Macron: Kushtet e Putinit janë të papranueshme

Presidenti i Francës Emanuel Macron ka thënë sot se kushtet e vëna nga presidenti rus, Vladimir Putin, për arritjen e armëpushimit në Ukrainë, nuk janë të pranueshme.

“Nuk shoh zgjidhje diplomatike në orët apo ditët në vijim”, ka thënë Macron, gjatë një bisede me gazetarë në Versajë, përpara një samiti të liderëve të Bashkimit Evropian, që do ta adresojë pushtimin rus të Ukrainës, zgjidhjen për rritjen e vazhdueshme të energjisë elektrike dhe pavarësimin nga furnizimi me gaz e naftë ruse.

Putin i kishte prezantuar Macronit kushtet për zgjidhjen e situatës në Ukrainë, që përfshinin çmilitarizimin dhe denazifikimin i Ukrainës, statusin e saj neutral dhe njohjen e Krimesë ruse nga Kievi.

Macron nuk ka shfaqur shpresa se një marrëveshje armëpushimi do të arrihet në Ukrainë gjatë orëve në vijim.

“Definitivisht, jam optimist por më duhet të jem gjithashtu edhe realist”, ka thënë ai.

Macron ka folur edhe për kërkesën e Ukrainës për anëtarësim të shpejtë në BE.

“Me një shtet në luftë? S’ma do mendja… por a duhet ta mbyllim derën dhe të themi ‘kurrë’? Kjo do të ishte e padrejtë”, ka thënë Macron.

Sipas Macron, lufta në Ukrainë “është tragjedi njerëzore, politike dhe humanitare”.  Ai ka thënë se kjo ngjarje do të çojë në ridefinimin e pozicioneve dhe politikave në Evropë. / KultPlus.com

Rusia nuk do të jetë më pjesë e Këshillit të Evropës

Ministria e Jashtme e Rusisë ka thënë se ata nuk do të marrin pjesë më në Këshillin e Evropës, organizatën kryesore të të drejtave të njeriut, e themeluar pas Luftës së Dytë Botërore.

Kremlini tha se anëtarët e NATO-s po minonin Këshillin e Evropës të krijuar për të mbështetur të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe demokracinë. Në realitet, marrëdhënia e Rusisë me Këshillin e Evropës ka qenë gjithmonë e shënjuar me kontrontime, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Rusia iu bashkua Këshillit të Evropës në vitin 1996, pas një aplikimi të Boris Jelcinit si pjesë e një përpjekjeje për të përfshirë tranzicionin e vendit drejt demokracisë. Por kontradiktat kanë qenë të dukshme gjatë gjithë kohës. Disa sugjerojnë se anëtarësimi i Rusisë në organin prej 47 vendesh e ka delegjitimuar atë.

Të drejtat e përfaqësimit të Rusisë u pezulluan më 25 shkurt – një ditë pas pushtimit të Ukrainës. Dhe ata u pezulluan më parë në 2001, pas luftës së dytë çeçene, dhe në 2014 kur Vladimir Putin pushtoi Krimenë./ KultPlus.com

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë fillon seancën dëgjimore për Ukrainën, Rusia refuzon të marrë pjesë

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka filluar seancën dëgjimore ku Ukraina paraqet argumentet e saj verbale kundër Rusisë. Ukraina i ka kërkuar gjykatës të marrë masa paraprake duke e urdhëruar Rusinë të ndalë të gjitha operacionet ushtarake në këtë vend. Rusia ka vendosur të mos përfaqësohet me juristët e saj në këtë seancë të gjykatës më të lartë të Kombeve të Bashkuara.

Me mospjesëmarrjen e saj, Rusia kritikoi kështu zhvillimin e një seance dëgjimore në gjykatën më të lartë të OKB-së për të shqyrtuar kërkesën e Kievit për të ndalur sulmin shkatërrimtar të Moskës ndaj Ukrainës.

“Gjykata mblidhet sot për të dëgjuar argumentet verbale të Ukrainës mbi kërkesën e saj për vendosje të masave paraprake në çështjen për akuzat e gjenocidit, sipas Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimeve të Gjenocidit. Ukraina kundër Federatës Ruse”, tha presidentja e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, gjykatësja amerikane Joan E. Donoghue.

Megjithatë, një radhë karrigesh të rezervuara për juristët rusë qëndronin bosh. Gjykata shprehu keqardhjen për mosparaqitjen e Federatës Ruse gjatë këtyre punimeve.

Seanca dëgjimore vazhdoi sidoqoftë pa pjesëmarrjen e delegacionit rus. Procesi në Pallatin e Paqes të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, do të zgjasë dy ditë, gjatë të cilave Ukraina paraqet argumentet e saj verbale të hënën dhe Rusia ka mundësinë të përgjigjet të martën.

“Ukraina i kërkon gjykatës vendosjen e masës paraprake: Federata Ruse të ndalë menjëherë operacionet ushtarake të filluara më 24 shkurt 2022… Federata Ruse duhet të shmangë çdo veprim dhe të ofrojë të gjitha garancitë se nuk do të ndërmerren veprime që mund të rëndojnë apo zgjasin mosmarrëveshjen në thelb të kësaj çështjeje, ose që mund ta bëjnë mosmarrëveshjen më të vështirë për t’u zgjidhur”,¸lexoi sekretari i gjykatës pasazhe nga kërkesa e paraqitur nga Ukraina.

Një vendim pritet të merret brenda disa ditësh, megjithëse do të mbetet për t’u parë nëse Rusia do të zbatonte urdhrin që mund të japë gjykata. Vendimet e gjykatës janë të detyrueshme dhe përgjithësisht vendet i zbatojnë ato. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është gjykata më e lartë për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes shteteve. Megjithëse një çështje mund të vazhdojë me vite, gjykata ka procedura të përshpejtuara për zbatimin e masave paraprake për të parandaluar një përkeqësim të situatës. /Express/ KultPlus.com

Gjimnazistja 15 vjeçare refuzon të ngjitet në podium me përfaqësuesit e Rusisë

Në garat e Kupës Botërore të Gjimnastikës Artistike në Katar, organizatorët u detyruan që të mbanin dy ceremoni çmimesh, kjo për faktin se gjimnastja ukrainase 15-vjeçare Daniela Batrona refuzoi të dilte në podium me rusët, transmeton KultPlus.

Së pari, një vajzë ukrainase doli në podium, duke festuar me flamurin kombëtar të Ukrainës. Dhe pas saj, atletet neutrale Victoria Listunova dhe Maria Minaeva u lejuan atje.

Daniela Batrona është një nga pjesëmarrëset më të reja në fazat e Kupës së Botës në 2022. Ajo ka lindur në rajonin e Rivne dhe në të kaluarën ka qenë dy herë fituese e Kampionatit Evropian të Gjimnastikës Artistike për Junior.

Ajo fitoi medaljen e parë në karrierën e saj në nivelin e të rriturve në Cottbus të Gjermanisë, ku fitoi medaljen e artë, pas së cilës shkoi në skenën e Kupës së Botës në Katar. Këtu, përveç bronzit, ukrainasi fitoi edhe medaljen e argjendtë në ushtrimet e lira.

Garat në Katar ishin të fundit për atletët nga Rusia dhe Bjellorusia – ata nuk do të mund të konkurrojnë në garat e ardhshme për shkak të pezullimit. /KultPlus.com

Elton John dhe Deep Purple zotohen se nuk do të performojnë më në Rusi

Yjet kryesorë të popit janë zotuar se tani nuk do të kthehen më në Rusi për të performuar atje, për shkak të veprimeve që ka bërë kjo e fundit së fundmi, përcjell KultPlus.

Performanca në ahengjet luksoze të oligarkëve rusë ka qenë prej kohësh një tjetër anë fitimprurëse për disa nga yjet më të mëdhenj të popit të Britanisë. Kjo tani mund të jetë një gjë e së kaluarës.

Elton John dhe grupi rok Deep Purple, të cilët të dy janë paguar më parë për t’u paraqitur në ngjarje private për elitën e vendit, mbrëmë denoncuan pushtimin dhe kritikuan Kremlinin.

John, një kritik i hapur i qeverisë së Vladimir Putin, tha se ai nuk do të luante ndonjë shfaqje të mëtejshme në Rusi “ose për këdo që është i lidhur me regjimin”.

Deep Purple për vite të tëra është dashuruar nga Dmitry Medvedev, ish-kryeministri i Putinit, i cili tani po shërben si nënkryetar i këshillit të sigurisë të vendit. /KultPlus.com

Mbahet tubim solidarizues për popullin ukrainas në Prishtinë, Osmani: Liria dhe demokracia do të triumfojnë

Institucionet kosovare dhe organizatat joqeveritare kanë organizuar sot një aktivitet në qendër të Prishtinës në solidarizim me popullin ukrainas, shkruan KultPlus.

Të pranishëm në këtë tubim ishin edhe ambasadorë të akredituar në Kosovë, gazetarë e përfaqësues të shoqërisë civile.

Gjithashtu, në këtë protestë ka qenë e pranishme edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila para mediave tha se ajo çfarë po përjeton populli i Ukrainës e rikthen Kosovën në kohë.

“Natyrisht që ajo çfarë po përjeton populli i Ukrainës në këto momente na rikthen kujtimet e plagëve të rënda që janë shkaktuar mbi secilin qytetar të Kosovës gjatë viteve të 90-ta nga regjimi gjenocidial i Serbisë. Prandaj edhe jemi bashkuar botës demokratike jo vetëm për ta dënuar agresionin rus mbi Ukrainën por edhe për të kërkuar përgjegjësi për krimet qe po i kryen krimineli i luftës diktatori Putin”.

Sa i përket Kosovës dhe mbështetjes së saj për Ukrainën, e parja e shtetit thotë se institucionet kanë treguar gatishmëri me aq kapacitete që i kanë.

“Institucionet tona kanë treguar gatishmëri që të gjitha ato kapacitete që i kemi dhe që kanë ndërtuar në ndërkohë për pritjen e refugjatëve nga Ukraina ti shfrytëzojmë… Kosova ka treguar gatishmëri që t’i jep mbështetje dhe mikpritje edhe gazetarëve nga Ukraina në mënyrë që ata jo vetëm të vendosen në Kosovë por edhe të vazhdojnë ta kryejnë punën e gazetarisë e raportimit këtu nga një vend u sigurte, pra nga republika e Kosovës”.

Ukraina është duke kaluar nëpër momente shumë të vështira pas pushtimit nga Rusia, e ndërkohë janë duke u zhvilluar disa takime mes palëve për të gjetur një marrëveshje. /KultPlus.com

Kongresmeni amerikan me letër për Biden e Blinken: SHBA të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në NATO

Politikani nga New York, Ritchie Torres, po vazhdon ta mbështes fuqishëm anëtarësimin e Kosovës në Alenancën Veriatlntike, shkruan KultPlus.

Thirrjet e tij të vazhdueshme për anëtësim të Kosovës në NATO, tani kanë marrë një adresë tjetër, pasi i ka dërguar një letër edhe Presidentit Joe Biden dhe sekretarit të përgjithshëm të shtetit, Antony Blinken, pasi kjo do t’i kontribuonte rritjes së sigurisë në rajon.

“Kosova, një aleate e fortë e SHBA-së në Evropën Juglindore, duhet të pranohet në #NATO. I bëj thirrje Presidenit Biden dhe Sekretarit Blinken të dyfishojnë përpjekjet për të siguruar që Kosova të bëhet anëtare. Ne duhet të qëndrojmë me aleatin tonë në mes të krizës së vazhdueshme të sigurisë në rajon”, ka shkruar Torres.

Ai përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Twitter”, ka publikuar edhe letrën letrën dërguar presidentit Biden dhe sekretarit të Shtetit Blinken, në të cilin ndër tjera, kërkon që SHBA të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Aleancën Veri-atlantike.

“Derisa Rusia po vazhdon të sillet si një akter joracional dhe Serbia po i forcon marrëdhëniet e saj me Rusinë, është e rëndësishme që ne të ndihmojmë aleatin tonë Kosovën që t’i bashkëngjitet NATO-s. Me zhvillimet e shpejta të situatës së sigurisë në Evropë, ne duhet të qëndrojmë me aleatin tonë Kosovën dhe të sigurojmë se ata do t’i bashkëngjiten NATO-s si një vend anëtar”, thuhet ndër tjera në letër. /KultPlus.com

‘Është e tmerrshme që ekzistojnë armët nukleare me të cilat njerëzit kërcënohen’

Aktori Robert De Niro ka folur për pushtimin rus të Ukrainës kur u shfaq para studentëve në Universitetin e Kembrixhit për të mbajtur një fjalim, përcjell KultPlus.

Ai foli për karrierën e tij të aktrimit, por kur u pyet për pikëpamjet e tij për Ukrainën, ai tha: “Duhet të ngrihesh dhe të thuash ‘nuk mund ta bësh këtë, është gabim’.

“Duhet të bëjmë diçka për të ndaluar këtë lloj agresioni. Është kaq e thjeshtë. Nuk ka të bëjë as me demokracinë, ka të bëjë me të drejtën dhe të gabuarën – të vërtetën”.

Aktori vuri në dyshim nëse sanksionet e vendosura ndaj Rusisë do të funksiononin.

“Sanksionet – nuk e di se si funksionon me të vërtetë, disi po, por nuk e di sa kafshim kanë, çfarë dhëmbësh kanë – kjo është me të vërtetë pyetja ime”, tha ai.

Ai gjithashtu përmendi edhe pjesën e armëve bërthamore dhe se sa të rrëzikshme janë ato.

“Dhe gjithashtu, kjo është një gjë e tmerrshme për të qenë të vetëdijshëm, se ne kemi armë bërthamore me të cilat njerëzit kërcënojnë… nëse i përdorni ato, asgjë s’do të jetë si më parë. Nuk mund ta imagjinoj këtë botë në atë gjendje”, tha ai.

Sot janë bërë 11 ditë që kur Ukraina është pushtuar nga Rusia. /KultPlus.com

Rusia bllokon Facebook-un

Rregullatori shtetëror rus për mediat Roskomnadzor, ka bërë të ditur se qasja në rrjetin më të madh social në botë, Facebook është ndaluar në Rusi.

Sipas agjencisë ruse të lajmeve RIA, vendimi vjen pasi që Roskomnadzor ka gjetur shkelje që përbëjnë diskriminim ndaj Rusisë nga Facebook-u.

Në raportim thuhet se janë gjetur 26 shkelje që nga tetori i vitit 2020. / KultPlus.com

Microsoft pezullon shitjen e produkteve në Rusi

Microsoft tha të premten se do të pezullonte shitjet e reja të produkteve dhe shërbimeve të saj në Rusi. Kështu ajo do të bëhet kompania e fundit perëndimore që distancohet nga Moska pas pushtimit të Ukrainës, shkruan CNN.

Disa kompani të mëdha, duke përfshirë Apple Inc (AAPL.O) , Nike dhe Dell Technologies (DELL.N) , kanë ndërprerë lidhjet me Rusinë, pasi vendet perëndimore vendosën sanksione kundër Moskës pas sulmit.

Apple tha të martën se kishte ndaluar të gjitha shitjet e produkteve në Rusi. Dell bëri një lëvizje të ngjashme javën e kaluar.

Përveç pezullimit të shitjeve të reja, Microsoft do të ndalojë shumë aspekte të biznesit në Rusi në përputhje me sanksionet e qeverisë, tha presidenti i kompanisë, Brad Smith. / KultPlus.com

EPA/SVEN HOPPE

Zelenskiy i drejtohet edhe Perëndimit: Më jepni aeroplanë – nëse Rusia s’ndalet tani, këto shtete do të jenë në rend

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy përveçse ka kërkuar më shumë ndihmë ushtarake nga Perëndimi, në një konferencë për shtyp ka paralajmëruar se pjesa tjetër e Europës do ta pësojnë njësoj nëse nuk Rusia nuk ndalet tani.

Zelenskiy ka kërkuar që Perëndimi t’i japë aeroplanë nëse nuk mund t’i mbyllë qiejt, raporton The Guardian.

“Nëse nuk keni fuqi t’i mbyllni qiejt, atëherë më jepni aeroplanë!”, tha ai.

“Nëse nuk jemi më atëherë, Zoti na ruajt, Letonia, Lituania, Estonia do të jenë të radhës. Më besoni”, shtoi ai.

Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Olha Stefanishyna tha më herët gjatë ditës se NATO është pjesërisht përgjegjëse për vdekjet e civilëve në vend, duke iu referuar mosvendosjes së një zone ndalim-fluturimi mbi Ukrainë. / KultPlus.com

Spotify mbyll zyrën në Rusi

Gjiganti i transmetimit muzikor, Spotify, e ka mbyllur zyrën në Rusi, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Kompania ka kufizuar gjithashtu zbulueshmërinë e shfaqjeve në pronësi dhe operim të mediave shtetërore ruse.

Netflix ka njoftuar më parë se nuk ka plane të shtojë kanale shtetërore në shërbimin e tij rus, pavarësisht një rregulloreje që do t’i kërkonte asaj të shpërndante kanale të mbështetura nga shteti.

Ditëve të fundit, disa prej brendeve më të mëdha në botë si Shell, Apple dhe Boeing i kanë ndërprerë marrëdhëniet ose i kanë ndaluar shitjet në Rusi, shpeshherë duke e dënuar pushtimin rus të Ukrainës. / KultPlus.com

Shtëpi, rrugë e ura të shkatërruara, fotografi që dëshmojnë dëmet nga lufta në Ukrainë

Rusia tash e shtatë ditë është duke sulmuar Ukrainën.

Nga sulmet me raketa dhe bomba janë dëmtuar shumë ndërtesat e qyteteve të ndryshme në Ukrainë, teksa gjendje më e rënduar po raportohet të jetë në qytete e mëdha të Ukrainës, si në Kyiv, Kharkiv e Mariupol.

Më poshtë mund t’i shihni disa fotografi nga shkatërrimet që janë bërë si pasojë e luftës në qytete të ndryshme të Ukrainës. / KultPlus.com

Qyteti Horlivka (Gorlovka) i kontrolluar nga separatistët në rajonin Donetsk, Ukrainë, 2 mars 2022. Fotografia: Alexander Ermochenko/Reuters
Zhytomyr, Ukraine on March 2, 2022. Photograph: Anadolu Agency/Getty Images
Kyiv, Ukraine, Wednesday, March 2. 2022. Photograph: Emilio Morenatti/AP

Atletët rusë dhe bjellorusë do të lejohen të marrin pjesë si neutralë në Lojërat Paraolimpike Dimërore 2022

Atletët rusë dhe bjellorusë do të lejohen të marrin pjesë si neutralë në Lojërat Paraolimpike Dimërore 2022 në Pekin, njoftoi të mërkurën Komiteti Paraolimpik Ndërkombëtar (IPC), përcjell KultPlus.

IPC tha se ata do të garojnë nën flamurin IPC dhe nuk do ta kenë himnin e vendit të tyre. Ata gjithashtu nuk do të përfshihen në tabelën e medaljeve.

Delegacioni rus duhet të mbulojë simbolin e Rusisë në uniformat e tyre në të gjitha ceremonitë zyrtare dhe garat sportive, tha IPC. Delegacioni i Bjellorusisë duhet të mbulojë flamujt e Bjellorusisë në uniformat e tyre në të gjitha ceremonitë zyrtare dhe garat sportive.

Bordi Drejtues i IPC-së është i bashkuar në dënimin e këtyre veprimeve dhe ishte dakord që ato nuk mund të kalojnë pa u vënë re ose pa adresuar.

“Ajo për të cilën kemi vendosur është dënimi më i ashpër i mundshëm që mund të shqiptojmë brenda kushtetutës sonë dhe rregullave aktuale të IPC”, thuhet nga bordi drejtues.

IPC tha gjithashtu se nuk do të zhvillojë asnjë ngjarje në Rusi ose Bjellorusi “deri në një njoftim tjetër”. /KultPlus.com

Biden: Putin u përpoq të trondiste themelet e lirisë, përkundrazi u përball me forcën e popullit ukrainas

Pushtimi rus në Ukrainë ka marrë vëmendjen e të gjithë botës, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe presidentin Joseph Biden, shkruan KultPlus.

Gatishmëria e popullit ukrainas për të luftuar dhe mbrojtur vendin e tyre është pëlqyer nga të gjithë.

“Gjashtë ditë më parë, Vladimir Putin i Rusisë u përpoq të trondiste themelet e botës së lirë, duke menduar se mund ta gjunjëzonte atë ndaj rrugëve të tij kërcënuese. Por ai i bëri llogaritë gabim. Ai mendoi se mund të hynte në Ukrainë dhe bota do t’a lejonte. Përkundrazi, ai u përball me një forcë që nuk e kishte imagjinuar kurrë. Ai u përball me popullin ukrainas”, – Joseph R. Biden. /KultPlus.com

WASHINGTON, DC – FEBRUARY 24: Anti-war demonstrators and Ukrainians living in the U.S. protest against Russia’s military operation in Ukraine in Lafayette Park on February 24, 2022 in Washington, DC. Russian President Vladimir Putin launched a full-scale invasion of Ukraine on February 24th. (Photo by Anna Moneymaker/Getty Images)

Situata në Ukrainë mund të prodhojë krizën më të madhe të refugjatëve në Evropë këtë shekull

Situata në Ukrainë mund të bëhet “kriza më e madhe e refugjatëve në Evropë këtë shekull” me më shumë se 600,000 refugjatë që besohet se janë larguar nga Ukraina në vendet fqinje deri më tani, tha të martën Agjencia e OKB-së për Refugjatët (UNHCR).

“UNHCR-ja po mobilizon burimet për t’iu përgjigjur sa më shpejt dhe në mënyrë efektive”, shtohet në deklaratë.

Më herët të martën, UNHCR lëshoi ​​një apel për 1.7 miliardë dollarë ndihmë, duke vlerësuar se 12 milionë njerëz brenda Ukrainës mund të mbeten në nevojë për ndihmë dhe mbrojtje, me katër milionë të tjerë që pritet të kenë nevojë për ndihmë në vendet fqinje, transmeton KultPlus.

“Ndërsa kemi parë solidaritet dhe mikpritje të jashtëzakonshme nga vendet fqinje në pritjen e refugjatëve, duke përfshirë nga komunitetet lokale dhe qytetarët privatë, do të nevojitet shumë më tepër mbështetje për të ndihmuar dhe mbrojtur të ardhurit e rinj”, tha të martën Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Filippo Grandi.

Sipas UNHCR-së, programi i saj i ndihmës do të përfshijë “ndihmë në para për njerëzit më të cenueshëm, ndihmë ushqimore, ujë dhe mbështetje për kujdesin shëndetësor, shërbimet arsimore, dhe asistencë në strehimore për të rindërtuar shtëpitë e dëmtuara”.

1.1 miliardë dollarë nga fondet do të përdoren për të ndihmuar gjashtë milionë njerëz brenda Ukrainës për një periudhë fillestare tre mujore, sipas UNHCR.

“Grupet e ndihmës do të kenë nevojë për çasje të sigurt dhe të papenguar në të gjitha zonat e prekura nga konflikti, sipas parimeve thelbësore humanitare të njerëzimit, neutralitetit, paanshmërisë dhe pavarësisë operacionale”, shtohet në deklaratë. /KultPlus.com

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së pritet të izolojë Rusinë për pushtimin e Ukrainës

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara prej 193 anëtarësh filloi takimin për krizën në Ukrainë të hënën përpara një votimi për të izoluar Rusinë duke e dënuar “agresionin e saj kundër Ukrainës” dhe duke kërkuar që trupat ruse të ndalojnë luftën dhe të tërhiqen.

Asambleja e Përgjithshme do të votojë këtë javë për një projekt-rezolutë të ngjashme me një tekst të vënë veton nga Rusia në Këshillin e Sigurimit prej 15 anëtarësh të premten. Asnjë vend nuk ka të drejtën e vetos në Asamblenë e Përgjithshme dhe diplomatët perëndimorë presin që rezoluta, e cila ka nevojë për mbështetjen e dy të tretave, të miratohet.

Ndërsa rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme nuk janë detyruese, ato kanë peshë politike. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e shohin veprimin në Kombet e Bashkuara si një shans për të treguar se Rusia është e izoluar për shkak të pushtimit të saj në Ukrainën fqinje.

Projekt-rezoluta tashmë ka të paktën 80 bashkë-sponsorizues, thanë diplomatët të hënën. Më shumë se 100 vende do të flasin përpara votimit të Asamblesë së Përgjithshme.

Ambasadori francez i OKB-së Nicolas de Riviere tha: “Askush nuk mund ta shmangë vështrimin e tyre, abstenimi nuk është një opsion”. / KultPlus.com

Presidentja Osmani për TRT World: Dhimbja që shohim në mbarë Ukrainën sjell shumë vështirësi për popullin e Kosovës

Presidentja Vjosa Osmani së fundmi ka ndarë solidaritetin e saj nëpërmjet një interviste të zhvilluar për TRT World mbi sulmet ruse në Ukrainë, shkruan KultPlus.

“Imazhet shkatërruese nga Ukraina dhe veçanërisht dhe do të thoja se shumë njerëz në mbarë rajonin tonë që u bënë viktima të gjenocidit ishin krime dhe po ashtu krime kundër njerëzimit, si dhe në të njëjtën kohë tregon se sa e rëndësishme është që kombet demokratike në mbarë botën të bashkohen rreth shpëtimit të njerëzimit”, thotë Osmani.

Sipas saj, po aq sa ka të bëjë me synimet imperialiste të Rusisë ndaj Ukrainës dhe vendeve të tjera që ishin formalisht pjesë e BRSS dhe më gjerë, ka të bëjë edhe me ruajtjen e vlerave që ndajmë, prandaj ajo tregon se ne si Kosovë vazhdimisht theksohet fakti se zëri ynë kolektiv është jashtëzakonisht i rëndësishëm tani për të sjellë bashkimin e vlerave kolektive, sepse mund të duket sikur bëhet fjalë për Ukrainën, por kjo është shumë më e madhe se kaq.

“Bëhet fjalë për mënyrën tonë demokratike të jetesës, të cilën Rusia dhe aleatët e saj po përpiqen ta shkatërrojnë. Bëhet fjalë për gjithçka që kemi arritur deri më tani, që ata po përpiqen të shkatërrojnë, dhe për këtë arsye ne me të vërtetë kemi nevojë, sado i madh apo i vogël të jetë një vend, të sigurohemi që të shprehim zërat e njerëzve që përfaqësojmë dhe në të njëjtën kohë shprehim solidaritet me popullin ukrainas, prandaj Kosova ka qenë ndër kombet e para në botë që ka treguar solidaritet, për të treguar se qëndrojmë me Ukrainën, duke e ditur se kjo do të jetë për botën në të cilën duam të jetojmë”, thotë Osmani.

Më poshtë KultPlus ua sjell intervistën e plotë të saj:

Pavijoni rus raportohet se nuk do të marrë pjesë në Bienalen e Venecias

Pas pushtimit të Ukrainës, pavijoni rus në Bienalen e Venecias nuk do të zhvillohet siç ishte planifikuar këtë vit, përcjell KultPlus.

Artistët Alexandra Sukhareva dhe Kirill Savchenkov, si dhe kuratori Raimundas Malašauskas, thanë të dielën se nuk do të merrnin më pjesë në pavijon.

Pavijoni Rus duket se sugjeroi se nuk do të presë fare një ekspozitë këtë vit në Bienalen, e cila do të hapet në prill.

“Pavijoni rus do të mbetet i mbyllur”, thanë organizatorët e pavijonit në një postim në Instagram.

Muzeu Garage i Artit Bashkëkohor, një institucion në Moskë që është ndër më të rëndësishmit e këtij lloji në Rusi, tha këtë fundjavë se do të ndalonte përgatitjet për shfaqjet kushtuar Anne Imhof, Helen Marten dhe artistë të tjerë me famë ndërkombëtare.

Lajmi vjen pasi pavijoni i Ukrainës në Bienalen e Venecias është gjithashtu i varur në balancë. Artisti Pavlo Makov dhe kuratoret Lizaveta German, Maira Lanko dhe Borys Filonenko thanë javën e kaluar se shpresonin të vinin në skenë pavijonin këtë vit, por se për shkak të pushtimit, ata “nuk ishin në gjendje të vazhdonin punën në projektin e pavijonit për shkak të rreziku për jetën tonë.”

Vetë Bienalja lëshoi ​​një lutje për paqe javën e kaluar, duke thënë: “Ne shprehim shpresën se diplomacia ndërkombëtare do të gjejë forcën për të ndjekur një zgjidhje të përbashkët paqësore në kohën më të shkurtër të mundshme”. /KultPlus.com

Ish-miss Ukraina në frontin e luftës: Duart larg Ukrainës

“Larg duart nga Ukraina”, u bëri thirrje ajo rusëve.

– Antasiia Lenna

Miss Ukraina 2016, Anastasiia Lenna njoftoi në rrjete sociale se mbështet Ukrainën dhe i bëri thirrje shtetit të Rusisë që të largojnë duart nga Ukraina, përcjell KultPlus.

Përmes një postimi në “Instagram” ajo përdori fjalët kyçe Stand With Ukraine (Unë mbështes Ukrainën) dhe Hands Off Ukraine (duart larg Ukrainës).

Lenna nuk është pa eksperiencë në armë, pasi ka konkurruar disa herë në gara që kanë të bëjnë me gjuajtje. /KultPlus.com

Pas sanksioneve ndaj Rusisë, Szunyog falënderon Kurtin për rreshtim krah BE-së

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka zhvilluar një takim me kryeministrin Albin Kurti, shkruan KultPlus.

Szunyog ka falënderuar qeverinë e Kosovës rreth rreshtimit të saj krah BE-së për sanksionet e vendosura ndaj Rusisë.

“Faleminderit Albin Kurtit dhe qeverisë së Kosovës për pozicionin e juaj të qartë politik dhe rreshtimin me paketën e sanksioneve të BE-së në lidhje me agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës”, ka shkruar Szunyog në “Twitter”.

Qeveria e Kosovës ka miratuar të premten një pako me sanksione kundër Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës. /KultPlus.com

Rusia është përjashtuar nga Eurovision 2022

Pas deklaratës së djeshme se nuk do ta përjashtojnë Rusinë nga Eurovizioni, meqë është garë kulturore dhe s’ndërlidhet me politikën, Unioni Evropian i Transmetuesve sot ka marrë vendim që të mos lejojë pjesëmarrjen e Rusisë në Evrovizionin e këtij viti.

EBU ka njoftuar se asnjë këngë ruse nuk do të marrë pjesë në Eurovizionin e këtij viti.

“Bordi Ekzekutiv i EBU mori vendimin pas një rekomandimi më herët sot nga organi drejtues i Eurovision Song Contest, ‘Grupi Referues’, bazuar në rregullat e ngjarjes dhe vlerat e EBU,” tha organizata në një deklaratë sot.

“Vendimi pasqyron shqetësimin se, në dritën e krizës së paprecedentë në Ukrainë, përfshirja e një pjese të Rusisë në konkursin e këtij viti do ta çonte konkurrencën në reputacion. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj mbrojtjes së vlerave të një konkursi kulturor që promovon shkëmbimin dhe mirëkuptimin ndërkombëtar, bashkon audiencën, feston diversitetin përmes muzikës dhe bashkon Evropën në një skenë.”

Organizatorët e ‘Eurovision Song Contest’ ishin goditur me një sërë kërkesash për të ndaluar Rusinë të konkurronte në konkursin e këtij viti.

Kështu kanë bërë të ditur përmes një komunikate për media EBU, duke treguar se një gjë e tillë është bërë me rekomandim të organit drejtues të Evrovizionit, në pajtim më rregullat dhe vlerat e EBU-së. / KultPlus.com

Vajza e Roman Abramovich kundër Putin

Sofia Abramovich, vajza e pronarit të Chelseas, Roman Abramovich, godet në Instagram “propagandën e Kremlinit” që pretendon se “shumica e rusëve qëndrojnë me Putinin” mbi vendimin e tij për të bërë luftë në Ukrainë.

Babait të saj dhe Presidentit të skuadrës nga Londra, Roman Abramovich do t’i ndalohet të jetojë në Britani, pasi që konsiderohet si një nga 35 oligarkët që e mbështesin presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, përcjell GazetaBlic Sport.

Megjithatë, kjo nuk e ka penguar vajzën e tij që të dal me një deklaratë kundër Putinit. Ajo në postimin e saj la për të kuptuar se është kundër tij dhe se Rusia nuk është në mbështetje./KultPlus.com