BANFF Festival: Dalin në shitje biletat për filma, aventura dhe adrenalinë

Programi dy-ditor i filmave të festivalit BANFF sjellë në kryeqytet aventurë dhe adrenalinë.

I ndarë në programin RED dhe BLUE, ky festival mbahet në Cineplexx në Prishtinë dhe zgjatë dy netë.

Dy netët e BANFF-it nisin nga ora 18:30 dhe përfshijnë 16 filma të shkurtër dokumentar që sjellin para publikut shpirtin sportiv, ekspedita nga destinacione të rralla, sporte ekstreme, ngjitje, vaprim, skijim dhe aventura në terrenet më sfiduese në botë.

Biletat për BANFF janë në shitje në Cineplexx APP si dhe në Cineplexx në Albi Mall në Prishtinë. Për shkak të masave mbrojtëse nga Covid-19, numri i ulëseve në kinema do të jetë i limituar, duke e bërë këtë ekperiencë kinematografike ekskluzive për vetëm ata që iu marin biletat në kohë.

Hyrja në kinematë e Cineplexx është e mundur vetëm me certifikatë të vakcinimit.

Banff Mountain Film Festival Kosovo dhe mundësohet nga Komuna e Prishtinës, Red Bull dhe  Ambasada Kanadeze në Kroaci.

Dokumentar i ri kushtuar jetës dhe veprës së Celine Dion

Për superyllin global, Celine Dion, do të realizohet një dokumentar i ri.

Kjo këngëtare francezo-kanadeze tashmë ka dhënë lejen për realizimin e tij.

Këtë dokumentar do ta realizojë divizioni Premium Content i Sony Music Entertaintment në partneritet me kompaninë SME Canada dhe Vermilion Films. Regjinë e tij do ta bëjë Irene Taylor.

Dokumentari dedikuar Celine Dion, i cili nuk është pagëzuar akoma, ka përkrahjen e plotë të Dion. Ajo do të rrëfejë tregimin për jetën dhe karrierën e saj, sukseset në muzikë, lansimet e albumeve, fitimin e çmimeve, lansimin e turneve dhe rezidencën në Las Vegas.

Lajmi për realizimin e këtij dokumentari erdhi një ditë pasi që filmi biografik  “Aline”,  që bazohet në jetën e Dion, do të shfaqet në SHBA.

Regjisorja Taylor veçohet për regji të një radhe filmash e dokumentarësh, përfshirë këtu të dokumentarit të nominuar për Emmi “Moonlight Sonata: Deafness in Three Movements”.

Ajo u nominua për Oscar për dokumentarin “The Final Inch”.

Dion për realizimin e dokumentarit të ri në një deklaratë ka thënë se gjithmonë ka qenë dhe është e hapur me fansat e saj, megjithatë beson se regjisorja Irene do të arrijë të tregojë edhe pjesë nga jeta e saj, të cilat fansat nuk i kanë ditur më parë.

Ajo ka thënë se e di që Irene do të rrëfejë tregimin për të në mënyrën më të sinqertë.

Ikona e muzikës, Dion, që prej fllimit të karrierës si këngëtare në Quebec në moshën 14 vjeçare, gjatë karrierës 40 vjeçare ka shitur më shumë se 250 milionë albume.

Ajo ka fituar pesë Grammy, dy çmime akademike, çmimin për veprën jetësore në Billboard Music Aëard në vitin 2016, dhe mirënjohjen nga Ëorld Music Aëards 2004, si artistja që ka shitur më së shumti incizime në të gjitha kohërat./KultPlus.com

Ministri Çeku pret në takim Krasniqin, Gjakovën dhe Kukën, u ndanë shpërblimet shtetërore pas suksesit në ‘Tokyo 2020’

Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, ka pritur në takim gjudistet, Distria Krasniqi, Nora Gjakova dhe trajnerin, Driton Kuka, transmeton KultPlus.

Përmes një njoftimi në Facebook, ministri Çeku ka njoftuar se atyre u kanë ndarë shpërblimet shtetërore për sportistët pas rezultatit kulmor që patën në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:

 Nder i veçantë që sot në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të pres vajzat e arta të Kosovës, xhudistet, Distria Krasniqi, Nora Gjakova dhe trajnerin Driton Kuka. Së bashku më zëvendësministren, Daulina Osmani atyre u ndamë shpërblimet shtetërore për sportistët pas rezultatit kulmor që patën në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”.

Është gjithmonë inspirues dhe frytdhënës çdo takim me ta. Së bashku do të vazhdojmë të punojmë që sportin e xhudos ta shtyjmë përpara, ndërsa Qendrën Nacionale të Xhudos e cila u përurua ditën e djeshme, me investime të reja ta shndërrojmë në një kompleks sportiv dhe platformë ndërkombëtare, të cilën do ta përdorim edhe për të promovuar shtetin tonë./KultPlus.com

Daniel Craig: Bond nuk qau, isha unë

Kinematë në të gjithë botën po përgatiten për ardhjen e fansave të James Bond për filmin e shumëpritur “No Time To Die”, dhe Daniel Craig pranon se ishte i pushtuar nga emocionet në ditën e fundit të xhirimeve.

“Po binte shi. Në studion e Pinewood, i gjithë ekipi duartrokiti. Ishte shumë mbresëlënës – si një antiklimaks. Kanë kaluar gati 16 vjet të jetës sime”, tha Craig për gazetën gjermane Bild para premierës në Londër të Jamesit të tij të pestë dhe të fundit Film Bond.

“James Bond nuk qau, unë qava,” tha aktori 53-vjeçar, të cilit ky është filmi i pestë dhe i fundit për Agjenti Sekret 007.

Filmi i ri i Bond, i cili është shtyrë disa herë për shkak të pandemisë, festoi premierën botërore të martën në Londër, dhe do të fillojë të shfaqet në kinema gjatë javës.

Craig thotë se ishte “vërtet i lumtur” por edhe i trishtuar pasi shikoi filmin me miqtë.

“Është më e mira ime,” tha ai për Bild.

Filmi i 25-të i James Bond ishte planifikuar fillimisht të shfaqet në tetor 2019. Megjithatë, për shkak të ndryshimit të regjisorit dhe mbylljes së kinemasë gjatë pandemisë, data e shpërndarjes është shtyrë disa herë.

Pas shtyrjes të së enjtes, një grup tifozësh të quajtur Team Bond madje filluan një fushatë për mbledhjen e fondeve për të parandaluar vonesën e shfaqjes.

Pak ambiciozë, ata kërkuan të mbledhin disa qindra miliona funte donacione për të blerë të drejtat për trilerin aksion dhe për ta sjellë filmin në televizion para Krishtlindjeve 2020.

Por Craig thotë se transmetimi i filmit do të ishte një “katastrofë”.

Filmi Bond është një ngjarje “epike” që kërkon festimin e duhur në kinema, tha ai.

Pas përfundimit me Bond, Craig dëshiron të fillojë aktin e tretë të jetës së tij, por në asnjë mënyrë nuk do ta përfundojë karrierën e tij të filmit.

Sa i përket asaj se kush do ta pasojë atë si Bond, ai tha se nuk e di.

Ndërsa nuk është më puna e tij, pranoi Craig, ai tha se aktori i ardhshëm do të duhej të ‘rishpikte’ Bond përsëri.

Premiera botërore në Royal Albert Hall të Londrës u ndoq nga aktori kryesor, yje të tjerë të filmit, të famshëm të shumtë dhe anëtarë të familjes mbretërore britanike./KultPlus.com

Gazeta gjermane: Mosmarrëveshja Kosovë – Serbi alarmon NATO-n

Kosova së fundmi e ka ndaluar hytjen e automjeteve me targa serbe në vend – anasjelltas, Serbia e ka bërë të njëjtën gjë me vite. BE-ja bën thirrje për shtensionim, raporton gazeta e njohur gjermane, Süddeutsche Zeitung duke përshkruar zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.

Së voni, kur lidershipi i NATO-s ndërhyu, bëhet e qartë se kjo ka të bëjë me më shumë sesa thjesht targa. Jens Stoltenberg, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Mbrojtjes, nuk iu drejtua protestuesve që i kanë bllokuar dy pikëkalimet kufitare midis Serbisë dhe Kosovës për më shumë se një javë, por qeverive në kryeqytete: “Beogradi dhe Prishtina”, kërkoi ai , do të duhej të “përmbahen dhe ta rifillonte dialogun”.

Shkaktari për përshkallëzimin e fundit ishte një vendim nga qeveria në Prishtinë, sipas së cilit shoferët kur kalojnë në anën e Kosovës duhet ta vendosin një targë lokale të vlefshme përkohësisht. Natyrisht, kjo një kundërpërgjigje për praktikën e gjatë të qeverisë në Beograd për t’i detyruar shoferët kosovarë në anën e tyre të kufirit t’i përdorin targat serbe.

Përshkallëzimi është katastrofë për BE-në

Pasi anëtarët e pakicës serbe në Kosovën veriore filluan ta bllokojnë kufirin me kamionë në shenjë proteste kundër vendimit të ri pët targat, Kosova dërgoi njësi speciale të policisë në atë rajon. Beogradi pastaj shtoi trupat e ushtarëve pranë kufirit dhe bëri që avionët ushtarakë të fluturonin mbi atë zonë.

Përshkallëzimi është një katastrofë për Bashkimin Evropian. Pas fundit të administratës së Donald Trump në SHBA, e cila kishte nxitur trazira me simpati të hapur për planet e shkëmbimit të zonave përgjatë kufirit kosovaro-serb, shpresat në fakt u rritën në Bruksel se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja midis Prishtinës dhe Beogradit mund të ringjallej. Përfaqësuesi i BE-së për çështjet e jashtme, Josep Borrell u bëri thirrje të dyja palëve që ta “shtensionojnë pa kushte” situatën, shkruan Süddeutsche Zeitung.

Të hënën, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i priti në takim ambasadorët nga Britania e Madhe, Gjermania, Italia, Franca dhe SHBA-ja, të cilët thuhet se i kërkuan atij që ta shtensionojnë situatën në kufi. Ai pastaj tha në një intervistë televizive se në bisedë me “ambasadorin e një prej vendeve më të fuqishme në botë” (emrin e të cilit ai nuk e tha), ishte bërë “emocional” herë pas here: “Ju doni të më tregoni se ku njësitë tona lejohet të lëvizë brenda territorit tonë? A je normal, njeri?”. Në një deklaratë zyrtare, Vuçiq kishte deklaruar se është akoma i përkushtuar ndaj Marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve, por tha se në asnjë mënyrë nuk do ta pranonte “poshtërimin e Serbisë dhe qytetarëve të saj”.

Misioni paqësor ndërkombëtar i udhëhequr nga NATO, KFOR ka rritur ndërkohë patrullimet rutinore në të gjithë Kosovën, përfshirë Kosovën veriore. / KultPlus.com

Sllovenia pezullon vaksinën Johnson&Johnson

Sllovenia ka pezulluar përkohësisht përdorimin e vaksinës së Johnson & Johnson kundër COVID-19, tha ministri i Shëndetësisë, Janez Poklukar, raporton agjencia kombëtare e lajmeve ‘STA’.

Masa e pezullimit është vendosur pas vdekjes së një gruaje të re.

Kompania Johnson&Johnson ende nuk e ka komentuar këtë vendim të autoriteteve sllovene, raporton Reuters.

“Pacientja, në të njëjtën kohë kishte mpiksje gjaku dhe gjakderdhje në tru. Kujdesi intensiv ndaj saj nuk rezultoi i suksesshëm”, tha për agjencinë STA, Igor Rigler, një neurolog në qendrën spitalore të Lubjanës.

Ndërsa ministri Poklukar tha se ende nuk është njoftuar në detaje për rastin mirëpo vdekja e pacientes duhet të sqarohet.

“Unë nuk mund të bëj komente, por kushtet janë plotësuar për sqarimin e të gjitha rrethanave të asaj që ndodhi”, tha ai.

Vaksina Johnson & Johnson është një nga disa vaksinat që Sllovenia po përdor në programin e saj të imunizimit kundër COVID-19.

Ky vend, deri më 28 shtator, ka imunizuar plotësisht rreth 47 për qind të popullsisë.

Sllovenia ka rreth 2 milionë banorë. / REL / KultPlus.com

Ndahen shpërblimet shtetërore për xhudistet, Çeku: Është gjithmonë inspirues dhe frytdhënës çdo takim me ta

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, sot ka ndarë shpërblimet shtetërore për xhudistet Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova dhe për trajnerin Driton Kuka, pas rezultatit kulmor që patën në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”.

“Ndërsa Qendrën Nacionale të Xhudos e cila u përurua ditën e djeshme, me investime të reja ta shndërrojmë në një kompleks sportiv dhe platformë ndërkombëtare, të cilën do ta përdorim edhe për të promovuar shtetin tonë”, thotë Çeku.

KultPlus ju sjell postimin e tij të plotë:

Nder i veçantë që sot në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të pres vajzat e arta të Kosovës, xhudistet, Distria Krasniqi, Nora Gjakova dhe trajnerin Driton Kuka.
Së bashku më zëvendësministren, Daulina Osmani atyre u ndamë shpërblimet shtetërore për sportistët pas rezultatit kulmor që patën në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”.
Është gjithmonë inspirues dhe frytdhënës çdo takimi me ta. Së bashku do të vazhdojmë të punojmë që sportin e xhudos ta shtyjmë përpara, ndërsa Qendrën Nacionale të Xhudos e cila u përurua ditën e djeshme, me investime të reja ta shndërrojmë në një kompleks sportiv dhe platformë ndërkombëtare, të cilën do ta përdorim edhe për të promovuar shtetin tonë. / KultPlus.com

Librat që duhet t’i lexoni të paktën një herë në jetë

Librat janë ato që na përcjellin e na bëjnë shoqëri në çdo hap të jetës. Janë ato që na japin mundësinë për të jetuar aventura të ndryshme të cilat fshihen në mes të rreshtave e që frymojnë brenda faqeve, shkruan KultPlus.

Më poshtë do gjeni një listë për 5 libra që ja vlen të lexohen të paktën një herë, transmeton KultPlus.

“The Song of Achilles” nga Madeline Miller

“The Book Thief” nga Markus Zusak 

“The Seven Husbands of Evelyn Hugo” nga Taylor Jenkins Reid 

“The Kite Runner” nga Khaled Hosseini

“A Thousand Splendid Suns” nga Khaled Hosseini / KultPlus.com

‘Në Korçë ajri i kulluet të prehte hundët dhe të freskonte mushknijtë’

“Nder të gjitha qytetet e Shqipnís – mbas mendimit tem – Korça âsht ajo kû frymzimi i qytenís okcidentale paraqitet mâ haptas e jo krejt si nji bimë ekzotike.

Në Korçë ké fort pak rrugaca (impas) e rrugat, edhè në mos kjoshin gjithkund të drejta e të shtrueme, janë të krahazueshme me ndërtesa, shêji qi mbrendë nuk zotnon aq fort mosbesimi ndërmjet bashkëqytetasve, prà shêji që aty ka qytetní; pse qytetnija, së pari, bazohet n’socjabilitet të qytetasve.

Mbasandej në Korçë gjen edhè sod asish që interesohen për të mirë të pergjithtë, kush tue ngrefë me mjete të veta nji shkollë, a nji kishë, a ndonji smuetore, a ndoj bibliotekë qytetse etj.

Kà edhè shumë asish që kanë krye msime të nalta jashta Shqipnijet, posë se kà shumë asì tjerësh që për punë kanë kërkue botën mbarë e s’kanë ndêjë mshilë në vend të vet si zogu i pulës në gzhojë të voes.

E mbasandaj: e po kû shef njeti në Shqipní arët e livadhet pa shtigje e gardhiqe, përpos se ndër rrethina të Korçës? Kjo âsht – mos tjetër – përshtypja që mue m’ká bâ qyteti i Korçës”.

Gjergj Fishta, Nji udhëtim në Turkí të ré, në “Hylli i Dritës”, 1931-1932.

Dom Lazër Shantoja për Korçën:

“Korça ishte qytet! Tekembramja nji qytet në Shqipnì! Shetitore të gjana, rruga e rrugica të drejta, shtëpija të bukura si vila, pomendore e lulishta.

Nji pastërti të pakundshoqen në tanë Shqipnìn. Tepsì. Ajri i kulluet të prehte hundët dhe të freskonte mushknijtë.

Më dukej se ishem në nji qytet t’Engadinës. Malet përreth cikalue me borë më kujtojshin pikturat e Segantinit. U enthuzjazmova për Korçë. Aty bâna edhe nji zbulim t’interesantshëm. Shkova nji ditë me pamun Motrat Stigmatine. Më përsillte nji çupkë korçare.

Më pyet: “A i keni motra?” “Jo, – i përgjegji, – nuk i kam motra, por kështu i quejmë na.” Më pyet prapë çupa e vogël, çiçeronka e ime: “Po prej nga jeni ju?” I përgjigjem: “Prej Shkodre!” E ajo me serjozitetin mâ të madh: “Eh! Prandaj nuk dini me folë shqip…!” Si mos me qeshë? Lotët me duelën prej gazit.

Kam bâmun disa vizita në Korçë. Ndër shtëpija kristjane e myslimane. Kam kaluemun aty disa orë të paharrueshme. Pritje e përzemërt, e qeshun, bisedime t’interesantshme, atmosferë elegance e qytetnimi.

Djelm të rì qi kanë frekuentue universitete, zonjusha qi kanë krye konservatoriume të flasin mbi çashtjet mâ djegse të ditës, mbi problemet mâ t’interesantshme të jetës. Me nji zonjushë korçare nuk ke frikë se bân nji gaffe me folun, bje fjala, mbi kromatizmin e Debussy-it apo mbi librin e fundit të Daniel Rops-it.

Janë “à la page”. Korça m’âsht pëlqye tepër.
Kam dalun prej Korçe tue bluemun nëpër mend lamshin e nji përralle të Hoffmann-it. Ai shkruen për nji shpirt qi rrinte ndryemun në nji vjolinë.

Korçë, vjolinë e bukur e Jugës, cili âsht shpirti i yt…?
Tiranë-Korçë, në ‘Tomori”, 29 mars 1941. / KultPlus.com

Shpaloset raporti ‘Hate O Meter I-II’, hulumtimi mbi gjuhën e urrejtjes në mediet e Kosovës

Sot, në konferencën e mundësuar nga ‘Advocacy Training & Resource Center’, që pati për qëllim diskutimin për hulumtimin e bërë mbi gjuhën e urrejtjes në medie në Kosovë, në përgjithësi u diskutua për gjuhën e urrejtjes që përdoret në media dhe se sa ka ndikim ajo te personat që i përcjellin ato lajme, shkruan KultPlus.

Është konsideruar se përdorimi i gjuhës së urrejtjes në media paraqet komunikimin në çfarëdo forme, të bazuar në paragjykime, gjë kjo që mund të nxis qëndrime negative tek individët apo edhe grupet e caktuara të njerëzve të cilët ndikohen nga lajmi i dhënë.

Në këtë konferencë u paraqitën gjithsej dy raporte hulumtuese mbi përdorimin e gjuhës së urrejtjes në mediat e Kosovës, të organizuar nga ‘ATRC’ në partneritet me ‘RADC’, me mbështetje nga Ambasada Holandeze në Kosovë.

Diskutimin e hapi drejtori ekzekutiv i ATRC-së, Kushtrim Kaloshi, i cili në fjalën hyrëse pohoi faktin se përdorimi i gjuhës së urrejtjes është mjaft e shprehur në artikuj të shkruar e sidomos në emisione televizive, ku kjo e fundit shprehet si ‘gjuhë nxitëse’ që ndikon të dëgjuesit apo lexuesit.

“Janë analizuar rreth 2300 artikuj të shkruar në periudhën Janar – Qershor 2019 dhe Janar – Qershor 2020; në periudhën e dytë për raportin e dytë, Korrik – Dhjetor 2019 dhe Korrik  Dhjetor 2020. Janë analizuar me kujdes fjalët e përdorura dhe në çfarë konteksti janë përdorur ato”, thotë Kaloshi.

Sipas tij, bëhet një lloj përgjithësimi me komunitete të caktuara, si për komunitetin rom, egjiptian, ashkali, serb, me ç’rast ato lajme vendosen në ‘kronikën e zezë’.

“Publikimi i këtyre lajmeve ka ndikuar te individë të caktuar ku ka pasur gjashtë artikuj që kanë pasur ftesë – thirrje për vrasje, drejtuar komunitetit ‘LGBT’, gjë kjo më e skajshmja që mund të ndodh. Po ashtu, rasti i gruas rome që u rrah në Ferizaj dhe Lipjan, mediat bënë thirrje që nëse e shihni këtë grua, është ajo që po dhunon fëmijët. Disa të rinj morën drejtësinë në dorë, të cilët e sulmuan dy herë këtë grua. Të rinjtë u morën nga Policia e Kosovës, por çfarë ndodhi me mediat të cilat publikuan këto lajme dhe çfarë masash u morën ndaj tyre, nuk dihet”, thotë Kaloshi.  

Ndërsa, kryetari i bordit, Xhemajl Rexha foli për rolin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, në monitorimin dhe promovimin e një gazetarie sa më profesionale si dhe për parandalimin e përhapjes së ‘gjuhës së urrejtjes’ në mediat e Kosovës.

Rexha është shprehur se po punohet në drejtimin për minimizimin e ‘gjuhës së urrejtjes’ të përdorur nga mediat tona.

“Niveli i komenteve te mediat online është i tmerrshëm, ku u paraqit kërkesa e heqjes së sektorit të komenteve nga mediat online. Komentet vazhdojnë të jenë prezente dhe nw rrjetin social Facebook, ato natyrisht që nuk kontrollohen dhe nuk fshihen nga lajmet. Kemi për qëllim që në të ardhmen t’i trajnojmë gazetarët, në mes të tjerash, për të përdorur termat e nevojshëm, termat e duhur për komunitetet e ndryshme”, thotë Rexha.

Tutje, drejtori ekzekutiv i KMShK-së, Imer Mushkolaj, diskutoi për rolin e Komisionit të Pavarur për Media në parandalimin e ‘gjuhës së urrejtjes’.

“Për fat të keq në Kosovë për momentin nuk shtypet asnjë gazetë. Ne momentalisht jemi duke punuar me një grup të rinjsh të cilët përmes një organizate joqeveritare tash e tre vite, monitorojnë portale të caktuara”, thotë Mushkolaj, duke u bazuar se jemi një nga vendet e vetme ne Evropë që nuk ka gazetë të shkruar.

Gjithashtu, nënkryetari i Komisionit të Pavarur për Media, Granit Musliu, falënderoi publikisht ‘ATRC-në’, që me punën e bërë ndihmuan mjaft shumë organizatën e tyre.

Më pas, menaxhere e projekteve, Mediana Bislimi, bëri prezantimin e raporteve “Hate O Meter I – II”, të cilat KultPlus ju sjell më poshtë:

Kështu, krejt në fund u zhvillua edhe një diskutim i hapur mes pjesëmarrësve në konferencë. / KultPlus.com

Gjashtë ishuj privat që kushtojnë më lirë se një apartament

Më poshtë janë disa vende pushimesh që mund të kushtojnë më pak se një apartament me dy dhoma gjumi në Spanjë, me hapësira të mëdha dhe një sërë karakteristikash të tjera, shkruan BalkanWeb.

Çdo pronë këtu është e përfshirë në Private Island Magazine e cila zotëron një nga bazat më të mëdha të të dhënave në botë.

6. Ishulli Big Tancook, Skocia e Re -56,898 €

Ishulli Big Tancook është në të vërtetë në treg si një ngastër ishulli, gjë që mund të thotë se mund të blini një pjesë të ishullit për një kompleks familjar, një hotel apo një kamping. Një hapësirë në këtë provincë kanadeze është fantastike për ata që pëlqejnë jetën e thjeshtë.

Bregdeti shkëmbor dhe liqenet e izoluar janë shumë të dashur për peshkatarët, disa prej të cilëve përbëjnë grupin e vogël prej 125 banorësh që jetojnë atje.

5. Ishulli Danhattan, SHBA – 263,281€

Ëndërrimtarët e shtëpive prej druri nuk kërkojnë më tej. Ishulli Danhattan në Connecticut është gati me një chalet (shtëpizë prej druri) që mund të mirëpresë tetë persona.

Toka gjysmë hektar ndodhet në Ashland Pond, dhe blerësit kanë përparësi në portet e ankorimit aty, pasi marrëveshja përfshin edhe një varkë. Po, një varkë e tërë!

4. Ishulli Majestic, SHBA- 274,982 €

Liqeni Beaver Dam në Wisconsin është shtëpia e më pak se 26 ishujve me emra origjinalë në gjithë shtrirjen e tij prej 6,718 hektarësh. Majestic është ndoshta nga më absurdët, por a ka me të vërtetë rëndësi kjo kur je i ulur në këtë hapësirë të pamat të ishullit privat?

Majestic është vendi ideal për të bërë aktivitete të qeta, i rrethuar nga jeta e kafshëve të Beaver Dam.

3. Ishulli Bocal, Nikaragua – 292,535 €

Këtu po hyjmë në një territor resorti. Ky ishull përfshin edhe një shtëpi për miqtë me dy dhoma gjumi, një shtëpi për ata që kujdesen, një pishinë fantastike, një urë prej çimentoje dhe kilometra të tërë plazhe me rërë

Në të vërtetë duhej të kishte një çmim më të lartë, për shkak të sipërfaqes dhe klimës së mrekullueshme tropikale të Nikaraguas. Ndërkohë pronari po bën një sërë punimesh rinovuese në strukturat e ishullit, për këtë arsye, blerësi me fat në të ardhmen do të ketë shumë gjëra se çfarë të presë.

2. Isla Carabana Sol, Panama – 336,782 €

Ky vend plotësohet me një mol për ankorimin e varkave me vela, një vend për motoskafë dhe një pronë me dy apartamente më vete.

Me shumë gjasa është projektuar nga njerëz që kanë festat në mendje, për shkak të karakteristikave shtesë: një urë e ngritur për të bërë barbekju, një vaskë me hidromasazh, një shtëpizë tiki, një plazh privat me rërë dhe një lagunë private me ujë të kthjellët.

Për të mos u ndier të izoluar nga bota, ishulli ofron edhe sinjal të mirë Wifi dhe për telefonin dhe ndodhet në një distancë të shkurtër me varkë nga bare dhe restorante të shumta.

1. Ishulli Iguana, Nicaragua – €396,951

Ishulli më i shtrenjtë nga kërkimet tona ka 5 hektarë plazhe me rërë të bardhë dhe pyje tropikale ku bie shumë shi, me palma kokosi dhe pemë banane, në një privatësi maksimale.

Prona përfshin një shtëpi me tre dhoma gjumi dhe dy banja, një verandë të bukur, një dhomë ngrënie, një bar, një zonë për ndenjjen si dhe akomodimin për personelin. Gjithashtu është edhe një shëtitore që shtrihet përgjatë ishullit dhe një kullë vrojtimi.

Të gjitha me çmimin e një studio apartamet (apartament me një hapësirë të vetme, të madhe, ku ndërthuren dhoma e ndenjjes, ngrënies dhe ajo e gjumit) në Paris, Londër apo Romë. / KultPlus.com

Modelja shqiptare hap sfilatën e markës prestigjioze “Yves Saint Laurent”

Modelja shqiptare 22-vjeçare Sihana Shalaj, dje ka spikatur në sfilatën e markës prestigjoze Saint Laurent për një shfaqje të modës personale nën Kullën Eifel në Paris, përcjell KultPlus.

Shfaqja e drejtpërdrejtë e ‘Yves Saint Laurent’ kthehet në Javën e Modës në Paris në kuadër të ‘Women’s Summer 22’, e natyrisht se ishte shumë e veçantë, dhe pa dyshim që këtë veçanti e dha modelja kosovare, Sihana Shalaj, e cila falë pamjes së saj të pazakontë dhe stilit të veçantë androgjen, ajo bëri hyrjen në sfilatën e brendit francez duke i habitur të gjithë me pamjen dhe prezantimin e saj të veshjeve. 

Si çdo herë, paraqitja e Sihanës ishte e mahnitshme. Ajo modeloi disa veshje, ndër to një fustan i bardh me të cilin hapi mbrëmjen madhështore dhe një i zi që kishte pjesën e gjoksit të mbuluar vetëm me një rrjetë të zbukuruar me gurë.

Veshjet u kompletuan me syze dielli të zeza e flokët e shkurtër që e karakterizojnë atë, ndërsa pjesëmarrja ishte një hap tjetër i rëndësishëm në karrierën e Sihanës.

Shalaj, e cila po i habit të gjithë për mënyrën e pamjes karizmatike të saj, më parë kishte sfiluar edhe për markën Prada. / KultPlus.com

Romani “Një sagë e vogël” i Besnik Mustafaj, një dramë e madhe tronditëse e burgut në tri pamje

Nga Jusuf Buxhovi

Përshtypje

JETA – BURG DHE BURGU – JETË!

Besnik Mustafaj: “Një sagë e vogël”, roman. Tiranë, 1995.

Të kalosh çaste leximi me romanin “Një sagë e vogël” të Besnik Mustafaj, do të thotë të përjetosh thuajse deri në mizori dramën e madhe tronditëse të burgut në tri pamje, që autori, në parathënien që mund të merret edhe si prolog, i quan “tri nyje” te një fatumi, ngaqë hija e burgut ka rënduar vazhdimisht si në ankth i verbër, i pakuptueshëm, që megjithatë vetë rrëfimi në tri pjesë, i viktimave të tre brezave, e zbërthen dhe e bën tejet “të kuptueshme” deri aty saqë të krijohet pamja e një rrethi vicioz, ku në Shqipërinë e shekullit të fundit, jeta paraqet burg dhe burgu jetë!
Ky dimension tepër tragjik, nëpërmes dramës së tre gjeneratave të viktimizuara, shfaq anamnezën më të thellë të kësaj problematike në letërsinë tonë nëpër të cilën ka kaluar Shqipëria e regjimeve të satrapëve dhe diktaturave, tematizimi i së cilës nuk është se nuk është prekur, por rëndom nga dioptria e ndonjë “disidence”, e pragmatizmave ideologjike ose e ndonjë “hakmarrjeje” e të viktimizuarve, e parë nga këndvështrimi personal, nuk ia ka nxjerrë në pah dimensionin e saj jashtë dramave të vërteta dhe të thella, që e kanë ngarkuar shoqërinë shqiptare me fatkeqësi, pasojat e të cilave edhe sot e gjithëditën vazhdojnë të ndjehen.

Këndvështrimi i Mustafajt, nuk është i fokusuar vetëm te diktatura dhe mekanizmat e saj të njohur, ku burgu paraqiste një mjet i pashmangshëm për mbajtjen po edhe për krijimin e njeriut të zhvlerësuar deri në palcë, pa identitet dhe dinjitet elementar madje, ku i përcaktohet çdo gjë, edhe jeta intime. Përkundrazi, autori përcaktohet që “saga e burgut” fillimisht të kapet nga dimensioni socio-etik për te ai socio-politik për t’u përmbyllur me atë jetësor gjithnjë si pasojë e lidhur me shkakun. Kjo qasje shfaq edhe karakteret në raport me burgun po edhe atë që shfaqet si “mentalitet i burgut”, i cili, në rastin e parë, siç ngjet me gjyshin e Lulit Omer Hutën, ka të bëjë me trimërinë si virtyt i shoqërisë patriarkale, që megjithatë bie në kundërshtim me normat dhe rendin që i imponon shteti autoritar çastin që ai shfaqet si kapërcim nga njëra gjendje shoqërore në tjetrën, pra nga ajo e pushtimit tek shteti, ku kundëthëniet e çlirimit me lirinë vazhdojnë në planin e brenshëm. Ndërsa në rastin e dytë, viktimizimin e nipit dhe mbesës (Lulit dhe Lindës), lidhet me kohën e diktaturës, jo nga ndonjë fajësi e tyre, por me konceptin e njohur të mbikëqyrjes së individit deri te përmasat absurde dehumanizuese, që për nga pasojat, ua kalojnë edhe atyre të Gulagut, pra ku vuajtja fizike përdoret si mjet për disiplinim dhe shkatërrim në masë!

Por, ajo që është veçori e kësaj sage “të vogël” për nga faqet por të madhe për nga trajtimi, të veçantë nga rrëfimet e ngjashme dhe madje krejt të ndryshme, ka të bëjë me dimensionin e një të vërtete, të paparë ose të anashkaluar, se “jeta e burgut” kthehet në “burg të jetës” dhe, madje, dimensioni i dytë, përfshinë edhe mekanizmat e saj të brendshëm deri aty sa edhe ata, të identifikuar thellësisht me të, çastin që ai mungon, qoftë edhe te kohët kalimtare, ndjehen viktima “të lirive”! Personazhi i Hyqmet Hidit, gjyshit të Lindës, një gardiani me stazh nga burgu i mbretit te ai fashist, mungesa e burgut, kur ai do të thyhet pas kapitullimit të fashizmit dhe ikja e të burgosure nga ai, do t’i kthehet në një opsesion deri aty sa jetën pa burg dhe të paburgosur si dhe shtetin pa burg, ta marrë për fatkeqësi personale po edhe shoqërore, gjë që paradigma e kësaj fatkeqësie, bashkë me ato të viktimave anbllok të diktaturës, veprës i jep një fuqi të jashtëzakonshme pasqyruese, që atë e radhit ndër veprat më të realizuara të letërsisë shqipe. / KultPlus.com

Për herë të parë në historinë e tij, ‘Governors Island’ në Nju Jork do të jetë i hapur gjatë gjithë vitit

Governors Island’ në Nju Jork do të mbetet i hapur për publikun gjatë gjithë vitit, për herë të parë në historinë e tij, si një hapësirë ​​publike, njoftuan zyrtarët lokalë.

“Pandemia COVID-19 ka krijuar një mundësi të paparë për të imagjinuar hapësirën publike në këtë qytet dhe tani jemi krenarë që e mbajmë xhevahirin e portit tonë të hapur për njujorkezët gjatë gjithë vitit”, tha kryebashkiaku, Bill De Blasio.

“Nga shërbimi i zgjeruar i trageteve, në më shumë shërbime se kurrë, tek vizitorët gjatë gjithë vitit nga i gjithë qyteti, nuk ka kohë më të mirë për të përjetuar dhe investuar në  këtë ishull”, theksoi ai.

“Jam shumë i lumtur që tani do të bëhet një destinacion për të gjitha sezonet”, tha tutje De Blasio.

Ishulli, dikur një bazë ushtarake, tani është shtëpia e parqeve, këndeve të lojërave dhe restoranteve.

Gati një milion vizitorë udhëtuan në ishull në vitin 2019. / KultPlus.com

600 vjet histori, nisin studimet mbi arbëreshët

600 vjet histori të arbëreshëve, të cilët janë konsideruar edhe si shembull unik në gjithë historinë e trashëgimisë botërore, për shkak të mbijetesës së tyre etnike, kulturore e gjuhësore, po shqyrtohen në universin studimor të rreth dy shekujve.

Në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar nisi të hënën dita e parë e Kuvendit të Studimeve Arbëreshe me temë: “Gjendja aktuale e studimeve mbi arbëreshët”.

Ky aktivitet i rëndësishëm, i organizuar nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) në kuadër të njohjes dhe analizimit të rezultateve kërkimore-shkencore të deritanishme mbi arbëreshët bëri bashkë emrat më autoritarë të studimeve mbi këtë lëmi nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Italia. Po ashtu, merrnin pjesë edhe përfaqësues zyrtarë të institucioneve të ndryshme shkencore, arsimore, kulturore, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.

Në këtë aktivitet të rëndësishëm që bashkon emrat më autoritarë të studimeve sot, Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) mundëson për herë të parë një pikëvështrim të ri të njohjes dhe analizimit të rezultateve kërkimore-shkencore të deritanishme mbi arbëreshët.

Fjalën e hapjes e mbajti drejtoresha ekzekutive e QSPA-së, prof. Diana Kastrati, e cila pasi falënderoi të pranishmit, theksoi se, “kjo Qendër erdhi si një erë e freskët në mjedisin akademik duke sjellë mendësi të reja, duke “shprishur” disa komoditete të stanjizuara, por gjithmonë duke i qëndruar me objektivitet interpretues të kaluarës sonë, sepse pa rrënjë ne nuk jemi të lirë. Kjo përbën edhe thelbin e ndryshimit të institucionit tonë me ato simotra studimore në Shqipëri”.

“Po shpjegohem më qartë: rrugëtimi kronologjik i studimeve mbi Arbëreshët në Shqipëri në bashkëpunim me Arbëreshët e Italisë në veçanti, si çdo fenomen tjetër që varet nga faktorë politikë më së pari, por edhe strategjikë kulturorë, ka njohur periudha lulëzimi, nëse mund të shprehemi kështu, po aq sa edhe një kurbë në zbritje. Nëse realisht ne duam ta bëjmë pjesë të qenësishme e të natyrshme tonën këtë trung shqiptar të mbetur jashtë kufijve, nëse vërtet jemi aq të ndërgjegjshëm sa të kuptojmë se fati na ka “përkëdhelur” duke na e sjellë akoma këtë “xhevahir” antropologjik të ruajtur fuqishëm pas thuajse gjashtë shekujsh, nëpërmjet e falë një “kryeneçësie” të paprecedentë të kësaj popullate për të qenë “Arbëreshë” në gjuhë, doke, zakone, veshje e kulinari, ose është ky momenti vendimtar i ndërveprimit, ose (pa bërë Kasandrën), vështirë se do të ketë një të dytë. Në këtë kuadër, futet edhe vizioni i punës së Qendrës”, tha Kastrati.

Më tej përshëndeti punimet e këtij Kuvendit edhe zv.ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Olti Rrumbullaku, si dhe drejtoresha e Politikave të Diasporës pranë Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, Mira Hoxha, të cilët vlerësuan punën e zhvilluar deri më tani nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA).

Ndërsa, zv.ambasadori i Italisë në vendin tonë, Alberto Pietrangelo, bëri një ekspoze të bazës ligjore tëe shtetit italian në lidhje me ruajtjen dhe mbrojtjen e gjuhëve minoritare, mes të cilave arbërishtja zë një vend qendror. Por nga ana tjetër, ai nënvizoi që jo vetëm shteti italian, por edhe shteti shqiptar duhet t’i ndihmojë arbëreshët që të ruajnë gjuhën dhe traditat e veta. Sipas tij, Ambasada e Italisë do të jetë një mbështetje e vazhdueshme për ta çuar përpara misionin e QSPA-së dhe rezultatet e këtij Kuvendi do të referohen edhe në Romë, përderisa marrin pjesë me mendimet e tyre ekspertë e studiues me përvojë shumëvjeçare.

Në përmbyllje të fjalëve përshëndetëse, ka treguar përvojën e vet me diasporën historike në Rusi edhe albanologu i shquar Aleksandër Novik. Ai ka vlerësuar botimet dhe punën e deritanishme të QSPA-së dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunime ndërinstitucionale edhe me katedrën e Shën Petërburgut, të cilën  e drejton prej vitesh.

Pas përshëndetjeve, ka nisur prezantimi i referateve dhe kumtesave nga studiuesit e pranishëm, ku mes kryesorëve ishin: Italo Sarro, Ymer Çiraku, Agostino Giordano, Evalda Paci, Emin Kabashi, Dhori Qiriazi, Zeqirja Neziri, Klara Kodra, Agim Vinca, Isak Shema, Vebi Bexheti, Kristaq Jorgo etj. / KultPlus.com

Komuniteti shqiptar në Festivalin Provincial të Emigrantëve në Argjentinë

Komuniteti shqiptar në edicionin e parë në Festivalin Provincial të Emigrantëve në vitin 1975 në Berisso, Argjentinë.

Në të njëjtin vit u zgjodh mbretëresha e emigrantësve, e cila ishte një lituaneze. Ndër vite më pas ky Festival u kthye në traditë dhe vazhdon të zhvillohet ende sot me një pjesëmarrje masive.

Festivali tashmë zhvillohet në mënyra të ndryshme sipas traditave që vende të ndryshme kanë, një festival shembull i bashkimit dhe tolerancës. / KultPlus.com

Plënc siç e gatuajnë në Porto

Poezi nga Fernando Pessoa

Një ditë në një restorant jashtë kohës dhe hapësirës,
ma shërbyen dashurinë në trajtë plënci të ftohtë.
Të dërguarit të kuzhinës i thashë me takt
se do të më pëlqente e ngrohtë,
se plënci (që ish siç e gatuajnë në Porto) nuk hahet i ftohtë.

U acaruan me mua.
S’të jep kurrkush të drejtë, madje as në restorant.
Nuk hëngra, s’porosita gjë tjetër, paguajta llogarinë
dhe vajta të shëtisja përgjatë gjithë rrugës.

Di njeri ç’do të thotë gjithë kjo?
Unë s’e di, e mua rastisi të më ndodhte…

(E di shumë mirë se në vegjëlinë e gjithkujt ka qenë një lulishte,
botore apo e përveçme, apo e fqinjit.
E di shumë mirë se fakti që luante, e bënte vetvetiu zot të lulishtes.
Dhe si trishtimi i përket të sotmes.)

E di fare mirë,
ama, nëse porosita dashuri, përse më sollën
plënc siç e gatuajnë në Porto të ftohtë?
Nuk është gjellë e cila të mund të hahet e ftohtë,
por mua ma prunë të ftohtë,
nuk hahet kurrë e ftohtë, por më erdhi e ftohtë.

Shënim: Poezia është pjesë e ciklit të njohur me emrin e Álvaro de Campos-it, një prej heteronimeve të Pessoa-s. Është sjellë në shqip nga italishtja, sipas përkthimit të Antonio Tabucchi-t. / KultPlus.com

Pas ndriçimit të saj, Kalaja e Rozafës në Shkodër kthehet në një atraksion turistik

Kalaja e Rozafës në Shkodër pas ndriçimit të saj është kthyer në një atraksion turistik, të vizitueshëm për turistët vendas dhe të huaj edhe në mbrëmje.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, solli në vëmendje në kuadër “Muajit të Trashëgimisë” ndriçimin e kalasë së Rozafës, i cili u bë i mundur nga Ministria e Kulturës.

Ky projekt parashikon investimin në 14 kala, mes tyre edhe në atë të Shkodrës, ku janë ndriçuar ambientet e brendshme dhe të jashtme të kalasë së Shkodrës.

“Ditë të mbarë! Rozafa, kjo “zonjë” e rëndë shkodrane doli në dritë falë projektit të ndriçimit, financuar nga Ministria e Kulturës”, – tha Margariti.

Kalaja e Rozafës është monumenti historik më antik. Në muret rrethuese të kalasë, të cilat përfshijnë rreth 9 ha tokë, dallohen qartë ndërtimet e katër periudhave: Balshajve (shek. XIV), zotërimi venecian (shek. XV), pushtimi osman (shek. XVI-XVII), dhe e Bushatlinjve (shek. XVIII-XIX). E ndërtuar gjatë Mbretërisë Ilire, përfaqësohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të Besës legjendare. / KultPlus.com

Enke Fezollari: Dekada e parë e migrimit shqiptar përjetoi shumë racizëm

Enke Fezollari sjell në Athinë nga data 29 shtator veprën shqiptare të Ornela Vorpsit “Vendi ku nuk vdiset kurrë”.

Enke Fezollari, regjisor dhe aktor i lindur në Shqipëri e rritur në Greqi sundon sërish skenën dramatike, me një shfaqje unike.

“Shoqëria jonë dhe patogjeneza e saj më shqetësojnë shumë. Sepse unë jam pjesë e kësaj shoqërie,” thotë Enke Fezollari në një intervistë për mediat greke. Aktori dhe regjisori 40-vjeçar i cili lindi dhe kaloi 12 vitet e para të jetës së tij në Shqipëri dhe që atëherë jeton, studion dhe punon në Greqi. Nuk është për t’u habitur, pra, ai ndjen një “kafaz mes dy vendeve”. “Të dy vendet më mbushin me lot, ata janë po aq të zemëruar me mua.” Dhe fakti që ai përdor shumësin e parë kur flet për të dyja është tregues.

Dekadën e fundit Enke Fezollari është fenomeni i padiskutuar i artit skenik grek, mjeshtër në çdo qelizë i skenës dhe passkenës, i miratuar unanimisht edhe nga më skeptikët, ndërsa mitet përulen gradualisht me çdo inisiativë të re.

“Që nga hapja e kufirit me Perëndimin – deri më sot – shumica e shqiptarëve duan të largohen nga vendi i tyre. Sigurisht, shumë tani kthehen mbrapsht, sepse e panë që Perëndimi, siç thotë libri i Vorpsit, nuk është ajo që ata ëndërronin. Por Shqipëria gjithashtu vuan nga sindromet ballkanike, kryesisht me origjinë osmane. Nga ana tjetër, shqiptarët morën të gjithë modelin e Perëndimit dhe e sollën në Shqipëri. Një herë në diktaturë, më kujtohet si një fëmijë respektin që njerëzit kishin për natyrën. Tani kjo nuk ekziston. Ata morën atë që nuk duhet.

Gjithashtu nuk më pëlqen fakti që Shqipëria nuk ka ndërgjegje politike. As brezi i ri dhe as i vjetri. Nuk ka koncept të qytetarit, të mendimit politik. Nëse zbatohet 10 herë këtu, është 25 herë më keq atje. Për momentin në Shqipëri, në vendin tim, të drejtat e homoseksualëve, të drejtat trans, të drejtat e romëve po shkelen. Shqipëria nuk ka qenë në gjendje të përqafojë këto pakica.

Dhe nuk më pëlqen islamizimi, i cili është me të vërtetë shumë intensiv. Turqia dhe vendet e tjera myslimane kanë investuar shumë në Shqipëri, dhe këto fe dhe degët e tyre kanë pushtuar vendin. Shqiptarët ishin një popull fetar – një nga virtytet e Enver Hoxhës ishte ateizmi. Po, nuk më pëlqen të shoh gra me shami. Sepse ky nuk është vendi im. “Unë dua që të ketë multikulturalizëm, por kam frikë nga ky islamizim i gjërave”, shprehet Fezollari për mediat greke.

Më pas ai flet edhe për racizmin, që shpesh e ka vështirësuar jetën e emigrantit: “Dekada e parë e migrimit shqiptar, 1990-2000, është një periudhë tabu tani. Ata ishin një popull që pranoi shumë racizëm. Dhe gazetaria, veçanërisht televizioni, kontribuan shumë në këtë. Është e qartë, kur një valë emigracioni ju godet, 500,000 emigrantë nuk mund të jenë engjëj. Por nuk kishte infrastrukturë në Greqi, as në shkolla, as kudo, që të binte në sy dhe të thoshte, “fëmijë, ne kemi të mira dhe kemi të këqija, dhe të gjitha fiset e Izraelit e kanë atë. Vitet e fundit është shumë mirë që çështjet që po diskutohen, po hapen”, thekson Fezollari. / KultPlus.com

Kuptimet e fshehura të bizhuterive mbretërore

Zbuloni disa nga detajet që nuk i kishit menduar më parë.

Kur bëhet fjalë për modën mbretërore, zgjedhja e aksesorëve nuk është kurrë e rastësishme. Çantat, vathët dhe gjerdanët jo vetëm që përputhen me veshjet e familjes mbretërore, por ato shpesh janë të me shumë rëndësi.

Nga Princesha Diana e cila mbante një gjerdan në kokë e deri te Princesha Beatrice e cila u dërgoi një mesazh adoleshentëve me çantën e saj , bota e aksesorëve mbretërorë është plot me kuptime të fshehura.

Kurora që mbajti Princeshë Diana gjatë ceremonisë martesore nuk ishte një dhuratë nga familja mbretërore, por në fakt ishte trashëgimia e saj familjare.

Ajo mbante diamante që  i përkisnin familjes Spencer për gati një shekull dhe ishte bërë nga disa bizhuteri që ranë në duart e familjes së Dianës në periudha të ndryshme të historisë.

Pas ceremonisë martesore, Diana vendosi kurorën Spencer në disa raste, dhe pas vdekjes së saj në 1997, ajo iu kthye familjes së Dianës, ku mbetet edhe sot e kësaj dite.

Në vitin 2018, mbesa e Dianës, Celia McCorquodale, vuri këtë kurore Spencer në ceremoninë e saj të dasmës.

Ashtu si Princesha Diana, në ditën e saj të dasmës, Kate Middleton veshi diçka nga familja e saj. Vathët e dasmës së Kate ishin një dhuratë nga prindërit.

Një palë vathë diamanti në formën e gjetheve të lisit me diamante të varur në qendër. Pse lisat? Dizajni i vathëve nënkupton stemën e familjes Middleton.

Princesha Diana ishte një rebele e vërtetë kur bëhej fjalë për modën, dhe shumë nga zgjedhjet e saj të veshjeve ishin të guximshme për një princeshë.

Në 1985 Diana theu rregullat mbretërore të veshjes kur vuri gjerdanin e trashëgimisë së familjes mbretërore si një rreth në kokë për një ngjarje në Melburn, Australi.

Ende nuk është e qartë nëse ajo lëvizje e Dianës ishte në të vërtetë e qëllimshme. Ekziston një teori që, nga nxitimi, Diana u përpoq të vishte atë nga koka, dhe kur ajo iu ngjit në ballë ajo vendosi ta linte atë në atë mënyrë. / KultPlus.com

‘Totem and Taboo’ e koreografit Robert Nuha, pjesë e Festivalit të Teatrit Skampa në Elbasan

Vallëzimi teatral ‘Totem and Taboo’ me koreografi të koreografit, Robert Nuha do të jetë pjesë e ‘Festivalit të Teatrit Skampa’ në Elbasan këtë të enjte më 30 shtator nga ora 19:30, përcjell KultPlus.

Njoftimin e ka dhënë vetë koreografi Nuha përmes një postimi në Facebook.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:

Vallëzimi teatral ′′Totem and Taboo’

Nën koreografinë dhe drejtimin e Robert Nuhës

Dramaturgji nga Zana Hoxha

Prodhuar nga Qendra Artpolis

Do të jetë pjesë e Festivalit të Teatrit Skampa në Elbasan, këtë të enjte, 30 shtator në orën 19:30.

′Totem and Taboo’ , nën koreografinë e Robert Nuhës dhe dramaturgjisë së Zana Hoxhës, është një tandem eksperimental i kërcimit bashkëkohor dhe tekstit minimal që i mundëson audiencës të reflektojë për çështjet e ngritura që ndërthurin jetën e tyre dhe mentalitetin kosovar.

‘Totem and Taboo’ , është pasqyrim i realitetit kosovar dhe kontradiktave të tij. Vjen për publikun në një formë të veçantë kërcimi bashkëkohor i ndjekur nga monologe dhe dialoge të fuqishme. ′′ Totem dhe Tabu ′′ nxjerr në sipërfaqe mentalitetin patriarkal, ndërsa tregon ndaj njerëzve se është ndikimi negativ që ka në jetën tonë.

Nëpërmjet ndërthurjes së valleve, aktrimit, këngëve dhe vokaleve të aktorëve, dhe humorit, tregimeve të trishta dhe dërrmuese të elaboruara, kujtojnë se gjallesa sfidohet në forma të ndryshme, dhe se ne jemi ata që mund t ‘ i japim ngjyra.

Gjetja e paqes dhe qetësisë pas stuhive të mëdha që lidhen me dhunën emocionale dhe fizike, dhe traumat e së kaluarës ndërthuren me tradita si Totemi kaloi nëpër breza, ndërthurur me Kanunin dhe zakonet që shpesh shtypin dhe promovojnë pabarazinë dhe që ende barten si mbetje të së kaluarës gjeneratave më të reja të grave dhe burrave kosovarë. /KultPlus.com

‘Vera andrron detin’ pjesë e ‘Tokyo International Film Festival’

‘Vera andrron detin’ me regji nga Kaltrina Krasniqi dhe skenar nga Dorentina Basha do të jetë pjesë e ‘Tokyo International Film Festival’, transmeton KultPlus.

Filmi kosovar do të jetë pjesë e këtij festivali në mesin e 14 filmave të tjerë.

E zhytur në një atmosferë të tensionuar, “Vera Andrron Detin” është një portret intim por edhe universal i një gruaje e cila lufton një realitet të vrazhdë pabarazishë gjinore thellë të rrënjosura në shoqëri edhe në ditët e sotme’.

Në film luajnë: Teuta Ajdini Jegeni, Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj, etj. Drejtoreshë e fotografisë: Sevdije Kastrati; Producent: Shkumbin Istrefi.

Vera andrron detin’ është bashkëprodhim në mes të Kosovës (Puntoria Kreative Isstra, Vera Films), Maqedonisë së Veriut (Dream Factory) dhe Shqipërisë (Papadhimitri Productions) i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë – Shqipëri. /KultPlus.com

Pfizer fillon provat klinike për ilaçin që parandalon COVID-19

Kompania farmaceutike Pfizer tha se ka filluar një provë klinike në shkallë të gjerë të një ilaçi për të shmangur COVID-19 tek ata që janë të ekspozuar ndaj virusit.

Provat për antibiotikun oral do të përfshijnë 2,660 pjesëmarrës të rritur të shëndetshëm që jetojnë në të njëjtën familje me dikë që është i infektuar me COVID-19.

Kompania Pfizer gjithashtu po studion ilaçin tek njerëzit që tashmë janë infektuar me COVID-19, por që ende nuk kanë zhvilluar simptoma serioze.

“Nëse është e suksesshme, ne besojmë se kjo terapi mund të ndihmojë në ndalimin e virusit herët, para se të ketë pasur shansin për t’u shpërndarë gjerësisht”, tha nëpërmjet një deklarate zyrtari kryesor shkencor i kompanisë Pfizer, Dr. Mikael Dolsten.

Ilaçi synon të bllokojë një enzimë kryesore që virusit i nevojitet për t’u shumuar. Nëse funksionon, shkencëtarët besojnë se do të jetë efikas vetëm në fazat e hershme të infeksionit. Kur COVID-19 të jetë bërë një sëmundje e rëndë, virusit i është ndaluar ndërkohë përhapja dhe pacientët preken kryesisht nga përgjigjja tepër aktive e sistemit imunitar./KultPlus.com

Fillon restaurimi i kullës së Ramë Zeqë Sadrisë në komunën e Gjakovës

Ka filluar restaurimi i kullës së Ramë Zeqë Sadrisë në komunën e Gjakovës.

Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, ka njoftuar se kanë filluar restaurimi i kullës së Ramë Zeqë Sadrisë, kullë kjo e cila daton qysh  nga shekulli 19, shkruan KultPlus.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të ministrit Çeku:

Kulla e Ramë Zeqë Sadrisë, e cila daton nga shekulli 19, ka shërbyer për banim dhe fortifikim. Në gjendje të rëndë fizike, është braktisur në pritje të ndërhyrjeve restauruese.

Pas një periudhe pritjeje mbi katër vjeçare, gjatë muajit shtator kanë filluar ndërhyrjet restauruese me qëllim të mënjanimit të mëtutjeshëm të degradimit të vlerave të kësaj kulle.

Sot së bashku me Kryetarin e Komisionit Parlamentar për Arsim dhe Kulturë, Ardian Gola dhe këshilltaren, Nora Arapi Krasniqi, vizituam kullën e Zeqë Ramë Sadrisë në Brovinë të Komunës së Gjakovës.

Tashmë kanë filluar punimet dhe ndërhyrjet emergjente në asetet e trashëgimisë kulturore në rrezik, dhe kjo kullë është një prej tyre. Mbrojtja e monumenteve dhe vlerave të trashëgimisë kulturore dhe rijetësimi i tyre, është prioritet në qeverisjen tonë dhe për këtë do të angazhohemi vazhdimisht./KultPlus.com