sa më shumë dhimbjet ujin e ka përdorë për ta këndellë”, thuhet në aktakuzë, transmeton Gazeta Express.

Prokuroria konstaton se  Arbër Sejdiu e ka ndihmuar Krivaqen në kryerjen e veprës penale “dhunimi”. Prokuroria thotë se Arbër Sejdiu herë pas here shikon përmes vrimës së derës nëse dikush është duke u interesuar se çfarë po ndodh në banesë.

Tutje, Prokuroria thekson se vrasja është kryer në mënyrë mizore dhe vdekja e viktimës ka ardhë si pasojë e përdorimit të forcës fizike.

Nga informacionet e marra nga Policia e Kosovës, në aktakuzën e prokurorisë ceket se Dardan Krivaqa është i dyshuar që nga viti 2006 për kryerjen e 133 veprave të ndryshme penale, ndërsa Arbër Sejdiu është i dyshuar për kryerjen e disa veprave penale. /KultPlus.com

Jeta Zymberi emërohet Ambasadore e Paqes në rrjetin global GSFEN

Studiuesja e Letërsisë dhe redaktorja e gazetës për art dhe kulturë – KultPlus, Adonjeta (Jeta) Zymberi është emëruar sot me titullin “Ambasadore e Paqes” e rrjetit të njohur Global Socio-Economic and Financial Evolution Network, shkruan KultPlus.

Përmes rrjetit social Facebook, Zymberi ka bërë të ditur emërimin, duke shprehur mirënjohje për besimin dhe vlerësimin që i është bërë nga Prince Blessing Lawal si dhe për rekomandimin e Tahir Shabanit.

“Sot u nderova me titullin “Ambasadore e Paqes” nga organizata Global Socio-Economic and Financial Evolution Network.

Faleminderit për besimin dhe vlerësimin!

Një falënderim i veçantë për rekomandimin dhe përkrahjen mikut të çështjes shqiptare Tahir Shabanit i cili sot më dorëzoi titullin”, ka shkruar Zymberi.

Jeta Zymberi u lind në Gjakovë me 15 prill 1991. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Gjakovë. Studimet Bachelor dhe Master për Letërsi Shqipe i përfundoi në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Filologjisë.

Në vitin 2016 u punësua gazetare në gazetën për art dhe kulturë- KultPlus.com ku vazhdon aktualisht si redaktore. Gjithashtu është Anëtare e bordit në Organizatën joqeveritare “ProPlus”.

Në vitin 2019 u shpall “Gazetarja më e mirë për vitin 2019 në KultPlus” çmim të cilin ia dorëzoi themeluesja e KultPlus, Ardianë Pajaziti.  

Në vitin 2020 nga Bashkimi Evropian – Europe House Kosovo, u shpall fituese e garës së fotografisë “Covid-19: Gratë dhe tregimet e tyre” (vendi i dytë), çmim të cilin ia dorëzoi Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog,

Jeta Zymberi gjithashtu ka qenë anëtare e jurisë në konkursin “Poezi për Paqe” organizuar nga KultPlus dhe UN Women në vitin 2019 si dhe anëtare e jurisë në konkursin “Letër Presidentes” në vitin 2021.

Në kuadër të KultPlus, Jeta ka qenë pjesë e projekteve kulturore si: KultWoman (11/2018 – 03/2019), Ta zbardhi ftyrën (2017 – 2019), KultStrofa (2017 – 2018), Pen for Culture (11/2019 – 10/2020) e shumë të tjerë. / KultPlus.com

Tri botime mbi subkulturat e Prishtinës, Shkupit dhe Tiranës nesër në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve

Manifesta Biennial ka ftuar prishtinasit që të vijnë në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve nesër për të festuar publikimin e tri botimeve mbi subkulturat e Prishtinës, Shkupit dhe Tiranës, shkruan KultPlus.

I gjithë ky botim është bërë në bashkëpunim me Termokiss.

Në orën 18:00 jemi me autorët e publikimeve dhe me muzikë prej Arif Muharremit, Eljesa Bekës dhe Genc Elezajt. /KultPlus.com

Ceremonia mortore për producenten Vjosa Berisha do të mbahet ditën e enjte

Pas një sëmundje të rëndë, më datë 23 qershor vdiq producentja e njohur kosovare, Vjosa Berisha.

Bashkëshorti i saj, Fatos Berisha, ka njoftuar sot se  ceremonia mortore do të bëhet ditën e enjte më datë 30 qershor.

“Informojmë të gjithë familjarët, miqtë dhe opinionin publik për ceremoninë mortore të së dashurës sonë Vjosa Berisha:

E enjte, 30 qershor

14:00-15:00h homazh në Teatrin Kombëtar të Kosovës (foajea e TKK);

15:00-16:00h Mbledhja komemorative në Teatrin Kombëtar, organizuar nga Ministria e Kulturës (salla e madhe e TKK);

17:00h Varrimi, në varrezat e Prishtinës (Arberi).

E pamja

datat 1,2,3 korrik (e premte – diele) në Hotel Grand , Prishtinë (kati 1)

nga 11:00-18:00h”, ka shkruar Berisha. / KultPlus.com

Hapet aplikimi për pjesëmarrje në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit të vendeve të Ballkanit

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit njofton se është hapur aplikimi për pjesëmarrje në Festivalin e 10-të Ndërkombëtar të Teatrit të vendeve Ballkanike në Bursa të Turqisë, shkruan KultPlus.

Vitin e kaluar, siç njofton MKRS, në këtë festival morën pjesë teatro nga vende të ndryshme përfshirë edhe Kosovën. U prezantua shfaqja “Totem dhe Tabu” e produksionit Artpolis.

Festivali do të mbahet në muajin mars të vitit 2023, ndërkaq në këtë link mund t’i gjeni detajet dhe formën e aplikimit: https://cutt.ly/jKAi7VX /KultPlus.com

Gjendet një statujë prej bronzi e Perëndeshës Artemisë në Durrës

Ekspedita e përbashkët arkeologjike shqiptaro-franceze ka zbuluar një statujë të vogël bronzi që mendohet se i takon Perëndeshës Artemisë të qytetit antik të Durrësit.

“Objekti është ende pa pastruar sepse ka vetëm një orë që është gjetur dhe ka nevojë për trajtim dhe observim. Dallohet qartazi se kemi të bëjmë me një personazh femëror, ndoshta mund të jetë edhe Perëndesha Artemisë”.

Bashkëdrejtuesja franceze e projektit Katerine Abedje Rejnal tha se janë evidentuar shtresa të hershme të shekullit të II dhe të III, në të cilat është konstatuar djegie masive nga një zjarr që mendohet se ka djegur të gjithë qytetin. Ndërsa Arkeologia Brikena Shkodra tha se këto gërmime mundësojnë transformimin e forumit bizantin nga shekulli shtatë deri në atë të katërmbëdhjetë.

“Na dha mundësinë që të argumentojmë një pas një që ky moment nga transformuar një pas një. Muret janë përdorur në forma të ndryshme banimi në funksion të qytetit mesjetar deri të paktën në shekullin e 14-të.”

Forumi bizantin është pjesë e një kompleksi të gjerë ndërtimesh e zbukuruar me kolona mermeri dhe me dysheme të veshur me pllaka të mëdha mermeri. Për shkak të vlerave kulturore që përmban Forumi i Bizantin, ai ka hyrë pothuajse në të gjitha guidat turistike të vendit tonë./Tv Klan/ KultPlus.com

Akademia “Loja” solli festën “Bota nënujore”, një prej organizimeve më të dashura për fëmijët

Akademia e fëmijëve “Loja” për nder të Ditës së Fëmijëve ka organizuar festën “Dita e Lojës”, një prej organizimeve më të dashura për fëmijët.

Kjo festë bëri bashkë fëmijët e prindërit për t’i dhënë një rrezatim ndryshe oborrit të shkollës. Ngjyrat kishin mbërthyer vendin dhe buzëqeshjet e fëmijëve ishin krejt çka përçohej nga kjo ditë.

Në raste të tilla, lumturia është e pashmangshme, përveç fëmijëve, prindërit po përjetonin emocione të forta, madje mund të shihje edhe lot gëzimi e krenarie në sytë e tyre.

Krejt këto ndjesi po i bënin pafund të lumtur edhe stafin e shkollës të cilët për shkak të pandemisë, dy vitet e kaluara nuk kishte mundësi të organizojnë këtë festë tradicionale të shkollës, dhe për këtë arsye organizimi i sivjetshëm ishte shumë i rëndësishëm për ta.

“Festa ‘Dita e Lojës’ organizohet për nder të Ditës së Fëmijëve dhe zakonisht integron një temë të caktuar që fëmijët e kanë prekur gjatë vitit akademik. Këtë vit tema ishte ‘Bota nënujore’. Pas shumë mësimeve rreth asaj teme, fëmijët marrin informata të shumta dhe zhvillojnë aktivitete edukative duke përfshirë të gjitha fushat e edukimit dhe zhvillimit të hershëm”, tha Tringa Jusufi, udhëheqëse e programit edukativ në akademinë “Loja”.

Kjo festë është e veçantë sepse përveç programit artistik, të përgatitur nga koreografja Rreze Qerreti, me grupmoshat 3-6 vjeç, gjatë kësaj ngjarjeje, nëpër kënde organizohen edhe shumë aktivitete kreative dhe argëtuese nga mësueset, për fëmijët dhe për prindërit pjesëmarrës në festë

“Duam të theksojmë se të gjithë fëmijët vishen me kostumet tematike, e këtë vit kishin mundësi të promovojnë jetën e gjallesave nënujore përmes kostumeve fantastike që kishin veshur për festë. Si gjithmonë, fëmijët janë shumë entuziastë dhe secila pjesë e festës është shumë argëtuese për ta”, tha tutje Tringa.

Përkundër që fëmijët jo gjithmonë kanë dëshirë të dalin në skenë për të performuar përballë turmës, pjesën e klubeve e adhurojnë të gjithë fëmijët. Ata kanë mundësi të krijojnë punë dore, punime artistike, të luajnë lojëra të organizuara për ta dhe së bashku me prindërit.

“Jemi të lumtura që përveç fëmijëve që u argëtuan në festë, kishim komente shumë të bukura dhe motivuese edhe  nga prindërit dhe familjarët që morën pjesë. Besojmë se e kemi finalizuar këtë temë në mënyrën më spektakolare që ishte e mundur!”, tha Tringa.

Ndërsa, Yll Dushi, një nga prindërit prezentë në këtë festë, u shpreh se janë shumë të kënaqur me kopshtin “Loja”, pasi që si kushtet ashtu edhe mësueset janë fantastike.

“Ne kemi vizituar shumë çerdhe në Prishtinë dhe më në fund e kemi përzgjedhur “Lojën”, sepse kushtet edhe mësueset që i ka “Loja”, e sidomos mësueset janë fantastike dhe shumë profesionale si dhe kriteret e përzgjedhjes së mësueseve janë shumë të mira. Një prej arsyeve është edhe ushqimi që e ofron ky kopsht që ka shumë dallim nga çerdhet tjera.

Ndërsa sa i përket aktiviteteve që i organizon “Loja” janë shumë të mira. Çdo vit organizohen nga dy aktivitete një në qershor dhe një në dhjetor. Aktiviteti i fëmijëve dhe emocionet që u japin fëmijëve janë shume fantastike, ata mezi e presin dhe është nja përmbushje për ata për një punë shumë të madhe që e bëjnë dhe ju shpërblehet me paraqitje në skenë”, tha Yll Dushi. / KultPlus.com

Pas një meçi të vështirë, Flaka Loxha ndalet nga Giulia Caggiano

Pas një meçi të vështirë, Flaka Loxha u mposht nga italianja Giulia Caggiano, shkruan KultPlus.

Loxha pati një start të furishëm, por më pas Caggiano arriti që të fitojë takimin në fund.

Garimin për medalje të bronztë do ta vazhdojë përmes repasazhit të kategorisë -57 kg. E në anën tjetër, Distria Krasniqi ka kaluar në gjysmëfinale.

Kosova, në ditën e katërt të Lojërave Mesdhetare, po synon të fitojë medaljen e parë. /KultPlus.com

Distria Krasniqi me shumë sukses kalon në gjysmëfinale të Lojërave Mesdhetare

Kampionia olimpike, Distria Krasniqi, dëshmon cilësitë edhe në LM Oran 2022.

Ajo e nisi mbarë garimin, duke mundur qiprioten Sofia Asvesta, kategoria 52 kg.

“I urojmë fat edhe në gjysmëfinale Krasniqit”, shkruhet në njoftimin e Komitetit Olimpik të Kosovës.

Krasniqi mund të jetë garuesja e parë nga Kosova që fiton medalje në këto Lojëra Mesdhetare. /KultPlus.com

Eshtrat që vijnë vonë

Poezi nga Teki Dervishi

prej shtëpisë sime me çati prej kashte
dola me hejben plot vegla
e mora rrugë Veriun e Thellë
kurbet me kobër dola mjeshtër me pagë
pas erës së bukës 
rrugë më rrugë shkretëtirës
kah Lindja
kah Perëndimi

latues mermeri me daltë
ikonograf me brushë e ngjyrë
godita pirgjet e larta të botës
gjurmë lash shenjën e qartë
pikturat e amshuara nëpër tempuj
lirikën – fjalë të zjarrtë
aktor me pseudonim
palaço në oborrin mbretëror
pa emër pa datë

disa shekuj pastaj
në Atdhe
eshtrat më vijnë vonë
me anije
– deti çohet dallgë / KultPlus.com