Letër e Nënë Terezës e shkruar në gjuhën shqipe (FOTO)

Nënë Tereza ka shkruar disa letra në gjuhën shqipe, të kohës së hershme e të kohës më të vonshme të jetës së saj si misionare në Kalkutë, që iu ka dërguar familjes, familjarëve apo miqve të saj. Janë vërtet relikte të bukura që shprehin shpirtin e saj të thjeshtë e të çiltër, një gegnishte të natyrshme të përdorur në Shkupin e saj.

Me njëvjetorin e shenjtërimit të saj, janë zbuluar letra të reja. Kjo letër që e ka publikuar drita.info, është shumë e bukur por me përmbajtje të dhimbshme, me të cilën Nënë Tereza e njofton vajzën e dajës së vet, zonjën File Çuni e cila jetonte në Melburn, se përmes një telegrami prej Ages, qe njoftuar për vdekjen e nënës së saj Dranës (12 korrik 1972). Kjo letër tregon edhe një realitet të njohur tashmë, se Nënë Tereza ka pasur korrespodenca të rregullta me familjarët e vet dhe ato korrespodenca i ka shkuar në gjuhën shqipe. Kur merret viti kur është shkruar kjo letër, tregon se Nënë Tereza edhe pas shumë viteve jashtë atdheut të saj, nuk e ka harruar gjuhën e nënës së vet, me të cilën ka komunikuar me të afërmit dhe miqtë e saj shqiptarë.

Letra është e shkruar më 13 korrik 1972. Nënë Tereza, e njofton Filen edhe për adresat e banimit të motrës së saj Ages në Tiranë dhe vëllait të saj Lazrit në Palermo të Italisë./ KultPlus.com

Spanja Pipa sjellë një libër mbushur me këngë korçare

Prej 50 vitesh zëri melodioz i Spanja Pipës ka kënduar këngët urbane korçare me një pasion të pashuar. Pipa gjithashtu vlerësohet si ndër të paktët zëra femëror që kënduan serenatat korçare, këngë dashurie zakonisht të kënduara prej meshkujve.

Libri “Spanja Pipa, këngët urbane të Korçës”, i botuar në vitin 2015 në Itali u soll të mërkurën në Tiranë për herë të parë për audiencën shqiptare, në Institutin Italian të Kulturës.

Muzikologia Mikaela Minga dhe etnomuzikologu Nicola Scaldaferri thanë se që nga takimi i parë figura e Spanja Pipës i intrigoi për botimin e një libri dhe regjistrimin e këngëve.

“Është një personazh shumë karizmatik, është një artiste shumëformëshe, shumëplanëshe. Tek ajo bashkohet elementi i aktores dhe i këngëtares, ka një përvojë skenike që ndihet menjëherë dhe arrin të ta transmetojë kudo që të jetë,” tha Minga.
Kolegu i saj Scaldaferri mbart të njëjtat emocione kur flet për Pipën.

“Një zë shumë i bukur, më bëri një përshtypje shumë të madhe herën; e parë që e kam takuar Spanjën, ishim në Korçë me Mikaelën, e dëgjova që këndoi dhe… thamë do të bëjmë diçka sepse ishte një zë i jashtëzakonshëm”, tha Scaldaferri, i cili është me origjinë arbëresh.

Ndërsa performoi për dashamirësit e artit të mbledhur në promovim, Spanja Pipa falënderoi muzikologët duke vënë buzën në gaz për famën e ardhur në pleqëri.

“Në këtë moshë që jam të dalësh dhe të këndosh është pak e vështirë, më dhanë një kënaqësi të jashtëzakonshme,” tha e emocionuar Spanja Pipa për BIRN.

Përmes jetëshkrimit të artistes Pipa, libri synon të përmbledhë dimensionet e kulturës korçare të atyre viteve dhe t’i japë muzikës një kontekst në rrymat ballkanike.

“Në përgjithësi është një kulturë urbane e cila qarkullon dhe lëviz në vende të ndryshme, influencat kanë qenë të shumta dhe krijohet në këtë mënyrë dhe ai lloj kozmopolitizmi muzikor,” përfundoi muzikologia Minga. /KultPlus.com

Karriera e regjisorit Steven Spielberg vjen në një dokumentar (VIDEO)

Steven Spielberg ka qenë një prej producentëve më të njohur e më të suksesshëm të Hollywoodit që nga fillimi i viteve ’70, tani, ai do të dalë para kamerave për të folur për karrierën e tij, në një dokumentar të ri të “HBO”-së, të titulluar “Spielberg”.

“Është një eksperiencë shumë interesante të jesh subjekt i një filmi, kur ke kaluar të gjithë karrierën duke kërkuar subjekte filmash. E papritur, je ti subjekti”, tha Steven Spielberg, regjisor.

Producenti ikonë, që qëndron pas sukseseve si “E.T. Jashtëtokësori”, “Shpëtoni ushtarin Ryan”, etj., rrëfen eksperiencën e tij në prodhimin e filmave dhe tregon sesi jeta e tij personale ndikonte në zgjedhjet kinematografike.

Ai shpjegon edhe sesi funksionon puna e tij. Spielberg mori pjesë në një premierë ekskluzive për yjet në studiot e kompanisë “Paramount”, i shoqëruar nga producentja e dokumentarit, Susan Lacy. “Nuk kishim folur për të më parë. Shkëlqimi i një artisti është të kuptosh artistin tjetër. Ai asnjëherë nuk më bëri asnjë pyetje. Nuk më pyeti se çfarë filmi po bëja. E ky është një nivel besimi që të lë pa fjalë”, thotë Susan Lacy, producente e dokumentarit.

Vlerësimet për regjisorin dhe producentin e madh të “Hollywood”-it vijnë edhe nga bashkëpunëtorët e tij. “Ai më ndryshoi jetën. Ky është ‘Hollywood’-i. Ai është njeriu që më punësoi mua. I pari! Ai krijoi një rol në ‘Shpëtoni ushtarin Ryan’, për mua”, tha Vin Diesel, aktor. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?time_continue=7&v=dSdSYmXCPXU

Ekspozitë me dorëshkrime dhe objekte personale të At Gjergj Fishtës dhe At Zef Pllumit

Në vijim të aktiviteteve me rastin e 10 vjetorit të ndarjes nga jeta të një nga figurave më të shquara të kulturës shqiptare, At Zef Pllumit, do të hapet edhe një ekspozitë, shkruan KultPlus.

Provinca Franceskane e Shqipërisë në bashkëpunim me Arqipeshkëvinë Metropolitane të Tiranës – Durrësit dhe Bibliotekën Kombëtare me rastin e 10 vjetorit të vdekjes së At Zef Pllumit, në ambientet e Kurias Ipeshkvore (pranë Katedrales së Shën Palit) Tiranë, organizon ekspozitën me dorëshkrime dhe gjëra personale të At Gjergj Fishtës dhe At Zef Pllumit, të shtunën, më 30 shtator, ora 12:00.

Më këtë rast një fjalë përshëndetëse do ta mbaj Shkëlqesia e Tij Imzot George Frendo. / KultPlus.com

Rita Ora në ‘takimin e parë’ nis prezantimin e saj me “Unë jam kosovare” (VIDEO)

Këngëtarja kosovare me famë botërore, Rita Ora, sivjet do të jetë nikoqire e ceremonisë MTV EMA, që do të mbahet në Londër më 12 nëntor.

MTV EMA lajmin e bëri publik sot, ndërsa ka postuar edhe një video për përcjellësit në rrjetet sociale që të njihen nga afër me prezantuesen e ceremonisë së sivjetme, përmes një “takimi të shpejtë”.

“Unë jam kosovare. Nëse askush nuk e di se ku është, është në Evropën Lindore. Jam rritur në Londër”, nis ajo prezantimin në “takimin e shpejtë”.

Ajo ka folur edhe për tatuazhet e saj. Ka njoftuar se ka 26 dhe se e preferuara e saj është në dorën e djathtë, një lule të cilën e ka bërë qe dy vjet.

Rita ka treguar se urren njerëzit kur dalin në takim dhe përdorin telefona mobil.

Në këtë “takim të shpejtë”, Rita është veshur në ngjyrë të zezë, por nga e merr inspirimin ajo?

“E kam nga prindërit e mi”, ishte përgjigja e Orës.

Në takim të parë, Rita ka treguar se do të preferonte të pinte verë. / KultPlus.com

Grua fenomenale

Poezi nga Maya Angelou (Përkthyer nga Majlinda Bashllari)

Gratë e bukura sfiliten të gjejnë sekretin e sharmit tim.
Ngase s’jam e bukur ndoshta, e as ndonje trup modeleje nuk kam

dhe kur këto ua them atyre
mendojnë se tallem.
Them se –
është në gjatësinë e krahëve,
në përdredhjen e vitheve të mia,
në ritmin e hapave,
në formën e bukur të buzëve…
Jam jashtëzakonisht femër!
Një femër fenomenale
Jam unë.
Kur hyj në një dhomë,
aq qetë sa s’e merrni me mend
dhe një burri i afrohem, –
të gjithë shtangin a bien në gjunjë
dhe sulen drejt meje –
Një koshere e gëzueshme bletësh.
Them se –
është prej zjarrit që më digjet në sy
dhe vezullimit të bardhë të dhëmbëve,
lëkundja e belit ndoshta
dhe hareja e këmbëve.
Oh, jam jashtëzakonisht femër
Një femër fenomenale
Kjo jam unë.
Vetë burrat, sa herë janë habitur
Ç’gjë i tërheq drejt meje…
Përpiqen kaq shumë,
por s’munden t’i afrohen dot
të fshehtës sime.
Edhe kur vetë ua rrefej
prapë s’dinë ta prekin…
Them vjen
prej harkut të thellë të shpinës,
nga dielli i buzëqeshjes sime,
përhedhja e gjoksit, a ndoshta,
nga hijeshia e stilit
Oh, jam kaq e jashtëzakonshme
Një femër e mrekullueshme
Jam unë
Tani e kuptoni,
se përse nuk kam nevojë të tund kokën,
të klith a të lëviz më kot,
a të flas me zë të lartë.
Nëse shihni që përmes kaloj
me krenari të thellë… Shijomëni!
Ju thashë, pra –
është në kërcitjen e takave të mia,
valëzimin e flokut,
në cipën e shndritshme të dores,
në etjen për njeriun –
Sepse jam e jashtëzakonshme,
Grua fenomenale –
Kjo jam unë.

“Prishtina International Theater Festival” sjellë gjashtë shfaqje nga vendi dhe rajoni

Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “Prishtina International Theater Festival”, i cili është themeluar në hapësirat e Teatrit AAB “Faruk Begolli”, në qershor të vitit 2017, ka shpalosur programin për këtë edicion, shkruan KultPlus.

Në skenën e këtij teatri, do të shfaqin punën e tyre artistike trupa teatrore të vendeve e të rajonit.
Festivali fillon më datë 16 tetor dhe zgjatë deri më datë 21 tetor.

Këto data janë rezervuar për gjashtë shfaqje të mrekullueshme nga vendi dhe rajoni.

“Dhe jetuan të lumtura…?” – Kroaci, “Shërbëtoret” – Bullgari, “Vdes siç vdes një vend” – Shqipëri, “SPEAK MEDEA” – Iran, Darka e Thërrimeve – Maqedoni, Armiku i Popullit – Kosovë, janë shfaqjet që do të mirëpriten përgjatë këtij edicioni të parë të festivalit. / KultPlus.com

http://teatriaab.com/pitf/programi

“The Pride” nga Edi Mehana, drama që shtjellon luftën, fenë dhe komunitetin LGBT

Aktori kosovar Edi Mehana, pas roleve të shumta në seriale dhe filma amerikanë, vendosi të sfidohet edhe prej një këndi tjetër, atij të regjisorit, shkruan KultPlus.

“The Pride”, është filmi i metrazhit të shkurtër i cili xhirimet i ka përfunduar në muajin gusht, por regjisori Mehana ka shpalosur për herë të parë për KultPlus sinopsisin e filmit.

Ky film i cili për skenaristë, ka Virtyt Kelmendin e Edi Mehana, është një dramë që shtjellon tematiken e luftës, fesë dhe LGBT.

Sipas Edit në këtë film bëhet fjalë për një familje e cila në krye të saj ka Gjeneralin Truman, babai i tre fëmijëve memec, invalid lufte që qëndron në karrocë, ai asesi nuk mund të pajtohet me fatin e djalit të tij Christian i cili që 5 vite është zhdukur në luftë në Middle East. Edhe pas telegramit nga ushtria që djali i tij është i vdekur ai ende beson se Christian është gjallë, sa që fillon të shkruaj letra në emër të djalit të tij dhe i shtyn miqtë e tij t’i lexojnë letrat për t’i bindur se Christian është gjallë. Ray, djali i dytë i Gjeneralit, është një homoseksual i dashuruar në dashnorin e motrës së tij Xhesikës. Ray fillon një konflikt me Priftin, kumbarën e tij, kur ai rrëfen tek prifti temën e homoseksualizmit dhe gjithçka kalon në konflikt fizik në mes Ray dhe priftit. Ray fillon lidhjen e tij të fshehtë me Kevinin dashnorin e motrës së tij. Xhesika ende pa u shëruar mirë nga depresioni prej vdekjes së nënës dhe zhdukjes së vëllait në lufte ajo hynë në depresion të thellë kur e kupton se Kevin e ka tradhtuar me vëllain e saj Ray. Kthimi i Christian-it i gjallë në shtëpi i cili 5 vite i ka kaluar nëpër kampe si rob lufte është momenti më i lumtur i familjes Truman. Por traumat e luftës e ndjekin tërë kohen Christian. Christian kthehet si njeri tjetër, me një bindje tjetër fetare. Ai vjen me një besim të një feje tjetër dhe kohe pas kohe fillon ti pëshpërit dovat në gjuhën Arabe. Shpesh në kokën e tij i shfaqen pamjet duke u falur si rob lufte në qelin e burgut. Ai beson se dovat arabe e kanë shpëtuar nga lufta. Christian asesi nuk mund të pajtohet kur e kupton se vëllai i tij Ray është homoseksual dhe është në lidhje me dashnorin e motrës Kevin. Homoseksualizmi për të është mëkat i pa falshëm që Zoti nuk ia fal njeriut. Ai tërë kohen sillet me një snajper del në gjueti duke gjuajtur thi të egër. Traumat e luftës nuk e lënë të qetë për asnjë çast. Ai shpesh i shikon me dylbi të snajperit Ray dhe Kevinin duke ecur dorë për dore nëpër livadh duke vrapuar e duke puthur njëri tjetrin, dhe pyet veten “përse luftuam për të drejtat e LGBT, për flamur të ylberit, gjersa në anën tjetër me dylbi të snajperit shikon motrën e tij Xhesikën të shkatërruar në depresion të thellë. Traumat e luftës nuk ndalen ç’do zhurmë që dëgjohet Christianin e kthen në kohën e luftës. Ai qëndron në gjueti duke pritur thinjtë e egër. Ai gjithmonë e mban në shënjestër të dylbisë Ray-in duke ia shikuar tatuan me flamur të ylberit në qafë. Modeli i një aeroplani të vogël që e kontrollon Kevin me dirigjues Christianin e kthen në kohë të luftës. Chrsitian humbe i tëri. Atij fillojnë ti shfaqen skenat e tmerrshme të luftës, zërat e fëmijëve duke klithur, grat duke vrapuar me fëmijë, zhurma e avionëve të luftës e traumatizojnë keq sa që ai e drejton snajperin nga aeroplani i Kevinit, sytë fillojnë ti errësohen ai lëviz me snajper për një çast i shfaqet flamuri LGBT, gjuan dhe e qëllon Ray-in. Ray bie në tokë dhe e lëshon prej dorës Xhiten me flamur të LGBT e cila fluturon lart në qiell.

Në këtë film me rolet e tyre luajnë aktorët: Charles Tiedje, Dominic Capone, Doug Mcdade, Chris Maher, Gabija Guzauskaite, James Fuller, Kenny Lone Eagle, Harold Dennis, Luis Centeno e Edi Mehana. / KultPlus.com

Gazeta suedeze ‘Dagens Nyheter’: Kadare ka shanse të fitojë Nobelin

Sezoni i vitit 2017 hapet të hënën me shpalljen e çmimit Nobel në mjekësi, ndjekur nga çmimi në fizikë ditën e martën dhe çmimi i kimisë ditën e mërkurën. Çmimi i paqes do të jepet në datën 6 tetor. Ndërsa data për çmimin në letërsi zbulohet disa ditë përpara, por si traditë, jepet të enjteve, pra, datat 5 dhe 12 tetor, shihen si të mundshme.

Edhe për çmimin në letërsi, Akademia e Suedisë e mban të fshehtë listën e kandidatëve, duke i dhënë mundësi vëzhguesve dhe kritikëve të letërsisë të spekulojnë pa kufi.

Shumë emra shfaqen sërish vit pas viti në këtë lojë spekulimesh: Don DeLillo i Amerikës, Margaret Atwood e Kanadasë, poeti i lindur në Siri, Adonis, romancieri japonez Haruki Murakami dhe shkrimtari nga Kenya, Ngugi Wa Thiong’o, vetëm për të përmendur disa. Amos Oz i Izraelit dhe David Grossman, Claudio Magris i Italisë, Ismail Kadare i Shqipërisë dhe Michel Houellebecq i Francës përmenden po ashtu shpesh.

Por rrethet letrare të Stockholm-it bien dakord për një gjë: me shumë mundësi, Akademia do të bëjë zgjedhje konsensuale dhe konservative, pas zgjedhjes së legjendës së muzikës pop dhe kompozitorit Bob Dylan, e cila habiti dhe e ndau botën.

“Ajo çfarë ndodhi vjet ishte vërtet e pazakontë. Këtë vit mendoj se do të jetë një romancier apo eseist mashkull, me rrënjë në Europë. Mendoj se do të jetë krejt i kundërti i Bob Dylan,” parashikon Bjorn Wiman, redaktor i kulturës në të përditshmen kryesore suedeze Dagens Nyheter. Ai mendon se Antonio Lobo Antunes i Portugalisë dhe Kadare i Shqipërisë kanë mundësi të mira për të fituar.

Këtë vit, secili Çmim Nobel vjen me një shpërblim prej nëntë milion koronash (1,1 milion dollarë ose 940,500 Euro) i cili mund të ndahet nëse zgjidhen disa laureatë për të njëjtën disiplinë.

Laureatët i marrin çmimet në banketet formale që mbahen në Stockholm dhe Oslo, në datën 10 dhjetor. / KultPlus.com

Donika Çina dhe Hanna Hildebrand, artistet e radhës në Tirana Art Lab

Të shtunën mbrëma, me 30 shtator, në Tirana Art Lab në ora 19:00 vjen një ekspozitë e re.

Bëhet fjalë për ekspozitën nga Donika Çina dhe Hanna Hildebrand, si pjesë e programit Double Feature # 7.

Tirana Art Lab me Double Feature # 7 sjell së bashku punën e artistes shqiptare Donika Çina dhe artistes Hanna Hildebrand, lindur në Itali. Ekspozita është e konceptuar sipas praktikave të dy artisteve, që synojnë hulumtimin dhe përftimin e proceseve konjitive nëpërmjet eksperiencave personale në shoqëritë ku ato jetojnë dhe takimet me të tjerët. Çfarë i dallon praktikat e artisteve dhe në të njëjtën kohë i bashkon me njëra-tjetrën është fokusi në proces, qoftë si njohje, si kuptim, shkëmbim apo proces krijues. Kështu që qëllimi i tyre përbëhet nga dekodimi i njëkohshëm i procesit në formë teksa e përjetojnë atë. Paraqitja pamore dhe regjimi estetik është në këtë mënyrë realiteti në të cilin ato janë pjesëmarrëse, ndërhyjnë, veprojnë dhe ndërmjetësojnë me punët e tyre. Të vetëdijshme për epërsinë e formës, dukjes dhe estetikës me punët e tyre në vend që t’i legjitimojnë ato i sfidojnë vazhdimisht duke i vënë në diskutim. Siç duket qartë prej statuseve të tyre dhe punëve, qoftë Çina ashtu dhe Hildebrand mundohen të shmangin specifikimet e vendosura, klasifikimet dhe shpjegimet. Duke qenë paradoksale punët e tyre shndërrohen në vende të ndërmjetësimeve të përhershme kuptimore dhe thuajse të pamundura për t’u kolonizuar apo kapitalizuar nga strukturat e pushtetit. (Adela Demetja)

Donika Çina lindi në 1988 në Korçë, Shqipëri, studioi në Akademinë e Arteve në Tiranë, në Universitetin e Arteve dhe Dizajnit në Cluj-Napoka Rumani dhe në Universitetin e Arteve Braunschweig, Gjermani. Puna e saj është ekspozuar në shumë aktivitete përfshi; Ardhja Award, Zeta Gallery Tirana; Tirana Open 1 Book and Art Festival, Tirana; Archivitionism (archivism-activism-exhibitionism), Galeria Plan B Cluj-Napoca, Romania; Autopia Cycle, Eliava Market,Tbilisi, Georgia; The Office Tirana, National Gallery Tirana, Albania and Museo Orientale, Torino, Italy; Guri Madhi Prize, Korçe, Albania.

Hanna Hildebrand u lind më 1978 në Como, Itali, ka studiuar në Städelschule Frankfurt/Main, Gjermani, jeton dhe punon në mënyrë nomade. Punët e saj dhe pefrormancat kanë qenë pjesë e aktiviteteve të shumta përfshi; Manifesta 11, Zurich, Switzerland; Double Feature Schirn Kunsthalle Frankfurt/Main, Germany; Che c’é di nuovo, Museo Cantonale Arte Lugano…

Double Feature #7 është mbështetur nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë. / KultPlus.com

Studentë nga Kosova përfitojnë nga marrëveshjet e MKRS-së në fushën e trashëgimisë kulturore

Studentë të Kosovës do të vazhdojnë studimet pasdiplomike në fushën e trashëgimisë kulturore në Angli e Francë, si rezultat i marrëveshjeve të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit me Këshillin Britanik dhe Ambasadën e Francës. Me këtë rast, ministri Kujtim Gashi, i priti në një takim kandidatët të cilët priten të jenë kuadro në fushat përkatëse të trashëgimisë.

Arta Arifi, Atdhe Prelvukaj e Enes Lekiqi, janë studentët fitues të cilëtkanë fituar bursë për vazhdimin e studimeve pasdiplomike në Angli, pas përfundimit të fazave të konkursit, në kuadër të marrëveshjes së MKRS-së me Këshillin Britanik, ndërkaq, Marigona Ademi e Endrit Smajli, fitues të bursave për vazhdim të studimeve në fushën e trashëgimisë në Francë, në kuadër të marrëveshjes mes Ambasadës së Francës, Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe École Normale Supérieure në Paris.

Ministri Gashi u shpreh i kënaqur që në fushën ku mungojnë kuadrot, siç është fusha e trashëgimisë në përgjithësi, këta studentë kanë përzgjedhur pikërisht t’i vazhdojnë studimet e tyre, duke e konsideruar edhe një pasuri për vendin tonë. Ai i uroi për suksese studentët në fjalë, duke i porositur që dijen dhe përvojën e fituar ta sjellin në Kosovë, dhe ta vënë në shërbim dhe në të mirë të vendit tonë, duke e dëshmuar me fakte shkencore autoktoninë dhe lashtësinë e popullit tonë në këto treva.

“Ndjehem i lumtur që jeni treguar të gatshëm që të vazhdoni avancimin tuaj profesional dhe të ndiqni studimet pasdiplomike në këtë fushë deficitare siç është trashëgimia kulturore. Ju do të jeni një shpresë dhe do të plotësoni mungesat në këtë fushë”, tha para studentëve ministri Gashi.

Gashi po ashtu falënderoi edhe Këshillin Britanik dhe Ambasadën e Francës për mbështetjen duke u shprehur se ata kanë qenë dhe do të mbesin partnerë të rëndësishëm të ministrisë.

“Shteti i Britanisë së Madhe dhe ai i Francës janë dy shtete mike të Kosovës, dhe mbështetja e tyre në progresin e Kosovës është i pamohueshëm dhe i pakursyer dhe se populli i Kosovës i është mirënjohës dhe falënderues. Edhe në fushat që ka në përgjegjësi ministria, këto dy shtete kanë ndihmuar dhe vazhdojnë të ndihmojnë në aspekte të ndryshme”, tha ministri.

Ndërkaq, studentët falënderuan ministrinë për përkrahjen dhe përzgjedhjen duke theksuar se ata do të angazhohen maksimalisht që të sigurojnë dijen dhe përvojën e duhur dhe atë ta sjellin dhe ta aplikojnë në Kosovë, në shërbim të fushës së trashëgimisë kulturore. Studentët u shprehën se përmes bashkëpunimit që MKRS-ja ka ndërtuar me partnerët e saj, ka mundësuar që ëndrra e tyre të realizohet.

Kujtojmë se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka themeluar fondin e bursave për trashëgimi, kulturore, për të subvencionuar trajnimin dhe shkollimin e kuadrave deficitare, me qëllim të ngritjes së kapaciteteve profesionale e shkencore të institucioneve të trashëgimisë kulturore. Marrëveshjet e nënshkruara me partnerë dhe projekti në fjalë do të vazhdojnë edhe në të ardhmen./ KultPlus.com

Monica Bellucci merr çmimin për vepër jetësore (VIDEO)

Aktorja e njohur Monica Bellucci ka marrë dje çmimin për vepër jetësore në San Sebastian.

Ajo e ka marrë çmimin Donostia Award në Festivalin e Filmit në San Sebastian në Spanjë. 52 vjeçarja ka dalë në skenë për të marrë çmimin i cili e nderon shumë karrierën e saj prej aktoreje.


“Më pëlqen puna ime dhe çdo ditë punoj me dëshirën më të madhe. Ky çmim më nderon shumë. Jam 52 vjeçare dhe shpresoj se do të më vlerësojnë për punën time, jo për bukurinë time, sepse bukuria është vetëm kalimtare” ka thënë mes tjerash aktorja kur morri çmimin.

Shpesh ajo ka kritikuar mediet pse ato e paraqesin vetëm një grua të bukur por jo të talentuar. Bellucci ka luajtur në filmat “Malena”, “Spectre”, “Irreversible”, “Under Suspicion” dhe filma të tjerë në një karrierë filmike që ka nisur në vitin 1990. / KultPlus.com

Për shtatoret e deformuara në Kosovë dhe heqjen e shtatores së Nënë Terezës nga aeroporti i Rinasit

Ilir Muharremi

Në Kosovë si duket disa nga artistët nuk janë të aftë t’i shprehin gjendjet shpirtërore të njerëzve heronj, të cilët dhanë vërtetë jetën për këtë vend.

Dështim tjetër është shtatorja e Edmond Hoxhës në Junik e cila është shumë qesharake, fyese, e shtrembër estetikisht, kurrfarë përmasa anatomike, trup të hollë… duket si në lëvizje, por nuk është në lëvizje, këmba e djathtë e tërhequr mbrapa është më e gjatë dukshëm krahas me këmbën e majtë, ndërsa dora e majtë e ngritur, duke si e thyer e pavarur me pjesët tjera trupore të heroit. Nuk e dijë çfarë donte të simbolizonte autori me këtë dorë, e cila më shumë të jep imazhin e invalidit sesa njeriut normal simetrikë. Fytyra serioze, po, kjo mund të pranohet, por e ngulitur në një trup qesharak, kjo s’mund të durohet. Kjo figurë jo që nuk duket e gjallë, por është shumë e shëmtuar, bastarduese ndaj kësaj figure heroike, dhe a kështu duhet të tallemi me heronj? Natyrisht jo. “Artisti” komplet e deformon skulpturën jep përshtypjen se duket si e çmendur. Kostumi i cili është i tejdukshëm, kinse thekson muskujt, ndonëse më i rëndësishëm është muskuli se kostumi. Jo skulptor, të gjitha peshojnë në vendin e vet. Kjo shtatore duket e deformuar kokë e këmbë, dhe jep përshtypjen se është i qullosur nga uji, e jo balta. Sikur dikush që sapo ka dal nga dushi. Pamja e tij në këtë rast vërtetë është e pamëshirshme, të vjen për të qarë kurrë e sheh në këtë gjendje një hero. Jo veç që ekziston mungesa e estetikës, por larg është ana poetike, ose raporti me hapësirën që duhet të ketë çdo shtatore.

Syri im në këtë rast duket sikur vështron përmes qelqit drejt këtij subjekti, personazhi me tendencë të motivit moral, duke mos e qëlluar bile asnjë element të bukur të veprës së artit. I mungon edhe shpirti i fortë e i bukur që duhet t’ja instaloj artisti. Kjo shtatore duhet të zëvendësohet me një shtatore më profesionale kushtuar heroit Hoxha, të arrijë një rezultat që trupi i tij, fytyra, të shndërrohen në natyrë të gjallë, e jo kështu e turbulluar dhe e shëmtuar, ta besoj edhe bota se po shikon natyrën e një trimi që vërtetë dha jetën për këtë vend. Defektet anatomike e bëjnë shumë të ftohtë figurën.

Skulptura duhet të përmbajë si anën poetike ashtu edhe estetike, të jetë në lëvizje, dhe shumë e rëndësishme është pika e vëzhgimit, nga cila anë vëzhguesi pozicionohet ta shikoj veprën. Çdo skulpturë në vete përmban edhe distancën jo shumë të largët nga vëzhguesi. Por, kjo distancë duhet t’i përshtatet natyrës së vet. Nga pjesa e djathtë e shtatores, nëse pozicionohemi kah këmba, dhe prej një distance jo shumë të largët, jepet përshtypje se heroi çalon, krejt ky defekt i zgjatjes së madhe të këmbës. Skulptura është art që ndryshon nga pozita e vëzhgimit. Nëse qëndrojmë në një pikë, ne dhe shtatorja do përshkohemi nga hijet, atëherë disa pjesë të trupit dhe fytyrës nuk i vërehen, duhet theksuar mirë, në këtë rast çdo gjë është defektuoze dhe statike. Skulptura ndërron pamjen, nga mëngjesi, pasditja, muzgu dhe mbrëmja. Ndryshe ka imazh dimrit nën mjegull, ndryshe verës, andaj duhet mirë të punohet t’i rezistojë kohës. Varet edhe drita si i bie, a drejt në fytyrë apo ka pjesa e shpinës, sido që të jetë heroi shëmtohet dhe shëmtohet në këtë rast. Skulptori nuk e dijë se vepra e tij nga momenti që del në shesh ballafaqohet me dritën dhe hijet, andaj lakimet, vijat dhe lëmimet duhet të jenë shumë estetike dhe natyrale, bëhet fjalë për realizmin.

Kurrë shtatorja vihet në lëvizje, ajo tenton ta thyen statiken, në fakt është statike, por lëvizja i jepet si rrethanë dhe motiv i personazhit, në këtë rast pjesa nga koka e gjerë te beli është patetike, kurse ajo tek këmbët kaluese me defekte serioze. Skulptura çfarë është në hapësirë ajo është edhe në kohë, kurse shtatorja e Hoxhës as në hapësirë e as në kohë. Në fakt shtatoren nuk mund ta njohim nga takimi i parë, atë duhet shfletuar si libër. Në këtë rast çdo faqe është e shtrembëruar. Nga momenti i vëzhgimit, nuk do të thotë se e kemi anketuar tërë shtatoren, por rasti në fjalë nga çdo pikë e vështrimit, anët optike, gjymtyrët janë dobët të punuara.

Skulptura me figurë njeriu, konkretisht shtatorja i nënshtrohet çdo natyraliteti njerëzor. Në këtë rast duhet t’i përmbahemi asaj çfarë kishte thënë skulptori i madh Roden: “Skulptori kopjon atë çfarë shikon”, këtu bëhet fjalë për realizmin. Në këtë rast te Hoxha kemi imagjinatë, karikaturë dhe satirë.

Skulptorët po harrojnë se nëse modelohet trupi i njeriut, nuk mund t’i shmangen skulpturës greke dhe njohjes shpirtërore. Detyra më e vështirë e skulptorit është krijimi i figurës së njeriut. Këtë e kishte pohuar edhe Shopenhaueri. Shtatorja duhet të ketë baraspeshë ngaqë paraqet trup fizik të kufizuar.

Vite më parë nga aeroporti i Rinasit është hequr shtatorja kushtuar Nënë Terezës e skulptorit nga Kosova Luan Mulliqi. Në vend të saj është vendosur shtatorja e skulptori Thoma Thomait. Vepra e Mulliqit ishte shumë e nxituar, e derdhur me plotë defekte. Vepra ishte lyer me bojë antiruxho krejt kjo për t’i dhënë ndoshta edhe hi syve publikut sepse masa edhe nuk kupton mirë nga arti. Trupi i saj është shumë hollak, jep përshtypjen e shtizës, raketës, madje edhe minares së xhamisë dhe ngritët drejt qiellit. Është ndjesi jo shumë e mirë nëse ndonjë i huaji do vinte në Shqipëri dhe ta shihte në këtë mënyrë figurën e famshme të Nënë Terezës. Kjo figurë duhej të kishte ndjesinë e paqes dhe atë të krenarisë, pastaj elementi tjetër shpirtëror, as që vërehet fare.

Krijimi i imazhit modern që jep formën e raketës, e shëmton Nënë Terezën. Po, edhe sikur t’i shkonte modernia kësaj figure, fytyra duhet të jetë origjinale e humanistes, kurse fytyra ngjanë me shtatoren e Jezu Krishtit në Rio De Janeiro, përveç mjekrës që i mungon në shtatoren e Mulliqit. Trupi hollak i jezuit gati identik është me atë të Nënë Terezës, ndonëse si ndikim i tepruar dhe i qëllimshëm me tentim të kopjes. Pjesa e poshtme është anti-estetike te shtatorja e Nënë Terezës, kurse fytyra s’kishte ndonjë qëndrim të butë të humanistes. Ndjesia se ajo po e bënë lutjen universale as që vërehet, duart janë sikur të ndonjë aktori pa emocion i cili bënë aktrim tregues, ta bind në të jashtmen publikun, ana shpirtërore shumë çalon. Vetëm duart dallojnë nga ajo në Rio De Janeiro, që i ka të hapura, kurse nënë Tereza e Mulliqit i vendos në një mënyrë sikur po lutet, në të njëjtën kohë duke uruar njerëzve mirëseardhje në aeroport.

Pjesa fillesë e poshtme del nga toka tamam si raketë ose shigjetë duke u orvatur drejt qiellit. Monumentaliteti i saj në pjesën e poshtme as që vërehet, është në gjysmë të rrugës procedura e punës, kërkohet më shumë punë për tu finalizuar, dhe nuk e dijë pse shtatoret gjysmake i vendosin në sheshe publike, kjo ndoshta do ishte më mirë të rrinte në park sesa në hapësirë ku vijnë vizitor të huaj. Është deformim i humanistes dhe bëri mirë qeveria që e hoqi nga Rinasi. Dimensioni i thjeshtësisë së saj as që duket dikund, nuk e dijë përse e ngarkojnë fytyrën, duke mos kapur aspak shpirtin e saj. Nga teprimi i stilizimit dhe përpjekja drejt modernes, e humbet komplet efektin shpirtëror estetik të skulpturës. Këtu duhet të kemi shumë kujdes. Kjo është shumë statike e pa jetë s’të len fare mbresa.

As kjo e Thomait me tendenca të realizmit me pak ekspresivitet nuk është shumë e përsosur, ndonëse dukshëm më larg estetikisht nga ajo e Mulliqit. Si punë në frymën e skulpturës ka më shumë vlera. Kjo posedon një dimension nga një vështrim optik më afër, është më e vogël, dhe as kjo në përsosmëri nuk e mishëron humanisten, kjo paska duket si kërkon lëmoshë e nuk jap lëmoshë, është lypsare në këtë pozicion. As kjo nuk tregon thjeshtësinë dhe madhështinë. Gjithmonë ajo afër kishte fëmijë të braktisur të uritur, përse nuk e ngarkojnë me këtë problem, por e individualizojnë, në fund e shëmtojnë. Andaj, të vjen edhe keq për ta shikuar. Po të ishte pikturë çdo gjë të ishte më në rregull, kurse skulptura është më e kufizuar sa i përket figurave të famshme kurrë merren të punohen. Pikaso nuk i ka punuar skulpturat reale, por kurrë është fjala për figura si kjo duhet të kenë karakterin dhe ngjashmërinë.

Disi më duket si ilustrim i një plake shumë të lodhur, të rraskapitur nga vuajtjet e jetës, pa energji, anemike, e kundërta e asaj që duhej ta kishte kjo grua, energjinë hyjnore e cila vërtetë e karakterizon veprën. As e para e as e dyta nuk e kanë këtë energji. Është si degradim soc-realist i kësaj figure humaniste. Andaj, kjo e dyta është realizëm kiç, siç ishte realizmi-socialist, balsamosje e njeriut të gjallë, një imitim, gjithçka mund të jetë vetëm art jo. Nëse kërkohet të jetë e një fryme të sotme, energjia hyjnore, karakteri nuk bënë ti mjegullohen. Mos të harrojmë se kush ishte Nënë Tereza, lutjen që e bëri për njerëzit, dhe ne aspak nuk ja kthyem këtë, por po lozim duke e transformuar prishur në shtatore të dështuara.

Shtatorja e re duhet të shpërndaj, ngacmoj, ndikoj me energji shumë hyjnore. Mjafton, e përkulur, me një dritë hyjnore mbi fytyrën e saj, drejt njerëzimit gjysmak idiotë, të pamëshirshëm, kokëtrashë të cilët kurrë nuk do ta njohin shkencën e shpirtit të saj. Mjafton kostumi i bardh dhe ngjyra e kaltër.

Syzet, shallin e tij, disa ja hoqën syzet, shallin e bënë si shami, krijuan parodi, humor, satirë me bucetat që i ekspozuan për konkursin e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova. Fytyrat qenë si mumie, anemike, pa gjak, me ballë herë të qitur jashtë, e herë të vogël, dikund edhe i shtrembëruar, nuk dihej saktë cili mund të jetë ish presidenti. Disa e paraqiten si valltarë bluzi, disa si balerinë, disa të tjerë si xhuxhë, kurrsesi t’ja qëllonin figurës. Përse ndodhi kjo? Skulptori veprën e tij e trajton si fëmijën e tij, andaj edhe kur ta krijon të shëmtuar i duket e mirë, ngaqë është pjesë e tij. Kurse ata profesionist ndjejnë ftohtësi ndaj veprës, distancë, bëhen vetëkritik, por prapë ekziston një sasi e euforitetit që i ngritë në maje bashkë me veprën e tyre. Lehtë klithet për këto buceta se janë të shëmtuara, por ta nxjerrim më të mirën më edukuesen, më origjinalen, kjo është më e vështira.

Shtatorja e Ibrahim Rugovës e vendosur në shesh të Prishtinës krahas atyre shëmtirave është e punuar më mirë. Ka lëvizje interesante, kostum prej intelektuali, ka ngjashmëri me fytyrën e tij origjinale… Ka disa veçori po them të ngjashme me shtatoren e Enver Hoxhës, pjesa e drejtë e trupit, kraharori, thyerjet e kostumit te kraharori, dora e majtë e ngritur pak në pozicion të njëjtë, vetëm se të Rugova nuk vërehet që është e lirë, por si e detyruar të jetë e ngritur, paksa e djathta e shtrirë është më e gjatë në raport me përmasat trupore që bëhen si matje te “Njeriu Vitruvian’. Shuplaka është shumë e madhe e dorës, komplet shtatorja është e madhe. E kuptoj atë krenarinë dhe shpirtin, por duhet fizikuesi të jetë brenda normales.

Është pak e dhimbshme se si t’i ngjaj një figurë që gjithmonë tentonte demokracinë një komunisti siç qe Enveri. Shtatorja komplet i ka përmasa e realizmit socialist, dhe Rugova nuk duhet t’i ketë. Ndoshta skulptori dhe kërkesat ishin që të shfaq individin patetikë, porse jo të hulumtuar në katalog ose google për dhënien e formës së trupit, sepse trupi më shumë është i Enverit sesa i Rugovës, por edhe ai i Enverit nuk qe i Enverit por kërkesë e sistemit. Andaj, kjo nxit imitimin dhe vërtetë ishte prej shtatoreve më të realizuara krahas shëmtirave.

Shtatoret e sotme përveç që duhet të jenë estetike duhet të duken edhe të vërteta, por s’po flas për hiperrealizmin. Rodeni më kot nuk thotë se karakteri e tejkalon bukurinë e skulpturës. Pjesa e syve te Rugova nuk mund të identifikohet mirë, duken si të mbyllura apo me shikim drejt tokës, por nga sytë pasqyrohet shpirti. Krahas me shtatoren e Enverit si të ngjashme, Enveri është më i plotë më i fryrë, kjo si shkak i sistemit.

Skulptori kur modelon portretin duhet ta shmang lirinë e tij, ai nuk është i lirë, ai është i kufizuar ndaj portretit që pritet të lind. Kurrë merret të krijohet një figurë e famshme, skulptori duhet të jetë arkeolog i fortë ndaj mendjes dhe informator i mirë për jetën, fizikun e portretit. Nëse nuk i respekton këto, atëherë krijon art individual dhe personal. Nëse hulumton shumë për qëndrimet, mund të ndikohet, keqkuptohet dhe të shpallet si plagjiatorë. Kurrë shtatorja arrin të krijoj bindje vizuale te shikuesit, skulptori është sfidues i vërtetë.

Në kohërat e saj, skulptura e mirë kërkon gjestin, tek ne ajo rënkon për gjestin, pastaj shprehjen e fytyrës, te ne vajton ta ketë shprehjen origjinale të fytyrës, porse edhe shikimin e zbrazët, sepse në dukje ashtu reflekton, por shpirti origjinal duhet të rezymojë mbi të gjitha gjestet, e ti kthej kah vetja krejt shikimet e botës. Këtë nuk e kemi ne, vetëm vazhdimësi e soc-realizmit dhe vetëm soc-realizëm, sikurse edhe shtatorja e Rugovës që u përjetësua pothuajse me trup të ngjashëm të Enver Hoxhës. Qëllimi i shtatores së Rugovës nuk duhet të imitojë Enverin, por të stilizojë presidentin e ndjerë, dhe të ruaj në vete shprehjen tejet domethënëse, afshin kalimtar nga koka gjerë të këmbët, vetëm kështu ajo do ta prezantonte perfeksionin që është i palëvizshëm, por vizualisht i lëvizshëm. Origjinaliteti dhe stilizimi do të kishin forcën dhe unitetin, dhe shtatorja do ishte më provokuese. Stilizimin e kemi pasur në fillim të epokave artistike dhe gjithmonë dilte në fund.

Sot inaugurohet shkolla franceze EFIP, në Prishtinë

Sot më 28 shtator me fillim nga ora 17:30, do të bëhet inaugurimi i shkollës franceze EFIP në Prishtinë, shkruan KultPlus.

“Nëpërmjet projektit të saj, Shkolla Franceze ndërkombëtare e Prishtinës, do të propozojë rrugëtim drejt ekselencës, në mënyrë që nxënësit e saj t’i bëjnë ballë sfidave të botës sonë të globalizuar. Ajo do t’i japë kështu një vend të rëndësishëm rrugëtimit kulturor, shkencor, qytetar dhe gjuhësor të çdo nxënësi, duke i ofruar kështu që në kopsht një mësimdhënie të pasur dhe të hapur ndaj Evropës dhe botës”, thuhet në njoftim.

SCOLAE MUNDI, punon së bashku me agjencionin publik (AEFE ) në forcimin dhe zhvillimin e rrjetit të shkollave franceze jashtë vendit. Pas shkollave në Sarajevë, Odesa, Shkup dhe Tiranë, sot SCOLAE MUNDI së bashku me agjencionin publik (AEFE ), e bashkë me Ambasadën e Francës në Kosovë, bëjnë inaugurimin e shkollës së pestë në Prishtinë, rruga Arben Xheladini./ KultPlus.com

Dhjetë qytetet më të vizituara në botë

Në vendin e parë është Bangkok me 19.41 milionë vizitorë, pasuar nga Londra me 19.06 milionë vizitorë, Parisi me 15.45 milionë vizitorë dhe Dubai 14.87 milionë vizitorë.

“Mastercard Destination Cities Index” ka bërë një renditje me qytetet më të vizituara në vitin e kaluar në botë, shkruan moneyish.com, përcjell albinfo.ch.

Në vendin e parë është Bangkok me 19.41 milionë vizitorë, duke u pasuar nga Londra me 19.06 milionë vizitorë, Parisi me 15.45 milionë vizitorë dhe Dubai 14.87 milionë vizitorë.

Në top-10 qytetet më të vizituara janë edhe Singapori, Nju Jorku, Seuli, Kuala Lumpur, Tokio dhe Stambolli.
Por, nëse marrim për bazë se kanë shpenzuar turistët ku kanë qëndruar, atëherë Dubai doli në vendin e parë me 28.5 miliardë dollarë. Nju Jorku është në vendin e dytë me 17.02 miliardë dollarë, derisa Londra në vendin e tretë me 16.09 miliardë dollarë të ardhura turistike përgjatë vitit 2016./ KultPlus.com

Top-10 qytetet:

Bangkok – 19.41 milionë vizitorë
Londra – 19.06 milionë vizitorë
Paris – 15.45 milionë vizitorë
Dubai – 14.87 milionë vizitorë
Singapori – 13.11 milionë vizitorë
Nju Jork – 12.70 milionë vizitorë
Seuli – 12.39 milionë vizitorë
Kuala Lumpur – 11.28 milionë vizitorë
Tokio – 11.15 milionë vizitorë
Stambolli – 9.16 milionë vizitorë

The Guardian paraqet bukuritë e bregdetit të Durrësit (FOTO)

The Guardian, sot përmes fotografive ka treguar bukuritë e bregdetit të Durrësit, shkruan KultPlus.

Fotografitë i ka shpërndarë në rrjetin social Facebook, edhe kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili njëkohësisht ka uruar një ditë të mbarë me këto fotografi./ KultPlus.com

‘T’padashtun’ nominohet për çmimin e kritikëve të filmit holandez

‘T’padashtun’ nga Edon Rizvanolli, është nominuar për çmimin e kritikëve të filmit holandez, shkruan KultPlus.

Filmi ka marrë pjesë në Festivali e Filmit Holandez i cili mbahet për çdo vit në fillim të vjeshtës. Ky film i cili pati premierën në Karlovy Vary, është filmi që do të përfaqësoj Kosovën si propozimi zyrtar për konsiderim në kategorinë ‘Filmi më i mirë i huaj’ të Akademisë Oscar.

‘T’padashtun’ me skenar dhe regji nga Edon Rizvanolli është dramë e cila merret me pasojat dhe traumat e shkaktuar nga lufta e vitit 1999 në Kosovë. Filmi trajton ngjarjen e një adoleshenti i cili jeton me nënën e tij kosovare në Amsterdam dhe që rikthimi i traumave të nënës së tij ia rrotullojnë botën.
Në rolet kryesore janë Adriana Matoshi dhe Jason de Ridder.

Ky projekt është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Fondi i Filmit Holandez./ KultPlus.com

‘Tulla’ nis sezonin me ngjarje interesante, performon edhe Andrra

Tulla Culture Cente në Tiranë nis sezonin e katërt me ngjarje interesante nga arti, shkruan KultPlus.

Kjo qendër kulturore e cila përgjatë vitit ka sjellë emra të njohur të muzikës, artistë të ndryshëm me ekspozita e kështu me radhë, më 6 tetor ditën e premte me fillim nga ora 20:00 hape sezonin me ekspozitën ‘Minierat e Kulturës’ nga Labin Art Express, Kroaci. Ndërsa po atë ditë me fillim nga ora 21:00 do të performojë Live grupi ‘Drones ‘72’ nga Brukseli.

E të shtunën më 7 tetor në këtë qendër kulturore do të performojë Andrra-Fatime Kosumi. Andrra do të performojë si pjesë e programit zyrtar të ‘Tetorit Gjerman’, me fillim nga ora 21:00./ KultPlus.com

‘Edukata Qytetare’ e klasës së gjashtë me gabime të rënda drejtshkrimore (FOTO)

Në Edukatën Qytetare të klasës së 6 të shkollës fillore, është një hartë në të cilën emrat e komunave të Kosovës janë shkruar gabim, shkruan KultPlus.

Këtë gjë përmes fotografisë e ka treguar nëpërmjet rrjetit social Facebook, profesori Rrahman Paçarizi, i cili poashtu ka shprehur shqetësimin e ti për nxënësit që kanë në dorë këtë libër.

“Se në ç’gjendje është shkolla shqipe, dëshmon kjo hartë me emrat e komunave të Kosovës.
Gjilanë, Ferizajë, Istogë, Deqanë, Kaqanikë…. Mozomakeq. Libri është i financuar nga taksat tona, pra.
Me siguri ka nxënës të cilët janë ndëshkuar pse i kanë shkruar gabimisht emrat e qyteteve. Po për librin?”, ka shkruar Paçarizi./ KultPlus.com

Rita Ora do të udhëheq sivjet MTV Europe Music Awards në Londër

Ceremonia e këtij viti do të zhvillohet në Londër për herë të parë në më shumë se 20 vjet.

Rita Ora është shpallur si udhëheqësja e këtij viti në MTV Europe Music Awards, shkruan Official Charts, përcjell KultPlus.

Këngëtarja do të paraqesë ceremoninë e këtij viti, e cila po mbahet në Londër, dhe gjithashtu do të luajë në skenën e EMAs. / KultPlus.com

Fotografia që na dha trishtim

Fotografia e vitit 1967, të cilën historiani shqiptar, Kastriot Dervishi e publikoi për herë të pare me rastin e 10 vjetorit të vdekjes së At Zef Pllumit na dha tronditje e trishtim.

Është fiksuar çasti kur At Zef Pllumi u arrestua nga komunistët, derisa provoi të kapërcente ilegalisht kufirin.

Pikërisht në vitin 1967, regjimi komunist ndaloi besimin në Zot dhe Shqipëria zyrtarisht u shpall i vetmi shtet ateist në botë!

At Zef Pllumi vuajti plot 25 vjet burg në Diktaturën shqiptare. Nëse shqiptarët mendojnë se janë liruar nga hija e këtij regjimi, gabojnë rëndë.

Pasi komunistët në Kosovë e Shqipëri, nuk u ndëshkuan për krimet e bëra për gjysmë shekulli, pasardhësit e tyre neokomunistët e rinj, sërish kanë nxjerrë kokën dhe dy shtetet shqiptare vazhdojnë të kërcënohen me mungesë perspektive në varfëri e izolim.
Neokomunistët ende luftojnë kundër sloganit të shenjtë: Për Fe e Atdhe. (Shkruan Bajram Mjeku)/ KultPlus.com

Piktorët pa atelie

Në fshatin Lepinë afër Komunës së Lipjanit jeton një familje 7 anëtarësh rome. Vëlla e motër, ndonëse nuk kanë të përfunduar shkollën e artit, ata tashmë kanë mbi 200 piktura, të cilat i kanë punuar vetë.

Janë këta Bajram e Fahrije Mehmeti, të cilët në kushte mjaft të vështira ekonomike, megjithatë, kanë arritur që pasionin e tyre për pikturën mos ta shuajnë. Ndonëse shtëpia e tyre ka vetëm dy dhoma për të 7 anëtarët e familjes, ata e shfrytëzojnë për të fjetur, të ushqehen dhe jetojnë, si dhe e kanë improvizuar si atelie, për të pikturuar.

Bajram është 37 vjeçar. Ai thotë se përmes artit përpiqet që të pasqyrojë kulturën rome. Pothuajse të gjitha pikturat e tij kanë lidhshmëri me jetën e komunitetit rom në Kosovë.

“Kryesisht pikturoj jetën e romëve, e paraqes kulturën rome dhe doket tona. Gjithashtu më pëlqen të pikturoj natyrën, peizazhet dhe portretet”.

“Mund të them se punojmë me material i cili është lehtësisht i qasshëm për ne, për shkak se nuk kemi kushte të punojmë. Punojmë me teknikën e temperit, në letër. Kam dëshirë të punoj në pëlhurë, por për shkak të materialit që nuk e kemi, sepse nuk kemi kushte të mjaftueshme, punojmë me ato që kemi. Pra, unë dhe motra ime Fahrija, punojmë në letër dhe në këtë mënyrë prezantojmë kulturën dhe jetën tonë, përmes kësaj teknike”, tha Bajrami.

Bajrami thotë se në dy raste ka hapur ekspozitë, një herë në Komunën e Graçanicës dhe herën tjetër në Galerinë e Arteve të Kosovës. Për këtë të fundit,në të cilën janë ekspozuar mbi 200 piktura, Bajrami thotë se ku është pritur me mjaft interesim.

“Kjo ekspozitë është mbajtur në vitin 2012. Ka pasur mjaft njerëz që i kanë shikuar punimet tona. Kjo ka qenë ekspozitë e veçantë, të cilën e kemi pasur në Kosovë”, tha Bajrami.

Ai shtoi se deri më tash, nuk kanë marrë ndonjë ndihmë për t’ua lehtësuar kushtet e punës.
“Deri më tash as që kemi kërkuar, por besoj që për punën tonë kanë dëgjuar, por edhe e kanë parë, mjaft njerëz”.

“Unë jam një artist autodidakt dhe që kur kam qenë fëmijë i vogël kam nisur të pikturoj. Nuk kam përfunduar shkollimin për pikturë, për shkak të kushteve, të cilat nuk i kemi pasur, sepse jemi një familje mjaft e varfër”.
“Megjithatë, jam lajmëruar në një shkollë private për pikturë. Kjo ka qenë moti, në vitin 2000, në Uglare. Kështu kam mësuar mjaft teknika. Kështu edhe e kam përsosur punën time”, tha Bajrami.

As Fahrije Mehmeti, 39 vjeçe nuk ka të kryer shkollë për artin. Ajo ka mbaruar vetëm shkollën fillore. Ndonëse nuk ka pasur mundësi të vijojë më tej shkollimin, Fahrija tash është një artiste. Ajo pikturon portrete, ku përmes tyre pasqyron kulturën rome, komunitetit që edhe vetë i takon.

Përpos pikturave Fahrija , së voni ka filluar të pikturojë edhe shamitë, që i përdorin kryesisht komuniteti rom.
“Për mua do të thonë shumë kjo punë që bëj , pasi unë kam punuar portrete në letër, dhe tash punoj si ide të re, shamitë I ngjyrosi me ngjyra ku pasqyroj të njëjtën ide, pra kulturën rome, por jo në letër por ne material. Teknikën e njëjtë e përdori”.

Fahrija shpreson se dikush do t’iu ndihmojë që ata ta kenë një atelie të tyre, e që edhe është ëndrra e vetme e Fahrijes.
“Tash kemi një projekt, i cili dhëntë Zoti të ketë sukses, me ndihmën e njerëzve të mirë. Nëse ata kanë vullnet, të na ndihmojnë që ky projekt të ketë sukses, në mënyrë që të mbledhim para sa është e nevojshme që ta kemi atelienë tonë dhe material të mjaftueshëm që të punoj unë dhe vëllai im, me teknikën të cilën e ka”.

“Mund të them se pasqyrojmë kulturën rome, por edhe grave të Kosovës. unë këtë e bëj përmes imagjinatës, ashtu siç më vjen ideja dhe e shpërfaqi. Tash për tash i kam të gatshme rreth 50 portrete”, tha Fahrija.

Sidoqoftë, ëndrra Bajramit dhe Fahrisë mbetet ndërtimi i një atelieje, gjithsesi me vullnetin e mirë të njerëzve që do të mund t’ju ndihmonin, dhe më pas ku ata do të mund të punonin duke shprehur talentin e tyre, shkruan Insajderi./ KultPlus.com

Uk Lushi: Bashkimi kombëtar i shqiptarëve do të ndodhë

Me reagimet e tij në Facebook, shumë shpesh Uk Lushi zgjon debat por edhe thumbon tema sensitive për shqiptarët. Statusi më i ri nga autori e publicisti shqiptar merret me bashkimin kombëtar.

“Mbajeni mend: bashkimi kombëtar i shqiptarëve të ndarë do të ndodhë. Krejt provincialistët, lokalistët dhe përkrahësit e sotëm të ideve të mosbashkimit do të na çajnë kryet se si ata dhe ato kanë qenë tërë kohën dhe me më zjarr se të gjithë për bashkim. Këtë do të mundohen ta dëshmojnë sidomos në tentimin të vihen në krye të vendit të realitetit dhe jetës së re” ka shkruar Lushi së fundmi.

Lushi edhe disa herë më përpara është marrë me temën e bashkimit kombëtar mes Kosovës e Shqipërisë. / KultPlus.com

Filmi i Izer Aliut hapë festivalin TIFF-ODA

Edicioni VI i TIFF – ODA do të nis më 3 tetor në Tetovë, Maqedoni, shkruan KultPlus.

Ky festival i cili ka për qëllim qasjen e të gjithë artistëve të filmit dhe rritjes së ndërgjegjësimit të qytetarëve, shkëmbimit të ideve dhe prezantimit të veprave kulturore, do të mbahet deri më 7 tetor. Brenda kësaj javë do të shfaqen filma nda vende dhe artistë të ndryshëm.

Ceremonia e hapjes është më 3 tetor me fillim nga ora 20:00 me shfaqjen e filmit ‘Hunting Flies’, me regji të Izer Aliut./ KultPlus.com