‘Kam bërë shumë gabim që s’e kam marrë’, pacientët të penduar që nuk u vaksinuan me kohë

Magbule Kqiku nga Gjilani, që tri javë po përkujdeset për nënën e saj e cila është e shtirë në Spitalin e Gjilanit, në repartin ku po trajtohen pacientët me COVID-19.

Shtatëdhjetetetëvjeçarja e infektuar me koronavirus është e pavaksinuar dhe sëmundja e ka prekur rëndë shëndetin e saj

Vajza e saj thotë se nuk ka munguar kujdesi i mjekëve e infermierëve, por përkujdesja nga familja ka qenë e domosdoshme.

“Paramendo, 24 orë, (nëna) ajo nuk e ka gjendjen të qëndrojë vet as pesë minuta. Vetë e kemi ushqyer, vetë e kemi çuar me karrocë, nganjëherë nuk ka as karroca të mjaftueshme, pasi ka pasur shumë pacientë më herët, tani ka më pak”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë, transmeton KultPlus.

Frikën nga infektimi me koronavirus, Magbulja e ka të madhe, por ajo thotë se do të qëndrojë në spital, derisa nëna të lirohet.

Në Spitalin e Gjilanit, pacientët me COVID-19 po trajtohen në shtatë reparte. Më 13 shtator, kur ishte ekipi i Radios Evropa e Lirë, aty ishin të shtrirë afër 100 pacientë, prej tyre 74 në oksigjeno-terapi.

Shumë nga pacientët e shtrirë nuk mund të lëvizin apo të flasin.

Ata ndihen të lodhur. Gjithçka që mund të bëjnë është të qëndrojnë të shtrirë në shtrat.

Infermierë e mjekë shihen në shërbim të pacientëve, për aq sa ata mund t’iu dalin në ndihmë.

Ndërkohë, në përkujdesje të pacientëve, pothuajse te të gjithë janë edhe familjarët.

Të vaksinuarit, më lehtë me virusin

Xhylferije Shala po përkujdeset për burrin e saj i cili është i vaksinuar, por është infektuar me koronavirus.

Ajo mendon se burri i saj 75 vjeç mund të jetë infektuar gjatë një funerali ku ishin mbajtur edhe të pame.

“E dërguam ta bëjë testin, doli pozitiv. E sollëm në spital. Ka qenë i sëmur, por mbijetoi. Mos ta kishte pasur vaksinën, ndoshta do të ishte edhe më keq”, thotë ajo.

Më të rëndë, thotë se e pati gjendjen klinike Nurije Kryeziu, 67 vjeç e cila ka marrë vetëm dozën e parë të vaksinës. Ajo është e shtirë në spital që 10 ditë.

“Kam pasur temperaturë. Kam qenë keq e sëmurë. Tani jam më mirë”, tregon ajo.

Mjekët në spital tregojnë se numri më i madh i pacientëve të hospitalizuar janë të pavaksinuar, por ka edhe pacientë të vaksinuar, të cilët thonë se kanë një situatë stabile.

Mirvete Daku-Kurteshi, shefe e repartit të Klinikës Infektive, thotë për Radion Evropa e Lirë se që nga fillimi i muajit gusht dhe në fillim të shatorit, janë përballur me një situatë të rëndë.

Aktualisht, ajo thotë se situata është më e qetë. Numri i pacientëve të shtrirë është në rënie.

“Unë mendoj që në Kosovë është dashur edhe kjo vala e fundit për t’u vetëdijesuar njerëzit, deri në këtë valë nuk kanë qenë të vetëdijesuar. Këtë e kuptuam edhe ne tani, pasi veç janë sëmurë dhe nuk kanë qenë të vaksinuar, e kanë marrë si hajgare se ‘nuk ka virus ose e kemi zënë në asgjë’, këto janë fjalët e pacientëve”, thotë ajo.

Të pavaksinuarit apelojnë për vaksinim

Pacientët e infektuar me koronavirus të cilët kanë manifestuar sëmundje të rëndë, thonë se janë penduar që nuk janë vaksinuar me kohë.

“Për vaksinë kam bërë shumë gabim që nuk e kam marr, duhet të mbajmë shumë higjienë, të kujdesemi që të mos kemi kontakte, për të mirën tonë”, thotë Vaxhide Rizahu, 60-vjeçare.

Pacientët e pavaksinuar, sipas mjekëve, kanë manifestuar sëmundje të rëndë dhe disa prej tyre kanë përfunduar edhe me vdekje.

Gjilani që nga fillimi i pandemisë me COVID-19, ka regjistruar 369 vdekje.

Drejtori i Spitalit të Gjilanit, Arsim Emini thotë se numri më i madh i vdekjeve të pacientëve nga COVID-19, ka ndodhur në situata kur ka pasur fluks të madh të pacientëve.

“Në situata të tilla çdo ditë është e rëndë kur i ke përpara pacientët dhe nuk arrin të bësh atë që do të duhej të bëjmë, të shpëtojmë jetën e tyre”, thotë ai.

Spitali i Gjilanit ka në dispozicion 196 shtretër të përgatitur për trajtimin e pacientëve me COVID-19. Kapacitetet spitalore deri më tani, sipas Eminit, kanë qenë të mjaftueshme për të trajtuar pacientët me COVID-19. /radioevropaelire/ KultPlus.com

Javën e ardhshme merret vendimi për dozën e tretë të Pfizer

Vlerësimi do të bëhet në bazë të të dhënave të paraqitura nga kompania farmaceutike dhe rezultati pritet “brenda javëve të ardhshme, përveç nëse kërkohet informacion shtesë”.

Agjencia Evropiane e Barnave ka filluar të vlerësojë aplikimin për përdorimin e një doze përforcuese të vaksinës Comirnaty (Pfizer-BioNTech) që do të administrohet gjashtë muaj pas dozës së dytë te personat e moshës 16 vjeç e lart.

“Dozat përforcuese u jepen njerëzve të vaksinuar (d.m.th. njerëzve që kanë përfunduar vaksinimin parësor) për të rikthyer mbrojtjen pasi të ketë rënë”, shpjegon EMA, transmeton CNN.

Ndër informacionet e siguruara nga Pfizer-BioNTech për shqyrtimin e Komitetit për Mjekimet Njerëzore (CHMP) të EMA-s janë edhe rezultatet e një studimi klinik të vazhdueshëm, në të cilin rreth treqind të rritur me sistem imunitar të shëndetshëm morën një dozë përforcuese rreth gjashtë muaj pas dozës së dytë. / KultPlus.com

Presidentja Osmani: 503 mijë vaksinat e dhuruara nga SHBA-të janë 503 mijë shanse shtesë për të shpëtuar jetë nga virusi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përmes një postimi në rrjetin social facebook ka bërë të ditur se Kosova ka pranuar gjithsej 503 mijë vaksina të dhuruara nga SHBA-të, e të cilat kanë arritur sot, përcjellë KultPlus.

“Nuk ka asnjë arsye për mos vaksinim! Të rinj, pleq, mësues, shtatzëna, gra e burra, vaksinimi shpëton jetë! Vaksinohu edhe TI të shpëtosh veten, më të dashurit e tu, ekonominë dhe të ardhmen tonë!”, shkruan Osmani.

KultPlus ju sjell njoftimin e saj të plotë:

503 mijë vaksinat e dhuruara nga SHBA-të e të cilat arritën sot në vendin tonë janë 503 mijë shanse shtesë për të mbrojtur e shpëtuar jetë nga virusi.
Nuk ka asnjë arsye për mos vaksinim! Të rinj, pleq, mësues, shtatzëna, gra e burra, vaksinimi shpëton jetë! Vaksinohu edhe TI të shpëtosh veten, më të dashurit e tu, ekonominë dhe të ardhmen tonë!
Faleminderit Presidentit Biden dhe popullit amerikan që na u gjindën sërish pranë, ashtu sikurse gjithherë. / KultPlus.com

Ministria e Shëndetësisë lejon vaksinimin e fëmijëve mbi moshën 12-vjeçare

Ministria e Shëndetësisë ka bërë me dije se ka aprovuar rekomandimin nga trupa profesionale kompetente-Komiteti për imunizim kundër COVID-19 për vaksinimin e fëmijëve mbi moshën 12-vjeçare.

Një gjë e tillë është bërë e ditur nga vetë institucioni nëpërmjet një komunikate për medie, derisa ka thënë se do vaksinohen edhe fëmijët 12-vjeçar në bazë të indikacioneve shëndetësore me vaksinën Pfizer, përcjell KultPlus

“Duke marrë parasysh që vaksina Pfizer BioN/Tech është aprovuar nga FDA dhe EMA për vaksinimin e moshave mbi 12 vjeç, plotësimi i planit përfshin: Vaksinimin e personave mbi 16 vjeç me vaksinën Pfizer dhe vaksinimin e grup moshës 12-15 vjeç me prioritet dhe sipas indikacioneve shëndetësore”, thuhet në njoftim.

Ky vendim vjen pas rritjes së numrit të të infektuarve të grupmoshave të reja.

Vetëm përgjatë 24-orëve të fundit, sipas raportit të IKSHPK’së, 14 fëmijë deri në moshën 9-vjeçare janë infektuar me Covid-19. / KultPlus.com

Ministria e Shëndetësisë njofton qytetarët: Mund t’i kombinoni vaksinat Astra Zeneca dhe Pfizer

Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate drejtuar mediave ka njoftuar qytetarët se gjatë vaksinimit kundër COVID-19, mund të bëhet edhe kombinimi i vaksinave.

Në komunikatë thuhet se qytetarët kanë të drejtë të zgjedhin llojin e vaksinës të cilën donë ta marrin.

E zgjedhjet janë Astra Zeneca dhe Pfizer BioNTech. Megjithatë nëse dikush do t’i bëjë kombinim, dozën e parë mund ta marrin Astra Zeneca dhe të dytën Pfizer apo anasjelltas.

Gjatë ditës u raportua se kombinimi i vaksinave në Kosovë nuk lejohet në qendrat vaksinuese.

E Ministria e Shëndetësisë thotë se kushdo që pretendon se diçka e tillë nuk lejohet, është e pavërtetë.

Qëllimi i kombinimit të vaksinave është rritja e imunitetit.

Më poshtë gjeni komunikatën e plotë:

Kombinimi i vaksinave në Kosovë bëhet që kur ka nisur vaksinimi masiv kundër COVID-19

Ministria e Shëndetësisë i informon sërish qytetarët e vendit se ata që vaksinohen kundër COVID-19 kanë të drejtë të zgjedhin llojin e vaksinës të cilën do ta marrin prej dy llojeve të vaksinave të cilat përdoren në Kosovë si Astra Zeneca dhe Pfizer BioNTech.

Gjithashtu, që kur ka filluar vaksinimi i qytetarëve në masë kundër COVID-19 (qershor 2021), qytetarëve u është lejuar, me rekomandim të Komitetit të vaksinimit edhe kombinimi i vaksinave, që do të thotë se dozën e parë mund ta marrin të vaksinës Astra Zeneca dhe të dytën Pfizer dhe anasjelltas.

Deklaratat e kujtdo qoftë se në Kosovë nuk lejohet kombinimi i vaksinave janë të pavërteta.   

Me respekt,

Divizioni i Komunikimit me Publikun-MSh. / KultPlus.com

MSH po shqyrton vendosjen e kufizimeve për të pavaksinuarit në Kosovë

Derisa varianti Delta i COVID-19 po përhapet me shpejtësi në Kosovë, kësisoj po rritet edhe numri i rasteve të reja me këtë virus, po shqyrtohet mundësia e vendosjes së kufizimeve për personat e pavaksinuar.

Nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë për Express se çdo opsion është i hapur me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit.

Ministria e Shëndetësisë po shqyrton mundësinë e vendosjes së kufizimeve për personat e pavaksinuar kundër COVID-19.

Ndërsa vendosja e kufizimeve për këta qytetarë, po gjen përkrahje në vend.

Aq më shumë, përkrahje po gjen edhe kufizimi i lëvizjes për të pavaksinuarit.

Të pyetur se a janë duke shqyrtuar kufizime për qytetarët që nuk po vaksinohen, nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë për Express se çdo opsion është i hapur në mënyrë që të parandalohet përhapja më e madhe e virusit, e në mënyrë që të rritet vaksinimi në masë.

Megjithse, nga kjo ministri nuk kanë treguar se çfarë kufizime mund të ketë për këta persona.

Zëdhënës për informim në MSH kanë thënë se plani i vaksinimit në masë bashkë me pjesën informuese është duke u zbatuar në mënyrë që të rritet interesimi për vaksinim.

“Çdo opsion është i hapur me qëllim të parandalimit të përhapjes më të madhe të virusit dhe rritjes së vaksinimit në masë.  Është Plani i Vaksinimit në Masë kundër COVID-19 bashkë me pjesën informuese e sensibilizuese që është duke u zbatuar për rritjen e interesimit për vaksinim”, është thënë nga kjo ministri.

Kryetar i Asociacioni të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se po presin që gjatë ditëve të ardhshme të kenë ndonjë takim me ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia dhe të diskutojnë për situatën.

Ai ka thënë se duhet një bashkëpunim mes nivelit lokal dhe atij qendror në mënyrë që masat të zbatohen sa më mirë dhe sa më lehtë.

“Drejtorët kanë bërë thirrje që vaksinimin të kryhet përpara se të filloj viti i ri shkollor. Të gjithë kryetarët ftojnë qytetarët që të marrin vaksinat. Sa i përket masave të reja, ne nuk kemi diskutuar njëherë. Presim që ditët e ardhshme ta kemi ndonjë takim me ministrin dhe ta diskutojmë situatën. Duhet një bashkëpunim dhe koordinim me nivelit lokal që masat të zbatohen sa më mirë dhe sa më lehtë. Nëse mungon koordinimi edhe masat është pak vështirë me u zbatu. Vaksinimi duhet të jetë prioritet”, ka deklaruar ai.

Ibrahimi ka thënë se ende nuk kanë pasur ndonjë takim të brendshëm për të diskutuar në lidhje kufizimet, por që po e shohin situatën.

Ndërsa, drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, ka thënë se do të mbështesin çdo kufizim që propozon qeveria, përfshirë këtu edhe kufizimet në livizje.

Ai ka thënë se kufizimet ndaj të pavaksinuarve nuk do të paraqesin shkelje të të drejtave të njeriut.

“Po shihet që numri i të infektuarve është rritur në mënyrë drastike. Çdo veprim të cilin e merr shteti për mbrojtjen e shëndetit publik, e në këtë rast kundër pandemisë, ka mbështetjen, ne e përkrahim ccdo masë. Qytetarët kanë pasur mjaftueshëm kohë që të vaksinohen edhe pse disa po hezitojnë. Nuk e di pse po hezitojnë. Ne tani nuk e kemi asnjë efekt anësor për shkak të vaksinave. Nëse qeveria detyrohet të merr ndonjë masë shtrënguese kundër atyre që nuk vaksinohen, e nuk kanë asnjë arsye, ne nuk e konsiderojmë si shkelje të të drejtave të njeriut”, ka theksuar ai.

Përndryshe, ai është shprehur se e drejta për jetë është e drejta kryesore e njeriut andaj edhe qytetarët duhet të vaksinohen.

“E drejta për jetë është e drejta kryesore e njeriut dhe mbi atë të drejtë ndërtohen të gjitha të drejtat tjera. Qytetarët duhet të vetëdijesohen, duhet të vaksinohen. Tani ka vaksina të mjaftueshme. Pasi nuk po e bëjnë këtë, Kosova rrezikon edhe nga një mbyllje. Nëse Kosova mbyllet edhe dy vjet, falimentimin e ka të garantuar. Situatat e jashtëzakonshme imponojnë vendime të jashtëzakonshme”, ka shtuar ai.

Vendosjen e kufizimeve për të pavaksinuarit e kanë përkrahur edhe infektologë në vend.

Ata ditë më parë kanë thënë se nëse qytetarët e refuzojnë vaksinimin atëherë MSH’ja duhet të përgatitet që të aplikojë masa detyruese ndaj tyre.

Kujtojmë që numri i të infektuarve me koronavirus ka shënuar rritje së fundmi.

Vetëm në 24 orët e fundit në vend janë regjistruar 562 raste të reja të infektuara dhe dy viktima.

Deri tani, më pak se 19 për qind e qytetarëve, apo 333 mijë e e 965 persona janë vaksinuar kundër COVID-19 në vend.

Ndërsa, 9.5 për qind e qytetarëve kanë marrë dy doza të vaksinave./KultPlus.com

Infermierja gjermane dyshohet se u dha njerëzve ujë me kripë në vend të vaksinës

Autoritetet në pjesën veriore të Gjermanisë u kanë bërë thirrje mijëra personave që të marrin një dozë tjetër të vaksinës për Covid-19, pasi një hetim policor tregoi se një infermiere e Kryqit të Kuq mund t’u ketë dhënë ujë të kripur në vend të vaksinës së vërtetë.

Infermierja, identiteti i së cilës nuk u publikua, dyshohet se u ka dhënë ujë me kripë në vend të vaksinës njerëzve në qendrën e vaksinimit në Friesland në fillim të kësaj pranvere. Friesland-i është distrikt rural afër bregdetit të Detit Verior.

Ndonëse uji i kripur është i padëmshëm, shumica e njerëzve që janë vaksinuar për Covid-19 në Gjermani në muajt mars dhe prill, kur dyshohet se ndodhi ngjarja e pazakontë, janë të moshuar dhe në rrezik të lartë për t’u infektuar, shkruan The Guardian.

Hetuesi policor, Peter Beer, duke folur në një konferencë për gazetarë, tha se duke u bazuar në deklaratat e dëshmitarëve, ekziston një dyshim i arsyeshëm për rrezik.

Nuk dihet se cili ka qenë motivi i infermieres së dyshuar, por ajo kishte shprehur qëndrime skeptike rreth vaksinave në rrjetet sociale, thanë hetuesit policorë.

Nuk është e qartë se a është arrestuar kjo infermiere, por transmetuesi NDR raportoi se rasti i është dorëzuar një njësie të posaçme, e cila merret me hetimin e krimeve të motivuara politikisht./KultPlus.com

MSH merr vendimin: S’mund të shkoni në dasma e klube të natës pa qenë të vaksinuar

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe përfaqësuesi i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Driton Hoti, kanë diskutuar sot për masat e reja anti-COVID, raporton Express

Në njoftimin e OHT-së bëhet e ditur se është marrë vendim që vaksina anti-COVID të jetë obligative për qytetarët që do të marrin pjesë në aktivitete shoqërore, në qendra tregtare, klube të natës dhe ahengje familjare.

 “Çdo qytetar i Kosovës në mënyrë që të marrë pjesë në çdo aktivitet shoqëror, qoftë qendër tregtare, klube të natës apo në ahengjet familjare obligohet që të marrë vaksinën anti-covid, sepse nga data 20 gusht do të kërkohet që të paktën dozën e parë ta kenë të përfunduar përndryshe nuk mund të marrin pjesë në asnjë aktivitet”, thuhet në njoftimin e OHT-së.

Tutje, bëhet e ditur se stafi punues i këtyre sektorëve obligohet të jetë i vaksinuar të paktën me dozën e parë të vaksinës, deri më 12 gusht.

“Ndërsa sa i përket stafit punues të këtyre sektoreve obligohen që deri më datë 12 gusht të përfundojnë të paktën dozën e parë të vaksinimit”, thuhet në njoftim.

Tutje, bëhet e ditur se është diskutuar edhe zgjatja e orarit për klubet e natës.

“Gjithashtu sa i përket orarit të klubeve të natës u bisedua që të ketë zgjatje pra këto aktivitete të fillojnë nga ora 23:00 deri në ora 03:00 pas mesnate”, bën të ditur njoftimi.

Ky vendim pritet të hyjë në fuqi më 11 gusht. /Kultplus.com 

Nga sot gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët mund të aplikojnë për vaksinim

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës- AGK, njofton të gjithë gazetarët, kameramanët dhe fotoreporterët se që nga sot do të mund të aplikojnë për imunizim me vaksinat kundër COVID 19.

Sipas njoftimit, kjo është arritur pas kontakteve të shpeshta të AGK-së me Ministrinë e Shëndetësisë.

“Komiteti respektiv ka marr vendim për përfshirje te Gazetareve me prioritet për imunizim! Me siguri qe nga neser edhe platforma e – Kosova do e mundësoj versionin me këtë ndryshim, dhe do njoftoheni sapo te jete bere përditësimi i ndryshimit ne platformën e cekur”, thuhet në njoftimin e djeshëm të ministrisë për AGK-në.

AGK-ja e sheh si tejet të rëndësishëm këtë vendim pasi që gazetarët kanë kontribuuar në vazhdimësi gjatë pandemisë, si me informim të drejtë, ashtu edhe në parandalimin e shpërndarjes së dezinformatave.

”E tërë veprimtaria e tyre është shtrirë në vijën e parë të frontit, së bashku me punonjësit e tjerë esencial. Kanë raportuar nga vatrat e infeksionit që para shfaqjes së rasteve të para me COVID-19 në Kosovë, kanë mbuluar ngjarjet politike dhe sociale gjithashtu, në mënyrën më profesionale të mundshme, në ndërkohë që janë përballur me një të panjohur për të gjithë ne”, thuhet në komunikatën e AGK-së.

Ministria e Shëndetësisë me një njoftim të rëndësishëm për qytetarët që do vaksinohen

Procesi i vaksinimit të personave mbi moshën 65 vjeçare do të vazhdojë gjatë vikendit, por do të vaksinohen vetëm ata që do të thirren nga Ministria e Shëndetësisë, përcjell KultPlus.

Kjo ministri ka njoftuar se vaksinimi për komunën e Prishtinës do të vazhdojë në sallën “1 Tetori”, derisa në komunat e tjera të vendit do të bëhet në lokacionet e caktuara nga Drejtoritë Komunale për Shëndetësi.

Në qendrën e vaksinimit në Prishtinë – salla “1 Tetori” do të vaksinohen qytetarët të cilët sot gjatë ditës janë kontaktuar nga Ministria e Shëndetësisë, sipas aplikimit të tyre në platformën e vaksinimit kundër COVID-19 e-Kosova dhe sipas terminit të caktuar.

Vaksinimi në komuna gjatë dy ditëve të ardhshme do të bëhet sipas ftesave të marra dhe termineve të caktuara për qytetarët nga njësitë e vaksinimit sipas listave në dispozicion të krijuara nga ana e tyre dhe përmes platformës e-kosova.

Vaksinimi do të bëhet vetëm për qytetarët që pranojnë thirrjen dhe japin konfirmimin për marrjen e vaksinës në qendrën e vaksinimit në komunat e tyre.

Ministria e Shëndetësisë bën të ditur gjithashtu se gjatë ditës së sotme deri në ora 17:00 me vaksinën kundër COVID-19 janë vaksinuar rreth 3100 qytetarë të Kosovës.

Kjo ministri ka njoftuar se gjatë këtij muaji dhe në fillim të muajit që vjen pritet ardhja edhe e kontigjenteve tjera të vaksinave.

Më poshtë është lista e qendrave aktuale të vaksinimit kundër COVID-19 në Kosovë.

/ KultPlus.com

Qytetarët drejt Serbisë për vaksina, në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se nuk janë përgjegjës

Derisa shumë qytetarë po marrin rrugën drejt Serbisë për t’u vaksinuar kundër COVID-19, për shkak që një gjë të tillë nuk po mund ta bëjnë në vend, nga Ministria e Shëndetësisë thonë se ata nuk janë përgjegjës për vaksinimin e qytetarëve në vendet tjera. Po kjo ministri kritikohet për mossigurimin e vaksinave të mjaftueshme, në mënyrë që të gjithë qytetarët të vaksinohen në vend, përcjell KultPlus.

 “Në mungesë të vaksinave kundër koronavirusit, qytetarët e Kosovës po detyrohen t’i drejtohen institucioneve shëndetësore të shtetit serb për tu vaksinuar. Sot, mora dozën e dytë të vaksinës Pfizer në Preshevë”, kështu është shprehur sot Arta Neziri-Nuhiu, asambliste në Kuvendin Komunal të Gjilanit nga radhët e AAK’së.

Ajo ka deklaruar se përveç se atje është vaksinuar thuajse e tërë popullsia, ata po mund të përzgjedhin edhe cilën vaksinë dëshiron ta marrësh.

Si Neziri-Nuhiu, Express ka mësuar se edhe shumë qytetarë tjerë po marrin rrugën për në Serbi, konkretisht në Rashkë e Novi Pazar, për t’u vaksinuar kundër COVID-19.

Për shkak që Qeveria e Kosovës e as Ministria e Shëndetësisë nuk kanë siguruar mjaftueshëm vaksina që edhe ata të vaksinohen, ata po vaksinohen në Serbi.

E kjo duket se nuk po e shqetëson Ministrinë e Shëndetësisë.

Nga kjo ministri kanë thënë se nuk janë përgjegjës për vaksinimin e qytetarëve në vendet tjera.

“MSh është përgjegjëse për vaksinimin e qytetarëve të saj në territorin e Republikës së Kosovës. MSh nuk është përgjegjëse për vaksinimin në vendet e tjera”, kanë thënë zëdhënës për media në këtë ministri për Express.

Nga MSH kanë deklaruar se fluksi i madh i të interesuarve sot për vaksinim në Prishtinë dhe vaksinimi i të moshuarve mbi 65 vjeç është lajm i mirë për qytetarët.

Sipas kësaj ministri, ky proces do të intensifikohet ditëve në vijim deri në arritjen e vaksinimit të 60 për qind të popullsisë.

“Fluksi i madh i të interesuarve sot për vaksinim në rajonin e Prishtinës dhe fillimi i vaksinimit me moshën 65 vjeç e lart është lajm i mirë për popullatën kosovare dhe në ditët në vijim ky proces do të intensifikohet deri në arritjen e objektivit për vaksinimin e 60% të popullatës”, është thënë nga MSH.

Ndërsa, Gazeta Express ka marrë vesh nga burime të veta se qytetarët po përdorin dokumente të vjetra, ato të Jugosllavisë për t’u vaksinuar kundër COVID-19 në Serbi. E këtë po e bëjnë pa asnjë problem.

Derisa Ministria e Shëndetësisë nuk po siguron vaksina për të gjithë qytetarët, deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë fajësuar atë për vaksinimin e qytetarëve në Serbi.

Kujtojmë që qytetarë të shumtë nga Kosova, që nga fillimi i këtij viti kanë marrë rrugën për në Serbi për t’u vaksinuar kundër virusit COVID-19.

Disa prej tyre tashmë kanë filluar ta marrin edhe dozën e dytë atje./gazetaexpress/ KultPlus.com

Kroacia dhuron 10,000 vaksina për Kosovën, Osmani falënderon për donacionin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu sot ka mirëpritur Ministrin e Jashtëm të Kroacisë Gordan Grlić Radman, i cili menjëherë ka pranuar kërkesën për donacionin e vaksinave, me ç’rast ka dhuruar 10 mijë vaksina për qytetarët e Kosovës, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Osmani ka bërë të ditur se gjatë diskutimit me Radman, ata kanë biseduar rreth kalimit të partneritetit në një nivel strategjik mes dy popujve. Ajo tutje ka potencuar se Kosova tashmë i ka plotësuar kriteret për liberalizimin e vizave prandaj BE duhet ta mbajë premtimin e tyre.

Ndërsa, në mesin e diskutimeve, ajo çka është konsideruar më e rëndësishmja ishte se si Kroacia dhe Kosova duhet ti bashkojnë forcat për të kërkuar përgjegjësi dhe informatë nga Serbia lidhur me personat e pagjetur e të zhdukur dhunshëm nga regjimi serb gjatë luftërave të fundit të viteve 90-ta.

KultPlus ju sjell statusin e plotë të Osmanit:

Kisha kënaqësinë të mirëpres sot Ministrin e Jashtëm të Kroacisë, z. Gordan Grlić Radman. Pas kërkesës që i kam bërë shtetit kroat me 15 prill 2021 për një donacion simbolik të vaksinave, kam marrë përgjigje pozitive menjëherë të nesërmen dhe sot Ministri i jashtëm na solli lajmin e mirë për donacion prej 10 mije vaksinash për qytetarët tanë. Ky veprim rikonfirmon partneritetin e shkëlqyeshëm mes dy popujve tanë dhe faktin se Kroacia na ka qëndruar pranë gjithnjë e në çdo sfidë.

Me ministrin po ashtu diskutuam për nevojën që partneriteti ynë të kalojë në nivel strategjik. E potencova që Kosovës duhet t’i jepet liberalizimi i vizave menjëherë, sepse Kosova i ka plotësuar kriteret ndërkaq BE duhet ta mbajë premtimin e jo ta konsiderojë liberalizim si peng të procesve të tjera. Diskutuam po ashtu për avancimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, tregtisë, kulturës dhe shumë fusha të tjera. E më e rëndësishmja, diskutuam se si Kosova e Kroacia duhet t’i bashkojnë forcat për të kërkuar përgjegjësi të qartë dhe çdo informatë nga Serbia lidhur me personat e pagjetur e të zhdukur dhunshëm nga regjimi serb gjatë luftërave të fundit të viteve të 90-ta.

Rajoni ynë do të jetë më i sigurtë, ndërkaq e ardhmja jonë më prosperuese nga bashkëpunimi mes Kosovës e Kroacisë. E falënderoj Kroacinë për mbështetjen e pakursyer në çdo drejtim. / KultPlus.com

Kisha kënaqësinë të mirëpres sot Ministrin e Jashtëm të Kroacisë, z. Gordan Grlić Radman. Pas kërkesës që i kam bërë…

Posted by Vjosa Osmani on Thursday, May 6, 2021

Eksperimenti i pazakontë që çoi në shpikjen e vaksinës së parë

Lia konsiderohej kohë më parë një sëmundje e tmerrshme ngjitëse, që shkaktonte dhembje të mëdha trupi, temperaturë të lartë, dhembje fyti, koke, vështirësi në frymëmarrje dhe skuqje në lëkurë.

Me rritjen e tregtisë globale, lia përhapej edhe më thjeshtë, duke infektuar rreth një të tretën e të rriturve dhe 8 në 10 foshnje. Në fillim të shekullit 18-të, sëmundja llogaritet të ketë vrarë rreth 400 000 njerëz çdo vit, vetëm në Evropë, ndërsa në vitin 1721, në Boston zhduku 8% të popullsisë.

Trajtimet që aplikoheshin për këtë sëmundje, ishin të ndryshme, disa të padobishme dhe të çuditshme, si vendosja e njerëzve në dhoma të nxehta, ose të ftohta, ndalimin e ngrënies së disa ushqimeve, mbështjelljen e pacientëve me leckë të kuqe dhe konsumin e 12 shisheve birrë.

Megjithatë, ekzistonte një kurë e mirëfilltë. I njohur si inokulim, apo futja e një mikrobi patogjen në trupin e një individi të shëndetshëm. Në këtë rast, kjo nënkuptonte marrjen e qelbit nga dikush që vuante prej lisë, duke ia kaluar dikujt të shëndetshëm, përmes gërvishtjes së lëkurës. Fillimisht, u praktikua në Afrikë dhe Azi, më pas në Evropë dhe Amerikën e Veriut në shekullin 18-të.

Në vitet 1700, në Anglinë rurale gjatë epidemisë së lisë së bagëtive, fermeri Benjamin Jesty vendosi të merrte qelb nga lopa për ta vendosur në lëkurën e gruas dhe djemve të tij. Asnjë prej tyre nuk u sëmur më nga lia. Duke u mbështetur në këtë eksperiment, Edward Jenner, njeriu i njohur për shpikjen dhe popullarizimin e vaksinimit, bëri vëzhgime dhe arriti në përfundime të ngjashme. Jenner injektoi në vitin 1776, qelbin e një lope të sëmurë te një djalë 8-vjeçar, i cili pas disa ditësh, jo vetëm që u shërua, por edhe zhvilloi imunitet duke mos u infektuar edhe pas kontaktit me njerëz të sëmurë.

Jenner e dinte që për t’u zhdukur sëmundja duhej që të vaksinoheshin sa më shumë njerëz, e ndaj ftoi mjekë nga kudo të bënin të njëjtën gjë si ai. Mbreti Carlos IV i Spanjës, që kishte humbur disa anëtarë të familjes së tij nga lia, porositi që të realizohej një ekspeditë globale për ta shpërndarë vaksinën në skajet më të largëta të Perandorisë Spanjolle. Ekspedita mandej udhëtoi gati në të gjithë botën, dhe brenda 20 viteve nga zbulimi i saj, vaksina po shpëtonte miliona jetë.

Vendosmëria dhe inovacioni i Jenner ndryshoi botën, shpëtoi dhe vazhdon të shpëtojë miliona jetë njerëzish. Padyshim puna e tij, dhe ekspedita e suksesshme frymëzon sot shkencëtarët për t’i bërë ballë një pandemia globale si ajo e koronavirusit./ KultPlus.com

4700 vaksina nga BE-ja të mërkurën arrijnë në Kosovë

Një pjesë nga 95 mijë vaksinat kundër COVID-19, të ndara nga Bashkimi Evropian për Kosovën, do të mbërrijnë në vend në mesin e javës së ardhshme, ka bërë të ditur Komisionieri Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Ai ka njoftuar se do të qëndrojë në Kosovë më 5 maj, të mërkurën, në kuadër të vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor, në një kohë kur rajonit do t’i dhurohen vaksinat kundër koronavirusit, si pjesë e ndihmës nga Bashkimi Evropian.

Komisioni Evropian dhe Austria patën njoftuar më 20 prill se 651 mijë doza të vaksinës “BioNTech/Pfizer” do të dorëzohen në rajon çdo javë nga fillimi i muajit maj e deri në muajin gusht. Këto vaksina janë paraparë për të ndihmuar në shpejtimin e kampanjës së vaksinimit e për të siguruar që grupet në rrezik të marrin vaksinën. Vaksinat janë ndarë nga pakoja 70 milionë euroshe, e siguruar nga Bashkimi Evropian. Austria ka lehtësuar shpërndarjen e vaksinave përmes marrëveshjeve me prodhuesin dhe çdo partner të Ballkanit. Shpërndarja do të bëhet në bazë të nevojës epidemiologjike. Për Kosovën janë caktuar 95 mijë doza. KOHA ka mësuar se në kontingjentin e parë janë 4700 vaksina.

“Do të udhëtoj drejt Ballkanit Perëndimor për të përçuar mesazh të qartë: Ne kujdesemi! Ne kujdesemi për partnerët tanë dhe kujdesemi për punëtorët e tyre shëndetësorë dhe ata më të rrezikuarit. Shpërndarja e vaksinave konfirmon përkushtimin tonë të vazhdueshëm për të ofruar përkrahje, siç kemi bërë që nga shpërthimi i pandemisë. Bashkë më të fortë!”, ka thënë ai për uebfaqen e Komisionit Evropian.

Para se të vizitojë Kosovën dhe Shqipërinë të mërkurën, Varhelyi do të nisë vizitën të hënën në Serbi, e më pas do të vizitojë Bosnjën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Sipas njoftimit, me autoritetet ai do të diskutojë për pandeminë dhe përkrahjen e BE-së në këtë drejtim.

Kosova tashmë ka marrë vetëm 24 mijë doza të vaksinës “AstraZeneca” nëpërmjet programit të COVAX-it, ku BE-ja ka kontribuar me 2.5 miliardë euro. Këto doza tashmë janë harxhuar./kohanet/KultPlus.com

Një shtet i ShBA-së premton nga 100 dollarë për të rinjtë që vaksinohen

Virgjinia Perëndimore e Shteteve të Bashkuara do t’u ofrojë kursime prej 100 dollarësh të rinjve që e marrin vaksinën kundër Covid-19.

Autoritetet e këtij shteti thonë se shpresojnë që kjo pagesë për personat e moshës 16- deri në 35-vjeçare do t’i motivojë të rinjtë që ta marrin vaksinën, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

“Fëmijët tanë ndoshta nuk e kuptojnë vërtet se sa të rëndësishëm janë ata që t’i jepet fund kësaj”, tha guvernatori i Virgjinias Perëndimore, Jim Justice, të hënën.

Virgjinia Perëndimore ka qenë në mesin e shteteve amerikane me shkallët më të larta të vaksinimit, por progresi është ngadalësuar në javët e fundit.

Nisma e re nënkupton që personat e grupmoshës së caktuar që vaksinohen mund t’i tërheqin 100 dollarët plus shkallën e interesit në një datë të mëvonshme. Nga kjo shumë do të përfitojnë edhe ata që janë vaksinuar më parë e që nuk janë nën 16 vjeç e mbi 35 vjeç.

Virgjinia Perëndimore është e gjashtëmbëdhjeta në ShBA për shkallën më të lartë të rasteve për numër banorësh. Rreth 52 për qind e 1.5 milion personave të përshtatshëm për vaksinim tashmë e kanë marrë të paktën njërën dozë, por guvernatori tha se rreth 40 për qind e popullsisë mund të ngurrojë që ta marrë vaksinën. / KultPlus.com

Vitia: Vaksina AstraZeneca nuk ka pasur efekte anësore tek asnjë i vaksinuar në Kosovë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se të vaksinuarit në Kosovë nuk kanë pasur asnjë efekt anësor deri më tani.

Gjatë konferencën për medie në Qendrën e Vaksinimit, në sallën “1 Tetori”, Vitia tha se deri më tani ekipa emergjente nuk kanë pasur raste të ankesave nga personat të cilët janë vaksinuar, përcjell KultPlus.

“Te të gjithë qytetarët dhe personeli shëndetësor, vaksina nuk ka pasur asnjë efekt anësor apo efekt të padëshirueshëm që do të mobilizonte epiken mjekësore emergjente. Ata kanë pasur më së paku punë, që është lajm i mirë pasi vaksina deri më tani te askush nuk ka pasur efekte anësore”, theksoi Vitia.

Vitia tha se vaksina është e sigurt dhe ftoi të gjithë qytetarët mbi moshën 80-vjeçare që të lajmërohen dhe të vaksinohen. / KultPlus.com

Ambasada e Britanisë thirrje kosovarëve: Vaksinohuni

Ambasada e Britanisë në Kosovë ka shpërndarë një postim të Ministrisë së Shëndetësisë ku bëhen të ditura detaje për procesin e vaksinimit në vend.

Me këtë rast, ambasada e ka pasur edhe një thirrje për qytetarët që të vaksinohen.

Në postimin që e ka bërë ditë më parë MSH-ja thuhet se mbi 700 profesionistë shëndetësor dhe nëpunës të institucioneve shëndetësore publike janë vaksinuar atë ditë me vaksinën AstraZeneca kundër COVID-19.

“Fushata për vaksinimin e profesionistëve shëndetësor do të vazhdoj me intensitet më të shtuar edhe gjatë ditëve në vijim.  Ekipet e shëndetësore të vaksinimit nga komuna të ndryshme të Kosovës po kryejnë punë të mrekullueshme dhe me profesionalizëm, ndërsa ata po mbështeten nga Komiteti për vaksinim kundër COVID-19, ekipi menaxhues i Qendrës së vaksinimit në “1 Tetori”, UNICEF-i dhe vullnetarët e palodhshëm”, thuhet në postimin e MSH-së./GazetaExpress/ KultPlus.com

Gruaja 104-vjeçare rumune, më e vjetra e vaksinuar në Bukuresht

Zoea Baltag, 104-vjeçe, mori dozën e dytë të vaksinës kundër COVID-19 Pfizer, duke u bërë personi më i vjetër në kryeqytetin rumun, Bukuresht, që është vaksinuar plotësisht.

E shoqëruar nga anëtarët e familjes, Zoea Baltag, e lindur në vitin 1916 në Pallatin e Fëmijëve në Bukuresht, mirëpriti marrjen e dozës së dytë të vaksinës dhe vuri në dukje se kjo ishte mënyra e vetme për të luftuar COVID-19, raporton AP.

“Vaksina është mënyra e vetme për të hequr qafe këtë virus. Me të vërtetë më ka marrë malli për stërnipin tim, dua ta shoh të rritet. Nuk mund të isha me nipërit e mbesat e mia, sepse isha e izoluar deri më tani në mënyrë që të mos i rrezikoja që të infektohen me virusin. Të gjithë në familje tani janë vaksinuar dhe tani mund të kalojmë pushimet së bashku,” tha ajo./ KultPlus.com

Kontingjenti i parë i vaksinave kundër COVID-19 mbërrin sot në ora 20:15

Zyra e kryeministrit të Kosovës ka bërë të ditur se sot në ora 20:15 kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, do të marrin pjesë në ceremoninë e pranimit të kontingjentit të parë të vaksinave kundër COVID-19.

Ky kontingjent është mundësuar nga organizata UNICEF, nëpërmjet programit COVAX.

Ceremonia e pranimit të vaksinave mbahet në pistën e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, (para terminalit VIP), me fillim nga ora 20:15.

KOHA kishte mësuar se bëhet fjalë për rreth 24.000 doza të vaksinës së “AstraZenecas”, që vijnë përmes programit “COVAX”. / KultPlus.com

Kosova synon t’i marrë vaksinat anti-COVID nëpërmjet Izraelit

Ambasada e Republikës së Kosovës në Izrael, në koordinim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka organizuar një takim virtual mes Ministrit të Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj dhe Ministrit të Shëndetësisë së Izraelit, Yuli Edelstein.

Sipas njoftimit për media, ky takim është organizuar për të diskutuar rreth ndihmës së Izraelit në sigurimin e vaksinave anti-Covid19 për popullin e Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se Izraeli ka shprehur gatishmërinë që të shterojë të gjitha mundësitë, për ta ndihmuar Kosovën në sigurimin e dozave të nevojshme.

Takimi do të mbahet sot, e mërkurë (17 Mars) në ora 16:00.

Kosova ende nuk ka arritur marrëveshje me Pfizerin për vaksinat anti-Covid, ajo pritet të përfitojë 100 mijë vaksina përmes programit Covax. Bëhet fjalë për vaksinen AstraZeneca që në disa vende të Evropës është pezulluar. / KultPlus.com

Tetëdhjetë e nëntë vjeçari amerikan kërcen me gëzim në rrugë sapo bëri vaksinën anti-COVID (VIDEO)

Të moshuarit janë konsideruar si grupmosha më e rrezikuar nga pandemia e COVID-19.

Për këtë arsye, shtetet që kanë siguruar një vaksinë anti-COVID janë duke e injektuar fillimisht tek të moshuarit, duke u shtrirë më pas tek shtresat e tjera të shoqërisë.

Por, 89-vjeçari amerikan Robert Holzman, e ka shoqëruar me kërcim procesin e vaksinimit. Sapo injektoi dozën e vaksinës, ai doli në rrugë dhe nisi të kërcente. Arsyeja? Fare e thjeshtë, ai ka pasion kërcimin dhe një nga arsyet kryesore që e bëri vaksinën, ishte që të kërcente i pashqetësuar apo rrezikuar.

Për më shumë ju ftojmë të ndiqni videon e mëposhtme. / KultPlus.com

Flet mjeku kosovar që mori vaksinën e AstraZeneca në Kukës

Në Qendrën Rajonale të Telemjekësisë në Kukës të hënën ka filluar vaksinimi kundër korona virusit me kurën e Astra Zeneca.

Sipas kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, të gjithë mjekët kosovarë duhet të shkojnë në Kukës për t’u vaksinuar meqë kontrata e blerjes së vaksinës nuk lejon dhurimin e saj si donacion për Kosovë.

Mjeku kosovar Blerim Feka e kaloi kufirin të hënën për tu imunizuar kundër koronavirusit.

Pasi regjistrohet, gjinekologu ka për tu vaksinuar me kurën anti-covid të AstraZeneca për çka thotë se nuk hezitoi aspak.

“Shumë lehtë dhe afër. Më pritën përzemërsisht dhe më bën vaksinën kundër Covid-19. Jam i lumtur. I ftoj të gjithë kolegët që të shfrytëzojnë mundësinë për tu vaksinuar kundër Covid-19”, tha ai për Klan Kosovën.

Me këtë vaksinë këto ditë në Shqipëri ka filluar imunizimi i mësimdhënësve ndërsa vetëm në Kukës janë vaksinuar mbi 40 të tillë.

Ata që morën vaksinën u siguruan nga përgjegjësit e vaksinimit se kjo dozë nga skandinavia nuk ka efekt anësor trashjen e gjakut siç u raportua në disa vende europiane vendet e fundit./klankosova/ KultPlus.com

Rama fton mjekët nga Kosova t’i marrin dozat e vaksinave në Kukës

Në Shqipëri, këtë të diel në aeroportin “Nënë Tereza” kanë mbërritur 38 mijë e 400 doza të vaksinave nga Astrazeneca.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se në muajin prill, pritet të vijnë 60 mijë doza të tjera vaksinash, po nga Astrazeneca.

Ai ka theksuar se disa nga shkollat do të kthehen në pika të qendrave të vaksinimit në të gjithë vendin. Ndërsa nga Pfizer, pritet të vijnë edhe 30 mijë doza të tjera.

Ai gjithashtu bëri të ditur se nga nesër do të lidhen kontaktet me autoritete në Kosovë që mjekët të shkojnë të vaksinohen në Kukës.

“Nesër do të nisim vaksinimin e mësuesve dhe pedagogëve. Do ta shtrijmë me shpejtësi në të gjithë territorin e vendit. Shkollat do të kthehen në pika vaksinimi. Presim së shpejti të vijë një sasi më konsiderueshme. Nga kompania AstraZeneca do të marrim edhe 60 mijë doza të tjera në muajin prill.

“Ndërkohë që, jemi gati nga nesër të organizohemi me Kosovën për t’i dhënë mundësinë mjekëve dhe infermierëve të spitaleve Covid, që nga spitali i Prishtinës. që të vijnë dhe vaksinohen në Kukës. I presim me shumë kënaqësi që nesër dhe do të lidhemi me strukturat përkatëse. Do jetë e rëndësishme, që edhe në Kosovë të thyhet kjo pengese e tmerrshme e mungesës së dozës së parë”, u shpreh Rama. /tch/ KultPlus.com

‘Sot i mbusha 94 vjeç, nuk dua dhurata vetëm vaksinë’

Për 94-vjetorin e nënës së saj, Margot Rockett ka vendosur para shtëpisë së saj një banderolë me një mesazh që ndërthur humorin me indinjatën: “Sot bëj 94 vjeçe! Jo dhuratë, vetëm vaksinë! Ju lutem”.

Në Kanada, çdo rajon është ngarkuar për zbatimin e fushatës së vaksinimit kundër COVID-19. Por, qeveria federale e Justin Trudeau, e ngarkuar me blerjen e vaksinave, është bërë objekt i kritikave këto javët e fundit për furnizimet e ngadalta, si pasojë e vonesave të livrimeve nga kompanitë Pfizer dhe Moderna.

Të martën, në prag të ditëlindjes së Nina Rockett, vajza e saj Margot kuptoi se nënës së saj do t’i mungonte vaksina.

Atëherë, ajo pati një ide për këtë banderolë, shkruar me dorë dhe shfaqur në fasadën e shtëpisë së nënës së saj, në metropolin më të madh të Kanadasë, kufizuar që prej dhjetorit.

“Unë isha e lodhur dhe doja që bota ta dinte se ajo është 94 vjeçe dhe se meriton ta bëjë këtë vaksinë. Ajo dëshiron ta bëjë atë”, shpjegon ajo, duke dënuar në veçanti atë që ajo i konsideron shumë premtime të pambajtura të drejtuesve të vendit.

Pas miratimit të vaksinave të Pfizer-BioNtech dhe Modernas në dhjetor, Kanadaja ishte një prej vendeve të para që ndërmori një fushatë të gjerë vaksinimi, duke iu dhënë prioritet personave të moshuar. /atsh/ KultPlus.com