“Ora e Astritit 2021”, publikohen emrat e poezive fituese

Sot në Galerinë e Arteve në Ferizaj u mbajt takimi final i edicionit të pestë të konkursit të poezisë “Ora e Astritit 2021” ku janë përzgjedhur poezitë fituese të këtij edicioni, përcjell KultPlus.

Në këtë konkurs, tanimë tradicional, që mbahet në kujtim të poetit dëshmor Astrit Bytyçi, këtë vit juria profesionale prej poezive të dërguara, përzgjodhi 30 si më të realizuara, për orën finale, të cilat edhe u përfshinë në broshurën e botuar me këtë rast.

Autorët e poezive ishin nga të gjitha trojet shqiptare, ndërsa ata që ishin të pranishëm në takimin e sotëm i lexuan poezitë e tyre nën përcjelljen e tingujve të kitarës së Riad Ramadanit.

 Përveç krijuesve pjesëmarrës të konkursit dhe mysafirëve të tjerë, në këtë takim ishin të pranishëm edhe familjarët e poetit dëshmor Astrit Bytyçi.

Juria profesionale në përbërje prej tre anëtarëve: Kemajl Aliu – poet, Olimbi Velaj – poete dhe Arsim Hamiti – kritik letrar, fitues të këtij edicioni u zgjodhën:

Çmimi i parë: Abdyl Hajredini – me poezinë ‘Arti i heshtjes’                       

Çmimi i dytë:  Klejda Plangarica – me poezinë ‘Të ridashurohemi’                         

Çmimi i tretë:  Albion Sherifi – me poezinë ‘Dhembje’

Çmimi ‘Astrit Bytyçi’: Behar Ibishi – me poezinë ‘Mallëngjimi’./KultPlus.com

‘Let’s meet our ambassadors through books’, njohja e figurave të rëndësishme diplomatike në Kosovë përmes librave

 Flonja Haxhaj

Në ambientet e Shtëpisë Botuese ‘Dukagjini’, është mbajtur takimi që do të jetë i përmuajshëm, ‘Let’s meet our ambassadors through books’, e që ka për qëllim njohjen e këtyre figurave të rëndësishme politike, jashtë misionit të tyre diplomatik dhe ajo për të cilën ata janë paraqitur në media, shkruan KultPlus.

Mysafiri i parë i ‘Let’s meet our ambassadors through books’ është ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbot, i cili ka shpalosur rëndësinë e librave në formimin e karakterit dhe jetës së tij.

Ai me fillim të këtij debati tregon se është rritur në një vend në Anglinë Verilindore, ku qysh në moshën 13-vjeçare ishte bërë bibliotekar kryesor.

“Kur unë isha në shkollë në Anglinë Verilindore, në vitin e tretë kam qenë bibliotekar kryesor, që i bie kam qenë bibliotekar diku rreth moshës 13-vjeçare. Librat dhe të lexuarit kanë role të ndryshme në jetën tonë, kjo është arsyeja pse unë mendoj se të lexuarit është kaq  i rëndësishëm. Nëse ju i pëlqeni librat, çka ndodhë, është se ju përfundoni duke e pasur një lidhje shumë të fortë me to. Ju lexoni për arysye të ndryshme, kjo është ajo që ju bën juve të lexoni” – thotë ambasadori Abbot duke shtuar se ndonëse ka mënyra të ndryshme të të lexuarit, ai më së shumti i preferon librat e printuar.

‘Nëse vini në rezidencën time dhe shikoni në raftet e librave, ju do të gjeni shumë libra për historitë ushtarake, historinë e Romës, Greqisë antike, luftës civile në Amerikë, në anën tjetër do të gjeni libra rreth shpresës, natyrës, gjendjes së qenies njerëzore, do të gjeni poashtu edhe libra rreth menaxhimit dhe lidershipi, të cilat i kam nga babai im”- thotë  Abbot duke folur rreth zhanreve të librave që ai lexon.

Një ndër librat për të cilat ambasadori Abbot ka vendosur të flasë është libri ‘The Hobbit’ nga autori JRR Tolkien.

“Unë isha 9-vjeçar, kur në shkollë çdo të hënë, mësuesja na e linte nga një libër për të lexuar, një ndër ta ishte libri ‘The Hobbit’, të cilin e lexoja çdo verë. Vendi im atë kohë kishe shumë probleme, shumë fabrika po mbylleshin, kështu që nuk ishte vendi më i lumtur për të jetuar, e të lexuarit e këtij libri ishte një mënyrë për t’u larguar nga kjo gjendje. Ky ishte një libër aventuresk, ku fliste për disa krijesa që ishin duke pasur një jetë të ngjajshme me atë që secili nga ne po e jetonte.” -thotë Abbot duke shtuar tutje se të lexuarit nuk duhet të ndahet në mosha.

Abbot ka përzgjedhur të flasë edhe për novelat e Maigret, e për të cilat ai thotë se është e pamundur të zgjedhë se cila është e preferuara e tij. Ai cilëson detajet që e karakterizojnë këtë autor.

Gjithashtu, ambasdori ka folur për preferencat aktuale që ai ka në lexim. “Preferencat aktuale janë më shumë për tregimet që kanë të bëjnë me ‘pse’ dhe jo se ‘si’, nuk jam adhurues i atyre tregimeve se si ka ndodhur ngjarja por se pse ka ndodhur ngjarja”- thotë Abbot, përcjell KultPlus.

Ndërkaq, Elion Kollçaku, nga Shtëpia Botuese ‘Dukagjini’ e që është edhe prezantues i këtij debati, flet për KultPlus për këtë ngjarje e cila do të vazhdojë edhe për muajt në vazhdim.

“‘Let’s meet our ambassadors through books’ është një iniciativë e Shtëpisë Botuese ‘Dukagjini’ ku për çdo muaj do të jetë një ambasador i vendeve të huaja pjesëmarrës në librarinë ‘Dukagjini ‘, ku do të flasë për gjithë librat që ka lexuar, do të ndajë përvojën e tij mbi librat dhe leximin do të shpërndajë mesazhe për leximin tek të gjithë pjesëmarrësit në këto evente.”- thotë Kollçaku.

Ai tutje tregon se pse pikërisht janë përzgjedhur ambasadorët për të qenë pjesëmarrës në këto ngjarje e jo figura të tjera shtetërore.

“Eventi është bërë i tillë me ambasadorët e vendeve të huaja, për shkak se janë kasta më e lartë diplomatike dhe që kanë ndikim shumë të madh në Republikën e Kosovës dhe janë pikërisht ata si infulensues që ndikojnë direkt në rritjen e lexueshmërisë, në rritjen e ndikimit të librit dhe prandaj vendosëm që të jenë pikërisht këta persona që do të jenë pjesëmarrës në këto evente të përmuajshme”- shton Kollçaku për KultPlus.

Ai ka bërë të ditur se në ditët në vazhdim do të mësohet edhe emri i ambasadorit që do të jetë pjesëmarrës në takimin e radhës në Shtëpinë Botuese ‘Dukagjini’./KultPlus.com

QKK hap konkurs për subvencionim të projekte filmike për vitin 2021

Qendra Kinematografike e Kosovës, ka hapur konkurs për subvencionimin e projekteve filmike për vitin 2021, shkruan KultPlus.

Njoftimin e ka bërë vetë QKK përmes një postimi në Facebook, ku ka dhënë më shumë detaje edhe për kategoritë të cilat mund të aplikojnë.

Postimi i plotë i QKK-së:

QKK-ja HAPË KONKURSIN PËR SUBVENCIONIM TË PROJEKTEVE FILMIKE PËR VITIN 2021

Këshilli Drejtues i QKK-së në mbledhjen e mbajtur me 27.09.2021, ka vendosur të shpallë të hapur konkursin vjetor për subvencionim të projekteve filmike në këto kategori:

konkursin për film të metrazhit të shkurtër dhe të gjatë artistik dhe dokumentar;

konkursin për film të shkurtër dhe të gjatë të animuar;

konkursin për film debutues të metrazhit të gjatë artistik;

konkursin për koproduksion minor për film të metrazhit të gjatë artistik;

konkursin për postproduksion për film të metrazhit të gjatë artistik;

dhe konkursin për zhvillim skenari për film të metrazhit të gjatë.

Afati i fundit për të aplikuar për mbështetje të projekteve filmike është data 28 tetor, 2021.

Aplikimi bëhet online përmes faqes zyrtare të QKK-së.

Për më shumë informata vizitoni seksionin e konkursit në webfaqen e QKK-së, apo duke klikuar në vegëzën e këtij postimi./KultPlus.com

Bizneset kreative ekspozitë për promovimin e trashëgimisë kulturore

Në kuadër të Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore dhe të Ditëve Evropiane të Trashëgimisë, Muzeu Historik kombëtar dhe Nxitja e Biznesit Social, Agjenci pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë çelën sot ekspozitën me temë: “Biznese kreative që ruajnë trashëgiminë kulturore”, e cila ka si synim të trajtojë gjithpërfshirjen e bizneseve kreative në trashëgiminë kulturore.

Në fjalën e tij hapëse drejtori i Muzeut Historik Kombëtar dr. Dorian Koçi, u shpreh se “në një shoqëri demokratike ka rëndësi barazia dhe krijimi i shanseve të barabarta për të gjitha bizneset kreative. Në këtë aspekt Muzeu Historik Kombëtar si institucioni më i madh i memories kombëtare në vend ndër vite ka zhvilluar një sërë aktivitetesh, të cilat kanë synuar në sensibilizimin e opinionit publik për gjithpërfshirjen e bizneseve kreative në trashëgiminë kulturore”.

E pranishme në hapjen e ekspozitës ministrja e Kulturës, Elva Margariti vuri theksin në mesazhin e fuqishëm që ky aktivitet mbart në vetvete duke ekspozuar më së miri potencialin e fuqishëm të bizneseve kreative me bazë trashëgiminë kulturore dhe shpërfaqjen e të bukurës shqiptare, e cila është në vetvete pjesë e pandashme e kulturës evropiane.

Drejtoresha e Agjencisë “Nxitja e Biznesit Social”, Ulpiana Hysaj, parashtroi tek të pranishmit përmbajtjen e kësaj ekspozite ku marrin pjesë gjashtë biznese kreative, të cilët nëpërmjet punëve të ekspozuara promovojnë trashëgiminë kulturore nga të gjitha krahinat e Shqipërisë.

Për dy ditë me radhë do të ekspozohen motivet dhe vlerat më të spikatura të trashëgimisë të rijetëzuara në punime artistike, prodhime kreative, inovacione në aksesorë të punuar me minerale dhe shumëllojshmëri nga shkëmbinjtë e maleve shqiptare, endje në tezgjah, produkte të ricikluara, motive nga sixhadet, piktura kreative në format të vogël, duke shprehur larmishmërinë e pasur të kostumeve popullore shqiptare, si edhe duke përcjellë kështu vlerat tona kombëtare./Kultplus.com

Lista Serbe e refuzon propozimin e KFOR’it që të qëndrojë në fuqi masa e reciprocitetit të targave

Subjekti politik përfaqësues i pakicës serbe në Kuvendin e Kosovës, Lista Serbe, nëpërmjet një deklarate të lëshuar ka thënë se iu është refuzuar propozimi komandantit të KFOR’it, Franco Federici.

Ky i fundit iu propozoi që të zëvendësohet Njësiti Special i Kosovës me trupat e misionit paqeruajtës në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, si dhe të qëndrojë vendimi i Qeverisë së Kosovës për masën e reciprocitetit të targave.

“Në konsultim me qytetarët tanë, ne njëzëri e hodhëm poshtë këtë propozim. Populli ynë dhe ne, përfaqësuesit e tij, nuk jemi gati të pajtohemi me synimin e Prishtinës për të na futur në geto dhe për të hequr të drejtën e lirisë së lëvizjes, e cila është vlera e Evropës moderne. Ajo duhej të zbatohej edhe për serbët në këtë zone”, tha Lista Serbe në një deklaratë, raporton agjencia e lajmeve ‘Beta’.

Partia e serbëve në Kuvend e ka quajtur të njëanshëm vendimin e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e masës së reciprocitetit të targave, duke kërkuar nga Qeveria Kurti që të zbrapset nga ky vendim.

Ndërkaq, përgjatë ditës së djeshme Komandanti i KFOR’it ka njoftuar se ka biseduar me serbët në veri për ndërprerje të protestave.

“KFOR-i ka marrë hapa të mëtutjeshëm në terren, duke shtuar patrullimet përgjatë rrugëve kryesore të prekura nga bllokimet dhe duke vendosur njësitë e veta edhe në pikat e kalimit kufitar në Jarinjë e Bërnjak, në përputhje me mandatin e tij, që vjen nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e vitit 1999. KFOR-i gjithashtu ka zhvilluar bisedime, me të gjitha palët e përfshira, për ndërprerjen e protestave në veri të Kosovës. Masat e marra, më herët të diskutuara nga Komandanti i KFOR-it me të gjitha institucionet e Kosovës dhe me kryetarët e komunave veriore, kanë për qëllim favorizimin e një deeskalimi të shpejtë të tensioneve të krijuara javën e fundit dhe rikthimin e një mjedisi të siguirtë dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, është cituar të ketë thënë Frederici.

KFOR-i gjatë ditës së djeshme ka bërë të ditur se e ka rritur numrin dhe kohëzgjatjen e patrullimeve rutinore në veri të Kosovës./KultPlus.com

Gratë afgane protestojnë online kundër kodit të ri të veshjes

Gratë afgane kanë nisur një fushatë në rrjetet sociale duke postuar fotot e tyre me veshje tradicionale afgane, një formë proteste kjo për atë që ato e quajnë “kodi i ri i veshjes”, i vendosur nga talebanët.

Gratë afgane po postojnë në rrjetet sociale foto me veshje tradicionale afgane.

Fushata online nisi pasi një grup studentësh femra pro-talebanëve u mblodhën në Kabul të mbuluara nga koka në këmbë.

Aktivistet afgane thonë se veshja e studenteve në tubimin pro-talebanëve nuk përfaqëson kulturën afgane.

“Burka, ose gratë që mbulojnë fytyrat e tyre, nuk është pjesë e kulturës afgane. Si shumë gra të tjera, unë protestova duke postuar në rrjetet sociale veshjet e mia tradicionale afgane që përfaqësojnë kulturën e Afganistanit”, thotë Sofiea Siddiqi, gazetare afgane, e cila jeton në Francë.

Aktivistet afgane thonë se gratë që tani jetojnë nën sundimin e talebanëve duhet të kenë lirinë të zgjedhin atë që duan të veshin.

“Sipas mendimit tim personal, asnjë kod veshjeje nuk duhet t’u imponohet grave, veçanërisht në Afganistan ku të gjithë janë myslimanë, dhe të gjithë dinë të vishen në përputhje me vlerat islame, kulturore dhe shoqërore”, thotë Wazhma Kohestani, aktiviste për të drejtat e grave në Kabul.

Por disa afganë thonë se diaspora afgane duhet të përqendrohet në çështjet më kritike me të cilat përballen gratë në Afganistan.

“Fushatat e nisur në rrjetet sociale, se si duhet të vishen gratë është një lëvizje pozitive, por në këtë kohë kritike, çështje të rëndësishme të tilla si punësimi i grave, arsimi, pjesëmarrja politike dhe mbrojtja e atyre që janë arritur gjatë dy dekadave duhet te jetë përparësi”, thotë Savita Anwari, aktiviste për të drejtat e grave me qendër në SHBA.

Gratë në Afganistan dhe në të gjithë botën kanë protestuar kundër kufizimeve të rrepta të talebanëve ndaj grave. Talebanët morën kontrollin e Afganistanit muajin e kaluar pasi qeveria afgane u rrëzua dhe SHBA tërhoqi trupat e saj nga vendi./KultPlus.com

Shfaqen për herë të parë së bashku portretet më të hershme evropiane të burrave afrikanë

Dy portretet më të hershme të burrave me prejardhje afrikane në historinë e artit evropian po ekspozohen së bashku për herë të parë në historinë e tyre 500-vjeçare, duke reflektuar një ndryshim të fokusit nisur nga lëvizja Black Lives Matter, kanë thënë kuratorët në Rijksmuseum, transmeton KultPlus.

Ndër më shumë se 100 portreteve të artistëve të Rilindjes të ekspozuar në muzeun në Amsterdam nga e marta u janë shtuar edhe skica e Albrecht Dürer e vitit 1508, e zbuluar në punëtorinë e piktorit gjerman në kohën e vdekjes së tij, dhe portreti i Jan Jansz Mostaert, që daton nga viti 1525.

Një shpjegim pse veprat që nuk u shfaqën së bashku në pesë shekujt e mëparshëm është delikatesa e portretit të vizatuar të Dürer, i cili është huazuar nga Muzeu Albertina në Vjenë, dhe është shfaqur vetëm në mënyrë të rastësishme për ta mbrojtur atë nga degradimi./KultPlus.com

‘Si nesër…’

Poezi nga Mitrush Kuteli

Do të pëshpëritë era ndaj mbrëmje si nj’herë,

prej valësh do ngrohet hëna si sot,

me iskra prej bryme do mbuloj’ mermere

dhe bota do jetë si ish dhe qemot

Si nesër do shtrihet lëndina për mbi varr

Valë-dheu do zënë t’palosen ngadalë,

do ende parevera e lule e bar,

dhe zile do rrëshqasin që prej male.

Do qeshë dielli në qoshen e një reje,

do thajë lotët mbi lulet e qershisë, larg,

mbytur do ndjehet gjëmimi i një rrufeje,

permbi mal do hapet brez’i Perëndisë.

Do shtrojë dhe dimri qilim të argjendtë

mbi pllocën e tretur, mbi kryqn’e anuar,

do rritet harrimi me dhërin e rëndë

dhe unë do fle, ty duke t’ëndërruar…. (dhe të t’harruar)./KultPlus.com

Presidentja Osmani në takim me ambasadorin gjerman: Kosova nuk nxiti apo krijoi tensione

Presidentja Vjosa Osmani e ka pritur në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde. Në këtë takim, Presidenca thotë se Osmani ka theksuar se Kosova në asnjë rast nuk ka nxitur apo krijuar tensione.

Osmani, parafrazohet t’i ketë thënë ambasadorit gjerman se prezenca e forcave policore në veri të vendit është në shërbim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike për të gjithë.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Gjermanisë, Jörn Rohde, me të cilin biseduan   lidhur me situatën e sigurisë në vend, me theks të veçantë në veri të vendit. Presidentja Osmani theksoi se Republika e Kosovës në asnjë rast nuk ka nxitur apo krijuar tensione dhe se prezenca e forcave policore në veri është në shërbim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike për të gjithë qytetarët pa dallim. Sipas Presidentes Osmani Serbia nëpërmjet diskursit dhe veprimeve nxitëse, është duke tentuar ta destabilizojë veriun e vendit”, thuhet në komunikatën e Presidecës.

Më tej, thuhet se presidentja Osmani rikonfirmoi përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për të realizuar reforma përmbajtësore në fushën e sundimit të ligjit, si parakusht për zhvillim të qëndrueshëm dhe avancim të mëtutjeshëm në procesin e integrimeve euroatliantike.

“Presidentja Osmani po ashtu ka uruar ambasadorin Rohde për procesin zgjedhor në Gjermani, duke theksuar se Republika e Kosovës është çdoherë e gatshme për thellim të bashkëpunimit me institucionet gjermane”, thuhet në komunikatë.

Sot gjatë ditës u raportua se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është qortuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit për aksionin e Policisë së Kosovës në veri. Mirëpo këto lajme janë cilësuar si të pavërteta nga këshilltarja e Osmanit, Donjeta Miftari./KultPlus.com

Gjendet ‘super arma’ e Hitlerit, ishte e fshehur në një fushë në Angli

77 vjet pas tmerrit që mbollën nazistët në Luftën e Dytë Botërore, në një fushë në kent të Anglisë arkeologët zbuluan mbetjet e njërës prej atyre që konsideroheshin si “super armët” e Adolf Hitlerit.

Ekipi nga  Burimet për Hulumtime Arkeologjike, po gërmonte një krater 14 metra të thellë dhe 38 metra të gjerë, kur zbuloi papritur armën në fjalë. Vëllezërit, Colin dhe Sean Welch, drejtuesit e projektit, thonë se bëhet fjalë për mbetjet e një rakete V2 të Hitlerit.

Pjesë e armës ishte mekanizmi ndezës, i cili përmbante oksigjen të lëngshëm dhe përzierje alkooli. “Raketat hynin thellë në tokë në formë krahu, ndonjëherë me një trajektore rreth 70 gradë”, thonë ekspertët, raporton Top Channel.

Mendohet se raketa lëvizte me një shpejtësi prej 3.000 km/h. “Raketat e tyre ecnin shumë shpejt.

Po t’ju godisnin, s`do të merrnit vesh asgjë”, shprehet Sean.

Mijëra raketa V2 janë lëshuar nga nazistët gjermanë gjatë Luftës së Dytë Botërore, e vetëm në Britani kanë shkaktuar më shumë se 9000 vdekje.

Disa pjesë të raketës V2  janë prodhuar në Çekosllovaki dhe në një fabrikë në Austri.

Raketa e gjetur do të pastrohet dhe do të restaurohet me përpikmërinë më të madhe, në një process që pritet të zgjasë disa muaj./KultPlus.com

Madame Tussauds sjell ekspozitën me figurat prej dylli të gjashtë aktorëve të paraqitur në rolet e James Bondit

Me rastin e lansimit të filmit të ri nga seria e James Bondit, të pagëzuar “No Time to Die”, muzeu Madame Tusseauds në Londër mblodhi në ekspozitë të gjashtë figurat nga dylli me dukje të aktorëve të cilët janë paraqitur me rolin e James Bondit.

Kjo ekspozitë do të jetë e përhershme.

Secila figurë u vesh me kostume. Figura nga dylli e aktorit Daniel Craid u vendos para figurave të tjera, si ato të: Sean Connery, George Lazenby, Roger Moore, Timothy Dalton e Pierce Brosnan.

Personazhi origjinal i Bondit, figura e Konerit u stilizua sipas dukjes së tij në vitin 1963, në filmin “From Russia With Love”. Dukja e aktorit Moore u inspirua nga filmi i tij i vitit 1977, i pagëzuar “The Spy Who Loved Me”, figura e Dalon nga filmi i vitit 1989, “Licence to Kill” dhe e Brosnan u krijua në bazë të dukjes së tij në fllmin e vitit 1997, të pagëzuar “Tomorrow Never Dies”.

Të gjitha figurat e dyllit me dukje të Bondit u krijuan me matje të masave trupore të yjeve gjatë viteve.

Kjo ekspozitë në Londër do të hapet për publikun nga data 30 shtator.

Seria e 25-të e James Bondit, “No Time to Die”, premierë botërore do të shfaqet nga data 28 shtator 2021. Në Britani do të shfaqet nga data 30 shtator, e në SHBA nga data 8 tetor./KultPlus.com

SHBA: Marrim pjesë në diskutimet Kosovë-Serbi, si palë e interesuar dhe partnere

Takimi që do të mbahet këtë javë, në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, pas situatës së krijuar në veri të vendit, ka ngritur edhe një çështje tjetër diskutimi, nëse zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit amerikan, Gabriel Escobar, do të marrë pjesë në këtë takim

Kjo, meqë dje nga Ambasada e SHBA’së në Prishtinë është konfirmuar që ai do të marrë pjesë në diskutime, derisa nga Brukseli kanë thënë se në diskutime janë vetëm tri palë (Kosova, Serbia dhe BE-ja), dhe se të tjerët e mbështesin dialogun vetëm nga jashtë.

Gazeta Express i është drejtuar përsëri Ambasadës së SHBA’së në Prishtinë, për t’i pyetur rreth modaliteteve të pjesëmarrjes së zv.ndihmësit të Sekretarit të Shtetit, Gabriel Escobar, në diskutimet që do të zhvillohen në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.

Një zëdhënës i kësaj ambasade, në një përgjigje të shkruar për Gazetën Express, ka ripërsëritur se Escobar do të udhetojë drejt Brukselit dhe se mbështesin fuqishëm dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian si palë e interesuar në këto diskutime dhe partnere e Kosovës dhe Serbisë.

“Ne jemi të kënaqur që Serbia dhe Kosova do të dërgojnë përfaqësues në Bruksel këtë javë për diskutime dhe inkurajojmë të dy palët që të ri-angazhohen hapur, seriozisht dhe menjëherë. Zëvendësndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, do të udhëtojë në Bruksel këtë javë për të marrë pjesë në këto diskutime. Përderisa udhëhiqet nga palët, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin fuqishëm dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si palë e interesuar në këto diskutime dhe si partnere e Kosovës dhe Serbisë”, thuhet gjithashtu në përgjigje.

Zëdhënësi i BE’së, Peter Stano, i pyetur nga Gazeta Express rreth pjesëmarrjes së Gabriel Escobar në disktuimet që pritet të mbahen në Bruksel, ka thënë se në dialog janë vetëm tri palë, Kosova, Serbia dhe BE-ja, derisa ka thënë se të tjerët vetëm e mbështesin dialogun nga jashtë.

“Jo, z.Escobar nuk do të jetë prezent në dialog. Dialogu ka 3 pjesëmarrës (Kosovën, Serbinë dhe BE’në). Të gjithë të tjerët vetëm e mbështesin atë (dialogun) nga jashtë”, ka thënë Stano.

Ndërkohë dje nga Ambasada e SHBA’së është konfirmuar që Gabriel Escobar do të udhëtojë drejt Brukselit për të marrë pjesë në diskutimet mes Kosovës dhe Serbisë./KultPlus.com

Bebe Rexha përkrah boksierin shqiptar, Reshat Mati për ndeshjen e radhës

Bebe Rexha tregon gjithmonë me shumë krenari për prejardhjen e saj, prandaj këngëtarja e njohur nuk heziton që të tregoi mbështetje për personazhe të suksesshme shqiptare në botë, nga cilado fushë që vijnë.

Edhe së fundi, 32-vjeçarja përmes një postimi në InstaStory, ka treguar përkrahjen e saj për boksierin shqiptar, Reshat Mati.

Mati do të zhvillojë meçin e radhës më 1 tetor në qytetin italian, Milano, ndërsa po merr mbështetjet të madhe nga shqiptarët, e po ashtu edhe nga ylli i muzikës botërore, Bebe.

“Le të shkojmë”, ka shkruar Bebe në mbishkrimin e fotografisë ku paralajmërohej meçi i boksierit. Të njëjtin foto e ri-postoi edhe Reshati. “Faleminderit kushërirë”, ka shkruar Mati sipër imazhit.

Ditë më parë postoi edhe një video të boksierit tjetër shqiptar, Florian Markut, i cili triumfoi ndaj kundërshtarit të tij ukrainas, Maxim Prodan, për t’u bërë kampion në ‘welterweight’ IBF International. / KultPlus.com

Emil Zola, tragjedia që mbeti enigmë

Shkrimtari më i famshëm francez i kohës së tij, vdiq në moshën 62-vjeçare, më 29 shtator 1902, në rrethana tejet të çuditshme.

Emil Zola dhe e shoqja, Aleksandrina, u kthyen në shtëpinë e tyre në “Rue de Bruxelles” në Paris më 28 shtator, si me magji. Ishte kohë e ftohtë dhe e lagësht, si për çudi në dhomën e tyre të gjumit ndezën zjarr qymyri pa tym për natën. Fjetën me dritare mbyllur, kurse Zola e mbylli derën, siç bënte gjithmonë. Vitet e fundit kishte marrë shumë kërcënime për jetën. Pa e kuptuar se çfarë po ndodhte, dalëngadalë që të dy u asfiksuan nga tymi i monoksidit të karbonit. Rreth orës tre të mëngjesit u zgjuan dhe ndiheshin keq, por Zola e ndaloi Aleksandrinë të ngrinte shërbëtorët për atë që ai mendonte se ishte thjesht një krizë mostretjeje.

Qe një vendim fatal, pasi, më vonë, kur ai u ngrit nga shtrati, ndoshta për të hapur dritaren, dhe ra në dysheme, ajo nuk lëvizte dot nga vendi. Në orën 9:00 të mëngjesit, të shqetësuar se diçka nuk shkonte, shkallmuan derën e dhomës së gjumit. Zola ishte në dysheme, i vdekur ose gati i vdekur. Aleksandrina dergjej në shtratin e saj, pa ndjenja. Erdhën mjekët dhe i dhanë Zolasë ndihmën e parë, frymëmarrje artificiale për 20 minuta ose më shumë, por më kot. Aleksandrina u dërgua në klinikë. Gjatë pasdites, ajo i kishte çuar fjalë të dashurës së të shoqit, Zhanë Rozero dhe dy fëmijëve të saj me të, Denisa dhe Zhaku. Denisa sapo kishte mbushur të 13-at dhe Zhakun të 11-at. Zhana e tmerruar doli menjëherë në përfundimin se Zola ishte vrarë.

Zhanë Rozero ishte 27 vjet më e re se Zola dhe kishte qenë dashnorja e tij prej vitit 1888, një situatë që Aleksandrinë e kishte pranuar me gjysmë zemre, pasi ajo dhe Zola, nuk kishin fëmijë.

Metresa nuk do të ishte personi i vetëm që dyshonte për diçka të dyshimtë, në lidhje me vdekjen e shkrimtarit. Ai kishte bërë armiq fanatikë në të djathtën nacionaliste, nisur nga sulmi ndaj autoriteteve mbi çështjen “Dreyfus”. Ndërkohë, trupi i tij dergjej në një arkivol të hapur zbukuruar me lule në shtëpinë e Parisit. Mes atyre që erdhën t’i bëjnë nderimet ishte edhe Alfred Dreyfusi, po ashtu Zhana dhe dy fëmijët shkelnin për herë të parë në shtëpi. Aleksandrina u kthye nga klinika dhe, më 5 tetor, një të diel, një turmë prej rreth 50 000 shoqëroi kortezhin në Varrezat Montmartre, ku morën pjesë ministra të qeverisë, zyrtarë dhe delegacione të minatorëve dhe masonëve. /Konica.al/Ushtarët nderuan me armë ndërsa kalonte makina e funeralit. Ishte i pranishëm edhe Dreyfus dhe Anatole France, i cili mbajti një fjalim plot lavde për Zolanë. 

“Zola, është i denjë për vendin e tij, sepse nuk e humbi besimin në aftësinë për të sunduar me ligj”  – duke përfunduar: “Ai ishte një moment në historinë e ndërgjegjes njerëzore”.

U përhapën thashetheme, se Zola ishte vrarë.

U urdhërua një hetim, specialistët kryen teste në shtëpinë e Parisit, u ndez zjarri, por pati fare pak shenja të monoksid karbonit, madje derrat që u mbyllën në dhomë nuk pësuan asnjë dëmtim. U çmontua oxhaku, por asgjë me rëndësi nuk u gjet, megjithëse sasia e blozës së oxhakut nuk ishte fshirë siç duhet. Mjeku ligjor, me sa duket i shqetësuar për të zbutur situatën, nuk pranoi të bënte publike raportet e ekspertëve dhe njoftoi se vdekja e Zolasë kishte ardhur për shkaqe natyrore.

Vite më vonë, në 1953, një letër drejtuar një gazete franceze, pohonte se Zola ishte vrarë nga një anti-Dreyfusard, kontraktues montimi oxhakësh, ndërsa po riparohej çatia e shtëpisë ngjitur. Ai dhe njerëzit e tij e kishin bllokuar me qëllim oxhakun e shtëpisë së Zolasë pa u vënë re, në hyrjen dhe daljen e përgjithshme, po ashtu e kishin zhbllokuar atë në heshtje herët të nesërmen, përsëri pa u vënë re. Me sa duket, atë që kishte bërë e rrëfeu në shtratin e vdekjes në vitin 1927. Disa nga biografët e Zolasë e kanë pranuar rrëfimin, por Frederick Brown, në biografinë e tij magjistrale, del në përfundimin se historia mund të ketë qenë e vërtetë, por e ka të pamundur të jetë i sigurt.

Në vitin 1908, trupi i Zolasë u zhvendos në Panteon, mauzoleun e nderuar të të mëdhenjve të Francës.

Pati përplasje dhe goditje, ndërsa nacionalistët e zemëruar u përpoqën të ndalonin makinën, por u ndaluan nga policia dhe ushtarët, kurse arkivoli u vendos në një katafalk të lartë. Në ceremoninë e rivarrimit mori pjesë edhe Presidenti. Aleksandrina, Zhana dhe dy fëmijët ishin të pranishëm. Po ashtu ishte i pashmangshëm edhe Dreyfus, i cili, u qëlluan me dy të shtëna pistolete nga një burrë pranë katafalkut, një gazetar i quajtur Louis Gregori. Dreyfus mori një plagë të lehtë në krah. Pasi mbaroi gjithë trazira, Aleksandrina, Zhana dhe fëmijët zbritën në dhomën e nëndheshme, ku Emil Zola u varros pranë një tjetër titani, Viktor Hygosë. / KultPlus.com

‘Në sofrën time ka speca, bukë e kripë…’

Poezi nga Nâzım Hikmet

Ditët sa vijnë e gjymtohen,
shirat janë në të zbrazur,
dera ime, deri në fund ty të pret e hapur..

Pse mbete kaq vonë???

Në sofrën time ka speca, bukë e kripë,
Në një kutruve, verën që ruajta për ty,
E piva deri në gjysmë i vetëm,
duke të pritë…
Pse mbete kaq vonë???

Por ja frutat e mjalta
Qëndrojnë në degë, të pjekura flakë,
Do të binin në tokë,
Nëse do vonoheshe edhe pak!.. / KultPlus.com

Udhëtimi i Rexho Mulliqit dhe Muharrem Qenës për pogaçen e nënës, tri ditë rrugë prej Mitrovicës e deri në Beograd

Aktorja e njohur Igballe Qena në emisionin “Veç Kesh” ka ndarë disa kujtime për Muharrem Qenën e Rexho Mulliqin, të cilët për tri ditë udhëtuan për të shkuar në Mitrovicë, e të cilët kanë përfunduar herë në Kralevë e herë në Beograd, shkruan KultPlus.

Igballe Qena ka treguar se Rexho Mulliqi e Muharrem Qena kanë qenë shokë shumë të ngushtë, të cilët i ka ofruar edhe më shumë: kafja, puna e muzika. Qena këta dy artistë të mëdhenj i ka quajtur bohemë, e cila ka treguar një përvojë të tyre, se duke pirë e duke bërë qejfe nëpër stacione të trenave, për tri ditë nuk kanë arrite të shkojnë në Mitrovicë.

“Nisen prej Prishtinës për Mitrovicë për me hongër pogaçe të nanës, nisen prej stacionit të hekurudhës, aty zakonisht kanë pi deri sa nisej treni”, ka treguar Qena, e cila shpjegon se ashtu të dehur kanë hy në tren, por i ka zënë gjumi dhe se të njëjtit nuk kanë zbrit në Mitrovicë, por kanë përfunduar në Kralevë.

Ajo shpjegon më tutje se Mulliqi e Qena më pas kanë marr trenin tjetër për tu kthyer për Mitrovicë, por kanë vazhduar të pinë e të bëjnë qejfe, dhe sërish e kanë humbur zbritjen në Mitrovicë, dhe kanë vazhduar për Fushë Kosovë. Qena tregon se të dy kanë provuar edhe njëherë të kthehen prej Fushë Kosovës në Mitrovicë, por ashtu të dehur përfundojnë në Beograd. Qena këtë tregim e ka ndarë me shikuesit, duke treguar kështu jetën e dy bohemëve të cilët për tre ditë tentuan të shkojnë në Mitrovicë, por që të njëjtit kanë përfunduar në stacione të ndryshme të trenave. Të dy këta artistë lanë shumë për artin dhe kulturën e Kosovës, ku Rexho Mulliqi njihet më së shumti për këngën “Baresha”, kurse Muharrem Qena për këngën “Oj Hanë”./ KultPlus.com

Çeku: Jam i lumtur që gjeneratat e reja do ta kenë një vend të denjë për zhvillimin e aktiviteteve sportive

Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku përmes një statusi në faqen e tij zyrtare në Facebook, ka përuruar inagurimin e Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë, përcjell KultPlus.

“Sportistet që i kanë dhënë shpresë, krenari dhe emocion një kombi të tërë, që me sukseset e tyre kanë kaluar çdo parashikim, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova dhe xhudistët tjerë, së bashku me trajnerin e tyre, Driton Kuka, tashmë do të kenë shtëpinë e tyre të xhudos”, ka shkruar Çeku.

KultPlus ju sjell njoftimin e tij të plotë:

Sportistet që i kanë dhënë shpresë, krenari dhe emocion një kombi të tërë, që me sukseset e tyre kanë kaluar çdo parashikim, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova dhe xhudistët tjerë, së bashku me trajnerin e tyre, Driton Kuka, tashmë do të kenë shtëpinë e tyre të xhudos.

Sot në qytetin e Pejës, në një ambient shumë të veçantë, të rrethuar me malet e bukura të Rugovës, përuruam Qendrën Nacionale të Xhudos.

Jam shumë i lumtur që tash gjenerata të tëra talentësh të rinj në sportin e xhudos, do ta kenë një vend të denjë për zhvillimin e të gjitha aktiviteteve sportive, të dedikuar pikërisht për ta. / KultPlus.com

Në mbrojtje të poetëve

Poezi nga Niels Hav

Çfarë të bëjmë me poetët?
Jeta është e ashpër me ta,
duken kaq mëshirues te veshur në të zeza
lëkura e tyre e mavijosur nga stuhitë e brendshme.

Poezia është një sëmundje e keqe
rendje e shoqëruar me kokëçarje,
ulërimat e saj ndotin atmosferën si rrjedhjet
nga stacionet e energjisë atomike të mendjes, është psikopatike.

Poezia është nje tirane,
I mban njerëzit zgjuar natën dhe prish martesat
I tërheq njerëzit drejt kasolleve të shkretuara
në mesin e dimrit
ku ata ulen të dëshpëruar duke i mbështjellë veshët
me shall të trashë.
Imagjinoni ç’ torturë!

Poezia është flamë
Me e keqe se gonorréa , neveri e vërtetë
Por kuptoji poetët, është e zorshme për ta,
duroji poetët.
Ata bëhen histerikë sikur po presin binjakë
Ata skërmitin dhëmbët edhe kur flenë,
hanë ushqime bajate dhe bar.
Ata rrinë jashtë nën erën e acartë me orë të tëra
duke u torturuar për të gjetur metafora tronditëse.
Çdo ditë është e shenjtë për ta

Oh të lutem, ki mëshirë për poetët.
Ata janë të shurdhër dhe të verbër.
Ndihmoji kur i sheh të shtangur në trafik
në ato pengesat e tyre të padukshme
duke kujtuar çfarë u shkon ndër mend.
Herë pas herë ndonjë prej tyre ndalon,
të dëgjojë një sirenë të largët.
Trego konsideratë për ta

Poetët janë si fëmijët e prapë
të përzënë prej shtëpisë së tyre nga e tërë familja
Lutu për ta,
ata kanë lindur të palumtur.
Nënat e tyre kanë qarë për ta
kanë kërkuar ndihmën e mjekëve dhe avokatëve
derisa hoqën dorë
nga frika se po prishen mendsh edhe ato.

Oh, qaj për poetët.
Askush s’mund t’i shpëtojë ata
kërdisur me poezi si ata që fshehin lebrozën.
Ata janë të burgosur në botën e tyre të fantazisë,
një geto rrëqethëse plot me demonë
dhe fantazma hakmarrëse.

Kur dielli shkëlqen fort në një ditë të kthjellët vere
ju shihni një poet të mjerë
duke dalë nga shtëpia me këmbët që i kalamenden, i zbehtë
si i ngritur nga varri dhe i shfytyruar nga mejtimet.
Vrapo dhe ndihmoje atë.
Shtrëngoja lidhëset e këpucëve, çoje në park
ndihmoje të ulet në një stol
nën diell, këndo pak për të,
bleji një akullore dhe tregoja një histori
sepse ai ka shumë brenga
Ai është tërësisht i rrënuar nga poezia.

Përktheu: Kujtim Morina / KultPlus.com

5 librat që shërbyen si frymëzim për të shkruar disa nga këngët tona të preferuara

Muzika dhe librat ndikojnë mjaft shumë në jetën tonë, por sa kanë ndikim këto dy të fundit te njëra-tjetra?

Më poshtë KultPlus ju sjell 5 librat që shërbyen si frymëzim për të shkruar disa nga këngët tona të preferuara: 

“1984”

Romani distopian nga shkrimtari George Orwell është një roman i mirënjohur që trajton tema të pushtetit, manipulimit dhe dhunës. Kjo vepër frymëzoi artistin e rokut, David Bowie. Pas përpjekjes së tij të dështuar për të krijuar një përshtatje muzikore të romanit, ai u frymëzu të shkruaj albumin e dashur ‘Diamond Dogs’. Albumi përmban këngë të titulluara “1984” dhe “Big Brother”, të dyja të lidhura drejtpërdrejt me librin.

“The Lord of the Rings”

“The Lord of the Rings” e J.R.R. Tolkien nuk është vetëm një roman dhe seri televizive e njohur, por edhe frymëzimi që qëndron pas këngës “Ramble On” të Led Zeppelin, ku përmenden disa nga termat e romanit brenda teksteve, ‘Mordor’, ‘Gollum’ dhe ‘The Evil One’.

“Romeo & Juliet”

“Romeo & Juliet” e Shekspirit, frymëzoi këngën ‘Love Story’ të Taylor Swift, këngë nga albumi ‘Fearless’. Ajo përdor të dy emrat e personazheve, Romeo dhe Juliet, në tekstet e saj dhe për fat të mirë kënga ka përfundim të lumtur!

“On The Road”

Vepra “On The Road”, e Jack Kerouac, frymëzoi albumin, ‘Teenage Dream’, nga Katy Perry, veçanërisht këngën, ‘Firework’.

“Perfume: The Story of a Murder”

“Perfume: The Story of a Murder”, ky roman fantastik historik ndjek kuptimet emocionale të aromave, përmes jetës së një jetimi në Francën gjatë shekullit të 18 -të. Nirvana ishte ajo që e përshtati këtë roman, në këngën e tyre “Scentless Apprentice”. / KultPlus.com

Në Universitetin e Kabulit tash për tash ndalohen profesoreshat dhe studentet

Gratë dhe vajzat nuk do të kenë të drejtë të japin mësim ose të ndjekin ligjërata në Universitetin e Kabulit “Derisa të krijohet një mjedis islam”, tha të hënën rektori i ri i këtij institucioni, i emëruar nga talibanët.

“Përderisa nuk ofrohet një mjedis i vërtet islam për të gjithë, gratë nuk do të lejohen që të vijnë në universitete ose të punojnë. Islami së pari”, shkroi në rrjete sociale Mohammad Ashraf Ghairat.

Më herët, ai shkroi se universiteti është duke punuar për një plan për akomodimin e studenteve, por nuk tregoi se kur do të fillojë së zbatuari kjo gjë, shkruan CNN.

“Për shkak të mungesës së mësimdhënëseve gra, jemi duke punuar në një plan që mësimdhënësit burra të kenë mundësi t’i mësojnë studentet prapa një perdeje në klasë. Kështu do të krijohej një mjedis islam që studentet ta marrin shkollimin”, shkroi ai në Twitter.

Emërimi i Ghairatit në postin e rektorit të Universitetit të Kabulit është kritikuar ashpër me pretendimin se atij i mungojnë kualifikimet e nevojshme. Këto akuza i mohoi vetë i emëruari, duke thënë se e sheh veten “plotësisht të kualifikuar”.

Pas ardhjes në pushte, talibanët kanë premtuar se nuk do të jenë të ashpër dhe se do t’i respektojnë të drejtat e grave, por komuniteti ndërkombëtar e ka akuzuar grupin për shkelje të zotimeve, sidomos në fushën e të drejtave të grave. / KultPlus.com

Krasniqi, Gjakova e Kuke dekorohen nga presidentja Osmani

Sot është hapur Qendra Nacionale e Xhudos në Pejë, ku kanë marrë pjesë edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe përfaqësues të tjerë të vendit, shkruan KultPlus.

Presidentja me këtë rast ka nderuar me medalje dy kampionet olimpike, Distria Krasniqin dhe Nora Gjakovën me titullin “Nderi i Republikës”.

Ndërsa Distria është dekoruar edhe me medaljen “Medaljen Presidenciale”, pasi që Nora Gjakova më herët është dekoruar me “Medalje Presidenciale”.

Po ashtu është dekoruar edhe trajneri i xhudistëve, Driton Kuka me “Medalje Presidenciale”./ KultPlus.com

Seriali ‘Bridgerton’ që theu rekordet e shikueshmërisë, publikon trilerin e sezonit të dytë (VIDEO)

‘Bridgerton’, një ndër serialet më të shikuar në platformën Netflix, publikoi trailerin e parë të sezonit të dytë. ‘Bridgerton’ bazohet në serinë e librave të Julia Quinn me po të njëjtin titull, transmeton KultPlus.

Sezoni i parë i serisë ‘Bridgerton’ u transmetua për herë të parë në platformën Netflix, gjatë Krishtlindjeve të kaluara. Seria arriti një sukses të menjëhershëm dhe u prit shumë mirë nga publiku.

Bazuar në romanet e Julia Quinn, ‘Bridgerton’ është një serial romantik i trilluar historik, që zhvillohet në Londrën e epokës ‘Regency’ në vitin 1813, ku paraqitet familja aristokratike ‘Bridgerton’, tetë fëmijë dhe nëna e tyre e ve.

Seria ‘Bridgerton’, në Netflix, u krijua nga Chris Van Dusen dhe prodhohet nga Shonda Rhimes.

Bridgerton’ është seriali më i shikuar në platformën Netflix, me një shikueshmëri prej 82 milion njerëzish. / KultPlus.com

‘Sa kohë njerëzit rrojnë e syri sheh, sa herë vargjet të thuhen, ti aty je’

Magjinë e penës së tij, Shekspiri, e derdh në vargjet e sonetit të 18, një nga sonetet më të njohura e më të dashura për dashamirët e poezisë, shkruan KultPlus.

Dashuria dhe bukuria e personit të zemrës së Shekspirit, krahasohet me ditët e bukura të verës, me kujtime e paharrueshme që të dhuron stina e bukur.

Soneti 18: A të të krahasoj me një ditë vere?

“Të të krahasoj me një ditë vere?

Por, ti je më e ëmbël, më e bukur.

Erërat shkundin gonxhet e majit

dhe vera ikën kaq e shkurtër.

Syri i parajsës shpesh nxehtë shkëlqen,

por nganjëherë ja sheh arin mbuluar

dhe vrenjtja botës bukurinë ja rrëmben,

rastësisht a nga natyr’ e lodhur, munduar.

Por vera jote kurrë nuk do venitet,

as do humbasë bukurinë që të përket,

s’do krenohet vdekja se ti rend mes hijesh,

në vargun tim përjetësia të pret.

Sa kohë njerëzit rrojnë e syri sheh

Sa herë vargjet të thuhen, ti aty je./ KultPlus.com

Hapet Qendra Nacionale e Xhudos në Pejë, kryeministri Kurti: Kelmendi do të shpallet “Qytetare me vlera të veçanta”

Sot është hapur Qendra Nacionale e Xhudos në Pejë, ku kanë marrë pjesë edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe përfaqësues të tjerë të vendit, shkruan KultPlus.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani i është drejtuar tri të artave se pikërisht këto vajza ia zbardhën fytyrën një kombi të tërë. “Na keni bërë krenarë, mburremi me sukseset e juaja”, ka thënë mes të tjerash presidentja Osmani.

Kurse kryeministri i Kosovës ka njoftuar me këtë rast se në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë së Kosovës, Majlinda Kelmendi do të shpallet “Qytetare me vlera të veçanta”.

Pas përurimit të këtij institucioni, tri të artat e Kosovës në xhudo: Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi janë parë së bashku me presidenten e vendit Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti duke e shijuar këtë moment./ KultPlus.com