Akil Gjakova kualifikohet në zonën e medaljeve

Akil Gjakova e nis mbarë dhe kualifikohet në zonën e medaljeve në Lojërat Mesdhetare Oran 2022.

Xhudisti nga Kosova fitoi me ippon ndaj grekut Michail Tsoutlasvili, kategoria -73 kg.

Ndërkaq, raundin e parë Akili e kishte kaluar pa luftë.

Kjo është dita e pestë e sportistëve nga Kosova në LM Oran, derisa dje kanë arritur që t’i fitojnë 3 medalje. /KultPlus.com

Super-filmi i animuar Minions 2 arrin në Cineplexx Prishtinë dhe Prizren këtë vikend me shumë shpërblime dhe aktivitete!

Minions djallëzor janë rikthyer në vazhdimin e tyre të shumëpritur. Ata arrijnë në Cineplexx me 2 dhe 3 korrik ku me këtë rast do të organizohet eventi Dita e Familjes me shumë shpërblime dhe aktivitete argëtuese për fëmijë.

Minions: The Rise of Gru, i njohur ndryshe si Minions 2, është një aventurë absolutisht e çmendur dhe komike me protagonistë krijesat e lezetshme të verdha teksa mësojnë të punojnë për zotërinë e tyre të ri, një Gru të ri. Këtë vikend duke filluar nga ora 11:30, Cineplexx në Prishtinë dhe Prizren do të sjellë aktivitete si maskotat e Minions, facepainting, lojëra të ndryshme dhe shumë shpërblime për fëmije.

Ngjarja e këtij filmi është vendosur në fillim të viteve 1970, mes artit retro, muzikës disko dhe kostumeve shumëngjyrëshe, të gjitha klasike të njohura të asaj epoke. Gru është një fans 12-vjeçar i grupit “The Vicious 6”, një grup super-antagonistësh. Së bashku me ekipin e tij të sapogjetur të Minions, të udhëhequr nga Kevin, Stuart, Bob dhe të sapoardhurit, Otto, Gru harton një skemë për t’u bërë një antagonist i njohur.

Pra, bëhuni gati për t’u bashkuar me Kevin, Stuart, Bob dhe Otto, së bashku me të riun Gru, në një mision shumëngjyrësh dhe të çmendur. Aktori mbrapa zërit të Gru vazhdon të jëtë Steve Carell.

Shpërblimet të cilat do të dhurohen gjatë vikendit në kinemanë në Prishtinë janë:

6x Gift Cards në vlerë prej 30€ nga Blukids Kosova

3x Gift Cards në vlerë prej 50€ nga Lindex Kosova

3x Gift Cards në vlerë prej 50€ nga name it

3x Lodra nga eurekakidskosovo

6x Gift Cards në vlerë prej 10€ nga Playland Kosova

Dhurata nga Kosmonte Foods 

https://www.instagram.com/p/CfZgJRAquvC/

Ndërsa në kinemanë në Prizren do të dhurohen:

3x Gift Cards në vlerë prej 50€ nga name it

3x Lodra nga eurekakidskosovo

6x Gift Cards në vlerë prej 10€ nga Playland Kosova

Dhurata nga Kosmonte Foods 

Për më tepër informata rreth orareve vizitoni webfaqen e Cineplexx Kosovo, ndërsa biletat mund t’i bleni përmes aplikacionit apo direkt në kinema prej orës 15:00.

Artikull i sponsorizuar

“Lumbardhi Përsëri Publik” ndër fituesit e Çmimeve të Trashëgimisë Europiane / Çmimeve Europa Nostra 2022

Komisioni Evropian dhe Europa Nostra sapo kanë shpallur fituesit e vitit 2022 Çmimet e Trashëgimisë Evropiane / Çmimet Europa Nostra, financuar nga programi i BE-së për Evropën Kreative. Në mesin e fituesve të sivjetëm është edhe iniciativa për ruajtjen dhe rijetësimin e Kino Lumbardhit, “Lumbardhi Public Again” (Lumbardhi Përsëri Publik) e cila u drejtua nga Fondacioni Lumbardhi me partnerë prej vitit 2015.

Këtë vit, që shënon 20 vjetorin e Çmimeve më prestigjioze të Evropës në fushën e trashëgimisë, 30 arritje të jashtëzakonshme të trashëgimisë nga 18 vende evropiane janë dhënë në pesë kategori. Këto kategori janë në përputhje me zhvillimet dhe prioritetet më të fundit në lidhje me politikën dhe praktikën e trashëgimisë në Evropë. Fituesit do të festohen më 26 shtator Pragë Ceremoninë e Çmimeve të Trashëgimisë Evropiane, që do të mbahet në Operën Shtetërore të restauruar së fundmi dhe bashkëprezantuar nga Komisionerja Evropiane për Inovacionin, Kërkimin, Kulturën, Arsimin dhe Rininë, Mariya Gabriel dhe Presidenti Ekzekutiv i Europa Nostras, Prof. Dr. Hermann Parzinger.

Duke reaguar ndaj shpalljes së fituesve të vitit 2022, Komisionerja Evropiane Mariya Gabriel, deklaroi: “Përgëzoj ngrohtësisht të gjithë fituesit e Çmimeve të Trashëgimisë Evropiane të këtij viti / Çmimeve Europa Nostra për cilësinë e jashtëzakonshme të punës së tyre dhe hapjen e tyre ndaj inovacionit. Viti 2022 është një vit i veçantë pasi ne po festojmë 20 vjetorin e Çmimit të BE-së për Trashëgiminë Kulturore, i cili është bërë çmimi më i spikatur për komunitetin evropian të trashëgimisë. Shumë nga iniciativat e shpërblyera demonstrojnë interesin dhe angazhimin e madh të të rinjve për trashëgiminë tonë, historinë tonë dhe identitetin tonë kulturor, i cili është veçanërisht i rëndësishëm në këtë Vit Evropian të Rinisë. Një mendim i veçantë shkon për dy laureatët ukrainas. Creative Europe, që i bashkëfinancon Çmimet, qëndron për promovimin e kulturës dhe krijimtarisë në ndërtimin e shoqërive gjithëpërfshirëse dhe kohezive të bazuara në vlerat tona thelbësore evropiane.”

Presidenti Ekzekutiv i Europa Nostra, Prof. Dr. Hermann Parzinger, tha: “Fituesit e çmimit të këtij viti janë shembuj të fuqishëm se si trashëgimia jonë na rilidh me natyrën, ndihmon në krijimin e ndjenjës së përkatësisë dhe vendit dhe është një bllok integral ndërtimi në zhvillimin e një ekonomie që mbështetë një mënyrë të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse të jetës. I përgëzoj këta fitues të jashtëzakonshëm, profesionistë dhe entuziastë, për punën e tyre thelbësore dhe të lavdërueshme”.

“Ndikimi që ka pasur nisma “Lumbardhi Përsëri Publik” në komunitetin lokal është shumë cilësor dhe dallohet për mënyrën se si ka ndikuar në politikat dhe qëndrimet e trashëgimisë kulturore në rajon e më gjerë. Angazhimi kreativ i të rinjve në aktivitete është i lavdërueshëm dhe bën të dukshme vlerat e shumta të vendeve të trashëgimisë për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe social të qyteteve”, theksoi juria e Çmimeve.

Vendimin rreth fituesve të çmimeve e mori juria e përbërë nga ekspertë të trashëgimisë nga e gjithë Evropa, pas vlerësimit nga komisionet e pavarura përzgjedhëse të kandidaturave të paraqitura nga organizata dhe individë nga 36 vende evropiane. / KultPlus.com

“Marsejeza” – historia e himnit revolucionar francez

Më 30 qershor të vitit 1792 në Paris, këndohet për herë të parë Marsejeza, si këngë lufte.

Konventa e miratoi atë si himnin kombëtar më 14 korrik 1795; e humbi këtë status nga Napoleon Bonaparti, vetëm për t’iu rikthyer pak kohë pas Revolucionit të korrikut të vitit 1830.

Pastaj “Marsejeza” u njoh si himn i lëvizjes revolucionare ndërkombëtare nga Komuna e Parisit në vitin 1871.

Tetë vjet më vonë u rishpall himn kombëtar i Francës dhe vazhdon të jetë. / KultPlus.com

Përfundon Dea Open Air, Kupa DEA shkoi për Goran Paskaljeviç – post mortum

Kupa Dea 2022, për Filmin më të Mirë me Metrazh të gjatë, shkoi për filmin “Pavarësisht mjegullës » me regji të Goran Paskaljeviç, Itali 2019. Kështu, pas një gare pesëditore, 23-28 qershor, ku morën pjesë 25 fima nga 39 vende të botës, u mbyll të mërkurën në mbrëmje edicioni i nëntë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dea Open Air.

Në një atmosferë festive dhe në praninë e artistëve, kineastëve dhe publikut, që e ndoqi, Dea Open Air e përfundoi edhe këtë edicion, duke ofruar sërish përvojë të re kulturore për kryeqytetin si edhe duke vijuar të zgjerojë hartën e njohjes së kinemasë botërore, që këto vite ka prekur pothuaj të gjitha vendet e botës, nga Europa në SHBA, nga Kanadaja në Azi apo Amerikën Latine.

Sipas traditës, ndarja e çmimeve nisi me Seksionin e Filmit Dokumentar, në të cilin sivjet u ofruan 11 filma nga 8 vende të botës: nga Shqipëria e Kosova, Gjermania, Franca, Spanja, Norvegjia deri te SHBA. Për çmimin DEA për Filmin më të Mirë Dokumentar, Juria e Filmit Dokumentar, e përbërë nga: Ilir Kabashi (kryetar – regjisor/Kosovë), Vasjan Lami (aktor, regjisor, dokumentarist – Shqipëri), Erion Kristo (gazetar – Shqipëri) nominoi:

  1. Venecja diku gjetkë (Venice elsewhere) – Elia Romanelli, Itali 2022
  2. Përqafimi i fatit: hebrenj dhe shqiptarë (Hug of Destiny: Jews and Albanians– Jakov Sedlar, Kroaci 2019
  3. Horizontet tona (Our Horizons) – Charlotte Cayeux, Francë 2022

DEA për Filmin më të Mirë Dokumentar shkoi për:  Venecja diku gjetkë (Venice elsewhere) – Elia Romanelli, Itali 2022.

Juria këtë edicion e pa të pamjaftueshme dhënien e vetëm një çmimi, ndaj vendosi të akordonte edhe një çmim të dytë, Çmimin Special të Jurisë së Filmit Dokumentar, i ciloi shkoi për “Përqafimi i fatit: hebrenj dhe shqiptarë” (Hug of Destiny: Jews and Albanians– Jakov Sedlar, Kroaci 2019.

Juria e Filmit të Shkurtër dhe Studentor e përbërë nga: Esther Maaß (kryetare – aktore/Gjermani), Adele Budina (anëtare – producente/Itali), Redi Mazi (anëtar – regjisor/Shqipëri), nga oferta prej 14 filmash nga 11 vende të botës, nominoi për  çmimin DEA për Filmin më të Mirë Studentor, këto kontribute:

  1. Pazar i rrezikshëm (Lethal Shopping) – Mahay Alayon – Spanjë 2022
  2. Bolzmann – Janis Westphal, Gjermani 2022
  3. Batim – Mauro Zaçe, Shqipëri 2022

DEA për filmin Studentor më të Mirë shkoi për: Pazar i rrezikshëm (Lethal Shopping) – Mahay Alayon – Spanjë 2022

Në Seksionin e Filmit të Shkurtër, ku konkuruan 16 filma nga 14 vende të botës, Juria e Filmit të Shkurtër dhe Studentor, nominoi:

  1. Si uji (Just like Water) – Manos Triantafillakis, Greqi 2021
  2. Një botë pa kriza (A world free of crisis) – Ted Hardy Carnac, Francë 2021
  3. Marko – Marko Santic, Kroaci 2021

DEA për Filmin e Shkurtër më të mirë shkoi për “Si uji (Just like Water) – Manos Triantafillakis, Greqi 2021.

I pranishëm në shfaqjen e filmit, por edhe në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, regjisori Manos Triantafillakis u shpreh se dokumentari është një dedikim për babain e tij, dhe se filmi flet për kohën që ikën…”Nuk e besoja se do të merrja çmim. Filmi bën fjalë për rrethin e jetës, dhe shpresoj që prindërit e mi po më shohin nga lart, dhe gëzohen për mua”, tha Triantafillakis.

Çmimi i Medias i DEA OPEN AIR International Film Festival është vendosur për të vlerësuar produktin – nga shkalla e angazhimit qytetar të krijimit artistik për çështje të rëndësishme të komunitetit. Juria e medias, këtë vit, e përbërë nga: Elsa Demo dhe Leontina Nika (gazetare – Shqipëri dhe Kamuran Goranci ( Kosovë) ndau dy çmime – një për kategorinë e Filmit të Shkurtër dhe një për kategorinë e Filmit me Metrazh të Gjatë.

Për Çmimin special të Medias në kategorinë e Filmit të Shkurtër, u nominuan: 

  1. Tramvaj (Tramway) – Bartosz Reetz, Poloni 2021
  2. Ylberi (Rainbow) – Alexander Vujoviç, Mali i Zi 2021
  3. Kujtime të përsëritura (Repeated Memories) – Soo-Min Park, Uzbekistan 2021

Çmimi special i Medias për Filmin e Shkurtër më të Mirë shkoi për: Tramvaj (Tramway) – Bartosz Reetz, Poloni 2021.

Për Çmimin special të Medias në kategorinë e Filmit me Metrazh të Gjatë, u nominuan: 

  1. Pavarësisht mjegullës (Despite the Fog) – Goran Paskaljevic, Itali 2019
  2. Kufijtë, pika shiu (Borders, Raindrops) – Nikola Miloviv & Vlastimir Sudar, Bosnjë-Hercegovinë/Mali i Zi/Serbia 2019
  3. Blic i fuqishëm (Mighty flash) – Ainhoa Rodriguez, Spanjë 2021

Çmimi special i Medias për Filmin me Metrazh të Gjatë shkoi për “Kufijtë, pika shiu” (Borders, Raindrops) – Nikola Miloviv & Vlastimir Sudar, Bosnjë-Hercegovinë/Mali i Zi/Serbia 2019.

Programi i filmit me metrazh të gjatë mbetet programi qendror dhe konkurimi kryesor i DEA OPEN AIR. Oferta e sivjetme përfshiu filma nga Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi,  Italia, Spanja, Gjermania dhe Shqipëria. Konkurimi në këtë program u ndoq nga juria e Filmit me Metrazh të gjatë, e përbërë nga: Steffen Hacker (regjisor/producent – Gjermani), Afrim Spahiu (drejtor fotografie – Kosovë), Andrea Stucovitz (producent – Itali), Altin Basha (regjisor – Shqipëri), Sasho Pavlovski (pedagog filmi – Maqedoni).

Për çmimin DEA për Aktoren më të mirë në Filmin me Metrazh të Gjatë, u nominuan:

1. Donatella Finoçhiaro (Pavarësisht mjegullës – Itali 2019)
2. Susanne Wolf (Bardhësi e huazuar – Gjermani 2021)
3. Kristina Stevovic (Kufijtë, Pika shiu – Bosnjë-Hercegovinë/Mali i Zi/Serbi 2019)

Kupa DEA në kategorinë Aktorja më e MIRË – Filmi me Metrazh të Gjatë, shkoi për

Donatella Finoçhiaro (Pavarësisht mjegullës (Nonostante la nebbbia / Despite the Fog) – Itali 2019)

Për çmimin DEA për Aktorin më të mirë në Filmin me Metrazh të Gjatë, u nominuan:

1. Florist Bajgora (Bardhësi e huazuar/ Borrowed White – Gjermani 2021)
2. Vasjan Lami (Dy luanë drejt Venecias – Shqipëri 2021)
3. Kastriot Çaushi (Dy luanë drejt Venecias – Shqipëri 2021)

Kupa DEA në kategorinë Aktori më i MIRË – Filmi me Metrazh të Gjatë, shkoi për Florist Bajgora (Bardhësi e huazuar/ Borrowed White – Gjermani 2021).

I pranishëm në mbrëmjen Gala të ndarjes së çmimeve, aktori shqiptar nga Kosova, Florist Bajgora, pas marrjes së kupës, u shpreh se « jam shumë i nderuar që marr kupën DDEA në këtë festival si dhe shumë i emocionuar për fjalët e mira. Për këtë rol kam pasur shumë përgjegjësi, pasi nuk dija asnjë fjalë gjermanisht dhe kam pasur në dispozicion vetëm 24 ditë për t’u përgatitur për të»

Për çmimin DEA për Kamerën më të mirë në Filmin me Metrazh të Gjatë, u nominuan: 

1. Andreas Köhler (Bardhësi e huazuar/ Borrowed White – Gjermani 2021)
2. Milan Spasic (Pavarësisht mjegullës /Desprite the Fog – Itali 2019)
3. Milos Hacimovic (Kufijtë, Pika shiu/Borders, Raindrops – Bosnjë-Hercegovinë/Mali i Zi/Serbi 2019)

Kupa DEA për Kamerën më të Mirë – Filmi me Metrazh të Gjatë shkoi për Andreas Köhler (Bardhësi e huazuar/ Borrowed White – Gjermani 2021). Trofeun e tërhoqi përfaqësuesi i produksionit, njëkohësëisht drejtor i audicionit të zhvilluar në Shqipëri, nga i cili u përzgjodh Florist Bajgora, Clemens Ehrbach. « Jam shumë i lumtur, që ndodhem këtu për të përfaqësuar produksionin, për një produkt, që duket se u prit shumë mirë nga publiku dhe profesionistët, aq më tepër, që rrugëtimi tij ka nisur këtej, me audicionin e zhvilluar për rolin kryesor »,- tha Ehrbach.

Për çmimin DEA për Skenarin më të mirë në Filmin me Metrazh të Gjatë, u nominuan: 

Goran Paskaljevic/ Marco Alessi /Filip David (Pavarësisht mjegullës/Despite the Fog – Itali 2019)
Ainhoa Rodriguez (Blic i fuqishëm/Mighty Flash –  Spanjë 2021)
Nikola Mijovic/Vlastimir Sudar (Kufijtë, Pika shiu/Borders, Raindrops  – Bosnjë-Hercegovinë/Mali i Zi 2019)

Kupa DEA për Skenarin më të Mirë  – Filmi me Metrazh të Gjatë shkoi për

Goran Paskaljevic/ Marco Alessi / Filip David (Pavarësisht mjegullës//Despite the Fog – Itali 2019)

Për çmimin DEA për Regjinë më të mirë në Filmin me Metrazh të Gjatë, u nominuan: 

1. Sebastian KO (Bardhësi e huazuar/Borrowed White – Gjermani 2021)
2. Goran Paskaljevic (Pavarësisht mjegullës/Despite the Fog – Itali 2019)
3. Nikola Mijovic, Vlastimir Sudar (Kufijtë, Pika shiu/Borders, Raindrops – Bosnjë-Hercegovinë/Mali i Zi 2019)

Kupa DEA për Regjinë më të Mirë – Filmi me Metrazh të Gjatë, shkoi për Sebastian KO (Bardhësi e huazuar/Borrowed White – Gjermani 2021)

Trofeun e tërhoqi Clemens Ehrbach, përfaqësues i produksionit dhe atasheu kulturor i Ambasadës Gjermane në Shqipëri, Martin Zickendracht.

Për çmimin DEA për Filminh më të Mirë me Metrazh të Gjatë, u nominuan: 

Pavarësisht mjegullës (Despite the Fog) – Goran Paskaljevic, Itali 2019
Bardhësi e huazuar (Borrowed White) – Sebastian Ko. Gjermani 2021
Kufijtë, Pika shiu (Borders, Raindrops) – Bosnjë-Hercegovinë/Mali i Zi/Serbi 2019

Kupa DEA për Filmin më të Mirë  – Filmi me Metrazh të Gjatë, shkoi për « Pavarësisht mjegullës » (Despite the Fog) – Goran Paskaljevic, Itali 2019.

Ashtu si në edicionet e tjera, edhe këtë vit, organizatorët në bashkëpunim me kompaninë e telefonisë celularë ONE, organizuan shorteun, e zhvilluar nën moton: SHIKO NJE FILM – FITO NJE DHURATË, fituesit e të cilit u shpallën para publikut tw Natës gala të ndarjes së  çmimeve – DEA OPEN AIR 2022.

Duke qenë se biletat e llotarisë përmbanin edhe detyrimin për vlerësimin e filmave, bazuar nën këto të dhëna, DEA OPEN AIR ndau edhe dy  çmime speciale të publikut të Tiranës. Vlerësimet u bënë konkretisht në kategoritë: Filmi më i Mirë dhe Aktori më i Mirë.

Çmimi Special i Publikut në kategorinë Filmi më i Mirë shkoi për “Dy luanë drejt Venecias” – Jonid Jorgji, Shqipëri 2021, ndërsa

Çmimi Special i Publikut në kategorinë Aktori më i Mirë, për duon: Vasjan Lami & Kastriot  Çaushi për rolet e Vanit dhe Kaçit në «Dy luanë drejt Venecias».

DEA e karrierës ose siç e kanë pagëzuar organizatorët, DEA e MIRËNJOHJES shkoi sivjet në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për jetën dhe veprimtarinë e një prej emrave më të njohur të kinematografisë shqiptare, Muharrem Fejzon, ndërsa DEA HOMAZH iu dedikua njërit prej aktorëve më prezentë në trashëgiminë tonë kinematografike, aktorit Rikard Ljarja.

Duke shpallur mbylljen e Edicionit të Nëntë të Festivalit Ndërkombëtar tv Filmit DEA OPEN AIR – Tirana 2022, organizatorët Edmond Topi (drejtor) dhe Mirela Oktrova (drejtore artistike) njoftuan, se Edicioni i Dhjetë do të zhvillohet në qershor të vitit të ardhshëm (2023). / KultPlus.com

Këngëtari R. Kelly dënohet me 30 vjet burg, abuzoi seksualisht me fëmijët dhe gratë

Këngëtari amerikan R. Kelly është dënuar me 30 vite burg për përdorimin e statusit të tij të famshëm për të abuzuar seksualisht me fëmijët dhe gratë, shkruan BBC.

Artisti R&B, 55 vjeç, u dënua shtatorin e kaluar në Nju Jork për krime të shantazhit dhe trafikimit seksual.

Ai ishte përballur me vite të tëra me akuza dhe gjykatësi të mërkurën tha se ai kishte një “indiferencë ndaj vuajtjes njerëzore”.

Avokatët e këngëtarit, emri i vërtetë i të cilit është Robert Sylvester Kelly, thonë se ai do të apelojë, transmeton KultPlus.

Përpara dënimit të tij, një pjesë e vogël e grave u ngritën për t’u përballur me Kelly.

Një grua e identifikuar vetëm si Angela e quajti këngëtarin një Pied Piper, i cili “rritej në ligësi” me çdo viktimë të re, ndërsa të tjerët që nuk u prezantuan, dëshmuan se ai kishte thyer shpirtrat e tyre.

“Fjalë për fjalë do të doja të vdisja për shkak të asaj se si më bëre të ndihesha”, tha njëra.

Kelly nuk pranoi të bënte një deklaratë të tijën dhe nuk reagoi kur u dha vendimi. /KultPlus.com

Masakrat e Parisit të 2015, dënohet me burgim të përjetshëm Salah Abdeslam

Salah Abdeslam, i cili besohet të jetë i vetmi anëtar i mbijetuar i grupit që kreu një seri sulmesh vdekjeprurëse me armë dhe bomba në të gjithë Parisin në nëntor të vitit 2015, u shpall fajtor të mërkurën dhe iu dha dënimi më i rëndë i Francës, ai i përjetshëm dhe pa mundësinë e lirimit me kusht.

Sulmet lanë 130 të vdekur dhe 494 të plagosur në të gjithë kryeqytetin francez në bare, restorante, në një sallë koncertesh dhe jashtë stadiumit të famshëm Stade de France, ku po zhvillohej një ndeshje futbolli.

Abdeslam u shpall fajtor për të pesë pikat për të cilat u akuzua. Ai është vetëm personi i pestë në Francë i dënuar përjetësisht pa lirim kusht që kur u legalizua në 1994. / KultPlus.com

Super ylli botëror J Balvin pjesë e Sunny Hill Festival

J Balvin, i njohur botërisht për muzikën e tij energjetike, do të performojë në Festivalin “Sunny Hill” në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Sunny Hill përmes një postimi në llogarinë zyrtare ka pyetur nëse jeni gati për një festë ikonike së bashku me J Balvin.

“A jeni gati për një festë ikonike, J Balvin??? Super ylli global do t’i bashkohet artistëve tanë me hitet e tij, fituese të çmimeve, për të cilat jemi gati të kërcejmë natën jashtë!!”, thuhet në njoftim.

Deri tani janë konfirmuar një numër i konsiderueshëm i artistëve, ndërkaq pritet që edhe artistë të tjerë me renome botërore të konfirmohen deri më 4 gusht, atëherë kur edhe do të fillojë festivali, i cili do të zgjasë deri më 7 gusht. /KultPlus.com

Sonte në kuadër të ‘DAM Fest’ vjen koncerti i nxënësve të shkollës së muzikës “Prenk Jakova”

DAM Festival do të vazhdojë këtë edicion me një tjetër koncert, shkruan KultPlus.

Koncert i nxënësve të Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova” – Prishtinë do të shfaqet para publikut sonte në koncertin e Dam Festival në Pallati i Rinisë dhe Sportit, Atelieja – Prishtinë.

Koncerti nën titullin “KLUBI 2000” do të fillojë në orën 18:00. / KultPlus.com

mu

Bon Jovi: Âsht jeta jem’  

Përktheu Ridvan Bunjaku

(It’s my life)

Kjo s’âsht kangë për zemër-thymt’

As lutje e qetë për besim-humbunit

S’do t’jâm veç ftyrë n’turmë

Ki me ma ni zânin kur t’bërtas fort

[Refreni]

Âsht jeta jem’

O tash o kurr’

S’kom me rrnu gjith’

Veç po du me rrnu sa t’jâm gjallë

(Âsht jeta jem’)

Zemra m’âsht si autostradë e gjânë

Qysh tha Frenki, “Ia bâna me t’temën”

Veç po du me rrnu sa t’jâm gjallë

Âsht jeta jem’

[Strofa 2]

Kjo âsht për ata që u majtën

Për Tomin e Gjinën që kurrë s’u tërhoqën

E nesërmja po bâhet ma e v’shtirë, mos u huto

As fati s’ka nafakë, duhësh m’i grahë vetë

[Refreni]

Âsht jeta jem’

O tash o kurr’

S’kom me rrnu gjith’

Veç po du me rrnu sa t’jâm gjallë

(Âsht jeta jem’)

Zemra m’âsht si autostradë e gjânë

Qysh tha Frenki, “Ia bâna me t’temën”

Veç po du me rrnu sa t’jâm gjallë

Âsht jeta jem’

[Ura]

Ma mirë t’bjen me kânë krenar kur t’sfidojnë

Mos u përkul, mos u the, zemër, mos u tërhiq

[Refreni]

Âsht jeta jem’

O tash o kurr’

S’kom me rrnu gjith’

Veç po du me rrnu sa t’jâm gjallë

(Âsht jeta jem’)

Zemra m’âsht si autostradë e gjânë

Qysh tha Frenki, “Ia bâna me t’temën”

Veç po du me rrnu sa t’jâm gjallë

Âsht jeta jem’

Âsht jeta jem’

O tash o kurr’

S’kom me rrnu gjith’

Veç po du me rrnu sa t’jâm gjallë

(Âsht jeta jem’)

Zemra m’âsht si autostradë e gjânë

Qysh tha Frenki, “Ia bâna me t’temën”

Veç po du me rrnu sa t’jâm gjallë

Âsht jeta jem’. / KultPlus.com

I nxehti afrikan, temperaturat në Shqipëri shkojnë sot deri në 39 gradë

Sipas MeteoAlb:Shqipëria; si pasojë e masave ajrore Afrikane do të jetë sërish në mbiozterimin e motit te kthjellët dhe të nxehtë në gjatë gjithë paradites por orët e pasdites sjellin kalime vranësirash të lehta në bregdet dhe zonat e ulëta por pritet grumbullim i vranësirave ne zonat malore përgjatë kufirit Lindor duke sjellë rrebeshe afat-shkurta shiu.

Gjatë natës do të këtë përmirësim të motit duke bërë që i gjithë territori të jetë i kthjellët.

Temperaturat e ajrit do të ulen lehtë në mëngjes, por mbeten kostante në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 15°C deri në 39°C.

Era do te fryjë mesatarisht me shpejtesi 30 km/h nga drejtimi Jugor duke krijuar ne det dallgëzim 1 – 2 balle. / KultPlus.com

Shaqir Hoti – katalisti që nxiti promovimin e librit “Mes kërshërisë dhe dashurisë për muzikën”

Në kuadër të Festivalit Dam, mbrëmë u jetësua figura e multiinstrumentistit Shaqir Hoti, i cili me interpretimin muzikor dhe kompozimin e krijimeve të muzikës tradicionale shqiptare, ndërtoi skenën muzikore të Kosovës, duke krijuar kështu një identitet kulturor që do të mbahet mend për shndërrimin e instrumentit të Okarinës në jetë, shkruan KultPlus.

Në natën e katërt me radhë të këtij festivali në Kino Armatë është transmetuar dokumentari “Okarina e Runikut” si dhe është promovuar libri i autores Rreze Kryeziu-Breznica, “Mes kërshërisë dhe dashurisë për muzikën” në fjalët e Shaqir Hotit: Udhërrëfyes për ndërtimin dhe interpretimin e instrumenteve popullore frymore.

Shaqir Hoti me mjeshtërinë e tij në veglat muzikore ka lënë një trashëgimi të jo vetëm vlerave kulturore por edhe etnografike, e që këto vlera do të trashëgohen brez pas brezi. Me instrumentet e tij ai ka takuar frymën, ajrin dhe erën për të komunikuar me gjuhën e muzikës. Kjo figurë e jashtëzakonshme ka gdhendur një krijimtari të papërsëritshme që do të mbahet mend shumë gjatë.

Libri “Mes kërshërisë dhe dashurisë për muzikën” konsiderohet të jetë një pasqyrim i jashtëzakonshëm i veglave frymore muzikore popullore. Autorët e këtij udhëzuesi, njëri në rolin e muzikologut dhe tjetri si njohës dhe performues i jashtëzakonshëm i tyre, me anë të secilit instrument të zgjedhur në këtë botim sigurojnë një përmbledhje të ekuilibruar historike të filleve dhe zhvillimit të folklorit muzikor shqiptar. Ndërsa, e veçanta e këtij udhëzuesi mendohet të jetë prezantimi i detajuar i ndërtimit dhe përdorimit të instrumenteve, paralelisht duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë teknike të tyre, duke i reformuar e përsosur ato si evidentim i dinamizmit të cilin e posedon folklori muzikor në tërësi.

Diskutimi në hapësirën e Kino Armatës u zhvillua mes anëtarëve në panel si: autorja e librit, Rreze Kryeziu-Breznica, kompozitori Valton Beqiri, kompozitori Librun Jupolli dhe aktori Fatmir Spahiu.

Fillimisht, ishte kompozitori Valton Beqiri ai e cili nisi këtë diskutim duke theksuar karakteristikat e veçanta të Shaqir Hotit, e që sipas tij janë shumë të rralla. 

“Jam shumë i nderuar që sot kemi botimin e një kolege shumë energjike e cila shpresoj që do të vazhdojë me këtë ritëm dhe shpresoj që do të ketë edhe raste të tjera të promovimeve të punës dhe krijimtarisë artistike dhe shkencore të jetës. Në historinë tonë muzikore njihen shumë njerëz të cilët kanë qenë të njohur si kompozitorë, instrumentistë, interpretues por janë të rrallë njerëzit të cilët kanë deshifruar shumë gjëra. Mendoj që përveç këtyre karakteristikave, baca Shaqë ka edhe një vlerë më të madhe sepse ka qenë edhe ndërtues i instrumenteve. Pra, ka qenë një njeri i cili përveç njohurive që i ka pasur e dashurisë ndaj muzikës, ka tentuar që ato t’i interpretojë në natyrën sa më autoktone”, thotë Beqiri.

Sipas tij, Shaqir Hoti ka trajtuar veprat dhe përpunimet si komponentë universal dhe gjithmonë i ka veçuar komponentët e folklorit si dhe ato më të vlefshmet të trashëgimisë tonë kulturore.

“Pothuajse të gjithë popujt në botë kanë trashëguar instrumente primitive muzikore të cilat i kanë dhënë rëndësi muzikës. Kanë qenë të paktë instrumentistët të cilët janë marrë me punën e instrumenteve frymore. Me këtë rast e shohim vlerën e madhe që ka pasur puna e bacës Shaqë, dhe kjo vlerë është edhe më e jashtëzakonshme dhe më e veçantë. Ai ka përdorur materiale origjinale me prodhimin e instrumenteve muzikore të cilat pak a shumë japin informatë rreth historisë sonë dhe tingujt autokton. Njëherazi ai ka eksperimentuar edhe me materiale të ndryshme duke marrë përveç argjilës, edhe drurin e tjera materiale, për të pasur një gamë sa më të madhe të ngjyrave të përfituara nga instrumente të ndryshme”, thotë ai.

Ai tutje përmend edhe imagjinatën e jashtëzakonshme të Shaqir Hotit, nëpërmjet së cilës ai ka krijuar dhe dizajnuar forma dhe modele të ndryshme të instrumenteve, duke fituar kështu tinguj unik me secilin instrument.

“I gjithë ky kontribut nuk mbetet i harruar, por mbetet një histori e çmuar e model i dashurisë për artin dhe për vlerat muzikore. Me përmbledhjen e intervistave dhe rrëfimeve të bacës Shaqë në këtë libër, përvoja e tij personale në rrugëtimin e instrumenteve muzikore me prova, me fakte, me shënime të sakta, do të mbetet e evidentuar dhe e mbrojtur përmes këtij libri që do të mbetet si një udhëzues jo vetëm për të gjithë të interesuarit për punimin e veprave muzikore por edhe për të gjithë muzicientët dhe artdashësit”, përfundon Beqiri.

Kurse, kompozitori Liburn Jupolli ka cilësuar Shaqir Hotin si një katalist i cili nxit botime të reja vazhdimisht.

“Trashëgimitë që janë lënë pas nga Shaqir Hoti janë masive. Janë mbi 2000 instrumente dhe mbi 11 lloje të ndryshme të Okarinave të formateve të ndryshme, pra ne e shohim një lloj ruajtje të flakës sepse ai nuk është mjaftuar me gjetjen e Okarinës dhe sjelljen e versionit që e ka parë në ekzemplarë të ndryshëm, por ai ka vazhduar t’i zhvillojë ato. E njëjta ka ndodh edhe me fyejt e ndryshëm me të cilat ka punuar dhe të cilat ai i ka në numër të ndryshëm që i ka zhvilluar. Pra, unë kam menduar shumë gjatë dhe vazhdoj të mendoj për Shaqir Hotin dhe punën e tij”, thotë Jupolli.

Sipas tij, Shaqir Hoti është katalist.

“Shaqir Hoti është një personalitet i cili në mesin e të gjithë krijimtarisë që e kemi në folklor, personaliteti i tij katalizon edhe nxit njerëz të tjerë. Ai nxit botime të reja pa ndalë. Kjo pa dyshim nuk është botimi i fundit që do të bëhet për Shaqir Hotin”, përfundon ai.

Ai tutje thotë se është me rëndësi që të dallohen këto lloje të personaliteteve që janë në krejt skenën tonë muzikore dhe artistike sepse puna e këtyre njerëzve konsiderohet si anomali, për shkak se vazhdon pavarësisht vdekjes së tyre.

Gjithashtu, autorja e këtij libri, Rreze Kryeziu-Breznica ka përmendur faktin se ky botim i dedikohet personalitetit të jashtëzakonshëm të Shaqir Hotit.

“Është padyshim që është një kënaqësi e madhe për mua që sonte të jam bashkëautore në këtë promovim. Ajo se çka fillimisht mund të them është se në këtë karrierën time të vogël, ky ishte një nga proceset më të bukura që kam realizuar ndonjëherë deri më sot. Botimin të cilin sot po e promovojmë nuk është vetëm promovim ose pasqyrim i detajuar i instrumenteve popullore frymore, por po ashtu ky botim i dedikohet një personaliteti të jashtëzakonshëm i cili dallohej si interpretues, punues, hulumtues i veglave muzikore dhe krijues, duke u shndërruar kështu në një fenomen të papërsëritshëm për ne”, thotë Kryeziu-Breznica.

Sipas saj, ishte një rrugëtim i gjatë e aspak i lehtë dhe padyshim që ajo nuk do të ia dilte pa ndihmën e mbështetjen që e ka fituar kur edhe është iniciuar në fillim ky proces.

Ndërkaq, aktori Fatmir Spahiu në rolin e producentit ka folur rreth krijimit të filmit dokumentar “Okarina e Runikut” nën regjinë e Genc Berishës, me skenar të Seadet Beqirit. Ky film dokumentar pati ardhur premierë në një vjetorin e vdekjes të Shaqir Hotit.

“Për mua ka qenë me të vërtetë një privilegj që më ka ardhur kështu papritmas që të merrem fillimisht me realizmin e një dokumentari mbi njohjen e artefakteve më të rëndësishme e që për publikun e gjerë e sidomos për komunitetin artistik muzikor, në vëmendje e ka sjell Shaqir Hoti. Pra, dokumentari është i menduar për këtë artefakt të rëndësishëm por natyrisht që ky të vihet në pah, do të ishte e pamundur pa shfaqjen dhe paraqitjen e bacës Shaqë”, thotë Spahiu.

Sipas tij, ky është një dokumentar me një buxhet jashtëzakonisht modest por me përmbajtje të një dashurie të madhe.

“Ajo se çka vlen të theksohet është fakti se xhirimi i këtij dokumentari ka zgjatur diku rreth mbi dhjetë viteve. Pra ka pamje nga një punëtori e vjetër e bacës Shaqë dhe ka intervista që janë realizuar kohëve të fundit. Për nga përmbajtja, dokumentari ka një jetëgjatësi dhe një narrativë interesante në krahasim me dokumentarë të tjerë. Personalisht do të dëshiroja që edhe unë në cilësinë e producentit por edhe gjithë akterëve të tjerë, që këtë dokumentar ta trajtojmë si një lloj hyrjeje në një dokumentim më të gjatë e më të madh edhe të punës të bacës Shaqë por edhe të një lufte për të kërkuar artefakte tona e sidomos ato që na bëjnë krenar”, thotë ai.

Ai tutje tregon se gjithmonë ka pasur një dëshirë të madhe që ai të bashkëbisedoj me bacën Shaqë, përmes profesorëve të tjerë.

“Ka qenë e pashmangshme të mos e njoh bacën Shaqë por gjithmonë kur i kam parë intervista e dokumentarë të tjerë, kam pas përshtypjen që instrumentet e tij kanë një aheng të tyre sepse kur i shpjegonte vetë baca Shaqë, të krijohej përshtypja se ato kanë jetë dhe me mbylljen e derës dhe fikjen e dritave, fillon një jetë e tyre”, përfundon Spahiu.

Okarina është instrumenti i vetëm muzikor i periudhës së neolitit, i zbuluar në regjion. Përmes këtij dokumentari konsiderohet se pasqyrohen vlerat arkeologjike, muzikore dhe artistike të këtij instrumenti dhe njëherësh pasqyrohet pasioni i instrumentistit Shaqir Hotit dhe përkushtimi i tij në studimin dhe ndërtimin e Okarinës. Puna e tij riktheu interesimin e të rinjve dhe opinionit për vlerat e këtij instrumenti si dhe sensibilizoi shoqërinë për rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë sonë kulturore dhe shpirtërore. Ky instrument, së bashku me shumë artefakte tjera ende nuk janë kthyer në territorin e shtetit të origjinës – Kosovës.

Libri “Mes kërshërisë dhe dashurisë për muzikën” është botimi i parë i shtëpisë botuese “Kukuzeli”, shtëpi kjo që do të merret ekskluzivisht me botimin e literaturës muzikore. / KultPlus.com

Sot varroset poeti Xhevdet Bajraj

Komuna e Rahovecit ka njoftuar sot, se varrimi i poetit Xhevdet Bajraj, i cili vdiq në javën e kaluar, do të bëhet të enjten e 30 qershorit.

Përpara ceremonisë së varrimit në ora 14:00, komuna ka organizuar homazhe në Shtëpinë e Kulturës “Mensur Zybera” në orën 14:00 dhe mbledhje komemorative në Shtëpinë e Kulturës në orën 15:00.

Ndërkaq, pas varrimit në kafenenë “Hardhia” do të mbahet një orë poetike me krijimtarinë letrarë të poetit Xhevdet Bajraj.

Njoftimi i plotë:

Sot mbahet ceremonia mortore për producenten Vjosa Berisha

Pas një sëmundje të rëndë, më datë 23 qershor vdiq producentja e njohur kosovare, Vjosa Berisha.

Bashkëshorti i saj, Fatos Berisha, ka njoftuar se sot do të mbahet ceremonia mortore.

“Informojmë të gjithë familjarët, miqtë dhe opinionin publik për ceremoninë mortore të së dashurës sonë Vjosa Berisha:

E enjte, 30 qershor

14:00-15:00h homazh në Teatrin Kombëtar të Kosovës (foajea e TKK);

15:00-16:00h Mbledhja komemorative në Teatrin Kombëtar, organizuar nga Ministria e Kulturës (salla e madhe e TKK);

17:00h Varrimi, në varrezat e Prishtinës (Arberi).

E pamja

datat 1,2,3 korrik (e premte – diele) në Hotel Grand , Prishtinë (kati 1)

nga 11:00-18:00h”, ka shkruar Berisha. / KultPlus.com

Natë dhëndërie me Fatimen

Poezi nga Teki Dervishi

ecim këmbëzbathur shkretëtirës së trupit tim
çdo gjë po ndryshket kurse koha mbetet e njomë
nga pikëllimi shputat e këmbëve më zvogëlohen
trupi im ka vdekur prej kërdhokullave e deri në kokë
Fatimja edhe pak do të rrijë para pasqyrës
me ngjyrat e saj erëmira të fytyrës
kurse unë do t’ia prek vetëm gjunjtë
me fjalët persishte të dashurisë sime
dashuria ime është dëllinjë e hedhur
në një zjarr të madh diku në Indi
ku trupi i hipikes digjet / KultPlus.com

Rrëfimet për kthimin e eshtrave të Vaso Pashës në Shkodër dhe aventura shqiptare e një gazetari nga Libani

Nga Avni Dani

Ai kishte jetuar si një Pasha e qeveritar osman i fesë katolike. Kishte ndërruar jetë shumë larg vendit që e deshi aq shumë, e për të cilin pati shkruar një nga poezitë aq të bukura, saqë nuk kishte asnjë bashkëkombas që të mos e dinte. Fati i kishte rezervuar Vaso Pashës, 86 vjet pas vdekjes që të kthehej në vendlindje në një “varr pa kryq”. Në 100 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit regjimi i kohës, pas shumë përpjekjesh e peripecishë, do ta kthente “atin e shqiptarizmës” në Shkodër, aty ku kishte lindur, duke e rivarrosur sipas mënyrës së vet.

Në dy rrëfimet e mëposhtme tregohet aventuar e kthimit të eshtrave të Vaso Pashës në Atdhe, në vitin e largët 1978. Protagonistët e rrefimeve janë një diplomat shqiptar dhe një gazetar nga Libani. Dalan Buxheli e ka treguar ngjarjen në një intervistë të dhënë shumë vite më vonë për një gazetë shqiptare. Ndërsa Melhem Mubarak, e ka shkruar vetë historinë e kthimit të eshtrave në Buletini Katolik Shqiptar, që botohej në SHBA në vitet 80-90. 

1. RRËFIMI I PARË

Dalan Buxheli, ish-diplomat shqiptar në Egjipt

“Rikthimi i eshtrave të Pashko Vasës ka qenë një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit 1978 që përkonte me 100-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit. Asokohe kam qenë pjesë e misionit diplomatik të Shqipërisë në Egjipt, që mbulonte njëherazi Libanin, Arabinë Saudite, Algjerinë dhe një pjesë të vendeve të Afrikës. Operacioni për kthimin e eshtrave të Pashko Vasës, në të cilin bëja pjesë edhe unë, iu besua një grupi diplomatësh shqiptarë, që operonin në atë zonë të kontinentit të largët në pranverën e vitit 1978.

Shumë herë kishim qenë disa herë te vendvarrimi i Pashko Vasës, në varrezat osmane Hazmieh të Bejrutit. Vaso Pasha pushonte në një varr të përbashkët me të shoqen, Katerina Khanum. Vend varrimi i tyre në krye të varrezave dallohej që nga larg. Vendësit kishin ngritur mbi të një ndërtesë karakteristike dhe në çdo kohë çonin aty lule dhe qiri. Nderimet për Pashko Vasën prej tyre kishte të bënte me kontributet e tij për mëvetësinë dhe prosperitetin e Libanit. Në enciklopedinë libaneze njihet si figurë me kontribute të jashtëzakonshme për kohën. Në Bejrut, në pjesën perëndimore të tij, ishte ngritur një përmendore e lartë e Pashko Vasës.

E vërteta është se nga shteti shqiptar deri në vitin 1978 nuk ishte bërë asnjë përpjekje për riatdhesimin e eshtrave të tij, edhe pse artikulohej me të madh roli i Vasos si pjesë e Rilindjes Kombëtare. Në pranverën e vitit 1978, kam qenë zyrtari i parë shqiptar që kam trokitur te institucionet libaneze. Autoritet e Bejrutit në asnjë rrethanë nuk pranonin të na jepnin lejen e zhvarrimit. Krahas të tjerave, fakti që vendvarrimi i Vasos ishte vakëf, ishte pengesa kryesore. Na u desh disa kohë të negociojmë derisa morëm miratimin e tyre. 


Kur dështova disa herë me radhë në negociatat me zyrtarët vendës, vendosa t’i kërkoj ndihmë një mikut tim, gazetar i njohur jo vetëm në Liban, por edhe në Perëndim, që m’u përgjigj menjëherë dhe shfrytëzoi të gjitha njohjet për t’i hapur rrugë “operacionit shqiptar”, për kthimin e eshtrave të ish-guvernatorit të Libanit në Shqipëri. Ai ishte një mik i sinqertë i Shqipërisë dhe shqiptarëve, që e ndoqi operacionin për rikthimin e eshtrave të Pashko Vasës nga momenti i parë e deri te ceremonia e varrimit në Shkodër. E quanin Melhem Mobarak. Disa herë kisha vizituar shtëpinë e tij në Bejrut, ku kishte një bibliotekë të veçantë me 20 mijë libra shqip. E njihte mirë historinë e vendit tonë dhe interesohej vazhdimisht mbi të rejat nga Tirana. Mobarak me ndërhyrjen time vizitoi disa herë Shqipërinë dhe botoi një sërë shkrimesh lidhur me realitetin shqiptar. Ai u bë organizatori i ceremonisë së zhvilluar në Bejrut me rastin e riatdhesimit të eshtrave të Pashko Vasës. Aktiviteti filloi mëngjesin e 31 maj 1978. Eshtrat e Pashko Vasës dhe të familiarëve të tij, u vendosën në një podium të lartë, në krahët e të cilit bënin roje nderi ushtarët e gardës libaneze. Kishin ardhur me këtë rast një numër i madh qytetarësh dhe autoritetesh vendëse. Folën aty njerëz të ndryshëm. Fjalën kryesore e mbajti kreu i Komunitetit shqiptar në Bejrut, një emigrant i hershëm nga Gjirokastra me profesionin e bankierit, i cili i njihte zhvillimet në Shqipëri deri para luftës. Foli përfaqësuesi i qeverisë libaneze. Përshëndeti ambasadori i Turqisë në Bejrut. Në vazhdim e morën fjalën familjarët e Vasës dhe diplomatët tanë të rajonit. Tubimi vazhdoi rreth dy orë. Pashko Vasa rikthehej në vendlindje në Shkodër pas 86 vitesh. Në ditarin e tij Melhem Mobarak shkruan: “Fati qenka vërtet tekanjoz. Vaso Pashës që pati deklaruar se “feja e shqiptarit është shqiptaria”, nuk besoj t’i kishte shkuar ndër mend se ky slogan do të aplikohej te eshtrat e tij, pasi po merreshin nga një varrezë fetare për t’u varrosur në Shkodër te një varr pa kryq.”

2. RRËFIMI I DYTË

Kthimi i eshtrave të Pashko Vasës në Shkodër

Melhem M. Mobarak

Rruga nga Bejruti në Hazmieh kalon nëpër kodra të mbushura me limonë e portokalle dhe pemë të tjera që e mbushin peisazhin plot me ngjyra. Këtë 31 maj të vitit 1978, në varrezën e Hazmieh, e njohur edhe si varreza e Pashallarëve, zhvillohet një ceremoni zyrtare. Ambasadori shqiptar Sulejman Tomcini buzëqesh: pas 86 vitesh mërgim të imponuar, trupi i Pashko Vasa Shkodranit së bashku me atë të gruas së tij të dytë, Katerine dhe vajzës së tij Marie, së shpejti do të kthehen në vendin e tij të lindjes.

Më 1883, ky patriot i madh shqiptar, autori i poemës luftarake “Oh moj Shqypni”, u emërua guvernatori i katërt i Libanit, një post që mbahej për dhjetë vjet. Për të garantuar autonominë e Libanit dhe qytetarëve të tij të krishterë, shtatë Fuqitë e Mëdha (Perandoria Osmane, Franca, Anglia, Prusia, Austria, Rusia dhe Italia) kishin nënëshkruar një marrëveshje të posaçme që përcaktonte se guvernatori ose “mutesarifi” i Libanit duhej të ishte i krishterë katolik dhe me kombësi osmane.

Me njohuri të plota të gjuhës arabe, poeti i talentuar, intelektuali dhe poligloti Pashko Vasa, shërbeu në këtë post deri në vdekje të tij.

Edhe jeta e tij familjare gjithashtu qe e trishtuar. Pasi humbi gruan e tij të parë, pak para emërimit të tij në Liban, ai u martua me Katerine Bonatin, një grua e re greke. Kjo zonjë e përgjegjëshme u kujdes për vajzën e tij të vetme nga martesa e parë. Për fat të keq, tre ose katër vjet më vonë, Katerina vdiq nga kanceri. Ky pikëllim u pasua edhe nga tjetër humbje shumë e dhimbshme. Më 1887, vdes edhe vajza e tij e bukur, Marie.

Falë reputacionit politik të babait të saj, Maria ishte martuar me një manjat financiar armen me emrin Kupelian. Me lëvizjet e mençura të tij, si dhe metodave të paskrupullta financiare dhe ryshfeve, Kupeliani arriti të institucionalizojë mbretërinë e tij të vogël në Liban, gjatë gjithë kohës që vjehrri i tij ishte në pushtet.

Situata e shpjegueshme e dobësisë dhe vetmisë, pas vdekjes së gruas dhe vajzës së tij, bëri që Pashko Vasa ta gjente ngushëllimin te dhëndërri dhe dy vajzat e tij, duke ju dhënë atyre, natyrisht shumë dashuri prej babai e gjyshi. Duke shfrytëzuar këtë dobësi Kupelian, dhëndrri i Pashait, e shtriu mashtrimin dhe korrupsionin në të gjitha nivelet e administratës.

Pavarësisht këtij dështimi, gjatë qeverisjes së guvernatorit Pashko Vasa, Libani gëzoi paqe, përparim ekonomik dhe zhvillim artistik. U ndërtuan disa rrjete të mëdha rrugore dhe ura. U ndërtuan shumë ndërtesa të rëndësishme qeveritare dhe spitale. Guvernatori gjithashtu ndërtoi Shtypshkronjën Shtetërore dhe inkurajoi gërmimet arkeologjike. Një herë, siç shkruan një gazetë franceze, shkoi në ceremonitë e organizuara nga studentët e kolegjit jezuit në ditën e tyre të diplomimit.

Shumë pak i njohur është fakti se Ismail Qemali, babai i pavarësisë shqiptare, u emërua Veli i Bejrutit më 1891. Pashko Vasa i kalonte dimrat e tij në atë qytet, dhe sigurisht që ata u takuan shpesh atje. Në atë kohë, me insistimin e mikut të tij Monsignor Piavi, Pashko Vasa, për të lehtësuar vetminë, ra dakord të martohej me një grua të re franceze, e cila kishte qenë kujdestarja e dy mbesave të tij. Ajo i dha atij dy djem, më i madhi prej të cilëve u quajt Mikel.

Në qershor të vitit 1892, Pashko Vasa vdes, një vit përpara përfundimit të mandatit të tij dhjetëvjeçar si Guvernator i Libanit. Akush më mirë se Ismail Qemali, me një rrëfim disi të çuditshëm, nuk i ka përshkruar ditët e fundit të jetës së Pashko Vasës.

“Gjatë qëndrimit tim në Bejrut, bashkëatdhetari im, Pashko Vasa, Guvernatori i Libanit, vdiq. Ai vuante nga probleme të zemrës dhe gjendja e tij u përkeqësua shpejt, duke mos lënë hapësirë për shpresë. Meqë funksioni i Guvernatorit të Libanit ishte i rëndësishëm, dhe meqë mund të kishte shumë probleme lokale nëse ai post mbetej vakant, mendova se më së miri, pasi u këshillova më parë me mjekun, ti shkruaja rreth këtyre fakteve Portës së Lartë. Për habinë time, Veziri i Madh, në vend që ta trajtonte komunikimin tim si konfidencial, u lidh me Pashko Vasën, duke e pyetur se si ishte me shëndet, dhe pastaj më informoi se ai kishte marrë një përgjigje nga Guvernatori që i kishte thënë se po përmirësohej! Një ose dy ditë më vonë, ai vdiq. Porta më besoi qeverisjen e përkohshme të krahinës së Libanit, në drejtimin e Këshillit Administrativ. Por meqenëse Këshilli përbëhej nga presidenti dhe dhjetë anëtarë, në mesin e tyre u krijua një konflikt i cili i bllokoi efektivisht të gjitha vendimet administrative. Më kërkuan të ndërmjetësoja, dhe më pas arrita në një formulë të kënaqshme për të dyja palët”.


Funerali u bë në Kishën e Kapelës në Bejrut dhe trupi i tij u vendos në varrezat fetare në Hazmieh. Ky fshat i vogël, nën diellin mesdhetar dhe mes pemëve të ullirit dhe qiparisëve, që të kujtonte peizazhin shqiptar, qe një vend pushimi për të.

Kohët rrodhën…

Në vitin 1967, përpjekjet e para për kthimin e trupit të Pashko Vasës në Shqipëri, i ka bërë Dalan Buxheli (në atë kohë atasheu tregtar i Shqipërisë në Kajro). Në atë kohë, një urdhër administrativ, i lëshuar bazuar në rregulloren e varrezës “Vakëf” në Hazmieh, e bllokoi kërkesën e tij. Për më tepër, në atë kohë Libani nuk kishte marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë.


Në vitin 1978, me rastin e 100 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, qeveria shqiptare vendos t’u drejtohet autoriteteve libaneze edhe një herë, me një kërkesë për të kthyer eshtrat e Vaso Pashës në Atdheun e tij. Gjatë vizitës sime të parë në Shqipëri, në mars të vitit 1978, dy profesorët, Aleks Buda dhe Vehbi Bala, më pyetën nëse unë mund të ndihmoja në këtë çështje. Pas kthimit tim në Liban, u takova me ministrin e Punëve të Jashtme, Fouad Boutros. Ai më premtoi se sapo të arrijë kërkesa zyrtare shqiptare do të merrte hapat e nevojshëm për të shkurtuar burokracitë dhe për të dhënë përgjigje pozitive për kërkesën shqiptare.

Më pas, Sulejman Tomcini paraqiti letrat e tij kredenciale në maj të vitit 1978. Unë e ndihmoja atë në të gjitha hapat që çuan në kthimin përfundimtar të eshtrave të Vaso Pashës në Shqipëri. Dhe më 31 maj ishim në ceremoninë zyrtare që u zhvillua në varrezën në Hazmieh.

Një trupë oficerësh bëri nderimet ushtarake para tre arkivoleve të mbuluar me copë të bardhë. Autoritete të larta vendase ishin aty të pranishëm mes të cilëve : Y. Rassy, Mohafez i Libanit, Koloneli Dargham nga Komanda e Lartë e Ushtrisë, G. Kassouf nga ministria e Punëve të Jashtme, G. Feghali, Kryetari i Hazmieh dhe O. Arghit, përfaqësuesi turk për punë të jashtme. Pjesëtarë të familjes së Pashko Vasës ishin gjithashtu pjesëmarrës në ceremoni. U mbajtën disa fjalime të rastit dhe në fund u kryen të gjithë rite e ceremonisë. Tre arkivolet u nisën në rrugë ajrore për në Shqipëri po atë ditë.

Epilogu i kësaj historie ndodhi disa ditë më vonë kur mora një telegram nga Sulejman Tomcini në Tiranë. Ai më kërkonte datat e sakta të lindjes dhe vdekjes së bashkëshortes dhe vajzës së Pashko Vasës, me qëllim që ti varrosnin në varrezat kombëtare të dëshmorëve të Shkodrës. Fati është i çuditshëm. A thua ta kishte menduar Pashko Vasa, i cili shkroi vargun e famshëm: “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, se një ditë kjo do të zbatohej simbolikisht edhe me eshtrat e tij, të zhvarrosura nga një varrezë fetare në Liban dhe të vendosura në një varrezë pa kryq në Shqipëri?

3. AVENTURA SHQIPTARE E GAZETARIT NGA LIBANI

Po kush ishte gazetari që jo vetëm e kishte mundësuar kthimin e eshtrave të Pashko Vasës, por edhe e kishte ndjekur atë deri në vendlindje? Informacionin e mëposhtëm e rrëfen përsëri diplomati shqiptar Dalan Buxheli:

Melhem Mobaraku ishte djali i vetëm i dy diplomatëve libanezë nga Bejruti. Pas diplomimit në gazetari, ishte bërë i njohur jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij. La vendlindjen në pikun e luftës midis kristianëve dhe myslimanëve, dhe u vendos në Montreal, Kanada. Dinte shqip, i sjellshëm dhe dashamirës në komunikim. Në Bejrut kishte organizuar një komunitet të zgjeruar me emigrantë shqiptarë. Me shoqatat e tyre herë pas here zhvillonte veprimtari për promovimin e traditave të popullit tonë. Diku aty nga fundi i viteve ’60, Mobarak udhëtoi drejt Tiranës. Ishte interesuar të vizitonte vendlindjen e Pashko Vasës, madje ishte ngjitur deri në Kelmend. Kur u kthye, shkroi në shtypin vendës për mbresat nga Shqipëria. Duke sjellë mbresat nga Veriu i Shqipërisë, shprehej :

Në vendin e shqiponjave, Zoti nuk ekziston më. Në Bogë dhe në Theth vetëm dhitë gërziten akoma rreth kishave të vogla gërmadha, të rrethuara nga gardhe e varreza të braktisura, me kryqe të thyer rrëzuar përtokë”.

Për Mobarak, ateizmi shqiptar ishte diçka absurde dhe, si i tillë, ishte i pakonceptueshëm. Ai vizitoi edhe dy herë të tjera vendin tonë dhe eksploroi më tej në hapësirat shqiptare. Bëri të tjera shkrime, duke u përpjekur të shmangë disi temën e besimit fetar. Në vizitën e radhës që do bënte në Shqipëri, synonte të takohej me Enver Hoxhën. Kur erdhi në Tiranë, bëri kërkesë zyrtare, por nuk ia miratuan. Me sa duket, dikush shprehu dyshime për të si gazetar i vënë nga qarqe antishqiptare dhe nuk e lejuan të kontaktonte me Enverin. I mërzitur nga përgjigjia e autoriteteve, Mobarak provoi të futej fshehtas në Bllok, por aventura rezultoi e pasuksesshme. Madje, kjo përpjekje e marrë i kushtoi shtrenjtë. I prangosur fare pranë vilës së Enverit, përfundoi në birucat e policisë dhe aty iu nënshtrua për ditë me radhë pyetjeve pa fund, për të cilat thoshte se kishin qenë brutale dhe të pakuptimta. Në fillimin e viteve 90 erdhi sërish në Tiranë. Shkoi në Shkodër e vizitoi vendvarrimin e Pashko Vasës.” / KultPlus.com

https://www.darsiani.com/krahina-e-matit/avni-dani/o-moj-shqypni-e-mjera-shqypni-rrefimet-per-kthimin-e-eshtrave-te-vaso-pashes-ne-shkoder-dhe-aventura-shqiptare-e-nje-gazetari-nga-libani/

Teki Dervishi, një shkollë e nxënë jashtë librave

(Fjalë e mbajtur të premten në Shkup me rastin e tetë vjetorit të shkuarjes në amshim të shkrimtarit Teki Dërvishi)

Nëse në Britani ekziston si model  katedra e Shekspirologjisë, e pakta që mund të bëhet në sistemin tonë arsimor, kulturor e mediatik, është përfshirja si objekt studimi i veprës së Teki Dërvishit, njërit prej kodifikuesve të rrallë të shenjëzimit letrar, duke filluar që nga tregimet e para të botuara në revistën ‘Jeta e re’, në fillim të viteve 60, që drejtohej nga Esad Mekuli, ku bënte pjesë edhe tregimi ‘Sania’ , e deri te krijimet fundit, të shpërndara nëpër gazeta e revista në dhjetëvjetëshin e fundit para se të ndërronte jetë, më 29 qetshor 2011.

Emin AZEMI

Të gjithë studiuesit e letërsisë, por edhe lexuesit e vëmendshëm të veprës së Teki Dërvishit, janë shoqëruar me jo pak dilema para se t’iu kenë qasur këtij shkrimtari, sa origjinal,po aq edhe kompleks, sa modernist,  po aq edhe eksperimental. Teki Dërvishi është  ndër shkrimtarët e rrallë të letërsisë sonë që ka mbetur jo vetëm i pastudiuar, por për rrjedhojë, statusi i tij si individualitet krijues nuk e ka zënë vendin e merituar në sistemin  e përgjithshëm valorizues të universit tonë letrar, por edhe në njohjen e meritave që ai pati në mbajtjen gjallë të rezistencës intelektuale e protestës  krijuese kundrejt sistemeve antikombëtare e akulturuese.

Teki Dërvishi erdhi si fenomen krijues dhe mbetet i tillë për shumë arsye, sepse ai nuk ishte shkrimtar mode, ndonëse nuk ishte demode, ai nuk shkroi që t’i përshtatet kohës, ndonëse nuk ishte  jashtë kohe, ai nuk i takonte oborrit letrar, por vepra e tij theu shumë gardhiqe që i kishte vendosur kritika zyrtare dhe fryma letrare e poltronëve oborrtarë…

Në vitin 1981 Teki Dërvishin e larguan nga Flaka e Vëllazërimit, sepse refuzoi të shkruante kundër Ismail Kadaresë, që i bie se ai refuzoi të del kundër vetvetes dhe po të vepronte ndryshe ai nuk do të ishte më Teki Dërvishi. Ishte po ai që i takonte Grupit të Demaçit, si përfaqësues i Rrafshit të Dukagjinit dhe i dënuar si 17 vjeçar me burg të rëndë në ishullin famkeq të Goli Otokut, , që njihej si Alkatrazi i Jugosllavisë së atëhershme, ku vuajtën dënime shumë disidentë të kohës. Kjo ishte edhe një shkollë për T. Dërvishin të cilën ai kishte arritur ta nxëjë jashtë librave, që më vonë ai vet do të bëhej një shkollë për të tjerët e nxënë jashtë librave, por edhe një aksiomë jetësore që e kishte mësuar nga Dush Kusari që ‘kurrë të mos i takonte shumicës’. Ishte po ai i cili veproi gjithmonë sipas dellit të krijuesit e njeriut vertikal që udhën e nisur e përfundonte atje ku i thoshte ndërgjegjja.

Dhe ndërgjegjja e Teki Dërvishit ishte baraz me fuqinë krijuese për t’i bërë një radiografi poetike shtëpisë së sëmurë, e cila po lëngonte mbi gërmadhat e një ngrehine qe herët a vonë duhej rrënuar, por, edhe si i varun me vargje për drurin e blertë, ai arriti ta ruajë pastërtinë e poezisë nga klishetë e socrealizmit dhe skemave të mërzitshme të një letërsie me patos social dhe me avangardizëm të shpifur. (me vëllimet poetike Nimfa 1970, I Varun me Vargje për drunin e blertë 1971, Shtëpia e Sëmurë 1978,  Thashë 1981.  Ai, madje, siç do të vëjë në dukje njëri prej njohësve më të spikatur të veprës së këtij shkrimtari, prof. Nehas Sopaj, sipas të cilit Teki Dërvishi jo vetëm që ishte kompleks për nga natyra dhe veçantia e shkrimit, por edhe për faktin se  “ai, krahas Marin Camajt dhe Beqir Musliut ,në letërsinë tonë bashkëkohore është një ndër shkrimtarët më produktivë dhe vepra e tij shënon shkollë shkrimi më vete ku autorin e shohim shumë pjellor duke lëruar tri gjinitë letrare paralelisht: poezi, prozë dhe dramë dhe është vështirë të kuptohet pesha dhe rëndësia e veprës së tij nëse lexohet parcialisht, pra nëse lexohet vetëm si poet, si prozator apo si dramaturg. Por, edhe të lexuarit në tërësi të veprës së tij është i vështirë, sepse problem numër një për receptim paraqet mosnjohja e domosdoshme e kodeve të shkrimit të autorit”.

Të rrallë janë shkrimtarët në letërsinë tonë që sistemin e ideve dhe konceptin estetik e kishin të mishëruar si një tërësi në vetë natyrën e krijimit, ose siç do të shprehet një studiues tjetër meritor i veprës së Teki Dërvishit,  Ramadan Musliu  sipas të cilit “Teki Dërvishi  arriti të krijojë një opus letrar në të cilin hetohet një sistem idesh, një koncept unik estetik, një vetëdije krijuese, e cila kur vështrohet në të gjitha planet, del  si një artist në rolin e demiurgut, ai që arrin të krijojë një univers artistik”.

Brezi i shkrimtarëve që erdhi bashkë me Teki Dërvishin, siç ishin Beqir Musliu, Musa Ramadani, Ymer Shkreli, Xhabir Ahmeti, Resul Shabani, Nexhmedin Soba e ndonjë tjetër, ishte fryma që po thyente një traditë shkrimi, por edhe brezi i shkrimtarëve që arritën të bëjnë kalime të pahetueshme nga zhanri në zhanër duke qenë të suksesshëm në çdo njërin prej tyre.

I tillë ishte edhe Teki Dërvishi, i cili madje edhe kur shkruante prozë, shkrinte elemente të tjera të natyrës shkrimore, (duke filluar nga vëllimi me tregime ‘Etje dhe borë’) dhe siç do të vërejë edhe  studiuesi Ibrahim Rugova teksa analizonte romanin ‘Pirgu i lartë’ që  e konsideronte një prurje të re në letërsinë shqipe për kohën kur u botua (1972) , sidomos sa i përket funksionit të poezisë në roman. Kjo strukturë novatore e të rrëfyerit mbase do ta bëjë ‘Pirgun e lartë’ romanin e parë lirik në letërsinë shqipe, për të vazhduar me një tjetër observim narrativ përmes romanit ‘Herezia e Dërvish Mallutës’’, në të cilin Teki Dërvishi tematizon herezinë e raportit në mes të individit dhe rrethit dhe  thellësinë e paradoksalitetit të keqkuptimeve në këto raporte, ku Dervish Malluta prish kanonet të cilave është dashur t’iu përmbahet.

Se Teki Dërvishi është një shkrimtar që kapërcimin e fakturës shkrimore nga një zhanër në zhanrin tjetër e bën me sukses, por edhe me pasion eksperimental,  pa rënë në grackën e eklektizmit të tepruar stilistik, dëshmon edhe përkushtimi i tij ndaj dramaturgjisë, që dikush prej miqve dhe krijuesve e pat quajtur ‘Shekspiri shqiptar’,  përmes dramave: Zbutësi i njerëzve me sy prej zymrydi, Bregu i Pikëllimit, Pranvera e Librave, Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit, Kufiri me atdhe, Mbreti i lirë,   Vojceku, Eshtrat që vinë vonë, Nesër nisemi për Parajsë, 1999, Ku është Populli?.

Në gjithë këtë opus dramatik, ai kulmin e arriti me ‘Bregu i pikëllimit’, një cikël prej nëntë njësish dramaturgjike, të cilat edhe po të lexohen dhe të luhen veç e veç, mund të funksionojnë si mëvetësi kuptimore, pa e prishur tërësinë e integralitetit, ndonëse në skenat e Teatrit, sidomos realizimi në Teatrin Kombëtar të Prishtinës, me regjisorin Vladimir Milçin, Bregu i Pikëllimit, jo vetëm që po e freskonte tempullin e Talisë me një prurje tepër të komplekse e të guximshme, por po i jepte Teatrit shqiptar një ritëm të ri zhvillimi, një dinamikë që kishte filluar ta humbë në kohën kur kjo  dramë u vu në skenën e Prishtinës në fillim të nëntëdhjetave. Përmes Bregut të pikëllimit Teki Dërsvishi bëri konfigurimin skenik të një udhëtimi të dyzuar mitik e real të njeriut, i cili , siç ndodhte edhe me Itakën e Odisës, ashtu Suka e Cërmjanit ishte për Udhësin Lojëtar sizmologjia e gjendjeve shpirtërore, që duhej të kalonte nëpër nëntë rrathë, që ishin nëntë shtresa të sprovës njerëzore, por edhe nëntë hallka të vetëpërcaktimit moral të individit në kontekst të xhunglës sociale e psikologjike që e rrethonte.

Teki Dërvishi erudit e shkrimtar, estet e publicist, eksperimentues  e postmodernist, i cili kurrë nuk parapëlqeu t’i takonte shumicës, mbetet pengu më i madh i i një misioni të papërfunduar i botuesve, studiuesve e përgjithësisht lexuesve, sepse njohja më cilësore  me këtë shkrimtar tash e në të ardhmen nuk mund të bëhet pa një ridefinim të statusit të tij në letrat tona dhe kjo uk mund të bëhet pa u botuar e plotë vepra e tij, në poezi, prozë, dramë, ese, kritikë (letrare dhe teatrore), publicistikë, dhe pa u studiuar me themel sistemi estetik e shkrimor i kësaj vepre.

Nëse në Britani ekziston si model  katedra e Shekspirologjisë, e pakta që mund të bëhet në sistemin tonë arsimor, kulturor e mediatik, është përfshirja si objekt studimi i veprës së Teki Dërvishit, njërit prej kodifikuesve të rrallë të shenjëzimit letrar, duke filluar që nga tregimet e para të botuara në revistën ‘Jeta e re’, në fillim të viteve 60, që drejtohej nga Esad Mekuli, ku bënte pjesë edhe tregimi ‘Sania’ , e deri te krijimet fundit, të shpërndara nëpër gazeta e revista në dhjetëvjetëshin e fundit para se të ndërronte jetë, më 29 qetshor 2011.

Qofshin të përjetshëm emri dhe vepra eTeki Dërvishit! / KultPlus.com

‘Alfabetarja e gjuhës shqipe’ dhe kontributi i Jani Vretos, Sami Frashërit e Pashko Vasës

“Alfabetarja e gjuhës shqipe” u botua me nismën e Sami Frashërit, Jani Vretos e Pashko Vasës, në Stamboll më 27 shkurt 1879.

Për ta kuptuar rëndësinë e këtij botimi, duhet të kthehemi pas në kohë e në histori. Kujtojmë se shqipja, me sa dokumentohet deri tani, filloi të shkruhet që nga shekulli XV me alfabetin latin, të plotësuar me pesë shkronja të posaçme. U shkrua dhe me shkronja greke e, pas pushtimit turk, edhe me alfabetin turk-arab.  Rruga tjetër që u ndoq, është ajo e krijimit të alfabeteve origjinale me përhapje të kufizuar.

Që në fillimet e lëvizjes për çlirim nga Turqia, çështja e alfabetit doli në plan të parë: pa të nuk mund të flitej për Rilindje të popullit shqiptar.  Prandaj me nismën e Sami Frashërit, Jani Vretos e Pashko Vasës, më 27 shkurt 1879 u botua në Stamboll “Alfabetarja e gjuhës shqipe“. Ishte një nga veprimtaritë më të rëndësishme të patriotëve shqiptarë të Stambollit, të cilët më 12 tetor 1879 themeluan “Shoqërinë e të Shtypurit të Shkronjave Shqip”, shoqëri kulturore, që kishte për synim të nxiste zhvillimin e kulturës në gjuhën shqipe dhe ta vinte atë në shërbim të çështjes së çlirimit kombëtar nga Turqia. Me alfabetin, plotësonte një nga kërkesat bazë për përhapjen e propagandës atdhetare dhe i hapte rrugën botimeve të para serioze të Rilindjes sonë Kombëtare.

Libri “AΛFABETARE E GLÚHESE ΣQIP” është përgatitur,pra, nga Shemsudin Sami Frashëri, Jani Vreto, Pashko Vasa etj., dhe është botuar në Stamboll më 1879. Një kopje e librit, me kapakë kadife të kuqe të shkruar me shkronja ari, i është dhuruar Sulltan Abdyl Hamitit II, i cili ka ditur të flasë shqip.

“Alfabetarja e gluhësë shqip”, botuar vetëm pak muaj pas miratimit të alfabetit të Stambollit, është një vepër kolektive. Në të janë përfshirë shkrimet e Sami Frashërit: “Gjuha Shqip” dhe “Dheshkronjë”; të Jani Vretos: “Udhë e të shkruarit të gjuhësë Shqip”, “Për Gjithëçishtënë dhe për Zon’e jetësë edhe për Njerinë, botën’ e vogëlë”, “Numerëmësonjë”; të Pashko Vasës: “Shqypnija e Shqyptârt”, të Koto Hoxhit: “Porosit’ e Tovitit mbë të birë”.  Siç shihet nga përmbajtja, “Alfabetares së gjuhës shqipe” nuk është thjesht një tekst abetareje. Përveç abetares në të përfshihen edhe lëndë të tjera si: gramatikë, histori, aritmetikë, edukatë shoqërore dhe morale.

Në gjirin e saj, siç u përmend, bashkëpunuan ngushtësisht myslimanë të mëdhenj si vëllezërit Frashëri, katolikë të shquar, si Pashko Vasë Shkodrani e ortodoksë të mësuar e atdhetarë si Jani Vreto: ishte pra model i bashkëpunimit ndërmjet feve në shërbim të Atdheut. Vlerat e kësaj abetareje, që me të drejtë është quajtur “një vepër themelvënëse”, janë të gjera dhe të shumanshme. Kjo vepër përbën një prej gurëve themeltarë në proçesin ripërtëritës dhe ripërcaktues të gjuhësisë shqiptare.

Në “Alfabetare…” trajtohen disa nga problemet më themelore të kohës, në plane të ndryshme: politik, idelogjik, kulturor dhe arsimor që kishte shtruar për zgjidhje Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Ky tekst, si rrallë ndonjë tjetër, shkon në unison me ato ngjarje, duke u bërë jehonë, duke zbatuar pjesë të veçanta të programit për çlirimin kombëtar dhe shoqëror.

Gjithsesi çështja e alfabetit të shqipes do të zgjidhej përfundimisht vetëm me Kongresin e Manastirit, që u mblodh më 14 nëntor 1908, ku u hartua një alfabet i ri me shkronja latine. Është alfabeti që përdorin edhe sot e kësaj dite gjithë ata, të cilët shkruajnë shqip. / KultPlus.com

“BLACKPINK”, grupi muzikor më i ndjekur në YouTube

Grupi nga Korea Jugore, “BLACKPINK”, vazhdon ta ruajë titullin e grupit me më së shumti ndjekës në platformën muzikore YouTube, raporton portali “NME”.

Aktualisht, grupi i përbërë nga katër vajza, Rosé, Lisa, Jennie dhe Jisoo, i ka 75 milionë ndjekës në faqen zyrtarë në këtë platformë, duke u bërë edhe grupi i parë muzikor që e arrin këtë sukses.

Lajmin e konfirmoi edhe një përfaqësues nga YouTube.

Kështu, “BLACKPINK” e vazhdon dominimin si grupi më i ndjekur në këtë platformë muzikore, pasi e kishte marrë këtë titull nga këngëtari kanadez, Justin Bieber, vitin e kaluar.

Bieber aktualisht i numëron 69.3 milion ndjekës në faqen e tij zyrtare në YouTube.

Në fillim të këtij viti, njëra prej këngëtareve të “BLACKPINK”, Rosé, foli publikisht për të ardhmen e grupit të famshëm të muzikës K-Pop.

Kur u pyet nëse e ka imagjinuar ndonjëherë jetën pas shpërbërjes së bendit, Rosé deklaroi se nuk mendon se një gjë e tillë do të mund të ndodhë së shpejti.

“Unë jam rritur me këto vajza. Ajo janë pjesë e pandashme e imja. Nuk mendoj se grupi ‘BLACKPINK’ do të shpërbëhet në një të ardhme të afërt. Prandaj është budallallëk të brengosem për një gjë të tillë apo edhe të mendoj për këtë. Ne do të jemi familje përgjithmonë”, deklaroi këngëtarja.

Derisa tri anëtarët e bendit, Lisa, Jennie dhe Rosé, tashme e gëzojnë një karrierë edhe si solo këngëtare, pjesëtarja e katërt e bendit, Jisoo, po e sfidon veten në tjetër fushë, që është filmi. Në një intervistë të fundit ajo ka treguar se ende ndihet e pasigurt për ndjekjen e një karriere muzikore jashtë “BLACKPINK”./koha/ KultPlus.com

Karl Patsch, një nga figurat qendrore të muzeologjisë shqiptare

Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe Institutin e Arkeologjisë pranë Akademisë së Studimeve Albanalogjike organizuan një aktivitet përkujtimor në nder të “Karl Ludwing Patsch” të titulluar “Fillimet e Arkeologjisë dhe Muzeologjisë në Shqipëri”.

Profesor Marenglen Kasmi në emër të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, falënderoi Muzeun Historik Kombëtar për organizimin e aktiviteteve të këtij lloji që promovojnë figura kaq të rëndësishme si ajo e Karl Patsch që i kanë dhënë kaq shumë fushës së historisë dhe arkeologjisë në vend.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, tha se “figura e Karl Patsch është një nga figurat qendrore të muzeologjisë shqiptare”.

“Karl Patsch mblodhi objekte të rëndësishme të arkeologjisë, si edhe vepra me karakter historik. Ai hartoi projektin e Muzeut Kombëtar sipas projektidesë së Muzeut Zemaljski të Sarajevës. Sipas projektidesë së tij, muzeu duhej të përbëhej nga tri seksione: seksioni arkeologjik, seksioni historik-etnografik dhe seksioni i shkencave të natyrës. Dy seksionet e para të muzeut arritën të pasuroheshin më shumë. Më i pasur ndër to ishte seksioni arkeologjik, sepse në të u sollën objekte, që patën shpëtuar gjatë Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore. Me iniciativën e Patsch dhe me mbështetjen e ish-studentit të tij, Xhevat Korçës, si edhe të mjaft intelektualëve të kohës u ngrit një sallë e veçantë, kushtuar Heroit Kombëtar të shqiptarëve Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Pavarësisht vështirësive të shumta për mbajtjen e muzeut, koleksionet arkeologjike erdhën duke u pasuruar gjithnjë e më shumë. Ato u pasuruan jo vetëm me gjetjet arkeologjike të misioneve të huaja arkeologjike, por edhe me gjetje rastësore, si edhe me objekte historike që iu dhuruan Muzeut Kombëtar nga vetë qytetarët shqiptarë”, përfundoi drejtori Koçi.

Sipas profesor Neritan Ceka, Patch është një nga themeluesit e vërtetë të arkeologjisë ilire. Karl Patch gjatë viteve që jetoi e punoi në Shqipëri, tregoi një interes të veçantë për Beratin, Bylisin, Amantian, Kaninën, Orikumin, Vlorën, Myzeqenë. Interesi i tij për ilirët shihet në botimin e librit të tij të parë për ilirët në vitin 1923 ku flet për karakterin e tyre, shtrirjen, virtytet etj. Karli është një nga arkeologët, vlera e të cilit është aktuale edhe 100 vjet pas botimit të vet”, -theksoi Prof. Dr. Neritan Ceka.

Të tjerë studiues austriak të cilët ja kushtuan veprimtarinë e tyre territorit shqiptar, kanë qenë Theodor Ippen dhe baroni Franz Nopça, të cilët vinin nga shërbimi diplomatik austro-hungarez, por kishin interes të veçantë dhe për trashëgiminë historike të Shqipërisë. Ata u përqendruan kryesisht në Shqipërinë e Veriut dhe prej tyre kemi shumë përshkrime vendbanimesh, kisha dhe monumente, të botuara në periudhën 1900-1908.

Aktiviteti përkujtimor synoi lartësimin e figurës së Karl Patsch si studiues evropian, ku me anë të kumtesave, u shtjellua kontributi i Karl Patsch në albanologji dhe njëkohësisht roli i tij si urë lidhëse në themelimin e traditës së bashkëpunimit shkencor midis shqiptarëve dhe austriakëve në fushën e arkeologjisë. / KultPlus.com

‘Të gjitha lumturitë marrin fund dhe vuajtja do të jetë aty’

Shpëtim Selmani

*
(Xhevdës dhe Vjosës)

Këmbanat bien furishëm
Në Graz
Brenda meje kujtime

Të gjitha netët e gjata
Marrin fund dhe mëngjesi
Do të jetë aty

Të gjitha lumturitë marrin
Fund dhe vuajtja
Do të jetë aty

Është e pamundshme të
Qetësohesh derisa ditëlindjet
E secilit dridhen si

Lule të mjera nën
Pushtetin e viteve
Që nuk vonohen

Nuk ka asgjë të përjetshme
Zoti mprehë sëpatën
Ne shohim orën

Gjithë çfarë mbetet
Pas nesh janë
Shkëmbinjtë

Dhe pafytyrësia
E natyrës. / KultPlus.com

Trajneri Kuka: Dita 1 – një e artë, një e bronztë, një vend i shtatë

Xhudoja sot i solli medalje Kosovës në Lojërat Mesdhetare që po mbahen në Oran të Algjerisë.

Distria Krasniqi sot e fitoi medaljen e artë, kurse Flaka Loxha të bronztën.

Krasniqi ishte e pakompromis në kategorinë deri në 52 kilogramë, duke e fituar çdo ndeshje.

Në anën tjetër, Flaka Loxha fitoi medaljen e bronztë në kategorinë deri në 57 kilogramë.

Pas këtij suksesi, ka ardhur reagimi nga trajneri i tyre, Driton Kuka.

“Dita 1. Një e artë, një e bronztë, një vend i shtatë. Lojërat Mesdhetare Algjeri. Kosova power”, shkroi Kuka. / KultPlus.com

Japonia përfshihet nga vala më e nxehtë e regjistruar ndonjëherë

Japonia po përjeton ditën më të nxehtë të valës së saj më të keqe të të nxehtit që nga viti 1875. Zyrtarët kanë paralajmëruar për një mungesë të mundshme të energjisë. Por qeveria ende po i këshillon njerëzit që të përdorin ajër të kondicionuar për të shmangur goditjen e nxehtësisë pasi rastet e shtrimit në spital rriten me të nxehtin, shkruan BBC.

Zyrtarët e motit paralajmërojnë se vapa do të vazhdojë edhe në ditët në vijim. Valët e të nxehtit janë bërë më të shpeshta, më intensive dhe zgjasin më gjatë për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njerëzit.

Bota tashmë është ngrohur me rreth 1.1 gradë celcius që nga fillimi i epokës industriale dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten nëse qeveritë në mbarë botën nuk bëjnë shkurtime të mëdha të emetimeve./ KultPlus.com