Kur martohesh me personin e gabuar

Nga Alain de Botton

Martesa është një aventurë e rrezikshme.

Një aventurë që ndërmerret nga dy persona, të cilët lidhen në emër të një të ardhmeje, të cilën ato mendojnë se e dinë si do jetë, por që në fakt s’ia kanë as idenë më të vogël.

Për një kohë të gjatë njerëzit janë martuar nisur nga arsye thjesht logjike: ngaqë ara e tij ndodhej ngjitur me arën e saj, ngaqë familja e tij administronte një biznes, ngaqë babai i saj ishte kryeplak i fshatit, ngaqë kështjella duhej të nxirrte shpenzimet që kërkonte, ose ngaqë prindërit e të dyja palëve besonin në të njëjtën formë interpretimi të një Shkrimi të Shenjtë.

Simptomat shoqëruese të martesave të tilla të nxitura nga arsyeja janë vetmia, mungesa e besnikërisë, keqtrajtimi, ftohtësia emocionale dhe britmat e shamatave.

E parë në retrospektivë, martesa mbi bazën e arsyes nuk ka të bëjnë aspak me arsyen.

Ajo është thjesht utilitariste, fanatike, snobiste dhe shfrytëzuese.

Këtu qëndron arsyeja se pse pasardhësja e saj sentimentale, martesa me dashuri, shihet me sy aspak kritik.

Në një martesë me dashuri, dy persona ndjejnë tërheqje për njëri-tjetrin.

Të trullosur nga ndjenjat, ato janë plotësisht të bindur se kanë lindur për njëri-tjetrin.

Sa më spontanisht, sa më i shkujdesur dhe i pamenduar të ketë qenë vendimi për t’u martuar (ndoshta janë njohur para 6 muajsh, ndoshta njëri prej të dyve është pa punë, ndoshta janë shumë të rinj), aq më mirë për martesën me dashuri.

Mendjelehtësia është kundrapesha e gabimeve të bëra në emër të racionales.

Rendja pas instinktit është reagimi traumatik ndaj atyre eksperiencave shekullore, të dominuara nga një arsye aspak e arsyeshme.

Shpresojmë se në martesë do rendim në kërkim të lumturisë.

Në të vërtetë, jemi në kërkim të intimitetit.

Shpresojmë se do të rikthejmë në raportin tonë prej dy të rriturve ndjesitë dhe emocionet e fëmijërisë.

Sidoqoftë, dashuria që kemi provuar në vitet e hershme të jetës sonë ngatërrohet shpesh me një dinamikë tjetër destruktive: me ndjesinë se do të ndihmosh një të rritur që ka dalë nga kontrolli.

Në këtë kuptim, është logjike që ne ta refuzojmë një person si partner martesor jo ngaqë është i keq për ne, por ngaqë është shumë i mirë për ne, shumë i mirëkuptueshëm, shumë i besueshëm, shumë i ekuilibruar.

E kështu ndodh që martohemi me partnerin e gabuar.

Po ashtu edhe frika nga vetmia na bën të gabojmë gjatë zgjedhjes së partnerit.

Sepse kur ke frikë nga vetmia ka rrezik që më shumë të dashurohesh me të mos qenit më vetëm, se sa me personin që po na ruan nga ky fat i keq.

Në fund, ne martohemi edhe ngaqë duam ta ruajmë atë Gjënë e Bukur që kemi përjetuar me tjetrin.

Për shembull, atë eksitimin e ngrohtë kur patëm menduar herën e parë t’ia shprehim dëshirën për lidhje martesore.

Mbase ishim në Venecia, duke shëtitur mbi varkë, dielli në perëndim e përshkëndiste sipërfaqen e lëmuar të ujit, teksa i hapnim njëri-tjetrit shpirtin rrugës për tek restoranti i peshkut dhe i rizotos së famshme.

Shpresojmë se martesa mund të na i ruajë momente të tilla.

Martohemi për t’u dhënë jetëgjatësi momenteve të tilla.

Mirëpo institucioni i martesës e ngre bashkimin tonë martesor në një rrafsh administrativ, ndoshta diku në një shtëpizë diku në periferi, ecejaket e përditshme punë shtëpi, shtëpi punë, me fëmijë të cilët e fikin pasionin, produkt i të cilit janë ato vetë.

Gjëja e vetme që ka mbetur nga ato momentet e dikurshme është personi që keni përballë.

Pikërisht ai/ajo që me shumë gjasë nuk duhej të ishte ruajtur.

Të martuar me personin e gabuar?

Lajmi i mirë është ky: nuk ka problem!

Nuk duhet të ndahemi prej tij/saj, por thjesht të ndahemi nga ideja romantike e martesës me dashuri.

Kjo nënkupton shkëputjen prej idesë mbi ekzistencën e një krijese perfekte, e cila qenka në gjendje t’i shuajë të gjitha nostalgjitë tona.

Duhet ta pranojmë se çdo person mund të na frustrojë, zemërojë dhe zhgënjejë dhe (pa dashur të jem i lig) se të njëjtën gjë do bëjmë edhe ne me të.

Kur zgjedhim me kë do martohemi, ne vendosim se për cilën formë vuatjeje jemi të gatshëm të sakrifikojmë.

Filozofia e pesimizmit mund të na shërbejë si këshilluese e mirë martesore.

Sepse pesimizmi e zbut atë presionin e tejskajshëm fantazmagorik që ushtron kultura romantike tek martesa.

Thjesht fakti se një person nuk është në gjendje të na çlirojë nga melankolia jonë nuk e fajëson atë person e as lidhjen tonë me të.

Personi martesor “më pak i gabuar” për ne nuk është ai, që i përputhet idesë (fiktive) së plotësimit perfekt, por ai që me bujari arrin të kapërcejë dallimet në çift. Kompatibiliteti është arritje e dashurisë; ai nuk mund të jetë kusht paraprak i saj.

Romantika nuk ka ndihmuar aspak këto 250 vitet e fundit.

Përkundrazi, pjesa dërrmuese e asaj që përjetojmë në lidhjet martesore, e nxjerr idenë e romantikes nën një dritë të pështirë.

Në fund, ndjehemi akoma më të vetmuar se më parë, sepse lidhja jonë martesore me gjithë ato të metat e saj nuk mund ta përballojë barrën që i ngarkon ideja e romantikes.

Prandaj duhet të mësohemi të pajtohemi me idenë e “të gabuarit/të gabuarës” që kemi në krah.

Dhe të mësojmë t’i shikojmë me humor, mirësi dhe urtësi gabimet e partnerit tonë, po ashtu si edhe gabimet tona./ KultPlus.com

Njihuni me 8-vjeçarin që interpreton përmendësh mijëra vargje të Gjergj Fishtës ( VIDEO)

Nikoll Prendi është ‘ fëmija- gjeni’ nga fshati Balldre i Lezhës i cili ka aftësi të jashtëzakonshme.

Vogëlushi 8-vjeçar arrin të recitojë mijëra vargje të At Gjergj Fishtës, pa ndaluar aspak.

Në një intervistë në ‘Rreze Dielli’ Nikolla tregoi se kur u njoh për herë të parë me vargjet e Fishtës, të cilat i pëlqyen aq shumë sa i mësoi përmendësh.

’ Kur kam qenë katër vjeç pash në televizor xhaxhin Agim Doçi, po recitonte një poezi të At Gjergj Fishtës. Unë e pëlqeva shumë dhe kur hyra në klasë të parë që mësova alfabetin, i thashë babit të më blente të gjitha librat e At Gjergj Fishtës dhe e mësova ‘’ tha ai.

‘’ Më pëlqen se gjërat që i ka thënë ai në atë kohë po ndodhin edhe sot’’ u shpreh 8-vjeçari ndër të tjera.

Së fundmi ai është vlerësuar edhe nga ministria e kulturës me çmimin ‘’ Për dhunti të jashtëzakonshme në rrëfimin e vargjeve të poetit kombëtar At Gjergj Fishta’./shqiptarja/ KultPlus.com

Libri i Migjenit ‘Bukuria që vret’ përkthehet në gjuhën italiane

Libri i Migjenit ‘Bukuria që vret’, është përkthyer në gjuhën italiane nga shtëpia botuese ‘Besa’, shkruan KultPlus.

Lajmi është bërë i ditur nëpërmjet një postimi në Facebook nga ana e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit. Ndërkaq përkthimi është bërë nga Ada Prizreni.

“Kemi kënaqësinë të ndajmë lajmin e përkthimit në Gjuhën Italiane nga Shtëpia Botuese Besa të Migjenit (Millosh Gjergj Nikolla) me vëllimin “La bellezza che uccide” (Bukuria që vret) me përkthim nga Ada Prizreni”, thuhet ndër të tjera në status.

Millosh Gjergj Nikolla i njohur më shumë përmes nofkës Migjeni ka qenë poet dhe prozator i shquar shqiptar i viteve 1930. Migjeni konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të lexuar e më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit të 20-të. Për epokën ishte një zë krejtësisht novator nga brendia dhe forma dhe ndikimi mbi letërsinë shqipe të kohës ishte i madh./ KultPlus.com

Ai ka dy gra

Poezi nga Maram Al Masri

Ai ka dy gra:
një që fle në shtratin e tij
dhe një që fle në shtratin e ëndrrave të tij.

Ai ka dy gra që e duan:
një që që plaket përbri tij
dhe një që ia fali rininë
për ta fshehur pastaj.

Ai ka dy gra:
një në zemrën e shtëpisë së tij
e një në shtëpinë e zemrës së tij./ KultPlus.com

Portretet e rralla të shekullit të 19-të tregojnë Kinën në ‘agimin’ e fotografisë

Para shpikjes së fotografisë, imagjinata perëndimore për Kinën bazohej vetëm në pikturat, shkrimet e udhëtimeve dhe tregimeve nga një vend i largët.

Por prej viteve 1850, disa pionierë të fotografisë perëndimore ishin aty për të sjellë panoramat, qytetet dhe njerëzit, duke habitur audiencat dhe nxitur lindjen e lëvizjes vendase të fotografisë.

Mes të parëve ishin Felice Beato, i cili erdhi në Kinë në 1850 pë të dokumentuar bëmat anglo-franceze të Luftës së Dytë të Opiumit, dhe fotografi skocez John Thompson, i cili udhëtoi përgjatë lumit Min duke sjellë për herë të parë në Perëndim pamje nga brendësia e mistershme e xhunglës kineze.

Në galerine e meposhtme gjenden vetëm disa nga koleksioni prej 15,000 fotosh të mbledhura nga koleksionisti i New York, Stephan Loewentheil.

Loewentheil ka shpenzuar rreth tre dekada duke mbledhur foto nga ankandet dhe koleksionet, nga brenda e jashtë Kinës, duke krijuar atë që njihet si koleksioni privat më i madh në botë i fotografisë së hershme nga Kina.

Në 2018, ai prezantoi 120 skica për herë të parë në shfaqje në Pekin./ KultPlus.com

Kamala Harris vaksinohet kundër Covid-19

Nënpresidentja e zgjedhur e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris, u bë politikania e fundit amerikane që mori vaksinën kundër koronavirusit.

Harris mori të martën vaksinën e krijuar nga kompania Moderna, ndërsa ngjarja u transmetua drejtpërdrejt në televizion.

“Mezi e ndjeva”, tha Harris, pasi u injektua në krahun e majtë.

“Dua t’i inkurajoj të gjithë që të marrin vaksinën, është relativisht pa dhimbje, është e sigurt. Unë kam besim te shkencëtarët”, tha ajo.

Disa politikanë amerikanë, përfshirë presidentin e zgjedhur, Joe Biden, nënpresidentin Mike Pence dhe kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e kanë marrë tashmë vaksinën.

Biden dhe Harris do të marrin detyrën më 20 janar dhe po përpiqen të krijojnë besim tek imunizimi.

Dy vaksina, njëra nga Moderna dhe tjetra nga kompanitë Pfizer dhe BioNTech, janë aktualisht duke u shpërndarë në të gjithë SHBA-në, pasi ato janë miratuar nga rregullatorët shëndetësorë.

Shtetet e Bashkuara janë vendi më i prekur në botë nga koronavirusi.

Afro 20 milionë njerëz janë infektuar atje dhe mbi 335,000 kanë vdekur.

Në të gjithë botën, koronavirusi ka infektuar mbi 81 milionë njerëz.

Prej tyre, mbi 1.7 milion kanë vdekur dhe mbi 46 milionë janë shëruar./ KultPlus.com

Nisma e motrave binjake që studiojnë në Amerikë por u kthyen në Shqipëri për të ndihmuar fëmijët me kancer

Aleksia dhe Vasja janë motra binjake,  20 vjeçe që studiojnë në Universitetin e Pensilvanisë, SHBA.  Por kanë vendosur ti vijnë në ndihmë fëmijëve me kancer në Shqipëri.

Aleksia thotë se ishte 12 vjeçe kur dhuroi për herë të parë flokët në Amerikë. Por pas dy vitesh, kur iu rritën flokët donte që ti dhuronte ne Shqipëri, për fëmijët që iu bien flokët nga kimioterapia.

Së fundmi kanë hapur një organizatë jofitimprurëse për të mbledhur fonde për flokë artificialë që më pas do t’u dhurohen këtyre fëmijëve. Në emisionin “Ftesë në 5” motrat treguan librin e krijuar për fëmijë. Është një libër me vizatime, ngjyrosje dhe ushtrime matematikore për fëmijët 4-8 vjeç. Fitimet nga shitjet e librit do të shkojnë për të prodhuar flokë.

Vajzat shprehen se kanë gjetur shumë mbështetje: “Është kënaqësi e madhe që kemi mbi 200 vajza që kanë dhuruar flokët”.

Të dyja kanë ecur në të njëjtat hapa, duan të bëhen mjeke dhe të merren me kërkime shkencore por shprehen të vendosura se këtë kauzë do ta vazhdojnë./tch/ KultPlus.com

Këmbana e vjedhur nga nazistët i rikthehet Polonisë pas 77 vjetësh

Një këmbanë e kishte që daton që nga viti 1555 do t’i rikthehet Polonisë, 77 vjet pasi ishte grabitur nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Famullitarët në Slawiecice të Polonisë kishin filluar ta kërkojnë këmbanën dy vjet më parë, shkruan BBC.

Ata ishin me fat, pasi dioçeza e Munster në Gjermani sqaroi se nazistët kishin shkrirë rreth 80,000 këmbana për të krijuar armë apo municion.

Sipas dioçezës, Marian Bednarek e gjeti këmbanën 400kg të listuar në një libër. Ajo kishte qenë në një vend pa u vënë re në mesin e dy këmbanave të tjera.

Këmbana nuk do të rikthehet në shtëpi menjëherë për shkak të pandemisë me COVID-19./ KultPlus.com

Momente emocionuese kur ushtarët kthehen nga misioni dhe takojnë familjarët (VIDEO)

Shumë persona rreth botës, kanë familjarë, baballarë, miq, e të dashur që janë në detyrë ushtarake për momentin.

Dhe të gjithë mund të pajtohemi se videot kur këta persona bashkohen me familjarët e të dashurit e vetë janë një prej gjërave më prekëse në botë.

Në këtë video, janë përmbledhur momentet më të bukura deri më sot të kthimit të këtyre ushtarëve në shtëpitë e tyre./ KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=uS3fNEuUHCQ&feature=emb_logo

“Lule Bore Creation”, iniciativa kreative për dekorime unike ndaj fëmijëve

Me sjelljen e një fëmije në jetë, edhe rëndësia e përzgjedhjes së një dhurate unike rritet. Me këtë qëllim kishte nisur iniciativa e Farete Ajdarit, e cila ka themeluar “Lule Bore Creation”.

Kjo nismë e saj e cila u zgjerua nëpërmjet rrjeteve sociale sjell dekorime unike për fëmijët, si një dhuratë simbolike që mbahet mend gjatë.

3 vite më parë ajo kishte vendosur që të jetë afër klientëve, duke përdorur gjëra elementare për foshnjat, e që përmes tyre të krijoj forma estetike dhe të veçanta.

Me përdorimin e penjve të ndryshëm, pelenave, luleve dhe detajeve të tjera, Faretja arrin të sjell për klientët e saj forma të ndryshme si karrocë, torte, biçikletë, lule dhe shumë gjësende tjera të cilat janë atraktive dhe funksionale.

“Kur në rrethin familjar kemi pasur lindje bebesh, nuk kam preferuar që si shumica t’ju dhuroj prindërve veshje për fëmijët”, tregon themeluesja e “Lule Bore Creation”.

Tutje, ajo thotë se përvoja e saj si nënë e ka bërë që të dijë edhe më shumë për nevojat e fëmijëve, të cilat vendosi t’i përfshij në pakot dekoruese.

“Unë jam vetë nënë dhe shumicën e gjërave e kam blerë vetë, kështu që e dija që askush nuk do ju thoshte jo pelenave ose mbulesave të bebeve”, thotë Farete Ajdari.

Për KultPlus ajo tregon se ndër dekorimet më të kërkuara është karroca me pelena.

“Karroca me pelena është shumë e kërkuar, meqë është diçka ndryshe dhe që nuk e gjen gjithkund”, vlerëson themeluesja e “Lule Bore Creation”.

Njëra ndër arsyet pse dekorimet e kësaj iniciative janë të nevojshme dhe klientët kanë interesim është sepse ato punohen me shumë dashuri. Në to vërehen detaje të shumta, të cilat kompletojnë aspektin vizual të dhuratës ndaj dikujt.

“Për mua ka rëndësi mos ta shes vetëm një model, por që për shembull “Torta me pelena” të jetë e personalizuar sipas dëshirës. E bukura e gjithë procesit qëndron te rezultati”, thotë Farete Ajdari.

Tutje, ajo thekson se çdokush që dëshiron të bëj një dhuratë të veçantë për dikë ka adresë dekorimet e saja, teksa thotë se klientët ndahen të kënaqur pas marrjes së porosisë.

“Ndonjëherë klientët s’gjejnë fjalë për të përshkruar falënderimin e tyre. Për mua mjafton kur thonë “u suprizua shumë kur e pa dhuratën”, “nuk e priste” për personin ndaj të cilit jepet dhurata”, shton iniciatorja.

“Lule Bore Creation” do të vazhdoj të jetë adresa unike për dhurata ndaj fëmijëve, teksa puna e kësaj nisme mund të ndjeket edhe në rrjete sociale: https://www.instagram.com/_luleborecreation_/?igshid=8uhndn4qwxsq&fbclid=IwAR18TuLYRkwXVYpP8782bSmARnvhaf1eo0qiH2hPIaviFWcPfcVu0dlVIKk / KultPlus.com

Të rinjtë e Mitrovicës me mesazh senzibilizues për bullizmin: S’je vet (VIDEO)

Të rinjët e Mitorvicës kanë realizuar një video senzibilizuese rreth ndikimit të bullizmit në psikologjinë e të rinjëve, shkruan KultPlus.

Në videon katër minutëshe dëshmohet se si krijohet, por dhe si ndikon bullizmi tek persona të ndryshëm. Gjithashtu në këtë video shfaqet edhe rëndësia e një psikologu në raste të tilla.

Kjo video synon të tregoj se askush nuk është vetëm në ballafaqimimin me ngacmimet dhe se ndihma tek psikologu është çdo herë e nevojshme.

“Psikologu është nevojë e jo dëshirë!Ehh mos harro qe S’JE VET”, shkruhet ndër të tjera në videon e publikuar.

Kjo video senzibilizuese ka ardhur në kuadër të projektit “Promovimi i shkathtësive për punësim të të rinjëve”./ KultPlus.com

Gjyshja që bëri historinë merr dozën e dytë të vaksinës Pfizer

Një gjyshe që u bë personi i parë në botë që mori vaksinën Pfizer në fillim të këtij muaji i është dhënë doza e dytë, shkruan The Guardian, transmeton KultPlus.

Margaret Keenan iu dha injeksioni pasues në Spitalin Universitar Coventry në Angli të sot, tre javë pasi bëri historinë me goditjen e parë.

Profesori Andy Hardy, shefi ekzekutiv i Spitaleve Universitare Coventry dhe Warwickshire NHS Trust, tha:

“Ne ishim të kënaqur që e mirëpritëm Margaret Keenan përsëri në Spitalin Universitar të Coventry sot për të marrë në mënyrë të sigurt dozën e dytë të vaksinimit, pasi ajo u bë personi i parë në botë që mori vaksinën Pfizer Covid-19 pas miratimit të saj klinik”,tha ai./ KultPlus.com

Kosovari nga Hasi shpërndan bukë falas për të prekurit nga tërmeti në Kroaci

Një tërmet 6.3 shkallësh goditi sot Kroacinë, ku është shënuar viktima e parë që është një vajzë 12-vjeçare.

Menjëherë kanë nisur ndihmat për personat e prekur nga tërmeti, qoftë për ushqim apo strehim.

Edhe një kosovar nga Hasi i ka dalë në ndihmë personave që u prekën nga tërmeti duke ju ofruar bukë falas./ KultPlus.com

Netflix largon fshehurazi filmat e Johnne Depp nga platforma

Platforma gjigante e transmetimit Netflix, dukshëm ka larguar të gjithë filmat e aktorit Johnny Depp për librarinë e tyre amerikane, njofton The Things, transmeton KultPlus.

Edhe pse nuk ka pasur ndonjë deklaratë zyrtare nga bashkëpunimi argëtues, tifozët vunë re se diçka nuk shkonte mirë kur ata u përpoqën të shkruanin emrin e tij në motorin e tyre të kërkimit.

Depp humbi një çështje të profilit të lartë për shpifje në Mbretërinë e Bashkuar muajin e kaluar kundër “News Group Newspapers” dhe redaktorin ekzekutiv Dan Wootton. Ata akuzuan Depp për abuzim fizik ndaj ish-gruas së tij, aktoren Amber Heard.

Sidoqoftë fansat e Johnny ishin kundër Netflix që të censuronte filmat e tij.

“Hmm, nëse kjo është rruga që ata do të ndjekin, atëherë ka qindra filma / shfaqje të tjera që do të duhet të heqin”, shkroi një fans në rrjete sociale.

“Netflix ka filma nga Mel Gibson, Sean Penn, Amber Heard dhe Kevin Spacey aty. Vendosën të heqin vetëm filmat e Johnny Depp?”, shtoi një tjetër.

“Po mendoj që ata e bënë këtë në heshtje sepse nuk donin reagime të ashpra. Ndoshta i rikthejnë filmat së shpejti”, tha një i tretë.

Ndërkohë Disney thuhet se nuk ka lejuar aktorin të bëjë një paraqitje në filmin e ardhshëm të “Pirates Of The Caribbean”./ KultPlus.com

Kompozitori i këngës “Xhamadani vija-vija”: Po përpiqen të më mohojnë dhe ta cilësojnë këngën pa autor!

Në një rrëfim ekskluziv për “Shqipëria live”, autori Zef Çopa tregon momentin kur kompozoi këngën dhe nga u frymëzua.

Kënga origjinale që ne sot e njohim me titullin “Xhamadani vija-vija” në fakt titullohej “Kam një lot m’pikon si ar”. Për herë të parë kompozitori tregon ka qenë një krijim i pamenduar gjatë, një frymëzim i çastit: “E kam kompozuar nga ora 4 e mëngjesit, në 18 nëntor në të gdhirë 19, në vitin 1992. Ishte një këngë që ma kërkoi Shkurte Fejza. Kënga duhej bërë për një kohë të shkurtër, kishim 5-ditë kohë”.

Çoba thotë se nuk ka marrë udhëzime nga Shkurtja, por është bazuar te jeta e saj, “Ishte ide e imja dhe e poetit nga realitetinga vinte Shkurte Fejza. Titulli erdhi natyrshëm sepse ishte viti 1992, kur Kosova po përjetonte periudhën më të vështirë. Kënga përcjell aspiratën kombëtare shumëshekullore te popullit të Kosovës,  paraqitet ëndrra e tyre për t’u bashkuar me Shqipërinë”.

Por, autori shpreh shqetësimin për artistët që e këndojnë këngën pa marrë leje dhe duke e mohuar si kompozitor të këngës. “Jo vetëm që nuk paguhemi për të drejtën e autorit, siç ndodh në Europë, por edhe mohohemi, po jepen deklarata që kjo këngë është folklorike dhe nuk është e moralshme, është e padrejtë”.

Ai përmend rastin e fundit “Klan Kosova promovoi variantin e fundit të këngës ne 28 nëntor por ishte e turpshme që nuk u përmend emri, u tha që është këngë folklorike popullore. Unë i kam shkruar ‘Klan Kosovës’, sepse dua që të njihet mesazhi që kënga përmban, ta kuptojnë të gjithë”. / KultPlus.com

Dhia

Tregim nga Nerimane Kamberi

Në këtë fotografi, bardh e zi, kam të veshur një fustan të shkurtë, edhe flokët i kam të shkurta. E këtu, te kjo tjetra, është nana. Rri si kukull. E gjatë, nuk qesh, nuk buzëqesh, e re, aty afër saj, jam unë, flokët e lidhur bisht, në dorë mbaj plot byzylyka. Nana më ka thënë se kishin lloj lloj ngjyrash. Vazhdojmë vizitën në muzeun tim të pafajësisë, ku si nje ciceron i mirë, që e njeh çdo eksponatë, se është vetë jeta e tij, ia spjegoj fëmisë fëmijërine time.

Aty jam unë e ulur në nje stol të drurit, ted era e sokakut, e hareshme, gati për t’u fotografuar, mbaj në dorë një kukull.

Stolin e praptova, vrapoj te nana, duke u dridhur, e kam kapur për fundin, atë të fotografisë së parë, plisé, i bardhë. “Mos u tut prej dhisë, as prej macës. Ato kalojnë, ti kshyri, mos u tut.” Me kthej te stoli, për dorë, a mund ta kem mbajtur në mend butësinë e mbrëmjes që afrohej apo ishte butësia e nanës që ishte afër meje, apo ajo m’a ka përshkruar këtë skenë, shumë vite më vonë, shpesh here, çdo here që frika më kaplonte në jetën time si grua e vazhdon të më kaplojë. Nana më tha në telefon se ,” u sëmur kusherini, nga kjo sëmundje, kjo murtajë,” dhe se kishte shkuar me pa, “se nuk bën”. “E dhitë a kalun xhadës sonte nanë? Ti hiç mos u tut, as prej dhisë, as prej murtajës” / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi ndau shpërblimet shtetërore për sportistët

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka pritur në takim ekipin e xhudos së Kosovës në krye me trajnerin Driton Kuka, me ç’rast ka bërë ndarjen e shpërblimeve shtetërore për sportistët që kanë arritur rezultate kulminante në garat ndërkombëtare.

Trajneri i xhudos, Driton Kuka së bashku me xhudistën Distria Krasniqi, Loriana Kuka, Laura Fazliu janë fituesit e shpërblimeve shtetërore për sportistët që arrijnë rezultate kulminante në garat ndërkombëtare.

Ministrja Dumoshi uroj ekipin e xhudos për sukseset e arritura gjatë këtij viti duke theksuar se si ministre është munduar të punojë që të ofrojë kushte sa më të mira për sportistët që Kosovës po i sjellin suksese në arenën ndërkombëtare.

Gjithashtu ministrja gjatë takimit theksoi se Qendra Kombëtare e Xhudos pritet të përfundohet gjatë vitit të ardhshëm.

“Qendra Kombëtare e Xhudos që ka nisur të ndërtohet është një nga të arriturat, që si ministre e vlerësoj dhe kjo qendër pritet të ndërtohet gjatë vitit të ardhshëm. Kosova mund të merret shembull në rajon se si bashkëpunohet me federata sportive,”- tha ministrja Dumoshi.

Ndërkaq, trajneri Driton Kuka  falënderoj ministrinë për mbështetjen dhe të gjitha institucionet duke e vlerësuar bashkëpunimin me ta.

“Po synojmë që të kemi pesë cikle për në olimpiadë dhe të sjellim tituj sa më shumë dhe për këtë na nevojitet edhe mbështetja”,-tha Kuka. / KultPlus.com

Arkivi Qendror Shtetëror dje dhe sot, Rama: Po e ndryshojmë vendin me përpjekje e durim

Arkivi Qendror Shtetëror i Shqipërisë do të ketë tashmë kushte sipas standardeve më të mira arkivore për të ruajtur biografinë e shtetit.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot disa fotografi me pamje nga mjediset e vjetra ku ruheshin dokumentet e shtetit dhe nga mjediset e reja në Shkozë.

“Arkivi Qendror i Shtetit Shqiptar sipas patriotëve që e qeverisën Shqipërinë deri dje dhe sipas nesh, qē prej 7 vjet e 3 muajsh po e ndryshojmë vendin me përpjekje e durim, hap pas hapi, duke hedhur një bazë të re për shtetin në çdo sektor”, – thekson Rama.

Kryeministri Edi Rama ishte dje në Shkozë, ku inspektoi nga afër vendruajtjen e re të dokumentacionit arkivor të Arkivit Qendror Shtetëror.

“Pas 100 e kusur vjetësh edhe Shqipëria e ka më në fund infrastrukturën grumbulluese e mbrojtëse të Arkivit Qendror Shtetëror, sipas standardeve më të mira arkivore për të ruajtur biografinë e shtetit tonë”, tha Rama.

Brenda një viti Arkivi Qendror Shtetëror do të ketë vendosur dokumentacionin ashtu si duhet. Ato do të ruhen në ruajtëset arkivore që garantojnë edhe mikroklimën. Gjithashtu do të ketë sistemin e fundit të teknologjisë së zjarrit dhe sensor lagështie automatike./atsh/ KultPlus.com

Vdes legjenda e modës, Pierre Cardin

Stilisti i njohur Pierre Cardin vdiq në moshën 98-vjeçare, njoftoi sot familja e tij, transmeton KultPlus.

Pierre Cardin është një stilist francez i natyralizuar, i lindur në Itali. Ai ishte i njohur për stilin e tij avangardë dhe modelet e tij të së ashtuquajturës Epoka Hapësinore.

Ai preferonte forma dhe motive gjeometrike, shpesh duke injoruar formën femërore.

Ai përparoi në modën unisex, ndonjëherë eksperimentale dhe jo gjithmonë praktike. / KultPlus.com

206 vjet nga lindja e Jeronim De Radës

Jeronim De Rada, një ndër figurat më të ndritura të botës arbëreshe, themeluesi i Rilindjes tonë Kombëtare, mësues, botues, folklorist, filolog dhe poet i shquar lindi 206 vite më parë më 29 dhjetor 1814 në komunën e Maqit, (Macchia) në Kozenca të Italisë.

De Rada që herët iu përkushtuar çështjes shqiptare.  Aktivitetet e tij publicistike, letrare dhe politike, ishin thelbësore jo vetëm për  ndërgjegjësimin rreth minoritetit Arbëresh në Itali, por edhe për vendosjen e themeleve të një letërsie kombëtare shqiptare.

Veprat e tij, në të cilat mbizotëron dashuria e zjarrtë për prejardhjen e tij, janë një dëshmi e mbijetesës së identitetit shqiptar, i vënë përballë sfidave të shumta gjatë historisë. Në tetor të 1934-s, me dëshirë të babait të tij, u regjistrua në Fakultetin e Drejtësisë së Napolit, por fokusi kryesor i tij mbeti mbledhja e materialeve folklorike dhe letërsia.

Pikërisht në Napoli, më 1836 nxori botimin e parë të poemës së tij më të njohur në shqip “Këngët e Milosaos”, me titullin Poezi shqiptare të shekullit XV. Vepra e tij e dytë, Këngë historike shqiptare të Serafina Topisë, grua e princit Nikollë Dukagjini, Napoli 1839 nuk u la të qarkullojë nga autoritetet burbone nën pretekstin se De Rada kishte lidhje me grupet komplotiste gjatë të ashtuquajturit ‘Risorgimento’ në Itali.

Në vitin e revolucioneve në Evropë, më 1848 De Rada themeloi gazetën “Shqiptari i Italisë” (L’Albanese d’Italia), ku u përfshinë artikuj në gjuhën shqipe. Kjo gazetë dygjuhëshe, me karakter ‘politik, moral e letrar’ e me një tirazh prej 3200 kopjesh, ishte i pari periodik në gjuhën shqipe i botuar ndokund. Më 1883 themeloi revistën mujore dygjuhëshe “Fiamri Arbërit”.

Ky periodik, i botuar në fillim në Macchia e më pas në Kozencë, zgjati deri në nëntor të vitit 1887 dhe me gjithë censurën turke e greke, lexohej gjerësisht edhe nga shqiptarët në Ballkan. Më 1892 De Rada u riemërua mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqiptare në kolegjin e Shën Adrianit në Shën Mitër dhe më 1895 organizoi të parin kongres gjuhësor arbëresh në Koriliano Kalabro. / KultPlus.com

Botohet ‘Peja gjatë antikitetit – Peja during Antiquity’ nga Naser Ferri

Para pak kohe Instituti Albanologjik i Prishtinës ka botuar veprën monografike të Prof.Dr. Naser Ferrit: “Peja gjatë antikitetit-Peja during Antiquity” e cila në mënyrë shkencore ndriçon periudhën antike në rajonin e Pejës.

Vepra e autorit Prof. Dr. Naser Ferrit me titull : “Peja gjatë antikitetit-Peja during Antiquty” përbëhet nga pjesa hyrëse (Hyrje-Introduction, Parathënie-Foreword) dhe katër kapituj tematikë, të cilët janë të ndarë në disa nënkapituj. Teksti prej 396 faqesh është i pajisur me 232 fotografi, ilustrime dhe harta gjeografike përcjellëse dhe është i shoqëruar me aparaturë përkatëse shkencore.

“Monografia në fjalë është fryt i punës sime shumëvjeçare hulumtuese shkencore në terren dhe nëpër biblioteka e institucione relevante të thesarit arkeologjik të rajonit të Pejës.Monografia i është dedikuar prindërve të mi të dashur por i kushtohet Pejës, qytetit ku jam lindur dhe i kam kaluar ditët e rinisë.Me këtë libër Peja është bërë qytet me monografi unike të kompletuar të trashëgimisë arkeologjike, ndërsa unë konsideroj që e kam kryer obligimin tim moral ndaj prindërve dhe ndaj vendlindjes, nga e cila jam shpërngulur tash e shumë vite por të cilën gjithmonë e mbaj në zemër” tregon për KultPlus profesori Naser Ferri.

Libri mund të blehet në librarinë “Toena-Artini” në Prishtinë.

Vlerësimin për monografi e kanë dhënë recenzentët e librit, ekspertët e fushës: arkeologët Akademik Nenad Cambi nga Spliti dhe profesoresha Kristina Xhin nga Zagrebi.

“Vlen të përmendet se autori i kësaj vepre ka arritur që në bazë të gjetjeve arkeologjike, epigrafike, numizmatike dhe arkitektonike ti shtjerrë të gjitha të dhënat relevante dhe ti bashkon në një tërësi logjike me qëllim të krijimit të imazhit historik, gjeografik, ekonomik, shoqëror, politik, demografik dhe etno-kulturor të parafytyrimit dhe të përjetimit sa më real të jetës së përditshme në rajonin e gjerë të Pejës së sotme  gjatë shekujve të fundit para Krishtit  e po ashtu edhe gjatë disa shekujve vijuese të sundimit romak.Në këtë mënyrë këtë vepër e cilësoj si vepër të parë e kompletuar  dhe unikale mbi të kaluarën e lashtë të rajonit të Pejës me kualitete të larta shkencore, e cila do të jetë e dobishme për qarqet shkencore por edhe për studentët e arkeologjisë, të historisë dhe etnologjisë” thuhet mes tjerash në recensionin nga Nenad Cambi, arkeolog, anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kroacisë (HAZU) dhe Profesor emeritus në Universitetin e Zarës.

Meqë dorëshkrimi është përkthyer në gjuhën kroate për shkak të recenzentëve, ka gjasa reale që mund të botohet në Kroaci në gjuhën kroate ashtu siç është botuar libri “Živa mitologija-Living Mythology” në gjuhën kroate në Zagreb në vitin 2015, botimi i të cilit u financua nga Qeveria e Republikës së Kroacisë. / KultPlus.com

‘Time’ publikon dhjetë fotografitë më të mira të vitit 2020

Teksa viti ikën është e vështirë të kujtohet gjithçka që kemi jetuar përgjatë tij, por janë pikërisht fotot ato që i thërrasin kujtesës.

Ndaj “Time” ka publikuar 10 fotot e 2020-ës, me një titull dhe një shpjegim përkrah.

“Një dritë në mes të errësirës”


Kjo foto është shkrepur gjatë pranverës në Brooklyn. Qëllimi ishte sensibilizimi i njerëzve dhe tregimi i së vërtetës, që virusi Covid-19 vret. Më 22 prill, Meridith Kohut fotografoi Kyle Edwards duke kontrolluar me fener nga brenda një prej frigoriferëve rimorkio që mbante kufomat e virusit. “Secila qese me një trup të pajetë përfaqësonte kaq shumë dhimbje dhe vuajtje, jetë të humbura dhe familje të shkatërruara”, thotë Kohut.

“Trishtimi dhe zemërimi i tyre ishte i vërtetë”

Në një xhami në Teheran, më 5 janar, gratë iraniane vajtojnë Kasem Soleimani pas vrasjes së tij në Bagdad. “Ato ndiheshin të lënduara dhe donin të hakmerreshin”, kujton fotografja Newsha Tavakolian. Brenda, atmosfera ishte e fortë. “Kam kërkuar gjatë se si mund ta kapja këtë moment dhe gjeta këtë skenë, një moment të qetë mes një vorbulle njerëzish. Gruaja duke ngritur grushtin ndërsa mban posterin, të tjerat në mendimet e tyre. Ato po endeshin përreth, vetëm me ndjenjat e tyre”.

“S’mund ta harroj fytyrën e saj”

Hoda Kinno, 11 vjeçe, po mbahej në krah nga xhaxhai i saj Mustafa pas një shpërthimi masiv në portin e Beirutit, më 4 gusht. “Kur arrita në vendndodhje, nuk mund të besoja atë që po shihja”, shkruan fotografi Hassan Ammar. “Po bëja fotografi të gjithçkaje kur pashë burra që mbanin dy vajza të plagosura në autostradën përballë portit. Unë ndoqa njërin derisa arritën në një automjet ushtarak që ishte duke u ngarkuar me njerëz të plagosur për t’u evakuuar në një spital.

Në ditët më pas, Ammar mbeti kureshtar se si kishte shkuar më tej gjendja e saj. U deshën rreth dy javë, por Ammar e gjeti familjen në jug të kryeqytetit. Shpërthimi i kishte shkatërruar ata. Associated Press raportoi se Hoda pësoi një thyerje të qafës dhe dëmtime të tjera, kurse motra e saj 15-vjeçare, Sedra, u vra. “Ajo ditë në Bejrut është një ditë që ndryshoi jetën tonë”, shton Ammar, “më ndryshoi mua si njeri dhe fotograf”.

“Ajo nuk donte ta lëshonte”

Më 24 maj, motra e fotografit Al Bello e telefonoi për t’i thënë se familjarët e saj do ta vizitonin në Wantagh, N.Y., dhe donin ta përqafonin të gjithë; një qese plastmasi e varur nga një litar rrobash do të shërbente si një barrierë mbrojtëse mes tyre. Kurioz, ai shkoi atje. Pasi Mary Grace takoi nipin e saj në “stacionin e përqafimit”, ajo filloi të qante. Takimet e tyre zgjatën për 45 minuta.

“M’u duk vërtet prekëse”

Ato po mbanin homazhe për gjyqtaren Ruth Bader Ginsburg në 26 shtator të këtij viti. Ishin mbështetëset konservatore të gjyqtares Amy Coney Barret duke u lutur në dyert e gjykatës.

“Ishte interesante sepse njerëzit po shëtisnin rreth saj dhe u kërkonin miqve të tyre të bënin fotografi sikur të mos e kishin vënë re atë grua që qante atje në Gjykatën e Lartë”, thotë Schaff. “Unë u ula atje për një kohë, duke parë, dhe pastaj këto katër gra u ngritën dhe ngritën duart lart. Unë pashë dorën e saj në fytyrë, përbërjen e saj dhe dualitetin e emocioneve që të gjitha ndjenin. Dukej vërtet prekëse për mua”.

“Askush nuk mund ta prekte atë”

Hector Retamal, një fotograf i AFP me seli në Shangai, arriti në Wuhan me tren më 23 janar, ndërkohë që qyteti po bllokohej. “Wuhani ishte bërë me të vërtetë një qytet fantazmë”, kujtoi ai në fillim të këtij viti. “Njerëzit në rrugë ishin të paktë: për të blerë ushqim, për të shkuar në një farmaci ose për në spital.”

Më 30 janar, Retamal dhe një koleg i tij po ecnin pranë një spitali kur panë një burrë në tokë, një bllok larg spitalit. “Ishin dy gra që shikonin burrin pa bërë asgjë. Kur na panë, na bërtitën. Më duket na thanë që të mos afroheshim më pranë se mund të infektoheshim”, kujton Retamal. Pas pak, mbërritën të tjerët me kostume mbrojtëse; ata iu afruan burrit, por nuk e prekën.

“Është e vështirë të zbulosh se çfarë dinte ai”

Fotografi Peter van Agtmael ka ndjekur Donald Trump dhe tubimet e tij që nga viti 2016. “Fillova të mësohesha disi me mënyrat e tij dhe shprehjet e tij, të cilat kishin një lloj qëndrueshmërie. Edhe brenda spontanitetit dhe lëvizjes së tij të lirë, kishte qëllim dhe kontroll”, thotë fotografi.

Më 4 nëntor, menjëherë pas mesnatës dhe me pritjen që vota që mbetej për t’u numëruar (fletëvotimet postare dhe votat e hershme) do të ndryshonin rezultatin, van Agtmael hyri në një dhomë të Shtëpisë së Bardhë shumë, shumë të heshtur. Trump u drejtohej votuesve amerikanë, por mes gamës standarde të shprehjeve të tij kishte tension. “Kishte gjithashtu një tension të qartë, stres dhe zemërim dhe për një moment, kur zv.presidenti Mike Pence po fliste, ai lloj kontrolli rigoroz i disa prej emocioneve të tij ra për vetëm disa sekonda”.

“Mbeti pas zjarrit”

Pas zjarrit në Australi kjo koala ishte tharë nga zjarri. Një vullnetar i hodhi ujë sipër për ta hidratuar. Në atë zjarr u dogjën mbi 3 miliardë kafshë. Foton e shkrepi Adam Ferguson.

“Ajo ditë formësoi gjithë vitin tim”

Kur George Floyd u vra nga policia në Minneapolis ishte e hënë. Deri të premten, Amerika ishte ndryshe. Malike Sidibe, 23 vjeç, u zhvendos për të marrë pjesë dhe fotografuar një protestë për herë të parë në jetën e tij. Në Brooklyn, më 29 maj, ai pa protestuesit që luftonin me policinë. Sidibe thotë sot: “Ajo protestë ndryshoi mënyrën se si unë e shikoj botën.”

“Me të vërtetë dukej si një shfaqje e forcës”

Më 13 mars, disa javë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Talibanët nënshkruan një marrëveshje paqeje, fotografi me qendër në Kabul, Jim Huylebroek dhe kolegët e tij shfrytëzuan qetësinë e luftimeve për të vizituar kryengritësit në provincën lindore Laghman. Gjatë rrugës, automjeti i tyre u ndalua nga një Njësi Talibane. “Ata na trajtuan në një mënyrë miqësore, por gjithsesi tensioni ndihej,” thotë Jim. Ndërsa gazetarët përgatiteshin të vazhdonin rrugën, dy fëmijë ecën rrugës dhe kaluan mes luftëtarëve. “Për mua,” thotë Huylebroek, “kjo tregon realitetin e ashpër në të cilin rriten fëmijët.” / KultPlus.com

Beatrix Ramosaj dhe Eugent Bushpepa bashkojnë forcat, sjellin projektin e shumëpritur (VIDEO)

Beatrix Ramosaj dhe Eugent Bushpepa është dyshja që i kanë bashkuar forcat për të sjell një super projekt, shkruan KultPlus.

Pas tri vitesh mungesë në skenën muzikore, Ramosaj duket sikur ka gjetur vetën në këtë bashkëpunim i cili po mirëpritet shumë mirë nga publiku.

Me një videoklip tejet interesantë, kënga “Dancing With The Devil” është një projekt surprizë që ndoshta askush nuk e priste. / KultPlus.com

Jep dorëheqje Gent Cakaj: Shërbimi ndaj jush ka qenë nderi më i madh i jetës sime

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj ka dhënë dorëheqje të parevokueshme.

Këtë e ka bërë të ditur vet Cakaj përmes një statusi në rrjetin social Facebook.

“Dëshiroj të ju njoftoj që sot, e martë, 29 dhjetor 2020, i kam paraqitur Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, dorëheqjen e parevokueshme dhe me efekt të menjëhershëm si Ministër në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë”, shkran Cakaj në njoftim.

Statusi i plotë i Cakajt:

Dëshiroj të ju njoftoj që sot, e martë, 29 dhjetor 2020, i kam paraqitur Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, dorëheqjen e parevokueshme dhe me efekt të menjëhershëm si Ministër në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë

Pas përfundimit me shumë sukses të kryesisë së OSBE-së, hapjes së negociatave për anëtarësim me BE-në, punës së jashtëzakonshme për të siguruar një ulëse në Këshillin e Sigurimit për 2022-2023, zbatimit të një sërë masash të pashembullta për ngritjen e faktorit shqiptar në Ballkanin Perëndimor, si dhe duke qenë se Shqipëria është në pragfushatë zgjedhore, ku unë nuk synoj të angazhohem si kandidat për deputet, konsideroj që kapitulli i shërbimit tim në krye të diplomacisë shqiptare është i përfunduar.

Dua të shpreh mirënjohjen dhe falënderimin tim ndaj Kryeministrit Rama, për besimin e dhënë dhe bashkëpunimin e ngushtë në rrethana jo të lehta për Shqipërinë. Po ashtu, u jam shumë mirënjohës të gjithë bashkëpunëtorëve dhe stafit të MEPJ, për mbështetjen e vazhdueshme në rrugëtimin e përbashkët, për të ndërtuar një sistem diplomatik të denjë për ambiciet e Shqipërisë evropiane dhe të pakompromis në mbrojtje të interesit qytetar e kombëtar.

Në mbyllje, nënvizoj, mes tjerash, se angazhimi i Shqipërisë për të thelluar bashkëpunimin e forcuar marrëdhënien me shqiptarët në rajon duhet të vazhdojë me çdo kusht apo çmim.

Faleminderit nga thellësia e zemrës të gjithëve për mbështetjen, kritikat e punën e përbashkët! E keni për jetë mirënjohjen time – shërbimi ndaj jush ka qenë nderi më i madh i jetës sime! / KultPlus.com