Restaurim digjital i filmit “Koncert në vitin 1936”

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit bën të ditur se është duke u restauruar filmi “Koncert në vitin 1936”.

“Një pasuri e shtuar dhe e shpëtuar për trashëgiminë audiovizive shqiptare”, shkruan në një postim në rrjetet sociale Arkivi i Filmit, sipas të cilit po bëhet një punë e mrekullueshme nga ekipi i specialistëve të restaurimit digjital Koushik Bhattacharya dhe Ritajit Raychaudhuri në Mumbai Indi, për rikthimin e ngjyrave të dekoloruara të filmit “Koncert në vitin 1936”.

Arkivi sjell edhe foto që dëshmojnë për punën e bërë. Në kuadrin majtas shihet imazhi i përftuar nga skanimi i negativit të dekoloruar ku mungon ngjyra e kuqe në kanalet RGB; në kuadrin e mesit shihet rikthimi i kanalit të ngjyrës së kuqe R; dhe në kuadrin djathtas shihet një TEST për color grading të imazhit.

Filmi “Koncert në vitin 1936” është prodhim i vitit 1978, me regji të Saimir Kumbaros dhe skenar të shkruar nga Kiço Blushi, bazuar mbi tregimet e novelës së Dhimitër Shuteriqit. / atsh / KultPlus.com

Nis një peticion kundër filmit serb të Bosnjës që “mohon gjenocidin”

Më shumë se 15,000 njerëz kanë nënshkruar një peticion për të ndaluar premierat në qytete evropiane të filmit dokumentar kontrovers të Boris Malagurskit për serbët e Bosnjës, duke pretenduar se ai shtrembëron faktet për gjenocidin e Srebrenicës.

Një peticion i nisur nga Instituti për Hulumtimin e Gjenocidit në Kanada në një përpjekje për të parandaluar premierat në Gjermani, Zvicër, Austri, Belgjikë dhe Holandë të filmit të Boris Malagurski “Republika Srpska: Lufta për Liri” ka mbledhur deri më tani 15,000 firma.

Instituti për Hulumtimin e Gjenocidit në Kanada pretendoi se filmi “mohon gjenocidin boshnjak dhe ligjet dhe vendimet e gjykatave ndërkombëtare dhe të Kombeve të Bashkuara”.

“Shfaqja e planifikuar e filmit është një gabim i madh sepse përmbajtja e filmit përpiqet të barazojë viktimat e gjenocidit dhe kriminelët duke rishikuar faktet historike, shkencore dhe gjyqësore rreth gjenocidit në Bosnje dhe Hercegovinë”, tha ai.

Një pjesë e filmit, i cili pretendon se portretizon “historinë e luftës shekullore të popullit serb” u xhirua në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës, duke zemëruar familjet e viktimave të gjenocidit të boshnjakëve të vitit 1995.

Traileri i filmit, i cili u publikua për publikun, lavdëron themelimin e entitetit të Republikës Srpska në agresionin në Bosnje dhe Hercegovinë në 1992-1995 si një luftë kundër “skllavërisë” dhe një “luftë për liri”, tha Instituti për Hulumtimin e Gjenocidit në Kanada.

Malagurski, i cili ka punuar si redaktor dhe drejtues për disa emisione televizive dhe si korrespondent për kanalin rus të mbështetur nga shteti RT, shkroi në Twitter se “kundërshtarët më të zëshëm të filmit tim të ardhshëm “Republika Srpska: Lufta për Liri” nuk e kanë parë filmin.”

“Pse disa njerëz angazhohen verbërisht në një fushatë për të ndaluar filmin duke pretenduar se ai pretendon gjëra që në fakt nuk është e vërtetë?” pyeti ai.

Sipas raporteve të medias, qyteti i Banja Lukës, qendra administrative e Republikës Srpska, mbështeti prodhimin e filmit me 30,000 marka boshnjake (rreth 15,000 euro), ndërsa pjesa tjetër u financua nga donacione.

Në fillim të kësaj jave, kryetarja e komunës së Sarajevës, Benjamina Karic, i shkroi kryetarit të bashkisë së Salzburgut, Harald Preuner, duke i bërë thirrje që të anulojë premierën e planifikuar në qytetin austriak.

“Dësiroj t’ju kërkoj të ndaloni premierën e filmit ‘Republika Srpska: Lufta për Liri’ në qytetin tuaj. Ky film nuk është art, por propagandë që shtrembëron faktet dhe lavdëron ideologjitë që shkaktuan ndarjen e vendit tonë, gjenocidin dhe krimet e shumta të luftës”, shkroi Karic në letrën e saj.

Deri më tani, katër shfaqje janë anuluar – në Duseldorf në Gjermani, Bruksel dhe Antuerp në Belgjikë dhe Klagenfurt në Austri. Premiera botërore e këtij filmi u mbajt më 1 tetor në Banja Luka.

Malagurski është i njohur në Serbi për fushatën e tij për të ndaluar anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Trashëgimisë Botërore të OKB-së UNESCO. Në fjalimet e tij publike, ai shpesh i referohet Kosovës dhe Republikës Srpska si pjesë e Serbisë./BalkanInsight / KultPlus.com

Duke prezantuar kinematografinë e Hollywoodit, Webster Stone thekson rëndësinë e jashtëzakonshme të skenarit

Uranik Emini

“Regjisorët dhe producentët e rinj duhet të vëjnë më shumë theks në skenar në fillim. Përmes skenarit ju mund të fitoni më shumë buxhet, përmes tij ju mund të adaptoni filma të vjetër dhe të krijoni diçka të re”.

Producenti dhe regjisori i njohur amerikan, Webster Stone, mbajti një ligjeratë më 10 tetor përpara studentëve në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Studentët patë rastin që të njoftohen nga afër për funksionimin e kinematografisë në Hollywood, dhe për sfidat dhe përparësitë e kineastëve, shkruan KultPlus.

Filmat e rinj = të bazuar në libra, shkrime e adaptime të vjetra me skenar origjinal

“Për të arritur që të krijojmë diçka, ne mund ta bëjmë atë edhe përmes blogjeve të ndryshme, përmes filmave të vjetër dhe përmes krijimit të storieve të reja nga librat e ndryshëm. Pikërisht këtu duhet të jetë edhe fokusi i studentëve të rinj, të cilët duan të krijojnë filma”, thotë Webster.

Skenari, skenari dhe vetëm skenari

Stone përgjatë një ligjerate e cila zgjati më shumë se një orë, bisedoi shumë për filmat, përfshirë këtu edhe dallimi mes filmave evropian dhe atyre të Hollywoodit, duke përmendur shembuj të ndryshëm dhe gjithashtu duke i motivuar studentët për shumë gjëra.

“Unë u mësova që të shkruaj gjatë pjesës së universitetit. Në atë kohë, ishte një gazetë e shkollës, ku njerëzit të cilin shkruanin mirë, dilnin aty. Në atë kohë, universiteti të caktonte një mentor, me të cilin ju duhej të punonit më shumë se tetë javë bashkë, pra, përafërsisht një semestër. Në atë kohë, edhe pse mund të duket e pabesueshme për ju, Sekretari i Shtetit Amerikan, Anthony Blinken. Ai dinte të shkruante mirë dhe kaluam kohë të mirë bashkë. Unë dikur studiova për Sigurinë Nacionale, derisa ai punon tani në atë sektor dhe unë jam një producent e regjisor i filmit”.

Gjatë ligjëratës ai tregoi edhe disa trailer prej filmave që ai i kishte bërë, duke njoftuar se me pak shpenzime mund të arrihen, përveç gjithash, bashkëpunime e krijime të mëdha.

“Duke pyetur, të marrim shembull, një autor të librit në qoftë se librin e tij do mund ta bëje një film, ai do të pranonte. Edhe pjesën e ndonjë shkrimit, në qoftë se ju pëlqen ajo ose e shihni si diçka kreative, atëherë mund t’i pyesni autorët dhe në të shumtat e rasteve ata do të pranojnë që ju ta bëni një film përmes shkrimeve e librave të tyre. E gjitha kjo do të ndodhë për arsye se do të jetë marketing falas për ta, derisa ju nuk shpenzoni pothuajse fare për të bërë një gjë të madhe”, thotë Webster.

Kosova e përgatitur shumë mirë në pjesën teknike të filmave

Në një prononcim për KultPlus, Stone tregoi edhe dallimin mes vendeve evropiane dhe atyre të Hollywoodit, në krijimin e filmave të rinj, sigurisht duke dhënë një këshillë edhe për të gjithë kineastit e tjerë.

“Në Tirana unë pashë disa njerëz dhe pamje ku shiheshin reklama dhe gjëra të tilla. Nuk e di nëse është e njëjta edhe në Kosovë por instikti im më thotë që në përgjithësi shumë vende në pjesën lindore të Evropës, e edhe Kosova është shumë shumë e mirë në pjesën teknike, por ajo çfarë ju duhet të bëni është që të jepni më shumë kohë, buxhet dhe përkushtim në skenar. Nëse ju i jepni më shumë fokus skenarit atëherë mund të bëni diçka të madhe.”

I pyetur në qoftë se do ta bënte ndonjëherë, ose nëse ka menduar që ta bëjë një film për Kosovën, Stone u përgjigj shkurtimisht por me mesazh të qartë.

“Miku im më njoftoi për filmin “Virgjëresha Shqiptare”, dhe unë mendoj që mund ta bëj një adaptim të saj në mënyrë shumë të mirë. Është edhe një film i luftës i cili më pëlqen. Do të dëshiroja shumë që ta bëja një gjë të tillë, por duhet të shohim për të ardhmen”.

Ligjërimi i regjisorëve dhe producentëve të njohur, shumë i rëndësishëm për studentët e rinj

Ndërkaq, dekani i Fakultetit të Arteve, Hazir Haziri, tha për KultPlus që me producentin në fjalë kanë rënë rastësisht në fjalë, e kjo gjë është arritur përmes regjisorit Bujar Alimani.

“Ne biseduam menjëherë që ai të bëj një ligjëratë përpara studentëve dhe arritëm pikërisht një gjë të tillë”.

Haziri tutje njofton se departamenti të cilin ai e drejton vazhdimisht herë pas here organizojnë dhe ftojnë regjisorë të huaj që të ligjërojnë përpara studentëve.

“Kemi pasur dhe do të kemi mysafirë të tillë. Ne mundohemi që t’ua mësojmë këtu zanatin e filmbërjes, më pas studentët duhet të fokusohen vetë në të ardhmen e tyre”.

Foto nga profili në “Facebook” i dekanit Hazir Haziri

Suksesi në kinematografi = ambasador i Kosovës nëpër botë

“Suksesi i kineastëve vitet e fundit ka bërë që filmi kosovar të udhëtojë nëpër festivale. Pikërisht aty ku regjisorë të ndryshëm performojnë njësoj sikurse bëjnë edhe regjisorët nga Kosova. Së fundmi, nëpër shumë vende të botës, ku po udhëtojnë kineastët tanë, Kosova po bëhet temë aty, sikurse në Sundance, Kanë e të tjera. Shumë prej kineastëve të cilët kanë arritur suksese të majme nëpër botë, kanë dalur pikërisht nga kjo shkollë e jona”, thotë Haziri në fund.

Edhe profesori Ismet Sijarina pohoi për KultPlus se ligjërimi i një regjisori të huaj dhe të njohur përpara studentëve është shumë gjë e mirë.

“Ne gjithmonë jemi në kërkim të njerëzve që mund të kontriubojnë në rritjen intelektuale të studentëve tanë sa i përket filmit, regjisë e të tjera. Është e rëndësishme që studentët të njohin edhe pjesën e filmbërjes dhe industria e filmit në Hollywood, ajo e pavarur e shumë gjëra të tjera, unë besoj që Webster Stone na e dha këtë mundësi që t’i shohim dhe të prekim për së afërmi këtë eksperiencë”, tha ai.

Prodhimi juaj i një filmi duhet të përfshijë një skenar të shkruar që shpreh temën kryesore. Me këtë në mendje, ju mund të parashikoni se çfarë do të thuhet dhe cilat sekuenca do të filmohen për të mbështetur argumentin tuaj kryesor. Kjo, sipas Stone, është thelbësorja në një film dhe kineastët e rinj, ashtu siç edhe vepron Hollywoodi, duht t’i kushtojnë më shumë rëndësi skenarit.

Webster Stone është i njohur për realizimin e filmave si The Negotiator (1998), Gone in 60 Seconds (2000) dhe The Conspirator (2010). /KultPlus.com

‘Sharing’ me sukses ndërkombëtar, Gjinovci: Shkolla e filmit në Kosovë po vazhdon të tërheq vëmendje të madhe

Uranik Emini

Filmi “Sharing” me regji të Granit Dragaj, u shfaq në konkurrencën zyrtare në njërin ndër festivalet më të rëndësishme të filmit në Evropë, festivali i dytë në botë për krijmtari kinematografike, konkretisht në “Manaki Brothers”, shkruan KultPlus.

Filmi u shfaq më 20 gusht në kinemanë “Manaki”, në edicionin e 43-të të “The International Cinematographers Manaki Brothers”.

Drejtori i fotografisë, Blerim Gjinovci, e bëri filmin konkurrent me filmat e tjerë në këtë garë.

Gjinovci në një intervistë për KultPlus njofton se ishte një privilegj të qenurit pjesë e këtij filmi.

“Kjo ishte premierë ndërkombëtare e filmit “Sharing”, i cili është realizuar në mars të këtij viti. Audienca prezente gjatë filmit ishte jashtëzakonisht e veçantë, ku kineastët nga mbarë Evropa dhe më gjerë u mblodhën bashkë”, thotë Gjinovci.

Tutje, ai thotë se shkolla e filmit të Kosovë, tërhoqi një vëmendje më të madhe.

“Tema e filmit dhe personazhi i Medinës i bëri shumë përshtypje. Unë si drejtor i fotografisë vërtet jam i lumtur që përkundër kushteve dhe munësive që kishim në realizim, kemi arritur që të nxjerrim një projekt të qëndrueshëm dhe të vlerësuar nga audienca. Të jem pjesë e këtij filmi është një privilegj për kineastët, ku për bazë vlerësohet puna e xhiruesit dhe kreativiteti visual i kinesatëve”.

“Sharing” është prodhim i shtëpisë filmike Click Producion me producentët: Gani Demaj dhe Orhan Hajrizi. Pas këtij filmi, ekipi vazhdon me prezantim në garën për filmin më të mirë ndërkombëtar në “TIFF ODA Tetova International Film Fest”.

Edicioni i parë i këtij festivali u mbajt në vitin 1979. /KultPlus.com

Vdes aktori i njohur shqiptar, Pandi Siku

Një lajm i hidhur ka mbërritur këtë mëngjes për kinematografinë shqiptare. Aktori Pandi Siku ka vdekur sot në moshën 73-vjeçare.

Mësohet se Siku prej një viti vuante nga një sëmundje e rëndë. Ai jetonte në SHBA, në shtetin e Illinois.

Pandi Siku ishte aktor i suksesshëm i teatrit dhe filmit shqiptar.

Lindur me 28 Korrik 1949 në Tirane ai u diplomua në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë në degën e dramës dhe më pas në vitin 1973 ai iu bashkua trupës së Teatrit Popullor (sot Teatri Kombëtar) duke interpretuar mjaft role, kryesisht role të dyta.

Aktiviteti i tij do të shtrihet në harkun kohor nga 1973 – 2001. Në teatër debutimin e bën ne dramën “Toka e jonë” dhe “Bashkë me agimin”.

Më pas mund të përmendim edhe shumë shfaqje të tjera teatrale si: Adlinin në “Lumi i vdekur” ; Halimi “Pas provimit të fundit”; Arjani në “Jeta e tjetrit”; Shpendi në “Epoka para gjyqit” (1978), Bardhi në Furrnalta (1979), “Besa e madhe”; “Karavidhet”; Rrema në “Komunistët” (1981), Merkusi në “Romeo dhe Zhuljeta” ; Valentini në “Dy zotërinj nga Verona” (1990), “Nata e 12-të; Lucencio në “Zbutja e kryeneçes”; Kostandini në “Kush e solli Doruntinën” ; Rexhepi në “Besa”; Pjestar i korit në “Quoa vadis”; Amnekofi në “Absurditeti antik” etj. / KultPlus.com

Filmi shqiptar “Bomba” arrin në Cineplexx

Filmi i radhës vendor qe arrin ne Cineplexx këtë të enjte është “Bomba”, i cili bazohet ne ngjarje të vërteta për tmerrin e kaluar gjatë luftës, ngjarje të rrëfyera nga vet ata qe mbijetuan.

Filmi Bomba është me regji nga James Fetahu me aktorët si Enver Petrovci, Dibran Tahini, Bislim Mucaj dhe Fatos Kryesiu.

Ngjarja e filmit flet për një fotograf të masakrës ndaj popullatës civile, masakër kjo e kryer nga paramilitaret serbe. Ai arrin të ikë dhe të fshehët në mesin e refugjatëve, bashkë me dëshmitë tejet të rëndësishme të krimeve dhe dhunimeve të kryera. Njëkohësisht ai e lajmëron edhe shtabin lokal të UÇK -së të ndodhur në atë zonë për masakrat që po ndodhin në baza ditore, poshtë në fashat. Paramilitarët ju vendosin ultimatum për në orën 5 pasdite, civileve të zënë rob, që ta dorëzojnë aparatin me dëshmi, në të kundërtën pason masakra e radhës por edhe UÇK grumbullohet dhe vendos te sulmoje në ora 5 pasdite për të i liruar civilet e zëne rob.

Premiera e këtij filmi në Cineplexx do të jetë nesër duke filluar nga ora 18:30. Për më tepër informata rreth orareve vizitoni webfaqen e Cineplexx ndërsa biletat mund t’i bleni përmes aplikacionit Cineplexx KS apo direkt në kinema prej orës 15:00.

Cameron Diaz rikthehet në skenën e filmit

Pas tetë vitesh pauze nga skena e filmit, Cameron Diaz do të paraqitet sërish me një rol të ri.

Ajo në vitin 2018 jka njoftuar se po pensionohej nga Hollywood, por vendosi të luajë në filmin e ri të Netflix “Back in Action”, bashkë me Jamie Foxx. Të dy aktorët në vitin 2014 janë paraqitur me role në filmin “Annie”, që ishte paraqitja e fundit e Diaz në një film.

Cameron Diaz në një postim në intstagram me këtë rast shkroi se vetëm Foxx arriti ta kthejë atë në aksion. Ajo po ashtu shkroi se mezi pret të bëhet pjesë e filmit, për të cilin ka thënë se do të jetë si një eksplodim.

Netflix ende nuk ka bërë të ditur ndonjë datë të lansimit të filmit, por Fox në Twitter shkroi se prodhimi i tij do të fillojë këtë vit.

Regjinë e filmit do ta bëjë Seth Gordon. Detaje të tjera rreth tij nuk janë bërë të ditura.

Foxx shënoi kthimin e Diaz në film në Twitter, ku postoi një video, ku dëgjohet biseda e tyre.

Ajo tha se është e emocionuar, por se nuk e di se do ta bëj këtë, se si do të kthehet.

Në këto momente, Foxx i ofroi në linjë një person, i cili u pensionua, por që sërish u kthye në punë, pra që e di se si duhet të bëjë këtë. Ai është Tom Brady, i cili u pensionua nga liga nacionale amerikane e futbollit në fillim të këtij viti, por që iu bashkua sërish ekipit Tampa Bay Buccaners.

Diaz, edhe pse nuk ishte aktive vitet e fundit në Hollywood, u angazhua në një punë tjetër. Ajo lansoi një markë të verës organike.

Vitin e kaluar, ajo ka deklaruar se si nënë nuk mund të imagjinojë më të jetë në xhirime për 16 orë në ditë. Megjithatë, po ashtu, ka thënë se kurrë s’i dihet.

Aktorja Cameron Diaz është martuar me këngëtarin Benji Madden në vitin 2015 dhe kanë vajzën Raddix, të cilën Diaz e ka lindur në vitin 2020./21Media / KultPlus.com

Përfundon Dea Open Air, Kupa DEA shkoi për Goran Paskaljeviç – post mortum

Kupa Dea 2022, për Filmin më të Mirë me Metrazh të gjatë, shkoi për filmin “Pavarësisht mjegullës » me regji të Goran Paskaljeviç, Itali 2019. Kështu, pas një gare pesëditore, 23-28 qershor, ku morën pjesë 25 fima nga 39 vende të botës, u mbyll të mërkurën në mbrëmje edicioni i nëntë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dea Open Air.

Në një atmosferë festive dhe në praninë e artistëve, kineastëve dhe publikut, që e ndoqi, Dea Open Air e përfundoi edhe këtë edicion, duke ofruar sërish përvojë të re kulturore për kryeqytetin si edhe duke vijuar të zgjerojë hartën e njohjes së kinemasë botërore, që këto vite ka prekur pothuaj të gjitha vendet e botës, nga Europa në SHBA, nga Kanadaja në Azi apo Amerikën Latine.

Sipas traditës, ndarja e çmimeve nisi me Seksionin e Filmit Dokumentar, në të cilin sivjet u ofruan 11 filma nga 8 vende të botës: nga Shqipëria e Kosova, Gjermania, Franca, Spanja, Norvegjia deri te SHBA. Për çmimin DEA për Filmin më të Mirë Dokumentar, Juria e Filmit Dokumentar, e përbërë nga: Ilir Kabashi (kryetar – regjisor/Kosovë), Vasjan Lami (aktor, regjisor, dokumentarist – Shqipëri), Erion Kristo (gazetar – Shqipëri) nominoi:

  1. Venecja diku gjetkë (Venice elsewhere) – Elia Romanelli, Itali 2022
  2. Përqafimi i fatit: hebrenj dhe shqiptarë (Hug of Destiny: Jews and Albanians– Jakov Sedlar, Kroaci 2019
  3. Horizontet tona (Our Horizons) – Charlotte Cayeux, Francë 2022

DEA për Filmin më të Mirë Dokumentar shkoi për:  Venecja diku gjetkë (Venice elsewhere) – Elia Romanelli, Itali 2022.

Juria këtë edicion e pa të pamjaftueshme dhënien e vetëm një çmimi, ndaj vendosi të akordonte edhe një çmim të dytë, Çmimin Special të Jurisë së Filmit Dokumentar, i ciloi shkoi për “Përqafimi i fatit: hebrenj dhe shqiptarë” (Hug of Destiny: Jews and Albanians– Jakov Sedlar, Kroaci 2019.

Juria e Filmit të Shkurtër dhe Studentor e përbërë nga: Esther Maaß (kryetare – aktore/Gjermani), Adele Budina (anëtare – producente/Itali), Redi Mazi (anëtar – regjisor/Shqipëri), nga oferta prej 14 filmash nga 11 vende të botës, nominoi për  çmimin DEA për Filmin më të Mirë Studentor, këto kontribute:

  1. Pazar i rrezikshëm (Lethal Shopping) – Mahay Alayon – Spanjë 2022
  2. Bolzmann – Janis Westphal, Gjermani 2022
  3. Batim – Mauro Zaçe, Shqipëri 2022

DEA për filmin Studentor më të Mirë shkoi për: Pazar i rrezikshëm (Lethal Shopping) – Mahay Alayon – Spanjë 2022

Në Seksionin e Filmit të Shkurtër, ku konkuruan 16 filma nga 14 vende të botës, Juria e Filmit të Shkurtër dhe Studentor, nominoi:

  1. Si uji (Just like Water) – Manos Triantafillakis, Greqi 2021
  2. Një botë pa kriza (A world free of crisis) – Ted Hardy Carnac, Francë 2021
  3. Marko – Marko Santic, Kroaci 2021

DEA për Filmin e Shkurtër më të mirë shkoi për “Si uji (Just like Water) – Manos Triantafillakis, Greqi 2021.

I pranishëm në shfaqjen e filmit, por edhe në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, regjisori Manos Triantafillakis u shpreh se dokumentari është një dedikim për babain e tij, dhe se filmi flet për kohën që ikën…”Nuk e besoja se do të merrja çmim. Filmi bën fjalë për rrethin e jetës, dhe shpresoj që prindërit e mi po më shohin nga lart, dhe gëzohen për mua”, tha Triantafillakis.

Çmimi i Medias i DEA OPEN AIR International Film Festival është vendosur për të vlerësuar produktin – nga shkalla e angazhimit qytetar të krijimit artistik për çështje të rëndësishme të komunitetit. Juria e medias, këtë vit, e përbërë nga: Elsa Demo dhe Leontina Nika (gazetare – Shqipëri dhe Kamuran Goranci ( Kosovë) ndau dy çmime – një për kategorinë e Filmit të Shkurtër dhe një për kategorinë e Filmit me Metrazh të Gjatë.

Për Çmimin special të Medias në kategorinë e Filmit të Shkurtër, u nominuan: 

  1. Tramvaj (Tramway) – Bartosz Reetz, Poloni 2021
  2. Ylberi (Rainbow) – Alexander Vujoviç, Mali i Zi 2021
  3. Kujtime të përsëritura (Repeated Memories) – Soo-Min Park, Uzbekistan 2021

Çmimi special i Medias për Filmin e Shkurtër më të Mirë shkoi për: Tramvaj (Tramway) – Bartosz Reetz, Poloni 2021.

Për Çmimin special të Medias në kategorinë e Filmit me Metrazh të Gjatë, u nominuan: 

  1. Pavarësisht mjegullës (Despite the Fog) – Goran Paskaljevic, Itali 2019
  2. Kufijtë, pika shiu (Borders, Raindrops) – Nikola Miloviv & Vlastimir Sudar, Bosnjë-Hercegovinë/Mali i Zi/Serbia 2019
  3. Blic i fuqishëm (Mighty flash) – Ainhoa Rodriguez, Spanjë 2021

Çmimi special i Medias për Filmin me Metrazh të Gjatë shkoi për “Kufijtë, pika shiu” (Borders, Raindrops) – Nikola Miloviv & Vlastimir Sudar, Bosnjë-Hercegovinë/Mali i Zi/Serbia 2019.

Programi i filmit me metrazh të gjatë mbetet programi qendror dhe konkurimi kryesor i DEA OPEN AIR. Oferta e sivjetme përfshiu filma nga Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi,  Italia, Spanja, Gjermania dhe Shqipëria. Konkurimi në këtë program u ndoq nga juria e Filmit me Metrazh të gjatë, e përbërë nga: Steffen Hacker (regjisor/producent – Gjermani), Afrim Spahiu (drejtor fotografie – Kosovë), Andrea Stucovitz (producent – Itali), Altin Basha (regjisor – Shqipëri), Sasho Pavlovski (pedagog filmi – Maqedoni).

Për çmimin DEA për Aktoren më të mirë në Filmin me Metrazh të Gjatë, u nominuan:

1. Donatella Finoçhiaro (Pavarësisht mjegullës – Itali 2019)
2. Susanne Wolf (Bardhësi e huazuar – Gjermani 2021)
3. Kristina Stevovic (Kufijtë, Pika shiu – Bosnjë-Hercegovinë/Mali i Zi/Serbi 2019)

Kupa DEA në kategorinë Aktorja më e MIRË – Filmi me Metrazh të Gjatë, shkoi për

Donatella Finoçhiaro (Pavarësisht mjegullës (Nonostante la nebbbia / Despite the Fog) – Itali 2019)

Për çmimin DEA për Aktorin më të mirë në Filmin me Metrazh të Gjatë, u nominuan:

1. Florist Bajgora (Bardhësi e huazuar/ Borrowed White – Gjermani 2021)
2. Vasjan Lami (Dy luanë drejt Venecias – Shqipëri 2021)
3. Kastriot Çaushi (Dy luanë drejt Venecias – Shqipëri 2021)

Kupa DEA në kategorinë Aktori më i MIRË – Filmi me Metrazh të Gjatë, shkoi për Florist Bajgora (Bardhësi e huazuar/ Borrowed White – Gjermani 2021).

I pranishëm në mbrëmjen Gala të ndarjes së çmimeve, aktori shqiptar nga Kosova, Florist Bajgora, pas marrjes së kupës, u shpreh se « jam shumë i nderuar që marr kupën DDEA në këtë festival si dhe shumë i emocionuar për fjalët e mira. Për këtë rol kam pasur shumë përgjegjësi, pasi nuk dija asnjë fjalë gjermanisht dhe kam pasur në dispozicion vetëm 24 ditë për t’u përgatitur për të»

Për çmimin DEA për Kamerën më të mirë në Filmin me Metrazh të Gjatë, u nominuan: 

1. Andreas Köhler (Bardhësi e huazuar/ Borrowed White – Gjermani 2021)
2. Milan Spasic (Pavarësisht mjegullës /Desprite the Fog – Itali 2019)
3. Milos Hacimovic (Kufijtë, Pika shiu/Borders, Raindrops – Bosnjë-Hercegovinë/Mali i Zi/Serbi 2019)

Kupa DEA për Kamerën më të Mirë – Filmi me Metrazh të Gjatë shkoi për Andreas Köhler (Bardhësi e huazuar/ Borrowed White – Gjermani 2021). Trofeun e tërhoqi përfaqësuesi i produksionit, njëkohësëisht drejtor i audicionit të zhvilluar në Shqipëri, nga i cili u përzgjodh Florist Bajgora, Clemens Ehrbach. « Jam shumë i lumtur, që ndodhem këtu për të përfaqësuar produksionin, për një produkt, që duket se u prit shumë mirë nga publiku dhe profesionistët, aq më tepër, që rrugëtimi tij ka nisur këtej, me audicionin e zhvilluar për rolin kryesor »,- tha Ehrbach.

Për çmimin DEA për Skenarin më të mirë në Filmin me Metrazh të Gjatë, u nominuan: 

Goran Paskaljevic/ Marco Alessi /Filip David (Pavarësisht mjegullës/Despite the Fog – Itali 2019)
Ainhoa Rodriguez (Blic i fuqishëm/Mighty Flash –  Spanjë 2021)
Nikola Mijovic/Vlastimir Sudar (Kufijtë, Pika shiu/Borders, Raindrops  – Bosnjë-Hercegovinë/Mali i Zi 2019)

Kupa DEA për Skenarin më të Mirë  – Filmi me Metrazh të Gjatë shkoi për

Goran Paskaljevic/ Marco Alessi / Filip David (Pavarësisht mjegullës//Despite the Fog – Itali 2019)

Për çmimin DEA për Regjinë më të mirë në Filmin me Metrazh të Gjatë, u nominuan: 

1. Sebastian KO (Bardhësi e huazuar/Borrowed White – Gjermani 2021)
2. Goran Paskaljevic (Pavarësisht mjegullës/Despite the Fog – Itali 2019)
3. Nikola Mijovic, Vlastimir Sudar (Kufijtë, Pika shiu/Borders, Raindrops – Bosnjë-Hercegovinë/Mali i Zi 2019)

Kupa DEA për Regjinë më të Mirë – Filmi me Metrazh të Gjatë, shkoi për Sebastian KO (Bardhësi e huazuar/Borrowed White – Gjermani 2021)

Trofeun e tërhoqi Clemens Ehrbach, përfaqësues i produksionit dhe atasheu kulturor i Ambasadës Gjermane në Shqipëri, Martin Zickendracht.

Për çmimin DEA për Filminh më të Mirë me Metrazh të Gjatë, u nominuan: 

Pavarësisht mjegullës (Despite the Fog) – Goran Paskaljevic, Itali 2019
Bardhësi e huazuar (Borrowed White) – Sebastian Ko. Gjermani 2021
Kufijtë, Pika shiu (Borders, Raindrops) – Bosnjë-Hercegovinë/Mali i Zi/Serbi 2019

Kupa DEA për Filmin më të Mirë  – Filmi me Metrazh të Gjatë, shkoi për « Pavarësisht mjegullës » (Despite the Fog) – Goran Paskaljevic, Itali 2019.

Ashtu si në edicionet e tjera, edhe këtë vit, organizatorët në bashkëpunim me kompaninë e telefonisë celularë ONE, organizuan shorteun, e zhvilluar nën moton: SHIKO NJE FILM – FITO NJE DHURATË, fituesit e të cilit u shpallën para publikut tw Natës gala të ndarjes së  çmimeve – DEA OPEN AIR 2022.

Duke qenë se biletat e llotarisë përmbanin edhe detyrimin për vlerësimin e filmave, bazuar nën këto të dhëna, DEA OPEN AIR ndau edhe dy  çmime speciale të publikut të Tiranës. Vlerësimet u bënë konkretisht në kategoritë: Filmi më i Mirë dhe Aktori më i Mirë.

Çmimi Special i Publikut në kategorinë Filmi më i Mirë shkoi për “Dy luanë drejt Venecias” – Jonid Jorgji, Shqipëri 2021, ndërsa

Çmimi Special i Publikut në kategorinë Aktori më i Mirë, për duon: Vasjan Lami & Kastriot  Çaushi për rolet e Vanit dhe Kaçit në «Dy luanë drejt Venecias».

DEA e karrierës ose siç e kanë pagëzuar organizatorët, DEA e MIRËNJOHJES shkoi sivjet në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për jetën dhe veprimtarinë e një prej emrave më të njohur të kinematografisë shqiptare, Muharrem Fejzon, ndërsa DEA HOMAZH iu dedikua njërit prej aktorëve më prezentë në trashëgiminë tonë kinematografike, aktorit Rikard Ljarja.

Duke shpallur mbylljen e Edicionit të Nëntë të Festivalit Ndërkombëtar tv Filmit DEA OPEN AIR – Tirana 2022, organizatorët Edmond Topi (drejtor) dhe Mirela Oktrova (drejtore artistike) njoftuan, se Edicioni i Dhjetë do të zhvillohet në qershor të vitit të ardhshëm (2023). / KultPlus.com

Vjosa përkujtohet përmes filmit të saj

Me një minutë heshtje filloi nata e mbrëmshme e Javës së Filmit Kosovar në Mitrovicë.

Ani pse programi i Javës së Filmit Kosovar është publikuar kohë më parë, e që mbrëmë do duhej shfaqur filmi “Cirku Fluturues”, lajmi i hidhur që erdhi me mëngjes mbi humbjen e producentes dhe menaxheres së njohur Vjosa Berisha trondit të gjithë e kështu ndodhi edhe me organizatorët e Javës së Filmit Kosovar..

Që në hapje të programit u mbajt një fjalim përkujtimor mbi veprimtarinë e saj, si dhe në nderim të saj u mbajt një minutë heshtje nga të pranishmit.

“Vjosa na la po këtë ditë, kur në rrethana tjera do ishte para audiencës duke bashkëbiseduar mbi filmin dhe veprimtarinë e saj”, u tha nga organizatorët.

Megjithatë, ajo mbrëmë ju “foli” të gjithëve përmes punës së saj të palodhshme, përmes të qenurit prapa kamerave dhe ekipit realizues, përmes imazheve e dialogut të filmit i cili mbajti gjallë interesimin e audiencës për dy orë rresht. Nën të qeshura e lotë, “Cirku Fluturues” i prodhuar nga zelli e pasioni i saj, do mbetet krijim artistik i paçmueshëm i kinematografisë kosovare, xhevahir më vete në xherdanin e filmave të suksesshëm shqiptar. / KultPlus.com

Mbrëmë në Mitrovicë u hap ‘Java e Filmit Kosovar’

Java e Filmit Kosovar nisi mbrëmë me filmin “Luaneshat e Kodrës” të regjisoren Luana Bajrami në kinemanë e hapur të 7Arte, në Mitrovicë, përcjellë KultPlus.

Në ceremoninë e hapjes organizatori Lulzim Hoti, theksoi se kjo nismë ka ardhur si rezultat i nevojës së të rinjve për tu ndeshur me magjinë e kinemasë, si dhe për të promovuar vlerat e kinematografisë kosovare.

Drejtoresha e DKRS’së Valdete Idrizi, përgëzoi organizatorët për aktivitetin në fjalë, si dhe konfirmoi se janë duke u bërë përpjekje për aktivizimin e kinemasë në kuadër të Qendrës së Kulturës në Mitrovicë.

Nata e parë u hap me shfaqjen e filmit “Luaneshat e Kodrës” nën regjinë e Luana Bajramit, film ky i cili u prit me mjaftë interesim nga audienca mitrovicase. Filmat e paraparë gjatë ditëve në vijim janë: Zana, Babai, Cirku Fluturues, Zgjoi, Në Mes, si dhe Rooftop Story.

Ky aktivitet përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut. / KultPlus.com

“Java e Filmit Kosovar” organizohet në Mitrovicë

Pas sukseseve të kinematografisë kosovare në skenën ndërkombëtare, organizata kulturore 7Arte organizon një javë me shfaqjen e filmave më të njohur Kosovar, shumica prej të cilëve shfaqen për herë të parë para publikut mitrovicas.

Për shtatë ditë me radhë, duke filluar nga 20 –26 qershor, nga ora 21:00, do të shfaqen 8 filma në ambient të hapur, më konkretisht në terasën e 7Arte që gjindet në qendër të qytetit.

Programi i filmave të paraparë për këtë javë: “Luaneshat e Kodrës” (83’), “Zana”(97’), “Babai” (94’), “Cirku Fluturues”(115’), “Zgjoi” (84’), “Pa Vend (15’); Në Mes (18’), si dhe “Rooftop Story”(74’).

“Java e Filmit Kosovar” në Mitrovicë fillon me shfaqjen premierë të filmit “Luaneshat e Kodrës” nën regji të Luana Bajramit, e cila bashkë me producenten Valbona Rrahmanin, do të jenë të pranishme dhe do të bashkëbisedojnë me audiencën pas shfaqjes së filmit.

Të gjitha të hyrat nga shitja e biletave do iu dedikohen kineastëve kosovar, si mbështetje e cila përkon edhe me vet qëllimin e organizatës 7Arte. Ky aktivitet realizohet në koordinim dhe mbështetje të Qendrës Kinematografike të Kosovës si dhe produksioneve filmike.

7Arte përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut./ KultPlus.com

Filmi “Ka me kalu” i Flonja Kodhelit vlerësohet në Festivalin e Filmit në Bruksel

Festivali i Filmit të Shkurtër në Bruksel 2022, ose BSFF i 25-të që u zhvillua nga 20-30 Prill 2022 në Bruksel, Belgjikë ka mes listës së fituesve edhe një artiste shqiptare. Flonja Kodheli e njohur për publikun shqiptar më së shumti si aktore, në këtë kompeticion europian u prezantua edhe si regjisore dhe skenariste më produksionin me metrazh të shkurtër “Ka me kalu”.

Filmi u vlerësua me çmimin “Be TV” çka i ka hapur rrugën artistes për të shfaqur filmin në televizion këtë vjeshtë.

Me regji të Flonja Kodhelit, “Ka Me Kalu” tregon historinë e Stelës (interpretuar nga Flonja Kodheli), e cila kthehet nga Shqipëria në Bruksel për të marrë pjesë në varrimin e gjyshes. Ajo vëren se nëna e saj është e pushtuar nga frika dhe jo nga pikëllimi. Sjellja e saj duket konfuze, absurde dhe madje paranojake. Trauma e rishfaqur nga e kaluara pushton jetën e tyre. Në role Ilire Vinca Celaj, Mathilde Rault dhe Serge Hologne.

Flonja Kodheli është një aktore, muzikante, pianiste dhe kompozitore u largua me familjen nga Shqipëria në vitin 1993 dhe u vendos në Belgjikë. Ka interpretuar në filma si “Bota” (2014 Shqipëri), “Amsterdam Express” (2014 Shqipëri),  “Il contagio” (2017 Itali), “Helvetica “(2019 Zvicër, Belgjikë), “Exil” (2020, Gjermani, Belgjikë Kosovë) etj. / KultPlus.com

‘Bota është si një guaskë deti. Të takon ty t’i gjesh perlat’

Ka kaluar më shumë vite nga dalja e filmit “Në kërkim të lumturisë” me aktorin e famshëm Will Smith, por sërish është një nga filmat e ngulitur fort në mendjen e njerëzve si një ndër më të bukurit dhe më motivuesit.

Më poshtë do të lexoni disa nga thëniet e përdorura në të që padyshim do e bëjnë ditën tuaj më të bukur.

1. Mos lejo askënd të të thotë se ti nuk mund ta bësh diçka. As mua. Nëse ke një ëndërr, duhet ta mbrosh atë. Njerëzit që të thonë se ti s’mund ta bësh diçka, janë ata që s’mund ta bëjnë dot atë gjë vetë. Nëse do diçka, përpiqu dhe arrije.

2. Hidhi hapat dhe ec përpara. Mos fol shumë, por ec drejt suksesit. Ecja nuk ka pse të jetë me milje të tëra. Edhe hapat e vegjël si një fëmijë, e kanë rëndësinë e tyre.

3. Pasuria mund të jetë edhe ajo sjellja me mirënjohje, në të cilën ne i kujtojmë vetes sonë përditë për të llogaritur bekimet tona.

4. Bota është si një guaskë deti. Të takon ty t’i gjesh perlat.

5. Unë nuk jam ajo çfarë më ndodhi mua. Unë jam ai që zgjedh të bëhem.

6. Ishte dikur një burrë që po mbytej dhe aty kaloi një varkë. Burri në varkë e pyeti burrin që po mbytej : “A do ndihmë?”, por ai ia ktheu “Zoti do të më shpëtojë mua”. Një varkë tjetër erdhi dhe një burrë u përpoq ta ndihmonte, por ai ia ktheu :

“Zoti do të më shpëtojë mua”. Por ai u mbyt dhe shkoi në parajsë. Më pas, i tha Zotit : “Zot, pse nuk më shpëtove?”, ndërsa Zoti ia ktheu : “Unë të nisa ty dy varka”. Ndaj, shfrytëzojini gjithë mundësitë që ju jepen në kohën e duhur.

7. Ndoshta lumturia është diçka që ne vetëm e kërkojmë dhe pavarësisht gjithçkaje, nuk mund ta kemi.

8. E njoha babanë tim për herë të parë, kur isha 28 vjeç. Aty vendosa se kur të kisha fëmijë, fëmijët e mi do ta dinin se kush ishte babai i tyre…/ KultPlus.com

Filmi ‘Virgjëresha Shqiptare’ triumfon në Festivalin e Filmit në Ostend

Filmi “Virgjëresha Shqiptare” ka triumfuar në Festivalin e Filmit në Ostend, duke fituar Çmimin e Publikut, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook”, protagonistja Rina Krasniqi ka bërë të ditur edhe për çmimin e fituar.

“Faleminderit kastit dhe ekipit tim të mrekullueshëm, ekipit dhe njerëzve punëtorë që e mbështetën këtë projekt të përzemërt që nga dita e parë. Dhe mbi të gjitha, faleminderit publikut të bukur belg, i cili mbushi shfaqjet tona dhe na bekoi me këtë çmim të mrekullueshëm! Dhe kështu udhëtimi vazhdon!”, shkroi Krasniqi në “Facebook”.

Filmi zë vend në Shqipërinë e vitit 1958, ku një djalë dhe një vajzë rriten së bashku në të njëjtin fshat. Ata janë miqtë më të mirë. Luana është vajza e një njeriu shumë të respektuar, Agimi biri i tradhtarëve të cilët u ndaluan nga qyteti nga komunistët. Pavarësisht nga këto rrethana të pafavorshme, të dy ruajnë miqësinë e tyre për 10 vjet. Si një grua e re Luana përjeton gjithnjë e më shumë se të jesh grua është një mallkim dhe ndërmerr veprime të pazakonta, i jep fund situatës së saj si viktimë dhe fiton fuqinë për të vendosur vetë. /KultPlus.com

Cineplexx organizon event për 8 Mars me një super ofertë

Cineplexx organizon eventin “Women’s Day” për nder të Ditës së Grave ku ka bërë një super-ofertë me filmat më të shikuar në kinemanë në Prishtinë dhe Prizren.

Më 8 Mars, mund ta kaloni Ditën Ndërkombëtare të Grave nën shoqërinë e filmave më të shikuara të gjinisë femëror në Cineplexx. Dy filmat të cilët do të shfaqen këtë ditë janë, Zgjoi, një dramë e suksesshme vendore e cila ka thyer rekorde te shikueshmërisë dhe Marry Me, një komedi/romancë nga mbretëresha e këtij zhanri, Jennifer Lopez. Duke e shikuar njërin nga këta filmat ju mund te përfitoni nga super-oferta: 1 biletë, 1 Popcorn M, 1 pije 0.5L për vetëm 5.90€.

Zgjoi

Filmi përcjellë Fahrijen (Yllka Gashi) e cila është në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë. Ajo fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetesën e familjes së saj në një ambient tradicional patriarkal ku ambicia e saj për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Punët bujqësore fillojnë t’i ecin mbarë përpos bletëve që janë shumë kaotike dhe agresive ndaj saj. Në rrugëtimin e saj për ta gjetur paqen me bletët, ajo fillon ta gjejë edhe paqen me veten për të jetuar në një situatë të re për të.

Marry Me

Ngjarja e filmit zhvillohet rreth yllit të muzikës, Kat Valdez (Jennifer Lopez) e cila bashkë me Bastian (Maluma) do të martoheshin drejtpërdrejtë përpara një audience botërore fansash. Por kur Kat mëson shumë pak sekonda para premtimeve të saj, se Bastian e ka tradhëtuar, ajo vendos të martohet me Charlien (Owen Wilson), një të panjohur prej publikut. Ndërsa rrethanat komplikohen për çiftin e porsamartuar, ata duhet te vendosin nëse dy njerëz nga bota kaq të ndryshme mund ta gjejnë dashurinë e vërtetë së bashku.

Për më tepër informata rreth orareve vizitoni webfaqen e Cineplexx, ndërsa biletat mund t’i bleni përmes aplikacionit Cineplexx KS apo direkt në kinema prej orës 15:00. /KultPlus.com

‘Vera Andrron Detin’ vazhdon rrugëtimin në edicionin e 20-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Gjenevë

Filmi “Vera Andrron Detin” me regji të Kaltrina Krasniqit do të vazhdojë aventurën e tij në Zvicër, shkruan KultPlus.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit dhe Forumi për të Drejtat e Njeriut në Konkurrencën Fiction do të japë premierën e filmit kosovar.

“Më 9 mars, regjisorja Kaltrina Krasniqi do të jetë atje për ta prezantuar filmin. Shihemi së shpejti”, shkruhet në postimin e tyre.

Në film përditshmëria e qetë e Verës çrregullohet nga vetëvrasja e papritur e burrit të saj që hapë rrugë për një paradë të padëshiruar kërcënimesh nga kushërinjtë që pretendojnë të kenë pronësi mbi shtëpinë e familjes së tyre në fshat. Kur tendencat e një skeme të nëntokës fillojnë të dalin në pah, bota e Verës përballet me rreziqe të cilat duket se do ta fundosin atë. Frika dhe mosbesimi, shtyjnë Verën të marrë fatin e familjes në duart e saj.

E zhytur në një atmosferë të tensionuar, “Vera Andrron Detin” është një portret intim por edhe universal i një gruaje e cila lufton një realitet të vrazhdë pabarazisë gjinore thellë të rrënjosura në shoqëri edhe në ditët e sotme’.

Në film luajnë: Teuta Ajdini Jegeni, Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj, etj. Drejtoreshë e fotografisë: Sevdije Kastrati; Producent: Shkumbin Istrefi.

Vera andrron detin’ është bashkëprodhim në mes të Kosovës (Puntoria Kreative Isstra, Vera Films), Maqedonisë së Veriut (Dream Factory) dhe Shqipërisë (Papadhimitri Productions) i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë – Shqipëri. / KultPlus.com

78 vjet nga lindja e aktorit të shquar, Faruk Begolli

Si një ndër aktorët më të famshëm shqiptar nga Kosova në Jugosllavi, Faruk Begolli studioi në Akademinë e Filmit dhe Teatrit në Beograd ku diplomoi në vitin 1966.

Ai është bashkëthemelues i degës së Aktrimi të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës. Në vitet e 90-ta ka bashkëthemeluar Teatrin “Dodona” në Prishtinë.

Faruk Begolli ka luajtur në më shumë se 60 filma, duke filluar me ‘Pogled u Zenicu Sunca’ (1966), për të bashkëpunuar pastaj me regjisorin Purisa Dordevic në filmat e tij ‘Podne’ (Mesditë), ‘Jutro’ (Mëngjesi) dhe ‘San’ (Ëndrra).

Rolet e tij të spikatura përfshijnë ‘Bitka na Neretvi’, ‘Cuvar plaze u zimskom periodu’ dhe Dervis i Smrt (Dervishi dhe Vdekja), si dhe rrolet në filmat e njohur Kosovar të viteve të 70ta dhe 80ta si ‘Kur pranvera vonohet’ (1980), ‘Era dhe Lisi’ (1979), ‘Të Ngujuarit’ (1972), ‘Si të vdiset’ (1972), ‘Proka’ (1984) etj./ KultPlus.com

Albulena Kryeziu: Kudo që kam ushtruar profesionin ka qenë një kënaqësi shpirtërore

Uranik Emini

Aktorët shpesh herë mund të identifikohen edhe sikurse “interpretuesit”, të cilët argëtojnë një audiencë duke aktruar, kënduar ose kërcyer. Ata luajnë personazhe në skenë ose ekran dhe punojnë me drejtimin e ekipit krijues për të sjellë në jetë një pjesë të teatrit, shkruan KultPlus.

E njohur për shumë role të luajtura në teatër, por duke mos lënë anash as serialet e televizionin, Albulena Kryeziu në një intervistë për KultPlus rrëfen disa pjesë nga jeta e saj dhe gjithashtu edhe dy vitet e fundit pandemik, të cilat kanë qenë të ndryshme për shumë njerëz në të gjithë globin.

E pyetur mbi pjesën se sa e vështirë është të qenurit një aktorë në Kosovë, Kryeziu thotë se gjeneratat e mëparshme e kanë trazuar rrugën për të rinjtë.

“Profesioni i aktorit për nga natyra është i vështirë, duke mos qenë profesion i rëndomtë natyrisht që nuk është aspak e lehtë të jesh aktor/e kam përshtypjen në secilin vend të botës. Por fatmirsisht neve në Kosovë, rrugën na e kanë trasuar gjeneratat e mëparshme dhe tani konsideroj që këtu secili profesion përballet me vështirsitë e veta, sikurse edhe ky i imi”.

Pjesa e teatrit, filmit dhe televizionit dallon nga njëra tjetra në shumë sfera, por për Kryeziun të gjitha projektet kanë qenë një “kënaqësi shpirtërore”.

“Kudo që e kam ushtruar profesionin për mua ka qenë le ta themi një festë, një kënaqësi shpirtërore. Secilin projekt që pranoj të hy në të gjejë copëza dashurie të cilat kur bashkohen rezultojnë me finalizimin e një roli apo projekti”.

Përballja me pandeminë

“Shumë e rëndë, besoj që kam qenë prej njerëzve që shumë e kanë vuajtur izolimim për shkak se ishte viti që kisha shumë plane para vetës dhe për një moment ngjau sikur bota u rrotullua. Çkado që i shtoj mund të tinglloj shumë e zymtë, por meqë e përmenda këtë fjalë, po e them që ishte periudhë tepër e zymtë”, deklaron aktorja për KultPlus.

Sa i përket bashkëpunimit me producentin Blerim Gjoci, Kryeziu ndanë disa pjesë shumë interesante nga e kaluara e aktorëve kosovarë.

“Filmbërësit kosovarë kanë aq shumë pasion saqë mund të shkojnë deri në vetëmohim. Suksesi i tyre nuk është i rastësishëm, por është rrjedhojë e përkushtimit të tyre të pakusht. Ka qenë një periudhë kur me padurim e prisnim gushtin, sepse ateherë fillohej me xhirimet e filmave të shkurtër me producent Blerim Gjocin, e që bëheshin gati për festivalin e filmit “9/11 Dedication film festival”. Fatkeqsisht sot regjisorët e rinj, nuk e kan atë fat të kenë përkrahje një përkrahje të ngjashme që dikur e gjenin nga Prishtinafilm-i dhe Blerim Gjoci. Ka qenë shumë domethënëse kur prodhoheshin për çdo edicion të festivalit rreth 10 filma të shkurtër nëse nuk gaboj, mbase më shumë, mbase më pak por kjo s’kishte rëndësi. Rëndësi kishte që prodhoheshin filma dhe regjisorët, aktorët e gjeneratave të ndryshme na krijohej një ndenjë e përmbushjes artistike”.

E “ardhmja”

“Nuk di nëse pres diçka nga e ardhmja, e kam përshtypjen që të ardhem e krijoj vetë sot. Nuk jam person pa ambicie, por jam person që besoj në punën që e bëj sot, të nesërmes i vjen koha kur do t’i kushtosh rëndësi. Natyrshëm me vjen të mendoj që nuk duhet të presim të ardhmen, gjithçka duhet të ja besojmë të sotmes”.

Aftësia për t’u transformuar nga një personazh në tjetrin, talenti për të luajtur edhe në TV edhe në skenë e madje edhe në seriale të ndryshme kanë ndikuar që Kryeziu pas vetës të ketë jo vetëm një po disa “bagazhe” që dëshmojnë delikatesën dhe natyralitetin e saj përmes së cilave përmbushë në mënyrën më të mirë të mundshme detyrën parësore të një aktori, e cila ka të bëjë me sjelljën në jetë të një personazhit nga skenari. /KultPlus.com

Adriana Matoshi kërkon mbështetje për filmin “Zgjoi”: Le të shkruajmë histori së bashku

Filmi “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit, është përfshirë në listën e ngushtë të çmimeve Oscars në kategorinë e filmave ndërkombëtar, derisa po shpreson që të nominohet më 8 shkurt, atëherë kur edhe do të bëhen të ditur emrat që do të marrin pjesë në galanë e 27 marsit, shkruan KultPlus.

Njëra prej aktoreve në këtë film, Adriana Matoshi, përmes një postimi në “Facebook”, ka kërkuar mbështetje në mënyrë që të Kosova të shkruajë histori.

“ZGJOI osht shembulli ma i mirë i suksesit, çmimeve, vlerave dhe ma e rëndësishmja, pasqyrimi ma i drejtë i realitetit tonë. Nuk e di pse disa njerëz ngurrojnë e nuk e përkrahin artin para se me arritë suksese të mëdha, po në fund krejt kanë qef me u identifiku edhe me u krenu me ato suksese.Hajde bashkë t’a shkrujmë historinë, tu e shpërnda e tu e bo ZGJOIN me qarkullu në krejt platformat sociale e mediale.Suksesi nisi në #Sundance, vazhdoi në shumë e shumë festivale prestigjioze, tash e kemi radhën me e shkrujt emrin e Kosovës edhe në #Oscars. Kosova meriton t’a ketë vulën e saj në kinematografinë BOTËRORE. Historia e zonjës Fahrie dhe grave të Krushës e meriton këtë sukses”, ka shkruar ajo.

Zgjoi tregon historinë e Fahrije Hotit, e cila duke shpresuar të sigurojë familjën e saj, së bashku me të vejat në vështirësi nisin një biznes për të shitur një produkt ushqimor vendas. Ato gjejnë shërim dhe ngushëllim në sipërmarrjen e re, por vullneti i tyre për të jetuar të pavarur së shpejti përballet me armiqësi.

Regjisorja e filmit, Blerta Basholli dhe protagonistja Yllka Gashi kanë hapur një kampanjë, përmes së cilës kanë kërkuar që posteri i filmit të shpërndahet sa më shumë në rrjete sociale. /KultPlus.com

Pas 21 çmimeve nga mbarë bota, “Zgjoi” ëndërron për Oscars

Filmi me regji të Blerta Bashollit, “Zgjoi”, po shkruan histori me shkronja të arta, duke thyer rekorde në shumë festivale të cilat ka marrë pjesë, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi që ekipi i filmit ka bërë në llogarinë zyrtare, aty shkruhet se ka qenë një udhëtim i jashtëzakonshëm deri tani.

“Çfarë udhëtimi, Gishtat e kryqëzuar për kapitullin tjetër”.

“Zgjoi” po tenton që të shkruajë histori edhe një herë tjetër, duke u nominuar për çmimin më të mirë ndërkombëtarë në Akademinë e Arteve.

Votimi nga antëtarët e kësaj Akademie kanë filluar më 27 janar, derisa do të zgjasë deri në ditën e sotme.

Lista përfundimtare do të bëhet e ditur më 8 shkurt, në qoftë se “Zgjoi” do të marrë pjesë në ceremonin gala më 22 mars.

“Zgjoi” po vazhdon ekspeditën në vende të ndryshme të botës, derisa vitin e kaluar ishte filmi më i shikuar në kinemanë e Kosovës “Cinneplex”. /KultPlus.com

May be an image of ‎1 person and ‎text that says '‎WINNER WINNER 2021 WINNER NAWAR 2021 WINNER BEST FILM كلر WINNER للﷺ WINNER WINNER 2021 WINNER WINNER L WINNER WINNER WINNER 2021 WINNER CTRESS WINNER WINNER WINNER WINNER WINNER WINNER R WINNER ATO' WINNER DIRECTED BY BLERTA BASHOL HIVE‎'‎‎

‘Zgjoi’ vazhdon aventurat nëpër botë, në muajin mars shfaqet në Angli dhe Gjermani

Filmi “Zgjoi” dhe aventurat e tij në botë vetëm po shtohen dita ditës, shkruan KultPlus.

Filmi që theu rekorde në arenën ndërkombëtare, do të shfaqet në 18 kinema në Australi dhe gjashtë të tjera në Zelandë të Re.

Më pas, Blerta Basholli ka konfirmuar se filmi do të rikthehet në Evropë, ku gjatë muajit mars do të shfaqet në Angli dhe Gjermani.

‘Zgjoi’ përcjell Fahrije Hotin nga Krusha e Madhe (interpretuar nga aktorja Yllka Gashi),  e cila është në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë. Ajo fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetësën e familjes së saj në një ambient tradicional patriarkal ku ambicia e saj për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Punët bujqësore fillojnë t’i ecin mbarë pos bletëve që janë shumë kaotike dhe agresive ndaj saj. Në rrugëtimin e saj për ta gjetur paqen me bletët, ajo fillon ta gjejë edhe paqen me veten për të jetuar në një situatë të re për të. /KultPlus.com

Promovimi i kulturës dhe trashëgimisë kulturore rome përmes filmave dokumentar

Mungesa e informacionit është signifakt real mbi krijimin e paragjykimeve dhe sterotipeve mbi një shtresë të caktuar. Kultura, gjuha e tradita, përcaktojnë një komunitet, romët aq të pasur dhe të bukur e kanë kulturën, muzika e tyre vetëm e përthakon një trashëgimi të lashtë kulturore. Promovimi e dokumentimi i kësaj kulture, në mënyrë flagrane ka nevojë të promovohet më shumë sidomos tek pjestarët jo-rom.

Duke promovuar, ruajtur e dokumentuar kulturën, ky projekt do të përgjigjet në pjesën e përmismin të diapazanit kulturor tek një shtresë e komunitetit të caktuar me anë të filamve dokumentarë të pëpunuar nga regjisori autodidact i komunitetit rom Benjamin Menekshe. Filmat dokumentar janë nocion adekuat të cilët përfaqësojnë romët dhe kulturën e tyre.

Shfaqja e filmave do të pasohet me një panel të profesionistëve, përfaqësues të instucioneve dhe akterëve relevant dhe përfshirjen e publikut mbi diskutimin e publikut

Filmat dokumentar të larte cekur do të shfaqen me datën 15 janar (shtune)2022 duke filluar nga ora 19:00 në objektin e Doku Kino Prizen.

Ky projekt është project individual i regjisorit Benjamin Meneskhe, mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinis dhe Sportit. /KultPlus.com

Në mungesë të yjeve, ndahen çmimet Golden Globes

Pa yje e me shumë çmime është bërë edhe ndarja e çmimeve “Golden Globes”, përcjell KultPlus.

Në mbrëmjen e 9 janarit filmat “West Side Story” dhe “The Power of the Dog” ishin fituesit kryesor në ceremoninë e këtyre çmimeve, ngjarje që është mbajtur në Los Angeles.

Si asnjëherë më parë, kjo ceremoni është mbajtur pa pjesëmarrje të ndonjë ylli të filmit ose ndonjë transmetimi televiziv.

Një format i tillë është rezultat i supozimeve për korrupsion dhe mungesë të diversitetit në trupin votues.

Si rezultat, ceremonia e vogël e këtij viti është mbajtur në Los Angeles pa tepih të kuq apo qasje zyrtare të mediave.

Regjisori Stevel Spielberg me filmin West Wide Story, ka fituar çmimin në kategorinë e filmit muzikor.

Në anën tjetër, filmi “The Power of The Dog” është kurorëzuar me çmimin për dramën më të mirë dhe regjisorja, Jane Campion fitoi çmimin kryesor. /KultPlus.com

Here Are the 2020 Golden Globes Winners | Complex

Shkencëtarët emërojnë një pemë me emrin e aktorit Di Caprio

Shkencëtarët në Kopshtin Botanik Mbretëror, Kew, thonë se donin të nderonin yllin Leonardo di Caprio për ndihmën e tij në shpëtimin e një pylli, përcjell KultPlus.

Pema, së cilës i është dhënë emri zyrtar, Uvariopsis dicaprio, rritet vetëm në pyllin e Kamerunit, i njohur për biodiversitetin e tij të jashtëzakonshëm.

“Ne mendojmë se ai ishte vendimtar për të ndihmuar në ndalimin e prerjeve të pyllit Ebo,” tha Dr Martin Cheek nga Kew.

Pema “dicaprio” është bima e parë e re për shkencën që u emërua zyrtarisht nga shkencëtarët e Kew në vitin 2022, përmes botimit në revistën shkencore, PeerJ.

Pema e vogël tropikale me gjelbërim të përhershëm ka lule të verdha me shkëlqim që rriten nga trungu i saj. /KultPlus.com

Kew scientists name new tree after Leonardo DiCaprio - BBC News