Kujtimet e Lasgushit për ditën e Flamurit në Bukuresht

Festa më e madhe e Kollonisë dhe e kishës shqipe të Bukureshtit ish 28 Nëntori: Dita e flamurit, dhe Shën-Gjergji: Emri i Gjergj Kastriotit.

Këto kremtime bëheshin me bujën dhe me madhështinë më të madhe, duke u ftuar në Seli të Kollonisë dhe në kishë autoritetet dhe personalitetet më të larta të vendit, me mbretin në krye të të gjithëve; ftoheshin dhe përfaqësitë e huaja, ambasadorët, ministrat, konsujt, të cilët në atë atmosferë ngazëllonjëse të botës shqiptare i jepnin kishës dhe festës një madhëri dhe një madhështi të rrallë.

Kisha qe e mbushur përplot, dhe tri të katërtat e të pranishmëve rrinin nga mungesa e vendit jashtë në oborr, bukur të rrethuar dhe të stolisur për atë festë. Aty jashtë në oborr, më të djathtën e hyrjes kryesore të kishës, qëndronte i vendosur me shkëlqim flamuri i Kollonisë, i cili ishte më i madhi dhe më i bukuri nga gjithë flamurët e shoqërive dhe organizatave të Bukureshtit që kishin flamur.

Flamuri i Kollonisë shqiptare ishte i kuq me shkabën dykrerëshe në mes, qe bërë prej mëndafshi të qëndisur rreth-e-për-qark me bufka të arta dhe kishte më një anë dy esharpa- njëra e kuqe, tjetra e zezë- të cilat vareshin me hijeshi prej majës së shtizës gjer përposh. Shumë i rëndë ishte flamuri dhe nga ky shkak e mbanin përherë dy veta, njëri tosk, tjetri gegë, të veshur secili burrërisht me rrobet e tyre kombëtare.

Kurse kjo ishte pamja e përjashtme e kishës ndër festat më të mëdha të saj- 28 Nëntor dhe Shën-Gjergj-, përbrenda ajo çkëlqente nga uniformat dhe rrobat e zyrtarëve, po më shumë nga fryma shqiptare që frynte ndër zemra.

Lasgush Poradeci.
Fragment nga “Himni Kombëtar ‘Flamurit pranë të bashkuar’ dhe gjeneza e tij”

O moj Shqypni

Poezi e shkruar nga Pashko Vasa.

O moj Shqypni, e mjera Shqypni,
Kush te ka qitë me krye n’hi?
Ti ke pas kenë një zojë e randë,
Burrat e dheut të thirrshin nanë.
Ke pasë shumë t’mira e begati,
Me varza t’bukura e me djelm t’ri,
Gja e vend shumë, ara e bashtina,
Me armë të bardha, me pushkë ltina,
Me burra trima, me gra të dlira;
Ti ndër gjith shoqet ke kenë ma e mira.
Kur kriste pushka si me shkrep moti,
Zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti
Ka kenë për luftë e n’luftë ka dekun
E dhunë mbrapa kurr s’i mbetun.
Kur ka lidhë besën burri i Shqypnisë,
I ka shti dridhën gjithë Rumelisë;
Ndër lufta t’rrebta gjithëkund ka ra,
Me faqe t’bardhë gjithmonë asht da.

Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je?
Po sikur lisi i rrxuem përdhe,
Shkon bota sipri, me kambë, të shklet
E nji fjalë t’ambël askush s’ta flet.
Si mal me borë, si fushë me lule
Ke pas qenë veshun, sot je me crule,
E s’të ka mbetun as em’n as besë;
Vet e ke prishun për faqe t’zezë.

Shqyptar’, me vllazën jeni tuj u vra,
Ndër nji qind ceta jeni shpërnda;
Ca thone kam fè ca thonë kam din;
Njeni:”jam turk”, tjetri:”latin”
Do thonë: “Jam grek”, “shkje”-disa tjerë,
Por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë!
Priftnit e hoxhët ju kanë hutue,
Për me ju damun me ju vorfnue!
Vjen njeri i huej e ju rri n’votër,
Me ju turpnue me grue e motër,
E për sa pare qi do t’fitoni,
Besën e t’parëve t’gjith e harroni,
Baheni robt e njerit t’huej,
Qi nuk ka gjuhën dhe gjakun tuej.
Qani ju shpata e ju dyfeqe,
Shqiptari u zu si zog ndër leqe!
Qani ju trima bashkë me ne,
Se ra Shqypnia me faqe n’dhe!
E s’i ka mbetun as bukë as mish,
As zjarm në votër, as dritë, as pishë;
As gjak në faqe, as nder ndër shokë,
Por asht rrëxue e bamun trokë!
Mblidhniu ju varza, mblidhniu ju gra,
M’ata sy t’bukur q’dini me qa,
Eni t’vajtojmë Shqypninë e mjerë,
Qi mbet’ e shkretë pa em’n, pa nder;
Ka mbet e vejë si grue pa burrë,
Ka mbet si nanë, qi s’pat djalë kurrë!
Kujt i ban zemra m’e e lan’ me dekë
Kët farë trimneshe, qi sot asht mekë?
Këtë nanë të dashtun a do ta lamë,
Qi njeri i huej ta shklasë me kambë?
Nuk, nuk! Këtë marrè askush s’e do
Këtë faqe t’zezë gjithkush e dro!
Para se t’hupet kështu Shqypnia,
Me pushkë n’dorë le t’desë trimnia!
Coniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu,
Të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu,
E mos shikoni kisha e xhamia:
Feja e shqyptarit asht shqyptaria!
Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë,
Gjithkund lshon dielli vap’edhe rrezë,
Asht tok’ e jona, prind na e kanë lanë
Kush mos na e preki, se desim t’tanë
Të desim si burrat që vdiqnë motit
Edhe mos marrohna përpara zotit.

Albani dhe Miriami sjellin “Dhurata” (VIDEO)

Dy këngëtarët e njohur shqiptarë, Alban Skenderaj dhe Miriam Cani, kanë publikuar bashkëpunimin më të ri të tyre me titull “Dhurata”.

Kënga e dedikuar për fëmijën e çiftit është titulluar “Dhurata”.

Për tekstin janë kujdesur vet këngëtarët, ndërsa për videoklipin Max Production.

Teksti i plotë:

DHURATA

S’është e lehtë

të këndosh një këngë për ty

të këndosh për ata sy

që janë plotë gëzim dhe jetë

Më beso nuk është e lehtë

Kur ti fle mbi gjoksin tim

Kur më fal një përqafim

Kur më thua “të kam xhan”

Është një emocion që thjesht nuk ka përshkrim

Është përtej poezisë, është përtej zërit tim

Se ti je dhurata më e bukur në jetë

Je të gjitha përgjigjet, je suksesi i vërtetë

Se ti je shërimi i çdo plage në shpirt

Je esenca e jetës, je motivi cdo ditë

Ti je ajo, një dashuri që nuk njeh as kohë dhe as kufijë

Je më shumë se çdo fjalë, je më shumë se muzikë

Do të dua përjetë, shpirti im ti mos ki frikë

Se ta premtoj

që do jem gjithmonë me ty

dhe kur s’do jem aty

Si një engjëll do të mbroj

sa herë që do kesh nevojë

Është kështu kur do dikë

e në këmbim nuk do asgjë

Si më thonin prindrit e mi

“Do kuptosh një ditë kur të jesh prind dhe ti”

Sa shumë ndjenja që mban brenda saj kjo fjali

Aksesorë me motive nga kultura trashëgimia shqiptare, unazë edhe me Skënderbeun (FOTO)

Gheg & Tosk boutique përfshinë bizhuteri origjinale të frymëzuara nga kultura dhe trashëgimia shqiptare, shkruan KultPlus.

Këto bizhuteri janë të punuara në formë esenciale të periudhës historike që i përkasin, pa diamante apo gurë të çmuar, por me materiale që i përshtaten kësaj periudhe si argjend, flori 14k , 18k ari, platin…, pat thënë nënjë intervistë më të hershme për KultPlus, Orges Kokoshari, themelues i brendit Gheg & Tosk.

“Gheg & Tosk” në Neë York ka lansuar shumë aksesorë me motive nga kultura dhe trashëgimia shqiptare, duke përfshirë edhe unazë me përkrenaren e Skënderbeut, helmetën ilire, unazë me shqiponjë dhe shumë aksesorë të tjerë, të cilat edhe shiten online./KultPlus.com

Parfumi shqiptar me emrin “Ilir” në mesin e dhjetë parfumeve më të shtrenjta në botë

“Deri tani dimë se është i 7-i. Por renditja përfundimtare bëhet nga Forbes në verë të vitit 2018 dhe nëse parfumi është ndër 5 më të shtrenjtit, atëherë automatikisht kandidon në “Oscar Fragrance Award 2018””, ka thënë Jola Hasimi për KultPlus.

Sapo është lansuar parfumi me emrin shqiptar “Ilir”, dhe ky parfum tashmë është në listën e dhjetë parfumeve më të shtrenjta në botë, shkruan KultPlus.

Cmimi i këtij parfumi është në vlerë prej 2 mijë eurove. Jola Hasimi, krijuesja e këtij parfumi bashkë me Nertil Bojaj ka treguar për KultPlus për përkushtimin e tyre, deri në lansimin e kësaj arome të mrekullueshme.

I lansuar nën brendin “JH”, Jola Hasimi ka shpjeguar se cdo gjë që mban llogon e markës së tyre, nuk është thjesht një produkt. “Secili ka historinë e vet që prej subjektit e deri tek diskutimi i idesë, zgjedhja e realizuesve, provat, e krejt në fund realizimi.

Sipas saj,si të gjithe markat, edhe “JH”, është dy vite përpara në kohë me produktet. “Sapo kishim lansuar parfumin “Shqipëria ime” dhe po mendonim për projektet e ardhshme, mundësitë, udhëtimet e punës…, ishte një moment thelbësor ku perpara famës së parfumit u gjetëm në vështiresi si cdo kush, por Nertili është një mashkull me dinjitet dhe karakter të adhurueshëm, nuk ka më të tillë,hahahah, e në bisedë e sipër më tha “ cdo gjë që mund sadopak të cënojë lirinë tonë, në cdo kuptim të saj e ka cmimin shumë të lartë dhe sduhet paguar “ kjo ishte shprehja që më shërbeu si subjekt, dhe që patjeter përputhej me emrin që do të mbante parfumi “Ilir”.

Parfumi me emrin “Ilir”, është esencë e pastër vajore dhe karkaterizohet nga Ambra blu , Arabic oud ndër elementet e tij. “Aroma është unike, është një refleks olfativ lirie…”, ka thënë Jola,e cila më pas ka thënë se për parfumet vajore, kërkohen shishe enkas, nuk mund të përdoret xham i thjeshtë.
“Free the scent vjen në një shishe tërësisht të punuar me dorë, ku për realizimin e vetëm njërës prej tyre duhen 6 ditë! Shishja fillon me procesin e fryrjes se kristalit me frymë për ti dhënë forme sfere,krijohet disenjoja e dëshiruar me prerje diamanti,dhe në fund kalon në rafinim ,gdhendet logoja e markes në fund të saj,dhe incizohet emri në krye”, ka thënë Jola, e cila ka thënë se certifikimi i parfumit vjen i gdhendur në kuti.

“Të gjitha këto bëjnë që ky parfum të kushtojë 2 mijë euro. Cmimi vendoset nga studimi i produktit përfundimtar. Për parfumin janë punuar 2092 prova,ku prova 2090 eshte zgjedhur si provë përfundimtare për parfumin “ilir”.

“Ne kishim shumë evente luksi private në UAE dhe menjëherë samiti i “fragrance foundation “ e dërgoi parfumin në Londer për të parë renditjen e tij! Parfumi ështe zyrtarisht pjese e 10 parfumeve më të shtrenjtë në botë! Deri tani dimë se është i 7-i. Por renditja përfundimtare bëhet nga Forbes në verë të vitit 2018 dhe nëse parfumi është ndër 5 më të shtrenjtit, atëherë automatikisht kandidon në “Oscar Fragrance Aëard 2018””, ka thënë Jola.
Ajo për fund ka thënë se jo më kot marka “JH”, është vlerësuar si e para në Made in Italy, që vepron në gjithë botën.

“Natyrisht janë produkte që smund t’ia lejojë vetës kushdo, pikërisht synimi jonë, prandaj dhe mënyrat e prezantimit që zgjedh janë gjithmonë vende luksi dhe shoë-room private të elitës”, ka përfunduar Jola, e cila bashkë me parfumin “Ilir”, ka nxjerrë edhe produkte të tjera shumë të shtrenjta, të cilat tashmë janë prezantuar në Dubai./KultPlus.com

“Esenca e ekzistencës” sjellë në Kosovë artin bashkëkohor të artisteve nga Maqedonia (FOTO)

“Esenca e ekzistencës”u quajt ekspozita grupore e artistëve nga Maqedonia e cila u hap mbrëmë në Galerinë Kombëtare të Kosovës, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Kjo ekspozitë kishte zënë hapësirë në shumë dhoma të kësaj galerie, duke prezantuar kështu punën tridhjetë artistëve bashkëkohorë të Maqedonisë të cilët reagojnë në mënyra të ndryshme ndaj parimeve ekzistencialiste. Sytë e të pranishmeve kapin këndvështrime të ndryshme të artisteve të cilat vijnë përmes medieve të ndryshme që vizualizonin punën e këtyre artistëve. Puna e tyre ishte shprehur me anë të piktura, grafika, skulptura, duke kaluar te instalimet, objektet, fotografitë, e deri te video projektimet, printimet digjitale, performancat dhe audioinstalimet.

“Esenca e ekzistencës” është një koncept artistik i cili u drejtohet sferave të ndryshme të përditshmërisë, të jetës, ekzistencës, perceptimeve të cilat vijnë nga aspekte të ndryshme drejt esencës së qenies, të mbijetesës, të funksionimit. Këtu përfshihen gjeneza e dashurisë, shpirtërores,të ushqyerit kurse nën këtë diskurs zbulohen edhe çështjet e dinjitetit, ideologjisë, politikës, jetës sociale.

Artistët e përzgjedhur që ekspozuan mbrëmë punimet e tyre janë: Ismet Ramiçeviq, Metodi Angellov, Atanas Botev, Vana Urosheviq, Irena Paskali, Aleksandar Stankoski, Velimir Zhernovski, Gjorge Jovanoviq, Marija Sotirovska, Igor Sekovski, Osman Demiri, Sllavica Janeshlieva, OPA, Mihaela Jovanovska, Zero, Nehat Beqiri, Zeni Ballazhi, Zhaneta Vangeli, Dita Starova Qerimi. Ndërsa kuratorët e kësaj ekspozite janë: Ana Frangovska, Gorancho Gjorgjievski, Maja Cankulovska – Mihajlovska.

Drejtoresha e Galerisë Kombëtare, Arta Agani ishte ajo që u uroi mirëseardhje të pranishmëve ku theksoi se ky bashkëpunim mes dy shteteve do të vazhdoi edhe me tutje.

“Kjo ekspozitë besoj se nuk do të jetë i fundit, do të ketë edhe shumë ekspozita të këtij lloji pasi që bashkëpunimi i Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe Galerisë së Republikës së Maqedonisë ka filluar në këtë vit me ekspozitën e artistëve të rinj kosovarë që e patëm në mars në Galerinë Kombëtare në Shkup”, tha Arta Agani gjatë hapjes së kësaj ekspozite.

Sekretari i Ministrisë së Kulturës në Maqedoni, Valmir Aziri tha mbrëmë se ndihet i kënaqur me prezantimin e kësaj ekspozite në Prishtinë, duke hapur kështu një kapitull të ri të bashkëpunimit kulturor mes dy vendeve fqinje.

“Kam kënaqësinë të ju drejtohem sonte jo vetëm për arsyen se kemi para nesh një ekspozitë që sjellë vepra dhe artistë që zgjojnë emocione dhe përjetime të thella artistike. Kënaqësia është shumë më e madhe kur kemi parasysh që me këtë ekspozitë po hapim një kapitull të ri të bashkëpunimit kulturor mes dy vendeve duke lidhur fuqishëm një nga hallkat e bashkëpunimit rajonal të cilit i ka munguar struktura dhe dinamika shpesh herë jo vetëm për shkak të rrethanave objektive, shoqërore e politike të rajonit tonë të trazuar. Është hera e parë në histori që Galeria Kombëtare e Maqedonisë është prezanton në Galerinë Kombëtare të Maqedonisë”.

Në hapjen e kësaj ekspozite fjalën e mori edhe Zëvendësministrja e Ministrisë së Kulturës në Kosovë, Burbuqe Deva e cila theksoi se Ministria e Kulturës e përkrah fuqishëm këtë bashkëpunim sepse është mënyra më efikase e realizimit të marrëdhënieve ndërkulturore me shtetin fqinj.

“Jam e nderuar që të jemi pjesë e kësaj ekspozite e cila vjen nga Galeria Kombëtare e Maqedonisë. Kënaqësia e madhe është se pasi që një numër i madh i artistëve me forma të ndryshme shprehëse të artit vijnë në Republikën e Kosovës” ishin disa fjalët hyrëse të zëvendësministres Deva.

Drejtoresha e Galerisë Kombëtare në Maqedoni, Dita Starova Qerimi po ashtu falënderoi Galerinë Kombëtare të Kosovës për bashkëpunimin dhe shtoi se dy shtete kështu mund t’i kalojnë kufijtë duke jetuar kështu në një të ardhme me artin bashkëkohor.

Njëra nga kuratoret e kësaj ekspozite, Ana Frangovska tregoi për KultPlus se kjo ekspozitë është shumë e lehtë për t’u kuptuar nga të gjithë pasi që prek disa nga çështjet me të cilat njerëzit përballen çdo ditë.

“Në këtë ekspozitë kemi sjellë disa çështjet më të rëndësishme për tërë regjionin pasi që kjo ekspozitë do të udhëtoj edhe në vende të tjera të rajonit. Kjo ekspozitë prek çështjen e ekzistencës nga pikëvështrime të ndryshme të artistëve, ato nuk sjellin ndonjë çështje të veçantë por problemet dhe gjërat me të cilat ne përballemi çdo ditë, duke prekur edhe çështje politike të cilat lidhen me shtetet që janë në përudhen e tranzicionit dhe të cilat luftojnë çdo ditë më të ardhmen dhe me historinë. Ne në këtë ekspozitë flasim për religjionin, për ushqimin, mjekësinë pra në përgjithësi për gjëra të përgjithshme që janë njohura për njerëzit e këtij regjioni”, shpjegoi Ana Frangovska për KultPlus.

Të gjithë ata që duan të njihen me ekspozitën e veçantë të këtyre artistëve nga Maqedonia, do të mund ta vizitojnë këtë brenda Galerisë Kombëtare të Kosovës deri më 12 Dhjetor të këtij viti. /KultPlus.com

Shpallet logoja zyrtare e “Vitit Mbarëkombëtarë të Gjergj Kastrioti-Skënderbeut” (FOTO)

Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e parë të qeverisë së re deklaroi se vendimi i parë i qeverisë së udhëhequr nga ai do të jetë Shpallja e Vitit 2018-të “Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut”, shkruan KultPlus.

Kështu edhe ndodhi.

Kësisoj, “Viti i Skënderbeut” mblodhi rreth vetës dy qeveritë shqiptare, atë të Shqipërisë dhe të Kosovës, ku dje u takuan në Korçë për mbledhjen e tretë me radhë të këtyre qeverive. Ndërsa sot rrugëtimi vazhdoi në Vlorë, rrugëtim ky që përkoi edhe me 105 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe shpalljen e logos së “Vitit të Skënderbeut”.

“Kjo është shprehje e një vetëdije se sot para nesh shqiptarëve që është çelur një perspektive e re dhe ne si dy qeveri do të punojmë që këtë perspektive ta qojmë përpara si Shqiptarët e Bashkuar drejt Bashkimit Evropian”, ka thënë Edi Rama, në fjalën hapëse të kësaj ceremonie.

“Gjergj Kastrioti u bë flamur kombëtar në momente më historike”, tha ndër të tjera në fjalën e tij presidenti i Shqipërisë Ilir Meta.

Në këtë ceremoni morën pjesë presidenti Ilir Meta, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kryeministri Edi Rama dhe përfaqësues të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës.

Tashmë autoritetet vijojnë për një buffet në mjediset e reja të Bashkisë së Vlorës Autoritetet e larta të ftuara mund të kryejnë, sipas dëshirës, vizita individuale në mjediset e Shtëpisë muze./ KultPlus.com

Sulaj: Kam përkëdhelur me penel çdo detaj të heroit Gjergj Kastriot Skënderbeut

Është një ndër veprat më të bukura që portretizon heroin e madh kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun, dhe këtë vepër, vetë autori Agim Sulaj e mban shumë për zemër, shkruan KultPlus.

Edhe pse jo më pronë e tij, por e koleksionuar brenda Tiranës, për këtë vepër që ishte ekspozuar vite më parë në një ekspozitë të hapur në Tiranë, pikërisht me dedikim për Gjergj Kastriot Skënderbeun, Sulaj ka treguar për emocionet që i ka dhënë kjo vepër, përgjatë realizimit.

“Kam punuar gati një muaj mbi këtë portret, çdo ditë, dhe kam përkëdhelur me penel çdo detaj të heroit tonë të përjetshëm”, ka thënë Sulaj për KultPlus. Ai ka shpjeguar se ky portret është punuar në vaj./KultPlus.com

Hymni i flamurit

Poezi e shkruar nga Fan Noli.

O Flamur gjak, o flamur shkabë,
O vënd e vatr’ o nën’ e babë,
Lagur me lot, djegur me flagë,
Flamur i kuq, flamur i zi.

Fortesë shkëmbi tmerr tirani,
S’të trëmp Romani, as Venecjani,
As Sërp Dushani, as Turk Sulltani,
Flamur i math për Vegjëli

Flamur që lint Shën Kostandinin,
Pajton Islamn’ e Krishtërimin,
Çpall midis feve vllazërimin,
Flamur bujar për Njerëzi.

Me Skënderben’ u-lavdërove
Dhe në furtun’ i funtmi u-shove,
Me Malon prapë lart vrapove,
Yll i pavdekur për Liri.

Sa shpesh pastaj për-dhe u-shtrive
Me zjarr e zi u-ndeze u-nxive,
Po çdo mizor me shpat’ e grive,
O fushë-kuq, o shkabë-zi.

Përpjetë pri-e Shqipërinë,
Përlintj’a shpirtin dhe fuqinë,
Diell për vllanë, yrnek për fqinë
Për botën ëndr’ e qjell i ri.

Edi Rama, uron 105 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë me flamurin Kombëtar dhe atë të Kosovës (FOTO)

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, me një fotografi të Flamurit Kombëtar dhe Flamurit të Kosovës, uron gjithë shqiptarët për 105 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, shkruan KultPlus.

“Të gjithë shqiptarëve kudo janë, nga Vlora u uroj GËZUAR 105 VJETORIN E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË”, ka shkruar Edi Rama, në rrjetin social Facebook./ KultPlus.com

Çfarë tha Ismail Qemali 105 vite më parë në Vlorë?

Sot anembanë botës ku ka shqiptarë, ka nisur festa e 105 vjetorit të pavarësisë. Në nder të kësaj dite të shënuar për çdo shqiptar rreth e rreth botës, po botojmë fjalën e Ismail Qemalit të mbajtur më 28 Nëntor 1912 në Mitingun e Madh në Vlorë.

“Dhe tani, të gjithë bashkë, si një trup i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për t’a mburuar, për t’a përparuar e për t’a qytetëruar si i ka hije Atdhenë t’onë të Lirë…”.

Fjala e plotë e Ismail Qemali në ditën e shpalljes së pavarësisë

Oh! Sa të lumtur që e ndiej vehten sot, që shoh, këtu në Vlorë, kaq burra Shqiptarë të mbledhur tok, duke pritur me kureshti e padurim përfundimin e kësaj mbledhjeje historike, për fatin e Atdheut tonë të dashur.

Plot me gaz e me lot ndër sy, nga mallëngjimi, pra, po dal këtu para jush që t’ju gëzoj me sihariqin e madh, se sot, edhe këtë minutë, Kongresi çpalli mëvehtësinë e Shqipërisë, tuke lajmëruar gjithë botën mbarë për këtë punë e duke më ngarkuar mua kryesin’ e qeveris së përkohshme të Shqipërisë së lirë.

Porsi ëndër më duket ky ndryshim i madh i vendit t’onë, që hoqi e voi të zezat e të lirit pesëqind vjet me radhë ndënë sundimin turk, por që tani në kohët e fundit, ishte gati të jepte shpirtin përgjithënjë, të shuhej e të çfarrosej krejtësisht nga faqia e dheut, këjo Shqipëri, që, dikur, shkëlqente nga trimërija e pashoqe e bijve të saj; kjo Shqipëri, që kur i kërcënohej rreziku Europës nga pushtimet e Turqisë, ndënë kryetrimin e pavdekur të saj, Skënderbejnë, u bë porta e hekurtë kundra sulmeve më të tërbuara të sulltanëve më t’egër që ka pas Turqija.

Mirëpo, desh Zoti, që me punën, me trimërinë dhe guximin e pashoq të Shqipëtarëvet, sot e tutje të marrin fund mjerimet dhe vuajtjet e Atdheut t’onë, sepse, këtu e kështu, jemi të LIRË të PAVARUR dhe MËVEHTE, prandaj: qeshni e gëzoni!

Për t’ia arrijtur kësaj dite të bardhë e të madhe, na ka ndihmuar gjaku i dëshmorëvet dhe puna e vlefshme e patriotëve t’anë dhe e të gjithë shokëve që muarrnë pjesë në këtë mbledhje dhe e të gjithë juve, që tani po ju gufon zemëra nga gazi i madh që ndieni; mirëpo mbledhja si më plak që jam, m’a ngarkoi mua Ngritjen e shënjtë të shënjës t’onë Kombëtare, të flamurit t’onë të ëndërruar e të dashur (nxjerr Flamurin, të cilin e ka të vendosur në një shtizë hekuri, natyrisht të vogël, dhe të pshehur nën pallto dhe passi e mba një sekondë në dorë e ngul në shtyllat e ballkonit. Shqiptarët, posa e shohin Flamurin thërrasin me gëzim e me zë të lartë: Rroftë Flamuri, Rroftë Shqipërija e Lirë).

Ja, pra, ky është Flamuri Ynë i kuq e me shqiponjën dykrenare të zezë në mes.

Dhe tani, të gjithë bashkë, si një trup i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për t’a mburuar, për t’a përparuar e për t’a qytetëruar si i ka hije Atdhenë t’onë të Lirë.
Duke përfunduar, s’më mbetet gjë, veçse t’i drejtoj një lutje Zotit të Madh, që, bashkë me bekimet e Tij që i lipij të na japë për të qenë të denjë të kësaj dite, të pranojë që këtej e tutje të jem unë dëshmori më i parë i Atdheut, ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valvitet i Lirë.

Flamuri i ynë, n’atdhenë t’onë të lirë.
Rroftë Flamuri!
Rroftë Shqipërija!

Rrëfimet dhe sfidat e gazetarëve u prezantuan përmes një dokumentari nga Vjosa Abazi

“18 vjet pas luftës, vrasësit e gazetarëve kosovarë janë në liri”, është një ndër pamjet e para të dokumentarit që përmban fytyrat e Bekim Kastratit, Bardhyl Ajetit, Enver Malokut e Shefki Popovës, Ali Ukës e Kristë Gegës, të cilëve edhe u dedikohet ky dokumentar.

Gili Hoxhaj

Dje është mbajtur një event i titulluar”Fjala e lirë, vështirësitë ndaj fjalës së lirë, si dhe përgjegjësia ndaj saj” në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE- së, në kuadër të së cilës janë shpalosur edhe disa aktivitete, shkruan KultPlus.

Një vajzë dhe një djalë të ulur pranë të pranishmeve qëndrojnë mes mendimeve të cilat i hedhin në bllokun e tyre, që simbolizon bllokun e gazetarit. Të dy fillojnë dialogun e tyre njëzëri mes pyetjeve të shumta, që lidhen me varfërinë, për pushtetin, diplomat fallco, studentët që s’mund të gjejnë punë, e shumë premtime që kurrë nuk realizohen. Të gjitha pyetjet e tyre ngecin kur personazhi i tretë i veshur në kostum kap duart e personazhit që përfaqëson gazetaren, e në anën tjetër mbyll gojën e gazetarit. E gjithë kjo si pikënisje për të treguar cenzurën dhe gjendjen në të cilën po ecën gazetaria në Kosovë.

Pas kësaj paraqitje artistike, e gjithë vëmendja drejtohet tek dokumentari i realizuar nga Vjosa Abazi.
“18 vjet pas luftës, vrasësit e gazetarëve kosovarë janë në liri”, është një ndër pamjet e para të dokumentarit që përmban fytyrat e Bekim Kastratit, Bardhyl Ajetit, Enver Malokut e Shefki Popovës, Ali Ukës e Kristë Gegës, të cilëve edhe u dedikohet ky dokumentar. Janë rrëfimet e disa nga gazetarëve më të njohur të cilët përcjellin këtë dokumentar duke shpalosur disa nga përvojat e tyre lidhur me lirinë e fjalës dhe sfidat që ata kanë hasur në këtë rrugëtim.

Në këtë dokumentar janë të përfshira rrëfimet e themelueses së gazetës online për art dhe kulturë- KultPlus, Ardianë Pajaziti, analistit Imer Mushkolajt, redaktores së lajmeve në Radio Kosova- Serbeze Haxhiajt, Anita Kadriut, gazetarë në gazetën “Zëri” dhe Xhymret Veliut- kryeredaktor në RTK.
Ata shpalosen disa nga përvojat e tyre në mediume dhe kohë të ndryshme, që nga koha e regjimit serb, në kohën e pasluftës e deri tek ditët e sotme.

I gjithë ky aktivitet u përcoll edhe me një panel diskutimi të udhëhequr nga Arta Berisha, ku u bisedua lidhur me zhvillimin teknologjik dhe përdorimin e mediave, në këtë panel ishin të ftuar IgballeRexhaj ish-gazetare në revistën “Rilindja” dhe Petrit Çollaku nga AGK-ja.

Asociacion i Gazetarëve të Kosovës së fundmi ka publikuar “Tregues për nivelin e lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve”. Çollaku gjatë këtij diskutimi tregoi se ky raport e nxjerrë disa të dhëna statistikore të cilat e paraqesin një situatë e cila e nxjerrë gazetarinë si një “punë të pasigurt”.
“Gazetarët nuk ndihen mirë në forma të ndryshme, raporti në veçanti është fokusuar në çështjen e mbrojtjes së gazetarëve. Po ashtu këtu hyn edhe kushtet pasi që industria po shkon në një orientim biznesi. Po thuajse gjysma e gazetarëve janë të lirë për të propozuar tema, mirëpo redaktorët janë ata që fokusojnë orientimin e temave ndërsa në anën tjetër del edhe një problem tjetër që lidhet me praktikantët, ku nuk mund të inkurajohen gazetarët e rinj për të vazhduar karrierën pasi që pothuajse punojnë për pesë-gjashtë muaj si praktikante dhe vetëm më pas u dhurohet një pagë minimale”, tha mes të tjerash Çollaku.

Në mesin e shumë problemeve dhe sfidave në të cilat kalojnë gazetarët Çollaku po ashtu theksoi edhe mungesën e sindikatave për të trajtuar problemet e gazetarëve, përveç dy sindikatave në kuadër të RTK-së. Ndërsa lidhur sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve, ai po ashtu theksoi edhe mosndëshkueshmerinë e rasteve nga gjykatat.

Igballe Rexhaj e cila profesionin e gazetarisë e kishte ushtruar gjatë kohës së represionit serb, e ndihet me fat që ka qenë raportuese në atë kohë pasi që thotë e ka arritur t’i shërbej publikut edhe duke raportuar shpesh mes plumbash, e përndjekjeve të policisë.
“Mendoj që kohën kur unë kam punuar kam hyrë në “Rilindja” në vitin 1987, pra e kam përjetuar edhe periudhën para viteve të 90’ta dhe më pas edhe gjatë periudhës represive. Për mua ka qenë fat që të punoj në atë kohë sepse kam pasur mundësi që të jem afër popullit tim dhe të jem afër ngjarjeve që ndodhnin në atë kohë. Kudo që ka ndodhur diçka kam qenë pjesë e atyre ngjarjeve, madje nuk më ka munguar as edhe guximi të raportoj mes plumbave dhe në përndjekje të policisë sepse e ke ndjerë edhe obligim ndaj popullit tënd”, tha Rexhaj gjatë këtij diskutimi.

Ndërsa redaktorja SerbezeHaxhiaj thotë se problemet me të cilat përballën gazetaria kanë bërë që gazetarët sot të paraqiten më shumë si “shërbyes medial”. “Numri i sulmeve, mendoj që nuk është matës i mirë dhe sot gazetarët nëse nuk vriten në mënyrë klasike, ata shtypen çdo ditë në mënyrën më mizore, shpesh përmes personave të tjerë që në shikim të parë janë të padukshme por që ndikojnë në raportimin dhe frymën e përgjithshme të lirisë”, ka thënë Haxhiaj gjatë këtij diskutimi.

I gjithë ky projekt u shënua në kuadër tëgjashtëmbëdhjetëditëve të aktivizimit kundër dhunës, ndërsa projekti është mbështetur nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve në Kosovë. /KultPlus.com

Sot në Lipjan përurohet shtatorja e Adem Jasharit

Shtatorja e komandantit legjendar Adem Jashari do të përurohet sot në Lipjan.

Me këtë rast do të përurohet edhe Sheshi “Adem Jashari”.

Po ashtu do të ketë edhe një program festiv në shënimin e Ditës së Flamurit – 28 Nëntorin, daljen në skenë të UÇK-së dhe ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari./ KultPlus.com

28 nëntor, ditëlindja e Adem Jasharit

Komandanti Adem Jashari sot po të ishte gjallë do t’i bënte 62 vjet.

Ai ka lindur më 28 nëntor të vitit 1955 në Prekaz të Skenderajt. Ishte djali i tretë i Shabanit dhe Zahide Jasharit. Ka mbaruar shkollën e mesme teknike në Skenderaj.

Pas shuarjes së të gjitha institucioneve të Kosovës më 1990, ideja për t’u organizuar në aspektin ushtarak merr një dimension të ri, nga LPK-ja, e cila ende nuk vepronte krejtësisht publikisht. Me 3 nëntor të vitit 1991, në Shqipëri shkoi një grup veprimtarësh për t’i kryer ushtrimet e duhura ushtarake dhe për t’u stërvitur për luftën e armatosur.

Shërbimet sekrete serbe i bien në gjurmë formacionit të armatosur dhe policia serbe ia mësyn rrethimit dhe kapjes së tij. Më 30 dhjetor 1991 ekspedita policore – ushtarake serbe ndërmori aksion për zënien e grupit.

Pas kësaj përleshjeje me forcat e policisë serbe, tërë grupi i Adem Jasharit kalon në ilegalitet, deri në fillimet e luftës çlirimtare në Kosovë.

Intensifikimi i aksioneve të armatosura të UÇK-së fillon me sulmin e shtatorit 1997 në 12 stacionet policore.

Nga aksionet e armatosura kundër forcave policore që kryente UÇK-ja, pas shtimit të dhunës sistematike të forcave serbe nëpër Kosovë, kalohet në një fazë tjetër, të ndeshjes së drejtpërdrejtë me forcat serbe, pra në beteja, në fundin e nëntorit 1997, kur në Rezallë të Re luftohet me forcat e shumta të policisë serbe.

Në këtë betejë i ndërpritet rruga kolonës së armatosur rëndë të forcave serbe, që kishin mësyrë një sulm në fshatin Vojnik, ku një ditë më parë, patrullat e maskuara të policisë serbe ishin gjuajtur me armë zjarri nga njëri prej luftëtarëve të hershëm të UÇK-së, Abedin Rexha – Sandokani. Në këtë betejë printe Adem Jashari dhe luftëtarë të tjerë si Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi, Sylejman Selimi, Ilaz Kodra, Ilaz Dërguti etj. Kjo është beteja e parë dhe fitorja e njësitit të UÇK-së. Kjo betejë bëri jehonë të madhe në opinionin publik.

Policia serbe kishte shënjuar që moti shtëpinë e Jasharëve. Më 5 mars 1998, që në orët e hershme, forca të mëdha të policisë serbe kishin mësyrë Prekazin. Një pikë zjarri, e stacionuar që herët në lokacionin e fabrikës së municionit, që ishte në afërsi të shtëpisë së Jasharëve, ishte përforcuar me mjete të rënda artilerike.

Përforcimet e forcave serbe kishin ardhur edhe nga drejtimi i Klinës, Mitrovicës dhe Gllogovcit. Sulmi mbi Jasharët nis rreth orës gjashtë të mëngjesit. Në shtëpi ndodheshin pothuajse tërë anëtarët e familjes. Sulmi mbi Jasharët dhe qëndresa heroike e tyre zgjatë tri ditë: më 5, 6 dhe 7 mars 1998.

Kjo luftë heroike, në historinë e re të Kosovës njihet me emrin Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për figurën e Adem Jasharit kanë shfaqur mendime edhe personalitete të rëndësishme. Administratori i parë ndërkombëtar i Kosovës, Bernar Kushner ka deklaruar se po të kishte Çmim Nobel për sakrificë për liri, ai do t’i takonte Adem Jasharit dhe familjes së tij.

Me vendim të ish presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, Adem Jashari është nderuar me titullin Hero i Kosovës./ KultPlus.com

Shqiptarja Dua Lipa, ngriti në këmbë Çikagon (FOTO)

Këngëtarja kosovare me famë botërore Dua Lipa, në kuadër të turit të saj të titulluar “The self”, të dielën ishte në Çikago, aty ku mahniti publikun me performancën e saj, shkruan KultPlus.

Dua, përmes fotografive ka paraqitur atmosferën në këtë koncert, ku edhe ka falënderuar fansat e saj në Çikago, përmes rrjetit social Facebook.

Fotografitë janë realizuar nga Pixie Levinson./ KultPlus.com

20 vjet nga dalja publike e UÇK-së

Sot bëhen 20 vjet nga dala publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Mujë Krasniqi, Daut Haradinaj dhe Rexhep Selimi, më 28 nëntor të të vitit 1997, në Llaushë të Skenderajt në varrimin e mësuesit Halit Geci kanë dalë për herë të parë para opinionit publik si pjesëtarë të UÇK-së.

Kësaj dalje i paraprijnë luftimet e para frontale ndërmjet UÇK-së dhe policisë serbe, të drejtuara nga komandanti legjendar, Adem Jashari.

Më 25 nëntor 1997 forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të drejtuara nga komandanti legjendar, Adem Jashari, sulmuan forcat e policisë në Vojnik të Skenderajt, të cilat u tërhoqën, duke lënë të vrarë dhe të plagosur.

Të nesërmen me 26 nëntor, një ekspeditë ndëshkimore me 10 automobila e mjete të tjera të motorizuara u drejtuan për në ketë fshatë, ku UÇK prapë i sulmoi dhe pas katër orë luftimesh të rrepta, forcat e policisë u tërhoqën duke lënë prapa të vrarë dhe të vdekur.

Në tërheqje e sipër, forcat serbe, të egërsuara nga goditjet që u kishte dhënë UÇK, filluan të qëllojnë pa mëshirë kundër kujtdo që shihnin dhe në fshatin Llaushë ata vranë mësuesin Halit Geci në derë të shkollës, i cili u varros me një ceremoni të madhe më 28 nëntor 1997.

Në këtë ceremoni varrimi, ku morën pjesë dhjetëra-mijëra qytetarë nga mbarë Kosova, u bë dalja e parë publike e UÇK-së./ KultPlus.com

105 vjet shtet

Gjithë shqiptarët sot festojnë 105 vjetorin e Ditës së Pavarësisë – 28 Nëntorit.

Më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali dhe udhëheqësit tjerë shqiptarë nga të gjitha vendbanimet shqiptarë ngritën flamurin në Vlorë, duke shpallur Shqipërinë shtet të pavarur. Këtë ditë, Ismail Qemali u shpall kryetar i Kuvendit dhe kryetar i parë i qeverisë së shtetit Shqiptar.

Me aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali, njoftoi gjashtë Fuqitë e Mëdha, Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë.

Po ashtu, u njoftuan edhe shtetet ballkanike, Rumania, Mali i Zi, Serbia, Bullgaria, Greqia e Turqia, duke u kërkuar njohjen e pavarësisë, si rrjedhojë e natyrshme e vullnetit të popullit shqiptar./ KultPlus.com

Si jeton gruaja e ish-diktatorit? Një ditë në shtëpinë e Nexhmije Hoxhës (FOTO)

Rëfimi i rrallë i të vesë së Enver Hoxhës për jetën e saj ndërsa kalon pleqërinë në një shtëpi të thjeshtë në periferi të Tiranës. Njihuni me detajet si jeton gruaja e ish-udhëheqësit komunist dhe si i shtyn ditët 96-vjeçarja. Një udhëtim në kohë përmes fotove dhe pikturave që kur nuk flasin vetë tregohen me kujtesë të habitshme nga Nexhmije Hoxha. Dhe dëshmia, a i shkruante vetë fjalimet dhe veprat, Enver Hoxha.

Në arkivin e mëse tremijë intervistave më kishte munguar një intervistë me ish-numrin një të gruas që ka bërë më shumë histori dhe ka ngjallur debate pafund në Shqipëri që nga krijimi i PKSH më 8 nëntor 1941 deri më sot. Nuk e di përse kisha hezituar, por ishte ndoshta dhe mendimi se kishte deklaruar që nuk do të jepte intervistë dhe kjo më kishte stepur disi. Lloj-lloj mendimesh më vinin në kokë për këtë figurë kaq të çuditshme të historisë shqiptare, që me jetën e saj shekullore, ka përbrenda ngjarje dhe histori të pabesueshme. Ishte këmbëngulja e kryeredaktorit të “Albanian Free Press”, z. Kurani që të merrja këtë nismë. Në arkivin tim shënoj 8 intervista me ish-anëtarë të Byrosë Politike ku emri i Nexhmije Hoxhës përmendej shpesh. Për të është folur shumë, që nga fjalët më të bukura, por edhe deri në ato më fyeset, por ajo i qëndron besnike idealit të saj duke mos i marrë në konsideratë çfarë flitet. Ajo që e gërryen më tepër qetësinë e saj është hedhja baltë mbi luftën nacional-çlirimtare.

Tek rreth-rrotullimi “Shqiponja” fiks në qendër të saj djathtas-anash kur shkon për në Durrës, një rrugicë e ngushtë si rrugicat e vjetra karakteristike të Tiranës, aty ku kanë qenë dikur zyrat e ish-pularisë së Tiranës, në katin e dytë të çon në vendin ku ndodhet banesa ose thjesht, shtëpia ku banon shoqja (siç kërkon t’i flasësh) Nexhmije Hoxha. Ajo është një ndërtesë dykatëshe me tarracë. Ka një oborr të vogël ku me vështirësi parkohen 4 automjete. Ndërtesa ka ngelur ashtu siç ka qenë, e ndërtuar në kohën e Enverit (siç thonë banorët). Në katin e parë ka 3 familje. Korridori i banesës në hyrje është shumë i gjerë 2.5 metër, në qendër ndodhet dera e një hyrjeje ndërsa në fund majtas ka një kthesë e cila të çon në një korridor ku dallohen tre dyer të tjera (pra tre familje).
Në të djathtë të korridorit janë shkallët e gjera që të çojnë në katin e dytë. Pllakat e dyshemesë janë po ato të kohës së “xhaxhit”, të mëdha, të plasaritura dhe të pamirëmbajtura. Sa ngjitesh në katin e dytë, 5 metra larg kthesës në qendër të korridorit të gjerë ndodhet dera e shtëpisë së Nexhmijes. Dera ka një mbrojtëse të jashtme xhami dhe pastaj dera normale me dërrasë të bërë në vitet e para të demokracisë. Korridori në hyrje të katit të dytë ka dhe një ballkon të gjerë ku banorët dalin në mbrëmje dhe sodisin ambientin para “Shqiponjës’.
Në katin e dytë në tavan ka tre llambadarë shumë të vjetër ku asnjëra prej tyre nuk lëshon dritë, llambat janë të djegura. Para derës së hyrjes së Nexhmijes janë dy tavolina me nga 3 karrige plastike ngjyrë kafe (një majtas-një djathtas derës). Si duket këtu qëndrojnë të afërmit apo miqtë kur vijnë në pranverë apo verë për të biseduar në freski.
Në murin e korridorit në lartësinë 1.2 metër anash derës, është instaluar zilja elektrike e vjetër. Kur troket derën e shtëpisë ta hap Pranvera vajza e Nexhmijes. Trupgjatë, ajo të prêt fytyrëqeshur. Sa hyn të bie në sy një korridor i ngushtë i mbajtur pastër, ku djathtas është një derë e mbyllur, ndërsa majtas, Pranvera të tregon rrugën për të hyrë në dhomën e shoqes Nexhmije Hoxha. Korridori ishte i lyer me bojë plastike të bardhë dhe me gjithë vjetërsinë e godinës, pastërtia dallohej kudo.
Në dhomën e Nexhmije Hoxhës
Në fund të korridorit, djathtas, një derë e bardhë gjysmë me xham shërben si hyrje për në dhomën e Nexhmije Hoxhës. Sa hap derën, Pranvera na uron mirëseardhjen. Në të djathtë të derës, 2 metra larg saj, afër murit, në një kolltuk të zakonshëm gri në të bardhë qëndron 96-vjeçarja Nexhmije Hoxha. Sa hapet dera, ajo ngrihet paksa në këmbë dhe më zgjat dorën me një buzëqeshje.

*****

“E kam gëzuar këtë jetë shumë mes nipërve dhe mbesave”, – thotë Nexhmija. “Kam plot 7 nipër dhe mbesa, – vazhdon ajo, – që më kanë mbushur me gëzim dhe krenari dhe më kanë plotësuar boshllëkun e madh të këtyre viteve”. Lart komosë ndodhen dy portrete në vaj të Enver Hoxhës dhe në krah të djathtë të tyre një foto e rrallë e Nexhmije Hoxhës e bërë në vitin 1944 në Bizë të Martaneshit, në bazën ajrore të amerikano-anglezëve. Në krah të saj ndodhet dhe një portret pikture në vaj i Nexhmije Hoxhës kur ishte studente në Institutin femëror “Mëma Mbretëreshë” e bërë në bazë të një fotoje të saj kur ishte 15 vjeçe.

Në këndin e dhomës në të majtë qëndron e varur një tjetër pikturë e Enver Hoxhës të cilën ia kishte bërë një piktor i ri, emigrant në Francë. Në të djathtën time (përballë Nexhmijes) ndodhej një dritare e madhe, e mbuluar me një tyl të bardhë dhe bezhë, ku kishte mundësi drite. Më tej në një taketuke gjendej boceti i skulpturës që ishte vendosur në Gjirokastër, një bocet i bardhë i ruajtur bukur, ku tregohet Enver Hoxha i ulur me një pallto të hedhur krahëve. Në krah të saj një televizor i vogël plazmë, prodhim i vjetër, 20 polsh (inch). Në fund të murit, majtas, ku mbaron tyli, në lartësinë 1.5 metër nga dyshemeja, ndodhet një foto në xham e Nexhmijes me Enverin, përballë njëri-tjetrit, ulur në karrige, foto e shkrepur në Drilon. Ndërsa mbrapa një bibliotekë e madhe e vjetër ngjyrë kafe, ku dominojnë librat e Enver Hoxhës, por edhe ato të Nexhmijes.

Në tavan, një llambadar i thjeshtë ndriçonte dhomën me përmasa 4.5×4 metër katrorë. Në krah të djathtë të kolltukut ku ishte ulur Nexhmija, ndodhej krevati dopio, i Nexhmijes. Një krevat hekuri i thjeshtë, pa kokë dhe fundore, i mbuluar me një batanije ngjyrë kafe dhe bezhë me kuadrate, e pastër dhe në fund të këmbëve qëndronte pulti komandimit të televizorit.

Kur e pyes se kush i ka bërë fotografitë dhe pikturat, ku janë bërë dhe kohën Nexhmija përgjigjet: “Foton kryesore që kam mbi kokë dhe foton ku është Enveri në Drilon, jashtë, mes burimeve ujore dhe pemëve e ka bërë Sulo Gradeci”, – sqaron Nexhmija. Thuajse të gjitha fotot e Drilonit dhe në Pogradec janë fotografi të tij. Kryesisht në punë, në pushime apo dhe gëzime familjare fotot i bënte Sulo Gradeci. Kjo është fotoja më popullore e tij. Po ashtu dhe shumicën e fotove familjare i realizonte Sulo Gradeci”.

****

Duke qenë se Enveri është nga Labëria dhe e quante veten lab safi Nexhmija ka ndjekur me vëmendje të gjitha aktivitetet e Shoqatës Kulturore Atdhetare Labëria që ajo e quan kryeshoqatë. Madje ajo ka përgatitur dhe një letër falënderimi për këtë Shoqatë e cila ka karakter të theksuar patriotik por edhe mbron dhe nderon luftën nacional-çlirimtare. Këtë letër ajo e ka shkruar me dorë, ku bie në sy shkrimi i saj i bukur, i qartë dhe pa gabime. Një shkrim tejet I lexueshëm dhe korrekt. Në bisedë ajo thekson se Enveri e donte shumë këngën labe por edhe e këndonte çdo mëngjes. Sipas kujtimeve të saj Enveri kur shkonte të rruhej patjetër do të këndonte labçe. Dy janë këngët që ai kishte më për zemër: “Çerçiz Topulli më thonë” dhe ” Bilbilenjtë 13 vanë në litarë vetë”. Këto këngë i dëgjonte me vëmendje kur i jepte radio Tirana por edhe I kishte të incizuara. Këto këngë sikur i jepnin forcë thotë ajo. Kur ishin gjallë prindërit e Enverit, ai shkonte në dhomën e pritjes së tyre dhe fillonte këndonte me babanë e tij Halilin i cili pëlqente po këto këngë. Halili ja merrte dhe Enveri ja kthente. Aneja dëgjonte dhe kënaqej.

****

Kur biseda jonë erdhi rreth luftës Nacionalçlirimtare, Nexhmija shpesh herë tundte kokën. “Nuk e kuptoj, – thotë, – pse hidhet kaq baltë ndaj kësaj lufte, kur edhe ish-aleatët tanë e vlerësojnë pa masë”. Më tej më tregon dhe librin voluminoz (ma dhuron) që ka bërë për këtë luftë heroike. Nuk heziton të thotë se “ajo mbetet lufta më e madhe popullore dhe më e organizuar e popullit shqiptar”. Duke u ndalur tregon se “ndjek çdo gazetë që publikon për luftën dhe vlerëson shumë shoqatën Labëria që respekton të rënët por edhe datat më historike të kësaj lufte”.
Kërkesa

Kur po dilja dhe i dhashë dorën, Nexhmije Hoxha më bëri një kërkesë: Nuk bëmë intervistë, por një bisedë e shoqëruar me ilustrimin e fotove. “Kurrsesi s’dua ta cilësosh intervistë, pasi ishte këmbëngulja jote që më theu. Kam dhënë fjalën se s’do jap më intervista”, – thekson ajo. Kurse shton: Këtu në komodinë, kam ende shumë kujtime…
Jetëshkrimi i Nexhmije Hoxhës

Nexhmije Hoxha u lind më 8 shkurt të vitit 1921, në Manastir, por prindërit e saj ishin nga Dibra. Në vitin 1928, familja e saj u shpërngul për t’u vendosur në Tiranë. Shkollën e mesme e kreu në Institutin Femëror Pedagogjik në Tiranë. / “Albanian Free Press” / KultPlus.com

Rexhep Qosja: Shqipëria dhe Kosova po shkojnë drejt bashkimit

Akademiku Rexhep Qosja, uroi 28 dhe 29 nëntorin për shqiptaret, kudo janë, nëpërmjet DritaremeRudinën në Vizion Plus.

Ai u shpreh: 28 dhe 29 nëntori, ditët e 105 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ne i shënojmë tani me një përvojë shumë të madhe, me një përvojë të brezave që kanë jetuar prej krijimit të Shqipërisë në vitin 1912 e deri tani. Këta janë brezat që kanë përjetuar gëzime, fitore të arritura, por edhe dëshpërime dhe tragjedi të mëdha. Këta breza, që na kanë lënë një përvojë të madhe politike e shoqërore, shtetërore e historike, kanë përjetuar dy Lufta Ballkanike gjatë të cilave e kanë krijuar shtetin shqiptar, Shqipërinë, dhe e kanë krijuar duke mbetur jashtë këtij shteti, me fajin e fqinjëve ballkanikë, natyrisht edhe të fuqive të mëdha të asaj kohe të Evropës, pra duke mbetur jashtë këtij shteti më shumë se gjysma e popullatës dhe pothuajse më tepër se gjysma e trojeve në të cilat shqiptarët ishin popullsi e vetme apo shumicë e madhe etnike.

Pos këtyre dy Luftërave Ballkanike, këta breza kanë përjetuar edhe dy Luftëra Botërore dhe pos këtyre, kanë përjetuar mandej Luftën Çlirimtare për çlirimin e Shqipërisë prej pushtimit fashist dhe nazist. Më tej, këta breza kanë përjetuar Luftën Çlirimtare të Kosovës, e cila nuk do të ishte bërë po të mos ishte krijuar Shqipëria ashtu siç u bë në fund. Kanë përjetuar mandej edhe një luftë të shqiptarëve në Maqedoni për të drejtat e tyre dhe për të drejtën shtetkrijuese të shqiptarëve në këtë Republikë.

Këta breza, që na kanë lënë këtë përvojë të madhe politike, shoqërore, shtetërore dhe historike që e kemi ne sot, kanë krijuar dhe ndryshuar disa rende politiko-shoqërore dhe kushtetutore-juridike, kanë krijuar republikë, kanë krijuar mbretëri, kanë krijuar shtet gjysmëfeudal siç ishte mbretëria e Ahmet Zogut, kanë krijuar shtet republikë socialiste dhe tani kanë krijuar dy republika: republika e Shqipërisë demokratike dhe Republikën e Kosovës demokratike. Brezat para nesh kanë përjetuar despoti, kanë përjetuar tirani, kanë përjetuar totalitarizëm dhe tani po përjetojnë demokraci dhe pseudodemokraci, po përjetojnë autoritarizëm dhe po përjetojmë, ta them hapur, edhe një lloj despotizmi.

Përvojat që na kanë lënë brezat e mëparshëm, prej vitit 1912 e këndej, e kjo përvojë është e pasur dhe e madhe, na obligojnë që ta shohim realisht gjendjen në të cilën jemi sot, që ta shohim objektivisht këtë mendësi tonën të sotme.

Çfarë po shohim, çfarë po dëgjojmë, çfarë po përjetojmë ne sot dhe, natyrisht, çfarë dëshirojmë ne sot?

Duhet të dimë para së gjithash se fundi i shekullit XX dhe fillimi i shekullit XXI na kanë ofruar një gjasë të madhe historike për të bërë korrigjime në padrejtësinë e madhe që na është bërë në Kongresin e Berlinit, në Konferencën e Paqes për Ballkanin në Londër, në Konferencën e Versajës pas Luftës së Parë Botërore dhe më tej në fund të Luftës së Dytë Botërore. Kjo na obligon që ta shohim mirë gjendjen tonë sot: të dimë çfarë po shohim, çfarë po dëgjojmë dhe çfarë po përjetojmë. E ne, ato që po shohim, po dëgjojmë e po përjetojmë, na bëjnë më shumë mospajtues sesa të pajtuar me gjendjen politiko-shoqërore dhe shtetërore e cila është sot.

Natyrisht politika jonë e jashtme është një politikë e drejtë dhe dua të them se është e drejtë me meritat tona, por mbi të gjitha është e drejtë me meritën e shtetit që ka luajtur rol jashtëzakonisht të madh në zgjidhjen e drejtë të çështjes së Kosovës dhe në krijimin e shtetit të Kosovës, e këto janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të kënaqur me politikën e jashtme, ne mund të jemi shumë të pakënaqur sot me politikën e brendshme, megjithëse edhe me këtë politikë po bëhen disa përpjekje për t’u përmirësuar gjendja. Ne sot shohim dukuri që e rëndojnë jetën tonë, që nuk na bëjnë mirë, në të vërtetë na bëjnë keq edhe në sytë e ndërkombëtarëve në përgjithësi. Në mendjet e atyre që u është dhënë vota e popullit, në mendjet e numrit më të madh të atyre, ka sot një tollovi, ka sot një konfuzion të madh. Dhe po të mos ishte kështu, nuk do të ndodhte që padrejtësia të sundonte drejtësinë, nuk do të ndodhte që të mos kemi barazi të dinjiteteve, nuk do të ndodhte që qytetarët të mos jenë të barabartë para gjykatave, nuk do të ndodhte që të ketë korrupsion pandemik në Kosovë dhe Shqipëri, nuk do të ndodhte që në mënyrë të veçantë Kosova të vuante aq shumë prej nepotizmit që është një dukuri primitive, në sajë të së cilës diskriminohen shumë qytetarë e favorizohen të afërmit e njerëzve që kanë pushtetin në dorë, njerëzit e partive të tyre, miq dhe dashamirës të tyre!

Të gjitha këto dukuri janë pasojë edhe e mendimeve të paqarta e të padrejta të disa pushtetarëve, jo vetëm ndaj të sotmes por edhe ndaj të nesërmes. E ne duhet të mendojmë, e duhet të dimë, e duhet ta kemi të qartë se çfarë duam dhe çfarë na takon në këtë kohë, në këtë gjasë historike që na është ofruar. Unë them se na takon ajo që thashë më parë, na takon përpjekja për përmirësim të gjendjes që kemi trashëguar nga Konferencat ndërkombëtare në të cilat është vendosur për fatin e popujve të Ballkanit.

Ne do duhej të kemi të qartë qëllimin, cili është qëllimi ynë dhe njëkohësisht duhet të kemi të qartë, të dimë rrugën që duhet të ndjekim drejt këtij qëllimi, duhet të kemi të qartë rrugën në mënyrë që të mos bredhim rrugicave. E ky qëllim yni sot është, si pikë e parë, përmirësimi i gjendjes së rëndë historike që kemi trashëguar: bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Ne dëgjojmë sot njerëz të politikës të cilëve u është dhënë besimi i popullit të mendojnë për gjendjen e tij, por edhe për çështjen shqiptare në përgjithësi, sesi kjo çështje do të zgjidhet në Bashkimin e Evropës. Jo, nuk do të zgjidhet në Bashkimin e Evropës. Ashtu siç nuk e lejon një shtet anëtar të tij të ndahet në dy shtete poashtu Bashkimi Evropian nuk i lejon dy shtete anëtare të tij të bashkohen në një shtet. Çështja kombëtare shqiptare, çështja e Kosovës dhe Shqipërisë, prandaj do zgjidhet si bashkim i Kosovës me Shqipërinë pa hyrë në Bashkimin Evropian sepse vetëm ashtu të bashkuara ne na sigurohet ai ideal që e kanë dëshiruar brezat gjatë këtyre vjetëve.

Pse bashkimi i Kosovës me Shqipërinë?

Kjo nuk është çështje vetëm e dëshirave, e vullnetit, apo ndjenjave të shqiptarëve, por kjo është një çështje që zgjidh shumë çështje të tjera të jetës së popullit shqiptar. Kosova me Shqipërinë të bashkuara, krijojnë kushte shumë më të mira natyrore, gjeografike, politike, ekonomike, shëndetësore, arsimore, kulturore, shkencore, për një jetë më të mirë të popullit të Shqipërisë dhe Kosovës së bashkuar. Ato bëjnë të mundshme një siguri të mirërritjes së brezave të ardhshme, bëjnë të mundur rritjen e mirëqenies së popullit shqiptar, bëjnë të mundshme një jetë në kushte në të cilat do të lulëzojnë ato të mira që njerëzit e politikës sot nuk i përmendin, me të cilat mjerisht nuk merren, por që bëjnë të mundshme që në këtë jetë Kosovës dhe Shqipërisë së bashkuar t’i lulëzojnë vlerat më të mëdha si kultura, qytetërimi, artet, letërsia, shkencat – vlerat që sigurojnë identitetin e një populli dhe vlerat që e bëjnë një popull të jetojë historikisht.

Nuk thuhet kot që Greqia antike nuk jeton për shkak se kanë jetuar e janë marrë me të figura shtetërore dhe politike. Greqia antike jeton në veprat e Homerit, Eskilit, Sofokliut, Euripidit, Platonit, Heraklitit, Aristotelit. Ata janë njerëzit, të cilët edhe prej varreve ju flasin brezave të ardhshëm.

Për këtë arsye e theksoj sot se kulturës, krijimtarisë shpirtërore, arteve, shkencave, qytetërimit duhet t’iu kushtohet kujdes, të cilin sot mjerisht nuk e kanë parasysh ata që merren me politikën.

Duke i uruar popullit shqiptar festën e madhe, festën më të madhe për popullin shqiptar, 105 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, duke i uruar popullit shqiptar Ditën e Flamurit, që, ja, tani është pranuar edhe zyrtarisht si ditë që do të festohet edhe në Kosovë, unë uroj që festat e ardhshme të Pavarësisë së Shqipërisë dhe të Pavarësisë së Kosovës t’i kremtojmë në Shqipërinë dhe në Kosovën, të bashkuara.- u shpreh profesor Qosja.

Isaac vjen me videoklipin e xhiruar në Prishtinë (VIDEO)

Këngëtari Isaac Gracie ka zgjedhur Prishtinën për projektin e tij të radhës.

21 vjeçar, Gracie vjen nga Londra ndërsa ka nisur të këndojë qysh në moshën 14 vjeçare. Projekti i tij i radhës, videoklipi ‘Terrified’ është xhiruar në Prishtinë.

Kësaj radhe, Horizon-T është kompania e cila ka realizuar videoklipin e artistit. E themeluar nga Besnik Krapi dhe Harvey Ascott, kompania ka për synim të promovojë Kosovën e Shqipërinë si vende me kapacitete të mëdha për xhirim nëpërmjet prurjes së artistëve të njohur ndërkombëtarë për të realizuar projektet e tyre këtu.

https://www.youtube.com/watch?v=ztm54WupdPU

Bendi Royal Blood jo shumë kohë më parë e solli këngën e tyre me anë të një bashkëpunimi të tillë, njëjtë sikur Jonas Blue me këngën Mama, i cili është xhiruar si videoklip në Shqipëri dhe ka rreth 500 milion shikime.

“Pak ditë më parë janë realizuar xhirimet për një reklamë për një ndër kompanitë më të mëdha teknologjike, por kjo do të bëhet publike brenda disa ditësh” tregon Besnik Krapi për KultPlus.

Videoklipi i këngëtarit nga Londra është vetëm projekti i radhës që ndikon në promovimin e artistëve dhe shkëmbimin e përvojave të artistëve ndërkombëtarë dhe atyre vendorë. Madje, në këtë videoklip shihen një numër artistësh nga Kosova dhe një ekip i angazhuar që produkti final të dalë sa më i arrirë.
Xhirimet janë realizuar në Grand Hotel dhe në Teatrin Oda në Prishtinë. / KultPlus.com

Në Tiranë hapet ekspozita ‘1 Tetori i vitit 1997 në 36 fotografi’ (FOTO)

“1 Tetori i vitit 1997 në 36 fotografi”. Në prag të 105-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, kjo është ekspozita, që u çel dje në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, për të përkujtuar demonstratat që u bën para 20 vitesh; në Prishtinë, Tetovë edhe Tiranë, për Luftën e Kosovës. Ishin 20 mijë studentë të Universitetit të Prishtinës, të cilët vërshuan nëpër rrugët e kryeqytetit për të protestuar kundër dhunës së egër, që ushtronte pushteti serb mbi popullin e Kosovës. Studentët të vendosur në atë që donin, arritën që t’u bënin ballë edhe kordonëve me hekura, që kishte vendosur policia serbe.

Bujar Dugolli, Muhamet Mavraj, Albin Kurti dhe Driton Lajçi janë ish-drejtuesit e Lëvizjes Studentore, të cilët asokohe i dhanë përparësi lirisë së vendit, ndërsa sot vazhdojnë të kujtojnë sërish ato momente të vështira, të cilat ndikuan në kthesën historike të Kosovës, që mori emrin dhe vulën e UÇK-së. Nëpërmjet ekspozitës në MHK, e cila përcjell më tepër vlera historike sesa artistike, mendojnë që t’u tregojnë brezave që vijnë, se cila është rruga, që është ndjekur për të arritur lirinë.

Një ndër pjesëmarrësit e ish- Lëvizjes Studentore, Bujar Dugolli, (dekan në Universitetin e Prishtinës) ishte i pranishëm dje në Tiranë. Sipas tij, të jesh protagonist edhe historian të bën në mënyrë të vazhdueshme, pa u obliguar nga askush, që t’u tregosh gjeneratave të reja, atë që ka ndodhur në 1 tetor të vitit 1997. Dugolli mendon se protestat studentore të vitit 1997 kanë ndërruar rrjedhat e zhvillimeve politike në Kosovë, duke bërë jehonë të madhe ndërkombëtare.

Janë realizuar dhjetëra dhe qindra takime në periudhën shkurt – shtator 1997 për këtë Lëvizje, e cila ka pasur si përkrahje pa rezervë, por dhe me rezerva e kushte. Në këto takime me faktorë vendorë dhe ndërkombëtarë u janë dhënë këshilla dhe sugjerime. Sidoqoftë, ish-drejtuesit e Lëvizjes vendosën vetë për rrjedhën e asaj.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, realizimin e kësaj ekspozite e konsideroi shumë të rëndësishme, për betejat e mëdha, që janë bërë midis së mirës edhe së keqes.

“Kjo ekspozitë vjen në Tiranë, që Imazhet na njohin me protestën e studentëve që do t’i hapte rrugën masivizimit të UÇK-së por dhe të vetë ndërhyrjes së trupave të NATOS gjë që 2 vite më pas do të konkretizohej me tërheqjen e paramilitarëve dhe trupave të rregullta të ushtrisë serbe nga territori i Kosovës”, u shpreh drejtori i Muzeut Historik Kombëtar dr. Dorian Koçi, i cili për më tej u detajua rreth kushteve social-politike në të cilën u zhvillua protesta studentore e 20 viteve më parë. “Sot kur kohët kanë ndryshuar shumë në favor të shqiptarëve në tërësi, sfidat e reja që na presin kanë të bëjnë me qeverisje më të mirë, për liberalizimin e vizave në Kosovë, por dhe angazhimi i politikave mes Tiranës dhe Prishtinës për përmirësimin e statusit të shqiptarëve në Malin e Zi , Maqedoni e Serbi”. / KultPlus.com

Gratë e sulmuara me acid, pjesë e pasarelave të modës në Indi (VIDEO)

Vajzat dhe gratë ende mbesin viktimat më të shpeshta të sulmeve me acid.

Acidi menjëherë shkatërron fytyrën dhe e deformon atë, e në raste fatale mund edhe t`ia marrë jetën viktimës.

Meena Khatoon nga Nju Delhi, është sulmuar me acid nga burri i saj. Ajo thotë se në rrugë, njerëzit e kanë ndërruar rrugën kur e kanë parë atë fytyrë jo të zakonshme.

Khatoon ka qenë një prej grave që ka defiluar në një revy mode së fundmi, ku janë prezantuar koleksionet e dizajnerëve indianë Rohit Bal, Ranna Gill dhe Archana Kochhar.

Reshma Bano Qureshi është një tjetër viktimë e sulmit me acid. Ajo vitin e kaluar ka defiluar në Javën e Modës në Nju Jork. Thotë të jetë ndjerë nervoze me të dalë në pistë, pasi gjithmonë është nervoze edhe kur del në rrugë, shkruan KultPlus.

Çdoherë e më shumë po bëhet e zakonshme të shohim gra dhe vajza që janë sulmuar me acid, të defilojnë në pasarelat e modës. Duket se kjo edhe e rritë vetëbesimin e tyre, duke jetuar në një shoqëri e cila i paragjykon dhe i trajton keq pasi duket sikur ato ‘e kanë merituar’ ndëshkimin me acid.

Shoqëria indiane është ndër më të prekurat nga sulmet me acid dhe rastet po shpeshtohen. / KultPlus.com

Donald Trump uron shqiptarët për 28 Nëntorin

Presidenca e Republikës së Shqipërisë, njofton se presidenti Ilir Meta ka marrë një mesazh urimi nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Më poshtë po e japim të plotë letrën që Meta ka marrë nga Trump

I dashur Zoti President,

Ndërsa ju festoni 105-vjetorin e Pavarësisë më 28 Nëntor, populli i Shteteve të Bashkuara më bashkohet në urimin për popullin shqiptar. Në këtë ditë ne konfirmojmë miqësinë tonë të fortë dhe përkushtimin ndaj Shqipërisë si dhe presim që ta fuqizojmë edhe më tej këtë marrëdhënie gjatë viteve të ardhshme.

Dy kombet tona kanë zhvilluar një bashkëpunim të thellë që na ka lejuar të punojmë së bashku për të trajtuar çështje me rëndësi globale. Ju falënderojmë për rolin tuaj si partner vendimtar në promovimin e qëndrueshmërisë rajonale dhe luftën kundër ekstremizmit si dhe mbështetjen tuaj anembanë botës si një Aleat i NATO-s dhe vend anëtar i koalicionit për Shkatërrimin e ISIS-it.

Këtë vit mirëpritëm zbatimin nga ana e Shqipërisë të reformave kyçe të drejtësisë, të cilat e kanë sjellë vendin më afër qëllimit për të hyrë në Bashkimin Evropian dhe bashkëpunimit më të madh rajonal. Ne e lavdërojmë përparimin që ka shënuar Shqipëria në drejtim të integrimit euro-atlantik dhe të sigurimit të paqes e begatisë për të gjithë shqiptarët.

Jemi bashkë me ju teksa festoni këtë ditë të veçantë dhe iu uroj Ju dhe popullit shqiptar gjithë të mirat gjatë vitit të ardhshëm!