“Ura”, si simbolikë për luftën mes jetës dhe vdekjes

Medina Pasoma

Shtigjet mes jetës dhe vdekjes e çështjet e luftës dhe pasluftës u paraqitën mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Kosovës nëpërmjet roleve të aktorëve në shfaqjen premierë “Ura” të regjisorit Astrit Bytyqi, shkruan KultPlus.

Skena e errët u ndriçua dhe filloi të krijohej një “lojë” dritash, aktorët filluan të thellohen në personazhet të cilat e përbënin rrëfimin, ndërkaq audienca priste me padurim çdo pjesë të dramës.

Aktorët Avni Dalipi dhe Afrim Muçaj kishin marrë vendet e tyre, për të shfaqur personazhe krejtësisht të kundërta, mirëpo që kanë tejet shumë pika të përafërta. “Ura” nuk mbeti vetëm emërtim shfaqjeje por, ajo u kthye në simbolikë të personazheve, tentim vrasje dhe rikthim shprese por, mbi të gjitha në gjetjen e kuptueshmërisë së jetës.

Shfaqja, skenarin e së cilës e shkroi profesoresha Seadet Beqiri, trajtoj tema të ndryshme. Individi portretizohej si mjet përfaqësues i shoqërisë dhe si qenie ndryshimi. Doni, një luftëtar i lirisë së Kosovës, pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare i kishte shpëtuar vdekjes dy herë radhazi nga okupatori. Mirëpo, paslufta do të ishte ajo që do ta bënte shpirtin e tij “të vdiste”, kur humb gruan dhe vajzën.

Në anën tjetër, Rroni i cili kishte gjithçka në dorë, i ngrit duart kundër jetës, mirëpo duket se dikush tjetër ia ndërroi rrjedhën vendimit të tij.

Për shfaqjen ku dy protagonistë takohen te ura dhe thellohen në idenë nëse jeta ka kuptim apo jo, na foli regjisori Astrit Bytyqi, i cili për KultPlus theksoi se për të kishte qenë kënaqësi regjisura e tekstit të ish-profesoreshës së tij, Seadet Beqirit.

“Momentin që jam ballafaquar me tekstin kam parë se ai trajton shumë çështje, ngjarje dhe tema brenda vetes. Mirëpo e gjitha ajo që unë kam dashur ta krijoj ka qenë një koncept, që u pa nga publiku përmes aktorëve dhe punës së tyre”, nisi regjisori rrëfimin e tij.

“Ura” kishte pasur një periudhë provash prej 2 muajsh me të gjitha vështirësitë, të mirat dhe sfidat që i kanë dal përballë gjatë rrugëtimit.

“Si vepër kur e kam marrë kam dashur mbi të gjitha ta vlerësoj luftën, mënyrën se si kanë luftuar të parët tanë dhe se si na kanë sjell në këtë ditë që ne të jemi të lirë, të punojmë e të veprojmë. Gjithë fokusin e shfaqjes e kam dërguar në atë kahje që ta shohim edhe anën tjetër, të gjithë ata që kanë luftuar dhe vepruar në vendin tonë e kanë pasur një arsye të caktuar, e ajo ka qenë liria jonë”, shprehet Astrit Bytyqi.

Kjo shfaqje kishte mesazhe të shumta dhe të papritura, të cilat bënin që të shfaqeshin kthesa emocionale përbrenda saj. Mirëpo ajo që veçon Bytyqi në këtë rast është ballafaqimi i ushtarit me luftën dhe shpëtimi nga vdekja, ndërkohë që pasluftës ai humb të dashurit e tij.

‘’Vjen një moment kur ushtari humb vajzën edhe gruan e tij, e gjitha kjo bëhet bashkë me dhimbjen e tij, që e shtynë të ndërroj lokacion, të lë shtëpinë e të gjej strehim te një urë. Aty ballafaqohet me personazhin tjetër, e që ushtari ia jap vetes një mision, që çdokush që vjen aty t’iu bëhet mbështetës, ta rikthej kuptimin e jetës për të”, tha regjisori Bytyqi.

Aktori Avni Dalipi, në këtë shfaqje ka luajtur një rol jo të lehtë, atë të ushtarit. Ai shprehet se personazhi që i dha jetë, Doni, nuk kishte guxim të rikthehej në jetën e tij të dikurshme, andaj ia caktoi vetes një mision të veçantë.

“Qëllimi i tij ishte që t’i largoj nga rruga e gabuar të tjerët, t’i tregoj të gjithë njerëzve se sado që je i ngarkuar, të ballafaqohesh me realitetin është më mirë sesa të largohesh nga ai”, shpjegoi Dalipi.

Avniu tutje sqaron se jo vetëm si aktor por edhe si njeri, ky rol ka qenë më emotiv dhe se shpesh në jetën e përditshme na ndodh të jemi një “Don” dhe të bëhemi një urë mes vdekjes e jetës, duke i ndihmuar njerëzve të kalojnë nga e zeza në të bardhën.

“Brenda neve, në zemrat e shpirtrat tanë kemi vragë të natyrave të ndryshme nëpër këto periudha që kemi kaluar. Ditëve të fundit po ballafaqohemi me gjykimin në Hagë, dashtë e pa dashtë kjo na kthen në kujtimet e mëhershme dhe përjetimet që kemi pasur, e që kjo mund të na lëndojnë shumë në jetë”, ndërlidh Dalipi shfaqjen me aktualitetin.

Në mes të përpjekjeve jetë-vdekje, ekziston një mes, në të cilën aktorët gjallërohen duke e kënduar këngën “Sytë e zi”. Deri në atë moment, Avniu thotë se shfaqja ka pamjen e një klinike psikologjike, ku njëri e këshillon tjetrin duke e ngacmuar.

“Një nga momentet që përbëjnë kthesën emocionale është kur Doni i thotë Rronit ‘’këmbën tjetër, e jo atë’’ dhe ky e sheh që dikush po e pengon poshtë dhe në atë moment kur personi që dëshiron të bën vetëvrasje e sheh tjetrin, tërhiqet”, thotë aktori Dalipi.

Pjesa e këngës përveç që do të mbetet në mendjen e shikuesve, ajo ka lënë një vend të veçantë edhe te aktori Avni Dalipi. Kjo pjesë për të vlerësohet si ndërruese e rrjedhës së ngjarjeve, ku pas këndimit të përbashkët, personazhi të cilin e luajti ai fillon të mos jetë vetëm dëgjues i ndodhive të tjetrit, por edhe rrëfyes për jetën e tij.

“Përmes kësaj shfaqje kemi tentuar t’iu themi njerëzve që pavarësisht këtyre gjërave ne duhet të tentojmë që problemet t’i shndërrojmë në mundësi, e jo në shkatërrime e mbyllje për ne, sa të na humbasin edhe kuptimin e jetës”, tha për fund aktori Dalipi.

Shfaqja artistike “Ura” u duartrokit fuqishëm nga audienca dhe zuri vend në historinë dhe aktualitetin kosovar. / KultPlus.com

Shfaqja “Teo, qeni i rrugës” vjen premierë në teatrin “Dodona”

Teatri “Dodona” do t’i hapë dyert për t’i falur momente të bukura fëmijëve nëpërmjet shfaqjes premierë “Teo, qeni i rrugës” për dy ditë me radhë, shkruan KultPlus.

Në shfaqjen “Teo, qeni i rrugës” me regji të Elhame Kutllovcit, shikuesit do të kenë rastin të shohin një rrëfim artistik për një qen që jeton në rrugë dhe të cilin tenton ta marr protagonisti, Lumi.

Teo është një qenush i vogël që jeton rrugëve i vetmuar dhe kërkon ushqim dhe dashuri. Lumi dëshiron ta ketë një qen, por nëna e tij nuk i do qentë në shtëpi. Lumi dhe Teo takohen dhe krijojnë miqësi, por miqësia e tyre hasë në vështirësi, pasi që shumë njerëz përreth tyre nuk janë dashamirë të qenve ashtu siç është Lumi.

Rrëfimi është i bazuar në librin “Teo, qeni i rrugës” me ilustrime nga Tiziano Beber dhe storie nga Sara Carlin. Ndërkaq aktorët të cilët do të jetësojnë rolet në këtë shfaqje janë: Drin Lumi, Edon Shileku dhe Vjosë Tasholli.

Fëmijët do të kenë rastin të zënë vendet e tyre në ulëset e Teatrit “Dodona” më 21 nëntor duke filluar nga ora 12:00 dhe një ditë pas, më 22 nëntor duke filluar nga ora 12:40.

Shfaqja “Teo, qeni i rrugës” është mbështetur nga Komuna e Prishtinës. /KultPlus.com

‘Rinoqeronti’, revolta që hapi dyert e Teatrit Kombëtar

Suada Qorraj

Për një periudhë të gjatë skena e Teatrit Kombëtar kishte qëndruar në heshtje totale. Mbrëmë, kjo heshtje u thye fuqishëm me shfaqjen ‘Rinoqeronti’, sjellur në Skenën e Vogël nga regjisori Gëzim Hasani.

Ulëset e skenës së vogël tashmë ishin mbushur dhe entuziazmi e mallëngjimi i publikut për teatrin vërehej qysh në fillim të shfaqjes. Dritat u ndalën dhe skena mirëpriti aktorët e shfaqjes që për më shumë se një orë mbajtën publikun në emocione të vazhdueshme me performancën e tyre të jashtëzakonshme, shkruan KultPlus.

‘Rinoqeronti’ i bazuar në tekstin e Eugene Ionescos, i cili përfaqëson teatrin e absurdit, erdhi si thirrje për shoqërinë e hutuar në banalitet dhe apati ndaj problemeve esenciale njerëzore që banalizohen deri në absurditet. Personazhet shpalosën thellësisht dilemën e njeriut në raport me të keqen e me padrejtësinë, përmes një gjuhe të fortë që godiste me të vërtetën, shfaqja shpalosi një lloj revolte të shoqërisë.

Si portretizim i një shpirti revolucionar, personazhi Beranzhe u etiketua si njollë e bardhë në këtë mes të errët, ku vlerat humane tashmë ishin të shkatërruara deri në gjendje të pashpresë.

Aktorët e shfaqjes ‘Rinoqeronti’ kishin filluar provat qysh në shkurt, mirëpo si çdo gjë tjetër, edhe provat e kësaj shfaqje kishin ndaluar në mars si pasojë e situatës pandemike, për të filluar përsëri në qershor.

“Provat kanë ecur mirë, mirëpo ishin intensive. Shkurti dhe qershori ka ndjek atë ritmin e zakonshëm të provave, ndërsa nëse flasim për tetorin atëherë ka qenë një proces, dy herë më i shpejtë se zakonisht para se me nxjerrë premierën, dhe kjo padyshim që ishte një përgatitje më e vështirë se në rrethanat tjera që jemi mësuar”, deklaroi Hasani për KultPlus.

Ndërkaq ai po ashtu u shpreh i kënaqur me mënyrën se si publiku e priti këtë shfaqje e cila për t’u shfaqur mbrëmë, kishte kaluar nëpër shumë peripeci.

‘Rinoqeronti’ ngrihej si një aktakuzë e fuqishme ndaj çdo fenomeni negativ në Kosovën e pasluftës. Një individ revolucionar përballë një turme që funksiononte vetëm brenda disa kornizave të krijuara nga po kjo turmë. Ku secili njeri herët a vonë shndërrohej në kafshë, në rinoqeront duke iu nënshtruar kështu turmës.

“Pandemia na krijoi shumë vështirësi, nuk është e lehtë kur një proces ndalet në gjysmë, për mu të paktën është më e vështirë se të filloj një shfaqje krejt të re, por kur je me një ekip të mirë, sigurisht që i arrin të gjitha”, deklaroi për KultPlus Allmir Suhadolli i cili në shfaqje luante një nga rolet kryesore.

Suhadolli ndër të tjera tregoi të ndjehet mjaft mirë me prezencën e publikut, të cilën e konsideronte mëse të nevojshme. Ai ka treguar se është një ndjenjë e mirë që të japësh shfaqjen e parë në teatër pas pandemisë.

“Njerëzit kanë qenë të frikësuar nga kjo situatë, mirëpo kanë qenë përkrahës dhe jam shumë falënderues ndaj tyre. Ndjehem mirë që filluam me shfaqje pas një pauze kaq të gjatë”, potencoi tutje Suhadolli.

‘Rinoqeronti’, ishte revolta që mbrëmë i dha gjallëri teatrit që tash e një kohë dukej si një gjë pamundur. ‘Rinoqeronti’ solli në mendje se të shkosh kundër turmës, mund të mos jetë e lehtë, por nuk është e pamundur. ‘Rinoqeroti’ ngriti sallën, e zgjoi duartrokitjet që nuk pushuan për minuta të tërë, duke sjellur kështu emocion në çdo skutë e tek gjithsecili./ KultPlus.com

Shfaqja “Rinoqeronti”, si aktakuzë e fuqishme ndaj çdo fenomeni negativ të Kosovës së pasluftës

 

Të martën në Skenën e Vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës  publiku do të ketë rastin ta shoh premierën e shfaqjes “Rinoqeronti”, autor i së cilës është Eugene Ionesco, ndërkaq regjia dhe adaptimi i takon Gëzim Hasanit, shkruan KultPlus.

Aktorët të cilët do t’i jetësojnë rolet në këtë shfaqje janë: Njomza Tmava, Qëndresa Jashari, Blerta Gubetini, Allmir Suhadolli, Florieta Bajraktari dhe Dora Xhemajli.

Sipas njoftimit të faqes së TKK-së, shfaqja “Rinoqeronti” do të vie si thirrje për shoqërinë e hutuar në banalitet dhe apati ndaj problemeve esenciale njerëzore, që banalizohet deri në absurditet, ku nëpërmjet ironisë, humorit dhe konsistencës për ndryshim, tenton të sjellë frymë dhe shpresë te shikuesi/vepruesi.

“Shfaqja ngrihet si aktakuzë e fuqishme ndaj çdo fenomeni negativ të Kosovës së pasluftës, ku atakohen të gjithë ata që zgjodhën formën më të shpejtë të arritjes së qëllimit, që sipas vet shfaqjes i shtyn në çnjerëzim, ose shndërrim në (kafshë/rinoqeront), nëse i referohemi botës së shfaqjes”, thuhet tutje në njoftim, teksa vlerësohet se shfaqja vie në kohën e duhur për vendin tonë.

Personazhet do ta shfaqin dilemën e njeriut në raport me të keqën, mëkatin, të lehtën, jo të arsyeshmen dhe padrejtësinë.

“Si portretizim i një shpirti revolucionar, Beranzhe do të etiketohet si njollë e bardhë në këtë mes të errët, ku vlerat humane janë përdhosur deri në gjendje të pashpresë”, thuhet tutje për personazhin e shfaqjes.

Beranzhe do të jetë një personazh i cili do të na mundësoj të kemi besim në optimizëm.

Premiera e shfaqjes vjen më datë 13 tetor në ora 20:00 në TKK. /KultPlus.com

“Ferri” i Kushtrim Mehmetit u shfaq mbrëmë në Parkun e Qytetit në Prishtinë

Pas një kohe të gjatë pa teatër, regjisori Kushtrim Mehmeti, aktorët dhe instrumentistët sollën mbrëmë teatrin në Parkun e Qytetit të Prishtinës, shkruan KultPlus.

Bazuar në veprën “Komedia hyjnore” të Dante Aligerit, Mehmeti solli para publikut shfaqjen “Ferri”.

Të pranishmit e cilësuan shfaqjen si një shëtitje në “”ferr”: Dje në mbrëmje hymë dhe dolëm nga “Ferri” i regjisorit Kushtrim Mehmeti u shprehen të pranishmit.

Regjisori ka falënderuar të gjithë ata që punuar për tre muaj që “Ferri” të realizohej. Kjo shfaqje është mbështetur nga Komuna e Skenderajt, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport. / KultPlus.com

Teatri Kombëtar hapë dyert për publikun me premierën e shfaqjes “Zgjimi i Pranverës”

Jeta Zymberi

Ishte planifikuar të jepej premierë në pranverë e të mbush sallën plot, por situata e shkaktuar nga Covid-19 mbylli teatrin e kështu la pezull programin e planifikuar. Por në muajin qershor, shfaqja “Zgjimi i Pranverës” erdhi si premierë e mbyllur në Teatrin Kombëtar të Kosovë, shkruan KultPlus.

Masat e ndërmarra me qëllim të parandalimit të shpërndarjes së pandemisë bëri që shfaqja të ketë shikues anëtarët e Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe disa anëtarë të tjerë të komunitetit artistik. Ndërsa publiku i gjerë nuk pati fatin ta shohë.

Por, kësaj pritje i erdhi fundi. Teatri Kombëtar i Kosovës hapë dyert për publikun pas një pauze disa mujore me premierën e shfaqjes “Zgjimi i Pranverës” e cila vjen në bashkëpunim me Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet.

Më 5 tetor, në ora 20:00, shfaqja muzikore “Zgjimi i Pranverës” nga autori Frank Wedekind e me regji dhe adaptim të regjisores Zana Hoxha do të ja kthej gjallërinë teatrit edhe pse numri i ulëseve është i kufizuar.

Për regjisoren e shfaqjes Zana Hoxha, kryevepra e autorit Frank Wedekind “Zgjimi i Pranverës” ishte një thirrje artistike, dëshirë e nevojë për ta sjell atë në Kosovë, tutje duke e adaptuar atë në Kosovën e viteve të 90ta. Nevoja e të rinjëve për të kuptuar dhe për tu kuptuar ka qenë dhe vazhdon të jetë sfidë, sidomos historia që i ka përcjellë të rinjët tanë në vitet e 90ta, kohë protestash e rezistence, kohë kur liria kolektive dhe personale ishte e kufizuar nga regjimi politik i Millosheviqit dhe patriarkati mirëpo solidariteti mbante gjallë frymën e rezistencës kolektive.

Rinia dhe nevojat e natyrshme të rinisë nuk kanë qenë prioritet andaj edhe informacionet për seksualitetin, ndjenjat, dashuria e përvojat e tyre kanë qenë të limituara dhe të neglizhuara nga familja, shkolla e shoqëria. Dhuna në shkollë, abuzimi fizik dhe seksual, paragjykimet, shtatzënia e paplanifikuar dhe aborti kanë qenë dhe mbesin probleme reale të shoqërisë sonë kosovare.

Kjo shfaqje zgjon nevojën për të ngritur në diskutim tema të tilla “të ndaluara”, për të folur për ndjenjat, seksin dhe përvojat e para teksa ato ndodhin, nevojën për t’i ditur të gjitha, për t’i kuptuar e për t’i përjetuar.

Kjo shfaqje duke përfshirë të gjithë krijuesit e saj i dedikohet të gjithë të adoleshentëve të rënë në vitin 1998-1999 në luftën e fundit në Kosovë.

Kujtojmë që para pak ditësh shfaqja “Zgjimi i Pranverës” u vlerësua si “Shfaqja më e mirë”, duke u shpërblyer me çmimin “Grand Prix”, në edicionin e katërmbëdhjetë të ITF SkupiFestivali.

Juria ka vlerësuar shfaqjen për shkak të konceptit të saj të fortë regjisorial dhe estetikës bashkëkohore teatrore, duke sjellur një “drejtim të ri” të shprehjes teatrore ballkanike, që është në hap me atë evropiane, duke vepruar në fushën e “teatrit total”, duke përdorur muzikë, dramë, vallëzim dhe video, me aktrim që shtyjnë kufijtë e zakonshëm, duke përfshirë edhe reagimin e audiencës./ KultPlus.com

“Zgjimi i pranverës” planifikohet të shfaqet në amfiteatrin e Gërmisë, Morina: S’ka gjë që e ndalë forcën e teatrit

Jeta Zymberi

Virusi Covid-19 doli të jetë një dry i fuqishëm. Izolimi që solli ky virus pati pasoja të mëdha. Por, tash ka ardhur koha që këto pasoja të kthehen në ide, fuqi e punë për të përmirësuar situatën. Ndonëse rreziku është ende prezent mes nesh, mund të themi lirisht që pjesa më e keqe ka mbetur pas krahëve, shkruan KultPlus.

Institucionet kulturore ju bashkuan valles së izolimit. Teatri Kombëtar i Kosovës, me repertorin e pezulluar, premierat e shtyera, provat e anuluara dhe mbylljen e teatrit për afro 2 muaj, u mundua që gjatë kësaj kohe të mos largohet nga publiku. Në pamundësi për t’i dhuruar publikut shfaqje në sallë, teatri erdhi në shtëpitë e tyre përmes shfaqjeve online.

Por, me lehtësimin e masave nga Ministrisë së Shëndetësisë, TKK ka menduar për disa alternativa që të jetë sa më afër publikut.

Ardian Morina, ushtruesi i detyrës së udhëheqësit artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës, në një intervistë për KultPlus ka folur më gjerësisht rreth planeve që po synojnë t’i realizojnë gjatë kësaj situate. Ai ka treguar që data 19 mars ishte rezervuar për shfaqjen “Zgjimi i Pranverës”, 3 prilli për “Rinocerontin”, 28 prilli për “Lear”, ndërsa në maj ka qenë e planifikuar premiera në Ëolksbuhne, Berlin, e shfaqjes “Udhëtimet e Karl May”, si dhe në fillim të qershorit premiera e shfaqjes “Pamje revolucioni”.

“Sigurisht që pandemia ka çrregulluar oraret e të gjitha institucioneve të kulturës, por fatkeqësisht ka çrregulluar edhe jetërat e njerëzve si edhe funksionimin normal të gjithë globit. Fatkeqësisht TKK nuk i ka shpëtuar kësaj situate. Natyrisht që tani, të gjendur para një akti të kryer, ne pothuajse kemi humbur pjesën e parë të stinorit artistik”, ka thënë Morina për KultPlus.

Hapja e teatrove dhe kinemave, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, pritet të ndodhë në bazë të fazës së tretë të masave ndaj koronavirusit, muajin që vjen. Ky lajm për Morinën është shumë i mirë dhe tashmë ai ka kërkuar informata shtesë nga MKRS.

“Sapo e kemi parë publikimin e këtij lajmi kemi kërkuar nga MKRS informata shtesë. A do të hapet teatri për administratën? Për aktorët…për prova? Apo edhe për publikun dhe për shfaqjet në skenën e mbrëmjes? Pra jemi në pritje të një përgjigje nga institucionet përgjegjëse. Natyrisht e gjithë kjo do të varet edhe prej situatës në terren. Mirëpo për të filluar punën me datë 2 Qershor, teatrit i duhet parapërgatitje 2 javore për të nisur me repriza dhe premiera ashtu si duhet.”

Duke dashur që teatri t’i kthehet jetës “normale”, Morina ka treguar që është hartuar një plan B. Kështu, po synohet që premiera e parë e këtij viti, “Zgjimi i pranverës”, një bashkëprodhim me Artpolis, me regji të Zana Hoxhës, të inskenohet në amfiteatrin e Gërmisë, në muajin qershor.

“Duke e ditur mundësinë e moslejimit të grumbullimeve në hapësira të mbyllura, ne planifikojmë që të realizojmë në ambient të hapur premierën e shfaqjes “Zgjimi i pranverës”. Besojmë se amfiteatri i Gërmisë plotëson disa kritere për realizimin e kësaj premiere, aq më tepër kur shfaqja është tip mjuzikli. Kjo do të ishte edhe një sakrificë e gjithë ekipit të shfaqjes por është sakrificë që ia vlen. Por, po e përsëris, vetëm po planifikojmë! Sepse pa lejen e organeve përkatëse do të jetë e vështirë. Nëse na lejojnë të fillojmë me prova në fillim të fazës së tretë, atëherë ne do të kishim premierën në fillim të Qershorit”, thotë tutje Morina.

Nëse mundësohet realizimi i kësaj premiere, Morina zotohet që do të nisë punë edhe më fuqishëm.

“Me realizimin e mundshëm të kësaj premiere ne do t’i rindiznim motorët e kulturës duke sjellë një energji te komuniteti dhe të gjithë shoqëria. Shpresojmë se kjo pandemi do të kalojë dhe ne të gjithë ti kthehemi punëve, jetëve tona, gjithnjë duke u kujdesur për njëri tjetrin. Ky është mësimi që kemi marrë gjatë kësaj kohe. Dhe le ta dijë virusi dhe të gjithë virusët e tjerë, se teatri ka ekzistuar para nesh dhe do të ekzistojë përjetësisht. S’ka gjë që e ndalë forcën e teatrit!” – përmbyllë me këtë fjali të fuqishme intervistën për KultPlus, Adrian Morina.

Ndërsa regjisorja e shfaqjes “Zgjimi i Pranverës”, Zana Hoxha ka thënë për KultPlus se e ka mirëpritur këtë iniciativë e cila beson që mund të shndërrohet në një festë kulturore.

“Kur Adriani e ndau me mua idenë dhe iniciativën për mbajtjen e shfaqjes në Amfiteatrin e Gërmisë u gëzova dhe e pranova me kënaqësi idenë sepse i përshtatet shumë shfaqjes sime dhe besoj që do të shndërrohet në një festë kulturore. Me përkrahjen e duhur teknike ne do të arrijmë që të kemi një premierë unike”, është shprehur Zana. / KultPlus.com  

“Pushimi i kalorësve” solli mbrëmë në skenë luftë, dashuri e intriga

 

Xhemile Hysenaj

Baletit Kombëtar i Kosovës mbrëmë dha shfaqjen e parë për këtë vit të titulluar ‘Pushimi i kalorësve’, nën koreografinë e balerinës dhe koreografes së mirënjohur Natalia Osipova, shkruan KultPlus.

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës, balerinët zunë skenën për të shpalosur një ngjarje që në vete përmbante ndodhi të shumta.

Ngjarja zinte vend në një fshat të vogël austriak, ku dy shoqe ishin të dashuruara me një kalorës të pashëm, i cili herë pëlqen njërën dhe herë tjetrën. Dy shoqe të cilat luftuan pothuajse gjatë gjithë kohës me njëra tjetrën për të fituar dashurinë e kalorësit.

Kalorësi arrestohet dhe në ndërkohë të gjithë kalorësit tjerë kërkojnë dashurinë e njërës nga dy shoqet që dashuronin atë, nuk shkon gjatë dhe ai martohet më në fund me atë tek e cila qysh në fillim vërehej se e dashuronte pak më shumë.

‘Pushimi i kalorësve’ si një balet klasik i zhanrit të komedisë, i cili gjatë gjithë kohës mbante publikun në emocion me ngjarjet e njëpasnjëshme që ndodhnin sa hap e mbyllë sytë, shpalosi para publikut luftë e dashuri, intriga e lajka, e që në fund të gjitha përfundonin me të qeshura e zbavitje.

Koreografja e shfaqjes Natalia Osipova, tregoi për KultPlus se edhe pse nuk është hera e parë që punon me trupën e Baletit Kombëtar të Kosovës, për të ka qenë një eksperiencë mjaft e mirë të punojë edhe këtë herë me ta.

‘’Duartrokitjet janë nota më e mirë që unë mund të marr në karrierë dhe poashtu jam shumë e kënaqur me trupën e Baletit Kombëtar pasiqë për një kohë shumë të shkurtë ata kanë bërë një punë shumë të madhe”, potencoi Osipova për KultPlus.

Behie Murtezi, njëra nga balerinat, për KultPlus tregonte se përjetoi emocione të mëdha gjatë shfaqjes dhe pas saj, dhe poashtu u shpreh tejet e kënaqur që edhe njëherë pati rastin të punojë me koreografen e mirënjohur Osipova.

“Kjo është shfaqja ime e parë pas një viti e gjysmë pauzë dhe të marrësh aq shumë duartrokitje nga publiku ka qenë një ndjenjë e jashtëzakonshme”, tha Murtezi për KultPlus.

Ndërsa Vjollca Llugiqi e konsideronte punën e koreografes si një punë madhështore, ndërsa tregoi për KultPlus se përjetoi emocione të mëdha në këtë shfaqje që ishte edhe premiera e parë e këtij viti.

‘Pushimi i kalorësve’ la mbresa të mëdha tek publiku, i cili me minuta të tërë vazhduan me duartrokitje e brohoritje pas përfundimit të shfaqjes.

Repriza e ‘Pushimi i kalorësve’ pritet të shfaqet sonte në Teatrin Kombëtar, duke filluar nga ora 20:00. / KultPlus.com

“Shirli Valentina” rikthehet në skenën e ArTurbina, të ardhurat nga biletat në ndihmë të të prekurve nga tërmeti

“Shirli Valentina”, nën një interpretim të shkëlqyer të aktores Olta Daku, me regji të Driada Dervishit do të rikthehet në skenën e “ArTurbina” në datat 7-8 dhjetor të ardhurat nga shitja e biletave do të shkojnë në ndihmë të të prekurve nga tërmeti.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti thotë se në këto ditë të vështira, të gjitha institucionet kulturore kanë ofruar ndihmën e tyre për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit. Jo vetëm ndihma në ushqime dhe veshje, por edhe shfaqje për fëmijët, që ndodhen në qendra sociale apo komplekse hoteliere në Durrës, Lezhë, Kombinat etj.

“Teatri Kombëtar ka ndërmarrë një tjetër nismë. Bashkë me optimizmin që sjell Shirli Valentina, vjen edhe ndihma për të prekurit. Në datat 7-8 dhjetor, në “ArTurbina”, salla e madhe 400, rikthehet në skenë “Shirli Valentina”, nën një interpretim të shkëlqyer të aktores Olta Daku, me regji të Driada Dervishit.

Të ardhurat e siguruara nga shitja e biletave të shfaqjes, do të shkojnë në ndihmë të të prekurve nga tërmeti”, -thotë Margariti.

Ministria e Kulturës inkurajon dhe mbështet të gjitha institucionet kulturore, që t’i bashkohen kësaj nisme, duke iu gjendur pranë të gjithë atyre, që sot, më shumë se kurrë, kanë nevojë për të gjithë. /atsh / KultPlus.com

Shfaqja “Bretkosa” hapi mbrëmë festivalin PITF, ngjalli një emocion të paharruar për publikun

Xhemile Hysenaj

Arthur Milleri, e konsideronte teatrin si diçka shumë të ngjashme me jetën, diçka që është pafundësisht mahnitëse, thoshte ai. E ku më mirë se në teatër shfaqen e thuhen të pathënat e brengat që në një kohë qoftë ajo kohë aktuale qoftë e shkuar, e ka preokupuar një shoqëri te caktuar, shkruan KultPlus.

Në Kosovë, teatri zë një vend të rëndësishëm në kulturën dhe artin e vendit. Duke bërë kështu që festivalet e teatrove, të jenë shpesh herë të pranishme para publikut tonë kosovarë dhe jo vetëm.

Mbrëmë u hap zyrtarisht edicioni i tretë i festivalit të nivelit ndërkombëtar të teatrove në Kosovë, Prishtina International Theater Festival, i cili zë vend në Teatrin ”Faruk Begolli”, të Kolegjit AAB.

Hapjen e bëri regjisorja Burbuqe Berisha, e cila shprehi falënderimet më të larta për organizatorët e këtij festivali. ”Faleminderit qw keni krijuar një komunitet artistik, me një komoditet aq të mirë që bota artistike të frymojë brenda Universitetit AAB. Kjo është diçka shumë e veçantë”, tha ajo para publikut, duke e shpallur kështu zyrtarisht të hapur festivalin.

Fjalën e mori edhe përfaqësuesja e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, Jehona Shyti, e cila shprehi kënaqësinë e saj që ishte pjesë e hapjes së këtij edicioni. ”Mendoj që është një edicion i rëndësishëm. E kemi për obligim të mbështesim ngjarje të tilla që i sjellin publikut shumë vlera”, tha ajo.

Pas hapjes së festivalit, publiku vazhdoi drejt teatrit për të shikuar shfaqjen ”Bretkosa”, shfaqje kjo nën regjinë e Burbuqe Berishës, e cila shprehej të jetë tejet e kënaqur që ”Bretkosat” po shfaqej prapë për publikun kosovarë.

”Unë i dua shumë këto tema dhe ka qenë shumë kënaqësi realizimi i shfaqjes. Aktorët kanë qenë shumë të mirë dhe ka qenë njëra ndër sfidat më të mira dhe më të guximshme për mua”, potencoi ajo për KultPlus.

”Bretkosa” shpaloste një realiteti të hidhur, që ndeshej me njerëzoren, një anë njerëzore që binte ndesh me parimet personale duke bërë kështu që jeta e personazheve të merrte kahje tjetër, një kahje të padëshirueshme prej së cilës humbiste filli e zhytja në llum ishte më e thellë sesa njeriu mund ta përballonte.

Tri personazhe, tri jetë të shkatërruara, tri jetë që kërkonin me ngulm një ndryshim që me shumë gjasë nuk do të vinte kurrë.

Ilir Tafa, në rolin e një berberi, i cili në rininë e tij të hershme kishte qenë pjesë e luftës së fundit në Kosovë, me trauma të ngjitura fort pas qenies së tij prej luftëtari krenar, kishte humbur gruan dhe djalin e tij si pasojë e krizave psikike që kishte pësuar. Në tjetrën anë, vëllai i tij, rolin e të cilit e luante Donat Qosja, vuante varësinë nga alkooli dhe bixhozi i cili poashtu kishte humbur punën dhe nuk gjente guximin t’i tregonte gruas së tij të vërtetën. Shoku i tyre, një taksist që luhej nga Basri Shala, tradhtonte gruan me një vajzë të re dhe personazhi i katërt, nën interpretimin e Valmir Krasniqit, i cili vinte në formë shprese për personazhin kryesor, berberin.

Berberi (Ilir Tafa), vuante pamundësinë për ndryshim dhe vazhdimisht shtynte të vëllain dhe shokun e tyre taksist për të ndryshuar, për të filluar një jetë më ndryshe. Ndërsa, këta të dy, një gjë të tillë e konsideronin të pamundur deri në pikën që edhe talleshin me të.

Dashuria e madhe për kombin, një jetë e dëmtuar si pasojë e humbjeve dhe sakrificave, vinin nën interpretimin e një kasti prej katër aktorësh, që publikut i falën emocione të pakrahasueshme. Ku përmes këtyre katër personazheve, trajtohej e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e secilit që ka qenë viktimë e luftës dhe traumave të saj.

”Bretkosa”, ngjalli një emocion të paharruar për publikun duke përfunduar me shumë duartrokitje e brohoritje nga ana e tyre.

Të pranishëm ishin edhe disa aktorë, ndër ta edhe Vlora Merovci, e cila për KultPlus u shpreh të jetë tejet e kënaqur me shfaqjen dhe performancën e aktorëve. ”Ka një kohë të gjatë që nuk kam parë shfaqje kaq të mirë, aktorët na falën shumë emocione”, potencoi ajo për KultPlus.

Ndërkaq, Ilir Tafa i cili ishte në rolin kryesor, pohoi të jetë shumë i kënaqur që ishte pjesë e kësaj shfaqjeje. ”Është hera e 12-të apo e 13-të, që po luhet kjo shfaqje. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e një kasti kaq të mirë aktorësh, që i kanë dhënë frymë dhe jetë shfaqjes”, deklaroi ai për KultPlus.

Festivali do të zgjasë deri më 9 nëntor 2019, në dy skenat e Teatrit AAB “Faruk Begolli” në Kolegjin AAB, ku aty do të ngjiten shtatë trupa artistike në programin konkurrues, të cilat vijnë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Greqia, Bullgaria e Kroacia. /KultPlus.com

Dy shfaqje të Qendrës Multimedia jepen në Théâtre Vidy-Lausanne

Edicioni i sivjetmë i Lausanne Méditerranées në Llozanë të Zvicrës i dedikohet eksplorimit të botës shqiptare. Qyteti i Llozanës i cili është organizatori kryesor i këtij festivali, sivjet ka bashkuar forcat me institucione të ndryshme teatrore dhe kinematografike për të sjellë vepra të ndryshme artistike shqiptare për audiencën e Llozanës, përcjellë KultPlus.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, shfaqjet “një shfaqje teatri me katër aktorë me disa derra me disa lopë me disa kuaj me një kryeministër me një milka e me disa inspektorë vendës e ndërkombëtarë” dhe “Peer Gynti nga Kosova”, dy produksione teatrore të Qendrës Multimedia do të shfaqen më 3, 4 dhe 5 tetor në Théâtre Vidy-Lausanne. Të dy këto shfaqje, gjatë këtyre ditëve, do të jepen nga 3 herë, në termine të ndryshme (https://vidy.ch) .

Théâtre Vidy-Lausanne është prej teatrove më të rëndësishëm në botën frankofone.

“një shfaqje teatri me 4 aktorë me disa derra me disa lopë me disa kuaj me një kryeministër me një milka e me disa inspektorë vendës e ndërkombëtarë”, wshtw e shkruar nga një cinik vendas, kjo shfaqje teatri është një panoramë tragjikomike e realitetit të tanishëm kosovar dhe atij evropian. Aspirata e sinqertë e kosovarëve për në BE konfrontohet, në njërën anë, me rregullat e kërkesat e koklavitura dhe qesharake evropiane dhe, në anën tjetër, me hilen e burokratëve për t’i bërë gjërat ‘të duken ok vetëm në letër’.

Regjia: Blerta Neziraj; Aktorë: Shengyl Ismaili, Adrian Morina, Ernest Malazogu, Shpetim Selami; Muzikantë: Art Lokaj, Drin Tashi; Muzika: Gabriele Marangoni; Koreografia: Adrienne Hart; Skenografia: Petra Veber; Kostumet: Vesa Kraja; Dizajni i dritave: Radomir Stamenkovic.

Ass. regjisore: Enkeleda Arifi; Menaxhere skene: Lendita Idrizi; Ass. e produksionit: Sophia Sinani; Udhëheqës teknik: Denis Berisha; Dritat: Mursel Bekteshi, Denis Berisha; Teksti: Jeton Neziraj.

Ndwrsa shfaqja “Peer Gynti nga Kosova” është rrëfim për një ëndërr të dështuar. I udhëhequr nga një shpresë e thjeshtë për jetë më të mirë dhe për të gjetur lumturinë, Peeri i ri, para luftës në Kosovë, niset për të kërkuar të ardhmen në ‘parajsën’ e quajtur Evropë.

Ajo çka ndodhë me këtë të ri gjatë këtij udhëtimi reflekton eskperiencat e shumë desperadove të rinjë të cilët çdo vjet, të mbushur me shpresë, lëshojnë atdheun e tyre. Shpesh, në atdheun e tyre të ri, të keqtrajtuar nga autoritetet, të izoluar dhe larg nga shtëpia, me mungesë perspektive dhe të mospërfshirë në shoqëri, atyre ëndrra u bëhet një makth i madh.

Nga: Jeton Neziraj; Regjia: Agon Myftari; Aktorë: Tristan Halilaj, Donikë Ahmeti, Shpetim Selmani, Bujar Ahmeti; Skenografia: Nicola Minssen; Kompozitor: Gabriele Marangoni; Kostumografe: Yllka Brada; Dramaturg: Stefan Schletter. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=PsYbulqi6gQ&feature=youtu.be&fbclid=IwAR0ZzVdXh7DtJq2c5DvnKA5sZ8owG3dVyYb7NjVD8KAvyMrahMiyH9URTd8

“Testamenti”, shfaqja që sjell copëza nga e kaluara vjen premierë nesër

Në ndërtesën e Hamamit të vjetër në Prizren kësaj radhe do të mund të shihni një shfaqje mjaft interesante. Organizata Jo-Qeveritare “Dua” prezanton shfaqjen eksperimentale “Testamenti” e cila vjen me regji nga Zana Duraku, shkruan KultPlus.

“Testamenti” është shfaqje eksperimentale bazuar në poezinë “Jam Shqiptar”nga Mitrush Kutelit, në monodramën “Vdekja e një mbretëreshe” nga Rexhep Qosja dhe “Fjalimi i Skënderbeut “nga Stephan Zannowich. Copëza nga e kaluara që shërbejnë për të tashmen dhe të ardhmen.

Përzgjedhja dhe dramatizimi është bërë nga Mirlinda Bekteshi, përderisa luajnë aktorët Rabije Kryeziu dhe Armend Ballazhi.

Në piano: Alzan Gashi, në qifteli, lahut dhe tupan: Xhemail Gllavica. Koreograf: Rabije Kryeziu, skenograf\kostumograf: Skerdi Morina, organizator: Berat Prizreni, mjeshtër i ndriqimit: Mursel Bekteshi, xhirimet: VVJ studio.

Shfaqja vjen premierë më datë 31 gusht, në ora 20:00.

Ky projekt është i mbështetur nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com

‘Koprraci’ i Ferizajt ngjitet në skenën teatrore të Egjiptit


Loja e aktorëve ferizajas dhe mjeshtëria regjisoriale e regjisores Elmaze Nura me shfaqjen “Koprraci” për pak javë shpërthejnë kufijtë e prezantimit kombëtar.

Është Festivali Ndërkombëtar i Teatrit Bashkëkohor dhe Eksperimental i Kajros, që në edicionin e tij të 26-të ka zgjedhur pikërisht shfaqjen “Koprraci” të regjisores Nura, prodhim i Teatrit “Adriana” në Ferizaj që ta ftojë në ceremoninë hapëse të këtij festivali prestigjioz ndërkombëtar. Siç transmeton rtk, trupa jonë ka të rezervuara dy data, 11 dhe 12 shtator për t’i prezantuar publikut teatror ndërkombëtar, magjinë, lojën, intrigën dhe zhdërvjelltësinë skenike që bart nga fillimi deri në fund, shfaqja “Koprraci”.

Kjo ftesë, rezultat i angazhimit të pakursyer të regjisores Nura për promovimin e teatrit shqiptar në arenën ndërkombëtare ngre siparin më 10 shtator dhe zgjat deri më 19 shtator të këtij viti. Aktorët ferizajas, ansambli i shfaqjes “Koprraci” dhe një pjesë e drejtuesve të teatrit e kulturës në Ferizaj, tash kanë bërë përgatitjet që në shtator të ngjisin skenën e Shtëpisë së Operës në Kajro, në hapje të Festivalit.

Udhëtimi i shfaqjes sonë në Egjipt është e para e këtij lloji dhe përmase në dekadat e fundit, që flet mjaft për ecjen përpara të Teatrit “Adriana”, komunikimin dobiprurës me regjisorët e angazhuar dhe bashkëveprimin në funksion të promovimit të talenteve, artit teatror dhe punës krijuese tek ne.

Ky është përfaqësimi i vetëm dhe më i lartë që i bëhet Republikës së Kosovës në këtë festival prestigjioz, mbështetje për të cilën dha Komuna e Ferizajt.

Shfaqja kamertale “Pronë e lanun mbas dore” mbërtheu publikun me një performancë fantastike

Në Teatrin e Fakultetit të Arteve është dhënë premiera e shfaqjes kamertale “Pronë e lanun mbas dore” nën regjinë e Iliriana Arifit dhe me performancën e aktoreve Fatlume Bunjaku dhe Fiona Gllavica, shkruan KultPlus.

Në thelb të dramës një aktshe, janë dy vajzat Vili dhe Toma rreth së cilave vërtitet e gjithë ngjarja. Ato janë të vendosura në një hekurudhë të trenit, ku takohen rastësisht dhe miqësohen. Vili që luhet nga Fatlume Bunjaku, është vajzë e çuditshme. Ajo i rrëfen të kaluarën Tomës që e luan Fiona Glavica, lumturinë që dikur kishte në familje dhe zbrazëtinë e madhe që e ka kapluar atë nga vdekja e së motrës Elvirës. Motra e saj Elvira, kish qenë dikur atraksion i burrave, ajo kish flirtuar me disa të tillë, Albertin, Inspektorin dhe tani ndodhej në pushimin e të vdekurve, në varr.

Në bisedë e sipër, ato zbulojnë se kishin pasur mësuese të njëjtë por që të dyja e kanë ndërprerë mësimin prej kohësh dhe tani vërtiten pa ndonjë qëllim të caktuar. Krejt çka do Vili, është t’i ngjaj së motrës dhe të ketë edhe ajo dashuriçka me burrat, të cilët thotë se ka aftësi t’i mahnisë. Përmes një dialogu të çiltër, dhe një performance fantastike, aktoret Bunjaku dhe Gllavica kanë arritur t’i jetësojnë karakteret e veprës dhe ta mbajnë të mbërthyer publikun e pranishëm. Kah fundi, ato përqafojnë njëra-tjetrën duke shikuar qiellin e zbardhur dhe duke pritur trenin, zhurma e të cilit ndihet në sfond, që lajmëron ardhjen e tij.

Këto personazhe janë të skalitura aq bukur nga dramaturgu i famshëm amerikan Tennessee Williams, i cili ka fituar shumë çmime të rëndësishme, mes tyre edhe Çmimin për Letërsi nga Universiteti St. Louis, derisa në vitin 1979 (katër vjet para vdekjes) ai u fut në The American Theater Hall of Fame.

Aktoret Fatlume Bunjaku dhe Fjolla Gllavinca, u shprehën të entuziazmuara për shfaqjen të cilën e konsiderojnë si sukses të tyre dhe me interesimin e publikut të pranishëm në skenën e Teatrit të Fakultetit të Arteve.

Shfaqja u përkrah nga Minstria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. /Bujar Meholli / KultPlus.com

Tre për tango!

Është ky një rast i jetës që imiton artin. Në filmin e ri “Mari”, Bobbi Jene Smith luan balerinën që zbulon se është shtatzënë, teksa e bën koreografinë e shfaqjes së saj të parë të madhe. Pas xhirimit, Smith mbeti shtatzënë, dhe tani duhet të përballet me disa sfidat e karakterit e saj, shkruan Lyndsey Winship për Guardian, transmeton Telegrafi.

Smith ka kërcyer pothuajse çdo ditë, që nga fëmijëria. Në moshën 11-vjeçare u largua nga shtëpia e saj në Ajova drejt një konvikti të baletit në Kanada, për të studiuar pastaj në trupën “Juilliard” të Nju Jorkut dhe për të kaluar te trupa “Batsheva” në Izrael ku merr reputacionin e interpretues së patrembur e të përkushtuar. U zhvendos në Nju Jork në vitin 2014 (siç thuhet në dokumentarin që ka marrë shumë çmime, “Bobbi Jene”) dhe ka punuar pa nda për të ndërtuar karrierën e saj si koreografe. Ta ndalësh papritmas vallëzimin, kjo mund të jetë tronditje për trupin, psikologjinë dhe ndjenjën e identitetit të balerinës, por edhe për trajektoren e karrierës – sidomos në botën konkurruese e të pasigurt të vallëzimit në Nju Jork.

“Kam punuar shumë deri në këtë pikë, ndaj që të ndalem, kjo më frikëson”, thotë Smith. “Edhe nëse më frenon pak, unë do të vazhdoj”.

“Mari” është filmi debutues i skenaristes dhe regjisores britanike Georgia Parris. Karakteri i Smithit, Charlotte, mendon për tensionet midis amësisë, ambicies krijuese dhe përgjegjësive familjare në kohën kur gjyshja e saj po vdes në spital.

Shtatzënia në film është rezultati i papritur i një valleje me një balerin më të ri. Për Smithin, kjo ishte e planifikuar. Ajo është e martuar me balerinin Or Meir Schraiber, me të cilin u takua në “Batsheva”.

“Në rastin e Charlottes, shtatzënia erdhi si tronditje; për mua është realizim shumë i bukur”, thotë Smith.

A është realiteti fizik i shtatzënisë diçka që ajo e imagjinonte kur po luante rolin?

“Çuditërisht është shumë e ngjashme “, thotë Smith.

Valltarët, më shumë se pjesa tjetër e vdekatarëve, janë në kontakt me veten e tyre fizike.

“Është e frikshme dhe e mahnitshme”, thotë Smith për ndryshimin e trupit. “Është mësim si të lëshosh pe”.

Ajo e ka kaluar jetën duke u kujdesur për trupin, e “tash nuk mund ta kontrollojë”.

“Tash më kontrollon mua. Por, dua të them se kam një tjetër rrahje zemre brenda meje. Është joreale, është magjike”.

Në muajin e gjashtë të shtatzënisë, Smith ende vallëzon. Ajo sapo ka dhënë premierën më të madhe të saj deri sot, “Lost Mountain”.

“Performanca e saj e parë!”, thotë Smith për vajzën që pret të lind dhe për shfaqjen ku ajo dhe Schraiber vallëzuan duetin e “prindërve shpresëdhënës”.

“Nuk kam bërë asgjë që do ta bënte audiencën të shqetësohej”, thotë ajo. “Nuk dua që ata të mendojnë: ‘Kush është ajo grua e papërgjegjshme?’ Mjeku ka thënë se është në rregull të vazhdosh vallëzimin”.

Pas lindjes së fëmijës, fillon sfida e vërtetë. Si balerinë e pavarur në SHBA, Smith nuk ka të drejtën e pushimit të lehonisë (në Mbretërinë e Bashkuar, punëtorët e pavarur mund të aplikojnë për 148.68 funte në javë, për nëntë muaj). Burri i saj është gjithashtu i pavarur. Çfarë do të bëjë?

“Përpiqesh të kursesh dhe të kthehesh sa më shpejtë në punë”, thotë ajo. “Dhe, të jem mirënjohëse për familjen dhe miqtë që më ndihmojnë”.

Kur vetë lindja është e paparashikueshme, shto këtu jetën me fëmijë dhe punën e balerinës që është fizikisht kërkuese, si është e pamundur të dish kur do të jetë “sa më shpejtë “.

“Çdo lindje është kaq e ndryshme dhe unë nuk e kam asnjë ide se çfarë të pres”, thotë Smith. “Disa nëna janë kthyer në studio pas dy javësh, e disa kanë nevojë për një vit të tërë. Duhet ta zgjidhim së bashku, burri dhe unë, se si do të funksionojë, por me siguri se kjo është e frikshme “.

Disa koreografë i marrin fëmijët e tyre në studio dhe në turne. Disa kërcimtarë që kanë fëmijë largohen nga vallëzimi për të dhënë mësime apo për t’u drejtuar në karriera tjera më të qëndrueshme. Smith nuk ka dyshim se do t’i kthehet vallëzimit.

“Çdo grua që kam parë, nga lindja i kthehet edhe më mirë vallëzimit, me më shumë zemër dhe qartësi”, thotë ajo. “Kështu që, nuk i frikësohem kësaj pjese”

A mendoni se do t’ju ndryshojë si artiste?

Ajo buzëqesh dhe thotë: “Shpresoj se po”. 

Shfaqja “Ditë vere” e dramaturgut polak Mrozhek, jepet premierë në Podujevë

Shfaqja “Ditë vere” e dramaturgut polak Mrozhek, jepet premierë në Podujevë, përcjellë KultPlus.

Në skenën e Teatrit “Avdush Hasani” në Podujevë , me datën 22 qershor duke filluar nga ora 20:00, do të hapen perdet për shfaqjen “Ditë vere” të dramaturgut polak Mrozhek, nën regjinë e Naser Shatrollit, dhe me interpretimin e Brahim Bashës, Butrint Lumit dhe Kaltrina Zenelit.

Drama është socio-politike me temë kryesore notin dhe detin, e krijuar në një stil eksperimental bashkëkohor, që i takon zhanrit absurd, tragjikomedi. Një burrë fatkeq që s’di not, do të bëjë vetëvrasje sepse nuk i shkon asgjë për dore, derisa një burri tjetër i ecën gjithçka mirë dhe të gjitha i ka në dorën e tij. Gruaja është sinonim i ëndrrave të tyre, ndërsa deti përkatësisht dallga, është mindili i shpresave të tyre.

Me pak fjalë kjo është fabula e kësaj drame që do të shfaqet në Podujevë, dramë kjo e cila ndërthuret me vargun e ikjeve nga Kosova, e me bllokadën e vendit tonë, gjersa jetojmë afër detit dhe nuk kemi mundësi ta kapërcejmë atë./BujarMeholli/KultPlus/

“Erdhi Godoja” premierë në Teatrin e Gjilanit

Ndërkohë që në shumë salla teatri nëpër botë janë “Duke pritur Godonë”, në Teatrin e Qytetit-Gjilan veçse “Erdhi Godoja”.

Teatri i Qytetit te Gjilanit, këtë te premte më datë 24 maj me fillim nga ora 21:00, do të ketë premierën e shfaqjes “Erdhi Godoja” nga Daniel Curzon dhe regji të Shkelzen Berisha. 

 Një parodi absurdiste me humor fantastik nga Daniel Cruson, e cila vjen e interpretuar nga aktorët: Avni Shkodra, Gani Rrahmani, Tringa A. Hasani dhe Njomëza Kalaveshi.

“Erdhi Godoja”, skenografina dhe kostumet e së cilës janë realizuar nga Berkim Korca, është një shfaqje jashtëzakonisht e larmishme në teknika të punës, në ngjyra të personazheve, me kujdes estetik mjaft të veçantë në harmonizimin e muzikës, elementëve skenografik e vizual dhe kostumeve krahas situatave skenike.

Historia e dy njerëzve pa ndonjë destinacion të qartë jetësor vetëm sa për t’i bërë aktive jetët e tyre, të cilët arsyetohen se janë në pritje të shpëtimtarit të tyre, që edhe kur ju vjen, ata dështojnë ta kuptojnë atë që kanë pritur tërë jetën – Domethënien!

Gjithçka do të prezantohet mes situatave me plot humor dhe pamjes së sjelljeve absurde që burojnë kontekste që i ndeshim në jetët tona çdo ditë. Katër aktorë do të përjetojnë fijen që lidh jetët e përditshme me situata mbushur me varietete spektakli skenik, për gjetjen e përgjigjeve të shumë pikëpyetjeve shpirtërore, materiale dhe intelektuale, do të japin një pamje të përthellë të dualitetit të natyrës njerëzore.

Repriza e parë e shfaqjes do të jepet më datë 25 maj në Teatrin e Qytetit të Gjilanit. / KultPlus.com

“Sfinga e gjallë”, shfaqja që zhbiron në dramën e vrasjeve politike të pasluftës, vjen premierë në TKK

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës pritet të jepet premiera e shfaqjes ”Sfinga e gjallë”, përcjellë KultPlus.

Me regji të Blerta Nezirajt, drama ”Sfinga e gjallë” e shkrimtarit dhe intelektualit të mirënjohur nga Kosova, Rexhep Qosja, vjen e “ri-vizituar’ dhe e fuzionuar me shkrime e citate goditëse, po të Rexhep Qosjes, por edhe me dokumente e kronika të ndryshme të kohës. 

E shkruar në vitet e 70-ta, si një dramë e fuqishme që flet për gjakmarrjen e vëllavrasjet absurde të asaj kohe, “Sfinga e gjallë” e tanishme zhbiron dramën e tabuizuar të pasluftës në Kosovë dhe vrasjet politike ‘misterioze’ të disa prej intelektualëve, gazetarëve e politikanëve kosovarë.

Pas përfundimit të luftës disa nga ‘lordët e luftës’ në Kosovë qenë përfshi në një valë të vrasjeve të kundërshtarëve politik – kryesisht zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovë – të cilët paraprakisht etiketoheshin si ‘ ‘bashkëpunëtor të armikut’ e ‘sabotues të luftës çlirimtare’’. Rreth 20 vite nga ajo periudhë, gati asnjë nga këto vrasje nuk është zbardhur. Nuk ka pasur vullnet politik për një gjë të tillë nga asnjëra palë, madje as nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila, për më tepër, këto vrasje i ka marketizuar dhe përdorur për qëllimet e veta politike. Edhe komemoracioni publik për të vrarët është shndërruar në një ritual komik. Të gjithë – madje edhe vet vrasësit – ‘vajtojnë’, të gjithë ‘thërrasin për drejtësi’, të gjithë i duan “vrasësit prapa grilave” dhe të gjithë ua njohin “meritat të vrarëve”.

Në sfondin e këtillë të këtij makabriteti politik e shoqëror, viktimat e vetme megjithatë kanë ngelur të vrarit dhe ndoshta familjet e ngushta të tyre.

Kjo shfaqje u dedikohet këtyre të vrarëve dhe atij pak grushti njerëzish të guximshëm që akoma dhe sot, me dinjitet, vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për vrasjet politike të pasluftës.

Në shfaqje luajnë aktorët: Fatmir Spahiu, Adrian Morina, Edona Reshitaj, Armend Smajli, Ylber Bardhi, Shpejtim Kastrati, Dukagjin Podrimaj.

“Sfinga e gjallë” vjen premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës më datë 27 maj, në ora 21:00.

 Skongrafia dhe kostumet: M. Nurullah Tuncer // Kompozitor: Gabriele Marangoni // Koreograf: Gjergj Prevazi // Ass regjisor:  Imer Mushkolaj

Skulptor: Burim Berisha // Ass. skenograf: Gent Jetullahu // Inspicient: Bajram Mehmetaj // Dritat: Mursel Bekteshi // Toni: Arben Aliu

Organizator: Beqir Beqiri // Mjeshtër skene: Aziz Maloku // Rrobaqepës: Shemsi Avdiu // Dekoraterë: Rrahman Mehmeti, Hasan Buzaku, Fatmir Avdiu // Rekuiziterë: Xhemail Gllavica e Driton Musliu // Garderoberë: Fahredin Ahmeti e Linda Ahmeti // Grimi: Flori Hasani, Myrvete Tahiri, Fatime Bejiqi Brajshori // Furnizues: Hysen Kuleta. / KultPlus.com

“Mosmarrëveshja”, shfaqja absurde që solli për herë të parë punën e regjisores Fata Hyseni në TKK

Alberina Haxhijaj

Fata Hyseni mbrëmë ka fituar titullin regjisore përmes premierës së shfaqjes “Mosmarrëveshja”, me të cilën ajo arriti edhe të diplomoj. Shfaqja “Mosmarrëveshja” po ashtu bëri që emri i regjisores Fata Hyseni të shënohet përkrahë regjisorëve të njohur të cilët shfaqjet e tyre i kanë sjellë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Hyseni solli në skenën e vogël të teatrit, tekstin e skenaristit Albert Kamy, fituesit të Çmimit Nobel për Letërsi, i cili është i njohur për qasjen e tij absurde. Kamy ishte inskenuar edhe më parë në Teatrin Kombëtar përmes regjisorit Kushtrim Koliqi i cili vitin e kaluar solli shfaqjen “Kaligula”. Dhe të dy shfaqjet krijojnë lidhshmëri pasi që shfaqin çmendurinë njerëzore. Nuk ka si të jetë tjetër kur i gjithë opusi letrar i këtij shkrimtari bazohet në idenë absurde të ekzistencës së njeriut. E tillë është edhe “Mosmarrëveshja”.

Nënë (Kumrije Hoxha) dhe bijë (Florieta Bajrakatari) jetojnë të izoluara në një bujtinë afër lumit duke ëndërruar që të largohen nga ai vend. Dëshira e tyre në pamje të parë është shumë e thjeshtë, të jetojnë afër detit, të prekin me këmbët e tyre rërën e detit, të zbulojnë pyetjen që i preokupon ‘A do na i djegë rëra shputat e këmbëve, a është aq e nxehtë?’. Mirëpo çdo gjë bëhet e komplikuar në momentin kur për tu larguar nga ky izolim atyre ju nevojiten para, dhe mënyra më e lehtë për t’i fituar është përmes krimit. Nënë dhe bijë pranojnë klientë në bujtinën e tyre, i vrasin dhe ju marrin paratë. Regjisorja Hyseni tregoi për KultPlus se ajo dhe ekipi i kësaj shfaqje kanë punuar së bashku dy muaj për të sjell këtë dramë absurde.

“Kemi punuar dy muaj mirëpo ka pasur edhe disa muaj punë të tjera për finalizimin e kësaj shfaqje dhe konceptit të saj. Tekstin e kam përzgjedhur pasi që është një tekst i pasur dhe i cili ka kohë që nuk është punuar e që trajton temën e izolimit të dy grave brenda një bujtine. Me e punu një tekst të tillë ka qenë e vështirë, me shumë përgjegjësi por edhe kënaqësi”, theksoi Hyseni.

Jeta e “zakonshme” e të zonjës së bujtinës dhe vajzës së saj ndryshon kur një ditë atyre ju shkon në bujtinë për të kërkuar një dhomë një djalë jo i zakonshëm. ‘Ky është ndryshe nga të tjerët’, i thonë nënë dhe bijë njëra-tjetrës. Në fakt ai edhe është i tillë, Zhani djali i vetëm i shtëpisë i larguar njëzet vjet më parë, e që jeton afër detit kthehet pasi që e ndjen se dy gratë e familjes duhet të kenë nevojë për një burrë në shtëpi. Vendimi që në fillim të lajmërohet si një klient, do i kushtojë atij me jetë. Pikërisht vdekja e Zhanit dhe zbulimi i vërtet i identitet të tij shënon edhe një thyerje tjetër në rrjedhën e kësaj drame. Aktorja Kumrije Hoxha sjell dhembjen e një nënë e cila mendon se ka jetuar mjaftë. ‘Jetova më shumë se djali”.

Në anën tjetër Marta e cila erdhi përmes aktores Florieta Bajraktari, është ajo që zbërthen tutje absurdin brenda kësaj shfaqje. Indiferente ndaj vrasjes së të vëllait duke u arsyetuar se të paktën ai ka jetuar i lirë për aq sa ka jetuar, është vetëvrasja e nënës ajo që e bënë Martën të bëjë të njëjtën gjë. Duke goditur vetën me thikë, Marta lë të shokuar gruan e Zharkut e cila e kërkon të shoqin gjersa shërbëtori largohet me paratë. Sipas aktores Florieta Bajraktari, bashkëpunimi brenda ekipit ka bërë që procesi i punës të jetë i lehtë.

“Roli është shumë sfidues dhe është dashtë mjaft shumë me punu po e rëndësishme ka qenë me dal ajo që regjisorja ka dashtë e që ka qenë tema e izolimit. Kryesisht këtë temë e bart personazhi im tek i cili vërehet edhe një ndryshim psikologjik, e që e ka bërë edhe me sfidues procesin që me hy brenda këtij roli”, tha Bajraktari.

Sfidën e parë si regjisore të Fata Hysenit e vlerësoi edhe Butrint Berisha. Ai theksoi se shfaqja arrin që të sjellë klaustrofobinë, e që është gjetja kryesore e kësaj shfaqje.

“Si koleg i klasës e kam përcjellë procesin e shfaqjes dhe po ashtu e njoh edhe si tekst dhe sonte erdhi një realizim më ndryshe i shfaqje. Erdhi ajo klaustrofobia e shfaqjes e që ka qenë si gjetje kryesore e shfaqje. Po ashtu loja e aktorëve ishte e bukur. Zhanri i kësaj shfaqje nuk është zhanër që e tërheq publikun për shkak të natyrës së errët që e ka. Mirëpo po shpresoj që përmes qasjes regjisoriale dhe lojës së aktorëve shpaloset përralla që e diskuton teksti”, tha ai.

Reprizat e para të kësaj shfaqje do të jenë më 21 dhe 22 maj duke filluar nga ora 21:00./KultPlus.com

“Mirandolina” shfaqja më e re në teatrin “Istref Begolli”

Një nga veprat e njohura të dramaturgjisë botërore komedia “Mirandolina” e autorit të njohur Italian Karlo Goldon, do të vihet në skenë me trupën e aktorëve të këtij teatri.

Provat kanë nisur këtë të mërkurë, ndërsa premiera është planifikuar që të shfaqet në Ditën e Çlirimit të Pejës, me 16 qershor.

Edhe pse vepra është shkruar që në shek.XVIII, ajo përcjell mesazhe emancipuese dhe i flet realitetit tonë.

“Mirandolina” është vënë në skenë për herë të parë në Venecia në 1752.

Komedia ka porosi të forta për pozitën e femrës, një debat që zhvillohet edhe sot për trajtimin që i bëhet asaj edhe në shoqërinë kosovare.

Komedia më moderne e komedianit italian Carlo Goldoni, përballë femrën me mashkullin në skenën teatrore.

Goldoni si një mjeshtër i madh i karaktereve dhe në një kohë kur femra ishte e dhunuar nga arroganca mashkullore, e ngre lart figurën e Mirandolinës, protagonistes kryesore të veprës, si një ftesë për emancipimin e një shoqërie tejet patriarkale.

Drejtori i Kulturës në Komunën e Pejës, Engelbert Zefaj pret një shfaqje të nivelit të lartë. “Duke i çmuar kapacitetet e regjisores Nura, ekipit që e ka përzgjedhur dhe trupën e aktorëve, jam optimist se do të kemi një shfaqje mjaft të sukssesshme në teatrin tonë që do të mirëpritet edhe nga publiku”, ka theksuar ai.

Kjo vepër është inskenuar në shumë skena botërore dhe kritikët e kanë krahasuar me kryeveprën e Shekspirti, “Ëndrra e një nate vere”.

“Përmbajtja e komedisë sjell situata të këndshme humori dhe me konceptin tim regjisorial, bashkë me trupën e Pejës, do të realizojmë një shfaqje me vlera të larta artistike dhe të pëlqyer nga publiku”, u shpreh regjisorja Elmaze Nura.

Edhe në shoqërinë kosovare, ku shfaqet shpesh një kulturë tejet maskiliste kjo vepër është apel për emancipim.

Vepra të tilla kanë mesazhe pa fund dhe secili spektator shikon diçka nga vetja, që është e mishëruar tek karakteret e veprës, si tradhtia, xhelozia, dashuria, etj.

Regjizorja Elmaze Nura rikthehet në Teatrin “Istref Begolli”, pas realizimit të dramës “Mendje djallëzore” të autorit Blerim Haxhiaj, një shfaqje që u vlerësua lart për nivelin artistik dhe e prezantoi Pejën në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrove në Rumani./KultPlus.com

“Mosmarrëveshja” e Kamys fillon provat në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Drama “Mosmarrëveshja” e autorit të madh Albert Kamy, kësaj radhe do të jetësohet në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Nën regjinë e Fata Hysenit kjo shfaqje tashmë ka filluar provat dhe pritet që deri në muajin maj gjithçka të finalizohet.

Krahas temës së dashurisë dhe mos dashurisë, regjisorja i kushton rëndësi temës së izolimit brenda shtetit. Ngjarja ndodhë në një bujtinë që është e dy grave, nënë e bijë, të cilat pranojnë klientë në bujtinën e tyre që ti vrasin dhe të ja u marrin të hollat. Mbledhja e të hollave bëhet me qëllimin që të ikin nga vendi për një jetë më të mirë.

Ekipi i aktorëve që është angazhuar për këtë projekt përbëhet nga: Kumrije Hoxha, Shpetim Selmani, Florieta Bajraktari, Armend Ballazhi dhe Fatlume Bunjaku.

Shfaqja pritet të vij premierë në muajin maj në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com

Teatri ODA dhe Blessed Unrest janë ribashkuar për projektin “Strehim”

Gjatë muajve prill dhe maj në Nju Jork, aktorët: Ilire Vinca, Eshref Durmishi, Daniela Markaj dhe regjisori Florent Mehmeti do t’i  bashkëngjiten pjesës amerikane të ekipës për të finalizuar shfaqjen që për rrëfim ka historinë, shumë pak të njohur, të shpëtimit e strehimit të hebrenjve nga shqiptaret “Strehim” (“Refuge”), gjatë Luftës II Botërore. 

“Strehim” (“Refuge”) është shfaqja e tretë origjinale e krijuar nga Teatri ODA dhe Blessed Unrest që nga viti 2005.

Gjashtë turne janë organizuar gjithsej deri tash në Ballkan, Evropë dhe në Nju Jork, përfshirë edhe projektin “Doruntine” që ka pasur dy turne të suksesshme në Amerikë dhe ka fituar Çmimin e Festivalit “Secondo” në Cyrih, Zvicër.

Premiera e “Strehim (“Refuge”) do të jetë më 25 prill në Baruch Performing Arts Centre në Manhattan në Nju Jork, për të vazhduar me shfaqjet deri më 11 maj 2019. / KultPlus.com

Monodrama “02.08.1944” vjen premierë të dielën

Një monodramë e cila trajton temën e viktimizimit të romëve gjatë Luftës së Dytë Botërore në Kampin e Përqendrimit në Auschwitz, do të shfaqet premierë në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha” në Prizren, përcjellë KultPlus.

Shfaqja e titulluar “02.08.1944” është e autorit Edis Galushi.

Vetëm në këtë kamp thuhet se janë burgosur afër 23 mijë romë. Nata e 2 Gushtit 1944 njihej si “zgjidhja përfundimtare” për romët në Auschwitz. Atë natë gjithsej 2,989 romë janë shfarosur në dhomën e gazit. Përmes rrëfimit personal të personazhit të shfaqjes tregohet trajtimi i tmerrshëm i romëve para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Hyrja është me ftesa, andaj për rezervime ju lutem kontaktoni në numrin 049/663-375. Me respekt, Ekipi organizativ Ky projekt kulturor është mbështetur nga programi Kultura për ndryshim, projekt i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. Ky projekt implementohet nga Qendra Multimedia dhe Goethe-Institut. Qëllimi i mbështetjes është forcimi i sektorit kulturor si një shtysë për zhvillimin socio-ekonomik të Kosovës përmes përkrahjes të projekteve të qëndrueshme, dhe aktiviteteve të organizatave kulturore që promovojnë kreativitetin, gjithë-përfshirjen sociale dhe bashkëpunimin.

Premiera vjen ditën e diele më datë 27 janar, duke filluar nga ora 19:00. /KultPlus.com

Shfaqja ‘Artisti i vetëm’ vjen premierë në teatrin ‘Faruk Begolli’

Teatri Faruk Begolli në Prishtinë kësaj radhe do të mirëpres premierën e shfaqjes “Artisti i vetëm”, me autor dramaturgun gjerman Ralph Hammerthaler, përcjellë KultPlus.

Në shfaqje luan aktori Naim Berisha ( në rolin e personazhit Hans Klipp), i cili njëkohësisht është edhe regjisor i shfaqjes, kurse regjisor mbështetës është Shkelqim Bunjaku.

“Artisti i vetëm” trajton dramën e brendshme të një artisti të madh, i cili për shkak të degradimit të artit dhe shijes se publikut, përjashtohet nga shoqëria me dhunë, për tu vënë në situatë të skajshme jetësore dhe ekzistenciale.
Personazhi i vetëm i kësaj shfaqje Hans Klip, gjatë prezantimit të tij të fundit para publikut të tij të zgjedhur rrëfen jetën e tij, momentet kulminante artistike në të kaluarën dhe dramën e tij në të tashmen. Në fund të shfaqjes Hans Klip vetlargohet dëshpërueshëm nga arti i tij dhe nga vetvetja, duke renë në humnerën e pakthyeshme të dëshpërimit.

Shfaqja në mesazhin e sajë, bënë thirrje për kthimin e vlerave kulturore, në një shoqëri që është zvetënuar nga vlerat e mirëfillta dhe paraqet protestën më sublime kundër antivleres.

Premiera e shfaqjes vjen më datë 2 nëntor në ora 18:00 në Teatrin “Faruk Begolli” në AAB. /KultPlus.com