Hapen ekspozita me fotografi për nder të 101 vjetorit të Tiranës kryeqytet

Në kuadër të 101 vjetorit të Tiranës kryeqytet në mjediset e kalasë së Tiranës janë ekspozuar për publikun 60 fotografi të vjetra nga Arkiva Qendrore e Shtetit, kartolina, objekte autentike nga koleksionistët dhe elementë të veshjeve tiranase.

Në çeljen e ekspozitës “Historia e Tiranës së vjetër përmes fotografive”  të pranishëm ishin Ardit Bido, Drejtor i Përgjithshëm i Arkivave; Andi Seferi, Zv/Kryetar i Bashkisë Tiranë; Klodiana Toptani, Administratore e Kalasë; Mirela Bogdani, kryetare e Shoq. Tirana Intellectum.

Ardit Bido, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave theksoi rëndësinë e datave të tilla për të treguar edhe çfarë ruhet në fondet arkivore, si një moment me rëndësi për kujtesën.

“101-vjetorin e Tiranës vendosëm ta kremtonim përmes kësaj ekspozite ku shfaqen imazhet e vjetra të kryeqytetit, para vitit 1945. Këtu tregohet një pjesë e historisë së tij, me ndërtesat historike me funksion publik, banesat e Tiranës, ngjarje dhe personazhe”, u shpreh Bido.

Në fjalën e tyre Klodiana Toptani dhe Andi Seferi theksuan se kjo është një datë me rëndësi jo vetëm për kryeqytetin por për shqiptarët ndaj edhe duhet kujtuar në çdo formë.

Mirela Bogdani, kryetare e Shoqatës “Tirana Intellectum” tha se, “shumë nga këto fotografi që ne shohim sot kanë mbetur thjesht fotiografi pasi thuajse asgjë prej tyre nuk ekziston. Kjo është jo vetëm  një ditë kujtese por edhe një moment për të bërë thirrje që të ruajmë atë që ende ka mbetur në kryeqytet”.

Ekspozita do të qëndrojë e çelur për disa ditë në Kalanë e Tiranës, në hapësirën publike të ekspozitave për cilindo që dëshiron të shohë Tiranën siç ka qenë, përmes fotografive por edhe objekteve autentike. /ata/ KultPlus.com

Hapet ekspozita që dëshmon rezistencën shqiptare nga themelimi i LDK-së

Medina Pasoma

Në 31 vjetorin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit shënoi hapjen e ekspozitës “Rezistenca paqësore dhe shtetndërtimi 1989-1999” në Muzeun Shtëpia e pavarësisë “Dr. Ibrahim Rugova”, shkruan KultPlus.

Nën kurimin e Shkumbin Brestovcit, përmes kësaj ekspozite u shfaqën para publikut fotografitë, dëshmitë historike, botimet dhe pjesë nga librat vendorë e ndërkombëtarë nga periudha përgjatë së cilës një parti politike simbolizonte unifikimin dhe rezistencën mbarëpopullore të kombit shqiptarë.

Në hapjen e kësaj ekspozite i pranishëm ishte edhe kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, i cili e cilësoi këtë ekspozitë që flet me pak fjalë nëpërmjet fotografisë dhe fakteve nga përpjekjet historike të shqiptarëve.

“Një ekspozitë e jashtëzakonshme që për 10 minuta ti e ke para syve komplet historinë e popullit të Kosovës deri në ditën e sotme”, tha Hoti.

Në anën tjetër, ministrja në detyrë për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi për KultPlus u shpreh se qëllimi i kësaj ekspozite qëndron në edukimin dhe shpërfaqjen nëpërmjet arkivave të realitetit historik.

“Kjo ekspozitë për mua është një pjesë e mallëngjimit e shumë njerëzve që kanë qenë pjesëmarrës dhe sot nuk i kemi në mesin tonë, por kontributi i tyre ka qenë shumë i madh, mbase ndonjëherë i harrojmë për këtë kontribut”, u shpreh ministrja Dumoshi.

Tutje ajo theksoi se ky bashkim historik i dokumentacioneve në një ekspozitë, është një dhuratë shumë e rëndësishme për ditëlindjen e 31-të të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kuratori i cili ka sjellur finalizimin e kësaj ekspozite për një periudhë 3 vjeçare, Shkumbin Brestovci detajoi për KultPlus burimet që i ka përdorur.

“Aspekti kuratorial është bazuar kryesisht në libra, natyrisht se ka pasur edhe burime narrative, që kam folur me njerëz, ka burime gazetareske, por shumica janë të bazuara në libra”, ka thënë Brestovci.

Nga të gjitha pjesët të cilat sjellin kontribute në fusha të ndryshme, kuratori veçoi shëndetësinë dhe shkollimin, gjë për të cilat tha se edhe publiku janë mahnitur me këtë aspekt të rezistencës.

“Mënyra se si është organizuar shëndetësia, si janë hapur ato 96 klinika, si janë mbajtur nëpërmjet punës vullnetare të mjekëve, është rast unik në botë, ka pasur edhe në vende tjera por jo në këso përmasash”, vlerësoi Shkumbini.

Ai përmendi edhe shkollat paralele, për të cilat tha se nga 10.000 interesime të qytetarëve për kthimin e shtëpive të tyre në shkolla, 3.000 prej tyre u shndërruan në shtëpi-shkolla.

“Unë kam takuar arsimtarë dhe profesorë që kanë thënë se nxënësit e studentët e mi të viteve të 90-ta janë më të mirë se të viteve të 80-ta, dukshëm më mirë se të 2000-tat”, tha kuratori Brestovci, duke treguar rëndësinë që kishin këto iniciativa në atë kohë.

Përveç restrospektivës të atyre që e kanë përjetuar këtë periudhë, Brestovci thekson edhe qëllimin e kësaj ekspozite për të rinjtë.

“Ideja është tua prezantojmë si dromca të ngjarjeve që ua ngacmon kureshtjen, në mënyrë që ta hulumtojnë duke ju dukur interesante”, u shpreh Shkumbin Brustovci.

“Rezistenca paqësore dhe shtetndërtimi 1989-1999” në Muzeun Shtëpia e pavarësisë “Dr. Ibrahim Rugova” do të qëndroj e hapur për kureshtjen e publikut. / KultPlus.com

Galeria ‘Ambigu’ në Kanada ekspozon pikturat e artistëve shqiptarë

Është bërë e ditur se Galeria Ambigu në Montreal, Kanada, ka çelur një ekspozitë me piktura ku marrin pjesë edhe disa artistë të njohur shqiptarë, transmeton KulPlus.

Në këtë ekspozitë marrin pjesë me kompozimet e tyre dhe disa artistë shqiptarë, si Eline Lako, Entela Konomi, Gent Bejko, Kastriot Dervishi, të cilët janë pjesëmarrësit me origjinë shqiptare./albinfo/ KultPlus.com

Hapet në Tiranë ekspozita “Heroes” e piktorit Agim Sulaj

Ekspozita “Heroes” vjen për publikun me disa prej punëve më të mira të piktorit të njohur Agim Sulaj.

Me një aktivitet të vlerësuar brenda dhe jashtë vendit, si dhe pjesëmarrës e fitues në konkurse të ndryshme në botë me punët e tij në karikaturë, artisti i njohur vazhdon traditën e tij me ekspozitën e dhjetorit në Shqipëri. Tre vite me parë ekspozita e tij te hotel “Plaza” quhej “Rrënjët”, këtë vit vjen me emrin “Heroes”. Piktori i njohur ka prezantuar 25 tablo në ekspozitën e tij.

Në një reagim piktori thotë se këtë herë ka dhe punë, që i dedikohen situatës së vështirë me pandeminë globale që po kalojmë, por ka dhe piktura të tjera me mbresa të pikturuara, si dhe tablo historike. ““Heroes” një dedikim situatës e vështirësive të krijuara nga covid-19 nëpërmjet një tabloje. Si dhe një zhytje me kujtime, mbresa të pikturuara e tablo historike. Por COVID-19 nuk e ndalon krijimtarinë”, thotë piktori i cili hapi ekspozitën e tij në datë 11 dhjetor për publikun, që mund të shikojnë punët e tij duke respektuar rregullat që janë vënë për shkak të pandemisë. Ekspozita “Heroes” është prezantimi i radhës së piktorit Agim Sulaj me publikun artdashës shqiptar. Sipas tij janë 25 punime, që përcjellin edhe mesazhe paqeje. “Nuk mund ta ndërprisja traditën e bukur të krijuar tashmë këto katër vjet me publikun e miqtë artdashës të Shqipërisë. Jeta e arti duhet eci e të prezantohet”, thotë piktori i njohur Agim Sulaj, për aktivitetin e tij me pikturën gjatë këtij viti mjaft të vështirë për shkak të pandemisë globale.

Ekspozita deri në shkurt 2021

Piktori për shkak të situatës me pandeminë nuk ka mundur të jetë vetë në Tiranë. Por punët e ekspozitës i ka dërguar dhe tashmë janë prezantuar në Tiranë. Piktori Agim Sulaj thotë se ekspozita do të qëndrojë deri nga mesi të muajit shkurt të vitit që vjen. Por dhe pse një vit i vështirë, piktori Agim Sulaj ka vijuar të jetë pjesëmarrës në konkurse të ndryshme, sipas tij duke marrë dhe vlerësime të reja. “Ky vit dhe pse shumë me vështirësi nuk e ka frenuar aktivitet in tim. Jam i kënaqur, që jetës sime artistike i kam dhënë emocione , çmime e vlerësime të reja”, thotë ai. Këtë herë në këtë ekspozitë të hapur në Tiranë, piktori thotë se përgjithësisht janë punime të reja në 25 tablotë e prezantuara. “Është një variant i ti i tablosë historike me kokën e Ali Pashë Tepelenës te Sulltani, që ndodhet në Janinë në Muzeun e Aliut, me përmasa të mëdha. Kisha dëshirë ta bëja të madhe”, tregon ai. Gjatë një viti më parë piktori shqiptar me famë ndërkombëtare Agim Sulaj mori pjesë në konkurse të ndryshme në botë, ku është vlerësuar me çmime, por shprehej se për ekspozitën në Tiranë në muajin e fundit të vitit në dhjetor kishte kohë që e kishte menduar.

Agim Sulaj piktor e karikaturist shqiptar, 19 vjeç fiton çmimin e tij të parë në një konkurs satire dhe humorizmi të organizuar nga “Hosteni”. Në vitin 1985 diplomohet në Universiteti i Arteve në Tiranë, dhe gjatë shkollës e më pas, punon te “Hosteni” e vetmja revistë satirike kohës, për aq satirë që mund të bëhej asokohe. Trajton gjithnjë tema shoqërore, subjektet e para trajtojnë servilizmin, thashethemet etj. Në vite ka ekspozuar dhe është vlerësuar jo vetëm në të katër anët e Italisë, por edhe në Greqi, Amerikë, Turqi, Belgjikë, Francë, Azerbajxhan, Kinë, Iran, Hungari, Poloni, Bullgari, etj. Agim Sulaj mes vlerësimeve që ka marrë ka fituar edhe “Grand Prix Aydin Dogan Stamboll”. I cilësuar si çmim “Oscar” për karikaturën, ky vlerësim vjen për artistin e njohur shqiptar në vijim të aktivitetit të tij. Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin 583 artistë nga 63 vende të botës dhe 2750 punime të seleksionuara. /dp/ KultPlus.com

Ekspozita e Gazmend Lekës “Noe” apo kaosi i shndërruar në rregull nga heronjtë

Ditëve të vështira të pandemisë nuk mund t’i mungonin edhe përjetimet krijuese të piktorit të njohur dhe të dashur për publikun, Gazmend Leka, ekspozita e të cilit “NOE” u çel disa ditë më parë në mjediset e galerisë FAB pranë Universitetit të Arteve.

Ndoshta tema që trajtojnë punimet, ndoshta edhe atmosfera që nxit kërkimin për të bukurën dhe shpresën kanë sjellë publik të shumtë pranë ekspozitës, ashtu si shprehet vetë piktori “ndoshta më shumë nga ekspozitat e mëparshme”.

Shpeshherë në momente vështirësie njeriu kërkon ngushëllim dhe të përbashkëtat e jetës dhe ai i gjen këto elemente tek arti.

“Ajo çka kam ndërtuar unë në këtë ekspozitë janë pikturat, s’kam bërë filozofinë e shpëtimit të njeriut. Unë kam bërë thjesht një pikturë që ose të emocionon ose jo, por ajo që është kryevepra është se ndonjëherë njerëzit janë shumë sensibël për pësimet që i ndodhin atij në vetën e parë. Si popull neve shpeshherë jemi përmbytur. Vepra e artit nuk duhet të jetë një më një me realitetin por kur ti e di se si ta prekësh nervin e publikut atëherë them se vepra shkon në vendin e duhur. Ka një sukses që duhet ta meritoj sepse është një punë që artisti e bën për një kohë të gjatë”, u shpreh piktori Leka.

Kjo ekspozitë ishte pjesë e një triologjie pasi më parë janë hapur dy ekspozita të emërtuara “Lutja” dhe “Dhoma e hapave të humbur”. Përmbyllja e këtij cikli triologjik u titullua “Noe” sipas artistit sepse ai ka centruar një personazh, atë që shpëton veten dhe më pas edhe kafshët.

“Sigurisht, qëllimisht e emërtova ekspozitën me emrin ‘NOE’ sepse mund ta quaja edhe përmbytja apo me një tjetër emër. Por, njerëzit dinë të bëjnë shoqërizimin me emrin ‘NOE’ dhe përmbytjen e madhe. NOE është një personazh biblik por bota njeh shumë NOE të tjerë. Ka momente kaosi i cili ka nevojë që të kthehet më pas në një rregull, dhe këtë e kthejnë më pas në një rregull ata që më pas emërtohen heronj”, u shpreh Leka.

Përsa i përket kryefjalës së ekspozitës, marrëdhënies së logjikës me instiktin, pra njeriu në marrëdhënie me kafshën dhe sidomos me ato dybrirëshe, artisti e shpjegon kështu:

“Kafshët dybrirëshe në përgjithësi konsiderohen si kafshët opozitare. Ku totali është ndarë në dysh. Sytë tanë që në vegjëli janë mësuar më brirët që nga përkrenarja e Skëndërbeut, brirët e artë”

Për një artist piktor është e rëndësishme që të ketë sa më tepër audiencë por edhe që veprat e tij të shiten. Piktori Leka është shumë i qetë për këtë pjesë sepse admiruesit e tij janë të shumtë dhe mezi presin që ai të hapë ekspozitën e radhës.

“Nga pikëpamja materiale, unë gjithçka e kam të shitur nga ekspozita. Jam shumë i kënaqur sepse energjia ime është përcjellë pa pengesë dhe ky është vërtet maksimumi për mua. Publiku ka nevojë të konsumojë art ashtu sikurse ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore ku u bë edhe një revolucion shumë i madh në art. Tashmë jam mësuar që sapo mbyll një ekspozitë unë përgatitem për ekspozitën tjetër, kam filluar të bëj disa vizatime nudo por edhe piktura”, u shpreh Leka.

“Unë zakonisht krijimet i pagëzoj me disa emra në mënyrë për të vazhduar për të më ndihmuar. Kësaj radhe dua të bëj një ekspozitë me titullin ‘Kaloi një grua’ ose ‘Gruaja e panjohur’”, përfundoi piktori Gazmend Leka për ATSH-në /atsh/j.p/ KultPlus.com

“40 vjet histori në vendin e shqiponjave”, hapet ekspozita e fotoreporterit Michel Setboun

Në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) u hap sot ekspozita “40 Vjet Histori në Vendin e Shqiponjave”.

Kjo ekspozitë përmban katër dekada rrugëtim përmes imazhesh nga fotoreporteri i njohur francez, Michel Setboun.

Eridana Çano, Drejtoresha e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, duke çelur këtë ekspozitë tha se, “në fundvitin ’90 Tirana kryeqyteti i një vendi të varfër si Shqipëria po jetonte mes dy epokave komunizmit në shpërbërje dhe hapave të parë të vendosjes së demokracisë. Falë pamjeve dhe fotografive të kohës sot e kemi kujtesën e atyre viteve ku Shqipëria po ndryshonte rrjedhën e historisë”.

“Sot i shtojmë këtij arkivi dhe kujtesën e fotoreporterit të mirënjohur Michel Setboun, një nga dokumentuesit më të vëmendshëm dhe më këmbëngulës të historisë së Shqipërisë, i cili ishte aty për të na dëshmuar këtë pjesë të historisë, kalvarin e gjatë të vuajtjeve, deri në eksodin e madh, zgjedhjet pluraliste të vitit 1991 dhe përballjen e popullit shqiptar me kapitalizmin”, tha Çano.

Ndërsa fotoreporteri Setboun duke falënderuar kryeministrin Edi Rama që besoi tek ky projekt, u shpreh se, “ky nuk ishte një udhëtim vetëm në një vend, ishte udhëtim në humanitet, sepse mora dëshminë e gjithë këtyre njerëzve dhe historia e tyre është kaq emocionale, sa nuk e imagjinoni dot”.

“Të gjithë kishin diçka për t’u thënë pjesës tjetër të popullit shqiptar. Shqipëria mbetet një vend interesant edhe sot, tërheqës, pasi edhe gjatë asaj kohe njerëzit kanë qenë kaq të mirë me mua”, tha ai.

Me anë të kësaj ekspozite fotografi francez Michel Setboun rikthehet në vendin e shqiponjave, përmes çasteve mbërthyer në kohë si gjurmë që rrëfejnë.

Kjo është një ekspozitë e realizuar përmes shenjave fotografike, si një tjetër dëshmi të multidimensionalitetit të jetës në Shqipëri.

Ekspozita do të vijojë të qëndrojë e hapur për publikun deri më 31 janar 2021 në ambientet e COD. /a.a/r.e/ KultPlus.com

https://www.facebook.com/watch/?v=406547390797775

Veprimtaria e Anton Çettës do të shpaloset nesër në ekspozitën “Rrëfim biografik”

Për nder të ditës së 28 Nëntorit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do ta organizoj ekspozitën “Rrëfim biografik” kushtuar Anton Çettës, shkruan KultPlus.

Muzeu Kombëtar i Kosovës do të hap dyert nesër duke filluar nga ora 13:30 për të shpalosur rrëfimin biografik të njeriut që u bë simbol i bashkimit, nëpërmjet kurimit të Skender Boshtrakajt.

Kjo ekspozitë do të organizohet në kuadër të muajit të Anton Çettës. / KultPlus.com

Ekspozita “Etërit e Pavarësisë” rikujtoi figurat e shquara të 28 Nëntorit

40 nënshkruesë të aktit të Pavarësisë së Shqipërisë erdhën nëpërmjet punimeve artistike të Arben Morinës në ekspozitën “Etërit e Pavarësisë” në Muzeun Hitsorik Kombëtar, shkruan KultPlus.

Ekspozita e cila solli 40 figura të rëndësishme të historisë shqiptare nëpërmjet pikturave të piktorit Arben Morina, u shoqëruan me artefaktet e këtyre nënshkruesve në ekspozitën “Etërit e Pavarësisë”.

Në fjalën e tij përshëndetëse Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, u shpreh se kjo ekspozitë është një kombinim i përkryer i portreteve në pikturë të etërve tanë të 40 firmëtarëve të pavarësisë dhe objekteve të tyre personale që ndodhen në Muzeun Historik Kombëtar. Tutje ai përmendi se të ekspozuara janë edhe një kopje të aktit të shpalljes së pavarësisë dhe disa objekte të Luigj Gurakuqit, Kristo Floqit, për të bërë të mundur këtë lloj harmonie në pasqyrimin e kësaj ekspozite në kombinim me veprat e prezantuara në pikturë të shumë të talentuarit Arben Morina.

Në anën tjetër, protagonisti kryesor i cili rikujtoi nëpërmjet artit rëndësinë e këtyre personaliteteve, Arben Morina falenderoi Muzeun Historik Kombëtar për këtë ekspozitë.

“Për mua kjo ekspozitë ka një rëndësi të veçantë dhe kam ndjerë gjithçka që kam bërë pasi vet gjyshi im Zihni Abas Kanina Hamzaraj ishte një nga nismëtarët e shpalljes së pavarësisë”, tha artisti Morina.

Ekspozita “Etërit e Pavarësisë” u organizua në kuadër të manifestimeve të nëntorit. / KultPlus.com

Ilir Muharremi: Krijimtaria e artistit Jetullah Halitit është një teatër modern

Ilir Muharremi, kritik i artit

Mbrëmë në hapësirën e restaurantit “Apollonia” në periferi të qytetit të Gjilanit, u hap ekspozita personale në kuadër të 75 vjetorit të lindjes së artistit Jetullah Halitit-Etit. Ekspozita erdhi si retrospektivë ndonëse u prezantua edhe një punim për koronavirusin.

Krijimtaria e artistit Jetullah Halitit është një teatër modern me skena të absurdit të Joneskos dhe të Becketit, dhe ky absurd është i thellë dhe ne esencë ka një të vërtetë triumufse. Qëllimi është zhytja në thellësi, dhe ikja në sipërfaqe e ngjyrosur mu me atë thellësi.

Tri ngjyrat e Etit

Ngjyra më e preferuara e artistit Halitit, shkurt të cilin e thërrasin ETI, është e bardha, ngase kjo ngjyrë është tek veza, tek sinqeriteti, pafajësia, tek vellua e nuseve, tek gëzimi, hareja, tek plisi, tek qefini i Rugovasevë, dhe jo rastësisht Eti e gjen shpirtin e tij tek kjo ngjyrë. Kjo ngjyrë e pastër, pasqyron edhe pastërtinë, ose thënë më bukur fshinë brengat, vuajtjet, na liron nga energjia negative, andaj Eti më shumë e gjen sekretin e artit tek kjo ngjyrë mistike, kjo ngjyrë engjëllore e cila mban edhe aromë të engjëjve. Ndërkaq, ngjyra tjetër e cila shqetëson piktorin Eti është e kuqja, ngjyra e gjakut, e historisë, ngjyra e flamurit, vullkaneve të cilat kur shuhen krijojnë toka të reja, e në këto toka të reja artisti Eti zhytet i tëri pas sekreteve, dhe përmes brushës ai kërkon një zgjidhje ose na paralajmëron me një këshillë të lartë. Por, edhe e kaltërta ngritët si një betejë në pëlhurën e Etit, ajo nganjëherë është e ftohët, e thellë, e kthjellët, kufizuese e formave, një qiell pa kufi, por nuk ngulfatet nga ngjyrat e tjera. Të gjitha këto ngjyra si një ombrella ngritën në pentagramin e Etit, ato kanë tinguj dhe secili tingull nga një shkronjë në vete.

“Ngrohja globale” “Shkrirja e akullnajave” “Trekëndëshi i Bërmudës”

Ky cikël është një teatër avangardë, që prek majat e absurdit dhe në asnjë moment nuk të lë të qetë, të jesh pjesë e një finale reale, e cila është e pangopur. Këtu vërejmë teorinë e filozofit të lashtë grek, Heraklitit, i cili thotë: “Zjarri ka fuqi të nderohet me gjithçka, por edhe për vdekjen e zjarrit jeton ajri”, domethënë, fitues na del ajri, dhe këtë frymë mistike, Eti dukshëm na e shfaq, nëpërmjet potezave të brushës që janë tejet shpërthyese dhe që nuk mund të lirohen nga e kuqja gjakatare, ose armikja e natyrës dhe humbësja e pa ngjyrës. Në disa pjesë të ngrohjes, e bardha ngrihet në këtë betejës si diçka shpëtuese, por prapë se prapë është kufizuar nga një e vërtetë e pandryshueshme, absolute në teorinë e vet magjike. Ndërkaq, tek “Shkrirja e akullnajave”, një vdekje më e bardhë, më qetësuese, më e lehtë, disi tinëzisht ngre optimizmin, duke e rrënuar teorinë e zezë të vdekjes me një zëvendësim gëzimi. Pikërisht këtu hasim në teorinë e filozofit Friedrih Nietzche, që thotë: “Përdore dhimbjen si një instrument gëzimi”, e këtë instrument gëzimi Eti, në formë simbolike e gjen tek e bardha, e cila nuk është aq e ashpër, por një vrasëse e buzëqeshur. Kjo ngjyrë e përdorur konfliktin kryesor e ka me të zezën, nga e skuqura e tepërt ka fituar një të zezë të përkryer.

Shpirtin e pastër të Etit nuk e lë të qetë edhe misteri më i madh në botë “Trekëndëshi i Bermudës” dhe këtë mister, ai e pasqyron si diçka të vërtetë, që ka raporte në këtë kohë.

Profondizmi

E tërë artin e tij, krijuesi Eti e përfundon me stilin e quajtur “Profondizmit”. Mesazhi i profondizmit është i thellë, i pa skajshëm, nuk mund t’ia gjesh fundin, sepse artisti nuk ia përcakton fillimin, dhe në esencë, ende nuk dihet pikënisja, që të vendoset finalja.

Postmodernia e Etit e quajtur “Profondizëm”, tentohet të trajtohet dhe të hulumtohet , njëkohësisht, nga disa kritikë të artit, shqiptarë dhe të huaj. Në këto tentativa, të cilat duhen përgëzuar, por edhe pranuar se janë fillesë, synohet zbërthimi i disa prej veprave më të arrira të Eti-t, duke gërshetuar analizën ideore konkrete, me tentativën për ta zbërthyer teorikisht. Në Profondizëm, nxirret në pah dominimi i brendësisë dhe i thellësisë së krijimit mbi formën e shfaqjes, përndryshe, të paraqitjes.

Postmodernia profondiste Eti-ane vështrohet nga disa pozicione a këndvështrime, që lidhen me tematikën, me poetikën, me metodën, kulturën, stilin dhe krahasimin. Studimi mbi këtë stil a rrymë, i cili, duam s’duam ne, është sipërfaqësor, tani për tani, ka marrë formën e piketave apo tezave për studime zbërthime , analiza, debate të thukta.

Artistët e vërtetë modernistë nuk e kanë të vështirë ta pranojnë postmodernen. Ata, përkundrazi, e pohojnë, e njohin dhe jo pak herë e afirmojnë si një realitet, duke e quajtur “piktura e së ardhmes”.

“Qofsh bekuar pikturë, pikturë gjuha ime, pikturë universale e shpirtit tim, jam i dashuruar në ty, më mbaj se të dua shumë dhe vetëm shumë”. Jetullah Haliti.

“Unë kurrë nuk kam hyrë në fizikë ose në trupat e astronautëve për t’u bërë një model. Por pas fluturimit tim të parë, u bë e qartë për mua që isha një. Dhe fillova të kuptoj rëndësinë e kësaj për njerëzit. Vajzat e reja duhet të shohin rolin modele në çfarëdo karriere që ata mund të zgjedhin, vetëm në mënyrë që ata të mund të imagjinojnë veten duke bërë atë punë një ditë. Ju nuk mund të jeni ajo që nuk mund ta shihni “.

Sally Ride, gruaja e parë amerikane në hapësirë . / KultPlus.com

Hapet ekspozita “Nga alfabeti në drejtshkrim” në Tiranë

Në 48-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972 në Tiranë është hapur ekspozita me fotografi dhe dokumente që dalin nga fonde arkivore.

Ekspozita është hapur në Kalanë e Tiranës. Kongresi i Drejtshkrimit ishte rrjedhojë e një procesi të gjatë përpjekjesh për shqipen standarde. Për këtë arsye në panelet e kësaj ekspozite ekspozuar momente me rëndësi që nga Kongresi i Manastirit i cili mori vendimin e rëndësishëm që për shkrimin e shqipes të përdorej ky alfabet, që ne kemi edhe sot.

Studentët dhe qytetarët kanë mundësi të shohin nga afër disa ngjarje dhe personazhe me rëndësi jo vetëm për historinë e gjuhës shqipe po për gjithë vendin. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 25 nëntor. / dp/ KultPlus.com

Kabinat e telefonit shndërrohen në hapësira ekspozuese

A ka mundësi që një kabinë telefonike të shndërrohet në një hapësirë arti? Kjo ishte pyetja që artistët Damián Ortega dhe Bree Zucker, drejtori i galerisë “Kurimanzutto” në New York, kishin në mendje kur organizuan “TITAN”, një ekspozitë në të cilën 12 vepra të artistëve u vendosën nëpër kabina të telefonit në rrugën “Sixth Avenue” në Midtown Manhattan. Ekspozita që është hapur më 12 tetor dhe të jetë e qasshme deri më 3 janar të vitit 2021.

Kjo hapësirë e artit do të jetë e përkohshme në shumë kuptime. Dikur në fillim të vitit të ardhshëm, pasi që mbaron ekspozita, qyteti i New York-ut që ka pronësinë e kioskave të tanishme të “Titan-i” do të heqë kabinat, duke larguar ato që konsiderohen të vjetruara e që prej kohësh janë një pjesë integrale e peizazhit të qytetit. (Në vend të tyre do të jenë kioskat që ofrojnë wifi.), raporton KOHA, përcjell KultPlus.

Zgjedhja e kabinave midis Rrugë “51” dhe “56” ishte e qëllimshme. Për Ortega dhe Zucker, vendndodhja përfaqëson një “qark” të rëndësishëm të qytetit, me Muzeun e Artit Modern dhe “Radio Music City Hall”, skulpturat e ndryshme publike dhe më e rëndësishmja, ndërtesat e mëdha të korporatave të gjitha të vendosura afër.

“Për ne, kjo rrugë është një mikrokozmos dhe një arenë e përsosur për studim”, ka thënë Zucker për “ARTnews’. “Vendndodhja nuk është arbitrare – ishte një caktim i lokacioneve që u bë në hartën e Manhatanit, për të nxjerrë në pah një arterie specifike të qytetit”.

Ortega shtoi: “Ne nuk mund ta mbulonim qytetin ose gjithë ‘Avenue Sixth’, por mund të bëjmë një ndërhyrje akupunkturale”.

Për ekspozitën e hapur, Ortega dhe Zucker kanë mbledhur së bashku një grup të konsiderueshëm artistësh, duke përfshirë artistët Minerva Cuevas, Jimmie Durham, Rirkrit Tiravanija, Hans Haacke, Glenn Ligon, Zoe Leonard, Yvonne Rainer, Patti Smith dhe Renée Jeshile. Secili artist ka pasur kabinën e tij të telefonit dhe në vend të reklamave veprat e tyre janë paraqitur në të tri anët e kioskës. Ekspozita shoqërohet gjithashtu me një ueb-faqe të realizuar posaçërisht për këtë, e cila përfshin një hartë se ku mund të gjeni secilën kioskë dhe një deklaratë të artistit për secilën vepër.

Shumë nga punimet në ekspozitë janë të bazuara në tekst, si Cildo Meireles që paraqet disa vargje nga Ungjilli i Mateut i Dhjatës së Re. Nga njëra anë, theksohet vargu i gjashtë: “Lum ata që kanë uri dhe etje për drejtësi, sepse do të ngopen”. Anne Collier ka riparuar serinë e saj të vitit 2011 “Questions”, imazhe të bukura që paraqesin përkufizimet e fjalorit (në letër me ngjyra) të fjalëve si “prova” dhe “supozim”. Dhe Rirkrit Tiravanija po paraqet fraza të mëdha me shkronja të shkurtra si ” Febreze for Fascism”.

Artistë të tjerë ripozicionuan disa nga punimet e tyre më të njohura për shfaqjen. Hal Fischer po paraqet shembuj nga seria e tij e mirënjohur e teksteve fotografike të viteve 1970 “Gay Semiotics”, dhe Jimmie Durham ka krijuar një hartë të thjeshtë me një pikë të madhe të kuqe, duke thënë “You Are Here” (me sa duket një referencë për vazhdimin e serisë ““A Pole to Mark the Center of the Ëorld”).

Megjithëse ndihet e harmonizuar me klimën kulturore të vitit 2020, zhvillimi i ekspozitës në këtë mënyrë, duke përdorur kabinat e vjetra të telefonike, i paraprin pandemisë, pasi shfaqja për të është punuar që gati një vit. Zanafilla e saj filloi kur Ortega erdhi për herë të fundit në New York dhe vizitoi galerinë e “Kurimanzutto” dhe lagjen përreth. “TITAN” paraqiti një mundësi, siç ka thënë Ortega, për të lejuar artistët të kontribuojnë në diçka që nuk po ndodhte digjitalisht, veçanërisht pasi që lodhja online e botës së artit është rritur në muajt e fundit.

“Në një kohë kur njerëzit janë të mbyllur në shtëpitë e tyre ose të izoluar në hapësirat e tyre, kjo ide e bashkimit në rrugë për të parë një ekspozitë që mund ta shihni në mes të natës është një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj pandemisë” ka thënë Zucker.

Megjithëse “Kurimanzutto” njihet tani si një nga galeritë kryesore, Ortega ka thënë se kjo ekspozitë është një kthim në ditët më të hershme të galerisë në fund të viteve 1990 dhe në fillim të viteve 2000, kur artistët e saj themelues do të organizonin ekspozita në hapësira jokonvencionale – nga një treg frutash në një dyqan mobiliesh të braktisur.

“Po përpiqeshim t’i shpëtonim kubit të bardhë dhe të ndiqnim energjinë e qytetit”, ka thënë Ortega, i cili ishte një nga 13 artistët që themeluan “Kurimanzutto” së bashku me pronarët e tij, Mónica Manzutto dhe José Kuri.

Zucker shtoi, “Kishte këtë energjinë e një komuniteti, duke ndërtuar një projekt së bashku në një hapësirë ​​që mbase nuk ishte kuptuar ose njohur si një hapësirë ​​për të treguar art. Në vend që të qëndronim brenda mureve të kabinetit që kishim krijuar në New York, ishte kjo lëvizje për t’u rikthyer në venat e qytetit në kanalin e komunikimit”.

Kabinat e telefonit ishin hapësira ideale për projektin sepse ato “tashmë ishin fytyra publike, por që nuk viheshin re”, ka thënë Zucker. “Ato ishin në këndet e hapësirës e që ishin disi të padukshme, por janë kudo në qytet, megjithëse janë kaluar pa kuptuar mirë se ato janë në fakt hapësira”. / artnews/ KultPlus.com

Genti Tavanxhiu hap ekspozitën ‘Pranverë e shenjtë’ në Itali

Artisti shqiptar Genti Tavanxhiu jeton në Itali prej 28 vitesh dhe njihet për sukseset e tij ndërkombëtare në fushën e skulpturës monumentale. Tavanxhiu ka studion e tij artistike në kodrat Piceno në Itali, një vend magjepsës, ku ai i jep jetë punimeve të tij.

Artisti shqiptar preferon materiale të qëndrueshme për të bërë skulpturat e tij. Ai shquhet për stilin e tij abstrakt minimalist. Duke përdorur simbole dhe vija, duke ruajtur thjeshtësinë e formave. Vitet e fundit ai gjithashtu i është përkushtuar mjaft artit figurativ, duke treguar ndjeshmërinë e tij si artist në disiplina të ndryshme. Karriera e tij artistike e ka çuar kudo nëpër botë, ku ka krijuar vepra publike, ekspozita personale, ngjarje kulturore, duke marrë çmime të ndryshme dhe tituj njohjeje.

Ai ka marrë pjesë në simpoziume të shumta ndërkombëtare. Skulpturat e tij monumentale janë të pranishme në shumë vende publike në SHBA, Shqipëri, Gjermani, Spanjë, Portugali, Zvicër, Itali, Francë, Rumani, Mal të Zi, Qipro, Turqi, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kinë, Japoni, Egjipt, Siri, Iran, Izrael dhe Tajvan.

Portali italiani “TM Notizie” i ka dedikuar një shkrim artistit të njohur shqiptarë, i cili  e çeli më 31 tetor ekspozitën e tij në Castignano në Itali, ku artisti jeton prej vitesh.

“Ver Sacrum – Primavera sacra” (Pranverë e shenjtë) është ekspozita e katërt personale e artistit Genti Tavanxhiu gjatë vitit 2020. Artisti shqiptar Genti Tavanxhiu do të prezantojë koleksionin e tij të ri të vjeshtës 2020 që është një seri e punëve të pabotuara dhe interesante, një cikël e veprave që kapërcejnë emocionin dhe shpirtëroren.

Këtë herë, udhëtimi ynë ju çon në Castignano, në kodrat Picene, për të vizituar qendrën muzeale të artit të shenjtë, fryt i koleksionistit Don Vincenzo Catani, themelues dhe kurator i Muzeut. Në Castignano (AP) duke filluar nga 31 Tetori do të gjeni dy surpriza që nuk i prisni. Njëri është kompleksi muze i cili përmban një seri veprash arti të rralla dhe të çmuara, përfshirë një Tabernakull të çmuar që daton që nga viti 1570, dekorimi piktorik i të cilit i atribuohet piktorit të madh El Greco.

Duke u nisur nga një pikturë nga El Greco, artisti shqiptar Genti Tavanxhiu gjeti frymëzimin për të krijuar një vepër të re të tij. Koopertina e El Greco e krijuar nga artisti Genti Tavanxhiu, do të prezantohet për publikun krahas asaj të EL Greco. Ky është hapi ynë i parë drejt ekspozitës së artit “Ver Sacrum”.

Më pas shikojmë punët e tjera si  vepra Madona në Shkodër, ku artisti i bën homazhe qytetit të tij të lindjes duke rishikuar plotësisht formën dhe përmbajtjen e imazhit ku zhvillohet një skemë e tij me koncepte estetike krejtësisht të reja dhe revolucionare në artin figurativ, dhe vazhdon me Magdalenën një pikturë e koduar plot simbolikë, duke përfunduar me një seri veprash me temë me madhësi dhe forma të pazakonta.

Ndikimi vizual i këtyre punimeve në madhësi është sigurisht i fortë pasi është një shpërthim ngjyrash. Konceptuar dhe dizajnuar për një arsye specifike që rikthen vëmendjen tek Arti i Shenjtë me një prirje bashkëkohore, duke aplikuar një regjistër krejtësisht personal të një karakteri mesdhetar. Duke parë detajet që duken të vështira në shikim të parë, zbulon vëmendjen e artistit për detajet shpirtërore të veprës.

Sytë që ju shikojnë kondensojnë në mënyrë të vendosur krijojnë ndjesinë e afërsisë me veprën. Figurat, në veçanti ato në koopertinën e El Greco, të përbërë nga natyra të ndryshme, të tilla si engjëlli i së mirës, ​​të ndriçuar nga thyerja e ngjyrave, në të cilat tiparet e përmbledhura janë zbehur me qëllim për të treguar më mirë natyrën e çështjes, dhe pastaj zbresin në anën tjetër, ku engjëlli i së keqes i përbërë nga ngjyrat e një kozmosi në kaos, duke rënë në trishtim, përshkruan në imagjinatë dy anët e kundërta me figurën dramatike dhe qendrore të Jezusit, të zbuluar nga kompozimi, gati për t’u shndërruar në një dimension hyjnor, por akoma të fuqishëm, i hartuar me shenja të dhunshme për të përshkruar më mirë atë që ndodhi, me një pikë qendrore vizuale të pranive përmes një loje shikimesh.

Prania e një entiteti qendror si një udhëheqës vizual përfshin një reflektim të thellë. Të pasura me misticizëm, marrëdhënie të një gjeometrie të shenjtë, lutje që nxisin procesin e punës në shpirtërore dhe më pas shkojnë me imagjinatë drejt botës magjike Platonike, “Timaeus”, e përbërë nga dy botë, e sipërmja me ide dhe e poshtmja e materies në një konflikt shumëvjeçar, i drejtuar me mjeshtëri nga Demiurgos, figura qendrore e krijuesit që i është referuar gjithmonë Artistit.

Një çlirim nga kanunet për një estetikë të re devocionale, imazhe që lidhen me emocione të lashta dhe aktuale, një hapësirë ​​piktoreske që merr erë përsiatjeje, art që bëhet shprehje e dashurisë, na lejon të gjejmë veten dhe të humbasim në mënyrë të pashpjegueshme në të njëjtën kohë. Arti është unik dhe na bën ta shohim botën nga një këndvështrim tjetër. Na zhvillon imagjinatën dhe në fund na dhuron një moment lumturie.

“Fragmente, pjesë të vogla, ëndrra, emocione, ankthe, module, pjesë të një mozaiku të madh të kompozuar me kalimin e kohës, formojnë një komplot që udhëton midis dy brigjeve të Adriatikut të populluar nga mite dhe legjenda. Megjithëse karriera ime artistike ka kapërcyer globin, gjithmonë ka pasur një tërheqje për magjinë e vendeve.

Trajtimi i materies si fenomenologji është një akt që i përket një perëndie më të vogël, por dikush vazhdon të ecë në një shteg në kërkim të një entiteti me shpirt të pastër, duke u ngritur në qiej përmes një sulmi të heshtur dhe të ngadaltë. Një rrugë shumë e vështirë, rruga në krijimtarinë artistike, vazhdon të jetë një sfidë e fuqishme. Ka qenë në të gjitha udhëtimet e mia, një akumulim i kulturës që ka gjeneruar një formë të përzier të shprehjes.

Pjesërisht për shkak të një lloj shkëmbimi, të perceptuar përmes natyrës vizuale dhe nga ana tjetër, pa ndjenja ka modeluar natyrën e punës sime duke punuar në një formë fenomenologjike. Me kalimin e kohës kërkimi është amplifikuar, duke më detyruar të shkoj më thellë për të kuptuar më mirë se çfarë është. Përfundimet janë të një natyre artistike-krijuese, stimuluese për një prodhim gjithnjë të ri, diçka që qëndron në metamorfozë. Ndonjëherë enden plotësisht në errësirë, të tjerët .. shfaqin shkëndija”. – shpjegon artisti shqiptar Genti Tavanxhiu.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 8 janar 2021. Ju kujtojmë se kushdo që dëshiron të takojë artistin dhe autorin e punëve të ekspozuara do të jetë i pranishëm në disa pasdite. Të kalosh kohë mes bukurisë së artit të bën mirë për zemrën, të mbush me emocione dhe shërben për të qetësuar shpirtin, sidomos në këto kohë të errëta që po kalojmë.

Ne kemi nevojë për ngjyra. Ne kemi nevojë të fluturojmë më tej me imagjinatën, si kur ëndërrojmë me sytë midis faqeve të një libri. Kultura do të ndryshojë botën, kultura nuk ndalet, dhe ne fillojmë me vendin tonë të vogël, kudo që të jetë. /diasporashqiptare/ KultPlus.com

‘Nëntori 23’, ekspozita që shpalos aktualitetin, pandeminë edhe vrasjet me pagesë

Për të 23-tin vit artistët pamorë bëhen bashkë në ekspozitën kolektive “Nëntori” në Muzeun Historik Kombëtar. 28 piktorët përmes kompozimeve trajtojnë ngjarjet e aktualitetit, temat e përditshmërisë, marrëdhënien e njeriut me natyrën, portrete, por edhe autoportrete.

Kuratori i ekspozitës, piktori Aleksandër Filipi rrëfen se përpos situatës së vështirë, që po kalon mbarë bota, arti nuk mund të ndalë përballë asgjëje, pasi lind që të shkojë tek publiku.

“Nuk mund të ndalësh përballë një pasioni siç është arti, pavarësisht çdo lloj vështirësie, qoftë kjo edhe pandemia. Pjesëmarrësit janë të afirmuar, pasi arti nuk njeh breza dhe tablotë janë përgjegjësi personale. Ajo çka e unifikon këtë grup është koncepti i gjinisë. Janë përjetime që afrohen në kohë, Stafan Taçi vjen në atë botë të bukur ngjyrash, elementët që përmban jeta deri tek virusi Covid 19”, shprehet kuratori i ekspozitës Aleksandër Filipi.

“Loja me djallin” e Stefan Taçit, Kuajt e Adrian Devollit, “Dita e braktisjes: e Ardit Boriçit, Ringjallja Apokrife e  Gazmend Lekës, Anës Vjosës e Ksenofon Dilos, Andi Hila me “Pa titull”, Meri File me “Shpëtimi” janë vetëm disa nga tablotë e artistëve, që qëndrojnë përkrah “çmimet dhe skenat e vrasjeve” dhe “Bursës” së Besim Tulës, apo “Sindroma Salieri” dhe “Egografi” të Filipit

“Unë kam ardhur me dy kompozime, njëra është ‘Salieri Syndrome’, ku pikturohet fenomeni, jo ngjarja, duke e sjellë figurën në ngjitje, përballë rrethanave që kërkojnë ta minimizojnë. Tjetra është “Ekografi”, që nëse do të mund t’i bëhej egoizmit të individit një skaner, do të shfaqet një terr. Janë përjetime që të vjen keq, kur i shohim tek njerëzit në të gjitha përmasat”, shprehet Aleksandër Filipi.  

“Vrasje me pagesë janë ngjarje të ditës, ndeshesh me këto subjekte dhe dy-tre herë në javë. Unë kam punuar me këtë tablo rreth dy vite, sepse mendoj se vrasja është një përfundim i jetës pavarësisht arsyeve”, thotë piktori Besim Tula.

Ekspozita do të vazhdojë që të qëndrojë hapur deri në datë 10 nëntor./shqiptarja/ KultPlus.com

Në Pejë hapet ekspozita e parë e akademikut Zuvdija Hoxhiqit – Berisha

Dhjetëra piktura që sjellin po aq dimensione, forma e ngjyra jete nëpër qytete të ndryshme të Kosovës , përbëjnë ekspozitën “Gjurmë Kosovë”, të akademikut Zuvdija Hoxhiq Berisha, në Galerinë e Arteve në Pejë, me të cilën Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve “Teuta” hapi manifestimin e përvitshëm letrar trekufitar “Muzat e Alpeve 2020”.

Shatrolli: “Ekspozita e Hoxhiqit prek gjenezën e kulturës shqiptare”

Filozofia e burimit ideor dhe artistik e kësaj ekspozite sendërtohet mbi njollat e mbetura të lapsit arkitektonik të një qytetarie të vjetër, e cila në kuptimin e peshës trashëgimore, do të matej me ngjyrat e tokës, para së gjithash, me kutin e letërsisë, tha me rastin e hapjes kuratori i ekspozitës Naser Shatrolli. ”Objektet me te cilat është paraqitur autori ,vetëm sa e përfytyrojnë mënyrën e të jetuarit të paraardhësve tanë, por jo vetëm, gjersa prek në gjenezën e kulturës shqiptare. Ndërsa kultura e minaresë dhe e subjekteve të tjera në këtë formulim artistik, në kontekstin filozofik janë vlera që ngacmojnë nervin e komunikimit me rrethin dhe rrethanat, transmetojnë ide, pikëpamje, harmoni, mesazhe bashkërenduese në bashkësi dhe përtej.”

Drejtoresha Syka Kelmendi: “Peja mbështet bashkëpunimin ndërkufitar”

Drejtoresha Xhenet Syka –Kelmendi, e cila paraprakisht priti në zyrën e saj përfaqësuesit të “Teutës” e tha se: ”Ekspozita e parë e akademikut Hoxhiq në Kosovë është e para edhe në periudhën e pandemisë, e cila anuloi kalendarin e aktiviteteve te planifikuara në komunën tonë. Por, së bashku me kolegët e respektuar kemi bërë të pamundurën që edicionin e 8-të të manifestimit trekufitar “Muzat e Alpeve” ta fillojmë nga Peja. Se, politikat tona lokale më së tepërmi janë të përqendruara në bashkëpunimet ndërkufiare dhe rajonale dhe vetëm kështu mund të integrohemi dhe të prezantojmë diversitetin tonë në të gjitha sferat e jetës, e në veçanti në atë të kulturës”.

Limani: “Peja dhe “Teuta”, shembull se si duhet prezantuar kultura”

“Forma instiucionale të cilën ka krijuar komuna e Pejës për të prezantuar veprat e artit është ajo që duhet krijuar për t’u shijuar ato, çfarë është edhe misioni I artit. Ndërsa “TEUTA” ka vizion dhe po ashtu ka një mision për të lënë gjurmë në kohë. Sepse, detyra e krijuesve është që ta shënojnë kohën në të cilën jetojnë, që të mos mbeten figurantë anonimë e vetëm numra nëpër institucione të ndryshme. Ndërsa, ky artikulim konkret i shënimit kulturor është një sprovë e sfidë dhe po aq duhet të jetë provokim që të vazhdojnë në këtë formë, që të nderojmë veten, kulturën, kombin dhe kuptimin e jetës”- tha me këtë rast Xhevat Limani, shkrimtar dhe themelues i “Teatrit Shqiptar në Amerikë”.

Hoxhiq: “Pejën e dua dhe e përjetoj si atdhe”

“Kur zhduket shtëpia, është njësoj si kur digjet biblioteka. Ndërsa unë, duke i vizatuar ato pothuajse me naivitet fëmijëror, besoj se i kam ruajtur sa për veten time po aq dhe për ata për të cilët kanë domethënien e njëjtë. Sepse, këto piktura më lidhin me rrënjët me të cilat degëzohem, me Berishët e mi nga Kodralia e Deçanit, me Kosovën, e veçanërisht me Pejën, ku kalova disa prej viteve më të bukura të jetës; fëmijërinë time. Prandaj, unë Pejën e përjetoj dhe e dua si atdhe dhe çdo rikthim atje është sikur të mos kisha ikur kurrë . Ndaj, me keqardhje të sinqertë pse edhe sot nuk jam në qytetin tim të dashur dhe me ju- ju kujtoj me dashuri”- shkruan mes tjerash në letrën falënderuese enkas për këtë rast, akademiku Zuvdija Hoxhiq Berisha, të cilit rritja e papritur e numrit të të prekurve nga pandemia në Kosovë ia pamundësoi pjesëmarrjen.

“Teuta” ua dhuron pikturat institucioneve mbështetëse

Ekspozita, e cila do të qëndroj e hapur për dy javë në Galerinë e Arteve në Pejë, është e para e akademikut Zuvdija Hoxhiq Berisha në Kosovë, si dhe e dyta e “Teutës” pas ekspozitës fotografike “Motive nga Kruja e Skenderbeut”, me 2018. Karvani i shkrimtarëve “Muzat e Alpeve”, vazhdoi aktivitetin e saj te përvitshëm kulturor dhe letrar në Klinë dhe në Petnjicë. Ndërsa, shkrimtarja dhe gazetarja Ajetë Beqiraj kryetare e Shoqatës Rajonale të Shkrimtarëve “Teuta”, e cila me këtë ekspozitë filloi edicionin e 8-të të Manifestimit Letrar Trekufitar “Muzat e Alpeve 2020”, falenderoi Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport të Rebulikës së Kosovës dhe Komunën e Pejës për mbështetjen e vazhdueshme ndër vite, për të shtuar se dëshirë e “Teutës” por edhe e akademikut Hoxhiq është që këto piktura të mbesin tek këto dy institucione si shenjë mirënjohjeje e “Teutës” dhe gjurmë e çmueshme e aktivitetit shumëkulturor “Muzat e Alpeve”. / KultPlus.com

Hapet ekspozita ‘Berati i vjetër’, ekspozohen 400 fotografitë unike të qytetit

Muaji i trashëgimisë kulturore në Shqipëri, ka pasuruar aktivitetet kulturore edhe pse në kohë të vështira. Qendra e Muzeumeve në Berat erdhi me ekspozitën unike fotografike, hapur në galerinë “Eduart Lear”, me pamjet e vjetra të Beratit, përcjellë KultPlus.


Ky është aktiviteti i dytë që po organizohet në kohë pandemie nga Galeria Lear në Berat, ku siç shihet edhe nga pamjet pjesëmarrësit kanë qenë të pakët, të pajisur me maska dhe duke respektuar distancën. Në këtë ekspozitë ishin mbledhur fotografi të vjetra të Beratit nga fotografë vendas dhe të huaj, të grumbulluara nga revistat e asaj kohe si dhe nga fotografët e vjetër të qytetit të Beratit dhe të Shqipërisë. E veçanta e kësaj ekspozite ishte shfaqja për herë të parë e fotografive nga të gjitha pamjet e qytetit: Ura e Goricës e shkatërruar në kohën e luftës, si dhe shtëpitë muzeale të viteve 1938.


Në fjalën e tij, Drejtori i Muzeumeve në qytetin e Beratit, Agron Polovina i cili është dhe piktor, ka deklaruar se kjo ekspozite fotografike është një seri fotografish imazhe të qytetit të Beratit të vjetër, të përzgjedhura me kujdes, që i përkasin një periudhe 100 deri në 120-vjeçare. “Shumica e fotove, – thotë Polovina – janë realizuar nga mjeshtër fotografë, nga udhëtarë, gjeografë, etnografë etj, të cilat i kanë ekspozuar ato në kohët e hershme në revistat ndërkombëtare të asaj periudhe”.

“Kjo ekspozitë pikë së pari i drejtohet brezit të ri, për të pasur një përfytyrim më të saktë për qytetin e tyre dhe historikun e zhvillimit të tij ndër vite’, – tha Polovina.

Të pranishmit kanë shijuar ekspozitën, duke shijuar fotot e rralla dhe të paarritshme të qytetit antik, Beratit, të realizuara nga mjeshtrit fotografë (vendas dhe të huaj).

***

Berati është një ndër qytetet e rralla, që daton me agimin e njerëzimit

Një kohë, kur ujrat rridhnin të pakontrolluara dhe shkatërruese, në këtë zonë u krijua një masiv shkëmbi, i zbuluar nga natyra në sajë të këtij lumi, i cili duket të jetë vënë posaçërisht për të mirëpritur një qytet ku jeta filloi të organizohej për më shumë se 2400 vite.

Ky qytet, rezultat i fantazisë së rafinuar, tërhoqi poetët dhe piktorët

Qytetet si Berati, kanë një gjenezë jo të thjeshtë. Periudha e para-qytetërimit zgjati gati dymijë vjet. Zbulimi në muret e kështjellës, i dy çekanëve prej guri dhe mbetjeve metalike (përbërë prej bakri dhe bronzi), që i përkasin fillimit të periudhës së bronzit (dymijë vjet para Krishtit) e provojnë këtë. Zbulimet e mëvonshme të shumë pjesëve prej qeramike, tregojnë shtimin e ngulimeve të bëra në këtë qendër, derisa në shekullin e IV para Krishtit vendi u transformua në një kështjellë në kodër djathtas lumit Osum, e cila shënoi origjinën e qytetit. Kështjella me bazamente ilire, u ruajt në shekuj dhe në shekujt VI, XIII, XV e XIX u modifikua. Si i tillë ajo nuk është vëtëm një ndër kështjellat më të mëdha të banuara, por edhe një arkiv gurësh, i cili ofron një varietet stilesh e kontributesh të epakave të ndryshme, si asaj Romane, Bizantine, Shqiptare e Otomane.

Gjithmonë së njejtës periudhë (shekulli IV para Krishtit) i përket edhe një tjetër kështjellë ajo e Goricës, e pozicionuar në kodrën përballë, duke krijuar një fortifikim të dyfishtë në të dy anët që zbresin drejt lumit. Rezultat i këtij fortifikimi nuk ka qenë vetëm mundësia për të dominuar zonën, por edhe për efekt dekorativ për pamjen: kodrat ngjajnë si mbretër me kurorat mbi koka, të fomuara nga kështjellat e bardha.

Historia duhet të ketë përqendruar këtu drama dhe tragjedi. Duke qenë një nga qytetet më të rëndësishëm të mbretërisë Ilire, u banua nga një tribu e madhe: Dasaretët. Gjatë luftrave Iliro-Romake dhe Maqedonase-Romake qyteti u mor një herë nga maqedonasit e një herë tjetër nga Ilirët. Është interesante të dihet se në Berat u lind Ptoleme Lagosi, i biri i Filipit të Maqedonisë dhe themeluesi i dinastisë Ptolemene në Egjipt, e cila filloi pas vdekjes së Aleksandrit të Madh dhe që vjen deri në vdekjen e Kleopatrës.

Në vitin 200 pas Krishtit, qyteti u dominua nga romakët. Qyteti i fortifikuar u identifikua me Antipatrean nga Polibi në vitin 216 para Krishtit. Me të njejtin emër e quan më vonë Tit Livi, që e përshkruan si qytet i madh e i fuqishëm i fiksuar në një qafë të ngushtë shkëmbore. Livi tregon edhe për ligësinë e konsullit romak, i cili iu kundërvu me egërsi qytetarëve të cilët nuk i përuleshin, «…vrau të gjithë nga gjashtëmbëdhjetë vjeç e lart, lejoi që ushtria të vidhte, të shkatëronte muret e t’i vinte hekurat dhe zjarrin qytetit».

Për sa i përket emrit të qytetit ekziston edhe një tjetër hipotezë: emërtimi i qytetit antik me emrin Bargul. Ky emër përmendet edhe nga Tit Livi kur flet për traktatin Romako-Maqedonas të vitit 205 para Krishtit, nënshkruar në qytetin e Dimalit. Ky emër, i cili në gjuhën Ilire do të thotë i bardhë, mbahet më vonë në traditën bizantine dhe sllave, ndërsa emri tjetër, Antipatrea, u përmend nga Dasaretët, që sot është zona midis Korçës dhe Pogradecit.

Romakët e quajtën qytetin edhe Albanorum Oppidum (Fortesa e shqiptarëve). Në vitin 148 para Krishtit qyteti u përfshi në provincën romake të Maqedonisë, ndërsa gjatë Dioklecianit (shekulli II pas Krishtit) në provincën e Epirit të Ri. Emri Pulkeriopolis u shfaq në shekullin e V, nga emri i motrës së perandorit të Lindjes Teodosi II. Ky emër, Pulcheria, që do të thoshte i bukur, i fortë, i pasur, i ndritshëm, iu dha qytetit jo pa qellim : qyteti po bëhej në fakt një kryeqëndër dhe shfaqte një nivel të lartë kulturor, dhe dëshmi siç janë kodikët e famshëm të Beratit, të cilat i përkasin kësaj periudhe.

Me kalimin në Mesjetë, fillon një periudhë e errët edhe për Beratin. Qytete të tjera të vogla shqiptare zhduken. Berati mbeti vetëm një hapësirë e gjerë: fusha para dhe malet pas. Qyteti mbijetoi vetëm falë rrjetit rrugor të Shqipërisë së Mesme rreth Beratit, por edhe për pozicionin gjeografik, sepse është pika në të cilën bashkohet fusha me malet, pozicion i cili siguron agrikulturë dhe blegtori. Megjithë kushtet e mbylljes së ekonomisë, Berati vazhdoi të zhvillohej, dhe filluan të shfaqen raportet e tipit feudal.

Në vitin 860 në Berat filloi i pari invazion bullgar, i cili zgjati deri më 927, derisa u rikthye dominimi bizantin, që vazhdoi deri në fund të vitit 969. Pas kësaj filloi menjëherë invazioni i dytë bullgar, i cili u largua përfundimisht në vitin 1018. Invazioni bullgar, në fazën e dytë, e pagëzoi Beratin me emrin Belgrad, fortesa e bardhë. Përveç këtij transformimi të emrit, qyteti nuk pësoi të tjera transformime nga ana e bullgarëve.

Pas rënies së mbretërisë bullgare (1018) qyteti luajti rolin e një qendre të rëndësishme. Fakt u bë edhe letra e viteve 1096-1105 e Theofilakt i Ohrit një ndër dijetarët më të përmendur të kohës, në të cilën e përshkruan peshkopin e Beratit, si «një njeri tek i cili shkëlqen dituria».

Me rënien e perandorisë bizantine, Berati u bë një prej qendrave kryesore të autoriteteve religjioze të Epirit. U bë rezidenca e Mihal Engjell Komnenit, Despot i Despotatit të Epirit. Në hyrje të kështjellës, në portën jugore, gjendet një monogramë e përbërë prej gurësh, një kryq e katër gërma ku shkruhet M.H.L.K., i cili është emri i despotit, M. (i) H. (a) L. K. (Omneni). Kjo rrënjë e familjes së madhe bizantine të Engjëll Komnenit merr fund në vitin 1216 por, pasardhësit e tij do të mbajnë këtë emër edhe për gjysëm shekulli.

Për Perandorin Bizantine, Berati ishte kaq i rëndësishëm, saqë tërhoqi menjëherë vëmendjen e Anzhuinëve të Napolit në vitin 1271. Disfata e Anzhuinëve, të cilët kishin zaptuar qytetin për gati dhjetë muaj, u festua me gëzim të madh si në Berat,ashtu edhe në Kostandinopojë. Ngritja e Kishës së Shën Mërisë së Vllahernës, brenda Kështjellës së Beratit (një emër që të kujton pallatin Perandorak të Kostandinopojës) lidhet me këtë fakt. Data e krijimit të kishës mban, në fakt, të njejtën periudhë. Në rregjistrat antikë të Beratit, të vitit 1280, gjenden të parat lajme mbi daljen e qytetit jashtë mureve të kështjellës. Nga këto tekste evidentohet që ndërtime të reja filluan edhe jashtë mureve.

Rëndësia e madhe e Beratit ndihet edhe në fillim të shekullit XIV (1302-1320) kur qeveritarët e Beratit morën detyra të rëndësishme nga Bizanti; një prej tyre ishte kunati i Perandorit. Në atë kohë në Berat manifestohen shenjat e para të një revolte popullore dhe një tendencë për autonomi nga ana e latifondistëvë shqiptarë.

Revolta shpërtheu në vitin 1336 dhe, dhe revolta përfshiu edhe Beratin. Për të ulur revoltën popullore erdhi në Berat vetë Perandori. Në të njejtën periudhë afrohet fundi i erës bizantine. Në vitin 1345-1346 Perandoria Bizantine zhduket përfundimisht nga skena politike shqiptare. Filloi dominimi i mbretit serb Stefan Dushan. Berati u vu nën mbikqyrjen e tij dhe u quajt Belgrad, edhe pse më vonë u kthye nën dominimin e Muzakajve, një ndër familjet më të fuqishme shqiptare.

Në vitin 1417 Berati u mor nga turqit. Heroi kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, mori në konsideratë rëndësinë e qytetit, e rrethoi në korrik të 1455, por ardhja e papritur e 40.000 kalorësve turq shkaktoi një humbje të rëndë. Gati të gjithë ushtarët italianë, të cilët ishin vënë në dispozicion prej Alfonsit të V të Aragonës për t’i dhënë ndihmë Skënderbeut nën komandën e Raimondo Orsatës, mbetën të vrarë poshtë mureve të kalasë.

Sipas regjistrit turk të vitit 1431, në Kalanë e Beratit ndodheshin 227 familje, me një total prej rreth 1500 banorë. Në shekullin XVI Berati mori zhvillim paralelisht me rritjen e Perandorisë Otomane. Ndërtime të reja u bënë jashtë mureve të kalasë, në momentin e parë jug e jug-lindje, dhe më pas përgjatë anës së djathtë të lumit Osum, dhe, më në fund, përtej lumit, në anën jugore të kodrës së Goricës. Në fund të shekullit mund të numëroheshin 1019 shtëpi, me një total prej rreth 7000 – 8000 banorësh. Një zhvillim të madh mori artizanati, i cili dëshmohet nga lindja, bashkëpunimi dhe tregu i lulëzuar.

Gjatë invazionit otoman Berati mbetet një nga qytetet më të mëdha të Shqipërisë. Në fillim u bë kryeqendra e provincës, në shekullin XVIII, qendër e dominimit të Pashallëkut të Beratit, i cili më vonë i bashkohet Pashallëkut të Janinës. Dominimi i Pashallëkut të Beratit u bë shumë i rëndësishëm nën Ahmet Kurt Pashain.

Deri në fillim të shekullit të XX qyteti kishte një infrastrukturë të mirë. Ishte, në fakt, një nyje lidhëse drejt Lindjes, për Kostandinopojën, por edhe drejt Jugut, për Janinën, e prej andej, për gjithë Greqinë.

Edhe Deti Adriatik u përdor si rrugë komunikimi e lejonte hapjen e rrugëve që lidhnin Beratin me qytetet e tjera; më e njohura ishte «Rruga e detit», e cila të çonte në Vlorë, dhe ajo në drejtim të Veriut, që bashkohej me lumin Shkumbin me rrugën Egnatia dhe përfundonte në Durrës.

Ka hipoteza se emri Berat rrjedh nga një variant shqiptar i quajtur Belgrad, por ekziston edhe një tjetër supozim sipastë cilin emri shpjegohet nëpërmjet një dekreti (Berat), i cili në turqisht do të thotë imunitet, privilegj. Ky dekret i sulltanit Mehmet II Fatihu, nuk e trajtonte Beratin me autoritet dhe i lejonte qytetarët të qëndronin, i njihte qytetarëve lirinë për të punuar, si dhe të drejtën për të mbajtur kostumet dhe zakonet e tyre. / konica/ KultPlus.com

Rikthehet tek “Shtëpia me gjethe”, ekspozita “Libra të ndaluar në komunizëm”

Ekspozita e veçantë kushtuar temës së librave të ndaluar për publikun gjatë komunizmit u risoll dhe njëherë për publikun në Muzeun Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”, ku do të qëndrojë hapur për dy javë.

E realizuar nga bashkëpunimi mes Bibliotekës Kombëtare me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit në kuadër të “Muajit të Kujtesës” krahas ekspozimit të librave të ndaluar ekspozita tregon historikun e censurës në Shqipëri përmes dokumenteve arkivore mbi ndalimin e qarkullimit të librave të caktuar, fshirjen e emrave të redaktorëve apo përkthyesve, pezullimin dhe ndalimin e autorëve të shpallur si armiq të regjimit.

Në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, drejtori i përgjithshëm i Akivave dr. Ardit Bido, drejtoresha e Muzeut Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”, Etleva Demollari.

Kjo ekspozitë skicon historikun e censurës në Shqipëri përmes dokumenteve arkivore të urdhëresave mbi ndalimin e qarkullimit të botimeve, fshirjen e emrave të redaktorëve ose përkthyesve, hedhjen e librave për karton, pezullimin dhe ndalimin e botimit të autorëve të shpallur si armiq të dënuar nga regjimi i kohës, pastrim të botimeve të elementëve armiq, autorë shqiptarë dhe të huaj, botime brenda Republikës së Shqipërisë por edhe jashtë saj.

Në këtë ekspozitë një hapësirë të veçantë zënë edhe botimet e shtypura në Kosovë nga shtëpia botuese “Rilindja”, të cilat shërbeheshin me autorizime të posaçme nga institucionet studimore, si Anton Pashku, Ali Prodrimja, etj. /Atsh /KultPlus.com

GMK sjell ekspozitën virtuale të artistes Engji Jahaj

GMK ka sjellur në mënyrë virtuale ekspozitën ‘Selfie Mundi’ të artistes Engji Jahaj, ekspozitë kjo që ka qenë në plan të hapet muajin e kaluar, mirëpo pasiqë përhapja e pandemisë e pamundësoi hapjen e kësaj ekspozitë,GMK e sjelli atë virtualisht për artdashësit, shkruan KultPlus.

Në këtë ekspozitë Engji Jaha sjellë piktura dhe instalacion artistik. Ky instalacion është bërë me qëllim që brenda tij të jetë vetëm një pikturë, e ndriquar nga brenda dhe nga jashtë, në një shoqërim me pjesën tjetër të punimeve të ekspozuara jashtë “kabinës” së instalacionit. E personazh i pikturave të saj është vet piktorja Jaha.

Kuratori i ekspozitës, Shkelzen Maliqi vlerëson se “Tablotë̈ e ekspozitës janë̈ inskenime të frymëzuara nga ikonografi të artit klasik, por që autorja i sajon në mënyrën e vet, si “selfie historike”. Më tutje, ai thekson se “Për arritjen e këtyre sukseseve nuk mjafton talenti dhe dëshira individuale për afirmim dhe njohje. Ato janë̈ rezultat i një̈ vetëbesimi që po fuqizohet sepse janë̈ pjesë e procesit të emancipimit të vajzave dhe grave në shoqërinë̈ tonë, çliruar nga mbetjet e traditave shtypëse që ngufasin kreativitetin dhe ambiciet e tyre”. / KultPlus.com

https://www.lapsi360.com/EngjiJaha/?fbclid=IwAR22qb_NJmNeocA1Ao3vKpcVlfeBwWYizjAYNDVIkEDuntqlQiVUdBEMKq0

Plagjiaturat e ministrit Ramë Likaj publikohen në sheshin e Prishtinës, kërkohet dorëheqja e ministrit

Jeta Zymberi

Plagjiaturat e Ministrit të Arsimit në Republikën e Kosovës, Ramë Likajt, sot kishin zënë vend në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Kjo gjë e pazakontë, ndodhi në kuadër të ekspozitës së parë të plagjiaturave në Kosovë të titulluar “Plagjiaturat e Supermenit”, shkruan KultPlus.

Organizuar nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), ekspozita nisi të mbledhë përreth të interesuar sapo u ekspozuan 7 materialet e sjella aty për publikun.

Ndërsa, Rron Gjinovci, nga kjo organizatë, para mediave u shpreh se kjo është një ekspozitë simbolike e plagjiaturave në Kosovë, ku publiku do të ketë rastin t’i shohë bardh e zi.

“Për herë të parë, ORCA e ka ngritur rastin në Këshillin e Etikës së UP-së në vitin 2018 gjatë periudhës së avancimeve akademike kur ministri i tanishëm ishte avancuar me titullin më të lartë akademikë në UP. Ministri Likaj, atëbotë profesor i asocuar pretendonte se brenda 1 viti e gjysmë kishte botuar 19 punime “shkencore”. Hulumtuesve të ORCA-s kjo iu duk e çuditshme. Me hulumtim të thjesht, gjetën se një norvegjez në fushën e njëjtë të studimit publikonte 0.96 punime në vit. Dilema ishte: a është Ramë Likaj superman apo inxhinierët norvegjezë të mekanikës janë të lodhtë?”, u shpreh Gjinovci.

Sipas Gjinovcit, eksponati i parë  është punim i kopjuar duke mos u cituar pjesa e parë, ndërsa eksponati numër tre është plagjiaturë që përmban disa fjali ku gjuha angleze është e mjerueshme. Gjithashtu ai potencoi faktin se këto punime janë botuar në revista mashtruese. Revistat në fjalë ishin të indeksuara në platformën SCOPUS, e cila konsiderohet si platformë e besueshme e indeksimit të revistave shkencore.

Në eksponatet që sot kishin zënë vend në shesh, thuhej se këtu kemi të bëjmë me plagjiaturën CTRL+C e cila nënkupton marrjen e pjesëve të punës nga një burim pa e cituar. Në punimin plagjiat, Ministri Likaj është autor i dytë, ndërkaq në punimin e plagjiuar ai nuk figuron fare si autorë.

Tutje ai u shpreh se pas kësaj ekspozite pritet dorëheqja e ministrit ose në të kundërtën paralajmëroj protesta, sepse sipas tij ky është shembull i keq.

“Jam i sigurt që shumë shpejt edhe mediat ndërkombëtare do të shkruajnë për këtë çështje.”

Krejt për fund u njoftua se plani është që sapo të rregullohen kushtet, ekspozita të dërgohet edhe në Tiranë e Shkup. / KultPlus.com

Në nder të pavarësisë do të mbahet ekspozita “Kujtesa e Kosovës: Jeta nën qiell e najlon”

Përvjetori i 12-të i Pavarësisë së Kosovës do të përshkohet me aktivitete kulturore dhe artistike shkruan KultPlus.

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” me rastin e këtij përvjetori organizon ekspozitën “Kujtesa e Kosovës: Jeta nën qiell e najlon”.

Në kuadër të kësaj ekspozite do të paraqiten për publikun dhe të interesuarit fotografi të pa publikuara të fotoreporterit Ridvan Slivova, të cilat shfaqin pamje nga jeta e shqiptarëve të Kosovës përgjatë periudhës së viteve 1999.

Ekspozita do të hapet në Hollin e Bibliotekës më datën 19 shkurt nga ora 11. /KultPlus.com

”Post-avangarda lindore”, ekspozita që bashkon artin shqiptar me atë kosovar

Xhemile Hysenaj

Arti nuk shuhet kurrë, vjen në forma të ndryshme duke mishëruar jetën dhe ndjenjat e secilit që është autor i tij. Përmes tij është shprehur revolta, dashuria, urrejtja, nostalgjia e dhimbja.

Mbrëmë, në muret e Galerisë së Ministrisë së Kulturës, vareshin veprat e tre artistëve të cilët synonin të ”provokonin” botën artistike shqiptare dhe jo vetëm, shkruan KultPlus.

Në mure vareshin pikturat e Adrian Çene, Albana Shoshit dhe Brikena Bërdos. Këta artsitë tashmë të njohur në botën e artit dhe më gjerë, përmes artit të tyre ata realizuan qëllimin që kjo ekspozitë kishte si pikënisje. Të ndërthurë në njohje dhe komunikim kulturën pamore të artistëve nga Shqipëria me kulturën pamore të artistëve të Kosovës.

Kuratore e kësaj ekspozite ishte Suzana Varvarica Kuka, e cila për KultPlus tregoi se ishte shumë e kënaqur me punën e artistëve dhe se zgjedhja e tyre nuk ka qenë e rastësishme, pasiqë ajo i kishte përcjellur gjatë karrierës së tyre dhe e njihte artin e tyre.

”Titulli i kësaj ekspozite është provokim pretendues, për të kuptuar se ende arti i ish vendeve të Lindjes socialste në Europën e sotme, madje në rastin tonë ajo e vendit të shqiptarëve, është një përpjekje për t’i bërë ballë estetikisht artit të vendeve perëndimore, që kanë një histori tjetër zhvillimi nga ajo e vendeve të Lindjes. Kundërshtitë dhe ndryshueshmëria do të jenë relativisht të pranishëm derisa temat e subjektet do të burojnë nga shtresat social politike të shoqërive tyre”, shprehej Suzana Varvarica Kuka.

Albana Shoshi, një artiste e njohur shqiptare bashkëkohore e pikturës figurative, për KultPlus tha se ”Realizimi i kësaj ekspozite është i shtrirë në kohë, pasiqë ka marrë 5-10 vitet e fundit dhe ky është rezultati i kërkimeve tona gjatë krijimtarisë sonë. Puna ime lidhet me jetën reale shqiptare e cila përballet me jetën e re kapitaliste e me mënyrat e reja të jetesës që bie në kontradiktë me realitetin shqiptar që ka qenë i mbyllur”.

”Post-avangarda lindore” ka si mision t’i vlerësojë artistët shqiptarë, që tentojnë të mbajnë në ritëm zhvillimin e shoqërisë e kulturës shqiptare në shek.XXI.

Post-avangarda i bënë bashkë tre artistët e rinj shqiptarë, të cilët aplikojnë gjestin e pikturimit mbi telajo, sjellin natyrshmërinë e krijimit vetjak, mbi të cilin aspirojnë profesionalizëm dhe dëshirë, si dhe i kushtëzohen trajtesave të njohura dhe praktikave të sprovuara të artistëve ndërkombëtarë, që u shfaqën nga mesi i shek. XIX e vijojnë deri në kohën tonë.

Ekspozita është e realizuar në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë dhe zë vend në Galerinë e Ministrisë së Kulturës ku do të qëndrojë e hapur deri më 10 nëntor 2019. /KultPlus.com

Mbrëmë në Prishtinë është hapur ekspozita “Long Distance Relationship”

Mbrëmë te Motrat është hapur ekspozita “Long Distance Relationship”, që vjen si rezultat i një bashkëpunimi në distancë mes artistëve nga Kosova dhe Zvicra, shkruan KultPlus.com

Artistët nga të dy vendeve si: Nastasia Meyrat, Gina Proenza, Driton Selmani dhe Anais Wenger, kanë bashkëpunuar për ta sjellur në jetë këtë ekspozitë.

Mes shumë mysafirësh, i pranishëm në hapjen e kësaj ekspozite ka qenë edhe Albin Kurti.

Ekspozita është kuruar nga Gabrielle Boder, Tadeo Kohan dhe Yll Rugova.

“Bëhu fytyra ime” prek në emocionet e vizitorëve të huaj

Në Muzeun e Kosovës vazhdon të jetë e hapur për vizitorë ekspozita “Bëhu Fytyra ime”.

Në qendër të ekspozitës së autores Eliza Hoxha është i vendosur portreti i Vasfije Krasniqi-Goodman, e cila gjeti kurajën të rrëfente krimin që kishte përjetuar nga forcat serbe.

Përveç vendasve, ekspozita është e frekuentuar edhe nga të huajt.

Cornelius Young, turist nga Irlanda, po e viziton Kosovën për herë të dytë. Me të dëgjuar historinë e luftës në Kosovë, Young u bë kureshtar edhe për ekspozitën “Bëhu fytyra ime”.

E ka quajtur të tmerrshme aktin e dhunimit seksual nga serbët.

E për një moment, ai përjetoi edhe emocione.

Edhe sot, përveç Vasfije Krasniqit nuk ka viktima tjera të dhunës seksuale që dolën publikisht për t’u rrëfyer.

Në Kosovë janë mbi 20 mijë viktima të dhunës seksuale nga lufta vitit 1999.

Përderisa viktimat janë pothuajse të padukshme në përditshmëri, kjo ekspozitë ka për qëllim të sjellë copëza të rrëfimeve të tyre derisa vizitorët ftohen t’i vizitojnë ato./ Koha.net/ KultPlus.com

Fotot e artistëve që ngritin vetëdijen mbi shëndetin mendor mashkullor

Një ekspozitë me fotografitë e artistëve shumë të famshëm synon që ta ngritë vetëdijen mbi shëndetin mendor mashkullor.

Yje si Kanye West, Skepta, Grace Jones, Damon Albarn, Jarvis Cocker, Arctic Monkeys, The Prodigy dhe të tjerë do të jenë pjesë e saj.

Ekspozita mban titullin “Më Dëgjo me Kujdes”, ndërkaq fotografitë janë vepër e fotografit të shquar të muzikës, Andrew Cotterill.

Ndërkaq ai ka bashkëpunuar me ilustruesin, Ben Tallon, i cili është përkujdesur për fjalët përreth imazheve të tyre.

Ekspozita do të jetë e hapur për dy javë duke filluar nga data 23 maj./KultPlus.com

28 mjeshtra evropian të akuarelit hapin ekspozitë në Galerinë e Qytetit të Fierit

Në kuadër të “Javës me Europës”, 28 artistë ndërkombëtarë mblodhën punimet e tyre për t’i shfaqur për publikun shqiptar në një ekspozitë titulluar “Mjeshtrit Evropian të Akuarelit” në Galerinë e Qytetit të Fierit.

Në këtë ekspozitë të kuruar nga akuarelisti i njohur Helidon Haliti, janë të paraqitura 50 punimeve të punuara nga mjeshtrit të teknikës së akuarelit në Eruopë dhe që ekspozojnë punimet e tyre në galeritë më të famshme dhe të mëdha të botës.

Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, Kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, tha se ky aktivitet kulturor është në kuadrin e disa organizimeve për Javën e Europës. “Janë një sërë aktivitetesh të cilat kanë mesazhet e veta. Pa dyshim, që forcojnë idenë se ne jemi evropian dhe jemi pjesë e Europës. Jam i kënaqur dhe i befasuar për nivelin dhe cilësinë e punimeve. Ajo që më ngacmoi ishte se në një moment të dytë duhet të rikthehemi për të sjellë këtu dhe autorët. Ne jemi të gatshëm si bashki për ta përballuar këtë event nga të gjitha drejtimet, ndaj do të thosha që të fillojmë ta mendojmë që tani dhe në shtator mund ta bëjmë realitet , pasi do të jetë një nder dhe kënaqësi shumë e madhe që të gjithë këto autorë të jenë edhe fizikisht prezent, jo vetëm me veprat e tyre”, deklaroi Subashi. Ai falënderoi kuratorin Haliti për hapjen e kësaj ekspozitë. “Kjo është shtëpia juaj, është shtëpia e artit, është një galeri që e kemi ngritur me shumë mundim, pas shumë debatesh e diskutimesh që bëmë, por më në fund e fituam dhe ia kemi dhënë artistëve jo vetëm të Fierit, por të gjithë Shqipërisë dhe ne do të bëjmë përpjekjet që kjo kështu të qëndrojë gjithmonë”, theksoi Kryetari i Bashkisë së Fierit.

Kurator i ekspozitës “Mjeshtrit Evropian të Akuarelit”, Helidon Haliti, bëri të ditur se përzgjedhja e punimeve është bërë në mënyrë inteligjente. “Prej 5 vitesh artistët i njohim shumë mirë, pasi shumica prej tyre kanë pikturuar në Shqipëri dhe kanë dhënë mësime falas për studentët dhe nxënësit e shkollave. Akuareli është ai që na bashkon të gjithëve dhe në rastin konkret na jep atë freski. Në një hapje të dytë, mjeshtrit do t’i sjellim të demonstrojnë në qytetin e Fierit. Më e favorshmja është që ky koleksion është permanent i Shqipërisë. Ne mundohemi që të gjitha krijimet që bëhen t’i mbeten Shqipërisë, por edhe bashkive përkatëse. Kjo është padyshim një diçka për të pasur padyshim vlera”, tha Haliti.

Drejtori i Galerisë së Arteve Fier “Vilson Kilica”, Pandeli Lena, vlerësoi punën e bërë për hapjen e kësaj ekspozite. “Gjeografia e shtrirjes së këtyre vendeve është nga e gjithë Europa. Falenderoj kuratorin dhe mjeshtrin e akuarelit, Helidon Haliti, i cili me shumë përkujdesje dhe dashuri, e ka organizuar dhe ka punuar për të sjellë këtë ekspozitë në qytetin tonë. Është një ekspozitë vërtetë mjeshtrash akuareli, të cilët janë një shkollë për artistët fierak dhe Liceun Artistik”, u shpreh Lena./KultPlus.com