Gjendet piktura e Klimtit, e zhdukur 23 vite më parë

Një pikturë nga mjeshtri austriak, Gustav Klimt pritet të kthehet në ekspozitë, pas zhdukjes 23 vite më parë.

“Ritratto di Signora” u vodh në galerinë ”Ricci Oddi” në Piaçenza, në shkurt 1997 dhe u gjet në oborrin e së njëjtës galeri në dhjetor 2019.

Kopshtarët e gjelbërimit gjetën pikturën në një zgavër të mbrojtur nga një derë metalike, e fshehur mes shtresave të trasha të derës. Piktura ishte mbështjellë me një qese plastike të zezë dhe dukej e padëmtuar.

”Rishfaqja e pikturës përsëri ndaj artdashësve është mbi të gjitha një dhuratë për qytetin e Piaçenzas, i tronditur nga pandemia që ka goditur vendin tonë dhe të gjithë botën”, deklaroi pronari i galerisë, Massimo Ferrari në një deklaratë.

Piktura e rimarrë është pjesë e një serie portretesh që Klimt përfundoi në vitet e fundit të jetës së tij, midis 1916 dhe 1918./atsh/ KultPlus.com

Shtatë pasuritë shqiptare që janë pjesë e trashëgimisë botërore

Një vend i vogël si Shqipëria por me pasuri të rralla dhe një trashëgimi të pasur kulturore, ku shtatë prej tyre janë tashmë të vendosura nga UNESCO në listat e trashëgimisë botërore. IntoAlbania i sjell ato së bashku duke na treguar pasuritë e saj të shumta natyrore, shpirtërore dhe kulturore, përcjellë KultPlus.

Butrinti

Ky mikrokozmosi i rrallë i historisë së Mesdheut u shpall si Vend i Trashëgimisë Botërore nga UNESCO në vitin 1992 dhe kryeson çdo listë ndërkombëtare të atraksioneve që duhen parë në Shqipëri! Rrënojat 2500-vjeçare të Butrintit, brenda një parku madhështor të gjelbërt e me një hapësirë prej 30 km, janë disa nga më të bukurat e të mirëmbajturat në Evropë. Teatri i shekullit të III-të para Krishtit, Tempullit i Eskulapit (shek I – II), perëndisë antike të shëndetit, dhe mozaiku me 69 medaljone kishtare janë vetëm tre prej kryeveprave të Butrintit. Liqeni i Butrintit, kanali i Vivarit që lidh luginën e Butrintit me detin Jon, Kalaja trekëndore e ndërtuar aty pranë, si dhe pyjet e dendura që veshin gjithë peizazhin janë disa nga arsyet pse Buthrotum-i i lashtë përmendet në poemën epike të Virgjil-it, Eneidi!

Gjirokastra

I njohur si një nga vendet e shpallura Trashëgimi Botërore e UNESCO-s, ky qytet i veçantë është ndërtuar në shpatet e pjerrëta, me shtëpitë prej guri që duket sikur janë ngritur mbi njëra-tjetrën. Bashkë me shtëpitë më të famshme në vend, si ajo e fëmijërisë së Ismail Kadarsë apo Enver Hoxhës, por edhe të familjeve të tjera vendase të shquara, në rrugët me kalldrëm të këtij qyteti gjendet pazari dhe kalaja më e vjetër e gjithë Ballkanit. Qyteti i gurtë njihet jo më pak edhe për panoramën e tij malore, e cila e rrethon Gjirokastrën në tërësi. E sikur të duhej më tepër, në rrethinat e Gjirokastrës gjenden qytetet e bukura antike të Antigonesë dhe Adrianopolit si edhe disa bukuri të rralla natyrore si Liqeni i Viroit dhe Kanioni i Lengaricës ndër shumë të tjera.

Berat

Është arkitektura e veçantë e qytetit që e ka pozicionuar Beratin si një nga vendet e Trashëgimisë Botërore UNESCO në Shqipëri. I ndarë në dy lagje historike, Mangalemin dhe Goricën, nga lumi Osum, qyteti bashkohet përmes urës së gurtë të Goricës. Ky qytet, një herë e një kohë i quajtur Antipatrea, është i rrethuar nga Tomori dhe Shpiragu, dy nga malet më mitike të Shqipërisë. E kështu Berati zë vend të veçantë dhe në hartën e adhuruesve të natyrës. Ngjitje mali, çiklizëm, rafting apo kayaking janë vetëm disa nga aktivitetet në natyrë që mund të realizoni përreth këtij qyteti. Kalaja mesjetare e Beratit bashkë me Muzeun Kombëtar të Onufrit ofrojnë gjithashtu një udhëtim të rrallë. Për mos t’u harruar janë edhe Qendra Mesjetare në Berat e kuzhina e famshme e këtij qyteti!

Kodikët e Beratit

Vlen të përmenden këtu këto dorëshkrime me rëndësi të veçantë historike për fillimet e letërsisë biblike të cilat quhen zyrtarisht “Kodiku i Purpurt i Beratit.” Kodiku u regjistrua në listën e veprave më të rëndësishme të njerëzimit, të ashtuquajturën Kujtesën e Botës të UNESCO-s, në vitin 2005. Dy kodikët e Beratit, të botuar në vitin 1887, janë pjesë e grupit të “shtatë kodikëve të purpurt” të shkruar në 13 vende të ndryshme në Europë midis shekullit VI-të dhe VIII-të. Një herë e një dy kodikët, të shkruar në greqishten e lashtë, mbaheshin në kishën e Shën Gjergjit në Berat por sot ata gjenden në Arkivin Kombëtar të Shqipërisë.

Liqeni i Ohrit

Me një thellësi prej 285 m, Liqeni i Ohrit është më i thelli në Ballkan dhe lag në pjesën më të madhe të tij Maqedoninë (Ohër, Strugë), dhe Pogradecin në Shqipëri. “Liqeni i dritës” u shpall pasuri natyrore nga UNESCO në vitin 1980 dhe, që prej korrikut te vitit 2019, është pjesë e listës së UNESCO-s edhe pjesa shqiptare e liqenit. Plot 4 milionë vjet janë dashur që të krijohet një liqen i këtyre përmasave, dhe gjithçka filloi kur nisi të shembej toka në pjesën perëndimore të Alpeve Dinarike. Sot, ky liqen i bukur i mjelmave është një ekosistem që përmban më shumë se 200 specie, duke përfshirë koranin, peshkun e shijshëm i cili noton vetëm në këto ujëra. Ka shumë vende të bukur, si Pogradeci, fashti Lin apo edhe shumë fshatra të tjerë në këtë zonë të cilët rrethohen nga pamja qetësuese e këtij liqeni e ku kjo e fundit mund të shijohet më së miri.

Lumi i Gashit

Lumi i Gashit është një prej dy rezervateve natyrore shqiptare të pëfshirë në listën e trashëgimisë botërore të natyrës të UNESCO-s. Me një sipërfaqe prej 3000 ha, lugina e Gashit gjendet në pellgun e parkut kombëtar të Valbonës, në verilindje të Alpeve, në rrethin e Tropojës, shumë larg zonës së banuar. Një pjesë e madhe e sipërfaqes së Lumit të Gashit mbulohet me pyje të virgjëra ahu e këto pyje të lashta janë arsyeja pse Shqipëria i është bashkuar 12 vendeve të tjerë në listen e UNESCO-s. Kjo mrekulli natyrore ruan një nga natyrat më të paprekura në Shqipëri! Në afërsi të Lumit të Gashit ndodhen liqejtë akullnajorë të Dobërdolit dhe Sylbicës, të cilët i dhurojnë gjithë zonës një pamje përrallore.

Rrajca

E dyta në listën e trashëgimisë botërore të natyrës të UNESCO-s është Rrajca, pjesë e European Green Belt të pyjeve të ahut si edhe një prej vendeve të pakta ku gjendet rrëqebulli ballkanik. Pranë zonës së Përrenjasit apo Librazhdit, kjo hapësirë prej 4700 ha, pëfshin katër liqene të mahnitshme akullnajore. Rrajca është pjesë e Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanica, i cili është ende relativisht i panjohur sepse ka qenë zonë e ndaluar kufitare gjatë gjysëm shekulli të diktaturës komuniste. Ishte pikërisht kjo mbyllje, që sot përbën dhe një nga asetet më të mëdha të tij, pasi rreth 34 mijë ha sipërfaqe plot me pyje, livadhe e lule shumëngjyrëshe, janë tejet të paprekura.

Iso-polifonia

Kjo mënyrë të kënduari e trashëguar në breza, tashmë njihet dhe si pasuri e të gjithë botës. Arti i iso-polifonisë është shpallur nga UNESCO në vitin 2005 si trashëgimi gojore dhe shpirtërore e njerëzimit si edhe përfshihet në 50 atraksionet më tërheqëse të popujve në botë. Edhe poeti i njohur britanik Bajroni, i sugjestionuar nga magjia e iso-polifonisë, i ka dedikuar disa vargje asaj. Koha e shpërbleu këtë trashëgimi të shqiptarëve nga shekulli në shekull, e ajo mbetet një nga më të mbrojturat e të paharruarat në vend. Kjo këngë po aq e qetë sa edhe tronditëse mund të këndohet ose, më saktë, isoja të mbahet, prej dy, tre apo katër zërave, të cilët bashkohen për të arritur harmoninë e vërtetë. Iso-polifonia mbahet si një praktikë komunikuese që ka mbërritur në ditët tona që nga periudha e Homerit!/intoalbania/ KultPlus.com

Vdes aktori që luajti rolin e Darth Vader në Star Wars

Aktori britanik, që ka lujtuar rolin e Darth Vader, në tre filma Star Wars, ka vdekur në moshën 85-vjeçare.

Aktori David Prowse, ish-peshëngritës, ka vdekur më 28 nëntor, pas një sëmundje të shkurtër, ka njoftuar agjenti i tij më 29 nëntor.

Prowse ka lujtuar në filmat Star Wars (1977), The Empire Strikes Back (1980), dhe Return Of The Jedi (1983).

Aktori, që më herët ka qenë tri herë kampion britanik për ngritje të peshave, ka luajtur rolin e Vader në ekran, ndonëse skenari i tij është dubluar nga aktori James Earl Jones.

Mark Hamill, që ka luajtur rolin e Luke Skywalker në filma, ka thënë se Prowse ka qenë “burrë i mirë dhe më shumë se Darth Vader”.

Në një intervistë për BBC-në, Prowse pati thënë se i vjen keq që gjithmonë ka vendosur maskë në filma.

“Të gjithë aktorët duan të njihen dhe unë do të doja të kisha vëmendjen e Luke Skywalker apo Han Solo,” ka thënë ai, duke iu referuar karaktereve ikona në filma./REL/ KultPlus.com

Melania Trump me libër kujtimesh nga Shtëpia e Bardhë

Melania Trump po përgatitet të shkruajë një libër kujtimesh menjëherë pas largimit nga Shtëpia e Bardhë.

Moskokëçarja, që ka shkaktuar sarkazëm në rrjetet sociale dhe krahasime të pafavorshme me “Becoming”, kujtimet e Michelle Obama, është një ekskluzivitet i Page Six, kolona e thashethemeve në “New York Post”.

“Melania po zhvillon takime për të shkruar një libër me kujtime”, theksojnë burime anonime për gazetën e Rupert Murdoch.

“Dhe paratë e mbledhura do të jenë për ju. Një mundësi për të fituar diçka nga vetja”, shtojnë burimet.

“Donald Trump dyshohet se ka inkurajuar bashkëshorten e tij në projektin që, sipas burimeve, mund të çojë në një bestseller pasi tregu për librat Trump po lulëzon, pavarësisht nëse ndarjet janë pro ose kundër presidentit.

“Vetë Trump mund të rrëmbejë një kontratë disa milionë dollarëshe për një kujtim për katër vitet në Shtëpinë e Bardhë sapo mandati i tij të përfundojë”, sipas “New York Post”. /dp/ KultPlus.com

”Deadliest Enemy” libri që parashikoi pandeminë

Që në vitin 2017, një studim në SHBA kishte parashikuar një kolaps të mundshëm të sistemit shëndetësor për shkak të një pandemie virale, siç është ajo aktuale nga Covid-19, dhe tregonte zgjidhje të mundshme për të parandaluar ose kufizuar atë që ndodhi më pas, në një axhendë prej nëntë pikash.

Bëhet fjalë për ”Deadliest Enemy” një libër nga Micheal Osterholm, epidemiolog me famë ndërkombëtare, i disponueshëm në libraritë botërore që prej 19 nëntorit me titullin “Armiku më vdekjeprurës”.

Osterholm, i cili drejton Qendrën për Kërkimin dhe Politikën e Sëmundjeve Infektive në Universitetin e Minesotës në librin e tij shkruar me gazetarin dhe shkrimtarin Mark Olshaker, nuk ofron një analizë tjetër të pandemisë Covid-19, por përshkruan strategjitë që qeveritë duhet të aktivizojnë për të përballuar epidemitë e ardhshme.

Statistikisht, pandemia më e keqe e epokës moderne shpërtheu në 1918, kur i ashtuquajturi ”gripi spanjoll” shkaktoi 40-50 milionë viktima, por analizat e fundit sugjerojnë se vdekjet mund të kenë qenë edhe dyfish.

“Ai i vitit 1918 ishte një lloj gripi pa precedent historik. Por, a është e mundur që diçka e tillë të përsëritet?”, shtoi Osterholm.

Pyetja që vijon është thelbësore: “Me të gjitha përparimet në fushat mjekësore dhe të komunikimit gjatë 100 viteve të fundit, a do të jemi më të përgatitur për urgjencën?.

Përgjigja është se “sot bota është një vend shumë i ndryshëm nga sa ishte një shekull më parë. Dhe pothuajse të gjitha ndryshimet luajnë në favor të mikrobeve sesa të qenieve njerëzore.

Libri përmend boo-min e popullsisë, terrorizmin, ndryshimin e klimës dhe mungesën e bashkëpunimit ndërkombëtar si shkaqet për mospërballimin e kësaj pandemie. /os/ KultPlus.com

Kreshnik Musolli: Baleti Kombëtar i Kosovës, 48 vite histori suksesi

Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës tashmë ka depërtuar në skenën kulturore ndërkombëtare duke mahnitur me çdo shfaqje të realizuar me mjeshtëri.

Trupa është formuar nga Ahmet Brahimaj “Artist i Merituar” në vitin 1972 si Ansambli i Baletit. Ikona legjendare Ahmet Brahimaj shërbeu si Drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës me shumë përkushtim dhe me dashuri, duke lënë pas një trashëgimi madhështore kulturore për Kosovën dhe për gjeneratat në vijim.

Gjenerata e Parë e Baletit të Kosovës përbëhej nga: Ahmet Bahimaj, Abdurrahman Nokshiqi, Gani Loshi, Jonuz Beqiraj, Elez Nikqi, Rrustem Selca, Selajdin Kiqe, Rrustem Bajrami, Hysen Podrimcaku, Esma Mulla, Shqipe Hoxha, Enver Berisha, Shaban Shabanaj, Isa Bajraktari, Gani Shala, Enver Elshani, Sabrije Spahiu, Jashar Berisha dhe Nexhmije Selca. Ato njihen për realizimin e produksioneve me sukses si: “Sokol & Mirusha”, “Halili & Hajria”, “Bolero”, “Legjenda mbi ngadhnjimin”, “Romeo and Juliet”, “Kënga e Rexhës”, “Besa”, “Don Quixote”, “Fyelltari”, “E bukura More”, etj.

Sot Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës drejtohet nga Kreshnik Musolli, i cili shërben si U.D. i Drejtorit të Baletit. Lindur në Prishtinë, Kreshnik Musolli ka përfunduar studimet në regji teatri në Fakultetin e Arteve në Prishtinë në vitin 2013. Karrierën e tij si balerin e filloi në vitin 2007 dhe ka realizuar shumë shfaqe me sukses me balerinët e talentuar të Trupës së Baletit. Në rolin e koreografit Musolli debutoi me shfaqen “Andërr” (2019) me balerinët Sead Buniqi, Sinan Kajtazi dhe Aulona Nuhiu në rolet kryesore. Në baletet e tij, koreografi Kreshnik Musolli shquhet për inovacion, përmbajtje të thellë imagjinare dhe ekspresivitet dramatik.

Identiteti kombëtar i baletit kosovar vazhdon të forcohet dhe prezantohet me dinjitet në mbarë botën nga trupa e baletit, falë përkushtimit dhe punës së balerinëve të përkryer të Baletit Kombëtar të Kosovës, përkatësisht: Aulonë Nuhiu, Abetare Hyseni, Behie Murtezi, Drilon Podrimçaku, Fatmir Smani, Fisnik Smani, Ilir Krasniqi, Jeta Musolli, Kreshnik Musolli, Liridon Mziu, Leonora Rexhepi, Luljeta Ademi, Muhamet Bikliqi, Marigonë Hoxha, Mimoza Bytyqi, Sinan Kajtazi, Nora Gashi, Sead Vuniqi, Vlora Prizreni, Teuta Krasniqi, Vjollca Lugiqi, Besarta Shaljani, Flakarta Qorri, Elmedina Berisha dhe Isa Beg Gjocaj.

Artistët e Baletit Kombëtar të Kosovës kanë krijuar dhe mishëruar personazhe fantastike në rolet e tyre interpretuese, duke krijuar një karakter masiv për imazhin e baletit dhe duke e pasuruar atë me forma dhe stile të reja. Ndër vite, balerinët kombëtarë të Kosovës kanë dhuruar performanca të jashtëzakonshme, që kanë mahnitur dhe entuziazmuar publikun. Trupa e Baletit Kombëtar është prezantuar jashtë Kosovës me këto shfaqe të suksesshme: “Dasma”, “Xhuljeta pa Romeon”, “Ngjyrat e Vallezimit”, “Një Legjendë për dashurinë”, “Newborn-SYN”, dhe “Recomposed”.

Me datën 3 Dhjetor 2020, e enjta, ora 16:00, do shfaqet në Teatrin Kombëtar të Kosovës premiera e dytë e shfaqes shumë të kërkuar “Sisters”, me koreografi nga i mirënjohuri Mehmet Balkan. Shfaqja i dedikohet ikonës legjedare dhe ‘babait” të Baletit Kombëtar, Ahmet Brahimaj.

Intervistë me Kreshnik Musollin, U.D. i Drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, Balerin dhe Koreograf

Çfarë do të thotë Skena e Teatrit Kombëtar për ju dhe për gjeneratën tuaj të balerinëve?

Kreshnik Musolli: Skena e Teatrit Kombëtar të Kosoves ka një domëthënie të madhe për ne si gjeneratë e re e Baletit Kombëtar të Kosovës. Aty jemi rritur që nga mosha e re kur kemi filluar të merremi me këtë lloj arti dhe qysh herët kemi pas fat të angazhohemi në shfaqjet e institucionit tonë. Ne ende jemi në pritje të ndërtimit të Teatrit të Operës dhe Baletit ku do të kemi “shtëpinë” tonë pasi që është vështirë të ushtrosh veprimtarinë në objekt të huaj. Poashtu problem për ne është hapësira shumë e vogël si në sallë ashtu edhe në skenë, gjë që ndikon direkt në performancën tonë si balerinë.

Cilat tre shfaqje të trupës së Baletit të Kosovës që kanë qenë më të vlerësuarat dhe pëlqyerat nga publiku?

Kreshnik Musolli: Në përgjithësi të gjitha shfaqjet e Baletit Kombëtar të Kosovës janë vlerësuar shumë si nga publiku vendor poashtu edhe në rajon e Europë në turne e festivale të ndryshme. Një nga shfaqjet më të pëlqyera por edhe më të reprizuara është shfaqja “Dasma” me koreografi nga Mehmet Balkan e cila është realizuar si premierë në vitin 2012 dhe është reprizuar deri në vitin 2017, diku më shumë se 38 herë.

Çfarë konsideroni si të arritura tuaja, me të cilat krenoheni në karrierën tuaj?

Kreshnik Musolli: Balerinët e BKK-së edhe pse në kushte tejet të tmerrshme të punës në sallën e ushtrimeve dhe provave që gjendet në bodrumin e Teatrit Kombëtar, nuk janë ndalur kurrë duke punuar me këmbëngulje e vendosmëri të madhe që të arrihen sukseset që i kemi arritur që nga ri-themelimi pas luftës. Që nga viti 2001 deri më tani janë punuar mbi 50 shfaqje premiera të ndryshme me koreograf nga më shumë se 21 vende të botës duke bërë kështu që institucioni jonë të njihet jo vetëm në vend e rajon por edhe në të gjithë botën. Kjo patjetër që është arritë falë ish-Drejtorit Ahmet Brahimaj i cili është njeriu më meritor për ri-themelimin e Baletit në Kosovë pas luftës.

Poashtu ai e rriti gjithë grupin e balerinëve sikur të ishin fëmijët e tij, të gjithë duke funksionuar si një familje e madhe, kompakte dhe e disiplinuar gjë që ka bërë që të instalohet në mendjen e secilit që vetëm me punë të pandalshme mund të arrihen sukeseset në karrierën tonë pasi që në këtë profesion është shumë e limituar koha që mund të jesh aktiv në skenë. Për fat të keq në muajin Maj të këtij viti Ahmet Brahimaj “Babai” i Baletit të Kosovës u nda nga jeta dhe ne si gjeneratë e re e kemi obligim që të vazhdojmë tutje atë që ai ka nisur duke mos u ndalur asnjëherë me punë e suksese që institucionin tonë ta ngrisim edhe më lart në çdo aspekt.

Së shpejti keni dhe premierën e re me 3 dhejtor, nën koreografinë e të mirënjohurit Mehmet Balkan. Mund të na tregoni për historinë e shfaqjes, dhe elementet që e përbëjnë?

Kreshnik Musolli: Me datën 3 Dhjetor do të kemi premierën e dytë për vitin 2020 me koreografi nga Mehmet Balkan nga Turqia i cili është një emër me renome botërore. Me të kemi filluar bashkëpunimin në vitin 2010 dhe është shfaqja e pestë që e realizojmë së bashku. Shfaqja titullohet “Sisters” dhe ka si temë dy motra të cilat dashurohen në personin e njëjtë dhe pastaj lindin situatat dramatike mes tyre me xhelozi e inate.

Është një shfaqje e jashtëzakonshme e baletit neoklasik me një muzikë të mrekullueshme të kompozuar nga Erim Ardal nga Turqia. Asistente e shfaqjes është Lale Balkan, Kostumet dhe Skenografia janë dizajnuar nga Tayfun Çebi dhe Video që shfaqet si skenografi virtuale në prapavi përmes projektorit nga Ahmet Şeren. Këtë herë është pak sfiduese puna e organizimit të premierës për shkak të pandemisë së COVID-19 ku masat e qeverisë janë që lejohet vetëm 30% e sallës të mbushet me publik, sepse zakonisht jemi detyruar që të fusim karrige shtesë në sallë për shkak të interesimit tejet të madh.

Sa e karakterizon qytetin tuaj arti i baletit apo arti në përgjithësi në lidhje me mbështetjen nga publiku apo instituiconet lokale? Dhe sa të ndërthurur keni qene në aktivitete jashtë Kosovës?

Kreshnik Musolli: Baleti si art është shumë i dashur për popullatën në Prishtinë e në Kosovë dhe interesimi është shumë i madh në çdo premierë e reprizë të shfaqjeve që kemi. Do të duhej të ishte një përkrahje edhe më e madhe nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për arsye që ne e kemi problem kyç objektin e Teatrit të Operës dhe Baletit, sepse siç e ceka edhe më lart është tejet sfidë e madhe të punohet në kushtet që i kemi momentalisht ku mungon hapësira e duhur, ajrosja e mjaftueshme e drita natyrale të cilat ndikojnë shumë negativisht çdo ditë në performancën dhe shëndetin e balerinëve.

Problem tjetër ose nevojë urgjente e jona është edhe Shkolla Kombëtare të Baletit që ende presim të themelohet. Vetëm përmes kësaj shkolle e cila do të jetë nën ombrellën dhe kontrollën e Baletit Kombëtar të Kosovës, mund të sigurohen e shkollohen gjeneratat e reja të cilat do ta vazhdojnë këtë art në Kosovë në mënyrë të mirëfilltë.

Sa i përket aktiviteteve jashtë vendit, kemi pas fat të marrim pjesë në shumë festivale e turne në shtetet e Ballkanit e Europës si: Shqipëri: Durrës, Tiranë, Vlorë, Elbasan; Maqedoni: Shkup, Tetovë, Manastir, Dibër, Ohër; Bullgari: Pravets, Sveti Vlas, Ruse; Zvicërr: Cyrih; Itali; Villapiana, Altomonte, Crotone, Napoli; Austri: Graz; Gjermani: Berlin, Hamburg; France: Paris; Finlandë: Tampere, Helsinki, Turku, Pori.

A mendoni se keni lënë gjurmë artistike?

Kreshnik Musolli: Padyshim që Baleti Kombëtar i Kosovës ka lënë gjurmë të rëndësishme në artin e kulturën e shtetit tonë duke treguar një nivel tejet të lartë teknik e artistik në secilën paraqitje si në vend ashtu edhe jashtë Kosovës. Shumë herë është emëruar si Institucioni më i suksesshëm kulturor në vend. Kjo është thënë edhe nga secili koreograf që kemi bashkëpunuar për këto vite, ku secili prej tyre ka punuar e punon në vendet më të zhvilluara me Kompani tejet të sukesshme të baletit dhe janë në gjendje të vlerësojnë këtë punë në mënyrën më të drejtë. / KultPlus.com

Alban Muja liston kriteret për shtatore: Shumica të punuara pas luftës duhet me u largu

Artisti Alban Muja nëpërmjet një postimi ka shprehur mendimin e tij për dy shtatoret që u zbuluan dje në Prizren, shkruan KultPlus.

Muja është shprehur se të tilla nuk na duhen dhe se shumica e shtatoreve nga periudha e pas luftës duhet të largohen e zëvendësohen bashkë me narracionet e tyre.

Në të njëjtën kohë, ai ka listuar edhe kriteret të cilat nevojiten të përmbushen para se të ngritet një shtatore.

KultPlus ua sjell të plotë shkrimin e Alban Mujës:

Nuk na duhen shtatoret te tilla, por edhe nese i bejm, ti bejm siç duhet. Shumica e shtatoreve te punuara pas luftes duhet me u largu dhe me u zevendesu, jo vetem shtatoret por edhe narracioni per to.

Keto jane vetem disa nga kriteret per ngritjen e nje shtatore/permendore :

1. Per zgjedhjen e nje shtatore/monumenti ne hapsire publike, duhet te kemi konkurs te hapur, transparent.

2. Nje komision apo juri vlersues. Per vendet e vogla si ne, mundesisht nderkombetare.

3. Se paku tre propozime nga ata autore qe njohin punen/anatomine.

4. Nese nuk kemi propozime te mira dhe te pershtateshme, hapet prap konkursi, kete rast nderkombetare patjeter, deri sa te jete se paku nje propozim i mire.

5. Propozimet duhet te jene anonim, pa emer, me nje xx shiher.

6. Propozimet behen me makete, skice dhe koncepte ide.

7. Propozimet duhet ti permbahet kushteve qe parapakisht shtrohen nga punedhenesi (komuna, qeveria, institucioni etj)

8. Pas zgjedhjes jep arsya se pse ka fitu propozimi nr.xx nga juria, komisioni.

9. Juria apo komisioni duhet te perfshij ne vete, artiste vizuel, arkitekte, historian, dizajner i ambientit, antropolog ect.

10. Mos te kete ndikmime poltike ne perzgjedhje, dhe asesi poltikan ne juri apo komision.

11. Duhet te behet studimi i hapsires/sheshit para vendosjes se nje permendorje.

12. Perzgjedhja duhet te jete ne pajtim me familjen e heroit dhe sidomos me banoret ku vendoset shtatorja/permendorja.

Jam i sigurt qe mund te kete edhe kushte apo kritere tjera, varsisht nga konkursi, por NUK kemi nevoj me zbulu asgje, vetem me marre shembull si veprohet ne vendet normale, pasi shtatoret apo permendoret ne hapsire publike, jane reflektim i shoqerise dhe i udheheqesve te saj. Mjaft qeshem, duhet intervenim i shpejt. / KultPlus.com

Fjalimi i Churchill në nderim të luftëtarëve shqiptarë

Gazeta franceze “La France” ka botuar, të premten e 5 nëntorit 1943, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me deklaratën e Winston Churchill-it për Shqipërinë dhe luftëtarët e saj, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Në përgjigje të një pyetjeje të parashtruar nga një deputet i Dhomës së Komunave, dje, z. Churchill mbajti një fjalim në shenjë nderimi për mijëra luftëtarë shqiptarë që luftojnë në male për lirinë dhe pavarësinë e vendit të tyre.

Nga përvoja e të gjitha vendeve të pushtuara, tha ai, ata kanë mësuar se pavarësia e pretenduar dhe e ofruar nga Gjermania është veçse një mashtrim. Disa javë më parë, pushtimi fashist, të cilin ata refuzuan ta pranojnë për katër vjet, u zëvendësua me atë gjerman. Gjermanët përdorën të gjitha metodat e tyre të zakonshme, me të cilat ata përpiqen të nënshtrojnë të gjithë popujt luftëtarë. Ata kanë bombarduar fshatrat shqiptare, kanë vrarë gra dhe fëmijë shqiptarë. Por luftëtarët shqiptarë vazhdojnë të ngacmojnë armikun dhe të sulmojnë linjat e tij të komunikimit.

Oficerët ndërlidhës britanikë që gjenden me luftëtarët u bëjnë një homazh të madh për cilësitë e tyre luftarake. Ne presim që shqiptarët të luajnë rolin e tyre në përputhje me traditat e tyre të lashta të luftës në ngjarjet e ardhshme ushtarake në zonën e Mesdheut.

“Politika e qeverisë britanike mbetet ashtu siç është përcaktuar nga Ministri i Punëve të Jashtme në deklaratën e tij të 18 dhjetorit 1942 : domethënë, ne duam ta shohim Shqipërinë të çliruar nga zgjedha e fuqive të Boshtit dhe të pavarur.

Sigurisht, çështja e kufijve do të shqyrtohet gjatë zgjidhjes së paqes.” / KultPlus.com

Format teatror që godet në muret e emancipimit shoqëror

Kritikë artistike për shfaqjen “Grua” nga dramaturgu Naser Shatrolli:

Gruaja si frymë, si zgjedhje, si ide, si vetje, do të ishte kolumne ditore që do të përdorej për plleshmëri në rajonin ballkanik ndërsa në rrafshin filozofik ajo nuk mund të ishte aroma e denjë që të marr frenjtë orientues.

Kështu e paraqet regjisorja Arlinda Morina gruan në një kontekst rajonal – brenda solucionit të gjeografisë shqiptare, në shfaqjen e saj me titull: ”GRUA” e shfaqur ditë më parë para publikut të Prishtinës.

Fryma teatrore do të ishte ambiguitet teatror gjersa sendërtohet një frymë trilleri skenik që përkon me një mendësi kulturore mes teatrit modern dhe filmit bashkëkohor, që duan të përflasin njëri për tjetrin, për njëri-tjetrin.

Duo-aktoret e shfaqjes, ishin brenda logjikës së kërkesave regjisoriale sikundër që regjisura e Morinës shpërfaq dinamika ideomizanskenike, që përkojnë në drejtimin e fiksionit të një teatri absurd në relata me gruan, si domen jetik në shfaqje, e cila ka nevojë të shpërfaq botërisht qëllimin e saj, dëshirat, sikundër që, të shprehurat e saj të kenë veshë për radion popullore.

Shfaqja e meritonte vëmendjen, aktoret krijojnë afërsi, harmoni, dashuri, mundësi për të jetuar me emocionin dhe përjetimet që krijohen në përecuri.

Producentja e shfaqjes znj. Arbnesha Grabovci Nixha është emër i përveçëm i kulturës vendore – është aktore e brezit të parë, pedagoge e mjeshtrisë aktoriale dhe mbështetëse reale e kulturës teatrore.

Ajo ka bërë punë të kuruar në relacion me kërkesat e shfaqjes, sikundër që, Qëndresë Lokaj dhe Minka Berisha, dy aktore që kanë reputacionin skenik ndër vite i dhanë eho teatrore rrjedhës skenike në shfaqje.

Pjesa tjetër e shfaqjes, muzika e krijuar nga Ersan Jonuzi, pastaj, kostumografia që ka formën dhe formulën e emrit, tashmë, i botëruar si: Zake Prelvukaj.

Ndërkohë, drama ishte e motivuar dhe mbështetur në idenë e dramës ‘’ARA’’ të Arbëreshit italian, Mario Caliva.

Asistenti shfaqjes ishte Butrint Lumi, një emër që po vjen. / KultPlus.com

Në pyje vjeshta ndezi zjarre

Poezi nga Xhevahir Spahiu

Në pyje vjeshta ndezi zjarre
në zemër zjarr më ndeze ti;
po diç gjëmoi lart në male
dhe nga gjëmimi rrodhi shi.

Dhe fryu një erë e dimri i bardhë
i shtriu krahët gjer tek ne;
u drodhën drurët, gjethet ranë
si copëra flakësh mbi xhade.

Të dy mbështetur pas një reje
Të dy, dy sy në gjithësi;
unë bie, ngrihem brenda teje
e brenda meje digjesh ti.

Sa vjen, dëbon vetminë e plogët
sa shkon, vetmia flet përçart;
për ne s’do thonë arkeologët
statuja që nuk patën fat.

Në pyje vjeshta ndezi zjarre
lejlekët nisi s’di se ku;
mbi hi do fryjë erë e marrë
kur të mos mbetet asnjë / KultPlus.com

Edhe dy shtatore të shëmtuara në Kosovë

Kritikë për shtatoren e Skënderbeut dhe Adem Jasharit që u ngritën dje në Prizren nga kritiku i artit, Ilir Muharremi

Skulptura është art tredimensional, art që i sfidon kohës, që varet nga koha, përkufizohet nga koha, vlersohet nga koha. Është art publik, veçanërisht kur bëhet fjalë për shtatoret të cilat monumentojnë një figurë të shquar, ngjarje historike, hero të kombit, për të cilën opinioni i sotëm, dhe ai në ardhje duhet të jap konkluzion estetik përfaqësues të biografisë dhe meritave të dhëna nga ajo figurë, pra duhet ta rikoujtoj sakt mbas anatomisë, gjestit, karakterit origjinal, pavarësisht se është art, por është art publik shtatorja. Pastaj, shtatorja kur punohet mendohet qëndrueshmëria e saj ndaj mëngjesit, përplasja e rrezeve të diellit, shfaqja e hijeve që shpesh herë mjegullon gjymtyrët dhe vijat e krijuara nga skulptorit, pastaj pasditja, kohët me shi, muzgu dhe mbrëmja.

Vëzhgimi optik, me të cilin lidhet ngushtë hapësira se ku vendoset shtatorja, distanca e të vëzhguarit, bazamenti, lartësia, arkitektura përreth e të gjitha këto ndikojnë në origjinalitetin estetik dhe te shfaqjes së karakterit mbas udhëzimeve të fotografive ose gojëdhanave. Duke e modeluar dhe strukturuar me kujdes dhe saktësi formën, dukë i dhënë jetë, frymë skulpturës. Pra, skulptorët të cilët krijuan dy shtatore atë të legjendarit Adem Jasharit dhe heroit tonë më të madh Gjergj Kastriotit- Skënderbeut që u zbuluan dje në qytetin e Prizrenit nuk ofruan as minimumin e artit të saktë të skulpturës, por dhanë paqartësi, deformime anatomike, i fyen figurat tona të shquara sepse pamja e jashtme e skulpturës jep shumë rëndësi, janë të turpshme vizualisht dhe të shëmtuara artistikisht.

Shtatorja e Skënderbeut, tregon një pasaktësi propocionale anatomike me deformime serioze. Koka është shumë e gjatë, gjatësia e qafes e tejkalon çdo matje proporcionale të trupit dhe hollësia e saj. Pastaj, skulptori fokusohet te mjekra e cila aspak nuk është e natyrshme dhe nuk i ngjanë mjekrës së Skënderbeut. Trupi i tij hollak më shumë nxjer atë anën komike se sa luftarake dhe nuk e di se ku qe qëllimi i skulptorit. Në portale del emri i autorit të kësaj skupture që është Sinan Alija.

Ndërsa, shtatorja e komandatit legjendar Adem Jashari që po ashtu u zbulua në Prizren, emri i skulptorit nuk dihet, është krijuar nga një fotografi e Jasharit. Përmasat devijojnë, sidomos krahërori shumë i gjërë, duart e shkurtërat të holla me shuplaka të vogla. Si duket skulptori mendon qe veç mjekra dhe një pal dylbi e identifikojnë imazhin real të Jasharit. Ndonëse, dhe karakteri devijonë plotësisht, prapa syve nuk mund të vërejme shpirtin e Ademit. As një gjest, as një lëvizje nuk është e Ademit. Figura ngjanë më shumë me ato lodra të Llegos.

Deri kur më të fyhen heronjtë shqiptar me shtatore të dobëta. Nuk e dijë a është e qëllimshme kjo fyerje apo përse duhet të bëhet? Duhet sa më parë të rrënohen këto shtatore, të ngritën ato siç i ka hije heronjve shqiptar. Njëherë e masakruan serbët, tash po e masakrojmë vet ne me anë të artit. / KultPlus.com

Ujëvara e Niagarës në Kanada ndriçohet kuq e zi

“Ujëvara e Niagarës, simboli i Kanadasë, i njohur në mbarë botën u ndriçua kuq e zi, me ngjyrat e Flamurit Kombëtar mbrëmjen e 28 nëntorit, në nderim dhe respekt të 108-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë si edhe Muajit të Trashëgimisë Shqiptare në Ontario”.

Kështu u shpreh sot ambasadori i Shqipërisë në Kanada, Ermal Muça, ndërsa ndau pamjet spektakolare të Ujëvarës së Niagarës veshur kuqezi.

Ambasadori shprehu mirënjohjen e sinqertë për autoritetet përkatëse kanadeze për bashkëpunimin dhe gjestin fisnik”.

“Gëzuar Pavarësinë Shqipëri!”, u shpreh ambasadori Muça.

Ditën e djeshme, një urim i veçantë për Shqipërinë dhe shqiptarët në 108-vjetorin e Pavarësisë ka ardhur nga Dubai i Emirateve të Bashkuara Arabe, ku ndërtesa më e lartë në botë, Burj Khalifa është veshur kuqezi për nder të Ditës së Flamurit. /dp/ KultPlus.com

Vepra e autores italiane, Elena Ferrante përkthehet në shqip

Raftave të lexuesve shqiptarë tanimë iu është shtuar edhe një vepër. “Jeta e gënjeshtër e të rriturve” nga Elena Ferrante përkthehet në shqip nga Agim Doksani, shkruan KultPlus.

Shkrimtarja italiane është romanciere e njohur dhe e përkthyer në shumë gjuhë të botës. Madje revista “Time” e ka vlerësuar në vitin 2016 Ferrante si njërën nga 100 njerëzit më me ndikim.

Fatmirësisht, vepra e saj tanimë mund të lexohet edhe në shqip falë përkthimit të Agim Doksanit. Tematika e këtij romani shtjellohet në Napoli, nga vendi ku autorja edhe ka krijuar personazhet që me kalimin e kohës nxjerr prej tyre mashtrimin dhe vetëmashtrimin që përdorin për të përligjur veprimet e veta.

Personazhi kryesor i veprës “Jeta e gënjeshtër e të rriturve” është Xhovana, një vajzë adoloshente. Në libër përshkruhet transformimi i saj fizik, gjegjësisht kalimi i fytyrës së bukur fëmijërore në një pamje të një adoloshenteje krejtësisht ndryshe. Ajo kërkon pasqyrimin e saj në dy faqe të një qyteti që e kanë frikë dhe e urrejnë njëra-tjetrën: Napoli i sipërm, i veshur me një maskë elegance dhe Napoli i poshtëm, vendi i vulgaritetit.

Dashuria është një ndër tematikat e përmendura në libër, e cila shpesh di të ngatërrohet me marrëdheniet intime, me ç’rast personazhet humbasin aftësinë e gjykimit.

Me mjeshtërinë e lapsit të saj, Ferrante vë përballë njëra-tjetrës klasin dhe vlerën, fenë dhe besimin, besnikërinë dhe sekretet, seksualitetin dhe virgjërinë si mënyra për të humbur dhe për të fituar pushtet. / KultPlus.com

15 vjet isopolifonia shqiptare në listën e UNESCO-s

Presidenti i Republikës Ilir Meta mori pjesë dhe përshëndeti veprimtarinë artistiko-kulturore që u mbajt në Muzeun Etnografik të Vlorës, në 15-vjetorin e përfshirjes së isopolifonisë shqiptare në listën e “Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit”, të mbrojtura nga UNESCO-ja.

Gjatë fjalës së tij Meta tha se “gjuha, kënga polifonike dhe identiteti i shqiptarit kanë qenë dhe do të jenë përherë një e të pandara”.

Presidenti Meta uroi veçanërisht korifejtë shqiptarë të polifonisë, ata që “në rolet e ‘Marrësit’, ‘Prerësit’, ‘Hedhësit’ dhe ‘Isos’ së kësaj kënge, kanë mbajtur gjallë dhe transmetuar këtë traditë të shquar kombëtare, brez pas brezi.”

Duke përshëndetur kontributin e grupeve krijuese, bartësve, interpretuesve, rapsodëve, muzikologëve, studiuesve dhe artistëve të folklorit e kulturës popullore, Presidenti theksoi se ky akt vlerësimi i UNESCO-s reflekton shkallën e lartë të cilësisë së trashëgimisë sonë shpirtërore kombëtare, identitetin e spikatur kulturor dhe talentin e bartur në vite të genit shqiptar. Gjuha, kënga polifonike dhe identiteti i shqiptarit kanë qenë dhe do të jenë përherë një e të pandarë!”

Në fjalën përshëndetëse, Presidenti Meta u shpreh se “Në këtë ditë të shenjtë të ngritjes së Flamurit tonë Kombëtar këtu në Vlorë ndihem dyfish i gëzuar, sepse krahas nderimit të veprës së lavdishme të firmëtarëve të Pavarësisë me në krye Ismail Bej Vlorën, po përkujtojmë sot edhe një arritje të shënuar të kulturës sonë shpirtërore dhe kombëtare si komb: 15-vjetorin e përfshirjes së isopolifonisë shqiptare në listën e ‘Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit’, të mbrojtura nga UNESCO-ja”.

“Ku tjetër më bukur se sa në Vlorë dhe kur më shumë se sa sot, pikërisht këtu në djepin e lirisë dhe të polifonisë, në këtë qytet të ndërtuar mbi atdhedashurinë, midis valëve të detit dhe maleve të Çikës, do të mund ta festonim këtë përvjetor të shquar! Shqiptarët nuk e ndanë kurrë këngën nga pushka apo flamurin kombëtar nga gjuha dhe eposi etno-kulturor! E meritojnë gjigandi Lefter Çipa dhe të gjithë korifenjtë e polifonisë këtë nder dhe kënaqësi për gjithçka që kanë bërë për atdheun, për flamurin, për shpirtin kulturor të kombit dhe lartësimin deri në UNESCO të polifonisë shqiptare”, u shpreh Meta.

Presidenti solli në vëmendje se data 25 nëntor e vitit 2005 është dhe do të mbetet një datë historike për kulturën shpirtërore të popullit shqiptar.

Në atë ditë, 15 vite më parë, nga selia qendrore e UNESCO-s në Paris, Drejtor i saj i Përgjithshëm kumtoi për të gjithë botën se dukuria e ‘Polifonisë me iso’ e Shqipërisë futet në listën e ‘Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit’ të mbrojtura nga UNESCO-ja.

Juria ndërkombëtare e mbledhur në Paris nga data 21-24 nëntor 2005, e përzgjodhi polifoninë tonë për t’u përfshirë në listën ‘Kryevepër e njerëzimit’ midis 60 kandidaturave të propozuara  nga shtete të ndryshme në çdo anë të botës.

Presidenti theksoi se, “Polifonia, gjuha shqipe dhe shqiptaria janë një. Ajo lindi nga vajtimi dhe u bë këngë përmes muzikalitetit të gjuhës sonë të bukur, për të cilën populli nuk thotë ‘e lexoi’, por ‘e këndoi’, sepse kënga ruajti edhe gjuhën. Kjo traditë madhështore e shoqëron shqiptarin nga lindja në vdekje dhe i ka dhënë kuptim këtij udhëtimi njerëzor, në çdo kohë e nën çdo sistem”.

“Se çfarë përfaqëson polifonia më lejoni sot të citoj përsëri ikonën e saj Lefter Çipën, i cili na mblodhi sot në këtë takim të paharruar: ‘Polifonia shqiptare, njëkohësisht është këngë klasike, këngë perëndie, për ta parë, për ta dëgjuar, për ta puthur, për ta dashuruar. Por duhet patur kujdes me dashurinë e saj. Duhet ta duash me gjithë shpirt, të të hyjë në gjak e deje. Polifonia është shpirti i ditës, dhe zëri i natës, është bota shpirtërore e shqiptarit. Aty ku dëgjohen zërat e polifonisë, të bën të besosh se aty ka zot.”- u shpreh gjatë fjalës së tij Meta.

Ndërsa theksoi se “sot kujtojmë, nderojmë dhe do të vlerësojmë të gjithë ata korifej të këngës, me emra të përveçëm e që njihen nga të gjithë, të cilët në rolet e ndryshme, sepse polifonia është ekip, kanë mbajtur gjallë dhe transmetuar gjithë këtë traditë të madhe”.

Meta tha se “Presidenca ka dekoruar me tituj nderi disa prej artistëve të folklorit të spikatur të vendit, sot jemi mbledhur të vlerësojmë disa të tjerë të shquar prej qarkut të Vlorës, në të ardhmen do të rikthehemi sërish këtu, por edhe në treva të tjera, si dhe do të shkojmë në të tjera treva për të vendosur në piedestal të tjerë artistë me emër të këngës polifonike dhe folklorit në përgjithësi”.

Ai tha se, një nderim të veçantë e kam edhe për studiuesit, muzikologët dhe folkloristët e mëdhenj si Prof. Ramadan Sokoli, Prof. Benjamin Kruta,  Prof. Spiro Shetuni,  Prof. Afërdita Onuzi, Prof. Vaso Tole, Prof. Piro Miso e shumë të tjerë si dhe për të gjitha ato institucione studimore, të cilët e vendosën polifoninë shqiptare në shtratin e një strukture vlerash të mirë studiuara shkencërisht.

Por sot është dita që të kujtojmë dhe vlerësojmë me nderim edhe të gjithë ata këngëtarë e këngëtare popullore anonimë, ‘të heshtur’, të cilët nuk kanë emër pasi njihen thjesht me emrin ‘kori i isos’, ose ata që ‘ia mbushin këngës’ apo siç thonë ‘që bëjnë eee’.

Presidenti nderoi me Titullin “Mjeshtër i Madh” këngëtarët dhe valltarët e talentuar Arap Çeloleskaj dhe Taip Madani (pas vdekjes); zoti Sejmen Gjokoli, zonja Katina Mërkuri, zotit Hysen Ruka, zoti Rrahman Nuredini; zoti Syrja Hodo, zonja Fatbardha Brahimaj, zoti Abdyl Lizaj dhe zoti Berdo Berdaj për kontributet e paçmueshme në interpretimin, ruajtjen, transmetimin dhe popullarizimin e vlerave të polifonisë me iso, në festivalet folklorike nëpër skenat kombëtare dhe ndërkombëtare.

Me Dekoratën “Nder i Kombit” Kreu i Shtetit çmoi poetin e shquar Lefter Çipa në vlerësim të rolit të tij brilant si krijues, rapsod, mbartës dhe interpretues i perlave të këngëve polifonike shqiptare tradicionale dhe bashkëkohore duke e quajtur: “Poet të talentuar me frymëzim thellësisht kombëtar dhe me vargje të shtrydhura nga dallgët e detit dhe të përshkuara nga dashuria për dheun e mëmëdheut dhe frymëzues i përjetshëm i bukurisë së jetës dhe shpirtit njerëzor, eposit historik dhe vlerave morale, identitetit dhe ndjenjës kombëtare”.

Zotit Dhimitër Varfi iu akordua Titulli “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” për talentin artistik, interpretimin e spikatur dhe zërin e veçantë prej tenori, si dhe rolin unik në mbajtjen gjallë, kultivimin dhe përsosmërinë e këngës himarjote.

Ndërsa me “Titullin Naim Frashëri” Presidenti Meta çmoi zotin Sinan Gjoleka dhe zoti Dule Beqir Gjoka për kontributet e tyre vyera si këngëtarë, valltarë dhe instrumentistë popullor të shquar të Labërisë. /ata/ KultPlus.com

SBASHK: Në kalendarin e Ministrisë e hëna është pushim dhe nxënësit nuk humbin asgjë

Qeveria e Kosovës tha të premten se ditën e hënë do të punohet dhe nuk do të pushohet për shkak të festës së 28 nëntorit. Por SBASHK’u thotë se e hëna do të jetë ditë pushimi për shkollat.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës e Kulturës së Kosovës, Rrahman Jasharaj, thotë se ata ‘nuk po kundërshtojnë askënd’ por se po zbatojnë kalendarin e Ministrisë së Arsimit’.

“Të premten mësimdhënësit në orët  para kanë folur për festën e Flamurit dhe datëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari dhe u kemi thënë nxënësve se e hëna është ditë pushimi”, tha Jasharaj.

“Deklarata e kryeministrit se të hënën do të punohet për t’u solidarizuar me punëtorët shëndetësorë dhe policinë ka ngjallur huti dhe ne kemi dal publikisht dhe jemi përgjigjur duke u thirrur në kalendarin e Ministrisë së Arsimit ku e hëna është ditë pushimi në shenjë respekti për Ditën e Flamurit”, shpjegoi ai për RTV Dukagjini.

“Ne nuk jemi kundër nëse Parlamenti i Kosovës do ta ndryshojë ligjin”, shtoi ai.

Sipas Jasharit nxënësit nuk do t humbin asgjë dhe se mësimit do i kthehen të martën.

“Në kalendarin e Ministrisë e hëna është pushim dhe nxënësit nuk humbin asgjë”, tha Jasharaj. /gazetaexpress/ KultPlus.com

Të veçuar, por të pandarë, Arbëreshët në Vlorë më 28 nëntor 1912

Në ngritjen e Flamurit në Vlorë, më 28 Nëntor 1912, ishte i pranishëm edhe Komitetit Italo-Shqiptar, Arbëreshët. Mëvetësimi i Shqipërisë është pritur gjatë prej arbëreshëve, të cilët e kanë mbështetur në të gjitha format e mundshme këtë proces. Në foton e mëposhtme të publikuar para nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, dokumentohet prania e tyre fizike në këtë datë të shënuar.

Janë 9 personalitete arbëreshe që morën pjesë në Shpalljen e Pavarësisë, të rreshtuar në foto sipas këtij rendi: (më këmbë, nga e majta) Luigi Chimisso, Salvatore Stratico, Attilio Belluscio, Pierino Maurea, (ulur, nga e majta) Gerardo Conforti, Culielmo Ciarla, Francesco Mauro, Francesco Chinigo, Pasquale Dorsa.

Fotoja e botuar në faqen zyrtare të DPA, shoqërohet edhe me një shënim, ku të gjithë arbëreshët e cituar më sipër cilësohen si Komiteti Italo-Shqiptar: “Pas vdekjes së Gjerk Kastriotit-Skënderbeut, shumë prej arbërorëve u larguan për në Italinë e Jugut, për të mbrojtur veten, familjen dhe traditat. Pas lanë shpirtin dhe pasurinë, por nuk harruan atdheun. Më 28 nëntor 1912, kur në Vlorë shpallej mëvetësia e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, një grup italo-arbëresh marrin pjesë në ngritjen e flamurit”./ KultPlus.com

Ahmeti: S’do ta lejojmë shtatoren e Fadil Vokrrit nese do të duket si maketa

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti konsideron se duhet të fillojë një etapë e re e shtatoreve, me porosi e jo me karikatura.

Ai ka thënë se nëse shtatorja e legjendës së futbollit Fadil Vokrri është e njëjta me maketën e prezantuar më herët, nuk do ta lejojë vendosjen e saj.

Madje, Ahmeti ka thënë se shtatorja e ish- presidentit Bill Clinton është për të qeshur.

Shkrimi i tij i plotë në Facebook:

Sot jam edhe më i bindur. Në qoftë se shtatorja e Fadil Vokrrit është e njejta me maketën e prezantuar më herët, ku lidhje me Fadilin ska, nuk do ta lejojmë vendosjen. Shtatorja e Bill Clinton tashmë është landmark, me bo fotografi për të qeshur. Nashta duhet me e lënë këtë punën e shtatoreve. Na ka mbet ajo e Komandantit Adem Jashari për të cilën jemi dakorduar me familjen Jashari që në Prishtinë duhet të jetë ndryshe. Ndoshta me të fillon etapë e re e shtatoreve, me porosi e jo me karikatura. Urime dita e flamurit!/ KultPlus.com

Reagon Istrefi për shtatoret në Prizren: Përmendoret e shëmtuara të dërgohen në muze, do të kenë vlerë historike në të ardhmen

Shtatorja e Skënderbeut dhe ajo e Adem Jasharit të vendosura gjatë ditës së sotme në qytetin Prizrenit kanë ngjallur reagime të shumta tek qytetarët e vendit dhe shumë nga figurat publike. Në rrjetet sociale ka shpërthyer një diskutim mbi faktin se sa tallëse janë këto dy shtatore me dy nga figurat qendrore të historisë tonë, shkruan KultPlus.

Një nga personat që ka reaguar është edhe aktori Shkumbin Istrefi. Ai nëpërmjet një postimi në Facebook ka thënë se përmendoret e shëmtuara duhet të ruhen në muze sepse do të kenë vlerë historike në të ardhmen. Sipas tij këto përmendore do të reflektojnë nivelin që shoqëria jonë e ka konsideruar vlerë artistike.

“Permendoret e shemtuara duhet te hiqen prej shesheve dhe te dergohen ne muze. Te ruhen. Nuk kane vlere artistike, por do te kene vlere historike ne te ardhmen. Do te reflektojne nivelin qe shoqeria jone e ka konsideruar si vlere artistike. Ndoshta dikur do te konsiderohet edhe si stil, kurre s’i dihet”, ka shkruar Istrefi./ KultPlus.com

Publicisti Asdren Rrahmani i bënë thirrje diasporës për të mbledhur fonde për restaurimin e Kullës së Jasharajve

Gjendja e kullës së Jasharajve që nga paslufta ka shkuar drejt një degradimi ditë pas dite. Ndonëse kanë kaluar njëzet e një vite pas përfundimit të luftës, kjo kullë ka qëndruar në këmbë pa ndonjë përkujdesje, mirëpo ajo edhe rrezikon të shembet, shkruan KultPlus.

E për këtë ka filluar edhe një iniciativë për mbledhjen e mjeteve për restaurimin e kësaj kulle. Në një postim të bërë në rrjetin social Facebook publicisti, Asdren Rrahmani ka bërë një thirrje publike për formimin e një fondi ku do të mblidheshin mjetet për restaurimin e kullës së komandantit Adem Jashari. Ai në postim ka theksuar se për këtë ide është intriguar nga miku i tij Shahin Sallahu.

“Miku im Shahin Sallahu më intrigoi me një ide. Vlenë për diasporën! Çka mendoni sikur te formonim një fond ku sipas mundësive tona do të kontribonim në mbledhjen e mjeteve për restaurimin e Momumentit të Adem Jasharit? (Shtëpisë e cila në saje të neglizhencës së shtetit qe 20 vite gati se është duke u rrënuar)! Ju lutem që të komentoni, dilni me ide dhe sugjerimet e juaja! Ju falemnderës!”, ka shkruar Rrahmani.

Pothuajse të gjitha komentet e bëra në statusin e publicistit kanë qenë pozitive. Shumica e komentuesve janë pajtuar me idenë e madje kanë propozuar që për restaurimin të kontraktohet një kompani ndërkombëtare. Kurse mbikëqyrja e fondeve të bëhet nga përfaqësues të diasporës.

Më poshtë ju sjellim disa nga komentet:

“Le te behet projekti ideor perfundimtar, shuma e kerkuar fikse, dhe pastaj te hapet fondi qe do ishte publik dhe i hapur dhe te mbyllet me nje her pasi te permbushet shuma e kerkuar, dhe ta perfundoj menjeher veprimtarin e vet ajo gjirollogari. Kjo te behej per hir te transparence, perndryshe ideja mese e qelluar.”

“Kesaj ideje duhet shtuar edhe idene qe Diaspora te perzgjedh ekspertet qe do realizonin restaurimin. Besoj qe nese hapni xhirollogari ne Kosove do te kishte kontributore edhe nga brenda.”

“ide Fantastike … e kishim bo Fondin … edhe e kishim Menaxhu Vete Konkursin e Restaurimit edhe Punimeve në mënyrë tNdershme, 100% Transparente por edhe Maksimalisht me profesionalizëm … krejt çka Na duhet është veq Pëlqimi i Familjes Jashari … sen Shteti i Deshtimit 20 Vjeqare tu Kosoves sna vyen !”./KultPlus.com

Flamuri me të cilin u varros Ismail Qemali

Identifikimi i një objekti me kaq rëndësi për kombin shqiptar,  nuk është një ngjarje e zakonshme. Ajo meriton një vëmendje të veçantë për nga rëndësia dhe unikaliteti që ajo mbart në vetvete.

Më datë 2 dhjetor 2011 u zbulua në fondin etnografik të Qendrës së Studimeve Albanologjike flamuri me të cilin u varros Ismail Qemali! Është një ngjarje që nuk mund të komentohet! Vetëm heshtja shpreh nderimin më madhështor për gjithçka.

Ismail Qemali vdiq në Peruxhia, në hotelin “Brufani” më 26 janar të vitit 1919, (bazuar në Fjalorin enciklopedik shqiptar). Në darkën e  10  shkurtit 1919 luftanija italiane “Alpino” solli në Skelë të Vlorës arkivolin me trupin e pa jetë  të njeriut të madh.

Në atë kohë Vlora ndodhej nën pushtimin italian. U vendos që Ismail Qemali të varrosej në Kaninë, në varrezën familiare të familjes Vlora, me që në qytet nuk kishte mundësi urbanistike. Komanda italiane,  që ia kishte frikën rebelimit, urdhëroi që në ceremoni të mos përdorej asnjë flamur shqiptar. Kjo ishte poshtëruese për ndjenjat e një populli, patriotizmi i të cilit mbushte  grykën e pushkës.

Këshilli bashkiak i Vlorës këmbënguli në përdorimin e simbolit shqiptar. Komanda italiane e kuptoi mirë ultimatumin atdhetar dhe lejoi që gjatë ceremonisë arkivoli të mbulohej me flamurin shqiptar.

Dhe ashtu  u bë. Arkivoli u mbulua me flamurin e kuq me shqiponjën e zezë. Në se flamuri është një simbol kombëtar,  atëherë i gjithë kombi u nder mbi njeriun që e ngriti kombin në përjetësi. Ishte një prekje, një përkëdhelje, një shtrëngim në gjoks, jo, më tepër, në shpirt. Këtë  flamur ia kishte dhuruar Ismail Qemalit duka i Monpasiesë në mars të vitit 1913, kur ai bëri një vizitë në Vlorë.

Në ato ditë flamurin e mbante me vete djali i madh i Ismail Qemalit, Et’hem Bej Vlora.

Ceremonia e varrimit u bë me 12 shkurt 1919. Ishte e mërkurë. U mbajtën dy fjalime mbresëlënëse  nga Jani Minga dhe nga Qazim Kokoshi. Mbas heshtjes u ekzekutua hymni mbretëror italian. Pastaj kortezhi i gjatë u nis për në Kaninë. Ishte ora 10:00. Karroca ku ndodhej arkivoli tërhiqej nga gjashtë kuaj. Anash ecnin me ngadalë dy rreshta ushtarësh. Banda ushtarake ekzekutonte melodinë e përmortshme “Jone” të kompozitorit italian Petrella.

Kortezhi prihej nga dymbëdhjetë kurora që mbaheshin nga “Djelmoshat e Vlorës”, të shoqërisë me po këtë emër.  Kurorat ishin gjithë lule, nderim dhe dashuri nga populli i Vlorës, nga shkollat, nga shoqëria “Djelmoshat e Vlorës” dhe nga gazeta “Kuvendi”. Mbas këtyre vinte “Shoqëria djaloshare”. Pastaj ecte banda ushtarake qe luante marshin funebër. Mbas bandës ushtarake ishin ushtarët e regjimentit 86 dhe reparti i mitralierëve italianë. Mbas këtyre ecte karroca me arkivolin e mbuluar me flamurin e kuq dhe shqiponjën e zezë, e nderuar dhe e ruajtur nga dy rreshta ushtarësh.

Mbas karrocës ecte grupi i hoxhallarëve dhe mbas tyre të tre djemt e Ismail Qemalit. Pastaj gjenerali Settimo Pacentini, kundëradmirali Lrubetti, autoritet ushtarake dhe civile të krahinës, paria e qytetit dhe e qarkut, qytetarët, nxënësit e shkollave dhe në fund ushtarët e kavalerisë.

Përpara varrimit flamurin e morën djemtë e Ismail Qemalit, flamur të cilin e përdorën përsëri në rivarrimin e tij në “Sheshin e Flamurit” me 28 nëntor 1932. Mbas kësaj Et’hem Bej Vlora e dhuroi flamurin për Muzeun Kombëtar.

Në Arkivin e Shtetit ruhen disa dokumente që vërtetojnë ngjarjen. Po i paraqesim:

Dokumenti: AQSH, fondi 195, viti 1933, dosja 173.

“MBRETNIJA SHQIPTQRE

PREFEKTURA MBRETNORE

VLONЁ

Nr. 172

Vlonë me 21. Kallnuer. 1933

P.T.

Ministris Arsimit

Tiranë

Këtu ngjitun kemi nderin me ju paraqit process-verbalin e mbajtun me rastin e marrjes në dorëzim të Flamurit që asht ngritun për të parën herë në Vlonë, prej Patriotit Ismail Qemalit.

Gjithashtu në pako të veҫantë dhe po me këtë shkresë dërgohet edhe Flamuri në fjalë.

Shtojmë se me gjithëse  Z. Etéhem Vlora pretendon se ky Flamur asht ngritur për të parën herë në ndërtesën Qeveritare më dorën Atit tij, por nga sa kemi hetue ky Flamur asht ngritur me të vërtet me 28 Nanduer 1912, por jo në ndërtesën Qeveritare,  por në Zyren e doganave në Vlonë.

Lutemi me na njoftue marrjen në dorëzim.

Prefekti

  1. Nepravishta”

Shkruar me dorë:

“T’i dërgohet ky

flamur Bibliotekës”

Nën këtë shënim, është një tjetër, që konfirmon marrjen e flamurit në dorëzim:

“asht këtu në bibliotekën t’onë”

28/10/33

Vijojnë disa vula dhe firma dhe në fund:

“Marrë në dorëim me 29-X-933”.

Po paraqesim edhe proces-verbalin shoqërues:

“PROCES-VERBAL

Sot më 28 Nanduer 1932, ditën e Hënë, me rastin e transferimit të eshtravet të shénjtorit të Kombit të ndjerit Ismail Qemalit nga Kanina në Pemendoren kujtimore të ngrehun prej N.M. Tij Mbretit dhe në pranie të Përfaqesuesit té N.M.Tij Mbretit Shkelqësis sé tij Gjeneral Leon De Gjilardi dhe té shkelqesave të tyne Z.Z. Hil Mosi, Ministër i Arsimit, Milto Tutulani, Ministër i Drejtësisë dhe të Prefektit të Vlonës  Z. Abedin Nepravishta, Zoti Ethem Bej Vlora, i biri  i të ndjerit Ismail Qemal për kujtim Kombëtar i dorëzoj Prefektit të Vlonës Flamurin Kombëtar të cilin më 28 Nanduer 1912 ati i tij Eroj i Kombit i ndjeri Ismail Qemal e ngriti në qytetin e Vlonës tue prokllamuar indinpendencën e Shqipnisë pas shumë shekujsh rrobnije.

Këtë Flamur të shenjtë Prefekti i Vlonës ja dorëzoj Ministrit të Arsimit Shk. tij Z. Hil Mosi për ta depozituar në Muzeun Kombëtar në Tirané.

Për sa ma naltë u redaktua ky Proces-Verbal i mbajtun në katër kopje dhe i nënshkruem prej të gjithëve qe përmenden ma sipër.

Nga shkresa e mëposhtme, e firmosur nga vetë ministri i arsimit Mirash Ivanaj, vërtetohet se flamuri i u dorëzua Muzeut Kombëtar. E citojmë:

Dokumenti: AQSH, fondi 195, viti 1933, dosja 173.

“ MINISTRI E ARSIMIT

Nr. Prot. 1208. Dërgohet Flamuri Komtar i ngrehun për herë të parë në Vlonë.

Drejtoris së Muzeut Komtar, Tiranë

Këtu ngjitun i dërgojmë asajë Drejtorije kopjen e process-verbalit të mbajtun me 28 Nanduer 1932 mbi flamurin komtar qi asht ngreh për herë të parë nga i ndjeri Ismail Qemali në Vlonë.

Për njiherit me këto shkresa ju dërgojmë dhe kët flamur historik për t’a ruejtun me kujdes në muzeun komtar.

Ministr’i Arsimit, Mirash Ivanaj (firma)

Nisur me 6/XI/1933”

Kështu, në bazë të këtij dokumenti, Shqipëria u bë me flamur kombëtar. Por kjo nuk ishte e vërtetë. E vërtetojnë mohimet që i u bënë faktit të servirur nga dëshmitarët e atyre ngjarjeve, që detyruan autoritetet e kohës të bënin verifikime të shumta, për të sqaruar të vërtetën. Mirëpo patriotizmi vulosi mendimin. Për shumë kohë u besua se flamuri i pavarësisë ndodhej i ruajtur në Muzeun Kombëtar. U desh kohë që ngatarresa të shpështillej, por kjo është ҫështje që nuk lidhet me këtë shkrim, aq më tepër që është sqaruar.

Vijojmë të paraqesim dokumente të tjerë që shkojnë më pranë të vërtetës.

“M.A.

Nri 402/749

Flamuri i Vlorësë

Mënistërijës’ së Arësimitë

Q y t e t

Bashkë me shkresën’ Nri 1208 të së 6s’ së këtij muaji, të shoqëruarë me verbalin’ e endur’në Vlorë më 28 të Vjeshtës’ së Tretë 1932. Muarëm’ në dorëim:

Flamurin’ kombëtar që shtolli në Vlorë vetë Ismail Qemal Vlora, mbë 28 të Vjeshtës së Tretë 1912.

Ky flamur zu vëndin’ në rjeshtën’ e kujtimevet’ t’ tjerë, me vlejë të jëstorijëtë, që ruhen’ në Tiranë,  9 Vjesht’ e Tretë 1933 / Drejtori (Firma dhe vula )

Ngjitur’ pas kësaj’ dorë-dëftesa

e jonë Nri C. 208”

Dokumenti: AQSH, Fondi 195, viti 1936, dosja 62.

“Flamuri i Vlorës”

Për punën, e flamurit’ kombëtar që valoj në Vlorë për here të pare ditën’ e të lëҫiturit’ të Shqipërijsë mbë krye të vehtë, Zoti Et-hem Bej Vlora, bir i të ndjerit Iamail Qemal Bej Vlora, pati mirësijën’ të shtronjë këta kujtime:

  • flamuri upat nga shtëpija e Zotit’ Syreja Bej Vlora. (Shënim nga F.Stamati: fjalët, “nga shtëpija e Zotit’ Syreja Bej Vlora”, janë të shuara me një vijë përsipër).
  • Pëlhura e flamurit’ qe e leshtë dhe shkaba e shtampuarë; nuk’ mban mënt të ketë pasur,’ theka o kravatë.
  • Të madhët’ të tijë, gjer sa mund të caktohet’ me të maturë syri, munt të qe afëro 0 m. 80 për së gjati, dhe 0 m. 50 për së gjëri.

Sa për fundin ‘ e këtij, flamuri Zoti Et-hem Bej Vlora ësht’ i mejtimit’ se flamuri nuk’ ka qënë shdukurë, po se ndodhet’ i ruajturë në Shqipërijë, ndër duar’ që do të kujtohen’ ndofta  ndonjë  ditë t’i a falin’ Muzejës’ Kombëtare.

Tiranë, 10 shkurt 1936”

Më poshtë, në të majtë, është vula e Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar, si dhe firma, ndërsa në të djathtë, firma e Ethem Bej Vlorës. Poshtë ka një shënim:

  • Zoti Et-hem Bej Vlora ndreqi me dorën’ e vehtë:

“nga shtëpija e Zotit’ Xhemil Bej Vlora”.

Ёshtë me interes edhe një dokument tjetër:

Dokumenti: AQSH, fondi 195, viti 1936, dosja 62. Po e citojmë: “Flamuri i Doganës’ së Vlorësë.

Me shkresën’ e Mënistërijës’ së Arësimitë Nri 1208 të së 6s’ së Vjeshtës’ së Tretë 1933, i udorëzua Muzejës’ Kombëtare një flamur i trajtuarë prej dy fijesh pëlhure të leshtë, 1 m. 45 i gjatë dhe 0 m. 95 i gjërë, me shkabën’, me dy krerë dhe me krahë të shtallurë mbë të përpjetë, pa theka dhe pa kravatë.

Pas shkresës’ që i përsillte Muzejës’ Kombëare këtë flamurë, janë mpështeturë:

  • një verbal me ditë 28 të Vjeshtës ‘ së Tretë 1932, në të cilin’ kan’  vënë duarëtë:

Përfaqësi I L. Madhërijës’ së Tijë Mbëretitë, Gjeneral Leon de Ghilardi,

Ministri i Arësimitë, Hil Mosi,

Ministri i Drejtësijësë, Milto Tutulani,

Zoti Et-hem bej Vlora, përfaqësi i Fëmijës’ së të ndjerit’ Ismail Qemal Beutë, Prefekti i Vlorësë, A. Nepravishta.

Në këtë verbal është shënuarë se flamuri i dhuruarë  Muzejës’ Kombëtare është muu ay  që pati ngriturë në Vlorë me dorën’ e vehtë i ndjeri Ismail Qemal Beu, të 28në të Vjeshtës’ së tretë 1912.

  • një shkresë e Prefekturës’ së Vlorësë, Nri 172 me ditë 21 Jenar 1933, në të cilën’, ndër t’ jera, është shënuarë se si pas kërkim’ e hetimeve të bërë nga Prefektura e Vlorësë, ky flamur nuk ‘ ka qënë ngritur’ kurrë mbi ndërtesën’ qëverritare as ditën’ që ulëҫit të krye-mbë-vehtët’ të Shqipërijésë as mëë pas, po ka valuarë vetëmë për një kohë të gjatë mbi godinën’ e Doganës’ së detitë  të Vlorësë.

Për të kthillurë këtë pikë ukërkuanë hollësija nga Zoti Et-hem Bej Vlora, i cili pati mirësijën’ të apinj’ këta shënime:

  • flamurin’ që i udorëzua Muzejës’ Kombëtare, i a fali të ndjerit’ Ismail Qemal Beutë Duku i Monpansierit’, kur pat’ ardhurë në Vlorë, nga Marsi i vitit’ 1913.
  • qëverrija e Shqipërijësë e përdori për Doganën’ e Vlorësë, mbi ndërtesën’ e së cilësë valoj gjer ditën’ që Ismail Qemal Beu hoqi dorë nga Kryesija e Qëverrijësë.
  • mbë t’ ularguarë nga Vlora Ismail Qemal Beu, kërkoj të ketë si kujtim një nga flamuret’ të Qëverrijësë; usgjoth ky flamur dhe i udorëua Zotit’ Et-hem Bej Vlora, i cili e pati me vehte gjatë kohës’ që bashkë me t’ anë undodhën’ ndëpër Evropë.
  • ditën’ që i ndjeri Ismail Qemal Vlora ndërroj jetë në Perugia të Italijësë (25 Jenar 1919) Zoti Et-hem Bej Vlora mbuloj trupin’ e t’et me këtë flamur.
  • kur upru i vdekuri në Vlorë dhe uvendos në sallën’ e fllugërijës’ së përmortëshme, që pati navaturë Kumanda e Ushtërijës’ Italjane, prapë ky flamur under mbi arqivolin’ e të vdekuritë.
  • gjatë përsjellës’ së trupitë nga Vlora në Kaninë, arqivoli qe mbuluarë me po këtë flamur.
  • edhe ditën’ që eshtërat’ të të ndjerit’ Ismail Qemal Beutë umbartën’ nga Kanina në Vlorë, për t’ ukallurë në varrin’-monoment, që ngrehu Qëverrija Mbëretërore e Shqipërijësë, ky flamur qe nderur’ mbi arqivolin’ edhe gjatë rrugësë edhe gjer sa mori funt shërbesa e të kalluritë, pas së cilësë Zoti Et-hem Bej Vlora u a dorëzoj  Përfaqësvet’ të Qëverrijësë Mbëretërore, si kujtim për t’ uruajtur’ në Muzejën’ Kombëtare.

Tiranë, 10 Shkurt 1936”

Më poshtë, majtas,  është firma dhe vula e Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar, ndërsa djathtas firma e Et-hem Bej Vlorës.

Në vitin 1946 materialet e Muzeut Kombëtr i kaluan Instituit të Shkencave. Në vitin 1957, kur u krijua Universiteti i Tiranës, mori jetë edhe Instituti i histori-gjuhësisë, i cili pati në vartësi të vet edhe Muzeun arkeologjik-etnografik, si edhe fondin etnografik. Në këtë fond kaluan edhe flamujt, që ndodheshin dikur në Bibliotekën dhe  Muzeun Kombëtar. Mirëpo nuk pati asnjë dokument për historinë e tyre. Kështu, ata mbetën enigmë. Edhe i ndjeri Rrok Zojsi, themeluesi dhe shefi i etnografisë dhe i fondit etnografik, e kishte me të dëgjuar se dikush i kishte dorëzuar flamujt pa dhënë ndonjë sqarim për ta, duke thënë: merrini dhe ruaini edhe këta! Punonjësja më e vjetër e fondi etnografik Znj. Pandora Plaku, kujton edhe në ditët e sotme porosinë e Rrok Zojsit për kujdesin ndaj ketyre flamujve dhe punën që ka bërë ajo me kolegët e saj për t’i mbrojtur këta flamuj nga infeksionet e insekteve dhe nga dëmtime të tjera.

Ishin tetëmbëdhjetë. Puna për identifikimin e tyre filloi dhjetë vjet më parë. Me 2 dhjetor 2011 i erdhi rradha këtij. Se si ndodhi mund ta tregojmë ndonjë herë tjetër.

Flamuri është i plotë, por ka dëmtime të shumta. Ngjyra e kuqe është zbehur nga veprimi i diellit. Duket të jetë pis. Duhet restauruar. Do të jetë një punë jo e lehtë në gjendjen që është ai!

Pavarësisht nga të dhënat e grumbulluara deri më sot, rëndësia e këtij flamuri dikton domosdoshmërinë e studimeve gjithnjë edhe më të gjera për të ndriçuar maksimalisht këtë simbol kombëtar.

Edhe disa ditë dhe ky flamur do të ekspozohet përkohësisht në mjediset e Qendrës së Studimeve Albanologjike për të kujtuar përvjetorin e vdekjes së Ismail Qemalit./Ariola Prifti /Frederik Stamati/ KultPlus.com

Në Foto: Kortezhi duke u ngjitur për në Kaninë 12 shkurt 1919.
Në foto:Ceremonia e rivarrimit, Sheshi i Flamurit, Vlorë më 28 Nëntor 1932.
Në foto: Flamuri sot

“Dua të shoh Shqipërinë të lumtur, ty dua të të shoh si jam unë dhe unë të bëhem si je ti”

Mid’hat Frashëri

Dëgjo, mik, i thashë, a më sheh mua? Jam rritur në Stamboll dhe atje kam rrojtur. Prehjen që kam pasur atje, kurrë ndonjëherë s’e gjej dot këtu; rrogën që kam marrë atje, fort vështirë që ta gjej dhe këtu. Më sheh, jam në kalë me samar; atje isha me shemendëfer, me vapor të bukur, me karrocë të hijshme dhe me tramvaj. Ato shtëpi, ato teatro, ato librari, ato rroba, ato plaçka që gjeja në Stamboll, atë ëmbëlsi rrojtjeje, Shqipëria do edhe njëqind vjet që t’i gjejë. Unë, pra, për veten time dhe nga pikëpamja lëndore, kam humbur, po kam fituar një gjë të madhe moralisht; dua të shoh Shqipërinë të lumtur, dua të them,që ty dua të të shoh si jam unë dhe unë të bëhem si je ti. Edhe ti, or i mjerë, do të kesh gjithë fitimet: ti do të gjesh një shtet, do të gjesh një qeveri, do të kesh një rrugë dhe një urë, do të çosh djalin tënd në shkollë dhe ai djalë do të bëhet njeri!/ KultPlus.com

Rugova në nëntorin e 1968-ës: Kuçedra e Anadollit s’mund ta merrte fuqinë trimëruese që çoi në këmbë shqiptarët

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, ka publikuar një shkrim të botuar të ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Sipas Hotit, botimi është bërë më 28 nëntor të 1968-ës, nga ish-presidenti Rugova.

Në tekstin në fjalë, Rugova trajton përpjekjet e Ismail Qemajlit për pavarësimin e Shqipërisë, si dhe largimin nga pushteti Osman.

“Mirë që u mashtruam të gjithë. Mirë që kujtuam se nuk kemi asgjë se kuçedra e Anadollit na gëltiti ç’patëm, por s’mundi të mare atë më të vlefshmenë, më madhështoren – fuqinë trimëruese që çoi në këmbë prore shpirtërat tanë të djegur për tokën e stërgjyshërve”, shkruhet në tekstin e botuar në “Bota e Re”.

Kujtojmë se një ditë përpara këtij shkrimi, më  27 Nëntor 1968, studentët shqiptar në Prishtinë, Ferizaj, Gjilan e Podujevë, demonstruan masivisht kundër pushtetit Jugosllav./ KultPlus.com

Rifat Jashari dekorohet nga presidenca me “Urdhrin e Lirisë”

Rifat Jashari, vëllau i komandantit legjendar, Adem Jashari është dekoruar sot nga presidenca me Urdhrin e Lirisë, shkruan KultPlus.

Në një postim në Facebook ushtruesja e detyrës së presidentes, Vojsa Osmani ka njoftuar se ndarja e këtij urdhri është nderim jo vetëm për Rifat Jasharin si një trashëgimtar i shpirtit të komandantit dhe familjarëve të tjerë të rënë, por edhe mirënjohje për atdhetarin që nuk pushon kurrë sa herë që i jepet rasti ta ngrisë zërin për unitet e bashkim rreth vlerave të lirisë.

Ndarja e Urdhrit të Lirisë, Rifat Jasharit i është bërë në ditën e flamurit dhe ditëlindjen e komandantit Adem Jashari.

Osmani ka shtuar se Rifat Jashari është shenja më tipike e gjallë e Shaban Jasharit, komandant Adem Jasharit dhe Hamzës. Ajo ka thënë se ai është vazhdimësia e përpjekjes për liri dhe për një Kosovë siç e deshën të gjithë të rënët e familjes Jashari e më gjerë.

Krejt në fund Vjosa Osmani ka treguar se ceremonia e ndarjes së Urdhrit do të organizohet në Presidencë pas kthimit të Rifat Jasharit në Kosovë.

Më poshtë mund të lexoni statusin e saj të plotë:

Liria e një populli merr kuptimin kur secili në mënyrën e vetë kontribuon në arritjen e të drejtave elementare.

Rifat Jashari është vetëm njëri nga anëtarët e familjes Jashari, i cili ishte krah rezistencës së kësaj familje që vuri themelet e lirisë së Kosovës. Ai ishte aty më 30 dhjetor të vitit 1991, kur bashkë me Ademin e Hamzën, rezistuan ndaj sulmit të forcave serbe, të bindur se liria nuk ka kusht.

Në të njëjtën vazhdë, më 22 janar, 1998, në sulmin e forcave serbe është plagosur vajza e Rifatit, Iliriana.

Teksa në mars të vitit 1998, në mesin e anëtarëve të familjes Jashari vritet gruaja e Rifatit bashkë me tri vajzat e tij.

Por, kjo nuk është e tëra që bëri Rifati për lirinë e vendit. Ai është shenja më tipike e gjallë e Shaban Jasharit, komandant Adem Jasharit dhe Hamzës. Ai është vazhdimësia e përpjekjes për liri dhe për një Kosovë siç e deshën të gjithë të rënët e familjes Jashari e më gjerë.

Me mesazhet e tij, Rifati prej kohësh është shndërruar në një zë të familjes Jashari që thërret për unitet për ta bërë Kosovën siç duam.

Prandaj sot, më 28 nëntor, në këtë festë të të gjithë shqiptarëve dhe në ditëlindjen e komandantit legjendar të UÇK-së, kam vendosur t’i ndajë Urdhrin e Lirisë, bacës Rifat Jashari. Akordimi i Urdhrit të Lirisë për Rifat Jasharin është nderim ndaj jo vetëm atij si një trashëgimtar i shpirtit të komandantit dhe familjarëve të tjerë të rënë, por mirënjohje për atdhetarin që nuk pushon kurrë sa herë që i jepet rasti ta ngrisë zërin për unitet e bashkim rreth vlerave të lirisë.

Ceremonia e ndarjes së Urdhrit do të organizohet në Presidencë sapo të kthehet baca Rifat në Kosovë./ KultPlus.com

Kupolat e Bibliotekës Kombëtare në nder të 28 Nëntorit marrin pamje të zjarrtë

Në nder të 28 nëntorit kupolat e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës kanë marrë një pamje të zjarrtë, duke shfaqur ngjyrat e flamurit kombëtar, shkruan KultPlus.

Kjo është bërë e ditur nëpërmjet një postimi në Facebook nga ana e ministres së kulturës, Vlora Dumoshi e cila ka shkruar se plisat e objektit me simbolikën arkitekturale për nder të 28 Nëntorit vishen me ngjyrën e flamurit.

“Në zemër të Prishtinës, disa nga kupolat e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, plisat e objektit me simbolikën e veçantë arkitekturale, sot për 28 Nëntor vishen me ngjyrën e flamurit të shqiptarëve”, ka shkruar ajo./KultPlus.com