Parisi do të përdorë taksi fluturuese gjatë Lojërave Olimpike 2024

Nga romanet fantastiko-shkencore deri tek filmat aksion, taksitë fluturuese kanë qenë pjesë e imagjinatës njerëzore prej kohësh.

Por, këto mjete futuristike janë fare pranë bërjes realitet dhe mund të përdoren edhe si taksi për të transportuar fansat e sportit gjatë Lojërave Olimpike 2024, në Paris.

Kjo është bërë e ditur nga zyrtarë francezë, të cilët shtuan se kanë nisur testimet me taksi elektrike fluturuese që pritet të përdoren gjatë Lojërave Olimpike.

Qëllimi final është të krijohen të paktën 2 pista fluturimi në ajër, në mënyrë që të lehtësohet trafiku gjatë lojërave.

Për momentin, rreth 30 prodhues të të tilla makinave do të testojnë produktet e tyre në fushën ajrore Cromeilles-en-Vexin, që ndodhet vetëm disa kilometra larg Parisit.

Ky lajm vjen pak kohë pasi kompania koreano-jugore, Hyundai, njoftoi planet për hedhjen në treg të taksive fluturuese autonome deri në vitin 2028, të cilat do të kenë mundësi të akomodojnë deri në 5 pasagjerë.

CEO i Aeroports de Paris, Augustin de Romanet, u shpreh për mediat franceze se:

“Këto testime janë të paprecedente deri më sot në Europë,’ dhe se ‘ato do të shërbejnë për të ndërtuar një eksperiment konkret dhe për të eksploruar gamën e mundësive të aviacionit inovativ dhe net-zero, si dhe për të zhvilluar tregun e aviacionit në lartësi të ulëta (poshtë 300 metrave), i cili deri tani ka mbetur më së shumti i paeksploruar.”/ KultPlus.com

Stuhia në Britani, bllokohen brenda një pub-i për tre ditë 61 persona

61 klientë të një pub-i në Britaninë e Madhe kanë mbetur të bllokuar për tre ditë brenda tij, si pasojë e stuhisë që ka përfshirë veriun e vendit. Por mes muzikës, pijes dhe ushqimit disa prej tyre u mërzitën që aventura përfundoi me ekipet e shpëtimit që më në fund arritën të hapin derën e bllokuar nga bora, shkruan The Guardian.

Ata kishin ardhur nga vende të ndryshme, duke sfiduar motin, për të dëgjuar një koncert me këngët e Oazis, për të kënduar pak, të hanin diçka dhe të ktheheshin në shtëpi. Por kur koncerti përfundoi 3 metra borë kishte bllokuar derën e pub-it.

Klientët dhe menaxherët nuk e humbën humorin e mirë dhe kur e kuptuan se nuk mund të ktheheshin në shtëpi, sistemuan ambientin për të fjetur me turne. Ditën tjetër kushtet meteorologjike nuk u përmirësuan dhe me muzikë, birrë dhe oxhak të ndezur kaluan dhe 24 orë të tjera. Ekipet e shpëtimit erdhën ditën e tretë, e madje disa u mërzitën që aventura përfundoi./ KultPlus.com

“Ecim për Adrianën”, qytetarë e kolegë solidarizohen me aktoren

Për nder të aktores Adriana Matoshi e cila përsëri u diagnostikua sërish me tumor në tru, u organizua ecja në sheshet e kryeqytetit.

Numër i madh i qytetarëve, kolegë e familjarë kanë ecur nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri te “Teatri Kombëtar”.

Aktorja dhe deputetja Matoshi dje njoftoi se pas nëntë vitesh i është rikthyer sërish tumori në kokë.

Në shkrimin e saj tejet të ndjerë, Matoshi theksoi se jetën duhet vlerësu e duhet dashtë.

Familja Gucci mendon se filmi ‘House of Gucci’ është ‘i dhimbshëm’ dhe ‘fyes’

Pjesëtarët e mbetur nga dinastia Gucci nuk u përpoqën ta fshehnin aspak pakënaqësinë e shkaktuar nga filmi Gucci. 

Duket se asnjë nga familja e famshme nuk është i lumtur me mënyrën sesi janë përfaqësuar nga filmi i shumëpërfolur që trajton historinë e  Patrizia Reggiani, Aldo Gucci, Maurizio, etj.

Gjatë një deklarate të bërë të hënën, trashëgimtarët e Aldo Gucci-it- ai që drejtoi shtëpinë e modës për 33 vite- u shprehën se janë të nervozuar nga mungesa e konsultimit që krijuesit e filmit duhet të kishin bërë me ta dhe nga fakti se i kanë portretizuar si “banditë, injorantë dhe të pandjeshëm ndaj botës dhe gjërave përreth.”

House of Gucci, filmi i realizuar nga Ridley Scott, ka një kast të njohur aktorësh si Al Pacino, Jeremy Irons, Adam Driver dhe Lady Gaga.

“Eshtë shumë e dhimbshme nga ana njerëzore dhe ofenduese për trashëgiminë që ka ndërtuar brand-in që Gucci është sot.”- vijon deklarata.

Sipas tyre, i gjithë filmi është fyes për familjen, që meriton më shumë respekt dhe nderim për punën e bërë dekada me radhë. 

“Gucci është një familje që jeton duke nderuar punën e të parëve, kujtimi i të cilëve nuk meriton të shqetësohet për të vënë në skenë një spektakël të pavërtetë, që në fund të ditës nuk bën drejtësi me protagonistët e saj.”

Ndonëse pjesëtarët e familjes së famshme kanë të drejtë të ndërmarrin veprime ligjore për të mbrojtur emrin, imazhin dhe dinjitetin e të dashurve të tyre, deri tani nuk është marrë asnjë masë. 

Burimi: The Guardian/ KultPlus.com

Unë, Biri Yt, Kosovë

Poezi nga Ali Podrimja

Unë, biri yt, Kosovë t’i njoh dëshirat e heshtura,
t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,
t’i njoh vuatjet, gëzimet, vdekjet,
t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tuka të kulluara;
ta di gjakun që të vlon në gji,
dallgën kur të rrahë netëve t’pagjumta
e të shpërthej do si vullkan:-
më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë.
Unë biri yt./ KultPlus.com

Edi Rama, lideri i parë në Evropë për numrin e ndjekësve në Facebook, në top 10 edhe Albin Kurti

Edi Rama rezulton të jetë lideri i tretë më i ndjekur në Facebook për Europën, gjatë vitit 2021, me 1.3 milionë fansa dhe 19.7 milionë reagime.

I pari është renditur presidenti turk, Recep Tayip Erdogan dhe i dyti është Giuseppe Conte, ish kryeministri i Italisë.

Rama ka popullaritet mjaft të lartë në Facebook dhe ka lënë pas kryeministra si Johnson, Macron, Orban, Mitsotakis, etj.

Si lider më i ndjekur në raport me popullsinë e vendeve që përfaqësojnë, Rama renditet në vendin e parë edhe për numrin e fansave dhe për reagimet në Facebook.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, rendit i dyti në raport me popullsinë.

Të dhënat janë analizuar nga Terra Data.

Kujtojmë se Edi Rama, është mjaft aktiv në Facebook, ku transmetohen të gjitha aktivitetet dhe daljet e tij publike./ KultPlus.com

Ndahet nga jeta piktori i njohur korçar, Sotiraq Xega

Është ndarë sot nga jeta në moshën 76-vjeçare piktori i njohur korçar Sotiraq Xega. Ai njihej si një nga piktorët më të mirë të peizazhit dhe cilësohej si pasardhës i Vangjush Mios.

Sotiraq Xega ka më shumë se 35 ekspozita vetjake, pjesa më e madhe e punimeve të tij janë në gjininë e peizazhit.

Xega kohët e fundit ekspozitat e tij i ka çelur në natyrë pasi ja kishin ndaluar të bënte një gjë të tillë në mjedise ku ekspozonin dhe piktorë të tjerë.

Ekspozita e fundit e tij ka qenë ajo e manave të Drenovës, ekspozitë të cilën e paraqiti për miqtë kryesisht, në një prej rrugicave të fshatit të njohur turistik. Përpos ekspozitave të shumta që e kanë bërë Xegën një prej mjeshtërve të peizazhit./tvklan.al/ KultPlus.com

Mbahet The Fashion Awards 2021, Dua Lipa merr pjesë, dizajnerja shqiptare merr çmimin BFC

Është mbajtur Tha Fashion Awards 2021, dhe edhe në këtë ngjarje të madhe të modës, nuk ka munguar suksesi shqiptar, përcjellë KultPlus.

Përderisa këngëtarja e famshme ka marr pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme të modës, Çmimi BFC (British Fashion Council) ka shkuar për dizajneren shqiptare Nensi Dojaka.

Në Royal Albert Hall të Londrës ishin mbledhur stilistët më të mirë të botës, ku edhe u nderua me një çmim dizajnerja shqiptare, përderisa në këtë mbrëmje u kujtua edhe dizajneri Virgil Abloh, i cili vdiq pak ditë më parë.

Ndërkohë, KultPlus ju sjell të plotë listën e çmimeve që janë dhënë në këtë mbrëmje të modës./ KultPlus.com

Nga ideja e deri tek propozimi për Oscars, Blerta Basholli e Valon Bajgora rrëfejnë rrugëtimin e filmit ‘Zgjoi’

Flonja Haxhaj

Festa e 28 Nëntorit frymoi ndryshe në KultPlus Caffe Gallery me prezencën e regjisores Blerta Basholli dhe producentit Valon Bajgora, të cilët për dy orë rrëfyen gjithë rrugëtimin e filmit ‘Zgjoi’, që nga ideja e deri tek prezantimi nëpër festivale ku po vazhdon të shënojë suksese të mëdha, shkruan KultPlus.

Nën moderimin e Vlora Merovcit, në mbrëmjen që shënonte edhe 109-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërsë, Basholli dhe Bajgora nuk hezituan të rrëfejnë për çdo sfidë, emocion, vështirësi dhe sukses, nëpër të cilat, ata dhe ky film kanë kaluar që nga fillimi.

‘Zgjoi” është film i bazuar në ngjarje të vërtetë që portretizon Fahrije Hotin nga Krusha e Madhe, e interpretuar nga aktorja Yllka Gashi, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient patriarkal e që nuk e mbështet iniciativën e saj.

E që e gjithë historia e Fahrijes të bëhet film, i kishte mjaftuar regjisores Basholli ta shohë e të dëgjojë rastësisht historinë e saj në televizor, sa ishte në Amerikë. Ajo shprehet para të pranishmëve se kur e ka dëgjuar rrëfimin e Fahrijes, menjëherë ka marrë vendimin që sapo të kthehet në Kosovë, të shkojë e ta takojë për të marrë të drejtën ta bëjë film tregimin e saj.

“Kur e kam pa tregimin në televizor që një grua e cila e ka burrin në mesin e personave të pagjetur në Kosovë, e ka marrë patent shoferin, ka fillu me punu edhe është paragjyku për këtë punë, fillimisht jam bërë nervoz për faktin që ajo po paragjykohet për atë punë, sepse në mendjen tem krejt katundi ish deshtë me u çu e me i ndihmu”- rrëfen Basholli duke potencuar se në kohën kur kishte dëgjuar për historinë  e Fahrijes, ajo ishte duke punuar në një film në Amerikë bashkë me aktoren Yllka Gashi dhe producentin Armond Morina, e ku ky i fundit i kishte premtuar se kur të kthehen në Kosovë do ta takojë me Fahrijen.

Para publikut që ishin gjithë sy e veshë tek ajo, Basholli nuk la pa e përmendur se që në momentin kur e ka parë për herë të parë Fahrijen, ka parë në të një grua dhe një person shumë të veçantë, të fortë, shumë inspiruese e inkurajuese.

”Shkova ta pyesja nëse ma jep të drejtën që historinë e saj ta bëj film, nëse jo, ta inkurajoja me vazhdu punën çka kishte bërë deri atëherë, sepse është diçka e jashtëzakonshme. Mirëpo, një person si Fahrija nuk pati nevojë për kurajo aspak, e në fakt përfundova unë e inkurajuara prej atij takimi, sepse ishte shumë më e fortë kur e takova. Menjëherë u ndje e lirë të na e japë të drejtën për rrëfimin e jetës së saj.” – shprehet më tutje Basholli duke thënë se në atë moment e ka kuptuar se ky film nuk është veç një detyrë për të, por  që ta portretizojë një grua kaq të fuqishme në një ekran të madh.

Valbon Tishukaj photography

E pyetur nëse e kishte pritur që ‘Zgjoi’ do të kishte një sukses të tillë, ndonëse i ka mbajtur shpresa, regjisorja Basholli thotë se nuk e kanë pritur, pavarësisht se kanë punuar shumë që ky film të kishte një rrugëtim dhe një jetë të gjatë.

Kurse Valon Bajgora i cili së bashku me Yll Ukën janë producentë të filmit ‘Zgjoi’, thotë se që kur e ka lexuar skenarin, i është dukur interesant për ta vazhduar.

“E para, është ngjarje e vërtetë, e dyta, është karakteri shumë i veçantë i Fahrijes dhe e treta është ajo ndjesia që ta jep filmi, i cili fillimisht kalon në shumë paragjykime, batica, zbatica por në fund të jep një shpresë shumë të madhe, e kjo është ajo që më ka bërë mua si producent të them ‘po’”- deklaron Bajgora, shkruan KultPlus.

Valbon Tishukaj photography

Meqë filmi flet për një person që është gjallë, Basholli thotë se frika e saj më e madhe gjatë gjithë procesit të realizimit ka qenë ajo se a do t’i pëlqejë filmi Fahrijes, a do të ketë pjesë ku ajo do të kërkojë që të largohen.  E momentin e vështirë për të, kur ia tregoi për herë të parë filmin Fahrijes, regjisorja e ndau me pjesëmarrësit në KultPlus Caffe Gallery.

“Fahrija e ka pa filmin, s’ka lëvizë për 83 minuta. Sa e ka pa filmin s’ma jepke as një shprehje të vogël me ditë bile a po i pëlqen a jo, edhe në fund më tha ‘filmi i mirë, Yllka e paska portretizu shumë mirë rolin, shumë skena po duken qashtu qysh ka ndodhë, veç ni vërejtje e kam, pse s’më latë me ia hi personit që ka deshtë me më dhunu’”- thotë regjisorja Basholli duke i cituar fjalët e para të Fahrijes pasi e pa filmin.

Basholli dhe Bajgora, më pas flasin edhe për paraqitjen e ‘filmit Zgjoi’ në festivalin më të madh të filmit në SHBA ‘Sundance’, atje ku pati premierën dhe fitoi tre çmimet kryesore duke u bërë kështu filmi i parë në historinë e këtij festivali që i ka fituar të trija çmimet kryesore.

Regjisorja dhe producenti tregojnë se suksesi në festivalin ‘Sundance’ ishte një nismë e mirë që më pas ky film të shfaqet edhe në festivale të tjera të rëndësishme.

“Pas Sundance, ne e kemi kuptu që filmi ka shumë potencial edhe duhet me qenë filmi i cili do ta prezantojë Kosovën në Oscars”- thotë Bajgora.

Përveç se filmi u mirëprit shumë si në vend ashtu edhe ndërkombëtarisht, drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti, iu drejtua regjisores me pyetjen se a ka marrë ndonjë Feedback nga Krusha pasi është bërë filmi.

Valbon Tishukaj photography

“Nëse nuk ma kishin bërë pyetjen gazetarët ndërkombëtarë se qysh kanë reagu burrat e Krushës, nuk më kish shku mendja, sepse në momentin kur Fahrija e ka mbështet filmin, e kam harru edhe pjsesën e reagimeve. Gratë e Krushës e kanë pritë shumë mirë, ju ka pëlqy shumë edhe qajo ke një çlirim shumë i madh. Fahrija ka marrë mesazhe prej një personi burrë i cili i ka thanë ‘na e ke marrë fytyrën krejt fisit, marre të koftë’. Edhe një djalë i Krushës në Zvicër i cili më është drejtu mu. Por, që të dyja e kanë lëndu shumë Zonjën Fahrije’ – u përgjigj Basholli, duke shtuar se nuk mendon që në film të gjithë burrat e Krushës duken keq, ka burra që e mbështesin Fahrijen në film, e ata që nuk e mbështesin nuk iu shihet shumë fytyra.

Kurse Medaur Sadrija, një regjisor i ri e që kishte ardhur nga Austria vetëm për ta dëgjuar këtë rrëfim, iu drejtua ekipit me pyetjen se cili ishte feedback-u që e kanë marrë nga njerëzit jashtë Kosovës, në veçanti për pjesën e historisë, e sidomos për histori të tilla si rasti i Fahrijes, për të cilën Sadrija thotë se si një i rritur në Austri, nuk kishte dëgjuar më herët.

“Ne kemi marrë reagime shumë të mira. Mirëpo në këtë film nuk jam mundu me shpjegu gjithçka si në filmat e kaluar e të cilët më pas kanë dalë shumë përshkrues, por jam fokusu në karakterin kryesor, me tregim e me kamerë, në mënyrë që publiku me u lidh në nivel më human e njerëzor, si njeriu me njeriun, e pyetjet që i kanë, i gjejnë përgjigjet në google” – u shpreh regjisorja.

E në këtë mbrëmje ku i gjithë interesi i  të pranishmëve ishte të dëgjojë gjithë rrëfimin e rrugëtimit të filmit më të sukseshëm të kinematografisë kosovare, ekipi i filmit ‘Zgjoi’ mori një dhuratë të veçantë nga piktorja, Qëndresa Krasniqi, e cila ka pikturuar posterin e filmit në ngjyra akril. Dhuratë kjo që i emocionoi dy pjesëtarët e ekipit të këtij filmi, si një shpërblim për punën që ata e kanë bërë.

Përveç suksesit që po e shijon me filmin ‘Zgjoi’, Blerta Basholli njoftoi se tani ka filluar të punojë një projekt të ri, e i cili do të flasë më shumë për jetën e saj personale.

‘Është një ngjarje e bazuar në jetën time, jetën time personale gjatë fundit të viteve 90-ta në Prishtinë. Është një ngjarje e rritjes si tinejxhere, e gjetjes së identitetit, me një prapavijë goxha politike. Ka shumë muzikë, ka shumë party, ka shumë pakënaqëi, protesta. Në draft e kam edhe fillimin e luftës dhe ikja jem bashkë me mamin, vëllain dhe djalin e axhës’ – tha Basholli duke mos dhënë më shumë detaje të reja rreth këtij projekti të radhës.

E producenti Bajgora thotë se pas suksesit të filmit ‘Zgjoi’ do të jetë shumë e lehtë edhe për mbylljen e financave të filmit dhe gjetjes së partnerëve për projektin e radhës.

Ndërkaq, ‘Zgjoi’ tashmë është në pritje të publikimit të listës së ngushtë të ‘Oscars’, e ku përfundimisht do të kuptohet nëse ky film do ta përfaqësojë Kosovën në këtë festival./KultPlus.com

“Ti, kushdo që të jesh, sado i vetmuar të jesh, bota i përqaset gjithnjë imagjinatës tënde”

‘Patat e egra’ nga Mary Oliver

I penduar, e për të qënë i mirë,
s’ke përse të tërhiqesh në gjunjë,
për njëqind milje
në shkretëtirë.

Thjesht, duhet ta lejosh atë
kafshë të butë,
trupin tënd, atë që do, të dojë.

Më trego për dëshpërimin
tënd ,unë do të t’tregoj timin.
Ndërkohë bota vijon përpa’ritmin.
Ndërkohë dielli,
dhe piklat e shiut si guralecë të shkëlqyshëm diamanti,
përshkojnë peizazhet,
rënë si xixa e mbi hangarët.

Mbi pemët me rrënjët
thellë tokës thithur gjiret,
mbi malet e heshtur,
ndjekur dhe lumenjtë
në rrjedhën e harbuar-ë

Ndërkohë, në lartësi
në atë blunë e lëmuar-ë
qiellit pasqyrohet
sërishmi, rikthimi në shtëpi,
i t’egrave patave.

Ti, kushdo që të jesh,
sado i vetmuar të jesh,
bota i përqaset
gjithnjë imagjinatës tënde,
dërguar thirrjen e saj, si të patave t’egra, të ashpër e njëkohësisht dhemshurisht-e :
shpallur pa ndërprerje,
origjinën tënde,
në familjen përkatëse.

Përktheu: Herman Çuka / KultPlus.com

(Angel Valentine/The New York Times)

Në përvjetorin e vdekjes përkujtojmë këngën e papublikuar të George Harrison

Sot mbushen plot 20 vite nga vdekja e kitaristit të pakrahasueshëm, George Harrison, shkruan KultPlus.

Edhe kur po vdiste, George Harrison nuk mund t’i shpëtonte shtypit. Që kur Beatles u bënë të famshëm në fillim të viteve 1960, ata shikuan çdo lëvizje të tij, ashtu si të gjithë grupit. George e urrente atë pjesë të famës. Ai i quajti mediat një bandë “bedelesh”.

KultPlus sot po kujton këngën e tij të papublikuar më parë.

Kënga e papublikuar e muzikantit dhe kompozitorit britanik, George Harrison, e titulluar “Hello Miss Mary Bee”, e vitit 1968, u shkrua për mikeshën e Harrison, Mary Bee, në të njëjtën periudhë kur doli në treg albumi i tij i parë solo “Wonderwall Music”.

Kënga është e regjistruar në një kasetë duke përfshirë edhe disa regjistrime alternative të hiteve të Beatles dhe disa letra të shkruara për Bee ndërsa Harrison ishte në Indi me gruan e tij, Pattie Boyd. / KultPlus.com

Dorëshkrimi i “mallkuar” i Emile Zola del në shitje

Germinal, suksesi i jashtëzakonshëm i Emile Zola në romancë, ishte gjithashtu një shfaqje teatrale që nuk pati sukses dhe u harrua.

Dorëshkrimi tashmë gjendet në ankand, duke realizuar kështu një mundësi unike për të blerë një të pabotuar.

Sotheby’s Paris hapi shitjet online të martën dhe do të vazhdojnë deri më 8 dhjetor për këto 454 fletë të firmosura nga dora e romancierit të famshëm natyralist, mes viteve 1885 dhe 1887.

Vetëm pak specialistë kanë mundur t’i lexojnë dhe të shohin se si Zola ka transkriptuar për skenën një nga kulmet e punës së tij, që flet për revoltën e minatorëve të qymyrit në Francën veriore, në vitet 1860.

Ky projekt përshtatjeje ishte shumë i dashur për autorin e sagës “Rougon-Macquart”.

Zola u kujdes krejt i vetëm për të, në vend që t’ia delegonte detyrën, siç ndodhi me “L’Assommoir” apo “Nana”, dramaturgut William Busnach.

“Publiku i teatrove pariziane, në atë kohë, ishte popullor dhe pikërisht atë ai dëshironte të prekte”, shpjegon Diana Cooper-Richet, studiuese në Universitetin e Versajës-Saint-Quentin, pranë Parisit, e cila studioi dështimin e kësaj pjese teatrale. / KultPlus.com

Yllka Gashi: Nuk kam guxuar të ëndërroj se gjashtë vjet më vonë, ky qytet do të më nderojë me mirënjohje për punën në ‘Zgjoi’

Aktorja Yllka Gashi nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka bërë të ditur se qyteti i Stamfordit në Konektikat e ka nderuar atë me një mirënjohje nga kryetari i komunës për punën në filmin “Zgjoi”, një ​​film kosovar i nominuar për Oscar, përcjell KultPlus.

“Kjo mirënjohje është edhe më e veçantë sepse m’u dha dje teksa po festonim festën e Pavarësisë/Flamurit Shqiptar”, ka shkruar Gashi.

KultPlus ju sjell njoftimin e saj të plotë:

Në vitin 2015 kur unë dhe familja ime erdhëm për të jetuar në Amerikë, qyteti i Stamfordit në Connecticut, u bë shtëpia jonë larg shtëpisë!

Së bashku me vajzën time, ecja çdo ditë në rrugët e qendrës së qytetit – Mill River Park, Biblioteka Ferguson dhe këndi i lojërave Cove Beach – ishin ndër destinacionet tona të preferuara. Çdo ditë duke shëtitur lagjet dhe duke mësuar gjëra të reja dhe ndërsa më mungonte familja dhe vendlindja ime, Stamford arriti të më sillte gëzim dhe siguri në jetë. Edhe pse ne tashmë jetojmë në një tjetër qytet,Stamfordi ende mbetet një shtëpi e dytë për ne!

As në një milion vjet atëherë,nuk kam guxuar të ëndërroj se gjashtë vjet më vonë, në vitin 2021, ky qytet do të më nderojë me mirënjohjen e kryetarit të komunës për punën në “Hive” – ​​kandidatin e Kosovës për Oscar 2022 dhe dashtë Zoti të nominuarin.

Jam thellësisht e nderuar dhe mirënjohëse!

Kjo mirënjohje është edhe më e veçantë sepse m’u dha dje teksa po festonim festën e Pavarësisë/Flamurit Shqiptar.

Në këtë ceremoni vjetore të organizuar nga Qendra Rinore Shqiptare në Greenwich dhe z. Richard Llukaj – biznesmen, filantrop dhe patriot i suksesshëm shqiptaro-amerikan – ndër të ftuarit specialë që na nderuan me praninë e tyre ishin edhe kryetari aktual i Stamfordit z. David Martin.

Kryetarja e sapozgjedhur e bashkisë znj. Caroline Simmons,

z. Jim Himes – Përfaqësuesi i SHBA (D-CT 4th District) dhe

z. Ferit Hoxha – Ambasador i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara në New York City.

Faleminderit të gjithëve për punën tuaj të palodhur, përfshirjen dhe vlerësimin e komunitetit shqiptar në SHBA!

Faleminderit Stamford!

Do ta kesh një vend të veçantë në zemrën time përgjithmonë! / KultPlus.com

Me librin e tij debutues në SHBA, Gezim Gashi zë vendin e parë në ‘Amazon’

Gezim Gashi i cili tash e sa kohë ka korrur sukses të madh nëpër botë, ka bërë të ditur përmes një statusi në rrjetin social Facebook se libri i tij i titulluar ”Unlocked: the power of you”, ka zënë vendin e parë në kompaninë ‘Amazon’ në ShBA, përcjell KultPlus.

Librin i tij debutues u publikua më 29 nëntor të këtij viti, me ç’rast libri i titulluar ”Unlocked: the power of you”, u bë i disponueshëm në Amazon në mbarë botën si dhe në libraritë në ShBA, përfshirë këtu edhe bibliotekën prestigjioze ‘New York Library’.

”Unlocked: the power of you” është një libër që përfshihet në kategorinë ‘self-help books’ dhe ka të bëjë me mënyrën se si të plotësoni 12 hapa për gjetjen e çelësit për veten tuaj të vërtetë dhe se si të nxjerrim potencialin e juaj më të madh.

Libri ende nuk ka një datë të planifikuar për botim në Kosovë, por është menduar se do të botohet gjatë vitit 2022. Po ashtu, Gezimi pritet të zhvillojë një turne nëpër botë, e njëra ndër ndalesat e tij patjetër që do të jetë Prishtina.

Teksa autori ndante historinë e tij të jashtëzakonshme duke filluar nga ikja e gjenocidit në Kosovë e deri tek të folurit në Universitetin e Harvardit si shqiptari-suedez i parë që krijoi një institut arti dhe argëtimi në Los Anxhelos, e po ashtu si një mentor global i muzikës dhe këshilltar i menaxhimit, Gezim Gashi harton rrugën drejt suksesit dhe përmbushjes personale.

Historia e Gezimit dëshmon se zhbllokimi i vetes sonë autentike nxjerr potencialin tonë më të madh në një botë pa kufij, e sidomos tani pas pandemisë. / KultPlus.com

Në nder të Adriana Matoshit nesër organizohet ecja nga Sheshi Zahir Pajaziti deri te Teatri Kombëtar në Prishtinë

Në nder të aktorës së mirënjohur dhe shumë të dashur për gjithë publikun shqipëfoles, Adriana Matoshi e cila përsëri u diagnostifikua me tumor në tru, nesër organizohet ecja nga Sheshi Zahir Pajaziti deri te Teatri Kombëtar në Prishtinë, duke filluar nga ora 12:00.

Me anë të kësaj ecje, të solidarizoheni me sfidën e Adrianës, për të cilën po luten të gjithë që ta fitoj si çdo peripeti që ajo e ka kaluar në jetë.

Ftohen të gjithë miqtë, artdashësit, dhe familjarët të cilët kanë dëshirë ta përkrahin Adrianën në këtë luftë dhe ti tregojnë që jemi të gjithë bashkë me të. / KultPlus.com

“Mund’ me t’fal temin trishtim, nga errsina jeme”

‘Ç’ka po të afroj’ nga Jorge Luis Borges

Po t’afroj rrugë t’vështirsueme
muzgje t’dëshpërueme
me at’ hanë t’periferive t’mjerueme.

Hidhnimin e nji burri
që pat’ vështrue gjatë
në at’hanë t’trishtueme

T’parët e mi t’vdekun
tashma përjetësuem
n’fantazma t’mermerta;
babën e babës tem t’vramë
n’kufi t’Buenos Aires,
me dy plumba qi patën
shpu tej e matanë mushkritë,
t’vdekun t’parruem,
kallur n’lëkurë t’nji lope;
gjyshin e nanës teme
sapo shkelur n’njëzetekatër mote,
n’nji shkëmbim zjarri me treqind burra n’Perù, tashma
dhe aj fantazmon mbi kuajt
e humbun.

T’afroj nga librat e mi ç’farëdolloj ditunie
të mundshme,
ç’farëdo lloj burrnie,
o’ jet njerzore.

Po t’afroj besnikrinë
e nji burri, qi se pat’ pasun.
At’kokrrizë t’vetvestes
t’konservume në nji farë mnyre mrena zemnës teme;
nuk bahet llogari për fjalët
as për andrrimet
ende t’paprekshme prej kohet t’gzimit e fatkeqësinave.

Po t’afroj dhe kujtimin
e nji t’verdh’ trandofili
prej perndimi,
shumë vite
ma t’hershme
prej t’lindurës tande.
Dhe ato shpjegimet
e tua, për ty, teoritë autentike
me t’dhana tmerrësisht befasuse.

Mund’ me t’fal temin trishtim,
nga errsina jeme,
uri e pangopme
e zemnës teme;
asgja tjetër, e gjitha kjo
asht ajo
q’po tentoj me t’korruptue
n’paqartësi t’rrezikshme,
e disfate.

Përktheu: Herman Çuka / KultPlus.com

Hapet ekspozita me kartëmonedha shqiptare e koleksionistit Girando Koti në Gjirokastër

Pjesë e aktiviteteve të “Javës së Flamurit”, në Gjirokastër, ka qenë edhe çelja e ekspozitës me kartëmonedhat shqiptare të emetuara në vite e koleksionistit të apasionuar, Girando Koti.

Ekspozita e çelur me mbështetjen e bashkisë së Gjirokastrës, titullohej “Kartëmonedha shqiptare në 100 vite” dhe përfshinte disa emisione të parasë shqiptare, të emetuara apo të përdorura prej vitit 1926 deri në ditët e sotme.

Ndërsa ka vizituar ekspozitën, kryetari i bashkisë Flamur Golemi u shpreh se “një mesazh të veçantë në përvjetorin e Pavarësisë, përcjell edhe kjo ekspozitë me publikimin e historikut të kartëmonedhës shqiptare”.

Koleksionisti Girandi Koti pohon se, fondi i kartëmonedhave të ekspozuara i përket koleksionit të tij personal.

“Emisioni i parë i kartëmonedhave të publikuara në ekspozitë përfshin periudhën 1926-1939, për të vazhduar me kartëmonedhat e emetuara nga Banka e Shqipërisë apo të përdorura gjatë Luftës së Dytë Botërore, vitet 1945-1990 ndërsa pjesë e emisionit të katërt janë kartëmonedhat e emetuara dhe që janë përdorur këto 30 vitet e fundit në vendin tonë. Historiku i kartëmonedhës shqiptare në 100 vite është pjesë e pandashme e historikut të shtetit shqiptar, fillimet e të cilit janë në qeverinë e Vlorës, të drejtuar nga Ismail Qemali. Çelja e kësaj ekspozite në 109-vjetorin e Pavarësisë është domethënëse”, thotë koleksionisti Girando Koti.

Ekspozita ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve, duke përfshirë edhe turistët, të cilët në këtë atmosferë të Festave të Nëntorit janë të pranishëm në Gjirokastër. / KultPlus.com

Publikohet kalendari kulturor Shqipëri-Kosovë 2022

Aktivitete mes institucioneve artistike, por dhe bashkëpunime për trashëgiminë kulturore janë pjesë e marrëveshjes nënshkruar mes dy ministrive të Kulturës, të Shqipërisë dhe Kosovës.

Pas mbledhjes së dy qeverive, që u zhvillua në Labinot, Elbasan, dy ministrat Elva Margariti dhe Hajrulla Çeku nënshkruan aktet, që konsistojnë në shkëmbimin dhe organizimin e aktiviteteve të përbashkëta në fushën e trashëgimisë kulturore, muzeve, bibliotekave, etj.

Ministrja e Kulturës Elva Maragriti në një status të saj shprehet se institucionet janë ato që do të çojnë përpara marrëveshjet kulturore mes Shqipërisë dhe Kosovës.

“Bibliotekat, muzetë, opera, arkiva, ansamble e parqe arkeologjike u angazhuan që atë bashkëpunim vëllazëror që kemi pasur deri më tani, ta fusin në korniza institucionale, me të vetmin qëllim: promovimin e kulturës shqiptare, atë që na bën unikë, një gur të çmuar mes kombeve!”, thotë ajo.

Kalendari kulturor Shqipëri-Kosovë 2022 po hyn në vitin e tetë radhazi. Në njoftimin e ministrisë thuhet se përmes këtij bashkëpunimi, është realizuar përfshirja e aktiviteteve kulturore të të dy vendeve në një kalendar të përbashkët.

“Aktivitetet dhe bashkëpunimet do të jenë nga fushat e artit aplikativ dhe skenik, në fushën e bibliotekave, të trashëgimisë, aktivitete për fëmijë dhe të rinj si dhe bashkëpunimi ndërmjet Galerive Kombëtare të Artit, ku do të realizohen ekspozita arti në Kosovë dhe në Shqipëri dhe prezantimin e përbashkët në aktivitete ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Kalendari kulturor

Kalendari parashikon Javën e Bibliotekës në Kosovë, çeljen në Prishtinë te ekspozitës “Kundërbota e Branko Merxhanit”. Pjesëmarrje e përbashkët në festivalin ndërkombëtar të filmit në Berlin, pjesëmarrje e përbashkët në festivalin e Kanës, bashkëpunimi me festivalet e tjera ndërkombëtare të filmit të organizuara në Shqipëri.

Realizimi i shfaqjeve te ndryshme teatrale si “Carmina Burana”, “Monger” dhe popullore si “Gjerdani i Artë”. Por në kalendar shkruhet gjithashtu dhe realizimi i festivalit të regjisorëve dhe dramaturgëve të rinj. Pjesë e tij është dhe pjesëmarrja e TKEKS në festivalin “Femart”, në qershor 2022.

Pjesëmarrja e Artpolis në festivalin që do të organizojë TKEKS në prill 2022, krijimi i një fondi të dedikuar për lëvizjen e artistëve, ekspozitë fotografike dhe promovimi i katalogut “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar”, etj.

Protokolli i bashkëpunimit midis Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor dhe Operës, Filarmonisë, Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” të Republikës së Kosovës, konsiston në bashkëpunimin artistik dhe shkëmbimin kulturor, promovimin e shfaqjeve dhe trupave në festivale apo projekte të tjera teatrore, në kuadër të realizimit të programeve dhe veprimtarive të tyre.

Pjesëmarrjen në produksione të përbashkëta të performancave, shkëmbime autorësh, artistësh, etj. TKOBAP do të vërë në dispozicion për Operën e Kosovës shfrytëzimin, kopjimin e arkivit dhe nototekës shqiptare, për të gjitha veprat të cilat nuk kanë të drejtë autori, duke njoftuar të paktën 6 muaj përpara, dhe në mbështetje të rregullave dhe procedurave të legjislacionit në fuqi.

Po ashtu TKOB do të vërë në dispozicion të Operës së Kosovës shfrytëzimin e hapësirave për realizimin e koncerteve premierë ose rivënie, duke njoftuar të paktën 1 vit përpara, etj. / KultPlus.com

105 vjeçarja mund Covidin dhe merr dozën e tretë të vaksinës

Margherita Fiorenza ka lindur në vitin 1916, ka përjetuar dy luftëra botërore, epideminë spanjolle dhe tashmë dhe Covid-19. Margerita Fiorenca, supergjyshja nga Roma ka mbushur 105 vjeç vetëm pak ditë më parë.

Nipi i saj shprehet për mediat se pavarësisht moshës ajo është shumë e kthjellët dhe mban mend shumë gjëra të jetës së saj, përfshirë bombardimet dhe jetës si e pastrehë për një farë kohe. Tani ajo jeton në një azil për të moshuarit por të afërmit dhe kryebashkiaku kanë shkuar të festojnë ditëlindjen e saj.

Një vit më parë ajo rezultoi pozitive me Covid por nuk u sëmur pasi nuk kishte simptoma. Gjyshja tashmë ka marrë dozën e tretë të vaksinës kundër Covid dhe mendon se pandemia do të kalojë si çdo gjë tjetër./abcnews.al / KultPlus.com

E para në valle, Bebe Rexha ‘ndez’ dasmën shqiptare

Bebe Rexha ka treguar se si i shijon në maksimum këngët shqiptare.

Një natë më parë ajo ishte e ftuar në një dasmë, ku kërceu nën ritmet e këngëve shqiptare, bashkë më atë afërmit e saj.

Në festë nuk mungojnë as elementë të tjerë tradicional, siç është dhe hedhja e parave në valle. Ajo ka ndarë entuziazmin me ndjekësit, përmes disa videove të postuara në “InstaStory”.

Ajo ka shkëlqyer edhe me pamjen e saj, teksa kishte veshur një fustan të zi plot xixa dhe të ngushtë.

Këngëtarja vazhdon të korrë sukses në karrierë. Së fundi, ajo publikoi videoklipin e këngës “Family”, në bashkëpunim me David Guetta, Ty Dolla Sign dhe A Boogie Wit Da Hoodie, që duket se fansat e kanë pëlqyer menjëherë. / KultPlus.com

Me veshje kombëtare dhe plis në kokë, Rita Ora uroi pavarësinë e Shqipërisë

Dje u festua dita e 28 nëntorit, me atmosferë dhe festë të organizuara në qytete të ndryshme shqiptare.

Figura të rëndësishme publike uruan popullin shqiptarë për 109 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, ndërsa nuk munguan as ato nga yjet shqiptare të muzikës botërore.

Në mesin e artisteve me famë ndërkombëtare që ka uruar Festën e Flamurit, ishte edhe Rita Ora, e cila ka ndarë disa imazhe në llogarinë e saj në Instagram, në orët e mbrëmjes.

Këngëtarja shqiptare postoi dy imazhe, një nga fëmijëria ku shihet me plis në kokë dhe jelek me flamurin kombëtar. / KultPlus.com

E shkruar në qeli, poezi nga Nâzim Hikmet

Poezi nga Nâzım Hikmet

Mendoj për ty
dhe ndiej aromën e nënës
nëna ime, më e bukura në gjithësi.

Ti je rrotullame në këtë park lojrash brenda meje
rri pezull përreth, fustani dhe flokët e tu valëviten
çaste jetime që nisin sa gjej fytyrën tënde e deri kur e humbas.

Për ç’arsye
përse të kujtoj si plagë në zemër
për ç’arsye ta dëgjoj zërin kur ti je kaq larg
dhe nuk kam ç’t’i bëj flakës që ngrihet?

Përgjunjem dhe të shoh duart
dua të të prek duart
por s’mundem
ti je pas qelqi
E shtrenjta ime, jam spektator i shtangur i dramës
që vetë luaj në muzgun tim.

(shkruar në qeli, 1945)

Përktheu: Edon Qesari / KultPlus.com

“Nga lot e ofshama, në nji fron të artë tash ngat Zotit rri”

‘Lenorë’ nga Edgar Allan Poe

Ah e thyme âsht kupa e florinjtë! shpirti ka fluturu përgjithmonë!
Le t’jehojë kâmbana!–në lumin stigjian nji shpirt engjëllor po noton;
Dhe, ti i fejum i saj, si s’nxjerr lot?– vajto tash ose kurrë mâ!
Shif! atje zymtë dhe shtangët n’çivur e dashuna jote, Lenorë u thâ
Ejani! le të nis riti i varrimit-vajtimet le t’marrin erë!–
Nji himn për dekën ma mbretnore që ka ngja ndoj’herë–
Nji elegji për dekën e dyfishtë pse kaq e re u bâ e ndjerë.

“Të mjerë! e deshët për kamjen e saj dhe i patët smirë kryenaltësinë,
“Dhe kur vinte tu u tret shëndetligë, e nemtë- sa vdiç çupëlinë!
“Si t’nis, atëherë, kjo ceremoni?–si t’knohet ky psalm
“Nga ju- nga sytë nakar t’juj,–nga llapitja juj e përdalë
“Që bânën me dekë nji çupë, kaq e re pa faj?”

Kemi m’katnue; mos shfreni veç kshtu! nisni nji kangë t’shtunës s’bekume
T’kumboj dej te Zoti sa vetë deka t’duket e gabume!
E âmbla Lenorë ka “shku m’parë” me Shpresën ngjit ngat
Tu ta lanë ty marrinë për çupën e artë që ke mujt nuse me pas–
Për ta, të ndershmen dhe shpirtmirën, që shtrihet tash poshtë;
Jeta vezullon mbi floktë e saj verdhak, por jo mrena syve t’saj foshnjor–
Jeta aty hale, mbi flokët e saj– deka shtri mbi sytë e saj skaj m’skaj

“Ikni! Sonte zemra m’o zdrit. S’kam m’i ngrit asnji elegji,
“Por përcillne me nji himn apollonian shpirtin e saj prej engjëlli!
“Mos t’jehojë kâmbana-që shpirti i saj i âmbël, midis haresë t’hyjnume,
“Të arrijë t’klithë, sa t’ik nga kjo Botë e mallkume.
“Për miqtë e qiellit, nga djajtë e tokës nji hije e xhindosun krejt e gri–
“Nga Ferri ngrit midis Parajsës vesh n’madhështi–
“Nga lot e ofshama, në nji fron të artë tash ngat Zotit rri.”

Përktheu: Leonora Hajra. / KultPlus.com